Më 9 shtator 1828, shkrimtari Leo Tolstoy lindi në provincën Tula të Rusisë. Ai ishte më i vogli nga katër djemtë. Kur nëna e Tolstoyt vdiq në 1830, kushëriri i babait të tij mori përsipër kujdesin për fëmijët. Kur babai i tyre, konti Nikolai Tolstoy, vdiq vetëm shtatë vjet më vonë, tezja e tyre u emërua kujdestarja e tyre ligjore. Kur tezja ndërroi jetë, Tolstoy dhe vëllezërit e motrat e tij u transferuan me një teze të dytë, në Kazan, Rusi. Megjithëse Tolstoy përjetoi shumë humbje në moshë të re, ai më vonë do të idealizonte kujtimet e tij të fëmijërisë në shkrimet e tij.
Gjatë periudhave të qeta, ndërsa Tolstoy ishte një junker në ushtri, ai punoi në një histori autobiografike të quajtur ‘Fëmijëria’. Në të, ai shkroi për kujtimet e tij më të bukura të fëmijërisë. Në 1852, Tolstoy e dorëzoi skicën në ‘The Contemporary’, revistën më të njohur të kohës. Historia u pranua me padurim dhe u bë vepra e parë e botuar e Tolstoyt.
Pas përfundimit të fëmijërisë, Tolstoy filloi të shkruante për jetën e tij të përditshme në postin e ushtrisë në Kaukaz. Megjithatë, ai nuk e përfundoi veprën, të titulluar Kozakët, deri në vitin 1862, pasi kishte lënë tashmë ushtrinë.
Në vitin 1854, ai kompozoi ‘Boyhood’ një vazhdim i ‘Fëmijërisë’, libri i dytë në atë që do të bëhej trilogjia autobiografike e Tolstoyt. Në mes të Luftës së Krimesë, Tolstoy shprehu gjithashtu pikëpamjet e tij mbi kontradiktat e habitshme të luftës përmes një serie tre-pjesëshe, Përrallat e Sevastopolit. Në librin e dytë “Përrallat e Sevastopolit”, Tolstoy eksperimentoi me një teknikë relativisht të re shkrimi: Një pjesë e tregimit paraqitet në formën e rrymës së vetëdijes së një ushtari.
Në vitin 1873, Tolstoy filloi të punonte për romanin e dytë më të njohur, Anna Karenina. Anna Karenina imagjinoi disa ngjarje biografike nga jeta e Tolstoyt, siç ishte veçanërisht e dukshme në romancën e personazheve Kitty dhe Levin, marrëdhënia e të cilëve thuhet se i ngjan miqësisë së Tolstoyt me gruan e tij.
Tolstoy vdiq më 20 nëntor 1910. Ai u varros në pasurinë e familjes, Yasnaya Polyana, në provincën Tula, ku Tolstoy kishte humbur kaq shumë njerëz të dashur, por kishte arritur të ndërtonte kujtime kaq të dashura dhe të qëndrueshme të fëmijërisë së tij./ KultPlus.com
Barazia ligjore e gjuhës nuk paraqet barazi kushtetuese. Si e tillë ajo u nënshtrohet koninkturave politike në përputhje me rrethanat. Në Maqedoninë e Veriut qysh nga Marrëveshjet e Ohrit të gushtit të vitit 2001, manipulohet me të madhe me këtë standard të arritur, me ç’rast barazia kushtetues e gjuhë shqipe, që do të duhej të formulohej në nenin e parë të kushtetutës së Maqedonisë, bartet te rregullativa ligjore, me çka është deshtë të të eskivohet përjashtimi i pozitës shtetndërtuese të shqiptarëve në Maqedoni, për ç’gjë, në vitin 2001, plasi edhe konflikti i armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore-ushtarake maqedonase. Me këtë rast, është e domosdoshm edhe përkujtesa, se UÇK-ja, fillimisht proklamoi çlirim dhe bashkim kombëtar (që ishte një iluzuion), që pas dy javësh do të riformulohet te kërkesa për krijimin e shtetit federal shqiptaro-maqdonas (që do të ishte kërkesë reale dhe e drejtë), në mënyrë që ajo, në marrëveshjen e Prizrenit (midis faktorit politik dhe ushtak shqiptar) të rrudhet tek barazia qytetare, me arsyetimin e imponuar nga ndërkombëtarët se me të ndryshonte karakterin e shtetit maqedonas nga ai komb-shtet i shpallur në vititn 1991 tek “shteti qytetar”! Ndonëse “shteti qytetar”, përkundër formulimeve politike të Marrëveshjeve të Ohrit, nuk do të ndodhë, meqë në preambulën e kushtetutës gjuha maqedone përcaktohet si gjuhë zyrtare, bashkë me simbolet e tjera të natyrës kombëtare maqedonase.
Pa hy te përplasjet e tanishme politike tepër joparimore rreth kësaj çështje midis faktorit politik shqiptar – atij në opozitë, që deri me dje ishte në pozitë dhe ban barrën kryesore të manipulimit të barazisë ligjore me atë kushtetuese dhe shitjes së saj si barazi gjuhësore, kur ajo ishte e kushtëzuar nga numrat dhe si e tillë diskriminuese madje edhe në raport me të drejtat elementare njerëzore, që si po shihet ishte politike dhe konjukturale, dhe pa hy te ai në pozitë, që realiteti “i barazisë ligjore të gjuhës nëpërmes numrave”, para se të problematizohej nga qeveria e sapoformuar përmes vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, ngritja e kësaj çështje, pra e pabarazisë së gjuhës shqipe, ose “barazisë së saj ligjore përmes numrave”, është deshtë të jetë kusht jo vetëm për futjen në koalicionin qeveritar me VMRO-DPMN, por edhe kusht i përbashkët politik shqiptar, që kjo çështje të shtrohej në rrethanat kur pas ndërhyrjes së Bullgarisë është hapur çështja e ndryshimit të preambulës së kushtetutës së vendit.
Përkundrazi, politikanët shqiptarë (pozitë-opozitë ose opozitë-pozitë, krejt një), siç lëshuan rastin që me marrëveshjen e Prespës, para tri vitesh, kur maqedonasit, me detyriminë greke hoqën dorë nga “trashëgimia antike greke” dhe iu kthyen sllavofonisë, edhe këtë herë, në mungesë të platformës për barazinë kushtetuese të shqiptarëve, që përcakton edhe karakterin e barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe dhe të drejtave kushtetuese jashtë koniunturave politike të ligjeve, shpatat ia drejtojnë njëri-tjetrit. Të parët, opozita, duke sjellë argumentin “e barazisë ligjore të gjuhës”, atij të numrave, që ishte diskriminues dhe me pasoja të rënda politike, veçmas kur logjika e numrave (20 përqindëshi) do të mund të ndryshohet sa nga migrimi i shqiptarëve, sa nga trendët gjithnjë e më të dukshme atje të ndryshimit të identitetit kombëtar me atë fetar e faktorë të tjerë të natyrës demografikë). Dhe të dytët, pozita, çështjen duke e bartur “te mëkatet” e politikanëve të deridjeshëm (paçka se shumë prej tyre kanë qenë pjesë e mozaikut të saj drejtues madje), në vend se këtë ta adresojnë te hapja e çështjes së barazisë kushtetuese te shqiptarëve, të përjashtuar prej saj, me formulimin e “pjesë së popullit”, pra etni e shkëputur, konsitucionalisht më e degraduar se ajo e pakicës dhe nën standardët e kushtetutës së vitit 1974 ku “kombet dhe kombësitë shpalleshin të barabarta”.
Diskursi i tanishëm i grindjeve të politikanëve shqiptarë, nga njëra anë (opozitës) me “argumentin” e barazisë ligjore të gjuhës shqipe në një ligj të formuluar “Për barazinë e gjuhëve të popullatës joshumicë”, ku shqipja, përmendet në një nën (në kllapa) dhe , nga ana tjetër (e pozitës) – të mospërmendjes së saj në formulimin bazik të ligjit, gjë që është e vërtetë dhe kjo shihet edhe nga një material që para dy ditësh iu dërgua nga BDI-ja opinionit të Kosovës, tregon se politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut (pozitë apo opozitë), nuk e kanë përkushtim ndryshimin e pozitës kushtetuese, të popullit të barabartë shtetformues, por të qallmeve për të qenë në shërbim të politikës maqedonase, vetëm si qirak i saj.
Është për keqardhje retorika e njërës anë (opozitës)- se gjuhës shqipe i është garantuar barazia me ligjin e numrave, dhe tjetrës anë (pozitës), që atë e shpall “të hapur”, pra ligjërisht të paformuluar, në vend se ky argument të shfrytëzohet për t’u treguar problemi i vërtetë, pra pabarazia kushtetuese, me çka shpatat ndërshqiptare do të duhej të drejtoheshin kah zgjidhja e problemit me ndryshime kushtetuese dhe jo me manipulime ligjore.
Në këto rrethana, faktori politik maqedonas, pa marrë parasysh çfarë kanë ndodhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës, përmes ndonjë formule të kompromiseve politike, mesiguri se do të dalë fitues. Ndërsa shqiptarët, në pozitë apo opozitë, krejt një, do të vazhdojnë të arsyetojnë degradimin e të drejtave të tyre kushtetuese me “fitore politike partiake”, duke bërë kështu, që çështjet fundamentale të barazisë të mos adresohen tek preambula kushtetuese por tek ligjet konikturale!/KultPlus.com
Rrjeti social TikTok është identifikuar nga fëmijët si hapësira në të cilën bëhet më së shumti bullizim në Kosovë. Rezultati ka dalë nga anketa e realizuar nga “Save the Children Kosova”, e që ka marrë për bazë përgjigjet e 1071 fëmijëve.
Bazuar në këtë anketë, rrjetet sociale dalin të jenë hapësira më e madhe ku bëhet bullizimi. 78 për qind e fëmijëve kanë raportuar se bullizimi është “shumë ose mesatarisht” i pranishëm në shkollën e tyre.
“Fëmijët identifikojnë më tej TikTok-un (78%), Snapchat-in (57%), shkollat dhe hapësirat publike (52%), Instagramin (45%) dhe Facebook-un (28%) si hapësira ku bullizmi ndodhë shpesh ose gjithmonë”, thuhet në një komunikatë për media nga “Save the Children Kosova”, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
Në anketën “Zërat e Rinj”, 68 për qind e fëmijëve besojnë se fëmijët në Kosovë përjetojnë diskriminim.
Në anketë, 29 për qind e fëmijëve raportuan se rrallë ose kurrë nuk ndihen të sigurt kur përdorin transportin publik gjatë natës. Ky shqetësim është më i theksuar tek vajzat, ku 35% e shprehin këtë ndjenjë krahasuar me 19% të djemve.
26 për qind e fëmijëve të anketuar nuk dinë ku ta adresojnë depresionin, trishtimin e tyre; 37 për qind nuk dinë se ku të shkojnë kur ata vetë ose ndonjë i njohur është ekspozuar ndaj dhunës, kërcënimit ose krimeve të tjera; 33 për qind nuk dinë ku ta adresojnë trajtimin e padrejtë.
86 për qind e fëmijëve mendojnë se shkollat e tyre duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur arsimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. 57 për qind e fëmijëve raportuan se përmbytjet ndikuan në njëfarë mase në jetën e tyre të përditshme.
Në anketë, 78 për qind e fëmijëve mendojnë se Qeveria apo Komuna duhet të bëjë më shumë për ndryshimet klimatike.
18 për qind e fëmijëve deklarojnë se s’kanë njohuri të mjaftueshme për shëndetin seksual dhe riprodhues.
Sipas anketës, 40 për qind e fëmijëve të anketuar pajtohen plotësisht ose pjesërisht që ngacmimi seksual u ndodh “atyre që e kërkojnë” (që vishen në mënyrë provokative, e të tjera); 32% e vajzave pajtohen me këtë pohim, krahasuar me 53% të djemve.
Aty po ashtu tregohet se 83 për qind e fëmijëve do të donin të kishin më shumë ndikim, fuqi dhe mundësi për t’i shprehur pikëpamjet e tyre për çështjet që i shqetësojnë. Vetëm 9 për qind e fëmijëve kanë marrë pjesë në ndonjë konsultim publik të organizuar nga komuna e tyre ose qeveria gjatë dy vjetëve të fundit. 91 për qind e fëmijëve të anketuar pajtohen që komuna duhet të investojë më shumë në hapësira publike për të rinjtë dhe fëmijët. Vetëm 29% e fëmijëve të anketuar pohojnë se kanë dëgjuar për Institucionin e Avokatit të Popullit.
“Save the Children Kosova” ka thënë se pret që institucionet e Kosovës dhe shoqëria të krijojnë struktura e procedura që u ndihmojnë t’i marrin mendimet e fëmijëve dhe që ato të merren parasysh për vendimet me ndikim dhe interes më të mirë në jetën e fëmijëve./ KultPlus.com
Për përdorimin e armëve të gjata, vetëm tri ditë stërvitje!
Kaq thotë se ka kaluar Ekremi, i cili është pjesëtar i gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.
“Kjo është shumë pak për t’u aftësuar siç duhet”, sipas tij.
Ekremi – identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – ka kryer një pjesë të trajnimit në fillim të këtij viti.
“Një ditë kemi mësuar vetëm literaturë, të nesërmen kemi demonstruar dhe pastaj kemi dalë në gjuajtje. Personalisht, mendoj se duhet të ketë trajnime më të gjata – edhe jashtë plan-programit në akademi”, thotë ai.
Shkëlzeni, një tjetër pjesëtar i gjeneratës së 59-të të policëve, tregon po ashtu se është stërvitur vetëm tri ditë për qitjen me armë të gjata.
Ndonëse për të thotë se ato kanë qenë të mjaftueshme, ai shton se ka vënë re se shumë kolegë të tij nuk kanë arritur të mësojnë shumë.
Policia e Kosovës konfirmon se ka më shumë se një vit që ka ndryshuar planin e trajnimit profesional të policëve të rinj – nga gjashtë muaj sa ka qenë më herët, kohëzgjatja e tij është bërë tre muaj – gjë të cilën ekspertët e sigurisë e përshkruajnë si shqetësuese.
Në Inspektoratin Policor të Kosovës thonë se ka shtim të lehtë të ankesave për policët këtë vit.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në anën tjetër, thotë se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Policinë, për të siguruar respektimin e standardeve ndërkombëtare, të cilat përfshijnë edhe shkurtimin e programeve të trajnimit.
Ceremonia e diplomimit të policëve të rinj, korrik 2023.
Përse është shkurtuar kohëzgjatja e trajnimit?
Policia e Kosovës thotë se vendimi është marrë në përshtatje me “nevojat dhe kërkesat e saj operative”, por nuk ofron më shumë detaje rreth tyre.
“Modulet e parapara që të zhvillohen me kadetë policorë, janë fuzionuar dhe janë inkorporuar temat gjithëpërfshirëse, me ç’rast plan-programi i trajnimit profesional ‘zyrtar policor’ zhvillohet në kohëzgjatje prej 12 javësh, apo tre muajsh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Në OSBE – misionin që me programe të ndryshme e ka mbështetur Policinë që nga themelimi i saj në vitin 1999 – thonë se disa prej arsyeve të këtij vendimi lidhen me “mungesat e përkohshme të personelit”.
“Marrë parasysh natyrën e ndryshimit, misioni është i gatshëm ta mbështesë Policinë e Kosovës derisa vazhdon t’i riorganizojë prioritetet e saj të stafit dhe operacionale”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Policia e Kosovës, aktualisht, ka 9.089 pjesëtarë, përfshirë edhe gjeneratën e 61-të, e cila ka dalë muajin e kaluar.
Burime brenda Policisë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se me strategjinë e re të këtij institucioni, parashihet që numri i forcave policore të rritet së shpejti në mbi 10.300.
Policët e rinj trajnohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit.
Kjo akademi është akredituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatim të Ligjit (IADLEST) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ceremonia e diplomimit të policëve të rinj, korrik 2023.
Asnjëri prej dy institucioneve të lartpërmendura nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar zvogëlimin e kohëzgjatjes së trajnimit të policëve të rinj.
Në Policinë e Kosovës shprehen të bindur se trajnimi u mundëson kadetëve policorë të pajisen me njohuri të mjaftueshme për rregullat e sigurisë, si dhe për manipulimin me armët që përdoren nga ky institucion.
“Trajnimi për armë zjarri zgjat dy javë. Në të përfshihen armët e shkurtra dhe të gjata, sipas Ligjit për armë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
“Kadetët policorë i nënshtrohen testit me shkrim dhe testimit praktik në gjuajtje” dhe më pas “vlerësohen nga stafi trajnues në skenarë të ndryshëm”, thuhet po ashtu.
Për njohësit e sistemit të sigurisë, trajnimi prej tre muajsh i policëve të rinj është larg të qenët i mjaftueshëm.
Kjo situatë, sipas tyre, është duke shkaktuar edhe probleme në terren.
“Nuk besoj se jemi në ndonjë situatë emergjente për t’i përfunduar këto trajnime me kaq shpejtësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, i cili tani shërben si kryesues i shqyrtimit të përdorimit të forcës dhe të armëve të zjarrit në këtë institucion.
Ai sugjeron që trajnimi për policët e rinj të zgjasë së paku gjashtë muaj ose më shumë, në mënyrë që ata të jenë të aftë për adresimin e situatave të ndryshme.
“Në disa fusha – me aq sa kam njohuri unë – bëhen vetëm dy apo tri orë trajnim për disa pajisje. Me ato orë, ku të shkohet në terren? Ku dhe si të përdoren ato [pajisje]?”, thotë Maliqi.
Ceremonia e diplomimit të policëve të rinj, prill 2024.
Sipas tij, ka një numër policësh – kryesisht të rinj – që hasin në vështirësi gjatë zbatimit të ligjit, për shkak të mungesës së njohurive të duhura.
Problemet më të mëdha thotë se lidhen me përdorimin e armëve, pasi koha e trajnimit për to është përgjysmuar – nga tetë orë sa kanë qenë për armë të gjata, janë bërë katër – dhe kjo “është shumë pak”.
“…sepse kemi vetëlëndime të policëve, të anëtarëve të familjes, por edhe të kolegëve, të cilët kanë pësuar për shkak të përdorimit të armëve jo siç duhet”, tregon ish-drejtori i Policisë.
Në Inspektoratin Policor të Kosovës konfirmojnë se, këtë vit, kanë regjistruar katër raste të shkrepjeve aksidentale të armëve nga policët, të cilat janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës duke ecur pranë një shkolle në Gjakovë, më 22 tetor 2024.
Të dhënat që ia siguroi Radios Evropa e Lirë ky Inspektorat, tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti, ai ka pranuar dhe ka menaxhuar gjithsej 1.524 ankesa për policët.
Prej tyre, gati 1.000 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme, ndërsa mbi 500 janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve, nën dyshimet për veprimtari penale.
Në përgjigjen e Inspektoratit thuhet se, në krahasim me vitin e kaluar, ka një rritje të lehtë të numrit të ankesave për policë, por nuk specifikohet më shumë.
Në lidhje me shkurtimin e kohëzgjatjes së trajnimit të policëve të rinj, Inspektorati nuk deshi të përgjigjej, duke e referuar Radion Evropa e Lirë te Policia e Kosovës dhe tek Akademia e Kosovës për Siguri Publike.
Inspektorati tha vetëm se gjatë realizimit të inspektimeve në një numër stacionesh policore, ka hasur në situata ku përfshirja në kurset e ricertifikimit nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar.
Në këto raste tha se “ka rekomanduar përfshirjen më të madhe të zyrtarëve në kurset e tilla”.
Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Ambasadën amerikane në Prishtinë, pasi SHBA-ja ofron trajnime të ndryshme për policët kosovarë, por ajo nuk u përgjigj.
Eksperti i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky shkurtim i kohëzgjatjes së trajnimit të policëve kosovarë nuk mund të justifikohet, pasi rrezikon të ndikojë ndjeshëm në performancën e tyre, kur bëhet fjalë sidomos për përdorimin e armëve të zjarrit.
Ai beson se prapa këtij vendimi qëndron nevoja për shtimin e kapaciteteve njerëzore, por thotë se një gjë e tillë është dashur të adresohet më me kujdes.
Mungesa të policëve ose të gradimit të tyre ka pasur edhe më herët, sipas Ibishit, dhe kjo nuk është një problematikë e re.
“Është dashur të planifikohet me kohë trendi i pensionimit apo çështja e mungesës së kuadrove. Por, kur bëhen programet e tilla, [Policia] i anashkalon ekspertët e fushës, njohësit e çështjeve të sigurisë dhe [profesionistët] e nivelit akademik”, thotë ai.
Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se dorëheqje në tre vjetët e fundit kanë dhënë 727 pjesëtarë, por nuk i sqarojnë arsyet.
Megjithatë, në mesin e tyre janë mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kthimi i tyre në radhët e policisë nuk është më i mundur.
“Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve [të rinj] të komunitetit serb”, ka thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 24 shtator.
Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
Mosha e pensionimit të policëve është 65 vjeç.
Një projektrezolutë që përfshinte pensionimin e parakohshëm të tyre – e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë në tetor të vitit të kaluar – nuk u çua përpara nga Kuvendi i Kosovës.
Policët kosovarë nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor. /REL/ KultPlus.com
Tre vite pasi foli në anglisht, “Hana, vajza që kapi diellin” përralla që përfaqëson Shqipërinë në kolanën ndërkombëtare “Awake not Sleeping: reimagining fairy tales for a new generation”, vjen edhe në shqip edhe për lexuesit shqiptarë.
Shkrimtarja e njohur për fëmijë, Rovena Rrozhani ka sjellë librin më të ri me një përrallë që evokon folklorin të shkrirë në një përrallë moderne.
Libri i cili fitoi Fondin e krijimtarisë për fëmijë të Qendrësn Kombëtare të Librit dhe Leximit, në korrik 2024, është aktualisht në librari pas debutimit disa ditë më parë në Panairin e Nëntorit.
Historia e Hanës është sjellë në ilustrimet e bukura të piktores Mirjana Madhi e cila ka zbërthyer në piktura fatin e vajzës së pasqyrabërësit të cilës i bie detyra e vështirë për të shpëtuar fshatin e saj nga errësira dhe mjerimi.
Kjo përrallë me të papritura i mëson fëmijëve nuk është forca fizike që zgjidh sfidat, por vetëbesimi dhe zgjuarsia.
Edhe këtë herë Rovena Rrozhani sjell një histori të ndjeshme, të bazuar në motive popullore duke forcuar identitetin e saj shkrimtare shqiptare. Me këtë përrallë Rovena Rrozhani u përzgjodh nga mbi 100 shkrimtare nga 23 vende nga Europa dhe Azia Qendrore.
Kryeredaktorja e “Albania Letteraria” Anna Lattanzi, vlerëson librin më të ri të shkrimtares: “Rovena Rrozhani me stilin e butë e të rrjedhshëm sjell në përrallë një profil modern, duke trajtuar tematika aktuale, pa ia hequr rrëfimit formën klasike dhe tradicionale. Sfidat, forca e grave, guximi apo ndjenja e drejtësisë, janë disa nga argumentet kryesore të kësaj përralle, e cila tërheq, magjeps e zbavit dhe mbetet njëkohësisht një mjet i jashtëzakonshëm mësimi. Rrëfimi i saj përcjell mesazhe të rëndësishme mbi jetën dhe gjithashtu një dozë të mirë motivimi.”
Ndërsa psikologia Blerta Bodinaku thekson se historia e Hanës ndriçon rrugën e vajzës dhe të gjithë botës. “Hana, ёshtё vajza me Hёnёn dhe me Diellin brenda saj, guximin dhe kreativititetin, besimin dhe vendosmёrinё, forcёn dhe ndjeshmёrinё”, shkruan ajo.
“Hana, vajza që kapi diellin” vjen pas disa librash që mbajnë firmën e shkrimtares së njohur për fëmijë si: “Lëndina e arushëve” dhe “Arinjtë duan të fluturojnë” apo “Fani në kërkim të dritës”, “Tullumbacja e bardhë” dhe “Rozi dhe domatja kërcimtare”./ KultPlus.com
Flamuri kuqezi është kryefjala e kësaj periudhe të vitit dhe fëmijët janë protagonistët e zhurmshëm që i japin gjallërinë festave të nëntorit.
Ditët e fundit të nëntorit çdo vit përshkohen nga një atmosferë festive, në sheshe qytetesh, site kulturore e veçanërisht aty ku ka fëmijë. Ata janë të parët që i nisin festimet, me veshjet kombëtare, me flamuj në duar, xhamadanët e qëndisur e shamitë e kuqe.
Institucionet e arsimit parashkollor dhe shkollat kanë nisur prej kohësh përgatitjet për festat e nëntorit: veshjet me ngjyrat e flamurit kombëtar, mësimi i poezive patriotike dhe vizitat në muzeume apo site të tjera kulturore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shpërndau sot, në rrjetet sociale, një kolazh fotografish me fëmijë të cilët festojnë të veshur kuqezi.
“Këtë muaj festash kombëtare, kemi pasur kënaqësinë të mirëpresim vizitorët më të veçantë dhe kureshtarë, të cilët kanë mbushur ambientet tona me një atmosferë të mrekullueshme festive, duke i bërë jehonë ngjyrave tona simbolike”, shkroi ministri Gonxhja./ KultPlus.com
Regjisori Mehmet Xhelili solli në ArTurbina, dramën “Nëna” të dramaturgut francez, Florian Zeller.
Me koreografinë e Gjergj Prevazit dhe interpretim të Ema Andreas, Helidon Finos, Enisa Hysës dhe Xhuliano Briskut, “Nëna” ballafaqoi publikun më shumë se sa me një histori, me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj.
Në qendër të shfaqjes ishte drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe e personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë edhe vetë viktima të saj. Drama trajton dashurinë amtare për birin, largimin e të cilit nga shtëpia nëna e përjeton si tradhti dhe nga devijimet e mundshme patologjike që e shoqërojnë. Kësaj i shtohet situata paralele e një martese, e cila për këtë arsye dhe për arsye të tjera është duke pësuar dekadencën e saj.
Në faqen e Teatrit Kombëtar Eksperimental shkruhet se, mesazhet e fuqishme të veprës artikulojnë, jo përgjigjen, por pyetjen ekzistenciale të klithur nga nëna në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte kështu?
Autori i veprës, Florian Zeller është një romancier, dramaturg, regjisor teatri, skenarist dhe regjisor francez. Ai ka shkruar mbi një duzinë dramash, që janë vënë në skenë në mbarë botën dhe e kanë bërë atë një nga dramaturgët më të njohur bashkëkohorë./ KultPlus.com
Ushtria e Kosovës është një nga 12 ushtritë që i janë bashkuar Operacionit ‘Interflex’ të udhëhequr nga Britania e Madhe, i cili ka trajnuar mbi 50 mijë trupa ukrainase.
Kosova, Rumania dhe Estonia janë kombet e fundit që iu bashkuan kësaj përpjekjeje globale, duke qëndruar të bashkuar për liri dhe qëndrueshmëri.
Në kanalin zyrtar të platformës X të Ministrinë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, janë renditur të gjitha shtetet që iu bashkuan kësaj mbështetje. Në mesin e vendeve përfshihet edhe flamuri i Kosovës./ KultPlus.com
Sot kujtojmë 158 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, një prej poetëve dhe veprimtarëve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe letërsisë shqipe.
Gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës ka qenë Italia, Spanja dhe Polonia. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër.
Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes të cilit ata ankoheshin kundër pushtetit osman.
Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do t’i kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton një syrgjynosjeje në Anadoll, një kapërcyell i jetës së tij që e himnizon me poemthin “I tretuni”.
Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël.
Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.
Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe u nda nga jeta më 1 gusht 1937./ KultPlus.com
Kohë më parë doli një libërth me vetëm 80 faqe kushtuar profesionit të gazetarisë.
Autori Esad Dujaka, gazetar në pension thotë se nuk i është çasur gjendjes aktuale nga po ecën gazetaria këndej e matanë Drinit (siç shprehej poeti i njohur Dritëro Agolli) por ka marr shembuj gjithandej nga pjesa më demokratike botërore ku edhe është zhvilluar një gazetari sipas normave të paracaktuara profesionale e deri te ato njerëzore që e bëjnë këtë profesion të jetë, sipas normave të dështuara-si shtylla e 4-të e shtetësisë së një vendi demokratik.
Autori Dujaka ndalet edhe në historinë e gazetarisë shqipe në Kosovë, që u zhvillua dhe u bëri ballë rrethanave të vështira nëpër të cilat kaloi Kosova, populli shqiptar e me to edhe profesioni i gazetarisë, siç e thotë autori “duke ecur si nëpër tehun e shpatës”.
Autori bën përpjekje që të vë në spikamë prirjen dhe profesionalizmin që janë dy veçori si pjesë e pandashme e këtij profesioni.
Autori i këtij librit e thotë se nga po ecën gazetaria profesionale në viset shqiptare, duke thënë si ngutas se sa e si vlerësohet ky profesion, sa është në funksion të shtetbërjes dhe sa (nuk) iu përmbahet normave profesionale por madje edhe atyre njerëzore, por njëkohësisht sinjalizon për tretmanin jo aq mbështetës që duhet të kenë mjetet e informimit dhe gazetarët.
Autori ka deklaruar se këtë libër nuk e ka shitur në treg, por dëshiron ta ndajë dashamirësinë e këtij zanati tek degët e gazetarisë në universitete./ KultPlus.com
“Një vrasje e vogël aksidentale”, produksion i Teatri i Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë ka shënuar një sukses të radhës, përcjell KultPlus.
Me autor Jean Pierre Martinez dhe me regji të Marigona Bekteshi Ferati, shfaqja po merr pjesë në Sharm el-Sheikh International Theater Festival مهرجان شرم الشيخ الدولى للمسرح الشبابى Sitfy, përcjell KultPlus.
Festivali radhitet në top 10 fesitvalet më të mëdha në botë. Mbi 4000 aplikime sa ishin në këtë vit, teatri po garon me teatro të ndryshme nga bota./ KultPlus.com
“Manifest” është shpallur fjala e vitit nga Fjalori i Cambridgeit për vitin 2024, pasi të famshëm si ylli i popit Dua Lipa folën për manifestimin e suksesit të tyre.
Termi, i cili ka fituar vëmendje në TikTok dhe në mediat tjera sociale u kërkua pothuajse 130,000 herë në web-faqen e Fjalorit të Cambridgeit.
Redaktorët thanë se kjo e bëri atë një nga fjalët më të shikuara të vitit 2024, raportojnë mediat britanike.
Dua Lipa tregoi këtë vit për manifestimin e saj në Glastonbury Festival.
Leksikografët thanë se termi “të manifestosh” ka evoluar për t’u përdorur në kuptimin “të imagjinosh arritjen e diçkaje që dëshiron, me besimin se kjo do ta bëjë më të mundshme që të ndodhë”.
Dr Sander van der Linden, autor i Psikologjisë së Keqinformimit dhe profesor i Psikologjisë Sociale në Universitetin e Cambridgeit tha se kjo nuk ka bazë shkencore.
“Manifestimi është ajo që psikologët e quajnë ‘të menduarit magjik’ ose iluzioni i përgjithshëm se ritualet specifike mendore mund ta ndryshojnë botën rreth nesh”, tha ai.
Ai tregoi se kjo fjalë fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm në TikTok gjatë periudhës së pandemisë dhe përfshin një metodë popullore për të ‘manifestuar’.
“Kjo procedurë promovon sjellje obsesive dhe kompulsive pa përfitime të dukshme”, thotë Dr Sander van der Linden./ KultPlus.com
Sot KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.
1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams
2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken
3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit
4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër
5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman
6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni
7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh
8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov
9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel
10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson
11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi
12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu
13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi
14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington
15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark
16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost
17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe
18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand
19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol
20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson
21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung
22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung
23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër
24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson
25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol
26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan
27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik
28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni
29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol
30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn
31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com
Soviet Premier Nikita Khrushchev talks to reporters at the United Nations in New York, Sept. 28, 1960.
(AP Photo/Anthony Camerano)
Manastiri i Cepos, i shpallur Monument Kulture, Kategoria I, gjendet në cep të Malit të Gjerë, poshtë një prerjeje shkëmbore, tërthore të pjesës veriore të saj, prandaj dhe vendi quhet “Cepo”. Manastiri tërheq vëmendjen edhe me lëndina e bukura, disahektarëshe ndërkohë që në afërsi të tij janë të shumta burimet e ujit, të cilat kurorëzohen nga një pyll i madh gështenjash dhe drurësh të tjerë.
Konaku i Manastirit është dykatësh me gur të zi dhe të bardhë. Kati përdhe në pjesën ballore është realizuar me harqe guri. Në katin e dytë manastiri është i ndarë nga dy ambiente dhe në fasadë ka dritare në të tre faqet. Çatia e manastirit është njëujëshe e mbuluar me tjegull të kuqe. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati.
Naosi është një bazilikë trinefshe mbuluar me një sistem qemeresh cilindrike. Apsida është e vogel dhe e ulët, kështu që nuk ndikojnë ndjeshëm në rritjen e hapësirës së brendshme. Naosi ndriçohet nga dritare të vogla, të hapura në muret e apsidave.
Muratura e manastirit është me gurë gëlqeror dhe gur të zi të lidhur me llaç e gëlqere. Muratura e kishës është ndërtuar me gurë shtresorë, me radhitje të rregullt dhe përfundon me një kornizë të realizuar me gurë të vendosur në formë dhëmbësh sharrë ndërsa harqet e saj janë të punuar me gurë të gdhendur, plani i të cilëve është më i thelluar nga ai i muraturës./atsh/ KultPlus.com
Sot bëhen 52 vite kur hapi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të pranishëm ishin albanologë nga mbarë trevat shqiptare.
Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë.
Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njëri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor.
Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol të rëndësishëm ka luajtur delegacioni nga Prishtina.
Kongresi u pasua pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore./ KultPlus.com
Fundjavën e kaluar mund të zbulohej Sistemi i ri i Hyrje/Daljes në Bashkimin Evropian (EES).
Ky sistem i ri nënkupton se kur një shtetas jo i BE-së hyn në cilindo prej 29 vendeve të zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, ai duhet ta regjistrojë emrin e plotë dhe kombësinë, t’i japë gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografohet – sipas të gjitha gjasave në një kabinë me vetëshërbim.
Sistemi u miratua nga BE-ja në fund të vitit 2017 dhe do ta heqë vulosjen manuale të pasaportave jo të BE-së, përkatësisht do ta zëvendësojë sistemin e vjetër me një bazë të madhe elektronike të të dhënave.
Sipas Komisionit Evropian, sistemi i ri do të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt, do t’i ndihmojë shtetasit e vendeve të treta të udhëtojnë më lehtë, do t’i identifikojë përpjekjet për ta tejkaluar kohën e lejuar të qëndrimit, ose për fshehje të identitetit.
Megjithatë, ai nuk u funksionalizua – as më 10 nëntor siç ishte planifikuar, e as në datën rezervë, më 17 nëntor.
Por, për të qenë më të saktë, datat nuk u përcaktuan kurrë me vendosmëri.
Flitej që kjo mund të ndodhte dikur edhe në tremujorin e fundit të këtij viti dhe nuk ishte hera e parë që u shty.
As në vitet 2022 dhe 2023, sistemi i ri nuk ishte gati.
Dhe, shtrohet pyetja: përse këto vonesa të vazhdueshme?
Një përgjigje është se bëhet fjalë për një ndërmarrje masive të teknologjisë informative dhe, në këtë shkallë, ajo nuk ka qenë e testuar më parë.
Kur në tetor, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord se prezantimi në nëntor nuk është i mundur, ishin Franca, Gjermania dhe Holanda – tri shtete anëtare me shumë pika të hyrjes – që e frenuan.
Ministria e Brendshme gjermane tha atëkohë se sistemit qendror kompjuterik, që do ta mbështeste sistemin e ri, e që mbikëqyret nga agjencia e BE-së, eu-LISA, i mungon “stabiliteti dhe funksionaliteti i nevojshëm”.
Një diplomat i BE-së, i cili ka dijeni për çështjen, u shpreh edhe më ashpër, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se i gjithë sistemi është “i dobët” dhe se nuk është testuar përpara nisjes zyrtare.
Ndërsa agjencia e BE-së, eu-LISA, tha se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë gati teknikisht, ka frikë se sistemi i ri do të krijojë kaos në qendrat kryesore të kontinentit, duke goditur kështu biznesin dhe turizmin me radhë masive kufitare.
Një nga problemet është se BE-ja donte ta lansonte sistemin kudo në të njëjtën kohë. Por, në Bruksel tani flitet për një qasje me faza, që do të thotë se rregulloret e miratuara tashmë, duhet të ndryshohen.
Kjo mund të bëhet nëse ka vullnet politik, i cili duket se ekziston, por i takon Komisionit Evropian të përcaktojë se çfarë do të thotë saktësisht qasja me faza.
Ndërkohë, shumë qendra dhe pika kufitare do të vazhdojnë të përgatiten për lansimin eventual të sistemit në vitin 2025, duke shtuar më shumë barriera automatike dhe kabina të vetëshërbimit, si dhe duke trajnuar stafin dhe rojet kufitare.
Pasi të funksionalizohet ky sistem, qytetarët jashtë BE-së i pret edhe një gjë tjetër.
Plani është që rreth gjashtë muaj më vonë, të procedohet me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Ky do t’i mbulojë të gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat me BE-në, përfshirë shtetasit e SHBA-së dhe Britanisë, por edhe ukrainasit, gjeorgjianët dhe moldavët, si dhe qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së.
Vlen të theksohet se marrja e miratimit nga ETIAS-i nuk është vizë dhe nuk garanton hyrjen.
Autorizimi, i vlefshëm për tre vjet, do të kushtojë 7 euro dhe do të duhet të plotësohet nga të gjithë personat e moshës 18 deri në 70 vjeç.
Përjashtime do të mund të bëjnë individët me viza dhe leje qëndrimi, refugjatët, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe pasagjerët transit në aeroporte.
Për ETIAS-in, BE-ja ra dakord në vitin 2018 dhe, sikurse EES-ja, ai është pjesë e përpjekjeve për ta bërë zonën Schengen më të fuqishme dhe më të kontrolluar.
Me imigracionin sërish në krye të agjendës politike në të gjithë bllokun, ka të ngjarë që të ketë një shtytje të fortë nga disa shtete anëtare, si dhe nga vetë Komisioni Evropian, për t’i funksionalizuar të dyja sistemet në vitin 2025. /REL/ KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro reagoi pas miratimit të buxhetit 2025 në parim me 75 vota në Kuvendin e Shqipërisë, se ky buxhet është më i larti në historinë ekonomike të vendit dhe mbështet një sërë projektesh të mëdha në turizëm dhe mjedis.
“Buxheti për vitin 2025 është më i larti në historinë ekonomike shqiptare duke mbështetur edhe projektet e rëndësishme në turizëm dhe mjedis me një rritje prej 7,9% për MTM. Viti 2025 do të nisë me ogurin e mirë të promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë si imazh i panairit më të rëndësishëm në botë për turizmin – ITB Berlin. Për të vazhduar me projekte të mëdha të ekoturizmit si “Ekopark Ulëza”, “Qendra Multifunksionale e Luginës së Vjosës” dhe mbështetje për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Teksa do të vijojmë koordinimin për projektet dedikuar mjedisit me partnerët ndërkombëtarë siç është projekti EU4CircularEconomy që siguron menaxhimin e integruar të mbetjeve në qarqet Kukës dhe Gjirokastër-Vlora Jugore, apo bashkëpunimi me KfVmbi përmirësimin e procesit të menaxhimit të mbetjeve në Durrës, Dibër, Berat, Vlorë dhe Korçë”, tha Kumbaro në një postim në Facebook.
Për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, buxheti është 3.9 miliardë lekë dhe ka një rritje prej 7.9% krahasuar me atë të vitit 2024.
“Të gjitha këto standarde do të vazhdojnë për tu përmirësuar edhe për 2025. Viti 2025 do ta gjejë Shqipërinë e një strategjie të re kombëtare për vitin 2030. Kemi parashikuar që në 2025 të pajisim sistemin e menaxhimit të këtij sektori industrial me një platformë të re që quhet E-Visitors, ku sektori privat dhe publik do të deklarojnë të dhënat në kohë reale, për të menaxhuar më mirë sektorin. E rëndësishme është që jo vetëm ta formalizojmë, por të shtojmë të ardhurat në buxhetin e shtetit për të parashikuar më mirë investimet në turizëm”, tha ministrja gjatë fjalës së saj në Kuvend për buxhetin 2025, duke nënvizuar se buxheti i vitit 2025 siguron mbështetje të plotë për të 5 programet buxhetore./ atsh/ KultPlus.com
Për katër ditë me radhë, piktorët nga e gjithë Shqipëria, pikturuan bukurinë e pafundme të Elbasanit. Kolonia e Piktorëve e titulluar “Skampis 2024” bëri bashkë artistë të talentuar që pasqyrojnë trashëgiminë e qytetit përmes penelit.
Nga Kalaja dhe rrugicat e vjetra, deri në peizazhet natyrore të Funarit, Byshekut e Gjinarit, artistët hodhën ne telajo bukuritë e qytetit.
“Kemi ardhur një grup piktorësh me ftesë të bashkisë Elbasan, për të pikturuar në Elbasan, për të pasqyruar vlerat kulturore të këtij qyteti të mrekullueshëm duke përfshirë kalanë. Sot unë jam në kala, është dita e dytë që unë vij këtu ndjehem shumë mirë. Elbasani ka dhe pika të tjera shumë të bukura, ka edhe natyrën edhe bregun e lumit, ka edhe qytetin ka orën karakteristike”,-tha piktori Agim Dervishi.
Derivishi, bën me dije ndër të tjera se sa i shërben atij marrja pjesë ne këto koloni piktorësh. Ndërsa thotë se çfarë linje janë punët e tij.
“Kolonitë me thënë të drejtën janë shumë të mira për vetë faktin se shkëmbejmë eksperienca, por njëkohësisht është edhe një motiv që të bën të ndjehesh mirë. Duke qene se janë piktorët me te mirënjohur te vendit është një vlerë e shtuar për galerinë e Elbasanit, do ta pasurojë akoma me tepër. Unë i përkas linjës se peizazhit, natyrës këtu jam përqendruar me tepër këtu ndjehem mirë unë”,-u shpreh piktori.
Prania e kësaj kolonie piktorësh në Elbasan, i dhënë një dimension tjetër këtij vendi që ka frymëzuar kaq shumë artistë për shekuj me radhë.
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoren Rezidente të Programit për Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Marta Onorato.
Ai e vlerësoi partneritetin si dhe rolin e kontributin e institutit.
Në takim, siç njofton Kryeministria, u theksua angazhimi i dyanshëm në fuqizimin e bashkëpunimit si dhe përkushtimit ndaj reformave që kanë për qëllim gjithëpërfshirjen.
Në fokus të bisedës thuhet se ishin programet e projektet që në qendër kanë veçanërisht të rinjtë dhe gratë si dhe ato në zhvillimin e politikave publike.
Kurti e falënderoi Onoraton për takimin e frytshëm, bisedën produktive dhe bashkëpunimin efikas mes qeverisë dhe Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka njoftuar se koncertin e saj të mbajtur në “Royal Albert Hall” do ta publikojë përmes një albumi në dhjetor të këtij viti.
Pëmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” këngëtarja Lipa ka bërë të ditur se albumi do të transmetohet me 6 dhjetor.
“Zyrtare, albumi me këndim drejtpërdrejt nga salla ‘Royal Albert’, më 6 dhjetor. Të dëgjosh këngët e mia dhe t’i interpretosh në këtë formë për herë të parë ishte eksperienca më e veçantë, ndërsa tani janë tuajat, Transmetimi i ITV do të jetë live me 8 dhjetor dhe CBS në 15 dhjetor për eksperiencën e plotë”, ka shkruar ajo në Facebook./ KultPlus.com
Janë bërë 1 mijë ditë prej se ka nisur lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainë.
Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të qëndrojë pranë Ukrainës derisa të arrihet fitorja.
Osmani tha se fitorja e Ukrainës do të jetë fitore e Evropës.
“1000 ditë qëndrueshmëri e jashtëzakonshme, forcë e palëkundur… Fitorja e Ukrainës do të jetë fitore e Evropës – një qëndrim vendimtar për lirinë dhe drejtësinë”.
“Kosova do të qëndrojë me Ukrainën derisa të arrihet fitorja”, shkroi Osmani në X.
Korça është sjellë në të gjitha dimensionet e saj përmes një ekspozite fotografie të realizuar nga 9 fotografë grekë të cilët për 4 ditë eksploruan qytetin duke fiksuar në objektivin e tyre natyrën, arkitekturën dhe jetën e këtij qyteti.
Për herë të parë grupi i përbërë nga fotografë profesionistë nga cendi fqinjë ju drejtua Korçës për të evidentuar realitetin me të gjitha ngjyrat e tij ndërsa 18 fotografi u përzgjodhën për publikun.
Për fotografët të cilët kanë fotografuar 76 qytete nga vende të ndryshme të botës Korça është një qytet ku e reja dhe tradita qëndrojnë shumë pranë dhe ku portretet e njerëzve janë shumë të veçantë
“Ideja ime ishte të gjeja diferencat dhe ndryshimet që ka ky qytet. Është një qytet që duket se le të kaluarën pas, por pa humbur traditën dhe shikon në sy të renë. Fotografia ime ka tre nuanca të së bardhës, është një vend kulturor, që përfaqëson të kaluarën, modernen dhe kulturën, sepse është një kinema verore. Kurse tek fotografia e dytë, është një prift në rrugicat e Korçës dhe drita që bie, tregon se diçka e re po lind.”, thotë Grigorios Moutsios.
“Jemi shumë të kënaqur dhe entuziaztë edhe pêr mikpritjen tuaj dhe veçoritë e qytetit. Më pëlqyen të gjitha në Korçë. 75 vende të botës kam fotografuar dhe Korça është e 76. Jemi të gatshëm të rikthehemi në Korçë me një grup më të madh fotografësh”, tha Athina Perka.
Të gatshëm të rikthehen përsëri në Korçë grupi i fotografëve False Mirror do të mundësojnë që fotot e realizuara prej tyre të pasqyrohen edhe në një fotoalbum turistik për Korçën./ Top Channel/ KultPlus.com