Kopshti Zoologjik do të hapet më 4 qershor, Veliaj: Një eksperiencë e jashtëzakonshme për fëmijët

1 Qershor, 2022 - 1:22 pm

Kopshti i ri Zoologjik do të hapë dyert të shtunën më 4 qershor, në mesditë,  Hapja do të shoqërohet me një sërë surprizash për fëmijët, që do ta kthejnë vizitën në një eksperiencë të bukur për ta. 

Vizitorët e sotëm të Kopshtit Zoologjik, pikërisht në Ditën e Fëmijëve, ishin fëmijët e familjeve frekuentuese të qendrave sociale dhe të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, të cilët së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, panë detajet e fundit, para hapjes së madhe në 4 Qershor. Gjatë vizitës së tyre, Veliaj u shpjegoi fëmijëve si do funksionojë Kopshti Zoologjik në përditshmëri.

Në Kopshtin e ri Zoologjik do të kemi shumë aktivitete, madje mund të kaosh edhe natën në tenda, mes kafshëve; mund të festojmë ditëlindjet, kemi klasat mësimore që mund të rezervohen, si klasa e biologjisë, e diturisë së natyrës dhe e zoologjisë, mund të zhvillohen praktika studentore për Universitetin Bujqësor të Tiranës, e shumë të tjera. Do të jetë vërtet një eksperiencë e jashtëzakonshme për fëmijët, ndaj mezi po e pres ditën e shtunë, kur do të bëjmë hapjen e madhe. Qyteti ka fituar një xhevahir të jashtëzakonshëm! Shumica e kafshëve ka ardhur, po presim majmunët e racës lemur dhe kafshë të tjera që janë rrugës. Ndërkohë, dy luanë dhe një tigër tashmë kanë ardhur dhe ende po ambientohen me territorin, duke qenë se kanë ndryshuar habitatin”, tha Veliaj.

Ai ftoi fëmijët dhe prindërit që të vijnë ditën e shtunë në mesditë për hapjen e madhe sepse do të shohin një filozofi krejt tjetër, qoftë në hapësira, qoftë në trajtimin e kafshëve. Veliaj theksoi se ky investim i jep Tiranës jo thjesht një kopësht të denjë Zoologjik, aq të dashur për fëmijët, por i rrit edhe vlerën pronave përreth.

Për ata që kundërshtojnë projektet e Tiranës, si Sheshi, Lodrat te Liqeni, Pazari i Ri, Kalaja, tani Kopshti Zoologjik, apo minorancën e vogël që kundërshton projektin e Kopshtit Botanik, thjesht duhet të vijnë ta shohin dhe të kuptojnë se është dita me natën. Që tani është rritur vlera e banesave në gjithë këtë zonë. Përfitimi nuk është i menjëhershëm, por vjen si rrathët koncentrikë, në fillim pasuron gjithë zonën. Me të mbaruar këtu, do të zgjidhim gjyqet dhe konfliktet me ata që na pengojnë tek Kopshti Botanik, pastaj do të vazhdojmë me pishinat te Diga e Liqenit, për t’i dhënë njëherë e mirë drejtim hapësirave më dinjitoze të Tiranës”, shtoi ai.

Veliaj tha se pranë kopshtit ndodhet parkim i ri nëntokësor, ndërsa thekson se çdo ditë të po i kushton rëndësi hapësirave për parkim.

“Në hyrje të Kopshtit Zoologjik kemi edhe një parking nëntokësor. E di që nuk do të ketë kurrë vend për 200 mijë makina, por nga një Tiranë pa asnjë parking nëntokësor, në një Tiranë me parkingje të tilla te “Sheshi Skenderbej”, “Bulevardi Ri”, “7 Xhuxhat” dhe “Sheshi Italia” – sa fituam një parking tjetër, e morëm nga zaptimi privat tek Garda, e njëjta gjë poshtë tek diga, tani dhe te Kopshti Zoologjik, – do të thotë se çdo ditë po japim më shumë hapësira për lagjen”, tha ai. /rtsh.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme