Turistët zgjedhin Shkodrën, mbi 146 mijë vizitorë në kalanë e Rozafës deri në tetor

Shkodra është një nga qytetet kryesore për turizmin në Shqipëri, me një kombinim unik të kulturës, historisë dhe natyrës.

Një nga simbolet kryesore të qytetit, është Kalaja e Rozafës, e vendosur mbi një kodër që ofron pamje mahnitëse të lumit Buna dhe qytetit të Shkodrës.

Gjatë këtij sezoni turistik, vizitorë të shumë kanë vizituar Kalanë e Shkodrës, me dëshirën për t’u njohur me historinë dhe legjendën e saj.

Këtë e tregojnë edhe shifrat e bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër (DRTK). Sipas DRTK nga 1 janari deri më 31 tetor kalaja e Shkodrës është vizituar nga 146 541 vizitorë.

Një rritje kjo sipas të dhënave prej 26% nga viti i kaluar, duke qëndruar në krye të listës së siteve dhe monumenteve të vendit tonë.

Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./ KultPlus.com

‘Para agonisë, shpirti rritet, harron, qan’

Poezi nga Dylan Thomas

Prej psherëtimave lind diçka,
Jo frikë, këtë e kam anuluar
Para agonisë; shpirti rritet,
Harron, qan;
Lind një kotësi që, po ta provosh, është e mirë;
Jo çdo gjë mund të deziluziononte;
Ka, falë Zotit, disa qartësira:
Që nuk është dashuri, kur nuk dashurohet mirë,
Kjo është e vërtetë pas një humbjeje të plotë.

Pas një të tille lufte, ashtu siç e di më i dobëti,
Ka më tepër se sa të vdesësh;
Lë dhimbjet e mëdha, apo mbyll plagën,
Akoma për shumë kohë ai duhet të vuaj,
Dhe jo prej pendimit të të lënit të një gruaje në pritje
Të ushtarit të saj tërë fjalë të pista
Që shpërndajnë gjak aq të hidhur.

Po të mjaftonte, po të mjaftonte kjo për të lehtësuar dhimbjen,
të provosh pendim për diçka të humbur
që më bënte të isha i lumtur nën diell,
Sa e lumtur koha që zgjaste,
Po të mjaftonte dykuptimshmi dhe bollëku i gënjeshtrave të ëmbla,
Do të mundnin fjalët e boshta për të përballuar gjithë dhimbjen
E të më shëronin nga e keqja.

Po të mjaftonte kjo, kocka, delli, gjaku,
Truri i bërë gongël, beli i bukur,
Duke kërkuar me duar materien poshtë kusisë së qenit,
Njeriu mund të shërohej nga sëmundja e qenit.
Çdo gjë që duhet të thuhet, unë e ofroj:
Thërrmijëza, stallën, frerët./ KultPlus.com

303: Historia e burgut të Spaçit përmes artit dhe lëvizjes

“Valsi i lumturisë” jehon në një nga qelitë e ish-burgut të Spaçit, teksa aktorja Rosella Pelicioti i bashkohet kërcimit, duke përdorur si partner një karrige druri. Trupi i saj ndërthuret me objektin prej druri në një duet të dhimbshëm, ku partneri është më shumë një lak që shtrëngon një trup të hollë që mbart peshën e frikës dhe ankthit në çdo prekje dhe çdo lëvizje.

Pas tyre është një tryezë bosh, e cila dëshmon absurdin në të cilin jetuan dhe mbijetuan njerëzit në burgun e Spaçit nën regjimin komunist në Shqipëri, ku lumturia dhe valsi ishin të pamundura. Duke qenë se zotërimi dhe përkatësia ishin relative në atë kohë, në fund të skenës aktorja e lë karrigen.

Sekuenca është pjesë e “303”, një video-film i koreografit Gentian Doda. Duke përdorur një rrëfim që vjen përmes imazhit, ai synon të krijojë dhe të tregojë peshën e dhimbjes, pritjes, mallit dhe dhunës që shoqëroi jetën e ish të burgosurve politikë në kampin burg që ndodhet në mes të maleve në Mirditë. Filmi hapet me një grua, e cila duhet të ecë gati 7 kilometra për të arritur në burg, ku i afërmi i saj i dashur po vuan dënimin. Mbi kodër, silueta e një burri vështron poshtë rrugën që ndan botën nga qelia e burgut.

Në skenat e mëtejshme, gruaja shfaqet duke pritur në dhomën e vizitave, ndërsa herë pas here shfaqen burra me fytyra të mbuluara me maska të bardha. Këta vela të bardhë që mbulojnë portretet, japin edhe idenë e dehumanizimit të individëve, të cilëve u është kërkuar dhe janë detyruar të riformojnë sjelljet, ndjenjat dhe vështrimin e tyre sipas modelit të dhënë të sistemit, për të krijuar “njeriun e ri”, siç donte sundimi komunist. Dhe më pas miniera dhe vuajtjet, britmat pa zë dhe kushtet e tmerrshme pushtojnë ekranin e errët, ku errësira tregon ngjyrën e një kohe.

Burri dhe gruaja nuk takohen gjatë gjithë filmit, ndërsa publiku përjeton një ndjenjë të vazhdueshme ankthi. Jetët e tyre rrjedhin ngadalë si dy vija paralele, të ndikuara nga njëra-tjetra, por pa një pikë kontakti. Në dy dhoma të vogla dhe të mykura, pritja dhe frika përcillen përmes lëvizjeve të trupave, frymëmarrjes apo psherëtimave. Filmi synonte të përballej me të kaluarën e Shqipërisë, duke e shfaqur dhimbjen pa zë e tekst, jo se viktimat ishin pa zë, por sepse publiku duhet të ketë perceptimin e vet.

“Ideja ime ishte të universalizoja atë që ndodhi pa gjeografinë e saj. Do të pretendoja shumë po të bëja sikur do të flas për të burgosurit apo historitë e tyre – askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se ata. Doja që të gjithë të merrnin përshtypjen e tyre nga ajo që ka ndodhur atje. Kur shkuam në Spaç, ndiheshim çdo ditë e më keq dhe ishim të lodhur, shpirtërisht të lodhur”, tha gjatë premierës në kinema “Millenium”, Doda, regjisori i “Was bleibt kolektiv”, një organizatë artistike e cila zbulon kushtet njerëzore përmes lëvizjes.

Ai bashkoi forcat me “Te Bunkeri”, një nismë e inovacionit social, për të prodhuar këtë film të shkurtër të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit “BE për kulturën”. Pas një ekspozite me portretet e ish të burgosurve politikë në Spaç, filmi është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbështetur Shqipërinë që të përballet me të kaluarën dhe për të mbajtur gjallë historitë e të mbijetuarve, duke trajtuar njëkohësisht thirrjen e tyre për drejtësi.

“Thellësisht i prekur nga historitë e katër burrave trima që i mbijetuan mizorive në burgun famëkeq të Spaçit në Shqipërinë komuniste: Zenel Drangu, Agron Hoxha, Bedri Blloshmi dhe Banush Cuka. Historitë e tyre të sakrificës, qëndresës dhe shpresës janë një mësim i fuqishëm për brezat e rinj, duke na kujtuar pse duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet kurrë. Zërat e tyre, së bashku me ato të qindra të mbijetuarve të tjerë, meritojnë të dëgjohen dhe të mbështeten për të kërkuar drejtësi. BE-ja mbetet e përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për t’u përballur me të kaluarën e saj”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato pas takimit me ish-të burgosurit politikë, më herët atë ditë.

Nëpërmjet artit, ky projekt synon të angazhojë audienca të ndryshme, duke ndriçuar historitë e kampit famëkeq të burgut “303” të Spaçit.

Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet te rinovimi dhe rigjallërimi i 23 objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga Bashkimi Evropian me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë Euro. Ai synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjive inovative, duke përfshirë rrëfimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të arritshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, programi po mbështet sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen në zona të përzgjedhura, përmes shpërndarjes së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore./ KultPlus.com

Ora me motive shqiptare që përfaqësoi Shqipërinë në Gjenevë, argjendari Pirro Ruço në podkast me Kryeministrin Rama

Rrugëtimi i një “marke” shqiptare siç mund të konsiderohet Argjendari “Pirro”, nga sfidat e mbijetetës së regjimit komunist drejt suksesit dhe kompeticioneve ndërkombëtare ishte historia e radhës e podkastit “Flasim”.

Pirro Ruço dhe vajza e tij Alba Ruço ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në episodin 9, të sezoni 3 të Podkastit “Flasim”, i emërtuar “Ora që s’ndalet kurrë”, pikërisht për të ilustruar këtë rrugëtim.

Rama tha se e ka ndjekur me interes pikërisht sepse është shumë i dhënë pas krijimit të produkteve dhe e ndjek si një atelie arti, jo si një dyqan.

Dhe është pikërisht e tillë, pasi falë punimit të Argjendari “Pirros”, Shqipëria është pranuar në garën e Çmimit të Madh të Orëve 2024 në Gjenevë, Zvicër, ose ndryshe “Oskari” botëror i orëkrijuesve.

Por rrëfimi i Pirros nis nga fillesat e këtij rrugëtimi, në Kuçovë, kur i rritur në një familje të persektutuar u përball fillimisht me vështirësitë për të ndjekur arsimin e lartë.

Ai tregoi jetën e tij, ulje-ngritjet e së cilës pasqyrojnë ato të Shqipërisë, e cila në 30 vjet kaloi nga diktatura e Enver Hoxhës në orët luksoze.

“Pas 3 vitesh shkëputje arrita të ndjek arsimin e lartë për inxhinieri. Arrita të projektoj një makineri në shtëpi që ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Falë faktit që Kuçova kishte përreth uzinën e aviacionit që sot është bazë e NATO-s, kishte edhe industrinë mekanike dhe fabrikën e Poliçanit afër ku vendosa ta fus në prodhim. Vendosa ta projektoj një makineri shumë precize dhe e çova për prodhim. Modelova një portret të Enver Hoxhës dhe e gdhenda në një stamp në çelik. Ishte një nga historitë më të bukura ku fillon pjesa e mekanizmit të historisë ‘Pirro’, vula e parë që unë vendosa”, tregon Pirro.

Këto medalje të dhëna për të përshëndetur vlerat morale të mbështetësve më besnikë të regjimit ishin të rëndësishme për diktaturën.

Për të ardhur te kryevepra e mahnitshme e Argjendari “Pirros”, ora me motive shqiptare, që përfaqësoi Shqipërinë në Gjenevë.

Një orë me një fushë prej 1500 pllakëzash mikroskopike në gur të kuq nga Murano, mbi të cilën janë vendosur 12 valltarë shqiptarë nga 0.9 mm, punuar me dorë në ar të verdhë 18 karatësh.

“Tek ai tik-taku i orës unë ndiej rrahje zemrash. Ora është pritur si një gjë e jashtëzakonshme, gati mahnitëse dhe në fund fare i është vënë vula si vepër arti. Kjo e vulosur nga gazetaria më e famshme tani e orave në Zvicër. Koha 5-vjeçare që mori kjo orë për t’u krijuar ishte një sfidë me veten, duke pasur parasysh edhe identitetin tonë të trashëgimisë kulturore”, u shpreh Pirro./ KultPlus.com

Osmani: Rënia e Murit të Berlinit moment hisorik, tregoi që asnjë pengesë s’mund të ndalë lirinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 35 vjetorin e  rënies së Murit të Berlinit, që sipas presidentes është një moment historik për të gjithë Evropën.

Osmani në “X” ka shkruar se më 9 tetor 1989 triumfoi liria dhe uniteti mbi ndarjen.

“Rënia e murit ribashkoi familjet dhe një komb të ndarë, por gjithashtu frymëzoi një botë të tërë”, ka shkruar presidentja e Kosovës.

Osmani ka thënë se rënia e Murit të Berlinit ua kujtoi të gjithëve se asnjë pengesë s’mund të pengojë lirinë./ KultPlus.com

Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe rezistenca kombëtare

(Me futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave partizane jugosllave  për ripushtimin e saj. Kjo u kundërshtua nga Lëvizja e  Rezistencës Kombëtare Shqiptare, e cila,  nga komunistët, kualifikohet “lëvizje e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale, ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943, i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës, por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe nga “Legaliteti”.  

Meqë ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit. 

Mund të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse  që i drejtonte  Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe pajisjes mbikëqyreshin nga  Vermahti), nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në  drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore, kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë  dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës. 

Luftimet e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve.  

Në janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën. 

Sulmet çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut,  i vëllai i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të  Kollashinit. 

Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari dhe  po bëhej gati të kalonte edhe në pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë që  të shpërthente linjën e frontin të aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të Europës dhe hapësirën gjermane. 

Në përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat Xhaferraj),  ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha. 

Forcat mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha,  ndalën depërtimin e aradheve partizaneve jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë, meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe  ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike, humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme. 

Edhe si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe patriotike, në luftë kundër  pushtuesve sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor, që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të tjera) mbretëronte  shpresa se rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi të zgjerimit të sferës së tyre. 

Si do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.

Por, me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti  Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u  morën  vesh edhe për “aftësimin ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që  në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që  e pamundësuan të  ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur.  

Në këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre kryesorë. Kjo do të  shihet çastet që Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në drejtim të Vjenës dhe Berlinit. 

Largimi i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe  vendosjes së pushtetit të tyre. 

Në Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj. 

Sidoqoftë, edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me  shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj  një gjenocid tashmë të paralajmëruar që vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi. 

Edhe pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer Devës”   e të ngjashme – ajo nuk kishte qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike. 

Fakti se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur “kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re komuniste. 

Andaj, nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë, njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur  antikomuniste në Europë në vigjilje të fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik. 

Lëvizja antikomuniste shqiptare, e fokusuar  të shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë, si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një konfrontim me Sovjetikët  – aleatin e tyre të fuqishëm kundër fashizmit.

Në këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte:

 a) rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca Nacionalçlirimtare e Bujanit

 b) rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave

 c) anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhe

d) qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të “bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka  mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.

Kështu, pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8 shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga  8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së Jaltës.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 336-341)./ KultPlus.com

35 vjetori i rënies së Murit të Berlinit, ngjarja që ndryshoi rrjedhat e historisë

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Rënia e Murit të Berlinit më 09.11.1989, krahas bashkimit gjerman, njëherësh i hapi rrugë disa zhvillimeve historike ndër më të rëndësishmet e shekullit të kaluar: rënies së polaritetit bllokist, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të rrënimit të sistemit komunist.
Kjo ngjarje, po ashtu, ndikoi proceset e filluara të shpërbërjes së Jugosllavisë, me ç’rast Kosova u shkëput nga sundimi i Beogradit për të përfunduar si shtet i pavarur.

Natyrisht se në këto zhvillime, rënia e Murit të Berlinit, nxiti shqiptarët e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë, që të krijonin parti politike dhe të merrnin përgjegjësinë në rrethanat e shfaqjes së krizës së Jugosllavisë nga hegjemonizmi i politikës së Beogradit nën drejtimin e Millosheviqit.

Kjo u pasqyrua me angazhimin e shpejtë dhe të gjithanshëm të elitës intelektuale të Kosovës, nën drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për ta themeluar “Lidhjen Demokratike të Kosovës”, të parën parti politike me frymë perëndimore, që me mbi 700 mijë anëtarë nga radhët e të gjitha rrymave shoqërore shqiptare, shpejt u kthye në një lëvizje kombëtare, që mori përsipër këto procese historike:

-rrënimin e strukturës së Lidhjes Komuniste si dhe

-shkëputjen nga Serbia (me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kuvendin e Kaçanikut me 7 shtator 1990.)
Në këtë rrugë, intelektualët e Kosovës, duke u rreshtuar në anën e drejtë historike, patën ndihmën e drejtpërdrejtë të SHB-ave dhe të Gjermanisë si dhe mbështetjen e tyre të plotë./ KultPlus.com

35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit (FOTO)

Kanë kaluar 35 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit. Një nga simbolet më të ndritshme të Luftës së Ftohtë që ndau Lindjen nga Perëndimi nuk ekziston më, përcjellë KultPlus.

Nata e 12 gushtit , të vitit 1961, Berlinin e gjeti ndarë. 45 mijë blloqe të betonit me një lartësi prej më shumë se 3 metra e rrethuan Berlinin Perëndimor – më gjithsej 155 km mur të betonit. 

Ushtarët kishin qenë të urdhëruar që ti vënë zjarr të gjithë atyre që u përpoqën të kalonin murin.


Qindra gjermanë kanë vdekur duke u përpjekur që ta kalonin kufirin më të sigurt në Evropë. Për 35 vjet Muri i Berlinit ndau familjet, miqtë dhe popujt. Edhe pas 35 vitesh ende ekzistojnë pjesë të rrëzimit të tij në qendër të Berlinit, jo për të bërë ndarje por për të kujtuar atë./ KultPlus.com

Në Gjakovë u mbajt Mitingu i 60-të i poezisë

Në Gjakovë, me organizim të Klubit Letrar  “Gjon Nikollë Kazazi”,  është përmbyllur edicioni i 60-të, i Mitingut të Poezisë. Manifestimi letrar ky më i madhi dhe më i njohuri në hapësirën mbarëkombëtare, përcjell KultPlus.

Poezia fituese ishte ajo e poetit Sali Bashota, “Çka bëni ju të dielën?”, e libri më i miri u vlerësua “Rivali i Adamit” i autorit Lulzim Tafa.

Më pas, u ndanë edhe çmimet jubilare për Milazim Krasniqin, Sabri Hamitin, Besnik Mustafain, Jusuf Buxhovin.

Ndërsa çmimet jubilare post-mortum u ndanë për Din Mehmetin, Ibrahim Rugovën dhe Teki Dërvishin.

Kjo traditë ka nisur në qytetin e Gjakovës që nga viti 1964, për të vazhduar deri më tani, duke promovuar letërsinë, si dhe duke shënuar një nga manifestimet më të rëndësishme në kulturën e letërsisë shqiptare./ KultPlus.com

Shqipëri-Mali i Zi bashkëpunime në fushën e librit

Ministrja e Kulturës së Malit të Zi Tamara Vujović dhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli janë angazhuar për më shumë bashkëpunime dhe programe të përbashkëta në fushën e librit mes dy vendeve. E pranishme në Tiranë në kuadër të Javës së Kulturës së Malit të Zi, Vujović vizitoi ekspozitën me libra të autorëve malazezë të përkthyer në gjuhën shqipe në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe mori pjesë në aktivitetin dedikuar përkthimit nga kjo gjuhë, me pjesëmarrjen e botuesve dhe përkthyesve shqiptarë. “Bashkë me QKLL ne do të angazhohemi për më shumë programe që do të bëjnë të mundur përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhën malazeze dhe autorëve malazezë në gjuhën shqipe”, tha Vujović.

Mali i Zi dhe letërsia malazeze ndonëse ka qenë për dekada pjesë e federates Jugosllave, ka arritur të ruajë individualitetin e saj. Një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e shkrimit dhe këmbimit të kulturave përmes librave ka qenë shtypshkronja “Cërnojeviq”, e cila është më e vjetra në Evropën Juglindore dhe e para ndër sllavët e jugut. Në poezinë malazeze të shekullit të XX mbizotëron poezia lirike mbi atë epike. Shekullii XX solli një plejadë të pasur krijuesish që ndikuan në pasurimin e letërsisë malazeze. Ata ndoqën prirjet postmodernist të poezisë evropiane. Disa prej poetëve që formuan identitetin e tyre kombëtar ishin: Radovan Zogoviq, Jevrem Brokoviq, Vitomir-Vito Nikoliq etj.

Domozdoshmëri në afrimin e popujve përbën përkthimi I letërsisë nga të gjitha gjinitë e shkruara, Disa prej veprave të përkthyera nga autorë shqiptarë janë: Anton Berishaj “Fenomenologjia e vdekjes”, Esad Mekuli “Unë, biri yt besnik dhe poeti”, Ali Gjeçbritaj “Motet” etj./ KultPlus.com

Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut në 2025

Dy qytetet, Tirana dhe Aleksandria do të bashkëndajnë gjatë vitit që vjen titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

Gjatë një vizite dy ditore që zhvilloi në Egjipt, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u prit në një takim nga Guvernatori i Aleksandrisë, Zëvendës-Admirali, Ahmed Khaled Hassan Said.

Ata diskutuan mbi perspektivat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore mes dy qyteteve.

“Tirana është zyrtarisht kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, bashkë me Aleksandrin e famshëm, ku prej 200 vitesh kemi pasur një koloni shqiptarësh, të Andon Zako Çajupit, të Jani Vretos, të Thimi Mitkos. Një pasuri e jashtëzakonshme që na jepet si mundësi sot për të treguar kulturën tonë këndej dhe andej Mesdheut. Ndaj, e vlerësoj shumë gatishmërinë e qeverisë së Egjiptit, të princeshës së Jordanisë, të të gjithë Unionit të Mesdheut, për ta bërë Tiranën simbolin e bashkëjetesës Mesdhetare të Kulturës dhe të Dialogut.”

43 Shtetet Anëtare të Unionit për Mesdheun shpallën Tiranën dhe Aleksandrinë dy Kryeqytetet e para të Kulturës dhe Dialogut, dhe do ta mbajnë këtë titull përgjatë gjithë vitit 2025./ KultPlus.com

Media spanjolle “El Periódico”: Shqipëria, “parajsa” që bashkon vendet e trashëgimisë botërore me plazhet mahnitëse

Kur planifikojmë një udhëtim në Evropë, shpesh priremi të zgjedhim vende si, Parisi, Londra, Berlini ose Roma, që janë destinacione shumë të njohura dhe, për fat të keq, kjo bën që çmimet të jenë të larta, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle “El Periódico”.

Si do të ndiheshit nëse do ju thosha se ekziston një “parajsë” që bashkon vende të trashëgimisë botërore, plazhe mahnitëse dhe akomodime me kosto të ulët?

Kjo “parajsë” ekziston dhe quhet Shqipëri!

Ky vend, i vendosur në juglindje të gadishullit ballkanik evropian dhe i lagur nga detet Jon dhe Adriatik – njihet për ofrimin e një raporti të shkëlqyer cilësi-çmim, gjë që e bën atë një destinacion mjaft tërheqës për vizitorët me buxhet të kufizuar.

Nëse keni dyshime se çfarë mund të ofrojë Shqipëria, ju rekomandojmë pesë qytetet kryesore që nuk duhet t’i humbisni nëse vendosni të vizitoni vendin!

Tirana

Ndalesa e parë, është në Tiranë, kryeqyteti i vendit.

Në këtë qytet historia dhe moderniteti janë të ndërthurura me mjeshtëri. E njohur për diversitetin e saj kulturor dhe arkitekturën plot ngjyra, Tirana njihet për frymën e saj novatore dhe trashëgiminë e pasur kulturore.

Ndër gjërat thelbësore të saj spikat Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, ku qëndron shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Muzeu Historik Kombëtar dhe Piramida e Tiranës janë gjithashtu vende interesante, të cilat ofrojnë një dritare në të kaluarën komuniste të vendit.

Një tjetër vend që duhet vizituar është Blloku, një lagje që dikur ishte shtëpia e elitës komuniste dhe sot shfaqet para nesh plot kafene, restorante dhe jetë nate.

Gjithashtu nuk duhet të humbisni një shëtitje në Parkun e Madh të Tiranës, i përsosur për t’u çlodhur pas një dite intensive duke eksploruar qytetin.

Saranda

Në jug të Shqipërisë zbuloni Sarandën, një nga thesaret e Rivierës Shqiptare.

Falë ujërave të saj spektakolare të kristalta – të cilat nuk kanë asgjë për të pasur zili me destinacionet e tjera shumë më të shtrenjta dhe të mbushura me turistë – ajo po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor.

Me pamje nga deti Jon, Saranda është ideale për ata që kërkojnë të pushojnë në plazhet parajsore si Ksamili.

Nëse adhuroni historinë dhe arkeologjinë, më pak se 20 minuta me makinë nga Saranda do të mund të zbuloni Butrintin.

Butrniti, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mund të eksploroni rrënojat greke, romake dhe bizantine të rrethuar nga natyra e harlisur.

Gjirokastra

Dhe nga një vend i Trashëgimisë Botërore në tjetrin, që kur Gjirokastra u bë pjesë e kësaj ‘liste të zgjedhur të UNESCO-s’ në vitin 2005 – falë arkitekturës osmane të ruajtur mirë, si dhe kullës, të cilat pasqyrojnë stilin tradicional ballkanik.

I njohur si ‘Qyteti i Gurtë’, është një nga destinacionet më magjepsëse në Shqipëri falë rrugëve me kalldrëm dhe shtëpive tradicionale me çati prej guri, të cilat ofrojnë një atmosferë magjike për ata që kërkojnë një udhëtim në të kaluarën.

Kalaja e Gjirokastrës është një vend që duhet vizituar, me pamje spektakolare të qytetit dhe një muze armësh që tregon historinë ushtarake të rajonit.

Gjithashtu, nuk duhet të humbisni Shtëpinë e Zekatëve, një shembull i arkitekturës osmane, që ju kthen pas në shekullin XIX; Pazari i Vjetër; apo Kisha e Shën Sotirit, një tempull ortodoks që tregon diversitetin fetar të zonës.

Korça

Korça njihet si ‘Parisi i vogël’ dhe me këtë nofkë tashmë e dimë se nuk do të zhgënjejë.

Qyteti shquhet për atmosferën e tij boheme, si dhe si vendi ku u ndërtua shkolla e parë shqipe.

Vizitoni Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, një ndërtim mbresëlënës ortodoks që shquhet për arkitekturën e tij monumentale dhe ngjyrat e gjalla.

Muzetë janë gjithashtu një pjesë thelbësore e Korçës, si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili strehon një koleksion të vlefshëm ikonash bizantine.

Ashtu si në Gjirokastër, është interesante të shëtisni qytetin duke ecur nëpër Pazarin e Vjetër, i cili së fundmi është restauruar.

Zbuloni gjithashtu një nga kantinat lokale, bëni një vizitë në vreshtat dhe një degustim të verërave vendase Shesh i Bardhë ose Shesh i Zi.

Berati

I njohur si ‘qyteti i një mbi një dritareve’, është një nga destinacionet më magjepsëse në Shqipëri falë arkitekturës osmane dhe bukurisë natyrore.

Qyteti është gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një destinacion që bashkon historinë, kulturën dhe peizazhet verbuese.

Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Beratit, e cila ngrihet mbi qytet dhe ofron pamje mahnitëse panoramike të luginës dhe Lumit Osum.

Brenda kalasë, mund të eksploroni Kishën e Shën Mërisë dhe të shijoni një shëtitje nëpër rrugicat e saj me kalldrëm.

Gjithashtu eksploroni Muzeun Onufri, i cili strehon një koleksion të dukshëm ikonash dhe arti fetar; apo lagjen e Mangalemit, e përkryer për të ecur dhe për të zbuluar shtëpitë tradicionale me dritaret e tyre karakteristike.

Nëse doni të zbuloni një vend me peizazhe që të lënë pa frymë, qytete të Trashëgimisë Botërore apo kuzhinë interesante, Shqipëria do t’ju befasojë. / KultPlus.com

71 vite nga vdekja e Dylan Thomas, poeti i njohur uells

Dylan Marlais Thomas ishte poet dhe shkrimtar i Uellsit, veprat e të cilit përfshijnë poezitë “Mos ecni mirë në atë natë të mirë” dhe “Dhe vdekja nuk do të ketë sundim”, tregime dhe transmetime radiofonike të tilla si Krishtlindja e Fëmijës në Uells dhe Portreti i Artistit si Qen i Ri. Ai u bë shumë popullor në jetën e tij dhe mbeti kështu pas vdekjes së tij të parakohshme në moshën 39 vjeçare në New York City. Deri atëherë ai kishte fituar një reputacion, të cilin e kishte inkurajuar, si një “poet i dehur dhe i dënuar”.

Thomas u lind në Swansea, Uells, në vitin 1914. Një nxënës i paarsyeshëm, ai e la shkollën në moshën 16 vjeç dhe u bë gazetar për një kohë të shkurtër. Shumë nga veprat e tij u shfaqën në shtyp ndërsa ishte ende adoleshent; megjithatë, ishte botimi në vitin 1934 i “Prishjes së dritës ku nuk shkëlqen dielli” që kapi vëmendjen e botës letrare. Ndërsa jetonte në Londër, Thomas u takua me Caitlin Macnamara, me të cilen ai u martua në vitin 1937. Marrëdhënia e tyre u përcaktua nga alkoolizmi dhe ishte reciprokisht shkatërrues. Në pjesën e hershme të martesës së tyre, ata u vendosën në Laugharne, nje fshati peshkataresh në Uells.

Thomas u vlerësua si një poet popullor gjatë jetës së tij, megjithëse ai e gjeti të vështirë të jetonte si shkrimtar. Ai filloi të shtonte të ardhurat e tij me turne leximi dhe transmetime radio. Regjistrimet e tij të radios për BBC gjatë viteve 1940 e çuan atë në vëmendjen e publikut dhe ai u përdor shpesh nga BBC si zë populist i skenës letrare.

Thomas udhëtoi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitet 1950. Leximet i sollën atij një shkallë të famës, ndërsa sjellja e tij e çrregullt dhe pirja e keqësuan. Koha në Amerikë ka forcuar legjendën e tij, dhe ai vazhdoi të regjistrojë në vinyl vepra të tilla si Krishtlindjet e Fëmijës në Uells. Gjatë udhëtimit të tij të katërt në Nju Jork në vitin 1953, Thomas u sëmur rëndë dhe ra në koma, nga e cila nuk u shërua kurrë. Ai vdiq më 9 nëntor 1953. Trupi i tij u kthye në Uells, ku ai u caktua në oborrin e fshatit Laugharne më 25 nëntor 1953.

Megjithëse Thomas shkroi ekskluzivisht në gjuhën angleze, ai është pranuar si një nga poetët më të rëndësishëm të Uellsit të shekullit të 20-të. Ai është i njohur për përdorimin e tij origjinal, ritmik dhe të zgjuar të fjalëve dhe imazheve. Pozita e tij si një nga poetët e mëdhenj modernë është diskutuar shumë, dhe ai mbetet popullor per publikun. / KultPlus.com

Çfarë nënkupton fitorja e Trump për NATO-n dhe Evropën?

Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë po debatojnë se çfarë do të thotë fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane për sigurinë dhe ekonominë e tyre. Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie shpesh të tensionuara me partnerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Rreth 50 udhëheqës u takuan në Budapest të enjten për një konferencë të Komunitetit Politik Evropian, themeluar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Evropa duhet të mbrojë interesat e saj ndërkohë që fillojnë përgatitjet për mandatin e ardhshëm të Trump në Shtetet e Bashkuara.

“Ai do të mbrojë interesat e popullit amerikan dhe kjo është një gjë legjitime dhe e mirë. Çështja është, a jemi ne të gatshëm të mbrojmë interesat e evropianëve?” deklaroi Presidenti Macron.

Aleanca e NATO-s mbetet shtylla kryesore e sigurisë së Evropës përballë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ndërlikimi i parë për aleancën është se si të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërheqin ndihmën ushtarake”, thotë Ed Arnold i institutit britanik “Royal United Services”.

A mund ta plotësojë Evropa këtë hendek?

“Po, por Evropa duhet të përpiqet shumë më tepër në këtë drejtim”, thotë analisti Ian Bond nga Qendra për Reformën Evropiane.

Gjatë fushatës, Trump tha se do t’i japë fund luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës që “në ditën e parë” – por pa dhënë detaje se si do ta bënte një gjë të tillë. Analistët thonë se Ukraina ka frikë se do të detyrohet të hyjë në një marrëveshje të pafavorshme paqeje.

“Njëri prej shqetësimeve është se disa në Evropë mund të shtrojnë pyetjen se përse t’i shtojmë ndihmat nëse së shpejti do të ketë një marrëveshje të negociuar?”, thotë analisti Arnold.

Ish zyrtarët amerikanë thonë se gjatë mandatit të tij të parë, Trump shqyrtoi mundësinë që të tërhiqte Shtetet e Bashkuara tërësisht nga NATO-ja.

“Mendoj se atij i pëlqen ideja që si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e tij, të mos i parashikojnë dot veprimet e tij. Mendoj se ai e konsideron këtë si përparësi të tij, si burim të fuqisë së tij”, thotë analisti i politikës së jashtme amerikane pranë Universitetit të Londrës, Jonathan Monten.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte – i cili po ashtu po mori pjesë në takimin e Budapestit – vlerësoi Trump që nxiti aleatët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

“Si president, ishte ai që na nxiti në NATO të shpenzojmë mbi 2 për qind të produktit kombëtar bruto për të përmbushur detyrimin minimal”, deklaroi ai.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara mund të ballafaqohen me shqetësime ekonomike kur Trump të fillojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë.

“Deklaratat apo pretendimet e zotit Trump për vendosjen e tarifave mbi 60 për qind importeve nga Kina do të kenë një ndikim shumë të madh në tregtinë botërore. Do të ketë pasoja për Evropën, Britaninë e Madhe dhe vendet tjera. Tarifat ndaj importeve nga BE-ja janë po ashtu të pritshme”, thotë analisti Garret Martin nga Universiteti Amerikan në Uashington.

Në përgjithësi, në Evropë ka një ndjesi nervozizmi para mandatit të dytë presidencial të Donald Trump. Analistët thonë se fakti që ai është i paparashikueshëm nënkupton se udhëheqësit nuk kanë mundësi as të përgatiten./VOA/ KultPlus.com

Ankand historik, vepra e parë e artit e robotit humanoid shitet për 1 milion euro

Një pikturë e një roboti me inteligjencë artificiale e kodthyesit të shquar të Luftës së Dytë Botërore, Alan Turing, është shitur për 1,084,800 dollarë (836,667 £) në ankand.

Mediat e huaja bëjnë me dije se kishte 27 oferta për shitjen e artit dixhital të “AI God”, i cili fillimisht ishte vlerësuar të shitej midis 120,000 dollarë (9,252 £) dhe 180,000 dollarë (139,000 £).

Shtëpia e ankandeve tha se shitja historike “lançon një kufi të ri në tregun global të artit, duke vendosur pikën e ankandit për një vepër arti nga një robot humanoid”.

Ai-Da Robot është “artisti i parë robot humanoid që ka një vepër arti të shitur në ankand”. Vepra është një portret origjinal në shkallë të gjerë i Turing, i cili studioi në King’s College, Kembrixh.

Sipas Ai-Da, “portreti i pionierit Alan Turing i fton shikuesit të mendojnë për natyrën hyjnore të inteligjencës artificiale dhe informatikës, duke marrë parasysh implikimet etike dhe sociale të këtij përparimi”.

Ky robot super realist duket si një grua me sy të mëdhenj dhe një parukë të zezë dhe është një nga më të përsosurit në botë.

Emri i Ai-Da është frymëzuar nga  Ida Lovelace , e cila konsiderohet si një nga pionieret e informatikës dhe u krijua nga Aidan Meller, një ekspert në artin modern dhe bashkëkohor.

Ky robot, i cili përdor inteligjencën artificiale për të krijuar piktura apo skulptura, ka kamera në sytë e tij dhe duart bionike. Lëviz dhe shprehet në mënyrë autonome, pa ndërhyrje njerëzore./tema/KultPlus.com

Libri i shkrimtarit Pajtim Statovci nominohet për çmimin prestigjioz “Finlandia”

Shkrimtari i njohur shqiptar, Pajtim Statovci, ka njoftuar se romani i tij i katërt, “A cow gives birth at night”, është nominuar për çmimin prestigjioz “Finlandia”.

“Çfarë gëzimi, çfarë nderi të jesh në këtë shoqëri, bashkë me Anna-Kaari Hakkarainen, Helmi Kekkonen, Tommi Kinnunen, Kaj Korkea-aho dhe Hanna-Riikka Kuisma”, ka shkruar Statovci.

Tutje, ai ka shkruar se shpreh falënderimet për redaktorëtdhe të gjithë familjen, miqtë dhe lexuesit.

“Faleminderit që iu përgjigjët këtij romani me kaq dashuri dhe vlerësim. Do të thotë e gjithë bota për mua”, ka shkruar tutje ai./KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e aktorit Leslie Phillips

Sot janë bërë dy vite nga vdekja e aktorit Leslie Phillips, i cili ishte i njohur për paraqitjen në filmat Carry On. Ai ka vdekur në moshën 98-vjeçare pas një sëmundje të gjatë.

Phillips ishte gjithashtu i njohur për adhuruesit e tij si zëri i Kapelës së Sorting në filmat e Harry Potter.

Gruaja e tij Zara Carr kishte thënë për Sun: “Kam humbur një bashkëshort të mrekullueshëm dhe publiku ka humbur një showman vërtet të madh”.

“Ai ishte thjesht një thesar kombëtar. Njerëzit e donin atë. Ai ishte i turmës kudo që shkonte”, kishte thënë ajo.

Aktori komik ka luajtur në më shumë se 200 filma, seriale televizive dhe radio gjatë karrierës së tij tetë dekadash./21Media/ KultPlus.com

Soren Kierkegaard: Lutja nuk ndikon tek Zoti, por ndikon te ai që lutet

1.Kur fëmijës , pasi është rritur ca, i duhet ndërprerë qumështi i nënës, ajo virgjërisht e fsheh gjirin, dhe atëherë fëmija s’ka më nënë. Lum ai fëmijë që nuk e ka humbur nënë tjetërsoj!

2.Poeti është gjeniu i të rikujtuarit.

3.Të marrësh besimin do të thotë të lësh arsyen.

4.Ankthi është marramendja e lirisë.

5.Është kaq e vështirë të besojmë, sepse është kaq e vështirë të bindemi.

6.Është krejt joproduktive të grindem me botën, po ashtu të grindem me veten nganjëherë është joproduktive.

7.E çfarë është poeti? Një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur.

8.Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron. Martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.

9.Ka, siç dihet, disa insekte të cilat vdesin në momentin që pjellin. Kështu është me të gjitha gëzimet: çasti më i hatashëm e më i lartë i gëzimit është i shoqëruar nga vdekja.

10.Të guxosh do të thotë të harrosh për momentin drejtpeshimin. Të mos guxosh do të thotë të humbësh vetveten.

11.Filozofia shkon më larg. Teologjia, e lyer dhe e pudrosur, rri në dritare duke lypur favoret e filosofisë, tek i ofron hiret e veta.

12.Absurdi përshenjon themelin e besimit, fillesën e kërcimit të besimit, meqë njëherazi përshenjon mospërputhjen midis rendit të Krijuesit dhe redit të krijesës.

13.Hiqjani paradoksin një mendimtari dhe do të fitoni një profesor.

14.Lutja nuk ndikon tek Zoti, por ndikon te ai që lutet.

15.Lum kush mund të vdesë në një mënyrë të atillë që shtrati i tij i vdekjes, në çastin që trupi hiqet s’andejmi, të duket edhe më i këndshëm se djepi i një fëmije. / KultPlus.com

Unë ty s’do të harroj, do të kujtoj, mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu

Poezia “Edhe kur kujtesa” nga Ismail Kadare:

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë… / KultPlus.com

“Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar”

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34). / KultPlus.com

Petrit Çeku dhe Diar Aliu sjellin magjinë e tingujve të kitares në natën e tretë të Remusica-s

Në kuadër të ReMusica, mbrëmë ReNew ka sjellur në natën e tretë kitaristin Diar Aliu dhe grupin “Trio Elogio”, me në krye Petrit Çekun. ReNew është program që ka shërbyer si skenë për promovimin e artistëve të talentuar kosovarë.

Diar Aliu, me disa interpretime mbrëmë e me tinguj të qetë nga kitara e tij, bëri që salla të mbushej dhe u shpërblye me duartrokitje të shumta, pas çdo interpretimi. Mbrëmja filloi pak minuta pas orës 19:00, ku nën dritën që po e përcjellte vetëm Aliun, filloi menjëherë me interpretimin e parë, që ishte “Grande Ouverture” nga Mauro Giuliani.

Pas duartrokitjeve të shumta nga publiku, kitaristi i ri vazhdoi me një program nga Federico Moreno Torroba, duke interpretuar disa këngë të tij si “Castillos de Espana”, “Alcaniz”, “Siguenza” e “Torija”.

Tutje, ai vazhdoi të interpretonte këngë të Mario Castelnuovo, Krzyztof Penderecki e Heitor Villa-Lobos. Pikërisht kur u mendua se Aliu e përfundoi interpretimin, ai u kthye sërish për interpretimin e fundit, mirëpo këtë radhë bashkë me Kuartatin Harkor Amati, që është formuar në vitin 2023 dhe përbëhet nga vajzat e talentuara si Fjolla Koxha dhe Eliona Raqi në violinë, Alkesta Gllogjani në violë dhe Donjeta Cërmjani në violonçelo. Vajzat janë bashkuar për të promovuar muzikën kamertale me një nivel të lartë cilësie. Kuarteti ka performuar në ngjarje të rëndësishme dhe duan të ndajnë enërgjinë pozitive dhe unitetin e tingujve të tyre me publikun.

Pas performimit te tyre, programi i Diar Aliut perfundoi me shumë duartrokitje, lavdata e shumë përshendetje nga publiku për të, duke vazhduar edhe me fotografi.

Në një pauzë prej 5 minutash para se të fillonte koncerti i dytë, KultPlus pati mundësinë që të realizonte një bisedë të shkurtër me Aliun. Ai tha se ishte shumë i lumtur që ishte pjesë e ReMusica dhe ishte një emocion shumë i madh, duke shtuar se edhe përgatitjet kanë shkuar shumë mirë.

“Kam qenë shumë entuziast për festivalin ReMusica dhe kemi bërë prova edhe me Kuartetin, ka qenë një eksperiencë shumë e mirë para festivalit edhe gjatë koncertit”, është shprehur kitaristi Aliu.

Tutje ai tha se ishte hera e tij e parë si solist në Remusica dhe që ishte pjesë e koncerteve në mbrëmje. Ai tha se ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë.

Ndërsa, për projektet që do e shohim tani e tutje, Aliu nuk shpalosi asgjë, duke thënë se nuk i dihet me çfarë projekti do të merret. Aliu është kitarist i shquar klasik, që aktualisht studion në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Skenike në Graz të Austrisë. Gjatë karrierës 10-vjeçare ai ka fituar çmime prestigjioze në Greqi, Kosovë, Mal të Zi, Bullgari, Turqi, Austri e Gjermani.

Ndërsa, mbrëmja vazhdoi me koncertin e dytë të mbrëmjes, ku performuan “Trio Elegio”, që është nje grup që u themelua në vitin 2009 nga Petrit Çeku, Pedro Ribeiro Rodrigues dhe Tomislav Vukšić, muzicientë që kanë përfunduar Akademinë e Muzikës në Zagreb. Trio Elogio u mirëpriten me shumë entuziazëm nga publiku, duke filluar menjëherë me programin e tyre, fillimisht me një interpretim të Wolfgang Amadeus Mozart, duke vazhduar më pas me disa interpretime të Bruno Vlahek. Pastaj, ata vazhduan me “Follow the Star” nga Stephen Schubert.

Ndërsa, programin vendosën që ta përmbyllin me “Four Impromptus” nga Franz Schubert. Grupi Trio Elogio kanë performuar në festivale të mëdha ndërkombëtare si Grachtenfestival, Wonderfeel (Holandë), Festival Internacional de Musica de Marvao, Cistermusica (Portugali), Kyburgiade (Zvicër) dhe Alpenarte (Austri), në festivale te muzikWs dhe seri koncertesh në të gjithë Kroacine si Zagreb Kom, Festivali Veror i Dubrovnikut, Mbrëmjet Muzikore në Shën Donat, Festivali i Muzikes Samobor, Mbrëmjet Muzikore të Osorit dhe Tribuna Muzikore në Osijek. Ata kanë arritur bashkëpunime te suksesshme me muzicientë të njohur, përfshirë Santiago Canon Valencia, Sara Ferrandez, Gili Schëarzman, Filip Mercep, Ivana Kuljeric Bilic dhe Sebastian Manz. Trio Elogio është fitues i mimit “Milka Trnina” të Shoqates Kroate të Artistëve të Muzikës për arritjen më të mirë muzikore në vitin 2022./KultPlus.com

Shkrimtari Kazuo Ishiguro feston sot 70 vjetorin e lindjes

Kazuo Ishiguro (石黒 一雄; lindur më 8 Nëntor 1954) është shkrimtar britanik me origjinë japoneze. U lind në Nagasaki, Japoni dhe në moshën 5-vjeçare u shpërngul bashkë me familjen e tij në Angli. Në vitin 1978 diplomoi në Universitetin e Kentit, dega Gjuhë Angleze dhe Filozofi, kurse më 1980 kreu studimet Master në drejtimin shkrim kreativ.

Ishiguro konsiderohet si një nga shkrimtarët më të shquar të sferës anglishtfolëse, i nominuar katër herë për çmimin Man Booker, të cilin arriti ta fitojë më 1989 me romanin “Mbetjet e ditës”. Romani i tij Mos më lër të shkoj (2005), u vlerësua nga Revista Times si romani më i mirë i vitit 2005, dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze nga 1923 deri 2005.

Në vitin 2017 fitoi Çmimin Nobel për letërsi me motivacionin: “në romane që përshkohen nga një fuqi e madhe emocionale na e ka zbuluar humnerën që fshihet pas ndjesisë së rreme të lidhjes sonë me botën.”

Ndonëse në dy romanet e para të Ishiguros ngjarjet zhvillohen në Japoni, në disa intervista ai ka sqaruar se nuk ka ndonjë familiaritet me të shkruarit japonez dhe që veprat e tij kanë fare pak ngjashmëri me prozën japoneze. Në një intervistë të vitit 1989, përderisa po fliste për prejardhjen japoneze dhe ndikimin e saj në edukimin e tij, mes tjerash tha,”unë nuk jam krejt si anglezët sepse jam rritur dhe edukuar nga prindër japonezë në një shtëpi ku flitej japonisht. Ata nuk e dinin që ne do të rrinim në këtë vend kaq gjatë, ata ndjenë përgjegjësi të më mbanin në kontakt me vlerat japoneze. Unë kam një sfond të veçantë. Unë mendoj ndryshe, kam një botëkuptim pakëz më ndryshe.”

I pyetur për identitetin e tij, ai u përgjigj:

Njerëzit nuk janë dy të tretat diçka, e pjesa tjetër diçka tjetër. Temperamenti, personaliteti ose botëkuptimi nuk ndahen ashtu. Pjesëzat nuk ndahen aq qartë. Ju përfundoni me një përzierje homgjene qesharake. Njerëzit me prejardhje kulturore të përzier dhe me prejardhje racore të përzier do të bëhen gjë e zakonshme në fund të këtij shekulli. Në atë drejtim po shkon bota.

Në një intervistë të vitit 1990, ai u shpreh: “Sikur të shkruaja nën një pseudonim dhe dikush tjetër të pozonte në vendin tim për fotografinë e kapakut të pasëm të librit, jam i sigurt se askush s’do të thoshte, “ky tipi më kujton filan shkrimtar japonez.” Ndonëse disa shkrimtarë kanë pasur një ndikim të largët –në mesin e tyre Ishiguro e përmend Tanizakin më së shumti- Ishiguro ka thënë se më shumë kanë ndikuar tek ai filmat japonezë, posaçërisht ata të Yasujirō Ozu dhe Mikio Naruse.

Një numër i romaneve të tij janë të vendosura në të shkuarën. “Mos më lër të shkoj” ka disa veçori të fanta-shkencës dhe një ton futurist; sidoqoftë, është e vendosur në vitet e 1980-ta dhe 1990-ta dhe zhvillohet në një univers paralel shumë të ngjashëm. Romani i katërt, “Të pangushëlluarit” zhvillohet në një qytet anonim të Evropës Qendrore. / KultPlus.com

Dyfishim i hapësirave në Muzeun e Arteve të Bukura

Në Muzeun e Arteve të Bukura në Tiranë vijojnë intensivisht punimet për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë kantier,

“Me dyfishimin e hapësirave të ekspozimit, rritjen e hapësirave për ruajtjen e veprave, laboratorëve të restaurimit e shumë ambienteve të reja, muzeu do të ofrojë kushte të shkëlqyera për artistët dhe vizitorët”, u shpreh Gonxhja.

Godina ekzistuese do të trajtohet me restaurim total si nga ana e rikonstruksionit, edhe të fasadës, duke ruajtur identitetin arkitektonik, ndërsa si shtesë e këtij projekti është menduar edhe një godinë e re.

Gonxhja theksoi se standardet në shumë prej godinave të para viteve ’90 kanë rezultuar me probleme, si në rastin e Muzeut Kombëtar apo në Muzeun e Krujës, ku ka probleme nga lagështia.

Ministri kërkoi përshpejtim me volumin e punimeve, pasi sipas tij, komuniteti artistik është në pritje të një hapësire që i mungon shumë.

Në përfundim të punimeve, Muzeu i Arteve të Bukura do të ofrojë një godinë me standardet më të mira si nga ana sizmike, ashtu edhe në drejtim të sistemit antizjarr e kundër lagështirës./atsh/KultPlus.com

Këmbanat e katedrales Notre-Dame në Paris ranë sot për herë të parë pas shkatërrimit të saj nga zjarri i vitit 2019

Këmbanat e Katedrales Notre-Dame në Paris, kanë rënë sot për herë të parë, prej kur kjo katedrale ishte shkatërruar nga zjarri në vitin 2019.

Ky monument do të hapet për vizitorët me datë 8 dhjetor.

“Tingulli i tetë këmbanave në kambanoren veriore të Notre-Dame erdhi një muaj përpara se katedralja të rihapet pas pesë viteve të punës së mundimshme restauruese pas flakëve”, thuhet në njoftim.

“Ky është një hap i bukur, i rëndësishëm dhe simbolik,” tha Philippe Jost, i cili drejton organin publik të ngarkuar me restaurimin e katedrales në rrethana sfiduese.

Me datë 19 prill 2019, flakët kishin shkatërruar monumentin e trashëgimisë botërore.

Presidenti Emmanuel Macron vendosi shpejt objektivin ambicioz për të rindërtuar Notre-Dame brenda pesë viteve dhe për ta bërë atë “madje më të bukur” se më parë.

Rreth 250 kompani dhe qindra ekspertë u mobilizuan për një restaurim që kushton qindra milionë euro.

Pak para orës 10:30 të së premtes, këmbanat ranë një nga një derisa të tetë tingëllonin në harmoni për rreth pesë minuta.

“Nuk është ende perfekte, por ne do ta bëjmë të përsosur”, tha Alexandre Gougeon, i cili është përgjegjës për riinstalimin e këmbanave./rfi/KultPlus.com