‘Maratona Fun Run’, Veliaj ndan çmimet e para: Mirëpresim nesër 4000 vrapues nga e gjithë bota

Një ditë para aktivitetit të madh sportiv “Maratona e Tiranës”, në kryeqytet u zhvillua sot gara e vrapimit “Fun Run Tirana” që mblodhi së bashku 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të cilët vrapuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me mesazhin sensibilizues për edukimin e të rinjve përmes sportit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndau edhe çmimet e para dha mesazhin e tij për të rinjtë se ngjarje të tilla sportive, përveçse promovojnë aktivitetin fizik dhe shëndetin, janë një mundësi e mirë për t’u socializuar më tepër.

“Të gjithë garuesit fitues që morën çmime na dhanë një super shembull që gara dhe vrapi patjetër që është konkurrencë por është dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar njëri – tjetrin për të krijuar shoqëri të reja dhe për të pasur një jetë të shëndetshme”, tha kreu i Bashkisë.

Veliaj tha se kryeqyteti mirëpret nesër në Maratonën e Tiranës, 4000 vrapues nga disa vende të botës.

“Mbi të gjitha shpresoj shumë që ashtu siç menaxhuam sot maratonën e të rinjve ashtu ta menaxhojmë nesër maratonën e profesionistëve. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që kanë treguar durim, që kanë spostuar makinat, që kanë evituar të dalin dhe të shtojnë trafik sidomos në këtë ditë, që këtë fundjavë qytetin ia kemi dedikuar totalisht sportistëve, 4000 turistë që na kanë ardhur dhe që janë vrapues profesionistë”, shtoi ai.

Fituesit e tre vendeve të para për kategorinë e vajzave janë si më poshtë:

-Çmimi I parë, Elisabeta Marku nga shkolla Qemal Stafa; Rezultati: 2.25, 32
-Çmimi I dytë, Antonita Çuni, shkolla Siri Kodra; Rezultati: 2.56.20
-Çmimi I tretë, Darsia Vathi, shkolla Fan Noli; 3.05.06

Fituesit e tre vendeve të para për kategorinë e djemve janë si më poshtë:

Leonel Mesi, shkolla Partizani; Rezultati: 1.59.00
Arbi Toti, shkolla Ismail Qemali; Rezultati: 1.59.09
Marjol Hoxhaj, shkolla Lidhja e Prizrenit; Rezultati: 2.04. 87/atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me përfaqësues nga Google dhe Amazon: Synimi është përfshirja e Kosovës në platformat më të mëdha digjitale

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar me lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunim ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimin digjital.

Këtë njoftim e ka bërë Presidentja Osmani përmes një shkrimi në facebook.

“Diskutuam për perspektivën ekonomike të vendit tonë dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Papa Françesku: Nuk duhet t’ua mbyllim derën emigrantëve

Papa Françesku në një video dërguar shoqatës katolike Acione Catholicos tha se dera nuk duhet të mbyllet për emigrantët dhe se është e nevojshme t’u jepet ndihmë.

“I ushqeni, jepini një dorë që të mos mbyten”, apeloi Papa, shkruan Reuters.

Ai theksoi se “ne nuk mund t’ia mbyllim derën një emigranti”, i cili duhet “të mirëpritet dhe të pranohet”.

Gjatë kësaj të shtune, një anije e Rojës Bregdetare italiane ka marrë nën kontroll një grup emigrantësh të mbajtur në qendrat e pritjes në vendin tonë për t’i kthyer në Itali, pas një vendimi të gjykatës në Romë.

Në fillim të javës, këta emigrantë u transportuan drejt vendit tonë me një anije të marinës italiane./abcnews.al/ KultPlus.com

“Young Generation”: zërat e të rinjve të talentuar dhe premtues përmbyllin natën e tretë të “PriVocalFest” 

Era Berisha 

Nata e tretë e festivalit “Prishtina International Vocal Fest” u karakterizua nga veçantia e të rinjve si: sopranoja Aurela Murtezaj, mezosopranoja Blenda Kelmendi, sopranoja Despina Krango, sopranoja Edina Pllana, sopranoja Elita Hoxha, sopranoja Egzona Hoxha, baritoni Harris Bajraktari, sopranoja Martina Lekaj, sopranoja Syarta Mehmeti dhe sopranoja Teuta Morina, të udhëhequr nga trajneri i zërit Raúl Giménez, derisa për të për përçuar edhe më shumë emocione tek publiku, u përkujdes pianisti Melos Buza, shkruan KultPlus. 

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës së Kosovës u bënë bashkë një numër i konsiderueshëm njerëzish që përcillnin nga afër edhe natën e tretë të festivalit “PriVocalFest”. Me padurim po prisnin daljen në skenë të artistëve të rinj, që të ardhmen duket se e kanë të shtruar bukur. Me perde të zeza, e reflektorë në ngjyrë portokalli, që i ngjajnë edhe logos së vetë festivalit, ishte mbushur këndshëm hapësira para syve të audiencës. 

Koncerti i cili filloi fiks në orën 19:13, portretizoi një program të veçantë, për zërat e veçantë të artistëve në skenë. Gjatë gjithë kësaj nate, publiku u shpreh shumë i kënaqur me performuesit, duke dhënë duartrokitje të panumërta për të gjithë ata që u ngjitën në skenë. Ishin të njëpasnjëshme veprat që u interpretuan, mirëpo secila pati diçka unike më vete, njashtu si vetë interpretuesit.  

Në këtë natë u interpretuan vepra të zgjedhura nga punëtoria e mbajtur për disa ditë me radhë nën instruksionet e Giménez, i cili me punën dhe këshillat e tij ka “fuqizuar” këta të rinj që të eksplorojnë teknika të reja dhe thellësi emocionale në interpretimet e tyre. 

Ndërkohë, loja aktoreske e këtyre artistëve ishte diçka që i shkonte shumë programit të përzgjedhur. Herë duke qeshë, herë duke lëvizë në skenë majtas e djathtas, herë në dyshe, e herë solo, u interpretuan veprat serioze, për një orë të plotë. Veshjet e tyre elegante i shtonin hijeshi zërit të tyre buçues, që jehonte brenda katër mureve, me ç’rast jepnin emocione të pafundme. 

Kjo u dëshmua edhe nga duartrokitjet e publikut, që pati rastin ta përjetojë një koncert më ndryshe, mbushur me ndjenja të larmishme. Ajo që mbizotëronte ishte krenaria në sytë e të afërmve të tyre, që shihnin fëmijët e tyre në skenë, tashmë nisur drejt një rruge që nuk ka kthim, por një fund dukshëm të suksesshëm. 

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, trajneri i zërit me prejardhje spanjolle, Raúl Giménez për KultPlus është shprehur tejet i kënaqur me performancën e artistëve të rinj. 

“Kam kaluar një periudhë shumë të mirë me këta djem e vajza këtu, me këta të rinj të talentuar dhe dua ta falënderoj festivalin për ftesën. Ka qenë një javë intensive, dhe mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që i kam ndihmuar këta të rinj dhe dëshiroj që ata gjithmonë të këndojnë kështu bukur si në këtë festival. E di që është hera e parë që si maestro po e bëj këtë kurs dhe dua shumë që festivali ta vazhdojë misionin tutje, me këta të rinj të talentuar.” 

Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se maestro Giménez, është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri. 

“Përzgjedhjen e programit e ka bërë maestro Giménez, pasi që ka filluar punën me të rinjtë, të cilët kanë propozuar veprat e tyre për t’i punuar me maestron. Gjatë punës, ai ka bërë përzgjedhjen e programit. Për të rinjtë është hapur një thirrje ku janë ftuar që të aplikojnë dhe me pas janë përzgjedhur nga komisioni profesional për të qenë pjesë e këtij masterklasi me maestro Giménez, i cili është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri, i cili punon pothuajse në të gjitha studiot operistike më të njohura në botë dhe ishte mjaft e rëndësishme që ta sjellim edhe në Kosovë. Bashkëpunimi më të ishte mjaft i mirë dhe tejet i lehtë, kishim mirëkuptim nga të dy anët dhe çdo gjë ishte mjaft mirë e realizuar. Shpresojmë që do të vazhdojmë edhe në edicionet e radhës që të sjellim emra të mëdhenj të këndimit, që të rinjtë tanë të punojnë me ta dhe të kenë eksperienca të tilla.” 

Koncerti i radhës në “PriVocalFest”, ‘There is someone on earth’ me mezosopranon Albane Carrère, shoqëruar në piano nga Andi Duraku dhe violonçelistja Donjeta Cërmjani, mbahet më 19 tetor nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

‘Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten’, filmi fitues i Travel Fest Albania

Edicioni i tretë i Travel Fest Albania u përmbyll me ceremoninw e ndarjes së çmimeve, ku morën pjesë dashamirës të filmit dhe artit nga e gjithë bota. Për tri ditë me radhë, u shfaqën 30 filma dhe u ekspozuan 20 fotografi, që sollën rrëfime frymëzuese mbi traditën, trashëgiminë dhe natyrën e egër.

Ceremonia kulmoi me shpalljen e 12 filmave më të mirë në kategori të ndryshme. Çmimi për filmin më të mirë në kategorinë “Mjedisi & Ekologjia” shkoi për regjisoren italiane Raffaella Lorusso me filmin “Neverland”.

Ndërkohë, në kategorinë “Shqip”, triumfoi regjisori Adrian Guri me filmin e tij “Shpëtimi i Lumit Vjosa – Përtej Historisë”.

Cmimin kryesor të festivalit, Filmi më i Mirë i Edicionit, e rrëmbeu produksioni britanik “Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten” me regjisor dhe kompozitor Jim Sutherland (Xhim Satherlend) dhe skenariste fituesen e disa çmimeve Bafta, Morag McKinnon (Morag MekKinon) nga
Mbretëria e Bashkuar.

Ky triptik impresionues 65-minutësh, me një kolonë zanore simfonike të interpretuar nga Orkestra Kombëtare e Skocisë, rrëfen një histori universale për lidhjen e thellë të njerëzimit me natyrën dhe kohën.

Travel Fest Albania synon të nxisë krijimtarinë dhe ndërgjegjësimin për çështje mjedisore, duke ofruar një platformë të fuqishme për artistët nga e gjithë bota.

Festivali jo vetëm që vlerësoi talentin e regjisorëve dhe fotografëve, por dha edhe një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore./balkanweb/ KultPlus.com

‘Njerëz dhe Fate2’ nga 1 Nëntori në të gjitha kinematë në Shqiperi

Filmi “Njerëz dhe Fate 2” është gati të shfaqet për publikun. Telenovela e parë shqiptare e përbërë nga një kast i mrekullueshëm aktorësh, ka mbajtur Shqipërinë pezull, netëve të transmetimit në televizion.

Arben Derhemi, i njohur si Flori, ka sjellë realizimin e dytë të telenovelës si një film dhe pritet të transmetohet në të gjitha kinematë në Shqipëri nga data 1 nëntor.

Nuk dihet se si do të vijojë historia tragjike e familjes shqiptare, që përballej me vështirësitë e kohës; dhuna në familje, trafiku dhe droga. Ajo që dihet me siguri është interesi i madh i publikut, i cili 20 vjet më vonë e pret me të njëjtin interes.

Koleksioni i bizhuterive të Shirley Bassey thyen rekordin botëror me çmimin në ankand

Koleksioni i bizhuterive të Shirley Bassey theu një rekord botëror në ankand në Paris, me të gjitha krijimet në pronësi të këngëtares që shiten për një çmim kolektiv prej 2.2 milionë euro.

Koleksioni u shit në një ankand të Sotheby’s më 10 tetor, dhe të ardhurat do të shkojnë për bamirësi sipas vetë këngëtares.

Një unazë diamanti Van Cleef dhe Arpels e viteve 1960 me diamante me prerje të shkëlqyeshme, dhënë asaj nga Elton John, u shit për 48,000 euro, më shumë se trefishi i vlerësimit fillestar prej 10,000 deri në 15,000 euro.

Një gjerdan smeraldi dhe diamanti Van Cleef dhe Arpels, i blerë nga këngëtarja për të shënuar performancën e saj të parë të Varieteteve Mbretërore përpara Mbretëreshës Elizabeth II, u shit për 174,000 €, më shumë se dyfishi i vlerësimit fillestar prej 50,000 deri në 70,000 €.

Një karficë diamanti e vjetër nga viti 1905 u shit për 162,000 €, gati pesë herë më shumë se vlerësimi i saj fillestar prej 26,000 € dhe 35,000 €./KultPlus.com

Më 16-19 tetor 1448 u zhvillua Beteja e Kosovës

Nga Jahja Drançolli

Si sot, më 16/19 tetor 1448, u zhvillua Beteja e Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europën mesjetare. Vëmendje e veçantë tërheqin burimet që dolën pas betejës të cilat së bashku me epikën popullore ngatërruan personazhet tregimtarë të Betejës së Kosovës të vitit 1389 me ato historike të Betejës së Kosovës të vitit 1448!

Ndërsa, për Betejën e Kosovës në vitin 1389, historiografia e sotme ende nuk ka qenë në gjendje të dallojë Kosovën historike nga Kosova mitike, nga ana tjetër Beteja e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga më të famshmet betejat që ndodhën në Europën Mesjetare. Prandaj, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e frymëzuesve të luftërave anti-osmane të udhëhequr nga Janosh Hunyadi dhe Gjergj Kastriot-Skënderbeu.

Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë arena midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Hunyadi dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati II. Në krah të aleancës europiane ishin arbërorët e drejtuar nga Skenderbeu.

Në verën e vitit 1448, pasi mblodhi njësitë hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Hunyadi kishte kaluar Danubin dhe shkoi në Krushevac. Nga atje, ai mbërriti në Kosovë. Nga ana tjetër, Murati II, pasi u informua nga despoti Brankoviq, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje, kishte mbledhur rreth tij të gjitha njësitë, të cilat numëronin 50,000-60,000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri i tyre trefishohet. Njësitë e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore numëronin 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta tre-ditore përfundoi me humbjen e ushtrisë së aleancës.

Premtimet e bëra nga Skënderbeu për t’u angazhuar në anën e aleancës së krishterë e kishin inkurajuar Hunyadin të nxitonte për t’u përballur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për këtë përplasje dëshmohet sipas burimeve zyrtare dhe narrative. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhës dhe pasojave të betejës, burimet kohore japin detaje për vonesën e shqiptarëve në bashkimin me trupat hungareze. Arsyeja kryesore për vonesën e Skënderbeut ishin pengesat e despotit Gjuragj Brankoviq, aleat i dhëndrit Murat II, i cili mbylli të gjitha rrugët dhe shtigjet në të cilat ai mund të kalonte. Shumica e burimeve, duke justifikuar vonesën e Skënderbeut, nxorrën në pah dhe pa aftësinë e Hunyadit, i cili nuk duhet ta kishte pranuar betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave të epilogut, janë ruajtur detaje për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi kishin marrë rrugën drejt jugut jo larg Fushë-Kosovës, takuan Skënderbeun, i cili kishte filluar të bëhej bashkëluftëtar i Hunyadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, afër Vushtrrisë, u përpoqën të gjejnë Bogdanin, një paraardhës të Pjetër Bogdanit. Burimet që dolën pas betejës tërheqin vëmendje të veçantë, të cilat së bashku me eposin popullor kanë ngatërruar personazhet e Betejës së Kosovës në vitin 1389 me ato të Betejës së Kosovës në vitin 1448. Si shembull, mes tjerash këtu, duhet parë librin e përmasave europiane të humanistit nga Raguza, Mauro Orbini (1601), dhe ndonjë tjetër pas tij.!

25 vjet nga vdekja e Ejup Statovcit, ‘arkitekti historik’ i Universitetit të Prishtinës


Tetori brenda kujtesës sonë na rikthen në qëndresën studentore, atëherë kur individi përfaqësonte vullnetin e grupeve, e grupet brohoritnin interesat e Kosovës të viteve të 90-ta. Mirëpo, një rol kyç për protestat studentore të asaj kohe padyshim që kanë pasur edhe profesorët, të cilët në vijën e parë të frontit i qëndronin besnik kërkesave për Universitetin, shkruan KultPlus.

Një ndër emrat kryesorë që i dhuronin shtysë studentëve, ishte edhe akademiku Ejup Statovci. I shkolluar në Zagreb, Lubjanë, Kembrixh e Harvard, gjithë jetën ia dedikoj akademizmit dhe jetës universitare. Ai kishte marrë pjesë edhe në hartimin dhe komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ndërkaq, rezistenca e tij e shkëlqyeshme shfaqet më së miri në vitet përgjatë të cilave Universiteti i Prishtinës kishte kohën e saj më të rëndë.

Periudha 1991-1997 do ta gjente profesorin universitar në Fakultetin Juridik në pozitën e rektorit, duke i kthyer këto vite në përpjekje krahë më krahë me studentët, për të vetmin qëllim, arsimimin dhe Kosovën e lirë.

Arsimimi shqip dhe liria universitare kanë burim te figura të mëdha përgjatë historisë, të cilët përmes aksioneve të veta kishin bërë një kthesë të madhe të gjendjes. Ejup Statovci e bëri këtë përmes punës së tij për institucionalizimin juridik të Universitetit, duke nxjerrë Dekretligjin mbi shkollimin e lartë dhe Statutin e Universitetit; duke e transformuar atë në një Universitet të kohës sipas përvojës evropiane dhe botërore, duke e afirmuar dhe pranuar atë brenda dhe jashtë si Institucion shtetëror.

Sot, qëndrueshmëria e themelit universitar iu atribuohet këtyre figurave, e një ndër ta padyshim edhe Statovci. Kontributi i tij i madh si rektor, u kurorëzua me një mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt 1999, atëherë sa akademiku ishte ende gjallë.

Ndërkaq, “mirënjohje post mortum për kontributin e veçantë për rifillimin e punës së Universitetit të Prishtinës dhe për udhëheqjen e tij në kushte të jashtëzakonshme në periudhën 1991-1997”, iu nda edhe me rastin e 30-Vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, më 16 maj 2000.

Ejup Statovci i mbylli sytë më 19 tetor të vitit 1999, për të mbetur një ndër arkitektët e Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Turqisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunim

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Turqisë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Memorandumi është nënshkruar nga drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova Gaxha, dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Turqisë, Taner Beyoğlu, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore, të mbajtur në Ankara.

Kjo marrëveshje mbështet zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore shkencore dhe promovuese në trashëgiminë kulturore të shkruar, bibliotekari dhe botim, konferenca profesionale, trajnime për stafin, vizita studimore, si dhe shkëmbimin e materialeve në fushën e shkencës, artit, historisë dhe letërsisë. Po ashtu përfshihet shkëmbimi i materialeve bibliografike në nivel ndërkombëtar, promovimi dhe zhvillimi i koleksioneve.

Palët do të inkurajojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave, njohurive në lidhje me teknologjinë e informacionit, shërbimet bibliotekare dhe praktikat digjitale, si dhe koleksionimin e botimeve elektronike./KultPlua

Ura e Kasabashit, destinacion turistik mes historisë dhe bukurive natyrore

Ura e Kasabashit, monument kulture me rëndësi historike e qytetit të Çorovodës, konsiderohet po ashtu një atraksion turistik në zonë.

E ngritur mbi një degë të lumit Osum, dikur në të kalonte rruga e karvaneve Berat – Skrapar – Korçë.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo urë, e cila ruhet në gjendje të mirë.

Demo tha se ura vazhdon të funksionojë si nyje lidhëse midis zonave të krahinës dhe vizitohet nga turistët e shumtë gjithashtu.

Ura e Kasabashit gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës dhe futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.

Qemeri qëndror i cili ka një vëllim më të madh paraqitet me një konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 metra, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore.

Monumentet e kulturës në vendin tonë po promovohen dhe po mirëmbahen nga specialistët përkatës, pasi këto vende po shndërrohen në atraksione turistike mjaft të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj./KultPlus.com

Nga UNI – Universum International College në universitetin më të mirë në botë – Science Po, Francë

Eliesa Kurtaliqi dhe Enesa Isufi, studente në departamentin Juridik në UNI, si përfituese të bursës ndërkombëtare nga UNI, ato po vazhdojnë semestrin në një nga institucionet më prestigjioze në botë, Institutin e Shkencave Politike – Sciences Po, në Francë.

Sciences Po është shkolla ku kanë studiuar shumë figura të njohura, përfshirë Emmanuel Macron, presidenti aktual i Francës, dhe Jacques Chirac, ish-president i Francës. Gjithashtu, ky institut ka formuar personalitete të njohura në diplomaci dhe politikë globale, si ish-sekretarja e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, dhe ish-kryeministri i Italisë, Enrico Letta.

Gjatë studimeve të tyre, Eliesa dhe Enesa patën nderin të përfaqësojnë jo vetëm UNI – Universum International College, por edhe Kosovën, në Javën Ndërkombëtare të mbajtur në Institutin e Shkencave Politike në Rennes.

Kjo përvojë unike u ka mundësuar atyre të përfshihen në diskutime globale me studentë dhe profesorë nga e gjithë bota, duke promovuar në mënyrën më të mirë UNI – Universum International College dhe Kosovën.

UNI – Universum International College powered by Arizona State University, i vlerësuar si institucioni nr. 1 në Ballkanin Perëndimor, ha hapur thirrjen për 502 bursa semestrale për semestrin pranveror 2025.

#UNI i fuqizuar nga Arizona State University numëron 221 universitete partnere për bursa semestrale në 26 shtete të Evropës dhe Turqi.

Bursat vlejnë për të gjithë studentët e #UNI, në të gjitha kampuset dhe drejtimet, në nivelin Bachelor dhe Master.

Ky është vetëm një shembull i mundësive të jashtëzakonshme që studentët e #UNI përfitojnë përmes programit të shkëmbimeve ndërkombëtare.

Nëse dëshiron të ndjekësh hapa të ngjashëm dhe të studiosh në universitetet më prestigjioze në botë, si Sciences Po, APLIKO  KËTU për studime në #UNI dhe fillo rrugëtimin tënd akademik ndërkombëtar.

Për më shumë informata rreth bursave ndërkombëtare kontakto +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në facebook dhe instagram.

”Ora e Shkrimtarit” në Gjakovë me poetin Engjëll I Berisha   

PEN Qendra e Kosovës, në fund të kësaj jave, të premten, më 18 tetor 2024, mbajti aktivitetin e vet të radhës nga projekti “Ora e Shkrimtarit”, që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.  

Aktiviteti u zhvillua në Gjakovë, në ambientet e Bibliotekës Publike “Ibrahim Rugova” dhe ai iu kushtua poetit dhe publicistit, Engjëll I. Berisha.  

Poeti Sali Bashota duke e hapur këtë aktivitet letrar theksoi se “Gjakova ka dy shenja të përveçme që e simbolizojnë këtë institucion: emri i Bibliotekës ”Ibrahim Rugova” dhe salla e promovimeve të aktiviteteve letrare “Teki Dervishi”. 

Pasi i njoftoi të pranishmit me historikun e PEN Qendrës së Kosovës dhe me projektet që kjo organizatë shkrimtarësh ka realizuar dhe po vazhdon t’i realizojë gjatë këtij viti, Bashota përkujtoi rolin historik e kombëtar që ka pasur Gjakova me intelektualët e saj, në mënyrë të veçantë shkrimtarët dhe artistët, në zhvillimin e gjithëmbarshëm kulturor të kombit. Ai me këtë rast përmendi edhe pena të shquara letrare që kanë dalë nga ky qytet dhe përkujtoi edhe fusha të tjera ku artistët gjakovarë kanë lënë gjurmë krijimtarie në mbarë Kosovën dhe jashtë saj.  

Bashota pastaj foli për veprimtarinë letrare të poetit Engjëll I. Berisha. Duke e quajtur të veçantë e të rëndësishëm në brezin e tij krijues, Bashota për Engjëll I. Berishën tha se poezia e tij dallohet me figurën, ligjërimin dhe me porosinë që e bart. Bashota, pasi përmendi një varg veprash shkruar nga Berisha, veçoi veprat “Gjarpri në shishe”, “E diela e lutjes”, sidomos veprën poetike “Çati eshtrash” në të cilën Engjëlli i kthehet, me vargje, tragjedisë së familjes së tij gjatë luftës së fundit. 

“Liria është një motiv i përhershëm i Engjëllit”,  tha ndër të tjera, Sali Bashota.  

Të pranishmëve, që ishin të shumtë në Orën e poetit Engjël I. Berisha, pastaj iu drejtua kryetari Kuvendit Komunal të Gjakovës, Ardian Gjini.  

Gjini, pasi  ka përgëzuar punën që po bën PEN Qendra e Kosovës, përkujtoi angazhimin kulturor e artisitik të Engjëll I. Berishës. Veçoi siodmos punën e tij prej publicisti para dhe gjatë luftës dhe kontributin që po e jep tash e disa vite Engjelli në Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova”.  

Në vazhdim foli poeti Engjell I. Berisha, për të cilin edhe ishte organizuar takimi.  

Duke shpjeguar “Pse shkruan”, Engjëlli tha se “shkrimi reflekton ndjenjat dhe përvojat tona, për t’u lidhur me lexuesin. Për t’u rrëfyer, si një proces i lehtësimit të ngarkesës ideore, emocionale që mban në vetvete shkrimtari. Kjo vetvete është akumulim jo i vetëm ndjenjave, por edhe i përjetimeve, pse jo edhe i informacionit që ka, varësisht çfarë natyre të shkrimit bën autori. S’do mend se shkrimi bëhet për të ndarë mendime me lexuesin, për t’i dhënë lexuesit”.  

Duke vazhduar trajtimin e kësaj teme, Engjelli tregoi kështu pse shkruan: “E kam nisur me poezinë në vitet kur ngacmohesha nga leximi, vjersha për fëmijë, romane përtej moshës sime. Janë virtytet e jetës, atë që marrim në fillim tonë, prej të cilave formohemi e ndërtohemi, për ta dhanë pastaj në shkrim e në përcaktim mora e human.  Dashuria është indikatori i parë që ta nxjerrë shpërthimin, si zjarrmia kur e ke në trup, e donë t’u tregosh të tjerëve se po përvëlohesh brenda. Te poezia kërkohet kujdes më i veçantë te përdorimi i figurave stilistike që e interpretojnë kuptimin, për të qenë i kapshëm nga lexuesi, për ta ruajtur dramatiken, e që do të thotë shfaqja e veprimeve refleksive, sikur janë ndjenjat, apo efekte tjera”.

Duke zbërthyer artistikisht disa nga veprat e veta, Engjell I Berisha theksoi:    

“Dita me hënë e me nuse”, kap metaforën e ardhjes. Dita me hënë, në vitet e robërisë, natën e kishim më të lirë dhe nusja, liria, diçka e re, po vjen në dritën e hënës për ta sjellë të bukurën.   

Libër që shtrëngonte damarin, ta prodhonte metaforën frymëzuese. Frymëzi na duhej për të mbijetuar se po vjen ajo që donim. Durimi, motivimi, shtrëngimi rreth vetvetes, me njëri-tjetrin”.  

Më vonë, tha autori, erdhi vëllimi “Avenytë e Muzgut. Alegoria që ka secila poezi, te lexuesi e çon edhe kërkesën time, liberalizuese, frymuese. Pastaj, portretizimi individual del nga po ai univers. Kjo niset nga përshkrimi i lashtësisë, që poetika e lejon të bartet te gjenerata që vjen.   

Libri në vijim “Diaspora shqiptare”, nuk është vetëm gjeografi përshkruese e vendeve të bukura të Evropës, është klithma, vaji që bënin nënat duke përcjellë bijtë e tyre në mërgim. Është braktisja e vendit, e familjes, e dashurisë, e shkollimit. Janë reportazhe, rrëfime, ese, portretizime mërgimtarësh.  

Lufta e fundit në Kosovë, përfshiu edhe mendimin krijues. Luftë e robërisë me lirinë. E jetës me vdekjen. E kapluar e thellë fryma e njeriut në kërkim të demokracisë, me shpirtin e rënduar për t’u çliruar, u krijua veçori e shkrimit meditativ, për të shpërthyer pastaj me ardhjen e lirisë.  

Kritika po i klasifikon si poezi e luftës, edhe është në fakt, se i krijojë vetë lufta. Doli libri “Dyert e qiellit” dhe shumë shpejt “Çati eshtrash”. 

Poezia ma nxirrte vajin si te Mjeda. Lufta e fundit në Kosovë, shkatërroi shumëçka. U dogj shtëpia, u dogjën njerëzit e gjallë, vëllezërit e mi e shumë të tjerë. Eshtrat, pas vrasjes, djegies, mbetën për disa muaj në vend të çatisë. Kjo është lirika më e dhimbshme që më ka dalë prej shpirtit. Këta janë personazhet që ta krijojnë poezinë, narracionin, semantikën e figurën, prej të cilës e krijon veprën me çarjen e zemrës. Kam pa, se arti ndërtohet vetë, kur je përballë ngjarjes. Ky është arti natyral, pa pasur nevojë për imagjinatë”, tha Berisha i cili përfundoi se “të jesh i kënaqur me atë që ke dhe të kërkosh më shumë, janë dilemë e leximeve biblike, e psikologjisë së sotme dhe e kupton se gabimet e së kaluarës e determinojnë të sotmen. Por ja që gjërat ecin deri aty që lejon mundësia jote, që t’ është caktuar për rriskë dhe sa ke aftësi ti jetosh”.  

Në fund poezi të autorit lexuan nxënëset e Gjimnazit “Hajdar Dushi” Eltiona Muhadri, Arsa Saraçini, Aurela Thaçi dhe Albiona Muhadri ndërsa poetit iu shtruan edhe disa pyetje lidhur me krijimtarinë e tij./KultPlus.com

Kur isha i ri kisha dashuri


Poezi e shkruar nga William Shakespeare
Përktheu: Fan Noli

Kur isha i ri kisha dashuri,

ah dashuri,

E kisha zëmrën plot me lumtëri,

Me nuse e me dasm’ e me kurorë,

Isha si dash me brir’ e me këmborë,

Po e pabesa pleqëri më theu,

ah më theu,

Me pançën e me thonjtë më mbërtheu,

Më çthuri, m’arratisi në kurbete,

ah kurbete,

Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete.

Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë,

ah lopatë,

Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë;

Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë,

ah moj baltë,

Kështu e do kjo mysafir’ e naltë.

Mark Krasniqi: Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, edhe shqipja dykrenore 

Sot në përvjetorin e lindjes së Mark Krasniqit, KultPlus ju sjell dy thëniet e tij më të njohura, të cilat për së gjalli i tha për vdekjen e tij.

-Ata të cilët i kisha armiq për së gjalli i kam edhe për së vdekuri, shpresoj që mos t’më vijnë tek varri.

-Kryqit as Hënës nuk ju kam bërë hyzmetin, po as nuk kam qenë kundër tyre. Në pllakën e varrit le të jenë vetëm emri e mbiemri, edhe shqipja dykrenore mbi atë emër. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoron në Washington aleatët amerikanë që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë aleatët amerikanë që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përcjell KultPlus

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të presidentes Osmani:

FALEMINDERIT nga populli i Kosovës!

Përmes përpjekjeve të tyre të pandërprera dhe angazhimit të palëkundur për paqen, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Ambasadori William Walker, Kongresisti i ndjerë Tom Lantos, Ambasadori Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel janë disa nga aleatët tanë amerikanë që kanë lënë një trashëgimi, e cila do të kujtohet gjithmonë me përulësi nga populli i Kosovës.

Mbështetja e tyre ka formësuar të kaluarën tonë, fuqizon të tashmen tonë dhe frymëzon të ardhmen tonë! Për këtë kontribut, sot, në Washington D.C., pata nderin që, në emër të Republikës së Kosovës, t’i dekoroj me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë./KultPlus.com

Froni i Hekurt nga “Game of Thrones” shitet në ankand për gati një milion e gjysmë dollarë

Froni i Hekurt nga seriali kult “Game of Thrones” u ble në ankand për gati një milion e gjysmë dollarë në një shitje tre-ditore në Teksas dhe kostumet dhe armët legjendare morën gjithashtu pronarë të rinj.

Ankandi u organizua nga shtëpia amerikane e ankandeve “Heritage” nga Dallas, Teksas.

Froni i Hekurt, i shitur për 1.49 milionë dollarë, peshon rreth 140 kilogramë, është rreth 165 centimetra i gjatë, më shumë se dy metra i gjerë dhe rreth 160 centimetra i lartë dhe është përdorur për turne promocionale nëpër botë.

Froni është bërë nga froni origjinal i plastikës që përdorej për mbrojtje me një përfundim metalik të lyer dhe dekorime me xhevahire që i ngjanin krahëve të shpatave të mëparshme mbretërore.

“Froni i Hekurt është froni i pushtuesve, i bërë nga shpatat e armiqve të mundur dhe është simbol i pushtimit”, tha krijuesi i “Game of Thrones”./KultPlus.com

104 vjet nga lindja e akademik Mark Krasniqi

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor të vitit 1920. Ai ishte profesor, shkrimtar e akademik, shkruan KultPlus.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.

Mark Krasniqi ndër të tjera ishte edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”.

Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Akademik Mark Krasniqi ndrroi jetë më 28.08.2015 në Prishtinë./ KultPlus.com

Sot, dita kur ushtria amerikane fitoi betejën vendimtare për pavarësi

Më 19 tetor 1781, ushtria amerikane fitoi betejën vendimtare të luftës për pavarësi.

Gjenerali britanik, Lord Charles Cornwallis, u dorëzua në Yorktown të Virxhinias, pasi ushtria e tij u rrethua nga forcat e Geroge Washingtonit dhe flotës detare franceze.

Gjenerali Cornwallis nënshkroi dokumentet e dorëzimit pas gati dy javësh rrethimi.

Ai mendonte se qëndresa e mëtejshme do të ishte një humbje e kotë e jetës së trupave të tij. Gjenerali i urdhëroi ushtarët e tij të marshonin jashtë qytetit me dinjitet, me flamujt e tyre të pashpalosur në shenjë humbjeje.

Ndërkohë që trupat britanike dorëzonin armët, gjenerali urdhëroi bandën të luante marshin anglez me titull që i përshtatej atij rasti, “Bota është Përmbysur. /KultPlus.com

Sot, Dita e Nënë Terezës

Plot 21 vite më parë, më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II.

Në maj 2011 është mbajtur ceremonia e shenjtë e lumturimit të Nënë Terezës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Ajo shihet si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ia kushtoi gjithë jetën.

Në 4 Shtator 2016 Nënë Tereza u shpall Shën Tereza e Kalkutës, në një ceremoni madhështore fetare në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan.

Ceremonia u drejtua nga Papa Françesku, i cili bëri edhe shpalljen e shenjtërimit para dhjetëra mijë pelegrinëve që mbushën sheshin qendror të selisë së shenjtë.

Anjezë Gonxhe Bojaxhi, ose Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq në moshën 87 vjeçare, më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Ajo ishte humaniste e njohur shqiptare dhe fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen. /alsat/ KultPlus.com

NASA: Dielli ka arritur ciklin maksimal të nxehtësisë

Agjencia amerikane e hapësirës NASA deklaroi se dielli ka arritur ciklin maksimal të nxehtësisë, që mund të vazhdojë edhe për një vit, duke ofruar mundësi për të dalluar aurora borealis në muajt e ardhshëm.

Studiuesit e NASA-s shpjeguan se maksimumi aktual diellor, i cili filloi rreth dy vjet më parë, mund të zgjasë edhe më shumë, por konfirmimi përfundimtar do të varet nga analiza e mëtejshme e të dhënave të mbledhura deri më tani.

”Kjo fazë zakonisht zgjat rreth tre deri në katër vjet”, thanë shkencëtarët.

Aktiviteti diellor ndjek një cikël 11-vjeçar, duke u luhatur midis periudhave të qetësisë dhe aktivitetit intensiv.

Gjatë një maksimumi diellor, ndezjet e rritura diellore dhe nxjerrjet e masës koronale (CME) çojnë në një valë stuhish gjeomagnetike, që shpesh rezultojnë në shfaqje spektakolare të aurora borealis ose dritat veriore.

“Ky njoftim nuk do të thotë se ky është kulmi i aktivitetit diellor që do të shohim këtë cikël”, thekson Elsayed Talaat, drejtor i operacioneve të motit hapësinor në Administratën Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA).

“Ndërsa dielli ka arritur periudhën e tij maksimale, muaji në të cilin aktiviteti diellor arrin kulmin në diell nuk do të identifikohet për muaj apo vite”, shtoi ai.

Ditët e fundit, aurorat e kuqe dhe jeshile të ndezura ishin të dukshme në rajone të ndryshme, duke përfshirë Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe madje edhe në jug, deri në rajonin e Mesdheut./ KultPlus.com

“Historia e feminizmit në letërsinë shqipe”, Spiropali: Autoret gra, shpesh padrejtësisht në harresë

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit nën kujdesin e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali u zhvillua veprimtaria “Gra të padukshme: Historia e feminizmit në letërsinë shqipe. Lexime nga autore gra të viteve 30 – 40”.

Në këtë takim morën pjesë gjithashtu edhe deputetja, shkrimtarja Flutura Açka, ish-zëvendëskryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, ish-deputetja, shkrimtarja Diana Çuli, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, etj.

Në një postim në rrjetet sociale Spiropali tha se në takim u diskutua mbi historinë e feminizmit në letërsinë, kulturën dhe gazetarinë shqipe, si dhe u ndanë disa lexime nga autore gra të viteve 30-40, si Selfixhe Ciu Broja, Ollga Plumbi, Musine Kokalari, Urani Rumbo, Mila Vangjeli etj.

“Autoret gra shpesh janë mbuluar padrejtësisht me pluhurin e harresës, por ndrijnë sot më shumë se kurrë me kumtet e tyre të guximshme e të mençura, për një shoqëri të lirë e të zhvilluar”, theksoi Spiropali./ KultPlus.com

Shkodra plot me turistë në këto ditë tetori

Shkodra është shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga qyteti veriperëndimor, i mbushur plot me turistë edhe në këto ditë tetori.

Zona e Shkodrës është ndër më të vizituarat nga turistët e huaj për trashëgiminë, por edhe për peizazhet e mrekullueshme natyrore.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë periudhës janar-gusht 2024 regjistrohet një rritje prej 32% e numrit të turistëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2022 ka një rritje me rreth 70% të numrit të turistëve.

Qyteti i Shkodrës por edhe fshatrat rreth e qark kanë njohur investime të rëndësishme si në funksion të cilësisë së jetës së banorëve, por edhe me synimin e tërheqjes së vizitorëve të huaj ndërsa vendi përjeton bum turistik.

Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e liqenit të Shkodrës, pedonalja, kalaja e Rozafës./ KultPlus.com

ITB Berlin: Shqipëria, një portë mes Lindjes dhe Perëndimit, pret turistë gjatë gjithë vitit

ITB Berlin, panairi më i madh tregtar i turizmit, prezanton Shqipërinë si vendin e vizituar nga turistët gjatë gjithë vitit, të tërhequr jo vetëm nga bukuritë natyrore, por edhe nga një trashëgimi e pasur dhe ndërthurje kulturash.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shënimin mbi Shqipërinë, në faqen e panairit, ku vendi yne, në edicionin e vitit 2025 do të jetë vendi zyrtar i nderit i ITB Berlin 2025.

ITB Berlin e prezanton Shqipërinë si një portë mes Lindjes dhe Perëndimit, me një bashkëjetesë kulturash në harmoni të përsosur, qe rrëfen trashëgiminë e saj përmes kështjellave, muzeve, vendbanimeve ilire e parqeve arkeologjike, si ftesë për t’i ndarë me të gjithë vizitorët këto thesare.

“Ne duam t’ju përcjellim disa nga vendet kulturore më interesante në vend, të cilat panë 36 për qind më shumë vizitorë për periudhën midis janarit dhe gushtit, krahasuar me një vit më parë”, shkruan ITB Berlin duke renditur më poshtë disa prej objekteve kulturore më të vizituara në Shqipëri si: Kalaja e Gjirokastrës, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Qendra e Muzeumeve në Berat, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” e Qendra për Hapje e Dialog në Tiranë.

ITB Berlin është panairi më i madh tregtar i turizmit në botë. Kompanitë e përfaqësuara në panair përfshijnë hotele, borde turistike, operatorë turistikë, ofrues të sistemit, linja ajrore dhe kompani të makinave me qira. ITB Berlin zhvillohet çdo vit në mars, në Messe Berlin./ KultPlus.com