Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin. Jeta është kaq e shkurtër dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë.
Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës… copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur… magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri.
Çfarë maske vendosim, apo çfarë maske ka për të na mbetur kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq.
E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane, duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi, apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit”./KultPlus.com
Galeria e Arteve Digjitale në Korçë u kthye në një pikë referimi bashkëpunimi artistik mes Shqipërisë dhe Francës, duke sjellë ekspozita interaktive dhe projekte digjitale.
Hapësira moderne dhe teknologjikisht e avancuar e galerisë u vu në funksion të artit bashkëkohor francez, ku artistë nga studio Pil’z në Chambery sollën krijime që ndërthurin vizualen me teknologjinë.
Videoprojektime në mur e shumë elementë interaktivë e transformuan galerinë në një botë virtuale arti dhe ndjesish.
“Jemi këtu për të sjellë këtë projekt, veçanërisht dy videot e Damien Traversaz, që sjell dy përvoja unike. Ne realizuam këto video në mur. Përdorëm këtë dhomë të magjishme. Për mua është vërtet kënaqësi të jem këtu. Edhe qyteti është shumë miqësor’, tha Julien Cuny, artist.
Ky bashkëpunim, në kuadër të Javës së Kulturës Franceze, nuk solli vetëm prezantim të teknologjisë artistike franceze, por edhe një frymëzim për të ardhmen e artit digjital në Shqipëri, shkruan shqiptarja./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde.
Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja. Me këtë rast, u diskutua edhe për implikimet e moskonstituimit të institucioneve në procese të tjera të rëndësishme për vendin.
Gjatë diskutimit, u trajtuan gjithashtu mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në dritën e një qeverie të re në Gjermani, si dhe për angazhimin e përbashkët në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
Presidentja Osmani falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në dobi të të dyja vendeve./KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë gjithë filmbërësit, artistët, autorët, punëtorët e filmit dhe industrisë audiovizuale të marrin pjesë në diskutimin publik ‘Hartimi i çmimores së re të industrisë së filmit’, përcjell KultPlus.
Diskutimi do të mbahet më 1 korrik 2025 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në vijim gjeni njoftimin e QKK-së:
Ftesë për diskutim publik: Hartimi i çmimores së re të industrisë së filmit
Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë filmbërësit, artistët, autorët, punëtorët e filmit dhe industrisë audiovizuale, si dhe të gjithë të interesuarit, të marrin pjesë në diskutimin e parë publik drejt hartimit të çmimores së re, si dokument udhëzues për mbështetjen financiare të projekteve filmike dhe formave të ngjashme audiovizuele.
QKK-ja si fondi kryesor publik për filmin në Kosovë, synon që përmes këtij procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës, të ndërtojë një çmimore që pasqyron realitetin aktual të punës krijuese dhe të prodhimit në këtë fushë, duke garantuar barazi, transparencë dhe qëndrueshmëri.
Deri tani është pranuar një propozim për çmimoren e re nga Shoqata e Producentëve, e cila do të ndahet me pjesëmarrësit për diskutim dhe reflektim të përbashkët.
Diskutimi do të mbahet më 1 korrik 2025, nga ora 13:00 deri në 15:00, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë, Prishtinë.
Në poezinë e Sadri Ahmetit të bën përshtypje realizimi dhe thellimi në dramën e jetës njerëzore, përpjekja për të mos i ngjarë askujt tjetër, veç vetes. Poezia e tij e ndjerë dhe e ngrohtë, përsërit vetë jetën, një oshtimë e fuqishme e vetë asaj.
Fantazia e poetit, nuk fluturonte nëpër qiejt e trëndafilta të ëndërrimeve romantike e të zbrazëta, madje nuk mbyllej as në guaskën e egocentrizmit për t’u bërë jehonë e dhimbjeve dhe e gëzimeve të qenies së tij të vetmuar.
Veten Sadriu e vështronte gjithnjë të lidhur me hallka të pazgjidhshme, me fatin e mijëra njerëzve të tjerë, që vërtiteshin nën të njëjtën kube të qiellit ballkanik e që përjetonin çdo ditë fatin e hidhur, që banorëve të këtij gadishulli të lashtë, ua gatoi historia e tyre gjithë luftëra e përpjekje mbinjerëzore për liri, demokraci e diplomaci, si dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, të cilat deshën që Ballkani të ishte gjithmonë një mollë sherri, një fuçi baroti në bri të Evropës.
Më fort se kudo, kjo trysni satanike për ta gjymtuar njeriun e për të thyer karakterin e shpirtin e kombit, u ndie nëpër rrathët e ferrit të diktaturës, nëpër burgjet dhe nëpër kampet e përqendrimit. Golio Otoku, ku ndiheshin thikat e dhëmbët kërcënonjëse prej përbindëshi të UDB-së, serbomadhe, ishte pjella më e shëmtuar e shtypjes dhe e poshtërimit njerëzor.
Për çudi, me të përngjasonte mjaft tepër Makronisi grek dhe Spaçi i mijëra viktimave të mjera shqiptare. Ngjet kjo poemë e Sadri Ahmetit me përmbajtjen që na zbulojnë poezia dhe poemat e Ricosit, të Vretakosit dhe të N. Hikmetit. Është po i njëjti realitet i dhimbshëm dhe i llahtarshëm, po e njëjta lëndë jetësore dhe po i njëjti brumë njerëzish, që jetuan këtë ferr të llahtarshëm.
Kujtojmë vetë, ndjejmë frymëmarrjen e një poeti tjetër, që na shfaqet me diçka të veten, jo vetëm në temperament dhe botë të brendshme, por edhe në strukturën e poezisë që na shkruan. Ndihet nëpër këtë poezi shpërthimi i gjakut arbër, më rebeli e më i fismi nga çdo lloj gjaku tjetër, ajo mençuri e filozofi, që në popullin tonë përpunoi jeta e kohërat që jetoi.
Nga fizionomia, poezia e Sadri Ahmetit, është aq brenda frymës së poezisë shqiptare, sa edhe moderne e krejtësisht e tij. Shkrihen nëpër fijezat e nënshtresat folklorike përfitimi nga studimi i poetëve më të dashur për të, ndikimi i De Radës dhe i Mjedës, i Migjenit dhe i Esat Mekulit, por edhe i Ricosit e i Kërlezhës. Sadri Ahmeti nuk pati kohën e mjaftueshme për t’u marrë krejtësisht me poezi, jeta e tij kaloi nëpër mundimet e burgjeve dhe të internimeve, në luftën e përditshme për të fituar bukën e gojës, larg sallave të bibliotekave e të një jete komforte. Poezia e tij përjetoi fatin që përjetoi një popull i tërë dhe ndoshta kjo e afroi më pranë me realitetin tonë dhe e ndihmoi për të mos rënë në kurthin e një poezie thjesht personale dhe egocentrike.
Poeti tregon: “Në vitin1963, kur ndodhesha me punë në Berat, kam shkruar poemën për Golio Otokun, ku u torturuan në mënyrë çnjerëzore dhjetëra mijëra njerëz të pesëmbëdhjetë kombësive. Ata që kishin ngritur këtë kamp të tmerrshëm, donin të përtërinin kampet famëkëqija të nazizmit, ashtu siç u përpoqën dhe në tërë format e politikës me gjithë sloganet e lustrën që mundoheshin t’i jepnin fasadës së jashtme. Njerëzit që vuajtën dhe lënguan në Golio Otok, unë i kam parë me sy, që kur isha çunak, në trevat e vendlindjes sime.
Ata ishin kufoma të gjalla memece, që mund t’i shihje në çdo fshat e qytet të Jugosllavisë. Endeshin si të topitur e zemërvrarë nëpër rrugë dhe mua më dukej, se përmes syve e fytyrës së tyre lexoja si nëpër faqet e një gazete tërë jetën e tyre të pashkruar. U mësova t’i lexoja këto sy e këto fytyra. Përfytyrimi i tyre më ndiqte kudo, zgjuar dhe në gjumë. Në Shqipëri, ku erdha më gëzim, se kisha shpëtuar nga thonjtë e ferrit titist, përjetova me dhimbje pothuaj të njëjtin realitet.
Më vonë, m’u desh të vuaja dhe nëpër galeritë dhe qelitë e ftohta e të tmerrshme të Spaçit. Të tëra këto, më shtynë të shkruaja këtë poemë. Ishte një jetë e tërë, që kërkonte të futej nëpër faqet e vargjet e saj dhe mua m’u desh të vrisja mendjen, se në ç’forma e në çfarë struktura vargëzimi duhej derdhur e gjithë kjo lëndë e bollshme e dhimbshme dhe tragjike, që e përjetoja me vite thellë vetes, e cila s’më linte as edhe një çast të qetë”.
Forma kompozicionale e poemës, që do më pëlqej ta quaj “Dielli nuk lind nga Golio Otoku”, pasi më duket si titull më poetik e më intrigues, ka lindur vetvetiu nën trysninë e vazhdueshme të lëndës jetësore, për të gjetur shtratin, se ku do të derdhej e plotë dhe dramatike, me një ngarkesë të bollshme përshtypjesh e njohje të shumta psikologjie njerëzish, që jetuan këtë ferr të llahtarshëm. Forma e saj është krejtësisht e veçantë. Ajo të kujton më fort strukturën e një romani modern, sesa të një poeme sintezë.
Autorit s’i ka pëlqyer të përmbahej vetëm në kumtimin e një ideje thelbësore, por është munduar të na japë të gjallë gjithë atë tmerr e ato drama të dhimbshme, që ditët luanin për çdo grimcë të kohës nëpër muret e shkëmbinjtë e thiktë e të thatë gëlqeror të Golio Otokut. Nga struktura kompozicionale poema i përgjigjet një mozaiku, por pjesët e këtij mozaiku plotësojnë njëra-tjetrën. Ndeshim nëpër këtë mozaik edhe përshkrime mjedisi e peizazhi, edhe monologë të brendshëm e personazhe të skicuar me mjeshtri e thellësi psikologjike. Lënda jetësore është derdhur me maturi e kursim.
Skëterrës s’iu mbush mendja se ia kish arritur qëllimit.
Ishte dashuria e thellë për jetën, për njerëzit që i prisnin përtej mureve me tela gjembash e kulla vrojtimi, ishte malli për nënat që i prisnin të ktheheshin, malli për motrat e për vajzën e zemrës, ishte besimi e përkushtimi ndaj një ëndrre fisnike e një ideali të madh, ajo forcë që i mbante gjallë këta njerëz të torturuar e të munduar në mënyrat më çnjerëzore. Këtë të vërtetë, poeti na e pohon nëpërmes mjaft faktesh bindëse, atë e gjejmë të shprehur në mënyrë simbolike dhe tek “Kënga e ringjalljes”:
Dikush i ka dhënë nënës besën
Dhe po vdiq i varrosur në gropë kolektive,
Do të ringjallet duke e çliruar
Nga ata që e mbulojnë,
Duke shtyrë shumë këmbë e duar,
Duke këputur pastaj telat me gjemba
E duke vrapuar me shpejtësinë e erës,
Drejt motrave që e presin,
Dhe të pashpresa si qyqet baresin.
Poema na skalit me mjeshtri një varg njerëzish, portreti i tyre na mbetet në mëndje, në saje të tipizimit të karaktereve e të intensitetit të ndjenjës e të mendimit filozofik. Ajo na befason me pasurinë e imazheve e me krijimin e skenave aq realiste e të gjalla, me ndërthurjen e dramës, që zotëron nëpër të gjitha faqet e saj, me tonalitetet lirike e epike.
Herë-herë ritmi i vargut gjallërohet dhe merr intonacionet e rapsodive popullore, vargu i nënshtrohet një ritmike më rigoroze e rimave të rregullta. Kjo veçanti krijon një përthyerje në strukturën e saj, përthyerje që lehtëson frymëmarrjen dhe u jep zhdërvjelltësi monologëve e fragmenteve mozaikale.
Gjuha me të cilën është shkruar, është gjuha e njësuar letrare, por, në të, ndihet në mënyrë tepër të dukshme gjallëria e ngjyrave që ka fituar poezia nga shfrytëzimi në mënyrë krijuese i shtresave të fjalorit aq të pasur verior, si dhe të ndikimeve të sintaksës poetike të gurrës folklorike të vendlindjes, të krahinave të Plavës e të Gucisë.
Poeti Sadri Ahmeti pas viteve 1990 botoi “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Masakra e Tivarit”, “Ajsbergu i preludit të katastrofës”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Tek lahem në dritën e hënës” etj. Është vlerësuar me çmimin “Onufri” në vitin 1994 nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës. /konica.al/ KultPlus.com
Në portin e Sarandës mbërriti sot në mesditë anija turistike “National Geographic Orion” me 106 pasagjerë, kryesisht amerikanë.
Një anije autentike ekspeditash, “National Geographic Orion” shërben si një kamp bazë luksoz për udhëtime në Paqësorin Jugor, Azi, Mesdhe dhe rajonet polare.
Kjo anije është ndërtuar posaçërisht për eksplorim, e pajisur me kajakë, një flotë Zodiacs dhe një automjet të drejtuar nga distanca me pajisje të sofistikuara video.
Turistët pas mbërritjes në port u drejtuan për të vizituar në pikat turistike të Sarandës dhe Gjirokastrës.
Çdo nisje e anijes “National Geographic Orion” shoqërohet nga një specialist nënujor, një instruktor fotografie i certifikuar nga “National Geographic-Lindblad”, një ekspert i fotografisë së National Geographic dhe një profesionist mjekësor me kohë të plotë.
Në udhëtimet në Paqësorin Jugor, 2 mjeshtra zhytjeje do t’i bashkohen çdo ekspedite.
Kjo javë nisi dje me mbërritjen në portin e Sarandës edhe të anijes turistike “L’Austral” me 264 turistë./atsh/KultPlus.com
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve ‘Shota’ do të marrë pjesë në Festiavlin Ndërkombëtar të Folklorit ‘Bota nën Kyczera’ në Poloni, përcjell KultPlus.
Në festivalin i cili do të mbahet nga 27 qershor deri më 6 korrik, ‘Shota’ do të performojë më 30 qershor.
Në vijim gjeni postimin e plotë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë:
ANSAMBLI KOMBËTAR I KËNGËVE DHE VALLEVE NGA KOSOVA “SHOTA” VJEN PËR HERË TË PARË NË POLONI
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota” nga Kosova do të marrë pjesë në edicionin e XXVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Bota nën Kyczera”, i cili do të zhvillohet nga 27 qershori deri më 6 korrik 2025 në Legnica, Poloni.
Ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, i cili mbledh ansamble nga mbarë bota për të prezantuar pasurinë e trashëgimisë popullore përmes këngës, valles dhe kostumit tradicional.
🗓️ Data: 30 qershor, 2025
📍Vendi: Legnica 🇵🇱
Jemi shumë të entuziazmuar që Ansambli “Shota” do të performojë në Poloni trashëgiminë tonë të pasur kulturore, përmes valleve tradicionale, kostumeve autentike dhe muzikës folklorike që rrënjoset thellë në historinë dhe shpirtin tonë kombëtar. 🩰 💃🏼 🕺 🌎./KultPlus.com
Prishtina shënoi dje një moment historik në skenën e saj kulturore teksa u prezantua për herë të parë orkestra e kryeqytetit “Orkestra Prishtina (OPR)”, një ansambël i zgjeruar kamertal që synon të japë një hov të ri zhvillimit të muzikës artistike në kryeqytet, shkruan KultPlus.
E themeluar me iniciativë të Komunës së Prishtinës, kjo orkestër vjen si një përgjigje e kërkesës gjithnjë e në rritje për hapësira të mirëfillta kulturore në qytet. Themelimi i saj është realizuar në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunime Artistike – EHO, me drejtoreshë Gresa Broqin, e cila është gjithashtu edhe pjesë e orkestrës.
Orkestra e kryeqytetit prezantohet me Genc Salihu, si drejtor i orkestrës, dhe violinisti Visar Kuçi, në rolin e koncertmjeshtrit.
Mbrëmja e debutimit nisi simbolikisht me nënshkrimin e marrëveshjes mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtoreshës së EHO, Gresa Broqi, të cilët vulosën zyrtarisht fillimin e rrugëtimit të kësaj orkestre.
Në hapje të kësaj mbrëmje, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh i lumtur që kryeqytetit i është shtuar një derë e re e artit dhe kulturës.
“Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj po e zgjedhin artin si gjuhën e tyre dhe inspirohen me mënyrën e tyre të shprehjes dhe publiku ynë po rritet, kemi menduar që edhe Prishtina ta krijojë orkestrën e vet”, u shpreh Rama i cili mes tjerash shtoi se ky nuk është vetëm një institucion i ri, por edhe një premtim që kultura në Prishtinë do të ketë gjithmonë vendin e merituar.
Ndërkaq, koncerti i parë i OPR-së u karakterizua nga një program i përzgjedhur për të reflektuar diversitetin dhe gjallërinë e muzikës klasike. Mbrëmja nisi me veprën ikonike “Brandenburg Concerto No. 3 in G major” nga Johann Sebastian Bach, e ndarë në tri pjesë: Allegro, Adagio dhe Allegro.
Repertori vijoi me një nga veprat më të njohura të Benjamin Britten, “Simple Symphony”, ku publiku pati mundësinë të shijojë katër pjesët karakteristike të saj: Boisterous Bourree, Playful Pizzicato, Sentimental Saraband dhe Frolicsome Finale.
Në përmbyllje, orkestra solli ngjyrat folklorike të Evropës Lindore përmes veprës “Romanian Folk Dances” të Béla Bartók, me interpretimin e pjesëve: Jocul Cu Baya, Braul, Pe Loc, Buciumeana, Parga Romaneasca dhe Maruntel.
Pas koncertit, drejtori i Orkestra Prishtina, Genc Salihu, u shpreh i lumtur që më në fund u është realizuar një ëndërr që e kanë pasur prej kohësh, themelimi i kësaj orkestre.
“Jam shumë i lumtur që më në fund po realizohet një ëndërr që e kemi pasë tash e një kohë të gjatë, ka kohë që me Visar Kuqin dhe Gresa Broqin që ta bëjmë një orkestër e cila ia bën një contrast muzikës simfonike të cilën e përfaqëson denjësisht Filharmonia e Kosovës, duke luajtur veprat të cilat janë më kompakte, më të vogla, të cilat e turbullojnë atë kufirin midis muzikës kamertale dhe simfonike. Prej janarit fillon sezoni ynë zyrtar, do të kemi një numër të konsiderueshëm të koncerteve dhe të punëtorive në vit për shpresojmë për shumë vite me radhë”, theksoi Salihu.
Ndërkaq, koncertmjeshtri i kësaj okestre, Visar Kuçi, u shpreh për KultPlus, se kjo orkestër synon që ta përfaqësojë Kosovën edhe ndërkombëtarisht.
“Ky është një hap shumë i madh, ideja e kësaj orkestre është që kjo të vazhdojë përjetësisht, do të thotë ne që jemi të parët që po e fillojmë, e kemi për detyrë që të fillojmë dhe ta ngrisim në një nivel sa më të lartë të mundshëm, që të vazhdojë edhe në gjeneratat e ardhshme dhe të ketë edhe njohje ndërkombëtare”, tha Kuçi duke shtuar tutje, se shpresojnë që kjo orkestër t’i japë qytetit dhe shtetit një përfaqësim të denjë dhe profesional.
Për KultPlus foli edhe drejtoresha e EHO, Gresa Broçi e cila shpjegoi rëndësinë e themelimit të kësaj orkestre dhe për planet e saj në të ardhmen.
“Gjithçka sonte ka shkuar shumë mirë, ishte shumë artistike, kishte emocione shumë të bukura. Në prespektivën e instrumentistes, në aspektin profesional, është shumë e rëndësishme që të krijohen sa më shumë orkestra të reja, dhe jo vetëm për mua por për të gjithë kryeqytetin dhe të gjithë artistët është një iniciativë mjaft e mirë që është realizuar me një punë të madhe ekipore dhe që në të ardhmen të ketë mundësi, të jetë një derë e re që të integrohen instrumentistët. Planet janë shumë interesante, kemi përpiluar programin, do të paraqitemi me koncerte në një të ardhme shumë të afërt, do të integrohen solistë, dirigjentë të njohur, por gjithashtu kemi edhe plane edhe në aspektin edukativ ku do të realizojmë edhe punëtori”, tha Broqi./KultPlus.com
Shtatë pjata dhe enë unike qeramike të pikturuara nga artisti i famshëm spanjoll Pablo Picasso, të krijuara midis viteve 1947 dhe 1964, janë shitur në Gjenevë të Zvicrës, për një total prej 290,000 euro.
Qeramika e pikturuar me dorë, e paparë më parë, që paraqet zogj, peshq dhe dhi, u dizenjua në Punëtorinë e Qeramikës Madoura në Vallauris. Ato ishin mbajtur privatisht për gati 40 vjet.
Piguet i Gjenevës i cili drejtoi shitjen, vuri në dukje në një njoftim për shtyp se çmimi i parashikuar për lotet ishte 154,000 euro duke e bërë ankandin një sukses të habitshëm.
Shuma e shitur në ankand, “pasqyron entuziazmin e publikut për veprat e mjeshtrit në të gjitha format e tyre”, deklaroi Piguet.
“Picasso ishte tashmë një artist me famë ndërkombëtare. Ai kishte hapur tashmë një numër të madh rrugësh për të gjithë artistët; veprat e mëdha dhe të njohura ishin krijuar dhe ai po kërkonte mjete të reja shprehjeje për artin e tij”-tha drejtuesja e pikturave dhe skulpturave në Piguet.
Në mediumin qeramik, rekordi për një vepër të Picasso-s është 980,275 paund për prototipin e vazos së artistit të vitit 1950, që u shit në Londër në vitin 2013./KultPlus.com
Me dinjitarë të tjerë Të shërbej përulët, Nga xhelozia vrer Mezi lëvrij buzët. Fjala dot s’e shuan Gojën time eshkë, Pa ty e humb toruan – I zbrazët ajri krejt.
Nuk ndjej më xhelozi, Por ty të dashuroj, Vetveten time fli Xhelatit po ia çoj. Të quaj, nuk ma mban, As gaz, as dashuri, Një tjetër, egërshan, Në gjak më kanë shti.
Një grimë koh’ më shumë Dhe do ta them në sy, Jo gaz, por torturë Unë vij të gjej tek ti. Dhe krejt sikur një krim Më ndjell tek ti aq brishtë Gjithë joshje, rebelim, E njoma gojë vishnjë.
Pra, kthehu shpejt tek unë, Pa ty jam i tmerruar, Më fort se kaq kurrë S’të kam adhuruar; Dhe krejt çfarë po kërkoj, E shoh e përmallohem, Xheloz më s’do të jem – Por ty të përgjërohem.
Shfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental, “Vrasje në Vjeshtë”, u vu në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku u prit me interes nga publiku shkodran.
Shfaqja bazohet mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit dhe vjen me regji dhe dramatizim të Stefan Çapalikut.
Tek “Vrasje në vjeshtë” interpretojnë: Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj.
Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari, me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do të paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit.
Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë. Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do t’i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar.
Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri pa identitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetëdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.
“Vrasje në vjeshtë” do të shfaqet në Teatrin “Migjeni” edhe mbrëmjen e sotme./atsh/KultPlus.com
KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Beqir Musliut, ”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”.
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com
Gëzimi mbretëronte në fytyrën e tij, dhimbja ishte e pikturuar në fytyrën e tij, skuqja ngjyroste faqet e tij, goja e tij ishte e këndshme, merrte frymë me ndershmëri. Pishtari i mosmarrëveshjes, zëri i nderit, hidra e anarkisë, Dielli i Progresit, fusha e hamendjeve, arsenali i ligjeve, peshorja e drejtësisë, agu i lirive, errësira e injorancës, shpata e Ligjit, tirania e pasioneve, Babilonia moderne, një Kullë e vërtetë Babeli, Albioni i pabesë, Ariu mos-kovit, xha Sami.
Të dyfishoni ngazëllimin tuaj, ta hapni zemrën, të ndjeni një lëmsh në fyt, t’i mbani flokët lidhur majë kokës, të aspironi me magjepsje, të ndillni përzemërsi, të mbillni pemë. Nëna natyrë, mbreti i yjeve, ylli i mbretit, hëna e argjendtë, petalet e kadifenjta, ngjyra e gjallë, kopshti i stolisur. Konflikti luftarak, karroca e Marsit, pozicioni i ri ndërkombëtar. Një eseist fin, një poet fin, një shpirt kulmor. / KultPlus.com
Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.
Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.
Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.
Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.
Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.
Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.
Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.
50 thëniet më të bukura të Aristotelit
1- Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.
2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.
3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.
4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.
5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.
6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.
7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.
8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.
9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.
10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.
11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.
12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.
13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.
14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.
15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.
16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.
17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë
18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.
19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.
20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.
21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.
22- Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.
23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.
24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.
25- Lumturia varet nga ne.
26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.
27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.
28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.
29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.
640px-Aristotle_Altemps_Inv8575
30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.
31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.
32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.
33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.
34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.
35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.
36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.
37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.
38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.
39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.
40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.
41- Natyra nuk bën asgjë kot.
42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.
43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.
44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.
45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.
46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.
47- Sekreti i humorit është befasia.
48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.
49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.
50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe./RTK/KultPlus.com
Ernesto Sabato është shkrimtar argjentinas me prejardhje arbëreshe. Ai ka lindur më 24 qershor të vitit 1911. Sot, KultPlus sjell një shkrim për shkrimtarin dhe eseistin argjentinas me prejardhje arbëreshe.
Familja e tij kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sabato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij. Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Sabato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia.
Nga Luan Rama
Ernesto Sabato, shkrimtari i shquar argjentinas dhe ndër më të mëdhenjtë e kontinentit latino-amerikan ka shumë vite që ka vdekur. Një shkrimtar që jetoi gjatë, shumë gjatë dhe që pothuaj një dhjetëvjeçar ai u shkëput nga letërsia, pasi nuk shikonte mirë nga sytë, çka e pengonte të shkruante. Atëherë ai iu kthye pikturës, të cilën e pëlqente që në rininë e tij.
Në moshë të thyer, ai pikturonte atje në kopshtin e tij, mes cicërimave të zogjve dhe muzikës klasike, shpesh Brahms, të cilin e pëlqente në veçanti. Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri. Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund, familja kishte emigruar në Argjentinë, si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së Jugut.
Unë u takova me Sabaton dy herë radhazi në “Hotelin Madison”, në Saint-Germain-des-Près, një ndërtesë tipike parisiene dhe e stilit të vjetër, ku ai vinte gjithnjë. Ashtu me syze të zeza për të mbrojtur dhe atë shikim të dobët që i kishte mbetur, edhe pse 85-vjeçar, ai ishte si një burrë në moshë mesatare, jo vetëm se ishte thjesht me një këmishë, por sepse nuk ishte i shëndoshë, pra kishte një trup atleti.
Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Engjëlli i errësirave”, një roman tronditës, që më 1977 ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti.
Atë paradite me diell, në hollin e poshtëm të atij hoteli simpatik në frymën e viteve 30’ të shekullit XX, në fillim zbriti impresario e tij, një grua rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të ëmbël. Një ditë më parë, ata kishin pasur një konferencë shtypi dhe tani ajo po interesohej për organizimin e takimeve të tjera me gazetarë, botues, intelektualë parisianë dhe miq të vjetër të Sabatos, i cili Francën e kishte si një atdhe të dytë.
Pas pak zbriti një burrë me shtat mesatar, jo i shëndoshë dhe me një palë syze të errëta, që kishte një buzëqeshje të gëzuar në fytyrë. Pikasa që mikesha e tij e shihte me një lloj adhurimi, madje dhe më shumë se kaq, çka më vonë mora vesh se pas vdekjes së gruas së tij, impresario bashkëjetonte me të, edhe pse kishin një diferencë prej afro 35 vjetësh.
Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte thjesht me mua, por me shqiptarët në përgjithësi. Ishte një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare.
Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai ishte mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. “Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!” Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë.
Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markez, Asturias dhe Kortazar. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë ese mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tri ishin romanet e vetme të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhura me çaste të rëndësishme të jetës së tij.
Ai kishte lindur më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij.
I ati ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej Don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860 kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas.
Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai mori një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, e drejtuar nga prof. Houssay, “Çmimi Nobel”, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë.
Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945 botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos Aires. Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare.
Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe ese, ai botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare.
Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Engjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas, si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare.
Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes”, në Spanjë, “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Izrael etj. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull edhe në Shqipëri.
Ato ditë, në hollin e hotelit, unë e pyeta për jetën e tij, letërsinë, artin dhe angazhimin e tij politik. Dhe ja biseda jonë:
– Para se t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehrin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike.
– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino.
Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Evropës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito).
Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme.
Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.
– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?
– Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë.
Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.
– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?
– Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.
– Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A keni lexuar diçka nga vepra e Kadaresë që konsiderohet shkrimtari më i madh shqiptar i ditëve tona.
– Fatkeqësisht unë nuk e kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arsye se 16 vjet më parë, unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër.
Unë nuk mund të lexoj. Kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush: m’u duk sa një tip timid e njëkohësisht një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për egon e veprave të tij.
– Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti nëçastet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik, p.sh. në Francë apo gjetkë?
– Detyra ime ishte të qëndroja, edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin, se kjo do të kishte një jehonë ndërkombëtare. Megjithatë, ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje, më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë, kur një nga djemtë e mi më tha: “Të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vend për shkak të diktaturës…”.
Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikën në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin, do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë në ikëm nga Buenos-Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqija. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë dhe te ju.
– Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?
– Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në lëvizjen komuniste ku qëndrova pesë vjet me radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja komuniste e Buenos Airesit më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Bruksel dhe që kryesohej nga Henri Barbys.
Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës, por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjendje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh për të fjetur ne mbuloheshim me gazetat e P. K. franceze Humanité. Pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.
– Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Europën e Lindjes, edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra, cila është vlera e demokracisë, sipas jush?
– Kryesore në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete: së pari, Shteti Ligjor, me një “L” të madhe. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike.
E dyta është Drejtësia, pra ajo që bën të zbatohen ligjet dhe e treta është Ekzekutivi, me një fjalë zbatimi i ligjeve, drejtimi i shtetit. Fatkeqësisht, shpesh ndodh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standardet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një demokraci e kulluar.
Ajo nuk ekziston, është thjesht një ideal. Unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më një diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.
– Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Ce Guevara. A e keni njohur personalisht?
– Jo, atë nuk e kam takuar kurrë. Ishte një personazh mitik. Me të kam pasur vetëm korrespondencë. Ishte një lloj “Don Kishoti”, i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. (Ndoshta kurrë nuk do të marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur…). Vrasja e tij është diçka e trishtë. Kam shkruar për këtë. Ai ishte një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.
– Ju jeni një utopist?
– Sigurisht… unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time jam një anarkist. Por kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë, kjo që them ndoshta nuk shkon. Mund t’u duket si një ide e çmendur.
– Fundin e romanit tuaj “Engjëlli i errësirave” që konsiderohet si kryevepra juaj, ju e mbaroni me një epitaf ku shkruani për vetveten: “E. Sabato deshi të varrosej në këtë tokë me një fjalë të vetme mbi varrin e tij: “Paqe!”… Përse ky epitaf?
– Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj tre të katërtat e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak dhe depresiv. Mendoj se një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e Akademisë Suedeze të Çmimit Nobel. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt, ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Camus apo Thomas Man që janë nderuar me të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t’ua jepja shoqatave që të ndihmojnë të vobektit.
– Por në fund të epitafit ju kini shkruar “Paqe”. Përse?
– Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: mjaft më me këtë gjendje. Paqe besoj se do të jetë vdekja./ KultPlus.com
“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.
Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.
Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.
Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”
– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)
Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com
KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.
Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?
Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.
Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.
Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.
lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.
U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.
E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?
Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.
Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)
Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.
U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:
Pse u skuqët?
Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik
U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?
Dukej e frikësuar:
– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?
Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.
Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:
Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.
Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:
Zotëri, zotëri!
Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:
Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…
Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.
S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.
Pa menduar fare, e kapa për krahu.
Atëherë, ju kujtohet?
Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:
– Më kujtohet vazhdimisht .
Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com
Një grup arkitektësh ndërkombëtarë, të përzgjedhur personalisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama, po e riimagjinojnë rrënjësisht Tiranën si një kryeqytet ballkanik të guximshëm, me vizion dhe me rëndësi kulturore, shkruan Zoë Dare Hall për ”Forbes”.
Njeriu që futi Shqipërinë në hartën e arkitekturës
Edi Rama, kryeministri shqiptar, 1,98 metra i gjatë, hedh një hije të madhe mbi homologët e tij të botës. Në Samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, Rama – një ish-basketbollist profesionist, do të habiten ca kur ta dëgjojnë – u shfaq kokë e shpatulla mbi liderët e tjerë, duke bërë që disa vëzhgues të injorojnë çështjet urgjente globale të ditës dhe në vend të kësaj të pyesin “kush është ai djali i gjatë?”, shkruan Zoë Dare Hall për ”Forbes”.
Mendimet janë të ndryshme, sigurisht. Por, për mbi gjysmën e popullsisë që votoi për të në maj për të vazhduar ta udhëheqë për një mandat të katërt radhazi, ai është njeriu që po e nxjerr vendin e tyre më në fund në skenën botërore. Duke e nxjerrë vendin ballkanik nga shkretëtira pas dekadash diktaturë komuniste që, edhe shumë kohë pas rënies së saj, e ka lënë Shqipërinë disi të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.
Dhe Tirana, testi i Ramës, po shfaqet vetë si një prani madhështore me horizontin e saj në ndryshim. Ndërtesat e ulëta të qytetit të shekullit XX të epokës fashiste dhe sovjetike po bëhen shpejt të zbehta nga një mori rrokaqiejsh eksperimentalë – dhe në disa raste jashtëzakonisht të çuditshëm – të projektuar nga arkitektë ndërkombëtarë të profilit të lartë, të cilët janë zgjedhur me kujdes nga Kryeministri (i cili është gjithashtu një artist i trajnuar) për të ndihmuar në rikthimin e Shqipërisë në hartë.
Rreth 150 arkitektë të tillë – nga Evropa, Azia, SHBA-ja dhe Amerika e Jugut – u mblodhën në Tiranë në fillim të këtij muaji për Festivalin e Bukës dhe Zemrës, një festë e diçkaje për të cilën kryeqyteti shqiptar rrallë kishte festuar më parë: mjedisin e tij pionier.
Dhe kjo “Ushtria e arkitektëve shqiptarë”, siç i quajti Rama këtë grup të përzgjedhur arkitektësh, është pajisur me një qëllim të fuqishëm: “të ndërtojë, por jo monumente prej guri, por hapësira kuptimi, jo vetëm struktura prej betoni, por kocka mirëkuptimi”, njoftoi ai duke shfaqur një talent të veçantë për gjuhën e lartë të arkitekturës.
”Ata vijnë jo si vëzhgues të largët të një kulture të errët, as si yje të vetmuar që hedhin dritë mbi tokë të huaj, por si pjesëmarrës në një eksperiment të përbashkët. Ata mbërrijnë duke mbajtur peshën dhe hirin e traditave të tyre, me ide të formuara nga qytetet dhe klimat e tyre, historitë dhe materialet e tyre, dhe barrën e krizës gjithashtu, krizë në shtëpi, krizë e ndjerë në një botë që po zvogëlohet çdo orë, krizë e krijuar nga vetë ata. Dhe këtu në Shqipëri, ndodh diçka e veçantë”, thekson ai.
E vërtetë. Disa me siguri e kanë lënë imagjinatën e tyre të egër me kullat e tyre – shumica e të cilave ndodhen rreth Bulevardit të Ri, parkut të madh linear të peizazhuar rishtazi që kalon nëpër zemër të qytetit, që së shpejti do të jetë shtëpia e apartamenteve të para luksoze të kryeqytetit, hapësirave të zyrave të klasit A, shitjeve me pakicë të nivelit të lartë dhe markave globale të hoteleve.
Midis tyre është ndërtesa ”Skënderbeu”, 85 metra e lartë, e cila i ngjan një koke të madhe – asaj të strategut ushtarak të shekullit XV, dhe ”Downtown One Tirana”, me një hartë të pikseluar të Shqipërisë në fasadën e saj – të dyja të konceptuara nga studioja e njohur holandeze MVRDV.
Studioja OODA e Portugalisë ka bërë dyfishimin e saj me kullën ”Bond”, çifti i gjatë i ndërtesave të së cilës krahasohet me këmbët e një balerini në mes të plié-së, dhe ”Hora Vertikali”, e cila do të strehojë qindra apartamente brenda një grumbulli gjigant prej 13 kubesh të mëdhenj si Jenga. ”Puzzle Tirana” nga studioja italiane NOA dhe ”Atelier4” e Shqipërisë vendos një mozaik gjigant fasadash tradicionale të shtëpive fshatare në kënde të gëzueshme. Ndërkohë, Pylli Vertikal i Tiranës nga Stefano Boeri, pionieri italian i arkitekturës biofilike, është i mbuluar me mijëra bimë dhe pemë.
Një treg i ri i pasurive të patundshme i transformuar
“Ambicia e Edi Ramës është të tërheqë arkitektë që kanë turmën e tyre të ndjekësve në vendet e tyre përkatëse. Ata janë pothuajse si të famshëm”, komenton Ilda Zaloshnja, CEO e ”Capital Point”, një anëtare e re e ”Forbes Global Properties”.
Ajo, për shembull, është e emocionuar për transformimin e Tiranës. Duke pasur parasysh mungesën e një tregu luksoz të pasurive të patundshme në qytet deri më tani, “ndonjëherë ka qenë një luftë për të gjetur prona për t’i listuar,” thotë ajo.
Me apartamentet e reja shumëkatëshe që ofrohen, investitorët – deri më tani, kryesisht vendas dhe shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit – po paguajnë çmime që do të kishin qenë të pakonceptueshme vetëm pesë vjet më parë. Dhe kjo është para se ato të ndërtohen.
Kur apartamentet dolën në shitje disa vjet më parë në ndërtesën e sapopërfunduar ”Book Building” nga ”51n4e” – një kolektiv me seli në Bruksel i studiove të shumta evropiane – çmimet fillestare ishin rreth 3 000 euro për metër katror.
“Tani, ata investitorë të hershëm po refuzojnë ofertat prej 5 500 euro për metër katror, dhe në disa ndërtesa çmimet kanë arritur në 10 000 euro për metër katror”, informon Brandan Mativi, themeluesi i ”Capital Point”.
“Që nga fitorja e fundit e Ramës në zgjedhjet e fundit, të gjitha studiot e famshme po kthjenë sytë nga Shqipëria. Kjo është arsyeja pse po ndërtohet Tirana”, shton ai.
“Kur u transferova këtu nga Shtetet e Bashkuara tetë vjet më parë, kishte ndërtesa pa dritare në qendër të qytetit. Brenda pesë vjetësh, do të ketë 15 rrokaqiej”, thekson ai.
Për arkitektët, qyteti ofron një kanavacë të bardhë për imagjinatën e tyre të pakufizuar.
“Tirana është një nga mjediset urbane më emocionuese në Evropë sot, sepse është në mes të një transformimi të thellë shoqëror, kulturor dhe arkitektonik”, komenton Michal Kristof, bashkëthemelues i CHYBIK + KRISTOF, studios me seli në Londër/Evropë Lindore që fitoi konkursin e parë privat ndërkombëtar në Shqipëri për një zhvillim në Bulevardin e Ri.
”Kulla Multifunksionale ndodhet në një cep kyç, ku bulevardi takon një hapësirë të re publike të madhe të planifikuar përpara Operas Kombëtare të ardhshme”, shpjegon Kristof, ndërtesa e të cilit në formë kaskade, e kuqe si terrakota – e ndërprerë nga dhjetëra tarraca dhe lozha të mbjella, si vrima në një bllok të madh këndor djathi zviceran – do të strehojë 20 kate apartamentesh të vendosura mbi dyqane dhe zyra.
“Si një demokraci e re, Shqipëria po ripërcakton identitetin e saj dhe Tirana qëndron në qendër të këtij procesi. Ajo që e bën atë veçanërisht frymëzuese për ne si arkitektë është hapja e qytetit ndaj eksperimentimit dhe angazhimi i tij i guximshëm ndaj hapësirës publike si një katalizator për ndryshime shoqërore”, shton ai.
Nga inovacioni vjen identiteti kombëtar
Kombi që, për katër dekada nën diktatorin Enver Hoxha, e mbylli veten nga bota, tani po hap krahët e tij përmes arkitekturës.
“Ftesa e arkitektëve ndërkombëtarë sjell padyshim dukshmëri dhe interes global”, beson Kristof.
“Është gjithashtu një mënyrë interesante për të riformësuar identitetin kombëtar të Shqipërisë, duke përzier inovacionin global me kulturën lokale dhe kushtet mjedisore”, shton ai.
Mativi i ”Capital Point” është optimist.
“Rama ka përcaktuar road map-in për 10 vitet e ardhshme”, komenton ai, i bindur se shprehja e vjetër “ndërtoje dhe ata do të vijnë” do të jetë e vërtetë për Tiranën.
Vitet e ardhshme do të tregojnë nëse horizonti i ri i qytetit është ndërtuar mbi më shumë sesa thjesht ëndrra./atsh/KultPlus.com
Projekti “Tek Bunkeri”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, është finalist për çmimet New European Bauhaus Prizes 2025.
Ky projekt, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit EU4Culture, përfshin vlerat thelbësore të New European Bauhaus: kujtesën, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë.
Projekti “Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar” është përzgjedhur mes më shumë se 700 aplikimeve nga e gjithë Evropa si një nga projektet më frymëzuese që lidhin kujtesën, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, u shpreh krenar të shohë që projekti “Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar” realizuar nga projekti “Tek Bunkeri”, është listuar si finalist i Çmimeve New European Bauhaus 2025.
“Tek Bunkeri” me synimin e tij për t’i dhënë jetë të shkuarës duke formësuar të ardhmen, projekti sjell në jetë historinë përmes artit, rrëfimit dhe përfshirjes së komunitetit.
Nëpërmjet rrëfimeve të të mbijetuarve të burgut të Spaçit, skulpturave, një filmi të shkurtër artistik, diskutimeve me publikun dhe punëtorive ndërgjegjësuese me të rinj dhe gra artizane, një vend i dhimbshëm i së shkuarës është kthyer në një hapësirë për reflektim, dialog dhe krijimtari.
Ky projekt u financua nga Bashkimi Evropian, pjesë e programit të EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com
Pas më shumë se një muaji pune intenzive në terren, kanë përfunduar xhirimet e projektit më të ri filmik “Jerẽm”, me skenar dhe regji nga regjisori i njohur kosovar, Ismet Sijarina.
Filmi është një bashkëprodhim ndërkombëtar mes tri shtëpive filmike: Thumbs Up Entertainment nga Kosova (si producent kryesor), Tunnel Film nga Shqipëria dhe DMF doo Production nga Maqedonia e Veriut.
Në kastin e pasur të filmit marrin pjesë emra të njohur të kinematografisë shqiptare, si: Luli Bitri, Genc Jakupi, Gresa Pallaska, Adem Karaga, Hazir Sh. Haziri, Irena Cahani, Refet Abazi, Jonida Vokshi, Basri Lushtaku, Ema Andrea, Edon Rizvanolli, Suela Bako, Besnik Krapi, Xhevdet Jashari, Afrim Mucaj, Anila Krasniqi, Shpetim Kastrati, Bes Bitraku, Guri Sijarina, Arben Bajgora e të tjerë.
Xhirimet janë realizuar në disa lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë Novo Bërdë, Brezovicë, Përmet, Shëngjin, Llabjan dhe Stanterg – duke ofruar peizazhe të ndryshme që pritet t’i japin filmit një atmosferë unike vizuale.
Producentët kanë falënderuar ekipin kreativ dhe teknik për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë gjithë procesit të xhirimeve, si dhe mbështetësit financiarë që mundësuan realizimin e këtij projekti ambicioz.
Filmi “Jerẽm” pritet të jetë një ndër projektet më të rëndësishme të vitit në kinemanë shqiptare dhe më gjerë./KultPlus.com
Sazani është një ishull i vogël pranë bregdetit Jon të Shqipërisë me një peizazh fantastik ku rriten shumë bimë të ndryshme, që nga livandoja, rozmarina dhe dafina, shkruan Marzio Mian për britaniken ”The Guardian”.
Pamja nga maja, me perëndimin dramatik të diellit, është marramendëse.
Pas lajmit se familja Trump do të bëjë një investim turistik marramendës, shqiptarët tashmë e quajnë Sazanin si Ishulli i Trumpëve.
Deri më tani, kryesisht i paprekur nga zhvillimi, Sazani do të shndërrohet në një ishull ultraluksoz, një tjetër shtesë në portofolin e pasurive të patundshme të Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Duke folur në podkastin Lex Fridman në korrik 2024, Trump mezi mundi ta fshihte entuziazmin e saj, kur tha se “po punoj me bashkëshortin tim, kemi tani këtë ishullin prej 566 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë dhe markat më të mira. Do të jetë e jashtëzakonshme”.
Kushneri deklaron i entuziazmuar zbulimin e Sazanit, të cilin ai dukej se e konsideron si një thesar. Ai tha se ”planifikon të krijojë resortin ideal ku do të doja të isha me familjen dhe miqtë e mi”.
”Para se ta vizitoja ishullin, u mahnita nga ideja e përshkimit të shtigjeve të tij prej rreth 60 kilometrash, ngjitjes në malet e mbuluara me pyje tropikale dhe eksplorimit të rrugëve të thella ujore me emra të tillë si Gjiri i Parajsës, Gryka e Ferrit, Gjiri i Djallit dhe Plazhi i Admiralit. Doja ta shihja përpara se fraza ‘do të shkoj në Sazan’ të bëhet prerogativë e të pasurve”, shton ai.
Kur mbërrita atje, në një ditë të kthjellët në korrik 2024, zbulova se ishulli nuk është i përshtatshëm për t’u humbur: është i mbuluar me tabela që pamje kafkash dhe kockash të kryqëzuara, që paralajmërojnë për mina tokësore.
Udhërrëfyesi im, Arbër Çelaj, një komandant-toger në marinën shqiptare, më ndaloi të shkoja shumë larg. Ai nuk donte të kritikohej nga eprorët e tij.
Sazani shtrihet midis detit Adriatik dhe detit Jon, i pozicionuar strategjikisht në hyrje të Gjirit të Vlorës, në Ngushticën e Otrantos që ndan Italinë nga Shqipëria.
Klima e Sazanit nuk është mesdhetare – është subtropikale. Mund ta shihni nga bimësia dhe biodiversiteti.
Në të vërtetë, shkurret duken sikur kishin dalë nga kompjuteri i Spielbergut, duke krijuar një xhungël me pemë gjigante frashëri, shkoze, pisha detare dhe lisash.
Kushner gjithashtu mbeti pa fjalë kur e pa për herë të parë në vitin 2021.
“Isha shumë i befasuar që diçka e tillë ekzistonte në mes të Mesdheut dhe nuk ishte zhvilluar”, thekson Kushner.
Miratimi paraprak nga qeveria shqiptare për projektin e Kushnerit erdhi më 30 dhjetor 2024.
Çuditërisht, mjedisi i Sazanit i detyrohet shumë komunizmit. Gjatë epokës së saj komuniste, nga viti 1946 deri në vitin 1991, Shqipëria njihej si Koreja e Veriut e Evropës dhe Sazani u bë një simbol i izolimit ekstrem: një fortesë ushtarake e paarritshme që diktatori Enver Hoxha, i cili kishte frikë se vendi do të binte pre e një superfuqie, e imagjinonte se mund t’i ndihmonte ata të mbroheshin nga një sulm nga NATO ose anëtarët e Trkatatit të Varshavës.
Për dekada të tëra, ushtarët e stacionuar në ishull pritën një sulm të tillë, duke skanuar horizontin, duke dëgjuar për nëndetësen që herët a vonë do të dilte nga thellësitë e Adriatikut.
Në ishull kishte një bazë ushtarake, me ambiente banimi, një teatër, një shkollë dhe një spital.
Deri në vitet 1970, rreth 150 familje ushtarake jetonin në ishull pa kontakt me kontinentin.
Duke ecur përgjatë një shtegu me guidën time, hasëm në disa strehimore dhe tunele kundër bombave të projektuara për të ruajtur furnizime dhe municione ose për të vepruar si strehë në rast të një lufte guerrile kundër pushtuesve.
Çelaj më tha se ka rreth 13 kilometra tunele, tani kryesisht të banuara nga lakuriqë nate, nepërka dhe lepuj të egër.
Ka rreth 3 600 bunkerë në Sazan, kërpudha betoni të blinduara që dalin nga bimësia ose të vendosura në maja malesh si pika vrojtimi kundër aeroplanmbajtëseve fantazmë amerikanë ose fregatave sovjetike.
”Disa do të ruhen dhe do të integrohen në projektin e ri të pasurive të paluajtshme”, sipas Kushner.
”Ky vend është plot me municione të pashpërthyera. Ato kanë mbetur nga vitet 1990 ku hajdutët sulmuan ishullin pikërisht nën hundën e ushtrisë, duke plaçkitur depot e armëve dhe municioneve. Armiku më në fund kishte mbërritur, por me varka të vogla të improvizuara dhe duke folur të njëjtën gjuhë si ushtarët”, thekson Çelaj.
Sot, ishulli kontrollohet nga ushtria shqiptare. Patrullohet nga tre marinarë, të cilët ecin në portet e ndryshkura dhe të rrënuara të Gjirit të Shën Nikollës, porti ku kompania ”Affinity” do të ndërtojë marinën e saj kryesore të jahteve.
Shqipëria është ngritur në krye të disa prej renditjeve më prestigjioze të turizmit në vitet e fundit, kryesisht falë kryeministrit Edi Rama, i cili e ka transformuar vendin në një ”tigër ekonomik ballkanik”.
E pyeta Ramën nëse ishte i shqetësuar për ndërlikimet politike nga projekti i ri i pasurive të patundshme, por ai më tha se ”vendi i tij nuk mund të përballojë të mos shfrytëzojë një dhuratë si Sazani”.
“Ne kemi nevojë për turizëm luksoz si një shkretëtirë që ka nevojë për ujë”, shton Rama.
Ai nuk ka frikë të nxisë polemika, veçanërisht “nëse ndihmon në tërheqjen e vëmendjes dhe gjenerimin e investimeve”.
Rama ka qenë “një partner i shkëlqyer” dhe është shumë largpamës, sipas Kushner.
“Qeveria e ka kuptuar qartë se kjo mund të jetë serioze. Ne po ndërtojnë një aeroport pikërisht atje në zonën e Vlorës”, i tha Rama Kushnerit verën e kaluar.
Shqipëria nuk është objektivi i vetëm i Kushnerit: Ai është i interesuar edhe për Serbinë, ku ”Affinity Partners” planifikon ta shndërrojë ish-ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd në një hotel luksoz.
Ndërmjetësi i biznesit i ”Affinity” në rajon është ish-ambasadori i SHBA-së Richard Grenell, i cili shërbeu si i dërguar special i Trump për bisedimet e paqes së Serbisë me Kosovën midis viteve 2019 dhe 2021.
Sipas ”New York Times”, ndërsa ishte i dërguar special, Grenell shtyu një plan të ngjashëm që Serbia dhe SHBA-ja të rindërtonin së bashku ish-Ministrinë e Mbrojtjes.
Që atëherë ai është bashkuar me Kushnerin në marrëveshjen e re të zhvillimit dhe tani është partner në ”Affinity”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i pa Grenell dhe Kushner si një mundësi për t’u afruar me Trumpin nëse ai fiton rizgjedhjen, sipas ”Financial Times”.
Vuçiç po luan një lojë të rrezikshme: Përveçse po fiton favorin e mbështetësve të Trumpit, ai ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë pasi ajo pushtoi Ukrainën.
Në maj të vitit 2024, ai i shtroi tapetin e kuq udhëheqësit kinez Xi Jinping, qeveria e të cilit ka investuar shumë në infrastrukturë të re në Serbi, raportoi Reuters.
Ndërkohë, Vuçiç vazhdon të shprehë dëshirën e tij për t’u bashkuar me BE-në, por refuzon të përmbushë kushtin kryesor të Brukselit: njohjen e kufijve dhe pavarësisë së Kosovës.
”Kur fola me Ramën, kryeministrin shqiptar, e pyeta se çfarë roli luajnë investimet amerikane në gjeopolitikë ai tha se ishte thjesht biznes, por nuk e mohoi se mund të çonte përpara një strategji më të gjerë politike”, thekson Grenell.
“Ne duhet ta mbajmë Serbinë në sferën perëndimore dhe ta nxjerrim atë nga zgjedha e Moskës”, shtoi ai.
Në një intervistë të korrikut 2024 me ”Financial Times”, Grenell tha gjithashtu se ”investime të tilla si marrëveshja e pasurive të paluajtshme për të blerë ish-Ministrinë e Mbrojtjes kishin për qëllim afrimin e Serbisë me Shtetet e Bashkuara’’.
Kushner, i cili shërbeu si këshilltar i lartë i Trump nga viti 2017 deri në vitin 2021, mohoi përdorimin e pozicionit të tij për të promovuar planet e zhvillimit të Sazanit, gjatë bisedës sonë në korrik 2024.
”Nuk jam takuar kurrë me kryeministrin Rama kur isha në qeveri. Por, edhe nëse e kam takuar, nuk është konflikt interesi. Njerëzit në qeveri ndërtojnë marrëdhënie të ndryshme”, thekson Kushner.
Ai tha se interesi në Serbi dhe Shqipëri po rritej jashtëzakonisht falë marrëveshjeve të pasurive të paluajtshme të kompanisë së tij.
Mirela Kumbaro, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, mbrojti vendimin e Ramës për të bërë një marrëveshje me kompaninë e Kushnerit, e cila është kritikuar ashpër nga opozita.
“Nuk mund të konkurrojmë me Italinë, Kroacinë dhe Greqinë në turizmin masiv. Nuk kemi infrastrukturë ose përvojë të mjaftueshme. Duhet të përqendrohemi te cilësia. Vlera, jo te vëllimi. Më shumë fitim dhe më pak telashe”, shton ajo.
Gati 12 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë në vitin 2024, 15 për qind më shumë se një vit më parë, sipas medieve lokale.
“Sazani është rruga ku duhet të shkohet. Receta ideale: turizmi natyror dhe luksoz”, theksoi ajo duke shtuar se se ishte entuziaste për projektin dhe se po punonte ngushtë me agjencinë qeveritare përgjegjëse për investimet strategjike ose ato investime që tejkalojnë 15 milionë euro.
”Kompromisi është i konsiderueshëm: zero taksa gjatë fazës së ndërtimit dhe shteti kujdeset për të gjithë infrastrukturën, duke përfshirë ujin, energjinë elektrike dhe kanalizimet”, sipas Kumbaros.
Kjo është pikërisht ajo që shqetëson ambientalistët si Olsi Nika, një biolog detar dhe drejtor i OJQ-së ”EcoAlbania”.
“Kjo zonë është në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Kjo do të thotë që plazhet dhe ujërat brenda dy kilometrave nga bregdeti janë të mbrojtura. Çfarë do të ndodhë me këtë vend me veprat e mëdha publike, ndërtimin e skelave, trafikun e jahteve dhe rrjedhjet e ujërave të zeza?”, thekson ai.
Abehsera nga ”Affinity” kishte punësuar ”Arup”, një firmë globale për qëndrueshmëri, për ta këshilluar mbi projektin dhe se biznesi i tyre ka shumë të bëjë me përmirësimin dhe respektimin e ekologjisë dhe mjedisit lokal.
”Kur shpall një projekt, të gjithë frikësohen. Të gjithë mendojnë më të keqen. Por, sapo të shohin projektet tona, mënyrën se si po i projektojmë, mënyrën se si po i qëndrojmë besnikë dhe të respektojmë mjedisin përreth nesh, mendoj se njerëzit do të jenë shumë, shumë të kënaqur. Dhe përsëri, me projekte, nuk mund t’i kënaqësh të gjithë”, tha ai në korrik 2024.
”Kur u takova me Abehserën për drekë në Vlorë në gusht 2024, ai më dha një pamje paraprake të planeve për zhvillimin e ishullit.
”Hoteli”, tha ai, ”do të jetë një xhevahir në Mesdhe”.
”Dizajni i hotelit nuk do t’i imponohet natyrës; Ndërtesat do të jenë të skalitura ose edhe ‘të skalitura’ nga natyra. Ato do të kenë ndjesinë e të qenit të vendosura në një pemë të bukur”, thekson Kushner.
“Po krijojmë një produkt luksoz të nivelit shumë të lartë. Një nga gjërat e mrekullueshme të ishullit është privatësia… Por gjithashtu mendoj se ka disa aspekte të ishullit që mund t’i zhvillojmë për t’u dhënë njerëzve mundësinë të vijnë dhe të vizitojnë dhe të shijojnë disa nga ushqimet dhe shtigjet”, thekson Kushner.
Mendova për pasditen time me Çelajn. Ai më tha se deri para disa vitesh, ushtarët në patrullë ndonjëherë raportonin se kishin parë një gomar të vogël gri midis pemëve të fikut të egër në Grykën e Ferrit.
Pastaj ai thjesht zhdukej.
Pyesja veten nëse ishte thjesht një legjendë apo nëse gomari gri kishte ngordhur së bashku me misterin e ishullit, bastioni i fundit i natyrës së egër në Mesdhe, i pushtuar, në fund të fundit, pa asnjë të shtënë.
Mjaftoi që Ivanka Trump dhe Jared Kushner të zbrisnin nga një helikopter dhe të thoshin “Uau!”./atsh/KultPlus.com
Në vitin 1996 shkrimtari Argjentinas me nënë arbëreshe (shqiptare) dhe një nga shkrimtarët absolutisht me të mëdhenj të botës , Ernesto Sabato , nderohet në Tiranë me çmimin “Kadare”. Në librin e tij të fundit me kujtime “Përpara fundit” përkthyer nga Ajsela Koka dhe Botime Dritan, Sabato shkruante kështu:
“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.
Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë…”
Ernesto Sabato lindi si sot 113 vite më parë ,për të mbetur përjetësisht mes të mëdhenjve të letërsisë botërore.
(Në foto Ernesto Sabato dhe Visar Zhiti)/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga fshati Nepravishtë në Libohovë, duke e cilësuar si një atraksion unik turistik me natyrë të mrekullueshme dhe mikpritje autentike.
“Nga Nepravishta, atraksioni unik i Libohovës me natyrë të mrekullueshme, mikpritje të ngrohtë dhe autentike, fshati i dytë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ nga Organizata Botërore e Turizmit”, shkroi Rama në postimin e tij.
Nepravishta është fshati i dytë që i bashkohet kësaj nisme të mbështetur nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), pas suksesit të kandidaturës së Voskopojës. Programi synon të promovojë zonat rurale me potencial të lartë turistik, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.
Zona e Mbrojtur e Kalasë së Melanit është monument kulture i vitit 1963 me një sipërfaqe prej 87 mijë m2 dhe gështenjave të Nepravishtës.
Gjithashtu pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët. Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.
Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën nuk duhet të humbasin as Nepravishtën, një destinacion i ri dhe mjaft premtues në jug të vendit. Fshati Nepravishtë vitet e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com