‘Me ty unë jam i ri’

Poezi nga Marc Chagall

Për vavan

Me ty unë jam i ri
Kur atje poshtë pemët kërcënojnë
Dhe qielli zhduket në largësi
Sytë e tu më ledhatojnë
Kur çdo hap humb mbi bar
Kur çdo hap unë ujin prek
Kur valët më kulmojnë mbi kokë
Dhe nga kaltërsia dikush më thërret

Me ty unë jam djalosh
Bien vitet e mia si gjethe me qetësi
Dhe dikush ngjyros telajot e mia
Atëherë ato shkëlqejnë për ty

Dhe në fytyrën tënde buzëqeshja është dritë
Edhe më me dritë se retë e bardha borë
Pastaj unë vrapoj drejt për atje ku je ti
Ku më mendon dhe më pret me orë./KultPlus.com

Projekti Arkeologjik i Shkodrës fiton çmimin prestigjioz ndërkombëtar

Projekti Arkeologjik i Shkodrës (PASH), një bashkëpunim mes Universitetit të Michigan-it dhe Universitetit të Tiranës, ka fituar çmimin prestigjioz Anna Marguerite McCann Award for Fieldwork Reports 2025 nga Instituti Arkeologjik i Amerikës (AIA).

“Lajm i shkëlqyer për arkeologjinë shqiptare!”, e cilëson Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore fitimin e këtij çmimi prestigjioz shkencor.

IKTK njoftoi sot se projekti, i drejtuar nga Michael L. Galatey dhe Lorenc Bejko, përqendrohet në studimin e ndryshimeve të vendbanimeve dhe sjelljeve sociale nga Parahistoria deri në ditët e sotme.

Rezultatet përfshijnë studime mbi tre vendbanime, tre tuma, artefaktet/objektet prej qeramike dhe guri, si dhe analiza te izotopeve faunale e petrografike. Këto gjetje janë thelbësore për avancimin e kërkimeve arkeologjike./atsh/KultPlus.com

Rama: Dhjetori i festave në Fier

Edhe qyteti i Fierit ndezi sot dritat e festave të fundvitit.

“Dhjetori i festave në Fier”, shkroi Kryeministri Edi Rama, i cili ndau sot pamje nga festimet në qytetin e Fierit, ku në sheshin qendror u ndezën dritat e festave.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh se ndezja e dritave sjell ngrohtësi, dashuri dhe gëzim.

“I ndezim dritat e pemës së fundvitit, duke sjellë ngrohtësi, dashuri dhe gëzim në zemrat tona. Me shpresën që viti i ri të na dhurojë mbarësi, paqe dhe suksese. Gëzuar Festat dhe një vit të ri plot lumturi 2025”, shkroi Subashi në rrjetet sociale.

Fëmijë dhe qytetarë u mbldhën në sheshin qendror të qytetit të Fierit, duke festuar ndezjen e dritave shumëngjyrëshe si dhe duke shijuar shfaqjen me këngë e kërcime.

Dekori i këtij viti është shtrirë gjithashtu përtej qendrës dhe këtë vit ka risi që mbeten për t’u zbuluar si nga banorët, ashtu edhe turistët.

Dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike të Fierit e kanë zbukuruar atë, duke e shndërruar në një qytet vërtet magjik.

Dritat dhe zbukurimet janë vendosur në të gjitha pemët përgjatë rrugëve kryesore si dhe përgjatë pedaonales në lumin Gjanica, ndërkohë që edhe rrugët janë mbuluar nga dekori festiv./atsh/KultPlus.com

AFP shkruan për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Për disa është një mrekulli arkitekturore, me kupolat e saj dhe grilat vezulluese prej çeliku.

“Është qershia mbi tortën e Prishtinës dhe të Kosovës”, deklaroi guida turistike vendase, Muamer Hasani.

Sa herë që “kërkoni diçka për Prishtinën, fotografia e parë që del është e bibliotekës kombëtare”, shtoi ai.

Por për të tjerët, ndërtesa është e neveritshme.

“Është aq e shëmtuar sa të verbon”, tha një banor i Prishtinës në moshë të mesme, i cili kërkoi të mos përmendet emri, shkruan AFP, transmeton Klankosova.tv.

“Kemi jetuar me të për dekada dhe ende nuk është rinovuar. Është e bezdisshme, por çfarë mund të bëjmë?”

E hapur në vitin 1982, biblioteka ka dëshmuar herë pas here ngritjet dhe uljet e hidhura të Kosovës — nga shpërbërja e Jugosllavisë te lufta e përgjakshme me Serbinë në fund të viteve 1990, pavarësia dhe gjithë historia e trazuar që atëherë.

‘Objekt ikonik’

74 kupolat e saj të tejdukshme u projektuan për të siguruar ndriçim natyral për dhomat e leximit. Rrjeti prej çeliku që mbulon pamjen e tij të jashtme brutaliste shmang dritën e diellit, duke ftohur ndërtesën dhe duke mbrojtur librat brenda.

Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, i cili mbikëqyri projektin, tha se ai u përpoq të pasqyronte kulturën dhe historinë e larmishme të Kosovës.

“Si çdo arkitekt, unë jam i dashuruar me ndërtesën time. Më vjen mirë që shoh se 40 vjet pas ndërtimit të saj, ajo është ruajtur aq bukur sikur u hap dje”, tha Mutnjakoviç për AFP.

Ai ka pak kohë për ata që e kritikojnë.

Drejtoresha e bibliotekës Blerina Rogova Gaxha është dakord.

“Është një objekt ikonë i kulturës kosovare, duke i dhënë vetë Prishtinës identitet sepse është objekti kryesor në kryeqytet që bie në sy”, tha Rogova Gaxha për AFP.

Dizajni i saj i bën homazh kulturave të lashta që dikur kishin sunduar Kosovën, tha ajo — romakët, bizantinët, osmanët dhe ilirët.

‘Vezë xhelatinoze’

Por për të sapoardhurit në kryeqytetin e Kosovës, referencat kulturore dhe shkëlqimi arkitektonik nuk janë gjithmonë të dukshme në shikim të parë, madje as në shikim të dytë.

Guida e udhëtimit Lonely Planet e quajti bibliotekën “lehtësisht një nga ndërtesat më të shquara të Prishtinës”.

“Mendoni vezët xhelatinoze të veshura me forca të blinduara”, shtoi ai.

“Ndërtesa duket mjaft e çuditshme. Është arkitekturë brutale, por interesante”, tha Julie, një studente nga Varshava, e cila po fotografonte bibliotekën nga disa këndvështrime.

“Ndoshta nuk është më e bukura sepse ka shumë beton dhe është gri nga jashtë”, tha Paula Gers, një studente që po vizitonte nga Gjermania.

“Unë nuk do ta renditja atë ndër më të shëmtuarat. Kam parë shumë më keq”.

Për drejtorin e bibliotekës, debati i vazhdueshëm mbi estetikën e saj është një bekim në maskim.

“Nuk ka lexues sa dikur, por ka një numër të jashtëzakonshëm të vizitorëve vendas dhe të huaj”, tha Gaxha.

“Të gjithë duan të vijnë dhe të shikojnë veten, tha ajo, duke u përpjekur të kuptojë “pse konsiderohet më e shëmtuara”, duke dashur ta shohë atë nga brenda dhe nga jashtë./klankosova/KultPlus.com

Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet

Nga Naum Veqilharxhi

(Letra polemizuese enciklike dërguar nipit të tij në Vjenë, më 1845, që çmohet si një ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare)

Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena, i dashur nip, dhe menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot?

Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan!
Mësimet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja.

Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq.

Duket se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…

“U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…

O nip! Vetëm kafshët nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël.

Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij?

Por, u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…

Shpikësit e shkronjave nuk sjellin dëm, por përparim!…

Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve, por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës:

Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos. Unë, i dashur nipi im, mund të zgjatesha më shumë akoma dhe të bëja më shumë sqarime, por kujtoj se edhe këto janë të mjafta, nga të cilat kuptohet edhe pikëpamja ime edhe sistemi im, a është një ëndërrim i thjeshtë, apo ka edhe ky bazat e tij duke pasur për të ardhmen të mirat e tij që shpresojmë. Të uroj shëndet, mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë, vetëm të dobishmet. / KultPlus.com

Çeku: U rinovua objekti i ish-konsullatës austro-hungareze në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se është rinovuar objekti i ish-konsullatës austro-hungareze në Prizren.

Në një postim në Facebook ai ka thënë se ky aset është në mbrojtje të përhershme.

“Ndërtesa që i takon shek. XIX-të, për nga forma, proporcionet dhe trajtimi artistik paraqet një nga shembujt karakteristik të arkitekturës tradicionale të ndërtesave publike në qytetin e Prizrenit të kësaj periudhe. Punë. Përditë”, ka thënë Çeku./KultPlus.com

‘Imagjino sikur të mos ketë parajsë, e thjeshtë ta provosh’

Poezi nga John Lennon

Imagjino sikur të mos ketë parajsë
e thjeshtë ta provosh…
Pa ferr poshtë nesh,
vetëm qiell mbi ne.
Imagjino gjithë njerëzit
të jetonin të sotmen.

Imagjino të mos ketë shtete
s’është e vështirë ta bësh;
asgjë për të cilën të vrasësh ose të vdesësh,
dhe as religjion gjithashtu..
Imagjino gjithë njerëzimin
në paqe të jetonte…

Ti…
Ti mund të thuash jam një utopist/ëndërrimtar
por nuk jam i vetmi.
Shpresoj që një ditë, ti të bashkohesh me ne,
dhe bota të jetë një…

Imagjino pa zotërime,
pyes veten nëse mundesh.
Pa nevojë për lakmi apo uri,
sall vëllazëria jonë njerëzore…

Imagjino gjithë njerëzit
ta ndajnë botën
dhe bota të jetë një…/KultPlus.com

Restaurimi i Muzeut Arkeologjik, impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit në Durrës

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka bërë me dije sot se vijon me ritme të larta puna për restaurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Ky restaurim sipas Sakos, por kryhet në kuadër të programi EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“EU4Culture është një program mjaft i rëndësishëm për qytetin tonë që do të sjellë rivitalizimin dhe futjen në guida ndërkombëtare të disa objekteve të trashëgimisë sonë kulturore. Këto ndërhyrje do të sjellin impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në qytetin tone”, tha Sako në një postim në Facebook.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Ai është muzeu arkeologjik më i madh në vend, me një koleksion të gjerë të përbërë nga më shumë se 3000 artefakte të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut, gjë që tregon për zhvillimin e qytetit të Durrësit gjatë Antikitetit të Vonë dhe në Mesjetë.

Pas rinovimit, muzeu do të ketë një pamje moderne dhe do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme arsimore që do t’i lejojë vizitorët të “zhyten” dhe të përjetojnë historinë e lashtë përmes tregimit klasik dhe të teknologjisë së lartë, si dhe realitetit virtual e mjeteve multimediale. Vizitorët do të jenë në gjendje të lundrojnë në historinë e lashtë të Durrësit, duke eksploruar rrugë të riskicuara, të mrekullohen me thesaret e reja të zbuluara gjatë misioneve të fundit arkeologjike nënujore dhe të mblidhen së bashku për ngjarje dhe shfaqje kulturore nën një hapësirë urbane në natyrë tërësisht të ridizajnuar./atsh/KultPlus.com

15 mendime të bukura mbi dashurinë

15 mendime të bukura mbi dashurinë:

“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.”
– Simone de Beauvoir

“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.”
– Bertrand Russell

“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.”
– François de La Rochefoucauld

“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”
– Arthur Schopenhauer

“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshiron tonë për të qenë komplet.”
– Plato

“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.”
– Albert Einstein

“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.”
– Herman Hesse

“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.”
– Fyodor Dostoevsky

“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.”
– Kahlil Gibran

“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.”
– Friedrich Nietzsche

“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.”
– Virgil

“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.”
– Socrates

“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndërrat e juaja.”
– Dr. Seuss

“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.”
– Ernest Hemingway

“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.”
– Honore de Balzac / KultPlus.com

Kisha e Shën Nikollës në Dhuvjan të Gjirokastrës do të restaurohet

6 dhjetori, Dita e Shën Nikollës, shënon momentin magjik të ndezjes së pemës së Krishtlindjeve, një fillim i gëzueshëm i sezonit festiv.

Me këtë rast, DRTK Gjirokastër ndau një foto nga Kisha e Shën Kollit në Dhuvjan, duke uruar besimtarët e krishterë, por veçanërisht për të dhënë lajmin e mirë se Cultural Heritage Without Borders Albania, së shpejti do të fillojë restaurimin e çatisë historike të kësaj kishe, një projekt i mbështetur bujarisht nga Gerda Henkel Foundation.

E themeluar në Suedi, në 1995, Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) filloi bashkëpunimin e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe më pas u zgjerua në Kosovë e Shqipëri.

Lëvizja në qytetin e Gjirokastrës u bë në vitin 2006. Ky aktivitet u pasua nga Kampi i Parë Rajonal i Restaurimit, i cili u zhvillua në Shtator 2007 në bashkëpunim me OJQ-në shqiptare Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO) dhe Shoqatën Suedeze për Ruajtjen e Ndërtesave./atsh/KultPlus.com

Dita e Shën Nikollës ose e babagjyshit të Krishtlindjes

Sot është dita e shën Nikollës, shenjtori që bën bashkë të krishterët orthodoksë dhe ata katolikë, pasi njihet e nderohet prej të dyja besimeve.

Shën Nikolla është një nga shenjtorët më të njohur në mbarë botën, për shkak se figura e tij është komercializuar duke e paraqitur edhe si personazhin e përrallave që shpërndan dhurata për fëmijët, në prag të Krishtlindjes. Për shumë vende, 6 dhjetori është dita kur zbukurohet pema e Krishtlindjes.

Shën Nikolla njihet ndryshe si Nikolla i Mirës (qytet i Turqisë së sotme), Shën Kolli (në Shqipëri), dhe me emrat si Nikolaus, Klaus etj. Ai është shenjtori mbrojtës i qytetit të Barit, në Itali, ku ende ruhen eshtrat dhe sende personale, të grabitura nga Turqia që në shekullin e 11-të. Duke qenë se ka shumë legjenda dhe mrekulli që i atribuohen atij, shën Kolli njihet ndryshe edhe si shenjtori mrekullibërës. Përkujtohet nga Kisha Ortodokse si dhe Romano-Katolike më 6 dhjetor, në ditën e tij të vdekjes.

Në Shqipëri kishat që mbajnë emrin e këtij shenjtori janë të përhapura kudo ka besimtarë të krishterë, ortodoksë e katolikë.

Ky objekt kishtar i përket shek.XIV me përmasat 17×8 m. Në anën e djathtë, pranë absidës ende sot ruhen gjurmët e afreskut ku paraqitet imazhi i Shën Nikollës. Në historinë e mesjetës së vonë, ky objekt religjoz lidhet dhe me figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbe, trupi i të cilit u varros aty me 17 janar 1468./ KultPlus.com

Idetë e Naum Veqilharxhit, për këndelljen e gjuhës shqipe

Emil Lafe

Naum Veqilharxhi, një emër i madh i atdhetarisë dhe i kulturës shqiptare, ideues dhe nismëtar me merita të shquara i zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe i përtëritjes së traditës së shkrimit të gjuhës shqipe, tashmë si armë e një programi me synime të larta.

Në kohën kur zhvilloi veprimtarinë e vet N. Veqilharxhi, popujt e Ballkanit kishin filluar të ngriheshin për të formuar shtetet e tyre kombëtare. Greqia sapo kishte dalë si shtet i pavarur në arenën evropiane. Kjo lëvizje politike qe shoqëruar me lëvizje kulturore, ku vendin e parë e zinte kërkesa për të alfabetizuar popullin, për të mësuar shkrim e lexim në gjuhën e vendit.

Prandaj dolën edhe abetaret e para të gjuhëve të Ballkanit. Por gjendja ekonomike dhe kulturore-arsimore e Shqipërisë nën pushtetin osman ishte e mjerueshme. Pashallëqet shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) që funksionuan si shtete autonome, ishin mbytur me dhunë nga Porta e Lartë. Tradita e shkrimit, e cila kishte marrë një hov të ri në shek. XVII me Budin, Bardhin e Bogdanin, siç ka vënë re E. Çabej, për disa rrethana të brendshme e të jashtme vërtet se nuk u ndërpre krejt në kohën pas shekullit të këtyre autorëve, po megjithatë kishte rënë fashë në shumë pikëpamje.

Gjuha shqipe shkruhej pak, dhe kur shkruhej, përdoreshin kryesisht tri alfabete sipas përkatësisë fetare (latin, grek dhe arab). Dukej atëherë gati si e pamundshme që gjuha shqipe të kishte një alfabet të vetëm, i cili do t’i bashkonte shqiptarët dhe do të ishte hapi i parë për të arritur te një gjuhë letrare kombëtare e përbashkët.

Dihet tashmë se Naum Veqilharxhi botoi dy abetare, më 1844 dhe 1845. E para ishte shumë e thjeshtë, vetëm 8 faqe. Por shqiptarët e pritën ashtu siç pret shiun e verës toka e zhuritur dhe e tharë nga thatësira e gjatë. Naumi u trimërua nga kjo dhe botoi një të dytë me 50 faqe, ku pati hapësirën e nevojshme për të hedhur e për të shtjelluar edhe disa ide të tij në frymën iluministe të lirisë dhe të barazisë e miqësisë ndërmjet popujve.

Ideja themelore frymëzuese e Naumit për ato abetare është ngritja e vetëdijes kombëtare për mësimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, veçanërisht nga brezi i ri, krijimi i bindjes se gjuha shqipe është e aftë të bëhet gjuhë e shkollës dhe e kulturës ashtu si gjuhët e tjera. Këtë Naumi e ka shprehur qartë. Ai e vlerësonte gjuhën amtare si mjetin kryesor dhe të pazëvendësueshëm për shkollimin dhe kulturimin e popullit. Kushti i parë për këtë ishte që shqiptarët të kishin shkronjat e veta, d.m.th. të caktohej një alfabet i përbashkët dhe i pranueshëm për të gjithë. Kjo ishte pjesa më e vështirë e punës. Shkronjat duhet të nxëmë, se gjuhën e marrim bashkë me qumështin e gjirit të nënave: “djali sa do i vogël të jetë, gjithë mundimnë e të rëndit do e ketë sa të nxërë shënimet e të foltmit, do me thënë: ëvet, pastaj gjuhën s’duhet ta mpsonjë se e ka të lertë nga mëm’eti, e çdo kartë që të marë ndë dorë, e këndon edhe e kupëton edhe kur të arinjë mbë mpsomjet e lartëra përsëri mbë gjuhë të ti çpejt mer përpara.” (f. 85). Naumi i këshillon shqiptarët e kamur që të mos i lodhin fëmijët duke i shkolluar drejt e në gjuhë të huaja e në shkolla të huaja, se fëmija “po të njohë gjuhën e ti mirë, çpejt e lehët, mpson çdo të huaj” (po aty).

Por, në ç’gjendje ishte gjuha shqipe në kohën e Naumit dhe cilat ishin detyrat më të ngutshme e parësore për atë që me termat e sotshëm do ta quajmë politikë gjuhësore. Diesit e letërorët tanë të shekullit XVI, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, ankohen me të madhe se gjuha jonë po prishej e po bastardohej me të shpejtë duke humbur fjalët e veta e duke u mbushur me fjalë të huaja prej gjuhëve fqinje. Në kohën e Naumit natyrisht gjendja kishte shkuar edhe më keq. Nga njëra anë turqishtja si gjuha e administratës osmane dhe e jetës së përditshme ekonomike të shumë shqiptarëve, nga ana tjetër greqishtja (për Shqipërinë e Jugut) si gjuhë e shkollave të shumta për ortodoksët, gjuhë e kishës dhe institucioneve arsimore e kulturore shumë aktive ndaj shqiptarëve, e kishin rrudhur shqipen në disa funksione të pakta e të thjeshta të komunikimit të rëndomtë në jetën e përditshme.

Hapi i dytë i rëndësishëm ishte pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj. Gjatë punës për abetaren e dytë ai vëren se gjuha shqipe për shkak të rrethanave historike e kulturore (nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës) dhe më fort për shkak se nuk ka qenë një gjuhë që të mësohej në shkollë (edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mpsuarit), ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja. (fq. 89). Le të shënojmë me këtë rast se ai futi në përdorim i pari termin fjalë e huaj. N. Veqilharxhi u ballafaqua kështu me një problem themelor: ç’duhej të bënte me këto fjalë e shprehje të huaja? Ja përgjigjja e tij: e para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë; dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë (po aty). Kështu fillon ajo që është cilësuar si lufta e rilindësve për pastërtinë e gjuhës shqipe, kështu fillon edhe neologjia e pasur dhe ende e pastudiuar mirë e Rilindjes Kombëtare. Ky qëndrim ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes dhe N. Veqilharxhi është autori i parë i atij programi.

Hapi i tretë ishte pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe me fjalë të përshtatshme: a) të mbledhura nga goja e popullit pa dallim në vise të ndryshme nga veriu në jug; b) të krijuara nga letrarët dhe njerëzit e diturive me brumin e gjuhës shqipe, në ngjashmëri me fjalët e gjuhës popullore.

Naumi është një nismëtar i madh në drejtimet e sipërpërmendura. Ai vetë dha shembullin më të ndritur në këtë fushë aq të vështirë dhe u bë udhërrëfyes për brezin e atyre që themeluan Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip (Stamboll, 1879). Është kuptimplotë veprimi i autorëve të “Allfabetares së gjuhësë shqip” Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Koto Hoxhi (1879), cilët vunë në ballinën e librit të tyre vargjet e Naumit: Kurrëkush me mënt të vet/ mos mburretë se ndiç gjet./ Pa dashun’ i madhi Zot,/ fletë pema s’lëshon dot. (me ndonjë ndryshim në vargjet 3 e 4). Kjo tregon se ata e njihnin dhe e çmonin veprën dhe idetë gjuhësore të Naumit. Këto ide Naumi i konkretizoi me shembuj të mjaftueshëm në ato pak faqe të “Ëvetarit” të tij të vitit 1845.

Nuk është rasti t’i marrim e t’i shqyrtojmë një për një fjalët e huaja që ai këshilloi të nxirreshin nga përdorimi, fjalët që krijoi ai vetë për të pasuruar gjuhën shqipe, fjalët e vjetra të “parpleqve” (stërgjyshërve) që ai deshi t’i ringjallte. Por do të ndalem te një shembull. Në një vend të Ëvetarit ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanepsem (nga turqishtja) ose metanoi (nga greqishtja) të përdorin fjalën pënohem (pendohem), të cilën e cilëson si fjalë gegërisht (2). Kjo dëshmon se ai kishte një ide shumë të drejtë për fjalorin e gjuhës letrare shqipe: ta vlerësojmë fjalën jo sipas prejardhjes dialektore, por sipas vlerës së saj për gjuhën letrare; shqiptarët e jugut më mirë le të marrin e të mësojnë fjalët e gegërishtes (sado të panjohura për ta), sesa të përdorin fjalë të turqishtes a të greqishtes – po kështu edhe anasjelltas.

Parimet dhe idetë gjuhësore që parashtroi Naumi në Ëvetarët e tij mund të duken sot thjesht si fryt i një mendjeje të shëndoshë, por kemi arsye të besojmë se ato janë edhe fryt i studimeve dhe i përpjekjeve të Naumit për të zgjeruar njohuritë dhe kulturën e tij filologjike. Gjatë atyre njëzet e ca vjetëve që punoi për të bërë shkronjat e abetareve të tij, Naumi u interesua të mësonte nga përvoja e atyre që ishin përballuar më parë me ato probleme dhe krahas kësaj të njihte sa më gjerë gjuhën shqipe ashtu si flitet në krahina të ndryshme të vendit nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Për të gjuha shqipe ishte një dhe e pandarë, ishte një pasuri e madhe kulturore e përbashkët. Ashtu siç thotë edhe mentori i urtë i gjuhësisë shqiptare, akad. Idriz Ajeti, të cilit sivjet i festuam 100-vjetorin, portat e fjalorit të gjuhës letrare shqipe janë të hapura në të dy krahët për fjalët e ligjërimeve popullore nga të gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe, natyrisht kur ato nuk janë fjalë të huaja dhe kur sjellin një vlerë të caktuar emërtuese ose stilistike në sistemin leksikor të shqipes letrare.

Idetë gjuhësore të Naumit gjetën zbatim të gjerë te rilindësit dhe ndër ta më i merituari në këtë fushë është pa dyshim Naim Frashëri. Përmendja e emrit të tij më sjell ndër mend artikullin e Norbert Joklit “Naim Frashëri dhe pasurimi i gjuhës shqipe” (3). Punën e Naim Frashërit për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqipe Norbert Jokli e krahason me punën që kanë kryer lëvrues të tjerë të gjuhëve të ndryshme, kur popujt përkatës në rrethana të caktuara historike “janë zgjuar përsëri për të gëzuar një jetë të re mendore”, si p.sh. hungarezët, çekët, serbët.

Te puna që kanë bërë për gjuhët e veta filologu hungarez F. Kazinczy e ndjekësit e tij, filologu çek Josef Jungmann dhe filologu serb Vuk Stefan Karaxhiç, i cili ka ndjekur po atë teori, Norbert Jokli shikon shembullin që dha dijetari i gjithanshëm gjerman G. Ë. Leibniz (1646-1716) për gjermanishten dhe shtron hamendjen se “Është e mundshme që Naim Frashëri ta ketë njohur shkrimin e Leibniz-it “Unvorgreifliche Gedanken betreffend die Ausübung und Verbesserung der deutschen Sprache” (4), shkruar rreth vitit 1697, sepse e përmend emrin e Lajbnicit në “Istori e Shqipërisë” (f. 36), në atë vend ku bën fjalë për formimin e fjalëve shqipe (5) …

Në qoftë se e krahasojmë metodën e Naim Frashërit për pasurimin e gjuhës shqipe me parimet e Leibniz-it, kjo hipotezë i afrohet së vërtetës.” Jokli sqaron se Leibniz-i në librin e vet ka parashtruar këto mjete për pasurimin e fjalorit të gjuhës gjermane: a) kërkimi dhe përhapja e fjalëve të qena, të mira, por pak të përdorura e pak të pëlqyeshme; b) ringjallja e fjalëve të vjetra, por të mbetura në harresë (përkujdesja e gojës së popullit); c) mënjanimi i fjalëve të huaja, kur nuk duhen; c) formimi i fjalëve të reja sipas rregullave të analogjisë, më një anë kompozita e më anë tjetër të prejardhura.

Këtë hamendësim të Norbert Joklit se Naim Frashëri mund t’i ketë njohur parimet që pati formuluar Leibniz-i për gjuhën gjermane, kemi të drejtë ta shtrojmë edhe për Naumin, aq më tepër po të kemi parasysh se ai e njihte gjermanishten, sepse kishte studiuar për drejtësi në Vjenë (6) dhe ishte njeri me kulturë të gjerë dhe me interesa në fushën e lëvrimit të gjuhëve. Naumi kishte vërejtur nga afër se si filologët e vendeve të Ballkanit punonin për përparimin e gjuhëve të veta, duke hedhur themelet e formave letrare kombëtare të këtyre gjuhëve. Vështruar në këtë kontekst mund të themi se Naum Veqilharxhi ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur për zgjimin kulturor të shqiptarëve nëpërmjet mësimit dhe lëvrimit të gjuhës së vet amtare. / KultPlus.com

Roman i meditimit të thellë filozofik

Shkruan: Shefqet Dibrani

Romani “Jeniçeri i fundit”, shënon një arritje specifike në letrat shqipe. Jusuf Buxhovi, është i shkolluar për letërsi dhe i specializuar në histori, prandaj këto dy afinitete krijuese janë tamam si dy komponente krijuese të cilat i ka inkorporuar në romanin historik, ku rrëfimi letrar është konceptuar mbi argumentin historik duke e sajuar komponentën e tretë, përkatësisht konceptin filozofik si synim përcaktues.

Romani „Jeniçeri i fundit“, është në vazhdën e temave historike që merret me të shkuarën për ta emancipuar të tashmen, e cila sido që të jetë, qysh të nesërmen, bile në sabah, kalon në pronësi të historisë, prandaj kufiri në mes historiografisë dhe letërsisë është i ngushtë, e që ngjason me një sintagmë rotative që haset në këtë libër: “Për fundin si fillim dhe fillimin si fund” (faqe 153), ku mund të interpretohet se aty ku nis një fillim ka edhe mbarim, sikurse ku është fundi i fillimit do të niste fillimi i një fundi tjetër, duke qitur në pah aspekte të mendimit filozofik, për “Dijet e Vjetra dhe Dijet e Reja”, “Gjaku i Dijës dhe Dija e Gjakut”, “Shteti i Dijes dhe Dija e Shtetit”, e veçmas bie në sy “të qenit (Unë) dhe të bërit (Mua)”, e deri tek “përfundimi në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë”.

Me këtë metodologji rrëfimi, dhe me përvojën e gjatë në shkrimin e romanit, Jusuf Buxhovi e mban pezull lexuesin, qoftë me strukturën e rrëfimit ku nxit kureshtjen për të ditur se,“shembja fillon aty ku përfundon ngritja, ndërsa ngritja fillon aty ku përfundon shembja…”, ose për të dalluar se “nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit, siç nuk ka asgjë të qëndrueshme përveç ndryshimit…”,etj. (faqe 😎.

Si koncept, ngritja dhe rrënimi i Perandorive, kanë zhvillim identik, që përshkohen nga faktor kohor të zhvillimeve socioekonomike, por në aspektin strukturor e filozofik ngjasojnë. Në këtë plan romani i „Jeniçeri i fundit“ aq sa ka të bëjë me Perandorinë që përshkruhet, po aq ka të bëjë edhe me rrënimin e një Perandorie që përfundoi kohë më parë, ku si pjesë e procesit të shthurjes, degdisjes dhe shkatërrimit të saj, ishte edhe protagonisti i romanit, përkatësisht vet autori i librit.

Aspektet e theksuar më parë, janë pjesë e jetës dhe angazhimit intelektual të Jusuf Buxhovit, si letrar, si historian dhe si politikan, ndonëse që të tri elementet i kundron nga pozita e shkrimtarit, intelektualit dhe qytetarit në profesion të lirë.

Padyshim, romani „Jeniçeri i fundit“ jo që është ndër veprat më të kompletuara të autorit në këtë fushë, por mund të radhitet si njëra nga veprat më të realizuara në shkallë kombëtare të letërsisë shqipe. Romani në fjalë është një vepër që u hyn në shërbim të gjithëve që historinë e kanë synim dhe studim, pasi aty gërshetohen elemente të hershme të antikitetit historik që vjen deri në kohën e Rilindjes, përkatësisht në kohën e “Zgjimit Kombëtar”, e ndërlidhur edhe me faktorët kohorë deri në ditët tona. Këto elemente ngjallin inspirim tek lexuesi për të kuptuar më mirë bektashizmin si religjion, kurse ngjarja zhvillohet në një hapësirë të lokalizuar gjeografike me 1500 – 2000 m2, e cila shtrihet përreth Pashtrikut, Dushkajës, Përdrinit, në Papaj, në Qafë Prushi e në Rekë të Keqe. Por trajtimi është i shkëputur krejtësisht nga religjioni si predikim. Pra, inspirimi dhe motivimi në këtë vepër janë bazë për ta bërë ngjarjen më mistike, për ta zhvilluar imagjinatën e lexuesit dhe për ta bërë rrëfimin shumë më interesant. Ndërsa, fundi tragjik i një rendi shoqëror, i një Perandorie të caktuar, siç ishte ai i Jeniçerëve lidhet ngushtë me rolin e besimit bektashian në shoqëritë njerëzore. Këto zhvillime, kanë ngjashmëri me fundin tragjik të Perandorisë Komuniste, e cila po ashtu kishte ngritur në kult besimin dhe inspirimin në fenë e tyre, ndërsa gjatë procesit të shkatërrimit, edhe ky sistem përjetoi trauma identike me ato që ndeshen në këtë roman si fakt historik që lidhte me një epokë.

Romani „Jeniçeri i fundit“, sidomos me angazhimin e Sheh Banit, kur do të kërkojë “veprim të shpejtë për ta mbikëqyrur gjendjen, ose nënshtrim të shpejtë për ta shpëtuar gjendjen…”, (faqe 146), pasi në ato “vise kishin filluar të futeshin fanatikë që vinin nga Kaukazi”,(f. 146), sepse “Sheh Nuri dhe të tjerët, hafije të pushtetit qysh moti ishin futur në radhët tona”, (faqe160), do ta detyrojnë Sheh Banin të ndërrojë strategji, kur “Tha se do të luftohet, por pa hyrë në luftë…”, (f. 146). Në këtë rast autori e ka ndërlidhur filozofinë e ngjarjes, me aktualitetin e para do kohësh. Natyrisht, duke mësuar nga e kaluara, duhet të ndërtohet e tashmja, me sa më pak gabime e hipoteka, të cilat janë bërë platformë e të gjitha angazhimeve të Jusuf Buxhovit, në planin letrar, publicistik, historik dhe kulturor.

S’ka dyshi romani „Jeniçeri i fundit“, në pamjen e parë lidhet me konfliktet e një kohe të shkuar, por mesazhi i tij, zëshëm flet për nevojën e krijimit të identitetit të ri, identitet ky që ka rrënjën historike si një dokument i mirë dhe mjaftë origjinal ku “sfidat e mëdha kërkojnë besim të patundur…”, (faqe 69), ndërsa zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se “fitimtar nuk merren ata që nuk ia dalin ta ndryshojnë atë, por ata që nuk bëhen pjesë e saj…”, (faqe 37), ose “u morëm vesh mos me lejue që krahu i luftës të fitonte në kandar, meqë kjo do të na përballte me shkatërrim të plotë…”, (faqe 139), refrene këto mjaftë të njohura në skenën politike të viteve të ’90-ta kur “Thirrja për durim e besim do të merret tradhti, ndërsa kryeneçësia heroizëm!”, (faqe 141), të cilat si nocione shtjellohen më mirë tek një pasus tjetër kur thotë se “Rendi i Ri Ushtarak” duhej të përvetësohej pa marrë parasysh se ata kishin bërë krime dhe masakra në Kryeshehër, (faqen 155), pasi kishte shenja të mosdurimit të atyre që mendonin “se gjaku ndalet me gjak”, (faqe 76), në kohën kur “Lufta për pushtet lejon çdo mjet… Atë e kanë përdorur edhe profetët”, (faqe 160).

Disa aspekte që janë nocione dhe përkufizime të caktuara, e ku e lidhin një lloj qarku interesant, kanë të bëjnë me norma e shprehje, me elemente të ritualitetit në aspektin liturgjik, mitologjik dhe filozofik siç janë: “Ama e Ati”, „Gur- Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut“, pastaj trajtimi dendur nga aspekti mitologjik i „Gjarprit të Shtëpisë dhe Gjarprit të Pemës“, aspekte filozofike rreth “Mençurisë”, “Me qenë shërbëtor”, “Pozita e shërbëtorit nga frika”, “ç’gjë është e mirë?”, “ç’gjë është e keqe”, “dyfytyrshave të djeshëm dhe të tanishëm”, “Dijet e Vjetra dhe Dijet e Reja”, “Dija e Gjakut dhe Gjaku i Dijes” dhe shumë aspekte të tjera liturgjike…

Në roman janë ndërtuar edhe disa monumente të kultit e traditës siç janë: “Kështjella e Damastionit – Artana e sotme”, ku do të ndeshim personazhe mitologjike Monun, Glauk, Audata etj. Ndërsa tek “Kështjella – Justiniana Prima”, kemi fenomenin e mbrojtjes me ligj – përkatësisht “dekretin perandorak” të vlerave që sot shkelen shumë, pra është fjala për tri lule: “Dardania cacalian – që ripërtërinë kujtesën dhe ndihmon shpirtin”, “Iliria – Aloitis – nga kërcelli i saj del një lëng i cili bënë që shpirti të mos plogështohet”, dhe lulen “Absentium rusticum – që është njëfarë pelini që idhtëson dhe nxjerr helm shërues”, (faqe 212 – 213).

Këto aspekte tematike, i kalojnë kornizat dhe kopertinat e një romani, siç është ky që po e trajtojmë, që flitet kryesisht për kohët e shkuara, por lexuesi do të beson se Jusuf Buxhovi, është njohës i mirë i historisë, që nga antikiteti, me pellazgët, ndërsa në roman e hasim edhe toponimin “Pellazgjia”, pastaj për “Perandorinë Dardane”, e shumë e shumë ngjarje e bëma të tjera, të cilat në mënyrë artistike janë parë nga prizmi i Rendit Bektashian. Gjithsesi, këto qasje në këtë roman janë trajtuar mirë, qoftë në kontekstin kohor apo historik.

Jusuf Buxhovi, është njëri nga historianët më të zëshm të kohës sonë, i cili me guxim intelektual shkroi për Kosovën “Historinë I-II-III“ dhe këtë “Libër për vetveten” (faqe 7), siç është romani në fjalë „Jeniçerin e fundit“!/KultPlus.com

Karl Gurakuqi për Koliqin: Të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís

Karl Gurakuqi, drejtori i parë i Bibliotekës Kombëtare, arsimtar, gjuhëtar dhe pedagog shqiptar, kur u pyet për shkrimtarin shqiptar Ernest Koliqi, pati këto fjalë:

Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.  

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Koliqi u lind  në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh,  familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Ernest Koliqi

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Më 1943, Koliqi vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën.

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”.

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941.

Karl Gurakuqi

Karl Gurakuqi qe sekretar i parë i Komisís Letrare, u ngarkua që me fondin e librave të bibliotekës së komisisë të formohej bërthama e një biblioteke albanologjike, që ishte baza e Bibliotekës Kombëtare. U caktua inspektor arsimi në Vlorë më 1921, ku u bë edhe sekretar i Federatës “Atdheu” deri vitin e ardhshëm. Më 1922, u bë drejtori i parë i Bibliotekës. Më pas qe shef Seksioni në Ministrinë e Arsimit, drejtor liceu, anëtar i Komisionit Teknik, profesor i shqipes dhe latinishtes në Institutin “Nana Mbretneshë”. / KultPlus.com

INSTAT: Më shumë gra se burra të angazhuara në kërkim shkencor dhe zhvillim

Një numër gjithnjë e më i lartë grash po përfshihen në kërkim shkencor dhe zhvillim.

Një raport statistikor i publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregon se përgjatë vitit 2022, 3748 persona janë angazhuar në aktivitetin e kërkimit shkencor dhe zhvillimit në Shqipëri me kohë të plotë dhe të pjesshme.

Ky numër përcaktohet si numri i personave që punojnë për konceptimin dhe krijimin e dijeve, produkteve, proceseve, metodave dhe sistemeve të reja.

Në personelin e angazhuar në kërkim shkencor dhe zhvillim gjatë vitit 2022 sipas gjinisë, 54,4 % e zënë gratë, ndërkohë gjatë vitit 2021 përqindjen më të lartë e zënë burrat me 50,6 %.

Numri më i lartë i personelit të angazhuar në kërkim shkencor dhe zhvillim i përket institucioneve të arsimit të lartë, me 81,6 %. Këtu personeli me nivel arsimor “Doktorant” zë peshën më të madhe me 51,2 % dhe krahasuar me vitin 2021 është rritur me 5,2 %.

Në periudhën kohore 2021-2022, pesha më e madhe e fondeve për kërkim shkencor dhe zhvillim, sipas strukturës së sektorëve të performancës, i është akorduar institucioneve të arsimit të lartë përkatësisht me 53,6 % gjatë vitit 2021 dhe 52,5 % gjatë vitit 2022./ KultPlus.com

DPA, marrëveshje bashkëpunimi me arkivat e Malit të Zi

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Arkivat Shtetërore të Malit të Zi nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që i hap rrugën shkëmbimit të dijeve, përvojave dhe dokumenteve me interes të ndërsjellë.

Në ceremonialin e mbajtur në Cetinjë, ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, homologu i tij malazez Danilo Mrvaljević, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, përfaqësues të tjerë diplomatikë dhe të ftuar. Në fjalën e tij përshëndetëse, Mrvaljević theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar si një mundësi të shkëlqyer për intensifikimin e shkëmbimit të dokumentacionit dhe të informacionit midis dy vendeve.

Në fjalën e tij të rastit, Bido u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet t’i jepet një hov zhvillimit të arkivave bashkëpunëtore, në mënyrë që të arrijnë standartet ndërkombëtare.

Ndërkaq, ambasadorja Peto e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes historike dhe kulturore të dy vendeve.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, DPA-ja dhe simotra malazeze ndërmarrin shkëmbimin e specialistëve, në funksion të kryerjes së kërkimit të përbashkët dhe studimit të materialeve arkivore pa pagesë. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri të pacaktuar dhe mund të ndërpritet, në varësi të vullnetit të palëve, pa ndikuar në vijueshmërinë e projekteve në proces zbatimi.

Në qershor të këtij viti, në kuadrin e aktiviteteve që u mbajtën me rastin e 75-vjetorit të themelimit të saj, DPA-ja nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës, duke siguruar shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptare në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Po ashtu, formalizoi bashkëpunimin me Arkivin e Bosnjë Hercegovinës, për të pasur qasjen mbi dokumentet lidhur me veprimtarinë e komunitetit shqiptar të atjeshëm./ KultPlus.com

Përkujtohet Naum Veqilharxhi, iluministi i Rilindjes Kombëtare

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në 227-vjetorin e lindjes ideologun e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum (Bredhi) Veqilharxhin (1797-1854).

Veqilharxhi ishte mendimtar i shquar, illuminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.

Iu kushtua çështjes së çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri.
Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.

Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar./ KultPlus.com

Javët Kulturore Ndërkombëtare, rrugëtim i jashtëzakonshëm kulturor

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, falënderoi të gjitha shtetet pjesëmarrëse në edicionin e tretë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

“Faleminderit çdo shteti pjesëmarrës, institucioneve vendore, ambasadave, përfaqësive diplomatike e bashkëpunëtorëve të shumtë, për vlerat, energjinë, pasionin dhe kontributin e jashtëzakonshëm për të realizuar këtë shkëmbim kulturor”, u shpreh ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Me sloganin “Shqipëria mikpret botën”, Javët Kulturore Ndërkombëtare organizuan më shumë se 250 aktivitete, nga 21 shtete, ku performuan mbi 360 artistë të huaj, që sollën kulturë, art dhe emocion të jashtëzakonshëm jo vetëm në Tiranë, por pati shpërndarje edhe në qytete të tjera.

“Ky ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm i bashkimit të kulturave dhe shprehjes artistike nga mbarë bota”, tha ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja./ KultPlus.com

227-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit, ideologu që krijoi alfabetin dhe botoi abetaren e parë të shqipes

Ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë.

Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.

Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com

Filipaj: Romani “Livia” shpalos dilemën e ekzistencës në një shoqëri të krymbur nga korrupsioni dhe zbrazëtia shpirtërore

Mendime mbi romanin “Livia” të shkrimtarit Mark Pashku Lucgjonaj botuar nga “Botimet Fishta”, përcjell KultPlus.

Romani “Livia”, sjellë një përvojë letrare që nuk është thjesht një histori e zakonshme, por edhe një përjetim i thellë filozofik, shoqëror, njerëzor. Shkrimtari Mark Pashku  Lucgjonaj përmes veprës së tij ofron një rrëfim që shpërfaq detajet intime të jetës individuale dhe mendime mbi fatin e njerëzimit në rrugëtimin e kohës sonë. Romani i shkrimtarit shqiptar nga Tuzi është një vepër postmoderne, me temë postmoderne, për kohë postmoderne dhe normalisht për lexues postmodern.

Shkruan: Gjergj Anton Filipaj

Në zanafillën e romanit “Livia”, Mark Pashku Lucgjonaj shpalos një narracion që nuk është thjesht rrëfim, por një ftesë për reflektim, ku kufijtë ndërmjet përditshmërisë dhe thellësive filozofike treten për të krijuar një botë letrare sa intime, aq edhe universale. Si penë që lëviz ndërmjet dritës dhe territ autori e paraqet botën e ndërlikuar të Lekë Bardhit, një profesori historie që lufton me zhgënjimin dhe dilemën e ekzistencës, në një shoqëri të krymbur nga korrupsioni dhe zbrazëtia shpirtërore.

Që në faqet e para, lexuesi përballet me një udhëtim që sfidon bindjet e zakonshme dhe hap dyert drejt një bote të mbushur me simbole, kujtime dhe mistere, ku çdo fjali mban peshën e një pyetjeje të heshtur mbi kuptimin e qenies.

Pikërisht këtu ngjizet natyra e dytë të romanit, ku çdo fjali lexohet jo vetëm si  histori por edhe si refleksion i thellë mbi ekzistencën, vazhdimësinë, dhe mentalitetin e popullit shqiptar dhe të popujve përreth. Një nga veçoritë kryesore të romanit “Livia” është ndërlidhja e vazhdueshme ndërmjet përditshmërisë dhe mistereve universale. Personazhet e Lucgjonajt nuk janë vetëm njerëz, ata janë ide, dilema dhe kontradikta që të gjithë njerëzit, në një mënyrë a tjetër i përjetojnë në jetën e përditshme.

Mark Pashku Lucgjonaj në “Livia” e paraqet botën e komplikuar të personazhit kryesor, Lekë Bardhit, ku eksplorohen temat e ekzistencializmit, gjendjes së brendshme të individit, të shoqërisë, apo thënë më mirë turmës. Mendimet filozofike janë të thurura mjeshtërisht në roman. Përmes përfytyrimeve të personazheve dhe atmosferës, autori e orienton lexuesin drejt një udhe që sfidon bindjet për botën materiale, shpirtërore, në kërkim të ideales.

Shkrimtari nga Tuzi në romanin të tij të fundit rrëfen për konfliktin e përhershëm të njeriut me veten dhe botën përreth, ku gruaja e personazhit kryesor, Livia nuk është thjesht një karakter letrar por përbën simbolin e marrëdhënieve që e lidhin njeriun me tjerët dhe botën. Përmes përshkrimeve të jetës së përditshme të Lekë Bardhit dhe sfidave të tij, romani fton në rimendimin e lidhjeve të njeriut me të kaluarën, me të tanishmen, por dhe për të ardhmen së bashku me të panjohurat që i sjellë jeta.

Në romanin “Livia” rrëfehet edhe mbi pabarazitë, prirjet materialiste dhe zbrazëtinë që në jo pak raste e shoqërojnë botën moderne. Në këtë vepër letrare shtrohen pyetje mbi drejtësinë, rëndësinë e familjes, dhe sfidat lidhur me ruajtjen e vlerave tradicionale në një kohë ndryshimesh të vrullshme. Përshkrimet që Mark Pashku Lucgjonaj ia bën jetës së përditshme janë të përpikta, ndërsa ndërlidhja me kujtimet dhe gojëdhënat e pasqyrojnë trashëgiminë kulturore që autori e trajton me respekt, duke i dhënë lexuesit ndjenjën e fortë të lidhjes me origjinën dhe identitetin.

Lekë Bardhi është profesor historie  që ndjen zhgënjim dhe neveri ndaj realitetit të kurthuar  nga korrupsioni dhe e kaluara e deformuar nga pushtetet e mëparshme, që papritmas përballet me dilema jetësore të ndryshimit të tërësishëm të jetës. Ngjarja zhvillohet në një mjedis të përshkruar me simbolika historike dhe shpirtërore, ku realiteti ndërthuret me elemente misteri, sidomos në fillim kur ndodh shfaqja e një krijese misterioze të panjohur për Lekën dhe tjerët përreth. Është pikërisht kjo pjesë që ngjarjes i jep sharm të errët, ku shpaloset tronditja e brendshme e Lekës dhe lufta e tij me sfidat e jetës së përditshme që nisin nga kërkesa e gruas për divorc.

Narracioni në romanin e Mark Pashku-Lucgjonajt nuk e ka një kronologji të qartë, por ndërtohet mbi rikthime në kohë dhe kujtime të kaluara, duke evokuar kështu një përvojë të ndërgjegjshme dhe introspektive që është stil i shkrimtarëve postmodernë. Në zemër të këtij narracioni është kërkimi për kuptimin e qenies, përmes arsyetimit të brendshëm të personazhit kryesor.

Një nga aspektet interesante të romanit “Livia” është përshkrimi i rrebesheve dhe stuhive që përshkojnë qytetin e Holtës, që shndërrohen në metafora të natyrës së egër dhe pasigurisë së ekzistencës njerëzore. Erërat e fuqishme, për shkak të cilave largohen banorët janë ato sfidat dhe forcat e pamposhtura me të cilat njeriu përballet gjatë jetës, që Pashku i përforcon përmes gjuhës së mprehtë letrare dhe filozofike.

Gjithashtu, një temë tjetër që prek thellësisht është ajo e përkatësisë dhe identitetit kulturor. Përmes përshkrimit të Holtes dhe kujtesës kolektive së ruajtur përmes gojëdhënave dhe trashëgimisë kulturore, romani evokon një ndjenjë të fortë të traditës. Autori e përshkruan historinë e Holtës me një sy kritik, duke e lidhur atë me realitetet e largimit dhe kthimit të përhershëm, një temë kjo mjaft e hasur në kulturën shqiptare.

Tema e thyerjes së embrionit të familjes në botën moderne përbën shtyllën kryesore të romanit “Livia” përmes sfidës së përhershme në shoqërinë bashkëkohore, ku lidhjet familjare dobësohen për shkak të ndjekjes së pushtetit dhe parasë. Lekë Bardhi është personazhi që e ngre zërin kundër kulturës së konsumimit dhe korrupsionit. Konflikti i tij me të shoqen, Livian, është një reflektim mbi ndarjet e nxitura nga prioritetet materiale në botën moderne, duke përshkruar mjeshtërisht dehumanizimin që ndodh kur lidhjet shpirtërore bien në rend të dytë në emër të karrierës dhe suksesit. Autori e përdor letërsinë si mjet për të ngacmuar lexuesin, dhe për të vënë në pah kontradiktat e thella brenda shoqërisë. Romani “Livia” i shkrimtarit Mark Pashku Lucgjonaj është një vepër që kërkon të lexohet me vëmendje, dhe që do të vazhdojë të rezonojë gjatë me lexuesin./ KultPlus.com

‘Ta Zbardhi Ftyrën’ nesër sjell një mbrëmje magjike me balerinin e njohur Eno Peçi

Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të shtatë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, e që do të mbahet nesër në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 20:00.

“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.

“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.

Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.

Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com

Libri ‘Jeta me Laps e Nehat Islamit’ nga autori Xheladin Rexhepi promovohet edhe në Tiranë

Më 28 tetor, u bë promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit”, të autorit Xheladin Rexhepit, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Ndërkaq, pas këtij udhëtimi, libri po ashtu është promovuar edhe në Tiranë më 2 dhjetor, nën kujdesin e veçantë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, shkruan KultPlus.

“Jeta me laps e Nehat Islamit” është libër- intervistë i autorit Xheladin Rexhepit i cili ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarin e njohur Nehat Islami, i cili nëpërmjet 500 pyetjeve ka treguar rrugëtimin e tij në profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Kosovës.

Fëmijëria e tij, studimet, puna si korrespodent në Liban, intervistat me figura të njohura, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë e shumë tema të tjera janë përfshirë në këtë libër, duke mos përjashtuar edhe shkrimet e të tjerëve që kanë shkruar për Nehat Islamin.

Për librin gjatë këtij promovimi të mbajtur në Qendrën Kombëtare të Librit në Tiranë, ka folur edhe kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.

Çipa vlerësoi figurën e Nehat Islami si gazetarin e parë të luftës nga hapësira mbarëshqiptare. Islami u kujtua për kontributin në vite si gazetar në Lindjen e Mesme, veçanërisht në kohën e Intifadës. Çipa i dedikoi fjalë edhe vlerës së librit të Xheladin Rexhepit, të ndërtuar si intervistë me personazhin, duke spikatur kontaktet me figura historike shqiptare, kontributet e tyre.

“Është një botim me vlera të rralla, nga ata që ti njeh jo vetëm jetën dhe përpjekjet e gazetarit, por shumë të pathëna të punës së tij, që janë sot një udhërrëfyes edhe për gazetarët e rinj”, ka thënë ai.

Sipas tij, rasti i Nehat Islamit është një rast unik sepse ndau një pjesë të veprimtarisë së vetë si reporter në zonën e luftës, dhe në pikëpamjen e historisë së gazetarisë shqiptare, ai ishte reporteri i parë i luftës në hapësirën shqiptare dhe si i tillë ai përbën një model për referencë ndaj të cilit do të duhej të mbaheshin kumtesa të posaçme.

“Dua të flas edhe për librin sepse libri pavarësisht se mishëron kontributin e gazetarit Islamit dhe shumë aspekte të profesionit në një forme interviste, libri është organizuar me një kujdes dashuri e kulturë profesionale nga Xheladin Rexhepi. Ky libër është strukturuar në një mënyrë të tillë që gjithkush prej gazetarëve që janë marr me botime monografike, duhet ta marrin si një model i cili sjell disa risi. Së pari, risinë e mënyrës së depërtimit të informacionit për jetën, veprimtarinë dhe kohën e raportimeve që ka pasur gazetari si personazh i gjallë real, dhe pjesa tjetër e konteksteve dhe investimit që ai ka sjellë në dijeninë publike, në dijen e shoqërisë shqiptare”, ka thënë Çipa.

Ai tutje ka treguar se personazhi i këtij libri prej katër vitesh e ushtroi veprimtarinë e reporterit në Lindjen e Mesme, një raportim që mbante 20 shtete të botes arabe. Pra, Nehat Islami ka pasur të bëjë me një përvojë ndërkulturore, ndëretnike, ndërcivile, për të sjellë atë çka vlente për audiencën shqiptare.

“Ajo që mund të konsiderohet si “faji” që e udhëheq personazhin e këtij libri, ishte kultura kombëtare, dashuria për kombin. Në këtë këndvështrim ai konsiderohet një reporter unik sa i përket historisë së ekspresionit kulturor shqiptar në Lindjen e Mesme. Kontribut tjetër është mënyra sesa me aftësi komunikate, ai komunikon në libër. Gazetari Islami pati mundësinë që në arkivin e televizioneve shqiptare të shënojë një rast unik e të rrallë (tri ditor) të komunikimit me poetin e njohur francez, Jacques Prévert, me të cilin ndau tri ditë qëndrimi në hapësirat parisiene ku pati mundësinë që të fliste me të ndonëse autori asokohe kishte refuzuar që të komunikonte me gazetarë francezë”, përfundon ai.

Në anënt tjetër, autori i librit Xheladin Rexhepi kujtoi punën e Islamit për evidentimin e punës në Lindjen e Mesme të figurave si Vaso Pasha, Filip Shiroka, shkrimtarëve Mahfuz dhe Pervert e Eftimiu. Personazhi, i pranishëm në aktivitet, Nehat Islami falenderoi të pranishmit, për nderin që iu bë me librin dhe këtë eveniment.

Kujtojmë që botuese e librit është Zyrafete Shala. / KultPlus.com

Adelina Paloja, Elikona Hysaj Shala dhe Genc Tukiçi me performancë në Paris

Mezzosopranoja Elikona Hysaj Shala, sopranoja Adelina Paloja dhe kompozitori e pianisti Genc Tukiçi, së shpejti do të interpretojnë në një ngjarje filantropike në Paris, përcjell KultPlus.

Ky event kulturor do të mbahet më 19 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00 në La Fabrique Marais.

Ngjarja mbështetet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Action for Health./ KultPlus.com

Nis restaurimi i parë për kishën e Shën Mëhillit në Vuno

Në kishën e Shën Mëhillit që gjendet në pjesën e sipërme të fshatit Vuno, ka nisur projekti restaurues që synon rikthimin e kishës në një gjendje funksionale si dhe mbrojtjen e vlerave të saj historike dhe arkitektonike.

Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 2015.

E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, ajo i përket tipit të kishave me një nef, me apsidë të rrumbullakët dhe afreske të vitit 1783. Deri më tani nuk kishte pasur ndërhyrje restauruese.

Pikat kryesore të projektit restaurues: çati e re me tjegulla vendi; restaurim dhe konsolidim strukturor i muraturave prej guri; pastrim dhe fugatim i murit; restaurim i kornizave dhe dyshemesë me gurë; ringritje e kambanares dhe ndërtim trotuari me kalldrëm; F.V. dyer dhe dritare druri./ KultPlus.com