“Gjuha Mëmë”, laboratori teatror shkoi në tre qytete për Javën Kulturore Evropiane

Në kuadër të Javës së Evropës, aktoret Ema Andrea dhe Aida Talliente krijuan një laborator teatror, i cili përçoi tek publiku përvojën emocionale të veprës së shkruar nga Elvira Buonocore.

“Gjuha Mëmë” titullohej shfaqja e vënë në Shkodër, Korçë e Tiranë, e cila ka në qendër dy gra, dy gjuhë që bashkëbisedojnë dhe një rrëfim të ndjerë për identitetin, kujtimet, fëmijërinë, emigracionin dhe lirinë.

Me një skenografi të thjeshtë por plot kuptim, “Gjuha Mëmë” e përballi publikun me paragjykimet, keqkuptimet dhe nevojën për të mos harruar të ëndërrojmë në gjuhën amtare. Vepra jep mesazhin se, në qendër të gjithçkaje, qëndron liria e gruas, si një themel pa të cilin nuk mund të ndërtohet asnjë shoqëri e lirë.

Çdo fjalë dhe çdo heshtje në këtë shfaqje ishte si një kujtesë për vlerat që na bashkojnë dhe për dinjitetin që duhet mbrojtur çdo ditë./ KultPlus.com

30 vite “Mission: Impossible”, Tom Cruise ndan emocionet para finales së madhe

Filmi ikonik Mission Impossible, i cila kulmon këtë vit me të shumëpriturin The Final Reckoning, ka qenë një aventurë jetësore për Tom Cruise.

Në një postim emocionues në rrjetet sociale, aktori 62-vjeçar bëri një reflektim të ndjerë mbi rrugëtimin e tij si yll dhe producent i serisë së suksesshme filmike. Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

“Më shumë se 30 vjet më parë, fillova udhëtimin e prodhimit të filmit tim të parë, Mission: Impossible,” shkruan Cruise.

“Që atëherë, këto tetë filma më kanë udhëhequr në aventurën e jetës. Faleminderit regjisorëve, aktorëve, artistëve dhe teknikëve të jashtëzakonshëm nga e gjithë bota që ndihmuan t’i jepnim jetë këtyre historive. Ishte një privilegj të punoja me ju. Më e rëndësishmja, dua të falënderoj publikun. Jemi të emocionuar të ndajmë Llogarinë Finale me ju.”/ KultPlus.com

Astronomët zbulojnë një trup të çuditshëm qiellor

Astronomët kanë zbuluar një trup të ri qiellor të çuditshëm në galaktikën e Rrugës së Qumështit, e cila përmban edhe Tokë.

Një ekip ndërkombëtar raportoi të mërkurën se objekti – ndoshta një yll, një palë yjesh ose diçka krejtësisht tjetër, po lëshon rreze X pothuajse njëkohësisht me valët e tij të radios. E bën këtë çdo 44 minuta, të paktën gjatë kohës së aktivitetit ekstrem.

I vendosur 15,000 vite dritë nga Toka (një vit dritë është 9,000 miliardë kilometra) në një rajon të Rrugës së Qumështit të mbushur me yje, gaz dhe pluhur, objekti mund të jetë një yll i vdekur shumë i magnetizuar, siç është një yll neutron ose një “xhuxh i bardhë”, tha Ziteng Andy Wang i Universitetit Curtin në Australi.

Ose mund të jetë “diçka ekzotike” dhe e panjohur, tha Wang, autori kryesor i një studimi mbi këtë temë të botuar në revistën Nature.

Observatori i Rrezeve X Chandra i NASA-s zbuloi aksidentalisht emetimin e rrezeve X vitin e kaluar ndërsa përqendrohej në mbetjet e një supernova, ose një ylli të shpërthyer.

Duke pasur parasysh distancën e tij të madhe, astronomët nuk mund të thonë nëse objekti i çuditshëm lidhet me mbetjen e supernovës apo jo.

Faza hiperaktive e objektit, e përcaktuar si “ASKAP J1832−091”, duket se zgjat rreth një muaj. Jashtë kësaj periudhe, objekti nuk lëshon rreze X të dukshme.

Ka dy mundësi, tha Wang: “Ose po zbulojmë një objekt të panjohur më parë, ose po shohim një lloj të njohur objekti që lëshon radio dhe rreze X në një mënyrë që nuk e kemi parë më parë.”

I lançuar në vitin 1999, Chandra orbiton dhjetëra mijëra kilometra mbi Tokë, duke vëzhguar disa nga objektet më të nxehta dhe më energjike në hapësirë./ KultPlus.com

Festa e 1 qershorit nis që sot, aktivitete argëtuese për fëmijët në të gjithë vendin

Institucionet artistiko-kulturore në vend kanë organizuar një buqetë aktivitetesh të dedikuara festës së 1 qershorit, të cilat nisin që ditën e sotme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi një listë të gjatë eventesh të cilat përfshijnë disa qytete të vendit dhe ftoi prindërit të marrin fëmijët dhe të festojnë së bashku këtë fundjavë me aktivitete të shumta, shfaqje teatrale nga teatri i kukullave, numrat e shpejtësisë së cirkut kombëtar, festivale, muzikë dhe plot aktivitete të tjera.

Festa e vocërrakëve nis që sot (30 maj), në qytetin e Vorës, ku do të shkojë Cirku Kombëtar. Po sot nis edhe edicioni i 63-të i Festivalit të Fëmijëve në Shkodër. Ndërsa Teatri i Kukullave ka përgatitur shfaqjen “Hirushja” e cila do të vihet në skenë prej datës 31 maj.

Ditën e festës, më 1 qershor, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, fëmijët dhe prindërit mund të ndjekin koncertin “Zërat e qershorit”, në ora 11:00.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit do të argëtojë fëmijët e kryeqytetit në hapësirën e Parkut të Madh të Liqenit Artificial, ditën e 1 qershorit në orën 10:00. Njëkohësisht tek Arturbina do të shfaqet pjesa teatrale për fëmijë “Pylli i mistershëm”.

Festa do të vijojë edhe në datën 2 qershor, me aktivitete në Tiranë, Lezhë, Korçë, Vlorë. Një shfaqje krejt e veçantë do të jetë ajo e planetariumit në Kullën Veneciane të Durrësit, shfaqje e cila nis sot e përfundon më 8 qershor./ KultPlus.com

“Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” – publikohen datat e Ramë Lahaj International Opera Festival

Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF), do mbahet nga 23 korriku deri më 2 gusht 2025, duke sjellë edicionin e tij të pestë, me temën “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” një thirrje për tejkalimin e barrierave dhe për fuqinë transformuese të artit.

Festivali konsiderohet jo vetëm si një festë e muzikës por një dëshmi e forcës së ëndrrave dhe vizionit për Kosovën.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të festivalit:

Në një vend ku mungon një shtëpi opere, ne nuk pamë një pengesë, por një mundësi për të ndërtuar diçka më të madhe. Me pasion dhe përkushtim, kemi kthyer çdo hapësirë në një skenë tingujsh që përkëdhelin zemrat e publikut.

“Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” është më shumë se një moto, është fryma që do të na udhëheq në këtë edicion. Artistë nga çdo cep i botës na janë bashkuar, duke treguar se muzika është gjuha universale. Ajo nuk njeh barriera, nuk njeh kufi.

Kosova është gati. Është e denjë, dhe ka nevojë për një shtëpi ku arti të marrë frymë, ku talenti të lulëzojë, ku brezat e ardhshëm të besojnë se ëndrrat bëhen realitet.

Në këtë 5-vjetor, ne nuk ndalemi. Ne ëndërrojmë më fort, krijojmë më lart dhe ndërtojmë themelet e së ardhmes.

Arti nuk ka nevojë për kufi, ai ka nevojë për zemra që besojnë. E në këtë edicion jubilar, një rrugëtim që ka shënjuar historinë e artit operistik në vend, RLIOF ka ndërtuar tashmë një traditë, duke vendosur çdo vit një tullë më shumë për shtëpinë e ardhshme të artit muzikor në Kosovë./ KultPlus.com

“Beni ecën vetë”, filmi që shënjoi fëmijërinë tonë

Filmi “Beni ecën vetë” prodhim i vitit 1975, është një nga filmat që kanë shenjuar fëmijërinë tonë.

Përveç emrave të Xhanfize Kekos e Kiço Blushit, një tjetër figurë e rëndësishme që ka lënë gjurmën e tij tek “Beni”, është kompozitori i filmit, Limos Dizdari, i cili shkroi një muzikë që është ngulitur në kujtesën e kujtdo që e ka parë filmin.

Në rolet kryesore interpretojnë Herion Mustafaraj (Beni), Pandi Raidhi (Xha Thomai), Dhorkë Orgocka (Teta Ollga), Yllka Mujo (nëna e Benit) etj.

Filmi rrëfen për një fëmijë qyteti, të rritur me kujdesin e tepruar të prindërve, të cilët hezitojnë ta lënë të lirë, të eksplorojë jashtë mureve të shtëpisë. Vizita në fshat, tek xhaxha Thomai, e përball me jetën në fshat, e bën të kapërcejë frikën e të jetë më i lidhur me bashkëmoshatarët./ KultPlus.com

Muzeu Egjiptian në Kajro mban gjallë gjurmët e qytetërimeve të lashta

I vendosur në Sheshin Tahrir në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, Muzeu Egjiptian është shtëpia e mijëra artefakteve nga qytetërimet e lashta, raporton Anadolu.

Vizitorët tregojnë interes të madh në muze për të parë statujat, sarkofagët dhe thesaret e famshme të Tutankhamunit nga periudha e faraonëve.

I hapur në vitin 1902 dhe duke pasur një nga koleksionet më gjithëpërfshirëse të egjiptianëve të lashtë në botë, muzeu luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Muzeu përmban mbi 120.000 artikuj, me një sasi të kufizuar të ekspozuar./ KultPlus.com

Sot studentët mund të fitojnë anëtarësim falas në Bibliotekën Kombëtare

Sot Këndi Amerikan i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të ofrojë një mundësi të veçantë për studentët në kuadër të festës “Americana Fest”.

Në tendën në hapësirat e jashtme të Bibliotekës Kombëtare, me fillim nga ora 11:00 deri në 15:00, studentët e interesuar për anëtarësim në bibliotekë duhet të marrin pjesë në kuizin interaktiv. Ata duhet t’u përgjigjen pesë pyetjeve që kanë të bëjnë me bibliotekë dhe, po qe se përgjigjen saktë, do të fitojnë anëtarësim falas për një vit.

Numri i anëtarësimeve është i kufizuar./ KultPlus.com

Franca ndalon pirjen e duhanit në ambiente të hapura

Franca do të ndalojë pirjen e duhanit në të gjitha vendet publike të hapura ku mund të jenë të pranishëm fëmijët, duke përfshirë plazhet, parqet, kopshtet publike, stacionet e autobusëve, hapësirat pranë shkollave dhe mjediset sportive. Lajmi u bë i ditur të enjten nga ministrja e Shëndetësisë dhe e Familjes, Catherine Vautrin, e cila theksoi se ndalimi hyn në fuqi më 1 korrik.

“Duhani duhet të zhduket aty ku ka fëmijë,” u shpreh Vautrin në një intervistë për gazetën Ouest-France. Ajo shtoi se “liria për të pirë duhan ndalet aty ku fillon e drejta e fëmijëve për të thithur ajër të pastër.”

Ndalimi do të zbatohet edhe para shkollave, për të ndaluar nxënësit që të pinë duhan në ato hapësira. Shkelësit do të përballen me gjoba deri në 135 euro.

Megjithatë, ndalimi nuk do të zbatohet në tarracat e kafeneve franceze, një simbol i kulturës vendase. Po ashtu, cigaret elektronike nuk përfshihen në këtë masë.

Franca ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për të reduktuar përdorimin e duhanit në hapësira publike, por mbetet ndër vendet me përqindjen më të lartë të duhanpirësve në Evropë, rreth 35 për qind e popullsisë, krahasuar me 25 për qind mesatarja evropiane dhe 21 për qind globalisht, sipas të dhënave të OBSH-së.

Çdo vit, rreth 75,000 francezë humbin jetën nga ndërlikimet që lidhen me duhanin. Programi Kombëtar Kundër Duhanit për periudhën 2023-2027 synon të arrijë një brez pa duhan deri në vitin 2032.

Sipas një sondazhi të fundit, 62 për qind e qytetarëve mbështesin ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat publike. Ndërkohë, mbi 1,500 qytete dhe fshatra në Francë kanë vendosur tashmë ndalime lokale të duhanit./ KultPlus.com

‘Në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara. /KultPlus.com

Në ajrin e mbrëmjes

Poezi nga Pablo Neruda

Pemet e kopshtit
te amullta rrine ne ajrin e bute te mbremjes,
si te ishin piktura
mbi nje pelhure te holle;
nje zog i perhimet qe kolovitet
mbi degen e nje pjeshke ne lulezim,
keqyr mire se mos turbullon heshtimin
qofte edhe vetem nje klithme;
gjithcka eshte ne gjume,
dhe hena qe reflektohet ne ujin e liqenit,
eshte si nje barke imcake
ne mes te livadhit te ndricuar me ar./ KultPlus.com

Përkujtohet firmëtari i Aktit të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorri

Më 29 maj 1917, ndërroi jetë një nga figurat qendrore të klerit katolik shqiptar, Dom Nikollë Kaçorri, atdhetar, klerik dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862. Ai u bë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe gramatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet për gramatikë dhe retorikë në kolegjin urban atje. Më pas studioi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih. Më 1893 u kthye në Shqipëri, ku gjatë viteve 1905-1907 drejtoi kryengritjen e armatosur në Kurbin. Pajisi popullin me 500 armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës dhe në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i parapriu shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.

Krahas veprimtarisë së tij fetare dhe patriotike në shërbim të atdheut, meshtari i Durrësit, Dom Nikollë Kaçorri nisi rrugëtimin e tij me ndalesa në çdo cep të vendit, ku jehonte kënga popullore. Për të ruajtur dhe trashëguar pasurinë folkloristike, Kaçorri shkeli në çdo cep të Durrësit, të Krujës, të Shkodrës, të Pejës, të Gjirokastrës etj. Këngët kushtuar trimave, heronjve dhe kombit shqiptar i mblodhi dhe i botoi në vëllimin “Canti Albanesi Popolari”./atsh/KultPlus.com

‘Crescendo’ sjell për herë të parë në Kosovë Festivalin e Koreve të Fëmijëve

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Kishën Katolike “Shën Ndou” , është mbajtur edicioni i parë i Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, me pjesëmarrjen e koreve “White Voices”, “Amadeus”, “Siparantum Kids” dhe “Okarina”, shkruan KultPlus.

Si asnjëherë më parë, ky aktivitet ka grumbulluar dhjetëra talentë të rinj të cilët i dhanë një dimension tjetër artit koral, të kultivuar ndër vite nga shpirti artistik i dirigjentëve Artan Jerliu, Vehbi Shosholli, Memli Kelmendi dhe Elikonë Hysaj- Shala.

Kori i fëmijëve “White Voices” ishin të parët që interpretuan në këtë mbrëmje plot magji. Si një burim i pastër në eter ky kor emetonte frekuenca të lehta, të brishta dhe plotë dashuri me veprat: “Canon of Praise from “Kanon” Johann Pachelbel” nga Hal H. Hopson dhe “Solfege Simphony” nga Cristi Cary Miller. Ndërkaq, vepra “Trim Vigan Pjetër Bogdani” nga Gjon Gjevelekaj që himnizonte kontributin e këtij personaliteti zgjonte krenari dhe një dhimbje njëkohësisht, të cilat zbuteshin në ndjenja melankolie vetëm nga interpretimi i “zërave të bardhë”.

Përmes tre këngëve të tjera në skenën me akustikë të jashtëzakonshme u prezantua edhe kori i fëmijëve “Amadeus”. Këngët për arbëreshë dominuan në këtë paraqitje fantastike të korit, emri i të cilit lidhet ngushtë me gjeniun e madh të artit muzikor “Moxart”, talentin hyjnor dhe pasionin artistik. Valë- valë deri në palcë përcillej malli shpirtëror shekullorë i këtij komuniteti ndaj atdheut të tyre përmes veprave “Këndojmë me mall” dhe “Kushtrimi Arbëresh”- Rauf Dhomi. Kurse, vepra “O sole mio” nga Eduardo di Capua dëshmonte nivelin e lartë interpretativ të fëmijëve edhe në vepra të njohura botërore.

Kori i fëmijëve “Siparantum Kids” përmes paraqitjes së tyre i dhanë skenës një energji më gjallëruese. Zëri i tyre plotë jetë i kombinuar së bashku me lëvizjet trupore shpërfaqte në plotni natyrën fëminore plot energji, gaz, hare dhe ëndërra. Me veprën Fruit Canon (Mango Mango Mango) fëmijët morën me vete në interpretim edhe publikun në sallë, që gjatë tërë mbrëmjes ndiqte performancat me admirim. Në koncert u interpretuan edhe veprat “Pranvera” nga Enver Stafai dhe “The Rhym of Life” nga Cy Colman, që zbërtheheshin në emocione për të shpërthyer në duartrokitje më pas.

Kurse, kori i fëmijëve “Okarina” me këngën “Nothing else matters” nga Metallica me zërin e tyre kristal përmes një refreni emocional perifrazonin në mënyrën më të qiltër të mundshme se asgjë tjetër nuk ka rëndësi përveq asaj që njeriu e ndien. “Revolting Children”- Musical “Matilda” u dha po ashtu në skenën që mbante përplot talente. Kurse, kënga labe “Janinës ç’i panë sytë” me solisten Tuana Krasniqi përmes një timbri të fuqishëm që shpërfaqte guxim shpërthente në sfond me dhetëra zëra të butë okarinash, duke i dhënë origjianlitet këngës labe dhe fuqi potencialit të tyre artistik.

Në këtë mbrëmje të veçantë me vepra klasike, bashkëkohore dhe tradicionale, si korepetitorë u prezantuan: Etrita Hasani, Anjeza Namligjiu dhe Agron Shujaku.

Pas koncertit, në një prononcim për KultPlus drejtoresha Diana Toska ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që ka arritur të jetësojë ëndërrën e saj, atë të organizimit të një festivali të koreve të fëmijëve.

“Me shumë krenari dhe mirënjohje të thellë mund të them që sot ishte dita më e lumtur e jetës sime, sepse arritëm të realizojmë një ëndërr, e cila dal nga dal po vjen në jetë. Është Festivali i Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, një festival i cili i ka munguar vendit tonë, e që është pritur jashtëzakonisht mirë si ide. Të gjithë dirigjentët kanë bërë një punë të palodhshme me disiplinë dhe përkushtim duke na sjell sonte një repertoar shumë të pasur me vepra shqiptare dhe ndërkombëtare. I falënderoj nga zemra të gjithë ata të cilët e mbështetën këtë iniciativë”, ka thënë drejtoresha Toska, duke potencuar edhe planet  për zgjerimin e festivalit, për t’i përfshirë edhe shkollat dhe institucionet tjera kulturore të cilat ekzistojnë në vend.

Kurse, dirigjenti i korit “Amadeus”, Vehbi Shosholli krijimin e Festivalit “Crescendo” e ka cilësuar si një nismë të spikatur, e cila sipas tij do të ishte mirë të zgjerohej edhe më.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur për iniciativën dhe për themelimin e këtij festivali, shumë i lumtur që po krijohen festivale ku performanca bëhet nga fëmijët. Kemi pak festivale të tilla, mjerisht. Por, kjo është një shtytje për artistët tjerë që të krijojnë festivale të tjera, ku performues janë fëmijët. Ishte një përvojë shumë e mirë, një ambient shumë i këndshëm. Publiku është jashtëzakonisht i interesuar për performanca të tilla. Ne jemi ndarë shumë të kënaqur”, ka thënë Shosholli duke potencuar edhe rëndësinë e investimit në artin koral dhe jo vetëm. 

“Ne duhet të investojmë në mënyrë që të krijojmë gjenerata të reja për të ardhmen. Pra këta fëmijë që interpretuan sot në skenë si koristë të rinj, kanë potencial të jenë anëtarë të korit të Filharmonisë. E njëjta gjë do të vlente edhe për ndonjë festival të orkestrave të fëmijëve, të cilët pas disa vitesh do të mund të ishin anëtarë të Filharmonisë në instrumente të ndryshme. Nëse ne kontribuojmë dhe japim gjithçka nga vetja për këta fëmijë, do të jetë e sigurtë edhe e ardhmja në aspektin e muzikës”, ka thënë dirigjenti Shosholli.

Ndërkaq, dirigjentja Elikonë Hysaj- Shala ka thënë se arsimimi i mirëfilltë në rrafshin e artit dhe kulturës do të kontribuonte në ngritjen e shoqërisë dhe të komunitetit në përgjithësi.

“Çdo herë është emocionuese kur diçka iu dedikohet fëmijëve. Kjo gjë duhet të vazhdojë dhe të bëhet traditë, në mënyrë që fëmijët të marrin edukimin e duhur, që iniciativat të jenë në ngritje, me një sukses të tillë. Unë i përgëzoj organizatorët e festivalit “Crescendo”, ka qenë një nismë e mbarë dhe mëse e nevojshme për Kosovën. Dihet që në Kosovë ka një traditë për kore të fëmijëve dhe të rriturve, por ky festival i ka munguar skenës sonë. Shpresoj që ky festival të ketë rrugë të gjatë të suksesit” ka thënë dirigjentja Hysaj- Shala.

Kurse, dirigjenti Memli Kelmendi duke ndarë përvojën e tij nga arena ndërkombëtare, i ka përgëzuar organizatorët për një organizim sipas tij të shkëlqyer.

“Nisur nga përvoja ime edhe nga ato që i shoh gjithandej nëpër botë, konsideroj që është një nismë që i është dashur vendit tonë shumë më herët. Unë dua ta përgëzoj për këtë iniciativë Dianën, Artanin dhe tërë stafin për një nismë kaq të suksesshme. Organizimi i këtij edicioni për nga profesionalizmi ngjason me një edicion të 10-të. Kanë bërë një punë shumë të mirë, diçka që i motivon fëmijët, ndonëse nuk ishte garues, megjithatë kjo tregon potencialin që ka vendi jonë për të vënë në skenë artistë dhe për të zhvilluar artin koral. Besoj që ky organizim do t’i motiovjë edhe organizatorë të tjerë për të formuar kore të reja. Kjo e ndihmon edhe vendin tonë për një zhvillim kulturor në të ardhmen” ka thënë dirigjenti Kelmendi.  

Në fund, dirigjenti Artan  Jerliu i cili është edhe drejtor artistik i festivalit ka thënë se ndihet i lumtur që gjithçka është realizuar ashtu siç është paraparë nga angazhimi disamujor i stafit të “Crescendo”.

“Mendoj se shkoi gjithçka ashtu siç është paraparë. Fëmijët e kanë mirëpritur organizimin e këtij festivali. Po ashtu edhe prindërit. Audienca është ndarë jashtëzakonisht e kënaqur, kështu që gjithçka ishte në nivel. Si proces i punës ka zgjatur diku rreth 4-5 muaj për të organizuar Festivalin “Crescendo”, ku së bashku me pjesën tjetër të stafit jami angazhuar për të sjellë këtë performancë që është prezantuar sonte. Vështirësi kemi pasur në aspektin e sigurimit të një ambienti të përshtatshëm për të realizuar këtë koncert të veçantë. Në fund vendosëm që ta realizojmë në Kishën Shën Ndou për shkak të akustikës së duhur”, ka përfunduar dirigjenti Jerliu./ KultPlus.com

Zigmund Frojd: Vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten

Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon te thote ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.

Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.

“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.

Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.

Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.

Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”

… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.

Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.

***

Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.

Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.

Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.

Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.

Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.

Ai ishte Zigmund Frojd. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Agimi i Errësirës

I persekutuar, i burgosur dhe i debuar, gjigant i letersise afrikane, frymëzues global i perpjekjeve identitare per dekolonizim linguistik, vetevendosje kulturore dhe drejtesi sociale.

Nga viti 1977 kishte refuzuar te shkruante letersi ne giuhën angleze, duke iu rikthyer gjuhes amtare, asaj te grupit etnik kenian Gikũyũ.

Autor i kryevepres “Dekolonizimi i Mendjes: Politika e gjuhes ne letersine afrikane” (1986):

“Giuha eshte mbartese e kultures. Kur keni kontroll mbi giuhën e popullit, e kontrolloni edhe kulturen, kujtesën dhe vetëdijen e tij”.

Poezi e shkruar me 23 mars 2020, gjatë pandemisë COVID-19.

Perkthyer nga Artan Muhaxhiri.

Ngũgĩ wa Thiong’o

Agimi i Errësirës

E di, e di
Kërcënim për gjestet e zakonshme të afrisë njerëzore
Duarshtrengimin
Perqafimin
Supet qe ia japim njëri-tjetrit për gjetje ngushëllimi
Fqinjësine që e marrim si të mirëqenë
Aq shumë sa shpesh i rrahim gjokset
Me krekosje per individualizmin e vrazhde
Duke e perbuzur natyrën, madje edhe me permjerrje helmi mbi të, përderisa
Pretendojmë qe prona i ka të gjitha te drejtat ligjore të njerezores
Gjersa murmurisim mirënjohje per hiset tona në perënditë e kapitalit.
Oh, sa do të doja tash te shkruaja poezi në anglisht Ose në bash cilëndo gjuhë që e flisni Që të mund t’i ndaja me ju fjalët të cilat Wanjikü, nëna ime Gĩkũyũ, m’i thoshte:

Gutiri йй útakĩa:

Asnjë natë nuk eshtë aq e Errët sa
Të mos mbarojë në Agim
Ose thëne thjesht
Çdo natë mbaron me agim.
Gütiri ütukü ûtakĩa.
Edhe kjo erresire do të kalojë
Do të takohemi persëri dhe persëri
E do të flasim për Erresirën dhe Agimin
Të këndojmë dhe qeshim, ndoshta edhe të përqafohemi
Natyre dhe rritje ndryrë në perqafim te gjelbër
Festim i çdo pulsimi të qenies së përbashkët
Të rizbuluar dhe gmuar përnjemend
Në dritën e Errësirës dhe Agimit të ri./KultPlus.com

Sopranoja Marigona Qerkezi vjen për herë të parë në TKOBAP me një koncert gala

Më 12 qershor, ora 20:00, skena e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor do mirëpresë për herë të parë një nga zërat më të spikatur të operës në arenën ndërkombëtare, sopranon Marigona Qerkezi.

Nën dirigjimin e maestros italian Fabrizio Maria Carminati dhe në shoqërimin e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOBAP-së, Qerkezi do të sjellë një koncert gala me vepra të zgjedhura nga kompozitorë të njohur si Puccini, Verdi, Cilea, Dvořák, Bernstein, Lara, Arditi, si dhe kompozitorë shqiptarë si Feim Ibrahimi dhe Avni Mula.

Ky koncert premton një mbrëmje të veçantë ku arti, muzika dhe emocioni do të ndërthuren në mënyrë magjepsëse për publikun shqiptar.

Biletat janë në shitje pranë biletarisë së TKOBAP-së, çdo ditë nga ora 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00. Ditën e koncertit, biletaria do të jetë e hapur deri në orën 18:10./KultPlus.com

Evi Gjoni, përfaqësuesja e Shqipërisë në Sarajevo Film Festival

Resgjisorja e re shqiptare, Evi Gjoni do të jetë përfaqësuesja e vetme nga Shqipëria për në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.

Regjisorja e re shqiptare, Evi Gjoni është njëra prej 63 kandidatëve pjesëmarrës në Sarajevo Film Festival. Ajo do të garojë në seksionin “Script Station” të festivalit. Ky festival, i organizuar në bashkëpunim me formatin prestigjioz të “Berlinale”-s, do të bashkojë në një aktivitet të posaçëm regjisorët dhe skenaristët më të mirë, të përzgjedhur nga 20 vende, midis 560 aplikantësh.

Më herët, filmi “Sheets” i Evi Gjonit, i financuar nga Qendra Kinematografike e Filmit, është nderuar me çmime prestigjioze në Tiranë, Lisbonë, Londër, Athinë, Turqi dhe Trieste.

Festivali Ndërkombëtar i Sarajevës do të mbahet nga data 15-22 gusht 2025.  Greqia, Rumania dhe Turqia ishin vendet që kontribuuan me numrin më të madh të aplikantëve.

Edicioni i vitit 2025 i Talents Sarajevo përqendrohet te ndryshimet e shpejta teknologjike, platformat e transmetimit dhe Inteligjenca Artificiale, duke vënë në pah zërat e kineastëve dhe profesionistëve nga rajoni. Nëpërmjet dialogut me kolegët dhe profesionistët e industrisë, pjesëmarrësit do të eksplorojnë gjithashtu çështje të shëndetit mendor dhe mënyrën si ato duhet të trajtohen në bërjen e filmave: si një përgjegjësi e përbashkët, jo vetëm personale./atsh/KultPlus.com

Shtatë thënie të Faik Konicës për shqiptarët

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Parku Arkeologjik Shkodër vizitohet çdo ditë nga qindra turistë

Parku Arkeologjik Shkodër mirëpret çdo ditë qindra vizitorë nga mbarë bota.

Mes tyre ka turistë nga Gjermania, Turqia, Kina, Izraeli por edhe shqiptarë të Kosovës.

“Ne jemi nga Gjermania. Dhe jemi këtu për herë të parë. Është e mrekullueshme”, thotë një turist gjerman duke vizituar kalanë e Rozafës e cila ka një pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe për peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës.

Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje./atsh/KultPlus.com

“Letrat që nuk më dërgove kurrë”, prezantohet në Qendrën e Librit dhe Leximit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit promovoi librin me poezi “Letrat që nuk më dërgove kurrë”, të autores Irena Shabani.

“Poezitë e Irenës janë si tregime të shkurtra. Histori që të kalojnë para syve”, u shpreh profesoresha e Letërsisë, Anila Mullahi e cila interpretoi për pjesëmarrësit poezinë “Arrati”.

Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli u shpreh se “secili ka një letër të pamarrë kurrë”, siç e thotë dhe titulli i këtij libri, të cilin Irena Shabani e sjell 30 vjet pas librit të saj të parë.

Poezitë e këtij libri janë shkruar në kohë të ndryshme. Ato nuk janë të renditura në mënyrë kronologjike. Autorja thotë se, janë lënë ashtu të lira duke sjellë dhe përplasur ngjyrat e jetës.

Agim Baçi, gazetar dhe kritik letrar u shpreh se, poezia i përket autorit për sa kohë nuk e ka parë dritën e diellit, në momentin që ajo formësohet është e publikut. Më tej, Baçi theksoi rolin e redaktimit si një mungesë në botimet letrare, duke sjellë shembuj nga bota për rolin kyç që një ose më shumë redaktorë kanë në një vepër.

“Letrat që nuk më dërgove kurrë” është një titull që godet dhe çdo lexues e vë në mendime.

“Poezia përdor fjalën për të thënë atë që fjala vetë s’e thotë dot, ajo shkruan në rreshta dhe midis tyre”, u shpreh gjatë këtij promovimi vetë poetja.

Irena Shabani është gazetare, autore, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe poete. Ajo është përqendruar në çështje të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e grave dhe në çështjet sociale që shqetësojnë shoqërinë tonë./atsh/KultPlus.com

Fyell’ i bariut

Poezi nga Andon Z. Çajupi.

Bariu, shokë, bariu,
kur gjëmon e fryn veriu,
është përjashta fatziu,
e rreh breshëri dhe shiu!
Barinë, shokë, barinë,
mos e harroni fatzine,
se lë gruan e shtëpinë
t’u kullosë bagëtinë.
kullotni, moj bagëti,
ti, ti, ti. . .
Kullotni, biro, kullotni,
kur të vdes te me kujtoni,
Ndjesë pastë! — të më thoni.

Shikoni barin’ e gjore:
në diell a në dëborë,
bariu me shkop në dorë
ruan deshtë me këmborë.
Vështronje barinë mirë,
me të ngrën’ e me të pirë,
t’u marrë dhëntë pa gdhirë,
t’i kullosë me dëshirë,
të rrijë bashkë me to,
to, to, to.
Hani, moj bagëti, hani,
kur të vdes do të më qani,
për mua zi do te mbani! /KultPlus.com

Media britanike “Express”: Shqipëria, shtëpia e peizazheve të jashtëzakonshme dhe vendeve historike

Shqipëria ka një vijë bregdetare të gjerë prej 279 miljesh dhe është vetëm tre orë larg me linjë ajrore nga Britania e Madhe, shkruan Chris Samuel në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Vendi i bukur në Evropën Juglindore është shpallur si destinacioni më i mirë për t’u vizituar në botë, këtë vit.

“HelloSafe”, publikoi listën e destinacioneve kryesore për t’u vizituar në vitin 2025, ku u renditën vendet që ofronin kosto më të përballueshme, siguri, klimë dhe përvojë autentike.

Kompania tha se në përzgjedhjen e saj u vlerësuan faktorë – duke përfshirë koston e përgjithshme të një qëndrimi të plotë, destinacionet ende të paprekura nga turizmi masiv, cilësinë objektive të përvojës si, moti i favorshëm, pasuria kulturore, shumëllojshmëria e aktiviteteve dhe popullaritetin dhe perceptimin pozitiv të vendeve.

Shqipëria, e vendosur në Gadishullin Ballkanik doli në krye të listës – me një rezultat prej 75,8, duke reflektuar reputacionin në rritje të vendit si një destinacion udhëtimi.

Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, Shqipëria ka një kosto më të përballueshme.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u shpall së fundmi nga “TimeOut” si një ndër opsionet më të përballueshme për pushime në qytet dhe një zgjedhje e shkëlqyer për turistët me buxhet të kufizuar.

Qyteti është një nga destinacionet më të lira përsa i përket ushqimit dhe aktiviteteve krahasuar me kryeqytetet dhe qytetet e tjera evropiane.

Kostoja e biletave të hyrjes në muzetë kryesore varion nga 2,5 deri në 5 paund, dhe një krikëll birrë kushton 2,96 paund.

Kostoja mesatare e një “Airbnb” me një shtrat është 40 paund nata. Një vakt për dy persona mund të kushtojë midis 21 dhe 25 paund, zakonisht me porcione mjaft “bujare”.

Vendi ka një vijë bregdetare të gjerë prej 279 miljesh me një mori plazhesh me rërë të artë, ujëra të pastra dhe vendpushime të qeta.

Shqipëria, gjithashtu është shtëpia e peizazheve të jashtëzakonshme malore dhe një larmie të pasur vendesh historike.

Pikat kryesore përfshijnë Apoloninë, rrënojat e një qyteti të lashtë ilir rreth 12 kilometra nga qyteti jugor i Fierit, si dhe Beratin me fortesën e tij epike dhe arkitekturën mbresëlënëse që daton që nga shekulli XIII.

Shqipëria është më pak se tre orë larg Britania e Madhe me linjë ajrore, duke e bërë atë një destinacion të shkëlqyer për një fundjavë të gjatë./atsh/KultPlus.com

“Live 2025”, turneu veror i Ermal Metës nis nga Amfiteatri i Butrintit

Ermal Meta hap sezonin koncertor veror me një event të veçantë në magjinë e Teatrit Antik të Butrintit, një prej thesareve të Mesdheut dhe Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.

Turneu i titulluar “Live 2025”, nis me një skenë unike mes historisë dhe natyrës, mbrëmjen e 7 qershorit. Ermal Meta sjell një performancë unike që bashkon muzikën e tij me tregimin e historive, duke krijuar një eksperiencë të paharrueshme për publikun.

Bashkë me pianistin dhe bashkëshkrimtarin Davide Antonio Pio dhe një trio elegante harqesh, koncerti do të jetë një festë e tingujve dhe emocioneve në një vend ku historia dhe arti bashkohen.

Koncerti vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane dhe organizatorët premtojnë një mbrëmje që do të mbetet gjatë në zemrat e të pranishmëve. Hyrja do të jetë e lirë, por adhuruesve të muzikës së Ermal Metes do t’u duhet të bëjnë një rezervim në linkun urly.it/319y_s/atsh/KultPlus.com

“Vëndçe”, dokumentar mbi traditën dhe identitetin

Java Kulturore e Evropës 2025 vijon me aktivitete të shumëllojshme, mes të cilave ishte dhe shfaqja e filmit “Vëndçe”.

Filmi i zhanrit dokumentar, “Vëndçe” me autor Lorin Terezin, solli zërat e Pilurit në zemër të Tiranës. Regjisori ka ndjekur nga afër përgatitjet e grupit të Pilurit, për në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.

Në kuadër të Javës së Evropës, dokumentari solli një rrëfim të sinqertë dhe të papërpunuar mbi traditën, identitetin dhe lidhjen e thellë mes zërit dhe vendit. Përmes provave dhe përditshmërisë, ai rikujtoi vlerat që ende i mbajnë shqiptarët të lidhur me rrënjët e tyre.

Dokumentari u shoqërua nga një bisedë me regjisorin dhe një interpretim drejtpërdrejtë nga vetë grupi, ashtu siç meriton të përfundojë një mbrëmje e vërtetë “Vëndçe”./atsh/Kultplus.com