Prodhimi i serialit ‘Harry Potter’ të HBO do të fillojë në Warner Bros Studios në Leavesden, në veriperëndim të Londrës, në verën e vitit 2025.
Seriali i ‘Harry Potter’ do të ketë një kast krejtësisht të ri, por do të mbetet autentik me librat origjinalë, duke i afruar aventurat magjike me një audiencë të re.
Leavesden ndodhet në Watford, në veri të Londrës, dhe filmi hit ‘Barbie’ 2023 është xhiruar në studiot atje.
Warner Bros është kompania e prodhimit që qëndron pas filmave origjinalë, me protagonistë Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint.
Seriali i ri, i bazuar në librat e JK Rowling, do të jetë një “përshtatje besnike e librave ikonë”.
Seriali do të shfaqë një kast të ri, do të jetë plot me detaje fantastike, personazhe të dashur dhe vende dramatike që fansat e Harry Potter i kanë dashur për më shumë se 25 vjet.
Kasti i personazheve të preferuar, duke përfshirë Harry Potter, Ron Weasley dhe Hermione Granger – të luajtur nga Radcliffe, Grint dhe Watson – do të shpallet në një datë të mëvonshme./KultPlus.com
Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë është prezantuar me koncertin përmbyllës për vitin 2024, e i cili koncert ka qenë një pararendës i atij që pas katër ditësh do të prezantohet në Ljublanë të Sllovenisë, në kuadër të javës kulturore të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Programi i këtij koncerti ka përmbledhur perla të Korit të Filharmonisë për të kulmuar në këtë koncert përmbyllës, si dhe për t’i prezantuar ato në vendin amë të Filharmonisë Botërore (1701), në ndërtesën ikonike të Filharmonisë së Ljublanës. Filharmonia e Ljublanës është një nga institucionet muzikore më të vjetra në Evropë, e cila ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e kulturës muzikore.
Me një renditje unike, në formë rrethore Kori i Filharmonisë filloi interpretimin e veprës së Mendi Mengjiqit- ” Music in the circle”, në sallën e cila ishte e stërmbushur me publik. Zërat e grupit të grave në njërën anë dhe të burrave në anën tjetër përputheshin në qendër të rrethit, në të cilin qëndronte edhe dirigjenti Baki Jashari.
Programi pati edhe vepra premierë. Ndër veprat të cilat u pëlqyen dhe u dalluan më shumë ishte edhe vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e dirigjentit Baki Jashari, e cila çdo herë jep një emocion të jashtëzakonshëm. As vepra e Hajrullah Sylës “O Magnum Misterium” nuk bën përjashtim.
Ndërkaq, vepra e kompozitorit Rafet Rudi- “IN A” ishte e veçantë edhe në aspektin fizik të interpretimit, duke nxjerrë ndjenja të fuqishme nga koristët dhe dirigjenti Jashari në veqanti. Vepra e Laura Jekabsone- “Kuulin Äänen” erdh e ndërthurur me interpretim koral dhe vegël goditëse muzikore si një prezantim krejtësisht unik.
Veprat tjera të cilat u interpretuan ishin: Vytautas Miškinis- “Cantate Domino, Ambrož Čopi- “O solitaris Hostia”, Lorenc Antoni- “Çorapet e burrit”, Vasil S.Tole- “Çu mbush mali”, Eric Whitacre- Cloudburst, Jake Rundestad- “Nyon, nyon” dhe Këngë Polifonike Labe- “Janinës ç’i panë sytë”.
Në fund të koncertit në një prononcim për media dirigjenti Baki Jashari ka thënë që prenzatimi i Korit me koncert në Ljublanë është një rast shumë i mirë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe institucionale, e shtetërore që atje të ketë një prezantim dinjitoz.
“Kemi vendosur t’i zgjedhim perlat me të cilat prezantohet Kosova në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ne është një moment tejet i rëndësishëm, pasi përmes programit publikut slloven t’i ofrojmë informacion të bollshëm se edhe në Kosovë ka kor profesional- vokal, që kemi traditë. Programi ka qenë i konceptuar që të tregojmë nga pak të gjitha stilet që ne i zotërojmë, dhe te ata të krijojmë një përshtypje të jashtëzakonshme, ashtu si kudo që paraqitet kori, duke i thyer paragjykimet për Kosovën si vend i ri”, ka thënë Jashari me shumë emocion pasi pas 25 vitesh do të rikthehet në Slloveni, në vendin ku kishte qenë aktiv për 20 vite me radhë.
“Të prezantohet muzikë korale në Slloveni është shumë vështirë sepse në kohën kur unë kam qëndruar atje kanë qenë mbi 1.000 kore të regjistruara. Në Kosovë ne nuk i kemi dy, edhe pse nga popullsia jemi të ngjajshëm. Është shumë e vështirë që në një vend të tillë ku kanë mundësi të shumëta të dëgjojnë kore të ndryshme të krijojmë përshtypje. Andaj, jemi munduar të përzgjedhim stile të ndryshme të tregojmë se çka zotërojmë edhe ne këtu në Kosovë”, ka thënë dirigjenti.
Drigjenti Jashari në këtë koncert përmbyllës të vitit 2024 për Korin e Filarmonisë ka veçuar edhe prezantimin më të veçantë për këtë vit artistik.
“Që nga fillimi i vitit kemi pasur lëvizje në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Italinë, Romën, Greqinë. Do të veçoja fillimin e sezonit në shtator, kur Filharmonia për herë të parë në historinë e saj realizon veprën madhështore të kompozitorit Gustav Mahler “Simfonia 1” e cila ka qenë ëndërr për institucionin tonë. Kjo vepër kërkon një dyfishim të numrit të orkestrantëve, por mbi të gjitha një muzikë tejet tërheqëse por edhe jashtëzakonisht komplekse për realizim nga ana e muzicientëve. Ky do të ishte një kulminacion në aspektin tekniko-artistik të Filharmonisë së Kosovës përgjatë vitit 2024”, ka thënë dirigjenti Jashari.
Kurse, Drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se është privilegj për Filharmoninë e Kosovës që programi i këtij koncerti do të prezantohet edhe në Ljublanë, në vendin e themelimit të një institucioni të muzikantëve, siç është Filharmonia.
“Koncerti i sotëm është pararendës i një prezantimi që do të mbahet në Ljublanë të Sllovenisë. Është privilegj për Korin e Filharmonisë që të prezantohet në sallën “Marjan Kozina”, në ndërtesën e Filharmonisë së Sllovenisë. Nuk jemi prezantuar më parë në Slloveni, ndonëse dy dirigjent slloven e kanë udhëhequr këtë kor në disa raste. Është privilegj dhe nderë që të performojmë në një sallë që i takon institucionit të Filharmonisë së Sllovenisë, e cila është Filharmonia më e vjetër në botë. Ajo është evoluar në vitin 1701. Dhe për ne është nderë të përfshihemi në programin e atij institucioni”, ka thënë Drejtori Selimaj.
Ndërsa, violonçelisti Antonio Gashi i cili u prezantua me veprën e kompozitorit Hajrullah Syla “O Magnum Misterium” tha se ky bashkëpunim me korin ka qenë i këndshëm.
“Kori i Filharmonisë është i mrekullueshëm, unë gjithmonë emocionohem kur e dëgjoj sepse gjithmonë paraqitet me vepra të reja, me freski të re. Gjithmonë është kënaqësi të bashkëpunosh me korin. Për veprën e Hajrullah Sylës jam jashtëzakonisht I kënaqur që po vjen një gjeneratë e re e kompozitorëve të cilët shkruajnë këtë lloj të veprave, që për çelistin dhe për korin është një bashkëpunim shumë i këndshëm. Është një prej veprave që me shumë qejf luaj”, ka përfunduar violonçelisti Gashi.
Filharmonia e Kosovës më 21 dhjetor do ta përmbyllë vitin 2024 me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili është Gala Koncert tradicional./ KultPlus.com
Në një mjedis të mbushur me ngjyra dhe simbolikë kulturore, Shkolla Fillore “Ilira” prezantoi ekspozitën kolektive “T’i Pikturojmë Kostumet Autoktone dhe Tradicionale”, një nismë artistike e kuruar nga kritiku i artit, Ilir Muharremi, dhe organizuar nga artistja Albana Krasniqi. Kjo ekspozitë, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, synon të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes syve të brezit të ri.
Në hapjen e ekspozitës foli organizatorja Albana Krasniqi, e cila theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të veshjeve tradicionale shqiptare si një pasuri e vyer autoktone. “Këto veshje janë një pasuri e rrallë e kombit tonë dhe një trashëgimi që na bën krenarë si shqiptarë,” tha Krasniqi, duke vlerësuar përkushtimin e fëmijëve dhe ndihmën institucionale për realizimin e kësaj ekspozite.
Edhe zv/drejtoresha e shkollës, Alba Buleshkaj, shprehu fjalë të ngrohta për ekspozitën, duke vlerësuar jo vetëm përmbajtjen artistike, por edhe rëndësinë edukative dhe kombëtare të saj. “Këto punime jo vetëm që sjellin artin dhe kulturën në fokus, por janë një mënyrë për të edukuar brezat e rinj me dashuri dhe respekt për traditat tona,” tha ajo.
Punimet artistike
Ekspozita përmban një koleksion të veçantë pikturash të realizuara nga fëmijët e shkollës, ku secili prej tyre ka interpretuar në mënyrën e vet artistike veshjet tradicionale të rajoneve të ndryshme të Kosovës, si Dukagjini, Drenica, Podujeva dhe Ana e Moravës. Punimet përfaqësojnë një ndërthurje unike të trashëgimisë kulturore me shprehjen artistike bashkëkohore të fëmijëve.
Punimet artistike
Në mesin e veprave të ekspozuara dallohen disa krijime që pasqyrojnë me mjeshtëri detajet e kostumeve autoktone dhe atmosferën tradicionale:
Punimi i parë, realizuar nga njëri prej piktorëve të vegjël, paraqet një figurë femërore të veshur me xhubletë, simbolin e lashtë të identitetit shqiptar. Sfida artistike e përfshirjes së ornamenteve të hollësishme është realizuar me sukses, ku xhubleta e zezë, me motive të arta dhe të qëndisura, pasqyron pasurinë e traditës shqiptare. Sfundi i verdhë i ndritshëm krijon një kontrast të fuqishëm, duke theksuar elegancën e figurës dhe duke simbolizuar jetën dhe dritën që trashëgimia kulturore i ofron shoqërisë moderne.
Në punimin e dytë, një figurë e vendosur përpara një porte prej guri pasqyron lidhjen mes veshjes tradicionale dhe arkitekturës tipike shqiptare. Veshja, që përfshin një këmishë të bardhë me qëndisma floreale dhe një jelek të zi të dekoruar me ornamente ngjyra të ndezura, është një pasqyrë e finesës dhe mjeshtërisë së punës artizanale. Përparësja me motive lulesh është trajtuar me një ndjeshmëri të veçantë, duke nxjerrë në pah estetikën e artit të grave shqiptare ndër shekuj.
Dy punimet e tjera, me një trajtim më simbolik dhe emocional, përqendrohen në detaje që bartin mesazhe të forta kulturore. Një nga këto piktura shfaq një figurë me shami të kuqe dhe një këmishë të qëndisur, që simbolizon gruan shqiptare dhe rolin e saj në ruajtjen e traditave. Ndërkohë, punimi me sfond të kuq dhe shqiponjën dykrenore ofron një interpretim më të drejtpërdrejtë të patriotizmit dhe identitetit kombëtar. Në këtë vepër, shqiponja, e përqendruar mbi sfondin e pasionit dhe flakës, thekson rëndësinë e traditës në formësimin e vetëdijes kombëtare.
Mesazhi i Ekspozitës
Kjo ekspozitë është më shumë se një ekspozim artistik; ajo është një urë mes brezave dhe një ftesë për të reflektuar mbi pasurinë e trashëgimisë tonë kulturore. Nëpërmjet punimeve të fëmijëve si Kron Gashi, Ana Millaku, Orges Feka, Elsa Berisha dhe Drit Gjonbalaj, ekspozita sjell një dimension të freskët dhe bashkëkohor të interpretimit të traditës, duke nxitur krenarinë kombëtare dhe ndjenjën e përkatësisë kulturore.
Këto krijime jo vetëm që dëshmojnë talentin dhe pasionin e artistëve të vegjël, por edhe fuqinë e artit për të ruajtur, përforcuar dhe rikthyer traditat në jetën tonë të përditshme. Ekspozita “T’i Pikturojmë Kostumet Autoktone dhe Tradicionale” është një dëshmi frymëzuese se si arti mund të shërbejë si mjet për edukim, ndërgjegjësim dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore./KultPlus.com
Malet janë burim jete, element i rëndësishëm për ekosistemet, por janë dhe aq madhështore ndërsa mbështjellin fshatra e vendbanime nën hijen e tyre, dhurojnë shi dhe presin erën që dëmton të mbjellat.
Nga ana tjetër, ata që i duan malet por edhe që i njohin shtigjet e tyre mund të flasin me orë për ndjesitë që ato përcjellin.
Për të folur për malet, në Ditën Ndërkombëtare të Maleve që shënohet çdo 11 dhjetor, u mbajt pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, një takim i veçantë i organizuar nga fondacioni me të njëjtin emër.
Takimi u moderua nga koordinatorja e Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, Bardhe Karra, ndërsa morën pjesë të apasionuar pas natyrës, alpinistë, mbështetës dhe ekspertë të çështjeve mjedisore, guida profesionale në zonat malore, studentë e të ftuar.
Të ngjitësh një mal nuk është vetëm sfidë fizike, por edhe një udhëtim brenda vetes.
Kështu nisi biseda nga moderatorja Karra e cila është edhe vetë e apasionuar pas ngjitjeve malore. Ideja për takimin është e presidentit të fondazionit Fr Ruggero Valentini, përkushtimi i të cilit mundësoi edhe eventin.
Mbajtën fjalë përshëndetëse Presidenti i fondacionit Fr. Ruggero Valentini dhe drejtori i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera.
Të apasionuarit e maleve u përfshinë në diskutime të hapura dhe të sinqerta ndërsa nuk munguan ndërhyrjet e Prof. Aleksandër Bojaxhi alpinist, drejtuesit të Shoqatës Turistike “Bjeshkatarët”, Fisnik Muça që po ashtu është edhe guidë alpine në vendin tonë.
Gjatë takimit është prezantuar edhe një libër shumë i veçantë që i kthehet publikut pas një kohe të gjatë: Malet e Shqipërisë, edicion i vitit 1941 me autor Piero Ghiglione, risjellë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve përmes kësaj nisme.
Pietro Ghiglione, alpinist dhe shkrimtar italian përshkruan në libër eksplorimet e tij në malet e Shqipërisë në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Vepra është një ditar udhëtimesh që bashkon vëzhgimet e natyrës, ato historike e kulturore me një vëmendje të posaçme ndaj peizazhit malor dhe sfidave teknike.
Libri përfaqëson një homazh ndaj forcës së natyrës dhe ndaj pasionit për aventurën, duke bashkuar fuqinë e alpinizimit me një ndjeshmëri të thellë kulturore dhe njerëzore.
Dita Ndërkombëtare e Maleve nënvizon rëndësinë e tyre si ekosisteme jetësore që mundësojmë burime ekzistenciale, si uji i pijshëm, biodiversitetin dhe mjetet e jetesës për miliona njerëz. Po ashtu, është një mundësi për t’i kushtuar rëndësi kulturës së maleve, për të promovuar turizmin e përgjegjshëm dhe për të forcuar detyrimet globale për mbrojtjen e këtyre ekosistemeve thelbësore për ekuilibrin e planetit./KultPlus.com
“…Po, që prej së mërkurës të dua në një mënyrë tjetër; më duket sikur jemi më të lidhur, më të afërt, sikur më pak gjëra nga bota e jashtme mund të ndikojnë në lidhjen tonë; që, edhe sikur të mos piqemi për një kohë të gjatë, kjo s’do të thotë gjë dhe së fundmi (a mendon edhe ti kështu?) dashuria jonë është bërë më serioze, duke humbur pamjen e jashtme.
A do ta dish shkakun? Se mbi të gjitha kemi qenë të vërtetë; se i jemi dhënë natyrës pa art, pa u turbulluar, si fëmijët e gjorë të padjallëzuar që e kanë sefte. Po kështu, prej saj unë s’mora hidhërim, por një ngrohtësi shumë të këndshme që më mban në një ëndërrim epshndjellës… Megjithatë, këtë mbrëmje iu vura punës, ama me shumë mundim… të punojmë sa më mirë, pastaj do të piqemi hera-herës, kur të mundemi; do t’i japim njëri-tjetrit një vrullimë të mirë ajri, do të ngihemi sa të vdesim; pastaj do t’i kthehemi agjërimit. Kush e di? Ndoshta është mënyra më e mirë për të shkruar si duhet e për t’u dashur shumë. Kush mund të na sigurojë se, duke jetuar gjithnjë së toku, nuk do të lodhemi nga njëri-tjetri? Do të ketë dyshime, mbase edhe xhelozi; prej këtej zemërime, zënka. Do të vazhdojmë të takohemi nga kokëfortësia apo zakoni dhe jo nga dëshira, si tani. Megjithatë s’e besoj këtë. Ti je tejet e mirë, ëmbëlake, tejet e përkushtuar, ndryshe nga gratë e tjera që janë aq egoiste, aq të ashpra me burrin që dashurojnë.
Ty të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më. Ti je dhe do të mbetesh e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë tjetër. Është diçka e pleksur dhe e thellë, diçka që më mban nga të gjitha anët, që kënaq të gjitha orekset e mia dhe përkëdhel sedrën time. Realiteti yt gati zhduket. Përse sa herë mendoj për ty, të shoh me kostume të tjera, të ndryshme nga të tuat? Mendimi se ti je dashnorja ime më vjen rrallë, apo ti nuk formulohesh tek unë nga kjo. Kundroj fytyrën tënde të ndriçuar nga gëzimi, teksa lexoj vargjet e tua duke të admiruar. Atëherë ajo ka një shprehje të shkëlqyer ideali, krenarie dhe mallëngjimi. Nëse mendoj për ty kur jam në shtrat, një krah i mbledhur, lakuriq, një kaçurrel i ngritur pak më lart se tjetri, duke parë tavanin. – Më duket se ti mund të plakesh duke u shëmtuar, por asgjë nuk do të dyve dhe të pavarur nga ne. A nuk kam bërë gjithçka për të të lënë? A nuk ke bërë gjithçka që të duash të tjerë? Jemi kthyer prapë te njëri-tjetri, pasi jemi bërë për njëri-tjetrin. Të dua me gjithë zemër. Do doja të të dashuroja më shumë derisa të të bëja të lumtur, sesa të bëj edhe të vuash! Unë dua të të shoh në përmbushjen e të gjitha dëshirave të tua”./ KultPlus.com
Filmi “Okarina’ është shpërblyer me çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar Cine De Rengo 2024 ne Kili, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë skenaristja, Albana Muja, nëpërmjet një postimi në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e Albana Mujës:
Jam thellësisht mirënjohëse për vlerësimin që filmi “Okarina” ka marrë në Festivalin Ndërkombëtar Cine De Rengo 2024 ne Kili, duke u shpërblyer me çmimin për Skenarin më të Mirë. Ky çmim është një moment i veçantë në rrugëtimin tim krijues dhe një nder i madh për të ndarë këtë histori me botën.
Faleminderit jurisë për këtë vlerësim! Shpresoj që “Okarina” të vazhdojë të frymëzojë dhe të prekë shikuesit kudo./KultPlus.com
Dy artistë të zëshëm të skenës shqiptare, Fatos Qerimi dhe Rudina Ciko janë protagonistët e koncertit të së dielës së 15 dhjetorit në Katedralen Ortodokse në Tiranë, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Pianodrom”.
Si çdo vit, “Pianodrom” ka menduar të entuziazmojë publikun duke shtuar atmosferën e festave të fundvitit me disa aktivitete.
I pari sjell Fatos Qerimin, një reaktor energjie dhe Rudina Cikon pianiste e fluturimit mbi tastierë. Të dy artistët janë të njohur ndërkombëtarisht dhe do të interpretojnë për publikun kryeqytetas.
“Pianodrom” vjen për publikun me aktivitete të shtrira në disa data për të mbledhur sa më shume dashamirës të muzikës dhe për të qenë edhe pjesë e atmosferës së festave.
Festivali vijon me koncerte më 21 dhjetor ku vjen Kosti Deti me recitalin “Tingujt e shpirtit”.
Kosti Deti është cilësuar nga kritika si “Vullkani Shqiptar“. Pianisti shumë i suksesshëm shqiptar me famë ndërkombëtare që ka ndezur publikun në teatrot nacionale të Europës, dallohet për origjinalitetin e tij në lojë, ekspresivitetin e zjarrtë, komunikimin shpirtëror ndërmjet instrumentit dhe publikut, fuqinë tajfuniane emocionale dhe virtuozitetin te tij të jashtëzakonshëm.
Në të dyja koncertet pritet të interpretohen diamante të muzikës klasike, pa asnjë dallim nga sallat e koncerteve në Evropë.
Pianodrom vlerësohet si pol i kulturës dhe festivali më i madh në Shqipëri i modernizimit të kompozicionit shqiptar./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Washington D.C për takime në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkaq më pas në Rhode Island do të mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të Vjetor të ‘United States Naval War College’.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Jemi në Washington D.C për takime në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve, para se të vazhdojmë për Rhode Island ku do të mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të Vjetor të ‘United States Naval War College’.
Kënaqësi të takohem sot me senatorin republikan Thom Tillis me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë e Ballkanin Perendimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.
Paqja dhe siguria e qëndrueshme janë parakusht për prosperitet e zhvillim. SHBA-të kanë qenë dhe mbeten të përkushtuara për të ndihmuar për t’i ruajtur dhe avancuar ato në Kosovë./KultPlus.com
Disa orë përpara se të ngrihet sipari i produksionit të ri të “Lucia di Lammermoor”, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit u mbajt një konferencë për mediet.
Në panel ishin të pranishëm: drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, Abigeila Voshtina, drejtori artistik dhe dirigjenti i operës, Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjisorja Ada Gurra, dirigjenti i korit të TKOB, Dritan Lumshi si dhe këngëtarët protagonistë Jessica Pratt e Raffaele Abete.
Gjithashtu, në konferencë qenë të pranishëm solistët e talentuar të TKOBAP-së që marrin pjesë në këtë vepër: Ramona Tullumani, Ulpiana Aliaj, Armando Likaj, Artur Vera etj.
Opera madhështore e Donizetti-t është e bazuar në një ngjarje të vërtetë që skandalizoi Skocinë e shekullit të 17-të. Kjo histori nisi si roman nga sir Walter Scott, botuar në vitin 1819. Ishin Gaetano Donizetti dhe Salvadore Cammarano, dy nga yjet më të shndritshëm të operës italiane, ata që, në vitin 1835 i dhanë Lucias zërin e saj të pavdekshëm.
Dashuri, vrasje, çmenduri dhe një fustan i gjakosur. Për më shumë se 200 vjet, historia tronditëse e “Lucia di Lammermoor” ka bërë audiencën të dridhet nga emocionet. Ajo do të vijë sonte në TKOB pas 16 vitesh mungesë./atsh/KultPlus.com
Të hënën, me datë 16 dhjetor 2024, do të promovohet libri për fëmijë dhe të rritur me temë festat e fundvitit, të autores Nerimane Kamberi, i cili titullohet “E bredhi ku mbeti?”.
Promovimi do të bëhet në Galerinë Qahili në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.
Ky libër i cili është ilustruar nga Nita Qahili, prezanton një botë të pasur dhe imagjinative, ku tri vajzat Majlinda Kelmendi, Uta Ibrahimi dhe Kiana Kryeziu bëjnë një rrugëtim nëpër qytete dhe peizazhe të Kosovës të mbuluar me borë për të shpëtuar Festat e fundvitit./KultPlus.com
Projekti STEM për të gjithë – STEFORA po kontribuon në fuqizimin e grave dhe vajzave përmes ndërtimit të kapaciteteve për programe STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) në institucionet e arsimit të lartë me fokus në gjithpërfshirje dhe diversitet. Projekti mbëshetet nga Programi i Erasmus+ të Bashkimit Europian dhe implementohet në partneritet nga gjashtë institucione të arsimit të lartë në Kosovë, Shqipëri, Suedi dhe Irlandë.
Si i tillë, projekti është i dizajnuar me një qasje gjithpërfshirëse dhe synon i) adresimin e barrierave institucionale duke krijuar qytetari digjitale ii) aplikimin e parimeve universale në dizajnimin e aktiviteteve mësimore si dhe infrastrukturën mbështetëse iii) përvetësimin e një qasjeje kritike ndaj normave shoqërore duke ngritur vetëdijen kulturore rreth përfshirjes së vajzave dhe grave në fushat STEM në Kosovë dhe Shqipëri.
Projekti është realizuar në tre faza:
Kontekstualizimi i përvojave, sfidave dhe mundësive të vajzave dhe grave në fushat STEM, përmes një serie të diskutimeve të organizuara me akterë relevantë në STEM në Kosovë dhe Shqipëri. Të dhënat e mbledhura nga këto diskutime tregojnë se pavarësisht përparimit të bërë në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në fushat STEM, normat ekzistuese shoqërore, si përgjegjësitë për familjen po vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në zgjedhjen profesionit dhe vazhdojnë t’i riprodhojnë pabarazitë gjinore në shkollim dhe në tregun e punës. Gjatë diskutimeve është vënë në pah edhe fakti se rritja e interesimit të vajzave në fushat e Inxhinierisë Teknologjike mund të ndodhë sepse në shume raste kjo lejon punë nga shtëpia e poashtu disa fusha STEM ofrojnë mundësi mësimdhënieje që prapë ju ofron grave dhe vajzave më shumë fleksibiltet në orarin e punës. Megjithatë, kjo nuk po ndodh ende në fushat të konsideruara tradicionalisht që ju përkasin burrave si energjia, makineria, dhe ndërtimtaria.
Ndërtimi i kapaciteteve përmes dizajnimit të moduleve, trajnimeve dhe punëtorive të ndryshme. Bazuar në gjetjet nga diskutimet me akterë si dhe për të arritur synimet e projektit, janë dizajnuar tre module trajnuese me fokus ne qytetarinë digjitale; parimet universale në dizajnim; si dhe qasje kritike ndaj normave shoqërore. Më pas, janë zhvilluar një sërë trajnimesh të avancuara, punëtori, dhe uebinare më stafin akademik dhe administrativ të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri me synim të krijimit të një qasje kritike ndaj stereotipeve gjinore në STEM përmes rishikimit të planprogrameve, materialeve mësimore por edhe infrastrukturës mbështetëse në këto institucione.
Punëtori e mbajtur në RIT Kosovo, Kosova, 2023
Sigurimi i qëndrueshmërisë së rezultateve të projektit duke hartuar strategji për gjithpërfshirje dhe diveristet ne STEM në katër institucionet në Kosovë dhe Shqipëri. Poashtu, është ndërtuar STEM Observatory ku stafi akademik nga institucione të ndryshme mund të ketë qasje t’i shfrytëzojë modulet dhe materialet trajnuese në të ardhmen. Poashtu, për të rritur vetëbësimin e vajzave dhe grave të reja në STEM, në kuadër të projektit është krijuar Rrjeti i Grave Eksperte në STEM. Përmes ketij rrjeti synohet që gratë e njohura në fushat STEM do të shërbejnë si mentore për vajzat dhe gratë e reja që synojnë të ndjekin karrierën e tyre në këto fusha.
Trajnim për qytetari digjitale, MU, Irlandë, 2024
Nismat dhe aktivitetet e realizuara në kuadër të projektit STEFORA paraqesin hapa të rëndësishëm drejt thyerjes se barrierave sistematike si dhe fuqizimit te vajzave dhe grave në fushat STEM. Megjithatë, që të arrijmë barazi gjinore kërkohen reformat të vazhueshme, aktivitete avokuese si dhe ndryshime kulturore në mënyrë që të çrrënjosen stereotipet gjinore dhe pabarazitë strukturore. Prandaj, duke intensifikuar përpjeket tona përmes projekteve dhe nismave të ngjashme si STEFORA mund të kontribuojmë në vazhdimësi në krijimin e një terreni më të barabartë në STEM ku do të përfitojnë jo vetëm gratë, por edhe shoqëria në përgjithësi.
Vërejtje: Ky dokument është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e konsorciumit STEFORA dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian./ KultPlus.com
Cirk Marina Orfei, emri legjendar i cirkut italian, me një traditë mbi 50-vjeçare, vjen për herë të parë në Tiranë te stadiumi “Selman Stërmasi”.
Fëmijë të shoqëruar nga prindërit apo gjyshërit që prej 2 dhjetorit shijojnë shfaqje të magjishme brenda cirkut me çadër.
“Në Tiranë ka cirk, është cirku kombëtar, por cirk me çadër është hera e parë në Tiranë. Qëllimi është ta kemi të përvitshëm, të jetë në Tiranë në periudhën e Majit, të kthehet në një traditë. Është një gjë normale , standarde dhe jo e jashtëzakonshme”. Fëmijët janë çmendur sepse shfaqja është e jashtëzakonshme”, tha organizatori Klodian Makashi.
Makashi tregon se përse zgjodhën që të marrinë akrobatë nga Italia, ndërsa zbuloi dhe strategjia që po ndjekin për fëmijët në nevojë.
“Sado të mirë që ne të jemi me gjërat që bëjmë në Shqipëri, kemi nevojë për atë njohurinë e atyre që kemi nga jashtë. Për të bërë diçka që të mos eksperimentojmë, më mirë sjellim dikë nga jashtë që të na tregojë se si bëhet dhe më pas të ketë një llojë sinergjie”, Klodian Makashi, organizator.
Akrobaci mahnitëse, iluzionistë që zhysin publikun në një botë misteri me truke të pabesueshme apo klounë, që sjellin buzëqeshje dhe hare, është ajo që ofron cirku, që do të zgjasë deri më 22 dhjetor.
Spektakli i Cirkut Orfei solli një performancë unike. Ndërkohë, ritmet e muzikës live dhe lojërat e dritave krijuan një atmosferë të paharrueshme./tema/KultPlus.com
Teatri i qytetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, bëri me dije se ka filluar puna për restaurimin tërësor të godinës së tij.
Në sajë të këtij rikonstruksioni godina do të rigjenerohet si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana arkitektonike, si dhe do të ofrojë kushte dhe mundësi më të mira pune për stafin teatral, punonjësit e qendrës dhe artistët që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.
Pas restaurimit kjo qendër do të ketë ambiente moderne për zhvillimin e aktiviteteve artistiko-kulturore për qytetin e Durrësit si dhe do të ofrojë një shërbim edhe më cilësor për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që do ta frekuentojnë atë.
Pas 1 muaji, ky teatër do të kremtojë 72-vjetorin e themelimit (11 janar 1953). Në fillimet e tij ky teatër kishte një trupë me 14 aktorë dhe këta veteranë që përbënin këtë trupë ishin emra të njohur si Nikolin Xhoja, Koste Lezha, Meropi Xhoja, Lazër Murati, Teodor Rupi, Todi Thanasi, Spiro Urumi, Vera Urumi, Ferial Alibali etj./atsh/KultPlus.com
Në Fakultetin e Filologjisë u promovua vëllimi “Përrallëza arbëreshe”nga Mario Bellizzi. Vëllimi “Përrallëza arbëreshe”, i përgatitur nga poeti dhe intelektuali arbëresh, Mario Bellizzi është promovuar sot para profesorëve dhe studentëve të Fakultetit të Filologjisë.
Takimi promovues u drejtua nga profesori Bardh Rugova, i cili, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë dhe pasurinë e gjuhës dhe kulturës arbëreshe.
Kurse Mario Bellizzi ka prezantuar vëllimin “Përrallëza arbëreshe”, me 102 përralla të mbledhura nga 39 katunde arbëreshe të Italisë. Ai gjithashtu ka folur edhe për arsyen e përzgjedhjes së këtyre përrallave, për rëndësinë e letërsisë dhe kulturës orale, si dhe për strukturën e përrallave arbëreshe. Poeti arbëresh Mario Bellizzi gjithashtu ka përshkruar përmbajtjen dhe motivet e këtyre përrallave arbëreshe, të cilat sipas tij, manifestojnë shpirtin e qenies së popullit arbëresh të Italisë./ KultPlus.com
Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura mbajti një koncert në Vlorë.
Nën drejtimin e dirigjentit francez Jean Michel Ferran, Orkestra Simfonike e FA prezantoi një program festiv me kryevepra të repertorit ndërkombëtar.
Përmes muzikës, u përcollën mesazhe të kulturës, bashkëjetesës dhe vlerësimit të traditës muzikore. Ky aktivitet kishte për qëllim të sillte gëzim dhe frymëzim për publikun gjatë festave.
Ndalesa në Vlorë është pjesë e një turi të gjerë të orkestrës, e cila gjatë vitit 2024 ka performuar edhe në trevat shqipfolëse dhe në diasporë, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Në vitin 2025, Orkestra Simfonike e FA do të vazhdojë promovimin e vlerave kulturore dhe artistike në shumë qytete të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri prezantojnë Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë (FELT).
FELT është një festival që kremton letërsinë europiane duke promovuar në Shqipëri autorë bashkëkohorë dhe vepra letrare nga e gjithë Evropa, me vëmendje të veçantë atyre të përkthyera dhe botuara në vend.
Festivali do të zhvillohet nga sot, 12 dhjetor e deri më 14 dhjetor 2024. FELT do të nisë me bashkëbisedimin me shkrimtaren irlandeze Catherine Prasifka dhe më pas me Christos Armando Gezos nga Greqia, në Europe House, ndërsa në ditët në vazhdim, aktivitetet do të zhvillohen në Qendrën “Sotir Kolea” dhe Qendrën e Artit “Agimi”.
FELT prezantohet si një platformë për të nxitur dialogun, për të ndërtuar ura mes njerëzve dhe ndihmuar në zhvillimin e një kuptimi më të mirë të botës së sotme përmes letërsisë./atsh/KultPlus.com
Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.
Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.
KultPlus ju sjell më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:
Salvatore Quasimodo – Letër Nënës
«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten, flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga, pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen; nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton si tërë nënat e poetëve, e varfër dhe e drejtë sa duhet në dashurinë për bijtë e largët. Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion të vdekur trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle, në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska, kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj, këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja. Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet. Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur, tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës, vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”
Së shpejti, Teatri i Kukullave do të hapë dyert për të gjithë vogëlushët.
Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamje nga Teatri i rinovuar i Kukullave.
“Së shpejti, Teatri i Kukullave do të hapë dyert për të gjithë vogëlushët, në zemër të sheshit “Skënderbej” me shfaqje të reja dhe emocionuese”, theksoi Rama.
Teatri Kombëtar i Kukullave është rinovuar plotësisht, në përputhje me standardet bashkëkohore të shfaqjeve audio-vizuale, me një skenë dhe auditor multifunksional.
Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kukullave u ndërtua në vitet ’20 të shekullit XX dhe aty fillimisht u vendos parlamenti i parë shqiptar. Në vitet ’50 u zgjerua dhe u bë Teatër Kukullash. Përveç dëmeve ndër vite prej amortizimit kohor, ndërtesa pësoi dëme strukturore edhe prej tërmetit të vitit 2019./atsh/KultPlus.com
Cultural Heritage without Borders Kosova (CHwB) ka shpallur thirrjen e hapur për edicionin e tetë të programit Heritage Space Fellowship. Afati është i hapur deri më 20 dhejtor 2024, ndërsa ky program fton artistë, studiues dhe profesionistë nga fusha e kulturës, industrive kreative dhe humanistikës digjitale që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e një platforme që ofron hapësirë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit.
Heritage Space fokusohet shpesh në tema të ndjeshme dhe komplekse që lidhen me identitetin, kujtesën kolektive dhe narrativat historike. Në këtë frymë, programi inkurajon përdorimin e metodologjive eksperimentale dhe qasjeve jokonvencionale për të artikuluar këto përvoja dhe për të transformuar mënyrën se si e perceptojmë trashëgiminë kulturore.
Temat e këtij edicionit janë: Arkivimi i Shkëputjeve, Trashëgimia e Krizave dhe Rrëfim dhe Interpretim.
Heritage Space Fellowship është platformë që synon të krijojë hapësira për reflektim kritik dhe kreativ mbi trashëgiminë jo-materiale, duke ndërtuar ura ndërmjet komuniteteve dhe profesionistëve të kulturës. Përmes një programi të strukturuar mentorimi dhe mbështetjeje teknike dhe financiare, pjesëmarrësit e përzgjedhur do të kenë mundësinë të zhvillojnë projekte që eksplorojnë dhe dokumentojnë histori lokale duke krijuar kështu punë që paraqesin aspekte të reja të trashëgimisë, të cilat ndërlidhen me perspektiva bashkëkohore.
I nisur në vitin 2016, programi Heritage Space ka mbështetur 52 projekte në mediume të ndryshme, duke përfshirë artin bashkëkohor, prodhimin e filmave, shkrimin, rrëfimin digjital dhe projekte hulumtuese rreth arkivave alternative. Me kalimin në një edicion dyvjeçar, programi po zgjeron mundësitë për zhvillimin e projekteve duke ofruar një periudhë më të gjatë për hulumtim, eksperimentim dhe prodhim të veprave. Përmes sistemit më të strukturuar të mentorimit dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor, ky format i ri synon të mundësojë një angazhim më të thelluar, ku pjesëmarrësit të kenë hapësirën e nevojshme për të eksploruar idetë e tyre në forma më substanciale dhe për të ndërtuar qasje më të qëndrueshme.
Për më shumë informata mbi temat e këtij edicioni, kriteret e aplikimit, mënyrën e dorëzimit të propozimeve dhe aplikimin, ju lutemi vizitoni faqen tonë zyrtare: heritagespace.org.
Heritage Space implementohet nga CHwB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze./KultPlus.com
Francis Albert Sinatra ishte një këngëtar, aktor dhe producent amerikan dhe një nga artistët më popullorë e më me ndikim i shekullit XX. Ai është nga artistët muzikorë të të gjitha kohërave që ka shitur më shumë albume.
Frank Sinatra ishte padyshim një artist argëtues, një këngëtar zëri unikal i të cilit magjepste miliona njerëz. „Ol’ blue eyes”, siç e thërrisnin amerikanët, Francis Albert Sinatra lindi në vitin 1915 në qytezën Hoboken në Nju Xhërsi. Qëkurse ishte adoleshent ai nisi të këndojë nëpër klubet e qytetit të tij të lindjes kundrejt bakshisheve që i jepnin dashamirësit. Për shkak të qëndrimit të rrëmbyer atë e përjashtuan nga shkolla pak përpara përfundimit, gjë që nuk e shqetësoi aspak sepse ai ëndërronte të bëhej këngëtar. Hapat e parë të karrierës Frank Sinatra i hodhi me kuartetin vokal The Hoboken Four, pak kohë më vonë ai debutoi solo në një lokal me një pagë prej 50 dollarësh në javë. Në vitin 1939 ai nënshkroi kontratë me Harry James, drejtues i një grupi muzikor dhe paskëtaj u publikua albumi i parë i Sinatras. Nga ky album u shitën 8000 kopje.
Sinatra prekte veçanërisht zemrat e tifozeve gra. Ai ishte i pari artist që shkaktoi histeri masive në vitet 1940: mijëra vajza të reja thërrisnin duke humbur ndienjat kur shikonin Sinatrën duke kënduar në skenë.
Në fillim të viteve 1950 nisi të shuhet shkëlqimi i Sinatras. Aferat e shumta me gratë dhe dyshimet për kontakte me mafian ia cënuan imazhin e fituar si njeri i pastër. Columbia Records anulloi kontratën dhe spektakli i parë televiziv i tij ishte një dështim. Ai e morri veten pas këtij dështimi të rëndë në karrierë me rolin në filmin klasik të Hollivudit “From Here to Eternity”.
Frank Sinatra ishte një ndër artistët më të sukseshëm të kohës. Ai fitoi 18 herë Grammy dhe mendohet të ketë shitur rreth 800 milionë disqe në mbarë botën. Më 14 maj 1998 ai ndërroi jetë nga një atak kardiak. Në Las Vegas u shuan dritat për dhjetë minuta në nderim të tij.
Në San Domenico të Taorminës vitet e fundit një trupë japoneze instalonte dritat dhe kamerat në një kënd interesant të kuvendit antik të shndërruar në hotel luksoz. Vemendja ishte drejtuar krejt te një zotëri me shtat pak më tepër se mesatar, veshur si s’ka më mirë, që luante në pianoforte të hatashmen “Night and Day”. Pastaj një gazetar e ndërpreu me një varg pyetjesh: ishte i pari ciak i një dokumentari për të, personazh i jashtëzakonshëm që si pensionist luante për turistë elitarë. Por një kohë… Një kohë Chico Scimone, i bukur, i fortë, pianist i talentuar, emigroi në SHBA me të parën nga pesë gratë e tij, aktoren spanjolle Aurora De Alba, e filloi të japë koncerte në klubet e natës në Nju Jork e Çikago. Më patën ndihmuar “miqtë””, tregonte Chico. “Bosët mafiozë siciliano-amerikanë ishin të gjithë nostallgjikë për tokën e tyre, vinin në koncerte, na takonin edhe në anijet kroçiera ku më rastiste të jepja shfaqje.” Ardhjet e tyre na krijonin plot ngatërresa me drejtësinë, por asnjë lidhje midis Scimone e mafia nuk është provuar kurrë. Edhe pse në klubin e tij të natës të Taorminës, “La Giara”, kalonin Richard Burton e Liz Taylor, Gregory Peck e Peter Ustinov, por edhe bosi i Cosa Nostra, Lucky Luciano, tashmë i padëshiruar në SHBA. Pianistja ka vdekur më 9 prill, 94 vjeçe. Nuk ka arritur ta lexojë emrin e tij në librin Sinatra – The life (Botues Knopf, 580 faqe), libri më i ri për The Voice (që sivjet do të mbushte 90 vjet, duke pasë lindur më 12 dhjetor 1915), shkruar nga Anthony Summers e Robbyn Swan. Autorët, që kanë hetuar gjatë marrëdhëniet Sinatra-mafia, temë qendrore e librit, e intervistuan Scimone më 2002. Thonë: “Frank kishte pasur marrëdhëniet me bosët njujorkas në vitet 1938-39. Pianisti Chico Scimone, që luajti shumë herë për Frank Costello e Willie Moretti, kujton – pa dhënë datë të saktë – se një herë Costello e ngarkoi për një detyrë të pazakonshme. “Miqtë e Nju Xhersit flisnin për një djalë me zë të bukur, donin ta dëgjonin, e prandaj organizuan një dëgjim special ku ai duhej ta shoqëronte këngëtarin me pianoforte.” Djali, tregon Scimone, ishte Frank: “Mafia – vazhdon ai – mund ta krijojë e fare lehtë ta shkatërrojë një karrierë.” Chico ka qenë i kthjellët deri në fund e nuk ka dyshim se në aventurën e tij të furishme amerikane të ketë pasur një takim me Sinatrën. Gjithë jetën Sinatra ka mohuar çdo lidhje me mafiozët, deri në dëshminë e fundit dhënë më 1980 para Nevada State Gaming Control Board, ku u betua për të kushedisatën herë se Willie Moretti, një nga më të adhuruarit e Lucky Luciano, “nuk ka pasur fare të bëjë me karrierën time”. Autorët, përkundrazi, flasin për njëfarë vëllazërie natyrore me mafiozët siciliano amerikanë imponuar nga gjyshërit nga babai, Francesco Sinatra e Rosa Sgalimbeni, që vinin nga i njëjti fshat, Lercara Friddi, për më tepër, nga e njëjta rrugicë, Via Margherita di Savoia, ku Salvatore Lucania, “në art” Lucky Luciano, kishte lindur më 1897.
Për lidhjet që Frank e Lucky kanë pasur nga vitet Dyzet (1940) deri në vdekjej e bosit mafioz në Itali më 1962, është shkruar shumë. Sinatra, me gazetarët si me gjyqtarët, minimizonte: “Ne artistët jemi njerëzorë me të gjithë. Shtrëngojmë dorën me të gjithë ata që vijnë të na përshëndesin.” Por në biografitë zyrtare, hollësitë për disa miqësi kanë mbetur gjithnjë tabù, edhe pse e bija Nancy, në librin “Frank Sinatra: An American Legend”, ribotuar më 1998, nuk e fsheh se është rritur duke i parë përqark gjithnjë “ata njerëz”. Autorët e librit të fundit nuk kanë përtuar t’ia lënë këtë fakti se ai ishte italian, madje sicilian, nga klani Sinatra (prindërit e tij gjatë proibicionizmit kishin një pijetore klandestine në Hoboken të Nju Xhersit, fshatit të lindjes të Frank). David Evanier, që ka shkruar librin “The Jimmy Roselli Story – Making the Wiseguy Weep (Botim i Farrar, Straus and Giroux, 1998), biografi e autorizuar e një këngëtari tjetër nga Hoboken, edhe ai sicilian, edhe ai disi gjenial, por jo si The Voice, thotë: “Kur fillova të jem famoz, mafiozët gjithnjë ishin të parët në karriket e teatrit me cigarishten e tyre në gojë. Më adhuronin, por donin të më vrisnin se nuk bëja lojën e tyre. I ndalonin nënat dhe motrat e tyre të më vrisnin.” Por jo gjithnjë mund t’iu thoshe jo: Roselli, që ende është gjallë, këndoi në dasmën e John Gotti Jr, kishte mes adhuruesve edhe Carlo Gambino e ishte disa herë mik në konakun e tij. E, sa për të demonstruar se bosët mafiozë, në thelb, kanë një shpirt si adhuruesit e tjerë, Larry Gallo urdhëroi të varroset në duar, në vend të tespieve, një album të Jimmy. Roselli për të cilin thoshte: “Një djalë i artë, simpatik, i besës.” Por tregon pa ngurim edhe atë që Sinatra nuk ka dashur kurrë ta pranojë: ato vite askush nuk do të hynte në qarqet e serisë A të klubeve të natës pa simpatinë e mafias. Joe E. Lewis, komiku që deshi të bënte në mendjen e vet, për pak sa nuk shkoi në atë botë, ndërsa Frank e Jimmy Durante, u hapërn dyert e Copacabana të Nju Jorkut (pronë e Frank Costello), të Latin Quarter në Boston e të lokaleve më të mira të Las Vegas, oaze të mafias së re. Sinatra ishte dinak, si italian i mirëfilltë kish një familje e tre fëmijë me të cilët merrej përditë, po jashte shtëpisë ishte mjeshtër i biznesve dhe i femrave. Kishte të dhëna që nuk i kish as Roselli as Durante, sex appeal e sy blu. Në foton që e tregon si të burgosurin 42799, bërë më 1938 nga policia e Nju Xhersit, 23 vjeçari Frank është i bukur deri në marramendje, me një bukuri dehüese e moderne diku mes Bowie e Di Caprio. Nuk kish vjedhur as vrarë kurrë, nuk kishte prekur femër me dorë. Por familja e kishte denoncuar. Një martesë e rrufeshme shfajësuese me Nancy, si në çdo familje të mirëfilltë siciliane, e sheshoi incidentin.
Frank Sinatra dikur shërbeu si korrier i Mafias dhe për pak i shpëtoi arrestimit kur ishte me një zarf që përmbante $3.5 milionë para të thata. Kështu artisti Jerry Lewis iu tregoi autorëve të një libri të ri, pjesë të të cilit u botuan në numrin më të ri të revistës Vanity Fair. Rrëfimi i Lewis është një nga historitë e shumta që e lidhin këngëtarin legjendar me krimin e organizuar në biografinë e paautorizuar „Sinatra: The Life”, e shkruar nga Anthony Summers dhe Robbyn Swan dhe që del më 16 maj nga shtëpia botuese Alfred A. Knopf. Sinatra gjithmonë i pati mohuar lidhjet me Mafian, ndërsa FBI publikoi materiale për këto lidhje në dhjetor 1998, shtatë muaj pas vdekjes së tij, duke e portretizuar këngëtarin-aktor si një mik të ngushtë të bosit mafioz të Çikagos, Sam Giancana. Dokumentet e FBI-së gjithashtu tregojnë se ai ka pasur takime me mafiozen Lucky Luciano gjatë udhëtimit të tij të vitit 1947 në Kubë dhe bënin të ditur se karriera e tij e hershme e të kënduarit ishte mbështetut nga një mafioz i famshëm i Nju Xhersit, me emrin Willie Moretti. Libri sjell fakte të reja që thuhet se ia ka dhënë Lewis, një nga shokët e Sinatrës në „Rat Pack” që nga vitet 1960. Lewis ka thënë se Sinatra transportonte para të Mafias. “Ai ishte me plot dëshirë kryes i porosive të mafiozëve,” është cituar nga autorët të ketë thënë Lewis. “Dhe unë jam dëshmitar i një rasti…në Nju Jork.” Lewis është cituar të ketë thënë se Sinatra ishte duke kaluar doganën me një zarf që përmbante “tre milionë e gjysëm” dhe zyrtarët e doganës deshën ta kontrollonin. Por të detyruar nga turmat që brohoritnin dhe e rrethonin artistin yll, zyrtarët hoqën dorë. Nëse ata do ta kishin kontrolluar, thotë Lewis, “ne kurrë nuk do të kishim dëgjuar më për të.” Lewis tha se rasti kishte ndodhur menjëherë pasi Luciano ishte përzënë nga Shtetet e Bashkuara për në Itali më 1946.
Me jetën sentimentale të Sinatrës është marrë me keqdashje tejet të helmët Kitty Kelley, që më 1987 botoi librin “A modo suo” (Botim i Longanesi & C.). Biografia e Sinatrës është shpërndarë edhe nëpër kujtimet e Lauren Bacall e Judy Garland, Lana Turner, Marilyn Monroe e Gloria Vanderbilt. Gerald Clarke, në librin “Get Happy – The life of Judy Garland” (Botim i Random House, 2000), vë në dyshim edhe burrërinë e Frank. Judy thotë se Frank nuk ishte kurrë në lartësinë e duhur. Ishte pra Sinatra dashuruesi misterioz që e detyronte divën të këndojë “Over the Rainbow” në mënyrën më të papërsëritshme? Frank Sinatra kishte marrëdhënie të përzemërta me të gjitha të dashurat, por kishte edhe avokatë të mirë dhe dinte si t’i sulmonte gazetarët pa hamendnin pa prova kundër tij. E mbi të gjitha dinte t’i mbante “miqtë” larg jetës së tij publike; në një botë ku mediat nuk ishin pasuruar si sot, ia arrinte t’i administronte gjithsesi mirë. “Pasi Luciano u ekstradua në Itali, Sinatra, edhe ai në vizitë në këtë vend, bëri gjithçka për të mos e takuar, por ata të dy shkëmbyen shumë telefonata,” tregon shoqja e fundit e bosit, Adriana Rizzo, që flet për një shkrepse ari që artisti ia ka dhuruar me kushtimin “Mikut tim të dashur Charlie Luciano”, duke vënë poshtë firmën që miliona vajza amerikane do të donin ta kishin në fletoret e tyre. Sepse që nga viti 1945, pasi la orkestrën e Tommy Dorsey, Frank ishte një idhull i muzikës idolo pop që bllokonte trafikun në Times Square kur luante në Paramount Theater. Publiku rrinte në radhë që pa çelur dita për biletat e koncerteve. Bono i U2, shumë kohë më vonë, pasi kishte duetuar me Frank “I’ve Got You Under My Skin”, e pagëzoi “Big Bangu i muzikës pop”. Po kush e bindi Dorsey ta ndërpresë kontratën me Sinatrën? Kush e pagoi shumën që lideri i grupit kërkonte për ta lënë të lirën Sinatrën të bëhej solist? Kush e futi në Hollivud nga dera kryesore e studios MGM? Miqtë. Ata ishin atje kur ende nuk ishte The Voice. Ishin edhe kur ylli i Frank po perëndonte për shkak të zërit të lodhur, nervave të prishura nga dështimi i martesës me Ava Gardner e plot travajeve të tjera. / KultPlus.com
85 vite më parë ka vdekur mjeshtri i pikturës shqiptare, Kolë Idromeno.
“Kjo figurë emblematike, jo vetëm i dha qytetit të Shkodrës aromë bukurie qytetare evropiane, po hapi rrugën e zhvillimit të artit pamor modern shqiptar”, shkruan DRTK Shkodër në një publikim online, në nder të Idromenos.
I vlerësuar si themeluesi i pikturës realiste shqiptare, Kole Idromeno njihet gjithashtu si arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor. Mban titullin “Piktor i Popullit”.
Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj.
Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”./atsh/KultPlus.com