2 Gusht, 2017 - 10:30 am
Mbrëmë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nën patronatin e Ministrisë së Diasporës, u mbajt manifestimi tradicional “Ditët e Diasporës”, në të cilin morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve, shkruan KultPlus.
Ky manifestim filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari dhe vazhdoi me programin kulturo-artistik të grupit muzikor vokal “Kvali” nga Sllovenia, i udhëhequr nga muzikologia Alma Bejtullahu, ikona e muzikës së vjetër qytetare Nezafete Shala & grupi muzikor si dhe talenti nga Austria Alban Spahiu.
Gjatë këtij manifestimi i pranishëm ishte edhe ministri i diasporës, Valon Murati i cili mori fjalën me këtë rast.
“Vitet po kalojnë, e me to shumë kujtime jetësore shlyhen, disa mjegullohen në memorien tonë, e të tjerat fragmentohen. Por ka disa ngjarje në historitë tona personale, familjare, shoqërore e kombëtare të cilat nuk harrohen. Përkundrazi, me kalimin e viteve, ato marrin të tilla karakteristika të cilat jo veç që bëhen pjesë e memories sonë personale e kolektive, por shndërrohen edhe pjesë e identitetit tonë kombëtar. Një ngjarje e tillë është Epopeja e Jasharëve e 5, 6 dhe 7 marsit 1998. Kjo epope, kjo rënie e një familjeje ishte e pashembullt në Evropën e gjysmës së dytë të shekullit 20-të, dhe shënoi ngritjen e popullit tonë nga letargjia duke e bërë të qartë se liria nuk do të na dhurohej”, tha ndër të tjera Murati.
Duke ju drejtuar bashkatdhetarëve, Murati tha që edhe ata ishin pjesë e pandashme e rrugës për lirinë e atdheut.
“ Tërë jeta e juaj, ka qenë në shërbim të lobingut politik, të ndihmave financiare, të ndihmave logjistike dhe në fund edhe të pjesëmarrjes fizike në luftën çlirimtare. Pa punën tuaj, liria do të ishte shumë më vështirë e arritshme. Andaj, në respekt të angazhimit tuaj dhe të lidhjes që keni me lirinë e Kosovës, ne mblidhemi këtu çdo vit, për të shënuar ditët e mërgimtarëve edhe në Prekaz, si simbol i sakrificës së përbashkët, për të çimentuar lidhjet e diasporës me vendlindjen”, është shprehur Murati.
Ndërsa sonte në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës, bëhet ndarja e çmimeve “Mërgimtari i viti” dhe “Gazetari i vitit për diasporën”. / KultPlus.com