Rama: Nepravishta, pjesë e programit “Fshatrat më të mirë turistikë” të OBT-së

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga fshati Nepravishtë në Libohovë, duke e cilësuar si një atraksion unik turistik me natyrë të mrekullueshme dhe mikpritje autentike.

“Nga Nepravishta, atraksioni unik i Libohovës me natyrë të mrekullueshme, mikpritje të ngrohtë dhe autentike, fshati i dytë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ nga Organizata Botërore e Turizmit”, shkroi Rama në postimin e tij.

Nepravishta është fshati i dytë që i bashkohet kësaj nisme të mbështetur nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), pas suksesit të kandidaturës së Voskopojës. Programi synon të promovojë zonat rurale me potencial të lartë turistik, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.

Zona e Mbrojtur e Kalasë së Melanit është monument kulture i vitit 1963 me një sipërfaqe prej 87 mijë m2 dhe gështenjave të Nepravishtës.

Gjithashtu pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët. Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.

Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën nuk duhet të humbasin as Nepravishtën, një destinacion i ri dhe mjaft premtues në jug të vendit. Fshati Nepravishtë vitet e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com

Sot ditëlindja e Ernesto Sabato-s, shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe

Sot janë bërë 114 vite nga lindja e Ernesto Sábato-s, shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe.

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.

Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi bashkëshorten Matilde Kusminsky Richter.

Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë.

Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës.

Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.

Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë.

Disa prej çmimeve dhe titujve të tjerë që iu dhanë Sabatos janë: çmimin “Gabriel Mistral”, çmimin “Miguel de Cervantes”, “Urdhri për Merita”, “Komandant i Legjionit të Nderit“, “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali. Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare.

Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare./ KultPlus.com

IKTK në konferencën arkeologjike nënujore në Paris

Arkeologjia nënujore ishte tema qendrore e diskutimeve në konferencën e organizuar së fundmi nga UNESCO në Paris, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Konferenca ndërkombëtare u organizua në kuadër të Sesionit të 10-të të Shteteve Palë të Konventës së 2001 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore dhe Takimit të 16-të të Grupit Këshillimor Shkencor dhe Teknik (STAB).

Fokusi i diskutimeve ishte arkeologjia nënujore dhe sfidat që sjellin ndryshimet klimatike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.

IKTK u shpreh se, këto takime përforcojnë përpjekjet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe këtij institucioni, për ngritjen e infrastrukturës institucionale dhe teknike në mbrojtje të pasurive nënujore shqiptare.

Pak muaj më parë një grup prej 4 specialistësh të IKTK mori pjesë edhe në një trajnim në Ulqin, për Arkeologjinë Nënujore dhe Digjitalizimin e Pasurisë Kulturore Nënujore, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve profesionale në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë nënujore shqiptare.

Arkeologjia nënujore është rikuperimi i informacionit nga artefaktet e zhytura dhe vendet nënujore për interpretimin e kulturave të së kaluarës njerëzore. Artefaktet japin informacion në lidhje me sjelljen njerëzore si në natyrën e objekteve ashtu edhe në shpërndarjen e tyre të saktë në det./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Grave në Diplomaci

Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave në Diplomaci. Përfaqësimi i femrave në misionet diplomatike vazhdon të mbetet më i vogël se meshkujt, veçanërisht në pozicionet e rangut të lartë.

Përkundër angazhimeve globale për barazinë gjinore, gratë mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara në diplomaci dhe udhëheqje politike, me tendencat e fundit që tregojnë regres shqetësues.

Historikisht, diplomacia ka qenë pronë e burrave, por OKB thotë se, është koha për të njohur dhe festuar mënyrat në të cilat gratë po thyejnë barrierat dhe po bëjnë ndryshim në fushën e diplomacisë.

Që nga viti 2014, 143 vende garantuan barazinë midis burrave dhe grave në kushtetutat e tyre; 52 vende të tjera ende nuk e kanë bërë këtë angazhim të rëndësishëm.

Ndërmjet viteve 1992 dhe 2019, gratë përfaqësonin 13% të negociatorëve, 6% të ndërmjetësve dhe 6% të nënshkruesve në proceset e paqes në mbarë botën.

Në janar të këtij viti, vetëm 25 vende kishin një kryetare shteti ose qeverie femër.

Gratë përbëjnë 22,9% të ministrave të kabinetit në mbarë botën, me nënpërfaqësim në fusha kyçe si punët e jashtme dhe mbrojtja.

Që nga viti 2024, gratë përbënin vetëm 21% të përfaqësuesve të përhershëm të OKB-së, ndërkohë që prej vitit 1947, vetëm 7% të të gjithë ambasadorëve kanë qenë gra dhe 73 vende nuk kanë emëruar kurrë një përfaqësuese femër./atsh/KultPlus.com

Shkencëtarët zbulojnë një sekret të fshehur brenda pikturës së Mona Lisës

Mona Lisa ka qenë subjekt i mahnitjes dhe magjepsjes për shekuj me radhë, ndërsa ekspertët nga e gjithë bota ndër vite kërkojnë të zgjidhin misterin që fshihet pas buzëqeshjes së saj ikonike dhe enigmatike.

Së fundmi sipas mediave të huaj, Victor Gonzalez, i cili ka studiuar përbërjet kimike të dhjetëra veprave të Leonardos dhe artistëve të tjerë, zbuloi se kishte diçka të veçantë në lidhje me bojën e përdorur për Mona Lisën.

Konkretisht, studiuesit gjetën një përbërës të rrallë, të quajtur plumbonakrit, në shtresën e parë të bojës së Leonardos.

Zbulimi konfirmoi se Leonardo ka shumë të ngjarë të përdorë pluhur oksidi plumbi për të trashur dhe për të ndihmuar në tharjen e bojës ndërsa filloi të punonte në portret.

Mendohet se ai e ka tharë pluhurin, i cili ka një ngjyrë portokalli, në vaj liri ose arre duke e ngrohur përzierjen për të krijuar një pastë më të trashë dhe që thahet më shpejt.

Carmen Bambach, specialiste e artit italian dhe kuratore në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, e quajti hulumtimin “shumë emocionues”.

Ajo theksoi se çdo njohuri e re e provuar shkencërisht mbi teknikat e pikturës së Leonardos është “lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për botën e artit dhe shoqërinë tonë më të gjerë globale”.

Shkencëtarët shqyrtuan strukturën atomike të mostrës duke përdorur rreze X në një sinkrotron, një makinë e madhe që përshpejton grimcat pothuajse në shpejtësinë e dritës.

Kjo i lejoi ata të zbulonin përbërjen kimike të njollës dhe të zbulonin plumbonakritin./KultPlus.com

‘Kur ishim të vegjël i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre’

Poezi nga Frederik Rreshpja


Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duraluminkulti:
Kam nevojë për ty, jo për metalet./KultPlus.com

Mijëra njerëz panë lindjen e diellit të solsticit veror në Stonehenge

Ata që u mblodhën për spektaklin në monumentin neolitik në qarkun jugor të Wiltshire përjetuan një fillim të ngrohtë të mëngjesit, ndërsa shënuan ditën më të gjatë të vitit.

Temperaturat në Salisbury dhe Londër arritën 18 gradë Celsius deri në orën 05:00 (04:00 GMT), sipas shërbimit të motit Met Office.

Një alarm i verdhë për nxehtësinë për të gjitha rajonet në Angli mbetet në fuqi për fundjavën.

Eventet e solsticit në Stonehenge shënojnë disa nga rastet e rralla kur vizitorëve u lejohet të afrohen pranë gurëve në vendin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në prag të eventit, Policia e Stonehenge dhe ajo e Wiltshire postuan paralajmërime në mediat sociale në lidhje me trafikun e rënduar dhe këmbësorët.

Stonehenge është një monument i ndërtuar në përputhje me lindjen e diellit të mesit të verës dhe perëndimin e diellit të mesit të dimrit.

Në solsticin e verës, dielli lind pas Gurit të Thembrës – hyrja e lashtë në Rrethin e Gurit – dhe rrezet e diellit kanalizohen në qendër të monumentit.

Besohet se solstici është festuar në Stonehenge për mijëra vjet./KultPlus.com

Një botë e fshehur, zbulohet ‘Qyteti i Humbur’ nën oqeanin Atlantik

Thellë në zemër të Oqeanit Atlantik, shkencëtarët kanë zbuluar një botë nënujore të pabesueshme dhe të mistershme, që mund të mbajë çelësin për të kuptuar se si filloi jeta në Tokë.

Kjo fushë e gjerë me kulla minerale, e njohur si Qyteti i Humbur (Lost City), është sistemi më i vjetër hidrotermal i njohur në oqean. E vendosur më shumë se 700 metra nën sipërfaqe, në shpatet e një mali nënujor përgjatë Rripit Mes-Atlantik, ajo është aktive prej më shumë se 120,000 vitesh.

Kullat që përbëjnë Qytetin e Humbur janë të ndërtuara nga guri karbonatik dhe disa prej tyre arrijnë lartësinë e afro 60 metrave. Ato formohen përmes një procesi unik gjeologjik të quajtur serpentinizim, ku uji i detit depërton thellë në skorjen e Tokës dhe reagon me shkëmbinj të mantelit, shkruan Daily Mail.

Këto reaksione çlirojnë gazra si metani dhe hidrogjeni, të cilët shërbejnë si burim ushqimi për mikroorganizmat që jetojnë në mungesë totale të dritës dhe oksigjenit – kushte të rralla në Tokën moderne, por të ngjashme me ato që mund të kenë ekzistuar në fillimet e planetit.

Në një zbulim të fundit, studiuesit kanë arritur të nxjerrin një kampion bërthamor shkëmbi nga manteli i Tokës, që është burimi kimik i sistemit të ventilimit të Qytetit të Humbur. Ky kampion pritet të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë reaksionet kimike që ndodhin nën dyshemenë e detit – procese që mund të kenë krijuar molekulat e para të jetës miliarda vite më parë.

I ndodhur rreth 15 kilometra në perëndim të boshtit të Rripit Mes-Atlantik, në jug të ishujve Azore, ky vend ka mbetur pothuajse i padëmtuar nga aktiviteti njerëzor, duke ruajtur një mjedis të paprekur dhe të jashtëzakonshëm për studime shkencore.

Çdo burim hidrotermal në këtë fushë ka marrë emra simbolikë si IMAX, Poseidon, Seeps dhe Nature, dhe secili prej tyre lëshon lëngje të ngrohta dhe alkaline që krijojnë një habitat të qëndrueshëm për jetën, edhe në një nga mjediset më ekstreme në Tokë.

Sot, ndërsa vëmendja globale është rikthyer tek misteret e fillimit të jetës, Qyteti i Humbur shihet si një laborator natyror unik, që mund të ndihmojë në zgjidhjen e një prej pyetjeve më të mëdha të biologjisë: Si lindi jeta nga materia jo e gjallë?

Kërkimet vazhdojnë dhe premtojnë të sjellin përgjigje që jo vetëm shpjegojnë të kaluarën tonë të largët, por mund të ndihmojnë edhe në kërkimin për jetë në planetë të tjerë./KultPlus.com

Festivali i Kitarës ul siparin në një mbrëmje magjike në Himarë

Në një mbrëmje magjike nën tingujt e kitarës, qyteti bregdetar i Himarës u mbush me muzikë, energji dhe emocion, duke i dhënë një mbyllje madhështore edicionit të nëntë të ‘Albania Guitar Festival’.

Agron Peni dhe trioja e tij dhuruan një performancë të jashtëzakonshme, me disa nga kompozimet më të njohura, duke sjellë në skenë virtuozitetin dhe shpirtin ballkanik të kitarës.

Trupa e baletit profesionist ndezi atmosferën me ritmet pasionante të rumbas dhe flamencos, duke krijuar një sinergji të jashtëzakonshme mes muzikës dhe vallëzimit.

Mbrëmja u përmbyll me plot energji nga këngëtari brazilian Eclesio Ramos de Souza, i cili interpretoi hitet më të njohura të muzikës latine dhe i dha skenës një atmosferë plot gëzim dhe pozitivitet.

Ritmet tropikale, bashkë me interaksionin e ngrohtë me publikun, e bënë këtë natë të bukur për të pranishmit.

Ky edicion solli në Shqipëri 16 artistë ndërkombëtarë dhe njëjtë si tetë edicionet e shkuara nën drejtimin e drejtuesit artistik Denis Bizhga, synon promovimin e muzikës së mirë dhe kulturës shqiptare.

Ky koncert u realizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, dhe shënoi jo vetëm përfundimin e festivalit, por edhe një promovim të jashtëzakonshëm të kulturës, traditës dhe potencialit turistik të Himarës./atsh/KultPlus.com

Meta lanson syzet inteligjente

Pas disa muajsh spekulime, Meta zyrtarisht ka prezantuar syzet e reja inteligjente me Oakley. Syzet inteligjente kanë dyfishin e jetëgjatësisë së baterisë së Meta Ray-Ban dhe mund të regjistrojnë video 3K, transmeton PCW.

Modelet janë të bazuara në dizajnin HSTN të Oakley dhe përshhkruhen si produkti i parë i Meta dedikuar atletëve dhe fansave. Edicioni i limituar Oakley Meta HSTN me ngjyrë të artë kushton 499 dollarë dhe do të shiten prej datës 11 Korrik.

Pjesa tjetër e koleksionit do të mbërrijë drejt fundit të verës dhe kushtojnë 399 dollarë. Zyret kanë një kamër ballore, altoparlantë dhe mikrofonë. Përdoruesit mund ti përdorin ato për të dëgjuar muzikë, realizuar foto dhe dërguar apo pranuar thirrje telefonike.

Ato karakterizohen nga Meta AI, chatbotin me inteligjencë artificiale ku përdoruesit mund ti kërkojnë informacion apo ti kërkojnë të regjistrojë video.

Kanë një jetëgjatësi baterie prej 19 orësh. Gjithashtu karikohen 50 përqind për 20 minuta si dhe kanë një këllëf që ofron 48 orë jetëgjatësi baterie shtesë.

Syzet janë në gjashtë modele të ndryshme ngjyrash dhe formash. Ato do të shiten në SHBA, Kanada, Britani, Irlandë, Francë, Itali, Spanjë, Austri, Belgjikë, Australi, Gjermani, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë. Në fund të vitit do të shiten edhe në Meksikë, Indi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./KultPlus.com

‘Eja eja lule borë’, një ndër këngët më të bukura shqiptare (VIDEO)

E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare, shkruan KultPlus.

Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.

Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një vlerë e të gjithë shqiptarëve.

Bashkangjitur gjeni tekstin origjinal të këngës:

Eja, eja lule borë

Tue kerkue n‘mal e n‘koder
tue prek‘ lule e gjeth‘ me dore
veç nji kopsht ma t‘bukur Shkodër
ty te gjeta Lule Borë

Ref

Je e vogel por je plot
Ty t‘ kerkoj une tash sa mot
Tash sa mot une ty t’ kerkoj
N‘gzim me ty jeten ta çoj

Eja eja lule bore
se me ty do t‘thur kunor

eja eja lule bore
se me ty do t‘thur kunor

Pash ma t’ buk’ren stinë pranvere
pash mbretneshen trandofil
mos t‘i falish kujt Ti eren
se per mue vetem ke çil

Fjalet e mija deh ndigjoi
ma ke ftyren porsi zane
une prej gjumit do’t zgjoj
veç me t pa ne drit t’ksaj Hane. / KultPlus.com

Anija turistike “L’Austral” me 264 turistë kryesisht francezë e gjermanë viziton Sarandën

Në portin e Sarandës mbërriti mëngjesin e sotëm anija turistike “L’Austral” me 264 turistë.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “turistët pasi mbërritën në port u shoqëruan nga guidat për të vizituar pikat turistike të Sarandës si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar si dhe qyteti i gurtë i Gjirokastrës”.

“Me anijen turistike erdhën 264 turistë të huaj, të cilët ishin kryesisht francezë dhe gjermanë”, tha Qendro.

Qendro bëri të ditur se “kemi marrë të gjitha masat për pritjen e turistëve me kroçera. Edhe këtë vit ashtu si dy vitet e fundit pritet që kroçerat të vizitojnë portin e Sarandës deri në muajin nëntor”.

Anija turistike “L’Austral” shërben kryesisht për udhëtime turistike në ujërat e ndryshme, duke ofruar eksperienca unike dhe relaksuese për vizitorët.

Kjo anije ka një kapacitet të madh për të pritur një numër të konsiderueshëm të turistëve, duke ofruar ambiente të rehatshme dhe të përgatitura mirë për udhëtime afatgjata ose të shkurtër.

“L’Austral” ofron udhëtime në vende të ndryshme turistike, duke përfshirë rajone bregdetare, portet e mëdha dhe vende turistike historike.

Pas Sarandës anija turistike “L’Austral” do të lundrojë drejt portit të Itea-s (Greqi)./atsh/KultPlus.com

Sinani: Presheva drejt Qendrës së Artit Bashkëkohor në Ballkan

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se kjo komunë do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor, përcjell KultPlus.

Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se është takuar me artistin Sislej Xhafa dhe Institutin ‘Delfini’, si hap i parë për shndërrimin e Preshevës në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan.

Në vijim, KultPlus ua sjell njoftimin e Ardita Sinanit:

Presheva drejt Qendrës së Artit Bashkëkohor në Ballkan

Pata kënaqësinë të pres në Kabinet një diskutim frymëzues mbi një iniciativë të artistit të njohur Sislej Xhafa dhe Institutit “Delfini” për krijimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Preshevë – si hap i parë drejt shndërrimit të qytetit tonë në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan.

Qëllimi është i qartë: ta vendosim Preshevën në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar, përmes ekspozitave, rezidencave artistike dhe bashkëpunimeve me rrjete kulturore nga mbarë rajoni dhe më gjerë.

Mbështes fuqishëm këtë vizion që e kthen Preshevën në një pikë referimi për kreativitetin dhe identitetin kulturor shqiptar./KultPlus.com

‘Dolli për vetminë ton’ të perbashkët’

Poezi nga Anna Akhmatova

Dollia e fundit

Dolli për kët’ shtëpi të rrenueme
për jeten t’eme t’mallkueme
për vetminë ton’ të perbashkët
e nji dolli për ty.

Për lajthitjen që m’shkiti buzëve
për ftoftësin’ akull të syve të tu
për jetën e marr’ që m’u ba barr’,
e Zotin që s’na u gjet pran’

Përktheu: Xhabir Tabaku / KultPlus.com

Vdes Arnaldo Pomodoro, skulptori i famshëm i sferave prej bronzi

Vdiq dje Arnaldo Pomodoro, skulptori i famshëm i sferave prej bronzi, në prag të ditëlindjes së tij të 99-të, njoftoi fondacioni që mban emrin e tij dhe që drejtohet nga Carlotta Montebello, sipas quotidiano.net.

Pomodoro u lind më 23 qershor 1926 në Montebello di Romagna, por që nga viti 1954 ai kishte jetuar dhe punuar në Milano, në Porta Ticinese.

Ai ishte vëllai më i madh i Giorgio Giò Pomodoro, gjithashtu një skulptor me famë ndërkombëtare, i cili ndërroi jetë në vitin 2022 në moshën 72 vjeç.

“Me ndarjen nga jeta të Arnaldo Pomodoro, bota e artit humbet një nga zërat e saj më autoritarë, të kthjellët dhe vizionarë. Maestroja na la një trashëgimi të madhe”, tha  Carlotta Montebello.

Arnaldo Pomodoro ishte veçanërisht i famshëm për sferat e tij të veçanta prej bronzi – materiali i preferuar i artistit – që zbërthehen dhe hapen para shikuesit, i cili nxitet të kërkojë dhe zbulojë mekanizmin e brendshëm, në një kontrast midis butësisë së përsosur të formës dhe kompleksitetit të fshehur të brendshëm.

Veprat e tij ikonike mund të gjenden në qytete të shumta në Itali dhe në mbarë botën, nga Kopenhaga në Brisbane, nga Dublini në Los Anxheles.

Vepra ”Sferë me sferë”, me diametër mbi tre metra, u vendos në oborrin e selisë së OKB-së në Nju Jork.

Arnaldo Pomodoro ka marrë çmime të shumta ndërkombëtare, përfshirë nderimet zyrtare të shtetit italian me ”Cavaliere di gran croce dell’Ordine al merito della Repubblica italiana” dhe Medaljen e Artë për punë të merituar në kulturë dhe art.

Fondacioni ”Arnaldo Pomodoro” u krijua nga vetë ai në vitin 1995, në Milano, me qëllim ruajtjen dhe promovimin jo vetëm të punës së tij, por edhe të skulpturës bashkëkohore në tërësi.

Fondacioni është konfiguruar si një qendër për dokumentim, ekspozitë dhe reflektim, e hapur për artistë të rinj, kuratorë dhe publikun./KultPlus.com

Ekrani i Artit solli në Shkodër artin bashkëkohor dhe mendimin kritik

“Kartolina nga Askund” ishte tema e edicionit të 8-të të festivalit “Ekrani i Artit”, që çoi në Shkodër pesë ditë të pasura me filma bashkëkohorë, videoart dhe reflektim ndërdisiplinor.

Në këtë edicion, i cili zgjati prej datës 18 deri më 22 qershor, u shfaqën 111 vepra, përfshirë 40 premiera shqiptare dhe ku morën pjesë 30 artistë nga e gjithë bota.

Programi u shtri në hapësira të ndryshme të qytetit, që nga Kinema Republika e saporihapur, tek Galeria e Artit, qendra kulturore Art House, Auditoriumi Françeskan dhe hapësira publike si Rruga G’juhadol.

Pikat kulmore përfshinë ekspozitën retrospektive Rewind, programet ndërkombëtare bashkëpunuese, shfaqje të artistëve si Masbedo, Anri Sala, Elena Dorfman, Barbara Prenka, si dhe përfshirjen aktive të komunitetit dhe të rinjve.

Ekrani i Artit mbetet një platformë që fton në përjetim dhe mendim kritik përmes artit bashkëkohor./atsh/KultPlus.com

Prishtinë 

Tinka Kurti 

Prishtinë ti shet shumë sheqer por pak lule
pse nuk e pastron ajrin si X
Prishtinë pse nuk i nderon njerëzit e tu sa
janë gjallë
ai njeh hapat e poetëve kur ecin granitit
tënd 
pse nuk e ndalon screen time në çerdhe
a je ti Prishtina e megafonëve
e grafiteve që flasin me njëri-tjetrin 
Prishtinë ti ke plotë kangë
dhe disa poezi 
ku thuhet qyteti je ti 
Prishtinëti a e di që portretet më të mira t’i
bënë nga provinca 
pse nuk i pranon qetë divorcet
a ke qenë ndonjëherë e re në Prishtinë 
ti je edhe kafe edhe raki edhe xhami 
veç ti 

Prishtinë edhe te ti u vranë gratë
për cilën qave më shumë? 
Pse nuk i do fëmijët Prishtinë që i shtyn në
qendra tregtare? 
një lulishte Prishtinë të lutem

Cilit shkrimtar do t’i bësh statujë
a do të bëhesh e sigurt
Pse flas nganjëherë në standard
kur ti tingëllon kaq bukur
a thu ke diçka në Pazar të martën masdite
pse flen kaq shumë Prishtinë 
që prej pandemisë
cili është çifti më i dashuruar 
pse nuk e ben një konkurs 
cili do të anulohej? 
gjethet e tua të dardhës ta fshehin gëzimin
një gëzim i shkurtë, i pakuptmimtë i dikujt që 
nuk ka qenë asnjëherë perandori
prandaj s’mundet me qenë nostalgjik
edhe pse burrat e tu janë të palëvizshëm si 
pashallarë

pse i fsheh as mirë njerëzit që lexojnë
nëpër menytë e restoranteve
a doli koreanishtja
pyeti tinejxherët
në tavolinat tua ti i ul të gjitha partitë
i shërben edhe pse tash askush s’pin më 
makiato 

Prishtinë nuk di çka të jap dhe s’e di çka 
më dhe 
pos disa certfikata dhe relaksit
në kolonat e tua
më fal për mosmirënjohjen
sepse më dhe jetë, vullnet, mërzi, balet, 
shkronja, teatër, dashni, politikë, shoqni
dhe kamarirerët me sollen ujë
pastaj më përcolle

unë ende të dua, edhe pse më le të shkoj
krejt e papenguar pa ma qitë asnjë ndalesë
në rrugën timë të ikjes./ KultPlus.com 

Rama ndan pamje nga plazhi publik në Durrës

Dyfishimi i hapësirave publike në plazhet e Durrësit ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, përfshi edhe Durrësin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi publik në Durrës, i cili po frekuentohet nga qytetarë të shumtë në këto ditë vere.

Aktualisht në Durrës ka 266 parcela publike plazhesh, të fragmentarizuara nga zona e plazhit në Durrës deri te Përroi i Agait, të cilat pritet të shtohen më shumë pas 30 qershorit, kur përfundon edhe lidhja e kontratave me subjektet private. Parcelat për të cilat nuk do të ketë aplikime deri në këtë datë do të kalojnë automatikisht në hapësira publike.

Nisur nga fakti se Durrësi ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i aksesojnë në segmente të ndryshme.

Po ashtu Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren./atsh/KultPlus.com

Afati për aplikim në Konkursin për Projekte Filmike shtyhet deri më 7 korrik 2025

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Konkursin për Projekte Filmike. Sipas njoftimit zyrtar, afati i ri i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar më 7 korrik 2025, deri në orën 23:59.

Ky vendim është marrë në bazë të nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-202 për Kinematografinë dhe Rregullores (MKRS) Nr. 02/2023 për konkurset dhe mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audio-vizuele.

Të interesuarit mund të gjejnë më shumë informata si dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim përmes linkut të publikuar nga QKK: https://qkk-rks.com/sq-al/info-lajme/1094/shtyhet-afati-per-subvencionimin-e-projekteve-filmike/

Vizitorë të shumtë për ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut” në Bibliotekën Kombëtare

Turistë të huaj e vendas, fëmijë e të rritur kanë vizituar përgjatë javës që lamë pas ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut”, nga koleksionet e Bibliotekës Kombëtare.

Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.

E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe.

“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 korrik, nga ora 9:00 deri në 20:00./atsh/KultPlus.com

Vetëm zemra jote përvëluese, asgjë më

Poezi nga Federico García Lorca
Përktheu: Faslli Haliti

Parajsa ime…
një fushë pa bilbila e as lira,
me një lumë diskret dhe me një shatërvan.
Pa mamuze të erës sipër gjetheve të rëna
as edhe ylli s’dëshiron të jetë gjethe.
Një dritë e stërmadhe
që mund të ishte xixëllonja e një tjetre,
në një fushë me vështrime të liga.
Një pushim i qartë dhe puthjet tona atje,
në kumbimin e jehonës,
do të përhapej shumë larg.
Zemra jote e përflakët, asgjë tjetër më./KultPlus.com

Eja ashtu si je

Poezi nga Rabindranath Tagore

Përktheu: Ag Apolloni

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.

Eja mbi bar me hapa të shpejtë,
Nëse këmbët t’i njom vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë.

A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?

Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush do ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.

Eja ashtu si je, mos u vono me tualet
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com

Komedia “Negotiating Peace”, sukses në skenën e Milanos

Komedia “Negotiating Peace” është vënë me sukses në skenën e Milanos, në Teatro Out Off.

Shfaqja e Jeton Nezirajt ka sjellë një performancë të fuqishme dhe thellësisht provokuese. Publiku përjetoi një komedi që sfidon narrativat mbi paqen dhe diplomacinë, duke ngritur pyetje të thella mbi atë çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura.

Shfaqja “Negotiating Peace” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, satirizon negociatat diplomatike në zona të krizash dhe është duke gjetur kontekst kohor çdo ditë e më shumë.

“Negotiating Peace” u shfaq anekënd Evropës dhe së fundmi edhe në Milano, në kuadër të festivalit ndërkombëtar “LIFE 2025 – Theatre Arts Media Festival”.

Shfaqja në Milano erdhi pas një vargu prezantimesh të suksesshme në qytete të ndryshme si Hamburg, Münster, Lajpcig, Zagreb, Oslo, Pragë, Cividale del Friuli, Firence e të tjera.

Një komedi si kjo e ballafaqon publikun me sfidat, frikën dhe shpresën që i shoqërojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Në mënyrë satirike dhe politike, shfaqja prek negociatat e paqes pas luftërave të mëdha, përfshirë rastin e Kosovës, Ukrainës, Lindjes së Mesme, Irlandës së Veriut e vendeve të tjera.

Në muajin prill, aktorja shqiptare Ema Andrea, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace” u vlerësua me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”./atsh/KultPlus.com

“Kosova në Tinguj” – Koncert i veçantë nga Opera e Kosovës

Opera e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një koncerti të veçantë me titullin “Kosova në Tinguj”, i cili do të zhvillohet të enjten, më 26 qershor 2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00.

Ky koncert i dedikohet krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë dhe përfaqëson një përkushtim ndaj trashëgimisë muzikore kombëtare. Përmes përpunimeve për zë dhe orkestër harkore, publikut do t’i ofrohen interpretime të veçanta që vënë në pah vlerat e qëndrueshme të muzikës sonë.

Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, në skenë do të ngjiten sopranot Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani. Programi do të pasurohet edhe me interpretimet solistike të dy instrumentistëve të njohur: Ëmbla Dana në flaut dhe Lum Haxhijakupi në klarinetë.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Operës së Kosovës për promovimin e repertorit kombëtar dhe për forcimin e pranisë së muzikës shqiptare në skenën institucionale kulturore./KultPlus.com