“Jo” tha Niçja,-unë thjesht e quaj me emrin e saj të vërtetë. Nuk kam kundërshtim, që një burrë të bëjë seks kur ka nevojë për të. Por unë e urrej burrin, që lutet për të, që ia jep pushtetin e tij gruas që ia ofron atë, gruas artizane, që e kthen dobësinë e saj dhe fuqinë e tij në fuqi të saj.
-Ah, si mund ta mohoni ju erotikën e vërtetë? Ju injoroni impulsin, dëshirën biologjike, që është errënjosur te ne, që na lejon të riprodhohemi! Sensualiteti është pjesë e jetës, e natyrës.
-Pjesë, por jo pjesa më e lartë! Në të vërtetë, armiku për vdekje i pjesës së lartë. Këtu, më lejoni t’ju lexoj një frazë, që e shkrova sot në mëngjes.
Niçja vuri syzet e tij të trasha, u zgjat për nga tryeza e tij, mori në dorë një bllok të vjetër dhe shfletoi faqet e mbushura me një shkrim të palexueshëm. Ai ndaloi te faqja e fundit dhe gati duke e prekur me hundë, lexoi: Sensualiteti është një bushtër, që puth thembrat tona. Dhe sa mirë, që kjo e përdalë di sesi të lypë për një copë shpirt, kur i mohohet një copë mishi.
Ai mbylli bllokun.
-Kështu që, problemi nuk është, që seksi është i pranueshëm, por që bën që diçka tjetër të zhduket, diçka më e vlefshme, pafundësisht më e çmuar! Epshi, ngacmimi, kënaqësia: këta janë skllevër! Turma e kalon jetën e saj si derrat, që ushqehen në gropën e epshit.
Gropa e epshit. Brojeri përsëriti me vete, i habitur nga intensiteti i Niçes.
-Ju keni ndjenja të forta për këtë çështje. Unë dëgjoj më shumë pasion në zërin tuaj se kurrë më parë.
-Për të mundur pasionin, kërkohet pasion i madh. Shumë njerëz janë thyer nën rrotat e një pasioni më të pakët.
-Dhe përvojat tuaja në këtë fushë?- peshkoi Brojeri. -A keni pasur ju vetë përvoja fatkeqe, që ju kanë ndihmuar t’iu jepni formë përfundimeve tuaja?
-Argumenti juaj i mëparshëm, për qëllimin primar të riprodhimit, më lejoni t’ju bëj këtë pyetje? Niçja e tundi tri herë gishtin në ajër: A nuk duhet, që ne të krijojmë, të bëhemi, përpara se të riprodhohemi?
Përgjegjësia jonë ndaj jetës është që të krijojmë më të lartën, jo të riprodhojmë më të ulëtën. Asgjë nuk duhet të ndërhyjë në zhvillimin e heroit brenda nesh. Dhe nëse epshi ka zënë rrugën, ai duhet tejkaluar gjithashtu.
(Fragment i shkëputur nga libri “Kur qau Niçja” – Irvin Yalom)./ KultPlus.com
Sipas raportimeve, David Beckham do të nderohet me titullin “Kalorës” në ceremoninë e ditëlindjes së Mbretit Charles III.
Ish-kapiteni i ekipit kombëtar anglez të futbollit do të shfaqet në listën që do të publikohet javën e ardhshme”, raportoi “Sun”, pasi u nderua me Urdhrin e Perandorisë Britanike – OBE në vitin 2003.
Beckham, i cili luajti për vendin e tij 115 herë dhe u angazhua gjerësisht në bamirësi, ka qenë në garë për titullin “Kalorës” për më shumë se një dekadë.
Ambasadori i vullnetit të mirë të UNICEF, i cili mbushi 50 vjeç në maj, do të merrte titullin e Sir dhe bashkëshortja e tij, ish-anëtarja e grupit muzikor “Spice Girl”, Victoria Beckham, do të bëhej Lady Beckham.
Ai ishte shume afër marrjes së titullit “Kalorës” në listën e nderimeve të Vitit të Ri 2014, por “HM Revenue and Customs”- Autoriteti i taksave, pagesave dhe doganave të Britanisë së Madhe – kundërshtoi nominimin e tij për shkak të përfshirjes së tij në një skemë të dyshuar për shmangie të taksave.
Spekulimet se Beckham ishte në listën për t’u shpallur “Kalorës” u rritën pasi ai njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli në vitin 2013.
Beckham është i vetmi anglez që shënoi gol në tre Kupa të ndryshme Bote në 1998-1999, kur “Manchester United” fitoi Premier Ligën, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve.
Pasi luajti për United FC, Los Angeles Galaxy dhe Real Madrid, Beckham u përkushtua ta bënte ekipin e tij amerikan “Inter Miami”, në pronësi të përbashkët, një sukses.
Ish-sulmuesi u martua me Victorian, e njohur edhe si Posh Spice, në vitin 1999.
Së bashku, çifti luajti në dokumentarin “Beckham” të Netflix .
Seria dokumentare me katër pjesë rreth jetës dhe karrierës profesionale të Beckham i dha atij një çmim “Emmy” në vitin 2024 për serialin më të mirë dokumentar ose jo-fiktiv.
Beckham u nderua me Urdhrin e Perandorisë Britanike – OBE për kontributin ndaj futbollit me rekomandimin e kryeministrit të atëhershëm, Tony Blair.
Bashkëshortja e tij, Victoria, u nderua me të njëjtin OBE për kontributin në industrinë e modës./ KultPlus.com
Imagjino sikur të mos ketë parajsë e thjeshtë ta provosh… Pa ferr poshtë nesh, vetëm qiell mbi ne. Imagjino gjithë njerëzit të jetonin të sotmen..
Imagjino të mos ketë shtete s’është e vështirë ta bësh; asgjë për të cilën të vrasësh ose të vdesësh, dhe as religjion gjithashtu.. Imagjino gjithë njerëzimin në paqe të jetonte…
Ti… Ti mund të thuash jam një utopist/ëndërrimtar por nuk jam i vetmi. Shpresoj që një ditë, ti të bashkohesh me ne, dhe bota të jetë një…
Imagjino pa zotërime, pyes veten nëse mundesh. Pa nevojë për lakmi apo uri, sall vëllazëria jonë njerëzore…
Imagjino gjithë njerëzit ta ndajnë botën dhe bota të jetë një…/KultPlus.com
150 arkitektë ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët janë mbledhur në Tiranë për Festivalin “Bread & Heart”.
Pasditen e sotme ka nisur pjesa e dytë e punimeve të këtij festivali, me diskutime të reja. Një prej arkitektëve më në zë, japonezi Toyo Ito, nuk mundi që të ishte fizikisht pjesë e këtij festivali në kryeqytet, por ai u bashkua përmes një videomesazhi, ndërsa foli edhe për dy projektet e tij në Shqipëri.
“Festivali më ka ftuar, për fat të keq nuk do të jem në gjendje të marr pjesë për shkak të gjendjes së këmbëve të mia, por jam i përfshirë në dy projekte. Në masterplan rezidencial. Të dyja janë projekte entuziazmuese. Rama më kërkoi të shprehja mendimet e mia në mënyrë sa më të plotë, që më dha shumë kurajo dhe do doja të bëja maksimumin. Një miku im më tha dikur ‘civilizimi është ndarja nga toka, ndërsa kultura është hyrja në tokë’ kultura i ka rrënjët në Tokë, unë i besoj fort kësaj. Mendoj se projekti shqiptar është mjaft tërheqës dhe në kontakt me tokën. Arkitektura moderniste ka prirje të shkëputet nga toka më shumë, dhe Tokio nuk bën përjashtim, por kam shumë shpresa për Shqipërinë në këtë drejtim. Ky festival do të krijojë rezultate të shkëlqyera”, tha ai.
Menjëherë pas mesazhit të Ito, edhe kryeministri Rama mori për pak çaate fjalën duke treguar dhe bisedën që ka pasur me arkitektin për punët e tij në vendin tonë.
Në ndërhyrjen në sesionin e dytë, pas fjalë së arkitektit japonez Toyo Ito, Rama u shpreh se nuk mund të rrinte dot pa ndarë diҫka për mjeshtrin.
“Dua t’ju them pse ai thotë që ‘më la të shprehja mendimet e mia në mënyrën më të plotë të mundshme’”, u shpreh Rama duke treguar për të pranishmit bisedën me arkitektin.
“Patëm një bisedë përmes zoom-it ku po prezantohej projekti. Masterplani ishte fiks sa ky rreth ku kishte një sërë rrathësh të tjerë dhe pastaj kishte një nivel të dytë ndërtese që ishin të gjitha të mbuluara nga retë. Ishte shumë e qartë që se ҫkishte diҫka që nuk shkonte, sepse gjithҫka që ishte e qartë dhe e dukshme ishte shumë e natyrës së Toyo Ito-s, por ndërkohë ky niveli i dytë i ndërtesave të tjera nuk ishin fort tipike të Toyo-Ito-s. E pyeta dhe i thashë ҫfarë mendon për këtë nivel të dytë”, tregoi Rama.
“Duke iu kthyer historisë me gansterë të Semit, instikti më tha që kjo ishte punë e klientit dhe ai në një mënyrë tipike japoneze më tha “kjo është për të përshtatur plotësisht kërkesën e klientit”. I thashë po nëse i heqim fare ndërtesat me re dhe lëmë vetëm atë ҫfarë është në shtresën e parë? Ra heshtja dhe pas heshtjes erdhi pyetja. A është e mundur? I thashë varet nga ty, është vendimi yt. Kështu që vendimi u mor me një prerje gati thike japoneze dhe masterplani është i mrekullueshëm tani, është plotësisht Toyo Ito”, tha Rama.
“Shqipëria nuk mori këtë po themi të ashtuquajtur njollë turpi për të ndërhyrë në mënyrën e të menduarit të Toyo Ito-s dhe prandaj Toyo Ito tha falemnderit apo më mirë që tha për t’u shprehur plotësisht”, theksoi Rama.
“Unë po i ndjek të gjitha diskutimet. Është shumë e qartë që ka ende hapa të tjerë për t’u hedhur për të përqafuar plotësisht ambicien për të ndërtuar arkitekturë të mrekullueshme, me edukimin pak më shumë të investuesve. Është e dhimbshme por edhe këtë hap duhet ta ndërmarrim”, tha Rama./ KultPlus.com
Më 7 qershor 2025, në ora 18:00, në “Hanin e 2 Robertëve” në Prishtinë do të mbahet promovimi i ribotimit të veprës së plotë të shkrimtarit të njohur Musa Ramadani.
Ky botim i ri përmbledh të gjithë krijimtarinë letrare të Ramadanit – prozë, poezi dhe ese – duke e paraqitur atë në një formë të plotësuar dhe të përkujdesur. Ngjarja organizohet për të nderuar kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe dhe për ta rikthyer veprën e tij në qendër të vëmendjes së lexuesve dhe studiuesve.
Promovimi do të shoqërohet edhe me lexime letrare dhe diskutime mbi rëndësinë e veprës së autorit. Në hyrje të ftesës është përfshirë edhe një poezi e shkurtër me autorësinë “MuRai”, që i kushtohet jetës dhe filozofisë së fjalës së shkruar.
Të gjithë të interesuarit janë të ftuar të marrin pjesë./KultPlus.com
Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Evropë. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bën me dije se Shqipëria ka një rritje me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike.
Ministrja Kumbaro i referohet raportit që u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.
Sipas Kumbaros, ky është një tjetër “konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën të UN Tourism (CEU) si pjesë e Deklaratës së Bakusë”.
“Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Gjatë muajit prill të këtij viti hynë në vend 1.487.149 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 6,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, tregues që reflekton një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në vend.
Hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë arritur në 819.151, me një rritje prej 3,2%, ndërsa 95% e turistëve vijnë nga Evropa, ku dominon Evropa Jugore me 74%. Shumica e vizitorëve, rreth 97%, hyjnë për arsye personale, si pushime dhe vizita tek të afërmit, duke treguar se turizmi i brendshëm po merr hov të shtuar.
Rritja e turizmit është rezultat i investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të lidhjeve ajrore, promovimit ndërkombëtar dhe diversifikimit të ofertës turistike. Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë falë bregdetit të pacenuar, kulturës unike dhe atraksioneve natyrore./atsh/KultPlus.com
Kur Tropiku i Gaforres u botua në shtator 1934, Henri Mileri ishte dyzet e tre vjeç dhe një shkrimtar krejtësisht i panjohur. Ai shkruante që prej njëzet vjetësh, por dorëshkrimet ishin mbledhur grumbull në sirtarët e tij. “Ngushëllimi im i vetëm ishin Servantesi, Zhan-Zhak Rusoi dhe Marsel Prusti, që nuk ishin më të rinj kur kishin botuar.”
Lindur në Nju-Jork, ai ishte rritur në një mjedis të varfër dhe dëshira e tij e vetme, që në fëmijëri, ishte të bëhej artist. Ai nuk kishte mendime të qarta dhe provoi pa sukses për vite të tëra – pa formim dhe studim, si autodidakt i përsosur – forma të ndryshme artistike dhe mundësi shprehjeje. Mbijetoi me zanate të vogla të rastit, si shërbyes hoteli apo telegrafist. Pikturonte dhe shkruante vjersha, që ua shiste kalimtarëve në rrugë. Më 1930, arriti në Paris.
“Nuk kam para, nuk kam strehë, nuk kam përvojë. Jam njeriu më i lumtur i botës.” Në brigjet e Senës, Mileri bëri me të vërtetë jetën e një të vdekuri nga uria: ai lypte, nuk e dinte kurrë se kur do të hante sërish. Pa banesë, pa adresë, flinte tek të njohurit thjesht mbi një dyshek; ditën endej në qytet si një i pastrehë, duke vjedhur bakshishet në tryezat e kafeneve. Dhe shkruante kudo që të shkonte, kudo që të ndodhej: në copëra letrash, në mbulesa librash, në fatura llogarish. Shumë shpejt u bë një fytyrë e njohur në baret dhe te fundërrinat e Monparnasit. Ky ishte “Henri, shkrimtari amerikan”. Ai përshkruante atë që shihte dhe atë që ndiente, si një njeri që jeton dhe mendon në kundërshtim me normat dhe rregullat shoqërore dhe që e konsideron veten njeri të dorës së dytë. Nga ato skica do të lindte një roman. “Universi im i njerëzve ishte zhdukur, isha tërësisht vetëm në botë, mik kisha vetëm rrugët dhe ato më flisnin në atë gjuhë të trishtuar dhe të hidhur që është bërë nga mjerimi njerëzor, nga malli, nga keqardhja, nga mohimi dhe nga vuajtja e humbur.”
Në Paris, Henri Mileri gjeti më në fund temën e vet të vërtetë e të madhe letrare: jetën e vet. Tropiku i Gaforres është kështu guri i parë i një autobiografie të përhershme, dhe të gjitha së bashku janë zbulimi i një identiteti artistik, për të cilin aty e tutje Mileri nuk do të dyshonte më. Autori e gjeti, në fillim, te seksualiteti burimin e pashtershëm të jetës së vërtetë; që në rini, vetë ai ishte një erotoman i shkallës së parë, njihte dashuri të shumta, u martua pesë herë. Në Paris, prostitutat e tërhiqnin dhe e mrekullonin, por ai do të takonte gjithashtu një grua, ndikimi i së cilës u bë vendimtar për karrierën e tij. Ai njohu Anais Ninin, gruan e pasur të një bankieri, që shkruante ditarin e saj dhe jetonte në mënyrë shumë të lirë. Kjo bukuri e lehtë u dashurua pas Milerit dhe lidhja e tyre do të përflakej shumë shpejt. Seksi dhe shkrimi bashkohen aty në mënyrë jashtëzakonisht krijuese. Anaisi e mbështeti nga ana financiare Henrin dhe e nxiti nga ana intelektuale, kur ky pushtohej shpesh nga dyshimi dhe pavendosmëria; dhe ishte gjithashtu Anaisi që bëri diçka të botueshme nga dorëshkrimi kaotik, duke shkurtuar gjysmën dhe duke ndrequr shumë dobësi stilistike. Ideja e titullit ishte një krijim i përbashkët i dy dashnorëve.
Pa Anais Ninin, ndoshta nuk do të kishte patur kurrë një Henri Miler shkrimtar.
Libri nuk pati sukses të menjëhershëm, megjithatë bëri zhurmë në botën e vogël letrare, duke e vendosur menjëherë autorin si shkrimtar. Autorë të shquar i kushtuan vëmendje, urimet për sukses dhe komentet nuk kurseheshin; në të njëjtën kohë, kundërshtimet e tërbuara të konservatorëve kundër “pornografit” Henri Miler vetëm e rrisnin namin e tij.
Mileri ia arriti qëllimit të ëndrrave të tij dhe asgjë nuk mund të kthehej prapa. Ai u zhyt i tëri në punë, shkroi libër pas libri. Shumë gjëra ngjajnë edhe sot jashtëzakonisht depërtuese në prozën e Milerit. Ajo që na duket sot shumë e lehtë, dikur për të, sidomos e thëna e gjithçkaje thjesht e pa frikë, ka qenë një stërmundim i vërtetë. /KultPlus.com
Kjo dashuri kaq e furishme kaq e njomë kaq e butë kaq e dëshpëruar kjo dashuri e bukur si dita dhe e vrazhdë si moti kur moti është i keq Kjo dashuri kaq e vërtetë kjo dashuri kaq e bukur kaq e lumtur kaq gazmore kaq hokatare e dridhshme nga frika si një fëmijë në terr e kështu e sigurtë në vetveten si një burrë i qetë në zemrën e natës Kjo dashuri që i përfrikësonte të tjerët që i bënte të flisnin që i bënte të zverdheshin nga frika Kjo dashuri e spiunuar sepse ne e spiunonim të përndjekur plagosur shkelur vrarë mohuar harruar sepse ne e kemi përndjekur plagosur shkelur vrarë mohuar harruar Kjo dashuri krejt e tërësishme ende kaq e gjallë krejt e përdielluar është e jotja është e imja ka qenë ajo që ka qenë kjo gjë gjithmonë e re e që nuk ka ndryshuar kurrë e vërtetë si bima e përpëlitshme si një zog e nxehtë dhe e gjallë si vera ne mundim që të dy të shkojmë e të rikthehemi ne mundim të harrojmë të rizgjohemi të vuajmë të plakemi duke ëndërruar vdekjen të zgjohemi të buzëqeshim e të qeshim e të rinohemi dashuria jonë është atje kryeneçe si një mushkë e gjallë si dëshira mizore si kujtesa budalle si qaravitjet e dlirë si kujtimi e ftohtë si mermeri e bukur si dita e dobët si një fëmijë që vështron duke buzëqeshur e flet pa ditur asnjë fjalë e unë në ankth e dëgjoj e thërras thërras për ty thërras për mua të përgjërohem për ty për mua për të gjithë ata që dashurohen e që janë dashuruar po unë thërras për ty për mua e për të gjithë të tjerët të cilët nuk i njoh ndalu atje atje ku je atje ku ke qenë herët e tjera ndalu mos lëviz mos shko ne që jemi dashuruar ne të kemi harruar ti mos na harro nuk kishim veç teje askënd mbi fytyrë të tokës mos na ler të bëhemi të akullt edhe pse shumë larg gjithmonë e nuk ka rëndësi se ku jepna ndonjë shenjë se je në jetë shumë më vonë në skajet e një zabeli në pyllin e kujtesës ngreu papritmas në këmbë zgjati duar drejt nesh dhe na shpëto.
Në Përmet, thellë në luginën spektakolare të Vjosës në jug të Shqipërisë, trëndafilat çmohen dhe përfshihen më shumë se kudo tjetër, qoftë për parfume, për t’i dhënë shije ujit, apo për ëmbëlsirat që kërkohen prej mijëra turistëve.
“Këtu gjithçka rrotullohet rreth trëndafilave, prej përfshirjes në gatime, e deri te produktet mjekësore – gjithçka shihet nën reflektim të trëndafilit”, ka thënë me shaka mësuesja e biologjisë, Ariana Nikolla, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.
Prej kur ishte e vogël, 57-vjeçarja i ka mbledhur me delikatesë petalet e llojit të saj të preferuar “Trëndafilit të Dhëndrit”, siç njihet një lloj trëndafili rozë, për shkak të aromës së veçantë.
Në Përmet, trëndafilat janë ritual – dhurata e parë për njeriun e zemrës. Dhe ata duhet të jenë rozë, ngjyrë që simbolizon dashurinë dhe besnikërinë.
Secila familje kultivon dhjetëra lloje të trëndafilave nëpër kopshte, përfshirë atë të Damaskut, që njihet për aromën e fortë, duke e bërë shumë të njohur këtë qytet të Ballkanit për ujin e tij artizanal me trëndafila.
Megjithatë, është pothuajse e pamundshme ta blesh – ky ujë konsiderohet me vlerë të lartë, thonë banorët, të cilët mund t’i bëjnë dikujt dhuratë disa pika, dhe atë herë pas here, pasi e ruajnë me shumë xhelozi sasinë që kanë.
“Uji i trëndafilit është dashuri”
“Uji i trëndafilit është sikurse dashuria, duhet të trajtohet me shumë kujdes”, ka thënë veteranja, Resmie Tuci.
“Procesi i përgatitjes së ujit me trëndafila është shumë i vështirë. Duhet të ruhen nëpër enë të veçanta bakri, duhet zgjedhur trëndafilat e freskët, sidomos ata që kanë petalet më aromatike”, ka thënë 70-vjeçarja.
Kjo metodë tradicionale, e përcjellë nga një gjeneratë në tjetrën, është e renditur në inventarin kombëtar të trashëgimisë kulturore jomateriale të Shqipërisë.
Sipas traditës, secili trëndafil duhet të vendoset në një tas bakri të lidhur me fije, i cili vetë është vendosur brenda një legeni të madh me fund të sheshtë të mbushur me ujë.
Pastaj, petalet e trëndafilave të mbledhura me dorë vendosen me kujdes mbi pëlhurë dhe mbulohen me një gur të sheshtë, mbi të cilin hidhet hi i nxehtë nga zjarri.
Vetëm atëherë, petalet nisin të lëshojnë ujin e tyre të çmuar të trëndafilit nëpërmjet kondensimit.
“Është proces që zgjat me orë”, ka thënë Tuci për AFP-në. “Por, çdo pikë është shumë e çmuar”, ka thënë Nikolla, teksa ka mbushur një shishe të vogël me ujë trëndafili, të cilën e ka vendosur më pas në ambient me rreze të diellit për disa javë, sepse vetëm ashtu bëhet gati për përdorim.
“Është i çmueshëm sikurse ari”, ka shtuar ai.
Ëmbëlsirat – kënaqësitë e vogla të jetës Banorët e përdorin ujin e trëndafilit për gjithçka dhe përmendin të mirat e tij, për zbutjen e irritimit të syve, apo edhe për përzije si krem qetësues për lëkurën e skuqur. Dhe natyrisht, për gatim.
Eftali Qerimi, 63-vjeçare, betohet në këtë produkt.
Ëmbëlsirave që përgatit ajo me ujë të trëndafilit dhe bajame nuk u afrohet asgjë tjetër.
Të përgatitura vetëm me pluhur të bajameve, sheqer dhe ujë trëndafili, këto lloj ëmbëlsirash në formë trëndafili janë në menynë kryesore të familjeve të këtij rajoni, sa herë të ketë ndonjë datë të rëndësishme.
Të njohura si hajmalitë e fatit, ato shërbehen në ditëlindje, dasma dhe festa kur lindin fëmijët. Bashkë me gratë tjera në punëtorinë e saj, Qerimi prodhon deri në 10 kilogramë copa bakllavash turke në ditë, dhe një kilogramë e shet 50 euro.
Ajo shpesh përgatit edhe versionet e vogla në formën e këmbës së foshnjave – një tjetër mënyrë si u urohet bebeve jetë e gjatë.
Disa gra përgatisin edhe reçel të trëndafilit dhe aroma e tij e mbush gjithë punishten.
“Trëndafili është gjithçka për neve, simbolizon zemrën, dashurinë dhe lumturinë në jetë”, ka thënë Qerimi, e cila është shumë e zënë në prag të sezonit veror që është gati të nisë.
” Turistët dynden në qytet dhe tundohen pas bukurive natyrore të luginës, me grykat e saj të famshme dhe parkun natyror, por më pas ata duan të shijojnë edhe kënaqësitë e saj kulinare”, ka thënë Eftali duke buzëqeshur./REL/ KultPlus.com
Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i është zgjatur mandati deri më 14 qershor të vitit 2027.
Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Sipas vendimit paraprak, mandati i këtij misioni ishte deri më 14 qershor të këtij viti.
“Në kuadër të shqyrtimit strategjik të EULEX KOSOVO, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që Mandati i Misionit të zgjatet deri më 14 qershor 2027. Asgjë në këtë Vendim nuk duhet të kuptohet si cenim i pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në kuadër të procedurave gjyqësore në kontekstin e EULEX KOSOVO”, thuhet në vendim.
Shuma e ndarë për mbulimin e shpenzimeve të EULEX në Kosovë nga data 15 qershor 2025 deri më 14 qershor 2027 është 170,866,980 euro.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008. Aktualisht Shef i EULEX’it është Giovanni Pietro Barbano. Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara./ KultPlus.com
Aleksandër Sergejeviç Pushkin lindi më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare dhe vlerësohet gjerësisht, si themeluesi i letërsisë moderne ruse. Ky poet i shkëlqyer, elegant dhe romantik, u rrit në kulturën franceze dhe e njihte më së miri si veprën e Volterit, ashtu edhe atë të La Fontenit.
Poeti, dramaturgu dhe romancieri rus, vepra e të cilit, e ushqyer nga trashëgimia klasike evropiane, e hapur ndaj ndikimeve romantike, por shumë e lirë në zgjedhjen e temave dhe formave të saj, çliroi letërsinë ruse nga varësia e rregullave të huaja, Pushkini i ofroi letrat e fisnikërisë gjuhës ruse, duke hapur rrugën për një letërsi të madhe kombëtare me shtrirje universale.
Që prej shkollës së mesme, në Tsarskoie-Selo, Pushkini afirmoi talentin letrar. Në 1820, famën e kërkuar ia dha poema “Rusllana dhe Ludmilla”… po dhe një dëbim në Kaukaz për mendime liberale. U rikthye falë carit Nikolas I në 1826, ku rigjeti jetën shoqërore të Moskës dhe në veçanti botoi dramën kombëtare “Boris Godunovi”.
Natalia Gontaçarova, me të cilën u martua në 1831, duhej ta kishte bërë të lumtur. Por ajo që konsiderohej si një nga gratë më të bukura në Rusi, do të ishte përfundimisht, shkaku i vdekjes së tij: e mikluar nga të gjithë, përfshirë edhe nga Car Nikolas I, ajo përfundoi duke magjepsur një oficer të ri francez, Antes. Më 26 janar 1837, në Shën Petërburg, ai e sfidoi poetin në duel dhe e plagosi atë në ijë. I transportuar në shtëpi, Pushkini vdiq tri ditë më vonë, pa mbushur ende 38-vjeç.
Shumë fraza të shkëlqyera të Aleksandër Pushkinit janë marrë nga poezitë e tij ose çfarë thonë personazhet në romanet e tij. Të gjithë kanë një shenjë të veçantë: ato janë shumë të thella dhe shumë të bukura në të njëjtën kohë.
Thuajse shumicën e kohës ishte i angazhuar në çështje politike, më së shumti për arsye etike sesa për një pasion për pushtet në vetvete.
Aleksandër Pushkini shënoi një epokë, që fare mirë mund të quhet “para dhe pas tij”, në letërsinë ruse.
Ishte një shkrimtar vërtet i rafinuar. Si mendimtar, ai ishte një njeri përparimtar për kohën. Ai vdiq i mbushur me dyshime dhe paradoksalisht, ishte Car Nikolas I që pagoi për këto dyshime.
Mes poezive, risjellim vargjet e famshme:
Letër e Tatjanës, Onjeginit
Po marr guximin që t’ju shkruaj… Ç’do deshit më veç shpirtit tim? E di, se është e drejta juaj Të më dënoni me përçmim. Po ju që e shihni si po vuaj Me pak mëshirë, sado pak, Nuk do më mprapsni zemërake! Më parë desha të rri qetë Për turpin tim besomëni, Ju s’do të dinit kur se si, po të mund të shpresonja vetë Që, kur e kur me plot hare të kem t’ju shoh këtu tek ne Që t’ju dëgjoj si kuvendoni, T’ju them një fjalë dhe pastaj Në zemër veç një mall të mbaj, Veç gjer sa rish të më takoni… Po thonë se ju s’rrini dot Në fshat të heshtur ju mërziti E ne… ne rrojmë me të kotë Plot gas se vini e na aviti. Pse arthtë vetë ashtu në fshat, Na gjettë tek ky vend i qetë? T’ju njoh s’do kisha kurrë fat, S’do kisha turbullimn’ e shkretë. Dhe afsh’ i shpirtit tim në jetë Duke u qetuar (kushedi!). Një mikut mund t’i bëhesha mike Dhe shoqe e jetës e besnike Dhe zonjë e ndershme për shtëpi. Një tjetër… jo askujt në jetë Nuk do t’i falnja dashuri! E ka vendosur Qielli vetë, jam e jotja në përjetësi; Gjithë jeta ime me pat qenë Një peng se ty do të takoj Se Zoti jetën ma ka dhënë Që gjer në varr të adhuroj… Përhera të kam ëndërruar të ndjenja fellë thellë në gjit me atë vështrim që më trondit Në zemër shpesh ta kam dëgjuar ty zërin… jo s’ish ëndërrim! Dhe sapo hyre, të kuptova Më preke fort u përvëlova Thashë ësht’ ai thesari im! S’është e vërtetë? Po, të kam ndjerë Me flisnje kur me dhemshuri ndihmoja njerëzit e mjerë, Më sillte shpesh lutja qetësi, Edhe tashi, ndaj kësaj grime A nuk je ti o ëndrra ime, Që n’errësirë po ndriçon E vjen më prek me nur e hije? S’je ti që plot prej dashurije Shpres’ edhe gas me murmuron? Kush je ti? Engjëlli me shpresë, apo një lajkatar pa besë? Ma hiq tashi këtë dyshim Kjo mbase nj’ëndërr mund të jetë Për zemrën time një zhgënjim E ndryshe krejt fat’ i vërtetë… Po dhe kështu jet’ dhe fat veç ty që sot t’i kam besuar Më qan me lot shpirt i ngratë E mprojtje vij për të kërkuar. Mendo: jam vetë s’kam ku flas askush nuk mund të më kuptoje Mendja fillon të më lëshojë Në heshtje duhet të humbas. Të pres ti eja siç ma k’ënda Dhe shpresat ngjallm’ i përsëri, A ma prish ëndrrën që tashi Me të qortuara të rënda! Mbarova! S’mund ta rilexoj… Po vdes nga frik’ turpëruar Po nderit tuaj i besoj Me plot guxim duke shpresuar…/konica/ KultPlus.com
“Arsyeja e shëndoshë është gjëja më e baraz-shpërndarë në botë,” shkruante Dekarti. Po budallallëku?
Qoftë duke pikuar a duke rrjedhur, duke shpërthyer apo duke u derdhur, ai është kudo. Pa kufij. Nganjëherë shfaqet si një lëpirje e lehtë, pothuajse e durueshme; herë të tjera si një moçal i ndenjur dhe neveritës. E në raste të tjera, si një tërmet, një stuhi apo një valë gjigante që përpin gjithçka në rrugën e vet, duke shkatërruar, duke shkelur e ndotur gjithçka. Pavarësisht formës që merr, budallallëku na spërkat të gjithëve. Thuhet madje se burimi i tij jemi vetë ne.
Pesha e padurueshme e të qenit
Çdo njeri sheh, dëgjon dhe lexon marrëzira, çdo ditë. Në të njëjtën kohë, secili prej nesh është fajtor për prodhimin e tyre, se i mendon, i përtyp në mendje dhe i shqipton me zë të lartë. Të gjithë ne bëhemi budallenj herë pas here, duke nxjerrë marrëzira teksa jetojmë përditshmërinë tonë, pa pasoja të vërteta. Ajo që ka rëndësi është të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndiejmë keqardhje; sepse të gabosh është njerëzore, dhe të pranosh gabimet është gjysma e faljes së tyre. Gjithmonë do të ketë nga ata që na marrin për budallenj, por ne shumë rrallë e njohim marrëzinë tonë. Përveç murmuritjes së përhershme të marrëzisë që na rrethon ditë pas dite, ekziston, për fat të keq, edhe ulërima e mjeshtërave të budallallëkut, mbretërve të marrëzisë – idiotëve me “I” të madhe.
Këta idiotë, qofshin ata në punë apo në shtëpi, nuk janë rastësorë. Ata të ndjekin, të përndjekin me këmbënguljen e tyre në marrëzi të pashpjegueshme, me arrogancën e tyre të pajustifikuar. Ata përparojnë, firmosin kontrata, dhe do të fshinin me një të rënë të lapsit të gjitha opinionet, emocionet dhe dinjitetin tënd. Ata gërryejnë moralin tënd dhe të bëjnë të dyshosh se në këtë botë të shëmtuar mund të ekzistojë ndonjë lloj drejtësie. Sado që të përpiqesh, nuk arrin të gjesh as edhe një fije lidhjeje njerëzore me ta.
Budallallëku është një premtim i pambajtur, një premtim për inteligjencë dhe besim që idiotët mes nesh e tradhtojnë – janë tradhëtarë të njerëzimit. Këta maskarenj janë si kafshë të trasha – krejtësisht shtazarakë! Mund të kemi dëshirë t’i përkëdhelim, t’i kthejmë në miq, por ata nuk janë në atë nivel – domethënë, në nivelin tonë.
Ata vuajnë nga një sëmundje pa shërim. Dhe, meqenëse refuzojnë të shërohen, të bindur se janë mbretër me një në vendin e të verbërve, tragjikomedia bëhet e plotë. Nuk është çudi që njerëzit janë të magjepsur nga zombit – nga simulimi i ekzistencës që ata mishërojnë, boshllëku i tyre intelektual dhe nevoja e tyre e thellë për të tërhequr poshtë të gjallët, heroikët dhe thjesht njerëzit e ndershëm deri në nivelin e tyre.
Dhe kjo ka logjikë: idiotët, ashtu si zombit, duan të hanë trurin tënd – këta qenie të dështuara nuk të zhgënjejnë kurrë. Gjëja më e keqe tek ata është se ndonjëherë mund të jenë inteligjentë, ose të paktën të shtiren si të tillë. Ata janë mjeshtëra në shndërrimin e kontureve të dijes në hekura burgu dhe do të digjnin me kënaqësi librat – bashkë me autorët e tyre – në emër të ndonjë ideologjie, ose të diçkaje që kanë dëgjuar nga ndonjë i “ditur” (idiot apo jo).
Pasiguria të çmend, siguria të bën budalla
Budallenjtë të dënojnë menjëherë, pa asnjë mundësi apelimi dhe pa pranuar rrethana lehtësuese, vetëm mbi bazën e dukjes së çastit që arrijnë të shohin përmes bllokadave të tyre të ngushta.
Ata dinë si të nxisin simpatizantët e tyre, si t’i shtyjnë drejt linçimit në emër të virtytit, zakoneve, respektit. Idioti gjuan në tufë dhe mendon në mënyrë kolektive. Siç thotë kënga e Georges Brassens: “Shumësi është i padobishëm për njerëzimin; sa herë që mblidhen më shumë se katër veta, do të gjesh një turmë idiotësh.” Ai gjithashtu shton: “Lavdi njeriut që, duke mos pasur ideale madhështore, kënaqet thjesht me faktin që nuk u bëhet pengesë fqinjëve të vet.” Për fat të keq, fqinjët tanë nuk na e kthejnë gjithmonë nderin.
I pakënaqur me faktin që të bën të vuash, idioti i bezdisshëm është i kënaqur me veten. I palëkundur. Ai është imun ndaj dyshimit tek vetja dhe i bindur për të drejtën e tij. Idioti i lumtur i shkel të drejtat e tua pa u menduar dy herë. Budallai i merr ato që beson për të vërteta të skalitura në mermer, ndërsa çdo njohuri e vërtetë ndërtohet mbi rërë.
Pasiguria të çmend, siguria të bën budalla; duhet të zgjedhësh në cilin kamp do të bësh pjesë. Maskarai mendon se di më mirë se ti – ai jo vetëm që pretendon të dijë çfarë duhet të mendosh, të ndjesh dhe të bësh me dhjetë gishtat e tu, por di edhe se për kë duhet të votosh. Ai di kush je ti dhe çfarë është më e mira për ty, më mirë sesa ti vetë.
Nëse nuk je dakord me të, ai do të të përçmojë, do të të fyejë dhe do të të sulmojë, si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe në mënyrë figurative, për “të mirën tënde”. Dhe nëse mund ta bëjë këtë në emër të ndonjë ideali të lartë, nuk do të hezitojë të sulmojë “plehrën” që përfaqëson ekzistenca jote për të, me një ndjenjë të plotë pandëshkueshmërie.
Dhe ja një e vërtetë e hidhur: vetëmbrojtja e justifikuar është një kurth. Nëse përpiqesh të arsyetosh me një idiot ose t’i ndryshosh mendjen, je i humbur. Në momentin që vendos se është detyra jote ta përmirësosh atë, në çastin që mendon se di si duhet të mendojë dhe të veprojë (si ty, sigurisht), loja ka marrë fund. Ja pra: tani je ti budallai — dhe për më tepër je edhe naiv, sepse beson se je në gjendje ta përballosh sfidën.
Edhe më keq: sa më shumë përpiqesh të reformosh një idiot, aq më shumë ai forcohet. Ai kënaqet duke e parë veten si viktimë që shqetëson të tjerët – dhe pikërisht për këtë arsye, ndjehet i bindur se ka të drejtë.
Duke e qortuar, ti i jep mundësinë të besojë me bindje të plotë se është një hero i antikonformizmit, dikush që duhet mbrojtur dhe admiruar. Një anëtar i rezistencës… Dridhu përpara madhështisë së këtij mallkimi: nëse përpiqesh të reformosh një idiot, jo vetëm që do të dështosh, por do ta forcosh atë dhe do të inkurajosh imituesit.
Më parë ishte vetëm një budalla: tani janë dy.
Lufta kundër marrëzisë vetëm sa e forcon atë. Sa më shumë ta sulmosh një ogër, aq më shumë shpirtra ai përpin.
Kalëruesit e Apokalipsit
Në këtë mënyrë, nuk ka asnjë mundësi që budallallëku të humbasë fuqinë e tij. Ai është eksponencial. A po jetojmë sot – më shumë se dje dhe më pak se nesër – në epokën e artë të idiotësisë? Që prej kohërave më të hershme të dokumentuara me shkrim, mendjet më të mëdha të kohërave të tyre e kanë besuar këtë. Ndoshta kishin të drejtë, atëherë.
Nga ana tjetër, ndoshta, si gjithë të tjerët, edhe ata ishin thjesht budallenj të moshuar.
Megjithatë, risia e vërtetë e epokës sonë është se sot mjafton një idiot me një buton të kuq për të shfarosur gjithë budallallëkun – dhe mbarë botën bashkë me të. Një idiot i zgjedhur nga dele që ishin tepër krenare për të zgjedhur kasapin e tyre.
Karakteristika tjetër e madhe e kohës sonë është se, edhe nëse pranojmë se budallallëku nuk ka arritur ende kulmin e tij, dimë se ai nuk ka qenë kurrë më parë kaq i dukshëm, kaq i paturpshëm, kaq i zëshëm dhe kaq i padiskutueshëm. Kjo mjafton për të të bërë të humbasësh shpresën tek bashkëqytetarët. Nga ana tjetër — kush e di? — mund të të frymëzojë t’i drejtohesh filozofisë për ta përballuar situatën, duke qenë se së fundmi është gjithnjë e më e vështirë të mohosh kotësinë e gjithçkaje dhe narcisizmin e gjithkujt, për të mos përmendur marrëzinë e pamjeve dhe mbizotërimin e gjykimeve të cekëta.
Ah, sikur të na shkruante ndonjë Erasmus i dytë një Lavdi Budallallëkut (por në shpërthime me 280 gërma, që të na shpëtonte nga migrena)! Ah, sikur të na shfaqej një Lukrec i ri për të na sjellë lehtësim dhe ndoshta edhe gëzim — gëzim që do ta shijonim të sigurt në breg, ndërsa anija e budallenjve fundoset, e sabotuar nga vetë pasagjerët e saj, që bërtasin për ndihmë ndërsa mbyten.
Si lakmitarë të pangopur, ne lëpijmë buzët përballë nektarit më të dëshiruar: luftës mes vetë budallenjve, me qimet ngritur dhe egot gati për përplasje. Mendjet e mëdha mendojnë njësoj; mendjet e vogla përplasen.
Ndërsa përpiqesh të mbetesh spektator, jo aktor, në këtë skenë beteje, do të ishte marrëzi të imagjinosh veten më pak të prekshëm nga budallallëku se bashkëkohësit e tu të zymtë, uluritës, të mjerueshëm dhe të trazuar.
Por nëse, rastësisht, do të kishe të drejtë… çfarë fitoreje do të ishte! Është më e mençur të jesh modest; nëse përpiqesh të ngrihesh mbi turmën, nuk do të të falin. Edhe nëse arratisesh nga tufa, do të përfundosh gjithsesi në thertore. Ulëri me ujqërit, blegëri me delet, por kurrë mos ec vetëm; të gjithë do të bërtasin kundër teje.
E vetëkuptueshme: nëse vërtet beson se je më i zgjuar dhe më i admirueshëm se njeriu i zakonshëm, atëherë diagnoza fatale është afër: me shumë mundësi, edhe ti je një bartës i pavetëdijshëm i budallallëkut.
Nga libri “Psikologjia e budallallëkut”/ KultPlus.com
“Libri të ban të lirë” është tema e panairit të parë të librit që po mbahet në qytetin e Shkodrës.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si organizuese e panairit njoftoi se në të marrin pjesë disa shtëpi botuese, të cilat prezantojnë për lexuesin shkodran titujt e tyre të rinj në kategorinë e librave artistik për të rritur, fëmijë dhe studimorë.
Programi i këtij panair është i pasur me aktivitete për librin, promovimin e titujve të rinj si dhe lexime nga autorët.
Ndër autorët pjesëmarrës janë: Stefan Çapaliku, Artur Baku, Andreas Dushi, Suad Arilla, Durim Taçi, Ledia Dushi, Liridon Mulaj, Arjola Zadrima, Lekë Tasi, Xhahid Bushati, Ndue Ukaj dhe Mark Lucgjonaj.
Panairi është i hapur deri më datë 7 qershor./atsh/KultPlus.com
Përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe institucionet e trashëgimisë kulturore morën pjesë në një trajnim rajonal në Ulqin, mbi arkeologjinë nënujore dhe digjitalizimin e trashëgimisë me metoda moderne.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga ky trajnim si dhe mesazhet nga disa prej specialistëve pjesëmarrës në këtë takim.
Gonxhja e cilësoi me rëndësi procesin e dokumentimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore të vendit tonë.
“Nga fotogrametria te simulimet në zhytje, kjo përvojë rriti kapacitetet tona për ruajtjen dhe promovimin e thesareve nënujore, duke forcuar bashkëpunimin Shqipëri–Mal i Zi–Kroaci”, u shpreh Gonxhja.
Sipas tij, trashëgimia kulturore, edhe nën ujë, meriton dritën e vëmendjes si asete të turizmit.
Një nga specialistët pjesëmarrës në këtë trajnim, Sabian Hasani e vleresoi pozitiv bashkëpunimin mes vendeve ballkanike për një qëllim të përbashkët.
“Nga ana teknike eksperienca me fotogametrinë do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë, për ata që nuk kanë eksperiencë, për ata që kanë më pak eksperiencë, ashtu si unë që nuk kam bërë kurrë arkieologji nënujore e cila është një pikëpamje krejt ndryshe, pra do të jetë një ndihmë shumë e madhe”, tha ai.
Hasani u shpreh se, “veçanërisht për arkeologjinë nënujore, them se është një fushë e pazhvilluar mirë në këtë pjesë të botës dhe është mirë të nisim përpjekjet bashkëpunuese që të gjithë të jemi në harmoni”.
Frenk Peza, specialist në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, e sheh këtë trajnim si një ekspericë pozitive, që gjithashtu siç theksoi ai, “tregon se si vende të ndryshme e trajtojnë sipas mënyrës së tyre mbrojtjen e trashëgimitë kulturore”.
Sipas tij, edhe pse Kroacia është shumë më e avancuar, se homologët tanë rajonalë, mënyra sesi afrohen dhe duan ta tregojnë, të mësojnë studentët dhe njerëzit që janë pjesë e institucioneve, është shumë interesante dhe na bën të mendojmë sipas mënyrës së tyre.
Ndërsa Blerina Toci, një tjetër e pranishme në trajnim tha se, “kjo është një nga gjërat më të rëndësishme, për të parë drejt të ardhmes, për ne njerëzit që punojmë me entitete kulturore, duke parë edhe nga e kaluara. Është me rëndësi të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se si funksionojmë ne në vendin tonë, në Kroaci dhe në Malin e Zi, për të gjetur pikat e dobëta dhe të forta dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë”.
Andrea Pambuku, vuri në dukje se, “ky takim shërbeu si një eksperiencë për të mësuar se si të ruajmë arkielogjinë nënujore dhe si mund të krijojmë vende të reja për turizëm dhe kulturë. Gjithashtu të mbrojmë vendet nënujore ku është e nevojshme, duke qenë se jemi të rinj në këtë fushë”.
Elisabeta Mosho theksoi se, eksperieanca e përfituar në këtë trajnim do t’i shërbejë për njohuri më të mira në dokumentet 3D, si proces shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e trashigimisë kulturore./atsh/KultPlus.com
Me moton “Bukë dhe zemër/ Sillni pak kripë ju lutem”, festivali do të zhvillohet në “Book Building” në qendër të Tiranës dhe do të zgjasë gjithë ditën, nga ora 08:00 deri në 23:55.
Organizuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, nën kujdesin e Kryeministrit Rama, festivali do të përfshijë ekspozita, konferenca dhe performanca artistike.
Mbi 150 grupe arkitektësh nga mbarë bota pritet të marrin pjesë, duke sjellë ide të reja dhe bashkëpunime për të ardhmen e arkitekturës në Shqipëri./ KultPlus.com
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u çel mbrëmjen e djeshme ekspozita “I soli di tutte le terre”- “Diejt e të gjitha tokave”.
Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, e dërguara e SHBA-ve në Tiranë, Nancy Van Horn, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe personalitete të artit dhe kulturës.
Në këtë ekspozitë prezantohet për herë të parë në Tiranë, vepra e Enzo Cucchi, një nga emrat më të rëndësishëm të pikturës italiane bashkëkohore.
Në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Spazio Taverna, ekspozita zbulon dimensionet ku shpirtërorja takohet me materien, një ekspozitë që sjell dritën si simbol bashkimi mes dy brigjeve, një urë arti dhe reflektimi.
Në këto punime prezantohen fazat më të rëndësishme të karrierës së tij të gjatë, duke filluar me disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat, të tilla si Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.
Vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies së Cucchi-t me krahinën e Marche-ve, një territor themelor i kërkimit të tij artistik, me një seksion që bashkon një seri pikturash të vogla kushtuar vendeve të ndryshme të një krahine që zotëron, sipas Cucchi-t, “të gjithë aktualitetin e një emocioni që është i nevojshëm për një artist”.
Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet vizatimit, një shprehje e rëndësishme e mendimit të Cucchi-t me një përzgjedhje që dokumenton aktivitetin dhjetëvjeçar të artistit kushtuar vizatimit, të cilin ai e konsideron bazën e artit dhe marrëdhënies së tij me Marche-t, duke i mbushur fletët me elementë tipikë të peizazhit të krahinës.
“Kështu, arti i Cucchit mbërrin në Shqipëri, duke sjellë diellin, selvitë, tokën, fushat dhe kodrat e Marche-ve, për të ndarë diejt mesdhetarë, të cilët ngrohin tokën dhe bashkojnë dy brigjet e Adriatikut, të cilin Predrag Matvejević e përcaktoi si “deti i intimitetit”, nën shenjën e pikturës”, shpjegojnë kuratorët e Spazio Taverna-s.
I konsideruar si artisti më vizionar midis eksponentëve të Transavanguardia-s, Enzo Cucchi (Morro d’Alba, 1949), që nga vitet 1980, ka fituar famë ndërkombëtare. Ai ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja, si Kunsthalle në Bazel, Solomon R. Guggenheim në Nju Jork, Tate Gallery në Londër, Centre Georges Pompidou në Paris, Castello di Rivoli, Rivoli (Torino), Palazzo Reale në Milano, Muzeu i Artit Sezon në Tokio, Akademia Franceze në Romë – Villa Medici, Musèe d’art modern në Saint-Etienne Metropole dhe MAXXI.
Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës.
Veprat e tij gjenden në koleksionet kryesore të muzeve të botës dhe në koleksionet private më prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita “Diejt e të gjitha tokave” do të jetë e hapur për publikun deri më 5 korrik 2025 në ambientet e galerisë COD në Kryeministri./atsh/KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës vazhdon të zgjerojë partneritetet në arenën akademike ndërkombëtare. Gjatë vizitës intensive dyditore në Hungari nga rektori Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, u nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi me disa nga universitetet më të rëndësishme të këtij vendi.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, bëhet e ditur se UP ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa nga universitetet e njohur të Hungarisë.
Ndërsa kjo agjendë intensive vjen menjëherë pas suksesit të fundit të UP-së në renditjen ndërkombëtare Times Higher Education (THE) 2025, përbën dëshmi të qartë se ndërkombëtarizimi nuk është më vetëm një synim strategjik, por një realitet.
“Rritja e numrit të studentëve nga Kosova që ndjekin studime në Hungari, falë bursave evropiane dhe atyre hungareze, si dhe zgjerimi i shkëmbimeve akademike me institucionet hungareze, po ndërton ura të qëndrueshme dhe afatgjata bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar lidhur me ndërhyrjen në ish-burgun e Spaçit dhe projektin filmik mbi Revoltën e vitit 1973.
Ky reagim vjen pas qëndrimeve të ndryshme lidhur me projektin e qeverisë për ta kthyer Spaçin në një Muze të Kujtesës.
REAGIMI I PLOTË I MEKI-t:
Së fundmi është krijuar një “tymnajë” e panevojshme në lidhje me ish-burgun e Spaçit, duke injoruar jo vetëm degradimin ekstrem fizik por duke sajuar fabula mbi “prishje të kujtesës historike” apo “qoka” për hir të një filmi, çka është keqinformuese, por edhe dashakeqe në thelb.
Për të gjithë të shqetësuarit realisht mbi fatin e këtij vendi simbol të kujtesës kombëtare, dhe mbi aludimet e anatemimet e shprehura, sqarojmë disa fakte të rëndësishme:
Prej më shumë se tre vitesh, regjisori Namik Ajazi së bashku me shkrimtarin Visar Zhiti, vetë i burgosur politik dhe dëshmitar i atij realiteti, kanë ngritur përpjekjen e një projekti filmik ambicioz, që ka për synim të sjellë në ekran një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri: Revoltën e të burgosurve të Spaçit në maj të vitit 1973.
Kjo revoltë, e ndërmarrë nga njerëz që kishin përjetuar tejkalimin e çdo caku të dhunës shtetërore, që kishin humbur lirinë, familjen dhe jetën, mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të shpirtit të pamposhtur të njeriut. Sjellja e kësaj historie në ekran, me vërtetësi artistike dhe etike, është detyrim moral dhe kulturor, si ndaj të kaluarës, ashtu edhe ndaj brezave që vijnë.
Vështirësitë e realizimit të këtij projekti filmik janë të mëdha, për shkak të pamundësisë për të rindërtuar kampin-burg në një set, gjendjes tejet të amortizuar të sitit në Spaç, nevojës për xhirime autentike në një ambient që ruan ende gjurmët reale të tragjedisë së atij vendi.
Nga ana tjetër projekti i Qeverisë Shqiptare për ta kthyer Spaçin në një Muze të Kujtesës, të hapur e të aksesueshëm për të gjithë, ka nisur prej kohësh. Ish-burgu dhe kampi i punës së detyruar i Spaçit është vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë.
Vende të ndryshme që kanë përjetuar regjime autoritare po merren me trashëgiminë materiale të së kaluarës së tyre të vështirë dhe nismat për të shndërruar ish-burgjet në muze, memorialë apo qendra kulturore po rezultojnë të frytshme për shoqërinë civile dhe institucionet për të kuptuar, përpunuar dhe përballur me të kaluarën që kjo lloj trashëgimie përfaqëson.
Duke pasur parasysh rëndësinë e tij të jashtëzakonshme, ka ardhur momenti që Spaçi t’u kthehet qytetarëve shqiptarë dhe ndaj është punuar, prezantuar dhe miratuar në vitin 2024 plani i menaxhimit, zbatimi i të cilit do të mundësojë realizimin e vizionit për të ardhmen e Spaçit.
Plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 58 individë në konsultimin paraprak: ish të burgosur politikë; profesionistë të institucioneve të ruajtjes së kujtesës, advokimit dhe kërkimit në Shqipëri; drejtorë të muzeve dhe zonave muzeale brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues dhe anëtarë të komunitetit të Mirditës, artistë dhe profesionistë të kulturës, mësues e profesorë historie.
Përmes përafrimit me rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit, vizioni është që Spaçi të vazhdojë të jetë një vend i kujtesës dhe reflektimit personal dhe kolektiv. Qëllimi në lidhje me ndërtesat e ish-burgut është ruajtja e tyre në gjendjen sa më origjinale, duke ndalur përkeqësimin e shpejtë të tyre, duke i ruajtur ato në mënyrë të tillë që të dëshmohen këto tre dekada në të cilat shoqëria shqiptare është përpjekur të reflektojë mbi historinë e saj të fundit dhe të dhimbshme, në të cilën shenjat e kalimit të kohës mbi ndërtesa janë gjithashtu një metaforë për një distancim nga kujtesa e hidhur e vendit. Por degradimi aktual përbën edhe një rrezik eminent për humbje të pakthyeshme të kësaj kujtese.
Detaje të mëtejshme mbi ndërhyrjet e sugjeruara të ruajtjes, rikrijimin e mundshëm të elementëve kyç, rikuperimin e shtigjeve dhe hyrjeve në tunelin e minierave dhe strategjitë e interpretimit të trashëgimisë kulturore janë paraqitur po ashtu në këtë plan, sipas të cilit do të ndërmerren procedurat e nevojshme për ngritjen e Muzeut të Burgut dhe Kampit të Punës së Detyrueshme, një muze dedikuar rezistencës ndaj diktaturës komuniste. Fokusi i muzeut do të jetë në përpjekjet dhe historitë e vuajtjes, mundimit dhe rezistencës që kanë ndodhur në Spaç, që nga episodi themelor i Revoltës së Spaçit në 1973, deri te aktet dhe gjestet e shumta të përditshme të mbijetesës deri te humbja e humanizmit, dinjitetit dhe solidaritetit që iu imponua të burgosurve. Informacione të mëtejshme mbi koleksionin e parashikuar të Muzeut, mbi hapat e nevojshëm për krijimin e tij dhe mbi strategjinë specifike të funksionimit do të paraqiten në vijim dhe do konsultohen hap pas hapi publikisht.
Megjithatë, duhet të kuptohet se koha e nevojshme për realizimin e një muzeu të tillë, me të gjitha standardet që kërkohen, e tejkalon afatin kohor të fillimit të xhirimeve, i cili është i përcaktuar tashmë në një mundësi historike bashkëprodhimi me një studio prestigjioze italiane. Për këtë arsye, kërkuam që brenda projektit të madh të rehabilitimit, të shihej me prioritet realizimi i disa ndërhyrjeve konservuese dhe përforcuese të pjesshme, duke parë edhe riskun e lartë për aksidente në sit, që do të mundësonin sigurinë fizike dhe rikrijimin e atmosferës së vitit 1973 me ndihmën e efekteve speciale dhe skenografisë, me një buxhet dhe ndërhyrje minimale. Përse nuk u protestua vite më parë për dritaret blu, për rrënimin e dhjetra monumenteve e strukturave, për rrëshqitjet e erozionin prej lënies në mëshirë të fatit, për rrëzimin e trarëve e soletave, për zhdukjen e artefakteve e të materialeve, për rrezikun ndaj vizitorëve? Mjaft të shikohen fotot! Dhe krejt papritmas lajmi i një filmi po rrezikon Spaçin?
Ndërhyrjet nuk kanë për qëllim modifikimin e memories historike, përkundrazi, janë të menduara me kujdes për ta ruajtur dhe pasuruar atë. Në fillesë të punimeve, shenjat e rehabilitimit qenë të dukshme, por ato integrohen dhe harmonizohen përmes teknikave skenografike dhe restauruese, duke përngjasuar sa më afër gjendjes origjinale të kohës.
Ky projekt filmik, që do të sjellë në ekran një histori të jashtëzakonshme guximi, dhimbjeje dhe idealizmi, nuk është një nismë politike, dhe as një manovër jotransparente, por një përpjekje e mundimtë dhe e sinqertë për të kujtuar dhe nderuar një kapitull të errët e heroik të historisë sonë.
Çdo zë që mundohet të përdorë këtë situatë për instrumentalizim politik apo për të nxitur dyshime dhe ndasi, në fakt po bie ndesh me përpjekjen për të dokumentuar një të vërtetë që për dekada u hesht dhe u mohua.
Projekti i këtij filmi, bën të padukshmen të dukshme, i jep zë atyre që nuk patën zë, dhe tregon për tërë botën atë që ndodhi në burgjet politike të diktaturës komuniste shqiptare. Ky është një borxh që historia na e ka lënë, dhe që arti ka fuqinë dhe përgjegjësinë ta shlyejë.
Përsa i përket sitit të ish-burgut të Spaçit, ne jemi të ndërgjegjshëm për ndjeshmërinë që ky sit ka dhe ku përmes planit të menaxhimit, janë parashikuar të gjitha konservimet dhe hapat e mëtejshëm që do të garantojnë mbrojtjen e kujtesës historike, integritetin e sitit dhe përdorimin e tij në funksion të edukimit publik, reflektimit qytetar dhe dokumentimit të së vërtetës historike.
E kaluara jonë nuk mund të fshihet, nuk mund të ridizenjohet sipas interesave të çastit dhe as të lihet në harresë nga neglizhenca.
Çdo hap që ndërmerret në Spaç bëhet me ndjeshmërinë që kërkon një vend i ngarkuar me dhimbje dhe dinjitet, me vetëdijen se kujtesa nuk mbahet gjallë vetëm nga muret që qëndrojnë, por nga zërat që ngrihen për të treguar të vërtetën që ato mure kanë parë.
Prandaj, ndërhyrjet konservuese dhe projekti filmik nuk janë dy rrugë të ndara, por dy shtylla të së njëjtës përpjekje fisnike për të mos lejuar harresën të bjerë mbi atë që ndodhi, për të mësuar nga plagët e historisë dhe për të ndërtuar mure mbajtëse e ura ndërgjegjësimi mes brezave, që të mos përsëritet më kurrë ai ferr!
E fundit, por jo nga rëndësia! Nuk duhet të harrojmë eksperiencat e “protestave” me kobure në brez për këndin e lojrave në Parkun e Madh të Liqenit dhe molotovët ndaj Bunkartit nga Sanço Pançot e politikës së vjetër! Le të distancohemi prej tyre.
Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Rita Ora, ka lansuar këngën e saj të re “Heat”.
“Heat” është një këngë ritmike e cila pritet të shëndrrohet në një hit veror.
Nuk është rastësi që “Heat” lansohet pikërisht në ditën kur Rita performon në World Pride Music Festival në Washington, D.C. Me gjithë energjinë dhe ngjyrën që sjell, kjo këngë duket si krijuar për skenën e atij festivali – dhe për aplikacione si Grindr, shkruan Official Charts.
Kënga është prodhim i Peter Thomas, i njohur për bashkëpunimet me yllin e popit alternativ Betty Who, ndërsa në tekst kanë kontribuar edhe Troye Sivan dhe Leland – ky i fundit njihet për sukseset e tij me këngë si “1999” nga Charli XCX dhe Troye, “Rare” nga Selena Gomez, apo “Kings & Queens” nga Ava Max.
Një përvojë unike artistike dhe kulturore do të përjetohet në Tiranë nga data 9 deri më 12 qershor, në kuadër të Javës Kulturore Izraelite, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare të organizuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Nga teatro kukullash, te kërcimet që rishkruajnë marrëdhënie njerëzore, dhe te tingujt shpërthyes të një grupi rock-u që shpërndan mesazhe paqeje, publiku do të mund të shijoje një eksperienë ndryshe.
Dita e parë e Javës Kultuorore Izraelite hapet më 9 qershor, në Teatrin e Kukullave me shfaqjen “When All Was Green” nga Dikla Katz dhe Avi Zlicha, që rrëfen historinë e një djali dhe një peme. Duke përdorur libra të vjetër, kopertina të ricikluara dhe faqe të zverdhura, artistët ndërtojnë një univers ku fëmijëria dhe natyra takohen me betonin e gri të qyteteve moderne. Me 16 çmime ndërkombëtare dhe me turne në më shumë se 30 vende të botës, kjo shfaqje prek çdo publik pa përjashtim, sepse përçon mesazhe të thella pa asnjë fjalë, duke komunikuar përmes emocioneve dhe artit të lëvizjes. Pas kësaj shfaqje, artistët e Teatrit të Kukullave do të udhëheqin një workshop interaktiv për fëmijë dhe të rritur.
Ndërsa më 11 qershor, një skene e vendosur te instalacioni Reja, do të elektrizohet me koncertin e “Orphaned Land”, një nga legjendat më të shquara të rock. Ky grup izraelit, themeluar në vitin 1991, ka përdorur muzikën si mjet për të përhapur mesazhe paqeje dhe bashkimi mes kulturave. Me pesë albume dhe fansa nga Lindja e Mesme deri në Evropë e Amerikë, “Orphaned Land” ka fituar çmime ndërkombëtare për përpjekjet e tyre që japin mesazhe paqeje. Shumë fansa kanë nisur edhe një peticion për t’u dhënë atyre Çmimin Nobel për Paqe.
Java Kulturore Izraelite do të mbyllet më 12 qershor, me baletin modern “I carry you hold” nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton që do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky duet eksploron marrëdhëniet midis një gruaje dhe një burri ku nuk ekziston pushteti apo nënshtrimi. Bëhet fjalë për një dialog trupor të ndërtuar me delikatesë dhe intensitet, që reflekton mbi barazinë, ndjeshmërinë dhe emancipimin.
Të gjitha aktivitetet janë të hapura dhe falas për publikun, duke ofruar një mundësi që jo shpesh herë përjetohet. Pas Izraelit, radhën do ta ketë Java Kulturore Suedeze e cila nis me datë 13 qershor dhe që premton një eksperiencë po aq unike sa edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse në Javët Kulturore Ndërkombëtare./ (BalkanWeb)/ KultPlus.com
Në një epokë që endet mes shpresës për përparim dhe ankthit për humbjen e thellësive shpirtërore, letra e Gëtes drejtuar mikut të tij të ngushtë, kompozitorit Carl Friedrich Zelter, është një dëshmi e rrallë e vetëdijes kritike ndaj frymës së kohës. Shkruar më 6 qershor 1825, kjo letër është më shumë se një korrespondencë personale: është një reflektim i thellë filozofik dhe kulturor mbi simptomat e modernitetit të hershëm, mbi krizën e autenticitetit dhe humbjen e ekuilibrit midis përparimit të jashtëm dhe pjekurisë së brendshme.
Në këtë rrëfim të sinqertë, Gëte përshkruan me një ton të kthjellët e pakompromis një botë që ka filluar të vrapojë më shpejt se mendimi, ku entuziazmi i të rinjve rrëmbehet përpara se të piqet, ku pasuria dhe shpejtësia shndërrohen në vlera të vetme referuese. Ironia e hollë e Gëtes nuk është vetëm ndaj ritmeve të reja të kohës – të mishëruara në simbolet e modernitetit si hekurudhat apo anijet me avull – por edhe ndaj një lloj mediokriteti kulturor që, në emër të universalitetit dhe aksesit të gjerë, shpërfill thellësinë, mjeshtërinë dhe përkushtimin shpirtëror ndaj dijes dhe artit.
Ai përçmon tejkalimin e përhershëm, këtë prirje “ultra”, që s’e njeh më masën, s’e ndjek më esencën, që ndjek verbërisht veprimin pa njohje të temës. Thjeshtësia, dikur virtyt, është zëvendësuar nga një lloj uniformiteti i zhurmshëm, ku gjithçka zhveshet nga përmbajtja për t’u bërë vetëm funksion.
Kjo letër, e shkruar në moshën e pjekurisë së vonë të Gëtes, është gjithashtu një testament i një epoke që e ndjen veten në mbyllje – një përshëndetje ndaj një bote të vlerave të brendshme, ndaj një arti dhe jete që nuk është vetëm shpejtësi, por edhe qëndrim, që nuk është vetëm rrugëtim, por edhe reflektim. Ajo na vjen si një thirrje për vetëdije dhe kthim te vetvetja, në një kohë kur gjithçka rrezikon të bëhet zëvendësim, jo përmbajtje.
Në kontekstin e sotëm, letra tingëllon më aktuale se kurrë, si një kujtesë për të mos e lënë shpirtin në hije ndërsa trupi dhe bota nxitojnë përpara. Është një ftesë për ta ripërtërirë ndjeshmërinë, për ta ringjallur ndjenjën ndaj thelbit, për të ruajtur atë “mendje me të cilën kemi ardhur deri këtu” – e cila, sipas Gëtes, është mbase e fundit e një epoke që nuk do të rikthehet më.
***
(…) Nuk mund të përfundoj pa iu referuar sërish asaj muzike të mbingarkuar; por gjithçka, i dashur Mik, në ditët e sotme është ultra, gjithçka kapërcen përherë në mendime si në veprim. Askush nuk e njeh më veten e tij, askush nuk e kupton elementin në të cilin lëviz dhe punon, askush nuk e kupton temën që trajton. Thjeshtësia e pastër nuk bëhet fjalë; të thjeshtë kemi mjaft.
Të rinjtë entuziazmohen shumë herët dhe më pas rrëmbehen në vorbullën e kohës. Pasuria dhe shpejtësia janë ato që bota admiron dhe ato që të gjithë përpiqen të arrijnë. Hekurudhat, postat e shpejta, anijet me avull dhe çdo lloj lehtësie të mundshme në mënyrën e komunikimit, janë ato që bota e arsimuar ka në sy, që ajo të mund të mbiedukojë veten dhe në këtë mënyrë të vazhdojë në një gjendje mediokriteti. Dhe është, për më tepër, rezultat i universalitetit, që një kulturë mediokre duhet të bëhet e zakonshme; ky është qëllimi i Shoqatave Biblike, i metodës Lancasteriane të mësimit, dhe unë nuk e di se çfarë përveç kësaj.
E thënë siç duhet, ky është shekulli i burrave me kokë mbi shpatulla, për burrat praktikë me perceptime të shpejta, të cilët, për shkak se zotërojnë njëfarë shkathtësie, ndjejnë epërsinë e tyre ndaj shumicës, edhe pse ata vetë mund të mos jenë të talentuar në shkallën më të lartë. Le të mbajmë, sa të jetë e mundur, atë mendje me të cilën kemi ardhur deri këtu; ne, dhe ndoshta disa të tjerë, do të jemi të fundit të një epoke që nuk do të kthehet më kaq shpejt.
* Carl Friedrich Zelter (11 dhjetor 1758 – 15 maj 1832) ishte një kompozitor, dirigjent dhe mësues gjerman i muzikës
“Bukë dhe zemër” (Bread & Heart Festival) emërtohet festivali që bashkon në Tiranë mbi 150 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore.
E konsideruar si një ngjarje e re europiane, ky festival mbledh bashkë arkitektët që punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët e tyre lokalë dhe të ftuarit e tyre, që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës, për të ndarë eksperiencat, diskutuar sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme, si edhe kontribuar për formulimin e politikave dhe masave në funksion të transformimit të madh të vendit tonë, si Europa e Ballkanit.
Në fjalën e mbajtur në këtë event, kryeministri Edi Rama vlerësoi se ky festival e fut Shqipërinë në një tjetër hartë prestigjoze të Europës, duke krijuar premisat që në disa vjet nga sot, “Bread & Heart” Festival të kthehet në një eveniment prestigjioz global, me arkitekturën në qendër, por me një perimetër gjithnjë e më të gjerë disiplinash të përfshira në debat.
Rama tha se “të gjithë e dimë se Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para apo me shkëlqime, por i tërheq me një gjë shumë më të vështirë për t’u përkufizuar, por të pamundur për t’u falsifikuar”.
“I tërheq me besimin e përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimin që mund të mbartet jo vetëm këtu, por sidomos këtu. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, diçka ende e lirë në mënyrë të pabesueshme. I lirë nga konforti i rregulloreve që nuk mbysin”, shtoi Rama.
Ndërsa festivali mblidhet në Tiranë në një ditë Bajrami, kryeministri theksoi se ky festival në mënyrën e vetë është një Bajram shpirti.
“Është një akt i hedhjes së hapave përpara, jo për të dominuar tokën, por për ta dëgjuar. Jo për t’u imponuar, por për të përfytyruar së bashku. Jo për të sakrifikuar një vizion për një tjetër, por për t’i lënë egot tona që diçka e përbashkët, diçka më e madhe të lindë në vend të tyre”, tha Rama.
Dhe nëse kjo duket rastësi, Rama nënvizoi bërjen bashkë të një nisje të re dhe një dite të shenjtë.
“Më duhet të them se kam bërë shumë rrugë në çdo kuptim dhe mirë a keq nuk besoj në rastësi. Dhe ju ftoj secilin prej jush të ndieni lidhjen midis kësaj dite dhe kësaj aventure të re për ta marrë këtë konvergjencë të pangjashme jo si rastësi, por si bekim”, tha Kryeministri Rama.