Retrospektivë mbi veprën e Alexander Kluge në Prishtinë, një prej autorëve dhe kineastëve më me ndikim në Gjermani

Sot, në Kino Armata në Prishtinë, është hapur retrospektiva e parë e veprës së Alexander Kluges në Kosovë me titullin “Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur”. Kjo ngjarje i ka dhënë mundësinë publitut që të njihet me një prej figurave më të rëndësishme intelektuale të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje, e organizuar  nga organizata ‘Stralli’ në bashkëpunim me Goethe-Zentrum në Prishtinë dhe Kino Armata, ofron një pasqyrë të veprës të Alexander Kluges, një kineast, filozof, producent televiziv dhe autor me ndikim të jashtëzakonshëm në Gjermani dhe më gjerë.

Në hapjen e kësaj ngjarje, në emër të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë foli Christian Böttcher, i cili thekson rëndësinë e kësaj ngjarje dhe rolin e Aleksander Kluge në kinemanë gjermane e ndërkombëtare.

“Është një nder i madh dhe privilegj që të adresohem në këtë hapje në emër të Ambasadës gjermane. Është një privilegj që të fillojmë këtë ‘Aleksander Kluge – Retrospektivë, Mësymja e së tashmes nga koha e ngelur’. Seria e këtyre ngjarjeve shënon shfaqjen e retrospektivës së Aleksander Klugge për herë të parë në Kosovë dhe në gjithë rajonin, duke manifestuar karrierën e mrekullueshme të një nga intelektualët më të shquar të Gjermanisë. Përgjatë karrierës së tij, Kluge ka dhënë një kontribut të madh në kinematë gjermane dhe ndërkombëtare, në produksionet inovative televizive dhe në teoritë kritike mediatike”, u shpreh Böttcher duke folur për karrierën e bujshme të Kluge.

Më pas fjalën e mori edhe drejtori i organizatës ‘Stralli’, Alban Beqiraj, i cili shprhet i lumtur që retrospektiva e Aleksander Kluge po prezantohet edhe në Kosovë.

“Kjo është retrospektiva e parë multidimensionale e Kluge në Kosovë. Në bashkëpunim me Goethe Center dhe Kino Armata në Prishtinë ne ftuam audiencën lokale për të mësuar nga karriera e filmbërësit, autorit dhe një nga intelektualët më me influencë në Gjermani sot. Ajo që duam të shfaqim sot janë dy nga filmat kryesorë të Aleksander Kluge.”, tha Beqiraj, i cili më tutje përmendi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e kësaj ngjarje.

Më pas publiku pati mundësinë që të dëgjojë edhe ligjëratën e Aleksander Kluge për audiencën e publikut në Kino Armata.

Pas kësaj u shfaqën edhe dy nga filmat kryesorë të Kluges, ‘Artisti dhe vajza e tij’ si dhe ‘Lamtumirë ngjarjeve të djeshme’.Ndërkaq, ky organizim do të vazhdojë edhe nesër ku do të mbahen punëtori dhe do të shfaqen edhe filma të tjerë./KultPlus.com

Nata

Poezi nga Esad Mekuli

Lugut t’qiellit fluturojne rete hijeranda
vedrat e territ tue derdhe mbi rruget e plasarituna-
Nata e erret horizontet i mbylli…

Qiella tash bahet si cerep’i zi…
Dhe pikat e para t’shiut
hovshem leshohen mbi rruge e pullaze.

…Diku, nji za i piklluem, si ai i nanes mbi kufomen
e birit t’vetem;
thirrje e prekshme e dikujt, si ofshame,
ne shushurimen e erret t’shiut-
si klithje e femise t’humbun ne furtune…

Bie me rreshek…Shiu end
pej t’panumert…Bie pika si plumbi,
si kazmat e randa t’puntoreve…
-O, si me dashte me shembe cdo gja ne ket
nate t’merrshme!

Kujisin bagllamet e ndryshkuna ne kapaket
e dritareve ku me hov sulmon shiu,
frushkullon ere e furishme…Lebetisin kunorat e pemeve,
ulurojne me za vajtues…
E drita e zbehte dridhet ne dhomezen e erret plot myk,
ku gurbetqaret t’rrasun fishek, nder skuta ku nuk pikon,
andrrojne shtretnit e ngroht, trupat e lodhun me i clodhe…

Era terbueshem uluron mbi pullazet e came t’shtepive,
dridhen trupat e ngrime nen leckat e mbulojes ne
skutat e erreta t’dhomes,
ne vorr per s’gjalli – te denuem per shfarosje…

Ferri i kesaj bote doren ua shtrin t’mjereve
para se me hy ne parajsen e jetes s’amshueme!./KultPlus.com

Fotografia e Vaçe Zelës në veshje tradicionale shqiptare

Veshjet kombëtare shqiptare janë ndoshta krenaria më e madhe e këtij kombi.

Kush i vesh, e kupton mirë emocionin që japin veshjet kombëtare, të cilat për vite kanë karakterizuar shqiptarët dhe trevat e ndryshme shqiptare.

Në përvjetorin e 7-të, të vdekjes së Vaçe Zelës, këngëtares së madhe shqiptare, KultPlus ju sjell një fotografi të saj ku ajo është e veshur në kostum tradicional shqiptar.

Vaçe Zela mbetet ndër zërat më të mirë ndër tërë shqiptarët.

E lindur në Lushnjë, ajo mbetet krenaria e kombit shqiptar por edhe një grua me personalitet dhe me emocion hyjnor. E kur e shohim në veshje të tillë, fytyrë-krenare, veç e duam më shumë këtë Artiste të Merituar të Popullit.

Tipet kryesore të veshjeve popullore shqiptare për burra janë: kostumi me fustanellë, kostumi me këmishë të gjatë e dollamë (cibun), sipër kostumi me tirq dhe ai me poture (pantallona të shkurtra deri te gjuri). Pra, në Shqipëri, burrat kanë mbajtur si veshjet në formën e një fundi të gjerë, ashtu edhe ato në formë pantallonash, por të parat kanë dalë nga përdorimi më herët se të tjerat. Pjesët më të zbukuruara ishin jelekët dhe xhamadanët e kostumit festiv. Burrat shqiptarë mbanin edhe stoli të ndryshme argjendi, si jastekë gjoksi, sumbulla dekorative tek jelekët, unaza, pipa e kuti cigaresh, por mbi të gjitha, armët e brezit e të krahut, që ishin gjithnjë të stolisura pasurisht.

Për gra, tipet kryesore të veshjeve, ishin: kostumi me xhubletë (një fund në formë këmbane), kostumi më këmishë të gjatë e xhokë shajaku sipër, kostumi me dy futa të vendosura mbi këmishën e gjatë, njëra përpara e tjetra prapa dhe kostumi me mbështjellëse (një fund i hapur, i mbledhur tek beli me rrudha ose pala). / KultPlus.com

Media britanike “Express”: Shqipëria – destinacioni i ngjashëm me Maldivet me ujërat më të pastra në Evropë

Është e vështirë të mos pëlqesh të udhëtosh për pushime, por, sipas blogerëve të udhëtimeve, ekziston një vend që mund të dëshironi ta vizitoni së shpejti, shkruan Katie-Ann Gupwell në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Kur bëhet fjalë për t’i bërë njerëzit të lumtur, udhëtimi me avion për pushime, zakonisht i plotëson të gjitha kërkesat.

Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të mirë se ndjesia e diellit në lëkurën tuaj, rëra në gishtat e këmbëve dhe ndjenja sikur të gjitha shqetësimet tuaja janë me milje larg.

Nëse po kërkoni një vend për të kaluar një kohë të paharrueshme, atëherë Shqipëria do të ishte vendi ideal.

Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar Shqipërinë – një “parajsë” e fshehur – e cila është shtëpia e ujërave më të pastra në Evropë.

Kur sheh sa bukur duket Shqipëria, është e lehtë të kuptosh pse turistët po bien në dashuri me të – pasi duket sikur ajo është duke ecur përgjatë një plazhi në Maldive.

Mbi 770 000 persona e kanë parë videon e Shqipërisë në TikTok deri më tani, dhe ata kanë mbetur të habitur.

Mijëra njerëz ndanë gjithashtu mendimet e tyre dhe pranuan se destinacioni i ri evropian dukej mahnitës.

Destinacioni ndodhet në Evropën Juglindore në Ballkan, në detet Adriatik dhe Jon brenda Detit Mesdhe.

Një person tha: “Cili plazh është ky? Shpresojmë të shkojmë verën tjetër.”

Një tjetër u përgjigj: “Është një vend kaq i mahnitshëm.”

Një i tretë komentoi: “Unë do të udhëtojë në Shqipëri këtë verë. Uji është kaq i pastër!”

Në komente u konfirmua se plazhi në video ishte Ksamili. Shumë njerëz u shprehën të gatshëm për të vizituar Shqipërinë, ndërsa pranuan se dukej një vend i bukur.

A është e sigurt Shqipëria për t’u vizituar?

Shumë njerëz e konsiderojnë Shqipërinë të sigurt për t’u vizituar.

Këshilla e qeverisë thotë: “Marrëdhëniet mes shumicës myslimane dhe grupeve të tjera etnike në Shqipëri janë përgjithësisht të mira”.

“Shprehja e pikëpamjeve ekstremiste apo antiperëndimore është shumë e rrallë.

Në qendër të Tiranës janë mbajtur demonstrata politike – ku janë raportuar disa incidente.

Raportet për krime që synojnë turistët janë “të rralla”./atsh/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka e Kongresit në SHBA fillojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në shkëmbimin e materialeve

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka nisur një bashkëpunim të rëndësishëm me Bibliotekën e Kongresit në SHBA përmes programit të shkëmbimit ndërkombëtar, Duplicate Materials Exchange Program (DMEP). Ky program do të mundësojë shkëmbimin e librave, monografive, revistave dhe materialeve të tjera akademike me fokus në shkencat shoqërore.

Në takimin e mbajtur më 5 shkurt 2025, përfaqësues nga Biblioteka e Kongresit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Dr.Blerina Rogova Gaxha dhe zv.drejtoresha e Departamentit të Zhvillimit të Koleksioneve Lavdie Mani, u dakorduan për fillimin e këtij bashkëpunimi, duke nisur me përzgjedhjen e materialeve të para për shkëmbim nga të dyja palët. Ky hap do të mundësojë ndërtimin e një baze të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të programit dhe pasurimin e fondeve të të dy institucioneve.

Biblioteka e Kongresit ka shprehur një interes të veçantë për pasurimin e fondit të saj me materiale nga Kosova të cilat reflektojnë gjendjen në Kosovë, me synimin për të ndërtuar një koleksion të veçantë kushtuar vendit tonë. Kjo nismë jo vetëm që forcon lidhjet akademike mes dy institucioneve, por gjithashtu rrit njohjen ndërkombëtare të kulturës, historisë dhe zhvillimeve sociale në Kosovë.

Ky bashkëpunim do t’u japë studiuesve dhe lexuesve ndërkombëtarë qasje më të gjerë në botimet nga Kosova, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë intelektuale të vendit tonë./express/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Amerika udhëhoqi rrugën dhe bota demokratike e ndoqi në mbështetje të lirisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbajtur fjalim para mijëra pjesëmarrësve të Lutjeve të Mengjesit.

“Ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, shpesh thoshte: “Ne kemi besuar tek Zoti dhe ky besim na ka mbajtur gjallë”. Fjalët e tij pasqyrojnë jo vetëm një besim personal, por një të vërtetë kombëtare – që kur përballeshim me shtypjen, besimi ynë në Zot, në liri e drejtësi dhe në kauzën tonë na çoi përpara”, thuhet në komunikatë.

Në vijim gjeni Fjalimin e Presidentes Osmani para mijëra pjesëmarrësve të Lutjeve të Mengjesit, organizuar nga Kongresi amerikan në Washington, D.C./KultPlus.com

Osmani në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Washington D.C: Me krenari jam presidente e kombit më pro amerikan në botë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ditët e fundit po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet të Bashkuara të Amerikës.

Osmani sot ka mbajtur një fjalim në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Washington D.C

“Më e rëndësishmja, liria amerikane që kemi mbrojtur së bashku për të paktën 25 vitet e fundit. Pra, përsëri, falënderim në emër të popullit të Kosovës për qëndruar me ne në orët më të errëta, por gjithashtu për të mos na lënë vetëm kur arritëm sukseset e përbashkëta. Tani, ndërkohë që ka qenë një histori suksesi dhe më shumë se kaq, do të thoja, është një fitore e përsosur amerikane”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se duhet të sigurohemi që së bashku ta mbrojmë paqen në botë.

“Duke siguruar që së bashku mbrojmë paqen në mbarë botën. Por tani, paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e brishtë për një arsye shumë të thjeshtë. Duhet të sigurohemi që tani që Presidenti Trump është përsëri në Shtëpinë e Bardhë, me formulën e tij “Paqe përmes forcës”, duhet të kemi Amerikën si një mik të fortë. Aleatët e vërtetë dhe gjithashtu të tregojmë udhëheqje të vërtetë amerikane për ata që po afrojnë Rusinë, Kinën dhe Iranin më afër rajonit tonë. Ndërkohë, Serbia ka ndërtuar lidhje të plota ushtarake, ekonomike dhe politike me Kinën. Rusia, ndërsa Kosova ka bërë të kundërtën, është e vetmja shtet në rajon që nuk është bashkuar me iniciativën kineze. E vetmja që ka kundërshtuar tërësisht ndikimin e keq ekonomik të Kinës, i cili nuk është ndikim ekonomik, por ka qëllime të ndryshme. E dyta, jemi një vend me një shkallë miratimi prej 98% për udhëheqjen amerikane, ndërsa vetëm 2% që përkasin natyrisht nga minoriteti serb besojnë vetëm 2% në vendin tonë që mund të bëhet një vend evropian me ndikim rus më të ulët në gjithë kontinentin evropian”, u shpreh e para e shtetit.

Fjalimi i Presidentes në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Washington D.C

Faleminderit, të dashur, mirëmëngjes gjithëve.

Duhet të kërkoj falje paraprakisht që do të duhet të largohem pas rreth 15 minutash për shkak të takimeve me përfaqësues të administratës së re. Por, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë mundësi dhe natyrisht, ne të gjithë, anëtarët e Kongresit dhe miqtë dhe kolegët nga mbarë bota, në emër të popullit të Kosovës, siç e dini, çdo herë.

Jo vetëm kur jam këtu. Uh, por edhe kur udhëtoj nëpër botë, e përmend me krenari se jam presidente e kombit më pro-amerikan në botë. E mbaj këtë, pavarësisht faktit që, qoftë Rusia, Kina, ose përfaqësuesit e tyre, përpiqen ta paraqesin këtë në mënyrë negative, por kam parë nga afër njerëz të tjerë, natyrisht, por kam parë vendin tonë vazhdimisht si një vazhdim të vlerave amerikane.

Më e rëndësishmja, liria amerikane që kemi mbrojtur së bashku për të paktën 25 vitet e fundit. Pra, përsëri, falënderim në emër të popullit të Kosovës për qëndruar me ne në orët më të errëta, por gjithashtu për të mos na lënë vetëm kur arritëm sukseset e përbashkëta. Tani, ndërkohë që ka qenë një histori suksesi dhe më shumë se kaq, do të thoja, është një fitore e përsosur amerikane. Duhet të sigurohemi që ta mbajmë ashtu. Ka forca keqdashëse që kanë, të paktën për dy dekada e gjysmë, përpjekur ta ndryshojnë këtë realitet. Nuk është çudi që të paktën një herë në muaj të dëgjojmë të thonë, “Do t’u tregoj të gjithëve se Amerika ka dështuar në Kosovë në këtë mënyrë.” Ai po u tregon të gjithëve në mënyrë shumë të hapur se nuk i intereson shumë një vend i vogël në Evropë, por ai do të luftojë kundër asaj që përfaqëson Amerika dhe asaj që Amerika ka arritur. Dhe nuk po flas vetëm për politikanët amerikanë.

Po flas gjithashtu për ushtarët amerikanë. Dhe ne kemi paqe në një rajon, Ballkanin Perëndimor, që nuk ka njohur paqe asnjëherë në historinë e tij, përveç kur Amerika ka treguar udhëheqjen e saj. Shpeshherë përmend që fëmijët e mi janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë që nuk kanë njohur luftë. Gjyshërit tanë kaluan një luftë, gjyshërit tanë kaluan një luftë gjenocidale. Fëmijët tanë janë gjenerata e parë që jetojnë në paqe. Falë udhëheqjes së Amerikës. Duhet të sigurohemi që ta mbajmë ashtu. Dhe besoj se gjatë këtyre 25 viteve, Kosova ka bërë Amerikën krenare duke mbrojtur këto vlera të njëjta duke pasur supet tona pranë ushtarëve tuaj krah për krah nëpër botë.

Duke siguruar që së bashku mbrojmë paqen në mbarë botën. Por tani, paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e brishtë për një arsye shumë të thjeshtë. Duhet të sigurohemi që tani që Presidenti Trump është përsëri në Shtëpinë e Bardhë, me formulën e tij “Paqe përmes forcës”, duhet të kemi Amerikën si një mik të fortë. Aleatët e vërtetë dhe gjithashtu të tregojmë udhëheqje të vërtetë amerikane për ata që po afrojnë Rusinë, Kinën dhe Iranin më afër rajonit tonë. Ndërkohë, Serbia ka ndërtuar lidhje të plota ushtarake, ekonomike dhe politike me Kinën. Rusia, ndërsa Kosova ka bërë të kundërtën, është e vetmja shtet në rajon që nuk është bashkuar me iniciativën kineze. E vetmja që ka kundërshtuar tërësisht ndikimin e keq ekonomik të Kinës, i cili nuk është ndikim ekonomik, por ka qëllime të ndryshme. E dyta, jemi një vend me një shkallë miratimi prej 98% për udhëheqjen amerikane, ndërsa vetëm 2% që përkasin natyrisht nga minoriteti serb besojnë vetëm 2% në vendin tonë që mund të bëhet një vend evropian me ndikim rus më të ulët në gjithë kontinentin evropian.

E treta, nuk kemi lejuar asnjë ideologji iraniane të ketë ndonjë ndikim mbi vendin tonë. Megjithatë, duhet të kalojmë nga retorika në veprime konkrete. Dhe kjo do të thotë që populli, natyrisht, ka shpresa të larta që do të kemi më shumë investime amerikane në rajonin tonë. Kjo do të thotë mbështetje të vazhdueshme për forcat e paqes që janë tashmë të angazhuara për paqe dhe stabilitet, sepse uniforma amerikane është forca e parandalimit në rajonin tonë. Ajo është uniforma që është forcë parandalimi dhe që pengon çdo përpjekje për destabilizim nga Rusia, Kina dhe faktorët e tjerë keqdashës.

E dyta, është thelbësore që të inkurajojmë investimet e SHBA-së në infrastrukturën kritike të Kosovës. Ka mundësi të mëdha për bashkëpunim më të madh ekonomik, që do të përfitonte të dyja kombet tona, sepse angazhimi i SHBA-së me Kosovën do të sigurojë jo vetëm përfitime ekonomike në bashkëpunim, por njëkohësisht do të sigurojë një prani të qëndrueshme, demokratike dhe, më e rëndësishmja, një prani pro-amerikane në një rajon gjeopolitikisht të ndjeshëm. Ka më shumë mundësi që të pengojnë kundërshtarët tanë të fitojnë terren.

Pra, kemi shpresa shumë të mëdha që me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të mbrojmë së bashku atë që Amerika ka arritur në një rajon shumë të ndjeshëm, sepse duke pasur paqe në Ballkanin Perëndimor, ka paqe në të gjithë kontinentin Evropian dhe paqe në kontinentin Evropian është gjithashtu thelbësore për një udhëheqje më të fortë amerikane në botë, bazuar në vlerat e lirisë për të cilat të gjithë kemi punuar dhe sakrifikuar./KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Gjuetari i balonave’ të Khaled Hossein

Nga: Khaled Hossein

Shpalosa letrën. Ishte shkruar në farsi. Nuk mungonte asnjë pikë, presje, fjalët dalloheshin qartë nga njëra-tjetra. Shkrimi, me qartësinë e vet, ngjante gati fëmijëror. Fillova të lexoja:

“Në emër të Allahut të madh,

Mëshirëplotit,

Amir aga, me respektin tim më të thellë,

Farzana xhan, Sohrabi dhe unë lutemi që kjo letër të të gjejë mirë me shëndet dhe nën dritën e hireve të Allahut. Të lutem jepi falënderimet e mia Rahim Khan, sahibit, që arriti të të sjellë këtë letër. Shpresoj që ndonjë ditë të mbaj në duar një nga letrat e tua dhe të lexoj për jetën tënde në Amerikë. Ndoshta një fotografi jotja do më çelte sytë. I kam folur aq shumë për ty Farzana xhanit dhe Shorabit, se si jemi rritur bashkë, si kemi luajtur dhe si kemi vrapuar nëpër rrugë. Ata qeshin me historitë e me gjithë prapësitë që kurdisnim të dy!

Amir aga,

Afganistani, ashtu si dikur rinia jonë, ka vdekur me kohë. Mirësia është zhdukur nga kjo tokë dhe është e pamundur t’u shpëtosh vrasjeve. Gjithnjë vrasje. Në Kabul mbretëron frika, në rrugë, në stadium, në tregje, është pjesë e jetës sonë Amir aga. Të egrit që sundojnë vatanin tonë, nuk kanë pikë ndjenje njerëzore. Një ditë, e shoqërova Farzana xhanin në Pazar për të blerë patate dhe naan. Ajo pyeti shitësin sa kushtonin patatet, por ai nuk e dëgjoi, kam përshtypjen se nuk dëgjonte nga njëri vesh. Kështu që ajo e pyeti me zë të lartë dhe befas një taleban i ri u afrua dhe e goditi në kofshë me një shkop druri. E goditi aq fort sa ajo u shemb në tokë. Ai filloi t’i ulërinte dhe ta shante duke i thënë se Ministria e Vesit dhe e Virtytit nuk lejonte që gratë të flisnin me zë të lartë. Asaj iu bë në këmbë një njollë e madhe mavi për ditë të tëra, por çfarë mund të bëja unë prveç se të rrija dhe të shihja si ma rrihnin gruan? Po të luftoja, ai qeni do të ma kishte hequr një plumb kokës me gjithë qejf! Dhe cfarë do të ndodhte më pas më Shorabin? Rrugët janë plot jetimë të uritur dhe çdo ditë i falem Allahut që jam gjallë, jo pse kam frikë nga vdekja, por sepse gruaja ime ka një burrë dhe djali im nuk është jetim.

Do të doja shumë ta shihje Sohrabin. Është goxha djalë. Rahim Khan sahibi dhe unë i kemi mësuar shkrim e këndim, që ai të mos rritet budalla si i ati. Dhe ka një nishan të hatashëm me llastik! Nganjëherë e çoj Sohrabin në Kabul dhe i blej karamele. Në Shar-e-Nau është ende një burrë me majmun. Sa herë e ndeshim, i jap të holla, që majmuni të kërcejë për Sohrabin. E mban mend kur uleshim poshtë pemës së shegës dhe lexonim Shahnamah-un? Erërat e kanë tharë kodrën dhepema nuk ka bërë kokrra prej vitesh, por Sohrabi dhe unë ende ulemi nën hijen e pemës dhe unë i lexoj pjesë nga Shahnamah-u. besoj e kupton edhe ti vetë se pjesa e tij e parapëlqyer është ajo që mban emrin e tij: Rostani dhe Sohrabi. Së shpejti ai do të mund të lexojë vetë atë libër. Jam një baba i lumtur dhe me fat.

Amir aga,

Rahim Khan sahibi është shumë i sëmurë. Kollitet gjithë ditën dhe i kam parë gjak në mëngë, kur fshin buzët. Ka humbur shumë në peshë dhe do të doja të hante nga pak shorva dhe orizi që gatuan Farzana xhani. Por ai ha vetëm nja dy kafshata e kjo, sipas mendjes sime, vetëm e vetëm që të mos i vijë keq Farzana xhanit. Jam shumë i shqetësuar për këtë njeri të dashur dhe i lutem Zotit çdo ditë për të. Pas ca ditësh do të largohet për në Pakistan, të takojë ca mjekë atje dhe, inshallah, do të kthehet me habere të mira. Por thellë-thellë kam frikë për të. Farzana xhani dhe unë i kemi thënë Sohrabit të vogël që Rahim Khani do të bëhet shëndoshë e mirë. Ç’t’i themi? Është vetëm dhjetë vjeç dhe e adhuron Rahim Khan sahibin. Janë lidhur shumë bashkë. Rahim Khan sahibi e kishte bërë zakon që ta merrte me vete në Pazar për balona dhe biskota, por tani nuk ka më fuqi për këtë.

Kam parë shumë ëndrra këto kohët e fundit. Disa prej tyre janë makthe, kufoma që varen, të dekompozuara mbi fushën e përgjakur të futbollit. Më del gjumi duke m’u marrë fryma dhe qull në djersë. Por, në shumicën e rasteve, shoh ëndrra të mira dhe i falem Zotit për këtë. Ëndërroj sikur Rahim Khani është shëruar. Ëndërroj sikur djali im do të bëhet njeri i mirë, njeri i lirë dhe i rëndësishëm. Ëndërroj që lulet të lulëzojnë përsëri në rrugët e Kabulit, muzika rubab të dëgjohet përsëri në shtëpitë e samovarit dhe balonat të fluturojnë përsëri në qiell. Dhe ëndërroj që një ditë ti të vish përsëri në Kabul për të rivizituar tokën e fëmijërisë sate. Në qoftë se kthehesh, do të gjesh një shok besnik që të pret.

Zoti qoftë gjithnjë me ty!

Hasani” / KultPlus.com

Dashuri e vështirë

Poezi nga Luis Garcia Montero

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.

Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty./KultPlus.com

Çfarë thoshin Nexhmije Pagarusha e Dritëro Agolli për Vaçe Zelën

Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në qytetin e vogël të Lushnjës. Padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

U nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës./ KultPlus.com

Shqipëria vendi i nderit në panairin “ITB Berlin”, diskutime mbi paraqitjen e ofertës turistike të vendit

Shqipëria do të ketë vendin e nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që zhvillohet në datat 4-6 mars.

Lidhur me pjesëmarrjen në këtë panair sot në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit u mbajt takimi i radhës për përgatitjet mbi prezantimin e Shqipërisë si vendi i nderit i ITB Berlin.

Në takimin e drejtuar nga drejtoresha e përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro dhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela, u mblodhëm përfaqësuesit e sektorit publik, operatorët turistikë, bizneset dhe partnerët që mbështesin Shqipërinë si kryefjalën e promovimit turistik.

Gjatë takimit u koordinua për programin e stendës së Shqipërisë, promovimin dhe paraqitjen e ofertës turistike të vendit.

Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.

Ndërkohë që ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, ndau një video promovuese të Shqipërisë.

“Shqipëria me të gjitha ndjesitë është vendi i nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin”, shkruan Kumbaro.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com

“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën”

Më datën 6 shkurt të vitit 1945 ka lindur kantautori i famshëm Bob Marley, shkruan KultPlus.

Bob Marley ishte këngëtar i muzikës reggae të cilën arriti ta bëj po ashtu të njohur kudo.

Shkroi qindra tekste unike, këngët e tij u kënduan e rikënduan. Sot me rastin e ditëlindjes së tij, po i sjellim disa nga shprehjet e Bob Marleyt për dashurinë:

Nëse ajo është e shkëlqyeshme, ajo nuk do të jetë e lehtë. Nëse ajo është e lehtë, ajo nuk do të jetë e shkëlqyeshme. Nëse ajo nuk është e rëndësishme, ju nuk do të dorzoheni. Nëse dorzoheni, ju nuk do të jeni të rëndësishëm…. E vërteta është se të gjithë do të të lëndojnë; ju duhet vetëm të gjeni atë e cila është aq e rëndësishme për të sakrifikuar.”

“Era e cila do të na merr atë të cilën e duam, është ajo e njejta e cilat do të na sjellin neve diçka për të dashuruar. Prandaj nuk duhet të qajmë për gjërat të cilat kan ikur, sepse ajo që na përket neve me të vërtetë nuk largohet asnjëherë.”

“Ju thuani se e doni shiun, por ju e përdorni një çadër për të ecur përfundi saj. Ju thuani se e doni diellin, por ju kërkoni shtrehim kur shkëlqen. Ju thoni se e doni erën, por kur vjen ju i mbyllni dritaret. Prandaj friksohem kur më thua se më do.”

“Dashuria asnjëherë nuk do të na lë vetëm”

“Frikacaku më i madh i një njeriut është që të zgjojë dashurinë e një gruaje, pa qëllim për të dashur atë.”

“Kurrë nuk do të ketë dashuri në të gjitha.”

“Ajo nuk mund të jetë njëra ndër vajzat më të njohura ose më e bukura por nëse ju e doni atë dhe ajo të bën të buzëqeshë….ç’rëndësi ka tjetër?”

“Një dashuri, një zemër”

“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën.”

“Me të vërtetë besoj se vetëm njëherë në jetë ju do të gjeni dikë e cila do të rrotullojë tërë botën përreth jush.”

“Dashuro fortë kur ka dashuri për të pasur. Sepse djem perfekt nuk ekzistojnë, por gjithmonë do të jetë një djalë i cili do të jetë perfekt për ju.”

“Bukuria e dashurisë. Dashuria e bukurisë.” /KultPlus.com

‘Lulet e Manchesterit’, 67 vite nga fatkeqësia ajrore e Mynihut

Më 6 shkurt 1958, një aeroplan u rrëzua pasi u mbush me karburant në Mynih, aksident i cili i mori jetën 23 personave, përfshirë tetë lojtarë të Manchester United, shkruan KultPlus.

Data e 6 shkurtit do të jetë përgjithmonë e rrethuar në kalendarët e të gjithë atyre që janë të lidhur me Manchester United.

Skuadra po kthehej nga një ndeshje e Kupës Evropiane kundër Yllit të Kuq të Beogradit, kur avioni i tyre ndaloi në Gjermani për të furnizuar me karburant.

Dy përpjekjet e para për t’u ngritur nga aeroporti i Mynihut u ndërprenë; pas një tentative të tretë, avioni u rrëzua.

Tetë lojtarët që humbën jetën ishin Geoff Bent (25 vjeç), Roger Byrne (28), Eddie Colman (21), Duncan Edwards (21), Mark Jones (24), David Pegg (22), Tommy Taylor (26) dhe Liam. Whelan (22). Edwards, i konsideruar nga shumë si lojtari më i mirë i gjeneratës së tij, vdiq 15 ditë pas aksidentit.

Tre zyrtarët e klubit që u vranë ishin sekretari Walter Crickmer, trajneri Tom Curry dhe trajneri Bert Whaley. /KultPlus.com

‘Po ku ka si ti o Shqipëria ime, o fisnikja përmbi gur’ (VIDEO)

Vaçe Zela është një nga emrat e pavdekshëm në rrafshin artistik në gjithë hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.

Shumica e këngëve të saj, janë ripërpunuar dhe vazhdojnë të këndohen e dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Ato qëndrojnë si ‘monumente artistike’, që koha vetëm sa i forcon.

“Rrjedh në kënge e ligjërime”, është pa asnjë dyshim, kryevepra e e të madhes Zela, e cila bart emocione të pafundme nacionale dhe artistike.

KultPlus, këtu ka sjellur tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngës lugjeve
i përcjell.

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr
flakëron!

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
O fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

(x2)

Eh i fortë po bien ai tel
dhe lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai tel,
partizanët nëpër mend mi sjell,
po m’i sjell.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh
brez më brez.

Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime,
Oh fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!
(x2)/KultPlus.com

Në vend të përshëndetjes

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

Ronald Reagan: Nëse keni sukses në politikë ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër

Roland Reagan ka lindur më 6 shkurt të vitit 1911 në Tampico të shtetit Ilinois, shkruan KultPlus.

Reagan pati një karrierë të shumëllojshme, nga komentator sporti, në aktor filmash, zëdhënës konservator, guvernator i Kalifornisë e më në fund President i Shteteve të Bashkuara.

Ai vlerësohet për kontributin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik.

Ronald Reagani ka qenë popullor jo vetëm për konservatorët por edhe për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike. Njihej për aftësitë e vecanta komunikuese me njerëzit.

Sot shënohet përvjetori i 114 i lindjes së tij, dhe KultPlus sjell disa nga thëniet e tij më të njohura.

Politika nuk është një profesion i keq. Nëse keni sukses ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër.

Liria përparon kur feja është e gjallë dhe sundimi i ligjit nën Perëndinë është pranuar.

Pikëpamja e qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në një fjali të shkurtër: Nëse lëviz, tatoje atë. Në qoftë se ajo vazhdon të lëvizë, rregulloje atë. Dhe në qoftë se ajo ndalon së lëvizuri, subvencionoje atë.

Unë kam menduar shumë kohë se si do të dukeshin Dhjetë Urdhërimet në qoftë se Moisiu do t’i kishte dhënë nëpërmjet Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Ne nuk mund t’i ndihmojnë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë.
Si mund të përkufizoni një komunist? E po, ai është dikush që lexon Marksin dhe Leninin. Dhe si mund të përkufizoni një anti-komunist? Ai është dikush që e kupton Marksin dhe Leninin.

Fjalët më të tmerrshme në gjuhën angleze janë: Unë jam nga qeveria dhe ndodhem këtu për të ndihmuar.

Një popull që është i lirë të zgjedhë, gjithmonë do të zgjedhë paqen.

Recesioni është kur një fqinj humb punën e tij. Depresioni është kur ti humb punën tënde.

Për demokracinë ia vlen të vdesësh, sepse kjo është forma më shumë e nderuar e qeverisë e hartuar ndonjëherë nga njeriu.

Brenda kapakëve të Biblës janë përgjigjet për të gjitha problemet me të cilat njerëzit ballafaqohen.

Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.

Nëse duam vendin tonë, ne duhet gjithashtu të duam bashkatdhetarët tanë.

Ne kurrë nuk do të mposhtemi, nëse nuk do të heqim dorë nga Zoti.

Kur ju nuk mund t’i bëni ata të shohin dritën, bëjini ata të ndjejnë ngrohjen. /KultPlus.com

Liza Laska, artistja që u ngrit në piedestal me rolin e ‘plakës’ në filmin ‘Kthimi i Ushtrisë së Vdekur’

Sot janë bërë 99 vite nga lindja e aktores Liza Laska, shkruan KultPlus. 

Liza Laska lindi më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë, Shqipëri, është aktore shqiptare që mban titullin “Artiste e merituar”.

Shkollimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Ndërsa karrierën si aktore e nisi në Teatrin e Vlorës. Filmi i parë në të cilin mori pjesë ishte “Malet me blerim mbuluar” në 1971, projekt ky që i hapi rrugën e saj për shumë interpretime të tjera në ekran.

Roli i plakës tek ‘Kthimi i Ushtrisë së Vdekur’, ishte rol që e ngriti Liza Laskan në piedestalin e aktorëve më të çmuar shqiptarë. 

Filmat e luajtur prej saj: Një ditë e mrekullueshme (2002), Vdekja e burrit, (1991), Kthimi i ushtrisë së vdekur, (1989), Familja ime, (1987) …. Teta Kalina, Dhe vjen një ditë, (1986), Nëna e Llano Bletes, Gurët e shtëpisë sime (1985), Vendimi, (1984) si nëna, Dritat e qytezës, (1983), Në prag të lirisë, (1981), Plumba perandorit, (1980), Liri a vdekje, (1979), Gunat mbi tela, (1977), Lulekuqet mbi mure, (1976)…shërbyese e Strehes Vorfnore, Dimri i fundit, (1976), Shtigje lufte, (1974), Brazdat, (1973), Malet me blerim mbuluar, (1971).

Ajo vdiq më 31 gusht të vitit 2014 në moshën 88 vjeqare./ KultPlus.com

“The sun also sets”, ekspozita e Anila Rubikut paraqet transformimin e peizazheve të Shqipërisë

ZETA Center for Contemporary Art në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës kanë sjellë për publikun ekspozitën “The Sun Also Sets”, të parën ekspozitë vetjake në Shqipëri, të piktores Anila Rubiku.

Rubiku reflekton mbi arrogancën e sundimtarëve që përpiqen të përjetësojnë trashëgimitë e tyre në hapësirat publike, vetëm për ta parë madhështinë e vet tek gërryhet me kalimin e kohës. Titulli i ekspozitës bazohet në faktin se edhe pse peizazhet ndryshojnë, dielli gjithmonë do të lindë dhe do të perëndojë mbi to.

Ekspozita sjell 60 vizatime të ndërlikuara, gravura dhe akuarele të Rubikut që dokumentojnë transformimin e peizazheve urbane dhe rurale të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës. Veprat e ekspozuara janë krijuar mes 2016-2018-ës dhe ekspozohen për herë të parë në Galerinë “Zeta”.

Nëpërmjet kërkimeve rigoroze arkivore, Rubiku rindërton historinë e vendeve ikonike si Sheshi “Skënderbej” dhe ai “Liria”, të modeluar sipas ndikimeve arkitekturore osmane, italiane dhe sovjetike. Këto vende mbajnë gjurmët e të shkuarës së Shqipërisë, duke pasqyruar çfarë është ruajtur dhe çfarë është fshirë.

Ekspozita përfshin gjithashtu edhe tri vepra nga “The Inner Door”, një seri prej afro 100 qëndisjesh të krijuara gjatë katër viteve të fundit. Këto vepra portretizojnë dyert abstrakte dhe të gjalla të ndërtesave milaneze që tërhoqën vëmendjen e Rubikut gjatë shëtitjeve të saj në këtë qytet. Në një proces bashkëpunimi, fotografitë e dyerve të artistes u përkthyen me përpikëri në qëndisje nga artizanet në Gurin e Zi, në veri të Shqipërisë.

​Anila Rubiku është një artiste italo-shqiptare, e diplomuar pranë Akademisë së Arteve në Tiranë (1994) dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Brera (2000). Aktualisht punon mes Milanos, Torontos dhe Durrësit./atsh/ KultPlus.com

Teatri i ri, Veliaj dhe arkitekti Bjarke Ingles: Nis puna për ndërtimin e godinës në sipërfaqe

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një inspektim në kantierin për ndërtimin e Teatrit të ri, me projektuesin, arkitektin e BIG, Bjarke Ingles, i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së Bratislavës, Matus Vallo, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të samitit “Pakti i Qyteteve të Lira”, një nismë e nisur në vitin 2019 mes kryeqyteteve të Europës Qendrore, që këtë vit po mbahet në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj dha lajmin e mirë se infrastruktura nëntokësore e Teatrit të Ri ka përfunduar dhe se shumë shpejt nis puna në sipërfaqe. “Kemi mbaruar punimet nëntokë dhe kemi dalë mbi sipërfaqe. Jemi gati të hedhim beton dhe të shohim madhështinë e teatrit të ri. Mund të themi se ia ka vlejtur çdo betejë, çdo debat, çdo diskutim, të gjitha ato cicmicet tona ballkanike. Ndihem mirë që në vitin kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut, po ndërtohet Teatri i Ri, një vepër që do t’i mbetet qytetit në përjetësi. Do të kemi edhe një hapësirë për të ruajtur nostalgjinë e teatrit të vjetër, por ndërkohë po bëjmë një ndërtesë për 100 vitet e ardhshme. Një ndërtesë ku nuk do të duhet të vijmë me peshqir gjatë verës, as me batanije gjatë dimrit, por një ndërtesë për të gjithë artdashësit dhe sigurisht, një ndërtesë të denjë për artistët”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë theksoi rëndësinë e infrastrukturës nëntokësore të Teatrit të Ri, ku ka përfunduar jo vetëm parkimi, por e gjithë logjistika, skenografia dhe mjetet e nevojshme që i duhen një skene teatrore.

Arkitekti Bjarke Ingels tha se transformimi që ka pësuar qyteti i Tiranës është i pabesueshëm. “Për herë të parë në Tiranë kam ardhur në vitin 2010 dhe transformimi që ka ndodhur është i pabesueshëm. Më në fund, pas gjithë kësaj pune, kemi dalë mbi nivelin e tokës dhe mund të shihni konturet e ndërtesës, si një lloj fishekzjarri i madh prej letre, e rrudhur në mes, e cila krijon një hapësirë publike, pothuajse si një skulpturë që qëndron në një shesh publik. Brenda një viti, ne duhet të kemi të gjithë strukturën e ndërtesës dhe pastaj do të fillojmë të detajojmë punimet e brendshme”, tha ai.

Ndërsa, kryebashkiaku i Bratislavës, Matus Vallo tha se mezi pret që një ndërtesë e tillë të ndërtohet edhe në vendin e tij. “Dua të përgëzoj qytetin e Tiranës, sigurisht, e cila ka një ndërtesë të ndërtuar nga Bjarke. Bratislava është ende duke pritur ende për një ndërtesë të tillë. E pashë projektin, unë jam vetë arkitekt, e di sigurisht çfarë do të thotë BIG ose arkitektura e Bjarke Ingels dhe dua të them se është e mahnitshme”, përfundoi Vallo.

Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë./ KultPlus.com

“Histori vjeshte”, produksioni i Teatrit Bylis në skenën e “Eksperimentalit”

Drama lirike “Histori vjeshte” e dramaturgut të njohur Aleksei Arbuzov, u vu mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Armand Borës.

Historia zhvillohet në një qendër pushimi e cila drejtohet nga doktor Rodioni. Me një prej pushuesve të qendrës së tij, doktori kalon disa situata konfliktuale dhe komike që vijnë si rezultat i karakterit dhe shpirtit të lirë të Lidias. Ajo nuk bindet me rregullat strikte të qendrës së pushimit duke i sjellë probleme doktorit.

Në debatet mes tyre, personazhet rrëfejnë historitë e jetës dhe kuptojnë se mes tyre ka ngjashmëri. Fundi i bashkon të dy personazhet pas disa peripecish që e bëjnë befasues fundin e shfaqjes.

Shfaqja është produksion i Teatrit “Bylis” dhe vjen me interpretimin e Albana Koçajt, Klajdi Markut, Anri Celibashit dhe Hateme Rruzhdijas.

“Histori vjeshte” do të shfaqet edhe sot e nesër (6 dhe 7 shkurt) tek ArTurbina./ KultPlus.com

Botohet në Itali studimi “Dialogu ndërfetar: Kontributi i Shqipërisë në Ballkan”

“Dialogu ndërfetar: Kontributi i Shqipërisë në Ballkan” është libri i ri i botuar këtë fillimviti në Itali, mbështetur nga Universiteti Papnor Gregorian, Qendra për Studime Ndërfetare në Romë.

Botimi shumëfaqësh vjen me kontribute nga një grup studiuesish nga Shqipëria dhe Italia. Ai eksploron rëndësinë dhe ndikimin e dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

“Në një kohë kur harmonia fetare po testohet nga sfida të reja sociale dhe politike, ky studim synon të nxjerrë në pah sesi Shqipëria mbetet një model unik i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare”, thuhet në prezantimin që i bëhet librit të Ambrogio Bongiovanni-t dhe Dorian Mjeshtrit, të mbështetur në këtë studim nga dr. Erjada Çela, dr. Rudina Çollaku, dr. Mario Imperatori, dr. Lello Lanzilli, Migena Kapllani, Stevan Minçi, Elona Mustafaraj, dr. Elisabeta Osmanaj dhe Gaetano Piccolo.

Temat kryesore që trajton ky libër prej 336 faqesh janë:

  • Ndikimi i edukimit dhe kulturës fetare në zhvillimin e Shqipërisë;
  • Roli i institucioneve fetare në ndërtimin e dialogut të qëndrueshëm;
  • Harmonia fetare si pjesë kyçe e identitetit shqiptar;
  • Sfidat dhe kërcënimet që mund të minojnë këtë model;
  • Si mund të promovohet më tej dialogu ndërfetar si në nivel rajonal, ashtu edhe ndërkombëtar.

Ky vëllim me shumë zëra në italisht dhe shqip është botuar në seksionin “Investigime Ndërfetare dhe Ndërkulturore”.

Vëllimi paraqet kontributin e arsimit, veçanërisht të edukimit të krishterë, në zhvillimin e Shqipërisë nisur nga disa momente historike, herë-herë të dhimbshme të cilat kanë shënuar temën e dialogut dhe kanë nisur një proces “harmonie” që duhet vlerësuar dhe vazhduar edhe në kontekstin e sotëm.

Duke hulumtuar mbi dialogu ndërfetar në Shqipëri, libri tregon se si qëndrueshmëria dhe harmonia mund të jenë tipare dalluese të identitetit shqiptar./ KultPlus.com

Programi Kombëtar i Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë 2025

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi në rrjetet sociale Programin Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë 2025.

MEKI u bëri thirrje të aplikojnë për mbështetje të gjithë artistëve, organizatave kulturore, artizanëve dhe profesionistëve të kulturës.

Mbështetje financiare do të jepen për:

  • Ngjarje kulturore, ku përfshihen festivale, aktivitete, panaire (Afati 7 shkurt);
  • Programet kulturore të organizatave (Afati 7 shkurt);
  • Fondi i Artizanëve (Afati 28 shkurt);
  • Fondi i Krijimtarisë (Afati 28 shkurt);
  • Përfaqësimi Kombëtar dhe Mobiliteti (Afati fleksibël deri në nëntor 2025).

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e konsideron këtë si një rast që nuk duhet humbur nga komuniteti artistik në vend, por të shfrytëzohet për të sjellë në jetë projekte të cilat do të bëhen pjesë e zhvillimit kulturor./ KultPlus.com

KQZ shtyn afatin për regjistrim për votim për personat me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shtyrë afatin për regjistrim për votimin e personave me nevoja të veçanta në Kosovë.

Afati për regjistrim është shtyrë deri më 06.02.2025, në ora 24:00.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se është shtyrë afati për regjistrim për votim për personat me nevoja të veçanta, deri më 06.02.2025, në ora 24:00.” – thuhet në njoftimin e KQZ.

Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës mbahen më 09.02.2025.

Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht, më 11.01.2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë, më 17.02.2008./ KultPlus.com

80 vjet nga lindja e legjendës së muzikës, Bob Marley

Kantautori, Bob Marley, nga Xhamajka, i cili themeloi dhe bëri të njohur dhe të dashur muzikën ‘reggae’ në të gjithë planetin, më 8 tetor në vitin 1980, u rrëzua në skenë gjatë koncertit të tij dhe u dërgua me urgjencë në spital. Atje ai u diagnostikua me një tumor në tru.

Në korrik 1977, Marley kishte ndjerë siklet në gishtin e këmbës dhe pas testeve ishte diagnostikuar me melanoma malinje. Mjekët e këshilluan që të vazhdonte me një amputim për t’i shpëtuar jetën, por bindjet e tij nuk e lejuan atë. Kanceri mori metastaza të shpejta në të gjitha organet e tij vitale dhe kështu kur vendosi të pranonte mjekimin nga mjeku ishte tepër vonë dhe si pasojë, disa muaj pasi u shtrua në spital në vitin 1980, ai ndërroi jetë, duke kaluar përgjithmonë në përjetësi dhe duke qëndruar gjithmonë “gjallë” përmes trashëgimisë muzikore që la pas.

Teorinë e vrasjes nga CIA e kanë hedhur edhe reperët e njohur T.I dhe Busta Rhymes dhe shkrimet e tyre në rrjetet sociale kanë patur shumë komente. Madje ndjekësit mendojnë se Marley u vra pas kritikave që bënte për CIA-n. / KultPlus.com