Ata që dashurojnë akoma

Poezi nga Fatos Arapi

Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë. / KultPlus.com

Shfaqja “Bëje ose vdis” nga Jeton Neziraj së shpejti premierë në Gjakovë

Të shtunën, me datë 14 dhjetor, do të shfaqet premiera e shfaqjes “Bëje ose vdis” nga Jeton Neziraj dhe me regjisore Blerta Rrustemi – Neziraj, në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”.

“Bëje ose vdis” është një shfaqje-homazh për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohur shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, në vitin 1981 për herë të parë, e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës, kufomat të cilëve akoma nuk jan gjetur”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Sot, Ukshin Hoti është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetëra mijëra të burgosurve politik shqiptar, të vrarë e të torturuar burgjeve jugosllave e serbe.

“Por ai është poashtu edhe ëmblemë që reprezenton përpjekjen, përkushtimin, sakrificën e angazhimin politik për liri, barazi e dinjitet të popullit shqiptar, të atyre dhjetëra mijëra grave e burrave aktivist të ilegales shqiptare në Kosovë. Rezistenca, qëndresa dhe çmimi i lartë që ky brez idealistësh ka paguar në burgje, me krejt dritë-hijet, është bazamenti i republikës së Kosovës, por është edhe frymëzim për brezat që tani po rriten pa frikën se dikush mund t’i burgosë vetëm pse janë shqiptar”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com

Kanga që s’kuptohet

Poezi nga Migjeni

Melodisë kombëtare
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh -jo! Kangajote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…/ KultPlus.com

John Lennon: Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur

“Ti mund të thuash se jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Shpresoj se një ditë do të na bashkohesh. Dhe bota do të jetojë pastaj si një e vetme.”

“Llogarite kohën tënde përmes miqve që i ke dhe jo përmes viteve. Llogarite jetën përmes qeshjeve dhe jo përmes lotëve.”

“Janë dy forca bazike motivuese: dashuria dhe frika. Kur kemi frikë, ne tërhiqemi nga jeta. Kur jemi të dashuruar, me pasion, ngazëllim dhe miratim hapemi përballë gjithçkaje që na e ofron jeta. Kemi nevojë që fillimisht të mësojm ta duam veten, me të gjithë lavdinë dhe papërsosmërinë tonë. Nëse nuk mund ta duam veten, nuk mund të hapemi plotësisht ndaj aftësisë sonë për t’i dashur të tjerët ose ndaj potencialit tonë për të krijuar. Evolucioni dhe të gjitha shpresat për një botë më të mirë, qëndrojnë mbi guximin dhe vizionin zemër-hapur të njerëzve që e përqafojnë jetën.”

“Kur isha 5 vjeçar, nëna gjithmonë më thoshte se lumturia është çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, ata më pyetën se çfarë dëshiroja të bëhesha kur të rritesha. Unë e shkrova: “I lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë ju tregova se ata nuk e kuptonin jetën.”

“Një ëndërr që e ëndërroni i vetëm, është thjeshtë një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërroni bashkë me të tjerët është realitet.”

“Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur.”

“Në fund gjithçka do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, atëherë nuk është fundi.”

“Kur bëni diçka fisnike dhe të bukur dhe askush nuk e vë re, mos u mërzit. Edhe dielli çdo mëngjes e ofron një spektakël të bukur mirëpo prap pjesa më e madhe e audiencë është në gjumë.”

“Zoti është një koncept përmes së cilit ne e masim dhimbjen tonë.”

“Dashuria është një lule që duhet ta lësh të rritet.”

“Jetojmë në një botë në të cilën për të bërë dashuri duhet të fshihemi, përderisa dhuna manifestohet përgjatë gjithë ditës.”

“Ndershmëria ndoshta nuk do të u’a sjell miqt më të mirë, po gjithmonë do t’i sjell ata të duhurit.”

“Nuk ka rëndësi se kë e dashuron, ku e dashuron, pse e dashuron, kur apo si e dashuron. Rëndësi ka që dashuron.”

“Roli im në shoqëri, apo roli i artistit apo poetit në shoqëri është të provojë ta shpreh atë që ne të gjithë e ndjejm. Jo për tu treguar njerëzve se çfarë të ndjejn. Jo si një predikues, jo si një lider, por si një reflektim i gjithë neve.”

“Nëse e dëshiron paqe, nuk do ta marrësh atë me dhunë.”

– John Lennon / KultPlus.com

Gonxhja: Ndërhyrje restauruese në Kalanë e Lezhës

Vijojnë punimet restauruese në Kalanë e Lezhës.

Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Gonxhja bëri të ditur se, ekipi i “EU4Culture” po punon për të stabilizuar pjesën veriore të murit të kështjellës, e cila ka pasur dëmtime të rënda.

Pas dekadash përkeqësimi dhe dëmtimeve të tjera nga tërmeti i vitit 2019, kjo ndërhyrje është shumë e rëndësishme për të parandaluar një shembje dhe për të ruajtur strukturën derisa të bëhet restaurimi  i plotë, nënvizoi Gonxhja.

Ministri theksoi se, faza e parë ka filluar me gërmime dhe teste arkeologjike në zonën e ndërhyrjes./atsh/KultPlus.com

Ura e Kadiut në Përmet, Rama: Bashkohet madhështia e natyrës me atë të një monumenti kulture

Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Një tjetër atraksion turistik në zonë është edhe Ura e Kadiut, Monument Kulture i Kategorisë I, që pozicionohet në të hyrë të fshatit Bënjë, në një harmonizim të bukur me ambientin rrethues.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të kësaj ure, ku bashkohet madhështia e natyrës me atë të një monumenti kulture.

Ura e Kadiut kalon mrekullisht nëpër një grykë të ngushtë që derdhet në lumin e Lengaricës.

Ngrihet mbi një hark të vetëm me hapësirë drite 6,4 m. Qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën ka trashësi 70 cm. Arkivolta shkel me dhëmbë 7 cm mbi harkun e poshtëm në ngritjen e urës, ku është patur parasysh ngushtica minimale e përroit si dhe fortesa e brigjeve duke e ndërtuar në pjesën më të ngushtë dhe duke u mbështetur në brigjet shkëmbore të qëndrueshme.

Në pjesën qendrore të arkivoltës janë përfshirë katër kolona të vogla prej shtufi.

E njohur ndryshe si ura osmane, ajo është ndërtuar në mesin e viteve 1700, ruan edhe sot funksionin e saj.

Punuar e gjitha me gur nga mjeshtër vendas, ajo tërheq vëmendjen edhe nga estetike./atsh/KultPlus.com

9 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit

Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit shënohet çdo vit më 9 dhjetor, transmeton KultPlus.

Kjo ditë shërben si një kujtesë për secilin prej nesh që në mënyrë aktive të flasë dhe të luftojë kundër korrupsionit në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.

Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit u lançua më 9 tetor 2003 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si një mënyrë për të rritur ndërgjegjësimin për korrupsionin dhe për të theksuar rolin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit në luftimin dhe parandalimin e tij./KultPlus.com

Vepër brilante letrare

Shkruan: Naile Demiri

Romani i autorit Jusuf Buxhovi, “Dushkaja”, i ndarë në nëntë kaptina ( e gjithë ngjarja zhvillohet brenda një qarku kohor tepër intensiv: nga ora gjashtë e mbrëmjes e deri në orën pesë të mëngjesit), shfaqet si një rrëfim në vetën e parë, prej nga ndërtohet një vepër letrare brilante dhe e veçante që nuk e kemi pasur në gjuhen shqipe.

Në këtë roman, dekada e fundit e shekullit XX -të dhe fillimi i shekullit XXI, në Dushkajën e autorit përplasen e manifestohen sjellje shoqëror të deformuara, ku autori kërkon analizën e shkaqeve të krizës shoqërore, të shoqërisë që i përket, dhe kjo bëhet me anën e një analizë të kategorive filozofike e veçmas analizës së gjuhës dhe faktorëve tjerë që kanë dërguar deri në manifestimin e kësaj krize, e cila po thuhet se ka qenë e mbyllur, për të nxjerrë nocione e përfundime logjike. Me këtë rast, ndoshta ia vlen të sqarohet paradigma se arti krijues i shërben njerëzores, e assesi dija t’i shëberjë dhunimit të njeriut, morali njerëzor t’i kthehet realitetit e jo alkimia e dr. Llukmanit, të udhëheq më vlera , vlera këto që Friedrich Nietzsche kaherë i hedhen në shportën e mbeturinave. Aurtori, në këtë vepër, si duket është i ndikuar nga Niçe dhe dogma e filozofisë së përsëritjes së të njëjtës, që kudo manifestohen, por në forma të ndryshme…

Dhimbjet shpirtërore e shtyjmë autorin e romanit të bëjë një kërkimin metafizik nëpërmes një “loje” imagjinare (cicmicit), që duhet kuptuar si një alterego me të cilën krijuesit herdo kur ballfaqohen. Të menduarit, vetëdija, përgjegjësia, vullneti i lirë e kategori e virtyte tjera humane të njeriut, janë nga sa figurat me të cilat personazhi i Buxhovit, pacienti i psikiatrisë, shpesh herë bëhet qull nga sikleti duke ndryshuar vendin pikturave e vijave të trasha të tija për t’i dhënë përgjigjeje Zërit (të mizës), vetëdijes, se kjo botë e ka bazën në dije, në pjesën e vetëdijshme e assesi në tulet e turit, pjesë e pavetëdijes, nga burojnë: egoizmi, cinizmi, mashtrimi, frika, pasiguria, halucinacioni, iluzioni etj, etj, vese e kategori psikologjike të njerëzve të deformuar, siç i quan autori polip, jo kurrizor,zvarranik, që i takojnë kozmosit të karaktereve të ndryshme, ku Dushkaja, si metaforë e një vendi të humbur nga mbyllja zbërthen anatominë e një morali shoqëror, ku e mira shihet si e keqe dhe e keqja si e mirë dhe anasjelltas, një qark ky tragjik, karakteritik për botën e privuar qëllumisht nga dija…

“Në Dushkajën e fëmijërisë sime vrasësit ishin të natyrshëm, foli Piktori. Në një botë të rrudhur, të mbyllur dhe të shkëputur nga pjesa tjetër, cubat, kaçakët, bedelët, shkelësit e besës, belaxhinjtë e gjakut, hakmarrësit e ndryshëm e deri te njerëzit e sherreve dhe vrasësit me pagesë, ishin pjesë e një mbijetimi të thjeshtë , ku secili bënte punën e vetë me përkushtim dhe nderoheshin” (…) Ky qark i të qenit prishej vetëm atëherë kur cubat dhe vrasësit e ndryshëm futeshin në luftëra dhe e gjitha kthehej në sjellje të panatyrshme, ngaqë disa prej tyre ktheheshin në heronj, gjë që do të ishte në rregull po që se ata nuk do të kremtoheshin si heronj gjatë gjendjeve të tilla… Kjo gjendje e shrregullt, pasqyrohet më së miri kur kuptohet e vërteta e vendosjes së rregullave të tilla, kur në lojën e imagjinuar (me ndërgjegjen e vet) si luftë e pa parë e figurave, ku heroi më në fund detyrohet ta pranojë realitetin me ato që i thuhen : “Ti piktor i shkretë duhesh të kërkosh shpëtim nga këto qenie të rrezikshme në hapësirën e labirintit mitik)* f .51, që do të thotë të mbetesh në kërkim të përhershëm të një dështimi…

Sidoqoftë, edhe në kufijtë e këtij diskrepcioni nihilist, narratori i Buxhovi, siç duket është lidhur me veprimet dhe ngjarjet duke i konsideruar ato si procese të pastra karshi objekteve e sendeve në roman. Rrëfyer me një gjuhë dialogu në mes të Piktorit e zërit, në një sistem dialogu me gjuhë e stile konkrete, në vazhdimësi të pandara nga njohja logjiko-gjuhësore e përmbajtjes, është gjuhë ajo që dërgon mesazh tek lexuesit, është gjuhë e pastër shqipe e shkrirë në artin letrar, që në gamë e zinxhirë nxjerr e përshkruan të djeshmen, të sotmen edhe të ardhmen , sa do që do vonohet ajo si një mallkim të pashmangshëm. Duke iu përmbajtur çdo herë domenit të shprehjes letrare, gjuha e Buxhovit, shpesh herë, shprehur edhe me gjykime pavetore a eliptike, nuk e pengon lexuesin të kuptoj rrjedhën e dialogut, ndonëse lexuesi duhet të jetë i koncentruar në rrjedhë si reprezentues i kësaj gjendje shoqërore në Dushkajën me një virgjëri magjike por gjithsesi tragjike, në skaje të botës së harruar, e kjo, e ngritë vlerën e veprës dhe e bënë atë të jetë e dalluar nga veprat letrare të tjerat të kohës.

Ky roman me elemente të romanit psikologjik, politik…etj, është edhe një trilogji, ngase në dy romanet e më parme (“Lufta e Fundit e Bashkim Kosovës” dhe “Dosja e hapur”), personazhet janë të gjykuar të vriten ngaqë bien ndesh me konveptet e caktaura shoqërore-politike, ndërsa vrasësit me pagesë, në Dushkajë, behën pretendent të shpallet heronj. Andaj, autori detyrohet që në “Dushkajë” të paraqesë terrorin, krimet, sadizmat, vrasjet me pagesë, dështimet e krijuesve, e shumë e shumë anomali të tjera shoqërore e individuale që akoma janë të pranishëm në jetën e brendshme të autorit. Dhembet e plagëve të Bashkim Kosovës, e detyruan Zërin t’i thotë Piktorit: çmendu, çmendu se bota është e hiçit, krijues i çmendur apo i dështuar je… Por heroi i romanit (Piktori) nuk ngushëllon vetën. Ai ec, kërkon shtigje dalëse. “Runa zot nga gjeneralët e pas luftës, tha Piktori me sa zë kishte…Mbllaçiste fjalët kundër gjeneralëve të pasluftës dhe komandantëve të vetëshpallur të kthyer në zullumqarë që u shkojnë pas dhe vazhdojnë ta rrënojnë lirinë në emër “ të meritave të luftës” dhe të ngjashme.. (…) Sonte, në këtë lojë, që po e quan luftë, ke rastin që gjërat t’i shohësh siç janë edhe në jetë, ku ka fitimtarë dhe humbës…Ku i madhi e ha të voglin dhe i forti të dobëtin.. f. 135), dhe nuk do shpërfaqem as vdes para se Dushkaja ime të kthehet në plantacion, tani e mbushur me thera e murriza…

Rrëfyesi në roman, është vetja e trilluar në të cilën transformohet. Pra, në këtë rast, narratori i gjithëdijshëm duke rrëfyer një nga rrëfimet më trishtuese të pas luftës, të ndodhur në një skaj të botës së pistë, të pa parë, ka pasqyruar një gjendje shoqërore më të hidhur e më kriminale, një katrahurë me aq shumë ngatërrime, sekrete, kode, pështjellime ordinere të projektuara etj, etj, që vetëm një kokë e ngritur, që ka për mjet artin letrar,ndoshta do mundet t’i shkoqis të shtjelluara .

Ngjarjet e mëdha shoqërore zakonisht iniciojnë krijimin e veprave të mëdha. Dhe s’do mend se kjo vepër për momentin do jetë një nga veprat më të mira të shkruara në artin letrar në letërsi shqipe të shekullit XXI.

Subjekti i veprës është gjendja e shoqërisë kosovare pas luftës së fundit. Përpjekja e krijueseve për ndërtimin e vendit dhe kundërshtitë permanente të shfaqura si pengues të zhvillimit shoqëror. Pasqyrohen dy forca, jo renegate, të fytafytur, të pamëshirshme, të pashpallur, përplot me arsenal, bile të luftës speciale, që insistonin , me çdo kusht, asgjësimin e njëra-tjetrës, jo vetën në Dushkajëm, e mbushur me thera e murriza, por në tërë hapësirën planetare kah shtrihen neuron-transmetuesit . Në roman bëhej fjalë për pastërtinë e luftës dhe pasojat. Narratori në vetën e parë rrëfen: “…Të tjerat janë aktrime, gënjeshtra, mashtrime e çmos të kthyera në parime, rregulla dhe kode të rreme të vlerave, me të cilat bota është plotë e përplot dhe shfrytëzohen njësoj nga klerikët, diktatorët, tiranet, despotet dhe të tjerët, me të cilat shpallën profetët që në emër të zotit vranë zotin, kremtohen tiranet, që vrasin në emër të pushtetit të pakufishëm e të tjera. Turmës i pëlqejnë dhe pa të cilët as që mund të jetojnë..,( f. 162).

Lavjerrësi i orës ra pesë herë dhe ishte ora pesë kur Piktori me shumë vështirësi, nxori fjalët e fundit :

Prapë mashtrime!…

Prapë vrasje!…

Prapë lojë!…

Medet për Dushkajën time të harruar, në skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë..(f.165).

Ndonëse rrethi gjeografik e ambiental i veprës kufizohet në një dhomë ku janë të vendosura sa piktura të pluhurosura, hapësira dhe koha gjithsesi janë të përfshira edhe si kategori epistemologjisë por edhe si mjete të romanit, shtrirja gjithandej e tyre është pa fillim dhe mbarim në kohë sikur përfshinë planetin dhe atë pjesë të pistë të botës, pavarësisht se koha është një (1 ) apo pesë (5) të dritës, Piktori përpiqet që jetën ta marri si lojë…Por, realiteti i imponon që lojën ta marri si jetë (f. 19), për ndryshim nga krijuesit ekzistencialistet që përpiqen ta jetojnë jetën. Heroi i romanit këtu kërkon shpëtimin. Në roman përjetohet një ambient i mbyllur ku luhet loja e cicmicit , e cila bëhet si duket pa lejen e gurëve si ushtarak, ngase lehtë atyre u ndërrohet vendi. Personazhi i romanit te Buxhovi, ndonëse metaforë (një zë), është qenie që mendon, ndjenë, përjeton, njeh, vepron, etj, domethënë ekziston në kohë dhe hapësirë, si i përsëritshëm, por një herësh shfaqet si pjesë e një ndërgjegjeje që jo secili është në gjendje t’i nënshtrohet deri te përmasat e ballafaqimit me të, qoftë edhe si një katarzë të heshtur shpirtërore…/KultPlus.com

May be an illustration of text

10 faktet të cilat nuk i keni ditur më parë për Krishtlindjet

Krishtlindja është një ndër festat më të festuara në botë. Kjo ditë e shënuar e cila simbolizon paqe, mirësi dhe dashuri celebrohet nga rreth 2 miliardë njerëz përreth botës, duke u konsideruar prej tyre si festa më të rëndësishme të vitit.

Meqënse jemi në virgjilje të Krishtlindjes, ne po ju tregojmë disa kuriozitete rreth kësaj feste të cilat ndoshta nuk i keni dëgjuar më parë.

1. Alabama ishte shteti i parë amerikan që legalizoi festimin e Krishtlindjes. Shteti i fundit që e bëri Krishtlindjen një festë ligjore ishte Oklahoma në vitin 1907. Po ashtu, në SHBA Krishtlindja është festa më e festuar e vitit. 9 nga 10 persona e festojnë atë pavarësisht nëse janë apo jo besimtarë.

2. Vakti i festës së Krishtlindjes nuk shërbehet në Hungari derisa një yll i ndezur të shihet në qiell.

3. Shembulli i parë i dokumentuar i kallamave të karameleve për të festuar Krishtlindjet në Amerikë ndodhi në vitin 1847. August Imgard, një emigrant gjermano-suedez nga Wooster i Ohios i përdori ato për të dekoruar pemën e Krishtlindjes.

4. Gjermanët ishin të parët që bënë pemët artificiale të Krishtlindjeve, të cilat do të mund të zëvendësonin pemët origjinale për herë të parë në vitin 1991.

5. Të gjitha dhuratat gjatë 12 ditëve të Krishtlindjes barazohen me 364 dhurata.

6. Tre ngjyrat tradicionale të Krishtlindjeve janë jeshilja, e kuqja dhe ngjyra e artë. Jeshilja simbol i jetës dhe rilindjes, e kuqja simbolizon gjakun e Krishtit, ndërsa ngjyra e artë përfaqëson pasurinë dhe besnikërinë.

7. Dekorimet e para për pemën e Krishtlindjeve janë përdorur mollët pasi kishin ngjyrën e kuqe, për të krijuar atë që quhej Pema e Parajsës.

8. Në Armeni, darka e Krishtlindjeve festohet me peshk, lakër dhe spinaq.

9. Dritat elektrike me ngjyra të Krishtlindjeve për herë të parë u përdorën në vitin 1854.

10. Parlamenti anglez kaloi ligjin për t’i bërë Krishtlindjet ilegale në 1647. Në krye ishte lideri puritan Oliver Cromuell. / KultPlus.com

‘Për t’u edukuar nuk mjafton vetëm arsimimi’

Sigmund Freud (Zigmund Frojd) është themeluesi i psikanalizës.

Frojdi doli i pari me idenë se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego.

Sipas Frojdit, Uni ose Ego është vija e parë e mbrojtjes së vetes nga tjetri, duke u përpjekur të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego.

Idetë e tij radikale mbi mendjen e njeriut transformuan psikologjinë dhe mbeten kontradiktore edhe në ditët e sotme.

25 thënie nga Frojdi

1- Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.

2- Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurtë se e duan.

3- Një qytetërim që lë një numër kaq të madh të pjesëtarëve të tij të pakënaqur dhe i çon ata në revoltë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të ekzistojë.

4- Njeriu nuk ia arrin t’i eleminojë komplekset e tij, por pajtohet me to: ato ligjërisht e drejtojnë veprimtarinë dhe sjelljen e tij në botë.

5- Të jesh tërësisht i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë.

6- Fëmijët janë krejtësisht egoistë; ata i ndiejnë nevojat e tyre intensivisht dhe përpiqen mizorisht që t’i kënaqin.

7- Ëndrrat janë shpesh më të thella kur ato duken më të çmendura.

8- Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës së tij ai ushqen gjatë jetës një ndjenjë triumfuese, besimin në sukses, i cili jo rrallë sjell me vete suksesin.

9- Iluzionet na mbisundojnë ne, sepse ato na kursejnë në dhimbje dhe na lejojnë të shijojmë kënaqësinë në vend të saj. Prandaj ato duhet t’i pranojmë pa ankime kur ato nganjëherë përplasen me realitetin përballë të cilit shndërrohen në thërrime.

10- Njerëzit janë më moralë se sa mendojnë dhe shumë më tepër imoralë se sa përfytyrojnë.

11- Njeriu është shumë i çmendur kur është i dashuruar.

12- Qëllimi i gjithë jetës është vdekja.

13- Pyetja më e madhe, së cilës nuk i është dhënë kurrë përgjigje dhe së cilës nuk kam mundur t’i jap përgjigje, pavarësisht tridhjetë viteve të kërkimeve në shpirtin e femrës është: “Çfarë do një femër?”

14- Ne nuk jemi kurrë aq të pambrojtur ndaj vuajtjes sa kur dashurojmë.

15- Sa kemi përparuar. Në Mesjetë do të më kishin djegur në turrën e druve. Tani ata mjaftohen të djegin librat e mi.

16- Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë.

17- Para se të diagnostikoni veten me depresion ose vetëbesim të ulët, sigurohuni që nuk jeni të rrethuar nga budallenjtë.

18- Detyra për të bërë njerëzit të lumtur nuk është pjesë e planit të Krijimit.

19- Mungesa e plotë e seksit është e vetmja gjë që mund të konsiderohet si devijim seksual. Çdo gjë tjetër është vetëm çështje shijeje.

20- Në atë moment kur njeriu fillon të mendojë kuptimin dhe vlerën e jetës, atëherë mund ta konsideroni atë të çmendur.

21- Dashuria e përjetshme, ideale, e spastruar nga të gjitha format e urrejtjes, ekziston vetëm mes të droguarit dhe drogës tij.

22- Sa më shumë i përsosur që është një person së jashtmi, aq më shumë demonë ka brenda vetes.

23- Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.

24- Treguesi i parë i idiotësisë, është një mungesa e plotë e turpit.

25- Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë. /KultPlus.com

“Italia Delight”: Zbuloni Shqipërinë, një perlë e fshehur për turistët italianë

Shqipëria, një destinacion magjepsës në Ballkan, po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve italianë, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane “Italia Delight”.

Me peizazhet e tij të pacënuara, historinë e pasur dhe kulturën e gjallë, ky destinacion ofron një përvojë unike për ata që kërkojnë një vendpushim ndryshe.

Nga plazhet me ujërat e kristalta deri te malet madhështore, Shqipëria është një thesar që pret të zbulohet!

Destinacionet turistike që nuk duhen humbur në Shqipëri

Riviera Shqiptare: Parajsa e Detit Adriatik

Riviera shqiptare, e njohur edhe si “Perla e Mesdheut”, është një vend i mahnitshëm.

Vende të tilla si Ksamili me ujërat bruz dhe Saranda, një qytet i gjallë bregdetar, ofrojnë një atmosferë relaksuese të përkryer për pushime.

Parku Kombëtar i Butrintit

Mos harroni të vizitoni Parkun Kombëtar të Butrinti – një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, i pasur me histori dhe rrënoja antike.

Malet e Thethit dhe të Valbonës

Për adhuruesit e natyrës, Alpet Shqiptare janë një ëndërr.

Fshatrat e Thethit dhe Valbonës ofrojnë peizazhe mahnitëse, rrugë spektakolare ecjeje dhe eksperiencë autentike në njohjen e traditave vendase.

Tirana, kryeqyteti modern dhe dinamik

Tirana, është zemra e Shqipërisë që rreh. Ndër atraksionet kryesore janë Sheshi Skënderbej, Bunk’Art 2, Muzeu Historik i vendosur në një bunker nëntokësor dhe jeta e gjallë e natës në lagjen e Bllokut.

Berati dhe Gjirokastra: Qytetet muze

Këto dy qytete historike njihen si “qyteti i një mijë dritareve” dhe “qyteti i gurit”.

Të dyja vendet janë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, dhe ofrojnë një udhëtim në të kaluarën përmes arkitekturës së tyre unike dhe traditave kulturore të ruajtura mirë.

Shqipëria është një destinacion i përkryer për ata që kërkojnë pushime plot aventura, kulturë dhe relaks.

Me bukurinë e saj natyrore, kuzhinën e shijshme dhe komoditetin e ofertave të saj, është koha e duhur për të zbuluar këtë vend të bukur.

Nëse jeni duke planifikuar pushimet verore apo një arratisje dimërore Shqipëria ju mirëpret krahëhapur!/atsh/KultPlus.com

Eksportet e bimëve mjekësore u rritën me 14%

Bimët mjekësore dhe aromatike zënë një pjesë e rëndësishme në totalin e eksporteve bujqësore.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, në për periudhën janar- tetor 2024 eksportet e bimëve mjekësore u rritën me rreth 14%.

Ndërsa totali i eksporteve bujqësore për 10 mujorin 2024 regjistroi një rritje prej 18.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Totali i eksporteve bujqësore në sasi arriti në 386,795.39 ton, duke arritur vlerën e 43.05 miliardë lekëve.

MBZHR bën të ditur se, sektori i bimëve mjekësore vijon të japë që ndikim të rëndësishëm socialo-ekonomik, si në rritjen e punësimit por edhe sigurimin e të ardhurave ekonomike të larat nga eksportet e këtyre bimëve, që janë shumë të kërkuara në tregjet me vlerë të shtuar.

Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si bimë Mjekësore dhe Aromatike të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

Artisti gjerman krijon vepra arti me material të pazakontë

Për të krijuar vepra arti shumë piktorë kanë përdorur materiale shpeshherë jo të zakonta. Megjithatë, pak gjëra i afrohen materialit të zgjedhur nga artisti gjerman Werner Haertl.

Ai realizon vepra arti të kushtueshme me jashtëqitje lope dhe i merr të gjitha falas nga një fermer ngjitur me studion e tij të ngritur në një ish-kasolle lopësh. Për piktorin gjerman përdorimi i këtij materiali nuk është i panjohur për njerëzimin.

“Jashtëqitja e lopës, kush thotë se është absurde ta përdorësh atë? Është thjesht me bazë bimore dhe ka pasur raste kur ishte arti i jetës sonë të përditshme. Deri në vitet 1960, kuzhinat zbardheshin me gëlqere dhe materiale të tillë”, tha Werner Haertl.

Veprat e artit nga 46-vjeçari i lindur në Mynih dhe baba i tre fëmijëve, trajtojnë jetën në fshat dhe  dashurinë e tij për kafshët.

“Ajo që më frymëzon janë peizazhet e bukura si ai që më rrethon, por edhe gjetkë, malet, dhe kafshët, si lopët. Nëse bëhet fjalë për atë që më prek më shumë, janë peizazhet e fermave që zhduken gjithnjë e më shumë për shkak të industrive te ndryshme. Kultura jonë bavareze është e lidhur ngushtë me bujqësinë dhe ekziston gjithnjë e më shumë kërcënimi që presioni për të investuar të dëmtojë fermat”, tha Werner Haertl.

Për blerësit e mundshëm të cilët mund të shqetësohen për erën e pakëndshme artisti gjerman jep këtë përgjigje.

“Hundët e ndjeshme do të nuhasin diçka teksa unë jam duke pikturuar. Unë për vete nuk ndjej më erë, sidomos me këto temperatura. Sapo piktura thahet, pas dy-tre ditësh, nuk ndjen më erë”, tha ai.

Veprat e artit të piktorit gjerman variojnë nga 200 euro që është shifra më e vogël deri në mijëra euro./klan/ KultPlus.com

 McCartney në monedhat pesë paund

Legjenda e muzikës pop, Paul McCartney, pasi ka fituar çmime të panumërta dhe ka bërë historinë e kopertinave të disqeve, do të krenohet tani me një koleksion të monedhave me vlerë pesë paund, të krijuar nga Posta Mbretërore Britanike.

Pika historike e arritur nga ylli 82-vjeçar i ”Beatles”, autor i hiteve të përjetshme si ”Yesterday”, ”Let it Be” dhe ”Hey Jude”, përfshin një numër përkujtimor koleksioni që riprodhon “pianon magjike” psikodelike të paraqitur në filmin ”Magical Mystery Tour” i vitit 1967, me nota muzikore të përzgjedhura nga McCartney, i cili bashkëpunoi në hartimin e monedhave, që kanë një bas dhe logon e grupit të tij pas përvojës së tij me Fab Four.

“Është një nder i madh, nuk është diçka që do ta prisja ndonjëherë kur isha fëmijë”, tha Paul.

Vitin e ardhshëm, Royal Mint do të nxjerrë në ankand edhe një monedhë ari me peshë pesë kilogramë, e cila kërkon më shumë se 250 orë punë dhe është e nënshkruar nga McCartney, i njohur për përdorimin e monedhave./ atsh/ KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani tregon çka foli me Elon Musk

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se çfarë ka diskutuar me miliarderin, Elon Musk, në Paris të Francës.

Ajo zbuloi detaje nëpërmjet një postimi në “X”.

“Një bisedë e madhe për efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit gjithmonë të vullnetit të popullit”, ka shkruar e para e vendit.

Nis restaurimi për kishën e Shën Mëhillit, monument kulture i kategorisë së parë

Në kishën e Shën Mëhillit që gjendet në pjesën e sipërme të fshatit Vuno, ka nisur projekti restaurues që synon rikthimin e kishës në një gjendje funksionale si dhe mbrojtjen e vlerave të saj historike dhe arkitektonike.

Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 2015.

E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje, ajo i përket tipit të kishave me një nef, me apsidë të rrumbullakët dhe afreske të vitit 1783. Deri më tani nuk kishte pasur ndërhyrje restauruese.

Pikat kryesore të projektit restaurues: çati e re me tjegulla vendi; restaurim dhe konsolidim strukturor i muraturave prej guri; pastrim dhe fugatim i murit; restaurim i kornizave dhe dyshemesë me gurë; ringritje e kambanares dhe ndërtim trotuari me kalldrëm; F.V. dyer dhe dritare druri.

 ‘Emilia Pérez’ shpallet filmi më i mirë evropian në 2024

“Emilia Pérez” – me regji të Jacques Audiard – ka fituar çmimin për filmin më të mirë evropian të vitit, njoftoi Akademia Evropiane e Filmit në një ceremoni të zhvilluar në qytetin zviceran, Lucerni.

Jacques Audiard është një regjisor, producent dhe skenarist francez. Gjatë karrierës së tij, ai ka marrë vlerësime të shumta duke përfshirë dy çmime në Akademinë Britanike të Filmit, 11 çmime “Cesar” dhe katër çmime në Festivalin e Filmit në Kanë.

Filmi tregon historinë e një bosi karteli meksikan i cili i nënshtrohet ndryshimit të gjinisë dhe kërkon shpengimin për krimet e së kaluarës.

“Emilia Pérez”, një ndërthurje e zhanreve dhe stileve të ndryshme, gjithashtu mori vlerësime për skenarin dhe regjinë e tij.

Aktorja spanjolle, Karla Sofía Gascón u nderua me çmimin për aktoren më të mirë për portretizimin e personazhit kryesor në “Emilia Pérez”.

Filmi mori gjithashtu trofeun e montazhit më të mirë, i cili u shpall përpara shfaqjes gala.

“European Film Awards” – Çmimet e Filmit Evropian këtë vit ofruan një gamë të gjerë kandidatësh – pasi kategoria për filmin më të mirë evropian përfshinte jo vetëm filma artistikë, por edhe dokumentarë dhe filma të animuar. Si rezultat, në garë ishin 15 tituj, krahasuar me pesë siç ndodh zakonisht.

Çmimi për aktorin më të mirë evropian iu dha Abou Sangare për interpretimin e tij në “Souleymane’s Story” me regji të Boris Lojkine, një fitore surprizë.

Çmimin për dokumentarin më të mirë e fitoi “No Other Land”, i realizuar nga një ekip palestinezo-izraelit që fokusohet në dëbimin e palestinezëve nga fshatrat në Masafer Yatta, në jug të Hebronit në Bregun Perëndimor.

Regjisori gjerman Wim Wenders, 79 vjeç, u nderua me çmimin për arritje në karrierë, ndërsa aktorja italo-amerikane Isabella Rossellini mori çmimin e mirënjohjes për kontributin e saj në ndikimin global të kinemasë evropiane.

Çmimet e Filmit Evropian konsiderohen si një nga nderimet më prestigjioze në industri.

Rreth 5 000 anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit votuan për fituesit në një sërë kategorish, si çmimet e Akademisë në SHBA. /atsh/ KultPlus.com

Letra ku gjeniu i muzikës i drejtohet mikut të tij për t’i kërkuar borxh

Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes.

Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë.

I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:

“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.

Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!

Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!

Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.

O perëndi!

Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh të ri, kërkesa të reja.”/konica.al/ KultPlus.com

“Susan e Shqipërisë, jeta e një mbretëreshe australiane në mërgim…” — Intervista ekskluzive e Mbretëreshës Suzanë, nënës së Princ Leka II

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  8 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 11 majit 1977, në faqen n°12, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Australi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Susan e Shqipërisë, jeta e një mbretëreshe australiane në mërgim

Fotot nga Ern McQuillan & David Graves

Histori nga Susie Eisenhuth

E kthyer në shtëpi (Australi) për të vizituar prindërit e saj, ajo flet për shpresat e saj, jetën e saj me Mbretin Leka dhe kërcënimet gjithnjë të pranishme për sigurinë e saj.

Zoti dhe zonja Cullen-Ward me vajzën e tyre Mbretëreshën. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12
Zoti dhe zonja Cullen-Ward me vajzën e tyre Mbretëreshën. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12

Ajo nuk ka pallat, nuk ka oborr, nuk ka veshje hermeline, nuk ka kurorë.

Ajo jeton e qetë, pa pretendime. Ju mund të kaloni para saj në një butik, thjesht një grua tjetër e re tërheqëse, e qetë, që fol mirë, e hollë, elegante, ajo është ish-mbretëresha bukuroshe Susan Cullen-Ward.

Megjithatë, për disa milionë shqiptarë, të mërguar nga vendi i tyre dhe që jetojnë me shpresën e kthimit të tyre përfundimtar, ajo është “Nuse” nusja e re, shpresa e linjës së tyre mbretërore, mbretëresha e tyre e nderuar Suzani. Ajo është gruaja që ata besojnë se një ditë do të zërë vendin e saj në krah të bashkëshortit të saj Mbretit Leka si monark i ligjshëm i Shqipërisë.

Për një australian e gjitha kjo tingëllon paksa e çuditshme. Në fund të fundit, prindërit e mbretit Leka e lanë Shqipërinë në vitin 1939 dhe vendi ka ekzistuar që atëherë nën një regjim komunist. Për shumë njerëz, e gjithë ideja e monarkive evropiane në mërgim është një anakronizëm. Sa gjasa ka që Mbreti Leka dhe mbretëresha e tij me origjinë australiane Susan të jenë ndonjëherë më shumë se pretendentë për fronin. A mund të ushqejnë seriozisht shpresën e vërtetë për t’u kthyer?

Ajo po kalon pushimet me prindërit e saj, z dhe znj. Alan Cullen-Ward në Sydney. Mbretëresha Suzan (Suzani është shqiptimi në shqip) iu afrua temës së kthimit të tyre në Shqipëri me kujdes dhe mendim të theksuar. “Është vërtet një shpresë e vërtetë,” tha ajo me vendosmëri. “Nuk mund ta theksoj sa duhet.

Dy vjet pas martesës me Mbretin Leka, ajo është njohëse e mirë e situatës shqiptare dhe shpresave të bashkatdhetarëve të saj të birësuar në mërgim. Në shtëpi njëkatëshe spanjolle jashtë Madridit, që është selia dhe shtëpia e qeverisë në mërgim të Lekës, shumë nga koha e saj është shpenzuar në studime.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12

Kam mësuar historinë, gjeografinë, traditat, gjuhën. Unë mund të flas gjuhën, por jo aq rrjedhshëm sa do të doja. Vjehrra ime, Mbretëresha Geraldinë, ishte një mësuese e mrekullueshme.

Por asgjë nuk i ka bërë aq përshtypje sa patriotizmi dhe besnikëria e vetë shqiptarëve dhe entuziazmi i dëshirës së tyre për t’u kthyer në atdhe. Tashmë ajo është prezantuar para komuniteteve shqiptare në shumë vende. “Ne ishim në turne për të parë komunitetet tona në Kanada dhe SHBA, takimi i fundit i cili ishte i mrekullueshëm.

Ishte takimi im i parë shumë i ngushtë me njerëzit tanë, komunitetet e mëdha të këtyre dy vendeve. Dhe ata ishin të mrekullueshëm.

Revolucioni i brendshëm

Edhe gjatë vizitës së saj jozyrtare në Australi, shumë nga 30,000 shqiptarët këtu e kanë kontaktuar me shprehje të ngrohta besnike.

A flasin për revolucion ? “Jo, dhe unë e shoh këtë si një alternativë shumë fatkeqe. Jo, ata thjesht flasin për kthimin në vendin e tyre dhe si do ta bëjnë.” Ajo vetë foli kështu. “Unë mendoj se ndryshimi në çështjet botërore do të sjellë një revolucion të brendshëm.

Po kontaktet me shqiptarët e brendshëm? “Unë nuk jam e përfshirë në këtë fushë. Ne punojmë në një sistem “nevoja për të ditur”. Dhe nuk kam nevojë të di se çfarë po ndodh në jetën e burrit tim. Kemi një këshill dhe një qeveri në mërgim. Dhe e di që informacioni del, nuk e di si dhe nuk dua ta di.”

Është e vetmja temë për të cilën është e lumtur të flasë gjatë, e prirur të sqarojë pozicionin e saj dhe të bashkatdhetarëve të saj. Ajo preferon të shmangë tema të tjera, si rreziqet që i kanosen jetës së saj dhe të bashkëshortit të saj, mbretit Leka.

Njerëzit i kthehen gjithmonë kësaj pyetjeje.” thotë ajo duke qeshur. Por padyshim që nuk është për të qeshur. Bota e saj është diçka si një botë fortesë. Shtëpia e saj e rrethuar nga një zinxhir mbrojtës i ndërthurur, gardhe me tela me gjemba në krye të sistemeve të alarmit. Burri i saj është një qitës profesional, dhe gjithmonë mban një armë. Truprojat e mbrojnë atë dhe mbretëreshën e tij në çdo kohë.

Unë nuk mendoj për këtë.” thotë mbretëresha Suzan. “Ju i pranoni këto gjëra. Unë e dija për rreziqet para se të martohesha me burrin tim dhe i pranova.

Megjithatë, herë pas here, tensionet zvarriten gjithnjë e më shumë në sipërfaqe. Java e qetë e planifikuar për vizitën e saj në Sydney ishte shndërruar në një makth. Gazetat ishin plot me raporte për arrestimin e shkurtër të bashkëshortit të saj në Tajlandë për posedim të armëve të zjarrit. Telefonata qetësuese ishin bërë nga Tajlanda, por tendosja po shfaqej.

Nëna e saj i rrëfen asaj se është e shqetësuar se vajza e saj është e rraskapitur, e zbehtë dhe e lodhur, dhe po bën sikur duket mirë. Nëse është kështu, ajo ka një mënyrë të pazakontë për të ruajtur qetësinë dhe për më tepër, sharmin.

Pavarësisht kësaj, ajo dëshiron të theksojë se këto drama janë larg dominimit të jetës së saj të përditshme në Spanjë. Në pjesën më të madhe është një raund mjaft i ethshëm angazhimesh.

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/australi-1977-susan-e-shqiperise-jeta-e-nje-mbretereshe-australiane-ne-mergim-intervista-ekskluzive-e-mbretereshes-suzane-nenes-se-princ-leka-ii/. Në rast të kundërt mos e publiko.

Koha, e premte, 6 dhjetor 2024, f.12
Koha, e premte, 6 dhjetor 2024, f.12
Koha, e premte, 6 dhjetor 2024, f.13
Koha, e premte, 6 dhjetor 2024, f.13

Kryevepra e Giovanni Spertini, balanca perfekte e natyralizmit dhe idealizimit

Nga Albert Vataj

Ajo është e mahnitshme, e gjallë prej guri dhe pulsuese si të frymshmet gjëndje që mbushin me ndijim dhe përjetim ende shpirtrat e etur për dehje adhurimi.

Skulptura “Vajza që shkruan” e Giovanni Spertini (1821-1895), realizuar në mermer më 1874, është një vepër që mishëron ndjeshmërinë e Rilindjes Italiane në lidhje me përfaqësimin e grave si figura të harmonisë dhe mendimit të thellë.

Vepra paraqet një vajzë të ulur, përkulur mbi një libër apo një fletë shkrimi, duke krijuar një skenë intime dhe të thellë reflektimi.

Figura e saj është e detajuar me një delikatesë që tregon mjeshtërinë e jashtëzakonshme të Spertinit në trajtimin e mermerit.

Kritikët shpesh kanë vlerësuar punën për balancën e saj mes natyralizmit dhe idealizimit. Fytyra e vajzës pasqyron një ndjeshmëri introspektive, ndërsa duart, të punuara me kujdes të hollë, i japin dinamikë skulpturës. Detajet e rrobave, të palosura me elegancë mbi trupin e saj, krijojnë një kontrast të bukur me sipërfaqen e lëmuar të mermerit, duke shtuar një ndjesi realismi dhe lëvizjeje.

Në nivel simbolik, “Vajza që shkruan” mund të interpretohet si një homazh ndaj procesit të mendimit dhe krijimtarisë intelektuale. Ajo reflekton një ndryshim të rëndësishëm në perceptimin e grave në atë periudhë, duke i përfaqësuar ato jo vetëm si objekte bukurie, por edhe si qenie aktive në botën e dijes dhe artit.

Megjithatë, disa kritikë e shohin skulpturën si një shembull të sentimentalizmit tipik të epokës, duke argumentuar se trajtimi i vajzës mund të jetë disi idealizues dhe larg realitetit. Pavarësisht kësaj, vepra mbetet një dëshmi e rëndësishme e përpjekjeve të Spertinit për të bashkuar estetikën dhe narrativën intelektuale.

Ajo ishte, është dhe mbetet një kryevepër e fuqis krijuese, shembull se si arti nxjerr përsosmërinë e përjetësisë nga shkëmbi, për t’ua rrëfyer brezave si shkrepëtimën e një ylli./ KultPlus.com

Shqipëria me tre peshëngritës në Botërorin e Bahreinit

Ekipi Kombëtar i peshëngritjes ka mbërritur në Manama të Bahreinit, ku po mbahet Kampionati Botëror.

I pranishëm në seancën stërvitore të së shtunës ka qenë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar, Fidel Ylli, i shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza dhe nga anëtari i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Astrit Hasani.

Kampionati Botëror i Peshëngritjes ka nisur më 6 dhjetor dhe përfundon më 15 dhjetor.

Sporti ynë i traditës do të përfaqësohet sërish me 3 peshëngritës të nivelit të lartë, dy kampionët me eksperiencë Erkand Qerimaj dhe Briken Calja dhe të riun me një të ardhme premtuese, Kristi Ramandani.

Briken Calja do të garojë në peshën deri në 73 kg dhe Erkand Qerimaj së bashku me Kristi Ramadanin do të garojnë në peshën deri në 81 kg./atsh / KultPlus.com

‘Ku është Borisi?’, Tefta Çeçaj publikon romanin e parë: Një reflektim mbi ndryshimet dhe sfidat e jetës

Autorja Tefta Çeçaj ka publikuar romanin e saj të parë, “Ku është Borisi?”, një histori që trajton sfidat e dy vëllezërve binjakë dhe pyetje të thella mbi natyrën njerëzore, si “Pse njerëzit që i duam ndryshojnë?”.

Libri ofron një reflektim të fuqishëm për lexuesit dhe është vetëm fillimi i një karriere për Çeçajn, e cila pritet të botojë së shpejti një tjetër vepër.

“Ku është Borisi?” është romani më i ri që ka dalë në treg, një vepër e cila ofron një reflektim të thellë mbi jetën dhe ndjeshmërinë e individëve përballë sfidave që ata përjetojnë.

Autorja Tefta Çeçaj, u shpreh se ky libër tregon per  jetën e dy vëllezërve binjakë, të cilët përballen me sfida, duke u përballur me pyetje të thella rreth natyrës njerëzore: “Pse njerëzit që i duam ndryshojnë?”

‘’Është një libër që tregon një ngjarje të vërtetë ku vetëm personazhet dhe vendi ka ndryshuar.

Është një histori që ma tregoi një shoqe faktikisht dhe më preku shumë marrëdhënia që kishin midis njerëzve dhe se si ndryshojnë ato.

Është një ngjarje që prek shumë familje shqiptare’’.

Libri, i cili bazohet në një histori të vërtetë është një vepër që e bën lexuesin të mendojë dhe të ndiejë përtej fjalëve të shkruara në faqe.

Ky roman është vetëm fillimi i një karriere të suksesshme letrare për Tefta Çeçajn, e cila pritet të botojë së shpejti një tjetër libër kësaj here për nënën./oranews/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga atraksionet e Dibrës: Natyra ka skalitur thesare të relievit malor

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga atraksionet e Dibrës.

Kreu i qeverisë u shpreh se në Dibër natyra ka skalitur thesare të relievit malor.

Maja e bardhë e Korabit që është fillimi i konturit të peizazhit të Dibrës që ceket në krye të telajos natyrore, për të vijuar me linjat gjarpëruese të Drinit të Zi e bëjnë këtë trevë një kryevepër natyrore për turistët.

Turistët magjepsen pas Korabit për bukurinë që ka, shtigjet malore atraktive, pamjet madhështore, të rralla, rruga drejt ujëvarës dhe shtegu, duke ndjekur Drinin e Zi.

Korabi është mali më i lartë në Shqipëri. I përshtatshëm për ecje malore duke filluar nga maja e Korabit, fshati turistik i Radomirës, fusha e Korabit dhe në bjeshkën e Gramës, stanet e Kaloshëve, në Rabdishtin turistik, me Hinosken e shtëpitë pritëse të Fidallarëve dhe nëpër Valivar në malin e Kërcinit dhe shumë atraksione natyrore dhe kulturore në zonën e Maqellarës.

Ujëvara në bjeshkë e Tanushës

Ujëvara në bjeshkët e Tanushës ndodhet pas malit të Zimurit dhe Skertecit në zonën e Rekës së Maqedonisë  së Veriut, shumë afër fshatrave të Zagradit, Cerjanit dhe Rabdishtit, pjesë e shtigjeve turistike të vargmalit të Korabit.

Drini i Zi

Drini i Zi, së bashku me luginat e mëdha përreth, është një zonë jashtëzakonisht e bukur e Shqipërisë, e cila kryesisht mbetet për t’u eksploruar.

Drini i Zi buron nga liqeni i Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe kalon nëpër qarkun e Dibrës deri në qytetin e Kukësit, në kufirin shqiptar.

Aty ai bashkohet me Drinin e Bardhë dhe dy lumenjtë bëhen një, duke formuar lumin Drin, i cili derdhet në Adriatik.

Në pikën ku lumi kapriçioz nuk mund të ndjekë rrjedhën e tij natyrore, vizitori ka shansin të shijojë plotësisht atë dhe peizazhin e tij të mrekullueshëm përreth.

Këtu, aventurierët kanë mundësinë për të çarë me traget në shtratin e gjerë të lumit Drin. Aktualisht, si rezultat i kësaj hapësire të gjerë, rafting në këtë vend të veçantë është i sigurt dhe vështirë se lodh, duke e bërë atë një vend ideal për të komunikuar me natyrën, duke shijuar këtë sport të këndshëm ujor.

Derisa hyn në Shqipëri, Drini i Zi ndahet në dy degë të mëdha të dallueshme që rrjedhin përgjatë periferi të Dibrës, rrethin më të afërt të këtij lumi. Vendasit e Peshkopisë janë me fat që i kanë themelet e qytetit të tyre në brigjet e këtij lumi.

Në të vërtetë, Drini i Zi ka qenë bujar për këtë popullsi, pasi, përgjatë luginave të këtij rajoni, ku rrjedha e lumit ulet, Drini i Zi kthehet në një plazh të mrekullueshëm. Si i tillë, gjatë sezonit të verës, vendasit gëzojnë këtë oaz plazhi të krijuar nga lumi. Në Fushë-Muhurr, ju mund të gjeni plazh me të njëjtin emër, që ndodhet vetëm 25 minuta larg nga Peshkopia.

Çfarë tjetër e bën këtë lumë edhe më tërheqës? Entuziastët e peshkimit lokal do t’ju tregojnë se ata mund të kalojnë orë pafund duke peshkuar në ujërat e Drinit të Zi.

Ndër llojet e peshkut, më të njohurit këtu, janë krapi, trofta dhe ngjala. Përpara se të niseni në eksplorimin tuaj të Drinit të Zi, duhet të ndaleni nga ndonjë nga qendrat e informacionit turistik në Peshkopi për të marrë udhëzues praktikë nga shumë atraksione të njohura në natyrë dhe destinacione të këtij rajoni të bukur.

Në anën tjetër, Korbi sheh malin e Dejës që është nga malet e mesme më të larta në vend, shqyhet për bukuri të rrallë natyrore dhe shoqërohet për jetë nga mali i Runjës, Fusha e Pelave dhe Lura që ndjekë vargmalin e saj me mrekullitë natyrore të liqeve të saj të rrallë./atsh/ KultPlus.com

‘E dua natën veç pse agu e hollon dritën në ar dhe në blu’

Poezi e shkruar nga Fernando Pessoa

Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila.
I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. 
Çfarë të bëj me gjëra të tilla,
që mund t’i mbledhë kushdo?

E dua natën veç pse agu e hollon
dritën në ar dhe në blu. 
Ajo që shpirti im e injoron
është ajo që do të doja ta kisha këtu.

Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot
vargje për të thënë atë që akoma nuk e di.
E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë…
Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…

Përktheu: Orjela Stafasani/ KultPlus.com