Sot në Shqipëri shënohet ‘Dita e Verës’

Sot festohet ‘Dita e Verës’, edhe pse nën kushtet e pandemisë. Kur përmendin ‘Dita e verës’ mendja direkt na shkon në Elbasan. Sigurisht që kjo festë është një traditë mbarëkombëtare e cila festohet nga jugu në veri, por “shtëpinë” e saj e ka në qytetin e Elbasanit.

Shqiptarët mbahen si popull që jetojnë e gëzojnë në harmoni me njëri – tjetrin. Kjo gjë dëshmohet që në lashtësi, në kohët kur shqipëtarët ishin paganë. Një nga traditat pagane është edhe “Dita e Verës”, e cila kremtohet më 14 mars. Kjo datë simbolizon për rigjenerimin e natyrës, ardhjen e pranveres, ardhjen e kësaj stine e cila sjell përtëritjen e natyrës, por jo vetëm, sjell edhe përtëritjen shpirtërore.

Në rrethinat e Elbasanit, konkretisht në Çermenikë sipas gojëdhënave u ndërtua një faltore me emrin “Zana e Çermenikës” ose e njohur ndryshe në mitologjinë greke Diana, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Ishte koha kur nuk ishin krijuar ndasitë fetare dhe shqiptarë, grekë e romakë kremtonin së bashku duke iu falur perendive, luleve, natyrës.

Zanafilla ishte në qytetin e Elbasanit dhe ky qytet e ka ruajtur traditën dhe e feston bindshëm këtë festë, ndryshe nga krahinat e tjera. Por cilat janë ato detaje që simbolizojnë këtë festë?

1. Ballokumet, simboli i embëlsisë, sinonimi i Ditës së verës, një nga gatimet tipike të krahinës së Elbasanit. Bëhet vetëm me 14 mars dhe përbëhet nga katër elementë: miell(misri dhe gruri), gjalpë, vezë(mundësisht fshati) dhe sheqer. Aq e thjeshtë në dukje por me një mund të madh për amvisat pasi procedura e gatimit do kohë që të realizohen ballokumet e duhura.

2. Njerëzit në natën e 13 marsit vendosin në duar verore. Verorja përbëhet nga fije të bardha e fije të kuqe. Ngjyra e bardhë simbolizon dritën, paqen, pastërtinë, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon gjakun, ngrohtësinë, dashurinë. Sipas traditës veroret hiqen dhe vendosen në degën e një peme me ardhjen e dallëndyshes së parë, duke shprehur një dëshirë.

3. Thuhet se në datën 14 mars, pa lindur akoma dielli, duhet të hapim dyert e shtëpisë, në mënyrë që të deportojnë rrezet e para të diellit pranveror që largojnë të keqen dhe mirëpresin të mirën, begatinë. Të moshuarit, sidomos në qytetin e Elbasanit, ende i aplikojnë këto zakone.

4. Ndezja e zjarrit që simbolizon largimin e së keqes dhe pjellorinë e tokës.

Në dy vitet e fundit, ndryshe nga çdo vit tjetër, kjo festë është festuar në kushte pandemie. /KultPlus.com

Elbasani, qyteti model në respektimin total të rregullave si pasojë e COVID – 19


Jo më kot një ditë më parë vetë Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, vlerësoi Elbasanin si qytetin model në respektimin total të rregullave si pasojë e COVID – 19.

Elbasani ishte qyteti i parë që vendosi rrathët e verdhë në supermarkete dhe në bankat e nivelit të dytë ku kohët e fundit ka pasur radhë të gjata, pasi njerëzit kryejnë shërbimet bankare si edhe bëjnë pazaret e ditës.

Bashkia e Elbasanit e ka kthyer në rutinë çdo ditë edhe dezinfektimin e qytetit, ku mjetet e Bashkisë qarkullojnë në të gjithë rrugët kryesore dhe dytësore duke pastruar dhe dezinfektuar rrugët.

Gjithashtu vetë kreu i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka angazhuar të gjithë stafin e bashkisë që të shkojnë tek të gjithë pensionistët e vetmuar që t’i vijnë në ndihmë këtyre të fundit për t’i bërë pazaret e ditës, me qëllim që këta të fundit të mos dalin vetë në rrugë.

Sakaq një fushatë e cila ka nisur që në fillimet e shfaqjes së COVID– 19 është edhe shpërndarja e ndihmave humanitare.

Çdo ditë ekipi i bashkisë i mbështetur nga shoqata të ndryshme bamirësie vijojnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe medikamenteve tek të moshuarit e vetmuar si edhe tek familjet më në nevojë.

Vetëm në njësinë administrative Bradashesh, operacioni humanitar i kryesuar nga vetë kreu i bashkisë Gledian Llatja u ndal tek të moshuarit që jetojnë vetëm, familjet më në nevojë si edhe tek personat me aftësi ndryshe ku janë shpërndarë 150 pako me ndihma ushqimore, barna mjekësore si edhe bërjen e pazareve.

Edhe një herë Llatja ka bërë thirrjen publike për të gjithë qytetarët Elbasanit më së shumti ata nën 45 vjeç që të ndihmojnë të moshuarit në lagjet e tyre në këto ditë të vështira./atsh / KultPlus.com

106 vjet më parë Elbasani ngriti flamurin e Pavarësisë

106 vjet më parë ishin patriotët e Elbasanit ata që shpallën Pavarësinë e qytetit të tyre për t’i hapur rrugë më pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, deputetë, pushtetarë të tjerë vendorë, veteranë dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ngriti simbolikisht Flamurin e Pavarësisë, pranë memorialit të Partiotit Aqif Pasha, ndërsa mbajti fjalën e rastit duke nderuar kontributin e atyre që dhanë jetën për Pavarësinë e vendit.

“Po me të njëjtat sakrifica dhe përkushtim duhet të punojmë fort për ta zhvilluar edhe më tej qytetin tonë, vendin tonë”, theksoi Sejdini.

Vlerat e këtij organizimi i shtoi ekspozita me fotografi të Elbasanit të 100 viteve më parë, marrë nga arkivat e Vjenës, një kontribut ky i qytetarëve të Elbasanit që edhe një herë tregojnë vlerat e tyre të jashtëzakonshme në kulturë dhe qytetari, shkruan ata.

62 fotografi që sjellin Elbasanin e viteve 1916-1918 ku shohim një zhvillim dhe qytetërim të hershëm të një qyteti që ndoshta ka ende për t’u zbuluar./ KultPlus.com

Ansambli nga Elbasani merr çmimin e parë në Prizren

Ansambli i këngëve dhe i valleve “Isuf Myzyri” nga Elbasani ka marrë çmimin e parë në festivalin dyditor “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”.

Ndërsa ansambli “Marinarët nga Ulqini” është renditur i dyti dhe pas tij ansambli “Xheladin Zeqiri” nga Tetova. Ky festival, që është mbajtur për herë të parë në qytetin e vjetër, sipas organizatorëve, ka bashkuar tetë ansamble këngësh nga viset shqiptare. Pas paraqitjes së të gjitha ansambleve, festivali është mbyllur të enjten mbrëma.

informatorin e festivalit shkruan se ky festival është ideuar nga shoqëria kulturo-artistike “Agimi” dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Komunës së Prizrenit dhe donatorë të tjerë.

“Interesimi për këtë festival ishte i jashtëzakonshëm, për çka një numër i madh i dashamirëve të këngës dhe vlerave të mirëfillta muzikore mbetën jashtë salle”, thuhet në informatorin e festivalit, në saje të së cilit është bërë thirrje për investime në objekte reprezentative kulturore në Prizren.

Aty theksohet se në natën e parë të festivalit në skenë janë paraqitur SHKA “Agimi”, “Marinarët” nga Ulqini, “Dogru Yol” nga Prizreni dhe “Tirana Folk” nga kryeqyteti i Shqipërisë, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com