Nationen (1939) / Axhenda e Mbretit Zog dhe familjes mbretërore shqiptare, të cilët ndodhen në Grand Hotel në Oslo

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Maj 2025

“Nationen” ka botuar, të martën e 25 korrikut 1939, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth axhendës së Mbretit Zog dhe familjes mbretërore shqiptare në Norvegji, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Këtë herë, Mbreti Zog nuk do të shkojë në Bergen.

Por do të vijë përsëri vetëm pas disa muajsh për të parë fjordet.

Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë dhe dy nga motrat e mbretit. — Burimi : Nationen, e martë, 25 korrik 1939, faqe n°3
Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë dhe dy nga motrat e mbretit. — Burimi : Nationen, e martë, 25 korrik 1939, faqe n°3

Siç u përmend, ish-mbreti Zog i Shqipërisë mbërriti në Oslo të dielën dhe u vendos në Grand Hotel.

Mëngjesin e djeshëm suita qëndroi e qetë në dhomat e tyre, madje binte edhe shi, por pasditen e djeshme anëtarët e familjes mbretërore bënë një udhëtim me makinë nëpër qytet.

Zyra e udhëtimit të Hekurudhave Shtetërore u ngarkua të përgatisë një plan udhëtimi dyditor për ish-mbretin dhe shoqëruesit e tij. U fol për një udhëtim vajtje-ardhje me vagon-sallon për në Bergen me një devijim nga një prej stacioneve në linjën Bergen.

Një vagon-sallon u transferua nga West Line në stacionin East Line për t’u përgatitur për një udhëtim të mundshëm. Një ngjarje e tillë me vagon-sallonin tuaj do të kushtojë rreth disa mijëra korona. Kur folëm me drejtorin e stacionit në Oslo mbrëmë, ai ende nuk kishte asnjë lajm për nisjen apo përfundimin e udhëtimit.

Sot, udhëtimi në fjorde.

Vonë mbrëmë u informuam se ish-mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë dhe suita e tyre do të nisen me anije sot, të martën, për të vizituar fjordet. Më pas ata do të shkojnë në Sundvolden.

Udhëtimi për në Bergen këtë herë nuk do të ndodhë, pasi djali i vogël i çiftit mbretëror nuk është plotësisht mirë. Prandaj ata duan të udhëtojnë në Francë sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, ish-mbreti do të donte të shihte fjordet perëndimore dhe ka planifikuar një udhëtim 10-ditor. Më pas ai do të kthehet vetëm pas disa muajsh dhe do të udhëtojë direkt në Bergen.

Qëndrimi i ish-mbretit Zog në Norvegji do të zgjasë deri të shtunën e ardhshme në orën 10:00, kur i gjithë grupi do të hipë në anijen “Bretagne” për në Antwerp dhe më pas udhëtimi do të vazhdojë ndoshta për në Paris./ KultPlus.com

Përtej mitit të gjarprit

Nga Djellza Gashi

Arti poetik në radhë të parë, thonë, duhet të shpërfaq sublimen njerëzore, perfeksionin e shpirtit dhe trupit dhe luftën e pandalshme të të dyjave.

Njeriu, në anën tjetër, është përherë në kërkim të idealit, utopisë, në rrugën që çon në çmishërim të mishërimit.

Poezia e njeriu së bashku krijojnë poetin si kërkues, ëndrrues, krijues prej hiçit.

Me të njëjtin krijim ndeshemi te vëllimi me poezi “Gjarpri i fqinjit”, nga Alketa Gashi Fazliu.

Alketa krijohet teksa krijon dhe anasjelltas, krijon teksa krijohet.

Në një paradoks të tillë krijimi, poetja na vë ballë poezive që në qendër e zhveshin shpirtin e njeriut para botës.

Këto poezi na vënë përballë një realiteti me të cilin secili nga ne është përballur të paktën një herë në jetë. Koha madje luan rolin kyç në këto krijime poetike, ku del si një e kaluar përherë e tashme, gjithëherë e pranishme, si një kohë të cilën autorja në përfundimin e secilës poezi e lë pas, e në fillimin e secilës e rikthen prapë. Rikthim që herë mer formën e mallit, herë të pengut, e shpesh edhe të një ekzistence që shuhet e ringjallet vazhdimisht.

Vepra është e ndarë në katër kapituj: “Rutha e përflakur”, “Dritarja e shpirtit”, “Altari i murrmë”, “Matanë pasqyrës së ujit”. Segmente këto që përbëjnë një tërësi organike, ku simbolika, ndjeshmëria dhe stili ruajnë një vijimësi që e bën veprën një trup të vetëm.

Këto pjesë të gërshetuara me mjeshtëri në një tërësi të pandarë japin formën e një mozaiku të harmonizuar, japin simbiozat trup e shpirt, njeri e krijim, për të vënë dritë mbi deformimin e qenies njerëzore në një botë në të cilën njeriu nuk e gjen veten, botë në të cilën njeriu rend pas një kërkimi të pandalshëm, në një teatër absurdi, do të thoshte poetja.

Kemi një Doruntinë që kalon kufirin mes jetës e vdekjes, një Rozafë detyrimisht e sakrifikuar, një Dalilë tradhtare që rrënon mbretëri, një Odise bredharak i ujërave të botës, që kushtimisht kthehet në një odisediadë të poetes, si bredhje nëpër thellësitë e përjetimeve e humbjeve.

Vepra pra, krijohet kryesisht mbi disa linja kyçe.

E para që e vëmë në pah qe ajo e rikrijimeve mitike ku në përfundime mitet çmitizohen, figurat zhvishen prej kuptimeve dhe lavdit shekullor.

Vihemi pastaj para një Ruthe moderne që mer flakë prej vuajtjes, humbjes e rrënimit. Besnikëria e saj nuk është më një akt përkushtimi ndaj dashurisë, por një përpjekje e dëshpëruar për të ruajtur identitetin në një botë të cilës nuk i përket më. Ajo endet në kufijtë e një ekzistence që e mohon, duke kërkuar vendin e saj mes rrënojave të ëndrrave të thyera. Humbja për të nuk është thjesht ndarje nga objekti lirik, por një çarje e thellë mes vetes dhe botës:

“…Shkrihem në vargjet e zjarrit të pashuar të kujtimeve.

Unë Rutha besnike

Me mbretëri të vrarë.”

Por fuqia e linjës mitike bartet më së tepërmi me titullin e veprës. Gjarpri i fqinjit ngërthen një simbolikë mitike dhe biblike, ku gjarpri del jashtë kuadrit të zakonshëm të së keqes absolute dhe rikrijohet në trajta të shumëfishta. Ai është një figurë e lashtë pagane që mishëron ciklin e vdekjes dhe rilindjes, një shenjë e dijes së ndaluar dhe e metamorfozave hyjnore .

Fqinji në anën tjetër nuk është thjesht tjetri pranë nesh, por një reflektim i vetvetes së errët, një alter ego që përfaqëson tundimin, mëkatin apo të vërtetën e heshtur. Kështu, titulli bëhet një portë drejt një rikrijimi mitik të figurës së gjarprit, as i dënueshëm plotësisht, as i shpëtueshëm, por i vendosur në një hapësirë ku e përditshmja dhe arketipi ndërthuren.

Si tërësi vepra e Alketa Gashi Fazliut na vë para një euforie ndjenjash. Përflakja e unit poetik, e kthyer në përflakje ndjenjash na vë ballë një fillimi të pambarimtë. Poetja asnjëherë nuk përfundon atë që ka nisur në një të kaluar të afërt. Shtatëmbëthjetë stinët e poetes japin shtatëmbëdhjetë perceptimet ndijore që e dërrmojnë deri në mbarim. E mbarimi i saj konsiston në fillimin a lindjen e një vetje poetike, “vete të ndarë në hise” shkruan poetja.

Kjo vete ecën hapekrah drejt lexuesit, pa maska e pa mburoja, ku hapet dritarja e shpirtit si një akt i vetëzhveshjes poetike ku poezia herë-herë transformohet. Prej brishtësisë ngurtësohet, idealizohet në utopi, nuk është më shprehje, por mbetje, një ftohje e thellë, e brendshme, ku ndjenja nuk pushon së ekzistuari, por ngulitet në një formë të qetë, të palëvizshme, thuajse rituale.

Në këtë fazë poezia jo vetem që shpërfaq ndjenja, ajo edhe mer formën e dhimbjes. Është një shenjë e ndjeshmërive të lashta, një kujtim që mbijeton përmes pafundësisë së kërkimit të një identiteti që vazhdon të shpërbëhet dhe rindërtohet. Ky është edhe hapi i fundit që poezia bën: nga forma e thjeshtë e shprehjes, kthehet në një rit, në një proces që nuk mund të arrihet kurrë, por gjithmonë kërkohet. Ndjenja e krijimi përfundimisht dyzohen.

Në përmbyllje, poezia e Alketa Gashi Fazliut sa afrohet aq largohet nga vetja. E mes këtij largim-afrimi, afrim-largimi, subjekti lirik ikën nga pasqyra. Nuk ka më nevojë të shohë, të njohë apo të dashurojë veten. Kalimi matanë pasqyrës së ujit shënon një tejkalim të vetvetes, një kapërcim të formës dhe të identitetit, ku rrugëtimi shpirtëror arrin një pikë qetësie të ftohtë, thuajse pasnarcistike. Ky nuk është më reflektim, por një shpërbërje e figurës, një dalje përfundimtare nga iluzioni i vetvetes apo i tjetrit, si qendër emocionale e botës./ KultPlus.com

Sot, hapet Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës ‘La Biennale di Venezia 2025’

Pavijoni i Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia sot bën hapjen inauguruese në Sestiere Castello, Campo della Tana, Arsenale (2169/F).

Kosova këtë vit paraqet projektin Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje nga Erzë Dinarama, një eksplorim ndijor i ndërprerjes dhe rikonfigurimit të marrëdhënieve të rrënjosura ekologjike dhe sistemeve të dijes së mishëruar, që gjenden nën trysninë e krizës klimatike.

I bazuar në punë kërkimore me bujq në mbarë Kosovën, projekti gjurmon një peizazh në tranzicion që pasqyron zbehjen e shenjave ndijore dhe treguesve sezonalë mbi të cilët bujqit janë mbështetur për dekada — duke zbuluar brishtësinë e formave të mishëruara të dijes, ndërsa njëkohësisht krijon hapësirë për rikalibrimin e tyre./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon diplomaten amerikane, flasin për sigurinë dhe formimin e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Osmani dhe Prattipati, në takim diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe ecuria e formimit të institucioneve të reja.

“Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat me interes të përbashkët, në veçanti fushën e mbrojtjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Presidencës transmeton Klankosova.tv.

Samir Karahoda për herë të tretë në Kanë, ‘Lost Frames’ në Focus COPRO’ 2025

Pas sukseseve me filmat “Pa vend” (2021) dhe “Rrugës” (2024), me të cilët u përzgjodh dy herë në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit të Kanës – një arritje që e bën atë një nga regjisorët e paktë në botë me këtë sukses – regjisori Samir Karahoda tashmë nis rrugëtimin e tij të parë në metrazh të gjatë me projektin LOST FRAMES.

“Jemi të lumtur të ndajmë lajmin se LOST FRAMES, projekti i parë i metrazhit të gjatë me regji nga Samir Karahoda, i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës si projekt në zhvillim, është përzgjedhur për të marrë pjesë në Focus COPRO’ 2025, në kuadër të Marché du Film në Festivalin e Filmit të Kanës”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Që nga viti 2018, Focus COPRO’ është pjesë e programeve kreative te Festivalit te Kanes që synojnë të përkrahin dhe nxjerrin në pah regjisorë me potencial të fortë, duke mbështetur prezantimin e projekteve të tyre të parë të metrazhit të gjatë para vendimmarrësve kyç të industrisë globale të filmit.

Projekti LOST FRAMES është një ndër 7 projektet internacionale që do të prezantohen këtë vit.

“Besojmë se LOST FRAMES do të përfitojë nga mundësitë që ofron Focus COPRO’, duke e bërë këtë përfshirje një pikënisje të rëndësishme për hapat e ardhshëm të projektit”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

AShSh prezanton botimin e ri, më 13 maj promovohet libri ‘Etnoletra shqipe’ i autorit Vehbi Miftari

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Botimet Toena sjellin librin “Etnoletra shqipe” të autorit Vehbi Miftari.

Libri “Etnoletra shqipe” vjen si botim i veçantë i trajton librin raportin e letërsisë me etnokulturën dhe kombformimin.

Promovimi i librit mbahet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, më 13 maj, në ora 11:00./ KultPlus.com

Ndahet çmimi ‘Mbretëresha Teuta’, nderohet Sonja Biserko

Çmimi “Mbretëresha Teuta” u nda në Zagreb: Sonja Biserko, Jadranka Kosor, Morana Paliković dhe Flora Macula për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar.

Në asamblenë ceremoniale te manifestimit politik dhe kulturor ”Ditët e Mbretëreshës Teuta” me temë “Gratë”; dhe Politika e Paqes” në organizim te Mbretëreshës Teuta – Klubit i Grave Shqiptare të Kroacisë nga Zagrebi me rastin e 35- vjetorit të saj, u dorëzua çmimi i parë “Mbretëresha Teuta”, kryetares e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, nga kryetarja e Klubit të Gruas Shqiptare të Kroacisë, kryeredaktore e revistës Iliria, Shenida Bilalli.

Gjatë ceremonisë solemne, u promovua dhe libri me intervista me personalitete më të shquara të Kosovës, Shqipërisë dhe bashkëpunimit me Kroacinë. Në kuvendin ceremonial morën pjesë shumë personalitete, duke përfshirë ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq, ish-kryeministren Jadranka Kosor, përfaqësuesit e Parlamentit Morana Palikoviq dhe Gordana Sobol, si dhe ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Alba, Kasa, Martin Berishaj, Milaim Fetai.

Përveç znj. Biserko, u shpërblyen edhe ish-kryeministrja e Republikës së Kroacisë Jadranka Kosor, ish-deputetja Morana Paliković Gruden dhe Flora Maculja, OKB-ja e Kosovës, ndërsa Letrat Mirënjohëse për sponsorin dhe organin ombrellë – Këshillin për Kombëtar Pakicat e Qeverisë së Republikës së Kroacisë iu shpërblyen Presidentit Tibor Varga, ish-deputetes Gordana Sobol dhe gazetares Zdravka Glaciometti për mbështetjen e tyre ndaj

Ky çmim u jepet çdo vit individëve më të shquar, veçanërisht grave, në Evropë dhe botë.

Gjatë ndarjes së çmimit, presidentja e Mbretëreshës Teuta, Shenida Bilalli, pos tjerash theksoi se çmimi “Mbretëresha Teuta” u nda në shenjë mirënjohjeje të madhe të shqiptarëve për zonjën Biserko, e cila bëri shumë për popullin shqiptar edhe për kontributet e jashtëzakonshme në promovimin e paqes, të drejtave të grave dhe forcimin e lidhjeve ndërkulturore./ rtk/ KultPlus.com

Eurodeputeti Reuten: Hiqni masat ndaj Kosovës, KE të përgatisë një opinionin për aplikimin e saj për anëtarësim

Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, dje në Parlamentin Europian ka bërë thirrje për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ka kërkuar nga Komisioni Europian që të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ai tha se kjo mund të ndodhë edhe pa pranimin e Këshillit Europian, i cili ka përgjegjësinë për këtë, raporton Gazeta Express.

“Hiqni këto masa kufizuese, normalizoni marrëdhëniet ndërmjet të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Kosovës, njihni atë dhe pranoni aplikimin. Dhe edhe pa pranimin e Këshillit, Komisioni tashmë mund të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës”, tha ai.

Reuten tha se Kosova është një partner i BE-së, ndërsa akuzoi Këshillin e BE-së për bllokim të kërkesës së saj për anëtarësim.

“Kosova është një partner, që ndan vlerat dhe këndvështrimin tonë gjeopolitik. Megjithatë, Këshilli i BE-së vazhdon të bllokojë pranimin e thjeshtë të kërkesës për anëtarësim të këtij partneri. Kështu e trajtoni një partner?”.

Deputetët e Parlamentit Europian dje kanë miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.

“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një momentum të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë e mëdha politike në Kosovë mbështesin fuqishëm integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, ka thënë raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.

Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kërkuan të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare./ KultPlus.com

Restaurohet godina antike e Parkut Arkeologjik të Amantias

Një tjetër thesar i trashëgimisë sonë kulturore “u ringjall” në Parkun Arkeologjik të Amantias.

Godina antike në agoranë, tashmë është e restauruar dhe gati për të pritur vizitorët e apasionuar pas antikitetit.

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë realizuan me sukses restaurimin e godinës antike në zonën publike të qytetit të lashtë të Amantias. Gjatë procesit, u identifikuan dhe u përdorën disa prej blloqeve origjinale për të plotësuar muraturën. Godina rifitoi vertikalitetin dhe u ekspozua dyshemeja me pllaka guri, e ruajtur në gjendje shumë të mirë.

Ky monument i saporestauruar, i shtohet pasurisë së Parkut Arkeologjik të Amantias, duke e bërë atë një pikë të re referimi për të gjithë dashamirësit e historisë dhe kulturës sonë kombëtare. 

145 vjet pa Gustave Flaubert, një nga themeluesit e romanit modern

Gustave Flaubert (1821-1880) ishte një romancier francez i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në historinë e letërsisë. Ai lindi në Rouen, Normandi, Francë dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij atje. Babai i tij ishte mjek dhe vetë Floberi studioi drejtësi në Paris, por shpejt e braktisi këtë rrugë karriere për të ndjekur pasionin e tij për të shkruar.

Floberi është bërë i njohur për romanin e tij “Madame Bovary”, i cili u botua në 1857 dhe shkaktoi një skandal në atë kohë për portretizimin e një gruaje që ka lidhje dhe në fund bën vetëvrasje. Romani konsiderohet tani një kryevepër e letërsisë franceze dhe një vepër pioniere e realizmit letrar.

Flaubert ishte i njohur për vëmendjen e tij të përpiktë ndaj detajeve në shkrimin e tij dhe përkushtimin e tij për të arritur një stil “perfekt”. Ai kaloi vite duke punuar në romanet e tij dhe dihej se vuajti fjalët dhe frazat individuale. Ai ishte gjithashtu një udhëtar i zjarrtë dhe u frymëzua nga udhëtimet e tij në Itali, Egjipt dhe vende të tjera.

Përveç “Madame Bovary”, veprat e tjera të shquara të Floberit përfshijnë “Salammbô”, “Edukimi sentimental” dhe “Tre përralla”. Ai konsiderohet si një nga themeluesit e romanit modern dhe një figurë kyçe në zhvillimin e realizmit letrar.

Sot, janë bërë plotë 145 vjet që kur Gustave Flaubert u largua nga jeta, por veprat e tij vazhdojnë të lexohen e të komentohen në mbarë boten. / KultPlus.com

Malala bën thirrje të ulen tensionet: Urrejtja dhe dhuna janë armiqtë tanë

Malala Yousafzai po u bën thirrje udhëheqësve të Pakistanit dhe Indisë që të “ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, për të mbrojtur civilët – veçanërisht fëmijët – dhe për t’u bashkuar kundër forcave të përçarjes”.

Në vitin 2012, ajo ishte një nxënëse shkolle në Pakistan kur u qëllua në kokë nga një person i armatosur taleban për shkak se shkonte në shkollë. Dy vjet më vonë, në moshën 17 vjeç, ajo u bë fituesja më e re e Çmimit Nobel për Paqen, transmeton Klankosova.tv

“Urrejtja dhe dhuna janë armiqtë tanë të përbashkët, jo njëra-tjetra”, thotë Malala në rrjetet sociale.

Duke u shprehur ngushëllime “të dashurve të të gjithë civilëve të pafajshëm” në të dy vendet, ajo thotë se po mendon për miqtë e saj, familjen e saj dhe të gjithë avokatët, edukatorët dhe vajzat me të cilat punon në Pakistan në këtë “kohë të rrezikshme”.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë tani për të nxitur dialogun dhe diplomacinë. Paqja është e vetmja rrugë përpara për sigurinë dhe prosperitetin tonë kolektiv”, shton Malala.

‘Të vuash pa u ankuar është i vetmi mësim që duhet të marrim në këtë jetë’

Vincent Willem van Gogh ishte një piktor holandez post-impresionist, i cili pas vdekjes u bë një nga figurat më të famshme dhe me ndikim në historinë e artit perëndimor.

Në një dekadë, ai krijoi rreth 2,100 vepra arti, duke përfshirë rreth 860 piktura vaji, shumica e të cilave datojnë nga dy vitet e fundit të jetës së tij.

KultPlus sjell një koleksion të thënieve më të njohura të kësaj mendjeje unike që njohu bota.

Të vuash pa u ankuar është i vetmi mësim që duhet të marrim në këtë jetë.

Peshkatarët e dinë që deti është i rrezikshëm dhe stuhia e tmerrshme, por ata kurrë nuk i kanë parë këto rreziqe si arsye të mjaftueshme për të qëndruar në breg.

Eshtë mirë të duash shumë gjëra, sepse aty qëndron forca e vërtetë, dhe kushdo që do shumë bën shumë, dhe mund të arrijë shumë, dhe ajo që bëhet në dashuri bëhet mirë.

Unë ëndërroj pikturën time dhe pikturoj ëndrrën time.

Jini të vetëdijshëm për yjet dhe pafundësinë në lartësi. Atëherë jeta duket pothuajse një magjepsje.

Nuk ka asgjë më artistike sesa të duash njerëzit.

Një zjarr i madh digjet brenda meje, por askush nuk ndalet për tu ngrohur në të, dhe kalimtarët shohin vetëm një shfryrje tymi.

Unë nuk di asgjë me siguri, por të shoh yjet më bën të ëndërroj.

Normaliteti është një rrugë e shtruar: është e rehatshme të ecësh, por asnjë lule nuk rritet në të.

Nëse dëgjon një zë brenda që thotë se nuk mund të pikturosh, atëherë me çdo kusht pikturo dhe ai zë do të heshtet.

Kam vënë zemrën dhe shpirtin tim në punën time dhe kam humbur mendjen në këtë proces.

Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e ngjyrosur se dita.

Cila do të ishte jeta nëse nuk do të kishim guximin të provonim diçka?

Nëse një gjë ia vlen për më vonë atëherë ia vlen edhe për tani. Sepse gruri është grurë, edhe nëse njerëzit mendojnë se është një bar në fillim.

Jam duke kërkuar, po përpiqem, jam i përfshirë në të me gjithë zemrën time.

Arti shërben për të ngushëlluar ata që janë të thyer nga jeta. / KultPlus.com

Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Poezi nga Louis Aragon 

Njeriut asgjë nuk iu dhurua përfare
As forca as brishtësia as dhe zemra e vet
Hija e tij krahëhapur një kryqi i ngjet
Kur e gjurmon lumturinë gjendet në rrëmet

Jeta e tij një ndarje e kotë edhe vrastare
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Jeta e tij ngjason me ushtarët pa pajime
Që kush e di ç’fat i përplas në këtë prag
Edhe pse aq herët u zgjuan sot në ag
Tani sillen të ngeshëm në ditën që u vag
Mos derdhni pikë loti Po thoni Jeta ime
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

O dashuri e bukur brenga ime e çmuar
Të ruaj thellë vetes si një zog flatrathyer
Dhe ata që na shohin kur kalojmë rrëmbyer
Pëshpërisin gjithë ato fjalë që kam ngërthyer
Për sytë e tu të mëdhenj e që tash janë shuar
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Tashmë u bë vonë të mësojmë ç’është jeta
Përkryer zemrat tona qajnë nëpër natë
Këngën të këndohet e ndih një dhimbje e gjatë
S’dridhet tel kitare pa lotë e përgjëratë
Shpirtin e përmbytin vetëm dallgët e vërteta
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Dashuri që nuk kapit nuk ka kurrkund në botë
Nuk ka kurrkund dashuri që vuajtjesh s’të flak
Nuk ka kurrkund dashuri që nuk sëmbon e mpak
Pa ty edhe atdheun do ta doja më pak
Nuk ka dashuri që gjallon pa derdhur lotë
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Atë veç ne të dy e kemi ndjerë/KultPlus.com

Përktheu Romeo Çollaku

Del në dritë dosja hetimore e Maks Velos, historia mes dokumenteve

“Maks Velo dëshmon diktaturën” titullohet ekspozita e çelur në shtëpinë-studio Kadare, kushtuar artistit dhe arkitektit të njohur Maks Velo.

Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, për herë të parë është bërë publike dosja origjinale hetimore e Velos, një figurë që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist me 10 vite burg për propagandë kundër shtetit.

Ekspozita sjell për publikun një rrëfim të drejtpërdrejtë të përndjekjes së tij, përmes dokumenteve autentike të dosjes hetimore, të cilat janë ekspozuar në ambientet e shtëpisë Kadare – një godinë e projektuar nga vetë Maks Velo.

“Kjo është godina ndoshta më përfaqësuese e gjithë krijimtarisë së tij. Jemi në apartamentin e shkrimtarit Ismail Kadare – projekt i ndryshëm nga çdo tjetër në këtë ndërtesë – dhe autor i tij është Maks Velo. Ai nuk kishte nevojë për drejtësi publike, sepse me një forcë të jashtëzakonshme e vendosi vetë të tregonte të vërtetën. E deklasifikoi vetë dosjen dhe vendosi ta botonte, duke përfshirë edhe ata që kishin thënë fjalë kundër tij në librin ‘Maks Velo – Jeta Paralele’. Por më e rëndësishmja është që publiku tani ka mundësi të shohë dokumentet origjinale”, thotë Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë studio-Kadare.

Dokumentet nga dosja e përndjekjes dhe dënimit të Maks Velos janë vënë në dispozicion të publikut nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), për qëllime ekspozimi dhe edukimi.

“Bëhet fjalë për dy dosje të rëndësishme që lidhen me jetën publike dhe private të artistit: dosja formulare 11/705 me 235 faqe dhe dosja hetimore-gjyqësore prej 57 faqesh. Ato përmbajnë survejime të pandërprera, raportime të agjentëve, dhe pasoja që ndikuan thellësisht në jetën profesionale dhe personale të tij: largimi nga puna, dëbimi dhe përpjekjet për ta thyer shpirtërisht”, thotë Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH.

Ekspozita “Maks Velo dëshmon diktaturën” sjell një pasqyrë të realitetit të dhimbshëm që përjetoi artisti gjatë komunizmit. Vizitorët mund të njihen me procesverbalet, vendimet e arrestit, dëshmitë kundër tij, si dhe me fotografi e kritika të publikuara në gazetat e kohës.

Maks Velo u arrestua në vitin 1978 dhe u dënua me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, duke u liruar në janar të vitit 1986. Ndër akuzat ndaj tij ishin përdorimi i gjuhëve të huaja, leximi i literaturës së ndaluar, ndikimi nga filozofia perëndimore, si dhe formalizmi në art – një devijim që regjimi e konsideronte të rrezikshëm. /euronews/KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli i këndonin perëndeshës së bukurisë (VIDEO)

Një figurë si ajo e Nexhmijes kurrë nuk është tepër të kujtohet, të dëgjohet e të përjetohet, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell serenatën korçare ”Perëndeshë e bukurisë”, nën interpretimin e dy zërave të fuqishëm të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Perëndeshë e bukurisë je
un për tynë do t’pëlcas
dashurinë që kam shtënë për ty
u bu bu si do t’ia bëj

Se në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
jak o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bëre të vdes

Ilaçet nuk më bëjnë gjë
s’më shërojnë plagëtë
përveçse syri yt i zi
që më dogji zemrënë

Dhe në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
mjaft o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bërë të vdes. / KultPlus.com

Ekspozitë, muzikë e diskutim mbi artin, Galeria ‘Qahili’ shënon 12-vjetorin e themelimit

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 6 majit, Galeria ‘Qahili’ hapi dyert për të festuar 12-vjetorin e themelimit të saj, duke ofruar një mbrëmje të pasur me art, emocion dhe frymëzim. Që nga ora 17:00, vizitorët u mirëpritën në një atmosferë festive me ekspozitë, muzikë dhe koktej, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e kësaj galerie që ka qenë për më shumë se një dekadë një pikë referimi për artin bashkëkohor në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje të veçantë, organizatorët kanë përzgjedhur për temë ‘Tokën’, një koncept që përshkoi çdo element të ekspozitës si një reflektim mbi lidhjen tonë me natyrën, trupin dhe shpirtin.

Koleksioni i ekspozuar për këtë rast përfaqësonte një retrospektivë të veprave të artistit Eshref Qahili, i cili bashkë me familjen e tij, themeluan këtë galeri. Kjo ekspozitë, përfshinte vepra të cikleve të ndryshme dhe që transmetonin një udhëtim me ngjyra, krijimtari dhe përkushtim ndaj promovimit të artit që ndërlidhet me shpresën, natyrën dhe ngjarjet pozitive.

Në kuadër të kësaj mbrëmjeje festive, Galeria Qahili prezantoi për herë të parë edhe një pjesë të re të hapësirës së saj – tarracën, e cila do të shërbejë si skenë alternative për aktivitete artistike gjatë muajve të verës. Kjo hapësirë e hapur, e konceptuar si një pjesë e re e galerisë, synon të krijojë një përjetim të ri , ku arti takohet me hapësirën me qiell të hapur.

Gjithashtu, kjo mbrëmje erdhi edhe si një një pikëtakim frymëzues për artdashësit e kryeqytetit.Të pranishmit zunë çdo cep në hapësirën e brendshme dhe të jashtme të galerisë, për të diskutuar e reflektuar mbi rolin e artit në jetën e përditshme dhe për të shkëmbyer ide mbi drejtimet e reja të krijimtarisë. Ky dimension e ktheu galerinë në një hapësirë dialogu, ku arti u jetësua edhe në fjalë, diskutim dhe takime të rastësishme që lidhin komunitetin artistik.

Në këtë përvjetor, artisti Eshref Qahili, njëherësh edhe themeluesi dhe nismëtari i Galerisë Qahili, foli për KultPlus duke rikujtuar momentin e hapjes së galerisë, lidhjen e saj me ciklet natyrore dhe shpirtërore të kohës, si dhe qëllimin për ta kthyer këtë hapësirë në një vend që ringjall artin dhe shpresën.

“Kur fillimisht është bërë hapja e galerisë, e kemi menduar datën e hapjes dhe kemi vendosur që pikërisht ta hapim më 6 maj, duke llogaritur që kjo datë është dita e verës, nisur nga e kaluara që ka pasë dimër dhe verë, Shën Gjergji dhe Shën Mitri, prandaj kam vendosur që të jetë pikërisht hapja e kësaj galerie si një ringjallje apo rilindje që edhe simbolizon dita e verës. Sot shënojmë 12-vjetorin që kur funksionon kjo galeri, dhe përgjatë këtyre viteve kemi pasur diku rreth 100 aktivitete dhe me shumë artistë që kanë gravuar punimet e tyre në këto ambiente. Unë i përzgjodha që të prezantoj sot disa punime të disa cikleve, të viteve të ndryshme, që prezantojnë një humanizëm, një shpresë, një ngjarje në kuptimin pozitiv, si një mishërim i pikërisht kësaj dite”, shprehet Qahili më tutje, suke shtuar se ka besim se kjo galeri me gjithë veprimtarinë e saj do të ketë një rrugëtim shumë të gjatë.

Në hapje të mbrëmjes, për KultPlus foli edhe koordinatorja e Galerisë Qahili, Nita Qahili, e cila ndau reflektime mbi rrugëtimin dymbëdhjetëvjeçar të galerisë, sfidat dhe arritjet përgjatë këtij udhëtimi, duke vënë theksin edhe te rëndësia e zgjerimit të hapësirës dhe roli i saj si vendtakim për komunitetin artistik.

“Sot po hymë në vitin e 12-të të funksionimit të Galerisë ‘Qahili’, dhe përgjatë këtyre viteve ka qenë një rrugëtim shumë i veçantë si me të luhatura të ndryshme, të mira e më pak të mira, që pak a shumë reflektohet në gjithë atë që kemi arritur të bëjmë deri sot, pa marrë parasysh sfidat. Nuk është vit i zakonshëm apo jubilar, mirëpo sot për ne është e veçantë sepse prezantojmë edhe pjesën e dytë, terasën e galerisë që është një galeri e hapur, e cila mund të shfrytëzohet gjatë veres për aktivitete të ndryshme”, është shprehur Qahili, e cila më tutje shtoi se veçse si një ngjarje manifestimi, ky event të shërbejë edhe si një takim të njerëzve që diskutojnë rreth artit.

Ndërkaq, ju kujtojmë se galeria ‘Qahili’ është hapur me 6 maj të vitit 2013. E krijuar si një galeri dedikuar artit dhe krijuesve, përgjatë këtyre viteve ‘Qahili’ ka qenë një pikë referimi për shumë artistë, duke pasuruar jetën kulturore në vend./KultPlus.com

Bob Dylan: Vdekja, e vërteta e vetme

Nëse mendoni se do lexoni ndonjë opinion në lidhje me ndonjë dhënie çmimi, atëherë gaboheni rëndë. Të vetmen gjë që do gjeni këtu, është Vdekja.

‘Not dark yet’ apo, “Nuk është errësuar ende”, është njëra nga shumë poezitë(këngët) e Bob Dylan-it. Më shumë se një poezi ajo paraqet krejt përpjekjet e kota të njeriut për ti dhënë kuptim jetës përballë vdekjes. A do ishim kaq fallc nëse do ishim të përjetshëm?

Qysh në fillim të poezisë, Bob Dylan godet:

‘Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër 

Vdekja nuk ka trokitur ende por është në rrugë e sipër. Në fakt, vdekja gjithmonë është në rrugë e sipër, ajo vazhdimisht është duke ardhur por asnjëherë nuk vjen. Ose së paku, ne nuk e kuptojmë edhe kur vie (nëse vie). Injoranca jonë mbi vdekjen, na vë përballë dy ndjesive: tmerrit (nga hiçi) dhe shpresës (për përjetësi). Më tmerrues ende, është fakti që për këtë shpresë, të gjithë e dimë se është e “pa shpresë”, por prapë vazhdojmë. Njeriu e gënjen veten duke u gënjyer. Ai e di këtë gënjeshtër të dyfishtë por nuk mund të largohet nga loja. Loja paraqet mundësinë e tij për të harruar vdekjen. Të gjitha përpjekjet e njeriut janë drejt lumturisë, por papritur shfaqet vdekja-kjo zonjë e paftuar. Rrjedhimisht të gjitha përpjekjet kthehen në përpjekje për të gënjyer veten në përballjen me fundin.

Për të qenë më korrekt me gjuhën, njeriun nuk e mundon vdekja, por “ideja e vdekjes” Ideja e vdekjes na tmerron sepse na kujton sa pak kohë kemi. Ideja e vdekjes na bën të mendojmë se kurrë nuk do ti arrijmë të gjitha. Pse, a mund të arrihen të gjitha?

“Not dark yet”, është poezi “pesimiste” dhe e “errët” por e sinqertë në thelb. Nga këndvështrimi ekzistencialist, kjo poezi mund të ishte, “poezi e absurdit”. Në paraqitjen e këtij absurdi apo pa-kuptimësie të jetës në raport me vdekjen, Dylan është shumë i pamëshirshëm dhe i ashpër. Në vazhdim ai shkruan:

‘Humanizmi më ka humbur thuajse,
 Pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja’

Humbja e humanizmit ndodh pas ballafaqimit të njeriut me botën. Ndonëse jeta mund të duket e bukur, në esencë është një dhembje e pafundme, është një skëterrë. Sipas Schopenhauer, bota apo jeta, është e zymtë dhe e errët sepse udhëhiqet nga vullneti i cili është i verbër dhe i cili nuk ka qëllime madhore. I vetmi qëllim i vullnetit është që “të jetë”. Lumturia sipas Schopenhauerit mund të arrihet duke e shuar vullnetin dhe shmangur vuajtjet. Por përderisa jemi, vuajtja është domosdoshmëri.

‘Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detërat.
Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra.
Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut.
Barra tanimë është bërë e papërballueshme,
Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër.’

Çdo varg i poezisë sa shkon e bëhet më i errët. Në vazhdim Dylan thotë: ndonëse dallgët e jetës më kanë përplasur në shkëmbinjtë më të thepisur, ndonëse kam shkuar deri në fund të botës për të gjetur kuptimin dhe humanizmin, në fund, prapë se prapë kam hasur vetëm gënjeshtra dhe intriga. Kam takuar ziliqarë e grabitqarë. Bota është e ligë dhe e zezë.

Pasi humba shpresën në botën, e kërkova të vërtetën në sytë e njeriut. Ajo që pashë ishte edhe më e pamëshirshme, goditja e saj ishte përfundimtare, ishte goditja ndaj vetes. Sytë e njeriut janë bosh-pa kuptim. Ato nuk më thonë asgjë, prandaj nuk më mbetet tjetër vetëm të pres vdekjen, duke shpresuar që të vonojë sa më shumë.

Në fund të poezisë vie kulmi. Pas reflektimit mbi botën dhe pas vetëdijesimit se bota është e verbër dhe e shurdhërt, pasi e kuptojmë se bota nuk na flet, se ajo është vetëm një shkëmb i ftohtë, pasi kuptojmë që nuk mund të gjejmë përgjigje as tek tjetri, më në fund i kthehemi vetes. Kthimi drejt vetes është pamundësia jonë për të kuptuar botën. Në botën jashtë nesh, nuk bëjnë pjesë vetëm objektet pa vetëdije, por edhe njeriu. Quhet njeri vetëm sepse ka vetëdije përkundër gurit. Quhet njeri sepse kështu ka vendosur ta quaj veten. Kur i kthehemi vetes mund të reflektojmë. Ky reflektim fillon me një konstatim që të kall datën:

“Unë kam lindur dhe do vdes pa dëshirën time”

Kjo paraqet një nga të vërtetat më të dhimbshme të njeriut. Nga kjo e vërtetë fillon jo-liria. E si mund të jem i lirë, kur nuk jam pyetur nëse dua të vi në jetë? Askush nuk më ka pyetur nëse dua të jem pjesë e një bote plotë me sëmundje, plot me frikëra dhe pasiguri. Frika nuk vjen nga jashtë, por nga brendia ime. Frika ime jam unë, frika është mosnjohja e vetes.

Si mund të jem i lirë kur askush nuk më ka pyetur nëse dua ta pasuroj botën me dhimbje. Lindja ime ka ardhur përmes vuajtjeve. Të ekzistuarit tim do të shkaktojë vuajtje. Prania ime prodhon vuajtje. Dikush do pikëllohet edhe për largimin tim. Ai largim paraqet ligësinë time ndaj tjetrit, ligësi e cila është vetëm pjesë e ligësisë së madhe, asaj të ekzistencës së jetës. Kam nevojë të vegjetoj.

Përveç që nuk më kanë pyetur nëse dua të vi në jetë, askush nuk më pyet nëse dua të vdes. Askush nuk më pyet nëse kam frikë nga terri i nëntokës; askush nuk pyet nëse kam frikë nga mungesa e ajrit; askush nuk pyet nëse kam frikë nga krimbat; prandaj jeta është vuajtje dhe bota një skëterrë.

‘Më bëhet sikur po lëviz por prapë qëndroj në vendnumëro’

Ka raste kur angazhohem, kur përpëlitem, kur më duket sikur kam arritur ca synime. Por vetëm po gënjej veten. A mund ti japim kuptim një gjëje e cila është e destinuar të shuhet? Rrugëtimit tashmë po i vie fundi. Po largohem nga ajo që quhet “jetë”. Pyetja ende vlen: A kishte kuptim gjithë kjo? Përgjigja nuk vonon dhe është e ftohtë si mermeri dhe e heshtur si varri:

‘Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu’

Këtu është kulmi i dhimbjes. Bota nuk ka qëllim; jeta nuk ka qëllim; absurdi paraqet njohjen e pa-kuptimshmërisë së botës; kur kuptimi i vetëm i gjithë ekzistencës është vetëm të vetëdisuarit mbi ekzistencën si diçka e ligë, ky është fundi i mundësive të mia. Vdekja paraqet kufirin tim.

‘Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit,
 Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër’

Kryevepra e kësaj poezie qëndron në vargun e parafundit. Në përballjen përfundimtare, aty në shtratin e vdekjes, nuk bën punë më as Zoti. Ai paraqet vetëm një qiell të zymtë me ca re kaotike. Ironia e Dylan-it është therrëse. Ai thotë se në fund të gjithë do jemi vetëm me veten. Do jemi përballë jetës tonë; do përjetojë momentet më intime që mund ti ketë njeriu: të jetoj vdekjen e tij. Vdekja është momenti më personal dhe i vetmi moment sinqeriteti i kristaltë me veten. Vetëm përballë vdekjes ne bëhemi të sinqertë. Kemi frikë nga të tjerët. Nga sytë e tyre. Vetëm përballë vdekjes ambiciet mjegullohen dhe të gjithë do përfundojmë si Ivan Ilichë. (L.Tolsoti-Vdekja e Ivan Ilichit)

Epilog: Vdekja, e vërteta e vetme

Çfarë kuptimi ka jeta, kur e dimë që do vdesim? Çfarë kuptimi kanë përpjekjet tona kur në fund do mbesim vetëm në varr? Çfarë kuptimi kanë gjithë arsyetimet ndaj të tjerëve, kur në fund do ti arsyetohemi vetëm vetes dhe territ? Dikush edhe mund të thotë:
“Së paku do hysh ne histori”.

Me të vërtetë? Po a nuk e di që edhe historia do vdes? A nuk e di se gjithçka do kthehet në pluhur? Çdo vetëdije njerëzore do mbetet vetëm një grusht pluhuri? Historia është vetëm mjet për të arsyetuar ekzistencën dhe për të luftuar absurdin e jetës. A ka kafsha histori? Po. Vetëm historinë tonë për të. Edhe ne një ditë do të përfundojmë histori për dikë tjetër.

Atëherë cili është qëllimi jonë këtu? Ne jemi këtu vetëm si kalimtarë, si produkt i egos. Kjo është kuptimi i pakuptimtë i ekzistencës. Këtë e thotë edhe Dylan. E kush do ja lexoj Bob Dylan-it tekstet pas 1 milion vjetësh? Me falni, a keni menduar ndonjëherë si do jetë bota pas 1 milion vjetesh? Dyshoj. Nëse vetëm pak do mendonit, do bëhej edhe pyetja tjetër, po pas 1 miliardë vjetësh??? Më mirë të mos mendoj, kushedi se ku do shkoj me pyetje.

Mungesa e pyetjeve është largim nga përballja me të vërtetat. Mungesa e pyetjeve paraqet frikën e njeriut nga vetja. Mallkuar qoftë dita kur lindi pyetja; mallkuar qoftë Filozofia, ky makth i pafundëm… Më mirë të jem kafshë, pa pyetje, pa ankth, pa ekzistencë.

Por kot e keni, sepse ju tashmë keni lindur, apo më mirë, Ju kanë lindur (pa ju pyetur). Dhe ju të gjithë do vdisni. Sado që mundoheni të mos pajtoheni me ato që thashë, prape ju siguroj që do vdisni. Do vuani, do klithni, do tmerroheni, do përpëliteni, dhe në fund prapë nuk i ikni vdekjes.

I çmendur?? Ndoshta edhe jam! Por një gjë ju siguroj, edhe çmenduria ime do harrohet një ditë (nëse do ekzistojnë ditët). Të gjithë të çmendurit që kane jetuar ndonjëherë do shuhen. Më falni, a njihni ndonjë të çmendur që ka jetuar para 1000 vjetësh? Po para 2000 vjetësh?? Kështu edhe unë do ngjas pas 1000 vjetësh. Nuk më plas fare se si do kujtohem. Madje ekziston edhe një mundësi tjetër:  koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh mund të ndryshojë. Ndoshta nuk do jetë më “çmenduri” por “mençuri” ahahahahah vërtetë mendoni se çaj kokën se si do jetë koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh?

Për fund po ju lus vetëm një gjë: nëse po gënjej, ju lutem ma tregoni mua dhe Botës të vërtetën! Por nëse nuk mundeni dhe nëse nuk dini ndonjë të vërtetë tjetër përveç vdekjes, ju lus të heshtni përgjithmonë.

Shkruajti: Ardian Batusha. / KultPlus.com

Dalëngadalë – poezia e fundit e Dritëro Agollit

Poezi nga Dritëro Agolli

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë
Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,
Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”

Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më zë i ngrenë veshët
Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com

‘Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh’

Honore de Balzac është një nga themeluesit e realizmit në letërsinë evropiane. Ka qenë gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie, së cilës ai përfundon duke iu imponuar. Për bashkëkohësit ishte thuajse një mit: burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë, ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.

Kryevepra e tij është Komedia Hyjnore, që përshkruan jetën e shoqërisë franceze pas rënies së Napoleonit. Kjo vepër përbëhet nga 90 romane dhe novela dhe përfshinte më shumë se 2000 karaktere, personazhe nga të gjitha klasat dhe profesionet. Romanet kryesore të tij janë: “Luis Lambert”, “Evgjeni Grande”, “Në kërkim të absolutes”, “Xha Gorio”, “Iluzionet e Humbura”, “Kushërira Betë” dhe “Kushëriri Pons”. 

Më poshtë kemi përmbledhur disa nga thëniet e tij më të mençura:

“Femrat, kur nuk dashurojnë, e kanë gjakun e ftohtë si atë të një avokati të vjetër.”

“Shpirtrat e mëdhenj mezi besojnë se ka në botë ligësi dhe mosmirënjohje.”

“I pasur bëhesh, elegant lind.”

“Zgjuarsia është leva me të cilën mund të lëvizësh lëmshin e tokës.”

“Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh?”

“Kush di të lajkatojë, di edhe të shpifë.”

“Zakonet që ka njeriu në rini, shfaqen me më shumë forcë në pleqëri.”

“Vullneti i dashnorëve mposht çdo pengesë.”

“Veshja është të shprehurit e shoqërisë.”

“Zemra juaj është një thesar, por po e shpenzuat në një herë të vetme, morët fund.”

“Njerëzit shpirtmëdhenj janë zakonisht tregtarë të pazot.”

“Shpotia vyshk zemrën dhe tret çdo ndjenjë.”

“Mospërfillja është si i ftohti i poleve; ngrin gjithçka.”

“Të pakuptueshmit ndahen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.”

“Njeriu superior nuk ndjek hapat e askujt.”

“Çelësi i të gjitha shkencave është pyetja.”

“Zemra e një nëne është një abis në fundin e të cilit gjendet gjithmonë një falje.”

“Policia trillon më shumë nga ç’zbulon.”

Qeveria që kupton interesat e të gjithëve është gjë e zakonshme. Qeveria që i parashikon është qeveri e madhe.

Besoni çdo gjë që dëgjoni mbi botën, asgjë s’është aq e keqe sa për të qenë e pamundur.

“Secila orë e humbur gjatë rinisë është një rrezik palumturie për të ardhmen.”

“Opinioni publik është më e llastuara e prostitutave.”

“Sovrani duhet t’i falë gabimet, jo t’i harrojë.”

“Vetëm dashuria e fundit e një femre mund të kënaqë dashurinë e parë të një mashkulli.”

“Të varfrit apo të pasurit, kurrë nuk kanë para për nevojat e jetës, por për kapriçot e tyre i gjejnë përherë.”

“Një natë dashurie është një libër i palexuar.”

“Koha është tërë kapitali i njerëzve që s’kanë tjetër pasuri përveç mençurisë së tyre.”

“Femrat do të ishin për t’u qarë hallin, po të dilnin fajtore për çdo dëshirë që na ngjallin.”

“Privilegji i të qëndruarit, kudo, si në shtëpi të vet, u përket vetëm mbretërve, kurvave dhe hajdutëve.”

“Gjeniu u ngjason të gjithëve, kurse atij askush.”

“Popullit i duhen dhënë festa të zhurmshme. Budallenjtë i duan festat e zhurmshme dhe turmat përbëhen nga budallenjtë.”

“Fama është helm që duhet marrë me doza të vogla.”

“Nëse drita është dashuria e parë e jetës, a nuk është dashuria drita e zemrës?”

“Koprracia fillon aty ku varfëria mbaron.”

“Ka një jetë të tërë në një orë dashurie.”

“Dashuria është poezia e shqisave.”

“Burokracia është një mekanizëm gjigant i vënë në lëvizje nga pigmei.”

“Nuk është skandaloze që disa bankier kanë përfunduar në burg, skandaloze është se gjithë të tjerët janë të lirë.”

“Një bashkëshorte është një skllav që duhet ditur si të vihet në fron.”

“Një shoqëri ateistësh do të shpiknin menjëherë një fe”./KultPlus.com

Presidentja Osmani uron kancelarin e ri gjerman Friedrich Merz: Miqësia Kosovë-Gjermani mbetet e fortë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar kancelarin e ri të Gjermanisë, Friedrich Merz, me rastin e marrjes së detyrës.

“Në emër të popullit të Kosovës, e uroj kancelarin Friedrich Merz ndërsa ai merr detyrën dhe qeveria e re gjermane fillon mandatin e saj”, ka shkruar Osmani

Ajo theksoi rëndësinë e udhëheqjes gjermane për unitetin dhe sigurinë e Evropës. Kancelari Merz i është përgjigjur me mirënjohje, duke falënderuar Osmanin për urimin dhe duke vlerësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Të dy liderët u takuan dhe shtrënguan duart, duke konfirmuar partneritetin dhe miqësinë e fortë mes dy vendeve./KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha mbulohej me lule në Shkodër

Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.

Shkruan: Isa Alibali

Ishte prilli i vitit 1971

Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri.

Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës. Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj.

“A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit,

krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës.

Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.

-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.

-Ka zë të artë e të kristaltë…

-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.

Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”

Kënga e saj

Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i mallëngjente, i mbushte me jetë.

…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe.

Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar.

Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë.

Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël. Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh.

Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.

– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare…

Kënga e bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit.

Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço, ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë.

Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:

– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.

Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!…

Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vde.kje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…

Fjalë zemre

Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.

– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time.

Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë vullkani.

E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.

– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…

Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.

– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…

Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.

-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj.

Kur këndova këngën “Unë ty, moj, të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër. /KultPlus.com

Tenori Saimir Pirgu së shpejti në Uashington me veprën korale “Missa Solemnis” të Beethoven-it

Tenori i njohur shqiptar, Saimir Pirgu, do të jetë pjesë e interpretimit të veprës monumentale Missa Solemnis të Ludwig van Beethoven-it në Uashington, në datat 15, 16 dhe 17 maj. Lajmin e ka ndarë vetë artisti në rrjetet sociale.

Nën drejtimin e dirigjentit Gianandrea Noseda dhe në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike Kombëtare dhe Kori i Uashingtonit, Pirgu do të interpretojë përkrah solistëve të njohur Erika Grimaldi (soprano), Rihab Chaieb (mezo-soprano) dhe Marko Mimica (bas-bariton).

Saimir Pirgu, me një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, vazhdon të jetë një nga emrat më të spikatur shqiptarë në botën e muzikës klasike.

Një numër i kufizuar biletash “rush” me çmim simbolik prej 10 dollarësh do të jetë në dispozicion për publikun, dy orë para fillimit të çdo koncerti./KultPlus.com

Esat Valla sot hap ekspozitën personale “Arti Pamor si Rezistencë (1990–1999)”

Më 7 maj 2025, duke filluar nga ora 19:30, në Open Art Gallery hapet ekspozita personale e artistit Esat Valla, “Artit Pamor si Rezistencë (1990–1999)”, kuruar nga Zeni Ballazhi.

Kjo ekspozitë sjell për publikun një cikël veprash të krijuara në periudhën më të errët të historisë së vonshme të Kosovës, ku arti u bë gjuhë proteste, rezistence dhe mbijetese përballë represionit serb.

Në dekadën vendimtare për fatin e Kosovës, arti i Esat Vallës u shndërrua në një formë të heshtur, por të fuqishme qëndrese. Duke u përballur me censurë dhe përjashtim institucional, ai krijoi vepra që përçojnë dhimbjen kolektive të një populli dhe luftën për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ngjyrat e kuqe, të zeza, të bardha dhe të kaltërta dominuan telajon, duke shprehur tragjedinë, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë.

Temat kryesore të veprave të artit në këtë periudhë të krijuara nga Esat Valla janë:

• Dhuna dhe represioni: Vepra që pasqyronin brutalitetin policor dhe frikën kolektive si: “Thyerje qetësie”, “Sulmi i demit dhe goma”, “Dashi kurban”, “Demi i lënduar”, “Flutura gomë” etj.

• Shpërnguljet dhe mungesa e lirisë: Kompozime me figura të mbyllura, të thyera apo të errësuara si: “Shkëputja”, “Fosilet e dhisë”, “Demolimi i fakultetit teknik” etj.

• Identiteti dhe kultura shqiptare: Përdorimi i simboleve kombëtare, motiveve folklorike dhe elementeve tradicionale si shenjë e qëndresës kulturore: “Kokat”, “Koka e kaltërt”, “Dashi”, “Demonët” etj.

• Shpresa dhe mbijetesa: Përkundër vuajtjes, disa vepra përçuan mesazhe shprese, ringjalljeje dhe besimi në liri: “Fluturat dhe demonët”, “Lumi amshuar”, “R&N”, “Sulmi i kokëboshëve” si dhe pjesa e cikleve të fundit si faza në tranzicion etj.

Esat Valla, me stilin e tij të veçantë dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, dëshmon se arti pamor mund të jetë më shumë se estetikë – ai është rezistencë, dokumentim dhe kujtesë. Kjo ekspozitë është një ftesë për të mos harruar, për të reflektuar dhe për të nderuar dinjitetin e njeriut përmes gjuhës universale të artit. /KultPlus.com