Shqipëria, vendi i nderit në ITB “Berlin”, prezantohet siç nuk mund të imagjinohej deri vetëm disa vite më parë

Në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që do të zhvillohet në datat 4-6 mars, Shqipëria do të ketë vendin e nderit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videon promovuese, me të cilën do të prezantohet Shqipëria në këtë panair.

“Shqipëria e të gjitha ndjesive këtë vit është zgjedhur si Vendi i Nderit në panairin më të madh global të turizmit, ITB Berlin, e për pak javë do të prezantohet atje nga organizatorët ashtu siç nuk mund të imagjinohej deri vetëm disa vite më parë”, theksoi Rama.

Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare.

Në muajin janar Shqipëria mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur 2025” në Madrid, Spanjë ku tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë, por jo vetëm./ KultPlus.com

Dostojevski: Besoj se përkufizimi më i mirë për njeriun është: dykëmbësh mosmirënjohës

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.


1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
KultPlus.com

“Telegraph”: Qyteti historik i Gjirokastrës ofron monumente madhështore që u kanë mbijetuar ndërhyrjeve moderne

Ne po humbasim mijëra vende historike të mahnitshme pa i vizituar, mes tyre janë disa nga thesaret e harruara shqiptare, shkruan Nick Trend në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Telegraph”.

Ndërsa shumë nga vendet kulturore më të rëndësishme në botë po luftojnë me turma masive turistësh, një prej tyre – një grup i bukur dhe unik ndërtesash antike në Shqipëri – po rrit përpjekjet për të tërhequr sa më shumë vizitorë.

Të paktën ky është argumenti i aktivistëve të trashëgimisë kulturore që shpresojnë të ruajnë manastiret dhe kishat e largëta dhe historike të Luginës së Drinit.

Ata synojnë – me mbështetjen e Fondit Botëror të Monumenteve (WMF) – të rrisin ndjeshëm numrin e turistëve, duke marrë më shumë vëmendje dhe duke siguruar të ardhmen e këtyre vendeve të mrekullueshme.

Manastiret e braktisura – rreth dhjetëra prej tyre – janë grumbulluar në kodrat në jug dhe në lindje të qytetit të Gjirokastrës në të dyja anët e lumit Drin, i cili përshkon Shqipërinë jugore.

Ato zakonisht përfshijnë një kompleks të vogël ndërtesash manastiri të grumbulluara rreth një kishe qendrore dhe datojnë në shekujt XVI dhe XVII – periudha pas Perandorisë Bizantine ua kishte lënë vendin osmanëve.

Megjithatë, disa prej tyre u themeluan qindra vjet më parë. Ndër më të bukurat janë Kisha e Shën Kirikut dhe Kisha e Shën Julita në Dhuvjan – të cilat mund të jenë themeluar në shekullin VI dhe që datojnë deri në vitin 1089; Kisha e Manastirit të Shën Mërisë (Spile) midis shkëmbinjve gëlqerorë mbi Saraqinisht me kupolën e saj mahnitëse me afreske; Kisha e Shën Nikollës në Dhuvjan dhe Kisha e Profet Ilisë në Stegopull.

Ato i kanë mbijetuar kryesisht ndërhyrjeve moderne, pjesërisht për shkak të vendndodhjeve të tyre të largëta në kodrat dhe malet mbi fushat pjellore të luginës.

Që nga viti 2005, UNESCO i ka listuar manastiret shqiptare si pjesë e një siti të trashëgimisë botërore  – i cili përfshin një grup më të gjerë ndërtesash historike dhe përfshin qytetin historik të Gjirokastrës – me planimetrinë e tij mesjetare, rrugët me kalldrëm dhe arkitekturën e pacënuar osmane.

Ai përfshin gjithashtu xhamitë dhe kalatë në qytetin e Beratit.

Por, muajin e kaluar, Fondi Botëror i Monumenteve u fokusua te kishat. Manastiret u përfshinë në “listën vëzhguese” të fundit 2-vjeçare të WMF-së – mes 25 vendeve historike në mbarë botën – të cilat aktualisht po përballen me sfida të mëdha, duke përfshirë ndryshimet klimatike, turizmin dhe fatkeqësitë natyrore.

Megjithëse numri i vizitorëve në Shqipëri është në rritje, Lugina e Drinit mbetet kryesisht e pazbuluar nga turistët dhe WMF e sheh këtë si një mundësi.

WMF argumenton se rritja e turizmit mund të ofrojë një mënyrë të qëndrueshme për të mbështetur ruajtjen afatgjatë të këtyre vendeve, duke promovuar në të njëjtën kohë historinë e luginës dhe për të nxitur ekonominë lokale.

Fondi Botëror i Monumenteve propozon zhvillimin e një rruge kulturore për turistët.

Kjo do të lidhte manastiret e luginës dhe do të përfshinte restaurimin e shtigjeve ekzistuese dhe gjurmëve të aksesit, sinjalistikën dhe informacionin për vizitorët, trajnimin e guidave lokale dhe bashkëpunimin e bizneseve lokale dhe palëve të tjera të interesuara.

Në pamje të parë, ideja duket si një propozim i favorshëm, por vendosja e ekuilibrit të duhur midis turizmit dhe trashëgimisë nuk është e lehtë.

Richard Hodges, presidenti i Universitetit Amerikan të Romës, ishte i përfshirë në projektin për dhënien e statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për Gjirokastrën në 2005.

Ai pajtohet se këto kisha madhështore meritojnë të njihen më mirë. “Afresket e tyre janë jashtëzakonisht mahnitëse”, tha ai.

Por, ai thekson nevojën për të ecur me kujdes kur synohet rritja e numrit të vizitorëve.

“Kryesorja është ruajtja e këtyre thesareve përmes një vlerësimi të prioriteteve të ruajtjes përpara se të inkurajohet numri në rritje i vazhdueshëm i turistëve në Gjirokastër – që është destinacioni i dytë më i popullarizuar në Shqipëri – për të vizituar këto xhevahire”, tha ai.

“Gjithashtu nuk ka dyshim se diçka nga magjia e këtyre kishave mahnitëse do të humbasë kur ato të restaurohen dhe të bëhen pjesë e një shtegu turistik”, tha ai.

“Por, nëse këto ndërhyrje nuk bëhen, rrezikojmë t’i humbasim ngadalë ato krejtësisht”, tha Hodges. / KultPlus.com

Osmani: Mundësi e mirë që qytetarët sot t’i japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë

Presidentja Vjosa Osmani tha se sot është një “ditë shumë e rëndësishme për demokracinë” dhe “ditë vendimtare”, pasi votoi në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Ajo i ftoi qytetarët që të votojnë, ndërsa tha se ata kanë mundësi, përveç tjerash, që sot “edhe t’i japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë”.

“Shpresoj që të gjithë qytetarët anë e mbanë Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Është edhe moti i mirë sot e me diell, kështu që është pak më lehtë të votohet. Besoj që i kanë informatat e nevojshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth vendvotimeve të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm ta japin vlerësimin për të gjithë qytetarët që i kanë përfaqësuear deri më tani, por edhe t’i japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë dhe është me rëndësi që këtë të drejtë pra ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha presidentja para gazetarëve.

“I uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje. Shpresoj që e mbara t’i prijë Kosovës, vendit tonë të dashur dhe një ndër mënyrat më të mira për të kontribuar për Kosovën tonë është pikërisht duke e shfrytëzuar të drejtën e votës”, shtoi Osmani./ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga liqeni i Shkodrës

Liqeni i Shkodrës, i cilësuar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës, i cili në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025 u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.

Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin./ KultPlus.com

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë, Kumbaro: 13 mijë individë më shumë se në 2024

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë për vitin 2025 prodhoi rezultate shumë pozitive me 13 mijë individë më shumë si dhe 5 specie më shumë krahasuar me censin e vitit 2024.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “rritja vit pas viti e numrit të shpendëve ujorë dimëruese është tregues i krijimit të kushteve më të favorshëm për shtimin e tyre, duke forcuar ekosistemet natyrore të vendit dhe mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjike”.

“Procesi u krye nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë dhe vullnetarë, të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim të jashtëzakonshëm’, tha Kumbaro.

Sipas censit, për numrin e shpendëve, dy zonat më të rëndësishme të shpendëve ujorë janë: Vendi i parë Divjakë – Karavasta – 26 533 individë, vendi i dytë Liqeni i Shkodrës – 23 899 individë, për numrin e specieve, dy zonat më të rëndësishme të specieve ujorë janë: Vendi i parë Divjakë – Karavasta – 46 specie, Vendi i dytë Vjosë-Nartë – 39 specie.

Më 18-19 janar, 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve, duke siguruar një vlerësim të plotë të popullatave të shpendëve ujorë.

Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë./ KultPlus.com

Standardet më të larta të konservimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga magazinimi i koleksioneve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Gonxhja u shpreh se në këtë muze trashëgimia dhe kujdesi ndaj koleksioneve ecin krah për krah.

“Magazinimi i koleksioneve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një përkushtim i vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e thesareve të çmuara të historisë sonë”, theksoi Gonxhja.

“Kjo hapësirë është krijuar për të përmbushur standardet më të larta të konservimit, duke siguruar që çdo objekt të mbetet i aksesueshëm dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai./ KultPlus.com

Deri në 11:00, mbi 23 mijë votues më shumë sesa në të njëjtën kohë në zgjedhjet e vitit 2021

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha në një konferencë për media se deri në orën 11:00 kanë votuar 169 mijë e 32 votues, apo 8.58%.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021, këtë herë kanë votuar 23 mijë e 382 votues deri në të njëjtën orë.

“Duke u mbështetur nga të dhënat nga 2 mijë e 343 vendvotime nga gjithsej 2 mijë e 533, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.58%, apo 169,032 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2021 kishin votuar 8.30% apo 145,650 votues”, tha Radoniqi në një konferencë për media.

Ai tha se nga informacionet e komisioneve komunale të zgjedhjeve thuhet se “procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem”./ KultPlus.com

Librat që duhet t’i lexoni varësisht prej vendeve të cilat i vizitoni

Ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha. Pra nëse keni planifikuar të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund t’i lexoni, në varësi të vendeve që do të vizitoni.

Kur përmenden pushimet verore – automatikisht mendja ikën tek deti, rëra dhe dielli.

Megjithatë, ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha.

Në raste të tilla, planifikimi është shumë i rëndësishëm: vendet që do të vizitohen, lista me muzetë, restorantet tradicionale etj, transmeton Klan Kosova.

Por disa të tjerë që nuk janë shumë të dhënë pas udhërrëfyesve. Ata janë të apasionuar pas letërsisë, i pëlqejnë librat në të cilat vendi i ngjarjes është po aq i rëndësishëm sa personazhet.

Nëse keni bërë plan të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund të zgjidhni të merrni me vete, në varësi të vendit që do të vizitoni.

Pragë – “Shakaja”, Milan Kundera

Nëse do të udhëtoni në Pragë, lexoni “Shakaja” të Milan Kunderës. Një libër që rekomandohet gjithnjë. Një histori e vendosur gjysmë shekulli më parë, që megjithatë është një libër brilant, i përshkuar nga një humor i hollë. Përshkrimi me detaje i një pjese të folklorit vendas i jep ngjyra realitetit gri të periudhës komuniste në ish-Çekosllovaki.

Barcelonë – “Hija e erës”, Carlos R. Zafon

I vendosur në Barcelonën e pasluftës, libri rrëfen jetën e Daniel Sempere, ende fëmijë, që mrekullohet nga Varreza e Librave të Humbur. Në raftet e panumërta ai tërheq një libër: “Hija e erës” nga Julian Karaks. Pasi e lexon librin me një frymë, Daniel vihet në kërkim të librave të tjerë të Karaksit, kërkim që do të zgjasë me vite, duke zbuluar një nga një ngjarje të dhimbshme dhe fate të humbura.

Tokio – “Kronika e zogut kurdisës”, Haruki Murakami

Në rrethinat e Tokios, jeta e Okadas, një burrë në moshë të re, do të ndryshojë pas telefonatës së rastësishme të një gruaje…

Kejp Taun – “Turpi”, J.M.Coetzee

Pasi ka dhënë mësime për vite me radhë në Universitetin Teknik të Kejp Taunit, David Luri, një burrë rreth të pesëdhjetave, dy herë i shkurorëzuar, ka një lidhje të zjarrtë dashurie me një studente të tij.

Stamboll – “Muzeu i pafajësisë”, Orhan Pamuk

Libri ndjek jetën e një sërë personazhesh në një Turqi që po zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit të kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit europian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën…

Paris – “Kodi Da Vinçi”, Dan Brown

Një triller interesant, që pavarësisht pretendimeve për gabime historike apo kritikave për prozë të dobët, të mban mbërthyer deri në fund. Nga rrugët e Parisit, në kisha e galeritë e Luvrit./ KultPlus.com

BE po monitoron procesin zgjedhor me 104 vëzhgues në mbarë Kosovën

Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka thënë se ky mision është në terren në mbarë Kosovën.

Loiseau ka thënë se me 104 vëzhgues në terren, BE është e përkushtuar ta monitorojë nga afër procesin zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

“Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor”.

“Aktualisht ndodhem në Prishtinë, ku isha edhe dje. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën”.

“Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë”.

“Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo./ KultPlus.com

‘Politikanët janë gjithandej të njëjtë, ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë’

Sot KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botërorë.

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com

144 vjet nga vdekja e Fjodor Dostojevskit

Fjodor Dostojevski ka lindur më 11 nëntor 1821, Moskë, Rusi.

Jeta e autorit rus Fjodor Dostojevski, ndër figurat më të shquara të literaturës botërore, ishte dëshmi e kësaj lloj vuajtjeje. Në moshën 15 vjeçare nëna i vdes nga tuberkulozi; dy vjet më pas vdes gjithashtu edhe i ati, një alkoolist i dhunshëm, për të cilin besohet se u vra nga shërbëtorët e tij.

Në vitin 1849 Dostojevski dhe kolegët e tij në rrethin radikal politiko – letrar “Petrashevski’ arrestohen dhe burgosen. Më pas dënohen me vdekje më 16 nëntor 1849. I gjithë grupi u detyrua që të qëndronte në të ftohtin e acartë në pritje të skuadrës së pushkatimit. Në minutën e fundit vendimi u anulua.

Cai Nikolaj, duke i konsideruar grupe të tilla si subversive dhe dëmtuese për pushtetin e tij, i vendoste të burgosurit përpara një ekzekutimi ritual simbolik, më pas e anullonte vendimin në momentin e fundit si shenjë e mëshirës së tij për të dënuarit. Si rezultat, Dostojevski u burgos dhe u dënua me punë të rëndë për 4 vjet në një burg në Siberi dhe 4 vite të tjera me shërbim të detyruar në ushtrinë ruse. Vetëm pas 10 vjesh kthehet në Shën Peterburg.

Fjodor Dostojevski është autori rus i shekullit të 19-të që ka shkruar novelat klasike si: “Krim dhe Ndëshkim”(1866) dhe “Vëllezërit Karamazov”(1880). Dostojevski iu kthye jetes së shkrimtarit si profesion pas një karriere të shkurtër ushtarake, ku në vitin 1846 publikoi novelën e tij të parë “Njerëz të varfër”.

Ai u bë i famshëm për krijimin e “heroit të rrugës’ një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit. Në novelat e tij ai eksploron temat e mëkatit, moralitetit dhe shpengimit të njeriut modern.

Dostojevski vdiq më 9 shkurt të vitit 1881./ KultPlus.com

Kreu i KQZ’së jep përditësimin e fundit për votat nga diaspora: Dje votuan mbi 15 mijë qytetarë

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka dhënë një deklaratë nga një qendër në Pejë, ku edhe votoi.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin të votojnë dhe ka bërë thirrje për një proces të qetë e demokratik.

Tutje, Radoniqi ka dhënë edhe informacione rreth votimit në diasporë.

“Dje është votuar në diasporë. Procesi në diaspora ka shkuar për së mbari, pa asnjë problem. Të gjithë të interesuarit kanë votuar. Tashmë i kemi të dhënat edhe për Amerikë e Kanada. Diku mbi 15 mijë kanë votuar diasporë në në përfaqësi diplomatike. Për sot çdo gjë është gati. KQZ-ja është në detyrë e shpresojmë për një ditë festive” – tha Radoniqi pasi votoi në Pejë./ KultPlus.com

KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka thënë se në të gjitha qendrat e votimit ka nisur procesi i votimit.

 “Në orët e hershme dhe me kohë është shpërndarë materiali zgjedhor. Duke u mbështetur në informacionet deri më tani, në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës, pra në 903 me gjithsej 2533 vendvotime ka filluar procesi i votimit. Përveç votimit të rregullt në këto qendra të votimit, siç e dini, KQZ ka caktuar 38 qendra të votimit me kusht, nga një në çdo komunë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 1,970,944 votues./ KultPlus.com

‘Night to shine’ – Tapet i kuq për personat me aftësi të kufizuara në Maliq

Për herë të parë në juglindje të vendit organizohet një aktivitet i veçantë. Për herë të parë mbi tapetin e kuq nuk kanë kaluar personazhe të njohur, por persona me aftësi të kufizuara.  “Night to shine” organizohet në mbi 300 vende të botës, e këtë radhe aktiviteti u zhvendos në Maliq.

Kryetari i Bashkisë Gëzim Topçiu theksoi domosdoshmërinë për t’i kushtuar më tepër vëmendje.

Pjesë e këtij eventi ka qenë dhe këngëtarja e njohur Eneda Tarifa, e cila ka suprizuar të pranishmit e në veçanti Marian 15 vjeçare.

Në qarkun e Korçës janë më shumë se 300 fëmijë me aftësi të kufizuara, autizëm dhe sindromën down, ndërkohë që dy qendra që merren me trajtimin e këtyre personave./oranews/ KultPlus.com

Kumbaro: Prezantojmë edhe më të mirën e kulinarisë shqiptare

Shqipëria do të ketë vendin e nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që zhvillohet në datat 4-6 mars.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se Shqipëria në këtë panair do të prezantojë edhe më të mirën e kulinarisë shqiptare, me një buqetë shijesh.

Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/ KultPlus.com

Santorini- ishulli nuk gjen qetësi nga tërmetet, shkollat ​​mbyllen deri më 14 shkurt

Aktiviteti sizmik vazhdoi sot në det jashtë zonës Santorini-Amorgos, me nëntë tërmete me magnitudë nga 4,0 deri në 4,9 ballë të shkallës Rihter.

Aktiviteti sizmik i shkallës së ulët, por i shpeshtë, filloi në fund të janarit, filloi midis ishujve Santorini dhe Amorgos.

Shkollat ​​në ishujt Thera, Ios, Anafi dhe Amorgos do të qëndrojnë të mbyllura deri më 14 shkurt, vendosën sot dy komitetet për aktivitetin sizmik dhe kërcënimin nga tërmetet.

Vendimi përfshihet në një deklaratë të Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, pas një takimi mesdite të thirrur nga profesori Efthymios Lekkas, president i Organizatës së Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmeti (OASP).

Sipas deklaratës, anëtarët e komitetit thanë gjithashtu se aktiviteti sizmik në ishullin Anydros (midis Therës dhe Amorgos) mbetet i qëndrueshëm, me mbi 800 tërmete të regjistruara midis 1 shkurtit dhe sot (8 shkurt) me magnitudë mbi 3,0 ballë të shkallës Rihter, dhe një intensitet maksimal 5,2./atsh/ KultPlus.com

Orkestra e RTSH prezanton koncert me krijimtarinë e Limos Dizdarit

Krijimtaria më e mirë e kompozitorit të njohur shqiptar, romantikut të fundit Limos Dizdari, ka ardhur e interpretuar në një mbrëmje të magjishme nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar nën dirigjimin e maestros Ermir Krantja.

Kompozitori Dizdari, i vlerësuar edhe me titullin Artist i Merituar, njihet për kompozimet e muzikës së shumë filmave të njohur, për veprat simfonike, si edhe për kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare.

Me solisten Merita Rexha Tërshana, si edhe me pjesëmarrjen e veçantë të vajzës së kompozitorit, Alda Dizdari, u interpretuan “Koncert për piano dhe orkestër”, “kolazh solo violinë” dhe “Fjalët e qiririt” nga muzika e filmit “Mësonjëtorja”.

E veçanta e këtij koncerti ishte dhe pjesëmarrja e aktores Luiza Xhuvani, e cila interpretoi poezinë “Pisha…”.

Në hala të pishës dridhen ca lot të ftohtë.

Duan të bien e s’bien dot.

Çfarë mund t’i presë në tokën e thatë

përveçse zhdukjes së ngadaltë.

Koncerti ishte pjesë e stinës koncertore të Orkestrës së RTSH-së./rtsh/ KultPlus.com

Bjeshkët e Nemuna në Dimër

Poezi nga Ismail Kadare

As zog, as vetëtimë
Gjëkund syri s’has.
Ngrirë gjithçka. Ëndërr
Veshur në kuarc.

Si në hotelet e shtrenjta
Ku shtegtari s’hyn,
Shiu dot si afrohet
Luksit alpin.

Shkëmbinj si tempuj
Nën re, mbi re.
Një varrezë bubullimash
Kujdes nën këmbë ke./ KultPlus.com

Në Parkun antik të Antigonesë kërkime për teatrin, Shkëlqim Guçe: Mund të ketë madhësinë e atij të Butrintit

Prej disa vitesh, në Antigone po zhvillohen gërmime arkeologjike nga ekspedita italo-shqiptare, që synojnë zbulimin e teatrit antik. Studimet tregojnë se ky teatër mund të ketë një kapacitet të ngjashëm me atë të Butrintit, duke e kthyer atë në një tjetër atraksion me rëndësi të madhe historike dhe turistike.

E ndërtuar në shekujt III-II para erës sonë nga Piro i Epirit, qyteti antik ende i pazbuluar, mban emrin e gruas së tij, Antigonës, dhe mbetet një dëshmi e lashtësisë ilire. Në periudhën e mesjetës qyteti vazhdoi të zhvillohej dhe të ndërtohej dhe pas periudhës së rënies së tij, ai u la në harresë për mijëra vjet.

Në Parkun Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër vijojnë ekspeditat për zbulimin e teatrit antik. Drejtori i këtij parku, Shkëlqim Guçe bën me dije se teatri në Antigone mund të ketë një kapacitet të ngjashëm me atë të Butrintit, ndaj zbulimi i tij do të ishte një vlerë e shtuar historike, por edhe turistike./balkanweb/ KultPlus.com

‘Theater Vortex’ dhe ‘Festivali i Teatrove Ferizaj’ organizojnë punëtori në Shkup

Theater Vortex dhe Festivali i Teatrove Ferizaj do të organizojnë një punëtori njëjavore dhe një performancë teatrore me temën: “Hijet e kohës: Arti Bashkon – Të shkrirë në kaosin e rrugëve dhe këndet e fshehura të qytetit.”

Thirrja është e hapur deri me 20 shkurt 2025.

Punëtoria do të zhvillohet nga 15-22 mars në Shkup, me pjesëmarrjen e artistëve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Performanca do të ketë elemente të forta të bazuara në vallëzim, prandaj rekomandohet që pjesëmarrësit të kenë përvojë të mëparshme me teatrin fizik.

‘Turi i folklorit’, oferta më e re turistike që synon të nxisë agroturizmit

“Turi i folklorit” është oferta më e re turistike që synon të nxisë dhe t’i japë një hov më shumë agroturizmit dhe do të prezantohet në panairin “ITB Berlin 2025”.

Programi gjerman për zhvillimin e qëndrueshëm rural, ndau në rrjete sociale detaje mbi ofertën turistike “Turi i folklorit”, që fillimisht do të përshkojë Korçën, Kolonjën, Përmetin, Këlcyrën, Gjirokastrën dhe Tepelenën.

“Turi i folklorit” fton vizitorët dhe turistët të nisin një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes trashëgimisë së pasur të Shqipërisë së Jugut, një përzierje harmonike e mrekullive gastronomike, valleve, këngëve, traditave dhe lidhjeve të vërteta me komunitetin lokal.

Ndërsa kalon përmes Korçës, Kolonjës, Përmetit, Këlcyrës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, çdo ditë dhe çdo destinacion zbulon kapituj të rinj të një folklori të pasur përmes tureve edukative, performancave folklorike dhe përvojave të vërteta me banorët lokalë.

Folklori shqiptar është i pasur, i larmishëm, me vlera të shquara ideore dhe artistike. Ai është një thesar i çmuar i trashëguar nga e kaluara, por që ngjall shumë interes dhe kureshtje për vizitorët e huaj.

“Turi i folklorit” është një vlerë e shtuar jo vetëm për turizmin në përgjithësi, por veçanërisht për agroturizimin, që po shënon një perspektivë të re zhvillimi në vendin tonë, falët ripërtëritjes së traditës dhe trashëgimisë kulturore autentike shqiptare./atsh/ KultPlus.com

Zhyl Vern, autori që me romanet e tij befasoi shkenctarët dhe magjepsi lexuesit

Nga Albert Vataj

Me legjimitetin e gjithkohshmërisë dhe kapërthimit të çdo limiti të mundësisë së njeriut për të sunduar botën, ai është quajtur “babai i fantashkencës”. Por, kohëpaskojet, tejpërçimi i dijes dhe ç’kodimi i mistereve dhe sekreteve nga njeriu, vërtetuan se ishte shumë më shumë se aq. Ai ishte një mëndje e ndritur, një forcë e tranformimit të përfytyrimeve në fakte shkencore të pakontestueshme. Ai nuk vinte nga qielli, por gjithçka që endi me kaq pasion dhe mendjebegati, e ngriti famën e tij lart në qiell, në një shkrepëtimë shndritëse ylli. Është fjala për poetin, dramaturgun dhe romancierin e zhanrit fikshën shkencor, Jules Verne, (Zhyl Vern) (8 shkurt 1828 – 24 mars 1905). Ai ishte një ndër shkrimtarët i njohur dhe më të lexuar francez në botë.

Reputacioni i tij ishte dukshëm i ndryshëm në rajone anglishtfolëse, ku ai nuk ka qenë shumë i mirëpritur sepse është etiketuar si një shkrimtar i zhanrit fikshën ose shkrimtar për fëmijë. Megjithatë kjo nuk shterroi interesimin e gjithë shtresave dhe grupmoshave, gjë që shtyu botuesin e tij të ribotojë disa herë romanet e Jules Vern.

Grupmoshat që lexuan, ëndërruan dhe jetuan me aventurat e tij janë pa dallim. Siç ka mrekulluar të rriturit, ka megjepsur fëmijët. Mendimtarët, shkencëtarët, zbuluesit dhe studiuesit, i ka shokuar me faktet dhe përfytyrimet, saktësia e të cilave do të ishte befasuese me ballafaqimin e fakteve përmes sprovave dhe sfidave shkencore në periudhat e mëvonshme. Deri para disa kohësh ka qenë autori më i përkthyer dhe më i admiruar, por do të mbetet përgjithmonë një shembull i pashembullt i letërsisë fantashkencës. Vepra e Zhyl Vern që nga viti 1979, u rendit me të njëjtën pritshmëri dhe interesim me kolanën krijuese të Agatha Christie dhe William Shakespeare.

Shpikjet e përshkruara në shumë prej librave të tij më të famshëm tashmë janë bërë realitet dhe veprat e tij kanë frymëzuar breza të terë krijuesish e shpikesish.

Biografia Zhyl Verni lindi në qytetin e Nantes, në Francën Perendimore. Ai ndoqi hapat e babait të tij dhe filloi studimet për drejtësi në Paris, por i ndërpreu ato për të filluar karrierën e si shkrimtar. Ai filloi të bashkëpunonte me botuesin Pierre-Jules Hetzel, i cili e ndihmoi Vernin të publikonte por edhe duke e këshilluar për këshilluar për fushën e letërsisë. Jeta e tij është e mbarsyer me aventura dhe befasi, të cilat ngjizën thellë realitete imagjinative dhe zgjuan ato botë, ato larmi fantastike përfytyrimesh, të cilat kanë mbetur përgjithmonë si vlerat më të vlefta të leximit.

Pas suksesit të librave të tij, Zhyl Verni fitoi popullaritet në gjithë botën duke u shndërruar nga emrat më të lakuar. Ai u tërhoq nga jeta publike dhe bleu një shtëpi në Amien, një qytet i qetë bregdetar. Këtu ai filloi të rregullonte marrëdhëniet me disa nga anëtaret e familjes me të cilët s`kishte marrëdhënie të mira (përfshire dhe djalin e tij) si dhe u frymëzua për disa nga kryeveprat e tij. Zhyl Vern vdiq në Amien më 24 mars 1905 dhe u varros në këtë qytet.

Vepra e tij është sa interesante aq dhe bujare. Zhyl Vern ka shkruar 58 romane, por midis veprave të tij më të njohura përmenden: Aventurat e tri anglezëve dhe tri rusëve në Afrikën Jugore, Gjarpëri i detit, “Pesë javë në balonë”, “Ishulli misterioz”, Rreth botës për 80 ditë, “20 milje nën det”, “Nga Toka në Hënë”, “Udhëtim në qendër të Tokës”, “Aventurat e kapitenit Hateras”, “Fari në fund të botës”, “Sfinksi i akujve”, “Bijtë e kapitenit Grant”, “Kapiteni pesëmbëdhjetëvjeçar”, “Dy vjet pushime”, “Aventurat e çuditshme të kapiten Antiferit”, “Mateo Sandorf”, “Mikel Strog”, “Piloti i anijeve të Danubit”, “Fshati ajror”, “Ndodhitë e një kinezi”, “Rrezja e gjelbert”, “Ylli jugor”, “Doktor Oksi”, “Kështjella në Karpate”, “Përplasja e anijes Xhonatan”, “Nje qytet lundrues”, “Vullkani i artë”, “Aventura e jashtëzakonshme e ekspeditës Barsak”, “Arkipelagu në flake”, “Mësymja e detit”, “Rrëmbimi i shpikësit”, “Dramë në Livoni”, “Udhëtaret e rinj”, “Shkolla e Robinsoneve”, “Dimërim në akull”, ” 2 vite me pushime “.

Kolana e tij krijuese pushtoi me mrekullimin përfytyrues gjithë botën dhe foli me gjuhët e gjithë rruzullit për të vijuar të mbetet në shkallën më të lartë të interesimit në gjininë e fantashkencës./ KultPlus.com

Gonxhja: Standardet më të larta të konservimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga magazinimi i koleksioneve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Gonxhja u shpreh se në këtë muze trashëgimia dhe kujdesi ndaj koleksioneve ecin krah për krah.

“Magazinimi i koleksioneve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një përkushtim i vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e thesareve të çmuara të historisë sonë”, theksoi Gonxhja.

“Kjo hapësirë është krijuar për të përmbushur standardet më të larta të konservimit, duke siguruar që çdo objekt të mbetet i aksesueshëm dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com