Mbërriti sërish nata më e gjatë e vitit. Qyteti gati si kur po xhirohej një film. Rrugët e tij të vrasin sytë—njoftojnë atë që s’është e mundur të matet: heshtinë, cilët qemë ndër pasqyra, neon në ngjyrë hi. Tri pëllumba bëhen tufë nën dritën e lokalit. Një çift grindet darkës ndërsa një shërbyes iu sjell pagesën. Nuk merret vesh se ç’iu ka shkaktuar e shkuara, qoftë dhe këto pesë minutat e fundit. Pos kësaj, kush di se ç’mund të bëjë me dashurinë? Mund të mos i mbijetojë një cigareje. Dhe për kaq mund të të vrasë, medet ç’zymtësi sa të akullt ngjajmë qoftë dhe në mjerimin tonë duke ditur se për këtë do t’na djegë malli. Do t’na djegë malli kur t’i ketë ardhur fundi.
Aktorja e njohur Meli Qena është figura e radhës që do të prezantohet në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”, projekt ky i ideuar nga Vlora Merovci e që është mbështetë nga Komuna e Prishtinës.
Është ndër të paktat raste ku Meli Qena do të prezantohet me rrëfimin e saj për rrugëtimin e saj artistik, bashkëbisedim që do të realizohet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot, duke filluar nga ora 18:00.
Të gjithë të interesuarit mund të vijnë dhe ta dëgjojnë nga afër rrëfimin dhe rrugëtimin artistik të aktores Meli Qena, e cila ka një bagazh të madh artistik./ KultPlus.com
Në “Kishën e Manastirit të Shpërfytyrimit” në fshatin Çatisë bashkia Dropull, monument kulture, kategori I ka nisur puna për restaurimin e saj.
Ky restaurim do të kryhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
DRTK Gjirokastër bëri të ditur se “ndërhyrja do të konsistojë në restaurimin e këmbanares, të një pjese të çatisë, pastrimi i bimësisë dhe rrethimi i Kishës si dhe punime për zëvendësimin apo restaurimin e pllakave të brendshme të sheshit në naos apo narteks”.
Naosi është ndërtuar në vitin 1584 dhe është pikturuar në vitin 1622 nga piktor Mihali nga Linotopi.
Është njënefeshe, triapsidal me përmasa të brendshme 8,50 x3,20 m. Hapësira e naosit ndahet në tri pjesë nga të cilat dy anësoret lindore dhe perëndimore janë të mbuluara me qemere cilindrike me formuese paralele me aksin gjatësor, ndërsa pjesa qendrore mbulohet me qemer cilindrik në drejtimin tërthor, i cili ngrihet mbi qemeret gjatësorë.
Struktura e brendshme pasqyrohet dhe në kompozimin volumor të jashtëm. Pjesa qendrore ngrihet në formë volume prizmatik të mbuluar me çati dy ujëshe dhe e përshkon çatinë në drejtimin tërthor, duke krijuar edhe në mbulesë formën e kryqit.
Në anën perëndimore naosi i bashkëngjitet narteksit, ndërtim i vitit 1627. Narteksi ka planimetri në formë katrori me përmasa të brendshme 3,40 x3,20 m. Në katër qoshet dalin pilastra, të cilat lidhen ndërmjet tyre me harqe duke krijuar një bërthamë katrore të mbuluar me kupolë që ngrihet mbi një tambur të lartë./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar viktimat e sulmit të mbrëmshëm me veturë në një treg krishtlindjesh në Gjermani.
“Ngushëllimet e mia më të thella për viktimat dhe familjet e prekura nga sulmi në Magdeburg. Mendimet tona janë me popullin gjerman në këtë kohë të dhimbshme. Populli i Kosovës solidarizohet me ju”, ka shkruar Kurti.
Për këtë sulm ka ngushëlluar mbrëmë edhe presidentja Vjosa Osmani.
Deri më tani u raportua për katër të vdekur, përfshirë edhe një fëmijë nga një sulm me veturë që u përplas me turmën në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë.
I dyshuari, një mjek saudit, u arrestua dhe rasti po hetohet nga autoritetet gjermane./ KultPlus.com
Përgjatë stinës së Dimrit muzeu “Kadare” në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të mirëpresë vizitorë. Kjo qendër shërben edhe për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike.
Tashmë shtëpia e lindjes së korifeut të letrave shqipe është pikë referimi jo vetëm për turistët por edhe shkrimtarët, studiuesit, etj. të cilët promovojnë libra dhe botime të ndryshme.
“Edhe pse jemi në sezonin e Dimrit, banesa “Kadare” vazhdon të ketë jo vetëm turistë, por edhe aktivitete të shumta kulturore, sot kemi fatin që të kemi promovimin e dy shkrimtarëve të njohur Shpëtim Emiri dhe Ksenofon Krisafi , gjatë gjithë kohës këtu janë bërë aktivitete sidomos sezonin e Dimrit dhe do të vazhdojnë të bëhen aktivitete të tilla ku në bazë të tyre kanë kulturën”, thotë Alban Matushi, përgjegjësi i muzeut.
Studiuesi Ksenofon Krisafi ka përmbledhur në një libër kujtimet e ish-mësuesve dhe ish-nxënësve të gjimnazit “Asim Zeneli” në 100-vjetorin e çeljes së kësaj shkolle botim që u promovua në mjediset e Muzeut “Kadare”.
“Unë kam patur rastin të jem marrë me disa funksione të caktuara dhe kam takuar njerëz të ndryshëm nga të gjitha vendet e botës dhe sa ju thoja që jam shqiptar nga Ismail Kadreja më thonin kështu që të vish tek shtëpia e Ismail Kadaresë, të vish tek ky tempull i veçantë që përfaqëson një vatër të rëndësishme kulture, qytetarie, emancipimi, jo vetëm për Gjirokastrën por për tërë Shqipërinë, ndoshta edhe më gjerë, është një privilegj, është një nder. kjo është arsyeja që ne sot jemi tek shtëpia e Kadaresë dhe që e zgjodhëm këtë për të promovuar këtë libër”.
Aktivitete kulturore që zhvillohen në Muzeun “Kadare” promovojnë jetën dhe aktivitetin e shkrimtarit të njohur por shërbejnë edhe për gjallërimin e jetës kulturore në qytetin e gurta në stinën e dimrit.
“Mendoj se këto aktivitete i shërbejnë të gjithëve, i shërbejnë edhe banesës Kadare që është në funksion të turizmit, promovimit të tij por edhe vetë autorëve që kjo banesë e Kadaresë ju krijon mundësinë e një aktiviteti sa më të mirë dhe sa më të pranueshëm për gjithë letrarët”, shton Matushi.
Shkrimtari Ismail Kadare, një pjesë të rëndësishme të veprës letrare ja ka dedikuar vendlindjes, qytetit të Gjirokastrës./klanhd/ KultPlus.com
AfD, në pjesë të saj ekstremiste e djathtë ka deklaruar në manifestin e saj elektoral se dëshiron që vendi të dalë nga Bashkimi Europian dhe të ndjekë modelin e Brexit.
Partia gjermane e ekstremit të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) e ka dyfishuar zotimin e saj se në rast se do të marrë pushtetin, do ta nxjerrë vendin jashtë BE-së dhe do të ndalojë përdorimin e monedhës së përbashkët europiane, Euro.
Në një manifest elektoral dërguar anëtarëve të saj para votimit brenda partisë, i parashikuar që të realizohet në fillim të janarit të ardhshëm, partia anti-migracion përsëriti premtimin e bërë gjatë zgjedhjeve europiane në verën e këtij viti, duke thënë se: “Ne mendojmë se është e nevojshme që Gjermania të dalë nga Bashkimi Europian dhe të krijojë një komunitet të ri europian”.
Si e përfytyron AfD Europën?
Në vend të BE-së, AfD dëshiron të paraqesë të ashtuquajturën platformë “Europa për atdheun” – një bashkim shtetesh që përfshin tregun e përbashkët dhe “komunitetin ekonomik dhe të interesave të përbashkëta”. Ekstremistët e djathtë kërkojnë gjithashtu të nxjerrin Gjermaninë nga zona e përbashkët monetare që hyri në fuqi në vitin 2002 dhe ta zëvendësojë atë me “union transfertash”. Partia pranon përmes këtij manifesti se një “ndryshim kaq radikal” s’do të ishte frytdhënës, prandaj propozon të rinegociojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet anëtare të BE-së por dhe shtetet e tjera europiane.
Për këto çështje AfD kërkon mbajtjen e një referendumi, edhe pse dalja e vendit nga BE-ja s’do të ishte aq e thjeshtë pasi anëtarësia e Gjermanisë është “e vulosur” në Kushtetutë.
Edhe nëse në të ardhmen AfD do të qeveriste vendin dhe ta kërkonte zyrtarisht daljen e Gjermanisë nga Unioni, kjo lëvizje do të ishte anti-kushtetuese, pasi “Dexit” do të kërkonte 2/3 e shumicës parlamentare.
Tepër vonë për “Dexit”?
Plani i AFD-së përfaqëson një përforcim të pozicionit të partisë rreth temës së BE: në shkurt të këtij viti, bashkë-udhëheqësi i partisë Tino Chrupalla, tha se ishte “shumë vonë” që Gjermania të dilte nga BE-ja.
Bashkë-udhëheqësja tjetër e partisë, njëkohësisht kandidatja për Kancelare, Alice Weidel, e përkufizoi “Dexit” më tepër si një “Plan B”, në një intervistë dhënë britanikes “Financial Times” disa kohë më parë.
Institucionet ekonomike dhe shoqatat industriale më të rëndësishme në Gjermani e kanë dënuar këtë propozim. Instituti ekonomik gjerman IW, me bazë në Këln, ka përllogaritur se dalja nga BE-ja do t’i kushtonte vendit 690 miliardë Euro (725 miliardë Dollarë), sepse Prodhimi i Brendshëm Bruto do të tkurrej në 5.6%, që përkthehet në 2.5 milionë vende pune më pak. “Dëmi do të ishte njësoj sa kriza e pandemisë dhe ajo e energjisë të marra së bashku” – thuhet në studimin e IW-së.
Shoqata Gjermane e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm (BVMW) ishte edhe më e ashpër, pasi e përshkroi planin e AfD-së si “mision kamikaz”.
Në një deklaratë të lëshuar para zgjedhjeve të BE-së në qershorin e këtij viti, BVMW-ja theksoi të gjithë elementët pozitivë që sjell monedha e përbashkët për bizneset e vogla dhe të mesme: “Bashkimi monetar është plotësimi i duhur i tregut të përbashkët të BE-së. Ky treg krijon lehtësira të konsiderueshme për shitjen e mallrave dhe shërbimeve në vendet e tjera të Unionit. Euro eleminon rreziqet e pallogaritura për kompanitë tregtare”.
Ronald Gläser, zëdhënës i AfD-së në Berlin, i hedh poshtë këto shqetësime.
“Po, Gjermania përfiton nga BE-ja, por ne besojmë se do të kishim përparësi edhe nga marrëveshje të tjera” – tha Gläser për DW. “Dhe kur dëgjoj ekonomistët që pretendojnë se dalja do të sillte katastrofë ekonomike, atëherë unë ngre pyetjen: A janë të njëjtët që thanë se Europa dhe Anglia do të ndikoheshin në mënyrë të tmerrshme nga Brexit? I mbaj mend të gjithë skenarët e frikshëm asokohe, por në fakt gjithçka shkoi pak a shumë normalisht”.
Një raport i publikuar nga “Cambridge Econometrics” në janarin e këtij viti evidentoi se Brexit bllokoi rritjen ekonomike dhe punësimin në Mbretërinë e Bashkuar duke parashikuar se vendi do të shënojë 3 milionë vende pune më pak deri në vitin 2035.
Mësimet që nxirren ngaBrexit
Studimi i IW-së u mbështet tek ndikimet që Brexit pati në rajonet britanike që kanë ekonomi të ngjashme me rajonet gjermane.
“Ne mund të kemi lehtësisht pasoja shumë herë më të mëdha, sepse jemi më të ndërlidhur me BE-në sesa britanikët. Ne kemi Euron, që do të thotë se do të kishim më shumë ndërlikime se britanikët” – tha drejtori ekzekutiv i IW-së, Hubertus Bardt, njëkohësisht bashkëautor i raportit.
“Dexit” nënkupton se ne do të ishim 5,5% më të varfër në 5 vitet e ardhshme” – tha Bardt për DW. Sipas tij, “kjo do të ishte një krizë e rëndë ekonomike, e paralajmëruar shumë kohë më parë”. “Sigurisht që do të ishte veçanërisht e dëmshme për kompanitë që varen nga tregjet dhe furnizuesit e shteteve të tjera të BE-së” – shtoi ai.
Zëdhënësi Gläser beson se një zgjidhje e ngjashme do të mund ta ruante tregtinë e lirë. “Përse mendoni se kompanitë dhe konsumatorët në Itali, Francë, Suedi apo kudoqoftë, s’do t’i donin më produktet gjermane nëse vendi s’është më pjesë e BE-së? – thotë ai. “As Zvicra nuk është në BE, por eksporton në të gjitha shtetet”.
“E konsideroj këtë ide jorealiste, të pakuptimtë dhe tymnajë të kotë” – thotë Berdt. “Shkatërrimi i BE-sënuk do të sillte një model të ri më të mirë se aktuali”.
“Rrënjët” anti-BE
Por ideja për “Dexit” nuk është e mirëpritur mes popullatës gjermane. Një anketim i publikuar këtë vit, nga Fondacioni “Konrad Adenauer” (KAS), i cili është afër partisë konservatore Unioni Kristian-Demokrat (CDU) arriti në përfundimin se 87% e gjermanëve do të votonin pro BE-së nëse do të duhej të votonin në referendum.
Por përse AfD vendosi që ta përfshinte një masë të tillë drastike dhe jopopullore në manifestin e saj elektoral? Gläser këmbëngul se dalja nga BE-ja do të ishte e duhura për gjermanët, u pëlqen ose jo atyre. “Ne nuk i hartojmë politikat në bazë të anketimeve. Ne duam të vëmë në zbatim idetë që i mendojmë të nevojshme dhe të rëndësishme”.
Wolfgang Schroeder, ekspert i shkencave politike në universitetin e Kassel, theksoi se qëndrimi i AfD-së është në përputhje me parimet mbi të cilat u krijua: në vitin 2013 ata u krijuan si parti ekonomistësh, kritikë pas krizës së Euros. Më pas nisën të vinin theksin tek politikat anti-migracion, por euro-skepticizmi i tyre ishte ende aty, edhe pse jo aq i dukshëm sa në fillimet e tij.
“AfD, parti nacionaliste”
“Në thelb, AfD është parti nacionaliste” – tha Schroeder për DW. “Ajo është kundërshtare e globalizmit, i cili ka sjellë gjithnjë me vete një sjellje skeptike ndaj autoriteteve ndërkombëtare. Për ta, të gjitha organizatat ndërkombëtare si BE apo OKB kanë qëllimet dhe vlerat e tyre, dhe për këtë arsye janë rrezik për vullnetin e vërtetë të njerëzve”.
Por a është AfD serioze në propozimin e saj për ta zëvendësuar BE-në me një tjetër lloj komuniteti ndërkombëtar, edhe pse kjo do shkaktonte “dhimbje koke” për ekonominë dhe kushtetutën? “Mund t’i përgjigjemi kësaj pyetje në dy mënyra” – thotë Schroeder. “Nga njëra anë, themi që ata nuk e kanë seriozisht për aq kohë sa përfaqësojnë pakicën dhe mund të thonë ç’të duan për të treguar panoramën e një bote ndryshe.
Personalisht, Schroeder mendon se pozicioni i AfD është një “bast që kushton shumë pak, por në plan afatgjatë”. “Ata po vënë bast se shumë shtete do të bien dakord me Euro-skepticizmin e tyre dhe në të ardhmen do të jetë që zhvillim i ri që shkon në drejtimin e Eurazisë, me perspektiva të reja ekonomike dhe politike”./DW/ KultPlus.com
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën,Taulant Balla solli sot përmes një postimi në rrjetet sociale, rrëfimin e Anila Smorgrav, një shqiptare që jeton prej shumë vitesh në Paris dhe që njëherësh është anëtare e Këshillit Koordinues për Diasporën.
Balla u shpreh se, Anila Smorgrav është pjesë e komunitetit shqiptar në Paris të Francës, por edhe e Qendrës Kulturore “Maison d’Albanie” që organizon aktivitete të ndryshme për Diasporën.
Smorgrav, foli gjithashtu për këtë qendër kulturore, duke e cilësuar si të veçantë qasjen “Maison d’ Albanie”, për sa më shumë aktivitete dhe organizime ku mblidhen qindra shqiptarë.
“Qendra kulturore ka bërë 10-vjetorin dhe numërohen mbi 200 aktivitete, ku janë promovuar artistë të ndryshëm, qoftë në art, pikturë, muzikë, literaturë. Kjo qendër është bërë një vatër dhe dritare e ngrohtë e Shqipërisë, por edhe e rajonit, pasi Diaspora në Paris nuk dallon nga shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut”, tha ajo./ KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau pamjet e banesës së Ramiz Bekteshit, pas përfundimit të restaurimit të fasadës. Kjo banesë është pasuri kulturore e kategorisë së parë.
Banesa e Ramiz Bekteshit, e shpallur pasuri kulturore në vitin 1977, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të kujdesshme restauruese, për të ruajtur autenticitetin dhe vlerat historike.
Banesa kaloi nëpër këto faza ndërhyrjeje:
Heqja e suvasë së vjetër në të gjithë sipërfaqen.
Pastrimi dhe heqja e gurëve të rrezikshëm, si dhe pastrimi i zgavrave nga suvaja ekzistuese.
Heqja e çapave të drurit nën trarët e çatisë dhe zëvendësimi i tyre me të rinj.
Larja e të gjithë sipërfaqes me ujë të bollshëm për të pastruar pluhurin dhe përgatitur fasadën për llaçin e ri.
Suvatimi me llaç gëlqereje, pas mbushjes së zgavrave ku mungonin gurët.
Lyerja finale e fasadës me gëlqere dhe e trarëve mbështetës me broninë.
Ky restaurim përfaqëson një përpjekje të përbashkët për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për ta përcjellë atë si një vlerë të çmuar për brezat e ardhshëm. Ruajtja e këtij objekti kulturor ka rëndësi të veçantë, duke qenë se është një dëshmi e gjallë e artit dhe arkitekturës tradicionale shqiptare./ KultPlus.com
Disa orë përpara skadimit të afatit të mbylljes së pjesshme të qeverisë në mesnatë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një plan të ri të propozuar nga Kryetari Mike Johnson të premten në mbrëmje, që tani kalon për votë në Senat dhe më pas duhet të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden për t’u kthyer në ligj.
Paketa do të financonte përkohësisht operacionet federale dhe ndihmat për fatkeqësitë, por nuk përfshin kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për një rritje të kufirit të borxhit në vitin 2025.
Zoti Johnson kishte këmbëngulur se Kongresi do t’i “përmbushte detyrimet” dhe nuk do të lejonte mbylljen e operacioneve federale përpara sezonit të festave të Krishtlindjes.
Por fati i planit të tij ishte i pasigurt pasi zoti Trump përsëriti se një rritje e tavanit të borxhit duhet të ishte pjesë e çdo marrëveshjeje, duke thënë në një postim herët në mëngjes se nëse kjo nuk ndodhte le të “fillojnë tani” mbylljet.
Projektligji u miratua me 366 vota pro dhe 34 kundër dhe tani kalon në Senat që pritet ta miratojë së shpejti.
“Jemi entuziastë me këtë rezultat,” tha zoti Johnson pas votimit, duke shtuar se ai kishte folur me zotin Trump dhe presidenti i zgjedhur “ishte gjithashtu i kënaqur me rezultatin”.
“Nuk do të kemi një mbyllje të qeverisë,” kishte thënë ai përpara votimit.
Ishte përpjekja e tretë nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, për të plotësuar një nga detyrimet bazë të qeverisë federale – që të vazhdojë të funksionojë.
Zhvillimet ngrenë pikëpyetje të forta lidhur me fatin e zotit Johnson në pozicionin e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve përballë zemërimit të kolegëve të tij republikanë si edhe për shanset e marrëdhënies së tij me zotin Trump dhe aleatin e tij miliarder Elon Musk, të cilët e kishin kundërshtuar planin e parë të zotit Johnson.
Kërkesa e minutës së fundit e zotit Trump ishte pothuajse e pamundur për t’u plotësuar dhe zoti Johnson nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër veçse të punonte për një alternativë që nuk parashikonte rritjen e tavanit të borxhit.
Ai e dinte se nuk do të kishte mbështetje të mjaftueshme brenda shumicës së republikanëve për të miratuar paketën e financimit të qeverisë, pasi shumë republikanë preferojnë të bëjnë shkurtime të shpenzimeve të qeverisë federale dhe është e sigurt se do të ishin kundër rritjes së borxhit.
Republikanët, të cilët do të kenë kontrollin e plotë të Shtëpisë së Bardhë, Shtëpisë dhe Senatit vitin e ardhshëm dhe që kanë plane të mëdha për shkurtim taksash dhe përparësi të tjera, po tregojnë se u duhet të mbështeten vazhdimisht tek demokratët për votat e nevojshme për të plotësuar detyrimet për funksionimin rutinë të qeverisjes.
“A është ky një projekt-ligj i republikanëve apo i demokratëve?” ironizoi zoti Musk në rrjetet sociale përpara votimit.
Projekt-ligji i ri prej 118 faqesh parashikon buxhetin në nivelet aktuale të qeverisë deri në mars dhe shton 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë dhe 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët.
Kërkesa e zotit Trump për të hequr tavanin e borxhit, për të cilën udhëheqësit republikanë u thanë ligjvënësve se do të debatohej si pjesë e paketave të tyre për taksat dhe kufirin në vitin e ardhshëm, nuk u përfshi.
Republikanët premtuar se do ta rrisin kufirin e borxhit në vitin 2025 dhe se do të shkurtojnë gjithashtu 2.5 trilion dollarë në shpenzime për 10 vjet.
Është në thelb e njëjta marrëveshje që dështoi një natë më parë– e kundërshtuar nga shumica e demokratëve dhe disa prej republikanëve më konservatorë – me përjashtim të kërkesës për tavanin të borxhit të zotit Trump.
Demokratët nuk ishin entuziastë ndaj përpjekjeve të fundit pasi kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve që ishte një tërheqje nga kompromisin i tyre fillestar dypartiak.
“Mirë se vini përsëri në kënetën MAGA“, shkruante sot në një postim në median sociale udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.
Megjithatë, shumica e demokratëve ishin pro miratimit të projektligjit.
Zoti Trump, që ende nuk e ka marrë detyrën, po tregon forcën, por edhe kufijtë e ndikimit të tij ndaj Kongresit, ndërsa ndërhyn nga Mar-a-Lago së bashku me zotin Musk, i cili do të drejtojë Departamentin e ri të administratës së ardhshme për Efikasitetin e Qeverisë.
Vetë zoti Trump shkaktoi mbylljen më të gjatë të qeverisë në histori gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, kur qeveria u mbyll në mënyrë të pjesshme për një muaj duke filluar rreth fundit të dhjetorit 2018, deri rreth mesit të janarit 2019./VOA/ KultPlus.com
Ato që na bëjnë të ndjehemi nostlagjik për kohërat e mëhershme janë fotografitë, shkruan KultPlus.
Fotografitë janë dëshmi të periudhave të ndryshme kohore si dhe njëherit na ndihmojnë që të dallojmë ndryshimet e qyteteve.
Kjo vërehet edhe në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë. Fotografia e cila ishte pjesë e një artikulli të një gazete të vjetër për dimrin e acartë e tregon këtë.
Kjo fotografi e qytetit pa lum është realizuar në vitin 1981./ KultPlus.com
Shkrimtari dhe publicisti Bedri Myftari lindi më 21 dhjetor 1938 dhe vdiq më 08 nëntor 2013.
Bedri Myftari lindi në Filat të Çamërisë, më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 6-vjeçare, u dëbua nga vendlindja me gjithë familjen dhe u vendos në Shqipëri. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Fier, ndërsa të mesmen, Teknikumin Financiar, në Tiranë.
Në fillim të viteve ’60 punoi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit “Grupi i të rinjve kundër vijës së partisë, në art dhe në letërsi” dhe si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vite iu hoq e drejta e botimit. Pas lirimit nga burgu punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë. Pas rënies së diktaturës iu kthye shkrimeve dhe gazetarisë. Vdiq në Tiranë, më 8 nëntor 2013.
Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Fluturzat e borës”(tregime, 1967), “Mbrëmjet e qytetit tim” (tregime, 1969), “Ti je Eva” (poezi, 1996), “Bardh e zi” (publicistikë, 2000), “Vajza e rojtarit të pyllit” (përralla, 2003), “Pas Kastadivës”(roman, 2007). / KultPlus.com
U mbyll sot në mbrëmje, nata e dytë e Festivalit të 63-të të Këngës (Fest 63) në RTSH, në Pallatin e Kongreseve. 15 artistë të njohur, debutues besnikë të festivalit të Këngës e të rinj u ngjitën në skenën elektrizuese të Fest 63 duke ndjerë magjinë e vërtetë të “rrënjëve”, motoja e së cilës është edhe festivali i këtij viti.
Edhe gjatë kësaj nate, publiku shijoi krijimet e shumta muzikore, me tematika të ndryshme, por edhe performancat energjike duke ndezur kështu atmosferën jo vetëm në Pallatin e Kongreseve, por edhe të publikut që e ndoqi këtë mbrëmje përmes ekranit të RTSH.
Nata e dytë solli në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur Aleksandër Gjoka dhe balerinën Klaudia Pepa, si të ftuar specialë. Sikurse edhe natën e parë, në këtë mbrëmje, emocionet e artistëve dhe surprizat e prapaskenës u përcollën përmes moderatorëve Andri Xhahu dhe Alesia Brunazi.
15 artistët që performuan në natën e dytë të Fest 63:
1. Algert Sala 2. Devis Xherahu 3. Elvana Gjata 4. Endrik Beba 5. Epos 6. Frensi Revania 7. Gjergj Kaçinari 8. Gresa Gjocera 9. Klea Dina 10. Laorjan Ejlli & Adelina Correj 11. Mal 12. Rea Nuhu 13. Santino de Bartolo 14. Stine 15. Vesa Smolica
Juria
E veçanta në këtë mbrëmje ishte dhe prezantimi i jurisë së Festivalit, e cila përbëhej nga disa personalitete në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.
Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë: Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.
Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-t finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion./atsh/KultPlus.com
Shkrimtari amerikan John Steinbeck mësoi se i biri, adoleshent, kishte rënë në dashuri me një shoqe klase. Letra e Steinbeck për të birin mbart disa leksione të mëdha mbi prindërimin dhe dashurinë dhe kjo letër me pak paragrafë është bërë një klasik në letërsi.
Letra,
Nju Jork,
10 nëntor 1958
I dashur Tom:
Ne morëm letrën tënde sot në mëngjes. Unë do të përgjigjen nga këndvështrimi im dhe natyrisht Elena nga i saji.
E para – nëse ti je në dashuri – kjo është një gjë e mirë – kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë çdokujt. Mos lejo askënd ta bëjë atë të vogël apo të parëndësishme për ty.
E dyta – Ka shumë lloje dashurie. Njëra është fodulle, dorështrënguar, makute, një gjë egoiste që përdor dashurinë për t’i dhënë rëndësi vetes. Kjo është ajo e llojit më të ulët. Tjetra është e tillë që shpërthen çdo gjë të mirë te ty – të qenit i këndshëm dhe me konsideratë dhe respektues – jo vetëm respekti shoqëror i sjelljeve të mira por respekti më i madh i cili njeh dhe pranon personin tjetër si unik dhe të paçmuar. Lloji i parë mund të të bëjë ty të sëmurë dhe të vogël dhe të dobët por e dyta mund të çlirojë fuqinë tënde, dhe kurajën dhe mirësinë e madje edhe mençurinë që ti nuk e dije se e kishe.
Ti thua se kjo është dashuri rinore. Nëse ndjehesh kështu kaq shumë – natyrisht ajo nuk është dashuri rinore.
Por unë nuk mendoj se ti po më pyet mua se si ndjehesh ti vetë. Ti e di më mirë se çdokush tjetër. Ajo që ti kërkohe nga unë është që të të ndihmoj mbi atë se çfarë duhet të bësh – dhe unë këtë mund të ta tregoj.
Para së gjithash shijoje atë dhe ji shumë i lumtur dhe falënderues për të.
Objekti i dashurisë është më i miri dhe më i bukuri. Përpiqu të jetosh në lartësinë e saj.
Nëse ti do dikë – nuk ka asnjë dëm që ta thuash këtë – ti vetëm duhet të mbash mend se disa njerëz janë shumë të turpshëm dhe në disa raste ta thuash këtë duhet të marrësh atë siklet parasysh.
Vajzat kanë një mënyrë për të ditur ndjenjat që ti ke, por zakonisht pëlqejnë ta dëgjojnë prej teje.
Në disa herë ndodh që ajo që ti ndjen nuk është e njëjtë nga ana tjetër për një arsye apo një tjetër – por kjo nujk e bën atë që ti ndjen më pak të çmuar dhe më pak të mirë.
E fundit, unë e di ndjenjën tënde sepse unë e kam atë dhe jam i lumtur që ti e ke atë.
Ne do të jemi të lumtur të takojmë Suzanën. Ajo është shumë e mikpritur. Por Elena do të bëjë organizimet për të gjithë këtë sepse është roli i saj dhe ajo është e lumtur që ta bëjë gjithashtu. Edhe ajo di shumë për dashurinë dhe ndoshta mund të të japë më shumë ndihmë nga unë.
Dhe mos u shqetëso se mund ta humbësh. Nëse është e mirë, ajo ndodh – gjëja kryesore është të mos nxitosh. Asgjë e mirë nuk ikën.
Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.
Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.
Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…
Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.
Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…
Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.
Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.
Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.
Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.
Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.
Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht:
Kaq shumë kisha për të të thënë Po mbeta larg e larg mërguar Në këto ditë, e dashur Nënë, Më mirë ti më ke kuptuar.
Për ty dhuratën kam menduar Edhe punuar gjat’ e gjatë, Porse më mbet këtu, në duar. Ti mbylle sytë këtë natë.
Por ndjej se, duke e lexuar, Më zbutet dhimbje e kësaj zije. Mirësia jote e patreguar Më lidh me ty me mija fije. Edhe çdo natë e njëjta ëndërr
Në ëndërr ti më rri kaq larg Si më rreh zemra, ta dish! O Nënë, Nënë, vallë s’di Tek unë si të vish? E njëjta ëndërr net për net! Si më rreh zemra, ta dish! O Nënë, Nënë, përse nuk do Këtu, tek unë, të vish? Në fushat
Në qiell enden retë pafund, Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime, Në fushat endet e endet gjithkund Fëmia i humbur i nënës sime. Në rrugë era fryn gjethet e thata, Në pemë zogu klith me vajtim, Atje, matanë malesh të larta, Ndodhet, diku, atdheu im./ KultPlus.com
Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar destinacionet e fshehta evropiane “mahnitëse” për të vizituar në vitin 2025 – përpara se ato të pushtohen nga turistët ndërkombëtarë, shkruan David Landsel në gazetën e përditshme amerikane “New York Times”.
“Amerikanët thyen rekordet e udhëtimeve në vitin 2024 – ku 1 dhjetori u shënua si dita më e ngarkuar ndonjëherë në aeroportet e vendit”, sipas TSA.
“Mbi 20,2 milionë turistë amerikanë vizituan Evropën në vitin 2023”, sipas Zyrës Kombëtare të Udhëtimeve dhe Turizmit në SHBA – miliona turistë më shumë krahasuar me periudhën para pandemisë – ku u regjistruan 17,3 milion vizitorë në 2019.
Nëse vizitoni Spanjën, Francën apo Italinë, merrni masa drastike – pasi për shembull, mund të tarifoheni për nje “selfie” në shatërvanin Trevi në Romë, apo të merrni parasysh pezullimin e Airbnbs në Barcelonë.
Ekzistojnë dy destinacione evropiane që gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder rekomandon dhe i vlerëson si vende magjepsëse dhe të paprekura nga turizmi masiv.
“Të gjitha indikacionet që kemi parë, për shembull, numri i turistëve që qarkullojnë në aeroporte dhe shifrat e fundit nga kompanitë e udhëtimeve tregojnë se ekziston “një oreks i pangopur” për udhëtime. Dhe viti 2025 do të jetë fantastik për të ofruar alternativa të shumta”, tha gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder për “Daily Express”.
Eksperti i udhëtimeve ka sugjeruar Shqipërinë dhe Bullgarinë si dy destinacionet kryesore evropiane për të vizituar në vitin 2025 – në një përpjekje për të nxitur turistët e huaj të zgjedhin vende që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, dhe të cilat i vlerëson si ideale për pushime verore.
Shqipëria
Shqipëria është shtëpia e shumë resorteve bregdetare në detin Adriatik – dhe disa prej tyre janë krahasuar me Maldivet – falë ujërave të pastra kristal.
Ky vend mesdhetar konsiderohet si një nga destinacionet më të përballueshme për pushime në Evropë.
“Shqipëria është një nga vendet më buxhetore në Evropë. Unë e shoh Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm turistik”, tha Calder.
“Plazhe fantastike, njerëz miqësorë dhe çmime të përballueshme”, shtoi ai.
Shqipëria është shtëpia e vargmaleve të ndryshme malore, plazheve mahnitëse të konsideruara si “Maldivet e Evropës”, me një kryeqytet të gjallë dhe rrënoja të mrekullueshme në atraksionet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në vitin 2023, 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë për të kaluar pushimet. Numri i vizitorëve në Shqipëri pritet të rritet në vitet në vijim./atsh/KultPlus.com
Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për mbarëvajtjen e punëve dhe organizimeve të përbashkëta. Kjo marrëveshje mes institucioneve kërkimore dhe shkencore ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit profesional.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua në ambientet e Institutit Arkeologjik të Kosovës nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Naim Berisha dhe drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Milot Berisha. Të pranishëm ishin edhe sekretari shkencor, Adil Olluri dhe dy hulumtueset shkencore të fushës së arkeologjisë, Zana Hoxha, Elza Shipoli dhe arkeologu Luan Gashi.
Kjo marrëveshje është me rëndësi për punonjësit shkencorë të dy institucioneve, sidomos për punonjësit e sektorit të Arkeologjisë në IAP, sepse përfshinë organizimin e tryezave, konferencave dhe simpoziumeve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave, njohurive, shkëmbimin e botimeve e shumë aspekte të veçanta dhe të rëndësishme të punës që mund të kenë dy institucionet në kuadër të këtij bashkëpunimi./KultPlus.com
Më 20 dhjetor të vitit 1975 u themelua, në Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK).
ASHAK është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që e ushtron veprimtarinë e saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike. Akademia përbëhet nga tri organe kryesore nga Kuvendi, Kryesia dhe Kryetari. Ndër to organi më i lartë është Kuvendi i Akademisë dhe përbëhet nga të gjithë anëtarët e rregullt dhe korrespondentë të saj.
Akademia ka anëtarë të rregullt, anëtarë korrespondentë dhe anëtarë të jashtëm. Shkencëtarët që bartin titullin akademik janë anëtarë të përjetshëm.
Akademia e Shkencave e Kosovës në fillim kishte anëtarë të të gjitha komuniteteve që vepronin dhe jetonin në Kosovë, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj. Në prill të vitit 1989 u ndërpre financimi i veprimtarisë së Akademisë me “arsyetim” se nuk i përmbushte standardet jugosllave dhe se me angazhimet e saj publike e rëndonte rendin kushtetues të ish-Jugosllavisë. Së pari ASHAK doli me Deklaratën Kushtetuese, pastaj doli në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Kosovë, sidomos të shqiptarëve në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe përkrahu referendumin për pavarësi, intensifikoi bashkëpunimin me Akademinë e Shqipërisë, etj.
Në vitin 1992 Kuvendi i Serbisë, edhe pse nuk ishte themelues i kësaj Akademie, shpalli të mbyllur ASHAK-un. Anëtarët e kësaj Akademie nuk e përfillën vendimin e Serbisë dhe vazhduan punën në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme derisa në vitin 1994 policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut duke e përdorur atë për qëllime të tjera.
Gjatë viteve jashtë objektit, Akademia e vazhdoi punën e rregullt, duke publikuar revista e publikime të tjera shkencore e shoqërore. /KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u prit në një takim në Prishtinë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Hajrulla Çeku.
Gjatë takimit Gonxhja dhe Çeku diskutuan mbi mundësi konkrete për bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta kulturore, shkëmbime artistike dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore.
Ministri Gonxhja theksoi se “në fokus të bisedës ishte edhe sinergjia e mundshme e qendrave tona kombëtare të kinematografisë, si një hap drejt fuqizimit të industrisë filmike mbarëkombëtare, dhe binjakëzimi i Muzeut tonë Kombëtar “Marubi” me Galerinë e Arteve në Prishtinë, ku mund të ekspozojmë një pjesë të çmuar të arkivave”.
“Teatri ishte gjithashtu temë me shumë interes për programe e festivale rajonale”, tha Gonxhja.
Gonxhja ndodhet në Prishtinë në kuadër të seancës plenare të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë, në atmosferën e ngrohtë dhe solemne të katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, sopranoja Arta Jashari mbajti koncert recital. Ky koncert erdhi si një gërshetim i muzikës kishtare dhe klasike si një nismë që shënon fillimin e festive të fundvitit, shkruan KultPlus.
Shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe trumpetisti Avni Krasniqi, Arta jashari filloi koncertin me një interpretim të veçantë të këngës tradicionale të Krishtlindjeve ‘Adeste Fideles’ të John Francis Wade, performancë kjo që dhuroi për publikun një ndjenjë të thellë spiritualiteti dhe bukurie.
Pas kësaj, programi u pasua me një koleksion të pasur veprash klasike që përcollën ndjesi të ndryshme artistike. “Laudamus” dhe “Alleluia” nga Wolfgang Amadeus Mozart, me ekspresivitetin e jashtëzakonshëm të interpretimit të Jasharit, sollën një dritë të re në audiencë, duke i dhënë shpirt një muzike kishtare, por edhe një freski moderne në interpretim.
Më pas, koncerti vijoi me veprat “Let the Bright Seraphim” të George Frideric Handel, një pasazh melodik dhe virtuoz që e solli audiencën më pranë fuqisë dhe elegancës së muzikës barok. Mbrëmja vazhdoi me veprat “Tis the Last Rose of Summer”, “Nuit d’étoiles” të Claude Debussy dhe “Cantique” nga Nadia Boulanger.
Ndërkaq, e gjithë kjo mbrëmje magjike u përmbyll me këngën ikonike të krishtlindjeve, “Have Yourself a Merry Little Christmas”.
Pas koncertit, sopranoja Arta Jashari tha për KultPlus se ndjehet e lumtur që të gjithë punën e saj e ka përmbyllur këtë vit me këtë koncert recital.
“Jam shumë e lumtur që pas gjithë asaj pune, çdo gjë është përmbyllur me sukses sonte. Unë jam e befasuar që kam pasur kaq shumë njerëz rreth vetes që kanë qenë të gatshëm deri në këtë masë të më ndihmojnë për ta arritur këtë koncert në këtë mënyrë tëv dinjitetshme”, u shpreh Jashari.
“Jam munduar të përzgjedhi vepra të të gjitha epokave, duke nisur nga barokut e deri te Christmas Carols, sepse mendova se me këtë të fundit ja japim edhe një ndjenjë të krishtlindjeve”, tha ndër të tjerash Arta Jashari duke folur për repertorin.
Ju kujtojmë se në këtë koncert, Arta Jashari së bashku me Andi Durakun dhe Avni Krasniqin, krijuan një magji muzikore që ka një ndikim të fortë në shpirtin e secilit që ishte i pranishëm./KultPlus.com
Nën titullin “Hiri yt, burim përjetësie”, Bashkia Pogradec dhe Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, organizuan një aktivitet letraro-artistik në kujtim të jetës dhe veprës së poetit të dashurisë, Llazar Gusho (Lasgush Poradeci). Aktiviteti erdhi në prag të 125-vjetorit të lindjes së poetit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.
“I jemi mirënjohës për trashëgiminë letrare që ka lënë duke na shtuar arsyet e qenësishme për ta kujtuar gjithmonë nëpërmjet vargjeve të tij dhe si një poet që të shton krenarinë e të qenurit shqiptar”, u shpreh prefekti Jole.
Në veprën e këtij romantiku jetoi gjithmonë brenga atdhetare e mbrojtjes së kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj që u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Shkodër ka realizuar kartolinat e fundvitit në një bashkëpunim të veçantë me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, departamenti i Arteve në Shkodër.
Studentët pjesëmarrës në këtë projekt kanë ndërthurur talentin dhe pasionin e tyre për të sjellë një koleksion unik. Në këtë projekt, artistët e rinj kanë eksploruar dhe interpretuar pasuritë kulturore përmes një lenteje festive, duke krijuar kartolina që reflektojnë bukurinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Këto krijime janë realizuar me një qasje të larmishme artistike: disa prej tyre janë konceptuar në formatin digjital, duke kombinuar elementë bashkëkohorë dhe tradicionalë, ndërsa të tjera janë punuar me dorë duke përdorur teknika të sofistikuara si akuareli dhe akriliku. Çdo kartolinë sjell një detaj të veçantë, një histori dhe një ndjesi të ngrohtë festive, duke ruajtur një lidhje të fortë me traditën dhe artin.
DRTK Shkodër thekson se, ky koleksion është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes institucioneve dhe artistëve të rinj, duke na kujtuar rëndësinë e promovimit të kulturës përmes krijimtarisë dhe inovacionit./KultPlus.com
Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.
Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.
Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.
Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.
Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.
Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.
Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .
Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.
Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!
Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.
Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.