PriVocal Fest fillon më 6 tetor, do të jetë një program mjaft tërheqës

Festivali ndërkombëtar vokal i Prishtinës (Prishtina International Vocal Festival) u themelua në vitin 2018 si i vetmi festival në vendin tonë që promovon muzikën vokale, i cili tradicionalisht mbahet në muajin Tetor.

Që nga krijimi festivali ka arritur të sjell në vend artist, ansamble, kore të njohura ndërkombëtarisht me renome botërore por duke mos lënë anash dhe ata vendor. Përveç aktiviteteve koncertale synimi ynë është të promovojmë poashtu vepra vokale nga kompozitorët shqiptar, duke i futur ato në repertuarët e interpretuesve vendor dhe ndërkombëtar.

Aktiviteti i PriVocalFest zgjerohet edhe në aspektin e ofrimit të njohurive rreth vokalit, kompozitorëve të muzikës vokale dhe performancave të ndryshme e karakteristike duke organizuar punëtori/masterklase me profesionist të fushës.

Përgjatë ekzistimit të festivalit në edicionet e kaluara kanë qenë prezent artistë nga skena vendore dhe të huaj si: THE KING’s SINGERS (UK); The GESUALDO Six (UK) ; Kori GACC nga Gjermania; Kori i Filharmonisë së Kosovës; Ansambli vokal Zanat; Youth Female Choir-MKC nga Shkupi; Ansamblin Dardanicum Cantori; solistë si: Adelina Paloja, Stefani Dudikj, Ismet Vejseli, Arta Jashari etj. dhe dirigjentët si: Fernando Briones (Spanjë) ; Kushtrim Gashi (Gjermani); Hajrullah Syla (Kosovë) etj.

Këtë vit (2022) Prishtina International Vocal Festival feston 5 vjetorin e themelimit, me një edicion special ku do të ketë një program atraktiv dhe mjaft të pasur me artist të njohur.

Këtë vit, festivali nisi me një koncert i cili i parapriu edicionit të pestë, koncert ky i mbajtur në muajin maj, ku të ftuar në skenë kishim mexosopranon Elikonë Hysaj Shala nën shoqërimin e pianistest Pranvera Hoxha Bryma, me mysafirë special, korin e fëmijëve dhe të grave “Okarina” të cilët sollën një program shumë simpatik dhe atraktiv.Në vazhdën e festivalit këtë edicion do sjellim 5 netë me koncerte të pasura me vokale të ndryshme, laramani veprash e kompozitorësh vendor dhe të huaj; dhe me një ndryshim nga vitet e kaluara këtë edicion përveç netëve koncertale vokale, kemi organizuar një panel diskutimi me kompozitorin e njohur botëror Ēriks Ešenvalds. Koncertet e këtij edicioni do të mbahen nga data 6 deri më 12 Tetor 2022.

Hapja e këtij edicioni do bëhet me Ansamblin “Argjiro” të cilët do interpretojnë perla të muzikës karakteristike labe, trashëgiminë dhe pasurinë e muzikës vokale shqiptare, këngë si: epike, lirike, dashurie, trimërie etj; duke vazhduar me panelin e diskutimit rreth krijimtarisë së kompozitorit të njohur botërisht me prejardhje nga Letonia- Ēriks Ešenvalds, një diskutim rreth veprës Legjenda e gruas së murosur, vepër e kompozuar nga Ešenvalds e cila ndërtohet mbi motivet e muzikës së Jugut të Shqipërisë. -Data 6 Tetor (Koncerti dhe paneli do të mbahen në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, nga ora 20:00). Nata e dytë e këtij edicioni vazhdon me Skena e Re, ku do të prezentohen në skenë Kori i fëmijëve të shkollës së muzikës së Gjilanit të udhëhequr nga Artan Jerliu dhe në pjesën e dytë të programit do të kemi Martina Lekaj, soprano dhe Ylberinë Avdyli, soprano. (do të mbahet më 7

Tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nga ora 20:00). Nata e tretë e festivalit do vazhdojë me The Siwngle Singers- ansambli me renome botërore, fitues të 5 çmimeve Grammy Awards, për herë të parë në Kosovë duke sjellur programin e tyre atraktiv përmes këndimit shumë specifik me efekte vokale dhe program të përzgjedhur me pjesë mjaft interesante. Data 10 Tetor (Ky koncert do të mbahet në qendrën “Bogdani Polis”-katedralja “Nëna Terezë” nga ora 20:00 )

Nata e katërt e PIVF do vazhdoj me sopranon e skenës sonë Arta Jashari e shoqëruar nga pianistja Pranvera Hoxha Bryma. “Mbi Re” është quajtur programi i cili përmban këngë të përpunuara dhe të mirëfillta shqipe të së madhes Nexhmije Pagarusha. Data 11 Tetor (Ky koncert do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nga ora 20:00)

Dhe nata e pestë dhe përmbyllëse e festivalit sjell në skenë Korin e Filharmonisë së Kosovës të udhëhequr nga kompozitori, dirigjenti Ēriks Ešenvalds të cilët do interpretojnë program me vepra nga kompozitor të ndryshëm duke përfshirë dhe vepra nga krijimtaria e Ešenvalds si dhe kompozitorëve shqiptarë. Data 12 Tetor (Ky koncert do të mbahet në Kishën Katolike “Shën Ndou”-Prishtinë, nga ora 20:00). /KultPlus.com

Përmbyllet “Prishtina International Vocal Festival”, solli koncerte cilësore të muzikës klasike

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se pjesë e publikut në mbrëmjen e tretë të festivalit “Prishtina International Vocal Festival”, ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke shijuar kështu një program të pasur nën tingujt e pianos nga Anastasija Gichevska dhe zërit mahnitës së tenorit Ismet Vejseli, përcjell KultPlus.

“Urojmë organizatorët për punën që kanë bërë, për të sjell pranë qytetarëve muzikë klasike dhe koncerte kaq cilësore”, ka shkuar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tyre:

Katër koncerte plot energji në “Prishtina International Vocal Festival”
Katër mbrëmje me koncerte të veçanta dhe artistë fantastik që performuan para publikut të Prishtinës.
Mbrëmë u përmbyll “Prishtina International Vocal Festival” që u mbajt në Kishën Katolike “Shën Ndou”.
Pjesë e publikut në mbrëmjen e tretë të festivalit ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke shijuar kështu një program të pasur nën tingujt e pianos nga Anastasija Gichevska dhe zërit mahnitës së tenorit Ismet Vejseli, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.
Festivali këtë vit filloi me sopranon Stefani Dudikj nga Maqedonia, nën shoqërimin e pianistit Milan Jankuloski, ndërsa nata e dytë vazhdoi me performancën ‘’Skena e Re’’ nga solokëngëtare të reja nga vendi ynë, Urta Haziraj, Anita Kërhani, Elona Sadiku, Vanesa Krasniqi, nën përcjelljen e pianistit Andi Duraku, për të vazhduar me tenorin Ismet Vejseli e Anastasija Gichevska dhe u përmbyll me korin Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë, të udhëhequr nga dirigjenti Hysen Nimani, me një program veprash të kompozitorëve shqiptar dhe atyre të huaj.
Urojmë organizatorët për punën që kanë bërë, për të sjell pranë qytetarëve muzikë klasike dhe koncerte kaq cilësore. / KultPlus.com

Paloja mahnitë me performancë në natën finale të ‘Prishtina International Vocal Fest’

Medina Pasoma

Dritat e sallës u drejtuan nga ajo, emocionet e skenës filloi t’i ndjente por sytë e saj u përballën me një boshllëk në ulëset e audiencës. Sopranoja me zërin e mrekullueshëm, Adelina Paloja performoi koncertin ‘’Recital’’ në natën finale të Festivalit “Prishtina International Vocal Fest”, shkruan KultPlus.

Ishte bërë kohë e gjatë prej kur Paloja kishte munguar në skenën muzikore si pasojë e situatës pandemike që ka cunguar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore dhe jo vetëm. Sopranoja u rikthye me performancën e saj të jashtëzakonshme në edicionin e tretë të ‘’PriVocalFest’’, nën shoqërimin e pianos së Lirika Pulës dhe të një audienceje virtuale. Natyrisht mos prezenca e publikut është edhe mungesë e energjisë që përçohet në mes tyre dhe artistit, mirëpo Paloja arriti ta menaxhoj këtë duke i jetuar thellësisht veprat me të cilat u prezentua kësaj radhe.

‘’Vetë skena të dhuron magjinë sepse mundëson që përmes artit tënd të jetësosh veprat e kompozitorëve që lanë gjurmë të përjetshme përmes thesarit artistik që trashëguam nga ta. Me interpretimet tona ne prekim të padukshmen, hapësira e zemra njerëzish’’, theksoi për KultPlus sopranoja Adelina Paloja.

Programi u hap me veprën e Prenk Jakovës ‘’Kah mendoj për ditë e reja’’, përderisa veçantia e saj mbetet te fakti se kësaj radhe ishte e shkëputur nga opera dhe për herë të parë interpretoi si Solo. Publiku vazhdoi të dëgjoj një bllok veprash vokale nga kompozitori rus Sergei Rachmaninoff, përderisa pjesa e dytë e koncertit përfshiu ciklin nga Joaquin Turina, e cila erdhi si premierë në Kosovë dhe vepra të tjera spanjolle dhe italiane.

Ndërkaq Paloja për përzgjedhjen e tyre është kujdesur që të jenë pak ose hiç të interpretuara më parë në vendin tonë, në mënyrë që dëgjuesit të përballen me diçka të re.
‘’Kjo ariozë nga opera e parë shqiptare “Mrika” të cilën për herë të parë të shkëputur nga opera e kam interpretuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSh-së me maestro Jetmir Barbullushin, është jashtëzakonisht e bukur dhe me motive të fuqishme andaj uroj që të vazhdoj të interpretohet më shpesh’’, shprehet tutje sopranoja Paloja teksa flet për veprën e Jakovës ‘’Kah mendoj për ditë e reja’’.

Përderisa për Palojën mbetet kënaqësi performimi në ‘’Prishtina International Vocal Fest’’, periudha përgatitore për këtë koncert merrte kohë dhe shumë mund. Poashtu, vend të rëndësishëm kishte zënë edhe konceptimi i programit, i cili sipas saj duhet të kishte një sintezë logjike.

‘’Kam përzgjedhur si bllok veprash të pjesës së parë krijimtarinë vokale nga opusi i kompozitorit rus Sergei Rachmaninoff të cilat përveç që janë me kërkesa gjithashtu është janë jashtëzakonisht të bukura dhe është e pamundur të mos mishërohesh me secilin tingull e fjalë. Pastaj një cikël nga Joaquin Turina i cili intepretohet si premierë kosovare për të vazhduar me vepra tjera të bukura nga literatura spanjolle dhe italiane’’, potencon sopranoja për KultPlus.

Emocionet e Palojes padyshim se do të shtohen edhe më shumë, kur publikun të cilin e ka motiv do ta takoj në interpretimet sy më sy.

‘’Si përherë ndihem e bekuar me pritjen e publikut artdashës që e ka përcjellur koncertin e mezi po pres t’i kem përballë në skenë e ta përjetojmë muzikën së bashku. Janë pjesa më e bukur ku puna ime kurorëzohet andaj jam thellësisht e falënderuese ndaj tyre’’, deklaron Paloja.

Ky interpretim ishte ndër ato interpretime që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, anipse nuk gëzuan mundësinë e të shijuarit drejtpërdrejt edicionin e sivjetëm të ‘Prishtina International Vocal Fest’. / KultPlus.com