Pikturat ‘Shota’ e ‘Cuca e Maleve’ të Sam ASLLANIT prezantohen në galerinë ESPASE 52 në Lozanë

Nga Nexha Xhema

Në vallen e “Shotës”, apo në Bolero’n shqiptare, Sami sjell një kryevepër…
Ai sjell dritën, energjinë dhe ritmin e shpejtë që zgjon peshë emocionet me lëvizjen ritmike të notave, fijeve akustike dhe ngjyrave vibrante.

Krahët e hapura të vallëzimit, me dy krerë të çiftit, sikur nxjerrin në pah shqiponjën dykrerëshe, duke reflektuar krenari e dinjitet.

Ashtu siç përdoret me përkëdhelje fjala “shotë” për vajzat e reja, të shkathëta e të pashme, ashtu edhe piktori i ka dhënë vëmendjen vajzës, duke e nxjerr në sfond e duke e përkëdhelur dhe trajtuar me ngjyra të cilat sikur ndajnë errësirën e të kaluarës dhe i japin dritë e jetë të ardhmes.

Përballë të gjitha vështirësive, vallëzimi i tyre na e kujton jetën me vështirësi, na e kujton se lisat rriten të fortë nga erërat e kundërta dhe diamantet bëhen nën presion. Vështirësitë nuk janë veçse guxim i fatit, pengesa për t’i sprovuar aftësitë tona, humbje të më të dashurve e dhimbje të hidhura… E të cilat medoemos se sjellin forcën për gjeneratat e reja.

Tek ‘’Shota’’ Sami paraqet vallëzimin e çiftit i cili sikur ndjen duke u hedhur e ngritur lart, sikurse vullkani brenda shpirtit që të bënë të dukesh më i madh pas çdo përballjeje me fatkeqësitë e jetës të paraqitura me ngjyra dhe vija të cilat mundohen t’i frenojnë ata dy në çdo hapë…

Është një kryevepër, duhet përsëritur… Kjo na e kujton të kaluarën në formën më artistike të mundshme. Andaj, kjo magji kaq e bukur e ngërthyer në veti me kaq dhimbje e krenari, padyshim se na i mbushë sytë me lot… Por, edhe na mbushë plotë jetë e shpresë për të ardhmen e ndritur të gjeneratave të reja që do të vijnë pas!

SHOTA & CUCA E MALEVE


Për ti dhënë krahë shotës në fluturimin e saj me tingujt magjik, kjo galeri për herë të parë, e pas 20 vitesh, e sjell edhe pikturën origjinale “Cuca e Maleve”, pikturë kjo e cila është shpërblyer me vlerësimet më eminente ndërkombëtare, e në veçanti ato në Amerikë/USA.

E ku ka ndjenjë më të bukur se sa kur bashkohen ‘Shota’ dhe ‘Cuca e Maleve’ në stinën më të bukur të Pranverës, kur gjithçka ringjallet e lulëzon!… Bukuria, krenaria dhe dashuria afër tyre, nuk kanë kufi!

Sami me këto vepra kaq madhështore, na bënë të kuptojmë se të fluturosh mbi tokë, do të thotë që ke nevojë të jesh i/e lirë dhe autonom. Ke nevojë të lirohesh nga pengesat dhe limitet që nuk të lejojnë t’i realizosh ëndrrat dhe dëshirat e tua!/KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ me koncert në Tetovë, paralajmëron spektakël muzikor

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” koncertin e radhës do ta mbajë në qytetin e Tetovës.

Ansambli “Shota” ka njoftuar se përmes këtij koncerti do të dhurohet një spektakël tërheqës me plot muzikë, kulturë dhe traditë, duke frymëzuar e emocionuar me trashëgiminë tonë të pasur artistike.

“Qendra e Kulturës në Tetovë dhe komuniteti artdashës i qytetit me kënaqësi mirëpresin koncertin artistik të ansamblit kombëtar ‘SHOTA’.

Një spektakël tërheqës plot muzikë, kulturë dhe traditë arrinë në Tetovë për të frymëzuar, emocionuar dhe mburrur me trashëgiminë tonë të pasur artistike. Ju ftojmë të bashkoheni në këtë ngjarje të jashtëzakonshme të kulturës sonë, për të përjetuar emocionet dhe bukurinë e muzikës dhe valleve të ansamblit ‘SHOTA’.

Mos harroni të rezervoni vendin tuaj për një eksperiencë të paharrueshme!”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më 13 prill, në ora 19:00 në Qendrën e Kulturës-Tetovë./KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ për vdekjen e kryevalltares shqiptare: Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së kryevalltares shqiptare Liljana Cingu, shkruan KultPlus.

Ansambli Shota përmes një shkrimi në facebook ka thënë se vallëzimi i saj, ndër vite shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat.

“Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona me lajmin e humbjes të ikonës së valles shqiptare, të madhes Liliana Cingu, Lili.

Vallëzimi i saj, shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat. Një ndjenjë humbjeje e thellë për kulturën dhe artin shqiptar.

Ne artistët e AKKV “Shota” ndajmë dhimbjen dhe ngushëllojmë familjen, miqtë dhe kolegët e saj në këtë moment të vështirë.

U prehtë në paqe, Lili!”, është thënë përmes një shkrimi në Facebook nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”/  KultPlus.com

Kur Liljana Cingu vallëzonte ‘Shotën’ (VIDEO)

Sot ka vdekur Mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu, shkruan Kult Plus.

Ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që gjatë karrierës së saj u dha jetë më shumë se 200 valleve të ndryshme.

 ‘Mjeshtrja e madhe’ dhe  ‘Nderi i Kombit’ ishin tituj me të cilët shteti shqiptar e kishte nderuar Mbretëreshën e valles shqipe.

Më poshtë KultPlus ju sjell një një vallëzim të Cingut me vallen më të njohur në Kosovë, “Shota”/KultPlus.com

KV “Shota” sjell albumin e parë të këngëve popullore

Dhjetëra këngë të stilit popullor, tash janë pjesë e albumit të parë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, i promovuar sot në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Të interpretuara nga solistë të ndryshëm, këngët kontribuojnë në ringjalljen e folklorit si një segment i rëndësishëm kulturor si dhe ndihmojnë që përdorimi i instrumenteve tradicionale akustike të përcillet nga brezi në brez.

Në album janë të përfshirë këngëtarë të ansamblit dhe bashkëpunëtorë të tij, si Majlinda Cikaqi, Violetë Kukaj, Liridon Sadriu, Edi Furra, Hysni Klinaku, Granit Musliu, Riza Bytyçi, Mirvete Bajrami, Zana Abazi, si dhe incizimi i fundit i këngëtarit të ndjerë, Ismet Bogujevci./ KultPlus.com

Mbushen muret e Tiranës me grafite: Mami, 1 Maji është i yti për gjellën që i gatuan babit

Platforma feministe ‘Shota’ në ditën e punëtorëve ka mbuluar muret e rrugëve të Tiranës me thirrje proteste për të gjitha gratë papuna, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook platforma ‘Shota’ ka theksuar se kjo protestë po bëhet për të gjitha gratë punëtore dhe të papuna, shfrytëzimi i të cilave mban një shtet e shoqëri të tërë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

Muret e Tiranës sot shërbyen si thirrje proteste për të gjitha gratë punëtore dhe të papuna, mbi shfrytëzimin dhe punën e papaguar të të cilave, mbahet një shtet e shoqëri e tërë.

Në këtë sistem ekonomik shfrytëzues, patriarkalizmi shërben si patericë për thellimin e larmishmërisë së dhunës, nga familja deri në punë.

SHOTA qëndron në solidaritet me të gjitha gratë, nga skajet më të thella të vendit drejt qendrës.

Bashkë (edhe) për 1-Maj!/ KultPlus.com

Muret e Tiranës sot shërbyen si thirrje proteste për të gjitha gratë punëtore dhe të papuna, mbi shfrytëzimin dhe punën…

Posted by SHOTA on Saturday, May 1, 2021

“Shota” me mesazh të veçantë: Shën Valentin=365 ditë

Platforma feministe “Shota” ka mbuluar muret e rrugëve me thënie vetëdijësusese, të cilat bëjnë thirrje për dashuri gjatë gjithë vitit dhe kundërshtojnë dhunën e ushtruar mes çifteve, shkruan KultPlus.

“A ëmbëlsohet dhuna me çokollada?”, “Shën Valentin=365 ditë”, “Kush i lan enët e darkës së Shën Valentinit?” janë parullat që nëpërmjet tyre tentohet të përçohet mesazhi te audienca.

“Trëndafilat dhe çokollatat e 14 Shkurtit nuk e zbusin dhe as nuk e ëmbëlsojnë dot dhunën sistematike, 364 ditëve të tjera të vitit.Nuk mjafton vetëm një ditë kalendarike për të sjellë në vëmendje dashurinë ndaj partnere/ëve”, thuhet në postimin e platformës “Shota” në rrjete sociale.

Sipas tyre, barra kryesore e shtëpisë iu bie grave, duke qenë ato kujdestare të fëmijëve dhe punëve të tjera. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri drejtues të AKKV ‘Shota’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi sot anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Ismet Bogujevci, Riza Bytyçi, Fahredin Spahija, Xhevdet Gashi dhe Driton Rukiqi, si përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim njohës u diskutua rreth planeve dhe objektivave që ka AKKV “Shota”, duke pasur gjithmonë parasysh realizimin e punëve në bazë të përgjegjësive që ka ky institucion kombëtar i kulturës, që mbikëqyret nga MKRS-ja.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në nivel kombëtar, i cili kontribuon në promovimin dhe ruajtjen e kulturës tonë përmes këngëve dhe valleve shqipe.

Ministrja mes tjerash u shpreh se Këshilli Drejtues i AKKV “Shota” do ta ketë mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të saj dhe pret një bashkëpunim në shërbim të avancimit të vlerave kulturore. Ministrja kërkoi nga Këshilli të jenë aktiv dhe të punojnë me profesionalizëm në mënyrë që këtë institucion të kulturës tonë ta mbajnë lartë aty ku e meriton.

Ndërsa anëtarët e Këshillit Drejtues të “Shotës” falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë për ta përkrahur vizionin e tyre që kanë për institucionin. Ata theksuan se janë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe se do të punojnë që AKKV “Shota” të vazhdojnë ngritjen e tij edhe më tutje përmes realizimit të aktiviteteve kulturore dhe artistike duke e promovuar kulturën shqipe brenda dhe jashtë vendit. / KultPlus.com

Pandemia mbyll edhe “Shotën”, stafi në vetizolim

Stafi administrativ i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” prej sot (e enjte) është në vetizolim.

Punonjësi i këtij institucioni, që dyshohej se është infektuar me koronavirus, ka rezultuar pozitiv të mërkurën. I njëjti është bashkëshorti i punonjëses së Galerisë Kombëtare të Kosovës, e cila kishte rezultuar pozitive në testin për COVID-19 të martën. Si pasojë, pas Galerisë tashmë edhe “Shota” është mbyllur. Megjithëse punonjësi i këtij institucioni nga e mërkura e javës së kaluar ishte në vetizolim, Ministria e Kulturës do të kërkojë testim për punonjësit e “Shotës” dhe disa të vetë Ministrisë që ishin raste kontakti, shkruan Koha.net

“Punonjësi i ‘Shotës’ ka dalë pozitiv. Edhe pse ai ka qenë në vetizolim nga e mërkura e javës së kaluar, ne kemi kërkuar vetizolim të punëtorëve të ansamblit të cilët kanë pasur kontakt me punëtorin në fjalë. Të enjten do të kërkojmë testimin e punëtorëve që kanë pasur kontakt me të infektuarin”, ka thënë Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës. / KultPlus.com

Ansambli Shota realizoi mbrëmë një koncert madhështor me karakter humanitar

Qendrim Badalli

“Natyrisht më tepër është ndihmë morale”, tha drejtori i Ansamblit Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, pas përfundimit të koncertit me karakter humanitar, që ky ansambël realizoi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku të ardhurat nga biletat e shitura do të shkonin për familjen Abazi nga Gjilani,  e prekur nga tërmeti në Shqipëri, shkruan KultPlus.com

Publikun po e dominonte mosha mesatare, shumë prej tyre gjatë gjithë kohës ishin me telefona në duar, duke incizuar performancat që u dhanë aty. Këngë me motive patriotike, tupana dhe instrumentet tjera popullore, valle nga trupat me veshjet kombëtare, ishin materiali artistik që nuk duhej vetëm të shijohej, prandaj edhe incizohej.

Viloletë Kukaj, Ganimete Asllani, Riza Bytyçi, Sokol Latifi, Mirvete Haziri, Majlinda Cikaçi, Saranda Aliaj, si dhe Liridon Sadriu, ishin të përzgjedhurit që i dhanë frymë dhe energji koncertit. Kur kënga e fundit përfundoi dhe u mendua se koncerti po mbyllej, në skenë u dha edhe vallja “Suitë e Hasit” e cila po jepej premierë nën veshjet plot kolorit të trupës së valltarëve. 

Drejtori i Ansamblit “Shota”, Shfeqet Gjocaj, në një intervistë për KultPlus, fillimisht ka folur për çështjet organizative dhe përmbajtjesorr të koncertit si dhe për qëllimin humanitar të tij.

“Organizimi ka qenë i planifikuar të mbahet për Festën e 28 Nëntorit, kështu që në përmbajtje e ka mbajtur atë karakter, siç e keni parë tematikat e këngëve ka qenë  e orientuar në atë frymë, dhe meqë është anuluar koncerti herën e parë për shkak të tërmetit në Shqipëri, ne donim që pikërisht me atë shkak të realizojmë këtë koncert humanitar, dhe këto mjete që janë grumbulluar prej biletave ti dhurojmë për familjen Abazi nga Gjilani”.

Tutje, Gjocaj ka folur edhe për mesazhin që kanë dashur ta përcjellin përmes këtij koncerti për të prekurit në Shqipëri.

“Unë shpresoj që sado pak t’ia lehtojmë dhimbjen familjes Abazi me këtë ndihmë tonë modeste materiale, natyrishit më tepër është ndihmë morale, që të ju tregojmë se ne jemi me ta, ne kemi bashkëndje me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Sikur të gjithë shqiptarët, edhe ne si individ dhe si institucion kemi dashur të solidarizohemi”.

Përgjegjësi artistik i koncertit, Ylber Asllanaj, ka përgëzuar trupën e ansamblit si dhe koreografin për paraqitjen e tyre mbrëmë. 

“Natyrisht jam shumë i kënaqur me trupën me entuziazmin që e kanë treguar përkundër që na e ka hidhëruar këtë festë fatkeqësia në Durrës dhe Thuman, koncerti siç e dini ka qenë i përgatitur për Ditën e Flamurit por ja që ndodhi ajo dhe megjithatë mua si përgjegjës artistik më mbetet t’i falënderoj edhe koreografin për koreografinë e re edhe trupën për angazhim”.

Asllanaj, duke komentuar në përgjithësi ndihmën e artistëve shqiptar dhënë pas tragjedisë në Shqipëri tha se secili kontribuon ne atë që di më së miri.

“Unë mendoj se është obligim nuk është diçka që nuk do të bënte gjithkush për secilin, natyrisht në fatkeqësinë e kombit secili duhet të kontribuojë me atë që di më së miri, dhe natyrisht edhe komuniteti artistik e ka dhënë kontributin në rrugën e vet për të cilin unë mund t’i përgëzoj”.

Koreografi, Xhemail Berisha, ka thënë se koncerti është mbajtur në “momentin e duhur”, teksa përveç në aspektin kohor e ka vlerësuar edhe nga mbarëvajtja e tij. 

“Momenti për koncertin humanitar ka qenë i duhur dhe i qëlluar dhe prandaj shprehim ngushëllimet të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre. Ne e bëmë atë çfarë mund të bëjmë dhe besoj që i gjithë koncerti ka qenë në një nivel shumë të mirë. 

Pas përfundimit të koncertit, mbrëmja ka vazhduar me një koktej rasti të organizuar në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’, pjesë e festivalit të Koresë së Jugut

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, të premten (20.09.2019),  do të udhëtojë për në Seul të Koresë së Jugut, për të marrë pjesë në Festivalin “Cheonean Folkore and Dance Festival”, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 29 Shtator.

Pas performancës së suksesshme në festivalin e madh të folklorit në Büyükçekmece të Turqisë, në të cilin Ansambli ynë është nderuar edhe me çmim të dytë, si dhe pas pjesëmarrjes në manifestimin tradicional “Festa e Themelimit”, që është mbajtur në Horë të Arbëreshëve (Sicili), Ansambli “Shota”, do të prezantojë kulturën dhe traditën shqiptare në Korenë e Jugut.

Festivali “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të grumbullojë ansamble nga kontinentet e ndryshme të botës, ndërsa Ansambli “Shota” është i vetmi Ansambël shqiptar, që do të jetë në garë më 17 shtete pjesëmarrëse (Rumania, Turqia, Polonia, Republika Çeke, Egjipti, Kenia, Bolivia, Ekuadori, Paraguai, Kolumbia, Meksiko, Indonezia, Uzbekistani, Malajzia, Tailanda, Palau- Oqeani).

Festivali i cili përveç garës kryesore të përformancës së përgjithshme,  përfshinë edhe kategori tjera garuese në: defile në rrugë dhe përformanca individuale, është njëkohësisht mundësi e shkëlqyeshme qe bota të njihet me kulturën shqiptare përmes “Shotës”.

“Cheonean Folklore and Dance Festival”, mbështetet nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit të Koresë, është një ndër festivalet më të mëdha në këtë vend dhe njëkohësisht anëtar i FIDAF (Federation of International Dance and Art Festivals).

“Shota”, në këtë festival do të shkojë për herë të dytë, pas pjesëmarrjes që kishte pasur në vitin 2011, në të cilën është nderuar me çmimin e tretë./KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon pulla postare me Ansamblin “Shota”

Posta e Kosovës lëshon të premten në qarkullim emisionin e pullave postare 70 Vjetori i ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota’”.

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” fillimisht është formuar si shoqëri amatore në vitin 1948, ndërkaq si ansambël i këngëve dhe valleve më 30 shtator 1950, që e bënte këtë ansambël njërin ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë.

Edhe pse qëllimi i themelimit të këtij ansambli ishte të ruajë trashëgiminë burimore kulturore në lëmin e këngëve dhe valleve popullore, si dhe të hulumtojë format e reja të përpunimit të artit popullor, për shkak të politikës diskriminuese ish-jugosllave, më 18 mars 1954 ndërpritet funksionimi i tij.

Me krijimin e kushteve, në mars të vitit 1964, ky ansambël është rithemeluar me emërtimin Ansambli Shtetëror “Shota”, i cili luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore të Kosovës.

Ansambli “Shota” afirmoi vlera të mirëfillta kulturore kombëtare siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike, me të cilat ky ansambël është prezantuar në më se 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet.

Nga viti 1994, ansambli funksionon me emërtimin e ri: Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat tona kulturore dhe kombëtare. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ansambli “Shota” nderohet me medaljen “Gjergj Kastrioti”

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur në një takim përfaqësues të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilët edhe i ka nderuar me medaljen “Gjergj Kastrioti”, për kontributin e dhënë përgjatë shumë viteve, shkruan KultPlus.

“Emblema e folklorit të Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për dekada me radhë ka shpalosur dhe promovuar thesarët më të çmuar kulturor të popullit tonë. Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, pata kënaqësinë e veçantë që sot ta nderoj këtë institucion identitar me medaljen ”Gjergj Kastrioti”, për kontributin e pashoq në ruajtjen e këngëve dhe valleve tradicionale, si dhe përfaqësimin dinjitoz të trashëgimisë dhe vlerave tona kulturore kudo në botë”, ka shkruar Haradinaj me këtë rast. /KultPlus.com

“Shota” parakalon në shesh

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, ka parakaluar sot në sheshin e Prishtinës për t’u ndalur më pas pranë shtatores së heroit për të interpretuar valle dhe këngë të ndryshme që pasqyrojnë historinë dhe traditat shqiptare.

Interpretimi i këngëve dhe valleve nge ansambli “Shota” ka zgjuar interesim të madh të qytetarëve, të cilët kanë përcjellë këtë eveniment.

Edhe pse ishte paralajmëruar se do të marrë pjesë, kryeministri Ramush Haradinaj nuk ishte i pranishëm.

2018-a është shpallur Viti i Skënderbeut në nderim të 550-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit të shquar të historisë kombëtare shqiptare, gjatë të cilit mbahen aktivitete të shumta kulturore, përcjell koha,net./ KultPlus.com

“Shota” mblodhi të gjitha trevat shqiptare në dasmën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premiera e shfaqjes “KUMT” nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, shkruan KultPlus. Koreografi Gjergj Prevazi ka kohë që ka marrë ftesë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” për të realizuar një koreografi për trupën e saj. Së fundi ai i është përgjigjur kësaj ftese dhe së bashku me anëtarët e trupës së “Shotës” kanë punuar në koreodramën të cilën e kanë titulluar “KUMT”. Një koreodramë e cila është realizuar për të shënuar edhe 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.

Shfaqja është ndarë në dy pjesë. E para është thirrja apo lindja e një rezistence dhe bashkimi shqiptar rreth Skënderbeut, ndërsa e dyta dasma e Skënderbeut. Shfaqje zhvillohet rreth heroit kombëtar Skënderbeut, një temë kjo sipas koreografit Prevazi shumë e trajtuar por njëkohësisht një e vështirë që ti qasësh pasi që ka të bëjë me figurën e heroit tonë kombëtar.

Pikërisht këtu ka lindur edhe sfida e koreografit dhe regjisorit të shfaqjes i cili ishte në kërkim të një formati më ndryshe por që nuk do largohej nga tradita shqiptare. “Gjithmonë kam qenë i mendimit që formacionet e tilla artistike si puna e ‘Shotës’, dhe ansambleve simotra të ‘Shotës’ kudo qofshin duhet që të përballen edhe me realitetet e ditëve të sotshme dhe jo vetëm të marrin përsipër trashëgiminë tonë kulturore jo materiale në këtë rast, pra këngët dhe vallet popullore. Një qasje më bashkëkohore karshi traditës, vlerave më të mira të folklorit tonë, ka qenë një sfidë e madhe por unë gjithmonë e kam këndvështruar sipas qasjes sime personale krijuese”, u shpreh ai për KultPlus.

Koreografi i cili në punën e tij dallohet për element bashkëkohore ka dashur që këto elemente ti sjellë edhe të “Shota”. Një ndërthurje në mes të fokusit që ka ky ansamble, kultivimit të folklorit dhe ruajtjes së vlerave tradicionale, dhe konceptit bashkëkohorë.

“Në këtë kuptim jam përpjekur që ti ofrojë publikut të Prishtinës një format të ri, siç e patë edhe ju i cili sot njihet si folku-bashkëkohorë, dhe është një format relativisht i ri edhe në skenën evropiane. Ai shfrytëzon elemente të folklorit por në konceptet e sotme dhe në këndvështrimet e shoqërisë së sotme”, theksoi ai.
Për valltarin Besnik Grajçevci, i cili solli Skënderbeun, pikërisht ky koncept “folk-bashkëkohor” ka dëshmuar se ansambli ka mundësi për të ofruar më shumë nga vetja e tij.

“Më këtë shfaqje Ansambli “Shota” dhe Trupa e Ansamblit “Shota” ka treguar që ka një brumë brenda vetës dhe pranon dhe mund të jap përtej kornizave të veta të rëndomta të cilat i kemi pasur ndër vite. Më këtë shfaqje ansambli Shota ka arritur që ti thyejë të gjitha barrierat e folkut dhe përgjegjësinë që e kemi si ansambël për ruajtjen e traditave dhe kultivimin e tyre. Sot e them me përgjegjësi se kemi hyrë edhe në përgjegjësi të teatrit, vallëzimit dhe të të gjitha sferave të kulturës dhe mendoj se ia kemi dhanë hakun ashtu siç duhet”, tregoi ai për KultPlus.

‘KUMT’ është koreodramë e punuar nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt, me muzikë të realizuar nga Valton Beqiri dhe kostumografe Vesa Kraja.
Muzika e cila zë një vend të rëndësishëm sidomos në pjesën e dytë ka qenë një sfidë të cilën nuk e ka marrë vetëm “Shota” por të gjithë që kanë punuar së bashku për të sjellë këtë shfaqje, u shpreh kompozitori Valton Beqiri.

“Në pjesën e parë muzika ka qenë e kompozuar enkas për këtë shfaqje. Në këtë rast roli i kompozitorit është që të jetë sa më afër kërkesave të koreografit dhe shfaqjes në përgjithësi. Muzika është ilustrative, mirëpo edhe si e vetme kjo muzikë mund të qëndrojë dhe kjo është një e mirë e kësaj pikë muzikore. Pjesa e dytë ishte live me orkestër, një dasmë e imagjinuar e Skënderbeut, të cilin ne fatkeqësisht nuk e kemi. Një Skënderbe i cili do ti afronte të gjitha trojet shqiptar, prandaj patëm edhe këngë dhe vallet nga të gjitha trojet. Një dasmë ashtu si e paramendojmë se një Skënderbe sot do të bënte , ku do të ftoheshin të gjithë shqiptarët nga cilido vend ku ata jetojnë”, tregoi ai për KultPlus.

Kujtojmë që ‘SHOTA’, më herët në këtë vit pati edhe një premierë tjetër, më saktësisht koreodramën ‘Lulet e Marsit’ , të autorit Xhemali Berisha, e cila u realizua për nder të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij./ KultPlus.com

“KUMT” premiera e re e Ansamblit “SHOTA”

Viti 2018 ishte shpallur si Vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Për nder të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjellë premierën e re “KUMT”.

‘KUMT’ është koreodramë e punuar nga koreografi i mirënjohur shqiptar, Gjergj Prevazi, i cili ka bërë gjithashtu edhe regjinë e kësaj shfaqjeje, nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt. Muzika është realizuar nga Valton Beqiri, ndërsa kostumografia nga Vesa Kraja.

Premiera e kësaj shfaqjeje do të mbahet më datë 26 shtator 2018, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 20:00.

Kujtojmë që ‘SHOTA’, më herët në këtë vit pati edhe një premierë tjetër, më saktësisht koreodramën ‘Lulet e Marsit’ , të autorit Xhemali Berisha, e cila u realizua për nderë të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij./ KultPlus.com

“Shota” nga Aarau e ndez atmosferën në Gjermani

Edhe një herë, festivali veror i Komisionit Ndërkombëtar që është vendosur në Lörrach, ka treguar diversitetin kulturor.

“Mirësevini” është varur mbishkrimi në skenë, në sheshin e tregut dhe në gjuhë të tjera duket më i vogël. Është një festival ndërkombëtar veror dhe Lörrach tregon anën e tij të larmishme. 16 tenda qëndrojnë rreth tregut që ofrojnë kënaqësitë e kuzhinës dhe oferta kulturore është e ndryshme. Disa njerëz qëndrojnë gjatë gjithë ditës, ku kontinentet takohen në mënyrë aq paqësore. Për shumë të tjerë, kuzhina shpesh e panjohur dhe kontributet artistike janë një ndryshim në rutinën e blerjeve.

Kryebashkiaku Jörg Lutz flet për karakterin familjar të këtij festivali veror. Në fakt, dikush e njeh veten edhe përtej kufijve të gjuhës. Yvonne Eyhorn, që organizon Festën e Komisionit Ndërkombëtar, zakonisht iu drejtohet grupeve dhe qiramarrësve të mirënjohur gjatë përgatitjes së festivaleve verore. “Ju e dini që mund të mbështeteni, gjë që e bën punën më të lehtë”, thotë ajo. Oferta nuk mund të jetë më e madhe. Tashmë disa tenda janë dyfish të okupuara. Pastaj nën një tendë është vendosur “Amnesty International” me një qendër të arsimimit profesional, të shkollës ruse në Lörrach. Caritasi gjithashtu është i përfaqësuar.

Për Yvonne Eyhorn festivali ndërkombëtar i verës është më shumë se një meny ekzotike me një zgjedhje në mes të Dolmades (fleta hardhie të mbushura me venë) dhe Nasi goreng (një lloj orizi indonezian). Festivali është gjithashtu politik dhe jo vetëm sepse tërheq vëmendjen për të përndjekurit nëpër vende të tjera. Përkundrazi, disa tenda më tepër mbështesin në mënyrë aktive projekte në vende përtej Evropës – si Namaste, një shoqatë e të shurdhërve që ndihmon në Nepal dhe që për shumë vite është njëra ndër mysafiret më të rregullta të festivalit veror.

Është festivali i 28-të i verës. Margarete Kurfess, këshilltare e të Gjelbërve, kishte qenë iniciatroja e kësaj feste. “Në fillim, gjithçka ishte shumë më modeste”, pohon ajo për “Badische Zeitung”, përcjell Albinfo.ch. Nuk kishte program kulturor dhe festivali zhvillohej vetëm çdo dy vite. Tani është një nga simbolet e Lörrachit dhe për programin kulturor kërkohen aktorë edhe përtej kufijve kombëtarë, gjë që nuk është aq e vështirë në Lörrach. Kurfess qëndron për djalin e saj në tendën e “Fufu Culture”, një shoqatë e themeluar në vitin 2016 me qëllim të përmirësimit të mundësive arsimore të popullatës në Togo. Fufu është një ushqim kryesor i Afrikës Perëndimore. “Edhe arsimi është i tillë”, thotë përfaqësuesi i djalit të saj, për këtë arsye ai themeloi klubin.

Gudrun Schubert i Fondacionit Schubert-Durand është krenar për çdo grua, çdo vajzë, të cilën mund ta integrojë atë në botën gjermane të punës. E mbushur me gëzim, ajo tregon për gratë që kanë arritur sukses edhe përkundër sfidave të tyre. Mbi të gjitha, fondacioni kujdeset për gratë që kanë të drejtën e qëndrimit, por që nuk marrin fonde shtetërore. Refugjatët nga Afganistani i përkasin asaj. Kryebashkiaku Lutz është i lumtur për këtë sepse “këta njerëz qëndrojnë këtu”.

Festa është gjithashtu një matës i integrimit. Në komunitetin katolik italian ka ëmbëlsira nga karrotat me një filtër kafeje gjermane, ndërsa eritreasit janë përkudjesur që klubi i tyre të vendoset në Stetten dhe jo në Loerrach. Pra, tashmë ekziston gjurma e ndjeshmërisë historike në qytet.

Kryebashkiaku i Lörrach në fjalimin e tij të hapjes thotë se diversiteti kulturor e pasuron qytetin. Programi kulturor magjeps, sjell një prekje të botës në Lörrach dhe Lörrach është duke bërë mirë. Përzierja e folklorit dhe e vallëzimit modern dhe e popit, edhe nxehtësinë e verës e bën të durueshëm. Kur Ben Meech, Kilja Bird Buira dhe Thiombane Beuz paraqiten muzikën e tyre, thjesht nuk ka rëndësi se nga ku ata vijnë dhe përse ata bëjnë muzikë të mrekullueshme. Një tjetër moment i mrekulueshëm është edhe shkolla e valleve shqiptare Shota nga Aarau, në kostume shumëngjyrëshe. Të rinjtë e moshës 16 deri në 30 vjeçare e prezantojnë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe i ftojë të gjithë vizitorët në një suitë të përbashkët të vallëzimit. Një moment emocional mbresëlënës.

Gjocaj rikthehet në krye të “Shotës” edhe për një mandat

Shefqet Gjocaj do t’i rikthehet karriges së drejtorit të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, nëse pas rizgjedhjes së tij të dytë për mandatin e dytë, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Drejtues i Ansamblit nuk kanë bërë shkelje të procedurave të rekrutimit.

Pasi kishte marrë mandatin e radhës, në prill të këtij viti, procedura nëpërmjet së cilës ishte zgjedhur kishte rënë në kundërshtim me Ligjin për shërbimin civil, shkruan sot “Koha Ditore”.

Asokohe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte detyruar Ministrinë e Kulturës që të anulonte krejt procedurën dhe konkursi për këtë pozitë të kthehej në pikën zero.

Por Gjocaj, sipas njoftimit të cilin MKRS-ja e ka bërë publik të hënën, ka dalë i pari në garë me 88.5 pikë. Kundërkandidatë të tij kësaj radhe ishin Agron Gërguri, Ylber Asllanaj, Haki Mulliqi, Arta Mulliqi, Mehmet Xhemajli, Blerinë Rracaj.

Gjocaj ka thënë se pret që kësaj radhe përfundimisht do të zgjidhet çështja e drejtimit të “Shotës” për katër vjetët e ardhshëm.

Sherri i Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të “Shotës”, ky institucion është tash e gati shtatë muaj pa drejtor./ KultPlus.com

Ansambli “Shota” merr çmimin e parë në “Vitosha Folk Fest 2018”

Ansambli kombëtar, “Shota” ka korrur përsëri suksese në festivalin “Vitosha Folk Fest 2018”.

Ata kanë arritur që të rrëmbejnë tre çmimet kryesore, duke filluar me çmimin e parë, koreografia më e mirë dhe muzika më e mirë.

Këtë e ka bëtë të ditur, Ylber Asllanaj përmes një postimi në “Facebook”

“Në konkurrencë jashtëzakonisht të fortë, në festivalin “Vitosha folk fest 2018”, ansambli ynë kombëtar i këngëve dhe valleve “SHOTA” edhe njëherë dëshmoi se është institucioni kulturor më reprezentativ në vend, duke rrëmbyer çmimet më të rëndësishme të këtij festivali ndërkombëtar me traditë siç janë :

Best Koreografi

Best Music dhe

Festival 1-st Prize

Me admirim të madh i uroj nga zemra të gjithë ata të cilët me përkushtim djersë e sakrificë kontribuan që të arrihet ky sukses i rëndësishëm i shtetit tonë!

Urime nga zemra Trupës Artistike të ansamblit dhe gjithë atyre që i gëzohen sukseseve të KOSOVËS!” shkruhet në postim./ KultPlus.com

Tubim Përkujtimor dhe shfaqje të dokumentarit, kushtuar koreografit shqiptar Agron Bajrami në Prishtinë

Nesër në ambientet e Kinemasë ABC në Prishtinë, mbahet Tubimin Përkujtimor për koreografin dhe drejtorin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit SHOTA në Zvicër, Agron Bajramin, i cili u nda nga jeta me 12 mars 2018 në moshën 54 vjeçare.

Ai ishte edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte piktor në teknikën pirografi dhe punoi si kameraman e montazhier në një televizion zviceran.

Në këtë Tubim Përkujtimor, do të përkujtohet puna, veprimtaria dhe kontributi i Agron Bajramit për kulturën shqiptare me Shkollën Shqipe të Vallëzimit SHOTA, të cilën ai e themeloi në vitin 1993.

Me këtë rast do të shfaqet edhe filmi dokumentar kushtuar Agron Bajramit me titull “Të mësohemi të ecim shqip” realizuar nga Llesh Nikolla.

Tubimi Përkujtimor mbahet më 23 mars në Kinemanë ABC-Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00.

Tubimin Përkujtimor e organizon Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota» nga Zvicra në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturo-Artistike «Bajram Curri» nga Prishtina./ KultPlus.com

Shefqet Gjocaj edhe për një mandat udhëheqë Ansamblin “Shota”

Tërheqja e audiencës në moshë të re e realizimi i së paku dy projekteve kapitale – për të cilat “Shota” s’ka buxhet të mjaftueshëm – e këmbëngulja për ta amendamentuar Ligjin për Ansamblin Kombëtar të Këngëve e Valleve, janë pjesë e vizionit të Shefqet Gjocajt për mandatin e tij të dytë në krye të këtij institucioni.

Gjocaj ka dalë fitues i konkursit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit me 77.9 pikë të fituara, duke mposhtu pesë kandidatë të tjerë që ia kishin mësyrë këtij posti.

Të martën pasdite, në ambiente të institucionit që do ta udhëheqë edhe katër vjet, Gjocaj ka shpalosur planet e tij për “Shotën”, që sivjet i ka vetëm 165 mijë euro buxhet, përgjysmë më pak sesa kërkesa prej 347 mijë eurosh drejtuar MKRS-së në fund të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

“E di që ndarja e buxhetit në vazhdimësi është paushall, mirëpo shpresoj shumë për faktin që ministri i Kulturës, në një takim vitin e kaluar ka premtuar që do t’i mbështesë dy projekte: blerjen e instrumenteve dhe projektin e arkivit”, ka thënë Gjocaj. Për blerje të instrumenteve “Shota” ka kërkuar 42 mijë euro, aq sa ka kërkuar edhe për investime kapitale.

Për subvencionim të projekteve kishte kërkuar 225 mijë euro, derisa 8 mijë për rinovim të sallës së vallëzimit. E krejt këto zor se do të realizohen, duke qenë se ky institucion, siç u bë e ditur në gjysmën e muajit të kaluar, për sivjet do ta ketë buxhetin e njëjtë me atë që kishte për 2017-n./ KultPlus.com

“Shota” në pritje të drejtorit, akuza për ndërhyrje politike

Katër kandidatë për drejtor të ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota” janë intervistuar të mërkurën. Shefqet Gjocaj, Mehmet Xhemajli, Arta Mulliqi dhe Sevdije Ajeti i janë përgjigjur Këshillit Drejtues. E dy prej atyre që ia kanë mësyrë kësaj pozite, Agim Gëguri e Dilaver Kryeziu, nuk janë ftuar fare.

Pikërisht ky i fundit ka akuzuar se në rastin e tij ka ndërhyrje politike. Këshilli Drejtues i këtij institucioni ka marrë vendim të mos e ftojë Kryeziun për intervistim, për shkak të vendimit të komisionit disiplinor të vitit 2012 që kishte të bënte me rastin e kamerave, për të cilën gjë ai u shkarkua nga pozita e drejtorit. Tash koreografi Kryeziu me ankesën për përjashtim nga gara, ka mbërritur deri në Inspektoratin e Punës të Regjionit të Prishtinës.

Konkursi për drejtor të “Shotës” qe mbyllur më 29 janar, për t’u vazhduar për shtatë ditë, për të arritur pranimin e balancuar të aplikacioneve nga aspekti gjinor dhe etnik. E prej datës 5 të muajit shkurt, e deri të mërkurën pasdite nuk është marrë vendimi se kush do të udhëheqë me “Shotën”, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com

Ansambli “Shota”, mbrëmë solli një koncert të fuqishëm artistik në TKK (FOTO)

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, mbrëmë solli një koncert të pasur artistik i cili ishte titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ky koncert barte dedikime të rëndësishme që lidhen me historinë e kombit shqiptar, pasi që mbrëmë ky koncert iu kushtua edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së.

Të gjithë që ngjiteshin në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës bartnin një mesazh të veçantë të simbolikës së këtij koncerti festiv, me veshje kombëtare të interpretuesve, e shqiponjën që reflektohej mbi njërin skaj të skenës, të krijonte ndjesinë e vërtetë të një festë të madhe kombëtare dhe të rikujtimit të përpjekjeve heroike të Adem Jasharit dhe UÇK-së. Tingujt, zëri, lëvizjet e trupit e të instrumenteve që vinin në një koordinim më njëra-tjetrën krijonin një harmoni të përsosur ku dukej që gjithçka po frymonte shqip.

“Mora Fjalë” e interpretuar nga Sarandë Aliu, ishte një nga këngët e para që në këtë koncert i kushtohej Adem Jasharit, e që arriti të nxjerrë emocionet e publikut që më shumë përkushtim e duartrokitje po e përcillnin këtë program. Po ashtu këngë dedikuar figurës historike të Adem Jasharit, solli edhe këngëtarja Majlinda Cikaqi me interpretimin e këngës “Po ku je, heu, burrë i dheut”, dhe më pas dhe grupi polifonik “Bilbili”, me interpretimin e këngës “Cili je ti more burrë”. Grupi polifonik “Bilbili” erdhi nga Vlora për ta pasuruar këtë program me interpretimin e dy këngëve.

Dukej se koncerti arrti kulmin me këngën “Heu Drenicë, heu trungu i lisit” që erdhi në interpretimin e Denik Prizrenit, e që plotësohej mrekullueshëm nga kori i ansamblit, i cili dirigjohej nga Ylber Asllani. Emocionet u shumëfishuan në momentin kur njëri nga pjesëtarët e ansamblit solli flamurin kuq e zi në skenë.

Po ashtu Trupa e Ansamblit “Shota”, prezantoi tri valle të fuqishme të cilat erdhën në koreografinë e Fehmi Shaqirit, vallja “Festa e Bashkimit” është ajo që bëri publikun të krijonte një muzikalitet edhe më të fuqishëm përmes duartrokitjeve të ngadalta, e shpesh fishkëllimave të zgjatura. Të gjithë interpretuesit u pritën dhe u përcollën me orkestrën që qëndroi pa lëvizur në skenë. Kjo valle arrin në momentin më të bukur kur pasi burrat përfundojnë vallen e tyre, vihen përballë njëri tjetrit dhe me duart e ngritura lart duartrokasin lojën e valltareve të cilat të vendosura në një rreth lëvizin lehtë duart e tyre. Plisi dhe shamia e kuqe ishin dy simbole që nuk u mungonin pothuajse asnjërit nga interpretuesit.

Po ashtu me interpretime të fuqishme erdhën edhe këngëtare e njohur si Violeta Kukaj–Retkoceri, Mirvete Bajrami- Haziri, Riza Bytyçi e Liridon Sadriu.

Koreografi Fehmi Shaqiri tha për KultPlus, se edhe pse ka një jetë që merret me art, kjo natë i solli emocione të jashtëzakonshme.

“Në nëntor kemi dy tregime shumë të mëdha, nëntori për ne është histori, është gjakosje për atë liri që në mënyrë të padrejtë na e kanë mohuar. Kam tetë vite që punoj me “Shotën” dhe më bëhet shumë qejfi sepse ishin kombinuar shumë bukur edhe me vokalin pasi që Ylber Asllani ka punuar jashtëzakonisht mirë. Programi ka qenë shumë mirë i menaxhuar sepse nuk është e thjeshtë që koncerte tematike të momente të tilla siç është Pavarësia e vendit apo figura historike si është heroizmi i Adem Jasharit dhe e them me sinqeritet se kam një jetë që kam kaluar me art por sonte jam emocionuar jashtëzakonisht shumë. Në Kosovë gjej një mbështetje të jashtëzakonshme dhe është një ndjenjë e përkryer të punosh me ansamblin “Shota”, puna e tyre është vërtetuar edhe me trofetë ndërkombëtare që kanë marr ata dhe janë pikërisht këta që përfaqësojnë kulturën kombëtare të gjithë kombit”, pohoi Shaqiri, duke vazhduar të thotë se edhe pse ka shumë vite që punon me valltarët këtë natë ishte i magjepsur nga loja e tyre.

“U ndjeva jashtëzakonisht i kënaqur dhe ndonjëherë më hidhej të ngjitesha në skenë dhe t’i përqafoja të gjithë”, tha përplot emocion koreografi Shaqiri.

Drejtori artistik i këtij programi, Ylber Asllani tha për KultPlus, se ansambli “Shota” edhe me këtë koncert e dëshmoi që dita e ditës po rritet në aspektin kualitativ mirëpo ai po ashtu theksoi se kjo mbrëmje do duhej të vinte pikërisht në Ditën e Flamurit, gjë që atyre u pamundësohet për shkak të mungesës së një salle.

“Ansambli si ansambël shtetëror e ka strukturën e vet dhe organizimi nuk është aspak probleme për neve, problemi ynë kryesor është salla sepse gjithmonë duhet të kërkojmë lejë. Nuk varet preje neve se ku dhe kur do ta bëjmë koncertin, është një detaj i vështirë për neve për arsye se ky koncert i konceptuar në këtë mënyrë ishte dashur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të transmetohet drejtpërdrejt. Ansambli po rritet dita e ditës në aspektin kualitativ dhe veçantia e këtij koncerti është gjithnjë reagimi i publikut për punën tonë për fat të mirë ne artistët dimë të ngopemi me ato duartrokitje më se të domosdoshme për neve sepse ansambli nuk paguhet aq sa duhet përkundër punës që e bën”, tregoi Asllani për KultPlus.

Valltari Besnik Grajçevci tregoi për KultPlus, disa detaje rreth organizimit të këtij koncerti ndërsa theksoi se sonte çmimi më i madh që morën janë duartrokitjet e publikut.

“Ansambli “Shota” është në kontinuitet të punës së përhershme mirëpo gjithmonë para eventeve të caktuara këshilli artistik e përpilon programin i cili duhet t’i përshtatet karakterit të manifestimit dhe mbi atë përgatitje dhjetë ditë bëjmë përgatitje teknike, komisionale dhe artistike për nivelin e duhur që prezantuam sot. Jemi munduar që edhe në këtë program t’i përmbahemi qëllimit të festes së 28 Nëntorit, daljes publike të UÇK -së dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit. Për artistin çmimi më i madh është duartrokitja e publikut, andaj mendojmë që sonte kemi sjellë emocion dhe kemi shprehur vlera që publiku u nda i kënaqur dhe ka festuar me zemër”, tha Grajçevci për KultPlus.

Koncerti i radhës nga ansambli “Shota” do të shfaqet në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com

“Shota” sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, sonte, e diele 26 nëntor, do të sjellë koncertin festiv të titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Ky koncert i kushtohet edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së, ndërsa do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 20:00, në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në këtë koncert do të performojë trupa artistike e Ansamblit “Shota” dhe pjesëtarët e grupit polifonik “Bilbili” nga Vlora.

Përveç në Prishtinë, Ansambli do të shfaqë program edhe në Gjakovë, me datë 24 Nëntor dhe në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com