Ushtria e Kosovës, një nga 12 ushtritë që iu bashkuan Operacionit ‘Interflex’ për trajnimin e trupave ukrainase

Ushtria e Kosovës është një nga 12 ushtritë që i janë bashkuar Operacionit ‘Interflex’ të udhëhequr nga Britania e Madhe, i cili ka trajnuar mbi 50 mijë trupa ukrainase.

Kosova, Rumania dhe Estonia janë kombet e fundit që iu bashkuan kësaj përpjekjeje globale, duke qëndruar të bashkuar për liri dhe qëndrueshmëri.

Në kanalin zyrtar të platformës X të Ministrinë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, janë renditur të gjitha shtetet që iu bashkuan kësaj mbështetje. Në mesin e vendeve përfshihet edhe flamuri i Kosovës./ KultPlus.com

158 vjet nga lindja e Ndre Mjedës, poeti dhe vemprimtari që punoi për gjuhën dhe kulturën shqiptare

Sot kujtojmë 158 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, një prej poetëve dhe veprimtarëve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe letërsisë shqipe.

Gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike të Mjedës ka qenë Italia, Spanja dhe Polonia. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër.

Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes të cilit ata ankoheshin kundër pushtetit osman.

Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do t’i kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton një syrgjynosjeje në Anadoll, një kapërcyell i jetës së tij që e himnizon me poemthin “I tretuni”.

Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël.

Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.

Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe u nda nga jeta më 1 gusht 1937./ KultPlus.com

Botohet “Dy fjalë për gazetarinë”: shembuj gjithandej nga pjesa më demokratike botërore

Kohë më parë doli një libërth me vetëm 80 faqe kushtuar profesionit të gazetarisë.

Autori Esad Dujaka, gazetar në pension thotë se nuk i është çasur gjendjes aktuale nga po ecën gazetaria këndej e matanë Drinit (siç shprehej poeti i njohur Dritëro Agolli) por ka marr shembuj gjithandej nga pjesa më demokratike botërore ku edhe është zhvilluar një gazetari sipas normave të paracaktuara profesionale e deri te ato njerëzore që e bëjnë këtë profesion të jetë, sipas normave të dështuara-si shtylla e 4-të e shtetësisë së një vendi demokratik.

Autori Dujaka ndalet edhe në historinë e gazetarisë shqipe në Kosovë, që u zhvillua dhe u bëri ballë rrethanave të vështira nëpër të cilat kaloi Kosova, populli shqiptar e me to edhe profesioni i gazetarisë, siç e thotë autori “duke ecur si nëpër tehun e shpatës”.

Autori bën përpjekje që të vë në spikamë prirjen dhe profesionalizmin që janë dy veçori si pjesë e pandashme e këtij profesioni.

Autori i këtij librit e thotë se nga po ecën gazetaria profesionale në viset shqiptare, duke thënë si ngutas se sa e si vlerësohet ky profesion, sa është në funksion të shtetbërjes dhe sa (nuk) iu përmbahet normave profesionale por madje edhe atyre njerëzore, por njëkohësisht sinjalizon për tretmanin jo aq mbështetës që duhet të kenë mjetet e informimit dhe gazetarët.

Autori ka deklaruar se këtë libër nuk e ka shitur në treg, por dëshiron ta ndajë dashamirësinë e këtij zanati tek degët e gazetarisë në universitete./ KultPlus.com

“Një vrasje e vogël aksidentale” bëhet pjesë e festivalit ndërkombëtar të teatrove “Sharm el-Sheikh”

“Një vrasje e vogël aksidentale”, produksion i Teatri i Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë ka shënuar një sukses të radhës, përcjell KultPlus.

Me autor Jean Pierre Martinez dhe me regji të Marigona Bekteshi Ferati, shfaqja po merr pjesë në Sharm el-Sheikh International Theater Festival مهرجان شرم الشيخ الدولى للمسرح الشبابى Sitfy, përcjell KultPlus.

Festivali radhitet në top 10 fesitvalet më të mëdha në botë. Mbi 4000 aplikime sa ishin në këtë vit, teatri po garon me teatro të ndryshme nga bota./ KultPlus.com

Fjala që Dua Lipa e bëri të famshme është më e kërkuara e vitit në Fjalorin e Cambridgeit

“Manifest” është shpallur fjala e vitit nga Fjalori i Cambridgeit për vitin 2024, pasi të famshëm si ylli i popit Dua Lipa folën për manifestimin e suksesit të tyre.

Termi, i cili ka fituar vëmendje në TikTok dhe në mediat tjera sociale u kërkua pothuajse 130,000 herë në web-faqen e Fjalorit të Cambridgeit.

Redaktorët thanë se kjo e bëri atë një nga fjalët më të shikuara të vitit 2024, raportojnë mediat britanike.

Dua Lipa tregoi këtë vit për manifestimin e saj në Glastonbury Festival.

Leksikografët thanë se termi “të manifestosh” ka evoluar për t’u përdorur në kuptimin “të imagjinosh arritjen e diçkaje që dëshiron, me besimin se kjo do ta bëjë më të mundshme që të ndodhë”.

Dr Sander van der Linden, autor i Psikologjisë së Keqinformimit dhe profesor i Psikologjisë Sociale në Universitetin e Cambridgeit tha se kjo nuk ka bazë shkencore.

“Manifestimi është ajo që psikologët e quajnë ‘të menduarit magjik’ ose iluzioni i përgjithshëm se ritualet specifike mendore mund ta ndryshojnë botën rreth nesh”, tha ai.

Ai tregoi se kjo fjalë fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm në TikTok gjatë periudhës së pandemisë dhe përfshin një metodë popullore për të ‘manifestuar’.

“Kjo procedurë promovon sjellje obsesive dhe kompulsive pa përfitime të dukshme”, thotë Dr Sander van der Linden./ KultPlus.com

‘Politikanët janë gjithandej të njëjtë, ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë’

Sot KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com

Soviet Premier Nikita Khrushchev talks to reporters at the United Nations in New York, Sept. 28, 1960. (AP Photo/Anthony Camerano)

Manastiri i Cepos në Gjirokastër, ndërtuar poshtë një prerjeje shkëmbore

Manastiri i Cepos, i shpallur Monument Kulture, Kategoria I, gjendet në cep të Malit të Gjerë, poshtë një prerjeje shkëmbore, tërthore të pjesës veriore të saj, prandaj dhe vendi quhet “Cepo”. Manastiri tërheq vëmendjen edhe me lëndina e bukura, disahektarëshe ndërkohë që në afërsi të tij janë të shumta burimet e ujit, të cilat kurorëzohen nga një pyll i madh gështenjash dhe drurësh të tjerë.

Konaku i Manastirit është dykatësh me gur të zi dhe të bardhë. Kati përdhe në pjesën ballore është realizuar me harqe guri. Në katin e dytë manastiri është i ndarë nga dy ambiente dhe në fasadë ka dritare në të tre faqet. Çatia e manastirit është njëujëshe e mbuluar me tjegull të kuqe. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati.

Naosi është një bazilikë trinefshe mbuluar me një sistem qemeresh cilindrike. Apsida është e vogel dhe e ulët, kështu që nuk ndikojnë ndjeshëm në rritjen e hapësirës së brendshme. Naosi ndriçohet nga dritare të vogla, të hapura në muret e apsidave.

Muratura e manastirit është me gurë gëlqeror dhe gur të zi të lidhur me llaç e gëlqere. Muratura e kishës është ndërtuar me gurë shtresorë, me radhitje të rregullt dhe përfundon me një kornizë të realizuar me gurë të vendosur në formë dhëmbësh sharrë ndërsa harqet e saj janë të punuar me gurë të gdhendur, plani i të cilëve është më i thelluar nga ai i muraturës./atsh/ KultPlus.com

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Sot bëhen 52 vite kur hapi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të pranishëm ishin albanologë nga mbarë trevat shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë.

Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njëri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor.

Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol të rëndësishëm ka luajtur delegacioni nga Prishtina.

Kongresi u pasua pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore./ KultPlus.com

A do të sjellë 2025-ta një ndryshim të madh për udhëtarët në BE?

Fundjavën e kaluar mund të zbulohej Sistemi i ri i Hyrje/Daljes në Bashkimin Evropian (EES).

Ky sistem i ri nënkupton se kur një shtetas jo i BE-së hyn në cilindo prej 29 vendeve të zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, ai duhet ta regjistrojë emrin e plotë dhe kombësinë, t’i japë gjurmët e gishtërinjve dhe të fotografohet – sipas të gjitha gjasave në një kabinë me vetëshërbim.

Sistemi u miratua nga BE-ja në fund të vitit 2017 dhe do ta heqë vulosjen manuale të pasaportave jo të BE-së, përkatësisht do ta zëvendësojë sistemin e vjetër me një bazë të madhe elektronike të të dhënave.

Sipas Komisionit Evropian, sistemi i ri do të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt, do t’i ndihmojë shtetasit e vendeve të treta të udhëtojnë më lehtë, do t’i identifikojë përpjekjet për ta tejkaluar kohën e lejuar të qëndrimit, ose për fshehje të identitetit.

Megjithatë, ai nuk u funksionalizua – as më 10 nëntor siç ishte planifikuar, e as në datën rezervë, më 17 nëntor.

Por, për të qenë më të saktë, datat nuk u përcaktuan kurrë me vendosmëri.

Flitej që kjo mund të ndodhte dikur edhe në tremujorin e fundit të këtij viti dhe nuk ishte hera e parë që u shty.

As në vitet 2022 dhe 2023, sistemi i ri nuk ishte gati. 

Dhe, shtrohet pyetja: përse këto vonesa të vazhdueshme?

Një përgjigje është se bëhet fjalë për një ndërmarrje masive të teknologjisë informative dhe, në këtë shkallë, ajo nuk ka qenë e testuar më parë.

Kur në tetor, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord se prezantimi në nëntor nuk është i mundur, ishin Franca, Gjermania dhe Holanda – tri shtete anëtare me shumë pika të hyrjes – që e frenuan.

Ministria e Brendshme gjermane tha atëkohë se sistemit qendror kompjuterik, që do ta mbështeste sistemin e ri, e që mbikëqyret nga agjencia e BE-së, eu-LISA, i mungon “stabiliteti dhe funksionaliteti i nevojshëm”.

Një diplomat i BE-së, i cili ka dijeni për çështjen, u shpreh edhe më ashpër, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se i gjithë sistemi është “i dobët” dhe se nuk është testuar përpara nisjes zyrtare.

Ndërsa agjencia e BE-së, eu-LISA, tha se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë gati teknikisht, ka frikë se sistemi i ri do të krijojë kaos në qendrat kryesore të kontinentit, duke goditur kështu biznesin dhe turizmin me radhë masive kufitare.

Një nga problemet është se BE-ja donte ta lansonte sistemin kudo në të njëjtën kohë. Por, në Bruksel tani flitet për një qasje me faza, që do të thotë se rregulloret e miratuara tashmë, duhet të ndryshohen.

Kjo mund të bëhet nëse ka vullnet politik, i cili duket se ekziston, por i takon Komisionit Evropian të përcaktojë se çfarë do të thotë saktësisht qasja me faza.

Ndërkohë, shumë qendra dhe pika kufitare do të vazhdojnë të përgatiten për lansimin eventual të sistemit në vitin 2025, duke shtuar më shumë barriera automatike dhe kabina të vetëshërbimit, si dhe duke trajnuar stafin dhe rojet kufitare.

Pasi të funksionalizohet ky sistem, qytetarët jashtë BE-së i pret edhe një gjë tjetër.

Plani është që rreth gjashtë muaj më vonë, të procedohet me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Ky do t’i mbulojë të gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat me BE-në, përfshirë shtetasit e SHBA-së dhe Britanisë, por edhe ukrainasit, gjeorgjianët dhe moldavët, si dhe qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së.

Vlen të theksohet se marrja e miratimit nga ETIAS-i nuk është vizë dhe nuk garanton hyrjen.

Autorizimi, i vlefshëm për tre vjet, do të kushtojë 7 euro dhe do të duhet të plotësohet nga të gjithë personat e moshës 18 deri në 70 vjeç.

Përjashtime do të mund të bëjnë individët me viza dhe leje qëndrimi, refugjatët, mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe pasagjerët transit në aeroporte.

Për ETIAS-in, BE-ja ra dakord në vitin 2018 dhe, sikurse EES-ja, ai është pjesë e përpjekjeve për ta bërë zonën Schengen më të fuqishme dhe më të kontrolluar.

Me imigracionin sërish në krye të agjendës politike në të gjithë bllokun, ka të ngjarë që të ketë një shtytje të fortë nga disa shtete anëtare, si dhe nga vetë Komisioni Evropian, për t’i funksionalizuar të dyja sistemet në vitin 2025. /REL/ KultPlus.com

Kumbaro: Me buxhetin 2025 vazhdojmë projektet më të mëdha në turizëm e mjedis

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro reagoi pas miratimit të buxhetit 2025 në parim me 75 vota në Kuvendin e Shqipërisë, se ky buxhet është më i larti në historinë ekonomike të vendit dhe mbështet një sërë projektesh të mëdha në turizëm dhe mjedis.

“Buxheti për vitin 2025 është më i larti në historinë ekonomike shqiptare duke mbështetur edhe projektet e rëndësishme në turizëm dhe mjedis me një rritje prej 7,9% për MTM. Viti 2025 do të nisë me ogurin e mirë të promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë si imazh i panairit më të rëndësishëm në botë për turizmin – ITB Berlin. Për të vazhduar me projekte të mëdha të ekoturizmit si “Ekopark Ulëza”, “Qendra Multifunksionale e Luginës së Vjosës” dhe mbështetje për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Teksa do të vijojmë koordinimin për projektet dedikuar mjedisit me partnerët ndërkombëtarë siç është projekti EU4CircularEconomy që siguron menaxhimin e integruar të mbetjeve në qarqet Kukës dhe Gjirokastër-Vlora Jugore, apo bashkëpunimi me KfVmbi përmirësimin e procesit të menaxhimit të mbetjeve në Durrës, Dibër, Berat, Vlorë dhe Korçë”, tha Kumbaro në një postim në Facebook.

Për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, buxheti është 3.9 miliardë lekë dhe ka një rritje prej 7.9% krahasuar me atë të vitit 2024.

“Të gjitha këto standarde do të vazhdojnë për tu përmirësuar edhe për 2025. Viti 2025 do ta gjejë Shqipërinë e një strategjie të re kombëtare për vitin 2030. Kemi parashikuar që në 2025 të pajisim sistemin e menaxhimit të këtij sektori industrial me një platformë të re që quhet E-Visitors, ku sektori privat dhe publik do të deklarojnë të dhënat në kohë reale, për të menaxhuar më mirë sektorin. E rëndësishme është që jo vetëm ta formalizojmë, por të shtojmë të ardhurat në buxhetin e shtetit për të parashikuar më mirë investimet në turizëm”, tha ministrja gjatë fjalës së saj në Kuvend për buxhetin 2025, duke nënvizuar se buxheti i vitit 2025 siguron mbështetje të plotë për të 5 programet buxhetore./ atsh/ KultPlus.com

Kolonia e piktorëve në Elbasan, artistët hedhin në telajo bukuritë e qytetit

Për katër ditë me radhë, piktorët nga e gjithë Shqipëria, pikturuan bukurinë e pafundme të Elbasanit.  Kolonia e Piktorëve e titulluar “Skampis 2024” bëri bashkë artistë të talentuar që pasqyrojnë trashëgiminë e qytetit përmes penelit.

Nga Kalaja dhe rrugicat e vjetra, deri në peizazhet natyrore të Funarit, Byshekut e Gjinarit, artistët hodhën ne telajo bukuritë e qytetit.

“Kemi ardhur një grup piktorësh me ftesë të bashkisë Elbasan, për të pikturuar në Elbasan, për të pasqyruar vlerat  kulturore të këtij qyteti të mrekullueshëm duke përfshirë kalanë. Sot unë jam në kala, është dita e dytë që unë vij këtu ndjehem shumë mirë. Elbasani ka dhe pika të tjera  shumë të bukura, ka edhe natyrën edhe bregun e lumit, ka edhe qytetin ka orën karakteristike”,-tha piktori Agim Dervishi.

Derivishi, bën me dije ndër të tjera se sa i shërben atij marrja pjesë ne këto koloni piktorësh. Ndërsa thotë se çfarë linje janë punët e tij.

“Kolonitë me thënë të drejtën janë shumë të mira për vetë faktin se shkëmbejmë eksperienca, por njëkohësisht është edhe një motiv që të bën të ndjehesh mirë. Duke qene se janë  piktorët me te mirënjohur te vendit është një vlerë e shtuar për galerinë e Elbasanit, do ta pasurojë akoma me tepër. Unë i përkas linjës se peizazhit, natyrës këtu jam përqendruar me tepër këtu ndjehem mirë unë”,-u shpreh piktori.

Prania e kësaj kolonie piktorësh në Elbasan, i dhënë një dimension tjetër këtij vendi që ka frymëzuar kaq shumë artistë për shekuj me radhë.

Çeku u përgjigjet aktorëve grevistë: 20 milionë euro kemi investuar ose zotuar në fushën e teatrit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka folur mbi situatën e grevave të aktorëve, duke theksuar rëndësinë e tyre në shoqëri.

Ai u shpreh në Rubikon se qeveria ka investuar ose zotuar për implementim rreth 20 milionë euro në fushën e teatrit, transmeton klankosova.tv.

”Kemi kriju disa lehtësira, në mënyrë që ata të merren me art, krijimtari, e jo të bllokohen në procedura e në progres”.

”Ky ka qenë edhe synim i yni që nga fillimi. Kemi thënë se kanë nevojë për reformë të thellë të institucioneve publike të Kulturës”.

”Kemi synu përmirësimin e kushteve të punës që është shumë me rëndësi për artistët”.

Kryeministri Kurti e falënderon Onoraton për partneritetin e IRI-t me Kosovën

Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoren Rezidente të Programit për Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Marta Onorato.

Ai e vlerësoi partneritetin si dhe rolin e kontributin e institutit.

Në takim, siç njofton Kryeministria, u theksua angazhimi i dyanshëm në fuqizimin e bashkëpunimit si dhe përkushtimit ndaj reformave që kanë për qëllim gjithëpërfshirjen.

Në fokus të bisedës thuhet se ishin programet e projektet që në qendër kanë veçanërisht të rinjtë dhe gratë si dhe ato në zhvillimin e politikave publike.

Kurti e falënderoi Onoraton për takimin e frytshëm, bisedën produktive dhe bashkëpunimin efikas mes qeverisë dhe Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI.

Dua Lipa me album sjell performancën e mbajtur në ‘Royal Albert Hall’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka njoftuar se koncertin e saj të mbajtur në “Royal Albert Hall” do ta publikojë përmes një albumi në dhjetor të këtij viti.

Pëmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” këngëtarja Lipa ka bërë të ditur se albumi do të transmetohet me 6 dhjetor.

“Zyrtare, albumi me këndim drejtpërdrejt nga salla ‘Royal Albert’, më 6 dhjetor.  Të dëgjosh këngët e mia dhe t’i interpretosh në këtë formë për herë të parë ishte eksperienca më e veçantë, ndërsa tani janë tuajat, Transmetimi i ITV do të jetë live me 8 dhjetor dhe CBS në 15 dhjetor për eksperiencën e plotë”, ka shkruar ajo në Facebook./ KultPlus.com

1 mijë ditë luftë Rusi – Ukrainë, Osmani: Fitorja e Ukrainës, fitore e Evropës

Janë bërë 1 mijë ditë prej se ka nisur lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainë.

Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të qëndrojë pranë Ukrainës derisa të arrihet fitorja.

Osmani tha se fitorja e Ukrainës do të jetë fitore e Evropës.

“1000 ditë qëndrueshmëri e jashtëzakonshme, forcë e palëkundur… Fitorja e Ukrainës do të jetë fitore e Evropës – një qëndrim vendimtar për lirinë dhe drejtësinë”.

“Kosova do të qëndrojë me Ukrainën derisa të arrihet fitorja”, shkroi Osmani në X.

Korça në syrin e fotografëve grekë, fotografët profesionistë hapën në qytet ekspozitën me fotot më të mira

Korça është sjellë në të gjitha dimensionet e saj përmes një ekspozite fotografie të realizuar nga 9 fotografë grekë të cilët për 4 ditë eksploruan qytetin duke fiksuar në objektivin e tyre natyrën, arkitekturën dhe jetën e këtij qyteti. 

Për herë të parë grupi i përbërë nga fotografë profesionistë nga cendi fqinjë ju drejtua Korçës për të evidentuar realitetin me të gjitha ngjyrat e tij ndërsa 18 fotografi u përzgjodhën për publikun.

Për fotografët të cilët kanë fotografuar 76 qytete nga vende të ndryshme të botës Korça është një qytet ku e reja dhe tradita qëndrojnë shumë pranë dhe ku portretet e njerëzve janë shumë të veçantë

“Ideja ime ishte të gjeja diferencat dhe ndryshimet që ka ky qytet. Është një qytet që duket se le të kaluarën pas, por pa humbur traditën dhe shikon në sy të renë. Fotografia ime ka tre nuanca të së bardhës, është një vend kulturor, që përfaqëson të kaluarën, modernen dhe kulturën, sepse është një kinema verore. Kurse tek fotografia e dytë, është një prift në rrugicat e Korçës dhe drita që bie, tregon se diçka e re po lind.”, thotë Grigorios Moutsios.

“Jemi shumë të kënaqur dhe entuziaztë edhe pêr mikpritjen tuaj dhe veçoritë e qytetit. Më pëlqyen të gjitha në Korçë. 75 vende të botës kam fotografuar dhe Korça është e 76. Jemi të gatshëm të rikthehemi në Korçë me një grup më të madh fotografësh”, tha Athina Perka.

Të gatshëm të rikthehen përsëri në Korçë grupi i fotografëve  False Mirror do të mundësojnë që fotot e realizuara prej tyre të pasqyrohen edhe në një fotoalbum turistik për Korçën./ Top Channel/ KultPlus.com

Përmbyllet Prishtina Jazz Festival, cilësohet organizim me kapacitet të lartë artistik

Me një koncert të ndarë në katër pjesë, mbrëmë është përmbyllur Prishtina Jazz Festival, i cili për pesë netë me radhë është mbajtur në ambientet e Teatrit Oda, shkruan KultPlus. Është cilësuar si i suksesshëm në tërësi organizimi i Jazz Festivalit, i cili me edicionin e dytë veçse e ka vulosur rikthimin e tij të fuqishëm pas një pauze disa vjeçare.

Mbrëmja e fundit e këtij edicioni filloi me Sheki Hoxhën & Friends, të cilët për rreth 40 minuta dhuruan emocione të shumta për adhuruesit e muzikës Jazz. Një harmoni e mrekullueshme mes kitarës elektrike, pianos, saksafonit dhe baterive ka zhytur audiencën në tinguj të larmishëm, prej të cilëve çdo moment shpërthente në adrenalinë e vallëzim gjithandej. Befasia e kësaj pjese ishte interpretimi i Taulant Mehmetit.

Pjesa e dytë u dha nga kitaristi Keidi Barbullushi dhe band- i tij nën përcjellje të instrumentit të kontrabasit dhe baterive. Kjo performancë ka përfshirë muzikë tradicionale të Jazz-it amerikan, në përgjithësi me tinguj dhe ritme të njëjta, të cilat të jepnin mundësi më shumë për ta shijuar se sa për të vallëzuar.

Krejt i veçantë ishte interpretimi i artistit Librun Jupolli. Përveç një stili unik interpretues, interferimi i fjalëve të gjuhës shqipe krahas tingujve muzikorë të rrëmbenin në origjinalitetin e tyre. Free Jazz dhe Fuison ishin stilet e muzikës të përfshira në këtë koncert. Lëvizjet e tij milimetrike flisnin shumë për profesionalizmin e tij. Për njëfarë kohe në skenë iu bashkua edhe band-i i tij në piano, kitarë dhe bateri.

Krejt në fund të koncertit u paraqit Visar Kuçi-Trio, i cili ndryshe prej koncerteve të tjera këtë herë interpretonte me kitarë. Kontrabasi dhe bateritë ishin instrumentet përcjellëse. “104”, “August”, “Departures”, “Enisa”, “Kurtulus”, e “Archaic” ishin veprat të cilat dhanë ritme të mrekullueshme për audiencën e cila me gota vere i ndjente në çdo qelizë gjatë tërë mbrëmjes.

Pas pjesës artistike, në një prononcim për media Sheki Hoxha ka thënë se është kënaqur në këtë festival, dhe se e vetmja gjë e keqe e festivalit është që ai tashmë kishte përfunduar.

“Xhaferi e ka organizuar në mënyrë maestrale, shumë të bukur. Interpretuam dy vepra origjinale, gjithsej katër kompozime, dy prej tyre standarde të mirënjohura që të gjithë jazzman-ët i njohin. E shfletova edhe albumin tim dhe e interpertova ‘Kosova Blues’ që e kam incizuar në vitin 1999 dhe deri më atëherë nuk ka pasur album jazz shqiptar. Unë ia kushtova Kosovës pasi Kosova ishte e vuajtur. Tek pjesa e dytë, e aranzhova enkas para një jave. Kështu që e provuam dhe me intruduksionin që ishte askush nuk mund ta dinte se për çfarë vepre bëhet fjalë sepse e përpunova në atë mënyrë. ‘Kosova Blues’ dhe ‘E dehur jam’ ishin autoriale ndërsa ‘Caravan’ e Duke Ellington e autorit të madh”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa artisti Liburn Jupolli festivalin Prishtina Jazz Festival e ka quajtur një perlë prej të cilit është zhvilluar edhe vet ai si artist.

“Shpresoj që njerëzit të vijnë sa më shumë në Jazz Fest. Ky festival është vërtetë një perlë e festivaleve me të cilin jemi zhvilluar unë dhe gjenerata ime. Shpresoj që edhe shumë gjenerata të tjera do të zhvillohen në të ardhmen. Është një festival i rrallë i cili duhet të jetë në skenë dhe të jetë tradicional në Kosovë, ashtu siç janë edhe dy festivale të tjera. Shpresoj që do të bëhet tash edhe një në Ferizaj” ka thënë Jupolli duke potencuar se veprat e interpretura ishin origjinale.

“Festivali që shumë vite ka inspiruar lloje të ndryshme te Jazz-it. Jazz-i është shumë i gjerë. Prej filleve të Jaz-it deri sot kemi disa lloje të ndryshme që janë zhvilluar. Janë interrpretuar Free Jazz, Fusion e disa stile të tjera, të cilat i gjen nga pak nëpër Jazz Muzikën e Kosovës, ka qenë pak a shumë në atë vazhdë. Brenda këtij mini-koncerti janë disa pjesë që ende nuk janë të përfunduara, që kanë me qenë për band të cilat pres me i zhvillu në ndërkohë. Është material prej periudhës kur kam qenë në Francë (2017), që kanë mbetur pa u përfunduar. Është një lloj kaleidoskopi i ideve që i kam mbledhur për publikun e sotëm”.

Ndërkaq, kitaristi Keidi Barbullushi tha se si çdo herë tjetër interpretimi në Kosovë për të ka qenë fantastik.

“Ishte më shumë program amerikan, nuk kemi luajtuar asnjë pjesë origjinale. Ne kishim një format trio, pati shumë liri për secilin, por gjithmonë duke qëndruar te struktura e pjesëve. Të gjitha ishin pjesë amerikane nga kompozitorë të ndryshëm. Koncerti ishte pure Jazz, nuk kishte ndonjë përzierje tjetër. Të gjitha pjesët ishin të fokusuara te Jazz-i tradicional, të gjitha pjesët ishin vepra që janë krijuar në vitet 40- 50-ta. Ishte më shumë në formatin e Jazz-it dhe nuk kishte ndonjë veçanti tjetër”, ka thënë Keidi.

Ndërkaq, Ilir Bajri i cili ka qenë organizator i festivalit qysh në fillet e tij ka thënë ky edicion i këtij festivalit ka pasur nivel të lartë artistik, ritmi i të cilit do të duhej të vazhdohej dhe të shpeshtohej edhe përgjatë vitit.

“Më gëzon fakti që festivali po vazhdon. Ka qenë kohë e gjatë prej kur është mbajtur edicioni i fundit i grupit të parë të koncertve të viteve 2005-2014. Armendi vendosi ta vazhdojë. Ky është edicioni i dytë, shpresoj që të vazhdojë edhe në të ardhmen. I falënderoj institucionet të cilat e kanë përkrahur këtë festival. Duke e marrë parasysh suksesin e këtij edicioni, i cili nuk është vështirë të vërehet besoj që do të përkrahet edhe në vazhdim, pasi një organizim i tillë kulturor është i dobishëm për qytetin. Një festival i tillë e pasuron jo vetëm jetën kulturore të kryeqytetit po iu jep mundësi edhe muzikantëve të rinj që të kenë mundësi me pas mundësi të njihen me muzikë të re, të krijojnë miqësi me artistë të huaj. E kjo është shumë e rëndësishme në zhvillimin e tyre” ka thënë artisti Bajri.

Ai më tej ka thënë se Kosova ka potencial kreativ edhe artistik të gjeneratës së re, dhe sipas tij është mëkat të mos trajtohet me sinqeritet, kualitet dhe përkushtim më të madh.

“Liburni në moment të fundit e pati idenë që me më ftu me interpretu së bashku. Muzika e Liburnit është shumë unike. Kjo është karakteritikë e tij. Interpretuam bashkë e gjetëm balancin. Do të dëshiroja që studentët e shkollave e fakulteteve me qenë më shumë aktiv në pjesëmarrje këtu sepse numri nuk është ndoshta ende shumë i madh, por punojmë edhe në këtë drejtim”, ka përfunduar Bajri.

Prishtina Jazz Festival është mbajtur më 14-18 nëntor, në hapësirën e Teatrit Oda./ KultPlus.com

‘Ëndërr në papafingo’, komedia e Leka Bungos vjen në teatrin e Fierit

Komedia e Leka Bungos “Ëndërr në papafingo” vjen në Teatrin e Fierit në datat 21 dhe 22 Nëntor në orën 18:00. Vepra që vjen si bashkëpunim i Teatrit Bylis në Fier dhe Teatrit “Skampa” Elbasan, është vepra më e fundit e Leka Bungos.

Ngjarjet e saj vendosen në vitet 1970, në një vilë diku në Tiranë ku jeton familja e një prej heronjve të luftës. Sipas komedisë së Bungos, djali i heroit, është një zetorist në një kooperativë fshati që emërohet Drejtor në një nga Departamentet më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Para detyrës së re, ai bashkë me të shoqen dhe vajzën e tij, vendoset në një vilë që më parë ishte pronë e njërit prej bashkëpunëtorëve të pushtuesve.

Komedia trajton një nga temat e mprehta shoqërore të kohës siç është ajo e ndërtimit të familjes “ re” socialiste. Me pjesëmarrjen e 7 aktorëve, shfaqja vë përballë, dukuri shoqërore që përmbysin sistemin e vlerave dhe thyejnë normat, çështjen e pronave e probleme të tjera që bartim nga diktatura./News 24/ KultPlus.com

UEFA nis procedurat disciplinore për ndeshjen Rumania – Kosova

UEFA ka njoftuar se ka nisur procedurat disciplinore për ndeshjen e 15 nëntorit, Rumani – Kosovë.

Kjo u konfirmuar para disa ditësh edhe nga vet shtëpia evropiane e futbollit, por pa dhënë detaje tutje.

Në njoftim thuhet se informacione të tjera lidhur me rastin do të bëhen të ditura me kohë.

“Procedura disiplinore është nisur kundër Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në përputhje me nenin 55 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s pas ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës të luajtur më 15 nëntor 2024 në Bukuresht, Rumani”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv

Një incident i pakëndshëm që ndodhi në stadium të premten e kaluar, i detyroi futbollistët e Kosovës ta lëshojnë fushën.

Kapiteni Amir Rrahmani, si shkak i fyerjeve dhe thirrjeve “Serbia, Serbia” nuk pranoi ta vazhdonte lojën dhe iku drejt zhveshtoreve bashkë edhe me lojtarët e tjerë.

“Dardanët” nuk u kthyen fare në terren për ta përfunduar lojën, andaj referi i takimit i dha fund lojës pa kombëtaren e Kosovës.

Tani, skuadra e drejtuar nga Franco Foda, është në pritje të vendimit nga UEFA.

Federata Evropiane, nuk ka marrë ende një vendim rreth kësaj ndeshje.

Por, Kosova rrugëtimin në Ligën e Kombeve e përfundoi me 12 pikë, në vendin e dytë në grupin e saj.

Osmani uron zëvendësshefen e re të përgjithshme të NATO-s për emërimin në këtë pozitë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Radmila Sekerinska për emërimin e saj si zëvendësshefen e përgjithshme e NATO-s.

Osmani përmes një shkrimi në X është shprehur se ka qenë nder të punojë me të në vitet e kaluara, përcjell Klankosova.tv.

“Urime Radmila Sekerinska për emërimin e saj si zëvendësshefen e përgjithshme e NATO-s. Ka qenë një nder të punoja me të në vitet e kaluara, veçanërisht në avancimin e Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë. Pres me padurim vazhdimin e bashkëpunimit për prioritetet tona të përbashkëta dhe i uroj asaj çdo sukses në këtë rol të ri të rëndësishëm”, ka shkruar Osmani.

Fest 63, aristët fillojnë regjistrimet e klipeve për këngët pjesëmarrëse

Kanë nisur përgatitjet për festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili duket se do të vijë me një koncept krejt të ri dhe me surpriza të shumta.

Artistët pjesëmarrës kanë nisur xhirimet e klipeve të tyre ndërsa shumë shpejt pritet të shpallet data e prezantimit të këngëve për publikun.

Krahas emrave të spikatur të skenës shqiptare, pjesëmarrës në këtë edicion të 63-të do të jenë edhe artistët e rinj të talentuar disa prej të cilëve do të ngjiten për herë të parë në shkëlqimin e skenës së festivalit të fund vitit, një ekskluzivitet ky i Radio Televizionit Shqiptar.

Në total janë 30 artistë pjesëmarrës të cilët do të garojnë për të rrëmbyer trofeun e këtij viti, fituesi i të cilit do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025 .

Festivali i 63-të i Këngës do të vijë nën drejtimin artistik të këngëtares dhe artistes së mirënjohur Elhaida Dani.

‘Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë’

Theodore Roosevelt ishte presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Roosevelt ka fituar edhe çmimin ”Nobel” për paqe.

Gjurmët e këtij presidenti, vazhdojnë të jetojnë akoma me historinë e madhe të Amerikës.

Në vijim, KultPlus ju sjellë disa nga thëniet më të njohura të tij.

Bëni atë që mundeni, me atë që keni, atje ku jeni.

Eshtë e vështirë të dështosh, por është më keq që të mos jesh përpjekur kurrë të kesh sukses.

Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës për atje.

Kur të arrini në fund të litarit tuaj, lidhni një nyjë dhe mbajuni fort.

Njerëzve nuk u intereson sa dini derisa të dinë se sa përkujdeseni.

Asgjë në botë nuk ia vlen të kesh apo ia vlen të bësh nëse nuk do të thotë përpjekje, dhimbje, vështirësi … Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur zili një qenie njerëzore që bëri një jetë të lehtë. Unë kam zili shumë njerëz që bënë jetë të vështira dhe i udhëhoqën mirë.

I vetmi njeri që nuk bën kurrë gabime është njeriu që nuk bën kurrë asgjë.

Të edukosh një person në mendje por jo në moral do të thotë të edukosh një kërcënim për shoqërinë.

Të dish se çfarë është e drejtë nuk do të thotë shumë nëse nuk bën atë që është e drejtë.

Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë.

Në çdo moment të vendimi, më e mira që mund të bësh është gjëja e duhur. Gjëja më e keqe që mund të bësh është asgjëja.

Guximi nuk është forcë për të vazhduar më tej; por të vazhduarit më tej kur nuk keni më forcë.

Fol butë dhe mbaj një shkop të madh me vete; do shkosh larg. / KultPlus.com

Rama: Nis puna për rilindjen e Muzeut Arkeologjik të Korçës

Muzeu Arkeologjik i Korçës po i nënshtrohet restaurimit total duke përfshirë dhe rikonceptimin e tij.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se tashmë ka nisur puna për rilindjen e Muzeut Arkeologjik të Korçës, monument kulture i kategorisë I.

Godina në fjalë ndodhet në brendësi të Qendrës Historike të qytetit të Korçës, dhe mbart vlera të veçanta arkitektonike e tradicionale.

Projekti i restaurimit parashikon restaurimin total të objektit në të gjitha elementet e tij, përforcimin e strukturës dhe restaurimin e elementeve arkitektonikë, si dhe ndriçimin e Muzeut dhe sistemimin e jashtëm.

Më konkretisht, në kuadër të projektit për restaurimin e muzeut do të kryhen ndërhyrje përforcuese në themelet e ndërtesës, si dhe restaurimi i çatisë në tërësinë e elementëve të saj konstruktivë.

Po ashtu parashikohet restaurimi i muraturës prej guri, restaurimi i ndërkateve dhe restaurimi i elementëve drusorë në interier.

Muzeu është një ndërtim 3-katësh me sipërfaqe rreth 140 m2 me oborr të brendshëm./atsh/KultPlus.com