Pas pesë vitesh, Pajtim Statovci po vjen me romanin “A cow gives birth at night”

Pajtim Statovci, një emër i njohur në botën letrare për shkrimet e tij të thella dhe emocionuese, pas shkëlqimit që mori me romanin e tij të parë, “My Cat Yugoslavia”, duke fituar admirimin e kritikëve dhe lexuesve në të gjithë botën, tani po kthehet me një vepër të re, shkruan KultPlus.

Shkrimtari i shquar kosovar nga Finlanda, këtë vepër po e sjell pas pesë vitesh nga botimi i tij i fundit.

Autori ka zbuluar se romani i ri i titulluar “A COW GIVES BIRTH AT NIGHT” do të jetë në dispozicion për lexuesit më 5 shtator 2024.

Botimi i këtij libri do të bëhet nga otavankirjat, një shtëpi botuese e njohur për mbështetjen e autorëve të rinj. Pas datës 5 shtator 2024, lexuesit do të kenë mundësinë të zhyten në botën e re të Pajtim Statovcit dhe të shijojnë aventurën e tij letrare të re.

“Kam lajme! Pas pesë vitesh nga botimi im i fundit, jam i lumtur të ndaj me ju që romani im i ri, A COW GIVES BIRTH AT NIGHT do të botohet më 5 shtator 2024 nga otavankirjat.

Dizajni mahnitës i kopërtinës është realizuar nga mirellamakila & ahopiia”, ka shkruar Statovci.

Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990, ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. / KultPlus.com

Vepra e Pajtim Statovcit në listën për çmimin letrar “Dublin 2023”

Shkrimtari kosovar nga Finlanda, Pajtim Statovci me veprën e tij “Bolla” është futur në listën e gjatë për çmimin letrar “Dublin 2023”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Statovci nëpërmjet rrjeteve sociale, teksa ka treguar se ai ndjen një gëzim të jashtëzakonshëm që është pjesë e një shoqërie të nderuar.

“Jam i lumtur të njoftoj se BOLLA është në listën e gjatë për Çmimin Letrar Dublin 2023. Çfarë gëzimi i jashtëzakonshëm të jesh në një shoqëri kaq të nderuar”, ka shkruar ai.

Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. / KultPlus.com

“Vajza dhe Krijesa” nga Pajtim Statovci

Për gati një vit nuk ka ndjerë dritë dielli mbi lëkurë, vetëm muret e ftohta të guvës së vet, të cilat i gërvisht dhe gërryen pandërprerë, nervoz dhe pa pushim, me kthetra dhe dhëmbë të copëtuara e të pamprehura; nuk di të bëjë dallimin e natës nga dita, gjumit nga zgjimi, flatrat e veta nga katrani i errësirës apo trupit gjithë kallo nga gurët e shkëmbinjtë, me të cilat, nga forca e zakonit, shkëmben përshëndetje të sjellshme.

 Ia tregojnë historinë në përralla të frikshme që tmerrojnë fëmijë të vegjël. Mbaroje darkën, se përndryshe ta merr ajo, thonë ata. Mendon se të ka shok, dhe ndërkohë që je në gjumë do përvidhet brenda si fllad nga dritarja ose do ngrihet si avull nga dërrasat e dyshemesë, aq ngadalë sa nuk e dallon dot, do të të futet në shtrat dhe do të shtrihet qetësisht pranë teje, më pas do të ngulë gjuhën e pirunjtë drejt e në flegrat e hundëve të tua, gojës e veshëve për të dalë më në fund nga sytë e tu, do të lutet që të vdesësh e të mos shohësh diellin e së nesërmes. Mos ia kthe fjalën prindërve, mos u bëj egoist, mendjemadh, dembel, i babëzitur, ziliqar; mos gënje, se do shfaqet të të hajë të gjallë, të të gëlltisi si alte.

Jeton në gjykimet e kaluara dorë më dorë nga të inatosurit, fjalët e përdorura në përshkrimin e kokëfortëve dhe të acaruarve, të mëriturve e të hidhurve, strehohet në rrugët ku ecim vetëm, ku lumenjtë takohen e ku rrymat janë më të pabesa, në shtëpi të braktisura, pyje e lugina të papopulluara, në male të vetmuara, majat e të cilave shpojnë retë si tullumbace.

Një herë në vit i lejohet të dali nga shpella e vet, gjithmonë në pranverë, me lindje të diellit, ku pemët rrinë drejt dhe fushat kanë nisur të rrisin një gëzof bimësh të ri. Vetëm atë ditë ka një palë flatra të marra hua dhe e quajnë kulçeder, po ditët e tjera quhet ndryshe. Thuhet se ndërkohë që është e lirë, shkatërron çdo gjë që shikon, godet drurët me flakë, boshatisë qytete, rrafshon çdo gjë për të cilën njerëzit kishin punuar gjithë vitin. Pas kësaj, fillon e kërkon për ndonjë vend të përshtatshëm për të dremitur; viziton detin, tokën, hyjninë, e pasi bie dakord për ndonjë vend, harron se nga ka ardhur, ku qëndronte vetëm një ditë më parë, sa njerëz ka vrarë, të fajshëm e të pafajshëm, madje këndon me zë të ngjirur deri në joshje. 

Një vit, teksa tundej dlirshëm mbi një degë, ndjeu një guralec ta godiste anash. Buçiti si bubullimë dhe u zhduk sa hap e mbyll sytë.

“Kush është atje?” pyeti një zë i kthjellët nga goja e një vajze të mbështjellë me lëkurë ariu, që po rrinte në rrëzë të pemës. Me flakërim, krijesa ra nga qielli dhe kapi vajzën, mbështolli veten rreth trupit të saj e i mbajti fytyrat e tyre afër njëra-tjetrës. Solli gjuhën e vet nëpër zgavrat e syve të vajzës, të cilat ishin të zbrazta si të të vdekurve.

“A e di se çfarë jam unë, ti budallaçkë?” pyeti.

“Jo,” u përgjigj vajza para se të niste nga e qeshura. “Jam e verbër.”

“Më gudulise me që ra fjala,” tha dhe vazhdoi të qeshte. “Je shumë i fortë,” ia behu sërish ajo, ndërkohë që krijesa e shtrëngoi më shumë. “Do të doja të isha dhe unë.”

“Nuk ke frikë nga unë?” pyeti.

“Frikë?”

“Po.”

“Sigurisht që nuk kam frikë nga ty,” iu gjegj ajo, duke goditur me shaka lëkurën e krijesës, e paaftë të vlerësontë pafundësinë e saj, dhe qeshi prap. “Dhe nuk është shumë e sjellshme të më quash budallaçkë kur nuk më njeh. Vërtetë jam e verbër, por jam shumë e zgjuar.”

“Vërtetë?”

“Pooo!”

E vetmja gjë që mund të bënte ishte të bashkohej me të qeshurat e saj, e uli vajzën në tokë e ndërsa po bëhej gati të ikte, vajza nxori dorën e majtë dhe e kapi nga fundi i bishtit.

“Ku mendon se po shkon?”

“Po iki,” u përgjigj, e liruar nga mbërthimi i vajzës e sjellur në pozicion sulmi, lëkura e mbështjellë nga luspa e rrudha vezulluese, goja si armë e mbushur, gati për të këputur krahun e vajzës si ndëshkim për paturpësinë e saj.

“Mirë,” tha ajo. “Po mos ik që tani. Dëshiron të luash me mua si fillim?”

“Të luaj?”

“Pooo!”

Pasi e mendoi për pak kohë, pranoi ftesën e vajzës, dhe të dyja bashkë ndoqën njëra-tjetrën përgjatë fushave dhe kullotave, duke u fshehur me rradhë nëpër shkurret e degët e pemëve, dhe me të afruar të darkës, të dyja ishin të dërrmuara e i kishin thënë gjithçka njëra-tjetrës: vajza për familjen e saj, e cila e kishte përzënë nga shtëpia se nuk dinin çfarë t’i bënin një vajze të verbër, ndërsa krijesa i kishte treguar për shpellën ku kishte kaluar jetën dhe gjithë emrat e ndryshëm që i kishin vënë.

Emri i vajzës ishte Drita, e krijesës i ishte dukur e mahnitshme pasi vajza nuk e kishte parë kurrë dritën.

Para se të thonin lamtumirë, ranë dakord të takoheshin sërish pas një viti, dhe që nga ai moment, ata u takuan çdo mot, gjithmonë në lulëzim të pranverës, në të njëjtin pyll ku u takuan herën e parë, në të njëjtën skutë ku vajza gati kishte humbur krahun e saj. 

Ndër vite, i mësoi vajzës gjueti, si të zinte pre e si të gjuante me shtizë. I këputi vajzës gjysmën e gjoksit në mënyrë që të shtinte më mirë me shigjetë, dhe krenarisht ndoqi zhvillimin e saj drejt maturimit e rritjes, një grua po aq e fortë sa një burrë.

Një pranverë, krijesa mori kurajën të pyeste, gjithë turp e frikë, nëse Drita do të martohej me të, nëse ajo do mund të jetonte me të, duke kaluar çdo moment bashkë, çdo ditë të vitit.

Drita nisi të qante dhe nuk mundi të përgjigjej, e mposhtur nga emocionet.

“Dhe a ka rëndësi që unë dikur gjithashtu kam qenë… vajzë?”  pyeti krijesa.

“Jo,” u përgjigj Drita, duke u qetësuar e duke zgjatur duart tek faqet e krijesës. “Nuk ka aspak rëndësi,” vazhdoi ajo, duke afruar e prekur buzët e veta me të sajat, të ngurta si lëvore. “Do të bëhem gruaja jote, sigurisht që po. Tanimë e kam parë.”

“Çfarë ke parë” pyeti krijesa.

“Dritën.”

Thuhet që edhe sot e kësaj ditë, ato rrojnë aty, vetëm bashkë, të ngjitura si statuja njëra përballë tjetrës, në një shpellë në shpat të malit ku nata nuk ikën kurrë. 

(fragment nga romani “Bolla”)

Përktheu nga anglishtja: Driola Kraja. / KultPlus.com

“Një dashuri e ndaluar nën hijen e luftës”, review e “Bollës” së Pajtim Statovcit

Një burrë ikën nga lufta në Kosovë, në këtë studim perceptues të pasionit dhe terrorit.

Nga Matthew Janney

Pak autorë sot shkruajnë për frikën aq gjallërisht siç e bën kosovari Pajtim Statovci. Për Arsimin, personazhin kryesor të romanit të Pajtim Statovcit që quhet “Bolla”, frika nuk është një impuls kalimtar në sistemin e tij nervor, por është substanca e tij. Ka dy lloje të njerëzve, thotë Arsimi: Njerëz që s’kanë nevojë t’i frikësohen ndonjë gjëje dhe njerëz të cilëve u duhet të frikësohen nga gjithçka”. Ai është një nga këta të fundit.

“Kështu funksionon frika”, shton ai, “ajo vjen e tëra përnjëherë dhe është e pandashme”.

Frika e Arsimit mund t’u atribuohet faktorëve mjedisorë. Është viti 1995, lufta është në prag të shpërthimit në Prishtinë, Kosovë, ku ai jeton bashkë me gruan e tij të devotshme, Ajshen, të cilën ai nuk e do. Për ta përkeqësuar edhe më gjendjen, ai është duke pritur një fëmijë. Krejt kjo e ardhme e mbush me frikë atë. Ai nis një aferë dashurie me Milloshin, e cila është dyfish e ndaluar. Jo vetëm se ai është një burrë, por edhe se është serb. “Gjithmonë dalim nga banesa në kohë të ndryshme: duke e vënë veshin në derë, njëherë sigurohemi se nuk është askush në korridor”. 

E mbyllur nga shoqëria prapa dyerve, dashuria e tyre mund të marrë frymë në prozën e ndjeshme të Pajtim Statovcit. Ai shkruan bukur për ekstazën e pasionit të fillimit, nëpërmes detajeve surreale, piktoreske.

Sytë e Milloshit “duken si qielli pak para stuhisë”; trupi i tij ishte “i gjatë, si i një kali”. Me kaq, pamja e Milloshit mund të mbetet jo e plotë për ne, por ne e ndiejmë se sa shumë e dëshiron Arsimi, ne e shohim përmes shikimit të Arsimit. Kur lufta, paevitueshëm vjen në Prishtinë, i ndan ata. Arsimin e çon në një shtet të panjohur jashtë, ndërsa Milloshin në frontin e luftës.

Tjetërsimi kulturor, ndarja e detyruar dhe trauma e vazhdueshme, janë temat kryesore te shkrimi i Statovcit. Tregimi i Bollës endet mes rrëfimit të Arsimit dhe në kapitujt më intimë, më impresionues, nga Milloshi. Kjo teknikë, – që të kujton romanet e mëhershme të Statovcit, që kanë fituar çmime – e krijon edhe një afërsi psikologjike që është e kundërt me distancën e tyre fizike.

Është një shenjë e fshehur e kthimit dhe ribashkimit te titulli i librit. Në mitologjinë shqiptare, bolla është një figurë e gjarprit që, çdo vit, i hap sytë dhe e gëlltit këdo që e sheh. Arsimi e shkruan një tregim të shkurtër të bazuar në këtë mit, në të cilin, një vajzë e verbër shoqërohet me një bollë. Ato pajtohen që të takohen çdo vit, kur nis behari në pranverë, në të njëjtin mal, në të njëjtën rrugë. Ai ia tregon këtë tregim Milloshit dhe bolla bëhet simbol i shpresës së këtyre dy burrave se lidhja e tyre do të ketë fatin e njëjtë. Kjo, sidoqoftë, është më shumë si një dëshirë. Në fund të fundit, me “bollë” mund të nënkuptohet edhe “alien”, siç Statovci tregon në epigrafin e tij.

Momentet më të forta të “Bollës” janë ato kur përshkruhen efektet e frikës së Arsimit, që lidhet me gjendjen si një refugjat jashtë vendit. “Dikush që rritet me frikë, kurrë nuk mëson të jetojë pa të”, thotë Arsimi. “Fqinji e ka hapësirën e parkimit më të mirë, sepse ai është në vendin e tij, jo në vendin tënd; është ai që e shëtit qenin që po vjen në drejtim tëndin, jo për të përshëndetur, por duke u tallur, sepse je një i huaj”.

Statovci, familja e të cilit shkoi nga Kosovë në Finlandë, kur ai ishte dy vjeç, e përshkruan një refugjat, jo si një veshje që mund të ndërrohet me pak lehtësi, po si një lëkurë që mund të hiqet vetëm më vështirësi të madhe.

Kur shoqërimi me një djalë, me të cilin njoftohet online, e fut atë në sherr me autoritetet, Arsimi përballet me burgim, deportim dhe, më e keqja nga të gjitha, me të vërtetën e rikthimit të gruaja dhe familja më e gjerë. Një katastrofë pas tjetrës, rrezikojnë që të gërryejnë njerëzoren tek Arsimi, por perceptimi i tij i shpejtë e ndihmon atë që të mos fundoset në indiferencën e qelqtë. “Mund ta shoh dhimbjen e saj”, thotë Arsimi për një grua që e viziton. “E shoh se si ajo e përcjell kudo që shkon. Është aty kur i nxjerr çelësat e shtëpisë nga xhepi, kur e përgatit ushqimin për familjen e saj, kur shkund tepihët”. Statovci vëzhgon me kujdes se si pasojat e luftës janë në çdo cep të botës së viktimave të saj.

Kur Arsimi vendos që ta kërkojë Milloshin pas lufte, druajmë se nuk do të ketë një fund si i tregimeve të librave. “Bolla” kthehet nga një pritje plot ëndrra e së ardhmes, në një negocim të heshtur të së kaluarës. Vetëm duke ikur nga qarqet vdekjeprurëse të fantazisë, sugjeron Statovci, mund të fillojmë të durojmë realitetin.

Recension i botuar nga The Guardian. Linku origjinal: https://www.theguardian.com/books/2020/feb/15/patjim-statovci-crossing-interview. /Përkthimi Gazeta Express / KultPlus.com

Vepra e Pajtim Statovcit nominohet për çmimin letrar të Këshillit Nordik

Shkrimtari kosovar nga Finlanda, Pajtim Statovci me veprën e tij “Bolla” është nominuar për çmimin letrar të Këshillit Nordik, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Statovci nëpërmjet rrjeteve sociale, teksa ka treguar se është në mesin e 14 të nominuarve për vitin 2021.

“Novela ime e tretë është në mesin e 14 të nominuarëve për çmimin e letërsisë nga Këshilli Nordik për vitin 2021. Çfarë nderi. Faleminderit”, ka shkruar Statovci.

Çmimi i Letërsisë i Këshillit Nordik jepet për një vepër letrare të shkruar në një nga gjuhët e vendeve Nordike, që plotëson “standardet e larta letrare dhe artistike” dhe është krijuar më 1962.

Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. / KultPlus.com

Përkthyesi i shkrimtarit finlandezo-kosovar Pajtim Statovci, fiton Çmimin Oxford-Weidenfeld

Nga Muhamet Hamiti

Përkthyesi në anglisht i romanit të shkrimtarit finlandezo-kosovar Pajtim Statovci fiton Çmimin Oxford-Weidenfeld.

Përkthyesi David Hasckston ka fituar këto ditë (më 30 shtator 2020) Çmimin Oxford-Weidenfeld që jepet për përkthime të librave në anglisht nga cilado gjuhë e gjallë evropiane. Çmimi mëton të nderojë mjeshtërinë e përkthimit dhe të njohë rëndësinë e saj kulturore. Është themeluar nga Lord Weidenfeld dhe mbështetet nga tre kolegje të Oksfordit (New College, The Queen’s College, St Anne’s College).

Në vegëzën më poshtë jepet vlerësimi i jurisë për përkthimin e romanit të shkrimtarit finlandezo-kosovar Pajtim Statovci në anglisht, “Crossing” (në origjinalin finlandisht “Tiranan Sydän”, fjalë për fjalë “Zemra e Tiranës”) që është botuar vitin e kaluar në Britani dhe në SHBA. Është romani i dytë i Statovcit.

Shënimi përvijon edhe syzheun e romanit, protagonist kryesor i të cilit është Bujari, një shqiptar.

Në këtë vegëz gjendet edhe një video në të cilin përkthyesi flet për sprovat e përkthimit të këtij romani. Ai poashtu interpreton veprën, në rrafsh tematik, më shumë stilistik.

Pajtim Statovci ka lindur në vitin 1990 në Kosovë. Familja e tij ka emigruar në Finlandë kur ai ishte dy vjeç. Ka botuar tre romane të suksesshme deri tani.

Romani i tij i parë, që në anglisht është botuar me titullin “My Cat Yugoslavia”, ka protagonistë shqiptarë të Kosovës, jeta e të cilëve farkohet në mes të identitetit shqiptar, okupimit serb, emigrimit në Finlandë dhe lirisë së Kosovës pas vitit 1999. I dramatizuar është luajtur në Teatrin Kombëtar të Finlandës në vitin 2018.

Romani i tretë i Pajtim Statovcit, “Bolla” që është botuar në vitin 2019 ka fituar çmimin më të lartë letrar në Finlandë. Pritet të dalë në anglisht në pranverën e ardhshme.

Veprat e Statovcit janë përkthyer në një dyzinë gjuhësh deri tani, por jo në shqip.

http://www.occt.ox.ac.uk/oxford-weidenfeld-prize / KultPlus.com

Pajtim Statovci fiton çmim për letërsi në Finlandë

Autori kosovar në Finlandë Pajtim Statovci rrëmbeu çmimin më të lartë të Finlandës për trillime.

Çmimet më prestigjioze të librave në Finlandë për letërsinë fiktive, jofiktive dhe letërsinë për të rinj u dhanë nga Fondacioni i Librit Finlandez (Suomen Kirjasäätiö) në Helsinki të mërkurën pasdite në Teatrin Bio Rex, njofton Klan Kosova, shkruan KultPlus.com

Çmimi për fiksion shkoi për veprën Bolla(Otava), të cilën juria e quajti “një roman tronditës dhe prekës që magjeps me fuqinë e tij të shprehjes”.

Libri është vendosur pjesërisht në Kosovë, vendi i lindjes së Statovcit. Autori u zhvendos në Finlandë kur ishte vetëm dy vjeç.

Fituesi u zgjodh nga Drejtoresha e Përgjithshme e Yle, Merja Ylä-Anttila. Statovci ka marrë kritika të furishme për punën e tij në të gjithë botën, përfshirë një nominim të kohëve të fundit për çmimin prestigjioz Kombëtar të Librit për romanin e tij të dytë The Crossing. / KultPlus.com

Libri i Pajtim Statovcit nderohet në NBAwards në New York

Libri ‘Crossing’ i autorit Pajtim Statovci ka marrë një tjetër mirënjohje.

Libri mbrëmë ka qenë finalist dhe ka marrë medalje nga National Book Foundation, NBA Awards në Nju Jork, në një gala mbrëmje ku janë shpërblyer edhe libra të tjerë.

Për këtë arritje ka treguar vetë shkrimtari, shkruan KultPlus.

Libri merret edhe me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha dhe me atë që do të pasojë. Bujari dhe Agimi janë dy personazhet kryesore të librit. Njëri ka probleme me seksualitetin dhe gjetjen e vetes, por edhe tjetri duket sikur nuk është i zhveshur nga sfidat e jetës.

Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit.

Libri i tij “My Cat Yugoslavia” u prit jashtëzakonisht mirë nga lexuesi dhe kritika botërore. / KultPlus.com

Shkrimtari kosovar nga Finlanda, i nominuar për çmimin më prestigjoz në SHBA

Shkrimtari finlandez Pajtim Statovci është i nominuar për çmimin e letërsisë më të vlefshme të Shteteve të Bashkuara.

Pajtim Statovci është një nga shkrimtarët më të suksesshëm ndërkombëtarë të Finlandës.

Vepra e Pajtim Statovcit, “Zemra e Tiranës”, është nominuar për një çmim ndërkombëtar të Librit Kombëtar. “National Book Award” është çmimi letrar më prestigjioz në Shtetet e Bashkuara, shkruan albinfo.ch.

Autori me origjinë shqiptare, Pajtim Statovci, kandidon ndër dhjetë shkrimtarët më të mirë për të fituar çmimin prestigjioz amerikan “National Book Award” me librin e tij “Zemra e Tiranës”.

Statovci është një shkrimtar shumë i vlerësuar në Finlandë, i përkthyer në disa gjuhë dhe i nderuar me mjaft çmime.

Vepra e Statovcit konkurron me nëntë kandidatë të tjerë në serinë e letërsisë së përkthimit.

Libri u botua në finlandisht në vitin 2016./KultPlus.com

“The Guardian” shkruan për novelën e kosovarit Pajtim Statovci

Pajtim Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990, ndërsa familja e tij kishte emigruar në Finlandë në kohën kur kishte nisur gjenocidi në Bosnje dhe më vonë edhe në Kosovë.

Kështu nis shkrimi i Kapka Kassabova në prestigjiozen “The Guardian” për novelën e tij të fundit që në finlandisht titullohet “Tiranan sydän” ose në shqip “Zemra e Tiranës” ose i përkthyer në anglisht si “Crossing”.

Njëjtë si kjo, ashtu edhe novela e tij e parë “My Cat Yugoslavia”, janë vlerësuar lartë edhe me çmime në Finlandë.

Novela e tij “Crossing” ka në qendër Shqipërinë dhe dy personazhet Bujarin e Agimin, të cilët janë rritur në fund të viteve të diktaturës së egër të Enver Hoxhës.

“Ndërsa Shqipëria post-komuniste rrëshqet në kolaps social, me fëmijët që shiten si skllavër për t’iu marrë organet dhe për prostitucion, dy djem mendojnë se ‘jetuan në burgun më të madh të Evropës’. I vetmi ngushëllim është të pinë duhan pa pushim, ose të rrezikojnë jetën e tyre duke emigruar ilegalisht në Greqi apo Itali”, shkruan Kassabova.

Ëndrra e dy personazheve është Evropa dhe pasi shitën cigare për një vit ata arritën të blenë një varkë dhe nisën udhëtimin e tyre në Adriatik.

“Bujari” detyrohet të nisë çdo herë nga zero jetën e tij sa herë ndryshon vend dhe Kassabova shkruan se kjo është historia e çdo refugjati që kanë lënë vendet e tyre për një jetë më të mirë. / KultPlus.com