Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Rita Ora, ka lansuar këngën e saj të re “Heat”.
“Heat” është një këngë ritmike e cila pritet të shëndrrohet në një hit veror.
Nuk është rastësi që “Heat” lansohet pikërisht në ditën kur Rita performon në World Pride Music Festival në Washington, D.C. Me gjithë energjinë dhe ngjyrën që sjell, kjo këngë duket si krijuar për skenën e atij festivali – dhe për aplikacione si Grindr, shkruan Official Charts.
Kënga është prodhim i Peter Thomas, i njohur për bashkëpunimet me yllin e popit alternativ Betty Who, ndërsa në tekst kanë kontribuar edhe Troye Sivan dhe Leland – ky i fundit njihet për sukseset e tij me këngë si “1999” nga Charli XCX dhe Troye, “Rare” nga Selena Gomez, apo “Kings & Queens” nga Ava Max.
Një përvojë unike artistike dhe kulturore do të përjetohet në Tiranë nga data 9 deri më 12 qershor, në kuadër të Javës Kulturore Izraelite, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare të organizuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Nga teatro kukullash, te kërcimet që rishkruajnë marrëdhënie njerëzore, dhe te tingujt shpërthyes të një grupi rock-u që shpërndan mesazhe paqeje, publiku do të mund të shijoje një eksperienë ndryshe.
Dita e parë e Javës Kultuorore Izraelite hapet më 9 qershor, në Teatrin e Kukullave me shfaqjen “When All Was Green” nga Dikla Katz dhe Avi Zlicha, që rrëfen historinë e një djali dhe një peme. Duke përdorur libra të vjetër, kopertina të ricikluara dhe faqe të zverdhura, artistët ndërtojnë një univers ku fëmijëria dhe natyra takohen me betonin e gri të qyteteve moderne. Me 16 çmime ndërkombëtare dhe me turne në më shumë se 30 vende të botës, kjo shfaqje prek çdo publik pa përjashtim, sepse përçon mesazhe të thella pa asnjë fjalë, duke komunikuar përmes emocioneve dhe artit të lëvizjes. Pas kësaj shfaqje, artistët e Teatrit të Kukullave do të udhëheqin një workshop interaktiv për fëmijë dhe të rritur.
Ndërsa më 11 qershor, një skene e vendosur te instalacioni Reja, do të elektrizohet me koncertin e “Orphaned Land”, një nga legjendat më të shquara të rock. Ky grup izraelit, themeluar në vitin 1991, ka përdorur muzikën si mjet për të përhapur mesazhe paqeje dhe bashkimi mes kulturave. Me pesë albume dhe fansa nga Lindja e Mesme deri në Evropë e Amerikë, “Orphaned Land” ka fituar çmime ndërkombëtare për përpjekjet e tyre që japin mesazhe paqeje. Shumë fansa kanë nisur edhe një peticion për t’u dhënë atyre Çmimin Nobel për Paqe.
Java Kulturore Izraelite do të mbyllet më 12 qershor, me baletin modern “I carry you hold” nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton që do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky duet eksploron marrëdhëniet midis një gruaje dhe një burri ku nuk ekziston pushteti apo nënshtrimi. Bëhet fjalë për një dialog trupor të ndërtuar me delikatesë dhe intensitet, që reflekton mbi barazinë, ndjeshmërinë dhe emancipimin.
Të gjitha aktivitetet janë të hapura dhe falas për publikun, duke ofruar një mundësi që jo shpesh herë përjetohet. Pas Izraelit, radhën do ta ketë Java Kulturore Suedeze e cila nis me datë 13 qershor dhe që premton një eksperiencë po aq unike sa edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse në Javët Kulturore Ndërkombëtare./ (BalkanWeb)/ KultPlus.com
Në një epokë që endet mes shpresës për përparim dhe ankthit për humbjen e thellësive shpirtërore, letra e Gëtes drejtuar mikut të tij të ngushtë, kompozitorit Carl Friedrich Zelter, është një dëshmi e rrallë e vetëdijes kritike ndaj frymës së kohës. Shkruar më 6 qershor 1825, kjo letër është më shumë se një korrespondencë personale: është një reflektim i thellë filozofik dhe kulturor mbi simptomat e modernitetit të hershëm, mbi krizën e autenticitetit dhe humbjen e ekuilibrit midis përparimit të jashtëm dhe pjekurisë së brendshme.
Në këtë rrëfim të sinqertë, Gëte përshkruan me një ton të kthjellët e pakompromis një botë që ka filluar të vrapojë më shpejt se mendimi, ku entuziazmi i të rinjve rrëmbehet përpara se të piqet, ku pasuria dhe shpejtësia shndërrohen në vlera të vetme referuese. Ironia e hollë e Gëtes nuk është vetëm ndaj ritmeve të reja të kohës – të mishëruara në simbolet e modernitetit si hekurudhat apo anijet me avull – por edhe ndaj një lloj mediokriteti kulturor që, në emër të universalitetit dhe aksesit të gjerë, shpërfill thellësinë, mjeshtërinë dhe përkushtimin shpirtëror ndaj dijes dhe artit.
Ai përçmon tejkalimin e përhershëm, këtë prirje “ultra”, që s’e njeh më masën, s’e ndjek më esencën, që ndjek verbërisht veprimin pa njohje të temës. Thjeshtësia, dikur virtyt, është zëvendësuar nga një lloj uniformiteti i zhurmshëm, ku gjithçka zhveshet nga përmbajtja për t’u bërë vetëm funksion.
Kjo letër, e shkruar në moshën e pjekurisë së vonë të Gëtes, është gjithashtu një testament i një epoke që e ndjen veten në mbyllje – një përshëndetje ndaj një bote të vlerave të brendshme, ndaj një arti dhe jete që nuk është vetëm shpejtësi, por edhe qëndrim, që nuk është vetëm rrugëtim, por edhe reflektim. Ajo na vjen si një thirrje për vetëdije dhe kthim te vetvetja, në një kohë kur gjithçka rrezikon të bëhet zëvendësim, jo përmbajtje.
Në kontekstin e sotëm, letra tingëllon më aktuale se kurrë, si një kujtesë për të mos e lënë shpirtin në hije ndërsa trupi dhe bota nxitojnë përpara. Është një ftesë për ta ripërtërirë ndjeshmërinë, për ta ringjallur ndjenjën ndaj thelbit, për të ruajtur atë “mendje me të cilën kemi ardhur deri këtu” – e cila, sipas Gëtes, është mbase e fundit e një epoke që nuk do të rikthehet më.
***
(…) Nuk mund të përfundoj pa iu referuar sërish asaj muzike të mbingarkuar; por gjithçka, i dashur Mik, në ditët e sotme është ultra, gjithçka kapërcen përherë në mendime si në veprim. Askush nuk e njeh më veten e tij, askush nuk e kupton elementin në të cilin lëviz dhe punon, askush nuk e kupton temën që trajton. Thjeshtësia e pastër nuk bëhet fjalë; të thjeshtë kemi mjaft.
Të rinjtë entuziazmohen shumë herët dhe më pas rrëmbehen në vorbullën e kohës. Pasuria dhe shpejtësia janë ato që bota admiron dhe ato që të gjithë përpiqen të arrijnë. Hekurudhat, postat e shpejta, anijet me avull dhe çdo lloj lehtësie të mundshme në mënyrën e komunikimit, janë ato që bota e arsimuar ka në sy, që ajo të mund të mbiedukojë veten dhe në këtë mënyrë të vazhdojë në një gjendje mediokriteti. Dhe është, për më tepër, rezultat i universalitetit, që një kulturë mediokre duhet të bëhet e zakonshme; ky është qëllimi i Shoqatave Biblike, i metodës Lancasteriane të mësimit, dhe unë nuk e di se çfarë përveç kësaj.
E thënë siç duhet, ky është shekulli i burrave me kokë mbi shpatulla, për burrat praktikë me perceptime të shpejta, të cilët, për shkak se zotërojnë njëfarë shkathtësie, ndjejnë epërsinë e tyre ndaj shumicës, edhe pse ata vetë mund të mos jenë të talentuar në shkallën më të lartë. Le të mbajmë, sa të jetë e mundur, atë mendje me të cilën kemi ardhur deri këtu; ne, dhe ndoshta disa të tjerë, do të jemi të fundit të një epoke që nuk do të kthehet më kaq shpejt.
* Carl Friedrich Zelter (11 dhjetor 1758 – 15 maj 1832) ishte një kompozitor, dirigjent dhe mësues gjerman i muzikës
“Bukë dhe zemër” (Bread & Heart Festival) emërtohet festivali që bashkon në Tiranë mbi 150 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore.
E konsideruar si një ngjarje e re europiane, ky festival mbledh bashkë arkitektët që punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët e tyre lokalë dhe të ftuarit e tyre, që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës, për të ndarë eksperiencat, diskutuar sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme, si edhe kontribuar për formulimin e politikave dhe masave në funksion të transformimit të madh të vendit tonë, si Europa e Ballkanit.
Në fjalën e mbajtur në këtë event, kryeministri Edi Rama vlerësoi se ky festival e fut Shqipërinë në një tjetër hartë prestigjoze të Europës, duke krijuar premisat që në disa vjet nga sot, “Bread & Heart” Festival të kthehet në një eveniment prestigjioz global, me arkitekturën në qendër, por me një perimetër gjithnjë e më të gjerë disiplinash të përfshira në debat.
Rama tha se “të gjithë e dimë se Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para apo me shkëlqime, por i tërheq me një gjë shumë më të vështirë për t’u përkufizuar, por të pamundur për t’u falsifikuar”.
“I tërheq me besimin e përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimin që mund të mbartet jo vetëm këtu, por sidomos këtu. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, diçka ende e lirë në mënyrë të pabesueshme. I lirë nga konforti i rregulloreve që nuk mbysin”, shtoi Rama.
Ndërsa festivali mblidhet në Tiranë në një ditë Bajrami, kryeministri theksoi se ky festival në mënyrën e vetë është një Bajram shpirti.
“Është një akt i hedhjes së hapave përpara, jo për të dominuar tokën, por për ta dëgjuar. Jo për t’u imponuar, por për të përfytyruar së bashku. Jo për të sakrifikuar një vizion për një tjetër, por për t’i lënë egot tona që diçka e përbashkët, diçka më e madhe të lindë në vend të tyre”, tha Rama.
Dhe nëse kjo duket rastësi, Rama nënvizoi bërjen bashkë të një nisje të re dhe një dite të shenjtë.
“Më duhet të them se kam bërë shumë rrugë në çdo kuptim dhe mirë a keq nuk besoj në rastësi. Dhe ju ftoj secilin prej jush të ndieni lidhjen midis kësaj dite dhe kësaj aventure të re për ta marrë këtë konvergjencë të pangjashme jo si rastësi, por si bekim”, tha Kryeministri Rama.
Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë, ai zbuloi se në detin e madh të të pavetëdijshmes ekziston identiteti ynë personal, por edhe një trashëgimi universale që ka të bëjë me të gjitha qeniet njerëzore. Dhe një rrëfim për përplasjen me Freud-in, që e vuri dishepullin para dilemës: të ishte besnik i mësuesit, apo besnik i idesë?
Pak mendimtarë kanë patur ndikim mbi mendimin e shekullit 20 si Carl Gustav Jung. Mendimi i tij është shumë më popullor, nga sa mund të mendohet. Dhe shumë nga termat që ai krijoi, kanë hyrë tashmë në hapësirën e gjuhës së zakonshme. Kur themi, për shembull, se Inspektori Montalbano ka fytyrën e Zingarettit, dhe që tani kushdo që lexon romanet e tij sheh atë fytyrë, ne përdorim konceptin e të pavetëdijshmes kolektive në një mënyrë sipërfaqësore, por jo plotësisht të gabuar. Dhe kur pyesim veten se kush ishte futbollisti më i madh I të gjitha kohërave, Pelé apo Maradona, ne në të vërtetë po aplikojmë një koncept Jungian. Në fakt, po kërkojmë arketipin e futbollistit, atë figurë të fundme dhe të padiskutueshme që mund të mishërojë në sytë e të gjithëve konceptin e “futbollit”. Fjalë dhe ide të tilla si arketipi, energjia simbolike, e pavetëdijshmja kolektive dhe madje edhe introvert e ekstrovert (konceptet e prezantuara nga Jung në veprën e tij Tipas Psikologjike të 1921) kanë lënë prej kohësh horizontin e vogël të literaturës specialistike, për të mbërritur në oqeanin e gjerë të gjuhës së përditshme.
Përpara Freud-it
Jung lindi në Kessvil, Zvicër, më 26 korrik 1875 dhe pati një fëmijëri të lumtur. Ai nuk ishte një fëmijë i shoqërueshëm dhe megjithëse ishte i aftë për marrëdhënie normale, nuk e kishte problem të luante vetëm. Në moshën njëzet vjeç u regjistrua në mjekësi në Universitetin e Bazelit. Nëse është e vërtetë që ndonjëherë teza e diplomimit zbulon interesa që do të mbesin për gjithë jetën, Jung është një shembull i përsosur.
Punimi i tij, botuar në vitin 1902 nën titullin “Psikologjia dhe patologjia e të ashtuquajturave fenomene okulte”, zbulon interesimin e Jung-ut për atë që nuk mund të shpjegohet vetëm me logjikë. Nga fenomenet okulte të vitit 1902, tek komentimi i Librit Tibetan të të vdekurve, Ching, alkimia, UFO-t, Jung ka qenë gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka që shkonte përtej logjikës perëndimore. Pas tezës së diplomës, për Jung-un u hapën dyert e një karriere të shkëlqyer akademike. Gjatë kësaj periudhe, vepra më e rëndësishme është “Psikologjia e dementia precox”, 1907, një studim kliniko-teorik që përpiqej të propozonte mënyra të reja për të trajtuar problemin e demencës së hershme. Pastaj erdhi takimi me Frojdin dhe mendimin e tij.
Takimi me Freud-in
Puna e Jung me pacientët me çrregullime mendore e bëri atë të vëmendshëm ndaj botimeve që ofronin mënyra të reja për të trajtuar këtë lloj sëmundjeje. Duke reflektuar mbi shkrimet e Freud-it, Jung-u u bind për vërtetësinë e teorive të tij dhe i shkruajti duke shprehur admirimin e vet. Më 1907 të dy më në fund u takuan. Freud-i ishte 51 vjeç dhe Jung-u 32 vjeç. Diferenca në moshë bëri që Freud-I ta konsideronte Jung-un pothuajse si një djalë, ose të paktën një dishepull të ri dhe shumë të zotë. Në vitin 1909, pas vetëm dy vjetësh njohje, Jung-u shoqëroi Freud-in në udhëtimin e tij të famshëm për në Shtetet e Bashkuara. Dhe ishte gjatë udhëtimit me anije, që marrëdhëniet midis të dy filluan të pësojnë çarje.
E pavetëdijshmja kolektive
Kontrasti midis Freud-it dhe Jung-ut shpërtheu në vitin 1912 me botimin e “Libido: simbole dhe transformime”, vepër që u rishikua më pas në formën e saj përfundimtare në vitin 1952, dhe u botua nën titullin “Simbolet e Transformimit”. Në këtë vepër, Jung-u prezantoi rezultatin e rrugëtimit të tij teorik dhe studimeve të zgjeruara, nga individi tek historia kolektive e njerëzimit.
Për Jung-un, ekzaminimi i shprehjeve të ndryshme filozofike, kulturore dhe fetare të njerëzimit tregonte se, përveç individit të pavetëdijshëm ekziston edhe një e pavetëdijshme kolektive, e cila bashkon qeniet njerëzore dhe shprehet në arketipet, domethënë në ato figura të qarta dhe të paqarta që mishërojnë një koncept dhe të cilat mund të pikasen menjëherë: Nëna, Fëmija, Heroi, Shenjti, Shëruesi. Për Jungun, qenia njerëzore është e thirrur të ndjekë një rrugë të rritjes së brendshme, të cilën ai e quan individualizim. Eshtë një proces personal që na lejon të identifikojmë egon tonë, duke u përballur me vetveten si me individin ashtu edhe me të pavetëdijshmen kolektive. Për Jung-un, pra, psikika ka një projekt, dhe një psikikë e shëndetshme është ajo që identifikon dhe ndjek qëllimin e saj përfundimtar.
Përseja e konfliktit
Mbi bazën e këtyre reflektimeve, Jung-u dhe Freud-I hynë në konflikt, edhe sepse në mes ishte mënyra se si duhej kuptuar epshin. Për Freud-in identifikohej në ngasjen seksuale. Ishte shtytja për diferencimin seksual dhe kënaqja e nevojave të individit. Dhe sipas tij, psikoanalizës i duhet të studojë nxitjet seksuale, sepse epshi fsheh mesazhet e të pandërgjegjshmes. Për Jung-un kjo ishte kufizuese. Ai nuk mund të pranonte që çdo krijimtari artistike ose filozofike buronte nga seksualiteti.
Kjo është arsyeja pse ai foli për simbolet dhe transformimet. Për të, u bë e domosdoshme të zgjerohej koncepti i epshit, në mënyrë që të përfshihen elementë të tjerë që përbëjnë të ashtuquajturën “energji psikike”. Për Jung-un, në të vërtetë, ekziston një energji psikike që shndërrohet dhe shprehet përmes një “funksioni simbolik”. Ky funksion, me pak fjalë, është aftësia për të përpunuar konceptet dhe shtytjet individuale, duke i shndërruar ato në simbole, domethënë në shenja “që tregojnë diçka tjetër”. Historia e Jung-ut është histori e një dishepulli, i cili përballet me një zgjedhje: të jetë besnik i mësuesit, apo besnik i idesë? Freud-i kishte sjellë në jetë psikanalizën, por tani ajo ishte më e rëndësishme se vetë Freud-i dhe Jung-u ndjeu se ishte detyra e tij, që ta bënte të rritej përtej themeluesit.
Alkimia dhe misticizmi
Koncepti i “transformimit” e mahniti Jung-un, i cili pyeste veten se si, në shekujt para zbulimeve të para të Freud-it, energjia psikike, gjithnjë e pranishme tek njeriu, kishte gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe nëse, në histori, mund të gjendeshin shembuj të tjerë “individualizimi”. Ky interes e shtyu atë të studionte Alkiminë, duke e konsideruar jo si paraardhëse të kimisë, por si mënyra për shndërrimin e Vetes, që sipas Jungut, ishte qëllimi përfundimtar i jetës psikike. Krahas Alkimisë, Jung-u identifikoi një rrugë tjetër me të cilën njeriu kishte udhëtuar duke kërkuar – pa qenë i vetëdijshëm – vënien në praktikë të procesit të identifikimit të vetvetes, gjegjësisht mistikës dhe veçanërisht asaj lindore. Jashtë një rrethi të vogël specialistësh, Jung-u ishte ndër të parët që u interesua për tekstet e lashta fetare siç është “Libri Tibetan i të Vdekurve”, i cili tregon rrugën që shpirti njerëzor merr në jetën e përtejme, dhe Ching, një traktat të artit hyjnor kinez, qëllimi i të cilit është të tregojë ndërlidhjet midis njeriut dhe kozmosit, për të nxjerrë mësime që duhen zbatuar në jetën aktuale.
Struktura e Personalitetit
Për Jungun, struktura e psikikës është Personi – Hija – Animus – Anima
Personi është uni personal
Hija është përfaqësimi i shtytjeve dhe dëshirave të fshehta të të pandërgjegjshmes
Animus është imazhi mashkullor i pranishëm tek femra
Anima është imazhi femëror i pranishëm tek mashkulli.
Bashkimi i gjithë këtyre të çon tek Vetja, ose shprehja e plotë e personalitetit. Një vizion i tillë shkaktoi skandal, sepse pohimi që tek çdo burrë ishte i pranishëm edhe një aspekt femëror binte ndesh me maskilizmin e shoqërisë së kohës së tij.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se kjo festë po ashtu është për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë.
“Gëzuar e me fat Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë!. Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin. Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri. Andaj ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë. Uroj që kjo ditë t’ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot!”, shkruan Kurti.
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë ka mbyllur edicionin e pestë, ndërsa çmimin e parë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Shkodrës, me shfaqjen “Matilda”.
Ky festival bëri bashkë artistë të vegjël nga gjashtë qytete si Berat, Dimal, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës, të cilët performuan çdo natë në skenë me shfaqjet e tyre. Artistë të moshës 5-15 vjeç u ngjiten në skenën e qytetit muzeal për katër netë me radhë, duke dhuruar emocione të papërshkrueshme për spektatorët.
Çmimin e dytë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Elbasanit dhe çmimin e tretë e fitoi trupa teatrale e fëmijëve të qytetit të Beratit me shfaqjen “8 persona + 2”.
Ky festival organizohet nga Drejtoria e Turizmit dhe Aktiviteteve, bashkia Berat për të pestin vit radhazi dhe kjo është jo vetëm një mundësi e mirë shkëmbimi kulture dhe traditash mes qyteteve, por ka si qëllim edhe promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël drejt qendrave kulturore për fëmijë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Kurban Bajramin: Ajo tha se Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh.
“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për paqe, harmoni dhe begati në çdo familje. Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit”, thuhet në urimin e saj.
Sipas saj, Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh.
“Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, tha Osmani.
Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy E kengë që ti lehte mund t’i kendosh atëhere …
Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh Për të gjetur shpresën që të kap për dore Për të gjetur dorën që ti ke braktisur Atëhere …
Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri Atëhere …
Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim Atëhere…
Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho ka treguar emocionet e saj pas një vizite të ngrohtë në Kosovë, ku u prit nga autoritetet më të larta të shtetit.
E shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj dhe stafi i ambasadës, Jaho zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku.
“Bisedat me ta ishin shumë të ngrohta dhe plot shpresë për të ardhmen e kulturës sonë,” shkroi Jaho në rrjete sociale.
Ajo theksoi rëndësinë e ndërtimit të një shtëpie të re opere në Kosovë, duke u shprehur se kjo do të jetë një vend ku do të këndojë shpirti i gjithë Kosovës.
Artisja falënderoi të gjithë për mikpritjen dhe shprehu besimin se arti do të vazhdojë të bashkojë njerëzit dhe kombet./KultPlus.com
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer edhe në një destinacion të turizmit të vrojtimit të shpendëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografinë e realizuar nga Leonard Dauti, i cili u prezantua në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.
“‘Wanderlust in Albania 2’ sjell foton ‘Lagunës së Karavastasë’, e realizuar nga Leonard Dauti. Fotografia pjesëmarrëse në kategorinë ‘Peizazhe’ në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video Reels ‘Wanderlust in Albania 2’, pasqyron natyrën e mrekullueshme të lagunës, duke ftuar të gjithë në një udhëtim eksplorues në një nga zonat më të bukura natyrore të Shqipërisë.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Një prej tyre ishte edhe imazhi i fotografit Leonard Dauti, i cili zgjodhi promovimin e Lagunës së Karavastasë, një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.
Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.
Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com
Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë ka mbyllur edicionin e pestë, ndërsa çmimin e parë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Shkodrës, me shfaqjen “Matilda”.
Ky festival bëri bashkë artistë të vegjël nga gjashtë qytete si Berat, Dimal, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës, të cilët performuan çdo natë në skenë me shfaqjet e tyre. Artistë të moshës 5-15 vjeç u ngjiten në skenën e qytetit muzeal për katër netë me radhë, duke dhuruar emocione të papërshkrueshme për spektatorët.
Çmimin e dytë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Elbasanit dhe çmimin e tretë e fitoi trupa teatrale e fëmijëve të qytetit të Beratit me shfaqjen “8 persona + 2”.
Ky festival organizohet nga Drejtoria e Turizmit dhe Aktiviteteve, bashkia Berat për të pestin vit radhazi dhe kjo është jo vetëm një mundësi e mirë shkëmbimi kulture dhe traditash mes qyteteve, por ka si qëllim edhe promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël drejt qendrave kulturore për fëmijë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare./atsh/KultPlus.com
Thomas Mann (Lübeck, 6 qershr 1875 – Zürich, 12 gusht 1955), shkrimtar gjerman. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1929. Tomas Mani, ky “poeta doctus” klasik, është ndër shkrimtarët, pa të cilët panorama letrare e shek.XX do të qe e mangët. Autori i romaneve Mali magjik, Budenbrokët, Doktor Faustus, i katërvëllimëshit Jozefi dhe vëllezërit e tij, etj, i novelave Tonio Krëger, Tristani, Vdekje në Venecia etj
Ju sjellim sot disa nga thëniet më të mira të Thomas Mann:
“Njeriu jeton jo vetëm jetën e tij personale, si individ, por gjithashtu, me apo pa vetëdije, jetën e epokës së tij dhe të bashkëkohësve të tij.”
“Një vetmitar, pa e pasur zakon të flasë për atë që ai e sheh dhe e ndjen, ka përvoja mendore të cilat janë njëkohësisht më intensive dhe më pak të artikuluara se ato të një njeriu të shoqërueshëm.”
“Një shkrimtar është dikush për të cilin të shkruarit është më i vështirë se për njerëzit e tjerë.”
“I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është vetëm një shprehje tjetër e interesit për jetën.”
“Një art mjeti i të cilit është gjuha, gjithmonë do të tregojë një shkallë të lartë të krijimtarisë kritike, sepse të folurit në vetvete është një kritikë e jetës: ai emron, ai karakterizon, ai gjykon, kështu ai krijon.”
“Demokracia është përjetësisht humane, dhe përjetësia gjithmonë nënkupton një sasi të caktuar të një rinie të mundshme.”
“Sepse unë duhet të them se ne artistët nuk mund të shkelim në rrugën e Bukurisë pa Erosin që na jep shoqëri dhe e emëron veten si udhërrëfyesin tonë.”
“Miti është themeli i jetës; është skema e përjetshme, formula e devotshme në të cilën jeta rrjedh kur ajo riprodhon tiparet e saj të pavetëdijës.”
“Për hir të mirësisë dhe dashurisë, njeriu nuk do ta lërë vdekja të ketë sovranitetin mbi mendimet e tij.”
“Për të qenë të gatshëm kundër fatalitet, për të përmbushur kushtet e pafavorshme hijshëm, është më shumë se durim i thjeshtë, por është një akt agresioni, një triumf pozitiv.”
“Ka ndryshuar ndonjëherë bota nga ndonjë gjë përveç mendimit dhe automjetit të tij magjik Fjalë?”
“Arsyeja njerëzore ka nevojë vetëm të dëshirojë më fuqishëm se fati, dhe ajo është fati.”
“Unë e dua dhe i përulem me nderim Fjalës, bartëses së shpirtit, asaj që është mjeti dhe pluga e shkëlqyer e progresit.”
“Unë kurrë nuk mund ta kuptoj se si dikush nuk mund të pijë duhan, çka e privon një njeri nga pjesa më e mirë të jetës. Me një puro të mirë në gojën e tij një njeri është krejtësisht i sigurt, asgjë nuk mund ta prekë, absolutisht.”
“Nëse jeni i zotëruar nga një ide, ju e gjeni të shprehur atë kudo, ju madje e joshni atë.”
“Është një fakt i çuditshëm që liria dhe barazia, të dy idetë themelore të demokracisë, janë në një farë mase kontradiktore. Logjikisht, liria dhe barazia janë reciprokisht përjashtuese, ashtu si shoqëria dhe individi janë reciprokisht ekskluzive.”
“Dashuria, jo arsyeja, është më e fortë se vdekja.”
“Letërsia … është bashkimi i vuajtjes me instinktin për formën.”
“Dikush gjithmonë ka idenë se njeriu i trashë ka shëndet të përkryer dhe është i rëndomtë, dhe sëmundja e bën të rafinuar, të mençur dhe të pazakontë.”
“Opinionet nuk mund të mbijetojnë në qoftë se dikush nuk ka asnjë shans për të luftuar për to.”
“Sjellja e njerëzve ka kuptim, nëse ju mendoni për të sa iu përket qëllimeve të tyre, nevojave dhe motiveve.”
“I respektuar do të thotë i pasur, dhe i mirë do të thotë i varfër. Unë duhet të vdes në qoftë se dëgjoj familjen time të më quajë i mirë.”
“Vetmia lind origjinalin në ne, bukurinë e panjohur dhe të rrezikshme – poezinë. Por gjithashtu, ajo lind të kundërtën: çoroditjen, të paligjshmen, absurden.”
“Lufta është vetëm një ikje frikacake nga problemet e paqes.”
“Ne nuk i dashurojmë cilësitë, ne i dashurojmë personat, nganjëherë për shkak të defekteve të tyre, sikurse dhe të cilësive të tyre.” / KultPlus.com
KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
Numri më i ri, i trembëdhjeti më radhë, i revistës letrare dhe kulturore “PEN Kosova”, këto ditë doli nga shtypi. Revista e drejtuar nga kryeredaktori Sali Bashota përmban punime origjinale dhe të përkthyera, që u përkasin llojeve dhe zhanreve të ndryshme.
Revista hapet me triptikun e tregimeve të Ibrahim Berishës: ”Biseda e pandërprerë”,”Kush e di ku gjendet Tafi” dhe “Sytë e kaltër të Zanës”, pastaj me tregimin e Andreas Dushit me titullin “Lojë me kohë të qena e të paqena”. Nga proza e përkthyer botohen tregimet: “Më i lumturi që kam qenë” (John Updike), përkthyer nga Butrint Berisha, “Prato” (Domenik Françeski), përkthyer nga Binak Kelmendi,”Udhëtimi i natës”(Ferid Muhiq), përkthyer nga Vullnet Poshka, tregimet “Do ta njihja ashtu siç do të njihja ty”, “Mysafiri” dhe “Hyrja në tragjikën e një urie” (Dragana Erjavshek), përkthyer nga Qazim Muja.
Në vazhdim të revistës prezantohen poetët Ibrahim Kadriu me ciklin poetik “Kohës”, Nexhat Halimi me ciklin poetik “Tufa me ca lilakë” dhe Osman Gashi me ciklin poetik “Një çast”, ndërsa ”Unë të them që duhet të vish”, është cikli i poezive i poetit italian, Vinçenc Santanxhelo, përkthyer nga Anton Çetta dhe poezitë e poetit irakian, Ahmed Metar, me titullin “Përshtatja e ritmit”, përkthyer nga Jahja Hundozi.
Në rubrikën kritikë dhe ese prezantohen shkrimet: “Variantet dhe struktura e vargut të Ndre Mjedjes” (Milazim Krasniqi), “Franca dhe pavarësia e Kosovës” (Binak Kelmendi) dhe “Mbreti i fundit i bohemëve të Nju-Jorkut” (Avni Spahiu), si dhe dy ese të përkthyera: “Arkivat e Edenit” (George Steiner), përkthyer nga Arta Hallaçi dhe “Mbi aftësinë e gjykimit kritik”(Isaiah Berlin) , përkthyer nga Demë Topalli.
Ligjërata e Louise Glyk, me titullin “Dialog me poetët” (Çmimi Nobel për Letërsi 2020), përkthyer nga Avni Spahiu, është shkrimi i fundit i botuar në revistën letrare dhe kulturore “PEN Kosova”.
Botimi i revistës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com
Në prag të koncertit gala në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur sopranon, Ermonela Jaho, e cila ndodhet për vizitë në Kosovë. E njohur për ndjeshmërinë dhe përkushtimin e saj artistik, Jaho i quan Kosovën dhe Shqipërinë shtëpitë e saj shpirtërore.
Në një mesazh të publikuar para koncertit, Kurti theksoi rëndësinë e këtij eventi për rrugëtimin e operës në Kosovë, duke përmendur figurat dhe momentet kyçe që kanë ndërtuar themelet e saj – nga kompozitori Rauf Dhomi me operën “Goca e Kaçanikut”, te krijimi i Institucionit të Operës në vitin 2022.
Sipas Kurtit, ky koncert shënon një hap të madh përpara për institucionin më të ri të kulturës në Evropë dhe është fryt i përpjekjeve të vazhdueshme për ndërtimin e një skene operistike të qëndrueshme në vend. Ai falënderoi Ermonela Jahon për përkrahjen, zërin dhe zemrën e saj, duke shtuar: “Kosova nuk po e pret operën. Kosova po e ndërton atë.”/KultPlus.com
Pianistja e njohur Lule Elezi do prezantohet me tri koncerte recitale në Varshavë të Polonisë.
Ajo është pianistja e parë shqiptare që do performoj në koncertin recital në Festivalin pianistik “ Floralia Muzyczne” – Muzyka w Kwiatach (Muzika mes Luleve), ku performojnë pianistë të njohur ndërkombëtar.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
Përsëri në atdheun e Shopenit me tri koncerte recitale
Me ftesë të Shoqatës Ndërkombëtare Fryderyk Chopin në Varshavë të Polonisë, këtë fundjavë do të mbaj tri koncerte recitale , dy koncerte në Varshavë dhe koncertin tjetër në qytetin Kutno.
Ndjehem e privilegjuar që si pianistja e parë shqiptare të mbaj koncert recital në Festivalin pianistik “ Floralia Muzyczne” – Muzyka w Kwiatach ( Muzika mes Luleve), ku performojnë pianistë të njohur ndërkombëtar. Sivjet organizohet Festivali i XXIX me radhë dhe nga shtatë mbrëmjet e Festivalit , njëra nga këto mbrëmje më është ndarë mua. Festivali “ Floralia Muzyczne” organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare F. Chopin në Varshavë , në bashkëpunim me Bashkinë e Varshavës , Akademinë e Shkencave Polake, PAN dhe Radio RDC.
Dy koncerte të tjera recitale do ti mbaj edhe në : Chopin Salon në Varshavë ( aty ku dikur virtuozi Chopin në moshë të re luante kompozimet e tij). Ky koncert organizohet nga Chopin Salon dhe Shoqata F. Chopin.
Në qytetin kulturor- historik , në Kutno të Polonisë do të mbaj koncert recital në Pallatin Mbretëror Sakson , organizuar nga Muzeu vendor, në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare F. Chopin në Varshavë- dega Sanniki dhe Shoqatën Poloni-Kosovë, KosPol në Varshavë.
Faleminderit Poloni, le të presim çfarë na sjell e ardhmja!
“Ty të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më. Ti je dhe do të mbetesh e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë tjetër. Eshtë diçka e pleksur dhe e thellë, diçka që më mban nga të gjitha anët, që kënaq të gjitha orekset e mia dhe përkëdhel sedrën time.
Realiteti yt gati zhduket. Përse sa herë mendoj për ty, të shoh me kostume të tjera, të ndryshme nga të tuat? Mendimi se ti je dashnorja ime më vjen rrallë, apo ti nuk formulohesh tek unë nga kjo. Kundroj fytyrën tënde të ndriçuar nga gëzimi, teksa lexoj vargjet e tua duke të admiruar.
Atëherë ajo ka një shprehje të shkëlqyer ideali, krenarie dhe mallëngjimi. Nëse mendoj për ty kur jam në shtrat, një krah i mbledhur, lakuriq, një kaçurrel i ngritur pak më lart se tjetri, duke parë tavanin. – Më duket se ti mund të plakesh duke u shëmtuar, por asgjë nuk do të dyve dhe të pavarur nga ne.
A nuk kam bërë gjithçka për të të lënë? A nuk ke bërë gjithçka që të duash të tjerë? Jemi kthyer prapë te njëri-tjetri, pasi jemi bërë për njëri-tjetrin. Të dua me gjithë zemër. Do doja të të dashuroja më shumë derisa të të bëja të lumtur, sesa të bëj edhe të vuash!
Unë dua të të shoh në përmbushjen e të gjitha dëshirave të tua”/ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, më 11 qershor 2025, do të ngjitet në skenën e ExpoOsaka në Japoni, duke prezantuar baletin “Exil” me koreografi nga Eno Peçi. Kjo shfaqje është pjesë e përfaqësimit zyrtar të Republikës së Kosovës në një nga ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare në botë.
Ky është një moment historik për Baletin Kombëtar të Kosovës, që për herë të parë do të performojë në Japoni. Kjo ngjarje shënon zgjerimin ndërkombëtar të prezencës artistike të institucionit dhe promovimin e kulturës kosovare në një skenë globale.
Nëpërmjet kësaj performancë, Baleti Kombëtar synon të tregojë pasurinë dhe diversitetin e artit dhe traditës kosovare, duke krijuar ura kulturore me audienca të reja dhe duke fuqizuar imazhin e Kosovës si një vend me potencial të madh artistik në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com
Sivjet ka më pak nxënës dhe studentë sesa që kishte një vit më parë, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila publikoi statistikat arsimit për vitin shkollor 2024/2025.
Rritje e lehtë e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor
Numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor për vitin shkollor 2024/2025 ishte 34 038, ku krahasuar me vitin paraprak (2023/2024), që ishte 32 818 fëmijë, kishte një rritje të lehtë të numrit prej 1 220 fëmijë më shumë.
Në sektorin publik në vitin shkollor 2024/2025 ishin 23 349 fëmijë ose 68,6%, ndërsa në sektorin privat 10 689 fëmijë ose 31,4%. Krahasuar me vitin paraprak (2023/2024) në sektorin publik ishin 24 104 fëmijë ose 73,4% ndërsa në sektorin privat 8 714 fëmijë ose 26,6%.
Interesim më i madh në sektorin privat në vitin shkollor 2024/2025, krahasuar me 2023/2024
Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në vitin shkollor 2024/2025 ishte 208 515, prej tyre në sektorin publik ishin 199 190 ose 95,5% dhe në sektorin privat 9 325 ose 4,5%. Krahasuar me vitin shkollor 2023/2024, ku numri i nxënësve ishte 215 431, prej tyre në sektorin publik ishin 206 941 ose 96,1% dhe në sektorin privat 8 490 ose 3,9%. Nga kjo mund të shohim se sektori publik ka një rënie të numrit të përgjithshëm, kurse sektori privat ka një rritje të lehtë të numrit të nxënësve krahasuar me vitin 2023/2024.
Më pak nxënës të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë
Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë në vitin 2024/2025 ishte 63 551, prej tyre në sektorin publik ishin 58 337 ose 91,8%, ndërsa në sektorin privat ishin 5 214 ose 8,2%. Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024 (që ishin 65 757 nxënës, në sektorin publik 60 837 ose 92,5% dhe në sektorin privat 4 920 nxënës ose 7,5%) ka rënie të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Rënie më e madhe vërehet te sektori privat, krahasuar me sektorin publik.
Rënie e lehtë e numrit të studentëve krahasuar me një vit më parë
Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin e lartë në vitin 2024/2025 ishte 64 817, prej tyre në universitetet publike 36 609 studentë ose 56,5%, ndërsa në kolegjet private ishte 28 208 studentë ose 43,5%. Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024 (që ishin 70 357studentë, prej tyre në universitetet publike 39 033 studentë, ose shprehur në përqindje 55,5%, ndërsa në kolegjet private ishte 31 324 studentë ose 44,5%, ka rënie të lehtë të numrit të përgjithshëm të studentëve./ KultPlus.com
Më 5 qershor të vitit 1996, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën zyrën e tyre të parë të Shërbimit Informativ Amerikan në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kjo zyrë, e njohur si U.S. Information Service Office, u bë një urë lidhëse për komunikim dhe bashkëpunim gjatë viteve të vështira për Kosovën.
“Më 5 qershor 1996, Shtetet e Bashkuara hapën Zyrën e parë të Shërbimit të Informacionit Amerikan në Kosovë. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2008, Zyra Amerikane në Prishtinë shërbeu si misioni kryesor diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ambasada Amerikane në Kosovë nderon këtë ditë dhe i fton qytetarët që të ndajnë kujtimet dhe historitë e tyre nga ceremonia e hapjes apo momentet e tjera të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së./KultPlus.com
Ambasadori italian Marco Alberti ka përuruar një program të ri, titulluar “Very Interesting People”, me intervistën e Aulon Naçit, drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Vetë ambasadori ka intervistuar drejtorin Naçi, në mjediset e TKOB-së, ku theksi u vu tek bashkëpunimi në nivel kulturor.
Ambasadori Alberti theksoi gjatë intervistës se ajo çfarë duhet është një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë dhe jo vetëm një promovim i kulturës italiane në Shqipëri.
Gjatë intervistës, drejtori i TKOB, Aulon Naçi bëri një prezantim të tijin dhe të asaj çfarë e lidh me Italinë. Naçi është një kompozitor i cili ka studiuar për 10 vjet në Konservatorin e Udine-s, “Jacopo Tomadini”.
“Një nga befasitë më të mëdha të Shqipërisë është zbulimi i copëzave të zemrës italiane, brenda zemrës shqiptare”, shprehet gjatë rubrikës, ambasadori Alberti.
Ambasadori i Italisë do të vijojë këtë program intervistash me njerëz interesantë të kulturës, ekonomisë, politikës etj. Kjo rubrikë është krijuar për të forcuar lidhjen mes Italisë dhe Shqipërisë e për të zhvilluar projekte të rëndësishme të përbashkëta./atsh/KultPlus.com
Mundohem t’i fshij çastet e mëzitura, por ato mbesin diku brenda meje, në një ishull të trurit të heshtura, që marrin frymë nga fryma ime.
I lë aty, pa zë, pa dritë, por ato marrin krahë madhështie papritur, marrin vrull si një lumë vjeshtak.
Kur mendoj se kam harruar, një kujtim fjollë bore më përshkon trupin, ma kafshon shpirtin. Një çast… që solli pezm, inat e dhimbje… e gris në mendje. E gris copë e copë, nën një pikë shiu… …Rivjen me hapa të një fluture, pa e ditur… …E pa e kuptuar, bëhet det brenda syve.
Kthehem tek ajo copëz e harruar e paprekur, e mbështjellë si një fëmijë në gjumë. E marr me dorë të butë, i heq rrobat e bëra pis, dhe kuptoj: Sa i bukur paska qenë ai çast! Pse e lashë të plurosur në qoshen më të ftohtë të mendjes?
Ikje, Kthime të trazuar, mjegull, emocione hyjnë sërish në mua, jo si dikur, me hapa hajdutesh, por si një kujtesë që u shkri në stinën e harrimit.
Dhe unë… qëndrova. Këtu. Me fatin e heshtur në duar, përtej mirazhit të pritjes./ KultPlus.com