Shote Galica, Heroina e Popullit dhe simboli i qëndresës shqiptare

Sot shënohet 98-vjetori i ndarjes nga jeta i Qerime Galicës, e njohur si Shote Galica, Heroinë e Popullit dhe simbol i qëndresës shqiptare dhe luftës për liri.

Shote Galica luftoi për 12 vjet si pjesëmarrëse në mbi 40 aksione të rëndësishme luftarake, në të cilat humbi 22 anëtarë të familjes. Ajo ishte luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë e jugosllavë.

Shote Galica lindi në katundin Radishevë të Drenicës. Mori pjesë në kryengritjet kundër osmanëve në vitet 1909-1912 dhe në qëndresën e armatosur kundër serbëve në vitet 1912-1915. Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës përkrah bashkëshortit të saj Azem Galica. Mori pjesë në luftimet e vjeshtës 1918 për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës. Pas Luftës I Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës e shkombëtarizimit në Kosovë. Në prill-qershor 1919 mori pjesë përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës. Në vitet 1921-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut dhe në vitin 1923-1924 të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël.

Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e viteve 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetëse e qeverisë së Fan Nolit. Në dhjetor 1924 mori pjesë në radhët e luftëtarëve të Bajram Currit duke pritur me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut. U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe.

Më 1926, e plagosur dhe e sëmurë, u vendos në Shqipëri, në Shullaz, pranë Milotit dhe më pas në Derven të Fushë-Krujës. Ndonëse në gjendje të vështirë dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmije jetimë të bashkëluftëtareve të vrarë. Ndërroi jetë në Fushë-Krujë, aty ku prehet edhe sot e kësaj dite. /atsh/ KultPlus.com

Dita Botërore e Zogjve të Detit, Kumbaro ndan pamje nga pasuria e brigjeve shqiptare

Dita Botërore e Zogjve të Detit festohet çdo 3 korrik, si një kujtesë për sistemin e grupit të zogjve që i përshtaten mjedisit detar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, një kolazh pamjesh të këtyre zogjve, nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Zogjtë e detit janë shpendë të përshtatur për jetën në mjedisin detar, shumica e tyre folezojnë në koloni që ndryshojnë në madhësi nga disa dhjetëra zogj deri në miliona, duke qenë pjesë e rëndësishme e ekuilibrit natyror.

Shkencëtarët dhe të apasionuarit pas shpendëve të detit e përkujtojnë këtë datë për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet e vazhdueshme dhe ruajtjen e popullatave të shpendëve të detit, duke propozuar rregullimin e teknikave të peshkimit, aktivitetin e kontrolluar të anijeve dhe ndaluar derdhjen e naftës në det.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në peizazhet e larmishme të vendit tonë jetojnë shumëllojshmëri shpendësh, të cilët janë një pasuri e pazëvendësueshme. Numri i tyre arrin në rreth 370 lloje, nga të cilat rreth 290 lloje janë autoktone. Lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit tonë janë vendbanime të rëndësishme që ofrojnë kushtet e nevojshme, veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratore. Pozicioni gjeografik, relievi dhe klima e favorshme në vend mundësojnë kushtet e përshtatshme për konservimin e florës dhe faunës.

AKZM bën me dije se në Shqipëri gjenden rreth 91 lloje të kërcënuara në nivel global, përfshirë këtu Pelikanin kaçurrel (Pelecanus crispus), shpend që haset në lagunat shqiptare. Pelikani është një ndër shpendët më të mëdhenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Ai folezon në Lagunën e Karavastasë, gjendet në Liqenin e Prespës dhe atë të Shkodrës.

Flamingo është një ndër shpendët më të veçantë për shkak të kontrasteve të ngjyrave të tij. Mbrojtja e këtij shpendi ka rritur numrin e tij në lagunat tona. Ai folezon kryesisht në brigje dhe ishuj të ulët. Jeton në cekëtina e ujëra të njelmëta. Çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) një shpend shumë elegant, gjendet në lagunën e Fllakës në Durrës, por që rrezikon të zhduket. Larushi kokëkuq (Lanius senator) shpendi elegant gjendet në Bashtovë. Gargulli (bletëngrënësi) (Merops apiaster) gjendet në Kune-Vain. Gushëkuqi (Erithacus rubecula) gjendet në Parkun Kobëtarë Divjakë-Karavasta.

Zogjtë e detit janë ‘sistemi’ ynë i paralajmërimit të hershëm për ndryshime, siç është ndryshimi i klimës./atsh/ KultPlus.com

Rama me emërim historik në Shqipëri: Ina Majko, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ina Majko, përfaqësuese e parë rome në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Siç thotë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ajo sjell eksperiencë dhe angazhim për mbrojtjen e njerëzve në nevojë dhe përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme në qeverinë e re, transmeton klankosova.tv.

”Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian
Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.
Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.

Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”.

Sonte, nis `NGOM Fest 2025` në Kalanë e Prizrenit

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës, ‘NGOM Fest’, që është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë, sonte hap dyert për adhuruesit e muzikës në kalanë historike të Prizrenit.

Festivali do të mbahet nga data 3 deri më 6 korrik dhe do të zgjasë katër ditë, duke ofruar një program të pasur muzikor që premton momente të paharrueshme për pjesëmarrësit.

‘NGOM Fest’, i cili organizohet që nga viti 2011 dhe që çdo vit tërheq një interes të madh, këtë vit do të sjellë në skenë shumë artistë që interpretojnë në zhanret e muzikës Rock, Alternative dhe Elektronike. Ndër emrat që do të performojnë këtë vit janë: Acer, Mscream, Mak Zøgaj, Sıngı, Buta, Spin by Celina, Dhjetori, Zwada, Shpat Deda, Dren Abazi, Yuko, Uran B., Vera Grace, _C93, Petro Marko, Anıtë, Armen Miran, Secret 47 dhe George Adi.

Me atmosferën magjepsëse të Kalasë së Prizrenit, ky aktivitet do t’i bashkojë dashamirët e muzikës nga vendi dhe jashtë tij, duke vazhduar të kontribuojë ndjeshëm në jetën kulturore dhe artistike të Kosovës. Pritet që ‘NGOM Fest 2025’ të jetë i suksesshëm dhe me pjesëmarrje të lartë edhe këtë vit.

Presidentja Osmani edhe sot vazhdon takimet me partitë politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila dje ka nisur një seri të re takimesh me partitë politike, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për të dalë nga ngërçi në Kuvendit, pritet që t’i vazhdojë edhe sot këto takime.

Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci ka konfirmuar dje se ka marrë ftesë për takim me presidenten Osmani, me fillim nga ora 09:00.

Ishte edhe deputetja boshnjake Duda Balje, ajo që konfirmoi se ka marrë ftesë për takim ditën e enjtë.

100 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga 100 mijë persona gjatë periudhës janar-qershor 2025.

Kalaja e Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Argjirosë, është monumenti më i rëndësishëm i qytetit, e cila qëndron kryelartë mbi kodër si një anije që pret vizitorë vendas e të huaj.

Shifra prej 100 mijë vizitorësh në gjysmën e parë të vitit 2025, tregon një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e bërë kështu Kalanë e Gjirokastrës një nga më të vizituarat, me interes të lartë për të njohur e mësuar historinë e saj.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, ndër të parët qytete shqiptare në UNESCO. Kalaja është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.

Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. /atsh/ KultPlus.com

“Edukata është ajo që mbetet, kur njeriu harron atë që ka mësuar në shkollë”


Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të kompiluar.

Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës race i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.

E pra, ky është gjeniu, por edhe thumbuesi, ndaj kemi zgjedhur sot 40 shprehje nga ai; sigurisht që prej Ajnshtajnit ka gjithnjë për të mësuar…

Albert Ajnshtajni (Albert Einstein) ishte një nga mendjet më të mëdha të shekullit të 20-të, dhe kontributet e tij në dijen njerëzore janë të pashembullta.

Fizikani realizoi studime të reja mbi mënyrën se si funksionon universi ynë, formuloi Teorinë e Relativitetit dhe parashikoi ekzistencën e valëve gravitacionale, një shekull para se ne t’i vëzhgonim ato.

Ajnshtajni nuk ishte vetëm i shkëlqyeshëm, ai ishte i thellë: një shkencëtar-filozof, i cili e dinte se si të përshkruante gjendjen njerëzore.

Ky gjenialitet, bashkë me ulje-ngritjet e forta të racës njerëzore që Ajnshtaini përjetoi gjatë jetës së tij, shërbejnë si një këndvështrim, për një jetë që ende nuk ka të ngjashme.

40 thënie nga Ajnshtajni

Vetëm dy gjëra nuk kanë kufij, Universi dhe budallallëku njerëzor, dhe për të parin nuk jam i sigurt.
E rëndësishme është të mos ndalosh se bëri pyetje.
Të gjithë e dinë që një gjë është e parealizueshme, derisa arrin një që nuk e di dhe e realizon.
Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim.
Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate te ndryshme.
Sëmundje shume e keqe racizmi.
Por mbi të gjitha e çuditshme: sëmur të bardhët, por vret të zinjtë.

Kompjuterët janë shumë të shpejtë, precizë dhe budallenj.
Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak precizë dhe inteligjentë. Së bashku përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.

Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë veprime të këqija, por për shkak të atyre që shikojnë pa thënë gjë.
Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj.
Ndryshimi midis gjenialitetit dhe budallallëkut është se gjenialiteti ka limit.
Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm duke kuptuar njëri-tjetrin.
Jeta është si të ecësh me biçikletë: në qoftë se do të jesh në ekuilibër duhet të lëvizësh.
Nuk e ke kuptuar me të vërtetë një gjë, nëse nuk je në gjendje t’ia shpjegosh gjyshes tënde, apo… një 6-vjeçari.
Nuk mendoj asnjëherë për të ardhmen.
Ajo arrin aq shpejt…

Mos u shqetëso për vështirësitë e tua në matematikë, të siguroj se të miat janë akoma më të mëdha.
Nuk mund të zgjidhet një problem, me të njëjtin mentalitet që e ka krijuar atë.
Asgjë nuk është më praktike se një teori e mirë.
Për sa kohë që ligjet e matematikës i referohen realitetit, ato nuk janë të qarta, dhe për sa kohë janë të qarta, ato nuk i referohen realitetit.
Në qoftë se do të lindja përsëri, do të bëhesha hidraulik.
Në qoftë se të dhënat dhe teoria nuk përputhen, ndrysho të dhënat.
Në qoftë se në momentin e parë një ide nuk është absurde, atëherë nuk ka asnjë shans që ajo të realizohet.
Është më mirë të jesh optimist dhe ta kesh gabim, sesa të jesh pesimist dhe të kesh të drejtë.
Barku i zbrazët nuk është këshilltar i mirë politik.
Zemërimi banon vetëm në gjoks të budallenjve.
Edukata është ajo që mbetet, kur njeriu harron atë që ka mësuar në shkollë.
Intelektualët zgjidhin problemet, gjenitë i parandalojnë ata.
Gjëja kryesore është të mos ndaloni së pyeturi.
Logjika do të të shpie nga A tek B. Imagjinata të shpie kudo.
Dashuria është mësues më i mirë se detyra.
Vetëm jeta e jetuar për të tjerët është me vlerë.
E vetmja gjë që bie ndesh me diturinë time është arsimimi.
Për sa i përket përputhjes së ligjeve të matematikës me realitetin, ato nuk janë të sigurta; për sa i përket sigurisë së tyre, ato nuk përputhen me realitetin.
Logjika praktike është mbledhja e paragjykimeve të përfituara në moshën 18-vjeçare.
Çlirimi i energjisë atomike nuk ka krijuar një problem të ri. Ka bërë më urgjente nevojën për të zgjidhur një ekzistues.
Nëse jeni në botë të përshkruani të vërtetën, lërjani elegancën rrobaqepësit.
Nuk e di se me cilat armë do të bëhet Lufta III Botërore, por Lufta IV Botërore do të luftohet me shkopinj dhe gurë.
Sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet.
Vendose dorën mbi furrë për një minutë dhe të duket si një orë.
Ulu pranë një vajze të bukur për një orë dhe të duket si një minutë.

Ky është relativitet.

Është arti suprem i mësuesit ai që shpalos gëzimin e krijimtarisë dhe të vetëdijes.
Një tavolinë, një karrige, një kanistër me fruta dhe një violinë; çka i duhet më shumë një njeriu për të qenë i lumtur?
 /KultPlus.com

‘Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë’

Sot bota e letrave përkujton përvjetorin e nobelistit gjerman Herman Hesse, lindur më 2 korrik 1877.

Pas debutimeve të para letrare, në fillim të shekullit XX, autori gjeti një numër lexuesish gjithnjë në rritje falë romaneve si “Siddharta” dhe “Narcisi dhe Bokardi”. Herman Hesse ishte një nga filozofët më të shquar të shekullit të 20-të. Romancier, piktor dhe filozof, Hesse fitoi çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1946, pas një jete kushtuar letrave, me veprën “Loja e rruazave prej qelqi”. Mendimi i rrjedhshëm dhe i përsosur, me një prozë për t’u patur zili, e bëri atë një nga shkrimtarët më të lexuar në historinë moderne.

Jam një yll

Jam një yll në universin qiellor,

Që vëzhgon dhe përçmon botën,

Dhe tretet brenda dritës së vet.

Jam deti që tërbohet natën,

Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,

Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.

Kam mërguar nga bota juaj,

I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,

Jam mbret pa atdhe.

Jam pasioni i heshtur,

Në vatër pa oxhak,

Në luftë pa shpatë,

I sëmurur nga vetë forca ime.

Gjithmonë jemi në kërkim të diçkaje më shumë nga ato që kemi dhe ato që jemi. Madje, jemi të bindur se kjo “më shumë” është përtej mundësive tona. Shpesh na pëlqen të strehohemi në fjalët e mrekullueshme të Herman Hesses, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve tona, për të qetësuar shpirtin, për të përjetuar fundja qetësinë që nuk duhet kërkuar jashtë, por brenda nesh.

Herman Hesse ishte shkrimtar, poet, po edhe mësues i vërtetë i jetës.

Në faqet e librave të tij, gjithsecili mund të takojë pjesë të fshehura të shpirtit, të shkruarit e tij është pasqyra e brendisë tonë, që na tregon ato cilësi, të dhimbshme dhe brenguese, që ndonjëherë e kemi vështirë t’i pranojmë. Kush e njihte, e kujton si një njeri me një personalitet të vështirë dhe disi të ashpër. E donte vetminë dhe zhytej në humnerat e gjendjes së brendshme shpirtërore. Një krijues gjeni, vetmitar dhe disi i paqëndrueshëm, që gjithçka që ndiente e shndërronte në fjalë. Në fakt, ai konsiderohet si “autor i krizës” gjithnjë në kërkim të identitetit të tij të vërtetë. Konica.al

Thëniet nga Hesse, janë një ftesë për të reflektuar mbi jetën dhe kërkimin e identitetit, një dhuratë për këdo që dëshiron të thellohet, të pyesë veten dhe të zbulojë vetveten. Një trashëgimi me thellësi të madhe psikologjike dhe shpirtërore që meriton të lexohet.

Ç’mund t’ju them që mund t’ju vlejë, përveçse mund të jeni duke kërkuar diçka me aq këmbëngulje, sa nuk mund të gjeni asgjë?

Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë.

Si trup jemi të gjithë beqarë, si shpirt askush nuk është.

Zogu lufton derisa del nga veza. Veza është bota juaj. Çdo qenie e gjallë duhet të përpiqet të shkatërrojë botën.

Feja, ashtu si arsyeja, nuk kalon përmes arsyes.

Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.

Përjetësia është vetëm një moment, i gjatë mjaftueshëm për t’u tallur me të.

Kur urrejmë dikë, në imazhin e tij urrejmë diçka që kemi në brendësinë tonë.

Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë.

Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë.

Mund të shkruash libra me psikologji, por jo të depërtosh në zemrën e njeriut.

Nuk ekziston një ëndërr e përhershme. Çdo ëndërr ia lë vendin një ëndrre të re dhe nuk ka pse të frenoni asnjërën prej tyre.

E keqja lind gjithmonë atje ku dashuria nuk mjafton.

Jo rrallëherë u hamë kohën miqve, për t’ua kushtuar atë armiqve tanë.

Veprat e Hesses janë përkthyer në gati 60 gjuhë, ndërsa të paktën 125 milionë kopje janë shitur në të gjithë botën. Hesse e dinte saktësisht, se çfarë dëshironte të bëhej – “poet ose asgjë fare”. Udhëtimi i tij drejt shkrimit, ka qenë në vetvete një odise e vërtetë. Ndër veprat kryesore, citojmë “Siddharta”, “Ujku i Stepës”, “Endacaku Knulp”, “Narcisi dhe Gojarti”, “Loja e rruazave prej qelqi”, etj.

U shua nga ataku në zemër, më 9 gusht 1962.

Hesse është një burim i magjepsjes për çdo të ri, me krijimtarinë udhëzim për shqyrtimin e identitetit. Librat e tij, ndihmojnë për të analizuar pyetjen e përjetshme të kuptimit të jetës. / Konica.al / KultPlus.com

Malli për heronjtë

Poezi nga Dritëro Agolli

S’ka heronj, heronjtë i përzumë,
me lavdi përditë i nanuritëm,
dhe me lajka dalëngadalë i vumë,
një nga një në prehje dhe në gjumë.

S’ka heronj, heronjtë u mërzitën,
prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan,
duke pritur heshtën e dremitën,
dhe ne nina-nana u kënduam.

Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë.
Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë,
S’ka heronj, tani ka pelihvanë./KultPlus.com

Sa më lëndon

Poezi nga Jaime Sabines

Përktheu: Erion Karabolli

Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon.
Merrma kokën. Këputma qafën.
Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie.
Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë, aty dëgjomë.
Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret,
kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit.
Duke kaptuar mure, mjedise, mosha,
fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!) prej vdekjes vjen,
prej dikurshëm, nga dita e parë që botën të zgjojë.
Ç’fytyrë e qartë, ç’dritë e butë, dritë e përhumbur,
ç’përvijim i ëmbël mbi gjethe uji!
I dua ata sy, i dua, i dua sytë e tu.
Si fëmija i atyre syve jam, jam si një pikë loti i syve të tu.
Ngremë. Te këmbët e tua kam rënë, ngremë nga toka,
nga hija ku ti shkel, nga cepi i dhomës tënde që kurrë, as në ëndërr nuk e sheh.
Ngremë. Në duart e tua kam rënë dhe dua të jetoj, të jetoj, të jetoj. / KultPlus.com

Herman Hesse, letër një artisti të ri

I dashur J. K.,

Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni.

Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.

Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.

Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë  se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.

Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.

Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.

Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Përktheu YD / KultPlus.com

Eksodi historik i shqiptarëve, 35 vite më parë u rrëzua ‘Muri i Berlinit’ në Tiranë

Më 2 korrik të vitit 1990, mijëra shqiptarë hynë në territorin e ambasadave të huaja që funksiononin në atë kohë në Shqipëri në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash.

Brenda pak ditëve në oborret e ambasadave të Gjermanisë, Francës, Italisë e të Greqisë, kishin ngritur “kampin e fushimit” rreth 5.000 refugjatë shqiptarë që kërkonin azil politik.

Edhe pse nuk e dinin se ku do të përfundonin, shqiptarët kapërcyen muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim.

Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore dhe lejimin e pluralizmit politik.

Për afro gjysmë shekulli, Shqipëria nën thundrrën e diktaturës komuniste ishte  shndërruar në vendin më të izoluar të Europës.

Hapja e ambasadave ishte akti i parë i dramës shqiptare në mbyllje të mijëvjeçarit. Në  këto rrethana u përgatit edhe terreni i volitshëm për zhvillimin e lëvizjes antikomuniste të studentëve.

Në sajë të qëndresës së tyre, do të instalohej edhe pluralizmi politik.

Drejtoria e Përgjithshme Arkivave ndau në rrjetet sociale informacion për “problemin e qytetarëve shqiptarë që u larguan nga vendi ynë nëpërmjet rrugës së strehimit në ambasadat e huaja”./KultPlus.com

Guljelm Radoja, aktori që spikati me rolin e Petro Nini Luarasit

Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte një aktor shqiptar i filmit dhe teatrit.

Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Ai u nda nga jeta më 5 maj 2021 nga Covid-19 në Tiranë./ KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”. /KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Siddhartha’ i autorit Herman Hesse

Herman Hese është një nga romancierët më në zë të shekullit 20. Fitues i çmimit “Nobel” për letërsi dhe autor i një sërë romanësh filozofik, mes së cilëve edhe “Siddhartha” të cilin po e rekomandojmë sonte.

“Siddhartha” është roman i botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt.

Si njohës i mirë i budizmit, Hese zgjedh emrin Siddharta që do të thotë arritje e gjetjes së kuptimit të ekzistencës. Siddha – arritje dhe Artha – kërkim.

Për ta shkruar këtë roman Heses iu deshën më shumë se dy vjet, kurse me të dalur në treg libri, ngjalli interesim dhe kureshtje të madhe, por gjithashtu pati edhe kritika ndaj tij. Siddharta ky djalosh, është shpirt i trazuar që dëshiron të nis rrugën drejt të vërtetës, ai don të jetë një “Samana”, pra mendimtar – i riu nuk mjaftohet me mësimin e artit të savanasë, ai shkon përtej kësaj, te Buda, mjeshtri, ideve të të cilit Siddharta nuk iu bindet, ndaj vendos të largohet sepse kishte diçka që e pengonte në këtë drejtim, pra në përqafimin e ideve të Budës.

Me t’u larguar, djaloshi i rij do të provojë shumë gjëra të kësaj bote, pasurinë, dashurinë, lidhjen me prostitutën Kamala, e tregtinë. Gjithnjë duke kërkuar që gjatë rrugëtimit të gjejë të vërtetën brenda vetes.

Romani në fjalë lexuesit i lë përshtypje për meditacionin dhe trajtesën mjeshtërore të jetës askete brahmanë, tradtië fetare jo aq e njohur në Evropë para se Hese ta sillte në këtë vepër. Herman Hese i qaset në aso mënyre rrëfimit, duke treguar mjeshtërinë e tij me rrjedhshmërinë, elementet narrarive, të cilat shkrihen natyrshëm në tërësinë kompozicionale të veprës.

“Siddhartha” mbetet njëra nga veprat më të lexuara të letërsisë botërore për shkak se trajton një temë universale, temën e kërkimit të dijes dhe jetës – krahas konceptit budist të njësisë së qenieve.

“Diturinë mund ta rrëfesh, urtësinë jo”

Libri na zbulon konceptin budist për jetën përmes personazhit Siddharta, i cili nis rrugën e tij jetësore duke hulumtuar misteret e jetës.

Fragment nga libri

Nën hijen e shtëpisë, në diell të breglumit pranë kaikeve, nën mriz të ajdësit e të fikut, u rrit Siddharta, pinjoll i bukur i brahmanëve, djaloshi syshqiponjë, bashkë me Govindën, mikun e tij, një tjetër bir brahmani. Dielli ia nxinte shpatullat e zbardhulëta në breg të lumit, teksa lahej, merrte abdest e dhuronte flijime të shenjta.

Hije i shkisnin mbi sytë e zinj në korije mangosh, në lojëra fëmijësh, në të kënduarit zëbilbil të së ëmës, në flijimet e shenjta, në mësimet që merrte prej të atit e prej të diturve, në bisedat me të urtët. Prej kohësh tashmë, Siddharta merrte pjesë në kuvendimet e të urtëve, kalitej me Govindën në beteja ligjërimi, ushtrohej me të në vëzhgime, stërvitej duke u thelluar në meditime.

Tashmë, ai dinte të thoshte Omin, fjalën e fjalëve; dinte ta shqiptonte atë pa zë, në brendësi të vetes, me ajrin që thithte, siç dinte ta shqiptonte edhe jashtë, përsëri pa zë, me frymën që nxirrte, me shpirtin të mbledhur, me ballin të qarkuar nga ndriçimi i shpirtit që mendonte kthjellët. Tashmë ai kuptonte se, në brendësi të qenies së vet, kishte njohur Atmanin, të parrënueshëm, një me gjithësinë.

Herman Hese ka lindur më 2 korrik 1877 në Calv të Vuertembergut në Gjermani. Bir i një misionari gjerman dhe i një vajze të indologut të njohur vuertembergas. Hese vdiq si një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të të gjitha kohërave, më 9 gusht të vitit 1962 në Montanjola të Luganos, në Zvicër.

Pas mësimeve të tij si bibliotekar, ai që nga viti 1904 kishte jetuar si shkrimtar me profesion të lirë, së pari në Gainhofen të Bodensesë dhe më pas edhe në Tesin e Zvicrës. Hese, i njohur edhe për romanin “Ujku i Stepës”m në vitin 1946 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Herman Hese vazhdon të jetë një ndër shkrimtarët më të lexuar të botës. /KultPlus.com

“Plaku dhe deti”, dyluftimi i pabarabartë i mundësisë, sprova e fatit dhe guximit të njeriut për të sfiduar natyrën

Më 3 mars 1952 Ernest Heminguej hodhi në qarkullim për herë të parë romanin “Plaku dhe deti” (i shkruar në vitin 1951), – një nga krijimet më të arrira të autorit, me të cilin mori Çmimin Nobel në letërsi në vitin 1954.

 Nga Albert Vataj

“Plaku dhe deti” është një nga novelat më mbresëlënëse të nobelistit amerikan, Ernest Heminguej. “Plaku dhe deti” erdhi për të mbetur në historinë e letërsisë si një narrativ që kumton për forcën dhe dinjitetin e shpirtit njerëzor. Me simbolikën e tij ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë ai për të matur forcat për t’u përballur me fatin dhe natyrën. Për Heminguejin njeriu, edhe kur e di se do ta kapërcejë të zakonshmen, se po shkel përtej saj, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar.

Më mirë të kthehesh i mundur pasi e ke provuar ndeshjen, pasi e ke treguar se e ke guximin ta bësh, sesa të dështosh pa provuar. Plaku i detit na tregon se e arriti atë që nuk e kishte bërë tjetërkush dhe nuk ka rëndësi se nuk e solli edhe mishin e peshkut për ta ngrënë.

Vepra

Plaku dhe deti (titulli origjinal: The Old Man and the Sea) është një novelë e shkruar nga shkrimtari amerikan Ernest Hemingway në vitin 1951 në Kubë, dhe botuar në vitin 1952. Ishte vepra e fundit madhore fiksion e prodhuar nga Heminguej dhe botuar gjatë gjalljes së tij.

Vepra – një nga më të famshmet e autorit – rrotullohet rreth Santiagos, një peshkatar i moshuar që përpiqet të kapi një peshk marlin në largësi të Rrymës së Golfit. Plaku dhe deti ka fituar çmimin Pulitzer për Fiksion (Pulitzer Prize for Fiction) në vitin 1953 dhe është cituar nga komiteti i Nobelit si një nga veprat që kontribuan në dhënien e Nobelit në Letërsi për Hemingwayn në vitin 1954.

Koncepti

Kemi të bëjmë me dy kundërvënie të ndryshme : Plakun në perëndim të jetës se tij dhe detin e paskajë, ate fuqi te pambarueshme. Personazhi kryesor Santiago është përzierje e vetë ekzistencës njerëzore kundrejt dallgëve të shkumëzuara të jetës me përplot zhgënjim e pabesi. Santiago lufton me tërë fuqinë e tij të mplakur dhe për çudi të fatit ai del fitimtar.

Kjo vepër është grishje e njëmendtë për rrugën e qarte të racës njerëzore : trazimi i përpjekjes për përvijimin e jetës në kushte sado të rënda.

Është një luftë e pabarabartë ndërmjet njeriut dhe natyrës por që gjithsesi i lejon njeriut të masë forcat e veta. Njeriu plaket ndërsa natyra mbetet po e njëjtë, deti mbetet po i pamase dhe i pabesë. Ne qendër te veprës “Plaku dhe Deti” është plaku Santiago, një peshkatar i zoti.

Ka edhe disa personazhe të tjerë por ato vetëm sa skicohen ne vepër sa për sfond. Dy miq-armiq të vjetër luftojnë përballë njëri tjetrit,luftë që jep edhe mesazhin e lartë filozofik se njeriu nuk është krijuar për të pësuar humbje, të asgjësosh njeriun nuk do të thotë qe e ke mposhtur atë. Duke krijuar personazhe të tillë si plaku Santiago, E. Heminguej lartëson figurën e njeriut që tregohet dinjitoz përballë dështimeve dhe sfidave në jetë.

E. Heminguej ka përdorur parimin “ajsberg” d.m.th. flet pak por nënkupton shumë. Personazhet parapëlqejnë më shumë heshtjen, mbylljen në vetvete çka e bën edhe me interesante e tronditëse leximin e veprës. Në pamje të parë ata duken të ftohtë, indiferente por në fakt cilësitë e tyre qëndrojnë në nëntekstet e frazës. Vihet re edhe dialogimi me vetveten që përbën një veçori tjetër të personazheve te këtij romani. Edhe nqs. personazhet ndiejnë frikë, gëzim, etj, ato nuk jepen por nënkuptohen nga situatat e krijuara. Kjo mban gjallë emocionin gjatë leximit të novelës.

Plaku dhe Deti është historia e një beteje epike mes një peshkatari të vjetër, me përvojë dhe një Marline të madhe. Romani hapet me arsyetim se peshkatari, i cili është quajtur Santiago, ka kaluar 84 ditë pa kapjen e një peshku. Ai është aq i pafat sa që nxënësi i tij i ri, Manolin, ka qenë i ndaluar nga prindërit e tij të lundrojë me njeriun e vjetër dhe është urdhëruar të shkojë me peshkatarët më të suksesshëm. Dedikuar njeriut të vjetër, megjithatë, djali vizitonte kasollen e Santiagos çdo natë, transportin mbrapa tij të peshkimit detar, marrjen e tij të ushqimit dhe duke diskutuar për bejsbollin amerikan dhe lojtarin e preferuar të tij Joe Di Maggio. Santiago i tregon Manolinit se në ditën e ardhshme, ai do të udhetoje larg Gjirit të peshkimit,per tu bindur se sezoni i tij i pafat është pranë fundit të tij. Kështu në ditën e 85, Santiago i jep kurajo vetes, duke marrë varkën e lehtë të tij deri në Gjirin Mesdhe.Edhe pse ai është i plagosur nga lufta dhe me dhimbje, Santiago shpreh një vlerësim të dhembshur për kundërshtarin e tij, shpesh duke iu referuar atij si një vëlla. Ai gjithashtu përcakton se për shkak të dinjitetit pjesen me te mire te peshkut eshte idenje ta marri vetem Marlini.

Ndërsa Santiago vazhdon udhëtimin e tij për tu kthyer në breg, peshkaqenët janë të tërhequr në gjurmët e gjakut të lëna nga Marlin në ujë. Ai pa një peshkaqen te madh Mako, dhe Santiago e vret me fuzhnje e tij, duke humbur armen në këtë proces. Ai bën një fuzhnjë te re nga leukoplasti me thikën e tij dhe me fund të rrem për të ndihmuar të shmangien e një linje tjetër peshkaqenësh, në total, janë vrarë pesë peshkaqenë dhe shumë të tjerë janë shtyrë larg. Por peshkaqenët të mbetur vijnë, dhe ne mbrëmje peshkaqenë i gllabërojnë pothuajse tërë trupin e pajetë të Marlin-së, duke lënë një skelet të përbërë kryesisht nga shtylla kurrizore e saj, bishtin e saj dhe kokën e tij. Së fundi duke arritur në breg para agimit në ditën e ardhshme, Santiago lufton në rrugën për në kasollen e tij, duke mbajtur nje shtyllë te rëndë mbi shpatullat e tij. Pastaj, në shtëpi, ai shtrihet mbi shtratin e tij dhe bie në një gjumë të thellë.

Një grup i peshkatarëve mblidhen të nesërmen rreth barkës, ku skeleti i peshkut është bashkangjitur ende, kurioz bëhen edhe turistët te cilët pyetnin se kush e kishte kapur atë peshkun gjigand edhe pse trupi nuk ishte por vetëm skeleti. Një nga peshkatarët mendoi që ajo të jetë 18 pëllëmbë nga hunda deri në bisht. Manolin, të brengosur gjatë përpjekjes plakut,i sjell gazetat dhe kafen. Kur zgjohet njeriu i vjetër, ata premtojnë për të peshkuar së bashku edhe një herë. Pas kthimit të tij nga gjumi, ëndrrat e tij rinore përfundojnë. / KultPlus.com

148 vite nga lindja e nobelistit Herman Hesse

Sot, 148 vite më parë ka lindur një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit të kaluar, Hermann Hesse, shkruan KultPlus.

Hermann Hesse lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Calë dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.

Ai ishte djali i një pastori [prifti] dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqiat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturën angleze. 

Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrinë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Disa nga veprat e tij të përkthyera në shqip janë:

  • Ujku i Stepës, Dudaj, 2006; shqipëroi: Suzana Starikoë Skënderi
  • Miqësia, Besa, 2011; shqipëroi: Suzana Vokopola
  • Nën rrote, Shtepia botuese “Naim Frasheri”, 1980; shqipëroi: A. Koçi. T/KultPlus.com

E vetmja gjë e pastër për gjuhën, le të jetë qëllimi i fjalës

Poezi nga Plator Gashi

E vetmja gjë e pastër për gjuhën,
le të jetë qëllimi i fjalës.

I vetmi barbarizëm që duhet hequr,
le të jetë fjala e vrazhdë ndaj tjetrit.

E vetmja vjetërsi për t’u krenuar,
le të jetë ajo e përshëndetjes së parë
që na bëri miq.

I vetmi rrezik që duhet luftuar,
le të jetë zemra e ngurtë.

E vetmja kockë që duhet thyer
me gjuhën që kockë s’ka,
le të jetë heshtja mes nesh
le të jetë largësia që veç zarfet përshkojnë;
le të jetë ngurrimi;
le të jetë ajo rrashtë plot çmendimesh të kalbura,
që me pak ujë
do të mugullonte, pa çare./KultPlus.com

Artisti italian Enzo Paolo Turchi në Durrës: I mahnitur, nuk prisja qytet kaq të bukur

Artisti i njohur italian, Enzo Paolo Turchi, balerin, koreograf, aktor dhe personazh mjaft i famshëm televiziv ka vizituar qytetin e Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako ka ndarë në një postim në rrjetet sociale, mesazhin e artistit italian, që thotë se ka mbetur i befasuar nga vizita në qytetin bregdetar.

Sako thotë se artisti Turchi ka pasur bashkëpunime shumë të suksesshme me personalitete të artit si Raffaella Carra por edhe shumë të tjerë, pjesëmarrës në spektakle e emisione televizive duke u bërë mjaft i njohur në shtetin fqinj.

“Enzo Paolo Turchi ka vizituar Durrësin dhe ka mbetur i mahnitur nga qyteti ynë ku ka gjetur gjithçka, klimën, detin, sigurinë, trashëgiminë e pasur kulturore, mikpritjen dhe njerëzit e mrekullueshëm. Ashtu si të gjithë turistët e tjerë ai premton se do të rikthehet sërish në qytetin tonë fantastik”, thotë Sako.

Gjithashtu, artisti italian Turchi thotë se në Durrës u takua me njerëz të mrekullueshëm, ndërsa zbuloi atraksione dhe vende shumë të bukura.

“Kemi vizituar amfiteatrin, muret e kalasë, vilën e ish-mbretit. Kam mbetur i befasuar! E dija që ishte një qytet i bukur, por nuk e prisja kaq të bukur”, tha ai.

“Doja të bëja komplimentet e mia, mbi të gjitha për bashkinë, e cila mban këtë strukturë në mënyrë të bukur dhe shumë të mirë. Patjetër që do të sjellë këtu edhe bashkëshorten dhe vajzën time”, përfundoi Truchi./atsh/KultPlus.com

Albanologu i njohur Brian D. Joseph, vizitë në Akademinë e Shkencave

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, priti në mjediset e ASHSH-së, prof. emeritus Brian D. Joseph, bashkautorin e veprës “The Balkan languages”.

Takimi u mbajt përpara prezantimit të “The Balkan languages” në veprimtarinë shkencore të organizuar në ASHSH “Gjuhët e Ballkanit në një dimension të ri”.

Autorët e librit, prof. emeritus Brian D. Joseph dhe prof. emeritus Victor A. Friedman, kanë dhënë kontribut shkencor mbi 25-vjeçar. Ata janë albanologë të mirënjohur, si dhe anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. Gjinushi e falënderoi prof. emeritus Joseph-in për punën e palodhur në hulumtimet akademike dhe kërkimet në terren me kontribute të vlerësuara botërisht në studimet indoeuropeistike dhe albanologjike, si edhe për faktin që autorët zgjodhën Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për të bërë përurimin e parë të veprës së tyre.

Në takim ishin të pranishëm sekretarja shkencore e ASHSH-së, akad. Anila Hoda; kryetari i Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë, akad. Valter Memishaj; prof. asoc. Aristotel Spiro; shefja e marrëdhënieve me jashtë, prof. asoc. Elda Zotaj. /atsh/ KultPlus.com

Gjirokastër, rifillojnë gërmimet arkeologjike në kala

Pas më shumë se 30 vitesh, kanë rifilluar gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se prej 3 ditësh vijojnë gërmimet, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër. Gërmimet arkeologjike do të vijojnë përgjatë gjithë muajit korrik.

Gërmimet synojnë të identifikojnë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët.

Zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë (shek. V–VI pas Kr.), si dhe materiale të tjera karakteristike të kësaj kohe, prova të rëndësishme që dokumentohen për herë të parë dhe që hedhin dritë mbi origjinën e monumentit.

Kalaja është simboli i qytetit të Gjirokastrës, i cili përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO. /atsh/ KultPlus.com

Sot Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë, nga Paris 1924 deri më sot

Sot, më 2 korrik, shënohet Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë, një ditë dedikuar për të njohur dhe falënderuar gazetarët, komentatorët, fotografët dhe shkrimtarët që lidhen me botën e sportit.

Janë ata që përmes fjalëve, imazheve dhe zërave të tyre lidhin miliona tifozë me emocionet dhe ngjarjet sportive, nga turnetë lokale deri tek lavdia olimpike, transmeton klankosova.tv.

Tema e këtij viti është ”Promovimi i Lojës së Ndershme: Raportimi me Integritet dhe Ndikim”, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë etike sportive për të mbrojtur të vërtetën dhe transparencën në sport.

Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë festohet çdo vit më 2 korrik, dhe në vitin 2025 përkon me ditën e mërkurë.

Kjo ditë rrodhi në vitin 1994, për të shënuar 70-vjetorin e themelimit të Shoqatës Ndërkombëtare të Shtypit Sportiv (AIPS), e cila është themeluar gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 1924.

Që nga ajo kohë, kjo ditë nderon ndikimin global të gazetarisë sportive dhe rolin e saj në mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Pse është e rëndësishme kjo ditë?

Nderon rolin kyç të gazetarëve sportivë në formësimin e narrativës sportive.

Inkurajon raportimin etik dhe të drejtë në sport.

Frymëzon brezin e ri të gazetarëve sportivë.

Përkrah lirinë e medias në sport dhe më gjerë.

Nderon sfidat dhe punën e palodhur të gazetarëve në terren.

Si mund ta festoni këtë ditë?

Falënderoni një gazetar sportiv publikisht ose personalisht.

Krijoni dhe ndani postera tematikë.

Organizoni webinare dhe diskutime mbi etikën dhe lirinë e shtypit.

Shkruani artikuj apo blogje për momentet tuaja të preferuara sportive ose gazetarët që ju kanë frymëzuar.

Ndani histori nga pas skenave të mbulimit sportiv.

Thënie frymëzuese:

”Gazetaria e mirë sportive është më shumë se raportimi i rezultateve; është kapja e dramës njerëzore”, – Sally Jenkins

”Pa gazetarët sportivë, fitoret janë të heshtura dhe përpjekjet nuk duken”, – David Remnick

”Ti nuk mbulon thjesht lojën; i jep asaj kuptim” – Jeremy Schaap

Kujtojmë se Artmotion është platforma e parë në Kosovë që ka mundësuar ndjekjen e të gjitha ligave më të mëdha sportive ndërkombëtare në një vend, duke sjellë një përvojë të plotë për adhuruesit e sportit. Përmes kanaleve ekskluzive sportive të Artmotion – Sport 1, Sport 2, Sport 3, Sport 4, Sport 5 dhe Sport 6, ju mund të shikoni çdo ndeshje dhe event sportiv pa asnjë ndërprerje!

Kjo ditë është një mundësi për të vlerësuar punën dhe përkushtimin e atyre që përçojnë emocionet dhe historitë e sportit në çdo cep të botës.

100 portrete të Ismail Kadaresë, COD sjell biografinë e shkrimtarit përmes artit pamor

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) promovoi albumin “100 Portrete”, një biografi e Ismail Kadaresë përmes artit pamor.

Albumi pasqyron një rrugëtim prej 62 vitesh (1962-2024) duke e përkthyer në 100 portrete të shkrimtarit, siç nuk e kemi parë ndonjëherë: përmes pikturës, skicës, grafikës e fotografisë.

Albumi “100 portrete, Kadare në artet figurative”, pati si kurator prof. asoc. dr. Abaz Hadon.

Promovimi në kryeministri ishte një homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta së shkrimtarit. Ky botim i rrallë përmbledh veprat e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj, që e kanë portretizuar Kadarenë ndër vite, me dashuri, respekt dhe frymëzim.

Nga pozimet e para për Kilicën e Dilon, tek portretet e fundit për Arif Lushin e Hameraldi Agollin, një jetë e reflektuar në ngjyra, dritë-hije, forma dhe simbolikë.

Kuratori Abaz Hado u shpreh se, asnjë personazh tjetër botëror nuk ka një katalog me 100 vepra arti të dedikuara. “Kadareja vjen i dyti pas Skënderbeut në artin pamor”, u shpreh Hado. Ndërsa studiuesi Ermir Nika e cilësoi këtë botim jo thjesht një koleksion arti, por biografi të Kadaresë përmes imazhit.

Projekti i realizuar nga Instituti Liberal Pashko, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit “Credins”, është vetëm fillimi, pasi dy albume të tjera janë në proces./atsh/ KultPlus.com