“The Farmer’s Blue”, ironia e një jete të zhytur në borxhe

Suada Qorraj

Muzika ishte pjesë e përditshme e jetës së tyre, e bashkë me muzikën ishte edhe gjyshi, ngase ai e dëgjonte atë çdo ditë e në çdo kohë. Por, është pikërisht muzika ajo që ndalet që në fillim të këtij filmi, ndalja e muzikës shënoj vdekjen e gjyshit. Kurse vdekja e gjyshit, e në të njëjtën kohë babait të Vedait, i solli familjes përballjen zinxhirore me borxhe. Filmi i metrazhit të shkurtër “The Farmer’s Blues” sjell raportin e një familjeje, babë e djalë, bashkë me rrethanat në të cilat i kishte përplasur jeta, shkruan KultPlus.

Muzika e Luan Hajrës e shoqëron fillimin dhe pikërisht kënga “Lulzoj fusha, lulzoj mali”, është ajo që shënon përfundimin e këtij filmi, që nuk ju deshën më shumë se katër ditë të përfundonte xhirimet, mu në Sllupçan, fshatin e Kumanovës.

Ibër Deari regjisori i këtij filmi në një intervistë për KultPlus rrëfen se gjatë kohës sa e ka shkruar skenarin në shumë situata ai ka qeshur ngase sipas tij, sikur historia e trajtuar në këtë film të shikohej nga një perspektivë tjetër atëherë edhe do qeshnim me problemet që ndodhin në këto situata.

Deari ka shtuar se fokusi i tij kryesor nuk ka qenë vetëm borxhi që familja ka ndaj bashkësisë islame, ngase ai është përpjekur ta vë në pah më shumë raportin e familjes, babës dhe djalit në një situatë të tillë. Sipas tij lidhja e krijuar nga borxhet në këtë film paraqet vetëm ironinë dhe asgjë më shumë.

“Realisht unë nuk kam dashur të marr në fokus këtë temë, por ja filmi hapet ashtu dhe borxhi është vetëm një moment, kurse tema e filmit apo problematika është më shumë raporti babë e bir dhe se si ata jetojnë në këto rrethana, p.sh. nuk është vetëm borxhi ndaj hoxhës por edhe ndaj shokut dhe kështu vazhdon një zinxhir, ku secili i ka borxh njëri tjetrit. Kështu që këtë lidhjen e borxheve më shumë e kam paraqitur si një ironi se sa një problem thelbësor në film”, ka pohuar ai.

Tutje regjisori tregon se ngjarjet e “The Farmer’s Blues”, ndodhin çdo kund, në Maqedoni dhe Kosovë. Prandaj edhe filmi në shumë pjesë bazohet nga jeta reale, por që janë të modifikuara për tu paraqitur në film.

“Tash filmi nuk është gjithçka e vërtet por mund të them se ka shumë pjesë apo situata të inspiruara nga jeta reale, dhe pastaj të modifikuara për film, në shumë skena ndoshta janë pjesë që unë vet i kam përjetuar ose i kam parë, por jo bash në të njëjtën formë si i kam paraqitur në film”, ka vazhduar tutje intervistën regjisori.

Ai ka shtuar se vështirësitë më të mëdha që i ka hasur gjatë realizimit të këtij filmi kanë qenë ato teknike sepse filmi është realizuar me një ekip dhe me një buxhet shumë të vogël.

Deari ka thënë se nuk ishte një qëllim i caktuar ajo se çka e shtyu të realizonte këtë film, por dashuria që ai ka për artin dhe filmin. Madje ai ka shtuar se “The Farmer’s Blues” nuk synon të përçoj një mesazh të caktuar. Filmi në vetvete ngërthen tema të cilat mund të diskutohen, tema që mund edhe të sjellin kënaqësi por jo të krijuara për një qëllim të caktuar.

“The Farmer’s Blues” ka garuar edhe në festivalin e parë “Beach Film Festival” ku dhe ka marrë çmimin si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër. Por, rrugëtimi i këtij filmi nuk u ndal këtu sepse premiera e tij do jepet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmi, Dokufest.

Ibër Deari ka rrëfyer se pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme, dhe shpreson që edhe ky vit do të sjellë motiv për regjisorin që ai të vazhdoj të prodhoj filma edhe në vitet e ardhshme.

“Shumë e rëndësishme dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e DokuFest-it këtë vit, ndoshta do kishte qenë edhe më mirë po sikur të ishim edhe fizikisht aty, por ja në kohë pandemie mjafton që po mbahet festivali edhe online. Nuk është hera e parë që marr pjesë në Doku, edhe herëve tjera kam marr pjesë me filma. Çdo herë kam kaluar mirë, shpresoj që edhe ky vit do sjell shumë motiv për të vazhduar me filma të tjerë viteve të ardhshme”, ka përfunduar intervistën Deari. / KultPlus.com

‘Farmer’s Blues’ me regji të Ibër Dearit, filmi më i mirë në ‘Beach Film Festival Ohrid’

‘Farmer’s Blues’ filmi i metrazhit të shkurtë me regji të Ibër Dearit, ka dalë të jetë filmi më i mirë i festivalit në Maqedoni, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë, përkatësisht në festivalin ‘Beach Film Festival Ohrid’, shkruan KultPlus.

Ky film poashtu ka pas premierën në këtë festival, dhe fillimi i këtij prezantimi është kurorëzuar me sukses.

Vetë Ibër Deari ka njoftuar për këtë çmim, duke falënderuar njëkohësisht ekipin e filmi. Me rolet e tyre në këtë film luajnë aktorët: Afrim Muçaj dhe Enis Abazi./KultPlus.com

“Të gjithë e thërrasin Rexho”, filmi i vetëm shqiptar që mbështetet nga Agjencia e Filmit në Maqedoni

Është filmi i vetëm nga një regjisor shqiptar që është mbështetur nga Agjencia e Filmit në Maqedoni, ku të gjithë të tjerët janë maqedonas, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e thërrasin Rexho”, është film i metrazhit të gjatë dhe debutues për regjisorin Ibër Deari, i cili ka shkruar edhe skenarin, bashkë me skenaristin tjetër Artin Selmani.

Ibër Deari ka treguar për KultPlus për emocionet që i ka sjell ky vendim për mbështetjen e filmit të tij, por sipas tij, është shumë herët të flitet për procedurat në vijim.

“Shpresoj që të gjej mbështetje edhe në shtete të tjera”, ka thënë Deari për KultPlus, i cili poashtu ka thënë se deri te vendimi për vendin se ku do të xhirohet dhe se cilët prej aktorëve do të jenë në këtë film, duhet kohë dhe angazhim. /KultPlus.com

Film për Ismail Kadarenë, Ibër Deari në rolin e shkrimtarit të madh

Regjisori Ben Apolloni është duke punuar në realizimin e një filmi artistik të metrazhit të shkurtë, që ka për bosht jetën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, por duke përfshirë vetëm periudhën kur ishte i ri shkrimtari më i njohur shqiptar, shkruan KultPlus.

Apolloni ka thënë për KultPlus se skenarin për këtë film tashmë e ka të përfunduar, sikurse që ka përzgjedhur edhe aktorin, që në këtë film do të shndërrohet në një Kadare.

“Faktikisht, figura e aktorit më ka dhënë idenë për të bërë këtë film. Ai i ngjanë shumë, dhe më pas e kam zhvilluar edhe skenarin”, ka thënë Apolloni për KultPlus.

Bëhet fjalë për Ibër Dearin që do ti besohet ky rol në këtë film, që sipas Apollonit ka për synim që ta realizojë brenda këtij viti. Ai ka njoftuar se fondin për këtë film ende nuk e ka të siguruar, por sipas tij, është në kërkim e sipër./KultPlus.com

Filmi i Ibër Dearit, filmi më i mirë maqedonas në ‘Kinenova’

‘A long way home’ me regji të Ibër Dearit, mbrëmë ka marrë çmimin filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër maqedonas.

Ky çmim për ‘A long way home’, u nda në festivalin ndërkombëtar të filmit ‘Kinenova’ që është mbajtur në Shkup nga data 6 deri më 11 tetor.

Lajmin për çmimin e filmit, për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë regjisori Deari, i cili ka treguar se ky është çmimi i dytë për këtë film të tij, i cili tash është duke garuar edhe në 15 festivale të tjera ndërkombëtare.

Juria e festivalit ‘Kinenova’, është përbërë nga: Goran Markovic (Serbi), Julia Uchansu (Turqi), Sinolica Trpkova (Maqedoni), Igor Galo (Kroaci), kurse në këtë festival kanë marrë pjesë filma nga shumë vende të ndryshme të botës.

‘A long way home’ sjellë në kastën e aktorëve Mirsad Abazin, Sefedin Shabanin, Musa Isufin dhe Ardian Kadriun./ KultPlus.com

Edhe një çmim për filmin e regjisorit Ibër Deari (FOTO)

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Toka’ me regji të Ibër Dearit, fitoi çmimin e audiencës në edicionin e gjashtë të festivalit TIFF-ODA.

Lajmin për KultPlus, e ka bërë të ditur vetë regjisori Deari, i cili ka shprehur mirënjohjen ndaj këtij festivali dhe ndaj audiencës për këtë vlerësim.

TIFF-ODA, që mbahet në Tetovë, sivjet ka sjellë emra të ndryshëm të kinematografisë, poashtu gjatë një jave sa ka zgjatë festivali ka pasur debate, filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, dokumentarë, animacion…

Ndërkaq në filmin ‘Toka’, në rolet kryesore vijnë aktorët Adem Karaga dhe Afrim Muçaj./ KultPlus.com