“Kërkoj vrasës për nënën”, një dramë që e trondit dhe e nderon shpirtin

Fotografitë: Rozafa Shpuza

Në një mbrëmje që do të mbetet gjatë në memorien kulturore të Shkodrës, Teatri “Migjeni” u kthye në një qendër graviteti për artin dramatik shqiptar, me premierën e shfaqjes “Kërkoj vrasës për nënën” – vepër e autorit amerikan Tracy Letts, e ribërë mjeshtërisht për skenën shqiptare nga regjisori Naser Shatrolli.

Shatrolli sjell një regji të guximshme, poetike dhe të thellë, që nuk i shmanget errësirës së tekstit, por përpiqet ta ndriçojë nga brenda, duke vendosur nënën dhe jetën si forca shpëtuese. Ai nuk kopjon, por krijon: i jep një fund tjetër veprës, më njerëzor, më të hapur, më shpresëplotë.

“Shatrolli nuk e mohon protestën e autorit origjinal, por e thellon atë në një refuzim estetik të shkatërrimit”, – shkruan kuratori dhe kritiku Skënder Boshtrakaj.

Kasti i aktorëve – Jozef Shiroka, Ermal Sadiku, Ina Morinaj, Lusi Bregu dhe Jurgen Marku – sollën në skenë një performancë të fuqishme dhe të përmbajtur, duke mishëruar karaktere të thyera por të mbushur me tension të brendshëm. Loja e tyre ishte një poezi e dhimbshme, që përfundon me një himn për jetën dhe nënën.

Skenografia ishte një element i gjallë i rrëfimit: jo thjesht sfond, por bashkëaktor që ndihmoi në ndërtimin e atmosferës simbolike dhe të tensionit dramatik. Çdo detaj vizual i hapësirës skenike fliste, provokonte, sillte peshë emocionale.

Kritiku Skënder Boshtrakaj e përkufizoi këtë shfaqje si “një testament artistik që trondit, provokon, por edhe shëron”, ndërsa regjinë e Shatrollit e cilësoi si një akt të guximshëm estetik, që vendos thellësinë përpara spektaklit.

Publiku shkodran reagoi me emocion, ndërsa prania e personaliteteve kulturore nga gjithë vendi i dha këtij eventi peshën e një akti të mirëfilltë bashkëpunimi kulturor kombëtar.

“Kërkoj vrasës për nënën” nuk eshte thjesht një shfaqje – është një ngjarje artistike, një shqetësim estetik dhe një lutje për nënën, në një botë që kërkon shpresë.
Një mesazh i fuqishëm në kohëra të krisura: jeta mund të mbrohet ende me artin!/KultPlus.com

Zbulohet dhe riprodhohet një bukë 5 000-vjeçare në Turqi

Një bukë 5 000-vjeçare është zbuluar nga arkeologët në Turqi, ku tani po riprodhohet, duke nxitur interesin për kultivimin e grurit të lashtë që është më i përshtatshëm për thatësirën.

“Kjo është buka më e vjetër me maja dhe e pjekur e zbuluar gjatë një gërmimi, e cila ka ruajtur kryesisht formën e saj”, thotë Murat Turkteki, arkeolog dhe drejtor i gërmimeve në Kulluoba, 35 kilometra nga qyteti i Eskisehirit.

“Buka është një zbulim i rrallë gjatë një gërmimi. Zakonisht, gjen vetëm thërrime. Por këtu, ajo u ruajt sepse ishte djegur dhe varrosur”, shpjegoi ai.

E rrumbullakët dhe e sheshtë si një petull, me diametër 12 centimetra, buka u zbulua në shtator 2024, e karbonizuar dhe e varrosur nën pragun e një banese të ndërtuar në Epokën e Bronzit, rreth vitit 3 300 para Krishtit.

Një copë ishte shkëputur përpara se buka të digjej dhe më pas ishte varrosur gjatë ndërtimit të shtëpisë.

“Na kujton një ritual bollëku”, thotë Turkteki./

Cilët janë 10 filmat me fitimet më të mëdha në histori

Cilat janë filmat me fitimet më të larta në historinë e kinemasë?, shkruan faqja e internetit cinema.everyeye.it.

Sipas një liste të përditësuar 10 filmat më të mirë, kanë arritur të mbledhin miliarda dollarë duke shitur bileta në të gjithë globin.

Duhet ta dini se, pas disa vitesh, pesë vendet e para kanë ndryshuar pikërisht këto ditë: në vendin e parë kemi ende ”Avatar” nga James Cameron, i ndjekur nga” Avengers: Endgame” nga Russo Brothers dhe më pas ”Avatar: The Way of the Water dhe Titanic”, gjithashtu nga James Cameron, por tani për herë të parë në pesë pozicionet e para është një film i animuar, filmi kinez ”Ne Zha 2”.

Filmi i animuar e tejkaloi ”J.J. Star Wars: The Force Awakens” i Abrams, i cili kishte qenë në pesë më të mirët që nga viti 2015, duke e ngritur atë në vendin e 6-të në listë.

Pozicionet e mbetura zihen më pas nga ”Avengers: Infinity War” nga Russo Brothers, ”Spider-Man: No Way Home” nga Jon Watts, ”Inside Out 2” nga Kelsey Mann dhe ”Jurassic World” nga Colin Trevorrow.

Renditja e plotë:

  • ”Avatar” – 2,9 miliardë
  • ”Avengers: Endgame” – 2,7 miliardë
  • ”Avatar: The Way of Water” – 2,3 miliardë
  • ”Titanik” – 2,2 miliardë
  • ”Ne Zha 2” – 2,08 miliardë
  • ”Star Wars: The Force Awakens” – 2,07 miliardë dollarë
  • ”Avengers: Infinity War” – 2,05 miliardë
  • ”Spider-Man: No Way Home” – 1,9 miliardë
  • ”Inside Out 2” – 1,69 miliardë
  • ”Jurasik Park” – 1,67 miliardë

”Fire and Ashes” i James Cameron: a do të jetë në gjendje filmi i tretë në sagë të barazohet me dy të tjerët dhe të tejkalojë ”Ne Zha 2”?./KultPlus.com

Dritëro Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin

Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.

*** / KultPlus.com

’Promenada e vonshme e pranverës’, mbrëmje gala në Nju Jork me artistë shqiptarë e të huaj

Një Mbrëmje Gala e veçantë do të zhvillohet këtë pranverë në Nju Jork në koncertin ‘Promenada e vonshme e pranverës’, duke sjellë në skenë larminë kulturore dhe shpirtin e gjallë të qytetit përmes një koncerti që premton të jetë i paharrueshëm, përcjell KultPlus.

Të pranishmit do të përjetojnë një udhëtim muzikor që shpalos elegancën e Barokut, pasionin e tangos dhe ndjeshmërinë e fados, të interpretuara nga një kast i përzgjedhur artistësh – përfshirë instrumentistë rezidentë të Carnegie Hall dhe ish-performues të Broadway-it.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë:

PROMENADA E VONSHME E PRANVERËS

Bashkohuni me ne në një Mbrëmje Gala të paharrueshme që feston larminë dhe shpirtin multikulturor të Nju Jorkut!

Kjo produksion sjell mozaikun e pasur të qytetit në ngjyra të gjalla muzikore! Ashtu si vetë pranvera, ju përfshin në një promenadë ku zhanret dhe kulturat shkrihen në një të vetme, duke rrëshqitur nga eleganca e Barokut te pasioni i tangos dhe melankolia e fados – një udhëtim i vërtetë emocional.

Një kast i jashtëzakonshëm, instrumentistë rezidentë nga Carnegie Hall, së bashku me ish-performues të Broadway-it, do të sjellin një Mbrëmje Gala që do t’ju mbetet gjatë në kujtesë.

Pas kaleidoskopit pranveror të koncertit, na bashkohuni në një pritje të pasur me kokteje, ku do të shërbehet kuzhinë e shkëlqyer dhe verëra të mira – një mundësi për të shoqëruar, për të ngritur një dolli për jetën dhe për të festuar së bashku muzikën.

KËRKOHET KONFIRMIM I PJESËMARRJES

BILETAT NË SHITJE: EVENTBRITE./KultPlus.com

Billie Eilish vlerësohet si ‘Artistja e vitit’ nga AMA

Këngëtarja Billie Eilish u vlerësua si ”Artistja e vitit” nga American Music Awards, raportojnë mediet amerikane.

Këngëtarja amerikane e muzikës pop fitoi çmimin më të rëndësishëm nga AMA duke mposhtur të nominuar të tjerë si Taylor Swift, Kendrick Lamar, Sabrina Carpenter, Morgan Wallen dhe Zack Bryan.

Gracie Abrams fitoi çmimin për ”Artistja më e mirë e re”.

Sza fitoi çmimin ”Artistja më e mirë R&B”.

Kënga më e mirë R&B shkoi për ”Saturn”.

Becky G mori çmimin si ”Artistja më e mirë latine”./KultPlus.com

Kurti i uron mirëseardhje Utës: E falënderojmë përzemërsisht

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për alpinisten Uta Ibrahimi, e cila ka ngritur flamurin e Kosovës në 14 majat më të larta në botë, shkruan KultPlus. 

Ai i uroi mirëseardhje Ibrahimit, kur kjo e fundi erdhi mbrëmë në Kosovë dhe u prit nga Qeveria e Kosovës dhe një numër njerëzish. 

Postimi i plotë: 

“Uta, mirë se na erdhe nga akujt e Kanchenjungës!

Ngjitja shkallëve për në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, aty ku ishim grumbulluar për ta nderuar një grua të jashtëzakonshme, besoj të ketë qenë ngjitja më e lehtë. Kësaj radhe na erdhi edhe me histori në supe, si gruaja e parë shqiptare dhe nga i gjithë Ballkani që ka ngjitur 14 majat më të larta të botës – që të gjitha mbi 8 mijë metra të larta. Përkundër që ngjiti malet më të larta të botës, ajo gjithmonë ka qenë me këmbë në tokë – me dashamirësinë shoqërore për cilindo që e njeh. 

Për punën dhe kontributin e Utës që nuk matet me altimetër, e falënderojmë përzemërsisht. Si qeveri, si institucione, por para së gjithash, si qytetarë”, shkruan Kurti në “Facebook”. /KultPlus.com

Kur artistët kinez vizituan Shkodrën në vitin 1955 (FOTO)

Shkodra është një prej qyteteve më të kahershme të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare në qytet dhe krahinë. Po ashtu Shkodra gjatë viteve të tëra, ka qenë një vend ku është zhvilluar kultura dhe jeta artistike, shkruan KultPlus.

Një fotografi e postuar nga Vinceś Mudroū‎, dëshmon se këtë qytet e kanë vizituar edhe artistë kinezë, në vitin 1955. Derisa ata parakalojnë përmes rrugëve të këtij qyteti, qytetar të shumtë kanë dalë për të pritur ardhjen e tyre.

KultPlus, ju sjellë këtë fotografi që tregon një atmosferë të këndshme në këtë qytet, derisa me buzëqeshje, e duartrokitje artistët kinez përshëndeten me banorët e qytetit të Shkodrës./ KultPlus.com

Ata sy

Poezi nga Fjodor Tjutçev

Kam njohur sy – o, ata sy!
Sa fort i desha e di një Zot!
Kish kaq magji dhe zjarr aty,
Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

N’atë vështrim të pakuptuar
Zbulohej jeta gjer në fund.
Kish kaq pasion të përvëluar,
Kaq pikëllim sa s’ka kurrkund!

Dhe shihte rëndë, madhërishëm,
Që nën qepallat, mengadal’.
Dhe ish gazmor dhe ish i hijshëm
Dhe si një vojtje ish fatal.

Shpesh rrija shihja i mahnitur,
Por asnjëherë s’munda dot
Që ta vështroj’ pa u tronditur,
Ta adhuroj pa derdhur lot. /KultPlus.com

Konferenca shkencore: Idetë dhe mesazhet kombëtare të Frashërllinjve

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës zgjodhi këtë herë Frashërin, kryefshatin historik të Shqipërisë në zonën e Dangëllisë, për të organizuar më 25 maj 2025 konferencën shkencore me temë: “Idetë dhe mesazhet kombëtare të Frashërllinjve”.

638e1432-3f4a-46c2-83eb-21c159327b55

Qëllimi ishte që, pikërisht në ditën e lindjes së poetit të madh Naim Frashëri, në shtëpinë ku u lindën tre vëllezërit, të bëheshin publike gjetje dhe dokumente të reja që dëshmojnë kontributin e jashtëzakonshëm të tre kolosëve të Rilindjes Kombëtare: politikanit dhe shtetarit Abdyl Frashëri, poetit dhe gjuhëtarit Naim Frashëri, dhe dijetarit e enciklopedistit Sami Frashëri.

Konferencën e hapi Prof. Marenglen Spiro, Sekretar Shkencor i Akademisë, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Prof. Ethem Ruka, Kryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Ruka theksoi se Frashëri është “Meka e shqiptarisë”, vendi ku u hodh fara për shpëtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë. “Ne sot kemi detyrimin t’i nderojmë, t’i kujtojmë dhe të përulemi para monumenteve të këtyre burrave të mëdhenj të shqiptarizmës,” u shpreh ai. Sipas tij, fara e hedhur në Frashër mbolli pemën e pavarësisë më 1912 dhe të Kongresit të Lushnjës më 1920.

84156c96-6b7c-4ae8-927f-039a2d746f9e

Akademiku Pëllumb Xhufi mbajti një referat mbi profilin politik dhe diplomatik të Abdyl Frashërit, një prej figurave themelore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila mori trajtat e një shteti dhe qeverie të parë shqiptare me institucione dhe atribute të plota.

Prof. Paskal Milo vuri në dukje kontributin e Sami Frashërit në vizionin për shtetin modern shqiptar, duke përfshirë idetë për strukturat shtetërore, sistemin monetar dhe deri te propozimi për një kryeqytet të vendosur në një pikë gjeografike të baraslarguar nga Shkodra, Prizreni, Manastiri dhe Janina.

Historiani Kastriot Bezati, me titullin “Mjeshtër i Madh”, kujtoi rëndësinë historike të dy kuvendeve kombëtare të mbajtura në Teqenë e Frashërit, të njohura si Kuvendet e Frashërit, që zënë një vend të veçantë në historinë kombëtare.

f8a4deee-27df-4de3-89cc-93cc034e670a

Prof. Ksenofon Krisafi solli dokumente dhe fakte të reja me vlera juridike dhe institucionale për veprimtarinë e Abdyl Frashërit në përpjekjet për ndërtimin e një shteti shqiptar me integritet të plotë dhe të barabartë me vendet fqinje.

Poeti Lumo Kolleshi kontribuoi me një cikël të ri poetik kushtuar Naim Frashërit, të cilin e përshkroi si “mësuesin e popullit të tij”.

Prof. Fatos Tarifa referoi mbi konceptin dhe rrugët që Shqipëria duhej të ndiqte pas pushtimit osman, duke theksuar se drita e ndezur nga Frashërllinjtë ndriçoi të ardhmen e vendit.

Poeti dhe studiuesi nga Kosova, Agim Vinca, solli në konferencë vlerësimet e akademikut Rexhep Qosja për Naim Frashërin, duke u mbështetur te vepra e tij “Porosia e Madhe”.

Gjuhëtari i njohur Prof. Xhevat Lloshi prezantoi botimin më të fundit në Shkup, nën redaktimin dhe drejtimin e tij, të veprës së Sami Frashërit. Ai theksoi se ajo që njihet deri më tani për Samiun është vetëm një pjesë e vogël krahasuar me gjithçka që ai ka shkruar dhe krijuar.

49ea68e0-2d17-400c-bb73-1700441792d5

Prof. Sherif Bundo vlerësoi Frashërin si një qendër të rëndësishme pelegrinazhi kulturor dhe turistik, falë pozitës gjeografike, mjedisit natyror dhe vlerave kulturore e etnografike që përmban. Ai propozoi që Frashëri të kthehet në një itinerar tërheqës turistik kombëtar.

Në përmbyllje të konferencës, u theksua se: Frashëri dhe Frashërllinjtë ndërtuan Shqipërinë – Shqipëria nuk duhet të lejojë të harrohet Frashëri. Kryefjala ishte një thirrje për ndërtimin e infrastrukturës rrugore drejt këtij vendi me rëndësi kombëtare, si dhe propozimi për rikonstruksionin dhe pasurimin e muzeut të vëllezërve Frashëri.

Në konferencë morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të Akademisë, si deputetja Prof. Luljeta Bozo, Prof. Aleksandër Xhuvani, Prof. Arben Baboçi dhe personalitete të shquara nga Shqipëria dhe Kosova. Pjesëmarrës ishte gjithashtu edhe akademiku dhe studiuesi rumun me famë europiane, Kostandin Barku, i cili së bashku me ekipin e tij ka botuar rreth një mijë libra historikë, përfshirë edhe studime të veçanta për Frashërllinjtë.

Ndryshe nga aktivitetet e zakonshme, kjo konferencë u organizua me kontributet vetjake të anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës./ Gazeta Panorama/ KultPlus.com

‘Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera’

Fizikanti i famshëm Albert Ajnshtajni konsiderohet gjerësisht si një nga mendjet më të mëdha që ka jetuar ndonjëherë. Ai hapi qasjen ndaj një pasurie të madhe të dijes dhe fuqisë.

Nga studimet e tij u ngrit terreni mbi të cilën bazohen teoria e kuantikës, si dhe konceptet e energjisë në pikën zero, teoria e vrimave të zeza dhe kërkimi për një teori të unifikuar të forcave. Zbulimet e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për bombën e parë atomike. Një dualitet i madh!

Çfarë është ajo që e bën mendjen e një individi të aftë për vepra të tilla të mahnitshme?

Besohet nga disa që, me çfarëdo lloj mënyre, për çfarëdo arsye – qoftë anomalie, fati ose të dyja – përmbajtja e mendjes së Ajnshtajnit u soll në një mënyrë që formoi çelësin e një prej mistereve më të thella të universit, duke lejuar një mençuri tjetër, atë shpirtërore të rrjedhë përmes saj.

Më poshtë gjeni 25 nga citimet më inteligjente dhe më intriguese të Albert Einstein. Ju këshillojmë që të mos i lexoni nxitimthi, disa kanë një kuptim më të thellë se sa mund të mendoni fillimisht dhe meritojnë një meditim të përzemërt.

1) “Imagjinata është më e rëndësishme sesa njohuria. Sepse njohuria është e kufizuar, ndërsa imagjinata përqafon gjithë botën, duke nxitur përparimin, duke lindur evolucionin”.

2) “Sekreti i krijimtarisë është të dish se si t’i fshehësh burimet e tua”.

3) “Natyra na tregon vetëm bishtin e luanit, por unë nuk dyshoj se bishti i përket luanit edhe pse ai nuk mund ta zbulojë menjëherë veten për shkak të madhësisë së tij të pamasë.”

4) “Përvoja më e bukur që mund të kemi është ajo e misterit. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e gjithë artit dhe shkencës së vërtetë”.

5) “Përsosja e mjeteve dhe ndryshimi i qëllimeve duket të jetë problemi ynë kryesor”.

6) “Sa i përket ligjeve të matematikës që i referohen realitetit, ato nuk janë të sigurta, për aq sa janë të sigurta, nuk i referohen realitetit”.

7) “Nëse nuk mund ta shpjegosh në mënyrën më të thjeshtë, ti nuk e ke kuptuar mirë.”

8) “Asnjë problem nuk mund të zgjidhet nga niveli i njëjtë i ndërgjegjes që e krijoi atë”.

9) “Vetëm njohuritë dhe aftësitë njerëzore nuk mund ta çojnë njerëzimin drejt një jete të lumtur dhe dinjitoze. Njerëzimi ka çdo arsye të mundshme për t’i vendosur lajmëtarët e standardeve dhe vlerave të larta morale mbi zbuluesit e së vërtetës objektive”.

10) “Informacioni nuk është dituri”.

11) “Gjëja më e pakuptueshme për botën është se është e kuptueshme”.

12) “Çdo gjë që mund të numërohet nuk numërohet domosdoshmërisht, gjithçka që llogaritet nuk mund të llogaritet domosdoshmërisht “.

13) “Për të formuar një anëtar të pastër të një kopeje delesh, duhet të jetë mbi të gjitha një dele”.

14) “Çdo gjë duhet të jetë e thjeshtë, por jo të thjeshtohet më tej”.

15) “Njeriu duhet të kërkojë për atë që është dhe jo për atë që mendon se duhet të jetë.”

16) “Çdo njeri që lexon shumë dhe përdor trurin e tij shumë pak bie në zakone të liga të të menduarit”.

17) “Veprimi është forma më e lartë e kërkimit.”

18) “Perëndia nuk kujdeset për vështirësitë tona matematikore. Ai integron në mënyrë empirike”.

19) “Kushdo që nuk e merr seriozisht të vërtetën në çështje të vogla nuk mund të besohet as në ato të mëdha”.

20) “Shpirtrat e mëdhenj kanë hasur gjithmonë kundërshtim të dhunshëm nga mendjet mediokre. Mendja mediokre është e paaftë për të kuptuar njeriun që refuzon të përkulet verbërisht ndaj paragjykimeve konvencionale dhe zgjedh që t’i shprehë mendimet e tij me guxim dhe ndershmëri”.

21) “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”.

22) “Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera”.

23) “Feja ime përbëhet nga një admirim i përulur i frymës së pafundme superiore që zbulon veten në detajet më të lehta që ne mund t’i perceptojmë me mendjen tonë të brishtë dhe të pafuqishme”.

24) “Mendimi praktik nuk është asgjë më shumë se një depozitë e paragjykimeve të përcaktuara nga mendja para se të arrini tetëmbëdhjetë vjeç.”

25) “Lirimi i fuqisë atomike ka ndryshuar gjithçka, përveç mënyrës sonë të të menduarit… zgjidhja e këtij problemi qëndron në zemrën e njerëzimit. Po ta kisha ditur, do të bëhesha orëndreqës!”/KultPlus.com

E dashura shkruan përsëri

Poezi nga Johan Volfgang Gëte

Pse kthehem përsëri te këto fletë?
I dashur, mos më pyesje më mirë,
S’kam ç’them, me të vërtetë, po kam dëshirë
Ta mbash në dorë letrën time, vetë.

Meqë s’vij dot, kjo letër le të jetë
Prej zemrës sime ç’është me e dlirë,
Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë;
Gjithçka që s’pat fillim e fund e s’do ketë.

Sot dëshiroja fort mos të ta thoja
Se në dëshira, ëndrra dhe mendime
Besnikja zemër kthen e vje te ti.

Kështu dikur qëndroja e të shikoja
Dhe s’flisja dot. Ç’të thoshte goja ime?
E gjitha isha si në mrekulli./KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Nënën Pashke: “Dhembja e nënave nuk shuhet pa drejtësi”

Në përvjetorin e vetësakrificës së saj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar me nderim Nënën Pashke, një prej figurave më të njohura të dhimbjes dhe qëndresës së nënave që humbën më të dashurit gjatë luftës në Kosovë.

Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se plagët e luftës nuk mund të shërohen pa zbardhjen e së vërtetës dhe pa drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Ai rikujtoi se shumë nëna ende presin me ankth për të marrë lajme për fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Kujtimi për Nënën Pashke dhe për të gjitha nënat që vuajnë në heshtje për të dashurit e tyre të zhdukur, na obligon që të mos harrojmë kurrë krimet e kryera në Kosovë,” tha Kurti. Ai shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i kryer nga Serbia nuk mund të harrohen dhe nuk duhet të mbesin të pandëshkuara.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Nënën Pashke,” përfundoi ai./KultPlus.com

“A je mirë” kënga më e re e La Fazanit (VIDEO)

La Fazani sapo ka lansuar këngën e tij të fundit “A je mirë” këngë që ka një tekst shumë thumbues për përditshmërinë e rinisë së Kosovës. 

Kjo këngë është me tekst dhe aranzhim të vet Arbër Salihut, dhe në të njëjtën kohë është lansuar edhe me videoklip e që është punuar nga Likana Cana. 

KultPlus ju sjell këtë projekt të fundit të Arbër Salihut i cili tashmë është i njohur për stilin e tij./ KultPlus.com 

Ekipi shqiptar merr vlerësime në konkursin e pikturës “Small Montmartre of Bitola”

Sot është dita e tretë e konkursit ndërkombëtar të pikturës “Small Montmartre of Bitola”.

Në Manastir të Maqedonisë së Veriut merr pjesë edhe një skuadër piktoresh shqiptare, 6 vajza të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Dita e dytë e kolonisë së piktorëve të vegjël, rezultoi e suksesshme për ekipin shqiptar. Nën një qiell plot ngjyra dhe frymëzim, shkëlqeu talenti i nxënëses së QKKF-së, Livia Kokthi, e cila u përzgjodh ndër 15 më të mirët nga 100 pjesëmarrës. Më herët, në ditën e parë të konkursit të pikturës, dalluan Alisia Gjyli dhe Sabrina Pogoni, mes 20 më të mirave në “Small Montmartre of Bitola”. Më tej, vlerësimin më të lartë e mori Sabrina Pogoni, e cila u rendit mes 8 më të mirave.

Sot, aventura artistike vazhdon mes telajos dhe shpirtit krijues në zemër të Manastirit./atsh/KultPlus.com

Korça organizon Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit

Korça po bëhet gati për hapjen e sezonit turistik me një festë të madhe, Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit.

“Më 7 qershor, qyteti ynë shndërrohet në një skenë të madhe ngjyrash, krijimtarie dhe gëzimi”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Karnavalet janë një traditë e dashur për korçarët dhe jo vetëm. Ato janë një festë që bën bashkë komunitetin dhe shpirtin artistik të qytetit. Çdo vit, me dhjetëra kostume mbresëlënëse tregojnë jo vetëm fantazinë, por edhe identitetin dhe mesazhet personale të pjesëmarrësve.

Pritet që rrugët e Korçës të mbushen së shpejti me superheronj, figura teatrore, personazhe mitologjike apo mesazhe të forta përmes veshjes.

Kryebashkiaku i Korçës, ftoi për pjesëmarrje në këtë festival ndërkombëtar duke kujtuar disa nga kostumet më kreative të viteve të kaluara përmes një albumi fotografik./atsh/KultPlus.com

Biblioteka “Thimi Mitko” e Korçës, e para biblioteke moderne me fond të digjitalizuar

Fillesat e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë datojnë prej korrikut të vitit 1921. Biblioteka u themelua nga federata “Vatra” dhe u quajt “Biblioteka Popullore”, e para në Shqipëri.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, e shoqëruar nga drejtoresha Jorida Dhëmbi, vizitoi mjediset tashmë moderne të kësaj biblioteke.

Kjo bibliotekë u restaurua në vitin e 100-vjetorit të saj, duke u bërë e para e këtij lloji në Shqipëri, në mënyrë që libri të ketë vendin e merituar në një botë ku bibliotekat e shekullit të 21-të kanë më shumë se libra. Duke iu përshtatur ndryshimeve në teknologji bibliotekat tashmë janë shndërruar në hapësira për aktivitete krijuese dhe transformuese. Në këtë kuadër, me iniciativën dhe ndihmën e Bashkisë Korçë është bërë edhe digjitalizimi i gjithë fondit të librave të Bibliotekës “Thimi Mitko”.

Në fillesat e saj, për pasurimin e fondit dhanë kontribut mjaft patriotë korçarë brenda dhe jashtë vendit. Nikolla Lako, i cili ishte edhe drejtori i parë i kësaj biblioteke, kishte ruajtur me kujdes fondin e librave të Alandro Kastriotit dhe botimet e veta. Patrioti Spiro Dine dhuroi botimin origjinal të Thimi Mitkos, “Mbleta Shqyptare” dhe “Abetaren” e Naum Veqilharxhit. Ndërsa mes dhurimeve nga patriotët e mërgimit gjendet dhe “Historia e Skënderbeut”, botim i vitit 1602.

Libri më i hershëm i kësaj biblioteke daton në vitin 1541 me dorëshkrimin “Commentario delle cose dei Turchi, et del s. Georgio Scanderbeg, principe di Epiro, con la sua vita”, me autor Paulo Giovio dhe Andrea Ganbini, botuar në Venecia.

Më 28 nëntor të vitit 1930, filantropi i shquar korçar, Thoma Turtulli, i dhuroi qytetit një nga ndërtesat me vlera të spikatura arkitektonike të stilit neoklasik, për ta shndërruar në tempullin e dijes, në bibliotekë. Gjatë inaugurimit Thoma Turtulli tha: “Që djalëria korçare të lërë kafenetë dhe t’i drejtohet librit”./atsh/KultPlus.com

Shkodra në mëngjese

Poezi nga Ernest Koliqi

Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore
Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë:
Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.

Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë
T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë,
E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija,
Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija,
Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,

skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com

Lugina e Vjosës propozohet të shpallet “Rezervat Biosfere”, Rama: Emocion dhe krenari

UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “ky është një lajm që na mbush me emocion dhe krenari”.

“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm”.

Rama u shpreh se “Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është modeli i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon, ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore, si një himn për natyrën dhe për njerëzit”.

Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës do të përforcojë statusin e saj ndërkombëtar dhe do të promovojë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars 2023 nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes./atsh/KultPlus.com

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Poezi nga Pablo Neruda
Përktheu: Orjela Apolloni

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Me shkruejt, për shembull: “Nata asht e yjëzueme,
dhe dridhen, të kaltër, yjet atje në naltësi”.

Era e natës shetit nëpër qiell dhe këndon.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
E kam dashtë, dhe ndojherë edhe ajo m’ka dashtë.

Në net si kjo e kam mbajtë n’krahët e mi.
E kam puthë kaq herë nën qiellin e pafund.

Ajo m’ka dashtë, dhe ndojherë edhe unë e kam dashtë
Si mos me i dashtë sytë e saj të mëdhenj e të thellë.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
Kur e mendoj që s’e kam ma. Kur e ndjej që e kam humbë.

Me ndëgjue natën e pafundme, ma e pafundme pa të.
E vargu bie n’shpirtin tim si vesa mbi bar.

Ç’randësi ka që dashnia ime s’mundi me e mbajt’.
Nata asht e yjëzueme dhe ajo s’asht me mu’.

Kjo asht e gjitha. N’largësi dikush këndon. N’largësi.
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej.

Si për me e pasë ma ngat, shikimi im e kërkon,
zemra ime e kërkon, e ajo nuk asht me mu’.

Dhe asht e njajta natë që i zbardhë po të njajtat pemë.
Ne, ata të ktyneherë, ma s’jemi t’njajtit.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por sa fort e kam dashtë.
Zani im kërkon erën për me e prekë veshin e saj.

E tjetrit. Ka me qenë e tjetrit. Si para puthjeve të mia.
Zani i saj, trupi i saj i qartë. Sytë e saj t’pafundmë.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por ndoshta edhe e du.
Asht kaq e shkurtë dashnia dhe kaq e gjatë harresa.

Sepse në net si kjo e kam mbajtë në krahët e mi,
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej;

Qoftë kjo dhimbja e fundit që m’shkakton,
Dhe këto vargjet e fundit që për të i shkruej./ KultPlus.com

Hapet Ekspozita e Diplomës së Studentëve në Fakultetin e Arteve të UP-së

Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës do të hap sot zyrtarisht Ekspozitën e Diplomës për studentët e Gjeneratës 2025. Ceremonia solemne u mbajt në Galerinë e Fakultetit, duke filluar nga ora 12:00, në prani të profesorëve, studentëve, përfaqësuesve institucionalë dhe shumë të ftuarve nga jeta kulturore dhe artistike.

Ekspozita paraqet punimet përfundimtare të studentëve të diplomuar nga të gjitha drejtimet e studimit në fushën e arteve vizuale. Ajo synon të shfaqë përkushtimin, kreativitetin dhe arritjet profesionale të kësaj gjenerate të re artistësh, duke shërbyer njëkohësisht si reflektim mbi rrugëtimin e tyre akademik.

Organizatorët theksojnë se kjo ekspozitë nuk është vetëm një ngjarje akademike, por edhe një festë publike e artit, që i fton qytetarët të njihen nga afër me punën e studentëve dhe të bashkëbisedojnë me ta në një ambient të hapur dhe inspirues.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun çdo ditë pune deri më 6 qershor 2025. Vizitorët janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të mbështesin talentin e brezit të ri të artistëve të Kosovës./KultPlus.com

Rama: Teatri i ri Kombëtar po merr formë dita-ditës

Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar po vijon, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, projekt i cili po merr formë çdo ditë e më shumë.

“Me punën në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar, që po merr formë dita-ditës, si një tjetër gur i çmuar mes gjerdanit të veprave që e kanë transformuar kryeqytetin”, shkruan Rama.

Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.

Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet pozicionuar Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin.

Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.

Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë./atsh/KultPlus.com

Restaurohet ikona e vëllezërve Zografi, “Burimi Jetëdhënës”

Përfundoi procesi i restaurimit dhe konservimit i ikonës “Burimi Jetëdhënës” me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit, Vithkuq, Korçë.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se janë dashur pothuaj dy vjet për restaurimin e kësaj ikone nga Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave, Laboratori i Restaurimit, pranë MKAM.

Ikona “Burimi Jetëdhënës”, me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit, i përket shek. të 18-të dhe është vepër e autorëve Kostandin dhe Athanas Zografi, vëllezërit nga Korça.

Ikona ka pasur shumë problematika, si rënie gruntit dhe të shtresës pikturale. Kishte dëmtime të panelit të drurit nga insektet drungrënëse. Verniku ishte tejet i oksiduar dhe kishte krijuar ishullime. Për shkak të këtyre problematikave të shumta që mbarte, u desh një kohëzgjatje e procesit të restaurimit dhe konsolidimit.

Drejtoresha e MKAM tha se, pas ndërhyrjes restauruese si dezifektimit, konsolidimit dhe pastrimit të vernikut të oksiduar, në fund u krye ritokimi dhe rillakimi./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Kalorësi i Babunjës zhvendoset në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë

“Kalorësi i Babunjës”, statuja prej bronzi e zbuluar në Babunjë të Lushnjës, vjen nga lashtësia në skenat ndërkombëtare.

Pas restaurimit në Institutin Getty dhe ekspozimit në Los Angeles, ky dëshmitar i epokës arkaike ndodhet tani në Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë, një ambasador 14 cm i trashëgimisë sonë mijëravjeçare.”

Kështu shkruan Gonxhe në rrjetet sociale. /KultPlus.com