займ на карту кредит банк

Shqipe Canolli sjellë për fëmijët historinë e princeshës dardane Aria

Dhjetor 6, 2018 - 3:40 pm

Shqipe Canolli ka sjellë për fëmijët një përmbledhje me tregime të cilën e ka titulluar “Aria”, shkruan KultPlus.

“Aria” është një libër për fëmijë me pesë tregime të gjata. Secili tregim shpalos një botë magjike që vjen te lexuesit e vegjël si një rrëfim fantastik i mbushur me plot fantazi, imagjinatë, aventura, të bëma dhe mistere të ndryshme. Ky libër është botuar nga shtëpia botuese CUNEUS.

Tregimi “Aria” është një rrëfim i bukur që flet për kureshtjen e një vajze të vogël për misterin e lugës së argjendtë që lidhet me historinë e perandoreshës Aria, e cila kishte jetuar para shumë e shumë kohësh në trojet dardane.

“Pilivesa” është një rrëfim fantastik mbi dashurinë e dragoit për pilivesën e vogël. Aventura e pilivesës fillon kur miqësohet me bletën mbretëreshë dhe vendos t’i ndihmoj asaj të shkojë në shpellën e dragoit. Posa e sheh pilivesën, dragoit i thyhet zemra dhe mundohet ta bëj për vete, por pastaj ndodhë një çudi tjetër…

“Liqeni i andrrës” është një tregim për Artin, një djalosh gazmor që tregon histori të ndryshme për Vendin e Andrrave. Por askush nuk i beson. “E si mund ta takosh Babadimrin e Vërtetë?!” “A ekziston përnjëmend një Vend i Andrrave?!” Të gjitha përgjigjet Arti i gjen pas një ëndrre…

“Mbretëria e Kuajve të Detit” është një tregim fantastik për misterin dhe magjinë e një libri të çuditshëm me kapakë luspash. Tre heronj të vegjël e gjejnë librin me kapakë luspash në zgavrën e një lisi të moçëm dhe papritmas nga libri shfaqet një delfin bishtkaltër, i cili me magji i shpie drejt e në botën nënujore dhe pastaj fillon aventura e vërtetë. Misioni i tyre: të shpëtojnë Mbretërinë e Kuajve të Detit nga peshkaqeni kokëçekiç.

Tregimi i fundit “Joni” është një përrallë që tregon historinë e jetës së një djaloshi shtatshkurtër që rritet në Pylllin e Breshkave dhe deri vonë nuk e di se kush janë prindërit e vërtetë. Drama e vërtetë fillon kur Joni niset në kërkim të prindërve të tij.

“Aria” do të jetë në librari të Prishtinës prej datës 7 dhjetor 2018. /KultPlus.com

Të ngjajshme