La Fazani me ‘Oj Kosovë’ shpallet fitues i Festivalit të Këngës

La Fazani me “Oj Kosovë” është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës, shkruan KultPlus.

Juria në përbërje me: Alma Bektashin- kryetare, dhe anëtarët Ulja Sjostrom, Adi Hila, Alban Nimani, Zake Prelvukaj kanë shpallur fitues të Festivalit të Këngës La Fazanin me “Oj Kosovë”.

Në natën e sotme, kanë interptetuar 10 finalistët të cilët u përzgjodhën në dy netët e kaluara:

Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”

Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”

Angus Dei me “Një zemër për dy”

La Fazani me “Oj Kosovë”

Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”

Nita Latifi me “Marrëzi”

Neki Emra me “Heroi im”

Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”

Saranda Alija me “Mendoj ku je”

Klea Dina me “Trenat”/KultPlus.com

Poeti italo-arbëresh Pierfranko Bruni shpallet fitues i  Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’

Poeti italo/arbëresh nga Kalabria, Pierfranko Bruni, është shpallur fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit Jubilar të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.

Ky çmim iu dha poetit italo/arbëresh me motivaconin se “Pierfranco Bruni është një personalitet shumëdimensional. Përveçse studiues në fushë të arkeologjisë dhe drejtor në Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore të Italisë, ai është mjaft i njohur për lexuesin italian e më gjerë si poet, kritik letrar dhe eseist.”

Ky është vendim u mor nga juaria në përbërje me studjuesit e letërsisë, Ymer Çiraku (kryetar), Vebi Bexheti dhe Ndue Ukaj (anëtarë).

Më 2004, Drejtoria e Festivalit poetin Pierfranko Bruni e ka shpallur Anëtar Nderi të Festivalit.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 21 tetor 2023, në qytetin e Tetovës dhe në Kosovë.

Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur të letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), George Wallace (SHBA), Visar Zhiti (Shqipëri), Fiona Sampson (Angli), Kama Kamanda (Kongo), Kristoffer Leandoer (Suedi) etj.

Përndryshe poeti Pierfranko Bruni ka botuar disa përmbledhje me poezi. Kontributi i tij është i vlerësuar edhe në një sërë studimesh mbi letërsinë italiane, europiane dhe mesdhetare të shekullit të njëzetë, ku shquajnë shkrimet për autorë të shquar të përmasave botërore si Pirandelo, Kuazimodo, D`Annunzio, Ungareti e Pavese.

“Veçmas poezia e tij, përmes sistemit të pasur figurativ dhe ideor, mbart një vlagë të fuqishme humanizmi dhe besimi të palëkundur në vlerat egzistenciale të njerëzimit. Ai beson se edhe në natën më të thellë,  duhet gjetur një yll i vogël, që do të ndriçojë udhëtimin e njeriut. Kredo e tij si shkrimtar përmblidhet në sentencën aq kuptimplotë se të shkruash, në fakt, është të jetosh brenda fjalës. Pra, misioni i shkrimtarit është që ai të identifikohet e mishërohet me gjithëshka – në veprën e tij. Si të thuash, të ketë pra një besëlidhje të pandashme në raportin shkrimtar e vepër, ku të mbizotërojë veç sinqeriteti dhe e vërteta pa kushte.

Pra, tek ky poet, prozator dhe eseist letrar, është tipar i dukshëm qasja estetike nëpër një rrjet të dendur referencash filozofike, çka u sjell këtyre krijimeve një dimension mjaft sintetizues e universal”, thuhet në komunikatë.

Më tej në motivimin e Jurisë u tha se, “Si një krijues i lindur në mjediset kalabreze të Italisë së Jugut, janë të pranishme në këtë poezi edhe disa motive me kujtesën për Teutën ilire, apo me shpendin simbolik të shqiponjës. Sipas pikëvështrimit të tij, legjenda është një mister, që jeton tek e vërteta, prandaj edhe i drejtohet pa mëdyshje mbretëreshës së lavdisë ilire, kur sheh aq ngjajshmërisht: “sytë e tu me ngjyrën e grave të Shkodrës”.

Në vlerësimet që i janë bërë kësaj krijimtarie, dy janë segmentet themelore që karakterizojnë rrugëtimin e tij letrar: kujtesa dhe nostalgjia. Pra, poetika e veprës së tij, endet dhe merr vlera në këto hapësira letrare dhe estetike”.

Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 20 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Itali, Palestinë, Zvicër Francë, Meksikë, Korea e Jugut, Irak, Belgjikë, Kroaci, Greqi etj., dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare dhe daspora. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj./KultPlus.com

Filmi ‘Si Në Vaj’ shpallet fitues në dy kategori në Gässli Film Festival në Basel

Filmi ‘Si Në Vaj’ i regjisores Aulona Selmani është shpallur fitues në dy kategori, në festivalin Gässli Film Festival në Basel, shkruan KultPlus.

Filmi ka fituar në çmimin ‘SRG Regjisorja më e mirë’ që i është dhënë Aulona Selmanit dhe çmimin ‘Çmimi i Publikut’.

Përmes një postimi në facebook, regjisorja Aulona Selmani ka bërë të ditur se çmimet e fituara në  Festivalin e Filmit në Basel ia dedikon nënës së saj dhe aktorëve të cilët pumuan në realizimin e filmit

“Çmimin e parë i‘a dedikova mamit tim kurse çmimin e dytë ekipit dhe aktoreve që punuan për t‘a realizuar këtë film.

Ju falemnderit të gjithëve që keni votuar për çmimin e publikut!”/KultPlus.com

Ansambli ‘MATI’ nga Shqipëria fitues i festivalit ‘I këndojmë Lirisë’ në Klinë

Ansambli i këngëve dhe valleve “MATI” nga Shqipëria është shpallur fitues i edicionit të 21-të, të Festivalit Folklorik ‘I këndojmë Lirisë’, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 21-të të këtij festivali e ka fituar ansambli i këngëve dhe valleve “Mati” nga Shqipëria.

Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë Qendra Kulturore “Anamorava” nga Vitia.

Vendin e tretë AKV “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa çmimi i publikut i ka takuar ansamblit të këngëve dhe valleve “Minatori”.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e festivalit duke thënë se si Komunë e kanë mbushur qëllimin  e tyre në organizimin e këtij festivali pasi është shumë domethënës në karakterin dhe cilësinë e Komunës së Klinës.

“Në emër të komunës së Klinës, si organizator i festivalit, i falënderoj grupin organizator për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit, jurinë për punën e tyre, pjesëmarrësit që ia kanë shtuar hijeshinë festivalit.

Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues dhe do të vazhdojmë ta mbështesim çdo herë”, ka shkruar Elezaj në facebook.

Kryetari Elezaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit ka përkutuar të gjithë të rënët për liri.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!

Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!”, ka thënë Elezaj./KultPlus.com

Rijetësimi i Kino Lumbardhit, finalist i çmimeve prestigjioze evropiane

Fondacioni Lumbardhi i Kosovës, është përzgjedhur si finalist i çmimeve prestigjioze “New European Bauhaus Awards” për vitin 2023!

Procesi i rijetësimit të Kino Lumbardhit, kinemaja emblematike e Prizrenit, është vlerësuar në mesin e 61 projekteve, nga mbi 1450 aplikime, në kategorinë tematike “Rifitimi i ndjenjës së përkatësisë”, nën shtyllën “New European Bauhaus Education Champions”.

Ky ishte një vlerësim i madh për angazhimi 8-vjeçar për rijetësimin e Kino Lumbardhit.

Ky nominim fokusohet në iniciativa në edukim dhe të mësuarit, në rastin e Lumbardhit, me theks në procesin e të mësuarit në ndërtim institucional, angazhim të komunitetit dhe pronarëve, si dhe trajtim të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit të ndërtuar.

Fituesit e “NEB Awards 2023” do të shpallen në datat 21-22 qershor 2023, në Bruksel. Publiku pati mundësinë të votonte për tre projekte fituese përmes votimit online, votim i cili mbyllet sot.

Kinemaja Lumbardhi u krijua në 1952 në Prizren. E hapur si pjesë e një ndërtim modern kulturor në një shtet të sapokrijuar, fillimisht funksionoi si një kinema e brendshme. Në vitin 1959, kinemaja në ambient të hapur u vu në dispozicion të publikut. Deri në ndërhyrjen ushtarake në 1999, Lumbardhi funksiononte si një kinema e cila qeverisej si institucion publik i vetë-menaxhuar./atsh/KultPlus.com

KHF Istogu dhe KH Trepça, shpallen fitues të kupave në hendboll

Klubi Hendbollistik për Femra ‘Istogu’ dhe Klubi Hendbollistik ‘Trepça’, janë shapllur fitues të kupave në hendboll.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka uruar skuadrat hendbollistike, KHF Istogu dhe KH Trepça, për fitoren e kupave, shkruan KultPlus.com

“Skuadrat e KHF Istogu dhe KH Trepça të cilat fituan trofeun e Kupës së Kosovës, i urojmë për fitoren e këtij kampionati.

Vajzat e Istogut triumfuan ndaj Vushtrrisë teksa djemtë e Trepçës rikthyen kupën pas 20 vitesh, duke mundur në finale Besa Famgasin.

Fat dhe suksese edhe në garat ndërkombëtare.”, thuhet në urimin e MKRS./KultPlus.com

Bashkim Shehu laureat i çmimit Balkanica

Bashkim Shehu është fitues i çmimit të madh Balkanica i konsideruar si “Nobeli i Ballkanit”. Në ceremoninë e mbajtur dje në Shkup shkrimtari shqiptar është shpallur si më i miri, në një garë ku merrnin pjesë emra të rëndësishëm të letrave ballkanike.

Shehu fitoi çmimin e madh me romanin romanin “Loja, shembja e qiellit”, botimet Toena. Për këtë roman Shehu është shpallur fitues i çmimit “At Zef Pllumi” – 2013. Po këtë vit juria e Panairit të Librit Fier e nderoi me çmimin “Autor i Vitit” – 2013. Është hera e dytë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike.

Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi. Romani “Loja, shembja e qiellit” është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese TOENA, në vitin 2013. Për këtë roman dhe vlerat e tij letrare janë shkruar me dhjetëra artikuj vlerësues në median e shkruar. Në garë për çmimin Balkanica ishte dhe poetja Luljeta Lleshanaku. Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit: Vladimir Yankovski “Invisible love” (FYROM) Christo Karastoyanov “The same night” (Bullgaria) Ana Ristovic “Directions for use” (Serbia) Seray Şahiner “The hairstyle of the bride” (Turqia) Dimosthenis Papamarkos “Gjak” (Greqia) Simona Sora “Hotel Universal” (Rumania) . Romani i Shehut flet për dramën psikologjike e një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetor dhe me autoritetin e Zotit. Rini e ndërprerë, dëshira dhe dashuri të gjymtuara: i përndjekur nën diktaturë me internim dhe me burg, i çorientuar në post – diktaturë, i rrethuar “nga një valle marramendëse fantazmash që e ka ndjekur gjithë jetën”, siç thuhet në roman, kërkon rrugëdalje nëpërmjet fesë dhe nuk arrin të besojë. Është miqësuar ndërkaq me një prift françeskan, bashkëvuajtës i tij, tek i cili gjen mbështetje shpirtërore. Dhe dikur, mbas burgut, vendos të shpaguhet për mikun: një shpagim pa dhunë, e megjithatë i tmerrshëm, i pamëshirshëm. A mund t’i shkojë gjer në fund asaj që ka vendosur? Në fabulën e romanit ndërthuren skena të dy epokave, duke përfshirë edhe ngjarje reale të futjes së armëve në Kuvendin Françeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit.

Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani). Fituesit e edicionit të 17-të dhe të

18-të të këtij Çmimi shpallen të dielën, në 3 dhjetor 2017, nga Juria Ndërballkanike e këtij kompeticioni, në Qendrën Kulturore për të Rinj – Shkup. Më parë këtë Çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli (2002) dhe Ismail Kadare (2009)./ KultPlus.com

Mia Krajcar fitoi çmimin kryesor të PITF, ‘Unaza e Faruk Begollit’

Rrugëtimi gjashtëditor i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë “Prishtina International Theater Festival” mbajti ceremoninë e ndarjes se shpërblimeve për fituesit e festivalit brenda hapësirave të teatrit “Faruk Begolli” në AAB, shkruan KultPlus.

Gylymser Hoxhaj

Ceremonisë së shpërblimeve i parapriu shfaqja “Armiku i popullit”, e cila është realizim nga produksioni i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, nën regjinë e Fatos Berishës, me autorë Henrik Ibsen, dhe në skenë erdhi përmes aktorëve Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli…

Ishte po kjo shfaqje ekipi i së cilës u ngrit përsëri në skenën e teatrit për të marrë pesë nga gjashtë çmimet e këtij festivali. Mirëpo çmimin kryesor që është ‘Unaza e Faruk Begollit’ e morri aktorja kroate Mia Krajcar.

Çmimi i parë për shfaqjen ‘Armiku i Popullit’ erdhi nga juria e studentëve të këtij kolegji, i cili u dha nga Njomza Haziraj, çmimi i dytë erdhi nga juria e medieve, e që u dha nga kryesuesja e kësaj jurie, njëherësh edhe themeluese e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Pasuar nga tri çmime nga juria qendrore, e cila në përbërjen nga aktori Enver Petrovci, Tina Smalcelj, dramaturge dhe publicisti Adriatik Kelmendi për shfaqjen “Armiku i popullit” dhuruan çmimin në kategorinë shfaqja më e mirë, në kategorinë regjia më e mirë dhe në kategorinë aktori më i mirë në rol dytësor kurse për aktoren më të mirë, çmimi “Unaza e Faruk Begollit” u dhurua nga Ilir Tafa për aktoren kroate Mia Krajcar.

Shfaqja “Armiku i popullit” e solli shpërfaqjen një sistemi të kalbur e të korruptuar të një qyteze, ku përdoret çdo formë për të mbuluar të vërtetën. Keqpërdorimi i “interesit publik”, gjithmonë i dominuar nga interesi personal. Dy vëllezër, të rritur në një familje , njëri shfaqet në pozitë vendimmarrëse (Peteri )si kryetar i bordit të ndërmarrjes së ujërave dhe tjetri doktor (Thomasi) i cili sjellë një analizë që vërteton se ka materie helmuese në ujë. Në përballjen e këtyre dy kundërshtive, kjo shfaqje sjellë edhe një shtyp po ashtu të luhatshëm, që refuzon të nxjerrë në pah dëshmitë edhe kur i ka, vetëm kur nga lart u kujtohen përfitimet dhe interesat e tyre financiare, që i mbajnë edhe ata larg interesit publik. Në një situatë të tillë Thomasi mbetet në një betejë i vetëm me përkrahjen e familjes se tij.

Regjisori i shfaqjes fituese “Armiku i popullit”, Fatos Berisha tha për KultPlus që pjesëmarrja dhe çmimet e këtij festivali i sollën nder atij edhe teatrit të Prizrenit.

“Për mua ka qenë nder për me qenë pjesë e këtij edicioni, edhe pse është i pari ka arrit të ndërtoj një standard edhe në përmbajtjen e shfaqjeve garuese. Edhe sikur të mos e kishim marr asnjë çmim, prapë do të kishte qenë një nder për ne që të marrim pjesë në këtë teatër dhe në këto kushte që i ofron. Duke qenë se ka pasur shumë shfaqje të mira, në mesin e të gjitha atyre po ndihem i vlerësuar. Po ndihem shumë mirë sepse ka pasur çmime të ndryshme nga juri të ndryshme, edhe për shfaqjen edhe për aktoret. Ky po ashtu është një lajm i mirë edhe për teatrin e Prizrenit, i cili na ka ofruar kushte mua dhe regjisorëve të tjerë për me e shpreh kreativitetin tonë. Kjo do t’i jap energji teatrit dhe ekipit dhe atyre që e mbështesin edhe financiarisht këtë teatër”, tregoi Berisha.

Krejt ky festival u përmbyll kur në skenë u ngjit aktori Enver Petrovci i cili tregoi për ndarjen e çmimeve, ku i janë larguar natyrës politike të ndarjeve të çmimeve në Ballkan derisa dhe ngriti lart institucionin që organizoi këtë festival.

“Gjithmonë i mbetet hatri dikujt, vërtetë nuk kemi bërë politikë, e kemi bërë më sinqeritet aq sa kemi pasur çmime. Ta ndërtosh një teatër siç është teatri “Faruk Begolli” është si të ndërtosh një xhami, apo kishë, bile edhe më vështirë. Ky objekt është një objekt shpirtëror ndërtuar me para vetanake. Shpresoj që vitin e ardhshëm Ministria t’i ndihmoj këta njerëz që investojnë në anën shpirtërore të popullit të vet”, përfundoi Petrovci.

Ky festival gjatë kësaj jave priti gjithsej gjashtë shfaqje garuese “Dhe jetuan të lumtura…?”, nga Kroacia, “Shërbëtoret” nga Bullgaria, “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “ Armiku i Popullit” nga Kosova./ KultPlus.com

Filmi nga Polonia, filmi më i mirë në TIFF-ODA

Pas një jave plot filma, debate për filma dhe muzikë, mbrëmë mbaroi TIFF Oda film festival në Tetovë, i cili u përmbyll me filmin “Rregulla Arti”.

Drejtori i këtij festivali, Sabedin Selmani thotë se organizimi shkoi shumë mirë dhe se ky festival u mirëprit tejmase nga adhuruesit e filmit.

“Organizimi ishte shumë i mirë, dhe gjithashtu kësaj radhe kishim edhe shumë vizitorë. Kësaj radhe edhe mbylljen e kishim speciale, pasi që filloj jazzfesti. Gjithçka ishte në nivelin e duhur dhe jemi shumë të kënaqur me këtë realizim që u bë”, tha për Portalb.mk, Selmani.
Ja çmimet që u ndanë në këtë festival:

Kategoria – WIN PANORAMA ( Filmat e shkurtër në konkurrim)

Përbërja e jurisë:
1.MEVLAN Shanaj
2.BURBUQE BERISHA
3.LLAZAR SEKULOVSKI

Filmi më i mirë
I’ve got you – Poloni

Regjia më e mirë
Approachhing- Republika Ceke

Montazhi më i mirë
Fight for death-Maqedoni

Kinematografia më e mirë
Bon appétit-Shqiperi

Filmi më i mirë i Animuar
Ethnophobia-Shqiperi-Greqi

Çmimi i publikut
Toka-Maqedoni

Kategoria: Student panorama

Filmat Studentor në konkurrim:

Dokumentari më i mirë studentor
Studants – FDU- Maqedoni

Filmi më i mirë Studentor
First Kiss-Fiofa

Çmim nderi
Man with the will of steel-Bosnja dhe Hercegovina

Ndryshe, ky festival u hap me festivalin “Hunting Flies” drejtuar nga Izer Aliu, film i prodhuar nga prodhimi norvegjez dhe i realizuar në Maqedoni. Qëllimi i këtij festivali është qasja e të gjithë artistëve të filmave me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve, prezantimit të veprave kulturore, etj.

Brenda kësaj jave të festivalit janë shfaqur filma nga vende dhe artistë të ndryshëm.
Ndërkohë, pas mbarimit të festivalit të filmit, pas 3 viteve rikthehet në Tetovë manifestimi JazzFest Tetova./ KultPlus.com