Arkivi personal i Besim Sahatçiut pjesë e Arkivit Publik

Në vazhdën e proceseve të grumbullimit dhe digjitalizimit të arkivave të ndryshme të indvidëve dhe institucioneve të ndryshme që kanë formësuar jetën artistike, intelektuale si dhe trashëgiminë kulturore në Kosovë, Kino Lumbardhi është në përfundim të procesit të digjitalizimit të arkivit personal të regjisorit të mirënjohur Besim Sahatçiu.

Besim Sahatçiu, si figurë kyçe e kinematografisë së shekullit XX në Kosovë, ka lënë pas një arkiv të organizuar me kujdes, duke ofruar dëshmi audio/vizuale dhe materiale përgjatë momenteve të ndryshme të karrierës së tij, duke filmuar dokumentarë, filma artistikë, vepra në teatër si dhe kujtime apo mirënjohje të ndryshme me të cilat është vlerësuar gjatë jetës së tij.

Sahatçiu lindi në Pejë në vitin 1935 dhe ndërroi jetë në vitin 2005. Veprimtaria e tij shtrihet gjërësisht në artet skenike dhe kinematografi duke qenë ndër dokumentaristët e parë në Kosovë, duke punuar në filma tanimë kult në kinematografinë e Kosovës si dhe duke cekur kontributin e tij në teatër. Më herët Fondacioni Lumbardhi e trajtoi këtë trashëgimi përmes Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit, i cili nën udhëheqjen e Ilir Bajrit kompozoi dhe performoi kolona zanore për dokumentarët ikonik “117” dhe “Pehlivanët”.

Digjitalizimi i arkivit të Besim Sahatçiut u bë me bashkëpunimin dhe mbështetjen e familjes së tij, bashkëshortes Besa dhe djemve Besnik Sahatçiu dhe Bekim Sahatçiu, të cilët e ndanë me në këtë arkiv që ai të jetë i qasshëm për të gjithë, duke hapur mundësi për studime dhe interpretime të mëtutjeshme të punës së tij.

Arkivi Publik mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kur Fishta detyroi shkrimtarin serb të dalë jashtë Konferencës Ndërkombëtare të Letërsisë në Romë

Një ndodhi interesante ka ndodhur shumë vite më parë ndërmjet Homerit shqiptar, Gjergj Fishtës dhe një shkrimtari serb.

Gjergj Fishta ka detyruar një shkrimtar serb të dalë jashtë një Konference ndërkombëtare Letërsie në Romë?

Viti se kur ndodhi kjo ngjarje dhe emri i shkrimtarit serbit nuk saktësohen, por bëhet fjalë për një shkrimtar që kishte shkruar në një libër se shqiptarët janë njerëz me bisht. Dhe në ditën e parë të Konferencës, para hapjes së saj, i vetmi i ftuar në këmbë ishte poeti ynë, Gjergj Fishta.

-Pse nuk zini vend, ju lutem? – e pyet drejtuesi i Konferencës – nuk keni karrige.
-Jo, jo, karrige kam, por s’kam ku të vë bishtin – ia kthen Fishta.
-Çfarë !!! – habitet ai.

Po, po – vijon Fishta – ai zotëria atje – shënjon me emër dhe gisht në sallë – ka shkruar në librat e tij, që ne shqiptarët jemi njerëz me bisht. Ndaj, për këtë gjë të ulët ndaj bashkëkombësve të mi, ose ai të gjejë ku e kam unë bishtin, ose unë nuk ulem nëse ai nuk le sallën.

Dhe sipas burimeve nga të pranishmit, shkrimtari serb është detyruar të dalë dhe të largohet krejtësisht nga Konferenca e Romës. /H. Z. / KultPlus.com

Shqipëria në invazion nga turistët e huaj, Rama: Nuk figurojnë në deklarimet e hoteleve

Në takimin e sotëm me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit, Kryeministri Edi Rama e vuri theksin edhe tek turizmi.

“Si mund të vazhdojmë ne të pranojmë që ndërkohë që këtu Shqipëria është në invazion nga turistë të huaj dhe nga shqiptarët që vijnë gjithmonë e më shumë për pushime, ne të jemi vendi që figuron me më shumë se gjysmën më pak të akomodimeve në territor për numër se sa të gjitha vendet rreth e rrotull”, theksoi Rama.

Tani, tha Rama, mua nuk më figuron që rrugët e Shqipërisë të jenë të mbushura me turistë që flenë jashtë natën, unë nuk kam parë njerëz të shtrirë nga të katërta anët nëpër plazhe, nëpër rrugë, nëpër kodra që flenë jashtë se nuk futen nëpër krevate.

“Unë vetë nuk i kam parë. Ku janë këta? Këta nuk figurojnë në deklarimet e hoteleve, këta nuk figurojnë fare dhe këtë e dimë ne, në deklarimet e këtyre që japin me qira dhoma,  por kjo është temë tjetër dhe këtu nuk i hyjmë në hak atyre që nuk ua kemi kërkuar, me qëllim akoma nuk ua kemi kërkuar që të fillojnë t’i deklarojnë”, nënvizoi Rama.

Prandaj, vijoi Rama, një gjë dua ta përcjell si mesazh.

“Ne nuk duam të bëjmë një operacion represiv, plotësisht të merituar për hir të vërtetës, por ne duam që, në radhë të parë, sipërmarrjet ta marrin mesazhin shumë të qartë. Kemi bërë shumë progres, nuk është se kemi filluar sot sepse po të marrim se ku jemi nisur me informalitetin, me gjysmën e punonjësve që nuk deklaroheshin fare e të tjerë dhe po të shohim sesa e kemi rritur fondin e Sigurimeve Shoqërore, progresi është i konsiderueshëm”, tha Rama.

Mirëpo, shtoi Rama,  Shqipëria ka bërë më shumë progres sesa ç’është bërë progres në këtë pjesë, ekonomia është rritur më shumë sesa figuron si pasqyrë progresi në këtë pjesë dhe nga kjo rritje ekonomike po përfitoni ju të parët siç nuk e kishit menduar ndonjëherë se do të fitonit në Republikën e Shqipërisë dhe ju e dini shumë mirë.

“Po përfitojnë ata që janë të punësuar në sektorin publik ku nuk ka “Po ta jap pa taksa një pjesë të rrogës dhe po ta jap me taksa pjesën tjetër” duke e çuar pagën mesatare në 900 euro në sektorin publik, po përfitojnë patjetër edhe të gjithë komunitetet në formën e investimeve që bën shteti, por nuk po përfitojnë pensionistët nga kjo rritje ekonomike. Ky është momenti kritik i gjithë kësaj rritjeje ekonomike”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

Jahjaga takon ish-sekretaren Clinton, falënderon ShBA-në që i qëndroi afër Kosovës në momentet më të vështira

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se sot në New York është takuar me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Ajo tha se në këtë takim me ish-sekretaren amerikane, ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e ish-sekretares dhe presidentit Bill Clinton për Kosovën ndër vite për angazhimin e tyre për paqe dhe siguri duke qëndruar krah popullit të Kosovës në momentet më të vështira.

“Në Kombet e Bashkuara pata kënaqësinë të takoj miken time, Sekretaren Clinton, një mike të madhe të popullit të Kosovës. I shpreha mirënjohjen më të thellë Sekretares Clinton për kontributin dhe mbështetjen e saj dhe Presidentit Clinton ndaj Kosovës ndër vite. Ne jemi përherë falenderues për angazhimin e tyre në paqe, siguri dhe zhvillim të vendit tonë, duke qëndruar përkrah popullit të Kosovës në momentet më të vështira”, shkroi Jahjaga transmeton Klankosova.tv

“Me Sekretaren Clinton diskutuam edhe për rëndësinë e avancimit të të drejtave të grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në pozita të larta udhëheqëse. Përvoja e saj në lidership dhe përkushtimi për fuqizimin e grave dhe vajzave mbeten frymëzim”, theksoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Bashkia Lezhë dhe QKLL ndajnë çmimet “Fishta” për letërsinë

Për të katërtin vit radhazi Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, organizoi aktivitetin “Çmimet At Gjergj Fishta”.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të 153 vjetorit të lindjes së poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishtës.

Juria e përbërë nga Marçel Hila, Shpresa Kapisyzi e Frano Kulli zgjodhi në mesin e 34 veprave që ishin në konkurrim.

Stefan Çapaliku u vlerësua me  “Çmimi At Gjergj Fishta” për vëllim poetik “Camera Obscura”, Marash Mirashi për romanin “Brirët”, “Çmimi At Gjergj Fishta” për studime letrare i shkoi Fatmir Toçit me veprën “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë” dhe për përkthimin më të mirë u vlerësua Rudolf Marku me përkthimin e veprës “Poezi” nga Safo.

U nderuan me çmime karriere: Life Hasa me vëllimin poetik “Ditët e mia”, Nikollë Njeçi me vëllimin poetik “Lulet e vona” dhe Ardi Muçllari me romanin “Rrëfimi i djalit të prapë”.

Çmimi i nderit iu dha dr.Liza Brunga për veprën “Kishat e Zadrimës deri në prag të Kuvendit të Arbërit”. Ndërsa me çmimin Post Mortum u vlerësua Don Jak Zekaj./atsh/KultPlus.com

Dhimitër Kamarda, gjuhëtari dhe folkloristi arbëresh

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot me rastin e 203-vjetorit të lindjes, arbëreshin e shquar Dhimitër Kamarda.

Kamarda ishte filolog, folklorist dhe studiues i shqipes. Ai lindi në Horë të Arbëreshëvet më 23 tetor 1821. Pati një veprimtari të gjerë në studimin e gjuhës shqipe në shekullin XIX. Ai ishte studiues i folklorit arbëresh dhe njohës i gjuhësisë indoevropiane, dhe ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në çështjen e gjuhësisë shqipe, me veprën e tij kryesore “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” (1864).

Kjo vepër ishte përballja e parë me risitë shkencore të kohës në gjuhësi, mbi studimin diakronik të shqipes, dhe paraqet një tërësi vëzhgimesh në planin historiko- krahasues, për gramatikën dhe etimologjinë e shqipes. Kjo vepër u pasua nga “Appendice alla Grammatologia comparata sulla lingua albanese” (Shtojcë për sprovën e gramatologjisë krahasuese), Prato 1866, e cila së bashku me veprën e tij kryesore “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” risillen nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), (Tiranë 2021), ideuar dhe përgatitur nga Dr. Dhori Q. Qirjazi nën titullin “Dhimitër Kamarda (1821-1881) – Për një shqipe ‘të gjithakushme dhe të gjithakundme’ dhe të tjera vepërza”. Dhimitër Kamarda u shua më 13 prill 1882 në Livorno./atsh/KultPlus.com

Rama pas takimit me Von der Leyen: Shqipëria zgjohet dorë për dore me BE-në dhe SHBA-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën për shtyp pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka thënë se Shqipëria është një vend që zgjohet dorë për dore me BE-në dhe SHBA-në.

Ai është shprehur se shqiptarët unanimisht kanë vendosur që t’i përkasë Bashkimit Evropian dhe sipas tij,  nuk ka asnjë rrugë tjetër, përcjell Klankosova.tv.

“Lajmi i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët jo sot po prej kohësh është që Shqipëria nuk është një ishull i shkëputur nga bota dhe nuk është as një vend në këtë kontinent që ka bërë ndonjë zgjedhje që ia lejon të qëndrojë dhe me kurriz nga Evropa”.

“Shqipëria është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ecën çdo ditë krahë për krahë me aleatët e vet strategjikë dhe në fund të ditës dëgjon vlerësimet e tyre merr rekomandimet e tyre dhe të nesërmen rizgjohet për të vazhduar të ecë, sepse Shqipëria, për faktin se shqiptarët unanimisht kanë vendosur përfundimisht që t’i përkasë Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë rrugë tjetër”.

“Nëse të interesuarit në politikën e brendshme kanë opinione të caktuara, kjo është pjesë e të jetuarit në një vend të lirë, por nëse opinione të caktuara vënë në pikëpyetje reformat dhe rezultatet e tyre të cilat dhe për shkak të të cilave ne i ulëm në tryezë me Bashkimin Evropian, atëherë problemi nuk është as i imi, as i shqiptarëve, as i Bashkimit Evropian dhe i asnjë partneri tjetër, kështuqë Shqipëria patjetër që ka akoma shumë male për të kapërcyer, derisa të arrijë në majën më të lartë që është maja e anëtarësimit, në duam ta arrijmë atë majë brenda kësaj dekade, që do të thotë në duam që brenda kësaj dekade të jemi gati”, është shprehur Rama.

Motorola xhiron në Tiranë spotet për celularët e rinj

Gjiganti i teknologjisë, Motorola ka lançuar modelet e reja të celularëve me klipe, për xhirimin e të cilëve ka zgjedhur Tiranën.

Pamjet e njërit spot promovues të aparatit celular janë xhiruar në Parkun e Liqenit të Tiranës, një atraksion që ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës. Bëhet fjalë për modelin e ri të Motorola-s, Razr 50, një model telefoni që paloset.

Siç mund të shihet nga reels-i i publikuar në llogarinë zyrtare të kompanisë, njëra nga videot që i përket Razr 50 është xhiruar në hapësirën e parkut të Liqenit Artificial të Tiranës me personazhe kryesorë një qen dhe pronarin e tij, ndërsa bëjnë një ecje në park.

Në videon tjetër ku reklamohet Razr 50 Ultra, shfaqen një grup miqsh që po argëtohen duke luajtur tenis në një fushë tenisi në Tiranë. Të dyja pajisjet e reja janë 2 prej modeleve më inteligjente të kompanisë të cilat vijnë në një format të palosshëm.

Tashmë kryeqyteti shqiptar është kthyer në një vend të preferuar, jo vetëm për turistët, por edhe për realizimin e filmave ndërkombëtarë, takimeve të rëndësishme politike apo reklamave ndërkombëtare si në këtë rast./atsh/ KultPlus.com

Qendra e Librit dhe Leximit prezantoi veprën e re të Virgjil Muçit, “Tri jetët e zotit P.”

Shkrimtari Virgjil Muçi prezantoi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, romanin e tij të ri “Tri jetët e zotit P.”

“Tri jetët e zotit P.” është një roman për dashurinë e pakufishme dhe të patjetërsueshme të një njeriu për pushtetin mbi qeniet njerëzore në shprehjen e vet më të plotë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Për hir të këtij misioni, Zoti P. kuturiset e ndërmerr një udhëtim të pazakontë në tri botë: atë të vdekatarëve të rëndomtë, pra Toka; atë të hijeve të përjetshme, Nëntoka; për t’u ndalur në stacionin e fundit, aty ku shtrëngohet të paguajë haraçin: mohimin e vetvetes, për të siguruar përjetësinë.

Në qoftë se marrëdhënia e zotit P. me pushtetin është diçka sublime, marrëdhëniet e tij me qeniet e tjera njerëzore janë më të koklavitura dhe rrokin një dimension tragjiko-komik. Rreth zotit P. gëlon një mizëri njerëzish: bashkëpunëtorë, të dashura, ish-miq e shokë, familja madje, që në sytë e tij nuk janë veçse vartës, qenie servile dhe hipokrite që synojnë ta mashtrojnë dhe, në një mënyrë ose një tjetër, t’i rrëmbejnë atë çka është jetike për të: Pushtetin.

Virgjil Muçi lindi më 1963, në qytetin e Tiranës. Ai është autor i njohur në letërsinë për fëmijë, e gjithashtu, një nga përkthyesit më të njohur. Ai ka sjellë në shqip shumë vepra të mëdha: “Kënga e Qyqes” dhe “Krimbi i mëndafshit” nga R. Galbraith; “Dhe nuk mbeti më askush” dhe “Vrasje në Orient Express” nga Agatha Christie; “E bardha dhe e zeza” nga Malorie Blackman etj. Ai ka përkthyer edhe për të vegjlit tituj të famshëm, si: “Pipi Çorapegjata” nga Astrid Lindgren; “Tre derrkucët”, “Rosaku i shëmtuar” etj.

Virgjil Muçi është fitues i Çmimit Kombëtar Pena e Argjendtë 1997; Çmimit të Përkthimit 1998; Çmimit At Donat Kurtit 2009, dhënë nga Ministria e Kulturës etj./ KultPlus.com

“Kufiri i kuq mes artit shqiptar”, tryeza që do të shpërfaqë përndjekjen e artistëve dhe shkrimtarëve të Kosovës nga regjimi i Enver Hoxhës

Fondacioni Kujto në bashkëpunim me Social Creativity, në kuadër të projektit “Artistët e Ndaluar në Atdheun e tyre”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit ‘Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor’ (C4WBs) dhe i zbatuar nga Këshilli Britanik, do të organizojë një tryezë diskutimi në “Kult Plus Caffe Gallery” mbi artin e letërsinë shqiptare gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri (1945-1991).

Kjo tryezë diskutimi ka për qëllim të ngrejë ura komunikimi mes artistëve, letrarëve, studiuesve të artit e letërsisë, akademikëve dhe institucioneve publike për të zgjeruar bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve dhe për të rritur ndërgjegjësimin rreth kësaj periudhe të errët të historisë shqiptare.

Si pjesë e këtij projekti Fondacioni Kujto dhe Social Creativity do të prodhojnë një dokumentar historik ku të evidentohet rastet, eksperiencat dhe veprat e artistëve kosovarë dhe shqiptarë të cilat janë persekutuar dhe të përhapen nga ragjimi komunist në Shqipëri, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe memories, si dhe duke siguruar që historitë e artistëve të shtypur dhe veprat e tyre të kujtohen dhe nderohen.

Më poshtë është programi i plotë i kësaj tryeze që do të mbahet më 26 tetor, prej orës 13:00 në KultPlus Caffe Gallery.

“Kufiri i kuq mes artit shqiptar”

(Si u ndaluan dhe u përndoqën artistët dhe shkrimtarët nga Kosova gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës)

Qëllimi i projektit dhe dokumentarit -Blerina Gjoka, Project Manager, Fondacioni Kujto -Admirina Peçi, Hulumtuese dhe gazetare -Primo Shllaku, Poet, Shkrimtar

E vërteta e panjohur; pse duhet ta tregojmë historinë e artistëve dhe shkrimtarëve nga Kosova të censuruar gjatë periudhës komuniste në Shqipëri -Vlora Ademi, poete, project cordinator Social Creativity -Nazmi Rrahmani, shkrimtar./ KultPlus.com

Liam Payne: Një kujtesë se fama në adoleshencë mund të jetë fatale

Thjesht një djalosh. Tre fjalë elegjike të postuara në mënyrë prekëse nga nëna e Harry Styles, ish shok grupi i Liam Payne tek One Direction, në lajmin tronditës për vdekjen e tij, në moshën 31-vjeçare.

Një epitaf i zymtë, që përmbledh një jetë, një humbje, një udhëtim të vetmuar që filloi në një dhomë të mbushur, plot zhurmë audicionesh të X Factor në moshën 14-vjeçare dhe përfundoi shumë shpejt me vdekjen e tij të tmerrshme në oborrin e një hoteli luksoz në Buenos Aires.

Në vitin 2008, kur impresionoi për herë të parë Simon Cowellin duke kënduar këngën e Frank Sinatras, “Fly Me To The Moon”, nxënësit Payne iu tha se ishte shumë i vogël e dhe këshilluan të kthehej dy vjet më vonë.

Kur u kthye, e gjeti veten anëtar të një grupi të ri djemsh, One Direction. Ata nuk e fituan X-Factor, por shkuan në stratosferë pasi firmosën me kompaninë e Cowell, “Syco”.

Ishte ëndrra e çdo fëmije – dhe tani, në mos që atëherë, makthi i çdo prindi. Pakti Faustian me famën ka një anë të errët; vajzat që bërtasin, autobusët e errët tureve, ditët e kaluara nëpër hotele. Nuk mund të ketë kurrë një kthim në normalitet.

Do të ishte e vështirë të përballohej, edhe nga një i rritur. Për pesë djem të zakonshëm? Një gjë pothuajse e pamundur. Payne kishte folur në të kaluarën për problemet e tij të shëndetit mendor, gjatë kohës që ishte në grup.

Edhe pse ai dhe shokët e tij të grupit firmosnin autografe, pozonin për selfie, mbushnin stadiumet dhe shitën 70 milionë disqe, ai nuk largonte dot mendimet për vetëvrasje. Përpjekjet për t’u vetë-kuruar e çuan në varësi nga alkooli dhe droga.

A mori mbështetje profesionale nga një psikolog apo nga një psikiatër? Nuk kam dyshim se do të mësojmë më shumë në ditët në vijim, ndërsa bota gërrmon nëpër rrjetet e tij sociale.

Payne ishte vetëm 23 vjeç kur lindi një fëmijë, një djalë të quajtur Bear, me të dashurën e tij të atëhershme, ish këngëtaren e Girls Aloud, Cheryl Cole, një dekadë më e madhe se ai. Lidhja zgjati dy vjet. Në atë kohë grupi ishte shpërbërë dhe ai donte të niste një karrierë solo, që nuk arriti të shkëlqejë.

A e përgatitën për atë që do të vinte, mentorët e tij muzikorë? Atletëve të elitës – nga olimpistët tek futbollistët – u jepen rregullisht këshilla për daljen në pension dhe si të “ribëhen”, pas përfundimit të karrierës sportive.

Për yjet e rinj të popit, megjithatë, nuk duket se ekziston një kornizë e tillë – më alarmante, asnjë përkujdesje. Edhe pse nuk është ende e qartë se çfarë mbështetje ka marrë Payne, në përgjithësi grupet dhe këngëtarët adoleshentë fillimisht përkëdhelen nga kompanitë diskografike, dërgohen në turne rraskapitës dhe më pas largohen papritur, pasi shifrat nuk dalin më.

Ish-konkurrentja e X Factor, Katie Waissel, një këngëtare-kantautore 38-vjeçare e cila mori pjesë në audicion së bashku me Payne tha në një deklaratë: “Vdekja e tij tragjike jo vetëm që lë një zbrazëti të pazëvendësueshme në zemrat e atyre që e donin, por gjithashtu shërben si një kujtesë e dhimbshme për neglizhencën sistematike që vazhdon në industri. Ka nga ata që kishin përgjegjësinë për të ofruar kujdesin dhe mbështetjen e nevojshme për mirëqenien e artistëve të rinj, por shumë shpesh, fokusi mbetej te fitimet dhe jo te njerëzit.”

Payne kishte qenë në Argjentinë me të dashurën e tij, Kate Cassidy. Në fillim të këtij muaji postuan fotografi duke ndjekur një koncert të ish shokut të tij të grupit, Niall Horan.

Por pavarësisht fotove të kuruara me kujdes duke jetuar jetën, gjërat nuk shkonin mirë. Pasi kënga e tij dështoi, ai e pezulloi nxjerrjen e albumit të dytë.

Vetëm disa ditë para se të vdiste, ndërsa e dashura e tij u kthye në shtëpi në SHBA, ish e fejuara e tij Maya Henry thuhet se udhëzoi avokatët që t’i lëshonin Payne një letër ndalimi pasi e akuzonte se e kishte kontaktuar vazhdimisht.

Pas vdekjes së Payne, përfaqësuesit e Henry kanë thënë se ajo është “e shokuar”.

Payne qëndroi në hotelin ku acarua gjithnjë e më shumë. Stafi thirri policinë, duke kërkuar ndihmë me një klient që ishte nën efekte droge dhe sillej në mënyrë të çrregullt.

Në kohën kur mbërritën, ai tashmë ishte rrëzuar nga ballkoni i dhomës së tij në katin e tretë dhe kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse. Vdiq nga përplasja

Një jetë e jetuar në qendër të vëmendjes, por e rrethuar nga demonë. Just a boy. / The Telegraph / KultPlus.com

“Jeta me laps” sjell Nehat Islamin në KultPlus Caffe Gallery

Më 28 tetor, prej orës 19:00 do të bëhet promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit, të autorit Xheladin Rexhepit.

Promovimi do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku do të jetë i pranishëm edhe protagonisti i librit, gazetari i njohur Nehat Islami.

“Jeta me laps e Nehat Islamit” është libër- intervistë i autorit Xheladin Rexhepit i cili ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarin e njohur Nehat Islami, i cili nëpërmjet 500 pyetjeve ka treguar rrugëtimin e tij në profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Kosovës.

Fëmijëria e tij, studimet, puna si korrespodent në Liban, intervistat me figura të njohura, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë e shumë tema të tjera janë përfshirë në këtë libër, duke mos përjashtuar edhe shkrimet e të tjerëve që kanë shkruar për Nehat Islamin.

Për librin do të flasin: Ibrahim Kadriu, Xheladin Rexhepi, Zyrafete Shala dhe Nehat Islami. Hryja është e lirë. / KultPlus.com

Osmani për USAID-in: Kur plagët ishin të freskëta, ishte dora që na u zgjat

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar USAID-in në Kosovë, në 25-vjetorin e themelimit në Kosovë.

Nisur nga lufta gjenocidale e Millosheviqit, Osmani kujton se dora që iu zgjat popullit të Kosovës, ishte pikërisht dora amerikane.

“Njëzet e pesë vjet më parë, pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, kur plagët ishin të freskëta dhe ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat. Ishte dora e miqësisë, dora e partneritetit – dora e popullit amerikan. Sot, ne shohim trashëgiminë e partneritetit tonë me USAID-in në çdo cep të vendit tonë”, shkroi Osmani.

Ajo bashkëngjiti në postim edhe mesazhin e saj në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Botohet “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”

“Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” është një studim monografik i strukturuar mbi bazën e katër krerëve, (duke mos llogaritur këtu hyrjen, literaturën e shfrytëzuar dhe indeksin e emrave), me autor Krenar Doli dhe Bestar Vula, përcjell KultPlus.

Secili prej krerëve paraqet njësi më vete, sepse në kuadër të çdonjërit prej tyre merren në shqyrtim aspekte dhe çështje të caktuara, por të gjitha këto qëndrojnë në funksion të tërësisë përmbajtjesore të studimit.

Kreu i parë përmban sfondin historik, mbi të cilin është zhvilluar ahengu i qytetit të Gjakovës ndër vite. Gjithashtu vihet në dukje roli i fisnikërisë vendëse në themelimin e shoqërive muzikore, si dhe flitet për përfaqësuesit e parë të ahengut të qytetit të Gjakovës, flitet gjithashtu për instrumentet e para që futen në ahengun e qytetit të Gjakovës. Flitet për përmbajtjen ideoemocionale të materialeve muzikore, për autorët tashmë të evidentuar si dhe flitet për ndikimin e ahengut të qyteteve shqiptare (Berat, Elbasan, Shkodër) me qytetin e Gjakovës.

Në kreun e dytë është trajtuar e analizuar figura e Qamil Muhaxhirit, ku ky krijues, interpretues, mbledhës dhe zbulues i talentëve të rinj është shikuar në disa rrafshe:

a) bëhet ndarja e krijimtarisë së krijuar nga ai,

b) analizohen këngët e interpretuar nga ai,

c) analizohen dhe shqyrtohen dokumentimi i 11 blejve të hartuar dhe të mbledhur nga vetë ai,

d) figura e Qamilit të Vogël është parë edhe në një dimension tjetër, atë të zbuluesit të interpretëve të rinj.

Tek kreu i tretë janë përzgjedhur dhjetë (10) figura të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat flasin për cilësitë e Qamilit të Vogël në ruajtjen, kultivimin, pasurimin e traditës muzikore shqiptare të të gjitha trevat ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

Në kreun e katërt janë paraqitur aktivitetet më të rëndësishme që janë organizuar për nder të kujtimit dhe respektit të figurës poliedrike të Qamilit të Vogël, si dhe janë radhitur këngët që janë kënduar nga këngëtarë të ndryshëm në nderim të tij.

Në pjesën përfundimtare të monografisë paraqitet përfundimi në gjuhën shqipe dhe në atë angleze, për të vijuar me literaturën shkencore të botuar dhe të pabotuar, si dhe indeksin e emrave. / KultPlus.com

Koncert në Elbasan i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura

Në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit, Big Band e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura (OSFA) ishte kësaj here në Elbasan.

Artistët sollën një përvojë ndryshe për publikun duke kombinuar tinguj, ku muzika tradicionale e Big Band-it lidhet me ritmet moderne të DJ-ve, duke sjellë një set të veçantë të këngëve patriotike të remiksuara.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha se ky projekt ka si qëllim të rikthejë në kujtesë vlerat dhe emocionet që na bashkojnë si komb, duke i dhënë një dimension të ri muzikës sonë të trashëguar.

OSFA në bashkëpunim me MEKI-n do të organizojë një seri koncertesh në gjashtë qytete të Shqipërisë, duke ia bërë të mundshme për ta ndjekur një audience të gjerë.

Koncertet do të vijojnë me Tiranën më 25 tetor, për të përjetuar këtë festë të muzikës dhe kulturës./atsh/ KultPlus.com

Pierre Sabaté dhe M’hamed El Menjra, së shpejti me koncert në Prishtinë

Pierre Sabaté dhe M’hamed El Menjra, protagonistë të ‘Pasión y Tango’, së shpejti do ta pushtojnë Prishtinën me muzikën e tyre në kuadër të Festivalit Operisitik ‘Rame Lahaj’, përcjell KultPlus.

Pierre Sabaté, i njohur për stilin unik dhe performacat e tij të jashtëzakonshme në interpretimin e veçantë të muzikës tango, vjen në Prishtinë për të sjellë një mbrëmje magjike, të mbushur me pasion dhe emocion. Sabaté ka një karrierë të gjatë e është i njohur për performancat e tij pasionante dhe lidhjen e thellë emocionale me muzikën.

Në Prishtinë, publiku do të ketë mundësinë për të dëgjuar këngët më të njohura dhe pjesë të tjera të repertorit të përzgjedhur me shumë kujdes, që do të interpretohen me zërin e ngrohtë, pasionin dhe mjeshtërinë që e karakterizojnë Pierre Sabaté.

Në skenë do të ngjitet edhe M’hamed El Menjra, kitaristi virtuoz, i cili me tingujt e tij të thellë do të nxjerrë në pah bukurinë e çdo note, duke shtuar emocion dhe intensitet të veçantë në çdo pjesë. I lindur dhe rritur në Marok, ai ka një ndjeshmëri të thellë për muzikën tradicionale marokene dhe atë mesdhetare. Karriera e tij është e mbushur me bashkëpunime me artistë të njohur ndërkombëtarë, duke përfshirë projekte që përqendrohen në ndërthurjen e kulturave dhe një game të gjerë stilesh muzikore, duke përfshirë jazz-in, tangon dhe muzikën klasike.

Më 2 nëntor 2024, në Stepia D’arra, nga ora 20:00, mund ta shijoni magjinë e dy artistëve në skenë, protagonistë të ‘Pasión y Tango’./ KultPlus.com

Kori “Muza” në Gjilan me koncert për “Ditët Rozë”

Kori i Grave “Muza” të Gjilanit do të prezantohet me një koncert dedikim për Ditët Rozë, koncert që do të mbahet më 25 tetor, në ora 18:00.

Në këtë koncert do të interpretohen 10 këngë, nëpërmjet të cilave do të prezantohen gratë e këtij kori.

“Përmes muzikës, synimi ynë është të theksojmë rëndësinë e kujdesit për shëndetin dhe rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit. Ky muaj është një mundësi për të reflektuar jo vetëm për gratë që po përballen me këtë sëmundje, por për të gjithë ne – për të mbështetur ato që po përballen me kancerin, për të inkurajuar ato që e kanë kaluar këtë sfidë, dhe për të kujtuar me nderim ato që fatkeqësisht e kanë humbur betejën, si dhe për të përkrahur familjet e tyre që kanë kaluar nëpër këtë sfidë së bashku me ato”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Koncerti do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit./ KultPlus.com

Agim Vinca boton librin e ri “Antologji e lirikës shqipe të dashurisë”, përfshihen 65 autorë

Sapo ka dalë në botim libri më i ri i profesorit dhe shkrimtarit Agim Vinca, me titull “Antologji e lirikës shqipe të dashurisë”, përcjell KultPlus.

Në këtë libër janë përfshirë poezitë më të bukura me temën e dashurisë në tërë arealin shqiptar, duke filluar nga lirika popullore e deri te poetët e brezit më të ri.

Libri ndahet në gjashtë pjesë (kapituj) dhe përfshin gjithsej 65 autorë me 245 poezi. Recensues të librit janë: Bajram Kosumi, Kate Xukaro dhe Roland Zisi.

Botues i librit është shtëpia botuese Artini (Prishtinë).

Libri është në shitje në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë dhe në librarinë “Adrion” në Tiranë, dhe do të ekspozohet së shpejti edhe në Panairin e Librit në Tiranë (13-17 nëntor). / KultPlus.com

Çmim prestigjioz për Ermonela Jahon në Spanjë, për herë të parë vlerësojnë një të huaj (VIDEO)

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare ikonë e artit botëror, së fundmi ka fituar çmimin “Artistja më e Mirë e Huaj” për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në Lirikë dhe Kulturë në Spanjë, shkruan KultPlus.

Sopranoja Jaho është vlerësuar nga një juri prestigjioze e Spanjës me një çmim që për herë të parë Opera e Spanjës ndanë për një artist të huaj.

Mbrëmë, në Madrid, ajo ka fituar çmimin për interpretuesin më të mirë të huaj me titull “Ópera XXI”. Çmimi iu dha për interpretimin e rolit në operën “Suor Angélica”nga Il Trittico të Puccini-t në ‘Gran Teatre del Liceu’, një nga teatrot më të mëdhenj të Barcelonës, i themeluar në 1837-ën.

Ky çmim u dorëzua nga ministri i Drejtësisë, duke reflektuar jo vetëm talentin dhe përkushtimin e saj, por edhe fuqinë e artit për të bashkuar kulturat. 

Më poshtë KultPlus ua sjell interpretimet e të gjithë artistëve, përfshirë këtu dhe interpretimin e mrekullueshëm të sopranos Ermonela Jaho. / KultPlus.com

Spanja nderon Ermonela Jahon me çmimin “Ópera XXI”

Ermonela Jaho, artistja që ngre peshë zemrat tona duke na bërë krenarë në çdo interpretim të saj, ka marrë një tjetër vlerësim të merituar.

Mbrëmë, në Madrid, ajo u nderua me çmimin “Artistja më e Mirë e Huaj” për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në Lirikë dhe Kulturë në Spanjë.

Çmimi për interpretuesin më të mirë të huaj “Ópera XXI” iu dha Ermonela Jahos për interpretimin e saj në operën “Suor Angélica” të Puccini-t në Gran Teatre del Liceu, një nga teatrot më të mëdhenj të Barcelonës, i themeluar në 1837-ën.

Ky çmim u dorëzua nga ministri i Drejtësisë, duke reflektuar jo vetëm talentin dhe përkushtimin e saj, por edhe fuqinë e artit për të bashkuar kulturat. /atsh/ KultPlus.com

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” të Gjilanit u mbajt “Ora e Shkrimtarit” me Aziz Mustafën

Të martën, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt Ora e Shkrimtarit me poetin Aziz Mustafa.

I moderuar nga poeti dhe studiuesi i letërsisë, Sali Bashota, edhe ky takim letrar, sikurse edhe të tjerët që u organizuan deri më tani me shkrimtarë, në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës, u përqendrua në temën kryesore që ka të bëjë me procesin krijues, në fakt, se si shkrimtarët i shkruajnë veprat e tyre letrare, pastaj cilat ide, motive, tema i zgjedhin dhe i trajtojnë në veprat e tyre në poezi, prozë, dramaturgji etj.

Në praninë e studentëve, mësimdhënësve të këtij universiteti dhe të pjesëmarrësve të tjerë, poeti Aziz Mustafa, shpalosi kujtime të shumta dhe të ndryshme që ndërlidhen me procesin e frymëzimit, me procesin krijues të poezive të tij, si dhe me përvojën e tij të deritanishme në fushën e krijimtarisë, duke e përfshirë edhe tregimin dhe romanin.

Duke folur për temat dhe dilemat e krijimit, në fillim të fjalës së tij, Aziz Mustafa, tha: “Nganjëherë më krijohet një përshtypje e gabuar që kemi më shumë shkrimtarë se lexues. Në një mënyrë apo tjetër, secili ka një rrëfim për të treguar. Varet mandej nga talenti i lindur, e pastaj nga ajo sa lexon dhe sa punon për të arritur që atë që ka brenda mendjes e ta shpërfaqë për ta bërë të lexueshme, të kuptueshme. Ta bësh të tillë që njeriu të përjetojë kënaqësinë hyjnore, kënaqësinë e mendjes, mrekullinë e leximit dhe përjetimit të shkrimit artistik”.

Në fjalën e tij, Aziz Mustafa, ndër të tjera, tha: ”shkruaj sepse duke shkruar zbuloj botë të reja, krijoj karaktere, personazhe që u jap frymën time, ju jap fjalën time, ashtu sikur Krijuesi që na ka dhënë mendjen dhe në librat e tij na ka mësuar të bëjmë mirë, të duam njëri-tjetrin, të ndihmojmë, të luftojmë të keqen”.

Në vazhdim të fjalës së tij, Aziz Mustafa, përmendi shumë ngjarje që nga fillimet e tij krijuese e deri më sot, kryesisht ngjarje dhe përjetime të veçanta të ndërlidhura me leximin dhe shkrimin, duke thënë se “shumë profesione të tjera që na bëjnë më të lehtë jetën kanë rëndësinë e vet, por shkrimi i poezisë, romanit, krijimi e veprave të mirëfillta letrare është veprimtaria më fisnike. Dhuntinë e të shkruarit nuk e kanë të gjithë. As atë të leximit. Jemi dëshmitarë sa analfabetë dhe sa dislektikë na rrethojnë. Hyni në rrjetet sociale dhe lexoni komentet. Prandaj, ata që kanë dhuntinë e shkrimit, të krijimtarisë artistike letrare, e kanë për borxh të shkruajnë, të mundohen, të provojnë, të vdesin duke provuar”.

Në fund të takimit u zhvillua një bashkëbisedim midis poetit dhe pjesëmarrësve për tema të ndryshme letërsisë shqipe, por edhe për rëndësinë e kulturës së leximit, sidomos të gjeneratave të reja.

Projekti është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com 

Miratohet nisma për lidhjen e një marrëveshjeje me Turqinë për kuotën e trajtimeve mjekësore për ushtarakët e FSK-së

Qeveria e miratoi një nismë për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit “Protokoll për Trajnimin dhe Bashkëpunimin në fushën e Shëndetit Ushtarak” ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë marrëveshje mundësohet rritja e kuotave për trajtimet mjekësore për ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në spitalet ushtarake të Turqisë.

“Përmes këtij protokolli mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke. Me këtë marrëveshje, kuota e trajtimeve mjekësore në dispozicion, rritet nga 50 në 75 në vit. Të gjitha këto trajtime janë falas dhe bëhen në spitale ushtarake”, tha Kurti./ KultPlus.com

Nga fushë pjellore në lagje turistike të Shkodrës, detaje nga historia e Gjuhadolit

Gjuhadoli ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës një ndër lagjet më të gjalla të qytetit, ku shumica e banesave private tashmë janë kthyer në biznese si, hotele, bare, dyqane, për t’i shërbyer turizmit dhe jetës së natës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në rrjetet sociale detaje se si lindi kjo lagje karakteristike.

Sipas studiuesit Willy Kamsi, mikrotoponimi vjen prej Gluho dol ─ përrua i shurdhët, mbetje kjo me prejardhje sllave. Emri del për herë të parë në dokumentet e shkruara në vitin 1371 në disa trajta si Gluchidol, më 1446 Glucodol, Cluchidol.

Sipas të dhënave historike të Gjush Sheldisë, kjo zonë përmendet si një fushë pjellore. Më 1610 Regesti i Venedikut shkruan se kur kërkohej për t’u dhënë meshë në Rrëmaj, përshkohej fusha pjellore e Gjuhadolit (“Passava per la fertile compagna di Glucadoli”).

Me kalimin e viteve, duket se nga fushë pjellore, Gjuhadoli kthehet në një lagje të qytetit të Shkodrës duke u ndërtuar shtëpitë e para në fillim të shek.XIX

Sipas Sheldisë mësojmë se, në mesin e shek. XIX Gjuhadoli merr formën e një lagjeje, madje duke u shënuar ndër të rejat e qytetit, përveç atyre që ndodheshin rreth kalasë. Me zhvendosjen e qytetit në këtë periudhë, më në fushë, aty ku ndodhet dhe sot, Gjuhadoli pak nga pak pas viteve `20 u kthye në lagje të rëndësishme, ku dyqanet e saj konkurronin me pazarin e qytetit. / KultPlus.com

Von der Leyen viziton Tiranën në nisje të turneut ballkanik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Leyen, më 23 tetor do të qëndrojë në Tiranë, në ndalesën e parë të turneut të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit në kryeqytetin e Shqipërisë, ajo është paraparë të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj, dhe me kryeministrin Edi Rama. Zyrtarja e lartë evropiane po ashtu do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.

Takimi me Ramën është paraparë të zhvillohet në orën 15:00 dhe pritet që pas takimit të ketë deklarim për media, ndërkaq ai me Begajn një ditë më vonë.

Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.

Së fundi, BE-ja ka miratuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që parasheh ndihmë prej 6 miliardë eurosh për shtetet e këtij rajoni.

Javë më parë, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.

Pas Shqipërisë, më 24 tetor Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.

Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë./REL/ KultPlus.com

Epa-Efe/Sascha Steinbach