Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në Londër një takim me shqiptarët e Britanisë së Madhe.
Takimi organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, në orën 12:00 me orën lokale.
“Me kënaqësinë e takimit të sotëm kuqezi me shqiptarët e Britanisë së Madhe, në rrugën drejt Shqipërisë 2030”, u shpreh sot Rama, ndërsa një ditë më parë ndau dhe pamje nga salla ku do të zhvillohet edhe takimi.
Takimi do të zhvillohet në sallën “The Cooper Box, Queen Elizabeth Olympic Parc”.
Pas dakordësisë të arritur mes palëve politike, për herë të parë shqiptarët e diasporës pritet të votojnë në pranverën e vitit të ardhshëm në zgjedhjet parlamentare.
Turin e bashkëbisedimit me diasporën, kryeministri Rama e ka nisur në 12 maj 2024 nga Athina, për të vijuar më pas në 26 maj në Milano, Itali, dy shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë.
Në 26 tetor, Kryeministri Rama zhvilloi po ashtu takimin në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës, të cilëve u kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme për të vijuar punën drejt misionit për ta bërë Shqipërinë vend anëtar në BE.
Takimi i kryeministrit Rama në Londër vjen pas atij të Selanikut në 3 Nëntor./ KultPlus.com
116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e premte, në një shtëpi trekatëshe në Manastir të Maqedonisë, Luigj Gurakuqi nxori një dërrasë të zezë dhe filloi të shkruante me shkumës shkronjat e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Disa prej këtyre shkronjave ai vetë nuk i njihte, por Gjergj Fishta i rrinte afër duke e ndihmuar, Ndre Mjeda e shikonte si një nxënës të dobët, ndërsa Mit’hat Frashëri mbante qetësinë në një sallë të mbushur plot me burra të habitur. Nxënësit që po ndjekin këtë mësim nuk janë fëmijë, por janë disa zotërinj të mbledhur nga gjithë zonat ku jetojnë shqiptarë në Perandorinë Osmane, të cilët kanë ardhur në Manastir si delegatë të një Kongresi që ka për qëllim të unifikojë gjuhën shqipe e cila deri atë ditë shkruhej me të paktën dhjetë alfabete të ndryshëm.
Këta burra të veshur trashë, që kishin arritur deri aty hipur mbi kuaj dhe mushka dhe që flisnin me dialekte të ndryshme, ishin nga shqiptarët më të ditur të asaj kohe.
Meqë atëherë nuk kishte selfie, as gazeta me tirazh të lartë dhe as televizor apo internet, ata e kaluan ditën e parë për të njohur njëri-tjetrin dhe ditën e dytë u ulën të vendosin se çfarë rruge do ndiqnin për të përcaktuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Në vitin 1908, gjuha shqipe kishte kohë që shkruhej, por çështja ishte me çfarë shkronjash do vazhdonte të shkruhej. Pra Kongresi ishte një Betejë për Shkronja dhe kongresmenët kishin përpara dy mundësi.
Ose të hartonin një alfabet të ri, ose të bazoheshin tek alfabetet e krijuara më parë. Kongresi i shkoi rrugës së dytë, pra të gjente një të mesme mes tre alfabeteve që ishin më në modë.
Alfabeti i parë i rëndësishëm ishte ai i familjes Frashëri, që mbrohej me këmbëngulje nga Mit’hat Frashëri. Ky burrë i cili në vitin 1908 mbante skeptrin e familjes më të shquar shqiptare, mbronte variantin e Alfabetit që ishte krijuar në vitin 1879 në Stamboll, nga babai i tij Abdyl Frashëri dhe xhaxhai Sami Frashëri, me të cilin shkroi xhaxhai tjetër i madh, Naim Frashëri.
Alfabeti i dytë ishte ai i shoqërisë Bashkimi të Shkodrës, e cila në vitin 1899 kishte propozuar një alfabet më latin se alfabeti i Stambollit. Me këtë alfabet shkroi Gjergj Fishta dhe shumica e klerikëve të ndritur të veriut. Vetë Gjergj Fishta kishte ardhur në Manastir si përfaqësues i Shkodrës dhe tani ishte përballë Mit’hat Frashërit, njeriut që drejtonte Kongresin.
Por këta dy burra kishin përballë edhe një të tretë, që ishte edhe më luftarak se ata. Ky ishte një prift i shkurtër me mustaqe, shumë kokërfortë, një poet i mrekullueshëm dhe një rebel i gatshëm të shkatërronte një parti për një shkronjë. Ky ishte Ndre Mjeda. Pasi kishte qenë anëtar i shoqërisë Bashkimi, ishte zënë me Gjergj Fishëtn dhe priftërinjtë e tjerë dhe ishte larguar duke krijuar alfabetin e vet bashkë me vëllain Lazrin, që ishte dhe ai prift.
Kështu ishin rreshtuar palët në Kongresin e Manastirit në mes të nëntorit 1908.
Por klima jashtë Kongresit ishte edhe më e ndezur. Shumë njerëz që nuk donin asnjë nga tre alfabetet apo që nuk ishin ftuar fare, mezi prisnin që ata të dështonin.
Kundërshtari më i zhurmëm dhe natyrisht më zevzeku ishte Faik Konica, i cili nuk mori pjesë në Kongres, me pretekstin se ishte ftuar me vonesë. Duke e njohur, me siguri, organizatorët ia kanë çuar ftesën me qëllim shumë vonë, në mënyrë që ai mos vinte, sepse prezenca e tij tekanjoze mund ta kishte prishur atë Kongres, të cilin Faik Konica e quajti një mbledhje xhonturqish.
Por edhe pa pjesëmarrjen e Faik Konicës, Kongresi ishte i mbushur me çudira.
Askush nuk e beson dot se si debatet më të ashpra, u krijuan për disa bashkëtingëllore dyshe dhe sidomos për shkronjën dh. Imagjinoni sot, sikur burrat e ndritur të Shqipërisë të mblidhen dhe të zihen për një shkronjë. Por në vitin 1908 kur nuk kishte Shqipëri, grindjet ishin më artistike dhe shumë më të dobishme.
Mit’hat Frashëri donte një alfabet me disa gërma greke. Ndre Mjeda ishte kundër gërmave të përbëra dh, sh, ll, gj,nj, xh dhe nëse do zgjidhej varianti i tij, sot fjalën Shqipëri do ta shkruanim Skipëri meqë ai nuk e njihte as gërmën q. Ndre Mjeda nuk përdorte asnjë bashkëtingëllore dhe alfabeti i tij ishte i gjithi diakritik, pra me shenja sipër dhe poshtë shkronjave, siç i përdorin francezët dhe gjermanët. Y-ja e tij ishte një “ü” me dy pika lart, kurse xh ishte dz dhe fjalën xhind ai e shkruante dzind.
Ndërsa Gjergj Fishta ishte për një latinizim më të madh të alfabetit duke këmbëngulur që gërmat greke të Sami Frashërit të eleminoheshin dhe po ashtu edhe shenjat e Ndre Mjedës. Nëse Gjergj Fishta do ishte sjellë si Faik Konica dhe nuk do kishte shkuar në Manastir, sot nuk do e kishim gërmën sh dhe fjalën shtet do ta shkruanim stet me një gërmë greke në fillim.
Në thelb, beteja ishte mes dy varianteve të gjuhës shqipe.
Atij toskë, që ishte gjuha që shkruante Naim Frashëri dhe atij gegë, që ishte gjuha që shkruante Gjergj Fishta. Kongresi i Manastirit ishte një përballje mes dy poetësh që u takuan në vitin 1908 në Manastir dhe meqë njëri kishte vdekur në vitin 1900 dhe tjetri ishte gjallë, u gjet një kompromis.
Në vend të një alfabeti, Kongresi i Manastirit miratoi dy alfabete, që kishin të përbashkëta 27 shkronja dhe të ndryshme 9 shkronja. Jehona e këtyre nëntë shkronjave që po të bashkohen krijojnë një zhurmë të tmerrshme dhëshzhxhnjthgjc, i ka lënë pa gjumë për një javë burrat më të ndritur të kombit.
Natyrisht i pari që u miratua, ishte Alfabeti i Stambollit, nga i cili nuk hiqte dorë Mit’hat Frashëri, dora e fortë e Kongresit dhe i dyti ishte Alfabeti i Shkodrës, të cilin Gjergj Fishta, mendja e Kongresit, e kërkonte edhe për arsye praktike. Ai i botonte veprat e veta në shtypshkronja që vinin nga Perëndimi dhe nuk i njihnin gërmat greke që përdorte Sami Frashëri dhe gjithe Toskëria.
Ndryshe nga Kongresi i Manastirit, koha vendosi që ky i dyti do ishte alfabeti që pothuajse kemi sot.
Por fakti që Kongresi miratoi njëkohësisht dy alfabete do të thotë që debatet kanë qenë të forta dhe kanë rrezikuar ta mbyllin Kongresin pa një alfabet unik. Prandaj mesa duket u gjet një zgjidhje oportuniste. Por për shkak të betimit që i kishin bërë njëri-tjetrit, delegatët nuk folën publikisht mbi mosmarrëveshjet që patën dhe zgjedhjen e dy alfabeteve në vend të njërit.
Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi, ndoshta delegati më i ri i Kongresit të Manastirit.
Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç, me një kravatë me vija të trasha, që sot do ishte vintage, me një këmishë të bardhë me jakë të rrumbullakët që është ende shumë në modë dhe me një kapele të zezë si ajo që mbanin të krishterët në Peradorinë Osmane. Mustaqet e tij të gjata, sytë e ulur poshtë dhe një ballë i vrenjtur tregojnë një njeri të fiksuar pas detajeve, siç edhe ishte Simon Shuteriqi.
Nuk e di kush i ka vendosur numra delegatëve, por në foton zyrtare të Kongresit, ai mban numrin 21, një numër që ka shoqëruar familjen tonë, në gëzime dhe hidhërime, deri ditët e fundit.
Për fat të keq ai nuk i shkroi kujtimet e tij për Kongresin e Manastirit, sepse ishte nën betim. Kishte dhënë fjalën të mos fliste. Simon Shuteriqi e mori alfabetin e Manastirit dhe një vit më vonë, në vitin 1909, hapi dhe drejtoi bashkë me Luigj Gurakuqin, Normalen e Elbasanit, shkollën që përgatiste mësues.
Ai i respektoi në mënyrë të çuditshme dhe shumë besnike vendimet që u morën në Manastir dhe kjo duket nga mënyra se si e ka përdorur gërmën sh, që ka qenë dhe një nga shkaqet e mospajtimit të madh të Manastirit.
Simon Shuteriqi e firmosi si S. Suteriqi vendimin e Kongresit të Manastirit në 1908, pra pa i vendosur një sh mbiemrit të tij, ndërsa në vitin 1922, i drejtohet mikut të tij Fan Nolit si Shenjtëri, pra me gërmën sh, të alfabetit të dytë të Kongresit.
Deri në vitin 1911 Simon Shuteriqi botoi dy libra. Njërin për jetën e dajës së vet Konstantin Kristoforidhit, të cilin e shkroi me alfabetin e Naim Frashërit, kurse tjetrin, një abetare për fëmijë që e shkroi me alfabetin e Gjergj Fishtës.
I kam gjetur me vështirësi këto dy këto botime dhe te “Jetëshkrimi i Kristoforidhit”, fjalën shqip ai e ka shkruar me një s greke, siç e shkruante Sami Frashëri, ndërsa tek abetarja e tij, fjalën shqip e shkruan siç e shkruajmë ne sot, me gërmën sh.
Abetarja e Simon Shuteriqit i ka të gjitha bashkëntingëlloret dyshe për të cilat Kongresi i Manastirit debatoi për një javë, edhe sh, edhe dh, edhe nj, edhe ll, edhe rr, edhe gj, edhe th, edhe xh edhe zh. Ajo është një Abetare e bukur, e vogël, me shumë përshkrime kafshësh dhe frutash, e cila mund ta lumturonte çdo fëmijë 100 vjet më parë, kur nuk kishte as lodra dhe as filma të animuar.
Librat e Simon Shuteriqit janë botuar në shtypshkronjën tregtare të Manastirit në vitin 1911.
Dy vjet më vonë, në vitin 1913, serbët e morën Manastirin dhe i vunë emrin e shëmtuar Bitola, për ta fshirë nga historia jonë. Bashkë me qytetin, ne humbëm edhe shtëpinë e Kongresit të Alfabetit ku çdo vit, në nëntor, do ishte bërë një pelegrinazh i madh, frymëzues, i ngjashëm me atë që bëhet në Vlorë gjatë përkujtimit të Pavarësisë.
Shtëpia e Manastirit dhe shtëpia e Vlorës do ishin shtëpitë më të famshme të Shqipërisë sepse aty u bë Shqipëria, atëherë kur Shqipëri nuk kishte.
Aty do kisha shkuar sot, për t’i bërë një homazh Simon Shuteriqit, stërgjyshit tim, delegatit më të ri të Kongresit të Manastirit, kravatën me vija të të cilit do doja ta mbaja kur flisja në parlament, për punët e Shqipërisë./ KultPlus.com
Mijëra protestues marshuan në disa qytete në Francë për të denoncuar dhunën ndaj grave, me gjyqin për përdhunimin masiv të francezes Gizelle Pelicot të orkestruar nga bashkëshorti i saj.
Në Paris, rreth 7,000 njerëz dolën në rrugë duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur parulla përpara të hënës, që shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
“Ka shumë gjëra për të ndryshuar. Ka edukimin e djemve të rinj, gjatë gjithë jetës, ne duhet t’i ndryshojmë gjërat. Do të jetë e vështirë, por është e mundur,” tha mësuesja në pension Michele Even.
Sipas shifrave të tij më të fundit, Observatori Kombëtar i Francës për Dhunën kundër Grave numëroi 118 gra të vrarë nga partneri i tyre, ekuivalente me një grua çdo tre ditë.
Një total prej 321,000 gra thanë se ishin nënshtruar dhunës fizike, seksuale ose psikologjike nga partnerët e tyre në vitin 2022, dhe 217,000 thanë se ishin viktima të përdhunimit ose sulmit seksual atë vit, sipas raportit.
Marshimet e së shtunës vijnë në mes të gjyqit për përdhunimin masiv të Gisele Pelicot, organizuar nga bashkëshorti i saj mbi 10 vjet.
Dominique Pelicot, bashkëshorti i saj, ka pranuar se ka droguar gruan e tij, 71 vjeç, dhe ka ftuar të huajt në shtëpinë e tyre për ta përdhunuar ndërsa ajo ishte pa ndjenja, në një gjyq që ka tërhequr vëmendjen mbarëbotërore dhe është kthyer në një ekzaminim të përhapjes së dhunës seksuale.
Shumica e 50 burrave të tjerë në gjyq kanë thënë se nuk e kuptuan se po e përdhunonin, nuk kishin ndërmend ta përdhunonin ose ia hidhnin të gjithë fajin burrit të saj, për të cilin thanë se i kishte manipuluar.
Në Avignon, ku po mbahet gjyqi, qindra demonstrues u mblodhën gjithashtu të shtunën për t’i shprehur mbështetjen e tyre Gisele Pelicot.
“Ne e falënderojmë atë që e bëri këtë gjyq të dukshëm për publikun dhe që tregoi se agresorët nuk janë monstra në rrugë, ata janë zoti të gjithëve dhe ne duhet të vëmë seriozisht secilin prej nesh në pyetje individualisht që gjërat të ndryshojnë./ KultPlus.com
Shpella e Valit është një destinacion i përkryer për adhuruesit e aventurës, eksplorimit dhe fotografisë.
E vendosur brenda Parkut Natyror “Mali me Gropa-Bizë-Martanesh”, kjo perlë natyrore spikat për bukurinë e saj dhe peizazhet e paprekura që e rrethojnë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në një postim në rrjetet sociale shkruan se “ky monument natyror, ndër më të çmuarit e zonës, tërheq vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë të shijojnë natyrën dhe qetësinë larg qytetit, duke ofruar një përvojë unike për të apasionuarit pas natyrës dhe eksplorimit.”
Shpella e Valit, është një atraksion natyror i njohur për bukurinë e saj unike dhe karakteristikat gjeologjike./ atsh/ KultPlus.com
Ndërsa në Krujë nje mjeshtër artizan po përfundon një dekoracion druri të flamurit tonë kombëtar, me fotot e 4 patriotëve të shquar të Pavarësisë. 68 vjeçari thotë për ABC News se shqiponja e gdhendur në dru do të vendoset në qendër të qytetit të Krujës në 28 nëntor.
Realizimin e tij të shqiponjës prej druri ai do ta vendosë në qendër të qytetit të Krujës për 112 vjetorin e Pavarësisë.
“Simbolizon ngjyrën e flamurit, i është përshtatur ditës së pavarësisë. Është një sfond me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjën dhe ka dy datat historike 28 nëntor 1912 dhe 28 nëntor 2024 për 112 vjetorin e pavarësisë.” -u shpreh Asllani.
68 vjecari ka punuar disa ditë për të realizuar shqiponjën të gdhehur në dru, ndërsa do t’i bashkangjisë edhe katër figurat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.
“Komplet është punim dore. Kam për të vendosur edhe këto figurat emblematike. Skënderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari dhe Isa Boletini.”
Asllani gjithë jetën e tij është marrë me punimin e drurit, ndërsa kjo vepër si dhuratë për qytetin e tij, thotë se do të mbetet një kujtim i bukur për të.
“Mundohem të promovoj dicka të veçantë. Them se do të mbetet kujtim. Gjeta kohën që të lë diçka. Unë e kam pasion dhe kënaqësi. Heq stresin këtu, por marr edhe kënaqësi kur del diçka e bukur.” -tha për ABC News Asllan Lika.
Një punim të tillë të shqiponjës të gdhendur në dru me katër figurat historike kombëtare, Asllan Lika e dhuroi për qytetin e Deçanit në Kosovë disa ditë më parë. /abcnews.al/ KultPlus.com
Mes datave 14 dhe 22 nëntor të vitit 1908 është mbajtur Kongresi i Manastirit që kulmoi me caktimin e alfabetit të Gjuhës shqipe më 22 nëntor.
Në përvjetorin e kësaj date, është publikuar një dorëshkrim i akademikut Rexhep Qosja.
Përmes dorëshkrimit të tij, që e ka publikuar “Euronews Albania”, Qosja kujton përpjekjet dhe përkushtimin e delegatëve të këtij Kongresi, të cilët hodhën themelet për një identitet kulturor të qartë dhe të bashkuar.
Akademiku thekson se Kongresi i Manastirit është një ngjarje historike për kombin shqiptar, pasi i dha shqiptarëve për herë të parë një alfabet të standardizuar, si dhe ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.
Dorëshkrimi i Rexhep Qosjes, sipas EuronewsAlbania:
Gati të gjitha veprat, monografitë, studimet, trajtesat dhe shkrimet për Kongresin e Manastirit, fillojnë me shprehjen e bindjes se ky Kongres është ngjarje shumë e rëndësishme e Kulturës dhe kombit shqiptar. Ka një varg arsyesh e të dhënash për një vlerësim të tillë të Kongresit të Manastirit, por megjithatë dy janë kryesoret.
E para, Kongresi i Manastirit është ngjarja historike që gjuhës shqipe, kombit shqiptar, ia solli një alfabet, alfabetin e bazuar në alfabetin latin.
E dyta, Kongresi i Manastirit është ngjarja që me alfabetin, me një alfabet dhe me qëndrimet e organizuesve të tij dhe delegatëve të zgjedhur prej viseve të ndryshme shqiptare ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës së përbashkët letrare, domethënë të Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972.
Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit janë çështje të mëdha, më të mëdhatë të Gjuhës Shqipe.
Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit, duke qenë çështje të mëdha, më të mëdhatë e gjuhës shqipe, janë njëkohësisht çështje të Shkollës Kombëtare. Gjuha, alfabeti dhe Shkolla ishin dhe janë përbërës gjithëjetshëm e gjithëkohshëm të rëndësishëm të kulturës së çdo populli, prandaj edhe të Popullit shqiptar.
Në Kongresin e Manastirit do të merrnin pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë Atdheut.
Delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë dhe publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtare.
Në mbledhjen e pasdites së parë të Kongresit do të zgjidhej Kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, ndërsa sekretarë Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet Bej Vrioni.
Duke parë se sa e përbërë do të ishte zgjidhja e dëshiruar, e rëndësishme e gjithëjetshme e çështjes në fjalë, disa nga diskutuesit e quajtën të nevojshme të propozojnë që të krijohet një Komision, të cilit do t’i besohej vendimi për çështjen e alfabetit.
Komisioni do të përbëhej prej përfaqësuesve të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit” e të “Agimit” dhe të disa publicistëve e intelektualëve të njohur. Komisionit iu besua me vota të fshehta vendimi për një alfabet të cilin delegatët e Kongresit zotoheshin se do ta pranonin detyrimisht si alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kryetar i Komisionit u caktua Gjergj Fishta, i cili mori numrin më të madh të votave.
Kompania e njohur “Gjirafa” ka njoftuar se Fondi Amerikan për Zhvillim (DFC) ka bërë një investim historik në kompaninë e tyre, nga i cili investim pritet fuqizohet edhe më shumë inovacioni dhe zhvillimi teknologjik, shkruan KultPlus.
“Gjirafa” është një nga platformat kryesore online në botën shqipfolëse, që ofron një gamë të gjerë shërbimesh si blerjet online, shërbimet e motorit të kërkimit dhe reklamat digjitale.
Ky investim cilësohet historik dhe me rëndësi jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin./ KultPlus.com
Pas librit të saj të parë, “Do vij me hijen e erës” (2020), Ajne Ibërhysaj del para lexuesve me vëllimin e saj të dytë poetik Gravurë me ngjyrat e kohës. Sikurse edhe në librin e parë, edhe këtu Anja vazhdon të shpalosë në vargje botën e saj intime, dashurinë për jetën dhe dhimbjen për humbjen e njerëzve të saj të dashur, pa lënë mbas dore as përkushtimin për atdheun.
Poezia e Ajne Ibërhysajt nuk është poezi e mjeshtërisë a zanatit, por e ndjesisë dhe përjetimit të çastit. Fjalë kyçe e poezisë së saj është fjala shpirt, ndërsa togfjalëshat: “dridhjet e shpirtit”, “britmë shpirti”, “psherëtimë shpirti” e të tjerë të ngjashëm, shfaqen shpesh në vargje edhe si tituj vjershash, që, herë-herë, ngjajnë si variacione të njëra-tjetrës.
E tërë poezia e Ajnes është një vërshim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat poetja i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë. Po qe se bëjmë një krahasim me fenomenet e natyrës, do të thoshim se rrëfimi poetik rrjedh lirshëm, ashtu siç ndërrohen stinët e motit, siç bien gjethet në vjeshtë dhe siç rrjedhin ujërat e lumenjve. Edhe pikat e shiut që lëshojnë retë dhe lotët që rrjedhin nga sytë janë pjesë e kësaj “gravure”.
(Të themi në parantezë se titulli i librit: Gravurë me ngjyrat e kohës i përgjigjet përmbajtjes së veprës: frymës së përgjithshme dhe në mënyrë të veçantë përbërësve të saj ideotematikë dhe
gjuhësorë-stilistikë).
Ndoshta bukuria e kësaj poezie qëndron pikërisht këtu, te kjo natyrshmëri, që është shprehje e botës së pasur shpirtërore të poetes dhe e përvojës së saj jetësore. Në harmoni me këtë përcaktim është edhe fjalori i kësaj poezie, si dhe motivet e saj, që, edhe kur duket se largohen në mitologji (Troja, Prometeu, Sizifi, Itaka), i qëndrojnë besnikë kohës dhe mjedisit që i ka lindur.
Edhe kur ndeshet me ftohtësinë e rrethit, poetesha jonë përpiqet ta zbusë atë me ngrohtësinë e ndjenjës, të tingujve e ngjyrave, që nuk e lënë indiferent për asnjë çast lexuesin. Duke i lejuar vetes ta mbyllim këtë fjalë të shkurtër në mënyrë pak a shumë të figurshme, metaforike, do të thoshim se lirika e Ajne Ibërhysajt ka shpirt dhe kolorit: ajo i ngjan një kopshti shumëngjyrësh, ku secili gjen diçka pas shijes së vet.
Tirana ka nisur që të vishet kuq e zi, në kuadër të festave të 28-29 nëntorit, dy ngjarjet të rëndësishme historike për kombin shqiptar, 112-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, si dhe 80-vjetori i Çlirimit.
Flamujt kombëtar janë vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa këtë vit, më datë 28 nëntor, pritet që të rikthehet sërish Parada Shqiptare me grupe artistike nga anë e mbanë botës, kudo ku flitet shqip.
Parada Shqiptare synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.
Vetë kyeministri Edi Rama, ka bërë më dije se nga data 21-30 nëntor do të zhvillohen një seri aktivitetesh kushtuar Javës Kulturore Kombëtare, Shqipëri – Kosovë.
Javët Kulturore Ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishin 20 shtete të ndryshme do të përmbyllen me Kosovën, që së bashku me vendin tonë, nga data 21 deri më 30 nëntor do të organizojnë një mori eventesh artistike në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Aktivitetet nisin me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.
Fëmijët do të kenë mundësi të njihen nga afër me regjistrin e katalogut fizik te bibliotekarit. Gjithashtu të shikojnë nje video dokumentar mbi GKA ku do njihen me godinën ekzistuese dhe sallat ekspozuese dhe do të diskutojnë rreth artistëve më të njohur dhe veprave të tyre në fushën e Artit Figurativ.
Aktivitetet do të vijojnë me një ekspozitë me në fokus inteligjencën artificiale që do të hapet më 22 nëntor në teatrin Aleksandër Moisiu dhe Qendrën Kulturore për fëmijë në Durrës. Biseda-Ekspozitë me Artistin Eshref Qahili: “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale”, që është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, promovon artin bashkëkohor kosovar dhe thekson rëndësinë e ndërveprimit kulturor ndërmjet dy vendeve tona.
Paralelisht në këtë ditë, por në kryeqytet në hollin koncertor të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet koncerti “Side by Side”. Do të jetë sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaqamak që do të sjellin një performancë unike, duke ngjitur në skenë pjesë nga dy gjenitë botëror të muzikës klasike, Schumman dhe Strauss.
Kurse më 23 nëntor, tek Piramida do të mbahet Projekti “Të kam në mendje” i Malda Susuri që synon të adresojë sfidat e shëndetit mendor me anë të ndërgjegjësimit dhe reduktimit të stigmës me qëllim krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët të përballen më mirë me këto probleme.
Më 25 nëntor, në ora 11:00, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, do të keni mundësinë të shikoni koleksionet dhe materialet që pasqyrojnë momentet kryesore të çlirimit. Po ashtu në këtë ditë, më 25 nëntor, tek COD në Kryeministri do të mbahet sfilata “Krenari mbi supe” që do të sjellë punime të kostumeve tradicionale nga Fëmijët e Kursit të Kostumografisë. Ndërsa në orën 18:00, në ArTurbina në Tiranë do të mbahet koncerti “Jehonë Shqiptare” që do të ngjisë në skenë artistë profesioniste që kanë bërë historinë e artit shqiptar por edhe më gjerë, si nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ndërsa në orën 19:00 te Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, do të mbahet opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi, ky produksion vjen si një homazh për Festën e Flamurit.
Kurse nga data 26 deri më 30 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare do të çelet një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, veprat kërkimore të së cilit apo mbledhja e traditave shqiptare, veçanërisht kodifikimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbeten një thesar i pazëvendësueshëm për kulturën dhe traditën tonë.
Shkodra Elektronike, projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali, shumë larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës, do të gjallërojnë Teatrin Metropol mbrëmjen e 26 nëntorit.
Po ashtu, kjo ditë do t’i përkushtohet dhe gastronomisë. “Shije Shqiptare”, panairi i madh i produkteve nga të gjitha trevat shqiptare do të jetë një mundësi për shijuar një pasuri shijesh dhe aromash tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër më datë 27-të do të mbahet koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” që do të performojnë këngë dhe valle të bukura nga trevat shqiptare, të cilat pasqyrojnë traditën dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar. “Tingujt që sollën lirinë” do të jetë koncerti që paralelisht në këtë ditë do të mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert gala, pjesë e së cilit do të jetë edhe Orkestra e Forcave të Armatosura, do të vendosë në skenë muzikën më të mirë shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, organizohet po ashtu në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Ndërkohë, nga data 26 deri më 30 nëntor te sheshi para Teatrit Kombëtar do të jetë e hapur një tjetër ekspozitë, ajo e fotografisë “Keep calm and smile” e fotografit me famë botërore nga Kosova, Korab Basha. Ekspozita që sjell 25 fotografi bardhezi i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me datë 28 nëntor të gjithë shqiptarët mblidhen bashkë në Tiranë, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një paradë me ngjyra kuqezi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme, ky aktivitet premton shumë emocione.
Gjatë Javës Kulturore të Kosovës nuk do të mungojnë as shfaqja e filmave. “Bota Jonë”, “117”, “Pa vend”, “Si e verdhë e sëmurë”, “Krahët e punëtorëve”, “Rrugës”, “Hana e re”, “Prishtinë 2002” dhe “Sign”, janë filmat që do të transmetohen në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, në datat 28, 29 dhe 30 nëntor.
Java Kulturore e Kosovë – Shqipëri do të përmbyllet me festivalin “Tirana Art Ëeekend”, që do të mbahet nga datat 29 nëntor deri më 2 dhjetor tek shtëpia e të përndjekurve në Tiranë. Ky aktivitet bashkon aktorët kryesorë të skenës së pavarur të artit në Shqipëri, duke përfshirë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivët artistikë vendas nën një program të përbashkët.
Javët Kulturore Ndërkombëtarë për 7 muaj me radhë, përveç se sollën kultura të ndryshe në vendin tonë, u dhanë edhe mesazhe të forta për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut. JKN patën për qëllim gjithashtu edhe krijimin e urave lidhëse, nxitjen e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon.
Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarisë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e BRamaashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosova që edhe përmbyll këtë edicion të tretë./atsh/ KultPlus.com
Si m’shikon ashtu?! Po, ja… Kështu shikohet deti, n’perëndim dielli; Vala kur grindet me valën për bregun; Era kur të tund fijen e flokut… Kur dita ia dorëzon çelësin natës, shikimi varet n’kujtime; si nuk ia vjedha çastin dritës?! Po kohën?! Kohën akull do ta bëja, për valsin me mijëra spektatorë t’ngrirë… Si m’shikon ashtu?! Po, ja… Zëri dëgjohet me sy; burimet e ujit, sytë i shterin, tek përbijnë retinën n’shkëlqim zjarri… Si m’shikon ashtu?! Po ja… Kështu di të të shikoj. Për të ta matur dridhjen e shpirtit; për të ta ndjerë frymëmarrjen mbi fytyrë; për të pirë aromën e ajrit në gotën e vjeshtës…/ KultPlus.com
Hajde andёrr e djelltё prekmё pak shpirtin e harlisur Qё rrugёs m’i humbi kuptimi Nga njё ditё qё natё ish Kur dhash pёr t’marrё dashni E mora helm lumё
Ish djell mehlem pёr shpirt t’paprekun U ba djell pёrvёlues pёr t’ran’t e t’vran’t Bash si puna jeme Fort padjallёzisht nana mё tha tё hecja Botave maskuline gladiatorёsh
E tash vargani i ndodhisё seme
Mёngjes i djelltё, n’10.00 pa njё ҫerek
Nё dritёdepёrtuesin e dhomёs Ku hyjnё tё djelltat rreze Tё ambla si tamlёoriz ende i paftofun Tё verdhёta si i hojtё mjalti Zgjon nё elektrizim flokun tem Bashkё me shpirtin tem tё teptisur flakё prej vajznie
U hodha nga shtrati qё ranova deri para pak ҫastesh Kreha gёrshetat qё deri nё atё moment Njihnin veҫ hutira lumturish Vesha fustanin fshataresk Me korseten ngushtё-kёputё belin tem t’paprekun Lyva buzёt me tё trёndafiltёn si tё shpirtit tem.
Mora ҫantёn qё thurr ma kish gjyshja me arna kohёsh Me tё dal jashtё Gur e dru gjeth e lule Lakmi ma kishin
Ma andej… Pёrtej botёs sё Lizёs sё ҫudirave Pёrtej hekurudhёs nё rrugёn “Sante de Amor” Kёmba shkeli tjetёr trak… (krrakk)
Epilog Kisha marrё nё thu nё njё botё gladiatorёsh Tё veshur armaturё M’i kishin mavijosur buzёt Fustanin pluhur korb Ma kishin vrarё veҫ shpirtin Pamjen ma kishin tjetёrsuar E ardhmja ma kish pas dhanё lamtumirёn Sa isha ende pa vetёdije Bile pa ndjerё
Nandor, fundvjeshtё Gjendja sot Shkoj-vi nё punё Pa ndjenjё Pa djell Pa dritare Ka faj veҫ nana dhe djelli A m’vjen vera kah dera ma…/ KultPlus.com
Hëna shtrydh mallin unë vetmoj prej se të varrosa në këngë numëroj fletat e vjeshtave që bien përtoke dhe shtegtaret që ikin si ti
Te gjitha këngët i kam për ishujt ku gdhendet malli për dashurinë pa trajtë për hënën e gërryer nga uria
Sonte kur mbaj mbi supe boten që lindi nga një grua ngarend në Purgator t’i gdhend sytë e tu këmbëkryq para Zotit bërtas: “Harrimi është amorf”!
Kur vjollcat e fundit të këngës vyshken ushqyer me veten e copëtuar lundroj me Plakun e Heminguejit nga lakuriqësia nxjerrim në shesh veç qelizat të fekonduara
Ohhh! Çdo i kryqëzuar bëhet Zoti im nëse hedhë fara polemi mbi majat e dashurive!/ KultPlus.com
S’ka pse me pas afsh, Dashnia qe t’therr n’shpirt, Ku heshtja t’çon n’naltësin ma t’pamendume, N’andje për nyjet e shpirtit, E që veç e prekshme nuk asht.
Dy-tri sekonda mjaftojnë, M’futë n’zemër nji dritë për ditët qi vijnë. S’kam pse me t’pas ngat, As n’dorë me t’mbajt. Nji e pame prej larg, Asht me ndij thellësinë tande.
N’dy-tre sekonda t’vjedhuna prej përditshmënisë, M’ban me besu që dashnia s’asht veç fjalë S’asht dishka fizike, S’asht as epsh, as mishi, as prekje… Asht drita e syve tu, që m’njeh pa t’prekë n’krah. Asht prania që e ndjej afër, Pra, dashnia jem s’asht e kësaj bote./ KultPlus.com
E di pse po na ikë rrugëve pa emra si po na tretesh sysh shtëpive të braktisura për një sy gjumë pa ngrënë, pa pirë as dashuri pa bërë lodhur mes rrufesh krahët diku t’i shtrish e të qash me duar midis gjinjve me cifla për qumështin e humbur shterur si gërnetat e plakut nanurisjeve të humbura dallgëve të poseidonit të dehesh me trëndafila të bozhurtë shpirtrave t’ lodhur gushët e afshëta t’ua falësh
e di që je zemëruar pse ëndrrën ta lamë në gjysmë se të frikësuam me njerkën pa dhëmbë të kafshuam ballit, faqeve buzët copë-copë t’i bëmë e s’u ngopëm as kripë as mjaltë teksa rrasave blu të piqnim jargavitur pështirshëm çdo ditë të lume t’ kollofitëm të shqyem këmbësh e sysh brinjëve mishin ta morëm e për çudi ti ngriheshe çdo ditë turpin e trupin për të na e larë mëngjeseve, drekës e n’ darkë
edhe unë si ti jam lodhur nga modernia pa takt nga kufijtë e tu vizatuar me shkumës prej komploteve që kurrizin po na e thyejnë sfilitur jemi bashkë sa asnjë tymi t’ mos i fryjmë më as unë as ti dhekuqi im i ri thatanik dikur i ngazëllyer ngjalë e kreshnik e sot mish pa muskuj fyteve e pjatave XXL t’hijerëndëve obezë mbrëmjeve zjarrmi me marka gucci e chanel zhubravitur kolltukësh për një thirrje a mbet ndonjë thelë edhe thërrime le të jetë, s’ka dert se lulet verdhoshe xhepave do t’ vazhdojnë t’ju ngjiten për sa t’ ketë trupa pa gjinj aq do të ketë footnota e dolli ‘gëzuar për ty dhekuqi im i zi’ Kush e di çka ka me ndodhe Kur shpirti jeton ne tru Unë vazhdoj te te dua e ti me rrjedh nëpër gisht/ KultPlus.com
U panë rrugës! Të dy, nëpër shi! S’dinin në iu rëndonin çadrat Apo pengu që mbanin në gji.
Dhe vunë buzën në gaz pa shkas, Si për të thënë e po kjo s’është ndonjë çudi, Edhe do takohen ndonjëherë qytetit E do përshëndeten me kurtoazi!
Si në takime diplomatike do pyesin për jetën, pa futur shumë hundët gjithsesi, Duke mos cënuar sovranitetin, Pa pyetur për territoret si filozofi.
U panë rrugës, hapat hodhën ngadalë! Asgjë s’kishte ndryshuar, si për habi! Aty ishte gjithçka-ja dhe asgjëja vet, Ai i asaj, dhe ajo e atij!
Ulën shikimin, hapat u tretën! A u tretën ndjenjat? Pak ka rëndësi… Kur u pyetën nga ata që ua shtrëngonin dorën; kush ishte? Të dy si njëherësh, thanë: “Fytyrë e njohur nga diku, por s’më kujtohet, nuk e di!”/ KultPlus.com
E kam marr ngryk mallin për ty tani, pas mesnate kur lëshohet marrshi i ushtarëve të errësirës “gatitu” në bujtinën e shpirtit.
Sa herë e prita një thirrje tënden në damarët e saksofonit të mjegullt, tempo “allegro” u harrua telefoni vetëm bëzajti sa e vështirë fjala “të dua”.
Rri o mall se tani filloi festa fshihu në skutat e ëndjes pulitu si nje azalea më shkërmoq krejt qenien me delikatesën e salloneve parisiene e çekanët e zanatlinjëve të moçëm.
Mungesa vizatohet si natyrë e vdekur, pa model, si nje mirazh, të plasarit puthjet e harruara këndeve të vdekura tash e motmot.
Eja më merr kështu të vrarë, gentiana violet bën mrekulli nëse në pëshpëritje të jap shpirtin, më sjell pak Kartagjenë, të ringjallem nga hiri i afshit tënd si Feniksi./ KultPlus.com
Thonë se Gurin e Koshares e pati vënë Polifemi Për të mbyllur shpellën nga katallanët Guri kishte zënë rrënjë Nuk shkulej
Thoshin se Gurin e Koshares e vuri Leka i Madh Kur priu kapedanët deri në Aleksandri Guri matanë shihte qiellin E ndriste
U dëgjua se gurët i pat hedhur Gjergj Kastrioti Nga Kështjellat e larta të Arbrit Sipër çallmave të Orientit Gurët rrokulliseshin
Flitej se gurët mrizonin në Bjeshkët e Nemuna Mëkonin plagët e Omerëve të Mujit e Halilit “E pat shkrepë nji gur prej malit E pat vu mbi vorr të djalit”
Thuhet se gur ishte një kullë e rrethuar e Prekazit Mijëra topa e gjyle krisën mbi të Nuk mundën ta çelnin Shpellën e Polifemit Guri i zhbiruar nuk ra
Tashmë jataganë ushtarësh ranë mbi Gurin e Koshares Shumë pëllëmbë prekën faqet e çunave Ende pa u rënë brisk Guri dritonte
Zanat me shtambën e gjirit ngarendën gur më gur Degëve të ahishtës derdhej dielli Mujo Guri i Koshares Cilin Omer mban/ KultPlus.com
Me kohën, së fundmi, kemi qenë në një marrdhënie intime. I kam marrë kajmakun e ndjeshmërisë! Tana herët, kam qenë e vetëdijshme që më ka përshku, qysh më ka përshku. Si këmbim, kohës i kam dhanë melankolinë teme, kujtimet e mia. Kam tentu këto të fundit me i këndu në poezi, po siç thoshte Shkreli, fjalët janë bë thnegla e prush, spo rrijnë në vargje.
E kam kundru kohën, herë buzagaz, herë e përlotun. Kam qajtë, kur vëllau im u bë babë i një çapkëneje kam qeshë, me shashtisjen e parukieres, kur e zbuloi që më kanë dalë tri thinja në kokë. E kam dëgju pa bëzajtje nanën, kur më ka tregu që kanë fillu me i dalë piklat e pleqnisë në duar. Në atë moment i jemi dorëzu bashkë një hullie mendimesh, iluzioneve, të të pasurit kohë. E kam kundru në qetësi edhe babën, fizikun e tij më të dobët, flokët dita-ditës më të rralluar. Jam hamendë nëse për çdo fije floku të Verës, mbesës sime, mua më zbardhet një, nanës tri, e babës i bijnë dy. Të qenurit tonë, duke liru vend për të qenurit tjetër!
Do ditë, jam përhumbë tërësisht në përllogaritjen e kohës. Jam kapë nëpër momentet e saj, si me qenë ato degë, sosh mjaft të brishta, sepse s’më mbanin, më hudhnin poshtë, me mohim. Shndrroheshin shpejtë, nga momente – në kujtime! E më kanë paralajmëru që me mbetë duke u kapë në kujtime di të jetë e rrezikshme. Nganjëherë, kam dro, mos humbas sensin e realitetit. Por ja, kështu, po e kaloj kohën, duke jetu manifestimet e saj, Nën iluzionet apo deluzionet e të pasurit kohë!/ KultPlus.com
Kthehu! Se spazmë e ditëve ka gremis trupin tem t’hajthëm tue t’kërkue mes shtrëngatave përnatë, e regtimë e zemrës psalm përnatje asht ba.
Kthehu! Njëjtës udhë ka je shkue përmbi secilën gjurmë ikanake mbolla jasemin, as n’dihatje s’e lash shpirtin gja tanden me harrue!
Kthehu! Kur malli mpiks mes andrrave e plages pjergullën e rëndueme t’rënkimit jargon puthjet zaptuese tue thellue n’asht sëmbimin.
Kthehu! Se kurrë s’pat forcë asgja e jemja me t’harrue! Skalitun t’ka me tan sekrecionin e trupit n’kurmin e hajthëm, n’forma hyjzish t’kam rue farfurinë e syve, pulitjen e çërpikëve mbërthye e kam me bulat e gishtave.
Kthehu! Hyn thellë mbrenda dashnisë tem që t’pret, nën harlisje t’tërbueme me u derdh n’aromën e lëkurës t’bardhë se oshtima e papërmasë e klithmës asht ba jehonë zhuritse e nepsit t’pashujtun.
Kthehu! Se zjarri që djeg mallshëm ka shndërrue mungimin e pamjes tande joshëse bashkë me feksjen e syve tue n’vegimin tem t’dhembshëm.
Kthehu, nën timbrin e këtij malli që po t’thërret!/ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se pas ndalesës në Shkup, ekspozita me dorëshkrimet e hierarkut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, u shfaq në një tjetër vatër të shqiptarisë, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
Në çeljen e kësaj ekspozite të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe Agjencinë Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut dhe njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 🇽🇰, Bislim Bislimi, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Znj. Blerina Rugova Gaxha, shkrimtarë dhe qytetarë të interesuar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bislimi theksoi rolin dhe angazhimin e Kadaresë në drejtim të pavarësisë së Kosovës. “Pak më shumë se 4 muaj prej ndarjes së tij nga jeta, prezantojmë dorëshkrimet e shkrimtarit më të madh të kombit, Ismail Kadaresë. Falenderojmë DPA-në që në kaq pak kohë arriti të kurojë një ekspozitë gjithëpërfshirëse të veprës së Kadaresë. Është rasti që të theksojmë se na la pas një arsenal veprash që flasin mbi identitetin tonë kombëtar, historik dhe kulturor. Ky shkrimtar ishte padyshim një nga mbrojtësit e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”, – tha Bislimi.
Në fjalën e tij, Bido u shpreh se nëpërmjet dorëshkrimeve të ekspozuara, depërtojmë në rrymën e nëndheshme të veprës Kadarenë, identitetin tonë kombëtar.
“Është nder dhe kënaqësi që në këtë vit, ndër shumë pëvjetore që kombi ynë ka, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave festoi 75-vjetorin e themelimit. Sërish një jubile me rëndësi, pasi në këtë arkiv frymon shqiptaria, e pakufizuar në kohë dhe në hapësirë, duke zotëruar më shumë dokumente para vitit 1945 mbi shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Çamërisë, më shumë se në arkivat përkatëse.
Një dhuratë për këtë 75-vjetor, ishte telefonata që mora nga mikesha dhe botuesje Alda Bardhyli, e cila më dha sihariqin se familja Kadare dëshironte të dhuronte dorëshkrimet e shkrimtarit në DPA. Më shumë se një akt bujarie, është një amanet i pashprehur nga Kadare, i cili donte që dorëshkrimet e tij të strehoheshin në vendin, ku shkroi dhe u rrit si letrar. Mbi 44 mijë faqe dorëshkrime, hapin një punë shumë të madhe për studiuesit e Kadaresë sepse përvijojnë fillin e krijimit të shkrimtarit të madh, deri në procesin e botimit. Kadareja do të mbahet mend pas 100 vjetësh, si një shkrimtar i madh, që ka si nënshtresë të veprës së tij identitetin shqiptar. Do mbahet mend ndikimi drejtpërdrejtë politik në elitat politike franceze të kohës, që vendosën të rreshtoheshin krah aleatëve të NATO-s në mbrojtje të shqiptarisë”, – përfundoi Bido.
Ndërsa, në fjalën e saj, Gaxha vlerësoi perspektivën që ekspozita ofron, duke i ftuar studiuesit për t’u njohur me varientet fillestare të veprave të Kadaresë. “Është shumë me rëndësi që ta mirëpresim sot ekspozitën mbi një prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Për të gjithë ne si lexues, kjo ekspozitë jep një perspektivë tjetër të veprës së Kadaresë, të një ane të dorëshkrimeve që sot është pothuaj në zhdukje. Shoh pjesë nga romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, romani i parë modern në letërisnë shqipe. Vepra ‘Frymëzime djaloshare’, që ka sjellë një frymë të re në poezinë shqiptare. Ndaj, kjo perspektivë mbi veprën e Kadaresë është e mirëseardhur dhe e rëndësishme, që të kemi një pasqyrë për t’iu kthyer Kadaresë edhe nëpërmjet shkrimit intim, versioneve të para të veprave të tij”, tha Gaxha.
Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë fragmente nga ditari për Luftën e Kosovës, “Ra ky mort e u pamë”, si edhe vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ekspozita “Dorëshkrimet e Kadaresë” e pati premierën më 14 nëntor 2024 në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë. Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshjeje me familjen Kadare./ KultPlus.com
Në kinema Millenium në Tiranë, ka nisur të shfaqet dokumentari serial “UDHA” – Një gjak, një gjuhë, një besë- me protagonistë Lorik Canën dhe Arbër Agalliun, që është shfaqur premierë për publikun mbrëmjen e kësaj të enjteje në kinema “Millenium” në Tiranë.
Dokumentari serial me regji të arbëreshit Alessandro Ferrantelli shoqëron publikun në zbulimin e Arbërisë siçiliane dhe kalabreze.
Rrugëtimi i Canës dhe Agalliut nis nga qyteza arbëreshe Hora e Arbëreshëvet (Piana degli albanesi) në provincën e Palermos për të mbërritur më pas në Kalabri, duke treguar jetën e përditshme dhe festat e komuniteteve arbëreshe në qytezat e Çiftit, Shëngjin Sofisë, Shëngjin Mitrit, Firmozës, Ungrës dhe Falkunarës.
“Nuk duhet parë si diçka e kaluar, është një realitet që është pjesë e përgjithshme e kombit tonë. Jemi me fat që i kemi në anën tjetër Adriatikut. Nuk janë pak. Kanë shërbyer në momente të rëndësishme të historisë sonë. Ne shqiptarët nuk kemi vetëm arbëreshët në Itali prej 550 vjetësh. Çdo shqiptar që ka ikur në emigracion këto 20-30 vitet e fundit është një arbëresh.”, – shprehet Lorik Cana, i cili është njëkohësisht edhe producent i filmit së bashku me Arbër Agalliun.
“Kemi sjellë një copëz të Arbërisë në Tiranë. Është një punë jo e lehtë të ndjekësh komunitetet arbëreshe. Ju e dini që arbëreshët vetë quhen “Gjaku ynë i shprishur”. Ata gjenden në më shumë se në 50 bashki të italisë juglindore mund të themi. Ne kemi arritur të bëjmë një tur të shpejtë. Nuk kemi arritur të prekim gjithë qytezat arbëreshe. Është thuajse e pamundur. Por kemi patur fatin që jo vetëm të njohim dhe të jetojmë përditshmërinë e arbëreshëve. Kemi patur fatin të flasim gjuhën arbëreshe, ia kemi mësuar dhe Lorikut. Këtë e kemi bërë edhe falë stafit dhe regjisorit të dokumentarit, një figurë arbëreshe.”, – thotë Agalliu.
Komunikimet në dokumentar janë në shqipen e arbëreshëve, duke u dhënë zë pa dallim dhe ka si synim mbi të gjitha njohjen e publikut me atë gjuhë, të cilën vëllezërit tanë të përtej detit kanë përcjellë deri ditët e sotme prej epokës së Gjergj Kastriotit.
“Ka shumë punë pas një dokumentari, por krijon një emocion shumë të bukur. Tregoj një shërbesë. Mendoj se sot kjo është puna jonë, por nesër unë do të nxis gjithë njerëzit që janë këtu të shkojnë në katundet arbëreshe. Ne do të bëjmë këtë lidhje me ju.”, – shprehet në arbërisht regjisori Alessandro Ferrantelli.
Një kontribut thelbësor për veprën dha edhe Instituti Italian i Kulturës.
“Prezenca e komunitetit arbëresh në Itali është prej qindra vitesh dhe është thelbësore dhe dëshmon afrinë mes dy vendeve. Por është edhe dëshmi mjaft e rëndësishme e diçkaje që shohim pak, e faktit që Italia në realitet është një vend plural që ka gjuhë të ndryshme, tradita dhe kultura të ndryshme, që janë përzier për të krijuar kulturën italiane. Këtu ka kontributin e vet edhe komuniteti arbëresh. Vlera e komunitetit shqiptar në Itali nuk është thjesht në mirëmbajtjen e traditave, por edhe në kapacitetin për të kontribuar në ndërtimin e historisë italiane në përgjithësi.”, – thotë Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri.
Shfaqja e dokumentarit- prodhim i Fondacionit “Lorik Cana 5” u ndoq nga një bashkëbisedim mbi temën e ruajtjes së traditave arbëreshe në Itali. /shqiptarja.com/ KultPlus.com
Dhimbja, vuajtja, frika, shpresa e çdo detaj tjetër nga lufta e fundit në Kosovë, përjetohet e rikthehet furishëm tek lexuesi, përmes librit ‘Një lutje për Prishtinën’.
Rezistenca për mbijetesë, shpresa për jetë, por shpeshherë edhe frika për mosekzistencë, përfshijnë ato kolumnat nëpër të cilat shkruhet libri.
I ndjeri Xhemail Mustafa, atëherë i njohur si gazetar, politikan, publicist por edhe si këshilltar politik i presidentit Ibrahim Rugova, la një dokument të rëndësishëm pas vetës, duke paraqitur vërtetuesin më të mirë të luftës në Kosovë.
Nuk pati nevojë për të thënë fjalë me gojë, pasi ato zhduken e struken nën dhe, por la shkrime në letër, të cilat ashtu siç nguliten njëherë, mbesin aty përherë.
‘Një lutje për Prishtinën’ është pagëzuar i tillë, për dy arsye kryesore. E para, për shkak se çdo shqiptar që ka përjetuar tmerrin e luftës, është lutur për familjarët, të afërmit, e fatin e gjithë Kosovës. Është lutur për atë copë fryme të vendit të saj, e rigjallërimin e asaj toke që po digjej nga lufta.
I dyti shkak i vënies së një titulli të tillë, vinte si arsye e përkujtimit të autorit ndaj hoxhës plak me Kur’an në dorë, dhe një personazhi tjetër të librit që ngushëllonte vajzën e tij me citatet e ‘Biblës’. Dy njerëz me pikëpamje të ndryshme drejt një qëllimi të njëjtë, ‘lutjes’ për jetë.
Ashtu siç çdo bashkëjetues i kësaj toke, edhe autori, Mustafa, përmes librit ‘Lutje për Prishtinën’ tregon se si qindra herë ishte lutur për fatin e të gjithëve, atyre që i njihte dhe atyre që nuk i’a kishte haberin se kush ishin. Pra, me atë lutjen që e bënte, i përfshinte të gjithë.
Gjatë luftës, Xhemail Mustafa, nuk kishte gjetur si zgjidhje ikjen, por kishte vendosur të qëndrojë brenda tokës së Kosovës, pa marrë parasysh pasojat.
Brenda vetëm dy muajve kishte ndërruar dy-tri apartamente në kuartin ‘Dardania të Kosovës’, se situata e kërkonte një gjë të tillë. Nga ai nuk u shkoqitën as familja e tij, ku pas vetes mbante gjithnjë gruan dhe djalin.
Në imtësinë më të vogël përshkruan çdo detaj të 78 ditëve të kaluara në ferr. Përshkruan shkatërrimet e serbëve që shkaktuan në Prishtinë, rrahjet brutale të shqiptarëve, krizën për një copë bukë, strukjen e djalit të tij, Besianit, që në atë kohë ishte veçse fëmijë, e deri tek rikthimi i këtij tmerri, në fat të mirë, me ardhjen e NATO-s.
Frika dhe gëzimi shpeshherë bëheshin bashkë, e këtë më së miri e përshkruan edhe ardhja e NATO-s në Kosovë. Në njërën anë gëzoheshin se tmerrit po i vinte fundi, e në anën tjetër i frikësoheshin egërsisë së okupatorit serb.
“Askush nuk e fshihte gëzimin që Aleanca do të sulmonte nga ajri forcat kriminale serbe dhe do të kryente ndaj tyre hakmarrjen e madhe për gjithë ato krime që serbët tashmë po bënin kundër shqiptarëve dhe pasurisë së tyre, si dhe do t’i detyronte ata që të tërhiqen njëherë e përgjithmonë nga Kosova.
Por, ndjenja e pritjes dhe e gëzimit, ky koktej emocionesh disi të ndrydhura, shoqërohej nga droja se mos regjimi serb pikërisht këto sulme nga ajri do t’i merrte si pretekst për ti qëlluar pa asnjë mëshirë shqiptarët në tokë, për të bërë krime monstruoze mbi ta dhe për ta spastruar etnikisht Kosovën”, thotë Mustafa në librin e tij.
Frika prej hakmarrjes serbe kishte bërë që shumë shqiptarë të gjenin vend jashtë Kosovës, përpara se të nisnin sulmet kundër forcave serbe.
Por, pavarësisht pasojave që mund të kishin dhe shkatërrimet që mund të ndodhnin, Mustafa, nuk ndërmori asnjë hap për të ikur, por qëndroi me ngulm në tokën që tashmë po lahej në gjak.
“Tek po ngjitesha shkallëve të pallatit ku po banoja, në pjesën qendrore të lagjes ‘Dardania’, pashë njërin nga fqinjët, që bashkë me fëmijët po zbriste me nguti e me një nervozë, shkallëve teposhtë. Po shkojnë, i thashë vetës, kurse për të satën herë gjatë ditës një zë i rëndë vinte nga brenda dhe përpiqej ti bënte sfidë zbrazjes me rrëmujë të Kosovës.
Duhet të qëndrojmë, i thashë vetës, pa qenë i sigurtë se do t’ia dalim t’i shpëtojmë thikës serbe. Nëse e lëshojmë Kosovën- kjo do të jetë fitorja më e madhe dhe përfundimtare e serbëve, po e ribindja vetën”.
Këto janë disa fragmente nga libri i Mustafës, me anë të së cilës tregohet fuqia e Mustafës, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë, që as vdekja nuk i ndalte ta lëshonin vendin.
Një përshkrim i tillë përbën të tërë librin, një forcë e kurajo e njerëzve për të ardhmen, që ‘shpresonin’ që një ditë do i sjellte koha.
Besianin, djalin e tij, e përmend shumë në libër, duke e përshkruar si një tip të mbyllur, që nuk fliste shumë e që me kohën veç sa po strukej edhe më thellësisht. Besiani, si çdo fëmijë tjetër që ka përjetuar tmerret e luftës, nuk ka pasur gjasa të jetë si fëmijët e sotëm, me lëvizshmërinë më të madhe e me harenë madhështore në fytyrat e vockla, pasi që realiteti atyre ua mohonte një gjë të tillë.
Autori Xhemail Mustafa, nisi të shkruajë librin e tij, si një ditar, duke e pasqyruar çdo ditë që kalonte, pa e ditur nëse një ditë do të mund ta përfundonte atë. Pasi jeta e tij si e shumë të tjerëve matej në të qindtat e sekondit, se dije se kur dhe sa do të kishe mundësinë të qëndroje gjallë, përballë plumbave serb.
Megjithatë, luftës arriti ti bënte ballë e më në fund shkrimin e 385 faqeve e finalizoi me hyrjen e Aleancave të NATO-s në Kosovë.
“Tek po i ngjisja shkallët më dukej se po zbrisja poshtë një errësire që po bëhej përherë e më e panjohur. Sikur po udhëtoja nëpër errësirë, kurse, në fakt, ishin po këto shkallë, të cilat sot po i kaloja me shumë qejf dhe me një disponim që nuk jam i sigurtë nëse mund ta përshkruaj dhe ta definoj. Shkallët po i ngjitja pa e hetuar se tashmë isha përballë derës së apartamentit, ndërsa, njerëzit që takova me një përzemërsi, të cilën nuk e kisha provuar ndonjëherë. Njësoj si me ata që njiheshim, si me ata që po shiheshim për herë të parë, po përshëndeteshim me një përzemërsi, e cila ngadalë dhe më gjasë padashje po shndërrohej në ritual”
“Emocionet e çlirimit të lirisë po i vëreja tek të gjithë që po i shihja dhe po i takoja.”- janë fjalët përmbyllëse të librit.
Përmbyllja e librit pasoi edhe me përmbylljen e një kapitulli të errët të historisë së Kosovës, e cila më në fund po përcillej me lumturinë më të madhe në çdo fytyrë të kosovarëve. /KultPlus.com
Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Në këtë mbrëmje fituese u shpall autorja Kaltrinë Uka me poezinë e saj “Nën timbrin e këtij malli”, shkruan KultPlus.
Përgjatë ceremonisë së mbajtur mbrëmë, janë shpallur dhjetë finaliste gra, poezitë e të cilave do të publikohen kohë pas kohe në gazetën KultPlus.
Po ashtu, diçka e veçantë që ndodhi mbrëmë ishte mirënjohja e ndarë për drejtoreshën e gazetës online për kulturë dhe art, KultPlus, Ardianë Pajaziti, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
Mirënjohja u nda nga kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, Entela Kasi dhe bashkë-themeluesit të PEN-it, Sadik Bejko, të cilët ia dhuruan përgjatë mbrëmjes së konkursit poetik KultStrofa.
“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, ka thënë Kasi.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka falënderuar të dy kyetarët e PEN-it të Shqipërisë për këtë mirënjohje kaq të veçantë e që jo rrallëherë ndodh në konkurse të tilla poetike./ KultPlus.com
Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery ai që sundoi vendin ishte Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Poezia, kjo hyjneshë ndër vite, na nderoi mbrëmë me prezencën e saj të plotë, teksa emocionet sa vinin e rriteshin për konkurrentët e njashtu edhe për pjesëmarrësit. Mbretëria e fjalëve të thurura nëpërmjet poezive diversive ka mbizotëruar vendin nga cepi në cep, për të krijuar kështu një mbrëmje plot magji e shkëlqim që jo shumë lehtë harrohet dot, shkruan KultPlus.
Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, andaj në natën finale të edicionit të shtatë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia, Zvicra e gjer nga SHBA.
Qe rënia e borës ajo që na zuri në befasi të gjithëve, e që bëri që të pranishmit të vinin ngadalë por në numër të lartë. Shkrimtarë, artdashës, poetë e gazetarë, mbushën vendin për të përcjellë nga afër gërshetimin e letërsisë, kulturës e artit. Ambienti në KultPlus Caffe Gallery ishte tejet i ngrohtë. Karrige në çdo hapësirë, dritat e stolisura në dritare që e bënin akoma më festive këtë mbrëmje, si dhe shoqëruesi ynë kryesor; bora që binte me një ritëm të shpejtë por tejet të bukur. Shkëndija të veçanta shiheshin në sytë e gjithsecilit, e kjo vlen të theksohet se përjetohet enkas për poezitë e brishta.
Mbrëmë, atmosfera poetike ra mbi të pranishmit si një fener në errësirë dhe mori përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus.
Fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja dhe aktorja Vlora Merovci e cila edhe bëri me dije se ne këtë edicion të “KultStrofës” kanë aplikuar mbi 180 poezi.
“Të nderuar poetë në të gjitha anët që keni aplikuar në konkursin e poezisë në nivel mbarëkombëtar KultStrofa, zonja e zotërinj, faleminderit për prezencën e juaj në KultPlus. Edicioni i shtatë na ka tubuar edhe sonte, pra është një konkurs që vazhdon të mbetet një prej konkurseve më me emocion”, thotë ajo.
Sipas saj, poetët nga e gjithë bota kanë aplikuar dhe janë mbi 180 poezi nga vendet e rajonit, Evropës dhe ShBA.
“Tash e shtatë vite, konkursi organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus dhe këtë vit mbështetet nga MKRS, Hotel Nartel dhe Ujë Rugove”, thotë ajo.
Para se të niste i gjithë ky organizim, aktorja Merovci po ashtu interpretoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, “Dhimbja është turpëruese” të Rudina Çupit.
Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë që janë përzgjedhur sipas shijes së hollë të jurisë. Ajo po ashtu bëri të ditur se në edicionin e dhjetë të konkursit KultStrofa, pritet të publikohet libri me njëqind poezitë e edicioneve paraprake.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në ceremoninë e edicionit të shtatë të KultStrofa. Sikurse e potencoi edhe Vlora, ky konkurs është mbështetë nga MKRS dhe ne jemi shumë të nderuar që po vazhdon tradita e këtij konkursi ku çdo vit jemi duke i nxjerr dhjetë finalistë dhe me këtë vit po e shënojmë shtatëdhjetë poezi që janë nxjerr nga çdo edicion. Ne po synojmë që të vazhdojmë me edicione të pafundme, por kur të organizohet edicioni i dhjetë, njëqind poezitë e edicioneve të konkursit do të dalin në formatin e një libri. Mezi prita ta ndaj këtë lajm me ju”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, ajo së bashku me stafin e KultPlus, janë të nderuar që çdo vit kanë pasur një juri prestigjioze dhe shijet e tyre e kanë obliguar Pajazitin që ta publikoj një format të librit siç e përmendi më herët.
“Unë e shfrytëzoj rastin me e falënderu jurinë profesionale që janë të pranishëm me ne sonte dhe që e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Në këtë edicion kanë ardhur mbi 180 poezi, dhe ato që kanë ardhur jashtë afatit, na vjen keq mirëpo nuk janë përfshirë për arsye se dëshirojmë ta mësojmë audiencën që afati është afat dhe ora është orë. Nga fillimi kemi punuar në këtë drejtim dhe kështu do të vazhdojmë tutje. E përshëndes kryetaren e jurisë, Entela Kasi e cila na ka nderuar shumë me marrjen e kësaj përgjegjësie për përzgjedhjen e dhjetë finalistëve, njëherit është edhe kryetare e PEN-it të Shqipërisë. E falënderoj Lulzim Tafën, një poet mjaft i njohur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës, që na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe natyrisht e falënderoj Vlora Konushevcin, e cila natyrisht sa herë që poston poezi, e ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe ka merita të plota për prurjet e këtyre dhjetë poezive në këtë edicion”, përfundon Pajaziti.
Ajo tutje i falënderoi edhe anëtarët e jurive të kaluara që kishin ardhur në këtë mbrëmje si shkrimtarët: Agim Vinca, Sali Bashota e Arbër Selmani, por njëkohësisht e falënderoi për prezencën edhe shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Sadik Bejko.
Qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje ishte prezenca e këngëtarit Endrit Krasniqi, njëkohësisht fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, i cili përveç këngës tashmë të njohur “Flas me gjethen”, ka interpretuar këngët e veta personale, e që u shpalosën si një ëndërr brenda ëndrrës. Ndërsa, si një gjethe vjeshte që bie lehtësisht, ishte zëri i këngëtares së re, Anna Krasniqi e cila interpretoi këngën “Stay”. Timbri i saj vinte në veshët e të pranishmëve si një melodi e papërsëritshme, teksa kënga e merrte atë me vete dhe e dërgonte në piedestalin e artit, aty ku ngrihen zërat dhe gjendet e vërteta.
Tutje, kryetarja e jurisë së këtij konkursi, Entela Kasi, kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, e konsideroi punën e KultPlus një punë që duhet të duartrokitet e vlerësohet.
“Ju përshëndes të gjithëve. Në fakt, për mua personalisht mbetet privilegj, nder dhe detyrë që të jemi në këtë anë të Prishtinës, kudo ku janë hapësirat tona. E kam pritur me shumë kënaqësi ftesën e Ardianës, për të qenë në KultPlus e në KultStrofa, për këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të një konkursi i cili do të ketë rrugën e gjatë. Letërsia në fakt është art magjik, sublim dhe poezia është tepër e thellë e tepër shpirtërore. Në historinë e botës, dikur poezia këndohej dhe rrëfehej, por tash ne jemi në këtë kohë moderne dhe pavarësisht ndryshimeve, ajo asnjëherë nuk e humb peshën e saj”, thotë ajo.
Sipas saj, juria pati fatin që të jenë pjesë e edicionit të shtatë të KultStrofa, dhe ajo që është më e bukura për të ka qenë që mendimet e tyre janë përputhur tejet shumë, të menduara në mënyrë të njëjtë, asnjëherë duke mos i ditur emrat e askujt sepse është ruajtur anonimiteti.
Ajo tutje bëri të ditur se është ndarë një certifikatë për drejtoreshën e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, shpalos Kasi.
Mirënjohja iu dha drejtoreshës Pajaziti nga profesori dhe bashkë-themeluesi i PEN-it të Shqipërisë, Sadik Bejko.
Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i shtatë i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here erdhi me një frymë tejet unike. Vendi gumëzhinte nga heshtja për secilën poezi të interpretuar, teksa poetët u mblodhën për të shkëlqyer në skenë. Në fytyrat e tyre rrinte një çudi që ishin zgjedhë pjesë e dhjetëshes finaliste. Ata me secilën poezi kanë hapur zemrat e tyre para botës, teksa secili varg që buronte nga ta, vinte me një brishtësi të rrallë. Me duar që dridhen, ton të qëndrueshëm, fryma e tyre erdhi krejt këndshëm. Poezi pas poezisë, ato u shpalosën si petalet e lules e sikurse dielli në perëndim. Kështu, mbrëmja u vulos me strofa që shpërthyen valë-valë e që dëshmuan se poezia ka kurorën mbi të gjitha zhanret e tjera.
Para të pranishmëve, më në fund u shpalosën poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Leonora Lokaj, Nagjije Kastrati, Vlora Kozhani-Tolaj, Valmira Rashiti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Ardiana Thaci-Mehmeti, Alketë Spahiu, Kaltrinë Uka, ishin poetet finaliste të edicionit të shtatë të “KultStrofa”. Është hera e parë që dhjetësha finaliste përmban vetëm gra, dhe kjo është diçka shumë e veçantë dhe rastësore. Njëra pas tjetrës, ato interpretuan poezitë e tyre, ndonëse emocionet ishin të pranishme. Teksa nata po merrte formën më të mirë, fjalët e poeteve e ndriçuan hapësirën ëmbëlsisht.
Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Nën timbrin e këtij malli”, “Qysh me e kornizu kohën”, “Guri i koshares”, “Të ringjallem nga hiri”, “Kripë e mjaltë”, “Diplomaci”, “Dashnia jem s’asht e kësaj bote”, “Harrimi është amorf”, “A m’vjen vera kah dera” dhe “Si m’shikon ashtu?!”.
Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poeteve: Vlora Kozhani-Tolaj, Leonora Lokaj, Ardiana Thaci-Mehmeti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Alketë Spahiu.
Nagjije Kastrati u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me poezinë “Guri i koshares”, ndërsa Valmira Rashiti u radhit e dyta me poezinë “Qysh me e kornizu kohën”.
Autorja Kaltrinë Uka, fitoi vendin e parë në edicionin e shtatë të këtij konkursi me poezinë “Nën timbrin e këtij malli”, e cila pas marrjes së trofeut, u ndje shumë e emocionuar dhe nuk i dilte pothuajse asnjë fjalë, por gjë e mirë është që poezia e saj ka thënë shumë. Ajo potencoi se të gjitha poezitë e tjera e inspiruan dhe i dhanë një motiv shtesë për të shkruar.
Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast, gotat e verës duke kërcitur si muzikë, meloditë e ëmbla shqipe që u derdhën mbi atmosferë pas gjithë kësaj mbrëmjeje plot emocione. Buzëqeshjet e plasaritura në fytyrat e secilit kanë shënuar fundin e kësaj nate të paharrueshme.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.
Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hotel Nartel, Ujë Rugove. / KultPlus.com