101 vite nga vdekja e Franc Kafkës

Sot bëhen 101 vite nga vdekja e një prej shkrimtarëve më të mirë të historisë së njerëzimit, Franc Kafkës, shkruan KultPlus.

Franz Kafka ka lindur më 3 Korrik të vitit 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, apo siç njihet sot me emrin Republika Çeke.

Ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, dhe një nga modernistët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX. Disa nga shkrimet e tij mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së tij, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin, e të cilat janë bërë ikona në letërsinë e Perëndimit.

Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin “Die Verëandlung” (Metamorfoza, Shëndërrimi) dhe romani i tij i pambaruar “Der Prozess” (Procesi) dhe “Das Schloß” (Kështjella).

Mbiemri “kafkor” ka hyrë në përdorim të shënojë rrethanat e rëndomta të llojit absurd dhe surreal zakonisht të gjetura në veprat e Kafkës.

Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: “Procesi”, “Metamorfoza”, “Kështjella” në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit. Disa nga tregimet e tij janë “Një Leksion Akademik”, “Populli i Minjve”, “Barbarët”, etj.

Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për më tepër nga vetë dëshira e autorit për t’i asgjësuar ato. Ajo që mund të analizohet për këtë shkrimtar, është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje.

Ai shpesh përdorë një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj, pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale. Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka.

Disa nga shkrimet dhe përkthimet e tij:

1909: Një libër lutjesh grash (Ein Damenbrevier)
1909: Një bisedë me të luturin (Gespräch mit dem Beter)
1909: Një bisedë me të dehurin (Gespräch mit dem Betrunkenen)
1909: Aeroplani në Brescia (Die Aeroplane in Brescia)
1911: Rihardi dhe Samueli (Richard und Samuel)
1912: Zhurmë e madhe (Großer Lärm)
1913: Soditje (Betrachtung; me 18 tekste prozë)
1913: Gjykimi (Das Urteil)
1913: Fokisti (Der Heizer)
1915: Metamorfoza (Die Verëandlung)
1915: Para ligjit (Vor dem Gesetz; pjesë i romanit “Procesi”)
1918: Vrasja (Der Mord)
1918: Një doktor vendi (Der Landarzt)
1919: Në koloninë ndëshkuese (In der Strafkolonie)
1921: Kalorësi i kovave (Der Kübelreiter)

Ai vdiq më 3 Qershor 1924 në Vjenë të Austrisë, në moshën 41 vjeçare./KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Biçikletës

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur 3 qershorin, Ditën Botërore të Biçikletës.

Ky vendim u mor duke pranuar veçantinë, jetëgjatësinë dhe shkathtësinë e biçikletës, e cila ka qenë në përdorim për 2 shekuj. Biçikleta është një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm, i besueshëm, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin, duke nxitur kujdesin ndaj mjedisit dhe shëndetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore.

Për pjesën më të varfër të shoqërisë, ecja dhe çiklizmi mund të ofrojnë një formë transporti duke reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, tumoreve të caktuara, diabetit dhe madje edhe vdekjes. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm; është gjithashtu e barabartë dhe me kosto efektive.

Biçikleta është edhe traditë. Të gjithë kemi kujtime të bukura të kalimit nëpër lagjen tonë si fëmijë me biçikletat tona të preferuara me aksesoret e tyre si zile dhe shporta. Shumë prej nesh, sot udhëtojnë për në punë me biçikletë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë blerjen e një biçiklete si një mënyrë të përditshme transporti dhe investim në shëndetin fizik./atsh/KultPlus.com

UNUM Festival prezanton për herë të parë biletat ditore

Ndërsa numërojmë ditët e fundit përpara se të nisë një nga edicionet më të fuqishme të festivalit deri më sot, UNUM sjell një risi që hap dyert edhe për ata që duan të bëhen pjesë vetëm për një natë: biletat ditore janë tashmë të disponueshme.

Për herë të parë që nga themelimi, vizitorët kanë mundësinë të zgjedhin vetëm një ditë të festivalit për të përjetuar atmosferën, energjinë dhe performancat e artistëve të tyre të preferuar. Me biletën ditore, pjesëmarrësit përfitojnë hyrje të plotë në të triat skenat e festivalit për 24 orë.
Kjo nismë vjen si përgjigje ndaj kërkesave të shumta të publikut vendas dhe ndërkombëtar, që dëshirojnë të bëhen pjesë e përvojës UNUM, edhe për një natë të vetme, një natë që për shumëkënd mund të jetë e mjaftueshme për të kuptuar thelbin e këtij festivali.

Line-up-i i këtij viti përfshin disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës elektronike botërore, si:  Black Coffee, Dixon, Bedouin, Carlita, Ricardo Villalobos, Raresh, Seth Troxler, Sonja Moonear, dhe mbi 100 artistë të tjerë që performojnë përgjatë pesë ditëve të festivalit.

Çdo ditë sjell energji dhe identitet unik, duke ofruar një përvojë që mund të përjetohet si një kapitull i veçantë brenda një historie më të madhe.

Për të gjithë të interesuarit për rezervimin e tavolinave, UNUM lajmëroi që tashmë tavolinat për natën e parë kur performon BLACK COFFE janë të gjitha të rezervuara dhe ka pak të lira për dy netët tjera ku performojnë artiste si BEDOUIN, DAMIAN LAZARUS, CARLITA e shume artiste te njohur nderkombetar.

Shihemi shumë shpejtë në UNUM Festival.

Siguro biletën tënde tani në unumfestival.com./KultPlus.com

‘Engjujt nuk jetojnë në tokë’, një fidan dhe poezi për 1133 fëmijët që s’e patën mundësinë të rriteshin

Flonja Haxhaj

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nën tingujt e këngës “Engjujt nuk jetojnë në tokë” nga grupi 403, u mbajt sot një ngjarje përkujtimore me të njëjtin emër, në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ngjarja, e organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, mbështetur nga Ministria e Arsimit , solli bashkë poetë, nxënës dhe artdashës që përmes vargjeve u përkulën përpara kujtimit të atyre që nuk patën mundësinë të rriteshin. “Engjëjt nuk jetojnë në tokë” ishte një takim letrar ku poezia u bë mjet i përjetimit dhe dhimbjes, por edhe i kujtesës kolektive që refuzon të heshtë.

Në këtë manifestim kulturor morën pjesë poetët e njohur Ibrahim Kadriu, Sali Bashota dhe Lulzim Tafa, të cilët lexuan poezi të dedikuara fëmijëve që tashmë janë shndërruar në dritë të përhershme të Kosovës. Përkrah tyre, me emocion të veçantë, u prezantuan edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” nga Prishtina, duke sjellë vargje të sinqerta dhe prekëse në kujtim të atyre që humbën jetën pa e njohur mirë.

E para në këtë takim e mori fjalën drejtoresha e KultPlus, Ardiana Pajaziti e cila theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe të rikthimit të vëmendjes drejt fëmijëve që humbën jetën apo u zhdukën gjatë luftës në Kosovë, në një muaj që tradicionalisht u kushtohet fëmijëve.

“Qershori është muaji dedikuar fëmijëve, e ne kemi vendosur që këtë ditë t’ua kushtojmë fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është një dhimbje e madhe dhe ne kemi vendosur që ta shënojmë këtë ditë për t’i kujtuar këta fëmijë nëpërmjet leximit të poezive. Në të njejtën kohë ne kemi menduar që në nderim të tyre të mbjellim një fidan, si një symbol i kujtimit të tyre dhe një vend që u kushtohet vetëm atyre”, u shpreh Pajaziti.

Më pas, emocionet u bartën në duart e shtatë nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”, të cilët një nga një interpretuan poezi të përzgjedhura me ndjeshmëri dhe përkushtim.

Ajan Sinani nisi interpretimet me poezinë “Sikur të ndalej” të Ymer Elshanit, e ndjekur nga Ajana Hasani me interpretimin e poezisë “Për mësuesen” të Adelina Mamaqit. Djellza Ninaj solli freskinë e vargjeve të Vehbi Kikajt me poezinë “Pemët në verë”, ndërsa Era Stublla preku zemrat e të pranishmëve me “Kryefjala e fjalëve” të Odhise Grillos. Omer Havolli interpretoi poezinë “Pëllumb i bardhë” të Rifat Kukajt, Orion Kryeziu solli emocion me “Ditëlindja ime” të Qamil Batallit, dhe Tiara Fetahu e përmbylli me ndriçimin e fjalëve në poezinë “Dielli” të autores Dije Demiri – Frangu.

Më pas, fjalën e mori profesori dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu i cili lexoi para të pranishmëve poezië ‘Librat në protestë’.

Pas tij, foli profesori Sali Bashota, i cili para se të lexonte poezinë e përzgjedhur, theksoi rëndësinë e KultPlus në shënimin e ngjarjeve e dative të rëndësishme.

“KultPlus tashmë është një vend, gati – gati i shenjtë për krijuesit. Ardianë Pajaziti po bën një punë të jashtëzakonshme me aktivitetet në këtë hapësirë të jashtëzakonshme duke shënuar shumë data të rëndësishme, e një prej tyre është edhe Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, e buzëqeshja e fëmijëve është motivi më i madh i shkrimitarit”, theksoi Bashota, teksa më pas lexoi poezinë e tij ‘Portret i pambaruar’, kushtuar vajzës së tij në kohën e luftës.

Pas tij, fjalën e mori poeti Lulzim Tafa, i cili lexoi poezinë e tij, ‘Asfalti mbi eshtra’, një poezi e shkurtër por që lë një brengë të madhe për të gjithë pjesëmarrësit. Këtë poezi, Tafa thotë se e ka kushtuar këtë poezi për fëmijët e vrarë e të pagjetur pasi në disa lokacione në Kosovë janë gjetur varreza masive me fëmijë e të rritur dhe më pas kanë shtruar asfalt për të shmangur gjurmët.

Ndërkaq, të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe poetët Shqipe Bytyqi dhe Besnik Camaj, të cilët iu bashkuan kësaj ngjarje duke lexuar poezi që lidhen me ditën dhe ngjarjen e shënuar.

E në fund, pjesë simbolike dhe e veçantë e këtij organizimi ishte mbjellja e një fidani pranë ambienteve të KultPlis, në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur, një akt që synon të mbjellë kujtim e jetë në vend të dhimbjes së pafund.

Sipas të dhënave të dokumentuara, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999 dhe në muajt pas përfundimit të saj, janë vrarë 1.024 fëmijë, ndërsa 109 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur./KultPlus.com

“Kujtime nga Atdheu – Festë me Miq”, fëmijët e diasporës festojnë shqip në Zvicër

Fundjava e fundit e majit solli në zemër të Zvicrës një ngjarje kulturore të veçantë për komunitetin shqiptar atje dhe jo vetëm.

Më 31 maj dhe 1 qershor, në ambientet e Espace Dickens në Lausanne, u organizua festa dyditore “Kujtime nga Atdheu – Festë me Miq”, një aktivitet që vjen në kuadër të nismës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ‘CulturAlb’, kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.

Eventi u organizua nga Swiss Albania Event dhe bashkoi artin, edukimin dhe familjen në një hapësirë ku kultura shqiptare frymon përmes aktiviteteve të ndryshme.

Festa nisi të shtunën, më 31 maj, me shfaqjen e filmit të dashur për breza të tërë, “Taulanti kërkon një motër”, që u transmetua në orën 19:00. Mbrëmja u pasua me një pritje për fëmijët dhe familjet, ku bisedat miqësore u ndërthurën me kujtimet dhe ëndrrat e një brezi të ri që po mëson të dashurojë gjuhën dhe rrënjët.

E diela e 1 qershorit, e cila përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve ishte e mbushur me aktivitete të strukturuara në pesë pjesë krijuese dhe edukative.

Fëmijët shfaqën talentin e tyre nëpërmjet ekspozitës “Kujtime nga Atdheu”, ku u prezantuan punimet e tyre artistike kolazhe të frymëzuara nga trashëgimia shqiptare. I ftuari special i ditës ishte Rafael Shehi, artisti i vogël që jeton në Lyon, Francë.

Një nga momentet më të veçanta ishte edhe krijimi i veprës kolektive “Pema e Jetës”, me tapa verërash shqiptare, simbol i lidhjes me natyrën, rrënjët dhe traditën shqiptare. Kjo vepër do u dhurohet restoranteve shqiptare në Zvicër si një kujtesë artistike për të ruajtur identitetin në çdo hapësirë publike.

Në orët e mesditës, u mbajt edhe ceremonia e certifikimit për fëmijët pjesëmarrës në konkursin artistik që ka qenë i hapur që nga muaji mars, si dhe promovimi i aplikacionit edukativ “Mësojmë Shqip – Bubi”, një mjet modern për fëmijët e diasporës që duan të mësojnë gjuhën amtare në mënyrë argëtuese.

Pjesa e fundit e programit ishte edhe workshop-i muzikorë dhe kulturorë, me fokus në trashëgiminë e pasur shqiptare, përfshirë vallet popullore shqiptare./atsh/KultPlus.com

Naser Shatroli: Monumenti i Skëndërbeut në Ulqin, përfshin autenticitentin, karakterin kombëtar dhe iluminar

Nga Naser Shatrolli

BURRËRIA

Bucetën ideoestetike të ”Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, karshi burrave të Ulqinit” e karakterizon dora skulpturore moderne dhe filozofike e Sabri Behramajt, imazh i shquar në daltimet e projekteve madhore monumentale këtu e në rajon.

Vepra dedikuar Ulqinit, është e projektuar si memorial metaforik skulpturor modern, në përmbajtje, në qëndrim, në optikën e shikimit dhe largëpamësisë dhe në vjershërimin arkitektonik dhe trashëgimor, ka traditën, mbrotjen e trashëgimisë, tokën, historinë, parasegjithash arkitektoninë e Ulqinit.

Burrat e Ulqinit, autori i lidhë në një trup dhe trung të vetëm para besës dhe shpatës së Skenderbeut, ndërsa alafabeti strukturor shtresëzohet në sinkron me arkitektoninë e kalasë, aty ku paraskicohen frëngjitë, forca, konfiguracioni i fytyrës, bindjet dhe besnikëria parasegjithash.

Në anën tjetër, vepra ka potencën, nisur me figurën dhe figurshmërinë e bucetës tërësore. Ka peshën abstraksionit si gjetje stilore, që del të jet synim dhe qëllim nga aspekti artistik. Burrëria, heroizmi, maturia, uniteti, unifikimi, këmbëngultësia, të gjitha këto tonalitete qëndrojnë të ngulura në këmbët e tyre madje kanë formën e shtyllave të forta për të mbajtur të ekuilibruar qëllimin karshi rajonit.

Në bucetë përfshihet dhe autenticiteti, karakteri kombëtar dhe iluminar, i sendërtuar në tërësi mbi gjetjet origjinale.

Burrëria dhe vizioni qëndrojnë brenda standardit botëkuptimor që çojnë në kahet e kulturës dhe origjinës.

Veprën në tërësi e përshkojnë detajet, nisur nga dora e majtë e Skënderbeut që rri e shtrirë, në formë të prerë karshi vendimeve të mëdha, në të djathtën e tij mban shpatën pingul në tokë, për tokën e Ulqinit, ndërsa flatrat e shqiponjës i shtrinë në hartën e xhamadanit, sikundër mbi harkun e këmbëve thuret simbolika e urave.

Vepra është origjinale dhe ka të gjithë elementët estetik, nisur me përmbajten në relacion me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij qyteti dhe kësaj treve unike.

Dominon simbolika gjersa plisi i burrave të Ulqinit duket si amabrell dhe si fole për shqiptarët dhe për popujt që jetojnë aty, sikundër dhe duart që shpërfaqen të lidhura në belin e njëri-tjetrit, me to, krijon pemën, apo trungun e pemës, në kuptimin e lidhjes dhe ushqimit me tokën, me qytetin, me objektet trashëgimore, me trashëgiminë e kësaj ane dhe me vizionin me burrërinë dhe fjalës së dhënë të Skenderbeut për tokat ilire./KultPlus.com

“DEA OPEN AIR”, edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë

Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, do të zhvillohet në kryeqytet nga data 9 deri 13 qershor 2025.

Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, DEA vjen këtë vit për herë të shtatë edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesionale evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas.

DEA mbetet edhe këtë vit OPEN AIR. Programi i mbrëmjes së konkurimit kryesor të festivalit, Filmi me metrazh të gjatë ofrohet në Kinema DEA OPEN AIR 1, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, ku do të organizohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes si edhe mbrëmja Gala e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit XII të DEA OPEN AIR International Filmfestival Tiranë – 2025.

Programi i pasdites i konkurimit kryesor të festivalit, seksionit të filmit me metrazh të gjatë si edhe programet e filmit dokumentar, filmit të shkurtër dhe filmit dokumentar do të ofrohen në Kinema DEA OPEN AIR 2, salla e Kinema Agimi-t.

Organizatorët bëjnë të ditur se, të gjithë pjesëmarrësit në këtë event të rëndësishëm kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit.

Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit,  si në edicionet paraardhëse, gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit Mars.

Në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetshëm gjithsej 34 filma nga 20 vende të botës, prej të cilëve 7 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 14 në seksionin e filmit të shkurtër dhe 13 në seksionin e filmit studentor.

Filmat konkurues në seksionin e filmit me metrazh të gjatë vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Italia, Polonia dhe Brazili ndërsa Filmat e Shkurtër nga Kosova, Bullgaria, Franca, Italia, Irani, Kanadaja, Turqia, Rusia, Uzbekistani, Spanja, Peruja dhe Britania e Madhe. Filmat studentorë të përzgjedhur për këtë edicion vijnë nga 8 vende të ndryshme: Shqipëria, Irani, Polonia, Koreja e Jugut, Spanja, Italia, Kili, Rusi. Shqipëria përfaqësohet me 4 filma studentorë, Spanja dhe Irani me nga 2 filma, ndërsa vendet e tjera me nga 1 film secili.

Në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, Akademia DEA organizon më datat 10–12 Qershor 2025 Takimin Rajonal të Shkollave të Filmit, një nismë që synon nxitjen e bashkëpunimit mes institucioneve akademike të fushës së kinemasë në rajonin e Ballkanit.

Pjesë e Akademisë sivjet do të jenë: Departamenti i Filmit dhe Televizionit, Universiteti i Arteve, Tiranë/Shqipëri; Departamenti i Regjisë së Filmit dhe Televizionit, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve Prishtinë/Kosovë dhe Departamenti i Filmit dhe Videove, Akademia e Arteve, pranë Universitetit të Splitit, Kroaci.

Gjatë tre ditëve të aktivitetit, do të ofrohet një program i posaçëm ditor (2–3 orë) me filma të studentëve të shkollave pjesëmarrëse, i cili do të shoqërohet me prezantime të ofertave akademike dhe kulturore të secilës shkollë. Gjithashtu pjesë e rëndësishme e aktivitetit do të jenë edhe tryezat e rrumbullakëta që do të trajtojnë temat aktuale të zhvillimit të kinemasë në rajon, sfidat e formimit profesional të kineastëve të rinj, mundësitë e bashkëpunimeve të përbashkëta ndërinstitucionale si edhe një master klasë e regjisorit të njohur turk, Semih Kaplanoglu.

Edicioni i Dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Universitetit të Arteve, të cilët krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve evropiane të filmit, aktorët, regjisorët, producentët, por dhe përfaqësuesit e industrisë, kritikët, studiuesit dhe gazetarët e ftuar, i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon.

Programi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë./KultPlus.com

Vrasja e poetit

Poezi nga Martin Camaj

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore./KultPlus.com

Ekspozitë unike në Singapor, artistët aziatikë në Paris marrin vëmendjen “e mohuar”

Një shekull pas periudhës kur artistët aziatikë u përpoqën të gjenin vendin e tyre në skenën artistike të Parisit, Galeria Kombëtare e Singaporit sjell në vëmendje historinë e tyre të harruar.

Ekspozita madhore “Qyteti i të Tjerëve: Artistët Aziatikë në Paris, 1920–1940” prezanton mbi 200 vepra nga emra si Le Pho, Sanyu, Tsuguharu Foujita dhe Liu Kang – të cilët përballuan paragjykimet për të krijuar një art hibrid, ku lindja dhe perëndimi ndërthuren.

Në një Paris ende nën hijen e kolonializmit, këta artistë u ndeshën me përjashtim institucional dhe pritshmëri të padrejta: arti i tyre nuk shihej mjaftueshëm nga bota perëndimore. Sot, shumë prej tyre po rivlerësohen, si në tregun ndërkombëtar të artit, ashtu edhe nga studiuesit.

Pikturat e Le Pho kanë arritur çmime milionëshe, ndërsa Sanyu, i quajtur “Matisse-i kinez”, është sot një nga artistët më të vlerësuar aziatikë në botë. Ekspozita përpiqet të rrëfejë historinë përmes perspektivës së artistëve vetë dhe jo nga filtrat eurocentrikë që për dekada i anashkaluan.

Kuratorja Phoebe Scott theksoi se qëllimi është “të vendosin në qendër zërat aziatikë në Paris, jo të përsërisim rëndësinë e qytetit, por të tregojmë çfarë sollën këta artistë në të”.

Ekspozita mbetet e hapur deri në fund të vitit dhe shihet si një akt i vonuar drejtësie artistike dhe historike për një brez krijuesish që jetuan në hijet e avangardës evropiane, por që sot ndriçojnë më fort se kurrë./KultPlus.con

Reformë në sektorin audiovisual, Ministria e Kulturës dëgjesa me profesionistët e filmit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit zhvilloi një dëgjesë me profesionistë të industrisë së filmit dhe audiovizualit, për të diskutuar sfidat dhe potencialet e këtij sektori që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë shqiptare, por që ende përballet me vështirësi të shumta.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga ky takim, ku morën pjesë emra të njohur të skenës kinematografike shqiptare, producentë, regjisorë, skenaristë, autorë dhe përfaqësues të tjerë të industrisë kreative.

Gonxhja bëri të ditur se, diskutimet në këtë takim, u përqendruan në disa çështje kyçe, si: nevoja për përmirësime ligjore në sektorin kinematografik dhe audiovizual, që të pasqyrojnë realitetin dhe zhvillimet bashkëkohore; rritja e fondeve publike për prodhime filmike dhe krijimtari të reja dhe mbështetje alternative; lehtësira fiskale për nxitjen e tregut vendas dhe tërheqjen e investimeve të huaja; si dhe mbështetje e cilësisë artistike dhe zhvillimi i një ekosistemi të qëndrueshëm për industrinë kreative.

“Kjo dëgjesë përbën hapin e parë të një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, ku grupet e interesit ftohen të japin kontributin e tyre në funksion të reformimit të kuadrit ligjor dhe ndërtimit të një strategjie afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë”, shkroi Gonxhja./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Edhe këtë vit, Kosova shndërrohet në vendtakim botëror me mbi 1000 pjesëmarrës nga mbi 45 shtete nga të gjitha kontinentet

Prishtina ka mirëpritur sot edicionin e tretë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në të cilën po marrin pjesë pjesëmarrës nga mbi 45 shtete të botës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se edhe këtë vit, Kosova shndërrohet në vendtakim botëror me mbi 1000 pjesëmarrës nga mbi 45 shtete nga të gjitha kontinentet.

“Edhe këtë vit, Kosova shndërrohet në vendtakim botëror me mbi 1000 pjesëmarrës nga mbi 45 shtete nga të gjitha kontinentet, për të trajtuar rëndësinë jetike të mbrojtjes së fëmijëve që janë viktimat më të pafajshme dhe më të prekura nga pasojat e luftërave”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com

Surprizat e muajit qershor në TKOBAP

 15 aktivitete, premiera, masterclass-e dhe rivënie shumë të dashura për publikun do të sjellë gjatë qershorit, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.

Koncerti dedikuar fëmijëve, “Zërat e qershorit” si dhe “Përtej kufijve” i sopranos Ana Naqe, ishin të parët në listën e gjatë të aktiviteteve të këtij muaji.

Përveç muzikës klasike, publiku i kryeqyteti do të mund të shijojë koncertin “Zare” të Ansamblit Popullor, një etno musical që do të vijë më 10 qershor.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm për t’u shënuar është ai i datës 12 qershor, kur për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ngjitet një nga emrat më të rëndësishëm të skenës operistike në botë, soprano Marigona Qerkezi.

TKOBAP premton një koncert gala të jashtëzakonshëm që do të sjellë në Tiranë fuqinë e një zëri që ka ngritur në këmbë publikun ndërkombëtar në skena prestigjioze nëpër botë.

Nën dirigjimin e maestros së mirënjohur Fabrizio Maria Carminati, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e TKOBAP-së, koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga Puccini, Verdi, F. Cilea, Dvořák, Bernstein, Lara si dhe nga kompozitorët shqiptarë Feim Ibrahimi dhe Avni Mula. /KultPlus.com

Kolegji Universum mirëpret profesorin Victor Peskin në një diskutim për Rolin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë per Kosovën në  Hagë

UNI – Universum International College mirëpret Prof.dr. Victor Peskin nga Arizona State University në një diskutim për Rolin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë per Kosovën në  Hagë.

Sot në kampusin e UNI – Universum International College u mbajt një diskutim me temë: “Gjykatë e Kosovës apo një Gjykatë për Kosovën? Dilema e Dhomës së Posaçme”, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë të fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

I ftuari kryesor i ngjarjes ishte Prof. Victor Peskin nga Arizona State University, i njohur për kontributin e tij akademik në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare.

Paneli u pasurua me diskutimet e Prof. Mietek Boduszynski nga Pomona College (SHBA), Prof. Stephen Keck, dekan në UNI, dhe avokatit Artan Qerkini, të cilët sollën perspektiva të ndryshme mbi funksionimin, ndikimin dhe legjitimitetin e këtij mekanizmi ligjor në Kosovë.

Ky aktivitet shënon një tjetër hap të rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit në rritje ndërmjet UNI dhe Arizona State University, me qëllim thellimin e dialogut akademik dhe ndërlidhjen me zhvillimet globale në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Ngjarja u ndoq nga studentë, profesorë, përfaqësues të institucioneve dhe aktorë të shoqërisë civile, të cilët patën mundësinë të bashkëbisedojnë dhe shkëmbejnë mendime mbi çështje të rëndësishme për të ardhmen e drejtësisë në vend.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu!/KultPlus.com

Osmani ndan Medaljen Presidenciale të Meritave Nënave të Srebrenicës: Guximi dhe vendosmëria e tyre për drejtësi është frymëzim për gjenerata të tëra

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, ua ka ndarë sot Medaljen Presidenciale të Meritave Nënave të Srebrenicës.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Në prag të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, pata nderin që sot t’ua ndaj Medaljen Presidenciale të Meritave Nënave të Srebrenicës.

Guximi i tyre i palëkundur përballë dhimbjes së paimagjinueshme të humbjes së më të dashurve të tyre, vendosmëria për ta shndërruar pikëllimin në shpresë dhe kujtimin në një kërkim të pandalur për drejtësi janë frymëzim për gjenerata të tëra.

Kujtim i përhershëm për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit./KultPlus.com

143 vite nga vdekja e Giuseppe Garibaldi, luftëtari i paepur për bashkimin e Italisë

Giuseppe Garibaldi lindi në Nice më 4 korrik 1807. Një personazh i shqetësuar dhe i etur për aventura, që në një moshë shumë të re ai u nis si detar për të ndërmarrë jetën në det.

Më 1832, gati njëzet e pesë vjeç, ai ishte kapiten i një anijeje tregtare dhe në të njëjtën periudhë ai filloi të afrohej në lëvizjet patriotike evropiane dhe italiane (siç është, për shembull, lëvizja Mazziniane “Giovine Italia”), dhe të përqafojë idealet e tyre të lirisë dhe pavarësisë.

Më 1836 ai zbarkoi në Rio de Janeiro dhe nga këtu filloi periudha, e cila zgjati deri më 1848, në të cilën ai u angazhua në ndërmarrje të ndryshme të luftës në Amerikën Latine.

Ai lufton në Brazil dhe Uruguaj dhe grumbullon një përvojë të madhe në taktikat guerile bazuar në lëvizje dhe veprime surprizë. Kjo përvojë do të ketë vlerë të madhe për stërvitjen e Giuseppe Garibaldit si si një drejtues luftimesh, ashtu edhe si një takticien i paparashikueshëm.

Më 1848 u kthye në Itali ku shpërtheu lëvizjen e pavarësisë, me Pesë ditët e famshme të Milanos. Më 1849 ai mori pjesë në mbrojtjen e Republikës Romake së bashku me Mazzini, Pisacane, Mameli dhe Manara, dhe ishte shpirti i forcave republikane gjatë luftimeve kundër aleatëve francezë të Papës Pius IX. Fatkeqësisht, republikanët detyrohen të pranojnë epërsinë e forcave të armikut dhe Garibaldi detyrohet të braktisë Romën më 2 korrik 1849.

Nga këtu, duke kaluar mënyra shumë të rrezikshme përgjatë të cilave ai humbet shumë shokë besnikë, ndër të cilët gruan e dashur Anita, ai mundi të arrijë në territorin e Mbretërisë së Sardenjës.

Pastaj fillon një periudhë e endjes nëpër botë, kryesisht në dete, e cila më në fund e çon atë në Caprera më 1857.

Garibaldi megjithatë nuk braktis idealet për bashkimin e Itailisë dhe më 1858-1859 ai takohet me Cavour dhe Vittorio Emanuele, të cilët e autorizojnë atë për të formuar një organ të vullnetarëve, një organ që quhej “Cacciatori delle Alpi” dhe në komandën e të cilit u vendos vetë Garibaldi.

Merr pjesë në Luftën e Dytë të Pavarësisë duke arritur suksese të ndryshme, por armëpushimi i Villafranca ndërpret operacionet dhe Gjuetarët e tij.

Më 1860 Giuseppe Garibaldi ishte promovues dhe drejtues i ekspeditës së Një Mijëve; ngre spirancën nga Quarto (Gjenovë) më 6 maj 1860 dhe zbarkon në Marsala pesë ditë më vonë. Nga Marsala fillon marshimi i tij triumfal; mund Bourbonët në Calatafimi, arrin në Milazzo, merr Palermon, Messinan, Siracusen dhe çliron plotësisht Siçilinë.

Më 19 gusht ai zbarkon në Kalabri dhe, duke lëvizur shumë shpejt, bën kërdi në linjat e Bourbonëve, pushton Reggion, Cosenzan, Salernon; më 7 shtator hyn në Napolin e braktisur nga Mbreti Francesco II dhe më në fund mposht Bourbonët në Volturno.

Më 26 tetor Garibaldi u takua në Vairano me Vittorio Emanuele II dhe vuri territoret e pushtuara në duart e tij: ai pastaj u tërhoq përsëri në Caprera, gjithmonë i gatshëm për të luftuar për idealet kombëtare.

Më 1862 ai u vu në krye të një ekspedite të vullnetarëve në mënyrë që të çlironte Romën nga qeveria papale, por ndërmarrja u kundërshtua nga Piemonte, kështu që u ndalua më 29 gusht 1862 në Aspromonte.

I burgosur dhe më pas i liruar në Caprera, ai mbeti në kontakt me lëvizjet atdhetare që veprojnë në Evropë.

Më 1866 ai mori pjesë në Luftën e Tretë të Pavarësisë nën komandën e Departamenteve Vullnetare. Ai vepron në Trentino dhe këtu arrin fitoren e Bezzecca (21 korrik 1866), por, përkundër situatës së favorshme në të cilën nodhej kundër austriakëve, Garibaldi duhet të pastrojë territorin e Trentinos me urdhër të piemontasve, të cilëve iu përgjigjet me “Obbedisco” – “Unë bindem “,  që mbeti e famshme.

Më 1867 ai drejtoi përsëri një ekspeditë që synonte çlirimin e Romës, por përpjekja dështoi me humbjen e forcave garibaldine në Mentana përballë forca Franko-Papale.

Në vitin 1871 ai mori pjesë në ndërmarrjen e tij të fundit të luftës përkrah francezëve në luftën Franko-Prusiane, ku, megjithëse ai mundi të arrijë disa suksese, asgjë nuk mund të shmangte humbjen përfundimtare të Francës.

Më në fund u kthye në Caprera, ku kaloi vitet e fundit dhe ku vdiq më 2 qershor 1882. /KultPlus.com

Mund të shkruaj

Poezi nga Pablo Neruda.

Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
Të shkruaj, për shëmbull: “Nata është yjësuar,
Dhe drithëruesit, të kaltrit yje, atje larg”.

Era e natës sillet në qiell dhe këndon.

Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
E doja, dhe ajo më donte nganjëherë gjithashtu.

Në netë si kjo e kisha ndër krahët e mia.
E puthja aq shumë herë nën qiellin e pafund.

Ajo më donte, dhe unë e doja nganjëherë gjithashtu.
E si të mos doja të tillë sy të mëdhenj tërheqës.

Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
Duke menduar që nuk e kam. Duke ndjerë që e humba.

Të dëgjoj natën e pamasë, më e pamasë pa të.
Vargjet bien mbi shpirtin si mbi barin vesa.
Po ç’rëndësi ka kur dashuria ime nuk mund ta ruante
Nata është yjësuar dhe ajo nuk është me mua.

Kjo është e gjitha. Së largu dikush këndon. Atje larg..
Shpirti im nuk ndjehet mirë se e humbi atë.

Si të jenë duke kërkuar sytë e mi vështrojnë për të.
Zemra ime vështron, por ajo nuk është me mua.

E njëjta natë që zbardhëllon të njëjtat pemë
Ne vetë, ata të atëhershmit, nuk jemi të njëjtët.

Më nuk e dua, është e qartë, por sa shumë e doja
Zëri im vështron për erën që të takojë veshin e saj.

E tjetrit. Do jetë e tjetrit. Si para puthjeve të mia.
Zëri i saj, trupi i saj i tejdukshëm. Sytë e saj të paskaj.

Unë nuk e dua, është e qartë, por mbase e dua.
Është kaq e shkurtër dashuria, dhe kaq i madh harrimi.

Sepse në netë si kjo e mbaja atë mes krahëve,
Shpirti im ndjehet keq që e ka humbur.

Megjithëse kjo është dhimbja e fundit që ajo me shkaktoi,
Dhe këto janë vargjet e fundit që unë ja shkruaj./KultPlus.com

Më 2 qershor 1740 lindi De Sade, shkrimtari me shpirt të lirë që e kaloi jetën nëpër burgje

Shkrimtari i lindur më 2 qershor 1740 në Paris, Donatien Alphonse François De Sade, i njohur si Marquis De Sade, është njeriu që do të jetojë dhe të ndjejë metamorfozën e një France, e cila me 1789 hyn në historinë botërore të revolucioneve shoqërore.

Një familje aristokratike, ai u regjistrua në moshën katërmbëdhjetë vjeç në një shkollë ushtarake të rezervuar për fëmijët e fisnikërisë më antike. I emëruar nëntoger në moshën pesëmbëdhjetë vjeç, ai mori pjesë në Luftën e Shtatë vjetëve kundër Prusisë, i dalluar për guximin, por edhe për një shije të caktuar ndaj tepërimit. Më 1763 u ul në gradën e kapitenit dhe filloi të bëjë një jetë mashtrimesh dhe argëtimiesh të pakursyera, duke iu vardisur aktoreve të teatrit dhe kurtizaneve të reja.

Më 17 maj të po këtij viti ai u detyrua nga babai i tij të martohej me Renee Pelagie de Montreuil, një vajzë që i përkiste një familje të fisnikërisë së vonë, por shumë e pasur. Sipas disa burimeve, qëllimi i babait ishte ta bënte të vinte kokën në vendin e duhur; sipas të tjerëve do të kishte për qëllim vetëm sigurimin e trashëgimisë familjare të vajzës, duke pasur parasysh situatën e pasigurt ekonomike në të cilën ndodhej familja De Sade në atë kohë.

Sidoqoftë, ajo që është e sigurt është se martesa nuk e bën atë të braktisë zakonet e vjetra. Në të kundërt: Disa muaj pas dasmës ai u burgos për pesëmbëdhjetë ditë në burgjet e Vincennes për shkak të “sjelljes së jashtëligjshme” në një bordel. Kjo do të jetë e para nga një seri e gjatë qëndrimesh në burg.

E dyta do të jetë më 1768, kur ai do të burgoset për gjashtë muaj për rrëmbimin dhe torturimin e një gruaje. I liruar me urdhër të mbretit ai u kthye të përkushtohej në profesionet e tij të preferuara. Ai organizon festa dhe vallëzime në fermën e tij në La Coste dhe fillon të udhëtojë në shoqëri me motrën më të vogël të gruas së tij, Anne, me të cilën ka rënë në dashuri dhe me të cilin ka pasur një marrëdhënie seksuale për ca kohë.

Më 1772, vit në të cilin u realizua për herë të parë një vepër e tij teatrore, ai u akuzua për helmim. Gjatë një orgjie në të cilën ai kishte marrë pjesë së bashku me katër prostituta dhe shërbëtorin e tij Armand, ai në fakt u kishte dhënë grave ilaçeve të ëmbla të adhuruara, të cilat, në vend të efektit të shpresuar për afrodiziak, u kishin shkaktuar atyre sëmundje të mëdha. Ai arrin të shpëtojë duke u arratisur në Itali. I dënuar me vdekje në mungesë, ai arrestohet nga militantët e Mbretit të Sardenjës dhe burgoset në burgun e Milanos. Ai arratiset pas pesë muajsh. Pastaj, pas pesë vitesh orgji, udhëtimesh dhe skandalesh, më 1777 u arrestua në Paris. Në burgun e Vincennes ai filloi të shkruante drama dhe romane. Ai transferohet në Bastijë, ku ai shkruan 120 ditët e Sodomës dhe fatkeqësitë e virtytit. Në korrik 1789, dhjetë ditë para se të merrej Bastija, ai u transferua në një azil. Ai është i detyruar të braktisë bibliotekën e tij me 600 vëllime dhe të gjitha dorëshkrimet.

Më 1790, siç është rasti për shumicën e atyre që u burgosën nën Ancien Régime, liria e tij u rivendos. Ai kthehet të jetojë me gruan e tij, por kjo, e lodhur nga dhuna e tij, e braktis. Fëmijët, të lindur më ’67, më ’69 dhe ’71, emigrojnë. Ai më pas lidhet me Marie Constance Quesnet, një aktore e re që do të mbetet me të deri në fund.

Ai përpiqet të na bëjë të harrojmë origjinën e tij fisnike duke milituar në grupin revolucionar të lagjes së tij, por ai nuk ia del me sukses dhe, më 1793, arrestohet dhe dënohet me vdekje. Fati duket se e ndihmon. Për një gabim administrativ ai është “harruar” në qelinë e tij. Ai arrin të shmangë gijotinën dhe do të dalë në qarkullim në tetor 1794.

Më 1795 është botuar “Filozofia në Boudoir”, “Gjystina e re” (“Gjystina ose gabimet e virtytit” ishte botuar në mënyrë anonime katër vjet më parë) dhe “Zhyljeta”. Ai akuzohet nga shtypi se është autor i “romanit famëkeq” “Gjystine” dhe, pa asnjë gjykim, por vetëm me një vendim administrativ, në 1801 u internua në azilin e Charenton. Protestat dhe thirrjet e tij nuk do të vlejnë asgjë dhe, gjykuar i çmendur, por krejtësisht i kthjellët, ai do të kalojë 13 vitet e fundit të jetës së tij këtu. Ai vdiq më 2 dhjetor 1814, në moshën 74 vjeç. Tridhjetë prej të cilave kaluan në burg.  /KultPlus.com

Përherë të kujtoj

Poezi e shkruar nga ohann Wolfgang von Goethe. 

Përherë të kujtoj,
kur dielli mbi dete, ndriçon për mua
Përherë të kujtoj,
kur hëna mbi re, shkëlqen mbi krua.

Përherë të kujtoj,
kur pluhuri mbi shtigje, zë e ngrihet ne erë
Në natë e terr,
kur ecën nëpr brigje, shtegetari i mjerë.

Gjithë të ndëgjoj, kur ngrihet valë e thellë
Duke buçitur
Kur zë përgjoj mes pyjeve pa diell
Dhe të nemitur
Gjithë jam me ty: dhe ngado qofsh larguar…..

Të shoh matanë
Po ngryset: ndrisin yjet e pambaruar
Oh, të ishe pranë…/KultPlus.com

“Mediterraneo in musica” hap Javën Kulturore Italiane

Java Kulturore Italiane nisi me koncertin e muzikës klasike të Orkestrës Rinore “Magna Grecia”.

Artistët italianë performuan në Katedralen e Kishës Katolike në Tiranë, në koncertin e titulluar “Mediterraneo in musica”. Sopranoja Sara Intagliata, baritoni Giampiero Delle Grazie dhe orkestra luajtën pjesë nga Verdi, Puccini, Rossini, Paisiello por edhe pjesë nga Morricone e Nino Rota.

I pranishëm në këtë koncert ishte ambasadori i Italisë në vendin tonë, Marco Alberti i cili në fjalën e rastit u shpreh se, kjo javë i dedikohet të ardhmes. “Të gjithë e dini se sa të forta dhe historike janë marrëdhëniet mes Italisë e Shqipërisë dhe se sa e fortë është miqësia mes tyre”, u shpreh ambasador Alberti.

Çelja e Javës Kulturore Italiane nuk ishte thjesht muzikë, por si një udhëtim, aty ku identiteti projektohet në të ardhmen. Kjo përvojë e bukur do të përsëritet edhe sonte në Amfiteatrin Antik të Durrësit./atsh/KultPlus.com

Rama: Nga liqenet alpine tek lagunat, 867 mijë vizitorë eksploruan zonat e mbrojtura në katër muaj

Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin edhe gjatë këtij viti vijojnë të tërheqin vizitorë të shumtë me bukurinë e tyre natyrore dhe peizazhet mahnitëse.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur sot se “vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, 867 mijë vizitorë kanë eksploruar bukuritë e zonave tona të mbrojtura, 60 mijë vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

“Nga liqenet alpine te lagunat, nga pyjet shekullorë te Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë destinacioni i preferuar për dashamirësit e natyrës dhe aventurës”, tha Rama.

Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura janë në fokus të buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore siç është ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Zonat e mbrojtura në vendin tonë datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.

Krijimi i një parku kombëtar është një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët natyrore dhe kulturore.

Disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë janë: Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”./atsh/KultPlus.com

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com

Parashqevi Qiriazit, veprimtarja kombëtare që punoi për emancipimin e gruas shqiptare

Më 2 qershor 1880 lindi Parashqevi Qiriazi (1880-1970), veprimtare e Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, Mësuese e Popullit.

Parashqevi Qiriazi lindi në qytetin e Manastirit si motra e vogël e Gjerasim, Gjergj dhe Sevasti Qiriazit. Pas mbarimit të studimeve për letërsi në Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) në Stamboll (1904), u kthye në atdhe dhe iu kushtua mësuesisë.

Shërbeu në Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit dhe botoi “Abetare për shkollat e para” (Manastir, 1909, 1911). Themeloi të parën Shoqëri të Gruas shqiptare në Korçë (21 janar 1909). Më 1912 vazhdoi disa kurse kualifikimi në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit (SHBA) dhe po atë vit hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. U kthye në atdhe më 1921 dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Insitutit Femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamzë (1922-1933).

Për shkak të qëndrimit të saj antifashist, më 15.10.1943 u internua nga Gestapoja në kampin Anhalt (Banjica). I mbijetoi vdekjes dhe pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe. / KultPlus.com

“Zullulandia” e Faik Konicës, në Teatrin Eksperimental

Aktorët Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili dhe Anxhelo Dauti sollën këtë fundjavë, në Arturbina shfaqjen “Zullulandia”, mbi motivet e Faik Konicës.

Shfaqja erdhi si një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).

Me regji dhe dramatizim të Endri Çelës, “Zullulandia” erdhi si një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. Vepra ishte plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar.

“Zullulandia”, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Evropa, prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky personazh, fodull dhe injorant, vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në “Zulluland”, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu, të cilit i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës mbi Zullulandian./atsh/KultPlus.com