“Marigona” është njëri nga grupet më të njohura në muzikën shqiptare, që për vite të tëra kanë përcjellë shumë gjenerata me këngët e tyre, shkruan KultPlus.
Grupi është formuar në Mitrovicë në vitin 1991 me formacionin e parë: Vullnet Sefaja, Edon Ramadani, Teoman Ukça, Labinot Krasniqi.
Stili i “Marigonës” është i veçantë. Gërshetimi i teksteve kuptimplota me vokalin unik të Vullnet Sefasë, ka bërë që ndër vite ata të sjellin shumë hite që edhe sot e kësaj dite këndohen e rikëndohen.
Disa nga këngët e tyre më të njohura janë: “Sonte”, “Pa ty”, “Mitrovcia”, “Ajshe”, “Dea”, “Tash shko”, “Fundi vjen”, etj…
Sonte po e risjellim një prej këngëve të tyre të hershme që titullohet “Do të vijë në mëngjes”, ku spikat teksti i bukur romantik, melodia dhe zëri i Sefasë.
Më poshtë bashkë me këngën po e japim edhe tekstin:
Do të vi një natë, në dritaren tënde të të vështroj, kur ti je në ëndërr do të vi atëherë, kur të jesh në gjumë të t’shikoj si fle, se të dua shumë.
Do të vi në agim, nga gjumi të të zgjoj të marr në përqafim, dhe kurrë mos të lëshoj do vi në mëngjes, të të sjell ty dashurinë të t’shikoj si buzëqesh, ta shijoj ty lumturinë.
Refreni:
Yllin nga qielli do ta zbres edhe ty, ty do të ta fal të shikoj, të shikoj se si buzëqesh edhe hënës atë dritë do të ja marr.
Do të vi një natë, në dritaren tënde të të vështroj, kur ti je në ëndërr do të vi atëherë, kur të jesh në gjumë të t’shikoj si fle, se të dua shumë. /KultPlus.com
Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vinçit:
E vërteta është vajza e vetme e kohës.
Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.
Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.
Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.
Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.
Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.
Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.
Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.
Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.
Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.
Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.
Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?
Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.
Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.
Urtësia është vajza e përvojës.
Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.
Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.
Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.
Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.
Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.
Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.
Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.
Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.
Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.
Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.
Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.
Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.
Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.
Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.
Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.
Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.
Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.
Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.
I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.
Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.
Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.
E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.
Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.
Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.
Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com
”Toyota Motor” vazhdoi të kryesojë shitjet globale të automjeteve për të pestin vit radhazi, pavarësisht nga një rënie prej 3,7 për qind në njësitë e prodhuara në vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga firma japoneze sot.
Grupi ”Toyota”, i cili përfshin prodhuesin e kamionëve Hino Motors dhe prodhuesin e miniveturave ”Daihatsu Motor”, ka shitur 10,82 milionë njësi në vitin 2024, një rënie prej 3,7 për qind nga viti i kaluar, sipas të dhënave.
Shitjet e kompanisë kanë rënë 1,4 për qind, duke përjashtuar prodhuesit Hino dhe Daihatsu, me 1,44 milion njësi të shitura brenda vendit vitin e kaluar, një rënie prej 13,8 për qind.
Megjithatë, shitjet në Amerikën e Veriut janë rritur me 4,3 për qind, për të shkuar në 2,73 milionë automjete, ndërsa shitjet në Evropë gjithashtu janë rritur me 3,6 për qind, duke regjistruar 1,17 milion njësi.
Ndërkohë, përballë konkurrencës së ashpër të çmimeve, shitjet në Kinë kanë rënë 6,9 për qind, në 1,78 milion njësi.
Shitjet e automjeteve elektrike të Toyotas janë rritur me 34,5 për qind në 139.892 njësi, ndërsa shitjet e automjeteve hibride kanë shënuar rritje me 21,1 për qind në 2024 krahasuar me vitin 2023, për të arritur në 4,14 milionë njësi.
Rivali kryesor i Toyotas, Volkswagen i Gjermanisë, ka dalë i dyti në shitjet globale me 9,03 milionë njësi, një rënie me 2,3 për qind në vitin 2024, krahasuar me një vit më parë./ KultPlus.com
Miliarderi Elon Musk ka njoftuar se kompania e tij ”Tesla” më vonë këtë vit planifikon të nisë shërbime robotaksi në Kaliforni dhe tregje të tjera amerikane me makina “të pambikëqyrura” plotësisht vetëdrejtuese të disponueshme si një shërbim me pagesë.
Gjatë një bisede me analistët, Musk shprehu besim se kompania e tij do të shohë një rritje të konsiderueshme në vitet e ardhshme për shkak të përparimeve të saj në drejtimin autonom.
“Tani për tani, ekziston kjo situatë e gabuar ku njerëzit në fakt kalojnë në drejtimin manual për të kontrolluar mesazhet e tyre me tekst në mënyrë që kompjuteri të mos u bërtasë atyre”, tha Musk.
Ai pretendoi se disa shoferë drejtojnë automjetin me gjunjë për të lexuar posta elektronike dhe mesazhe, për të cilën ai tha se është “më pak i sigurt” sesa t’i heqin duart nga timoni.
Kjo ishte biseda e parë e Musk-ut me analistët që nga fitorja e zgjedhjeve në nëntor nga presidenti Donald Trump, me miliarderin Musk që shërben si një aleat kryesor.
Sistemi plotësisht vetëdrejtues i kompanisë ”Tesla” ende kërkon ndërhyrje të herëpashershme të shoferit, por po përmirësohet me shpejtësi, me synimin për të tejkaluar sigurinë e shoferëve njerëzor.
Kompania planifikon të fillojë prodhimin masiv në vitin 2026 të robotaksit ‘Cybercab’, një makinë pa timon, e krijuar posaçërisht për përdorim robotaksi. Tesla ka testuar shërbimin e saj robotaksi me punonjësit në ‘Bay Area’ të Kalifornisë që nga viti i kaluar, me drejtues të sigurisë të gatshëm për të ndërhyrë nëse është e nevojshme.
Më vonë këtë vit, Musk pret të nisë një shërbim me pagesë të udhëtimit në Kaliforni dhe Teksas, në pritje të miratimit rregullator. Tesla ende nuk është e licencuar për të operuar një shërbim autonom komercial të transportit në shtetin e Kalifornisë.
Musk gjithashtu përmendi zhvillimin e robotit humanoid ‘Optimus’ të kompanisë ”Tesla”, i cili do të fillojë prodhimin në vitin 2025.
“Optimus do të jetë në gjendje të luajë në piano dhe të fut një pe në gjilpërë”, tha Musk.
”Tesla” gjithashtu është e fokusuar në prodhimin e automjeteve elektrike më të përballueshme, me prodhimin që do të fillojë në gjysmën e parë të vitit 2025.
Pavarësisht rënies prej 71 për qind të të ardhurave neto në tremujorin e katërt, të ardhurat e kompanisë ”Tesla” u rritën 2 për qind në 25.7 miliardë dollarë.
Perspektivat e kompanisë, veçanërisht zhvillimi i robotit ‘Optimus’, mbeten fokusi kryesor për investitorët.
Musk tha se ”Tesla” planifikon të prodhojë të paktën disa mijëra robotë ‘Optimus’ në vitin 2025./ KultPlus.com
E mbuluar nga petku i bardhë i dëborës, Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj në këto ditë dimri.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga turistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.
“Përvojat unike të të përjetuarit të Valbonës mes natyrës së paprekur dhe një trashëgime të jashtëzakonshme në zemër të alpeve”, shkruan Kumbaro.
Lugina e Valbonës dhe Luginën e Tropojës gjatë vitit të kaluar u vizitua nga 233 695 turistë vendas e të huaj.
Kjo luginë, e konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse, është një ndër më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj.
Ajo është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996 dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Lugina e Valbonës është cilësuar si mrekullia e Alpeve ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri.
Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur Lumi i Gashit./ KultPlus.com
Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, ka siguruar një tjetër sukses duke fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e Parisit.
Gjakova ka triumfuar në duelin vendimtar për medalje ndaj holandezes Joanne Van Lieshout.
Rruga drejt medaljes ka nisur me fitore ndaj francezes Rania Drid, ndërsa më pas e ka kaluar me sukses kroaten Iva Oberan, e cila ishte bartëse e tretë, duke e mposhtur me Ippon. Në çerekfinale, Nora është përballur me japonezen Megu Danno, ndaj së cilës ka pësuar humbjen e vetme në këtë turne.
Megjithatë, në garën për medalje, Gjakova ka rikuperuar shpejt, ku në repesazh, ajo ka mposhtur spanjollen Cristina Cabana Perez me dy wazaari, për të siguruar mundësinë e luftës për bronz. / KultPlus.com
Një restorant britanik ka rindezur armiqësitë kundër picës me ananas, e cila është në menunë e tij, por me një shtesë të tepruar çmimi prej 100 paund (rreth 120 euro) për “njerëzit monstra”, sipas tij, që duan një të picë të tillë.
Një picë në restorantin ”Lupa Pizza” në Norwich, Anglia lindore, zakonisht është 10 herë më e lirë, por një nga pronarët e restorantit, Francis Woolf, i tha gazetës lokale ”Norwich Evening News”, se ai “e urrente atë”.
Kjo picë me ananas gjendet në menunë e shpërndarjes me motor të picave ”Deliveroo”, por me këtë mbishkrimin “Po, për 100 paund mund ta kesh. Porosit edhe shampanjën. Vazhdo, përbindësh!” .
Pica napolitane u përfshi në trashëgiminë jomateriale të njerëzimit të UNESCO-s në vitin 2017, një mbishkrim simbolik, por që shpërbleu përpjekjet e mbrojtësve të kësaj pjate italiane, për të cilët shtimi i ananasit përbën herezi./ KultPlus.com
Guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, ka shpallur 28 janarin si “Ditën e Visar Zhitit”, në nder të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, simbol i rezistencës ndaj shtypjes.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, i cili e cilësoi një moment historik për letërsinë dhe të drejtat e njeriut.
“Kjo datë përkon me lirimin e tij nga burgu më 28 janar 1987, duke e bërë këtë ditë një simbol të triumfit të lirisë mbi tiraninë. Në proklamatë theksohet fuqia e poezisë për të ndriçuar errësirën dhe kontributi i Visar Zhitit në pasurimin e kulturës në Illinois dhe më gjerë”, tha Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se “proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago, ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA”.
Shkrimtari Visar Zhiti ka lindur në Durrës, më 2 dhjetor 1952. Në rininë e tij u përndoq nga regjimi komunist. Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.
Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.
Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.
Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg.
Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist e diplomat pati vetëm arritje./ KultPlus.com
Një histori e veçantë, rrallëherë e trajtuar dhe krejtësisht mbresëlënëse, ka zënë vend brenda filmit “Krejt e thërrasin Rexhon”, me regji të Ibër Dearit që u dha premierë në Cineplexx të enjten mbrëma. Gjithçka zë vend në fshatin fiktiv të titulluar “Sllupkovë”, ku së fundmi ka ndodhur një ikje masive e të rinjve dhe punëtorëve nga ky vend. Në këtë hapësirë ka mbetur tash veç një person, një punëtor që mban emrin Rexhep Nushi e mbi krahët e të cilit peshojnë shumë njerëz. Nën mungesën e madhe e tejet të shprehur të punëtorëve të tjerë, të gjithë banorët e fshatit nisin dhe e kërkojnë tashmë veç Rexhon, burri që kryen nevojat dhe punët e ndryshme dhe llojllojshme që secili banor ka nëpër shtëpitë e tyre, ngaqë askush tjetër nuk është në dispozicion, shkruan KultPlus.
Edhe pse filmi ka pasur një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, ka arritur të jetësohet. Salla brenda hapësirës së Cineplexx qe mbushur plot dhe të pranishmit pritën njëzet minuta më shumë pasi që nuk kishte vende të mjaftueshme. Megjithatë, dritat u fikën në orën 19:52 dhe filmi gjeti dritën e vetë. Protagonistët kryesorë të këtij filmi janë: Afrim Muçaj në rolin e Rexhos, Adriana Matoshi në rolin e Hirës dhe Ledion Mulaku në rolin e Nikut.
“Everybody Calls Redjo” është film debutues për regjisorin Ibër Deari si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit.
Realiteti që na rrethon, në të cilin jetojmë dhe të cilin e shohim çdo ditë, qoftë në rrugë, në lajme apo edhe nga bisedat në kafene me miq, është pika kryesore nga ku edhe ka ardhur ideja e regjisorit Deari për të krijuar filmin.
Personazhi kryesor, Rexho cilësohet si personi që të gjithë kanë pasur më së shumti nevojë, dhe të cilin e kërkojnë çdo herë, duke përfshirë edhe ardhjen e anëtarëve të fshatit deri tek dritarja e shtëpisë së Rexhos. Të gjithë burrat e aftë për punë kanë emigruar, duke lënë pas vetëm Rexhon, andaj dhe ai tashmë bëhet pika kyçe që mban “gjallë” vendin.
“Everybody Calls Redjo” ka realizuar xhirimet në gjithsej 20 ditë, mirëpo rezultati dukej se i përkiste diçkaje krejt tjetër. Janë pikërisht ato kuadrot e shumta që të lënë me gojëhapur. Të shpeshta janë edhe ato të makinës së Rexhos, një makinë që rrëshqet natë e ditë drejt kthesave të buta të rrugëve të fshatit. Fenerët e makinës shpesh portretizojnë ngadalësimin e rrjedhës së filmit për të vënë në pah dallimin mes dinamikës e qetësisë.
Në ndërkohë, ishin pikërisht fontet e bukura të fjalëve brenda filmit që më ngjasonin me madhështinë e fonteve të regjisorit Wes Anderson, duke plotësuar kështu një pikë kyçe të estetikës artistike të filmit. Përplot dy orë, të mbështjella mund të gjendet komedia, drama e romanca. Nuk është thjeshtë një rutinë e personazhit Rexho që shpaloset para ekranit, por ka shumë sekrete, intriga e histori që përkojnë me realitetin e shpesh edhe kanë një përfundim jo të mirë. Parimet e Rexhos janë të thjeshta: Me buzëqesh duke kryer punën, me mbyllë gojën, mos me u lodhë por me pas energji të mirë, asnjëherë mos me qenë të uritur në punë. Këto mundohet t’i zbatojë edhe djali i tij që dëshiron/imponohet ta mësojë zanatin e babait.
Sikurse në filmat e Tarantions, edhe në filmin e regjisorit Deari i cili me këtë film debuton në metrazh të gjatë pas filmave të shkurtër “My City Screams” (2015), “Toka” (2016), “A long way Home” (2017), mund të shohim përdorimin e teknikës së intertitujve që i japin filmit një strukturë të mirë. Pra, shtohet një ritëm që tregon narrativen e filmit këndshëm, seksion pas seksion, dhe krejt kjo është e qëllimshme. Që nga thirrja e parë, filmi vazhdon pastaj tek thirrja e panjohur dhe thirrja e gabuar dhe përfundon me thirrjen e fundit. Ajo që nuk humb në të gjitha këto segmente është shprehja “I kam njëqind punë”, shprehje kjo e personazhit Rexho që shpërfaq pakënaqësinë me punët e shumta të cilat duket se i bëhen barrë me kalimin e kohës. Por, ai këto të gjitha i bën enkas për të mirëmbajtur familjen dhe dashurinë e gruas dhe djalit të tij.
Në anën tjetër, kemi dialekte të ndryshme që fliten nga aktorët në film. Ka aktorë nga treva të ndryshme shqiptare dhe kjo e bën akoma më unike këtë film. Regjisori Ibër Deari ka arritur të krijojë një urëlidhëse mes një skenari plot humor, portretizimeve të karaktereve diversive dhe kapjes së emocioneve të duhura qoftë në “slow-motion” apo “fast-motion/tempo”.
Regjisori dhe skenaristi i “Everybody calls Redjo”, Ibër Deari, pas shfaqjes së filmit premierë në Prishtinë, ka falënderuar audiencës e Kosovës për përkrahjen e madhe që i është bërë.
“Faleminderit që jeni prezent këtu. Unë çdo herë në Prishtinë jam ndje shumë mirë kur i kam shfaq filmat, pasi që me shumicën e artistëve veçse kam punuar dhe më kanë përkrahur shumë. Dua t’i them faleminderit të gjithë ekipit dhe audiencës këtu për përkrahjen dhe mbështetjen”, ka thënë ai.
Ndërsa, për KultPlus, ka potencuar se roli i personazhit kryesor Rexho, përkon me realitetin e tanishëm të shoqërisë tonë.
“Nëse flasim për eksperiencën si regjisor atëherë mund të them se kam mësuar shumë. Kam mësuar akoma më shumë sesa në Akademinë e Filmit. Në këtë film e kam mësuar se çka është realiteti i të bërit film. Nuk është aspak se si e mëson në libra apo në video të ndryshme. Regjisor bëhesh vetëm atëherë kur del në sheshxhirim. Filmi i metrazhit të gjatë është një maratonë e madhe dhe jam përballuar me shumë vështirësi, qysh nga buxheti e deri tek kushtet klimatike. Këndvështrimin e Rexhos e kam sjellë sepse unë vetë shpesh kam njohur njerëz të atillë të cilët dinë histori duke punuar në shtëpi të ndryshme, akoma më shumë sesa familjarët që jetojnë apo i njohin ata njerëz. Kjo pikë më ka interesu shumë, pra se çfarë tregime kanë ata për të thënë e shpalosur. Në anën tjetër, Rexho është i vetmi personazh që nuk ka dashur të ikë nga vendi dhe e ka dashur punën e tij, ndërsa sot në shoqërinë tonë njohim shumë njerëz që duan ta lënë vendin, punën dhe zanatin”, ka thënë regjisori Deari.
Aktori Afrim Muçaj pas shfaqjes së filmit premierë në Prishtinë, ka falënderuar të pranishmit duke shpresuar që nuk i ka zhgënjyer.
“Faleminderit shumë për prezencën. Ndihemi shumë të lumtur që kemi arrit ta kryejmë një punë shumë të mundimshme që ka marr shumë kohë. Për mua personalisht, si djalë i Prishtinës, është njëfarë lloj testi me ju pa të gjithëve këtu. Uroj të mos ju kem zhgënjyer”, ka thënë ai.
Ndërsa, në konferencën për media që është mbajtur ditën e së enjtes, ai pati potencuar se roli i Rexhos ka qenë për të, një nga sfidat më të mëdha të karrierës.
“Kam pasur disa punë shumë të mira në karrierën time, por mendoj që është një prej sfidave më të mëdha që kam pasur deri më sot. Por me ndihmën e skriptit si fillim e mandej trajtimit të regjisorit dhe gjithë kolegëve që kam pasur, e kanë bërë shumë më të lehtë realizimin e këtij roli sesa që do ta kisha. Është rol i ndritshëm por për ta realizuar siç duhet, na ka marrë kohë ndoshta dy vjet për muhabete, shpjegime, trajtim të skriptit. Edhe pasi e kemi xhiruar pastaj ka pasur shumë punë, në postproduksion. Ka qenë sfidë e madhe dhe sot jemi të liruar emocionalisht që kemi arritur ta sjellim para publikut një punë që vërtetë ka pasur sakrificë të jashtëzakonshme. Besoj se ia kemi arritur ta sjellim në kualitet të lartë që njerëzit të kënaqen kur ta shohin”, ka thënë Muçaj.
Pas shfaqjes së filmit premierë në Prishtinë, edhe aktorja Adriana Matoshi ka thënë se kujtimet më të mira i përkasin sheshxirimit të këtij projekti.
“Faleminderit shumë që keni ardhur në një numër kaq të madh. E kemi pas tepër të lehtë punën, pavarësisht vështirësive që i ka pasur Ibri për ta realizuar këtë film. Unë jam shumë e lumtur dhe e nderuar që kam qenë pjesë e këtij filmi të mrekullueshëm. Kur kam shkuar në xhirime, kam marr energji shumë të mirë dhe i kam kujtimet më të mira tek ky projekt. Shpresoj që Ibri të mos ndalet dhe shpresoj që të kem edhe të tjera bashkëpunime me të”, ka thënë ajo.
Për KultPlus, aktorja Matoshi ka treguar se është kënaq shumë duke xhiruar, dhe ajo beson se kjo ka reflektuar shumë në film.
“Unë fillimisht e kam pasur shumë të vështirë me pranu këtë rol pasi që ky rol mu është ofruar në qershor dhe unë kam pasur një operim në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe kam pasur nevojë për një pushim më të gjatë, mirëpo pas insistimeve të Ibrit dhe Afrimit, e pranova rolin dhe vendosa që dua të përkrah Ibrin në Maqedoni sepse ka pasur shumë vështirësi në secilin aspekt të mundshëm. Ibri është një djalë i jashtëzakonshëm, megjithëse është hera e parë që luaj në një film të tijin. Shpresoj që të mos jetë hera e fundit. Kam pasur afro gjashtë ditë xhirime, por me dëshirën time i kam zgjatë ato më shumë. Jam kënaq shumë dhe rezultati tani po shihet”, thotë Matoshi.
Filmi “Krejt e thërrasin Rexhon” parasheh premiera në pesë qytete të ndryshme në Kosovë, derisa premiera në Tiranë është shfaqur mbrëmë.
Në filmin “Everybody Calls Redjo” luajnë: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj./ KultPlus.com
Rusia dhe Kina kanë shtuar aktivitetet ushtarake në Arktik, përderisa shtetet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në rajon po raportojnë më shumë sabotime.
Në këtë situatë, Perëndimi ka intensifikuar përpjekjet për t’u pajisur me dronë vëzhgues që mund t’u mbijetojnë kushteve të akullta./REL/ KultPlus.com
Balerini dhe koreografi i njohur Ilir Shaqiri ishte i ftuari i radhës i Kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.
Me një karrierë dhe jetë të ndërtuar mes Shqipërisë dhe Italisë, Shaqiri tregoi rrugëtimin e tij artistik, ndërsa u ndal te sfidat me të cilat përballet arti i baletit në Shqipëri në përgjithësi, ku sfidë sipas tij mbetet “pasurimi me gjakun e ri”.
I lindur në një familje balerinësh të mirënjohur, prej shumë vitesh tashmë ai jeton në Itali ku edhe ka krijuar familjen e tij.
Me rreth 35 vite eksperiencë në skenën shqiptare dhe atë italiane ku ka dhuruar emocione si balerin në programe të njohura italiane si, “Buona Domenica”, “Amici”, dhe ”La Corrida”, Shaqiri tregon se asnjëherë nuk e ka parë veten të shkëputur nga Shqipëria, ku ka realizuar edhe produksione të suksesshme ndër vite.
“Yjet e diasporës shqiptare” është produksioni i tij i fundit artistik që do të nisë në 2 shkurt, i cili synon të krijojë një urë lidhëse me talentet shqiptare nëpër botë.
Për Shaqirin, Shqipëria është transformuar shumë vitet e fundit duke ofruar atë dinamizëm, të cilin siç u shpreh ai nuk e gjen dot më as në Itali.
“Italia vitet e fundit ka një lloj lodhjeje. Mbyllen kompanitë e kërcimit, të aktrimit, artit. Trenat janë të shpejtë ndërsa njerëzit janë bërë shumë të ngadaltë”, u shpreh ai.
Ndërkohë në Shqipëri, sipas tij, “ndryshimi është shumë i madh”. “Dinamika e shtetit, e njerëzve është ajo që çon gjithë punën para. Është në një cikël Shqipëria ku nuk ka nevojë shumë për fjalë se sa për vepra. Këtu thuhen gjërat dhe çohen deri në fund, kjo në ndryshim nga Italia sot, ku shumë produksione lihen në mes për mungesë fondesh”, u shpreh ai./ KultPlus.com
Në Kishën e Shën Mërisë, në fshatin Bishqethëm, Lushnjë, objekt kulti tipik i ndërtimeve të shek. XVIII, kanë filluar ndërhyrjet konservuese/restauruese.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se “ndërhyrjet konsistojnë në restaurimin e çatisë me tjegulla të reja dhe zëvendësim i trarëve të amortizuar, restaurimi i muraturave me teknikën Shqep-Qep, me injektim, fugatim dhe suvatim, konsolidimi i materialeve të drurit, konsolidimi i muraturave dhe brezave të drurit”.
Sipas IKTK-së, pjesë e ndërhyrjes është edhe pastrimi i fasadës dhe objektit në brendësi dhe sipërfaqen rreth tij.
Pikturat e kishës janë realizuar nga Johani i cili i përket familjes së Çetirëve nga Grabova, në vitin 1798. Disa prej tyre ruhen në gjendje të mirë dhe përbëjnë destinacion të rëndësishëm kulturor për t’u vizituar./ KultPlus.com
Tadeusz Borowski (1922 – 1951), prozator, poet dhe gazetar polak, i mbijetuar i internimit në kampet e përqendrimit Auschwitz dhe Dashau. Pas përfundimit të luftës nisi të shkruante kujtimet e burgosjes së tij dhe të botonte tregime të ndryshme, të përmbledhura pastaj, më 1948, me titullin ‘Pożegnanie z Marią (“Lamtumirë Marisë”, përkthyer në anglisht më 1959 me titullin “This Way for the Gas, Ladies and Gentlemen”). U vetëvra në rrethana misterioze, më 1 qershor 1951.
NJERIU ME PAKO
Për Adolf Rudnicki-n
Schreiberi1 ynë ishte hebre nga Lublini i ardhur në Auschwitz nga lageri i Majdanekut si i burgosur tashmë në kampe të ndryshme. Dhe, duke qenë se kishte gjetur në Auschwitz një të njohur të hairit të sonderkomandës, që, për shkak të pasurive që kishte përvetësuar në krematorë, dispononte në lager me një rrjet të gjerë të ndikimeve, kishte filluar menjëherë të shtirej si i sëmurë, kishte shkuar pa vështirësi në KB zwei – kështu shkurtohej (nga: Krankenbau II), një sektor i ndarë i Birkenaus i destinuar për spital – dhe menjëherë kishte marrë një funksion të shkëlqyeshëm, atë të schreiberit në bllokun tonë. Në vend se të rrotullonte gjithë ditën dheun me lopatë apo të bartte me barkun bosh thasë me çimento, schreiberi kryente detyrën e sekretarit – duke nxitur zilinë dhe intrigat e të spikaturve* të tjerë të cilët po ashtu i kishin miqtë e tyre në detyra të tilla – i çonte para e mbrapa të sëmurët, thërriste emrat në apel në bllok, përgatiste certifikatat e vdekjes e sëmundjes dhe në mënyrë indirekte merrte pjesë në seleksionimin e hebrenjve që në vjeshtën e vitit 1943 vinin pothuajse rregullisht çdo dy javë në të gjitha sektorët e kampit tonë; schreiberi në të vërtetë duhej, me ndihmën e pflegerëve2, t’i çonte të sëmurët në waschraum3 nga ku barteshin me automjete në mbrëmje në njërin prej katër krematorëve, që atëherë ende punonin me turne. Në fund, në nëntor, schreiberin e zunë ethet fort – nga e ftohura, sa mbaj mend – dhe, meqë ishte hebreu i vetëm i sëmurë në bllok, në seleksionimin e parë u caktua për në zur besonderen Behandlung4, do të thotë për në dhomat e gazit.
Menjëherë pas seleksionimit pflegeri më i vjetër, i quajtur në shenjë respekti kryetar i bllokut, shkoi në bllokun e 14-të, ku kishte pothuajse ekskluzivisht hebrenj të binte në ujdi ta linte aty schreiberin tonë së pari aty, në mënyrë që ta shmangte obligimin e pakëndshëm që ta përcillte vetë në waschraum.
«Po e zhvendosim auf vierzehn, Doktor, verstehen?5» i tha me t’u kthyer nga blloku 14 kryemjekut që rrinte ulur në tavolinë me stetoskopin në vesh. Doktori trokiti me gishta me shumë kujdes në shpinën e një pacienti të shtruar së voni dhe ia mbushi me shkrim kaligrafik certifikatën e sëmundjes. Doktori bëri një gjest me dorë pa e ndërprerë punën.
Schreiberi ishte kruspullosur në shtratin e sipërm dhe po e lidhte paturpësisht me një spango kutinë e kartonit në të cilën i mbante çizmet çeke të lidhura deri në gjunjë, një lugë, një thikë, një laps dhe dhjamin, kuleçtë dhe frutat që i merrte nga të sëmurët për shërbimet e ndryshme që ua bënte si shkrues, ashtu siç bënin pothuajse të gjithë mjekët dhe pflegerët hebrenj të KB-së; në krahasim me polakët, në të vërtetë, këta nuk merrnin pako nga askush. Nga ana tjetër, polakët e KB-së, që merrnin ndihma nga shtëpia, po ashtu merrnin nga të sëmurët qoftë duhan qoftë ushqime.
Kundruall schreiberit, një major polak në moshë, i mbajtur në këtë bllok prej muajsh, nuk dihet pse, veshët e mbyllur me pëlqyer, po luante shah me vetveten, ndërsa përposh tij nachtwacha6 urinoi përtueshëm në një papagall të xhamit dhe menjëherë u rras nën mbuloja. Në fjetoret e tjera gërhisnin dhe kolliteshin, mbi stufëz kërcëllinte salloja dhe, si gjithmonë rreth mbrëmjes, mbante një vapë mbytëse.
Schreiberi zbriti nga shtrati dhe e mori një pako në dorë. Kryetari i bllokut ia kaloi vrazhdësisht një mbulojë, ia zgjati një palë nallane druri dhe dolën nga blloku. Nga dritarja u pa, para bllokut 14, kryetari i bllokut t’ia hiqte mbulojën nga supet, t’ia merrte nallanet dhe t’i jepte një dackë në supe, ndërsa schreiberi, i cili kishte të veshur vetëm një këmishë nate që ia valëviste era, po hynte në bllok në shoqëri të një pflageri tjetër.
Vetëm kah mbrëmja, kur u shpërndanë nëpër fjetore racionet e çajit dhe pakot, pflegerët nisën t’i nxirrnin jashtë myslimanët** nga blloqet dhe t’i vinin në radhë nga pesë veta para dyerve, duke ua hequr mbulojat dhe mbathjet. Në lager erdhi një SS i turnit dhe i urdhëroi pflegerët të formonin para waschraumit një kordon që askush të mos ia mbathte; ndërkohë në blloqe të tjerët po hanin darkën dhe po rrëmonin nëpër pakot e sapoardhura.
Nga dritarja u pa schreibei ynë të dilte nga blloku 14 me një pako në dorë, të zinte vendin e vet në radhën prej pesë vetash dhe, i cytur nga britmat e pflegerëve, të zvarritej me të tjerët deri te lajtorja.
«Schauen sie mal, Doktor!7» i brita mjekut. E hoqi stetoskopin, u avit me hap të rëndë te dritarja dhe ma hodhi njërën dorë mbi supe. «Do të mund të tregoheshit pakëz më i arsyeshëm, apo jo?».
Jashtë po errej, pamë këmishat e bardha të lëviznin para bllokut, fytyrat nuk dalloheshin më, kaluan nga njëra anë, u zhdukën nga fusha e pamjes; vura re se mbi telat me gjemba ishin ndezur dritat.
«Megjithatë, si i internuar i vjetër, e di saktësisht se pas një ore a dy do të shkojë në gaz, lakuriq, pa këmishë dhe pa pako. Kjo lidhje me atë pronë mbeturinë është e pabesueshme. Mund t’ia kishte lënë ndokujt. Nuk besoj se unë…».
«A mendoni përnjëmend?», pyeti ftohtë doktori. E hoqi dorën nga supi im dhe e lëvizi nofullën si të thithte me gjuhë dhëmbin me karies.
«Falmëni, Doktor, po s’mendoj se ju…», thashë pa u menduar.
Doktori ishte nga Berlini, i kishte bijën dhe gruan në Argjentinë dhe nganjëherë thoshte për vete: wir Preussen8, me një buzëqeshje në të cilën një hidhësi e dhimbshme hebraike përzihej me krenarinë e një ish oficeri prusian.
«Nuk e di. Nuk e di çfarë do të bëja po të shkoja në gaz. Mbase edhe unë do të merrja me vete pakon time».
U kthye kah unë dhe buzëqeshi paksa ironik. Pashë se ishte shumë i lodhur dhe pa gjumë.
«Mendoj se, edhe po të shkoja në oxhak, me siguri do të besoja se gjithmonë do të mund të ndodhte diçka gjatë rrugës. Do ta mbaja pakon si dorën e dikujt, ë?».
U largua nga dritarja dhe pasi u ul në tavolinë më urdhëroi të lëshoja poshtë nga shtrati një të sëmurë tjetër; po përgatiste për të nesërmen abgang-un9 e të shëruarve për lager.
Hebrenjtë e sëmurë po e mbushnin waschraumin me britma dhe gjëmime, donin t’ia vinin zjarrin ndërtesës, por askush prej tyre s’guxonte ta prekte zyrtarin sanitar të SS-ve që po rrinte ulur në një qoshk me sytë gjysmë të mbyllur, duke u shtirë se po dremiste ose po dremiste përnjëmend. Posa ra terri erdhën në lager kamionët e mëdhenj të krematoriumit, erdhën disa SS, i urdhëruan hebrenjtë të linin çdo gjë në waschraum dhe pflegerët nisën t’i fusnin lakuriq në kamionë, derisa u mbushën kamionët me aq persona që, duke qarë dhe duke u lutur, të ndriçuar nga reflektorët, po largoheshin nga lageri të mbajtur për dore dëshpërimisht për të mos u rrëzuar në tokë.
Nuk e di pse pastaj në lager u tha se ata hebrenjtë që përfundonin në gaz këndonin një këngë prekëse në hebraisht që askush s’mund ta kuptonte.
Shënime:
1) I burgosur që në lager kryente punën e shkruesit; Primo Levi e quan «scritturale».
* – Të spikaturit ishin të burgosur bukur të integruar në lager që gëzonin për arsye të ndryshme një pozicion të privilegjuar.
2) Të burgosur në rolin e infermierëve.
3) Lajtore, banjë.
4) «Në trajtim special», gjermanisht në tekst.
5) Gjermanisht, «Në katërmbëdhjetë, doktor, e kuptuat?».
6) Shtrembërim në polonisht i termit të gjermanishtes Nachtwache «roje nate».
** – Myslimanët – term i përdorur në kampet e përqendrimit për t’i përshkruar hebrenjtë në prag të vdekjes nga uria dhe lodhja.
7) «Pa shiko pak, doktor!».
8) «Ne prusianët».
9) «Nisja», në kuptimin e «lirim nga spitali».
/Marrë nga Tadeusz Borowski: “Il mondo di pietra”, Lindau, 2022 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Epidemiologu i njohur, i pari nga shqiptarët e Kosovës, Isuf Dedushaj, ka vdekur në moshën 73 vjeçare.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë mjek, epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë nga Vuthaj, në Mal të Zi.
Shkollën fillore e mbaroi në Vuthaj dhe Guci. Gjimnazin e kreu në Pejë, kurse Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars të vitit 1976.
Fillimisht punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës. Në vitin 1976 punësohet në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi Sociale. Përfundon specializimin për epidemiologji më 20 maj të vitit 1980, duke u bërë kështu epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, sipas biografisë së publikuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës.
Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës në Bosnje, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1983.
Dr. Isuf Dedushaj me 27 nëntor të vitit 1986 në Fakultetin e Mjekësisë mbrojti tezën e doktoratës. Gjatë vitit 1986/1987 përfundoi subspecializimin në imunologji pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit në Kroaci. Punoi në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore të Kosovës prej vitit 1976 deri në vitin 1990.
Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ka qenë edhe prodekan dhe dekan. Prof. Dedushaj ka qenë anëtar i Redaksisë së Revistës Shkencore “Praxis Medica” të Kosovës. Ka publikuar 112 punime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Është autor i disa monografive shkencore dhe teksteve universitare. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “kudo nga Tropoja, në Konispol, ku toka quhet Shqipëri, po krijohet një mundësi”.
Në fjalën e tij në Kuvendin Rinor të Partisë Socialiste, Rama tha se “sot mbështetja për të gjithë të rinjtë në Shqipëri apo emigracion që duan të investojnë në shtëpinë apo tokën e gjyshërve në fshat për të ndërtuar një bujtinë apo një agroturizëm dhe për t’u bërë pjesë e zinxhirit të suksesit ekonomik të kësaj dege fitimprurëse të industrisë sonë të re turistike është shumëfishuar’.
“Ata do të mund të përfitojnë edhe nga paketa e re e maleve, e cila ka kaluar në qeveri dhe është në rrugën e parlamentit edhe nga linja e re e financimit të Bankës së Shqipërisë prej 250 milionë eurosh, ku qeveria do të kujdeset në mënyrë të veçantë që të rinjtë e interesuar të gjejnë sa më shumë veten,” tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “dua që sa më shumë të rinj nga fshati që i kanë kthyer kurrizin shtëpisë së gjyshit, tokës së gjyshit dhe që enden në qytet duke u ankuar se s’ka punë, apo të rinj në emigracion që rropaten duke bërë edhe dy punë për të marrë në fund të ditës paga që nuk i dalin për asgjë përveçse për të shlyer detyrimet e muajit dhe për të filluar përsëri të rropaten për muajin tjetër, duke fjetur nga katër e pesë veta në një dhomë të mund të bëjnë atë që po bëjnë, është reale gjithnjë e më shumë”.
“Të rinj nga Thethi, në majën e majave të cilët janë kthyer dhe po kthehen dhe janë bërë gurë të rëndë në vendin e tyre. Madje ata atje në majë të malit kanë disa që nxjerrin të ardhura për veten e tyre po e po, por edhe të ardhura që ua çojnë familjeve që janë akoma në emigracion. Motra e vëllezër që kanë fëmijë për të çuar atje në shkollë dhe nuk iu del më siç u dilte deri dje kur ishin në Itali e Angli,” nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “e përsëris, e dëgjuat mirë, iu çojnë edhe atyre ndihmë nga Thethi, në majë, sepse në çdo pikë të Shqipërisë, në çdo mal, luginë, kthesë, fshat edhe më i humburi qoftë aty ku ka një tokë nga gjyshi dhe ku ka një ngrehinë që mund ta kthesh në ngrehinë mikpritje nuk je ti më të mendohesh e rropatesh si do prodhosh, e ku do e çosh prodhimin, e si do e shesësh, e sa do kushtojë karburanti. Ti je zot atje, dhe të vijnë atje për të shijuar mikpritjen atë që ti ofron dhe t’i sjellin lekët atje. Prandaj dhe turizmi quhet eksport”.
Më shumë se 6,000 vjet më parë, sumerianët, ky qytetërim i lashtë i Mesopotamisë, krijuan harta komplekse prej balte që përshkruanin Sistemin Diellor me një saktësi të habitshme. Këto harta vendosnin Diellin në qendër, të rrethuar nga planetët në orbitat e tyre, duke dëshmuar njohuritë e avancuara të kësaj shoqërie mbi mekanikën hapsinore. Detajet e përshkruara në këto harta, sidomos sa i përket pozicioneve dhe trajektoreve planetare, nxjerrin në pah mjeshtërinë e tyre të jashtëzakonshme në fushën e astronomisë dhe njëkohësisht hedhin poshtë përkufizimin kohor kur njeriu hodhi vështrimin nga pafundësia dhe shfaqi ambicie për ta njohur dhe studiuar atë.
Përtej përpikmërisë shkencore, disa nga këto vepra artistike sumeriane përfshijnë përshkrime misterioze të entiteteve gjigante dhe enigmatike. Këto figura kolosale shfaqen përkrah planetëve, duke ngjallur kureshtje mbi domethënien e tyre kulturore dhe simbolike. Nuk është ende e qartë nëse këto qenie përfaqësonin perëndi, qenie mitologjike apo ndonjë element tjetër të rëndësishëm të besimit sumerian, por prania e tyre i shton një dimension mistik dhe intrigues këtyre diagrameve me natyrë shkencore.
Bashkimi i njohurive astronomike të avancuara me artin simbolik tregon për kompleksitetin e shoqërisë sumeriane. Këto harta nuk janë thjesht dëshmi të kuptimit të universit nga sumerianët, por edhe një pasqyrë e botëkuptimit të tyre të pasur kulturor dhe fetar. Kontributet e sumerianëve në shkencën e hershme, të ndërthurura me aftësinë e tyre për të shkrirë vëzhgimin shkencor me imagjinatën artistike, mbeten një pjesë magjepsëse e historisë sonë të përbashkët.
Sumerianët, të cilët lulëzuan në rajonin e Mesopotamisë (Iraku i sotëm) rreth mijëvjeçarit të IV p.e.s., njihen për zhvillimet e tyre të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme si matematika, arkitektura, letërsia dhe astronomia. Ata ishin ndër qytetërimet e para që zhvilluan një sistem të shkruar – kuneiformin, dhe përmes këtij sistemi dokumentuan një sërë njohurish, përfshirë edhe ato mbi qiellin dhe lëvizjet planetare.
Është e mahnitshme që një qytetërim kaq i hershëm kishte një koncept aq të avancuar të strukturës së Sistemit Diellor. Në një kohë kur shumë shoqëri të mëvonshme do të pranonin modele gjeocentrike (që vendosnin Tokën në qendër), sumerianët duket se e kishin të qartë rolin qendror të Diellit në sistemin tonë planetar. Kjo mund të jetë rezultat i vëzhgimeve të vazhdueshme të yjeve dhe planetëve, si dhe njohurive të trashëguara nga qytetërime edhe më të hershme.
Përshkrimi i qenieve kolosale pranë planetëve mbetet një nga aspektet më intriguese të artit sumerian. Në kulturën e tyre, perënditë shpesh përshkruheshin si qenie të mëdha dhe të fuqishme që mbikëqyrnin fatin e njerëzve dhe natyrës. Kështu, është e mundur që këto figura të përfaqësojnë hyjni të tilla si Anu (perëndia e qiellit), Enlil (zoti i ajrit dhe tokës) ose Enki (perëndia e ujërave dhe mençurisë).
Disa studiues dhe teoricienë të hipotezave alternative kanë sugjeruar se këto figura mund të jenë tregues të kontakteve me qenie jashtëtokësore, por kjo mbetet një tezë spekulative pa prova shkencore të mirëfillta. Gjithsesi, ajo që dihet me siguri është se sumerianët kishin një imagjinatë të pasur dhe një botëkuptim të ndërlikuar mbi universin dhe hyjnitë e tyre.
Njohuritë e tyre astronomike dhe mënyra se si i përshkruan ato kanë ndikuar ndjeshëm qytetërimet e mëvonshme, duke përfshirë babilonasit dhe grekët. Puna e tyre ishte themeli mbi të cilin u ndërtuan modele më të avancuara të universit. Përveç kësaj, përfshirja e artit dhe simbolizmit në përshkrimet astronomike flet për një kulturë që nuk ndante rreptësisht shkencën nga spiritualiteti, por i shihte ato si pjesë të së njëjtës tërësi.
Në përfundim, hartat e Sistemit Diellor të krijuara nga sumerianët janë një dëshmi e aftësive të tyre të jashtëzakonshme në astronomi dhe art. Këto artefakte jo vetëm që zbulojnë njohuritë e tyre mbi qiellin, por gjithashtu ofrojnë një dritare të rrallë në botën e tyre të brendshme shpirtërore dhe filozofike. Kjo pasuri e njohurive dhe imazheve mistike mbetet një nga misteret më të mëdha të qytetërimeve të lashta, duke vazhduar të frymëzojë studiues dhe eksplorues të historisë deri në ditët e sotme./ KultPlus.com
Sir Geoffrey William Hill, (1932 – 2016), poet anglez, profesor emeritus i letërsisë angleze dhe religjionit në Boston University. Nga 2010 deri më 2015 ka mbajtur pozitën e profesorit të poezisë në University of Oxford. Është shpërblyer me Truman Capote Award for Literary Criticism më 2009 për ‘Collected Critical Writings’, dhe përmbledhjen ‘Broken Hierarchies (Poems 1952–2012)’.
KËNGA E SHTATORIT
lindur më 19.6.32 – deportuar më 24.9.42
Nga Geoffrey Hill
I padëshirueshëm mund të kesh qenë, i paprekshëm
nuk ke qenë. I paharruar
apo i lënë në heshtje në kohën e duhur.
Siç pritej, vdiqe. Gjërat rrodhën,
mjaftueshëm, drejt fundit.
Veç tepër Zyklon dhe lëkurë, terror
i dukshëm, tepër vaje rutinë.
(Kam bërë
një elegji për vetveten
e vërtetë është)
Shtatori i plehëron hardhitë. Trëndafilat
ciflosen nga muret. Tymi
i zjarreve më të rrezikshme mblidhet në sytë e mi.
Kjo është tepër. Kjo është më shumë se e mjaftueshme.
Shënim:
Siç pritej – As estimeted – Fraza e dhënë në përkthim mbase s’e përçon gjithë logjikën e ftohtë kriminale të përgatitjes së krimit. Do të mund të përdoreshin edhe fraza të tjera, më të përafërta: siç ishin bërë vlerësimet, siç ishin bërë llogaritë, etj.
Terror i dukshëm, në origjinal patentet terror – Patent është si, em: patentë, ashtu edhe mb: i dukshëm. Loja e fjalëve mund t’i referohet si të qenit sui generis të Holokaustit, ashtu edhe faktit të thjeshtë se ishte një terror në sytë e të gjithëve.
September Song
born 19.6.32—deported 24.9.42
Undesirable you may have been, untouchable/ you were not. Not forgotten/ or passed over at the proper time.// As estimated, you died. Things marched,/ sufficient, to that end.// Just so much Zyklon and leather, patented/ terror, so many routine cries.// (I have made/ an elegy for myself it/ is true)// September fattens on vines. Roses/ flake from the wall. The smoke/ of harmless fires drifts to my eyes.// This is plenty. This is more than enough.
Koment:
Nga Molly Abel Travis
Kënga e shtatorit e Geoffrey Hill-it, e botuar për herë të parë në vëllimin e tij me poezi, ‘King Log’ (1968), është një elegji e shkurtër e shkruar për viktimën e një kampi përqendrimi. Poezia rilidhet me temën e poezive të hershme si “Two Formal Elegies.” Karakteristikë e metodës së Hill-it, manifeston ngjeshjen e shtresave të domethënies në fjalë të thjeshta mashtruese, ironi (përfshirë ironinë në adresë të vetë motiveve të tij estetike) dhe një ndryshim kompleks i tonit që rezulton në ambivalenca të mjaftueshme për të shkaktuar interpretime dukshëm të ndryshme.
Vargu i parë i poezisë, “Undesirable you may have been, untouchable/you were not. Not forgotten/or passed over at the proper time,” përçon ironinë në baraspeshë mes “undesirable” dhe “untouchable” si dhe me “not. Not …”. Në vargun e tretë “passed over” aludon te Pashkët hebreje (Passover), por në këtë rast është një ndërrim fjalësh ironik i hidhur. Implicite te ndërrimi i fjalëve është një temë e shpeshtë në punën e Hill-it rreth rrugëve misterioze të Zotit. Murtaja e Zotit tek egjiptianët rezultoi kërdinë e të pafajshmëve po aq sa të fajtorëve. Tri instanca të kërdisë në masë konvergjojnë në këto vargje: murtaja egjiptiane, vrasjet e të pafajshme të Herodit dhe Holokausti.
Si një martirologjist, Hill fokusohet te viktimat dhe viktimizuesit përmes historisë. Shumë komentues të kësaj poezie, duke filluar nga Christopher Ricks, kanë vërejtur se Hill-i nuk e kufizon përdorimin e fjalës ‘holokaust” vetëm te hebrenjtë. Ai e pranon rrezikun e trajtimit të kasaphanës naziste si një shkarje që s’arrijmë dot ta kuptojmë, njëfarë lloj mizorie që kurrë më s’do të përsëritet. Gjithherë syçelë ndaj arsyetimeve të sofistikuara dhe shmnagia nga të vërteta e rënda, Hill-i e kupton se Zgjidhja finale naziste nuk ishte e pakuptueshme, por ishte një formë e arsyes e çuar në ekstremet më të urryeshme, një arsye instrumentale ku qeniet njerëzore mund të asgjësohen dhe bota natyrore të shkatërrohet si një mjet për një qëllim të planifikuar në mënyrë racionale dhe shkencore.
Vargjet e tjera në vijim të poezisë përmbajnë disa fjalë dhe fraza që përçojnë ritëm rrjedhës të matur dhe kjo pasqyron shndërrimin e qenieve njerëzore në gjëra në një proces të mekanizuar çnjerëzues të shfarosjes nga një makinë naziste:
As estimated, you died. Things marched,/ sufficient, to that end./ Just so much Zyklon and leather, patented/ terror, so many routine cries.
Rutinë e dukshme, efikase – gjëra rrjedhin. Vlerësuar, mjaftueshëm, vetëm tepër – matematikat e vrasjes në masë ishin praktikuar.
Papritur Hill-i e ndërpret poezinë me një shkëputje të vetë-vetëdijshme nëë paranteza: “(I have made/an elegy for myself it/is true)”. Duke ardhur pas shtatë vargjesh të dendura dhe të kontrolluara fort të shpërndara në një apostrofim mbi viktimën e kampit të përqendrimit (“ti”), këto tri vargje në kllapa trondisin. Ato janë dukshëm rrëfyese dhe sillen në një mënyrë ngurruese, të shkurtër, duke e bërë lexuesin të belbëzojë dhe të rrojë me poetin në njëë moment vetë-vetëdijeje derisa ai ta shqyrtojë marrëdhënien e tij me viktimën. Epigrafi na tregon se viktima ishte “lindur më 19.6.32” – një ditë pas ditëlindjes së Hill-it.
Disa lexues kanë pyetur cili ishte qëllimi i Hill-it kur identifikohej me të deportuarit e kampit, posaçërisht duke pasur parasysh se ai është anglikan rregulltar. Kjo disi na e kujton pranimin ironik dhe kundërthënës të hebraizmit nga Silvia Plath, si një figurë e vuajtjes të personit të saj në ca poezi si “Daddy” dhe “Lady Lazarus”. Dallimi qëndron, mund të themi, në përdorimin e ironisë te të dy poetët, me Hill-in që bëhet më i vetë-vetëdijshëm. Ai s’do mend po përshkon një terren poetik të frikshëm për të na e demonstruar rrezikun e përvetësimit të tragjedisë së dikuj tjetër si lëndë të një elegjie të sajuar. Një përvetësim dhe trivializim i tillë, që ai e ka quajtur “mizori e gjuhës”, sjell një letërsi klishesh dhe sentimentalizmash. Hill-i kurrë s’e lë pas mendsh rrezikun e marrjes së gazit cyklon dhe tymit të krematoriumit dhe të shkruarit të një poezie lirike me to. Sado që lexuesi e dëgjon një rrëfim, “I have made/an elegy for myself it/is true”, tri fjalët e fundit po ashtu sugjerojnë se elegjia – pavarësisht se është shkruar për veten e tij – është e vërtetë, si dëshmi e të vërtetës historike të tmerrit të Holokaustit. Poezia e bën të qartë se elegjitë janë përherë të menduara për të gjallët.
Ka po ashtu shumë komente rreth vargut të fundit ambivalent, “This is plenty. This is more than enough”. Vargu vijon logjikisht nga rrëfimi në kllapa, sidoqoftë për Hill-in evokon pranimin se elegjia është gjithmonë dhe gjithsesi e papërshtatshme si komemoracion. S’mund ta kthejë kurrë mbrapa të vdekurit, s’mund ta çlirojë viktimën, ngase të vdekurit kanë shkuar dhe ne jei të kurthuar në të tashmen e plotë dhe të bollshme të një dite shtatori. Këtu shtrihet kufiri i poezisë si dëshmi dhe si antidot i harresës historike.
/Poezia është marrë nga Geoffrey Hill, ‘Broken Hierarchies – Poems 1952-2012’, Oxford University Press, 2013./Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, ka shpallur 28 janarin si “Ditën e Visar Zhitit”, në nder të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, simbol i rezistencës ndaj shtypjes.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale, i cili e cilësoi një moment historik për letërsinë dhe të drejtat e njeriut.
“Kjo datë përkon me lirimin e tij nga burgu më 28 janar 1987, duke e bërë këtë ditë një simbol të triumfit të lirisë mbi tiraninë. Në proklamatë theksohet fuqia e poezisë për të ndriçuar errësirën dhe kontributi i Visar Zhitit në pasurimin e kulturës në Illinois dhe më gjerë”, tha Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se “proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago, ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA”.
Shkrimtari Visar Zhiti ka lindur në Durrës, më 2 dhjetor 1952. Në rininë e tij u përndoq nga regjimi komunist. Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.
Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.
Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.
Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg.
Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist e diplomat pati vetëm arritje.
Së fundmi, u botua në gjuhën spanjolle, libri i ri i autores shqiptare Angela Kosta, “Nostalgia del Infinito”.
“Nostalgia del Infinito” është një vepër poetike intensive e cila na fton të hyjmë në shpirtin e autores, duke trajtuar tema universale si: dashuria, holokausti, figura e gruas, natyra dhe dashuria për tokën.
Poezitë e përzgjedhura në librin “Nostalgia del Infinito”, shqyrtojnë marrëdhënien midis njeriut dhe mjedisit që e rrethon, si dhe emocionet që lindin nga përvojat personale dhe kolektive.
Përkthyer nga poetesha e njohur venezueliane Mariela Cordero dhe kopertinën e realizuar nga piktorja e njohur italiane Catia Pugliese, ky libër bart një zë të fuqishëm dhe autentik që kalon nëpër realitete të ndryshme shoqërore dhe të përditshme. Secila poezi, i fton lexuesit të reflektojnë mbi jetën, dhimbjen, por gjithashtu edhe mbi bukurinë e ekzistencës. Autorja merr përsipër të përcjellë momentet historike të ligjeve të racave, sa të dhimbshme, po aq edhe të tmerrshme, duke nderuar dhe respektuar gjithashtu rezistencën njerëzore dhe duke treguar një respekt të thellë për ngjarjet historike dhe vlerat universale.
Me një shkrim që prek zemrën, `Nostalgia del Infinito’, paraqitet si një lexueshmëri që jo vetëm emocionon, por gjithashtu edhe nxit në një reflektim të thellë mbi gjendjen njerëzore dhe lidhjen tonë me botën që na rrethon.
Angela Kosta ka lindur në Elbasan dhe jeton në Itali që nga viti 1995. Ajo është akademike, gazetare, përkthyese, eseiste, kritike letrare, botuese dhe promovuese. Deri tani ka botuar 25 libra: romane, poezi dhe përralla në: shqip, italisht, anglisht, frengjisht, arabisht, koreanisht, spanjisht dhe turqisht. Është autore e 5 antologjive të publikuara në: Kosovë, Itali, SHBA dhe Turqi./rtk/ KultPlus.com
E mbuluar nga petku i bardhë i dëborës, Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj në këto ditë dimri.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga turistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.
“Përvojat unike të të përjetuarit të Valbonës mes natyrës së paprekur dhe një trashëgime të jashtëzakonshme në zemër të alpeve”, shkruan Kumbaro.
Lugina e Valbonës dhe Luginën e Tropojës gjatë vitit të kaluar u vizitua nga 233 695 turistë vendas e të huaj.
Kjo luginë, e konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse, është një ndër më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj.
Ajo është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996 dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Lugina e Valbonës është cilësuar si mrekullia e Alpeve ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri.
Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur Lumi i Gashit./atsh/ KultPlus.com
“La Turquie” ka botuar, të premten e 30 qershorit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive të Hasan Bej Prishtinës me redaktorin e “Yèni-Assr” mbi udhëtimin asokohe të Sulltan Mehmetit V në Kosovë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një intervistë
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një redaktor i Yèni-Assr intervistoi deputetin e Prishtinës, Hasan Beun, aktualisht në Selanik, i cili bëri këto deklarata :
Udhëtimi i Sulltanit tonë në Kosovë i gëzoi shumë shqiptarët dhe solli efekte morale dhe kombëtare. Megjithatë, që ky udhëtim të japë rezultate të mira në të ardhmen, vendi duhet në çdo rast t’i nënshtrohet të njëjtit ligj dhe qeveria duhet të jetë, në anën e saj, një qeveri e drejtë dhe e barabartë. Përndryshe ky udhëtim do të mbetet i pafrytshëm.
Isa Boletini nuk ishte te varri i Sulltan Muratit.Por nuk e bëri qëllimisht.Ai nuk mundi të shkonte atje sepse ishte disi i sëmurë. Nga ana tjetër, ai dërgoi një nga djemtë e tij dhe nipin e tij, të cilët patën nderin të priteshin nga Shkëlqesia e TijSulltani në fushën e Kosoves.
Madje, Mahmud Shefqet Pasha mendoi se do të kishte qenë mirë që Isa Beu të kishte ardhur atje.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Isa Beu më foli me lëvdata për rrugët e ndërtuara në mënyrë perfekte në të gjithë Malin e Zi, një vend malor; komunikimet me automobil dhe telefon të cilat arrijnë deri në fshatra. Ai shpreson se edhe vendi ynë do të pajiset me këto të mira të qytetërimit. Unë besoj se Ismail Bej Qemali shkoi në Cetinje për të këshilluar kryengritësit Malësorë që të shmangnin çdo gjakderdhje.
Dua të besoj se ata që pretendojnë të kundërtën e kanë gabim. E di që nuk është përkrahës i idesë së autonomisë shqiptare. Prandaj jam i bindur se ai kurrë nuk do të kryejë një akt të tillë që të gjithë shqiptarët do ta refuzonin. Për shtrirjen e pushteteve, këtë mendim e ndaj si të gjithë ata që kanë parasysh të ardhmen e atdheut.Sepse një ligj që zbatohet në Selanik nuk mund të vihet në fuqi në malet e Lumës, në Elbasan, në Guci, në Tiranë, në Gjakovë, në Shkodër, në fushat e thata të Jemenit, në shkretëtirat e Irakut.A do të merren në konsideratë këto pika gjatë diskutimit të ligjit të administratës krahinore ? Jam i sigurt se këtë domosdoshmëri do ta vënë re edhe deputetët turq dhe ndoshta do të jenë ata që do ta mbrojnë më shumë këtë të vërtetë./ KultPlus.com
Janari merr me ikë… Dy shkëndija bredhi sa bajnë dritë…
Një filloren shqepë ujdisjet Prej dekorit festiv nëpër shesh Dhe niset rrugicës së tavernave Për me ba me jetën përshesh.
E kam kuptu thotë shumë moti Që në këtë botë luhet lojë e t’pitit: Veç në taverna kurrë s’ia huqin ditës Veç gjithë ia huqin vitit.
Djaloshi merr me ikë… Sytë tash nisin me i shndritë…
Unë varë për traste mbetjen e një moti Me athëtinë limoni mendjen e brej’ Si më tha vogëlushi kur u kusuritëm: Ëndërroj të rritem, ëndërroj të blej.
Sikur s’shkon diçka në këtë mes tëlanash Jetë e pa kohë që përmbytë me ngenë “Edhe nga një” për refrenin që përsëritet Axhami që shesin – të rritur që blenë.
Koha merr me ikë… Vë në gjumë dritën dhe çilimitë…
Mbi banak trokëllijnë gotat si muajt Një, dy e tre deri në dymbëdhjetë Gjumi s’vjen në botën qaramane Djaloshi i vë ëndrrat me fjetë.
Pas një terri të thellë, dielli vjen i rëndë Strajca e motmoteve merr me ba pazar Rrugicave të harruara kujtimet shënojnë Vite sa një ditë – vite si janar. / KultPlus.com
Dje ka vdekur Marianne Faithfull, artiste, këngëtare dhe aktore e njohur. Nëna e saj ishte një vjeneze me prejardhje aristokrate kurse babai anglez, agjent i shërbimit sekret MI6. Jeta e saj karakterizohej me turbulenca maksimale.
Gjatë karrierës së saj krijoi 21 albume dhe 26 role filmike. Konsiderohet muzë e Rolling Stones – inspiruese për “Wild Horses”, “You Can’t Always Get What You Want”, “Sympathy for the Devil”, si dhe bashkëkrijuese e “Sister Morphine”.
Partneritetet e saj kreative ndër vite janë ndërtuar me Mick Jagger (edhe jetësore), Keith Richards, David Bowie, Roger Waters, Nick Cave, Lou Reed, Brian Eno, Metallica, PJ Harvey, Beck, Damon Albarn, Jarvis Cocker.
Po ashtu ka luajtur edhe krah Alain Delon (“The Girl on a Motorcycle”) dhe Anthony Hopkins (“Hamleti”), nën drejtimin e Jean-Luc Godard, Gus Van Sant, Sofia Coppola.
Lindur për të jetuar
Lindur për të jetuar dhe lindur për të vdekur A s’janë e njëjta gjë? Gjithmonë dikujt ia thyejmë zemrën Veçanërisht tonën Jeta vazhdon lumturueshëm Si zakonisht, asgjë s’është ashtu siç duket Por, ëndërr e kam të vdes me vdekje të mirë
Këtë ua uroj të gjithëve, krejt që i njoh e i dua Poshtë e lartë Kemi lindur për të vdekur, s’është faji i askujt Kemi lindur për të dashur, jemi një
Rri larg meje, mërzi Urrej t’i humbas miqtë e vjetër Mërzinë e kam hasëm, por dashuria më ndihmon t’ia dal Lindur për të jetuar dhe vdekur Përjetësisht në dashuri me ty Mos më bëj të qaj, dije çfarë duhet të bëj Të lutem për vdekje të mirë, një për mua, një për ty