Dëgjomë siç dëgjohet shiu

Poezi nga Oktavio Paz

Dëgjomë siç dëgjohet shiu
as vëmendshëm as shkujdesur,
hapa të lehtë, rigon,
uji që është ajër, ajri që është kohë,
dita që s’ka të perënduar,
nata që ende s’troket,
shëmbëllesa të mjegullës,
me të marrë kthesën,
shëmbëllesa të kohës,
në hark të kësaj prehjeje,
dëgjomë siç dëgjohet shiu,
pa dëgjuar, mbaj vesh ç’them,
duke fjetur por me të pesë shqisat zgjuar,
me sytë hapur thellë brenda teje,
bie shi, hapa të lehtë, shushurimë rrokjesh,
ajri dhe uji, fjalë që s’rënden:

ajo që ishim dhe jemi,
ditët dhe vitet, ky çast,
kohë e pavlerë, pikëllim i pamatë,
dëgjomë siç dëgjohet shiu,
llamburin asfalti i lagësht,
avulli ngjitet lart, arratinë merr,
nata shpaloset dhe më kundron,
je ti dhe trupi yt i avullt,
ti dhe shëmbëlltyra jote e natës,
ti dhe flokët e tu, rrufe e ngadaltë,
rrugën përshkon dhe në ballë më vërshon,
hapa të njomë mbi qepallat e mia,

dëgjomë siç dëgjohet shiu,
llamburin asfalti, ti rrugën përshkon,
është mjegulla endacake nëpër natë,
është nata e përgjumur në shtratin tend,
është fëshfërima e hukamës tënde,
gishtat e tu të lagësht njomin ballin tim,
gishtat e tu të zjarrtë djegin sytë e mi,
gishtërinjtë e tu të ajërt hapin qepallat e kohës,
burim vizionesh e ringjalljesh,
dëgjomë siç dëgjohet shiu,
vitet ikin, çastet kthehen,

a i dëgjon hapat e tu në dhomën ngjitur?
jo këtu as atje: i dëgjon,
në një kohë tjetër që e tashmja është,
dëgjo hapat e kohës,
trillues hapësirash pa vlerë të askundit,
dëgjo shiun që rrjedh mbi tarracë
tash nata më pus është nën korije,
mes gjethesh rrufeja ka gjetur strehë,
kopsht i mugët që rravgon,
– hyr, hija jote mërtis këtë faqe. / KultPlus.com

Fier, nis në ‘Bylis’ Festivali i Aktrimit Apollon, 30 artistë ngjiten në skenë në edicionin e 15-të

Sonte në mbrëmje në Teatrin “Bylis” në Fier, ka startuar Festivali i Aktrimit Apollon, i cili është në edicionin e 15-të të tij.

Në vigjilie të kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për Fierin, ku për 8 ditë e 7 net, arti skenik do të flasë nëpërmjet emrave më të spikatur të teatrit Kombëtar, kryebashkiaku Armando Subashi në konferencën për shtyp, ka pohuar se Festivali i Aktrimit Apollon, është finalizim i projektit “Për Teatrin” i nisur që në muajin shkurt dhe që përfundon në fund të Nëntorit ku përmes një thirrje publike, iu bë ftesë produksioneve më të mira teatrore në vend të cilat u përzgjodhën nga një juri prestigjoze.

Në këtë festival vijnë 5 shfaqje rivënie të teatrove të Durrësit, Tiranës, Prishtinës, teatro private dhe dy premiera, produksione të teatrit “ Bylis” ndërkohë për 7 net në skenë do të interpretojnë 30 artistë, si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Gaz Paja etj. Po sipas kryebashkiakut, ky festival i dedikohet aktorit dhe për këtë vit janë shtuar edhe çmimet, ndërsa risi do të jenë çmimet” In Memorium” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës.

Teatri “Bylis” vjen në këtë festival me dy produksione, një shfaqje rivënie “ Pacienti i Doktor Froid” dhe premierë “ Klinika në breg të detit”.
Ndërkohë për Subashin sfidë mbetet gjetja e aktorëve të rinj, mungesa e të cilëve, po pengon rikthimin në identitet të trupës së teatrit
“Bylis”./balkanweb/ KultPlus.com

Maximilian Lambertz, austriaku që studioi Këngët e Kreshnikëve

Gati gjysmë shekulli më parë, më 26 gusht 1963, mbylli sytë përgjithmonë një nga albanologët e famshëm austriakë, Maximilian Lambertzi. Por emri i tij lidhet dhe me kujtesën historike të shqiptarëve, pasi Lambertzi, dha një kontribut të madh në studimet e hershme të gjuhës shqipe.

Në 54 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, profesoreshë Mimoza Kore, shprehet se, “Maximilian Lambertzi, ishte specializuar në gjuhësinë e krahasuar indoeuropiane të Paul Kretschmer-i, një nga indoeuropianistët më në zë të kohës, dhe në filologji të lashtë (Altphilologie) te profesorët e njohur E. Hauler dhe L. von Schröder. Megjithatë njohja me shqiptarët, qysh në kontaktet me arbëreshët dhe më vonë ardhja në Shqipëri më 1916, në një ekspeditë të organizuar nga Komisioni Ballkanik i Akademisë së Shkencave të Austrisë, bëri që studimi i gjuhës shqipe, t’i kthehej në pasion shkencor deri në fund të jetës”.

Sipas saj “Lambertz-i e filloi studimin e gjuhës shqipe fillimisht si dialektolog dhe e zgjeroi më tej si studiues i gramatikës (diakronike dhe sinkronike), sintaksës së gjuhës shqipe, si folklorist, studiues i historisë së letërsisë dhe etnolog”. “Ky hulumtim i gjerë bëri që ai të hynte thellë në mendimin dhe trashëgiminë gojore e letrare të shqiptarëve, ta vështronte kulturën shqiptare si një tërësi, si një trashëgimi të vyer e organike në të gjitha trojet e ngulimet e mëdha ku jetonin shqiptarë”, thotë Kore. Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj. Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi në Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa). Që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri kur mbylli sytë, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës, etj. Sipas Astrit Lulushit nga maji në qershor 1916, Lamberc shkoi në Shqipërinë veriore dhe qendrore duke regjistruar për herë të parë mbi baza shkencore gjuhën dhe folklorin shqiptar.

Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Luginën Kir, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe sidomos Mirditën. Në dhjetor 1916 ai u kthye në Shqipëri, këtë herë me trupat perandorake austriake që kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe qendrore në kuadër të Luftës Botërore. Ai ishte ngarkuar për krijimin e sistemit arsimor shqiptar dhe ishte anëtari i vetëm i huaj i Komisisë Letrare Shqipe që autoritetet austriake kishin formuar per krijimin e një sistemi shkollor të njësuar për mbarë Shqipërinë. Në Shkodër, Lamberc ishte me Gjergj Fishtën botues i gazetës Posta e Shypnisë në të cilën botoi edhe disa studime të vetat. Pas Luftes I Boterore Lambertz u kthye në Austri, dhe shkroi disa libra dhe artikuj mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht folklorit. Fundi i Luftës II botërore e gjeti Lambercin në Gjermaninë Lindore nën kontrollin sovjetik. Në qershor të vitit 1945, ai u emërua drejtor i shkollës së gjuhëve të huaja në Lajpcig dhe në tetor 1946, bëhet profesor i Gjuhësisë Krahasuese. Deri sa doli në pension, më 1957, Maksimilian Lambertz drejtoi edhe Institutin e gjuhëve indo – evropiane. M. Lambertz-i e nisi studimin e shqipes si dialektolog, duke mbledhur materiale gjuhësore në terren më 1913–1914 gjatë një udhëtim studimor në Itali. Qëndroi katër muaj në fshatrat arbëreshe Munxhufun (Montecilfone), Këmarin (Campomarino), Portkanun (Portocannone) e Ruri (Ururi) të provincës së Kampobasos (krahina e Molizes) dhe në fshatrat Qefti (Chieuti) e Kazallveq (Casalvecchio di Puglia) të provincë së Foxhas (krahina e Puljes).

Aty regjistroi një lëndë të pasur dialektologjike e folklorike. Fryt i parë i kësaj pune është skica e tij “Albanische Mundarten in Italien”, e shoqëruar me një hartë që tregon shpërndarjen e ngulimeve arbëreshe. Në këtë skicë sintetike të bie në sy puna e thelluar që ka bërë M. Lamberci për të njohur dhe përdorur gjithë botimet e Arbëreshëve dhe për Arbëreshët. Ai bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së formimit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, tregon me hollësi ç’ishte bërë deri atëherë për mbledhjen dhe studimin të folmeve të tyre dhe thekson rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve për historinë e gjuhës shqipe, sepse ato paraqesin mbeturinën e fundit të shqipes mesjetare.

Nga studimi i këtyre të folmeve ai arrin në përfundimin se djepi i Arbëreshëve të Molizes ka qenë Shqipëria e Mesme dhe e Jugut dhe se ata, të ardhur prej krahinash të ndryshme, formuan aty gjatë shumë brezave një ligjërim të ri të përbashkët, prandaj të folmet e fshatrave arbëreshe janë mjaft të ngjashme. Kjo tezë është rimarrë edhe më pas për të folmet e ngulimeve arbëreshe në vise të tjera të Italisë. Duke gjykuar nga këto të folme, M. Lambertz-i shpreh këtu mendimin se disa tipare dialektore të shqipes (veçanërisht fazat e ndryshme të zhvillimit të diftongjeve) nuk kanë pasur në Mesjetë shtrirjen e tyre të sotme, d.m.th. kufijtë e disa dukurive dialektore të shqipes kanë lëvizur në shekujt pas Skënderbeut. Pas botimit të kësaj skice, M. Lambertz-i iu rikthye materialeve të mbledhura dhe hartoi një monografi të gjerë “Italoalbanische Dialektstudien.

Die albanische Mundarten in den italienischen Provinz Campobasso und Foggia (Molise)”, që u botua në vitet 1923–1925. Në këtë punim autori trajton me hollësi veçoritë fonetike të të folmeve arbëreshe të Molizes, u kushton kujdes të veçantë veçorive fonetike, sidomos ndërrimeve të zanoreve e diftongjeve, duke dalluar dukuritë e trashëguara nga atdheu mëmë nga ato që janë përftuar në atdheun e ri si zhvillim i brendshëm a si ndikim i mjedisit dialektor italian. Në pjesën për morfologjinë trajtohen kryesisht format e sistemit emëror e foljor. Krahas përshkrimit të saktë të tyre, autori ka bërë edhe një varg vërejtjesh me karakter historik (për mënyrën lidhore, për format e së pakryerës etj.). Në pjesën e sintaksës ka vëzhgime për përdorimin e kategorive gramatikore si dhe për disa tipa fjalish, si fjalia qëllimore, kushtore, lejore, pyetëse dëftore e urdhërore. Pjesa e tretë e punimit përmban tekste popullore të mbledhura drejt nga goja e popullit, ndërsa pjesa e katërt një glosar të pasur, ku M. Lambertz-i nuk kufizohet të japë vetëm kuptimet e fjalëve në ato të folme, por bën edhe një varg krahasimesh me të folmet e tjera arbëreshe, me fjalorët e shqipes të botuar deri në atë kohë, jep mendime për etimologjinë e një vargu fjalësh dhe për zhvillimet fonetike e morfologjike të tyre.

Pas shumë vjetësh M. Lambertz-i u kthye edhe një herë te studimi i të folmeve arbëreshe në punimin për Jul Varibobën dhe veprën e tij. Nga ana gjuhësore ka rëndësi të veçantë fjalori i këtij autori arbëresh me shënimet e shpjegimet e shumta për kuptimet e përdorimet e fjalëve, me të cilat e ka pajisur M. Lambertz-i. Ashtu si edhe në raste të tjera, bien në sy njohuritë e thella që ka ai edhe për gjuhën e autorëve arbëreshë. M. Lambertz-i pati treguar interes të veçantë për dialektet e folura në Shqipëri që para Luftës I Botërore. Ai kishte filluar atëherë të mblidhte materiale për të folmen e Mirditës nga një Mirditas që banonte në Vjenë. Në maj–gusht 1916 u dërguan Shqipëri për një hulumtim shkencor nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Vjenë. Fryt i parë i hulumtimeve të tij nëpër atë pjesë të Shqipërisë që administrohej nga trupat austrohungareze, qe parashtresa “Vorläufiger Bericht des Dr. Max Lambertz über seine linguistische Studien in Albanien von Mitte Mai bis Ende August 1916”. Në këtë kumtim për herë të parë bëhet një ndarje shkencore e trevës së gegërishtes në krahina dialektore, duke treguar se si kalohet shkallë-shkallë nga një e folme te tjetra. Ai dallon grupin e të folmeve të Kosovës (ku përfshin edhe të folmen e Gjakovës) nga të folmet e Malësisë së Madhe; në jugperëndim të tyre dallon të folmen e qytetit të Shkodrës me rrethina; një grup më vete përbëjnë me trajtat e tyre fonetike të folmet e Mirditës, Kthellës, Lurës dhe Matit, ndërsa më në jug dallon grupin e të folmeve të Krujës, të qytetit të Tiranës e të Malësisë së Tiranës.

Këto të folme e grupe të folmesh përkojnë pak a shumë edhe me ndarjen etnografike të trevës gege. Temës së ndarjes dialektore të shqipes M. Lambertz-i i është rikthyer disa herë në artikujt dhe punimet e veta. Përfundimisht dialektin gegë e ndan në katër grupe të folmesh: gegërishtja veriore (d.m.th. veriperëndimore), gegërishtja verilindore, gegërishtja e mesme dhe gegërishtja jugore, duke dhënë një paraqitje të saktë të shtrirjes së të folmeve shqipe deri në kufijtë më veriorë e lindorë të tyre. Në dialektin toskë, duke zbritur nga veriu në jug, dallon dialektin e Manastirit e të Pogradecit, të Korçës, të Kolonjës, të Myzeqesë, të Beratit, të Mallakastrës, të Kurveleshit, të Himarës, të Tepelenës, të Gjirokastrës, të Zagorisë e të Çamërisë. Edhe të folmet e Arbëreshëve të Italisë e të Greqisë i përfshin në toskërishte. Bigëzimin dialektor të shqipes, d.m.th. ndarjen në dy kryedialekte: gegërishte në Veri e toskërishte në Jug, M. Lambertz-i e sheh të kushtëzuar historikisht nga tri arsye kryesore: a) orientimi kishtar i ndryshëm i Veriut e i Jugut (i pari i lidhur me katolicizmin, i dyti me ortodoksinë), b) fatet jo të njëjta historike të këtyre trevave (Veriu dhe Shqipëria e Mesme ka shkuar më shumë me shtetet fqinje serbe e bullgare, ndërsa Jugu sidomos që prej themelimit të Despotatit të Epirit në shek. XII, ka shkuar me Bizantin dhe Greqinë, ndërsa me pushtimin osman në shek. XV feudalët shqiptarë të Jugut morën fenë islame dhe zunë poste të larta në administratën e Perandorisë), c) organizimi i ndryshëm shoqëror (rendi fisnor në Veri, sistemi feudal në Jug) dhe niveli i ndryshëm kulturor i tyre.

Këto rrethana, sipas tij, kanë ndihmuar në krijimin dhe veçimin e dy grupeve të mëdha dialektore në të majtë e në të djathtë të Shkumbinit, por dallimet ndërmjet tyre, – thekson ai, – nuk janë aspak aq të thella sa ç’është pohuar disa herë, për arsye joshkencore, nga pala e joalbanofilëve. Duke e shprehur këtë në mënyrë të figurshme, M. Lambertz-i pohon se ndërtimi i dy grupeve dialektore (gegërisht e toskërisht) nga pikëpamja fonetike, morfologjike e sintaksore është kaq homogjen, sa në të vërtetë vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme; dallimet ndërmjet dialektit më verior, të Grudës, dhe atij më jugor, të Çamërisë, janë më të vogla se ato ndërmjet dialektit të Torinos e të Palermos ose dialektit të Meklenburgut dhe atij të Tirolit.
Gramatikë

Fushë tjetër e rëndësishme në veprimtarinë shkencore të M. Lambertz-it është gramatika shqipe, më fort e gjuhës së sotme dhe më rrallë historikja. Ai na ka dhënë të parën monografi për sintaksën shqipe me studimin e tij të gjerë “Periudha hipotetike në gjuhën shqipe” prej 164 faqesh shtypi, botuar që më 1914. Në këtë monografi, e para e këtij lloji për gjuhën shqipe, duke shqyrtuar një lëndë të pasur, të nxjerrë nga tekstet e vjetra e të rejat dhe nga folklori, autori trajton, së pari, lidhëzat me të cilat ndërtohet fjalia kushtore, përdorimin e kohëve e të mënyrave të foljes te protaza e apodoza, më tej fjalitë kushtore asindetike, zëvendësimin e fjalisë kushtore me ndërtime të tjera,përdorimin e fjalive kushtore me funksione të tjera, më në fund jep një vështrim të përgjithshëm për fjalitë kushtore irreale. Në këtë punim shihet se M. Lambertz-i kishte arritur që atëherë ta njihte shumë mirë shqipen.

Kjo e ka lejuar të zbulojë e të vërë në dukje edhe vlerat e ngjyrimet stilistike të fjalive kushtore.
Krahasimet me gjuhët romane, veçanërisht me rumanishten, si edhe me greqishten e vjetër e të renë, i japin këtij punimi një vlerë të veçantë për sintaksën e krahasuar të gjuhëve ballkanike. M. Lambertz-in e ka tërhequr vazhdimisht sintaksa e gjuhës së folur dhe e ligjërimit popullor të përditshëm. Ai është ndër të parët që i ka kushtuar vëmendje të veçantë studimit të saj, së pari, në punimin për Këngët e Kreshnikëve e më pas në një punim të posaçëm për ligjërimin popullor të qytetit të Gjirokastrës. M. Lambertz-i ka theksuar se njohja shkencore e shqipes nuk mund të jetë e plotë vetëm me studimin e gjuhës letrare dhe të dialekteve. Rëndësi të veçantë shkencore ka studimi i gjuhës së folklorit dhe i ligjërimit të përditshëm. M. Lambertz-i i ka bërë një analizë mjeshtërore sintaksës poetike të Këngëve të Kreshnikëve, duke nxjerrë në pah pasurinë e madhe e të larmishme të mjeteve shprehëse të epikës sonë legjendare…. / KultPlus.com

‘Nature’: Veza ishte e para dhe jo pula!

Veza e pulës ishte e para dhe jo kjo e dyta.

Zgjidhja e dilemës shekullore sugjerohet nga një organizëm i lashtë njëqelizor që u shfaq në Tokë mbi një miliard vjet më parë, pra shumë përpara kafshëve, të cilat në kodin e tij gjenetik kishin tashmë udhëzimet e nevojshme për të formuar një organizëm shumëqelizor shumë të ngjashëm me të parën, fazat e embrionit.

Zbulimi është publikuar në revistën ”Nature” nga grupi kërkimor në Universitetin e Gjenevës, i udhëhequr nga biologia Omaya Dudin.

Organizmi njëqelizor primordial në qendër të studimit, i quajtur Chromosphaera perkinsii, u zbulua në vitin 2017 në sedimentet detare të Havait dhe u konsiderua menjëherë një model i paçmuar për hetimin e mekanizmave që çuan në kalimin nga organizmat njëqelizorë në organizmat shumëqelizorë në Tokë.

Duke studiuar Chorosfera perkinsii në laborator, studiuesit zbuluan se kur organizmi njëqelizor arrin madhësinë e tij maksimale, ai ndalon së rrituri dhe fillon të ndahet, duke formuar një koloni shumëqelizore që përfshin të paktën dy lloje të ndryshme qelizash.

Ky grup qelizash ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me fazat e hershme të embrioneve të kafshëve, si në strukturën 3D ashtu edhe në aktivitetin e gjeneve.

Bazuar në këto dëshmi, studiuesit arrijnë në përfundimin se programet gjenetike që rregullojnë diferencimin qelizor dhe zhvillimin e organizmave shumëqelizorë ishin ndoshta tashmë të pranishëm mbi një miliard vjet më parë, shumë përpara se kafshët të shfaqeshin në Tokë./atsh/ KultPlus.com

Një shqiptar në majat e miksologjisë ndërkombëtare, Kleantino Goga, zgjidhet zv/president në IBA

Bota e miksologjisë mirëpret një shqiptar si zëvendëspresident të ri të saj.

Kleantino Goga është tashmë numri dy i International Bartenders Association (IBA), Shoqata Ndërkombëtare e Bartenderve.

Kjo arritje shënon një moment historik jo vetëm për industrinë ndërkombëtare të pijeve, por edhe për Shqipërinë, duke e bërë Gogën shqiptarin e parë në këtë pozicion të lartë brenda organizatës prestigjioze globale.

Goga, i njohur për talentin e tij si “alkimist” i shijeve dhe për dedikimin e tij në promovimin e traditës shqiptare në miksologji, premton se do ta çojë më tej misionin e IBA-së, duke promovuar diversitetin, përfshirjen dhe cilësinë në miksologji.

Fitorja e tij nuk është vetëm një sukses personal, por një nxitje për të gjithë komunitetin shqiptar, duke dëshmuar se talenti dhe profesionalizmi shqiptar mund të shkëlqejnë kudo në botë.

Me pasionin për krijime unike që pasqyrojnë elemente të kulturës shqiptare dhe njohuritë e thella në artin e miksimit, ai synon të kontribuojë në avancimin e artit të koktejleve në nivel global./atsh/ KultPlus.com

Saimir Pirgu rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me operën “Tosca”

Saimir Pirgu rikthehet pas 13 vitesh në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit duke pëmbyllur vitin Puçinian me operën premierë “Tosca”.

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau foto nga premiera.

“Tenori i mirënjohur, ka dhuruar për publikun artdashës shqiptar emocion dhe interpretim të jashtëzakonshëm të operas “Tosca”, midis intrigave dhe romancave, në një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës”, tha ai./atsh/ KultPlus.com

Piktori, Arben Kurti hap ekspozitën e radhës me qindra piktura të peizazhit natyror

Në hollin  e Pallatit  të Kulturës “Sadi Halili” të Librazhdit është çelur të këtë shtunë ekspozita e piktorit të mirënjohur  Arben Kurti ku të  pranishëm ishin me qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme,  piktorë , artistë si edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ,Arbjan Mazniku , Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën ,Taulant Balla, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ,Bora Muzhaqi ,Kryetari i Bashkisë Librazhd ,Mariglen Disha. si edhe personalitete të tjera të shquara vendase e të huaja.

Vizitorët e shumtë dhe ministrat i vlerësuan  pikturat e ekspozuara dhe i cilësuan ato  jashtëzakonisht të bukura .Pejsazhet e mrekullueshme të natyrës të sjella në piktura në këtë ekspozitë ishin mjaft mbresëlënëse për vizitorët .Vetë piktori Arben Kurti  e cilësoi hapjen e ekspozitës në hollin e Pallatit të Kukturës , “Sadi Halili” si një moment të rëndësishëm për karrierën e tij në këtë fushë të cilës ai i është përkushtur që kur ishte 5 vjeç.Rregullisht kam filluar të pikturoj  që nga mosha 10 vjeç tregon piktori Arben Kurti.

Në klasën e 5 -të  në vitin 1980 u regjistrova në kursin e pikturës pranë  Shtepisë së Pionierit në Librazhd  .Aty hodha hapat e para dhe mjaft të sigurta drejt të ardhmes dhe merita është e profesorit të pikturës ,Sami Roçi.Që nga ajo kohë  nuk  i jam ndarë  pikturës  , por edhe piktura nuk më është ndarë më kurrë mua. E them

me shumë sinqeritet që nuk mund të rri dot pa pikturën. Prindërit e mi ,sidomos nëna ime ,Lytfie Kurti më ka mbështetur fuqishëm dhe ka sakrifikuar shumë që unë ta ndiqja ëndrrën time .

Konkurova në vitin 1984 për në shkollën artistike por  nuk fitova edhe pse isha cilësuar ndër më të mirët mes konkuruesve .I trishtuar dhe i lënduar shpirtërisht që nuk arrita të siguroja mundësinë e shkollimit në degën e pikturës ,qëndrova edhe një vit në shtëpi dhe vijova përgatitjet  për të qenë i suksesshëm  vitin tjetër dhe konkurova në Liceun Artistik të Tiranës por edhe atje nuk fitova për dy pikë. I zhgënjyer nga mungesa e seriozitetit të jurisë në vlerësimin real të konkuruesve  hoqa dorë nga përpjekjet për të studiuar për pikturë dhe u rregjistrova  në  Gjimnazin ” Ibrahim

Muça” të qytetit të Librazhdit , një gjimnaz i cili ka nxjerrë personalitete të shumta  në çdo fushë ndër vite .Gjatë kohës së Gjimnazit   kisha vështirësi në gjetjen e bazës materiale por gjithmonë më ka qëndruat pranë dhe më ka ndihmuar shumë profesori im i nderuar ,piktori Sami Roci. Me ndryshimin e sistemit , pas vitit 1990 sigurimi i bazës  materiale nuk ishte më problem dhe puna ime me pikturën ka ecur shumë mirë .Gjatë periudhës pas përmbysjes së sistemit komunist krahas ushtrimit të  aktivitetit privat , diplomimit në Ekonomi ,natyrisht i jam përkushtuar edhe pikturës çdo ditë në kohën e lirë. Shpesh herë punoj  edhe natën , madje jo rrallë edhe deri në orë 5 – 6  të mëngjesit kur  gjatë ditës  nuk gjeja kohë.

Vitet e fundit i jam bashkuar  Kolonisë  së Piktorëve me të cilët kemi qenë në aktivitetet e zhvilluara disa herë në Pogradec ,në Maliq, në Korçë ,”Ditet e Mios” dhe kudo në Shqipëri dhe jashtë saj . Ndërkohë që rrjetet sociale na kanë mundësuar  që të prezantohem me disa Portale Arti nga të cilët kam marrë  vleresime pozitive nga qindra  piktorë , koleksionistë pikturash dhe dashamirës arti nga Shqiperia dhe jashtë saj.Kam qene i ftuar nga mjaft koloni piktorësh  që janë  organizuar në Shqipëri dhe jashtë  saj.Jam ndjerë mjaft mirë me pikturën dhe kam

hapur dhjetra ekspozita jo vetëm në Librazhd ku jetoj, por  edhe në Kryeqytet dhe qytete të tjera.Piktori Arben Kurti gjatë gjithë karrierës së tij ka preferuar  më së shumti  ti përkushtohet hedhjes në telajo të natyrës piktoreske e të mrekullueshme të fshatrave të Librazhdit  dhe jo vetëm .Në dukje pikturat e tij janë shumë të thjeshta por janë edhe shumë  origjinale.

Shumica e tyre  janë një abstragim i ëmbël i natyrës dhe i shumëllojshmërisë së bukurisë së trevës së Librazhdit ku fshatrat Dardhë, Steblevë, Xhyrë e Lugina e Shkumbinit janë dashuria e tij më e madhe .Piktori Arben Kurti  është padyshim piktori i  peisazheve natyrore më të bukura të Shqipërisë.  Natyra e bukur e ka “përndjekur” artin e tij gjatë gjithë karrierës si piktor.Stilet e pikturimit janë të ndryshme , por piktori librazhdas Arben Kurti krahas pejsazhit, preferon edhe portretin dhe gjini të tjera të artit.

Por në më të shumtat e ekspozitave ai ka zgjedhur të paraqitet para publikut, kryesisht me peisazhe. Gjithsesi, ky lloj kufizimi në këtë gjini, kompensohet nga larmia e teknikave të përdorura prej tij në punime në vaj, akuarele, grafikë ku motivet  dhe ngjyrat duken gjithmonë origjinale.Punimet e tij në pikturë janë kryesisht të përmasave mesatare por nuk mungojnë edhe ato me përmasa të vogla e të mëdha.Ndërsa stilet e pikturimit janë në raste të veçanta edhe të ndryshme dhe  piktori librazhdas  krahas pejsazhit  ,preferon edhe portetin  dhe  gjini të tjera të artit.

Në të ardhmen e afërt ai ka planifikuar hapjen e ekspozitave të tjera me piktura të reja me pejsazhe nga destinacionet më të bukura turistike të Shqipërisë. Për ekspozitën e rradhës ai ka kohë që e ka filluar punën dhe dëshiron që ajo të jetë një ekspozitë speciale ku do të ftohen edhe mjaft miq e kolegë piktorë vendas e të huaj .Është për tu vlerësuar fakti që pikturat e pejsazhit të artistit librazhdas Arben Kurti  janë vlerësuar në shumë vende dhe janë bërë pjesë e koleksioneve të artit nga dashamirësit e pejsazhit .Dhe me të drejtë të gjithë piktorin Arben Kurti e identifikojnë me nofkën e këndshme “Piktori i Pejsazhit”./balkanweb/ KultPlus.com

Perëndimi zbukuron Durrësin – Rama ndan fotografitë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdon të promovojë qytetet shqiptare me anë të fotografive unike.

Së fundmi, kreu i qeverisë shqiptare ka postuar disa imazhe të qytetit të Durrësit i cili është zbukuruar nga perëndimi.

“Durrës”, ishte përshkrimi i Ramës bashkë me një zemër në postimin e bërë në Facebook.

Emma Lilian Todd, gruaja e parë që projektoi një aeroplan

Emma Lilian Todd (1865–1937) ishte një pioniere amerikane në fushën e inxhinierisë dhe aviacionit, e njohur për kontributet e saj si shpikëse e aeroplanëve. Ajo është vlerësuar si një nga femrat e para që dizajnoi dhe ndërtoi një aeroplan.

Todd ishte gruaja e parë në botë që ndërtoi një makinë më të rëndë se ajri, (1906), gruaja e parë që aplikoi për licencë për të fluturuar dhe themeluesja e Klubit të parë Aero Junior në Amerikë në 1908. Ajo ishte gjithashtu i pari person për të nxitur shtetin e Nju Jorkut të pranonte një aeroplan si dhuratë, dhe Korpusi i Sinjalit të këtij shteti, ishte trupa e parë shtetërore që u pajis kështu. Aeroplani i saj, i ndërtuar nga Vëllezërit Wittemann, u ekspozua në shfaqjen ajrore të vitit 1906 në Madison Square Garden. Në vitin 1909, Komisioneri i Punëve Publike të Richmond Borough e mohoi kërkesën e saj për të bërë një provë fluturimi në Bulevardin Southfield pasi “karta në formën e saj aktuale nuk parashikon ndonjë përdorim të tillë të rrugës publike”. Fluturimi ishte i suksesshëm. Një fragment nga New York Herald i pranishëm në koleksion, i datës 8 nëntor 1910, konfirmon këtë fakt.

E lindur në Uashington DC, Emma Lilian Todd (1865-1937) ishte një shpikëse autodidakte që i pëlqente t’i ndante gjërat, të tilla si orët, dhe t’i bashkonte përsëri për të parë se si funksiononin.

Një avokate dhe një nëpunëse në Zyrën e Patentave në SHBA, ajo shkruante aplikimet për patentë dhe mësoi se çfarë funksiononte dhe çfarë jo. Ajo filloi e vogël, duke punuar për të shpikur një mbajtëse kopjesh për makinë shkrimi dhe lodra mekanike.

E frymëzuar nga aeroplanët që pa në një udhëtim në Londër, Todd filloi të krijonte dizajne rreth vitit 1903 dhe të provonte dhe eliminonte veçori dhe modifikime të ndryshme, duke vazhduar derisa ajo projektoi me sukses një avion pune që përmirësoi modelin e vëllezërve Wright. Në lidhje me procesin, ajo tha: “Nuk ka punë kaq dekurajuese, kaq irrituese, kaq të lezetshme, kaq të keqe, kaq të vështirë, kaq emocionuese sa ndërtimi i aeroplanëve.”

Puna e Todit në aviacion u vu re nga filantropistja, Olivia Sage, kur ajo ekspozoi dizajnin e saj të parë në një shfaqje ajrore të Madison Square Garden. Sage u bë mbrojtësi i Emës, duke i dhënë asaj 7,000 dollarë për të projektuar dhe ndërtuar një avion. në vitin 1910, një nga modelet e saj të aeroplanëve u ngrit me sukses në ajër në Mineola, Nju Jork, gjatë një testimi. Todd donte të fluturonte vetë me aeroplanin, por iu refuzua licenca e pilotit për shkak të gjinisë së saj, kështu që avioni i saj u fluturua me sukses nga piloti testues Didier Masson.

Emma Lilian Todd ka një vend të rëndësishëm në histori për kontributet e saj në aviacion dhe për të qenë një ndër gratë e para që kontribuoi në këtë fushë sfiduese, e cila deri në atë kohë ishte dominuar pothuajse ekskluzivisht nga burrat. Përkushtimi i saj ka frymëzuar breza të rinj inxhinierësh dhe shpikësesh për të ndjekur interesat e tyre në teknologji dhe aviacion.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

Ben Blushi sjell librin ‘Parajsa Artificiale’, e gjeni në Shqipëri e Kosovë nga 13 nëntori

Publicisti i njohur Ben Blushi, shkrimtar dhe autor i romaneve të suksesshme, ka shpallur sot publikimin e njërit prej më të rinjve, të titulluar ”Parajsa Artificiale”.

Siç shton ai, ky roman është një eksperiment letrar, shkruar gjatë muajve të parë të vitit 2024, transmeton klankosova.tv.

Ndër tjera, ai zbulon se romani ka kaluar nëpër një proces të gjatë dhe të ndërlikuar të ndryshimeve të titullit dhe përmbajtjes.

Derisa njofton se do të publikohet më 13 nëntor në Panairin e Librit të Tiranës dhe do të jetë i disponueshëm në të gjitha libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

”Parajsa Artificiale është romani im i ri, i cili u shkrua në janar të këtij viti.

Ai ndryshoi disa herë titullin gjatë kohës që u shkrua, pastaj gjatë kohës kur u redaktua, pastaj gjatë kohës kur u korrektua dhe deri ditën e fundit kur shkoi u shtyp.

Në asnjë rast tjetër nuk kam negociuar kaq shumë për titullin e një libri me ata që e lexuan.

Çuditërisht të gjithë nuk e donin titullin që unë kisha zgjedhur, kështuqë Parajsa Artificiale, mbeti një variant kompromisi, sepse ky është roli i parajsave: t’i kënaqin të gjithë nga pak.

Ky roman është pothuajse një eksperiment letrar të cilin nuk besoja se do ta provoja ndonjëherë, sepse eksperimentet nuk më japin më kënaqësinë që më jepnin dikur. Parajsa Artificiale nuk ka përshkrime por ka vetëm dialogje.
Romani nuk tregon pothuajse asnjëherë çfarë mendojnë personazhet, çfarë kanë veshur, ku kanë shkuar, si është koha, a fryn erë, sa është ora, a është e martë apo e djelë, por tregon vetëm çfarë i thonë ata njëri-tjetrit. Prandaj Parajsa Artificiale është një dialog mes dy njerëzve.

Një bisedë që zgjat nga mëngjesi deri në mbrëmje, kur ata ndahen.
Dy personazhet janë një burrë në moshë të mesme dhe një vajzë sa gjysma e moshës së tij, të cilët kanë një marrëdhënie dashurie. Kur ia tregova këtë detaj botueses sime, ajo e mori si një lajm të mirë sepse si shumë njerëz që më kanë lexuar edhe ajo beson se unë nuk kam aftësinë, arsyen dhe frymëzimin për të shkruar romane dashurie.

Deri diku ka të drejtë.

Parajsa Artificiale edhe është edhe nuk është një roman dashurie.

Nuk është sepse nuk tregon një dashuri të zgjatur në kohë, e cila lind në një stol dhe përfundon në një stol tjetër apo në një park që i bijen gjethet. Por nga ana tjetër, Parajsa Artificiale është një roman dashurie, sepse në emër të dashurisë personazhi kryesor Simon Shuter, sajon një luftë imagjinare për të qetësuar dramën familjare të vajzës së re.

Çfarë mund të bëjë më shumë një burrë, sesa të sajojë një luftë për një grua?

Gjatë kohës që zhvillohet kjo luftë në një një dhomë gjumi ndodh çdo gjë. Aty kalojnë profetët, Jezu Krishti dhe Muhamedi, fetë e tyre, krishtërimi dhe islami, ushtritë, shtetet e mëdha, pushtimet, tragjeditë, tradhëtitë, Zoti, lumturia dhe dashuria. Për shkak të lojërave të mendjes që bën Simon Shuter, vajza qan, vuan, mërzitet pastaj qetësohet, qesh, qan prapë nga gëzimi dhe në fund mbetet e lumtur.

Kjo është pjesa e parë që quhet Ferri.

Në pjesën e dytë që quhet Parajsa, Simon Shuter tregon si do jetë bota në kohën e Inteligjencës Artificiale. Për lumturinë e vajzës ai shpjegon si në një përrallë, sesi Inteligjenca Artificiale do të zhdukë gënjeshtrën, tradhëtinë, dëshpërimin dhe shumë nga veset e njeriut. Simon Shuter parashikon sesi do jetë bota në kohën kur Inteligjenca Artificiale do zëvendësojë njeriun duke zhdukur tre armiqtë e tij kryesorë : punën fizike, paranë dhe Zotin.

Në parajsën që Simon Shuter e krijon përmes Inteligjencës Artificiale nuk do ketë më as të varfër dhe as të pasur, nuk do ketë më shtet dhe as demokraci, njerëzit nuk do kenë arsye të votojnë dhe do jenë të gjithë të barabartë dhe të lumtur. Pa punuar.

Por vetëm duke bërë dashuri dhe art.

Kjo është bota ideale e Simon Shuterit. Është utopia e tij e plotësuar nga Inteligjenca Artificiale.

Sikur Inteligjenca Artificiale të mos tingëllonte si një term shkencor, ndoshta ky libër do ta meritonte këtë titull, por kur shkenca dhe arti kombinohen gjithmonë humb arti. Kështu që Parajsa Artificiale është titulli i merituar sepse personazhet krijojnë parajsën duke imagjinuar sikur jetojnë dhe vetë aty.

Parajsa Artificiale do dalë në Panairin e Librit që nis këtë javë në 13 nëntor, në Tiranë dhe natyrisht do jetë në të gjitha libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ju pres në Panair, natyrisht te stenda e Botimeve Pegi”, shkruan Blushi mes tjerash.

129 vjet nga lindja e ‘Heroinës së Popullit’, Shote Galicës

Më 10 nëntor 1895, u lind në Drenicë Shote Galica.

Galica qe gruaja që nuk e hoqi pushkën nga dora dhe u bë krahu i djathtë i bashkëshortit të saj, Azem Bejtës, ndërsa e vazhdoi luftën edhe pas vdekjes së tij.

Emri i saj i vërtetë është Qerime Radisheva. E njohur për rezistencën me sukses ndaj autoriteteve ushtarake serbe nga fillimi i viteve ’20, deri kur u tërhoq në Shqipëri. Kundërshtoi me armë dhunën dhe shpërnguljet e shqiptarëve nga autoritetet serbe në Kosovë.

Vdiq në Fushë-Krujë më 1 korrik 1927.

Shote Galica mbahet mend për thënien “Jeta pa dije është si një luftë pa armë”. Ka mirënjohjen më të madhe si “Hero i Popullit”. / KultPlus.com

Përurohet kompleksi memorial për ushtarët e UÇK-së në fshatin Marec

Në fshatin Marec të Prishtinës, u përurua kompleksi memorial i dëshmorëve dhe martirëve. Me dhimbje e krenari u përkujtuan të rënët, ndërsa pati kritika për zvarritjen e këtij kompleksi ndër vite. Kryetari i komës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ndihet krenar për finalizim të kompleksit memorial në nderim të dëshmorëve me vepra.

Ish ushtar i UÇK-së dhe familjar është i lumtur që të rënët kanë një kompleks memorial në fshatin Marec të komunës së Prishtinës.

“Përkundër dhimbjes që ndjejmë dhe mungesës që kemi për të afërmit tonë dita e sotme shënon një gëzim të madh si familjar të dëshmorëve sepse pas gati 25 vitesh është arritur që ky projekt të finalizohet duke e falënderua komunën e Prishtinës”, tha Sevadim Vitia, vëlla i dëshmorit Sefedin Vitia.

Përurimin e këtij kompleksi memorial të dëshmorëve e martirëve e bënë ish-komandantë të zonës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e familjarë të të rënëve.

Kritika pati për zvarritjen e ndërtimit të këtij kompleksi në qeverisjet lokale të kaluara.

“Gjokset e këtyre trimave mbrojtën mbi 40 mijë banorë të përndjekur nga vatrat e tyre. Armiku brenda territorit të Marecit vrau dhe masakroj mbi 14 civil të pafajshëm 9 prej tyre pleq të paralizuar, 2 me të meta psikofizike dhe 3 mysafir të ardhur në Marec”, tha Behxhet Vitia, ish komandant.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se heronjtë duhet nderuar me vepra teksa tha se ndihet krenar që me përkushtim është arritur finalizimi i kompleksit merorial

“Sot jemi këtu për të përuruar finalizimin e tij si një simbol të vendosmërisë tonë. Fal bashkëpunimit të palodhshëm të sektorit për kategoritë e dala nga lufta që kemi në institucionin tonë. Sot ky projekt u bë realitet është një bashkëpunim që i kalon kufijtë e politikës dhe burokracisë duke na bashkuar me respekt për historinë dhe trashëgimin tonë të përbashkët”, tha Rama.

Në ato ditë të përballjes të madhe të UÇK-së me forcat paramilitare, zhvilluan një luftë titanike duke ndaluar depërtimin e forcave serbe në drejtim të popullatës civile e cila ishte e strehuar në të gjitha fshatrat e Gollakut.

“Emocion për mua është fakti se sot në këtë përurim të këtij kompleksi shumë prind të dëshmorëve e martirëve nuk janë në mesin tonë, që të shohin se eshtrat e bijëve të tyre po prehen në një vend ashtu siç ata e meritojnë”, tha Sylë Vitia, sektori për kategoritë e dala nga lufta UÇK-së.

Me program artistikë u përmbyllë ceremonia e përurimit të kompleksit memorial të martirëve dhe dëshmorëve në fshatin Marec të Prishtinës./rtk/ KultPlus.com

“Nga Toka në Tryezë”: Produktet Made in Albania prezantohen në Panairin e 30-të të Bujqësisë dhe Ushqimit

Produktet “Made in Albania” po prezantohen në panairin e 30-të ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit, që është hapur në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historitë e Flora Salit, e cila prodhon mjaltë nga fshati Gosivishtë i Përmetit dhe Jetmira Kaloshit, themeluese dhe drejtuese e “Natyra Ime”, që prodhon sapunë artizanalë.

“Nga Toka në Tryezë” produktet Made in Albania prezantohen në Panairin e 30-të ndërkombëtar i Bujqësisë dhe Ushqimit”, shkruan Rama.

“Falë edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ne marrim subvencionet për bletët dhe ne kemi shkuar në 150 koshere. Para dy vitesh e kemi certifikuar mjaltin e Bedunicës, si mjaltë specialitet, tradicional dhe i garantuar”, tha Flora Sali.

Ndërsa, Jetmira Kaloshi, nga Shkodra sjell historinë e sipërmarrjes së saj që prodhon sapunë tradicionalë.

“Ne prodhojmë sapunë natyralë, artizanalë, me vaj ulliri dhe bimë mjekësore të zonës sonë nga Shtoj i Ri në Shkodër. E veçanta e këtyre produkteve është se janë 100% natyrale, pa kimikate, pa dhjam shtazor, vetëm me bimë mjekësore dhe vajin e ullirit”, tha Kaloshi.

Panairi i kushtohet promovimit të shërbimeve dhe produkteve autoktone, për të nxitur konsumatorët drejt prodhimeve vendase.

Objektiv kryesor i panairit është nxitja e bashkëpunimeve të reja në bujqësi, rrjetëzimi i fermerëve dhe ekspertëve të sektorit me marka ndërkombëtare dhe me aktorët kryesorë të cilët ndikojnë zhvillimin e sektorit./ KultPlus.com

Turistët suedezë: Thethi, vend i mrekullueshëm me natyrë fantastike

Rrezet e para të diellit nisën të përkëdhelin faqen e malit përballë. Vesa rëndonte mbi kryet e barit, që ngjante si një qilim i gjelbër, të cilin të vinte keq ta shkelje. Nga dritarja shquanim vizitorët e parë të mëngjesit në restorantin e bujtinës nga ku oxhaku kishte nisur të lëshonte tymin e bardhë. Në largësi, një qen dëgjohej duke lehur, po kryente detyrën e tij, largimin e çdo rreziku të mundshëm që mund t’i kanosej “mikeshave” të tij leshatore, që kishin nisur të kullotnin. Një mace qëndronte tek dritarja e dhomës sonë. Ishte lozonjare, kërkonte vëmendjen tonë, ose të ndonjë vizitori tjetër bujar për ta përkëdhelur gëzofin e saj, por pse jo dhe krenarinë që macet e kanë me tepri.

Në restorant zjarri i oxhakut dhuronte spektakël. Flakët kërcisnin lehtas, ndërsa nuanca e të kuqes, të verdhës apo të kuqerremtës ia linin vendin njëra-tjetrës.

“Mirëmëngjesi! Si fjetët? Uroj të keni kaluar mirë! -shqiptoi vajza që do të na shërbente, ndërsa linte menunë në tavolinën përpara nesh.

“Mirmëngjesi! Gjithçka shumë mirë. Në shqisat tona ende e kemi shijen e mirë të gostisë së një nate më parë”, – u përgjigjëm, teksa porositëm një “mëngjes tradicional shqiptar”, siç e kishin cilësuar në menu drejtuesit e bujtinës.

Mëngjes tradicional shqiptar, pranë zjarrit nga njëra anë dhe malit tej dritares nga krahu tjetër, lezetonte edhe më shumë.

Nisëm udhëtimin drejt Thethit, 50 minuta larg bujtinës në Bogë. Rruga gjarpërushe ishte kësaj radhe edhe me më shumë kthesa. Pjerrësia ishte e madhe. Pamja që na shfaqej përpara ishte sa madhështore, aq edhe magjepëse. Disa re të bardha shfaqeshin herë si ujëvarë, që ishte gati të rrëshkiste trupit të malit dhe herë si thinja të një vigani shekullor, që brenda tij mban sekretet e malësisë shqiptare dhe që ruan tingullin e çiftelisë dhe mbron me fanatizëm lahutën. Kullat, kisha dhe ndërtesat karakteristike të shtrira përbri lumit, ishin si një djep mes viganëve.

Mbërritëm në qendër të Thethit. Kisha karakteristike ishte e mbushur me turistë. Disa kishin zgjedhur adrenalinën e zip line, disa motorë off road, ndërsa të tjerë hiking për të soditur zonën. Ne i besuam metodës tradicionale dhe më të sigurt të të udhëtuarit, “këmbëve”, dhe ecëm drejt ujëvarës. Dy kilometra nga kisha, një kilometër nga “Kulla e Ngujimit”. Shtegu ishte një aventurë më vete, anash lumit që kalon mes përmes Thethit dhe vijon drejt “syrit të kaltër”, të cilin do ta shijojmë një ditë tjetër.

Gjatë rrugës drejt ujëvarës kaluam përmes një ure të vogël me dërrasa, me mbrojtëse të lyera me të kuqe. Shtegu ishte i shënjuar dhe nuk kishe vështirësi për ta arritur, ndërkohë në udhëtimin tonë njohëm turistë vendas e të huaj. Një çift suedez, që kishin zgjedhur të përdornin biçikletën për të përshkuar shtegun, arritën shpejt në përfundimin se duhej ti kthehen mënyrës “tradicionale” të të lëvizurit, me këmbë, pasi shtegu nuk ishte më rrugë fushore, por një shteg ku mund të gjeje ndonjë dhi që kulloste.

Me ndihmën e banorëve të zonës, çifti siguroi biçikletat dhe na u bashkua në ecje. Michael Young na rrëfeu se bashkë me zonjushën e tij kishin mbërritur në Theth me camper, ndërsa kishte kaluar mespërmes Europës nga Suedia, në Zvicër, Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe Shkodër. “Mrekulli! – tha Young. – Këtu është nëntor dhe dielli shkëlqen sikur të ishte verë. Është ngrohtë, por dhe fresk kur je në hije, fiks koha e duhur për të shijuar natyrën. Ne erdhën para dy ditësh dhe ndaluam këtu, pasi kemi dëgjuar se është një vend për t’u vizituar. Do qëndrojmë rreth 3 netë këtu dhe pastaj do të vazhdojmë për në Tiranë dhe më tej drejt jugut, për të vijuar në Greqi. Po bëjmë një tur ballkanik.”

Ai shtoi se për Shqipërinë kishte dëgjuar në media. “Flitet shumë në rrjete, media, blogje turizmi. Është një destinacion i rëndësishëm në Evropë. Erdhëm ta shohim dhe mund të themi që ato që kemi dëgjuar janë të vërteta”, – vijoi djali.

Ndërsa ecnim, Young na rrëfeu se objektivi ishte kalimi Theth-Valbonë, i cili zgjat rreth 8-9 orë në ecje. “Ndoshta do ta bëjmë deri tek pika më e lartë dhe kthehemi, ose ndoshta do dalim në Valbonë për t’u kthyer një ditë më vonë. Do e shohim si do na këshillojnë banorët e zonës”, – u shpreh suedezi.

Mbërritëm tek ujëvara. Radha për foto nuk ishte e vogël, ndërsa suedezët nuk humbën kohë, u zhveshën, e me rroba banje u hodhën në ujë. “Unë jam larë dhe në ujë me akull. Këtu është tetë gradë uji”, – tha ai duke parë orën e tij smart. “Është vërtet kënaqësi të shijosh këtë ujë, këtë ujëvarë dhe këtë pamje që të rrethon”, – u shpreh Young.

E në fakt, pamja ishte e papërshkrueshme. Uji vërshonte nga lartësia e Alpeve në brendësi të saj. Ngjyra blu e errët në qendër zbehej drejt anës. Kristal i pastër. Fshihej poshtë gurëve, disa të thepisur e disa jo për të gjetur rrugëtimin dhe për të vijuar poshtë shpatit, drejt luginës. E ndërsa shquaje ujëvarën dhe më pas ktheje lehtas kokën, përpara të shfaqej një varg i “pafundëm” malesh, që i linin vendin njëri-tjetrit.

Kthimi ishte për “gjunjë të fortë”, e përqendrim të madh, tatëpjeta nuk ishte e vogël për t’u kapërdirë, por ia dolëm të kthehemi në qendër të Thethit, ku kishim lënë makinën dhe vijuam rrugën për Tiranë.

Thethi, Foto: Arbi Fortuzi/atsh/ KultPlus.com

‘Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë’

KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Beqir Musliut, ”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”.

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com

Ballkani Perëndimor dhe ndikimi i paparashikueshëm i Trumpit

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk është i huaj për Ballkanin Perëndimor, e as rajoni nuk është i panjohur për të. Historitë e tyre janë të ndërthurura dhe kanë krijuar tashmë terren për një marrëdhënie të paparashikueshme përpara.

Trump, republikan, i cili ka shërbyer si president edhe nga viti 2017 deri më 2021, ka fituar zgjedhjet e 5 nëntorit kundër kandidates demokrate, Kamala Harris.

“Sinqerisht, kjo ishte lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë në këtë vend, e ndoshta edhe më gjerë”, ka thënë Trump natën e zgjedhjeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë uruar atë për fitoren.

Kurti ka thënë se “SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere e rëndësishme e Kosovës” dhe se “ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”.

Për “fitoren e jashtëzakoshme” e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka shprehur besimin se zëri i Serbisë “tani do të dëgjohet më mirë”.

“Me [njerëzit e Trumpit] kemi ruajtur marrëdhënie miqësore edhe kur e kanë humbur mandatin dhe kjo tani është një situatë më e përshtatshme për ne”, ka thënë Vuçiq.

Entuziast për fitoren e Trumpit është shprehur edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili në një postim në X ka shkruar se “ditë më të mira” do të vijnë si për Amerikën, ashtu edhe për Malin e Zi.

Ndërsa, presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili favorizon shkëputjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës, ka thënë se fitorja e Trumpit “është edhe fitorja jonë”.

Administrata e mëparshme “ishte e padrejtë me ne”; nën udhëheqjen e Trumpit, presim që ajo të jetë më objektive, ka thënë Dodik – i sanksionuar nga SHBA-ja për rrezikimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Reagimet e tilla për Vesko Garçeviqin, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, ishin të pritshme. Për më tepër, thotë ai, ekziston prej kohësh një qasje proaktive e disa liderëve ballkanikë për të forcuar pozitat e tyre dhe për të luajtur rol në formësimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit.

“Dy shtete të rajonit, Serbia dhe Shqipëria, i kanë ofruar hapësirat e tyre për investime nga rrethi i ngushtë i Trumpit, duke shpresuar se një gjë e tillë do t’u ndihmojë të merren me administratën Trump në të ardhmen”.

“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ajo beson se kjo administratë do t’i ndihmojë ta adresojë çështjen e Kosovës. Shqipëria, ndërkaq, përpiqet ta pozicionojë veten si një nga shtyllat – së bashku me Serbinë – e qasjes së ardhshme amerikane ndaj Ballkanit”, thotë Garçeviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, i cili ka shërbyer edhe si këshilltar në administratën e tij, planifikon të ndërtojë hotele luksoze në Shqipëri dhe Serbi.

Edhe djali i madh i Trumpit, Donald Jr., ka darkuar këtë vjeshtë me biznesmenë në Beograd, për të diskutuar mundësitë për investime.

Për Garçeviqin, janë të njohura tendencat e Trumpit për të prioritetizuar interesat amerikane përmes marrëdhënieve dypalëshe.

“Trump nuk do ta harmonizojë qasjen e Amerikës me Bashkimin Evropian, nëse beson se qasja individuale, qasja dypalëshe i sjell përfitime më të mira. Ai do t’i shtyjë gjërat përpara, pavarësisht se çka mendon BE-ja”, thotë ai.

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë për Exposenë se administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe se zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.

Ndonëse thekson se presidenti i zgjedhur është i paparashikueshëm, ai pret që kjo marrëdhënie të vazhdojë.

Thotë se investimet në Shqipëri për të do të jenë të rëndësishme, ndërsa forcat populiste në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi do të përshtaten me kërkesat e tij, për t’i maksimizuar përfitimet e tyre.

“Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trumpi. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit”, thotë Kanin.

Kanin shton se boshnjakët janë tani të humbur dhe pa mbrojtës, duke supozuar se Trump do të vazhdojë të mbetet, siç thotë, proserb.

Ai vë në dukje se kroatët e Bosnjës mund t’i rinovojnë përpjekjet për një entitet të tretë dhe boshnjakët të dobësohen prej kësaj. Për Kosovën thotë se, prej kohësh, nuk po i shkonte mirë në aspektin ndërkombëtar.

“Albin Kurti mund t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë, por jashtë vendit është shumë jopopullor. Tani ai do të përballet me Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të jenë edhe më të prira për ta ndihmuar Vuçiqin me politikat e tij ndaj Kosovës”, thotë Kanin.

Gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.

Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Kanin thotë se gjasat për t’u rikthyer si ide i ka më shumë kjo e fundit.

“Shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet në të njëjtën mënyrë si përpara, sepse aktorët kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes [ish-presidentit të Kosovës, Hashim] Thaçi, dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit. Problemi tani është se mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ka bashkëpunim. Ndaj, besoj se marrëveshja mes tyre nuk ka gjasa”, thotë Kanin.

Por, ndryshe nga ai mendon Garçeviq. Sipas tij, ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rishfaqet shpejt në agjendën e SHBA-së.

“Mendoj se SHBA-ja nuk do të dojë një krizë tjetër në Ballkan. Ajo do të përpiqet ta mbyllë edhe krizën në Ukrainë, për t’u përqendruar te Kina dhe kriza e saj potenciale me Tajvanin. Nëse i marrim parasysh të gjitha ato që Trump i ka thënë gjatë fushatës presidenciale, mendoj se Kina do ta marrë pjesën më të madhe të kohës, kur bëhet fjalë për agjendën e politikës së jashtme”, thotë Garçeviq.

Të dy bashkëbiseduesit e REL-it thonë se sfidat për Kosovën do të jenë më të theksuara sidomos nëse Richard Grenell merr pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit apo ndonjë pozitë tjetër të lartë në administratën e re Trump – gjë që tashmë është përfolur.

Në vitin 2020, kryeministri i Kosovës, Kurti, e ka akuzuar Grenellin, i cili atëkohë ka qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi, për “përfshirje të drejtpërdrejtë” në rrëzimin e Qeverisë së tij.

Përballë sfidave të brendshme, luftës në Ukrainë, konflikteve në Lindjen e Mesme e të tjera, ka edhe analistë që argumentojnë se administrata e re e Trumpit mund t’i injorojë zhvillimet në Ballkan dhe kështu t’i mundësojë Rusisë ta zgjerojë ndikimin e saj.

Një prej tyre është Cody McClain Brown, profesor në Universitetin e Zagrebit.

“Nëse Rusia përpiqet të ndikojë më shumë në Serbi dhe në Mal të Zi, situata në Bosnje dhe Hercegovinë mund të bëhet më e paqëndrueshme. Kur bëhet fjalë për Kosovën, qëndrimi i Trumpit do të vazhdojë të rrijë pezull. Ai mund ta mbështesë Serbinë për ta rimarrë Kosovën, por është vështirë të dihet, pasi nuk shpreh opinione të fuqishme për këtë çështje”, thotë Brown.

Bashkimi Evropian, ku mëtojnë anëtarësimin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, po shtrëngohet gjithashtu për kthimin e Trumpit. Zyrtarët e tij e kanë uruar atë, por në të kaluarën kanë shprehur jo rrallë shqetësime për politikën e tij të jashtme.

Analistët thonë se në muajt e parë të vitit të ardhshëm e andej, do të bëhet e qartë nëse taktikat e Trumpit do të çojnë në zhvillime pozitive në Ballkanin Perëndimor, do t’i shtojnë armiqësitë apo do ta lënë atë, thjesht, në një gjendje amullie. /REL/ KultPlus.com

‘Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja’

Thënie nga Kafka:

Nuk i lexoj reklamat, sepse po t’i lexoja do të shpenzoja gjithë kohën time duke dëshiruar të zotëroj gjëra.

Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh.

Në luftën midis vetes dhe botës, përkrahe botën.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Duke besuar në mënyrë pasionante në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Ajo që ende nuk ekziston është thjesht diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm”.

Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty.

Kam frikë nga nata. Kam frikë nga jo-nata.

Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.

Librat që na duhen janë ato që na vijnë si fatkeqësi, që na bëjnë të vuajmë si vdekja e një personi që e duam më shumë se veten, që na bëjnë të ndihemi sikur jemi në prag të vetëvrasjes, ose të humbur në një pyll ku nuk frymon asnjë njeri.

Mos e ndrysho, mos e ujit, mos u mundo ta bësh logjik. Mos e ndrysho shpirtin tënd sipas kërkesave të të tjerëve. Përkundrazi, ndiqi fiksimet e tua më të forta, në mënyrë të pamëshirshme.

Ka një pafundësi shpresash në këtë univers… por ato nuk janë për ne.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e Mira është e parehatshme.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Nuk është e nevojshme të largohesh nga shtëpia jote. Rri në tryezë dhe dëgjo. Madje mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, vetëm rri qetësisht dhe vetmitar. Bota do të paraqitet tek ti pa masë, nuk ka rrugë tjetër, vetëm do të bjerë në gjunjë para teje.

Parimi im kryesor është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë. / KultPlus.com

Jo shumë larg nga Vlora, turistët zbulojnë manastirin e “mrekullive”

Jo shumë larg nga Vlora ndodhet një prej objekteve më të rëndësishme të kultit, Manastiri i Zvërnecit. Ky territor dikur ishte një zonë e pabanuar. Ata që e populluan këtë vend, sipas historianëve, erdhën nga ishulli i Sazanit.

Manastiri dhe kisha janë të vendosura në një prej zonave më piktoreske të qytetit të Vlorës.

Për arkitekturën, vlerësohet si një nga objektet e rralla në vendin tonë.

E pikërisht për bukurinë e zonës, por edhe të vetë objektit është një prej destinacioneve më të zgjedhura turistike.

Këtu gjen turistë në çdo stinë të vitit. Nuk preferohet vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe më tej. Manastiri, por edhe kisha e Shën Mërisë zgjidhen edhe në stinën e vjeshtës. Turistët janë nga shtete të ndryshme të Europës, por edhe nga kontinente të largëta.

Interesimi i lartë nga turistët theksohet edhe nga Jani Tereziu i cili prej 25 vitesh menaxhon këtë vend të shenjtë.

Vizitorët nuk vijnë këtu vetëm për të bërë foto të bukura, por edhe për të mësuar më shumë për historinë e këtij objekti.

Interes nuk ka vetëm për pjesën e jashtme të manastirit.

Brenda ndërtesës ka objekte mjaft interesante që tërheqin vëmendjen e vizitorëve. Ato janë ruajtur për të shërbyer edhe si provë e historisë së këtij objekti. Banorët e kësaj zone dinë dhe flasin për mrekulli që kanë ndodhur në këtë manastir.

Në kohën e mbretërisë, por edhe gjatë periudhës së diktaturës ku vend u kthye në zonë strehimi për të përndjekurit politikë. Një prej objekteve aty pranë ka qenë spital psikiatrik ndërsa një tjetër shërbente si vend takimi mes të përndjekurve politikë të kohës dhe familjarëve të tyre.

Në vendin tonë ka një sërë objektesh kulti me mjaft rëndësi./Klan News/ KultPlus.com

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” shfaqet në format të digjitalizuar

Shfaqet për herë të parë në formë të digjitalizuar filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se ky film, realizim i regjisorit Dhimitër Anagnosti në vitin 1979, mbi skenarin e romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ekranizohet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur me këtë rast, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Një gjeneral (Bujar Lako) dhe një prift italian (Guljelm Radoja) arrijnë në Shqipëri për të tërhequr eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë luftës. Gjenerali me priftin, të porositur nga Beti (Rajmonda Bulku), kërkojnë edhe eshtrat e bashkëshortit të saj të vdekur, një koloneli të njohur, dhe zbulojnë se ai ka përdhunuar një vajzë të re dhe është vrarë nga e ëma e saj, plaka Nicë (Roza Anagnosti).

Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” do të shfaqet të hënën, më 11 nëntor, ora 18:00, në “Auditorium”-in pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja synon që përmes kinematografisë, duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të filmave, t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit./ KultPlus.com

Zgjerimi i lëvizjes së rezistencës kombëtare dhe lufta e Drenicës

(Fillimi i rezistencës kombëtare shqiptare kundër ripushtimit sllavo-komunist nisi me lidhjën e parë të grupeve të shkëputura të rezistencës nën drejtimin e “Shtabit Suprem” në dhjetor të vitit 1944 për të vazhduar me përhapjen e saj në pjesët tjera për t’u përqendruar në Drenicë, nën drejtimin e Shaban Polluzës, ku edhe do të shënohet epilogu i saj tragjik në luftën kundër partizanëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë).

Nga Jusuf Buxhovi

Në fillim të dhjetorit, pasi që të ketë arritur dekreti për qërimin e hesapeve me ata që nuk ishin komunistë dhe nuk i takonin lëvizjes partizane, të cilët njëherësh cilësoheshin si antikomunistë dhe reaksionarë (të tillë ishin rreth nëntëdhjetë për qind të Shqiptarëve), pikërisht ditën e dytë të këtij muaji, më 2 dhjetor, shënohen luftimet e para të forcave të rezistencës shqiptare me njësitë partizane serbe në Ferizaj dhe pastaj edhe në Gjilan më 23 dhjetor. Në Ferizaj ato u drejtuan nga Hysen Tërpeza. Ndërsa në Gjilan nga kleriku patriot, Mulla Idriz (Hajrullahu), anëtar i “Shtabit Suprem” që tashme vepronte në kuadër të Komitetit të Rezistencës Kombëtare. Ky komitet, kishte punuar me të madhe që grupet e shkapërderdhura të rezistencës të ndëridheshin dhe të vepronin bashkërisht kundër ripushtimit të Kosovës nga serbët, që bëhej nën maskën e bashkëpunimit partizan midis komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë, aradhet e të cilave kishin ndikuar që me mashtrime për gjoja “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare”.

Burimet jugosllave, për luftimet e Ferizajt deri në Gjilan, që zgjaten gjatë gjithë dhjetorit, përmendin pjesëmarrjen e mbi katër mijë si thuhej “ballistëve shqiptarë”. Kjo shifër, përafërsisht mund t’i përgjigjej realitetit madje të ishte edhe më e madhe. Por, jashtë pretendimit se kryengritja e Shqiptarëve, apo si quhej “kundërrevolucioni”, kishte një komandë ushtarake shumë profesionale prej nga drejtohej si dhe shtabe “të fuqishme” jashtë vendit (përmendej herë Xhafer Deva dhe Vjena e herë aludohej në ndonjë qendër perëndimore), prej nga ajo mbështetej edhe me armë.

Madje, edhe informatat se në Kosovë gjendej “i fshehur” Divizioni SS “Skënderbeg” me shtabin operativ të “Ballit” edhe më tutje të ndërlidhur me Gjermanët në Vjenë, nuk kishte të bënte me realitetin. Ngaqë ky divizion, përmasat e përmendura (gjashtë mijë veta), nuk i kishte arritur asnjëherë. Ndërkohë që në prag të tërheqjes së korparmatës “E” gjermane drejt veriut, një pjesë e tyre ishin demobilizuar, ndërsa vetëm njësitë elite ishin tërhequr bashkë me forcat gjermane. E njëjta vlente edhe për një pjesë të mirë të forcave balliste, të cilat kishin qenë në shërbim të shtetit shqiptar dhe assesi në shërbim të Gjermanëve, siç i anatemonte propaganda partizane, pas luftimeve të para me partizanët, që pa ndonjë shpresë se do të mund të mbështeteshin nga aleatët, shumë prej tyre do të tërhiqen në drejtim të Jugut, për në Greqi dhe gjetiu, kështu që njësi të organizuara të këtyre formacioneve nuk kishte në Kosovë.
Në të vërtetë, në këto luftime, që do t’u paraprijnë atyre që, ku më pak e ku më shumë, do të shfaqen thuajse në të gjitha pjesët e Kosovës, bëhej fjalë për nacionalistë shqiptarë nga radhët e forcave mbrojtëse të Lidhjes II të Prizrenit, të Ballit Kombëtar, Legalitetit si dhe “dezertorëve” të shumtë, që ishin shkëputur nga njësitë e Vermahtit në tërheqje e sipër, që nuk mund të rrinin duarkryq kundruall terrorit serb. Në këto luftime, po ashtu do të përfshihen edhe “dezertorë” partizanë, nga aradhet partizane shqiptare (nga Shqipëria dhe Kosova), të cilët ishin larguar prej tyre pasi që të kenë parë se në Kosovë kishte filluar një luftë ndryshe, pra ajo për rikthimin e saj nën Jugosllavi, siç do t’i bashkohen edhe njësitë e shumta të mobilizuarve dhunshëm, të cilat nuk pranonin të shkonin në Vojvodinë dhe frontin e Sremit ( ato të Shaban Polluzhës nga Drenica dhe të tjera). Kështu që, mozaiku i rezistencës kombëtare, fuqinë kryesore e përthithte edhe nga vullnetarët e shumtë, që i bashkoheshin luftës në përputhje me shtrirjen e saj që përhapej me thirrjen patriotike për mbrojtjen e atdheut nga “pushtimi i shkijeve”, së cilës i përgjigjeshin pjesa më e madhe e popullatës, edhe pse e pa përgatitur për luftë dhe pa armatim të nevojshëm. Kështu kishte ndodhur në luftën e Ferizajt, atë të Gjilanit, në Karadak dhe në gjithë vendin, për të kulmuar me luftën e Drenicës, ku edhe do të marrë epilogun tragjik.

Shpërthimi i rezistencës kombëtare në Ferizajt dhe në Gjilanit (nga fillimi i nëntorit) kundër partizanëve jugosllavë si dhe formësimi i tij në rezistencë të hapur kombëtare me shtrije në gjithë Kosovën dhe në Maqedoni, ku njësitë e ballit nën drejtimin e Xhemë Gostivarit kishin marrë përmasa të mëdha, nuk ishte i rastit. Atij do t’i paraprijnë kundërvëniet energjike depërtimit të forcave partizane në anën e Anamoravës, të Podujevës dhe të Karadakut, që do t’u bëhen nga forcat mbrojtëse të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që ndonëse të shkapërderdhura, do të përpiqen që t’ua ndalin toruan njësive partizane, të cilat në këto pjesë, sapo futeshin, fillonin me zbatimin e urdhrave për “pastrime”, në shënjestër të të cilave ishin intelektualët dhe forcat tjera patriotike. Aradhet partizane jugosllave, po ashtu, nëpër katunde, konfiskonin dhunshëm edhe pasurinë private dhe pronat, pa ngurruar që të provokonin në forma të ndryshme popullatën, në mënyrë që me rastin e çfarëdo reagimi të pasojë dhuna e ashpër revolucionare e përcjellë me burgosje dhe pushkatime të atypëratyshme.

Në këtë rrethana, patriotët dhe ushtarakët nacionalistë, do të bashkohen në disa pjesë, të shumtën rreth personaliteteve me ndikim që vepronin nga Zona IV mbrojtëse e Kosovës: ing. Adem Gllavica, i njohur edhe si Adem Selimi), Qazim Sefa Llugaxhia, prof. Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi, Hysen Tërpeza, Mulla Idriz Gjilani, Abdyl Henci e të tjerë në pjesën e Kosovës Lindore nga Presheva, Gjilani e deri në Ferizajt, të cilët do të vihen në ballë të rezistencës.

Shumë prej këtyre personaliteteve ishin prefektë komunash gjatë kohës së Qeverisë Shqiptare (1943-1944), të cilët, në kapërcyllin dramatik midis largimit të ushtrisë gjermane dhe të futjes së aradheve partizane (atyre shqiptare dhe jugosllave që erdhën pas tyre), ishin të përkushtuar ta ruanin vendin, duke u vënë në krye të njësiteve vendore vullnetare jashtë ndonjë lidhjeje rajonale. Hysen Tërpeza, njëri ndër prefektët vendorë në Pozharan, e sqaron më së miri këtë gjendje kur thotë se “ne nuk kishim ndonjë shtab të veçantë, në kuptimin konkret të fjalës. Mirëpo, secili kryetar i komunës komandonte njerëzit e komunës së tij. Kështu pra, Pozharani e kishte udhëheqësin e vet, Parteshi të vetin, Bresalci të vetin dhe kështu me radhë.”

Më tutje, ai thotë se “ne ishim vullnetarë, të prirë nga vullneti dhe atdhe-dashuria dhe shkonim nga beteja në betejë për ta mbrojtur Shqipërinë Etnike”, e kësaj i duhej edhe një organizim i përbashkët ushtarak , i cili do të pasojë.

Sipas, Tërpezës, beteja e parë e tillë kishte qenë ajo për mbrojtjen e Preshevës, prej nga kishte filluar marshimi i forcave partizane drejt Kosovës bashkë me zullumin ndaj Shqiptarëve, të cilit duhej bërë ballë, por që kjo kërkonte një lidhje të përbashkët, gjë që nënkuptonte një organizim të gjerë në mënyrë që patriotizmi vendor të mbështetej edhe mbi një qëllim të caktuar politik veç-mas kur dihej se pas humbjes së gjermanëve pritej prishja e kufijve. Në ato rrethana, bëhet e ditur për një takim midis H. Tërpezës, prof. Ibrahim Kelmendit, Mulla Idrizit, Adem Gllavicës, Qazim Llugaxhiut, Adem Stanqiqit, Fazli Seferit dhe shumë të tjerëve në Tërpezë ku kishin qenë edhe disa misionarë anglezë, të shoqëruar nga Shefqet Shkupi. Aty ishte biseduar që rezistenca kundër fuqive pushtuese partizane të drejtohej nga një Shtab Suprem i Kosovës.

Pas mbajtjes së Kongresit, pas një vendimi që ishte marrë më 27 nëntor 1944 në katundin Petkoviq të Gjilanit, forcat patriotike nga radhët e rezistencës kombëtare tashmë në përbërje të “Shtabit Suprem të Kosovës”, gjithnjë në përpjekjet që të pengohej ripushtimi nga aradhet partizane, të cilat krahas terrorit që ushtronin ndaj popullatës së pambrojtur me pretekst se “po luftonin reaksionin” , zëvendësonin edhe administratën e deriatëhershme shqiptare me atë komuniste të nacionalçlirimtares (hiqeshin flamujt kombëtarë që zëvendësoheshin me ata partiakë dhe jugosllavë), pra në këto rrethana, më 1 dhjetor sulmuan qytetin e Ferizajt, një nyje e rëndësishme që lidhte Prishtinën, Prizrenin e Gjilanin me Shkupin. Aty u zhvillua një përleshje e ashpër midis nacionalistëve dhe partizanëve jugosllavë (rreth 3 mijë të ardhur nga Shkupi e rrethe të tjera nga radhët e Batalionit III dhe IV të Kosovës), e cila zgjati tri ditë.

Në fushë të betejës ranë rreth shtatëdhjetë nacionalistë dhe mbi 400 partizanë, midis të cilëve edhe kapiteni i OZN-nas Bozho Prlja, i njohur për krimet në Ferizaj ndaj nacionalistëve si dhe Milosh Muiq, komandant i batalionit III.

Luftëtarët nacionalistë që u vranë vinin nga katundet Goden (katund i Karadakut të Shkupit) dhe aato përreth: Davidoc, Jazerc, Petrovë, Reçak, Shtimje dhe Dramjak. Forcat nacionaliste, pas tri ditësh u tërhoqën nga Ferizaj ngaqë nuk ishin në gjendje të përballonin rrethimin e madh të partizanëve që u vihej nga të gjitha anët.

Lufta e Ferizajt me të shpejtë u bart edhe në pjesët e tjera. Në fillim të dhjetorit, shpërtheu një kryengritja e forcave nacionaliste e drejtuar nga Rushdi Janjeva, i cili sulmoi qendrën dhe për një kohë ia doli t’i ndjekë forcat partizane, të cilat u kthyen, vetëm pasi që u erdhën përforcime të mëdha nga Shkupi.

Një tjetër luftë midis nacionalistëve dhe partizanëve serbë dhe maqedonas, që depërtonin nga dy drejtimet ishte zhvilluar në pjesën e Gollakut më 2 janar të vitit 1945. Mulla Idizi i Gjilanit, një klerik patriot, i cili nuk ishte pajtuar me ripushtimin sllavo-komunist të Kosovës dhe kishte qenë përkrahës i organizimit të Komitetit Kombëtar, kishte mbledhur rreth veti forca të konsiderueshme nacionalistësh, të cilët synonin që ta çlironin Gjilanin nga partizanët serbë dhe maqedonë, të cilët, kishin filluar të terrorizonin popullatën shqiptare.

Në luftën e Gollakut, e cila zgjati tri ditë, forcat nacionaliste shkatërruan pjesën më të madhe të forcave partizane, të cilat u tërhoqën në Gjilan, të ndjekura nga nacionalistët shqiptarë, të cilët ngulmonin të futeshin në Gjilan, ku prej ditësh mbaheshin shumë të burgosur shqiptarë. Forcat e Mulla Idrizit nuk ia dolën ta marrin Gjilanin, edhe përkundër luftës heroike, ngaqë partizanëve të rrethuar u erdhën në ndihmë tri aradhe nga Shkupi dhe një nga Leskoci i Serbisë, të cilat ia dolën që të largojnë forcat nacionaliste. Me këtë rast, partizanët serbë dhe maqedonas ushtruan një hakmarrje të përgjakshme ndaj qytetarëve të Gjilanit, me ç’rast masakruan gjithë të burgosurit shqiptarë dhe qytetarë të tjerë, ndër të cilët edhe 72 gra e vajza.

Pasi që të jetë shtypur me gjak rezistenca e fillimit të dhjetorit në Ferizaj dhe Gjilan dhe ajo e zgjerimit të saj në drejtim të Qyqavicës dhe Vushtrrisë, ku po ashtu do të ketë kundërvënie ndaj forcave partizane jugosllave, po edhe hakmarrje të egër ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit dhe të parave të janarit, kur edhe më tutje do të vazhdojë mobilizimi i dhunshëm i të rinjve të Kosovës dhe dërgimi i tyre në drejtim të Veriut dhe të Adriatikut – prej nga edhe do të fillojnë të vijnë lajmet rreth fatit të zi të tyre në Tivar me helmimin e tyre në Shibenik – forcat e rezistencës shqiptare tashmë të bindura se të ashtuquajturat marrëveshje me partizanët rreth vendosjes së pushtetit popullor “në përputhje me vullnetin e popullit” nuk paraqesin tjetër pos një kurth për ripushtimin e Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar nga ata shqiptarë dhe në marrëveshje të ngushtë me ta, do të mundohen ta shfrytëzojnë kartën e mobilizimit kundër mobilizimit me çka ajo thelloi edhe më tutje hendekun midis nacionalistëve shqiptarë dhe pushtuesve sllavo-komunistë.

Shaban Polluzha, i cili fillimisht kishte marrë pjesë në mobilizimin e Shqiptarëve si dhe në krijimin e dy njësive që do të nisen për në Veri, do të fillojë të bëjë një mobilizim të ri pa njohurinë e Shtabit Operativ, jashtë atij që udhëhiqej nga Brigada VII e Kosovës, e cila ishte përgjegjëse për këtë veprim-tari. Pas disa “sqarimeve”, megjithatë, Shaban Polluzha do të pranojë që njësitë që kishte mobilizuar në pjesën e Drenicës (rreth katër mijë luftëtarë) t’i nënshtroheshin përgatitjes që bënte Brigada VII dhe të niseshin në Veri.
Eshaloni i parë prej dymijë e pesëqind vetash, pa Shaban Polluzhën, do të niset nga Vushtrria në drejtim të Podujevës më 20 janar. I përcjellë nga Divizioni 46 serb, do të arrijë në Kurshumli prej nga do të drejtohet për në Srem. Më 22 janar, eshaloni i dytë i të mobilizuarve, i përcjellë nga Divizioni i 46 serb dhe Brigada VII e Kosovës, me rreth dy mijë veta, në krye të të cilit ishte Shaban Polluzha, do të niset në drejtim të Podujevës. Nga Vushtrria, duke kaluar nëpër katundet Banjë, Gllavnik dhe Dumnicë e Poshtme, Eshaloni do të fillojë të shkapërderdhet pak nga pak.

Të mobilizuarit do të largohen nëpër katundet përreth me arsyetimin se nuk dëshironin të shkonin në Veri ndërkohë që Kosova mbushej me brigada partizane serbe, të cilat ushtronin terror ndaj Shqiptarëve.Të nesërmen, eshaloni i të mobilizuarve që udhëhiqte Shaban Polluzha arriti në Podujevë, por aty u ndal. Qëndrimi i tyre ishte i prerë: do të mbetemi në Kosovë dhe do të luftojmë në të po qe se është nevoja ta mbrojmë. Që të binden për të vazhduar më tutje rrugën për në Srem, në bisedime me Shaban Polluzhën do të futet personalisht Fadil Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, i shoqëruar nga Ismet Shaqiri.

Bisedimet nuk do të kenë sukses, meqë detyra e Fadil Hoxhës ishte që të bindte Shqiptarët të merrnin rrugën e Veriut, ndërsa qëllimi i Shaban Polluzhës ishte që me këtë refuzim të krijonin rrethana për krijimin e një fronti mbrojtës të Kosovës nga çetnikët serbë dhe bandat që depërtonin nga Veriu, gjë që nuk varej nga Fadil Hoxha.

Gjatë kohës sa zhvilloheshin bisedimet, Brigada e 46 serbe filloi për-gatitjet ushtarake te Lluzhani për bllokimin e kthimit të njësive shqiptare, të cilat do të bëhen pa dijeninë e Fadil Hoxhës, i cili nuk ishte i interesuar për një konflikt të Shqiptarëve me njësitë partizane jugosllave, ngaqë e dinte se çfarë epilogu tragjik do të kishte për Kosovën.

Konflikti dukej i pashmangshëm, çastin që disa njësi, do të thyejnë urdhrin e nisjes kah Veriu dhe do të shpërndahen pa u penguar nga forcat serbe që kishin vënë “barikadimin” te Lluzhani, në grupe të vogla për të kaluar Llapin dhe pastaj Sitnicën, por që do të sulmohen pas shpinës dhe pastaj, në mbrojtje e sipër nga sulmet e batalionit serb, do të fillojnë të rigrupohen kah katundet Ne-volan, Resnik, Kulë dhe Shalicë.

Kjo do të mjaftojë që të nesërmen Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës, nën direktivën e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Jugosllavisë dhe të Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë të japin dritën e gjelbër për luftë të armatosur, si thuhej, “kundër kundërrevolucionit dhe të reaksionit të brendshëm, i cili kishte shpërthyer në Kosovë”.

Kthimi i njësive të Shaban Polluzhës në Drenicë, pasi që ai pa rrethimin e vënë nga Divizioni 46-të dhe Brigada VI kosovare si dhe “shpallja e kundërrevolucionit” në Drenicë nga ana e Shtabit Operativ të Ushtrisë Nacional-çlirimtare të Kosovës hapi faqen tragjike të luftës së Drenicës midis forcave të Rezistencës Kombëtare kundër ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës nga partizanët jugosllavë të ndihmuar edhe nga ata shqiptarë nga radhët e njësive partizane të UNÇ të Shqipërisë si dhe të UNÇ të Kosovës.
Sipas shënimeve jugosllave dhe atyre të brigadave partizane shqiptare, Shaban Polluzha në Drenicë rreth vetes kishte gjashtë mijë luftëtarë, të shumtën vullnetarë, që komandoheshin nga një numër ushtarakësh, të armatosur me armë të lehta dhe pa rezerva të duhura ushtarake për ndonjë luftë më të gjatë.
Të rrethuar nga të gjitha anët nga njësitë partizane ata ishin të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit dhe të shkëputur nga çfarëdo ndihmë që mund t’i vinte nga jashtë. Fjala pra ishte për një luftë të pabarabartë dhe me anatemën e “kundërrevolucionit”. Në këto rrethana, më një shkurt 1944 Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dha urdhrin për mësymje të përgjith-shme kundër forcave të Rezistencës Kombëtare në Drenicë, të drejtuara nga Shaban Polluza, Mehmet Gradica dhe Adem Voca.

Në sulmin e përgjithshëm kundër luftëtarëve të Drenicës u mobilizuan tre divizione jugosllave (46, 52 dhe 24), një brigadë e motorizuar si dhe Brigadat III, IV dhe V kosovare. Nga Mali i Zi arriti Brigada I e Bokës dhe Brigada malaziase e Kotorrit.

Nga një urdhëresë e Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të datës pesë shkurt 1944 shihet se luftimet kanë qenë të ashpra në një front të gjerë nga veriu i Mitrovicës e deri në shpatet jugore të Kopaonikut, ku thuhet se në këtë pjesë forcat e Adem Vocës janë shkatërruar, por ato të Shaban Polluzhës, me një fuqi prej pesë mijë ushtarësh, “po japin një rezistencë të fortë, sado që rrethi i tyre po shtrëngohet”.
Nga kjo urdhëresë mësohet se kryengritja ka filluar të përhapet edhe në disa pjesë jashtë rrethimit, në Tunik dhe Rakosh në drejtim të Gjakovës dhe të Istogut.

Sipas njoftimeve jugosllave luftimet e ashpra u zhvilluan nga 7-12 shkurti, me ç’rast njësitë partizane patën humbje të mëdha dhe u desh të përforcohen edhe me Divizionin 24 dhe Brigadën I Malaziase të Bokës dhe atë të Kotorit, në mënyrë që ato më të ashprat, pra pasi që njësitë partizane të kalojnë në ofensivë të plotë, të zhvillohen nga 12-22 shkurt.
Nga një njoftim i Shtabit Operativ të UNÇ të Kosovës të nënshkruar nga Fadil Hoxha më 12 shkurt thuhet se “forcat e armikut në Drenicë ende nuk janë asgjësuar. Armiku po reziston shumë. Brigadat tona po kalojnë njëkohësisht në sulm, kështu që armiku vetëm në një sektor po mundet të rezistojë.”

Pra, F. Hoxha kërkon: “ nga të gjitha anët të bashkohet rrethimi dhe të kalohet në një sulm të përgjithshëm, deri sa të eliminohet armiku”.
Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se me “sulmin e përgjithshëm deri sa të eliminohet armiku” do të ngarkohen Brigada I dhe IV e komanduar nga kolonel Petar Brajeviq, i cili mori përsipër operacionet e fundit kundër Shaban Polluzhës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Gollupovë. Gjatë këtyre luftimeve forcat e mëdha partizane, pasi që kishin thyer krahun kryesor të forcave të Rezistencës Kombëtare në shumë pjesë dhe shumë prej tyre ishin shkëputur nga veprimet e mëtutjeshme luftarake, ose shkatërruar fare, kishin rrethuar Shaban Polluzhën.

Shaban Polluzha me luftëtarët që kishte pranë ishte munduar dy herë të shpërthente rrethimin, por i plagosur rëndë kishte vdekur në Çikatovë. Në atë betejë ishin vrarë edhe kapiten Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari dhe djali i Shaban Polluzhës, Miftari.

I njëjti skenar lufte, do të përdoret edhe me të mobilizuarit që Adem Voca prej ditësh po i tubonte në trekëndëshin: Vushtrri-Mitrovicë-Shalë. Për ndryshim nga Shaban Polluzha, i cili kishte kërkuar të bënte bisedime me Shtabin Operativ të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, që komandohej nga Fadil Hoxha, Voca kishte hyrë në bisedime me funksionarët e lartë partiakë Ali Shukrinë dhe Spasoje Gjakoviqin. Ky i fundit, asokohe udhëhiqte shërbimin informativ ushtarak OZNA, përgjegjës për pastrimin e Kosovës “nga reaksioni dhe kundërrevolucionarët”, me bazë në Shkup, prej nga përgatiste të gjitha kurthet ndaj Shqiptarëve.

Në bisedime Voca do të kërkojë, pos të tjerash, të ndajë pushtetin në Mitrovicë, në përputhje me forcën që kishte (rreth katër mijë vullnetarë), dhe po ashtu të mobilizuarit të mos shkonin në veri, po të mbeteshin në Kosovë për t’u mbrojtur nga çetnikë të Zhika Markoviqit, që operonin lirshëm në pjesën e Shalës dhe të Llapit. Pasi që në bisedime Gjakoviqi do t’i refuzojë që të gjitha kërkesat e Vocës dhe në ndërkohë Brigada e 26-të serbe, do të ketë filluar sul-met kundër njësive të Shaban Polluzhës të cilat po tërhiqeshin në drejtim të Qyqavicës, po atë pasdite, Brigada e 25-të serbe, e stacionuar në afërsi të Mitrovicës, do të fillojë operacionet luftarake kundër forcave të Adem Vocës, të cilat do të tërhiqen në drejtim të Staritërgut dhe atje të nesërmen, më 26 janar, do të zhvillojnë një përleshe të ashpër me partizanët serbë, të cilëve do t’u vijë në ndihmë edhe Divizioni 46-të.

Të nesërmen, pasi që forcat e Adem Vocës të jenë rrethuar në hapësirën e xeherores Trepça, kundër tyre do të përdoren topat dhe artileria. Me këtë rast atyre do t’u shkaktohen humbje të mëdha. Por, një pjesë e tyre do t’ia dalin të tërhiqen në drejtim të katundit Pantinë, prej nga vinte Adem Voca. Aty, në shtëpinë e tij, bashkë me vëllezërit dhe shtatë djemtë, i barrikaduar, nuk do të pranojë të do-rëzohet. Më 11 shkurt Adem Voca me ata që kishte në shtëpi do të likuidohen.

Fitorja ndaj “kundërrevolucionit” në Drenicë, siç u vlerësua nga koloneli Sava Derleviq, komandant i Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, i cili tashmë gjendej në krye të Drejtorisë Ushtarake, e cila, në rrethanat e vendosjes së administratës ushtarake në Kosovë nga 8 shkurti 1945 kishte komanduar operacionet përfundimtare luftarake të zhvilluara në Drenicë dhe me të tjerat që do të ndër-merren gjatë atij dimri dhe pranvere për spastrimin e Kosovës nga forcat nacionaliste dhe ato patriotike që nuk pajtoheshin as me ripushtimin e Kosovës e as me diktaturën komuniste, kishte vazhduar thuajse me të njëjtin intensitet, tash me pretekste “të rikthimit të paqes dhe të vendosjes së pushtetit popullor”.

Përmasat e vërteta të hakmarrjes çetnike-partizane do të mundohen të mbahen të fshehura, por disa prej tyre do të marrin dhenë. Në një promemorie që Ymer Berisha, nacionalist i njohur, që kishte marrë pjesë në Rezistencën Kombëtare, ia kishte dërguar gjeneralit Hodson, e njofton se “gjatë atyre 28 luftimesh, u vranë e u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, asnjë nuk u zu rob, u plaç-kitën dhe u dogjën mbi 150 shtëpi; gjashtë mijë banorëve të Drenicës, Vushtrisë dhe Mitrovicës iu grabit tërë ushqimi dhe pasuria e tundshme. Nga ushtria partizane, 6 mijë ushtarë u plagosën, 2.550 u vranë e 850 u zunë robë”.

Nga shënime të ngjashme merret vesh se gjatë fushatës ushtarake “për spastrimin nga reaksioni shqiptar”, në Mitrovicë e rrethe, u pushkatuan pa gjyqe rreth 2 mijë shqiptarë të pafajshëm. Në Vushtrri u asgjësuan rreth 400 të tjerë.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1942”, faqe 340-347)./ KultPlus.com

60 vjet të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, jubile i identitetit tonë kulturor-letrar

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Në paraditën e dhjetë nëntorit të vitit 1964, në Parkut e Qytetit në Gjakovës, para nxënësve të shkollave të mesme të qytetit dhe qytetarëve të shumtë, një grup i shkrimtarëve të rinj nga klubi i sapoformuar letrar “Gjon Nikollë Kazazi”,nën drejtimin e poetit të njohur Din Mehmeti dhe në praninë e poetit Enver Gjerqeku, hapën Mitingun e parë të Poezisë.
Ishte ky fillimi i një manifestimi letrar i komunikimit me dashamirët e letërsisë në një formë të hapur. Si i tillë, me kyçjen në bashkëorganizim të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Bashkësisë së Kulturës, mori mbikëqyrjen institucionale-shtetërore.

Kjo u pasqyrua kur mitingu kaloi nën patronatin e Fadil Hoxhës, asokohe anëtar i Kryesisë së RSFJ-së dhe të KQ të LKJ-së, i pranishëm në mbrëmjet qendrore të mitingut me kreun më të lartë politik dhe kulturor të Kosovës. Tretmani i tillë i Mitingut, bëri që pas tri vitesh të kthehet në një manifestim që tubonte poetë dhe shkrimtarë të njohur nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë. Pak më vonë, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve të njohur botëror, edhe fitues të çmimit Nobel, Mitingu mori edhe karakter ndërkombëtar. Me kalimin e kohës, krahas aktiviteve në hapësirat e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, ato u shtrinë edhe me orët letrare nëpër shkollat fillore të qytetit dhe përreth si dhe me orën letare në Junik.

Festa e poezisë, siç quhej Mitingu i Gjakovës, vazhdoi edhe pas rrënimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, kur Serbia filloi të qëllojë të gjitha shtyllat e identietit tonë institucional dhe kulturor.

Edhe asokohe, Mitingu i Poezisë ruajti karakterin e tij kulturor. Kësaj i ndihmoi fakti se dr. Ibrahim Rugova ishte Kryertar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe njëherësh president i Kosovës. Kështu, nën përkujdesjen e vazhdueshme të dr. Rugovës manifestim u mbajt edhe në rrethanat e pushtimit dhe të represionit më të egër serb. Madje, nga viti 1991, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, fiton edhe karakrerin kombëtar, meqë për herë të parë morën pjesë shkrimtarë nga Shqipëria (Besnik Mustafaj dhe Xhevahir Spahiu), rrugë kjo që do të vazhdojë me përfshirjen në rrezën e Mitingut edhe të Tropojës dhe pjesëve të tjera të Malësisë së Gjakovës.

Mitingu vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës, por më kohë u vërejt një tërheqje e institucioneve qendrore nga organizimi dhe financimi i veprimtarisë së manifestimit. Kjo ndikoi, që Mitingu, viteve të fundit të zbehet deri në atë masë, saqë edhe mbajtja e mitingut jubilar, të gjashtëdhjetit me radhë, të gjendet buzë dështimit. Por, kjo nuk ndodhi, në saje të angazhimit të vendosur të Kryetarit të Komunsë së Gjakovës, Adrian Gjinit, i cili bëri që jubileu të shënohet me dinjitet, në mënyrë që të vazhdohet tradita e një manifestimi kulturor-identitar të vetmit në hapësirën shqiptare./ KultPlus.com

“Buka në rrem” që tërheq turistë të huaj në Tropojë

Gështenja të pjekura, shoqëruar me një gotë verë pranë oxhakut, janë ritual në shtëpitë e banorëve të Tropojës – qytet në verilindje të Shqipërisë.

Tropoja ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan prej rreth 2.800 hektarësh.

Të moçmit i kanë quajtur “buka në rrem”, “drunj të bekuar” apo “pemë e bukës për të varfrit”, pasi kanë qenë ndër ushqimet kryesore në sofrat e tyre, por u kanë siguruar edhe të ardhura përmes shitjes.

Ato i plotësojnë edhe kërkesat për eksport, por, prej më shumë se dy vjetësh, prodhimi i tyre ka rënë për 50-60 për qind.

Insekti aziatik përgjysmon prodhimin e gështenjës

Përgjysmimi i prodhimit të gështenjës ishte edhe arsyeja përse Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, nisi një projekt si pjesë të iniciativës globale “Një vend, një produkt prioritar” dhe Shqipëria përzgjodhi gështenjën.

Agim Pepkolaj, drejtues projekti nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, thotë se grera aziatike ka dëmtuar rëndë masivin me gështenja, duke rrezikuar të dëmtojë edhe turizmin dhe ekonominë lokale.

“Është një projekt që ka nisur prej dy vjetësh në Tropojë. Projekti ka parashikuar disa aktivitete, ku ndër më kryesoret mund të përmendim zbatimin e një programi të kontrollit biologjik për të luftuar grerën aziatike dhe menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve”, thotë Pepkolaj për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, projekti ka realizuar një laborator në Tropojë për rritjen e një insekti të dobishëm, pasi kjo është forma e vetme për ta trajtuar këtë problematikë, për ta luftuar insektin aziatik që po dëmton gështenjat”, sipas tij.

Pepkolaj shton se insekti aziatik mund ta dëmtojë deri në 80 për qind prodhimin e gështenjës, ndërsa zgjidhja e plotë e kësaj situate mund të kërkojë deri në tetë vjet kohë.

Rëndësia e gështenjës për zonën e Tropojës

Si banor i kësaj zone, por edhe si ekspert i zhvillimit rural, Pepkolaj e njeh mirë rëndësinë e këtij druri frutor për banorët e Tropojës.

Gështenja ka qenë ndër breza një ushqim i rëndësishëm, ndërsa përmes shitjes dhe eksportit banorët kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre.

“Nëse dëmtohet ky produkt, dëmtohet ekonomia e banorëve të këtyre fshatrave, kështu që zgjidhja e problematikës është prioritet”, thotë Pepkolaj.

Gështenja konsumohet e pjekur apo e zier. Ajo përdoret, gjithashtu, për të bërë bukë të veçanta me miellin e saj në raste festash apo për mikpritjen e miqve.

“Banorët e kësaj zone janë ushqyer me të. Aktualisht, prej saj bëhen edhe salca për të shoqëruar ushqime të tjera, ëmbëlsira, supë me gështenja, por mund të bëhen edhe kremra, torta dhe gjalpë gështenje”, shpjegon Pepkolaj.

Për ta shtuar më tej këtë vlerë, ai thotë se FAO-ja parashikon të bëjë një investim në Tropojë për përpunimin e gështenjës në produkte të reja – çfarë do t’i rriste ekonomitë e vogla familjare.

Afrim Gjergji nga Tropoja thotë se gështenja është produkti kryesor në sofrën e shtëpisë së tij, të kthyer në bujtinë.

“Gështenjat e Tropojës janë të njohura për cilësinë e tyre. Kushdo që vjen ta vizitojë bujtinën, do t’i provojë gështenjat, të pjekura apo të ziera apo edhe në forma të tjera”, thotë Gjergji për Radion Evropa e Lirë.

“Kohëve të fundit ka mungesë, për shkak të një insekti. Shpresoj që të zgjidhet shumë shpejt, sepse masivi i gështenjave është unik. Ulja e prodhimit e ka ndikuar ekonominë tonë”, thotë ai.

Çdo vit, në fund të tetorit, në Tropojë organizohet “Dita e gështenjës” – një festë për promovimin e këtij fryti, e që shërben edhe për të diskutu atse si mund të ndihmohet në prodhimin dhe përpunimin e tij.

Tropoja është e njohur edhe për mjaltin e gështenjës.

“Shtegu i gështenjave” synohet të kthehet në destinacion

Një ndër aktivitetet e tjera të projektit të FAO-s është promovimi i “Shtegut të gështenjave”, i cili synon ta kthejë zonën e Nikaj Mërturit në Tropojë dhe vetë Tropojën në një nga destinacionet kryesore turistike të Malësisë së Gjakovës.

Masivi i rrallë i gështenjave shihet si një mundësi e mirë për të tërhequr edhe turistë, që do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave të thella, të cilat, pas viteve ’90, thuajse janë braktisur.

Për shkak të mungesës së një perspektive, banorët kanë lëvizur drejt zonave urbane të zhvilluara, por edhe kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Bukuritë e këtyre zonave, masivi me gështenja 500-600-vjeçare janë një pasuri nga e cila duhet të përfitojnë banorët vendas, por duhet ta zbulojnë dhe shijojnë edhe turistët”, thotë Pepkolaj.

Komunikimi me qytetarët ka treguar se, fatkeqësisht, kjo nuk njihet si zonë, edhe pse ka një larmi resursesh dhe atraksionesh, thotë ai, duke shtuar se pjesë e projektit të FAO-s është edhe promovimi i atij që quhet “Shtegu i gështenjave”.

“Është një udhëkalim prej 4-5 ditësh mes maleve për të pasionuarit pas hajkingut. Gjatë rrugës mund të qëndrosh në bujtina, stane, mund të vizitosh kulla, liqene, lumenj, shpella, e natyrisht të shijosh mikpritjen dhe ushqimet tradicionale”, thotë specialisti i FAO-s.

Se “Shtegu i gështenjave” nuk njihet apo vlerësohet nga vendasit e thotë edhe Gjergji, banor i fshatit Palç të Tropojës.

Ai thotë se vizitorët kryesorë të tij janë turistët e huaj.

“Prej tetë vjetësh e kam hapur bujtinën dhe vizitorët janë kryesisht turistë të huaj. Vijnë nga Anglia, Zelanda e Re, Zvicra, Italia”, tregon Gjergji.

Ai është ndër të paktët banorë që nuk u larguan nga fshati Palç, pasi rreth 95% e braktisën atë.

Thotë se, së voni, në fshatin e tij janë kthyer gjashtë familje dhe se e njëjta gjë po ndodh edhe në fshatra të tjera pranë.

Nxitjen për ta kthyer shtëpinë në bujtinë thotë se e ka marrë nga Ndoc Mula, alpinist – një prej adhuruesve të natyrës së egër të veriut të Shqipërisë dhe promovimit të saj – i cili humbi jetën në malin e Munellës tre vjet më parë.

“Ka qenë miku im Ndoc Mula, i cili më shtyu ta hap bujtinën në shtëpinë time të vjetër karakteristike prej guri. Kam vizituar çdo fshat të zonës Nikaj Mërtur bashkë me të. Dhe, në çdo bisedë, fliste për potencialin e madh që ka zona për të zhvilluar turizëm”, kujton Gjergji.

Çfarë ofron “Shtegu i gështenjave”?

Pepkolaj thotë se “Shtegu i gështenjave” ofron një shumëllojshmëri destinacionesh dhe burimesh të rralla natyrore dhe një mundësi për të vizituar një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

“Nis nga lugina e Komanit, lumi i Shalës… Është një ndër atraksionet më të bukura. Pjesë e turit janë fshatrat: Salcë, Lekbibaj, Curraj, Velisht, Briskë, Palç e deri në Markaj. Është e gjitha me masive gështenjash mbi 500-600-vjeçare. Pjesë e turit janë edhe vizitat në ferma dhe stane, kalimi përmes shtigjesh që ofrojnë peizazhe fantastike”, shpjegon Pepkolaj.

Sipas tij, kjo është edhe zona me përqendrimin më të madh të bletërritësve në veri të Shqipërisë.

Sa i përket ushqimit, sigurisht që është tradicional, thotë ai.

Vendet që vizitohen përmes këtij shtegu, variojnë nga 200 deri në 1.200 metra mbi nivelin e detit.

Pjesë e këtij shtegu është edhe fshati Palç, ku Gjergji e ka kthyer shtëpinë në bujtinë, e gjithashtu e ka zgjeruar edhe stanin e tij për të mirëpritur turistë.

“Gjatë qëndrimit në bujtinë dhe në stan, turistët vizitojnë fermën ku mbaj kafshë të ndryshme, si: lopë, pula, dele, derra. Ushqimi që iu ofrohet turistëve, është tradicional, si: flija, maza, djathërat e mishi i ndryshëm, sikurse edhe produktet bujqësore që i marr nga një sipërfaqe prej tre dynymësh që e mbjell dhe e punoj bashkë me anëtarët e familjes sime”, tregon Gjergji.

Në stanin e tij në bjeshkë thotë se çdo 14 korrik pret banorë të zonës, në një takim brezash, në përkujtim të Betejës së Palçit kundër osmanëve më 1910.

Edhe ky takim shërben për të folur për investimet në turizëm, për të ringjallur kullat e shtëpitë prej guri e për të shijuar natyrën magjepsëse.

Gjergji thotë se turistët e huaj e adhurojnë bjeshkën.

“Ata që zgjedhin ta vizitojnë stanin në bjeshkë, mrekullohen me natyrën. Bëjnë ngjitje në mal, adhurojnë jetën e egër të maleve. Zona është e pasur me kafshë të egra. Nëse ngjitesh në mal, do të shohësh dhi të egra, kaproj, derra të egër… Fatmirësisht, nuk ka gjueti të paligjshme, ne i ruajmë kafshët, bimët, gjithçka që na ka falur natyra”, thotë Gjergji.

E, natyra u ka falur edhe ujëvara, lumenj me vaska natyrore dhe shpella të rralla, ku, siç thotë, bora nuk shkrihet kurrë.

Edhe Gjergji, edhe Pepkolaj thonë se një infrastrukturë më e mirë, mund të ndihmojë më shumë.

Banorët e zonës, kërkesë kryesore kanë infrastrukturën rrugore, thotë Pepkolaj, duke shtuar se destinacionet janë fantastike, por se qasja në rrugë automobilistike është e vështirë.

Ai tregon se disa zona janë edhe të rrezikshme, ndaj sinjalistika është e domosdoshme.

Problem është, po ashtu, mungesa e energjisë elektrike, të cilin disa prej banorëve e kanë zgjidhur me panele diellore. /REL/ KultPlus.com

‘Mbretnesha kohë dje boll mirë na tregoj, tha nesër për neve shumë ftoft ka me kan’ (VIDEO)

Grupi Troja’ është një ndër grupet më të njohura shqiptare, i cili është krijuar në vitin 1990.

Ky grup ka funksionuar ndër vite dhe me te tekstet e tyre shpesh kanë qenë kritikë ndaj pushtetarëve.

Sot, KultPlus ju sjell këngën ‘Mbretëresha Kohë’ e cila vazhdon të jetë aktuale dhe të përshatet gjendjen në çdo kohë:


Mbretnesha kohë dje boll mirë na tregoj,
tha nesër për neve shumë ftoftë ka me kan,
nëse t’bardhën prej të zezës na sot nuk dina me nda,
tha neser as shiu nuk munet me na lag..

Mbretnesha kohë dje boll mirë na tregoj,
tha nesër për neve ndryshe ka me kan,
nëse nyjen para syve na sot nuk dojna me zgidh
tha nesër kjo nyje n’fyt ka me na u lidh..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht..

Mos rrnoni ma si hije,
mos rrini ma pa drit,
mos fleni mos i leni,
hi syve me ju qit.
Mos leni ma me ndodh,
qysh ka ndodh deri tash,
mos fleni mos i leni,
se koha nuk kthehet mbrapsht../KultPlus.com

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com