Filharmonia organizon koncert në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë

Në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizon koncert me e violonçelisten Aurélienne Brauner nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski, shkruan KultPlus.

Mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

“Nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski dhe me pjesëmarrjen e violonçelistes franceze Aurélienne Brauner mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

Fuqinë e violonçelos mund ta përjetoni përmes interpretimit të ‘Fantazi për violonçel’ e kompozitorit romantik francez Jules Massenet derisa mbrëmja do të përmbyllet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Robert Schumann”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Ky koncert mundësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Franceze në Prishtinë, si pjesë e festës së Frankofonisë në Kosovë!

Koncerti do të mbahet më22 mars, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Java e Kuzhinës Italiane në Botë

Sapo ka përfunduar edicioni i 8-të i Javës së Kuzhinës Italiane në Botë. Ambasada italiane në Tiranë, e cili mbështeti këtë event në Shqipëri, tha se aktivitetet në kuadër të kësaj jave ishin një eksperiencë e mrekullueshme, veçanërisht për fëmijët e Seksionit Dygjuhësh të shkollave “Shkolla e kuqe” dhe “Pjetër Budi”, të cilët provuan të përgatisin në një laborator një nga produktet italiane më të famshme në botë, akulloren. Fëmijët ia dolën me sukses këtij eksperimenti, nën drejtimin e shefave Pierandrea Giagnoli dhe Anila Nanushi.

Ambasada Italiane në Tiranë i uroi fëmijët që përgatitën me përpikëri, përzgjodhën lëndët e para me shumë kujdes, por edhe përdorën makineritë italiane.

Gjatë Javës së Kuzhinës Italiane në Botë, përfaqësitë diplomatike e kulturore nëpër botë, kremtojnë kuzhinën italiane dhe produktet tipike të këtij vendi.

“Qëndrimi në tryezë, për ne italianët, është një mënyrë për të qenë së bashku, në një epokë që gjithnjë e më pak ndodh të flitet ballëpërballë. Ky është një rast i rëndësishëm për të ndarë dhe për t’u përballur, për t’u hapur ndaj të tjerëve e për të hapur dialogje me vendet e tjera”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani./atsh/KultPlus.com

Programi i aktiviteteve të Javës Kulturore Britanike

Programi i Mbretërisë së Bashkuar në Javën e Kulturës Britanike, vjen me një seri të bisedave, filmave, ngjarjeve muzikore që shpalosin jo vetëm kulturën britanike, por edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

Përmes bisedave, programeve të edukimit dhe të shprehjes së kreativitetit, kjo javë do të jetë e organizuar në vende të ndryshme të Shqipërisë për t’u ndërlidhur edhe më shumë kulturalisht dhe artistikisht.

Java nis me shfaqjen e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut – Shqipëria” nga prof. Bettany Hughes. Dokumentari do të shfaqet sot për herë të parë në Tiranë.

Nga portet e lashta romake të Orikumit dhe të Apollonisë te liqeni i mahnitshëm i Ohrit apo në Beratin e historisë së pasur, Bettany na tregon si është njohur me kulturën dhe historinë shqiptare.

Shfaqja do të jetë në kinema “Millenium” në orën 20:00, duke ofruar falas për të pranishmit, një udhëtim ndërkulturor. Vetëm autorja do të jetë ditën e mërkurë në një bashkëbisedim me studentë, në qendrën e artit  “Agimi”.

Të tjera qytete ku do të ketë aktivitete të Javës së Kulturës Britanike, do të jenë Kukësi, Peshkopia, Durrësi dhe Korça./atsh/KultPlus.com

Teshavesha sjellë “Javën e Dizajnerëve”

Teshavesha, duke nis nga sot fillon “Javën e Dizajnerëve”, me shtatë emrat të njohur të kreatorëve në vend, shkruan KultPlus.

Kjo u bë publike përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga vet Teshavesha, të cilët kanë treguar se kjo javë vjen në bashkëpunim me Albi Mall, aty edhe ku do të ekspozohen veshjet e kreatorëve kosovarë.

“Duke filluar nga dita e nesërme, falë partnerit tonë besnik Albi Mall si dhe mbështetjes së kreatorëve vendas, ne do të fillojmë ‘Javën e Dizajnerëve’ me ekspozimin e veshjeve të kreatoreve në Albi Mall, ku më pas do t’i sjellim në #Teshavesha për shitje. Ju ftojmë të na vizitoni në katin e dytë të Albit, meqenëse çdo ditë do të promovojmë nga një kreatore të veçantë!”, thuhet në njoftim.
Agnesa Vuthaj, Besë, Enkelejda Shatri, Krenare Rugova, Teuta Matoshi Duriqi, Vesa Gruda dhe Yllka Brada janë kreatorët të cilët do të ekspozojnë veshjet e tyre në “Javën e Dizajnerëve”./ KultPlus.com