Libri ‘Jeta me Laps e Nehat Islamit’ nga autori Xheladin Rexhepi promovohet edhe në Tiranë

Më 28 tetor, u bë promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit”, të autorit Xheladin Rexhepit, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Ndërkaq, pas këtij udhëtimi, libri po ashtu është promovuar edhe në Tiranë më 2 dhjetor, nën kujdesin e veçantë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, shkruan KultPlus.

“Jeta me laps e Nehat Islamit” është libër- intervistë i autorit Xheladin Rexhepit i cili ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarin e njohur Nehat Islami, i cili nëpërmjet 500 pyetjeve ka treguar rrugëtimin e tij në profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Kosovës.

Fëmijëria e tij, studimet, puna si korrespodent në Liban, intervistat me figura të njohura, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë e shumë tema të tjera janë përfshirë në këtë libër, duke mos përjashtuar edhe shkrimet e të tjerëve që kanë shkruar për Nehat Islamin.

Për librin gjatë këtij promovimi të mbajtur në Qendrën Kombëtare të Librit në Tiranë, ka folur edhe kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.

Çipa vlerësoi figurën e Nehat Islami si gazetarin e parë të luftës nga hapësira mbarëshqiptare. Islami u kujtua për kontributin në vite si gazetar në Lindjen e Mesme, veçanërisht në kohën e Intifadës. Çipa i dedikoi fjalë edhe vlerës së librit të Xheladin Rexhepit, të ndërtuar si intervistë me personazhin, duke spikatur kontaktet me figura historike shqiptare, kontributet e tyre.

“Është një botim me vlera të rralla, nga ata që ti njeh jo vetëm jetën dhe përpjekjet e gazetarit, por shumë të pathëna të punës së tij, që janë sot një udhërrëfyes edhe për gazetarët e rinj”, ka thënë ai.

Sipas tij, rasti i Nehat Islamit është një rast unik sepse ndau një pjesë të veprimtarisë së vetë si reporter në zonën e luftës, dhe në pikëpamjen e historisë së gazetarisë shqiptare, ai ishte reporteri i parë i luftës në hapësirën shqiptare dhe si i tillë ai përbën një model për referencë ndaj të cilit do të duhej të mbaheshin kumtesa të posaçme.

“Dua të flas edhe për librin sepse libri pavarësisht se mishëron kontributin e gazetarit Islamit dhe shumë aspekte të profesionit në një forme interviste, libri është organizuar me një kujdes dashuri e kulturë profesionale nga Xheladin Rexhepi. Ky libër është strukturuar në një mënyrë të tillë që gjithkush prej gazetarëve që janë marr me botime monografike, duhet ta marrin si një model i cili sjell disa risi. Së pari, risinë e mënyrës së depërtimit të informacionit për jetën, veprimtarinë dhe kohën e raportimeve që ka pasur gazetari si personazh i gjallë real, dhe pjesa tjetër e konteksteve dhe investimit që ai ka sjellë në dijeninë publike, në dijen e shoqërisë shqiptare”, ka thënë Çipa.

Ai tutje ka treguar se personazhi i këtij libri prej katër vitesh e ushtroi veprimtarinë e reporterit në Lindjen e Mesme, një raportim që mbante 20 shtete të botes arabe. Pra, Nehat Islami ka pasur të bëjë me një përvojë ndërkulturore, ndëretnike, ndërcivile, për të sjellë atë çka vlente për audiencën shqiptare.

“Ajo që mund të konsiderohet si “faji” që e udhëheq personazhin e këtij libri, ishte kultura kombëtare, dashuria për kombin. Në këtë këndvështrim ai konsiderohet një reporter unik sa i përket historisë së ekspresionit kulturor shqiptar në Lindjen e Mesme. Kontribut tjetër është mënyra sesa me aftësi komunikate, ai komunikon në libër. Gazetari Islami pati mundësinë që në arkivin e televizioneve shqiptare të shënojë një rast unik e të rrallë (tri ditor) të komunikimit me poetin e njohur francez, Jacques Prévert, me të cilin ndau tri ditë qëndrimi në hapësirat parisiene ku pati mundësinë që të fliste me të ndonëse autori asokohe kishte refuzuar që të komunikonte me gazetarë francezë”, përfundon ai.

Në anënt tjetër, autori i librit Xheladin Rexhepi kujtoi punën e Islamit për evidentimin e punës në Lindjen e Mesme të figurave si Vaso Pasha, Filip Shiroka, shkrimtarëve Mahfuz dhe Pervert e Eftimiu. Personazhi, i pranishëm në aktivitet, Nehat Islami falenderoi të pranishmit, për nderin që iu bë me librin dhe këtë eveniment.

Kujtojmë që botuese e librit është Zyrafete Shala. / KultPlus.com

Adelina Paloja, Elikona Hysaj Shala dhe Genc Tukiçi me performancë në Paris

Mezzosopranoja Elikona Hysaj Shala, sopranoja Adelina Paloja dhe kompozitori e pianisti Genc Tukiçi, së shpejti do të interpretojnë në një ngjarje filantropike në Paris, përcjell KultPlus.

Ky event kulturor do të mbahet më 19 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00 në La Fabrique Marais.

Ngjarja mbështetet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Action for Health./ KultPlus.com

Nis restaurimi i parë për kishën e Shën Mëhillit në Vuno

Në kishën e Shën Mëhillit që gjendet në pjesën e sipërme të fshatit Vuno, ka nisur projekti restaurues që synon rikthimin e kishës në një gjendje funksionale si dhe mbrojtjen e vlerave të saj historike dhe arkitektonike.

Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 2015.

E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, ajo i përket tipit të kishave me një nef, me apsidë të rrumbullakët dhe afreske të vitit 1783. Deri më tani nuk kishte pasur ndërhyrje restauruese.

Pikat kryesore të projektit restaurues: çati e re me tjegulla vendi; restaurim dhe konsolidim strukturor i muraturave prej guri; pastrim dhe fugatim i murit; restaurim i kornizave dhe dyshemesë me gurë; ringritje e kambanares dhe ndërtim trotuari me kalldrëm; F.V. dyer dhe dritare druri./ KultPlus.com

Dua Lipa flet shqip në një intervistë për revistën prestigjioze “Vogue”

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, së fundi ka folur shqip në një intervistë për revistën prestigjioze, Vogue.

Ajo pikërisht në rubrikën “What’s in my Bag”, që njihet tejet shumë për emrat e njohur të botës së showbizit, e ka thënë një fjali në gjuhën shqipe.

“Hej Vogue, unë jam Dua Lipa, edhe qe çka kena në çantë sot”, tha artistja me origjinë nga Kosova, në një pjesë të intervistës, teksa tregonte se cilat gjuhë të tjera është duke i mësuar.

Lipa pjesën tjetër të intervistës e ka dhënë në anglisht, duke treguar se “çfarë ka në çantë”.

Nuk është hera e parë që këngëtarja flet shqip në intervista të huaja, ajo ka rastisur t’i tregojë botës për gjuhën tonë edhe në disa emisione tejet të shikuara në Amerikë dhe më gjerë./ KultPlus.com

Karl Gurakuqi, shqiptari që hapi në Palermo qendrën e rëndësishme albanologjike

Karl Gurakuqi, i përkiste të njëtit trung familjar me Luigj Gurakuqin.

Lindi në Shkodër dhe mësimet fillore i bëri në shkollën Françeskane ku filloi edhe të mesmen, të cilën e mbaroi në Salzburg ndërsa fakultetin e filozofisë e kreu në Gratz. 53 vite më parë u nda nga jeta në Palermo të Italisë.

Shërbeu vijimisht në arsimin kombëtar që nga viti 1917. Djaloshi 22-vjeçar shërbeu në radhët e arsimit për 27 vjet rresht, më të shumtën si profesor gjuhësije. Ishte inspektor arsimi në Vlorë, Shef Seksioni në Ministrinë e Arsimit, drejtor liceu, anëtar i Komisionit Teknik, profesor i shqipes dhe i latinishtes në Institutin femëror “Nana e Skandërbeu”, në Tiranë, etj.

Veproi edhe si qortues librash shkollorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës “Atdheu” (Vlorë, 1921-1922), si Inspektor Epror pranë Ministrisë së Arsimit dhe ishte pjesëtar efektiv i Institutit të Studimeve Shqiptare me cilësi letrari dhe lëvruesi të gjuhës shqipe deri më 1944.

Ishte sekretar i “Komisis Letrare” (1914-1917) dhe Inspektor arsimi në Vlorë (1921-1922). Mbas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, Karl Gurakuqi u largua për në Itali. Këtu bashkëpunoi me revistën “Shêjzat” të Koliqit. Në 1944 shkoi për pushime në Austri, por nuk u kthye në Shqipëri me vendosjen e regjimit komunist.

Më pas shkoi në Itali (Palermo) ku shërbeu si profesor në Universitetin e Palermos. Bashkëthemeloi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare me R. Petrotten e G. Valentinin që e bëri Palermon qendrën më të rëndësishme albanologjike të kohës me konferencat e botimet.

Ai vetë ishte i pakënaqur nga regjimi i ri dhe njëkohësisht i padëshirueshëm prej tij. Prej këtij viti jetën e mërgimtarit e derisa vdiq e kaloi në Austri dhe në Itali. Megjithëse jetoi 27 vjet larg atdheut, Karl Gurakuqi nuk mori nënshtetësinë e asnjë shteti të huaj.

Më 1957 emërohet këshilltar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” drejtuar nga Rexhep Krasniqi, bashkë me Mehdi Frashërin dhe Ali Këlcyrën. Kohët e fundit i kaloi pranë të birit, Gilbert në Bressanone (Bolzano) dhe vdiq në Palermo, më 6 dhjetor 1971.

Në Austri për 4-5 vjet që qëndroi aty, Gurakuqi iu kushtua, kryesisht leksikografisë. Këtu bashkëpunoi me studiuesin Ndue Paluca. Në Austri mori pjesë në hartimin e skedarit të madh të fjalorit të shqipes me shpjegime në gjermanisht për Akademinë e Shkencave të Austrisë.

Karl Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktiv të revistës “Shejzat”, një e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitin 1974. Pati edhe një numër përkujtimor në vitin 1978

Ishte anëtar i këshillit drejtues të kësaj reviste që botohej në Romë. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime. Së pari autori ka trajtuar probleme me karakter leksikologjik dhe leksikografik. Kështu në shkrimet që kishin lidhje me sinoniminë e fjalëve dhe me kuptimin e tyre e që nuk janë pak, Gurakuqi jo vetëm konstaton, por jep edhe zgjidhje, sipas mendimit të tij.

Tek “Shêjzat”, ai nuk ka lënë pa kujtuar ata dijetarë shqiptarë dhe të huaj që kanë dhënë një ndihmesë për zhvillimin e kulturës shqiptare, si dhe ngjarjet dhe botimet më me vlerë të kohës dhe të retrospektivës.

Mund të përmendim shkrimet, kryesisht, përkujtimore për Marko la Pianën. G. Petrotën, A. Xhuvanin, K. Kamsin, J. Rrotën, Gj. Fishtën, M. Lambercin, M. Sirdanin, A. Leotin, De Radën, Z. Sqiroin, për Kongresin e Manastirit, shoqërinë “Bashkimi” etj./ KultPlus.com

AIDSSH: “Mësojmë nga e kaluara”, qasje e re e mësimit të historisë përmes librit

Në kuadër të platformës edukative “Mësojmë nga e Kaluara (1944-1991)”, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi sot një takim frymëzues me nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Hamdi Muça”, Shkallnur, Durrës.

Ky ishte takimi i katërt në kuadër të turit të leximit, një nismë e mbështetur nga Këshilli i Europës (KiE), e cila do të vazhdojë deri në maj 2025, dhe u hap nga dr. Ornela Elezi, drejtore e Kërkimit Shkencor dhe Edukimit Qytetar dhe Vilma Kadesha, eksperte e KiE në Tiranë.

Libri “Dielli lind në Spaç”, i shkruar nga Rovena Rrozhani, u përdor si një udhërrëfyes për të zbuluar periudhën e errët të komunizmit në Shqipëri. Përmes moderimit të Elona Riskës, specialiste pranë AIDSSH, nxënësit reflektuan dhe diskutuan mbi një kohë që ata nuk e kanë përjetuar, por që mbart mësime të rëndësishme për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Ata u njohën me realitetin e kampit-burg të Spaçit, një vend ku të burgosurit politikë përjetuan vuajtje dhe represion të papërshkrueshëm.

Dorian Zanaliu, pjesë e grupit të punës që mblodhi mbi 60 dëshmi audiovizuale të ish-burgosurve politikë të Spaç, solli një punim audivizual, i cili tërhoqi vëmendjen e nxënësve, përmes dokumenteve fotografike, mjete të propagandës së regjimit, si materiale indoktrinuese që justifikonin shkeljen e të drejtave të njeriut, burgosjen e tyre dhe dënimet kapitale.

Takimi vijoi edhe me shfaqjen e dokumentarit “3 ditët e lirisë”, një bashkëprodhim i AIDSSH dhe KiE, i cili dokumenton revoltën e Spaçit si simbol i rezistencës ndaj diktaturës.

Kërshërisë të nxënësve dhe mësuesve për t’u njohur edhe mbi dokumentet arkivore ku është mbështetur libri “Dielli Lind në Spaç”, sektori i edukimit drejtuar nga dr. Brunilda Çërraga, iu përgjigj me një vizitë informuese në një nga sallat e arkivit të AIDSSH, ku ruhen dokumente origjinale që pasqyrojnë historinë dhe vuajtjet e të burgosurve.

Drejtori i Arkivit, Anton Dukagjini dhe eksperti i kërkimit shkencor dr. Edlir Orhani folën mbi rëndësinë që ka dokumenti arkivor për të qartësuar fakte historike. Nxënësit plotësuan një pyetësor që do të përdoret si bazë për të ndërtuar materiale mësimore më të qarta dhe më të përshtatshme për platformën digjitale.

Ky tur leximi synon të ndihmojë nxënësit dhe mësuesit të kuptojnë të kaluarën e errët të komunizmit dhe të nxjerrin mësime për të ndërtuar një të ardhme më demokratike.

Nxënësit dolën nga ky takim me një pasqyrë më të qartë mbi njërën nga periudhat më të vështira të historisë sonë kombëtare.

Ky tur është pjesë i iniciativës së përbashkët me projektin e Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike”./atsh//KultPlus.com

S’kam ardhur të këndoj

Poezia nga Leon Felipe, përkthyer nga Aurel Plasari.

S’kam ardhur të këndoj, mund ta merrni kitarën.
As të mbush dosjen time s’kam ardhur,
Që pas vdekjes shenjtor të më bëjnë.
Kam ardhur të shoh fytyrën time në lotët që rrjedhin
Drejt detit
Me lumin
E me retë.
Në lotët që fshihen në fund të pusit
Nëpër natë
E nëpër gjak.

Kam ardhur të shikoj fytyrën time në gjithë lotët e botës
Të vë një pikël zhive, vajtimi, një pikël hequr prej lotëve të mi
Mbi këtë pasqyrë të pa skaj ku të mund të më shohin e vetveten
Të njohin ata që do të vijnë.
Kam ardhur të dëgjoj sërish atë sentencë të vjetër në terr:
Me djersën e ballit bukën ta fitosh
Dhe dritën me dhimbjen e syve të tu.

Burim lotësh e burim drite janë sytë e tu./ KultPlus.com

Inteligjenca artificiale do të zvogëlojë përfitimin e muzikës

Një studim shkencor i porositur nga Konfederata Ndërkombëtare e Shoqatave të Autorëve dhe Kompozitorëve (ICSA) tregon se inteligjenca artificiale mund të kërcënojë ndjeshëm të ardhurat e punonjësve në industrinë e muzikës.

Anketa u krye nga agjencia e kërkimit dhe konsulencës PMP Strategy. Sipas raportimeve, punonjësit në sektorin e muzikës do të humbasin pothuajse një të katërtën e të ardhurave të tyre gjatë katër viteve të ardhshme për shkak të inteligjencës artificiale gjeneruese (GAI). Përveç muzikantëve, edhe punonjësit në sektorin audioviziv do të përballen me një rënie të të ardhurave me më shumë se 20 për qind, paralelisht me rritjen e tregut të VGI nga tre miliardë në 64 miliardë euro të parashikuara në vit, deri në vitin 2028. Përfundimet e hulumtimit u shpallën nga ICZAC dje në Paris të Francës.

Konfederata përfaqëson më shumë se pesë milionë autorë në mbarë botën.

Nënkryetari dhe skenaristi i MKZAK, Ángeles González-Cinde Reg, tha se mjetet e inteligjencës artificiale mund të mbështesin dhe përmirësojnë punën e kineastëve, por ekziston gjithashtu një “shqetësim i jashtëzakonshëm që në nxitimin për të shfrytëzuar dhe për të fituar para nga AI, krijuesit do të trajtohen si “me prapavijë. “, pa të drejtën e përdorimit të autorizuar të veprave të tyre.

– Hulumtimi nxjerr në pah nevojën për politika të qëndrueshme etike dhe ekonomike që vendosin të drejtat e krijuesve në qendër të botës së AI. Krijuesit njerëzorë duhet të jenë në qendër të politikëbërjes dhe rregullimit, tha ai.

Nga ana tjetër, sipas pretendimeve, rritja e shpejtë e AI do të pasurojë ndjeshëm kompanitë e mëdha të teknologjisë. Raporti thotë gjithashtu se pa mbrojtje rregullatore, mbajtja e të drejtave të autorit dhe të ardhurat do të reduktohen në mënyrë drastike.

Presidenti i MKZAK-ut dhe ish-anëtar i “ABBA”, Björn Ulveus vuri në pah Australinë dhe Zelandën e Re si vende lider në formësimin e politikave për mbrojtjen e krijuesve nga VGI. Politikat e këtyre vendeve, sipas vlerësimit të tij, mund të sigurojnë që AI të shërbejë si një mjet për të rritur kreativitetin njerëzor, jo për ta zëvendësuar atë./KultPlus.com

Walt Disney, një prej krijuesve më të njohur të filmave të animuar

Walter Elias Disney lindi më 5 dhjetor të 1901. Ishte një animator, producent filmash dhe sipërmarrës amerikan.

Një pionier i industrisë amerikane të animacionit, ai prezantoi disa zhvillime në prodhimin e filmave vizatimorë. Si producent filmash, ai mban rekordin për shumicën e çmimeve Oscar të fituara dhe nominimet nga një individ, duke fituar 22 Oscar nga 59 nominime. 

Ai u nderua me dy çmime speciale Golden Globe dhe një Emmy Award, ndër të tjera nderime. Disa nga filmat e tij janë përfshirë në Regjistrin Kombëtar të Filmit nga Biblioteka e Kongresit dhe gjithashtu janë cilësuar si disa nga filmat më të mirë ndonjëherë nga Instituti Amerikan i Filmit. Disney ishte personi i parë që u nominua për Academy Awards në gjashtë kategori të ndryshme.

I lindur në Çikago në vitin 1901, Disney zhvilloi një interes të hershëm për vizatimin. Ai mori klasa arti si djalë dhe mori një punë si ilustrues komercial në moshën 18-vjeçare. 

Më pas u transferua në Kaliforni në fillim të viteve 1920 dhe ngriti Studion Disney Brothers me vëllain e tij Roy. Me Ub Iwerks, ai zhvilloi personazhin Mickey Mouse në 1928, suksesi i tij i parë shumë popullor; ai gjithashtu dha zërin për krijimin e tij në vitet e para. 

Ndërsa studioja u rrit, ai u bë më aventurier, duke prezantuar tinguj të sinkronizuar, Technicolor me tre shirita me ngjyra të plota, filma vizatimorë me metrazh të gjatë dhe zhvillime teknike në kamera. Rezultatet, të parë në tipare të tilla si Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët (1937), Pinocchio, Fantasia (të dyja 1940), Dumbo (1941) dhe Bambi (1942), çuan më tej zhvillimin e filmit të animuar. 

Filma të rinj të animuar dhe live-aksion pasuan pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë filmin e suksesshëm kritikisht Hirushja (1950), Bukuroshja e Fjetur (1959) dhe Mary Poppins (1964), i fundit prej të cilëve mori pesë çmime Oscar. /KultPlus.com

AKZM konsultim publik për “Hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Malit të Tomorit”

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njoftoi organizimin e konsultimit të parë publik, në kuadër të nisjes së procesit të punës për “Hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali i Tomorit”.

E praninshme në këtë konsultim ishte edhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe ekipi i kompanisë fituese që do të hartojë dokumentin e PIM. Në këtë konsultim u prezantuan elementët kyç të strukturës së planit, duke vënë theksin dhe rëndësinë e angazhimit të palëve të interesuara në këtë proces. Hartimi i PIM do të bazohet në një qasje të re gjithëpërfshirëse, pa u kufizuar domosdoshmërisht në aspekte të ndryshme fizike, sociale, ekonomike dhe ekologjike të parkut.

Së bashku me të gjithë palët e interesit, bizneset, organizatat, përfaqësues të pushtetit lokal, komuniteti etj., u ndanë mendime dhe rekomandime për t’u marrë në konsideratë gjatë procesit në vazhdim, me qëllim hartimin e një dokumenti sa më praktik, real dhe të zbatueshëm, për një menaxhim efektiv të parkut./atsh/KultPlus.com

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Poezi nga Migjeni

Kanga e Rinisë

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
E na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote./KultPlus.com

Beyonce shpallet ylli më i madh i popit të shekullit të 21-të

Beyonce u shpall ylli më i madh i popit të shekullit të 21-të, sipas Billboard.

“Beyonce kryeson listën e hartuar nga redaktorët tanë bazuar në 25 vitet e ndikimit të saj”, tha kryeredaktori Andrew Unterberger.

Gjithashtu, kjo muzikante është e përkushtuar ndaj inovacionit dhe ka vendosur shiritin lart për të gjithë këngëtarët e tjerë të estradës.

Ajo ka deri në 32 Grammy dhe pritet të fitojë më shumë në janar falë albumit të saj të fundit, “Cowboy Carter”.

Kur bëhet fjalë për listat e Billboard, janë nëntë këngë që janë renditur në vendin nr. 1 dhe 24 këngët më të mira në tabelën Hot 100. Tetë nga albumet e saj kanë kryesuar tabelën e Billboard 200 Albums, duke filluar me albumin e saj debutues solo të vitit 2003, “Dangerously In Love”.

Javën e kaluar, Billboard njoftoi se Taylor Swift është ylli i dytë më i madh i popit të shekullit të 21-të, ndërsa Rihanna ishte pas saj./KultPlus.com

E di që po e lexon këtë poezi…

Poezi nga Adrienne Rich

Përktheu: Beti Njuma

Dedikim

E di që po e lexon këtë poezi
vonë, para se të lësh zyrën tënde
me të vetmen llampë të verdhë dhe një dritare që nxin
në plogështinë e një ndërtese të zhytur në qeti
kur ora e pikut ka kaluar me kohë. E di që po e lexon këtë poezi
në këmbë, në një librari larg oqeanit
në një ditë të hirtë fillim pranvere, flokë të lehtë dëbore degdisen
mes hapësirave të pamata të rrafshirave përreth.
E di që po e lexon këtë poezi
në një dhomë ku ka ngjarë shumë më tepër nga ç’mund të durosh
ku një lëmsh çarçafësh dergjen amullt mbi shtrat
dhe valixhja e hapur flet për arrati
por ende s’mund të largohesh. E di që po e lexon këtë poezi
ndërsa metroja ngadalëson shpejtësinë,
para se të rendësh nëpër shkallë drejt një dashurie të re
që jeta kurrë s’ta fali.
E di që po e lexon këtë poezi nën dritën
e televizorit, ku shfaqen pandalur imazhe pa zë,
ndërsa pret lajmet e fundit mbi intifadën.
E di që po e lexon këtë poezi në një sallë pritjeje
me sytë që ndeshin vështrime të huajsh që të panjohur do mbeten.

E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e neonit
me mërzitinë e të rinjve që ndihen të përjashtuar,
që në moshë shumë të re vetëpërjashtohen. E di
që po e lexon këtë poezi me shikim të turbullt:
xhamat e trashë të syzeve t’i zmadhojnë gërmat përtej çdo kuptimi
e ti prapëseprapë vazhdon të lexosh
ngase edhe alfabeti i çmuar është.
E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë
teksa ngroh qumështin, me një fëmijë që të qan mbi supe dhe një libër në dorë,
sepse jeta është e shkurtër dhe ti etje ke.
E di që po e lexon këtë poezi që nuk është në gjuhën tënde
domethënien e disa fjalëve nuk e di, ndërsa të tjerat të ngasin të vijosh leximin
dhe unë dua të di cilat janë.
E di që po e lexon këtë poezi në pritje që diç të dëgjosh,
e mëdyshur mes hidhësisë dhe shpresës,
që mandej t’u kthehesh detyrave që s’mund t’i refuzosh.
E di që po e lexon këtë poezi sepse nuk ke tjetër ç’të lexosh,
aty ku ke ngecur, lakuriq siç je. / KultPlus.com

Rama: Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind me një projekt inovativ

Në Durrës vijon puna për rikonstruksionin tërësor të Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje nga punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e galerisë, teksa e cilëson projektin inovativ, që përmirëson cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike, dhe nga ajo funksionale, në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë

“Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para, me një projekt inovativ që synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike dhe funksionale në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë që do të bëhen pjesë e eventeve që do të zhvillohen aty”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep WatchingKeep Watching

Më herët, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako u shpreh se “pas rreth 50 ditësh kjo galeri do të mirëpresë në ambientet e saj moderne si artistët ashtu edhe artdashësit durrsakë në eventet e shumta që zhvillohen aty.”

Galeria e arteve pamore në Durrës që nga viti 2011 mban emrin e piktorit Nikolet Vasia, duke përjetësuar kështu një nga artistët me emër të Durrësit.

Nikolet Vasia la pas një sërë veprash kryesisht në pikturë, një cikël me disa mijëra skica të objekteve arkeologjike të Durrësit, si dhe disa punime mozaikësh në Durrës dhe në Krujë./tema/KultPlus.com

Natë me hënë

Poezi nga Jozef fon Ajhendorf

Ishte sikur qielli
Qetësisht puthi tokën
Se ajo gonxhe tani lulëzon
Për të cilën ju ëndërroni.

Ajri kalonte nëpër fusha
Kallinjtë butësisht tundeshin
Pyjet heshtur shushurinin
E me aq plot yje qe nata.

Dhe shpirti im u shqetësua
Hapi krahët
E fluturoi mbi tokat e heshtura
Sikur fluturoi për në shtëpi.

Nga origjinali gjermanisht, përktheu: Naim Kryeziu. / KultPlus.com

Gonxhja: Vijon puna për Teatrin e ri Kombëtar, simbol i ri i artit dhe kulturës

Puna për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar në kryeqytet po vijon, ndërsa ky projekt synon të kthehet në një simbol të ri të artit dhe kulturës shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me arkitektët e “Bjarke Ingels Group” dhe nënkryetaren e bashkisë së Tiranës, Frida Pashako, inspektuan sot punimet në këtë kantier.

Gonxhja bëri të ditur se deri tani kanë përfunduar punimet për mbrojtjen e gropës së themeleve, betonimi i pllakës së themelit, pjesërisht elementët vertikalë dhe një pjesë e soletës.

“Godina e re, e konceptuar me standardet më moderne, do të ofrojë hapësira funksionale dhe kreative për artistët, publikun dhe administratën, duke krijuar një përvojë unike dhe gjithëpërfshirëse. Po ashtu, ambiente të dedikuara për aktivitete të ndryshme”, tha ministri.

Sipas tij, “projekti synon të sjellë një dimension të ri në përjetimin e artit skenik”.

Teatri i ri do të ketë disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht, do të ketë një hapësirë prej 750 metrash katrorë auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metrash katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metrash katrorë secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metrash katrorë që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katrorë, tualete dhe dushe, si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do të ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha lehtësirat për publikun./atsh/KultPlus.com

Jeta e vështirë e Mozartit, letra me të cilën ai i drejtohet mikut të tij për t’i kërkuar borxh

Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes.

Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë.

I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:

“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.

Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!

Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!

Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.

O perëndi!

Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh të ri, kërkesa të reja.”/ KultPlus.com

“GenCast” modeli i ri i motit që ofron parashikime 15-ditore

– Një model i ri i motit i bazuar në inteligjencën artificiale mund të japë parashikime 15-ditore me saktësi dhe shpejtësi të pakrahasueshme – përmes aplikacioneve që mund të shpëtojnë jetën ndërsa ndryshimet klimatike rriten, tha sot Google.

“GenCast”, i shpikur nga laboratori kërkimor i inteligjencës artificiale me qendër në Londër, “Google DeepMind” shfaqi aftësi më të mira parashikimi krahasuar me modelin aktual, tha sot kompania.

Qendra Evropiane për Parashikimet e Motit me Distanca të Mesme (ECMWF) ofron parashikime për 35 vende dhe konsiderohet si një pikë referimi globale për saktësinë meteorologjike.

Por “DeepMind” tha që “GenCast” e tejkaloi saktësinë e parashikimeve në më shumë se 97% të 1320 skenarëve të botës reale nga viti 2019.

Detajet e gjetjeve të tij u botuan në “Nature”, një revistë kryesore shkencore.

Shefja e ECMWF Florence Rabier tha se projekti ishte një “hap i parë” drejt integrimit të IA-së në parashikimin e motit.

“Ne po përparojmë vit pas viti. Çdo metodë e re që mund të përmirësojë dhe përshpejtojë këtë progres është jashtëzakonisht e mirëpritur në kontekstin e presioneve ekstreme të ndryshimeve klimatike”, tha ajo.

Modeli u testua për katër dekada dhe mund të ofrojë një parashikim 15-ditor në vetëm tetë minuta – krahasuar me orët që duhen aktualisht.

“GenCast” ofron parashikime më të sakta të motit të përditshëm dhe ngjarjeve ekstreme sesa sistemi kryesor operacional deri në 15 ditë përpara”, tha “DeepMind”.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se moti ekstrem po bëhet më i zakonshëm dhe më i rëndë – si rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu./KultPlus.com

‘Zjarri i saj i mbytur është flakërima e çakmakut’

Poezi nga Eugenio Montale

S’do mend që pulbardhat rajonale pritën së koti
thërrmijat e bukës që hidhja
në ballkonin tënd me shpresën se ti do dëgjoje
këlthitjet e tyre edhe pse e kyçur në gjumë.

Sot nuk paraqitet në takim asnjëri prej nesh
dhe mëngjesin tonë e ka zënë ngrica mes pirgjeve
të librave pa dobi në rastin e tim dhe në tëndin reliktesh
që s’di: kalendarë, kutiçka, shishka dhe kremëra.

Mbresëlënëse fytyra jote ngulmon sërish, e shqueshme
mbi themelet gëlqerorë të mëngjesit;
porse një jetë pa flatra s’e arrin dot dhe zjarri i saj
i mbytur është flakërima e çakmakut.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

‘Në qofsh burrë i menqur’, një interpretim me shumë urtësi nga Mirush Kabashi (VIDEO)

Një vit më parë, në moshën 75 vjeçare ka ndërruar jetë aktori i njohur, Mirush Kabashi. Ai ishtë aktor i më se 100 roleve në teatër dhe kinematografi, ku ndër to më i veçanti është ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”.

Kabashi përgjatë viteve të fundit ka interpretuar poezi dhe monologje duke u bërë një nga interpretuesit më të mëdhenj shqiptar, me të cilat do të mbetet i paharruar në mendjen e publikut.

Sot në një vjetorin e vdekjes e tij, KultPlus jus sjell interpretimin e tij “Në qofsh burrë i menqur”:

Sot, Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit

Më 5 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit.

Në Kosovë, kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.

Duke filluar nga ora 11:30, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të organizohet ngjarja për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit në Kosovë, me moton “Volunteer Noë For Our Common Future”.

Ngjarja do të organizohet në bashkëpunim mes MKRS-së dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Në ngjarje do të marrin pjesë Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim.

Në kuadër të ngjarjes do të shpallen edhe vullnetarët e vitit./KultPlus.com

QKLL, aktivitet kushtuar patriotit Petër Prifti

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti një aktivitet kushtuar 100-vjetorit të lindjes së figurës së njohur Petër Priftit.

Eleni Karamitri, hartuesja e një monografie për Petër Priftin nxori në pah vlerat e kësaj figure me aktivitete të shumta në diasporë, veçanërisht në SHBA, ku jetoi dhe punoi. Petër Prifti u cilësua si burim kulture dhe ambasador i saj në diasporë. Ai ka qenë aktivist patriot, krahas Fan Nolit, At Artur Liolin etj.

Thuajse të gjithë veprat e Peter Priftit, në filozofi, gjuhësi, letërsi e histori, janë në gjuhën angleze, ndonëse shumë kanë subjekte nga vendi ynë.

Profesor Xhevat Lloshi ngriti lart figurën e Petër Priftit dhe kontributin në linguistikë dhe studimet letrare. Sipas tij, shqipja standarde edhe si nocion i atribuohet atij, në një studim të kryer vite më parë. Petër Prifti, sipas pjesëmarrësve në këtë takim, ishte etaloni i akademikut të studimeve shqipe në Amerikë dhe në botë.

Gjithashtu ai ishte një atdhetar i spikatur, jo me fjalë, por me studimet e tij, të cilat u mbështetën dhe nga shoqata patriotike shqiptaro-amerikane Vatra, si dhe organi i saj, gazeta Dielli./atsh/KultPlus.com

Veprat e Salvador Dali, për të parën herë në një galeri shqiptare

Për herë të parë në vendin tonë do të ekspozohen veprat e piktorit surrealist, Salvador Dali, një nga emrat më të njohur në mbarë botën.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga sot, 5 dhjetor e deri më 12 shkurt 2025, në galerinë Naan. Ekspozita me veprat e Dali, titullohet “Sogno divino” (Ëndërr hyjnore) dhe përmban 100 vepra origjinale të artistit shumëdimensional, si një ilustrim i “Komedise hyjnore” të Dante Alighieri-t.

“Sogno divino” ka për kuratorë Zef Pacin dhe Ajola Xoxën. Galeria Naan do të presë artdashësit çdo ditë, përveç të hënave.

Salvador Dali pati një repertor artistik që përfshinte pikturën, skulpturën, filmin, artet grafike, animacionin, modën dhe fotografinë, ndonjëherë edhe në bashkëpunim me artistë të tjerë.

Ai gjithashtu shkroi poezi, autobiografi, ese dhe kritikë. Temat kryesore në punën e tij përfshijnë ëndrrat, subkoshiencën, seksualitetin, fenë, shkencën dhe marrëdhëniet e tij më të ngushta personale.

Përveç artit, ai bënte bujë edhe për sjelljen e tij të çuditshme që shpesh tërhoqi vëmendjen më shumë sesa veprat e tij artistike. Jeta dhe vepra e tij patën një ndikim të rëndësishëm në surrealistët e tjerë, në pop art, kulturën popullore dhe artistë bashkëkohorë si Jeff Koons dhe Damien Hirst./ KultPlus.com