Zëri kumbues i historisë shqiptare, Marin Mema: Mbështetja te rrënjët është kthesa e vetme drejt një kombi më të fortë

Jeta Zymberi

“Mos na harroni se të djegun jena ne për Shqipëri!”. Këto janë fjalë që vijnë nga territoret shqiptare që ndër shekuj u mbuluan nga e vërteta, territore që sot po gërvishten nga një gazetar shqiptar, i cili parim jetësor e ka të vërtetën.

Një personalitet që dallon. I cili është ngritur si një mur mbrojtës duke e bërë të pamundurën në zbulimin dhe ekspozimin e rrënjëve shqiptare.

Atë, as nuk mund ta quash historian, as gazetar, Marin Mema është një hulumtues i pasionuar i historisë dhe kulturës shqiptare, një romantik i storjeve mbi territoret e humbura shqiptare. Një nga faktorët kyç që mund të nënvizojmë në këtë rrugëtim të Memës, është fuqia brenda vetes si dhe detyrimi që vjen nga thellësia e shpirtit që shtyn me patjetër drejt njohjes së të vërtetës, zbulimit të historisë dhe identitetit kombëtar.

Si një shkëndijë mbi qiellin e kombit tonë, Marin Mema po shtron një rrugë të ndritshme të dijes dhe kërkimit. Nëpërmjet gazetarisë së tij, ai ka krijuar një urë midis të kaluarës dhe së tashmes, duke hedhur dritë mbi ngjarje dhe figura të harruara nga historia zyrtare. Ai është një interpretues i veçantë i historisë shqiptare, duke na treguar se çdo ngjarje ka një kontekst të thellë dhe një lidhje me ngjarjet e tjera.

I thjeshtë në dukje, me një modesti të jashtëzakonshme, me një zë kumbues që tërheq vëmendje dhe të jep bindje, Marin Mema dhe unë u takuam në ambientet e KultPlus Caffe Gallery për të realizuar këtë intervistë që për mua është shumë domethënëse.

Marin Mema në KultPlus Caffe Gallery

Me një fjalor të pasur të cilin duket që e ka marr pak nga të gjitha tokat shqiptare ku i ka shkelur këmba, ai na rrëfen se çfarë e shtyu të fillojë këtë kërkim të thellë të identitetit kombëtar.

Të flasësh me Marin Memën është një sfidë për zemrën dhe intelektin bashkë. Atdhedashuria shpërthen si vullkan brenda teje dhe pavarësisht se sa përpjekje bën për të mbajtur ndjenjat nën kontroll, forca e tij, si një fuqi e natyrës së pashpjegueshme, tërheq çdo qelizë të ndjesisë patriotike brenda teje, duke treguar se dashuria për kombin është një flakë që nuk shuhet dot.

Kur flet për ‘Gjurmët Shqiptare’, që tashmë ka shënuar një dekadë, ai thekson se ky projekt i ka dhënë një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe e ka frymëzuar të sjellë në pah shumë histori të harruara dhe të lëna mënjanë. Nëpërmjet kësaj pune, ai ka ndeshur shqiptarë që kanë ruajtur me zell dhe dashuri identitetin e tyre, edhe pse kanë përjetuar presion dhe tentativa për t’i asimiluar. Ai thotë se identiteti kombëtar nuk duhet harruar në errësirën e globalizmit dhe se mbështetja te rrënjët është kthesa e vetme drejt një kombi më të fortë.

Marin Mema, një personalitet i pasur me dije, nëpërmjet pyetjeve, na udhëzon në një udhëtim emocionues nëpër kohë dhe hapësirë, duke na sjellë para syve ngjarje dhe momente të ndryshme gjatë takimeve me shqiptarë që valët e jetës i kanë detyruar të deklarohen diku si kroat e diku di turq, por që dashuria e tyre për Shqipërinë, forca dhe sakrificat e tyre, të thyejnë shpirtin e të nxjerrin lotët, lotë të cilët duhet t’i kthejmë në mbështetje për këta njerëz që vuajtjen për atdheun e kanë përqafuar me dekada të tëra.

Misioni i Marin Memës tashmë është bërë një thesar i përbashkët kombëtar sepse ai na mëson se historia nuk është thjesht një varg ngjarjesh, por një rrugë e plotë që na lidh me të kaluarën dhe formon identitetin tonë.

Ai është një shembull i rrallë i një njeriu që ka vendosur të jetë pjesë e rrënjëve që i kërkon me aq përkushtim, sepse siç pohon edhe ai vetë, kombin duhet dashur me të mirat e të këqijat e veta.

KultPlus: Si nisi puna juaj për të nxjerrë në dritë të vërtetën mbi shqiptarët. Çfarë ju nxiti më shumë për të hulumtuar në këto terrene?

Marin Mema: Është diçka që ti e ke brenda vetes, e ke brenda shpirtit, brenda zemrës së mushkës, nuk e shpjegon dot, të vjen natyrshëm. Ti fillon të krijosh të dhënat e para, të marrësh informacionin e parë dhe kupton që ka pasur një tentativë të përhershme për t’i shuar elementë historisë tonë, të identitetit tonë kombëtar, për t’i zhdukur, për t’i mbajtur të mbyllura dhe atëherë ti përfshihesh plotësisht në një përpjekje për të nxjerrë sadopak në pah. E kam thënë shpesh, këtë e bëj jo për të sulmuar kombet e tjera, thjesht për të treguar më shumë për vendin tonë, për kombin tonë.

KultPlus: Gjurmë shqiptare tashmë ka shënuar një dekadë punë dhe ka shpërfaqë shumë fakte mbi vjetërsinë, kulturën, traditën shqiptare, krejt ky rrugëtim i këtij emisioni, sa ka plotësuar brendësinë e Marin Memës në kërkim të rrënjëve shqiptare?

Marin Mema: Mbi të gjitha më ka dhënë një eksperiencë të jashtëzakonshme. Më ka bërë që të sjell disa gjëra deri diku të reja, sigurisht dhe shumë gjëra tjera që ishin të thëna më parë nga puna e jashtëzakonshme e historianëve e studiuesve, por që ishin lënë mënjanë. Pra, këta historianë dhe studiues nuk kishin marrë asnjëri mbështetjen që duhej. Për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe vazhdon të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse kam vizituar zona që nuk do t’i kisha vizituar dot kurrë nëse do të kisha punuar në një sektor tjetër. Domethënë, unë nuk arrij t’i harroj kurrë dot as eksperiencat në Nish, as në Mollëkuqe, as në Kurshumli, as në Prokuplje, as në Sanxhak të Pazarit e Ri, as në Tutin, Peshter, pastaj është pjesa e Çamërisë, është pjesa e shqiptarëve të Malit të Zi, e shumë vene të tjera. Domethënë është një eksperiencë e jashtëzakonshme që ti mund t’i hasësh në një moment të caktuar në libra, por në terren është krejtësisht tjetër. Pra, në terren ti gjithçka e kupton në formë të drejtpërdrejtë. Unë kisha lexuar deri diku për shqiptarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, por kur kam vajtur atje për herë të parë, ka qenë tjetër gjëja që kam gjetur. Është tjetër gjë kur i sheh prej afër.

KultPlus: Në të përditshmen, individët nuk dëshirojnë të gërmojnë në të kaluarën, jo gjithmonë e kaluara është e bukur. Por të kaluarën shqiptare do ta kishin lakmi shumë popuj, ju si e plotësoni këtë qasje?

Marin Mema: E kaluara jonë është një moment shumë i rëndësishëm, sepse derdhet shumë thellë në histori, por është dhe e dhimbshme, sepse gjithmonë kemi vuajtur nga kjo mungesa e organizimit, nga këto pushtimet e përhershme, nga kjo tentativa e gjithmonshme për të na mbajtur me një anë, për të na e shuar historinë dhe identitetin tonë, për të na e rrëmbyer këtë histori. Prandaj, unë sot gjithmonë kur flas për këtë gjë, përpiqem që të them që shiko, sot është momenti që ne të gjithë bashkë të përpiqemi për t’i nxjerrë në pah, për t’i nxjerrë në dritë këto vlera, për të mësuar përmes tyre. Një komb me themele më të forta, është një komb më i fortë. Sot, ka shpesh një tentativë për të thënë që iku koha e patriotizmit, iku koha e lidhjes me kombin, sepse bota është bërë globaliste etj, por ne po të shikojmë pak me kujdes sot, kombet më të fuqishme janë kombet më të lidhura me konceptin kombëtar, me rrënjët, dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim. Ne duhet të mbështesim rrënjët tona tek një histori që e kemi, me të mirë dhe të këqijat e saj, e kemi dhe jemi të detyruar që ta ruajmë dhe të mos ia falim askujt.

KultPlus: Përgjatë kësaj periudhe, cila nga tregimet e tua të ka rrëqethë trupin?

Marin Mema: Ka shumë. Kur kam qenë për shembull në Sanxhak të Pazarit të Ri, s’ia harroj kurrë fjalët e një të moshuari atje i cili nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri dhe në fund të takimit tonë gjithmonë më thoshte: Mos na harroni se të djegun jena ne për Shqipëri!

Kurrë s’e kishte parë Shqipërinë, por thellë në shpirtin e tij vlonte dëshira dhe ndjenja e kombit. Ashtu siç një tjetër zotëri, që për fat të keq sot nuk jeton më, pasi bisedonte me mua, në një moment të caktuar më thoshte: Tash do të nxjerr ‘zastaven”. Dakord i them unë dhe vazhdojmë bisedën, ku ai prap vazhdon e thotë të njëjtën fjalë përderisa vazhdonte biseda dhe në fund, pa nga dritarja dhe hapi sëndukun dhe nxori flamurin kombëtar. Pra, ti kupton se sa e vështirë ka qenë për ta, por edhe faktin që ata brenda vetes e kanë ruajtur në një farë mënyre të qenit shqiptarë. Sigurisht, ka shumë momente tjera që unë jam emocionuar kur kam parë për shembull shqiptarë, të cilët për shkak të presionit shumë të madh, asimilimit shumë të madh, dhunës që kanë përjetuar, janë detyruar të mohojnë identitetin e tyre, pra t’i gjen dikë që të thotë: Unë jam me gjyshe e gjyshe shqiptare, nënë e babë shqiptarë, por vetë jam maqedonas. Pra, t’ia hasë këtë realitet, që është sigurisht pjesë shumë e dhimbshme. Por edhe më e dhimbshme akoma është fakti që për shumë nga këta shqiptarë që janë të asimiluar apo që kanë mbetur si në hije, nuk flitet fare. Pra, nëse ne flasim sot për Sanxhakun e Pazarit të Ri, për ta flitet fare pak, nuk diskutohet fare, pavarësisht se atje ka filluar një lëvizje shumë interesante e një grupi të rinj, të cilët po përpiqen të shprushin në rrënjët e tyre. Nuk duhet me pas frikë me tregu të vërtetat. Ne duhet të kërkojmë të drejta për ta, ata kanë të drejtë të jenë ata që i ka bërë Zoti, ata janë shqiptarë, pavarësisht se për shumë arsye sot deklarohen masivisht boshnjakë. Por, nëse ti bisedon me ta, ata e pranojnë që janë regjistruar si boshnjakë, por që janë shqiptarë. Edhe ata që nuk e pranojnë, po t’i gërvishtesh fare pak, në një moment të caktuar e tregojnë që janë shqiptarë.

KultPlus: Ju keni qenë në shumë zona ku edhe dokumentoni për të kaluarën tonë, në bazë të asaj se çfarë keni punuar deri më tani, sa përqind mendoni se keni prekë zonat shqiptare?

Marin Mema: Nuk e ndaj dot me përqindje, por them që kam prekur një pjesë të madhe të tyre dhe sigurisht kam ende shumë zona tjera për të prekur. Kam zona tjera në Mal të Zi që duhet t’i prek, kam zona tjera në Maqedoni që duhet t’i prek, kam zona tjera në Turqi që unë duhet t’i prek, sepse edhe atje janë shumë shqiptarë. Eksperienca pastaj më ka çuar të prekë shumë shqiptarët që kanë mbetur në Serbi, shqiptarët që kanë mbetur në zonën e Çamërisë dhe ato pjesët përreth sepse edhe aty kanë mbetur shqiptarët ortodoksë, myslimanë. Pra, deri diku kam prekur një lloj gjeografie, por them që ka ende shumë për të dëshmuar dhe për të rrëfyer në terren.

KultPlus: Përpos trojeve shqiptare, duke përjashtuar edhe arbëreshët, në çfarë lokacione të shteteve të huaja keni gërmuar për kulturën dhe lashtësinë shqiptare?

Marin Mema: Italia disa herë, sepse Italia ka edhe arbëreshët, ka edhe shumë fise ilire që kanë vajtur dhe kanë jetuar që në shekullin e tetë – nëntë para erës sonë janë vendosur në zonën e Salentos tek taka e Italisë. Italianët për fat e pranojnë këtë gjë, nuk e fshehin dhe unë kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me arkeologët italianë. Sigurisht, kam vajtur tek ata pak shqiptarë që akoma ruajnë identitetin shqiptar në Bullgari, kanë vajtur deri në Ukrainë, kanë qenë në Turqi. Pastaj kam qenë në Bosnje, kam qenë në Kroaci, tek arbëreshët e Kroacisë, kam qenë në Slloveni tek shqiptarët që ishin shuar në zonën në kufi me Italinë. Por sigurisht ka shumë e shumë, gjeografia është e gjerë, jam përqendruar në fakt më shumë tek trojet tona, këtu për rreth, sepse kam dashur ta prekë këtu realitetin.

KultPlus: “Arbëreshët e Zarës, gjaku ynë” është një tjetër dokumentar nga ju që ka shpalosur se si e kanë ruajtur arbëreshët e Kroacisë gjuhën, traditat, zakonet, këngët e mbartura brez pas brezi dhe historitë e jashtëzakonshme. Çfarë emocione përjetoni kur përballeni me këto fakte dhe këta njerëz?

Marin Mema: Secili prej tyre ka historinë e tij personale dhe ti kupton që ata kanë bërë sakrifica shumë të mëdha për ta mbartur gjuhën shqipe, për të mbajtur me shumë vështirësi trashëgiminë dhe kulturën shqiptare dhe ajo që shpesh kupton është që ne u japim shumë pak nga ajo që meritojnë. Pra, mbështetja që ne u japim sot është shumë e pakët, dhe nuk është vetëm tek shqiptarët e Kroacisë, është e njëjta gjë edhe tek arbëreshët e Bullgarisë dhe arbëreshët e Ukrainës. Arbëreshët e Italisë kanë qenë pak më ndryshe, në numër pak më të madh, më të mbledhur në zona të caktuara, shteti italian nuk ka qenë aq mbytës dhe kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre, por edhe ata sigurisht i kishin vënë ca kufizime vetes tyre, ata bënin martesa vetëm arbëresh me arbëresh, për të ruajtur identitetin. Por, këto zona në Kroaci, në Bullgari e në Ukrainë e kanë pasur një presion shumë të madh dhe pikërisht për shkak të këtij presionit shumë të madh, ne duhet t’i gjendeshim shumë më pranë. Për shembull, arbëreshët e Bullgarisë kanë mbetur tashmë shumë pak. Domethënë mund të kenë mbetur toponime, për shembull Arbanasit, po fshati Mandrica për shembull, sot ka vetëm një grup të moshuar që kanë mbetur dhe që e ruajnë gjuhën shqipe dhe me shkuarjen e tyre në botën tjetër do të humbasë gjithçka. Sigurisht duhet ta kem në fokus shumë shpejt Rumaninë që për mua është shumë e rëndësishme gjithashtu. Pastaj është Egjipti që ka qenë qendër shumë e rëndësishme.

KultPlus: Dokumentari i titulluar “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, ku tregohej sesi serbët kishin përvetësuar kishat iliro-arbërore, ka ngritur në këmbë gjithë shtetin serb. Reagime të shumta, kanë ardhur nga Serbia, si nga politikanë, historianë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm të cilët edhe ju kanë akuzuar. Si veproni në raste të tilla, apo sa ndikojnë në punën që bëni?

Marin Mema: Nuk ka as njëlloj ndikimi, nëse njeriu shkon drejt të vërtetës dhe shkon e bën me pastërti dhe ndershmëri, nuk ka pse të ketë frikë as nga kërcëllitjet e dhëmbëve, as nga reagimet, as nga kërcënimet. Kjo është e vërteta, ata kanë një histori të mëhershme, që është historia e autoktonëve të këtushëm dhe pastaj, kur ndodhin dyndjet sllave dhe shumë shekuj më vonë, nis deformimi i historisë së këtyre objekteve të kultit. Kjo është e vërteta, i pëlqen apo s’i pëlqen dikujt, dhe ne për fat të keq shumë shpesh e kemi lënë pa treguar aq sa duhet. Ka studime shumë të mira të studiuesve shqiptarë, të historianëve shqiptarë, por që duhen mbështetur shumë fort që kjo çështje të dalë në dritë. Kështu që ne s’mund të heshtim se nuk i pëlqen një grupi të caktuar njerëzish. Ne gjërat tona do t’i themi.

KultPlus: Sipas asaj çka keni parë gjatë këtyre viteve punë, cilat vende shqiptare janë më të asimiluara?

Marin Mema: Mua më dhemb shumë Manastiri në Maqedoni, që ka qenë zemra e Rilindjes Kombëtare, shtëpia e Alfabetit, dhe sot ti gjenë shumë pak shqiptarë në krahasim me çkanë qenë, dhe ata shqiptarë që kanë mbetur, janë me të drejta të shkelura pa fund. Ashtu siç ke qytetin e Ohrit, që ka qenë mbi nëntëdhjetë përqind shqiptarë, ashtu siç kemi zona të caktuara në Mal të Zi, Tivarin shembull, Plavën e Gucinë. Pra, janë zona që kërkojnë dhe duhet të kenë shumë më shumë mbështetje për të rigjetur vetveten sepse janë qytete që kanë një rëndësi shumë të madhe në historinë tonë kombëtare. Ka edhe shumë qytete tjera, po mora vetëm disa shembuj.

KultPlus: Ju jeni shpërblyer disa herë edhe për punën tuaj mbi dokumentimin e popullit shqiptar, vulosë në një formë angazhimin tuaj apo çmimet tashmë nuk të bëjnë përshtypje?

Marin Mema: Çmimet janë një kënaqësi, janë një shtytje, pa diskutim. Por unë përpiqem të bëj punën time, jo për Marinin, për të marrë çmimin Marini, por përpiqem të vë një gur të vogël në një kështjellë të madhe, e quaj unë, që është kështjella e shqiptarizmës, ku secili nga ne mund të vërë një gur të vogël. Nuk e bëj për kënaqësinë individuale timen, nuk e bëj fare për këtë pjesë, unë do të doja vërtet që ti kem shërbyer kombit tim dhe kaq, që nesër, kur edhe unë të mos jem më, të thonë një fjalë të mirë për mua, kjo është pasuria më e madhe që lë njeriu, këtë quaj pasuri.

KultPlus: Po në një anë janë çmimet, po diku-diku je edhe i pa dëshiruar. Greqia para shumë vitesh të shpalli person “Non Grata”, në fakt ju luhate pak rehatinë?

Marin Mema: Ata janë mësuar të mos e thonë të vërtetën. Unë këtë raportin me të vërtetën e quaj të shenjtë. Është një raport që duhet ta ketë gazetari, se unë nuk e quaj vetën kurrë historian, unë e quaj veten hulumtues, por jam gazetar. Sigurisht, kam bërë vetëm punën time, asgjë më shumë. Kam vajtur dhe kam dëshmuar zona të caktuara se si e kanë pasur historinë, çfarë thonë dokumentet apo edhe shqipen që ka mbetur, e kam thënë shpesh me humor që “Nuk ua solla unë shqipen, unë shqipen atje e gjeta”. E kishin bartur në shtëpitë e tyre, duke folur brez pas brezi dhe e ruanin edhe sot. Mua më konsideruan dhe më dhanë një vendim të çuditshëm, “rrezik për sigurinë kombëtare”, se çfarë rreziku për sigurinë kombëtare mund të jetë një gazetar që armën e tij e ka penën, nuk e di. Megjithatë, budalliku më i madh është se duke shpallur Non Grata Marinin, mendon se pengon të vërtetën. E vërteta nuk pengohet. Se sot ti i shpall Non Grata Marinit, po ka pesëdhjetë, njëqind, dyqind, treqind studiues, hulumtues, gazetarë të tjerë të cilët do ta marrin përsipër dhe do ta bëjnë diçka të tillë, apo ka shumë bashkëpunëtorë të Marinit sot në Greqi që shteti grek nuk i shpall dot Non Grata, sepse pavarësisht se unë jam shpallur i tillë para njëmbëdhjetë vjetësh, ne kemi vazhduar të bëjmë emisione në Greqi, kjo tregon që ne kemi fije shumë të forta ende aty, pra nuk është zgjidhje kjo punë dhe mbi të gjitha, unë nuk do doja të bëheshin gazetarët grekë Non Grata, për shembull. Pse? Ne s’kemi gjë për të fshehur fare. Ne e kemi dritën e diellit, historinë tonë. S’i kemi rrëmbyer askujt, asgjë.

KultPlus: Po përpos grekëve, me cilin shtet tjetër pate telashe, kemi Serbinë, Malin e Zi, Greqinë, Maqedoninë e Veriut?

Marin Mema: Po, kam pasur përgjithësisht probleme në Serbi, madje dhe në udhëtimet e fundit. Mbaj mend, kur kemi qenë në disa fshatra shqiptarë përtej zonës së Beogradit, pra në zonën e Vojvodinës, fshatra shqiptarë që sot janë të asimiluar, por që e ruanin identitetin e tyre, ata kishin ardhur nga Kelmendi dhe ishin vendosur aty, janë vendosur në kohën kur ka qenë Perandoria Austro-Hungareze dhe kishin mbetur aty dhe për shkak të të përshtaturit me situatën ata deklaroheshin kroatë. Atje kemi pasur disa ngacmime, ndalesa të shpeshta nga policia serbe, por pastaj nga aty kemi lëvizur për Medvegjë, ku do të qëndronim një natë dhe aty na ka ardhur policia serbe në hotel që na ka kthyer përmbys gjithçka. Gjatë gjithë ditës pastaj na kanë ndaluar herë të tjera në vazhdimësi. Për fat, unë i kam dokumentuar që të mos duken si imagjinatë e imja. Pra, kemi përdorë mjete alternative, kamera të fshehta e mjete të tjera për t’i dokumentuar të gjitha këto lëvizjet tona dhe këto ndalesa. Kështu që kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme këto ndalesa nga shtetin serb, siç edhe në Maqedoni, më së shumti në periudhën e qeverisë së mëparshme, që ishte një qeveri nacionaliste. Edhe aty kemi pasur ndalesa ku në Shkup mbasi e kemi mbaruar një dokumentar, njësia speciale Alfa na kanë ndaluar, na kanë mbajtur pesë-gjashtë orë.

KultPlus: Dhe në ditët e sotme, Marin Mema si ndihet për rrënjët e tij?

Marin Mema: Unë ndihem krenar për kombin tim! Me të mirat dhe të këqijat. Unë përpiqem të jem realist. Unë e di që ne kemi shumë vështirësi, kemi pamundësi, kemi mungesë meritokracie, kemi pa fund probleme, por, në të mirën ose në të keqen, ky është kombi ynë, ky është vendi ynë. Pra, hajde tani të punojmë të gjithë bashkë për t’i minimizuar dhe për t’i hequr këto të këqijat, për të punuar për vendin tonë. Nuk mund të themi ne tani, meqë ka gjithë këto probleme, ta hedhim poshtë. Jo, ne duhet të mësojmë, të punojmë gjithë bashkë për të minimizuar të gjitha këto probleme dhe për të qenë vërtet krenarë. Pra, të mos e duam kombin vetëm një ditë në vit, për festa, ta duam çdo ditë të vitit, të punojmë çdo ditë të vitit.

KultPlus: Po shqiptarët e ditëve të sotme, si janë në sytë e Marin Memës?

Marin Mema: Unë dua që shqiptarët të jenë më afër njëri tjetrit, të lënë problemet mes njëri tjetrit, të lënë përçarjet mes njëri tjetrit dhe të jenë më të afruar. Bashkë jemi gjithmonë më të fortë, është shumë e thjeshtë. Sado të përpiqen të na ndajnë, na përçajnë, të na vënë shkopinjë nën rrota, ne do të kuptojmë që ne jemi shqiptarë, kudo. E kam marrë shpesh si shembull një shprehje shumë të thjeshtë. Është një foto emblematike e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, fotoja që qarkullon gjithmonë për festat e nëntorit. Tani nuk mund të vijë dikush dhe të na thotë: Prijeni këtë foto në gjysmë se historinë e keni ndryshe. Ne nuk e presim dot, aty është Ismail Qemali, burri i mençur i Vlorës, me Isa Boletinin, burrin e fortë dhe patriot të Mitrovicës, të Boletinit, krahut të Veriut, dhe ata janë bashkë, ne nuk mund ta presim dhe ta bëjmë historinë vet. Ne kemi një histori, një traditë, një trashëgimi, një kulturë dhe gjithçka do ta mendojmë bashkë.

KultPlus: Prej simboleve shqiptare, cili nga simbolet të prekë më shumë?

Marin Mema: Mua më prek çdo lloj simboli që lidhet me historinë, traditën, trashëgiminë dhe kulturën tonë. Sigurisht, flamuri kombëtar është flamuri kombëtar, pa diskutim.

KultPlus: Po nga lokacionet, cili më shumë shpërfaqë shqiptarin?

Marin Mema: Këtë s’e them dot, se do t’i diferencoja, gjithkund ka nga një copëz shumë të rëndësishme. Ti shkon në Prizren, po të emocionon Lidhja e Prizrenit, dhe ti shkon në Vlorë, dhe kupton se çfarë ka ndodhur në Vlorë, por ti shkon në Gjakovë dhe kupton se çka ka përjetuar dhe se ka qenë djep i Rilindjes. Pra, çdo cep i trojeve shqiptare e bart një peshë të rëndësishme. Ti shkon në Plavë e Guci, ku ata kanë bërë gjithë atë rezistencë. Po ti shkon në Tivarë dhe kupton çfarë sakrificë është bërë atje. Po ti shkon në Shkup dhe kupton që Shkupi ka qenë kryeqendër e madhe e shqiptarëve, pra secila ka pjesën e vet.

KultPlus: Populli shqiptar ndryshe ka nxjerr edhe shumë figura të rëndësishme, është një më i spikatur në brendësinë tuaj?

Marin Mema: Jo, nuk i ndaj dot, ka shumë figura të rëndësishme. Kur lexoni historinë e tyre kuptoni që kanë sakrifikuar gjithçka, kanë dhënë shpirtin, zemrën, kanë dhënë jetën, kanë dhënë pasuritë, kanë dhënë familjet e tyre, kanë dhënë gjithçka për të ndërtuar kombin dhe ne sot duhet minimalisht t’i respektojmë dhe t’i kujtojmë në mënyrë të denjë.

KultPlus: Si i shihni politikanët sot, ka të tilla figura me virtyte patriotike si këta që i përmendem më lart?

Marin Mema: Do doja që politika të ishte vërtet si ata burrat që përmenda pak më parë. Si ata rilindasit, ata që sakrifikuan gjithçka, pra të sakrifikojnë edhe këta të sotmit diçka për kombin, këtë do të doja unë. Kombi nuk ndërtohet me fjalë, kombi ndërtohet me vepra dhe kur ti kupton se sa shumë kanë sakrifikuar edhe njerëzit para, të vjen vërtet keq që nuk po sakrifikohet sot sa ata. Jo sa ata, por të paktën një minimum të atyre.

KultPlus: Dhe për fund, shqiptarët dje, sot dhe nesër?

Marin Mema: Shqiptarët dje me shumë probleme, të sulmuara nga të gjitha anët, me konflikte edhe mes tyre, me momente shumë të dhimbshme, sot me shumë probleme prap, me këto copëtime, me këto shkopinj nën rrota, me këto problemet që mbartim midis nesh. Nesër shpresoj që të mos kemi asnjë nga këto, që të jemi bashkë, të lëmë të gjitha këto probleme dhe ta shohim të ardhmen bashkë. / KultPlus.com

Marin Mema thërret shqiptarët në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë: Do t’i bëjmë homazhe policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë

Gazetari i njohur nga Shqipëria Marin Mema, ka bërë një thirrje për të gjithë shqiptarët.

Sonte nga ora 19:00, ai ka thirrur të gjithë që të dalin tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë (pranë universitetit) për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë.

“Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra! Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë (pranë universitetit) për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm”, ka shkruar ai në Facebook.

“Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit ! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, ka shkruar Mema. / KultPlus.com

Lutfi Haziri i dorëzon çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit” gazetarit të njohur, Marin Mema

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit”, për gazetarin Marin Mema, për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, e në veçanti për angazhimin dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut dhe kombit në përgjithësi, përcjell KultPlus.

Kryetari Haziri ka falënderuar kuvendarët e Gjilanit që votuan unanimisht për nismën e tij, në mbledhjen e të enjtes.

“Me votimin e Kuvendit të Komunës dhe në prani të shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, në prezencë të nënkryetarit të Bujanocit dhe udhëheqësve më të lartë institucional e regjional të Gjilanit, sot e ndaj çmimin në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, në vlerësim të punës dhe angazhimit që Marin Mema ka dhënë me punën e tij, e cila është mbarëshqiptare edhe përtej kufijve administrativë e politikë. Emri i Marinit tashmë përpos të një gazetari hulumtues, është emër i një patrioti që kalon përmasat e kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Haziri duke shtuar tutje se Mema ka forcuar lidhjen tonë dhe ka faktuar prezencën tonë dhe shpërndarjen tonë të farës shqiptare me qenie, kulturë, prezencë dhe gjuhë. Gjilani është i vendosur në pikën kufitare mbrojtëse të shumicës shqiptare.

Ai më tej ka folur për fatin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë të drejtave të tyre civile në Kosovë dhe të drejtave politike në Serbi.

“Gjilani vazhdon kontributin e vet për mbështetje të shqiptarëve në Kosovën Lindore, por njëkohësisht edhe të angazhimit për t’i sjellë Gjilanit figura të ndritura sikur Marini, i cili radhitet në mesin e emrave të shquar për ne, si Beqir Musliu, Bob Dole, presidenti Ilir Meta e të tjerë”, ka thënë ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Gjilani i dha çmimin “Qytetar Nderi”, gazetarit që tashmë është i të gjithë neve kudo që jemi në Ballkan, Evropë dhe në botë.

“Ai me punën e tij ka zbardhur rolin tonë që kishim në të kaluarën dhe atë që kemi edhe sot. Marini është nga çdo trevë e shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Vepra e tij e ka ofruar atë në mesin e secilit prej nesh, në lagjen, familjen dhe qytetin tonë. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, Asambleja Komunale dhe qytetarët e Gjilanit e më gjerë, kanë bërë diçka shumë të madhe për Marin Memën”, tha mes tjerash, ambasadori Minxhozi.

Ndërsa, gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema, ka thënë se ky çmim dhe ky organizim është një kënaqësi dhe moment shumë i veçantë për të.

“Sot dhe gjithnjë e më shumë po dëshmojmë se dimë të afrohemi, por e ardhmja duhet të na ofrojë edhe më shumë. Duhet të çrrënjosen jo kufijtë mes nesh, por problemet që kemi e që janë gjera që gjithmonë na kanë mbajtur larg. T’i lëmë mëritë, përçarjet e konfliktet e të gjejmë rrugët e përbashkëta për të ecur bashkë në një rrugë që na përket. Pa të kaluarën, pa patriotizmin dhe pa historinë e ndritur që kemi, ne nuk ngremë dot, jo shtëpinë, por do ta quaja kështjellën e shqiptarisë. Është e nevojshme që ne të kuptojmë sakrificën që kanë bërë shqiptarët e mëdhenj e deri në sakrificën e luftës së Kosovës, ne kishim sakrifica të mëdha të prirë nga një luftë e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot kemi një betejë të madhe atë të rrugëtimit të sigurtë brenda tokave shqiptare me frymën dhe pasurinë e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Mema.

Gjithashtu, në këtë takim ka folur nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Arifi, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin që bënë për personalitetet e veçanta dhe meritore, sikur që edhe përkushtimin e vazhdueshëm që kryetari i Gjilanit ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën Lindore.

Ndryshe, asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit me shumicë absolute kanë votuar të enjten për nismën e kryetarit Haziri për ta shpallur ‘Qytetar Nderi’ gazetarin e njohur shqiptar, Marin Mema. / KultPlus.com

Gazetari Marin Mema bën deklaratën e fortë për gjendjen në Kakavijë: Kështu ndodh kur shitesh e blihesh

Me mijëra shqiptarë po përballen me radhë kilometrike prej ditësh në pikën doganore të Kakavijës, teksa sot po e njëjta situatë po ndodh edhe në Kapshticë.

Kjo situatë kaotike mori përmasat e tragjedisë, ku ditën e sotme një autoambulancëë ka përplasur për vdekje një fëmijë 10 vjeçar.

Lidhur me këtë situatë ka reauar dhe gazetari i njohur Marin Mema i cili shkruan se kështu ndodh kur toleron, pranon, ul kokën, kur ke frikë të japësh përgjigje, kur shitesh e blihesh, kur nuk vendos reciprocitet, por pranon gjithçka.

“Rasti më i fundit në Kakavijë është treguesi më i dhimbshëm i një realiteti të prodhuar nga politika shqiptare sot e 30 vjet në raport me fqinjët ! Kjo është e vërteta për të cilën politika jonë nuk flet kurrë, por është e gatshme ti nënshtrohet pa asnjë kusht”, shkruan Mema në Facebook.

Reagimi i plotë

Kështu ndodh kur toleron, pranon, ul kokën, kur ke frikë të japësh përgjigje, kur shitesh e blihesh, kur nuk vendos reciprocitet, por pranon gjithçka… Kur nuk ndërton një shtet të fortë, me dinjitet e krenari. Një shtet që nuk druhet të mbrojë njerëzit e tij, një shtet që di të përgjigjet, të reagojë, madje edhe të kërcasë dhëmbët. Rasti më i fundit në Kakavijë është treguesi më i dhimbshëm i një realiteti të prodhuar nga politika shqiptare sot e 30 vjet në raport me fqinjët ! Kjo është e vërteta për të cilën politika jonë nuk flet kurrë, por është e gatshme ti nënshtrohet pa asnjë kusht. /KultPlus.com

Serbia kërcënon Marin Memën për dokumentarin mbi përvetësimin e historisë

Emisioni hulumtues “Gjurmë Shqiptare” i Marin Memës ka realizuar 6 ditë më parë një dokumentar i titulluar “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, ku tregohej sesi serbët kishin përvetësuar kishat iliro-arbërore. Mirëpo ky dokumentar, ku pasqyrohen qartë disa fakte historike ka ngritur në këmbë gjithë shtetin serb.

Reagime të shumta, kanë ardhur nga Serbia, si nga politikanë, historianë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke akuzuar gazetarin Mema, ku thotë se Serbia asnjëherë nuk do të heq dorë nga shenjëtoret e saj.

Në deklaratë thuhet:

Kuptohet që Serbia kurrë dhe me asnjë kusht nuk do të heqë dorë nga shenjtorët e saj në Kosovë dhe Metohi, dhe ne besojmë se edhe populli shqiptar, i cili është krenar për historinë dhe traditën e tyre të pasur, nuk ka nevojë të shohë për historinë dhe traditën e njerëzve të tjerë.

Ndër të tjera thuhet se disa shqiptarë janë duke e sulmuar historinë dhe besimin e popullit serb, duke e quajtur propagandë të radhës të shqiptarëve kundër serbëve. Ministria serbe e Kulturës ka deklaruar se shqiptarët nuk po ndalen së provokuari shtetin serb, duke shtuar se deformimin e historisë serbe nuk do mund ta arrijnë asnjëherë.

Një reagim të tillë, ka ardhur edhe nga opinionistë të ndryshëm, të mbajtur në debate të ndryshme ku shihet edhe kërcënimi ndaj gazetarit Mema.

Ata kanë akuzuar se qëllimi i dokumentarit është denigrimi i kulturës dhe historisë serbe. Ndërkohë lidhur me këtë çështje nuk ka asnjë reagim nga shteti shqiptar.

Hesht Enverushkë, unë jam shqiptar Kosove!

Nga Marin Mema

Unë jam shqiptar Kosove sepse stërgjyshërit e mi kanë dhënë shpirtin për ketë vend. Unë jam shqiptar kosove sepse stërgjyshërit e mij nuk shihnin kufij mes Shqiperisë. Unë jam shqiptar kosove sepse e kam njohur çdo element të masakrave të tmerrshme të bëra mbi vëllezërit e motrat e mija kosovare!

Unë jam shqiptar kosove sepse respektoj Haxhi Zeken, Hasan Prishtinen, Isen e madh, Azem e Shote Galicen, Sulejman Vokshin, Idriiz Seferin, Bedri Pejanin, Ahmet Deline, Shaqir Smaken e shumë të tjerë.

Ata janë heronjë për mua!! Ata kanë një gjak me mua!!! Unë jam shqiptar kosove sepse Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, luftuan për të njejtin flamur, sepse në shpirtin e tyre ishte i njejti vrull si burrat e qemoti !!!

Unë jam shqiptar Kosove sepse kurrë nuk do të pranoj që historinë të ma bëjë ndonje burracak Enver apo Enverush, sido u quajt, Albert , Hashim apo diçka tjeter.

Unë jam shqiptar kosove sepse gjaku nuk bëhët ujë, sepse gjakun edhe pse unë jam nga Kolonja e kam të njejtë me çdo shqiptar kosove !!

E ketë nuk e ndalon askush !! Nuk prishet e perçudnohet historia sepse disa tuafer ( me qëllim) duan të ngrenë pengesa e biles edhe”armë” moderne duke ndezur armiqësi mes të njejtit komb.!!

Nuk dua të di nëse ne pushtet është Edi apo Lulzimi (sepse për çeshtjen kombëtare nuk ka të majtë e të djathtë, nuk ka as flamuj politike), por atë që s’mundet ta ndalojë askush nga këta BURAT me një R është të qenit shqiptar, të menduarit bashkë, të ecurit bashkë, drejt një historie që do apo s’do Enverushi është e përbashkët !!

Historia nuk është loder, nuk është telekomande ku çdo kush mund të shtype stacionin që dëshiron, por është identitet, pasion, ndjenjë, është gjak, është e mbetet HISTORI !!

Ndaj shpesh është më mirë të heshtesh se të broçkullisesh !! Hesht Enverushke është më burrërore se të hollosh zërin e të bësh si burrë!

Ti nuk bëhësh kurrë burrë duke mohuar historinë !! Unë e kuptoj se të jesh pushtetar si këta, nuk të intereson identiteti kombëtar, por kjo s’do të thotë se ne, njerëzit e thjeshtë duhet të hapim rrugë, e të lejojmë këta pseudoshqiptarë të hapin gojë e të nxjerrin te vjella antikombetare !!

Historinë e bëjnë burrat e jo gjysmë burrat !! Unë jam shqiptar kosove dhe i tillë do të mbetem !!!

Ndaj Enverusherit dhe gjithë çeta pas tij duhet të kafshojnë gjuhën nëse nuk u pelqen, duhet ta bëjnë me zorr, sepse fatin e shqiptarëve të Kosovës nuk e vendos askush tjetër përveç historisë që ka drithëruar çdo shtëpi në atë tokë!!

I ndjeni klithmat ? I ndjeni vuajtjet ? po masakrat , vrasjet, ndyrsite , i ndjeni ???

E pra ato jane shpirtëra, shkuan për të qenë të lirë, e jo për tu drejtuar nga askush që për interesa personale shpik, mohon, hedh poshtë, shkel identitetin, siç po bëjnë ca nga pushtetaret xhepa plotë e shpirt të boshatisur !!!

Unë jam shqiptar kosove e ketë s’ma ndalon askush !! Historia është për burrat e jo për dallaveraxhinjtë!!/KultPlus.com

Marin Mema në protestën e studentëve

Gazetari Marin Mema ka marrë pjesë në protestën e studentëve.

Ai u bën thirrje të rinjve që simbolet e tyre të vetme tv kenë shqiponjën dhe flamurin Kuq e Zi.

“Shqiponja dhe flamuri Kuq e Zi duhet të jenë simbolet tuaja te vetme! Ju keni freskinë, forcën, krenarinë, mundësinë për të ndryshuar realitetin. Studentët janë e ardhmja dhe ajo në këtë vend mund të jetë me e bukur nëse merr ngjyrat e tyre, ngjyrat e njerëzve qe e duan Shqipërinë përtej politikës e flamurëve partiake! Ne duhet t’i mbështesim e t’i përkrahim të arrijnë më të mirën, t’u krijojmë kushtet për të ndërtuar të ardhmen e jo t’i largojmë prej saj!! Në fund të ditës e nesërmja na përket të gjithëve dhe po të gjithë do ta jetojmë. Nëse kemi një rini më të fortë, më reaguese, më të drejtë, kërkuese e të ndarë nga politika, e ardhmja do të jetë më e mirë! Largoni të gjithë ata që mund të kërkojnë politizimin e saj, sepse forca juaj është e pandalshme nëse ka ngjyrat e Shqipërisë e askujt tjetër!”, shprehet Marin Mema.

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët?

Nga Marin Mema

A mundet të gjesh sot një politikan që do të shkrinte pasurinë për shqiptarët? Qoftë edhe një pjesëz të vogël nga ato dengje të pafundme që disa kanë mbledhur…

Sigurisht që jo sepse politika është kthyer për shumicën në mjet përfitimi që s’ka asnjë lidhje me dëshirën e vërtetë për të zhvilluar vendin e për ti dhënë frymëmarrje të gjithë pasurive që ai ka.

Kjo është e vërteta që këlthet e që çdokush prej nesh e ka provuar mbi shpinën e tij. Ndaj nuk ka interes të përkujtohen siç duhet patriotët, rilindasit, figurat e mëdha të kombit sepse në fakt ata risjellin në vëmendje një periudhë tërësisht të ndryshme, një kohë kur mbi të gjitha qëndronte kombi, ndryshe nga sot, kur i njëjti komb shikohet për ta rrjepur./KultPlus.com

Gjurmë Shqiptare, thesari i mistershëm i Vrapit (VIDEO)

Ku është zbuluar thesari më i famshëm shqiptar, e që sot ndodhet në SHBA? Si u gjet dhe u trafikua në SHBA?

Cila është krahina e harruar mes varfërisë e izolimit, që mbart këtë histori të jashtëzakonshme të mbuluar nga ari?

Mos e humbisni këtë histori të jashtëzakonshme. Ndiqni të plotë videon e dokumentarit të gazetarit Marin Mema./ KultPlus.com

Marin Mema nderohet me çmim në Itali

Pas Prishtinës, gazetari i Top Channel, Marin Mema është nderuar me një çmim të veçantë edhe në Itali.

Ky vlerësim u bë gjatë një aktiviteti që organizohet në mënyrë të përvitshme nga organizata nderkombetare “Rinia” dhe komuna e Riva del Gardës. Çmimi i është dorëzuar realizuesit të ciklit “Gjurmë Shqiptare” me motivacionin si gazetari më i mirë në fushën e kërkimit dhe shpluhurosjes së të vërtetave historike.

Mëse 700 emigrantë shqiptarë nga qytete të ndryshme të veriut të Italisë kanë marrë pjesë në këtë organizim, që konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në vendin fqinj.

“Ajo që mua më mbush sot me krenari është që pavarësisht largësisë, pavarësisht distancës, viteve, jetës së ndryshme që ka gjithësecili prej jush, jeni këtu, jeni krenarë që jeni shqiptarë dhe unë jam krenar që jam mes jush“, tha Marin Mema.

Aktivitete të tilla kanë për synim jo thjesht përafrimin e shqiptarëve në emigracion, por edhe realizimin e mjaft projekteve me karakter social në Shqipëri. Me këtë rast, në periudha të ndryshme janë bërë takime dhe realizuar projekte të ndryshme në Lezhë, Kavajë, Elbasan, Shkup e më tej.

Ky është vlerësimi i dytë në pak ditë për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, pas çmimit “Hasan Prishtina“, dhënë në Prishtinë. / KultPlus.com