‘Kripë e mjaltë’ nga Sadete Tërnava, poezi finaliste në konkursin ‘KultStrofa’

Sadete Tërnava

E di pse po na ikë rrugëve pa emra
si po na tretesh sysh
shtëpive të braktisura për një sy gjumë
pa ngrënë, pa pirë
as dashuri pa bërë
lodhur mes rrufesh krahët diku t’i shtrish
e të qash me duar midis gjinjve me cifla
për qumështin e humbur
shterur si gërnetat e plakut
nanurisjeve të humbura dallgëve të poseidonit
të dehesh
me trëndafila të bozhurtë
shpirtrave t’ lodhur gushët e afshëta t’ua falësh  

e di që je zemëruar pse ëndrrën ta lamë në gjysmë  
se të frikësuam me njerkën pa dhëmbë
të kafshuam ballit, faqeve
buzët copë-copë  t’i bëmë
e s’u ngopëm as kripë as mjaltë
teksa rrasave blu të piqnim    
jargavitur pështirshëm
çdo ditë të lume t’ kollofitëm
të shqyem këmbësh e sysh
brinjëve mishin ta morëm
e për çudi ti ngriheshe çdo ditë
turpin e trupin për të na e larë
mëngjeseve, drekës e n’ darkë

edhe unë si ti jam lodhur nga modernia pa takt
nga kufijtë e tu vizatuar me shkumës
prej komploteve që kurrizin po na e thyejnë
sfilitur jemi bashkë
sa asnjë tymi t’ mos i fryjmë më
as unë as ti dhekuqi im i ri thatanik
dikur i ngazëllyer
ngjalë e kreshnik
e sot mish pa muskuj fyteve e pjatave XXL
t’hijerëndëve obezë mbrëmjeve zjarrmi
me marka gucci e chanel
zhubravitur kolltukësh për një thirrje
a mbet ndonjë thelë
edhe thërrime le të jetë, s’ka dert
se lulet verdhoshe xhepave do t’ vazhdojnë t’ju ngjiten
për  sa t’ ketë trupa pa gjinj
aq do të ketë footnota e dolli
‘gëzuar për ty dhekuqi im i zi’
Kush e di çka ka me ndodhe
Kur shpirti jeton ne tru  
Unë vazhdoj te te dua e ti me rrjedh nëpër gisht/ KultPlus.com


‘Diplomaci’ nga Flutur Mustafa, poezi finaliste në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Flutur Mustafa

U panë rrugës!
Të dy, nëpër shi!
S’dinin në iu rëndonin çadrat 
Apo pengu që mbanin në gji.

Dhe vunë buzën në gaz pa shkas,
Si për të thënë e po kjo s’është ndonjë çudi,
Edhe do takohen ndonjëherë qytetit 
E do përshëndeten me kurtoazi! 

Si në takime diplomatike do pyesin për jetën, pa futur shumë hundët gjithsesi,
Duke mos cënuar sovranitetin,
Pa pyetur për territoret si filozofi. 

U panë rrugës, hapat hodhën ngadalë! 
Asgjë s’kishte ndryshuar, si për habi! 
Aty ishte gjithçka-ja dhe asgjëja vet,
Ai i asaj, dhe ajo e atij!

Ulën shikimin, hapat u tretën!
A u tretën ndjenjat? Pak ka rëndësi…
Kur u pyetën nga ata që ua shtrëngonin dorën; kush ishte? 
Të dy si njëherësh, thanë: “Fytyrë e njohur nga diku, por s’më kujtohet, nuk e di!”/ KultPlus.com

‘Të ringjallem nga hiri’ nga Alketë Spahiu, poezi finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Alketë Spahiu

E kam marr ngryk mallin për ty
tani, pas mesnate
kur lëshohet marrshi i ushtarëve të errësirës
“gatitu” në bujtinën e shpirtit.

Sa herë e prita një thirrje tënden
në damarët e saksofonit të mjegullt,
tempo “allegro” u harrua
telefoni vetëm bëzajti
sa e vështirë fjala “të dua”.

Rri o mall se tani filloi festa
fshihu në skutat e ëndjes
pulitu si nje azalea
më shkërmoq krejt qenien
me delikatesën e salloneve parisiene
e çekanët e zanatlinjëve të moçëm.

Mungesa vizatohet si natyrë e vdekur,
pa model, si nje mirazh,
të plasarit puthjet e harruara
këndeve të vdekura
tash e motmot.

Eja më merr kështu të vrarë,
gentiana violet bën mrekulli
nëse në pëshpëritje të jap shpirtin,
më sjell pak Kartagjenë,
të ringjallem nga hiri i afshit tënd
si Feniksi./ KultPlus.com

‘Guri i Koshares’ nga Nagjije Kastrati, fituese e çmimit të tretë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Nagjije Kastrati

Thonë se Gurin e Koshares e pati vënë Polifemi
Për të mbyllur shpellën nga katallanët 
Guri kishte zënë rrënjë
Nuk shkulej

Thoshin se Gurin e Koshares e vuri Leka i Madh
Kur priu kapedanët deri në Aleksandri
Guri matanë shihte qiellin
E ndriste

U dëgjua se gurët i pat hedhur Gjergj Kastrioti
Nga Kështjellat e larta të Arbrit
Sipër çallmave të Orientit
Gurët rrokulliseshin

Flitej se gurët mrizonin në Bjeshkët e Nemuna
Mëkonin plagët e Omerëve të Mujit e Halilit
“E pat shkrepë nji gur prej malit
E pat vu mbi vorr të djalit”

Thuhet se gur ishte një kullë e rrethuar e Prekazit
Mijëra topa e gjyle krisën mbi të
Nuk mundën ta çelnin Shpellën e Polifemit
Guri i zhbiruar nuk ra

Tashmë jataganë ushtarësh ranë mbi Gurin e Koshares
Shumë pëllëmbë prekën faqet e çunave 
Ende pa u rënë brisk
Guri dritonte

Zanat me shtambën e gjirit ngarendën gur më gur
Degëve të ahishtës derdhej dielli
Mujo Guri i Koshares 
Cilin Omer mban/ KultPlus.com

‘Qysh me e kornizu kohën- formulë e dështueme’ nga Valmira Rashiti, fituese e çmimit të dytë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Valmira Rashiti

Me kohën, së fundmi, kemi qenë në një marrdhënie intime.
I kam marrë kajmakun e ndjeshmërisë!
Tana herët, kam qenë e vetëdijshme
që më ka përshku, qysh më ka përshku.
Si këmbim, kohës i kam dhanë
melankolinë teme, kujtimet e mia.
Kam tentu këto të fundit me i këndu në poezi,
po siç thoshte Shkreli,
fjalët janë bë thnegla e prush, spo rrijnë në vargje.

E kam kundru kohën, herë buzagaz, herë e përlotun.
Kam qajtë, kur vëllau im u bë babë i një çapkëneje
kam qeshë, me shashtisjen e parukieres,
kur e zbuloi që më kanë dalë tri thinja në kokë.
E kam dëgju pa bëzajtje nanën,
kur më ka tregu që kanë fillu me i dalë piklat e pleqnisë në duar.
Në atë moment i jemi dorëzu bashkë një hullie mendimesh,
iluzioneve, të të pasurit kohë.
E kam kundru në qetësi edhe babën,
fizikun e tij më të dobët, flokët dita-ditës më të rralluar.
Jam hamendë nëse për çdo fije floku të Verës, mbesës sime,
mua më zbardhet një, nanës tri, e babës i bijnë dy.
Të qenurit tonë, duke liru vend për të qenurit tjetër!

Do ditë, jam përhumbë tërësisht në përllogaritjen e kohës.
Jam kapë nëpër momentet e saj, si me qenë ato degë,
sosh mjaft të brishta, sepse s’më mbanin,
më hudhnin poshtë, me mohim.
Shndrroheshin shpejtë, nga momente – në kujtime!
E më kanë paralajmëru që me mbetë duke u kapë në kujtime
di të jetë e rrezikshme.
Nganjëherë, kam dro, mos humbas sensin e realitetit.
Por ja, kështu, po e kaloj kohën,
duke jetu manifestimet e saj,
Nën iluzionet apo deluzionet
e të pasurit
kohë!/ KultPlus.com

‘Nën timbrin e këtij malli’ nga Kaltrinë Uka, poezia fituese në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Kaltrinë Uka

Kthehu! 
Se spazmë e ditëve ka gremis trupin tem t’hajthëm
tue t’kërkue mes shtrëngatave përnatë,
e regtimë e zemrës psalm përnatje asht ba.

Kthehu! 
Njëjtës udhë ka je shkue
përmbi secilën gjurmë ikanake mbolla jasemin,
as n’dihatje s’e lash shpirtin gja tanden me harrue!

Kthehu! 
Kur malli mpiks mes andrrave e plages pjergullën e rëndueme t’rënkimit
jargon puthjet zaptuese tue thellue n’asht sëmbimin.

Kthehu!
Se kurrë s’pat forcë asgja e jemja me t’harrue!
Skalitun t’ka me tan sekrecionin e trupit n’kurmin e hajthëm,
n’forma hyjzish t’kam rue farfurinë e syve,
pulitjen e çërpikëve mbërthye e kam me bulat e gishtave.

Kthehu!
Hyn thellë mbrenda dashnisë tem që t’pret,
nën harlisje t’tërbueme me u derdh n’aromën e lëkurës t’bardhë
se oshtima e papërmasë e klithmës
asht ba jehonë zhuritse e nepsit t’pashujtun.

Kthehu! 
Se zjarri që djeg mallshëm ka shndërrue
mungimin e pamjes tande joshëse bashkë me feksjen e syve tue
n’vegimin tem t’dhembshëm.

Kthehu,
nën timbrin e këtij malli që po t’thërret!/ KultPlus.com

Ekspozohen në Prishtinë dorëshkrimet e shkrimtarit Ismail Kadare

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se pas ndalesës në Shkup, ekspozita me dorëshkrimet e hierarkut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, u shfaq në një tjetër vatër të shqiptarisë, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Në çeljen e kësaj ekspozite të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe Agjencinë Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut dhe njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 🇽🇰, Bislim Bislimi, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Znj. Blerina Rugova Gaxha, shkrimtarë dhe qytetarë të interesuar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Bislimi theksoi rolin dhe angazhimin e Kadaresë në drejtim të pavarësisë së Kosovës. “Pak më shumë se 4 muaj prej ndarjes së tij nga jeta, prezantojmë dorëshkrimet e shkrimtarit më të madh të kombit, Ismail Kadaresë. Falenderojmë DPA-në që në kaq pak kohë arriti të kurojë një ekspozitë gjithëpërfshirëse të veprës së Kadaresë. Është rasti që të theksojmë se na la pas një arsenal veprash që flasin mbi identitetin tonë kombëtar, historik dhe kulturor. Ky shkrimtar ishte padyshim një nga mbrojtësit e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”, – tha Bislimi.

Në fjalën e tij, Bido u shpreh se nëpërmjet dorëshkrimeve të ekspozuara, depërtojmë në rrymën e nëndheshme të veprës Kadarenë, identitetin tonë kombëtar.

“Është nder dhe kënaqësi që në këtë vit, ndër shumë pëvjetore që kombi ynë ka, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave festoi 75-vjetorin e themelimit. Sërish një jubile me rëndësi, pasi në këtë arkiv frymon shqiptaria, e pakufizuar në kohë dhe në hapësirë, duke zotëruar më shumë dokumente para vitit 1945 mbi shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Çamërisë, më shumë se në arkivat përkatëse.

Një dhuratë për këtë 75-vjetor, ishte telefonata që mora nga mikesha dhe botuesje Alda Bardhyli, e cila më dha sihariqin se familja Kadare dëshironte të dhuronte dorëshkrimet e shkrimtarit në DPA. Më shumë se një akt bujarie, është një amanet i pashprehur nga Kadare, i cili donte që dorëshkrimet e tij të strehoheshin në vendin, ku shkroi dhe u rrit si letrar. Mbi 44 mijë faqe dorëshkrime, hapin një punë shumë të madhe për studiuesit e Kadaresë sepse përvijojnë fillin e krijimit të shkrimtarit të madh, deri në procesin e botimit. Kadareja do të mbahet mend pas 100 vjetësh, si një shkrimtar i madh, që ka si nënshtresë të veprës së tij identitetin shqiptar. Do mbahet mend ndikimi drejtpërdrejtë politik në elitat politike franceze të kohës, që vendosën të rreshtoheshin krah aleatëve të NATO-s në mbrojtje të shqiptarisë”, – përfundoi Bido.

Ndërsa, në fjalën e saj, Gaxha vlerësoi perspektivën që ekspozita ofron, duke i ftuar studiuesit për t’u njohur me varientet fillestare të veprave të Kadaresë. “Është shumë me rëndësi që ta mirëpresim sot ekspozitën mbi një prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Për të gjithë ne si lexues, kjo ekspozitë jep një perspektivë tjetër të veprës së Kadaresë, të një ane të dorëshkrimeve që sot është pothuaj në zhdukje. Shoh pjesë nga romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, romani i parë modern në letërisnë shqipe. Vepra ‘Frymëzime djaloshare’, që ka sjellë një frymë të re në poezinë shqiptare. Ndaj, kjo perspektivë mbi veprën e Kadaresë është e mirëseardhur dhe e rëndësishme, që të kemi një pasqyrë për t’iu kthyer Kadaresë edhe nëpërmjet shkrimit intim, versioneve të para të veprave të tij”, tha Gaxha.

Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë fragmente nga ditari për Luftën e Kosovës, “Ra ky mort e u pamë”, si edhe vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.

Ekspozita “Dorëshkrimet e Kadaresë” e pati premierën më 14 nëntor 2024 në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë. Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshjeje me familjen Kadare./ KultPlus.com

Në zbulimin e arbëreshëve, shfaqet dokumentari ‘UDHA’ me protagonistë Lorik Cana dhe Arbër Agalliu

Në kinema Millenium në Tiranë, ka nisur të shfaqet dokumentari serial “UDHA” – Një gjak, një gjuhë, një besë- me protagonistë Lorik Canën dhe Arbër Agalliun, që është shfaqur premierë për publikun mbrëmjen e kësaj të enjteje në kinema “Millenium” në Tiranë.

Dokumentari serial me regji të arbëreshit Alessandro Ferrantelli shoqëron publikun në zbulimin e Arbërisë siçiliane dhe kalabreze.

Rrugëtimi i Canës dhe Agalliut nis nga qyteza arbëreshe Hora e Arbëreshëvet (Piana degli albanesi) në provincën e Palermos për të mbërritur më pas në Kalabri, duke treguar jetën e përditshme dhe festat e komuniteteve arbëreshe në qytezat e Çiftit, Shëngjin Sofisë, Shëngjin Mitrit, Firmozës, Ungrës dhe Falkunarës.

“Nuk duhet parë si diçka e kaluar, është një realitet që është pjesë e përgjithshme e kombit tonë. Jemi me fat që i kemi në anën tjetër Adriatikut. Nuk janë pak. Kanë shërbyer në momente të rëndësishme të historisë sonë. Ne shqiptarët nuk kemi vetëm arbëreshët në Itali prej 550 vjetësh. Çdo shqiptar që ka ikur në emigracion këto 20-30 vitet e fundit është një arbëresh.”, – shprehet Lorik Cana, i cili është njëkohësisht edhe producent i filmit së bashku me Arbër Agalliun.

“Kemi sjellë një copëz të Arbërisë në Tiranë. Është një punë jo e lehtë të ndjekësh komunitetet arbëreshe. Ju e dini që arbëreshët vetë quhen “Gjaku ynë i shprishur”. Ata gjenden në më shumë se në 50 bashki të italisë juglindore mund të themi. Ne kemi arritur të bëjmë një tur të shpejtë. Nuk kemi arritur të prekim gjithë qytezat arbëreshe. Është thuajse e pamundur. Por kemi patur fatin që jo vetëm të njohim dhe të jetojmë përditshmërinë e arbëreshëve. Kemi patur fatin të flasim gjuhën arbëreshe, ia kemi mësuar dhe Lorikut. Këtë e kemi bërë edhe falë stafit dhe regjisorit të dokumentarit, një figurë arbëreshe.”, – thotë Agalliu.

Komunikimet në dokumentar janë në shqipen e arbëreshëve, duke u dhënë zë pa dallim dhe ka si synim mbi të gjitha njohjen e publikut me atë gjuhë, të cilën vëllezërit tanë të përtej detit kanë përcjellë deri ditët e sotme prej epokës së Gjergj Kastriotit.

“Ka shumë punë pas një dokumentari, por krijon një emocion shumë të bukur. Tregoj një shërbesë. Mendoj se sot kjo është puna jonë, por nesër unë do të nxis gjithë njerëzit që janë këtu të shkojnë në katundet arbëreshe. Ne do të bëjmë këtë lidhje me ju.”, – shprehet në arbërisht regjisori Alessandro Ferrantelli.

Një kontribut thelbësor për veprën dha edhe Instituti Italian i Kulturës.

“Prezenca e komunitetit arbëresh në Itali është prej qindra vitesh dhe është thelbësore dhe dëshmon afrinë mes dy vendeve. Por është edhe dëshmi mjaft e rëndësishme e diçkaje që shohim pak, e faktit që Italia në realitet është një vend plural që ka gjuhë të ndryshme, tradita dhe kultura të ndryshme, që janë përzier për të krijuar kulturën italiane. Këtu ka kontributin e vet edhe komuniteti arbëresh. Vlera e komunitetit shqiptar në Itali nuk është thjesht në mirëmbajtjen e traditave, por edhe në kapacitetin për të kontribuar në ndërtimin e historisë italiane në përgjithësi.”, – thotë Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri.

Shfaqja e dokumentarit- prodhim i Fondacionit “Lorik Cana 5” u ndoq nga një bashkëbisedim mbi temën e ruajtjes së traditave arbëreshe në Itali. /shqiptarja.com/ KultPlus.com

Xhemail Mustafa: Nëse e lëshojmë Kosovën, kjo do të jetë fitorja më e madhe e serbëve

Dhimbja, vuajtja, frika, shpresa e çdo detaj tjetër nga lufta e fundit në Kosovë, përjetohet e rikthehet furishëm tek lexuesi, përmes librit ‘Një lutje për Prishtinën’.

Rezistenca për mbijetesë, shpresa për jetë, por shpeshherë edhe frika për mosekzistencë, përfshijnë ato kolumnat nëpër të cilat shkruhet libri.

I ndjeri Xhemail Mustafa, atëherë i njohur si gazetar, politikan, publicist por edhe si këshilltar politik i presidentit Ibrahim Rugova, la një dokument të rëndësishëm pas vetës, duke paraqitur vërtetuesin më të mirë të luftës në Kosovë.

Nuk pati nevojë për të thënë fjalë me gojë, pasi ato zhduken e struken nën dhe, por la shkrime në letër, të cilat ashtu siç nguliten njëherë, mbesin aty përherë.

‘Një lutje për Prishtinën’ është pagëzuar i tillë, për dy arsye kryesore. E para, për shkak se çdo shqiptar që ka përjetuar tmerrin e luftës, është lutur për familjarët, të afërmit, e fatin e gjithë Kosovës. Është lutur për atë copë fryme të vendit të saj, e rigjallërimin e asaj toke që po digjej nga lufta.

I dyti shkak i vënies së një titulli të tillë, vinte si arsye e përkujtimit të autorit ndaj hoxhës plak me Kur’an në dorë, dhe një personazhi tjetër të librit që ngushëllonte vajzën e tij me citatet e ‘Biblës’. Dy njerëz me pikëpamje të ndryshme drejt një qëllimi të njëjtë, ‘lutjes’ për jetë.

Ashtu siç çdo bashkëjetues i kësaj toke, edhe autori, Mustafa, përmes librit ‘Lutje për Prishtinën’ tregon se si qindra herë ishte lutur për fatin e të gjithëve, atyre që i njihte dhe atyre që nuk i’a kishte haberin se kush ishin. Pra, me atë lutjen që e bënte, i përfshinte të gjithë.

Gjatë luftës, Xhemail Mustafa, nuk kishte gjetur si zgjidhje ikjen, por kishte vendosur të qëndrojë brenda tokës së Kosovës, pa marrë parasysh pasojat.

Brenda vetëm dy muajve kishte ndërruar dy-tri apartamente në kuartin ‘Dardania të Kosovës’, se situata e kërkonte një gjë të tillë. Nga ai nuk u shkoqitën as familja e tij, ku pas vetes mbante gjithnjë gruan dhe djalin.

Në imtësinë më të vogël përshkruan çdo detaj të 78 ditëve të kaluara në ferr. Përshkruan shkatërrimet e serbëve që shkaktuan në Prishtinë, rrahjet brutale të shqiptarëve, krizën për një copë bukë, strukjen e djalit të tij, Besianit, që në atë kohë ishte veçse fëmijë, e deri tek rikthimi i këtij tmerri, në fat të mirë, me ardhjen e NATO-s.

Frika dhe gëzimi shpeshherë bëheshin bashkë, e këtë më së miri e përshkruan edhe ardhja e NATO-s në Kosovë. Në njërën anë gëzoheshin se tmerrit po i vinte fundi, e në anën tjetër i frikësoheshin egërsisë së okupatorit serb.

“Askush nuk e fshihte gëzimin që Aleanca do të sulmonte nga ajri forcat kriminale serbe dhe do të kryente ndaj tyre hakmarrjen e madhe për gjithë ato krime që serbët tashmë po bënin kundër shqiptarëve dhe pasurisë së tyre, si dhe do t’i detyronte ata që të tërhiqen njëherë e përgjithmonë nga Kosova.

Por, ndjenja e pritjes dhe e gëzimit, ky koktej emocionesh disi të ndrydhura, shoqërohej nga droja se mos regjimi serb pikërisht këto sulme nga ajri do t’i merrte si pretekst për ti qëlluar pa asnjë mëshirë shqiptarët në tokë, për të bërë krime monstruoze mbi ta dhe për ta spastruar etnikisht Kosovën”, thotë Mustafa në librin e tij.

Frika prej hakmarrjes serbe kishte bërë që shumë shqiptarë të gjenin vend jashtë Kosovës, përpara se të nisnin sulmet kundër forcave serbe.

Por, pavarësisht pasojave që mund të kishin dhe shkatërrimet që mund të ndodhnin, Mustafa, nuk ndërmori asnjë hap për të ikur, por qëndroi me ngulm në tokën që tashmë po lahej në gjak.

“Tek po ngjitesha shkallëve të pallatit ku po banoja, në pjesën qendrore të lagjes ‘Dardania’, pashë njërin nga fqinjët, që bashkë me fëmijët po zbriste me nguti e me një nervozë, shkallëve teposhtë. Po shkojnë, i thashë vetës, kurse për të satën herë gjatë ditës një zë i rëndë vinte nga brenda dhe përpiqej ti bënte sfidë zbrazjes me rrëmujë të Kosovës.

Duhet të qëndrojmë, i thashë vetës, pa qenë i sigurtë se do t’ia dalim t’i shpëtojmë thikës serbe. Nëse e lëshojmë Kosovën- kjo do të jetë fitorja më e madhe dhe përfundimtare e serbëve, po e ribindja vetën”.

Këto janë disa fragmente nga libri i Mustafës, me anë të së cilës tregohet fuqia e Mustafës, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë, që as vdekja nuk i ndalte ta lëshonin vendin.

Një përshkrim i tillë përbën të tërë librin, një forcë e kurajo e njerëzve për të ardhmen, që ‘shpresonin’ që një ditë do i sjellte koha.

Besianin, djalin e tij, e përmend shumë në libër, duke e përshkruar si një tip të mbyllur, që nuk fliste shumë e që me kohën veç sa po strukej edhe më thellësisht. Besiani, si çdo fëmijë tjetër që ka përjetuar tmerret e luftës, nuk ka pasur gjasa të jetë si fëmijët e sotëm, me lëvizshmërinë më të madhe e me harenë madhështore në fytyrat e  vockla, pasi që realiteti atyre ua mohonte një gjë të tillë.

Autori Xhemail Mustafa, nisi të shkruajë librin e tij, si një ditar, duke e pasqyruar çdo ditë që kalonte, pa e ditur nëse një ditë do të mund ta përfundonte atë.  Pasi jeta e tij si e shumë të tjerëve matej në të qindtat e sekondit, se dije se kur dhe sa do të kishe mundësinë të qëndroje gjallë, përballë plumbave serb.

Megjithatë, luftës arriti ti bënte ballë e më në fund shkrimin e 385 faqeve e finalizoi me hyrjen e Aleancave të NATO-s në Kosovë.

“Tek po i ngjisja shkallët më dukej se po zbrisja poshtë një errësire që po bëhej përherë e më e panjohur. Sikur po udhëtoja nëpër errësirë, kurse, në fakt, ishin po këto shkallë, të cilat sot po i kaloja me shumë qejf dhe me një disponim që nuk jam i sigurtë nëse mund ta përshkruaj dhe ta definoj. Shkallët po i ngjitja pa e hetuar se tashmë isha përballë derës së apartamentit, ndërsa, njerëzit që takova me një përzemërsi, të cilën nuk e kisha provuar ndonjëherë. Njësoj si me ata që njiheshim, si me ata që po shiheshim për herë të parë, po përshëndeteshim me një përzemërsi, e cila ngadalë dhe më gjasë padashje po shndërrohej në ritual”

“Emocionet e çlirimit të lirisë po i vëreja tek të gjithë që po i shihja dhe po i takoja.”- janë fjalët përmbyllëse të librit.

Përmbyllja e librit pasoi edhe me përmbylljen e një kapitulli të errët të historisë së Kosovës, e cila më në fund po përcillej me lumturinë më të madhe në çdo fytyrë të kosovarëve. /KultPlus.com

Ardianë Pajaziti nderohet me mirënjohje nga PEN-i i Shqipërisë për promovimin e kulturës, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore

Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Në këtë mbrëmje fituese u shpall autorja Kaltrinë Uka me poezinë e saj “Nën timbrin e këtij malli”, shkruan KultPlus.

Përgjatë ceremonisë së mbajtur mbrëmë, janë shpallur dhjetë finaliste gra, poezitë e të cilave do të publikohen kohë pas kohe në gazetën KultPlus.

Po ashtu, diçka e veçantë që ndodhi mbrëmë ishte mirënjohja e ndarë për drejtoreshën e gazetës online për kulturë dhe art, KultPlus, Ardianë Pajaziti, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Mirënjohja u nda nga kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, Entela Kasi dhe bashkë-themeluesit të PEN-it, Sadik Bejko, të cilët ia dhuruan përgjatë mbrëmjes së konkursit poetik KultStrofa.

“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, ka thënë Kasi.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka falënderuar të dy kyetarët e PEN-it të Shqipërisë për këtë mirënjohje kaq të veçantë e që jo rrallëherë ndodh në konkurse të tilla poetike./ KultPlus.com

Dhjetë gra finaliste të KultStrofa, Kaltrinë Uka triumfuese e edicionit të shtatë

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery ai që sundoi vendin ishte Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Poezia, kjo hyjneshë ndër vite, na nderoi mbrëmë me prezencën e saj të plotë, teksa emocionet sa vinin e rriteshin për konkurrentët e njashtu edhe për pjesëmarrësit. Mbretëria e fjalëve të thurura nëpërmjet poezive diversive ka mbizotëruar vendin nga cepi në cep, për të krijuar kështu një mbrëmje plot magji e shkëlqim që jo shumë lehtë harrohet dot, shkruan KultPlus.

Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, andaj në natën finale të edicionit të shtatë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia, Zvicra e gjer nga SHBA.

Qe rënia e borës ajo që na zuri në befasi të gjithëve, e që bëri që të pranishmit të vinin ngadalë por në numër të lartë. Shkrimtarë, artdashës, poetë e gazetarë, mbushën vendin për të përcjellë nga afër gërshetimin e letërsisë, kulturës e artit. Ambienti në KultPlus Caffe Gallery ishte tejet i ngrohtë. Karrige në çdo hapësirë, dritat e stolisura në dritare që e bënin akoma më festive këtë mbrëmje, si dhe shoqëruesi ynë kryesor; bora që binte me një ritëm të shpejtë por tejet të bukur. Shkëndija të veçanta shiheshin në sytë e gjithsecilit, e kjo vlen të theksohet se përjetohet enkas për poezitë e brishta.

Mbrëmë, atmosfera poetike ra mbi të pranishmit si një fener në errësirë dhe mori përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus.

Fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja dhe aktorja Vlora Merovci e cila edhe bëri me dije se ne këtë edicion të “KultStrofës” kanë aplikuar mbi 180 poezi.

“Të nderuar poetë në të gjitha anët që keni aplikuar në konkursin e poezisë në nivel mbarëkombëtar KultStrofa, zonja e zotërinj, faleminderit për prezencën e juaj në KultPlus. Edicioni i shtatë na ka tubuar edhe sonte, pra është një konkurs që vazhdon të mbetet një prej konkurseve më me emocion”, thotë ajo.

Sipas saj, poetët nga e gjithë bota kanë aplikuar dhe janë mbi 180 poezi nga vendet e rajonit, Evropës dhe ShBA.

“Tash e shtatë vite, konkursi organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus dhe këtë vit mbështetet nga MKRS, Hotel Nartel dhe Ujë Rugove”, thotë ajo.

Para se të niste i gjithë ky organizim, aktorja Merovci po ashtu interpretoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, “Dhimbja është turpëruese” të Rudina Çupit.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë që janë përzgjedhur sipas shijes së hollë të jurisë. Ajo po ashtu bëri të ditur se në edicionin e dhjetë të konkursit KultStrofa, pritet të publikohet libri me njëqind poezitë e edicioneve paraprake.

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në ceremoninë e edicionit të shtatë të KultStrofa. Sikurse e potencoi edhe Vlora, ky konkurs është mbështetë nga MKRS dhe ne jemi shumë të nderuar që po vazhdon tradita e këtij konkursi ku çdo vit jemi duke i nxjerr dhjetë finalistë dhe me këtë vit po e shënojmë shtatëdhjetë poezi që janë nxjerr nga çdo edicion. Ne po synojmë që të vazhdojmë me edicione të pafundme, por kur të organizohet edicioni i dhjetë, njëqind poezitë e edicioneve të konkursit do të dalin në formatin e një libri. Mezi prita ta ndaj këtë lajm me ju”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, ajo së bashku me stafin e KultPlus, janë të nderuar që çdo vit kanë pasur një juri prestigjioze dhe shijet e tyre e kanë obliguar Pajazitin që ta publikoj një format të librit siç e përmendi më herët.

“Unë e shfrytëzoj rastin me e falënderu jurinë profesionale që janë të pranishëm me ne sonte dhe që e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Në këtë edicion kanë ardhur mbi 180 poezi, dhe ato që kanë ardhur jashtë afatit, na vjen keq mirëpo nuk janë përfshirë për arsye se dëshirojmë ta mësojmë audiencën që afati është afat dhe ora është orë. Nga fillimi kemi punuar në këtë drejtim dhe kështu do të vazhdojmë tutje. E përshëndes kryetaren e jurisë, Entela Kasi e cila na ka nderuar shumë me marrjen e kësaj përgjegjësie për përzgjedhjen e dhjetë finalistëve, njëherit është edhe kryetare e PEN-it të Shqipërisë. E falënderoj Lulzim Tafën, një poet mjaft i njohur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës, që na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe natyrisht e falënderoj Vlora Konushevcin, e cila natyrisht sa herë që poston poezi, e ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe ka merita të plota për prurjet e këtyre dhjetë poezive në këtë edicion”, përfundon Pajaziti.

Ajo tutje i falënderoi edhe anëtarët e jurive të kaluara që kishin ardhur në këtë mbrëmje si shkrimtarët: Agim Vinca, Sali Bashota e Arbër Selmani, por njëkohësisht e falënderoi për prezencën edhe shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Sadik Bejko.

Qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje ishte prezenca e këngëtarit Endrit Krasniqi, njëkohësisht fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, i cili përveç këngës tashmë të njohur “Flas me gjethen”, ka interpretuar këngët e veta personale, e që u shpalosën si një ëndërr brenda ëndrrës. Ndërsa, si një gjethe vjeshte që bie lehtësisht, ishte zëri i këngëtares së re, Anna Krasniqi e cila interpretoi këngën “Stay”. Timbri i saj vinte në veshët e të pranishmëve si një melodi e papërsëritshme, teksa kënga e merrte atë me vete dhe e dërgonte në piedestalin e artit, aty ku ngrihen zërat dhe gjendet e vërteta.

Tutje, kryetarja e jurisë së këtij konkursi, Entela Kasi, kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, e konsideroi punën e KultPlus një punë që duhet të duartrokitet e vlerësohet.

“Ju përshëndes të gjithëve. Në fakt, për mua personalisht mbetet privilegj, nder dhe detyrë që të jemi në këtë anë të Prishtinës, kudo ku janë hapësirat tona. E kam pritur me shumë kënaqësi ftesën e Ardianës, për të qenë në KultPlus e në KultStrofa, për këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të një konkursi i cili do të ketë rrugën e gjatë. Letërsia në fakt është art magjik, sublim dhe poezia është tepër e thellë e tepër shpirtërore. Në historinë e botës, dikur poezia këndohej dhe rrëfehej, por tash ne jemi në këtë kohë moderne dhe pavarësisht ndryshimeve, ajo asnjëherë nuk e humb peshën e saj”, thotë ajo.

Sipas saj, juria pati fatin që të jenë pjesë e edicionit të shtatë të KultStrofa, dhe ajo që është më e bukura për të ka qenë që mendimet e tyre janë përputhur tejet shumë, të menduara në mënyrë të njëjtë, asnjëherë duke mos i ditur emrat e askujt sepse është ruajtur anonimiteti.

Ajo tutje bëri të ditur se është ndarë një certifikatë për drejtoreshën e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, shpalos Kasi.

Mirënjohja iu dha drejtoreshës Pajaziti nga profesori dhe bashkë-themeluesi i PEN-it të Shqipërisë, Sadik Bejko.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i shtatë i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here erdhi me një frymë tejet unike. Vendi gumëzhinte nga heshtja për secilën poezi të interpretuar, teksa poetët u mblodhën për të shkëlqyer në skenë. Në fytyrat e tyre rrinte një çudi që ishin zgjedhë pjesë e dhjetëshes finaliste. Ata me secilën poezi kanë hapur zemrat e tyre para botës, teksa secili varg që buronte nga ta, vinte me një brishtësi të rrallë. Me duar që dridhen, ton të qëndrueshëm, fryma e tyre erdhi krejt këndshëm. Poezi pas poezisë, ato u shpalosën si petalet e lules e sikurse dielli në perëndim. Kështu, mbrëmja u vulos me strofa që shpërthyen valë-valë e që dëshmuan se poezia ka kurorën mbi të gjitha zhanret e tjera.

Para të pranishmëve, më në fund u shpalosën poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.

Leonora Lokaj, Nagjije Kastrati, Vlora Kozhani-Tolaj, Valmira Rashiti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Ardiana Thaci-Mehmeti, Alketë Spahiu, Kaltrinë Uka, ishin poetet finaliste të edicionit të shtatë të “KultStrofa”. Është hera e parë që dhjetësha finaliste përmban vetëm gra, dhe kjo është diçka shumë e veçantë dhe rastësore. Njëra pas tjetrës, ato interpretuan poezitë e tyre, ndonëse emocionet ishin të pranishme. Teksa nata po merrte formën më të mirë, fjalët e poeteve e ndriçuan hapësirën ëmbëlsisht.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Nën timbrin e këtij malli”, “Qysh me e kornizu kohën”, “Guri i koshares”, “Të ringjallem nga hiri”, “Kripë e mjaltë”, “Diplomaci”, “Dashnia jem s’asht e kësaj bote”, “Harrimi është amorf”, “A m’vjen vera kah dera” dhe “Si m’shikon ashtu?!”.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poeteve: Vlora Kozhani-Tolaj, Leonora Lokaj, Ardiana Thaci-Mehmeti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Alketë Spahiu.

Nagjije Kastrati u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me poezinë “Guri i koshares”, ndërsa Valmira Rashiti u radhit e dyta me poezinë “Qysh me e kornizu kohën”.

Autorja Kaltrinë Uka, fitoi vendin e parë në edicionin e shtatë të këtij konkursi me poezinë “Nën timbrin e këtij malli”, e cila pas marrjes së trofeut, u ndje shumë e emocionuar dhe nuk i dilte pothuajse asnjë fjalë, por gjë e mirë është që poezia e saj ka thënë shumë. Ajo potencoi se të gjitha poezitë e tjera e inspiruan dhe i dhanë një motiv shtesë për të shkruar.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast, gotat e verës duke kërcitur si muzikë, meloditë e ëmbla shqipe që u derdhën mbi atmosferë pas gjithë kësaj mbrëmjeje plot emocione. Buzëqeshjet e plasaritura në fytyrat e secilit kanë shënuar fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hotel Nartel, Ujë Rugove. /  KultPlus.com

Buxhovi me përkujtesë të rrallë për shkrimtarin e shquar Xhemail Mustafa

Shkrimtari Jusuf Buxhovi ka përkujtuar shkrimtarin e shquar Xhemail Mustafa, në përvjetorin e vdekjes së tij, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

XHEMAIL MUSTAFA

Një përkujtesë nga universi letrar për shkrimtarin dhe intelektualin tonë të shquar me rastin e 24 vjetorit të vrasjes në rrethanat kur Kosovës, pa pushtuesin serb, po i vriteshin elitat intelektuale të përfshira në lëvizjen kombëtare për formimin e shtetit të pavarur!

(Dy foto bashkë me shkrimtarët e njohur: Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Vehap Shita, Beqir Musliu, Musa Ramadani e të tjetë nga Takimet Letrare “Hivzi Sylejmani” në vitin 1985)./ KultPlus.com

Nderohet Vera Zheji, pllakati me emrin e saj i vihet studios kryesore radiofonike të Radio Tiranës

Homazhe në nderim të zërit simbol të Radio Tiranës, Vera Zheji, janë zhvilluar sot në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Emri i saj tashmë ndodhet i gdhendur në studion kryesore radiofonike, teksa pllakati u zbulua nga zëvendësdrejtoresha Aurora Polo dhe e bija e të madhes Vera Zheji, Lea Plumbi-Frenz.

E emocionuar, Lea kujtoi nënën e saj si një grua të talentuar e punëtore, që gëzonte dashurinë dhe respektin e shumë njerëzve.

“Nëna ime ishte një grua punëtore, e talentuar, ishte një grua e sakrificës, ishte një grua që kishte shumë shokë dhe shoqe besnike. Nëse ka një gjë që e kujtoj me shumë kënaqësi është fakti që nëna ime kishte shumë dashamirës, njerëz që e kanë dashur dhe respektuar në çdo qoshe, i kanë hapur dyert dhe jam shumë mirënjohëse për këtë”, tha ajo.

Radio Tirana humbi zërin simbol më 17 gusht të këtij viti, kur Vera Zheji mbylli sytë përgjithmonë.

Zheji që në moshën 15 vjeçare, në shkurt të vitit 1948 nisi në mikrofonin e Radio Tiranës të bënte leximin e emisioneve letrare. Vera Zheji, shumë shpejt u bë një nga zërat më popullor dhe më të njohur në të gjithë Shqipërinë. Zërin e saj mund ta dëgjoje që në orën 5.00 të mëngjesit, duke lexuar emisione të llojeve të ndryshme.

Zheji ishte një folëse që nuk gabonte kurrë gjatë leximit. Kush nuk kujton leximin e përrallave të orës 19.00 në vitet ‘70-të nga Vera? Vera lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë, sepse ishte e prirur për gjuhë të huaja ashtu si vëllezërit e saj të shquar në fushën e letërsisë, Petro dhe Gjergj Zheji.

Ajo ishte edhe një aktore e talentuar dhe këtë e tregoi në disa pjesë teatrore, ku spikat komedia “Shi në plazh”.

Ajo krijoi edhe emisione të ndryshme si ‘Bota e përrallave’, ‘Universiteti popullor i radios’, ‘Enciklopedia e radios’ e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unike të të lexuarit./RTSH/ KultPlus.com

‘Në syrin tënd ka hyrë arratia që u ep udhë pyjeve’

Poezi nga Paul Celan

Në syrin tënd ka hyrë
arratia që u ep udhë pyjeve:
duke u vllazëruar me çdocilin vështrim tëndin
ai mbufat sythin,
sythin e zi.
Përgjatë gjithë gjerësisë së qiellit u shtri qepalla e kësaj pranvere.
Përgjatë gjithë gjatësisë së qepallës tendoset qielli,
dhe poshtë, nën strehën e sythit
pas plorit ecën i Paraamëshueshmi,
ecën Zoti.
O, ndjeje si kërcet tehu,
si cijat duke u prerë
pas të gurëzuarit, të qashtrit,
të stërlashtit lot.

Numëro bajmet
Mblidhe gjithë vrerin e pagjumësisë tënde
Dhe shpallmë llogarinë:

Memzi hape sytë ndaj të gdhirë
Në orët kur askush nuk të sheh,
Vështrimin tënd pata kërkuar
Dhe mendimet e tua të fshehta të vesës
Në shtëmbat e mia të vagullta
Mblodha

Aty ti përftove
Emrin tënd të vërtetë;
Vetvetja jote u bëre.
Fjala ime rrahu me çekiç
Arkitraun e heshtjes tënde
Dhe tek ti flatroi;
Duke dhënë shpirt në rrugë, ty për supesh të përqafi,
Dhe ju të vetëm brodhët përmes natës.

Numëroji bajamet,
Kthema hidhësirën./ KultPlus.com

Australia paraqet legjislacionin për mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve të medieve sociale

Ministrja australiane e Komunikimit, Michelle Rowland tha sot se qeveria nuk do t’i detyronte përdoruesit e mediave sociale t’ua dorëzonin informacionin e tyre personal kompanive të teknologjisë, pasi fëmijët nën 16 vjeç do të ndaloheshin nga platformat, sipas AP.

Rowland ka planifikuar të paraqesë nesër në Parlament – legjislacionin e parë botëror që do t’i bënte rrjetet sociale si X, TikTok, Facebook dhe Instagram përgjegjëse për përjashtimin e fëmijëve australianë më të vegjël se 16 vjeç nga platformat.

Pasi projektligji të bëhet ligj, platformat do të kenë një vit kohë për të përpunuar se si; të zbatojnë ndalimin e fëmijëve më të vegjël përpara se të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (33 milionë dollarë) për shkelje sistematike.

Se si platformat do të jenë në gjendje të përcaktojnë moshat e personave që kanë llogaritë ende nuk dihet.

Rowland tha sot në Parlament se legjislacioni do të përmbante “dispozita të forta” për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve të medieve sociale.

Qeveria australiane njoftoi javën e kaluar se një konsorcium i udhëhequr nga kompania britanike “Age Check Certification Scheme” ishte kontraktuar për të ekzaminuar teknologji të ndryshme dhe për të vlerësuar dhe verifikuar moshat e përdoruesve.

“Përveç ndalimit të medieve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, Australia po kërkon gjithashtu mënyra për të parandaluar që fëmijët nën 18 vjeç të kenë akses në pornografi”, thuhet në një deklaratë të qeverisë./ KultPlus.com

Scarlett Johansson feston 40 vjetorin

Aktorja hollivudiane Scarlett Johansson, ikonë e stilit dhe elegancës feston 40 vjeç.

Scarlett Ingrid Johansson, aktore plot sharm dhe këngëtare, ka lindur në Nju Jork më 22 nëntor 1984.

Pak njerëz mund të shikojnë prapa një karrierë që përfshin më shumë se tre dekada në moshën 40 vjeçare.

Scarlett Johansson është një nga këto talente të jashtëzakonshme. Ajo bëri debutimin e saj nëntë vjeçe në shfaqjen “Sophistry” përkrah aktores po fëmijë Ethan Hawke.

Johansson ka një nënë hebreje me rrënjë polake dhe një baba danez. Ajo mori mësime aktrimi si fëmijë në Nju Jork. Në moshën nëntë vjeç, ajo bëri debutimin e saj në film në komedinë “North” (1994), së bashku me Elijah Wood dhe me regji të Rob Reiner.

Pas “The Horse Whisperer” dhe filmit për adoleshentë “Ghost World”, talentja e re arriti suksesin e saj ndërkombëtar me “Lost in Translation” (2003).

Për Johansson, gjërat kanë shkuar fort mirë në Hollywood. Roli i saj si Black Widow në “Iron Man 2” (2010) ishte sinjali fillestar për filmat e panumërt të Marvel dhe një karrierë të mirëpaguar.

Në vitin 2012, ajo u përjetësua me një yll në “Walk of Fame” të Hollivudit.

Në vitin 2013, revista për meshkuj Esquire e quajti atë “Gruaja më atraktive në botë” për herë të dytë, ndërsa në 2018 dhe 2019, revista e biznesit Forbes e quajti atë aktoren më të paguar në Hollywood./ KultPlus.com

Këngëtarja Miley Cyrus sot feston ditëlindjen (FOTO)

Nga shkëlqimi i hershëm i Hollivudit deru tek dukja e saj e fundit në “Midnight Sky”, hidhini një sy evolucionit të bukurisë së Miley Cyrus në ditëlindjen e saj të 32-të.

Nga ylli me fytyrë të freskët të Disney-t deri te rrokerja me buzë të kuqe të ‘Plastic Hearts’, qasja e Miley Cryrus ndaj bukurisë ka pësuar transformime të mëdha.

Ndërsa ylli feston ditëlindjen e saj të 30-të, ne hedhim një vështrim prapa në evolucionin e saj të bukurisë, transmeton KultPlus.

Duke rivizituar një nga ngjarjet e para të Cyrus në Hannah Montana, 14-vjeçarja u shfaq e freskët me kaçurrela me shkop, shkëlqyes të pastër buzësh dhe shtresë delikate të bojë për vetulla.

Në ‘American Music Awards 2007’, qasja e yllit adoleshent ndaj grimit mbeti minimale, duke përdorur ‘eyeliner’ të zi dhe shkëlqim buzësh rozë. Megjithatë, theksimet bionde të trasha të Cyrus mahnitën, ndërsa ajo ndërroi kaçurrelat e zakonshme me unazë me bravë të hijshme të hekurosura.

Ndërsa performonte në ‘VMA 2013’, Cyrus kishte një gamë spektakolare të kostumeve të çmendura dhe aksesorëve novatorë gjatë performancës së saj të diskutueshme me Robin Thicke. Duke hyrë në moshën e eksperimentimit të yllit, ajo e kompletoi pamjen e saj në tapetin e kuq me topuz hapësinor dhe buzë të kuqe.

Cyrus ekzekutoi pa mundim magjinë e epokës së artë të Hollivudit me një kaskadë kaçurrelash të lirshme dhe një buzë të kuqe të përjetshme.

Duke nxjerrë në pah bukurinë natyrore të Cyrus dhe valët e zhbëra, shumë pamje të paharrueshme nga viti 2019 mbajtën një qasje më minimaliste. Një sy klasik mace me hije delikate dhe një buzë nudo plotësonte smokingun e yllit të ‘Saint Laurent’, të huazuar nga babai, Billie Ray Cyrus.

Menjëherë pas publikimit të videos muzikore “Midnight Sky”, interneti u rrotullua me mijëra fansa që rikrijuan pamjen e çuditshme të Cryus-it të frymëzuar nga disko. Artistja e gjatë e grimit e yllit, Janice Daoud, mahniti me një sy mace ngjyrë vjollce metalike dhe një buzë të kuqe mbresëlënëse. / KultPlus.com

Zvicra kampion evropian në transportin hekurudhor

Zvicra mbetet, deri tani, kampionia evropiane e udhëtimit me tren. Si për nga numri i udhëtimeve për person ashtu edhe për kilometrat e përshkuar, zviceranët janë shumë përpara vendeve të tjera.

Në vitin 2023, qytetarët zviceranë udhëtuan mesatarisht 2,466 kilometra me tren për banor (pasagjer-kilometra) dhe e përdorën këtë mjet transporti 68 herë, raportoi të enjten shërbimi informativ i transportit publik (Litra).

Gjatë vitit, kilometrat pasagjerë u rritën me 13,2% dhe udhëtimet me 11,5%. Në shifra absolute, trafiku tejkaloi rekordin e vitit 2019 (d.m.th. para Covid-it) me 2.5% vitin e kaluar, me 22.3 miliardë kilometra pasagjerë.

Prandaj, zviceranët përdorin hekurudhat më shumë se 50% më shumë se vendi i renditur i dyti, si për sa i përket kilometrave për banor ashtu edhe frekuencës.

Pas Zvicrës, vendet kryesore hekurudhore janë, sipas radhës, Austria, Franca dhe Suedia. Pas tyre vijnë Gjermania, Holanda, Danimarka dhe Luksemburgu. Nga ana tjetër, treni pothuajse nuk ekziston në Greqi dhe përdoret shumë pak në vende si Kroacia, Bullgaria, Estonia, Lituania apo Rumania.

Studimi bazohet në të dhëna, veçanërisht nga Eurostat, duke përfshirë 25 vendet e Bashkimit Evropian me një rrjet hekurudhor (d.m.th. pa Maltën dhe Qipron), si dhe Britaninë e Madhe, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Në shkallë globale, një studim tjetër tregoi se vetëm Japonia rivalizonte Zvicrën në popullaritetin e hekurudhave./RTS/ KultPlus.com

Vizita e fjalimi i famshëm i John F. Kennedy me fjalët e famshme “Ich bin ein Berliner”

Në Berlinin Perëndimor në vitin 1963, Presidenti Kennedy mbajti fjalimin e tij më elokuent në skenën botërore.

“Unë jam një Berliner”.

Këto fjalë, të shprehura më 26 qershor 1963, në sfondin gjeopolitik të Murit të Berlinit, qëndrojnë për shkak të çiftëzimit të njeriut dhe momentit. 

Mbrojtja sfiduese e demokracisë dhe vetëqeverisjes nga John F. Kennedy u dallua si një pikë e lartë e presidencës së tij.

Në kulmin e fjalimit të tij, udhëheqësi amerikan e identifikoi veten me banorët e qytetit të mundur:

Liria është e pandashme dhe kur një njeri robërohet, të gjithë nuk janë të lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë, atëherë ne mund të presim me padurim atë ditë kur ky qytet do të bashkohet si një dhe ky vend dhe ky kontinent i madh i Evropës në një glob paqësor dhe shpresëdhënës.

Përfundimi i tij e lidhi atë përjetësisht me dëgjuesit e tij dhe me kauzën e tyre: “Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që të jetojnë, janë qytetarë të Berlinit dhe prandaj, si njeri i lirë, krenohem me fjalët Ich bin ein Berliner”. /KultPlus.com

Aleksandër Xhuvani: Vepra e Fishtës si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e djelmënisë

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.

Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.

Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.

Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com

Thëniet më të bukura të nobelistit Andre Gide

André Gide ishte një autor francez dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi (në 1947).

Ai është autor i më shumë se pesëdhjetë librave. Gazeta “The Neë York Times” e kishte përshkruar atë si “njeriu më i madh bashkëkohor i Francës në letra”.

Për lexuesit tanë sjellim këtë koleksion me thëniet më të bukura të tij:

Të dish të lirosh veten nuk është asgjë; gjëja e mundimshme është të dish çfarë të bësh me lirinë e dikujt.

Njeriu nuk mund të zbulojë oqeane të reja, nëse nuk ka guximin të harrojë bregun.|

Besojuni atyre që kërkojnë të vërtetën. Dyshoni tek ata që e gjejnë.

Ji besnik ndaj asaj që ekziston brenda vetes.

Gjithçka është thënë tashmë, por meqenëse askush nuk po dëgjonte, ne duhet të fillojmë përsëri.

Ngjyra e së vërtetës është gri.

Vetëm ato gjëra janë të bukura të cilat janë të frymëzuara nga çmenduria dhe të shkruara nga arsyeja.

Hipokriti i vërtetë është ai që pushon së perceptuari mashtrimin e tij, ai që gënjen me sinqeritet.

Ju lutem mos më kuptoni shumë shpejt.

Të kesh zili për lumturinë e një njeriu tjetër është çmenduri; nuk do të dinit çfarë të bënit me të nëse do ta kishit.

Ai që dëshiron një trëndafil duhet ta respektojë gjembin e tij.

Vetëm budallenjtë nuk e kundërshtojnë vetveten.

Ka shumë gjëra që duken të pamundura për aq kohë që dikush nuk i provon ato.

Frika nga tallja lind frikacakun më të keq.

Guxo të jesh vetvetja.

Atëherë ju mendoni se dikush mund të mbajë një dashuri të pashpresë në zemrën e tij për aq kohë sa? … Dhe se jeta mund të marrë frymë mbi të çdo ditë, pa e shuar atë?

Ji besnik ndaj asaj që ekziston askund tjetër veç te vetja jote – dhe kështu bëhu i domosdoshëm.

Urtësia nuk vjen nga arsyeja por nga dashuria.

Eshtë më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të të duan për atë që nuk je.

Si do të ishte një rrëfim i lumturisë? E tëra që mund të përshkruhet është se çfarë e përgatit atë, dhe pastaj çfarë e shkatërron atë.

Veprimet më vendimtare të jetës sonë – dua të them ato që ka më shumë të ngjarë të vendosin gjithë rrjedhën e së ardhmes sonë – janë, më shpesh , të pamenduara.

Ne duhet ta shijojmë këtë verë, lule më lule, sikur të ishte e fundit që do të shohim.

Të lexosh një shkrimtar është për mua jo thjesht të marr një ide se çfarë thotë ai, por të shkoj me të dhe të udhëtoj në shoqërinë e tij.

Çdo çast i jetës sonë është në thelb i pazëvendësueshëm: duhet ta dini këtë në mënyrë që të përqendroheni në jetë.

Unë nuk dëshiroja asgjë përtej buzëqeshjes së saj dhe të ecja me të kështu, dorë për dore, përgjatë një dielli të ngrohur, në shtegun e luleve.

Trishtimi nuk është pothuajse kurrë asgjë, por një formë e lodhjes.

Kapaciteti për të fituar falas nuk është asgjë; aftësia për të qenë i lirë është detyra.

Gjërat më të rëndësishme për të thënë janë ato që shpesh nuk i mendoja të nevojshme t’i thosha – sepse ishin shumë të dukshme.

Mirëpriteni gjithçka që ju vjen, por mos dëshironi për asgjë tjetër.

Arti fillon me rezistencën – në pikën ku rezistenca kapërcehet. Asnjë kryevepër njerëzore nuk është krijuar kurrë pa punë të madhe.

Arti është një bashkëpunim midis Zotit dhe artistit, dhe sa më pak që bën artisti, aq më mirë.

Në mënyrë që të jem plotësisht i lumtur, e vetmja gjë e nevojshme është të përmbahem nga krahasimi i këtij momenti me momentet e tjera në të kaluarën, të cilat shpesh nuk i shijoja plotësisht, sepse i krahasoja me momentet e tjera të së ardhmes.

Më shpesh njerëzit kërkojnë situata të jetës për të këmbëngulur në mendimet e tyre sesa për të arsimuar veten e tyre.

Rrugët më të rrahura janë sigurisht më të sigurtat, por mos shpresoni të fitoni shumë me to.

Kam ndërmend t’ju sjell forcë, gëzim, guxim, zgjuarsi, sfidë.

Novelisti nuk ka shumë dëshirë ta shohë luanin duke ngrënë bar. Ai e kupton që i njëjti Zot krijoi ujkun dhe qengjin, pastaj buzëqeshi, “duke parë që puna e tij ishte e mirë”.

Ata krijojnë dallime dhe rezerva të cilat unë nuk mund t’i zbatoj për vete, sepse ekzistoj vetëm si një i tërë; I vetmi pretendim im është të jem i natyrshëm dhe kënaqësinë që ndiej gjatë një veprimi, e marr si shenjë se duhet ta bëj.

Vetë gjërat që më ndanin dhe më dallonin nga njerëzit e tjerë ishin ato që kishin rëndësi; gjërat që askush tjetër nuk do të donte dhe nuk mund të thoshte, këto ishin gjërat që unë kisha për të thënë.

Krijimet më të bukura të burrave janë vazhdimisht të dhimbshme. Cili do të ishte përshkrimi i lumturisë?./KultPlus.com

Marin Mema vlerësohet “Qytetar Nderi i Tropojës”

Gazetari i Top Channel Marin Mema u shpall qytetar nderi i Tropojës.

Vendimi është marrë me votë unanime nga të gjithë përfaqësuesit e forcave të ndryshme në Këshillin Bashkiak.

Kryetari i Këshillit Bashkiak lexon motivacionin.

Marin Mema: Kombi duhet çdo ditë. Kombi nuk duhet vetëm për festa. Kombi duhet çdo ditë, për Kombin duhet punuar çdo ditë, për Kombin duhet të jemi të bashkuar pavarësisht ndasive, ngjyrave të gjithsecilit. Janë disa çështje që janë me të rëndësishme. Janë disa çështje që na bashkojmë të gjithëve. Të ecim bashkë dhe të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë bashkë… sepse në fund të ditës aty jashtë në çdo qytet të Shqipërisë do t’i vuajnË problemet apo të mirat njësoj fëmijët e gjithësecilit prej nesh.

Autori i cikleve “Gjurmë Shqiptare” dhe “Shqipëria Tjetër” Marin Mema, mban titullin qytetar nderi në disa qytete në Shqipëri. Kosovë dhe Maqedoni të Veriut./TopChannel/KultPlus.com

Dashuri për Elsën


Louis Aragon

Jam xheloz për çdo pikë shi
që me puthje më shëmbëllen
më bëjnë të ndjej xhelozi
sytë e gjithçkaje që shkëlqen

Kur e zë jam xheloz për bletën
për pasqyrën ku ajo shihet
për harrimin për kujtesën
dhe për gjumin ku kridhet

Për trotuarin që ajo zgjedh
për erën që e fshik me duar
në ëndërr gjumin ma vjedh
xhelozia ime që rri zgjuar

Jam xheloz për një këngë një ofsh
për një hukamë e një rënkim
për zymbylat jam xheloz
për një parfum për një kujtim

Jam xheloz për statujat në shesh
tunduese me ata sy zgavra
jam xheloz kur ajo hesht
për fletën e bardhë që ka përpara

Për një qeshje a një lëvdatë
dimrit për një drithmë të lehtë
për një fustan që vesh në shtat
pranverës për drurët e blertë

Jam xheloz kur i pëlqen zjarri
për një degë që e ndjek prapa
për krehërin në flokët ngjyrë ari
në ag më bën xheloz mesnata

për gjithçka që ka për zemër
për zumrudët që stolisin
ah, nata e ligë nata shemër
më hijet e saj ma mer shpirtin

Çdo stinë ndjej xhelozi
më ngulen njëmijë gozhdë
jam xheloz gjer në marrëzi
jam xheloz si një qen xheloz

Kur vonohet një grimë herë
jam xheloz për botën mbarë
gjestet e saj janë mister
jam xheloz për çdo kitarë./KultPlus.com

Mos shko shumë larg

Pablo Neruda / përktheu Enkeleda Suti

Mos shko shumë larg, as për një ditë
sepse…sepse…s’di si ta them
një ditë është kohë e gjatë e
unë do jem duke të të pritur
sikur të isha në një stacion treni
por trenat janë parkuar diku tjetër
në gjumë 

Mos më lër as për një orë
Sepse atëherë i gjithë ankthi im do të vërshojë për tek unë
tymi që hungërin në kërkim të një shtëpie
do të vijë drejt meje po ashtu
duke mbytur zemrën time të ngratë
Mos u shpërbëftë kurrë në det silueta jote
Mos u valëviteshin qepallat e tua kurrë në një largësi të zbrazët 

Mos më lër për një sekondë, e dashura ime 

Sepse në atë çast
ti do te kesh ikur aq larg saqë unë
do të vërtitem nëpër labirinthe mbi të gjithë tokën
duke pyetur
A do të kthehesh?
Apo do të më lësh këtu, duke vdekur?