Çmimi Nobel për Fizikë ka shkuar për dy shkencëtarë amerikanë: John Hopfield dhe Geoffrey Hinton të cilët bënë shpikje për mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.
Dy shkencëtarët amerikanë janë vlerësuar për shpikjen e tyre bën që kompjuterët të kenë funksione të kujtesës dhe të mësuarit./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.
Postimi i plotë i Presidentes: Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike./ KultPlus.com
Arti arrin të tërheqë syrin e spektatorit, dhe në mënyrë të veçantë një pikturë. Bëhet fjalë për kryeveprën e autorit holandez Jan Veermer, “Vajza me vëth perle” e viteve 1600, e cila rezulton të jetë hipnotizuese për këdo që e vëzhgon. Sipas një studimi del në pah që kjo pikturë ka impaktin më të madh në krahasim me çdo vepër tjetër tek truri i njeriut.
Vermeer ka ditur të shfrytëzojë një fenomen shumë të njohur për psikologët, që është pikërisht fakti që truri human është i tërhequr në mënyrë natyrale nga fytyrat, nga ekspresioni i syve dhe gojës, duke aktivizuar tek vrojtuesi Ciklin e Vëmendjes së Theksuar, që është një rreth vicioz që tërheq syrin fillimisht tek vështrimi, më pas tek goja e tek drita e vëthit, gje që përsëritet në mënyrë ciklike.
Reagimin e vëmendjes e shkakton piktura veçanërisht në punimet origjinale të veprave të mëdha, dhe aty ku në qëndër është fytyra njerëzore, përgjigjia emotive cerebrale është 10 herë më e lartë.
Një grup kërkuesish të Universitetit të Amsterdam kanë vëzhguar aktivitetin e trurit të shumë vizitorëve në Muzeun e Hagës dhe reagimi cerebral është mjaft i lartë, dhe në rastin e “Vajzës me vëth perle”, është edhe më intensiv dhe ndalesa përballë veprës është shumë më e gjatë. / Klan News/ KultPlus.com
Shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta më 1 korrik të këtij viti, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.
Gjatë vizitës në muzeun “Shtëpia Kadare” vizitorët shfaqin interes jetën dhe veprat e Kadaresë, si dhe për shtëpinë, e cila prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike gjirokastrite.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “ky muze nga janari deri në fund të shtatorit ka ngjallur kuriozitetin e vizitorëve vendas e të huaj mbi botimet letrare dhe reliket që kanë lidhje me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë”.
“Nga 1 janari deri në 30 shtator muzeu është vizituar nga 5501 vizitorë vendas e të huaj, ku një rritje e interesit u shënua në muajt korrik-gusht dhe shtator”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.
Brenda banesës Kadare rikonceptimi i përmbajtjes garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.
Në muze vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.
Muzeu “Shtëpia Kadare” hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016.
Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare.
Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”.
Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.
“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj./ATSH
Janë në përfundim e sipër restaurimet e shtëpive të vjetra në Janjevë, punime që janë përcjellë nga afër edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós.
Për këtë investim ka njoftuar ministri i MKRS-së, Hajrulla Ceku, njoftim që KultPlus e sjell të plotë.
Ndryshimet në qytetin e vjetër të Janjevës tashmë janë të dukshme. Një prej projekteve më të mëdha të Ministrisë sonë po shkon drejt finalizimit.
Bashkë me kryeministrin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, sot ishim për të parë nga afër restaurimet e shtëpive, ndërsa takuam shumë qytetarë dhe shijuam ushqimet e shijshme tradicionale në panairin artizanal në Janjevë.
Gjatë kësaj vizite po ashtu u pritëm nga prifti Don Matej Palliq në kishën e Shën Kollit, gjithashtu vizituam xhaminë e Janjevës, ku takuam kryeimamin e Kosovës, Vedat Sahiti.
Me natyrën e mrekullueshme dhe pasurinë kulturore që ka, ky vend do të shndërrohet në atraksion turistik të Kosovës. / KultPlus.com
Ansambli Folklorik “Tirana” u kualifikua i katërti në Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit Folklorik “Cheonan World Dance Festival 2024” në Kore.
“Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga të rinjtë e Ansamblit, në një konkurrencë të fortë me 30 vende nga e gjithë bota. Nga Franca e deri në Mongoli, performanca jonë u veçua për cilësinë dhe pasionin që e karakterizon.
Bravo! “, ka shkruar bashkiaku i Tiranws, Erion Veliaj./ KultPlus.com
Dje, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot, më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.
Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.
Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com
Shfaqja “Emira” e autorit Anton Santori e që në këtë prurje vjen me regji të Kushtrim Bekteshit do të vjen me premierë më 20 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e që për këtë shfaqje janë përfshirë tri teatro: Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe Shkupit, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje do të jetë edhe pjesë e ceremonisë hapëse të Festivalit Teatrit “Moisiu”, që këtë vit do të mbahet në Prishtinë.
Se provat janë duke vazhduar për realizimin e kësaj shfaqje është bërë e ditur edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Më poshtë është përmbajtja e shfaqjes dhe ekipi që është përfshirë në realizimin e këtij projekti teatral.
Në një fshat arbëresh të shekullit XIX, në rrethana terrori nga cubat dhe organet e rendit, Emira dhe Kalina, dy vajza te reja, dashurojnë Mirianin. Por ai dashuron vetëm Emirën. Ndërsa Kallonjeri, një bari i afërt me cubat, u shkon rrotull te dyjave. Intrigat e dashurisë së të rinjëve, dhe familjet e tyre, kryqëzohen me dhunën e cubave dhe të shtetit, duke vënë në pyetje vlerat bazë të shoqërisë, në tragjikomedinë e shkruar nga Anton Santori, që njëherësh konsiderohet drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Kompozitor: Memli Kelmendi
Skenograf: Betim Zeqiri
Kostumografe: Iliriana Loxha Basha
Koreograf: Artan F. Ibërshimi
Dramaturge: Doruntina Basha
Ass.regjie: Skender Podvorica
Inspiciente: Nazmije Krasniqi
Luajnë: Qëndresa Jashari, Arta Selimi, Donald Shehu, Bujar Ahmeti, Edlir Gashi, Shengyl Ismajli, Basri Lushtaku, Neritan Liçaj, Igli Zarka, Shpejtim Kastrati, Muzbajdin Qamili, Franc Bregu, Ermir Hoxhaj, Albrim Kryeziu, Rrezon Zhinipotoku, Mentor Kurti, Abedin Alimi dhe Art Pasha./ KultPlus.com
Rita Ora mund të prezantojë MTV Europe Music Awards që pritet të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar muajin e ardhshëm. Artistja e hitit “Hot Right Now” është në bisedime me drejtuesit e eventit për të udhëhequr ceremoninë e cila do të zhvillohet në Manchester më 10 nëntor.
Ylli i muzikës ndërpreu bashkëpunimin me menaxheren e saj dhe drejtuesen e kompanisë First Access Entertainment Sarah Stennet dhe tashmë po pret për projekte të reja.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që Rita merr përsipër të drejtojë eventin pasi e realizoi detyrën e prezantueses në mënyrën më të mirë të mundshme në vitin 2017 në stadiumin Wembley.
Lajmi vjen pasi këngëtarja me origjinë shqiptare është zëvendësuar nga prezantuesja e Love Island Maya Jama në emisionin “The Masked Singer”. Megjithatë, kjo lëvizje nuk u prit mirë nga shikuesit të cilët dëshironin që Rita Ora të vijonte të ishte pjesë e panelit./ KultPlus.com
Po hap derën brenda teje, po hyj Të veproj, unë vij Jam këtu Të t’mbroj Ti nuk je më e braktisur Ti nuk je më në vështirësi Litarët e tyre janë zgjidhur, sikletet e tua kalojnë Makthi që të la te drobitur s’është më Unë po të mbaj me shpatullat e mia Me mua ti hedh Hapin e parë në shkallën e pafundme Që të transporton Që të ngre lart Qe të përmbush
Unë të paqtoj Po shpërhap pëlhura paqeje mbi ty Po përkund fëmijën e ëndrrës tënde Buroj Buroj nga gjethet e çara rrathë imazhesh përqark gruas së frikësuar Buroj nga dëbora e zbehtësisë së saj Buroj nga frymëmarrja e saj…dhe zjarri ndizet sërish.
Studiuesit zbuluan se një lloj bakteri që jeton në plastikë në ujërat e zeza e tret dhe e zbërthen plastikën.
Në studimin e publikuar në faqen e internetit të Universitetit “Northwestern” është shqyrtuar efekti i një bakteri nga familja “Comamonadacae” në mbetjet plastike.
Në studim u pa se këto baktere të quajtura “Comamonas testosteroni” që rriteshin në plastikë të llojit polietileni tereftalat (PET) fillimisht zbërthenin mbetjet plastike në madhësi nano plastike dhe më pas nanoplastika u bë më e vogël me një enzimë të veçantë që sekretonin.
Hulumtimi zbuloi se plastika e thyer në ciklin tretës të baktereve u reduktua në atome karboni dhe u zbulua se plastika e thyer ishte ushqim për këto baktere.
Autorja kryesore e studimit, Ludmilla Aristilde tha se është demonstruar në mënyrë sistematike për herë të parë se një bakter i ujërave të zeza mund të degradohet, shpërbëhet dhe përdor makroplastikën si burim karboni dhe se është zbuluar një enzimë që prish plastikën.
Ajo theksoi se plastika e tipit PET përbën afërsisht 50 për qind të mikroplastikës që gjendet në ujërat e zeza në botë dhe 12 për qind të përdorimit të përgjithshëm të plastikës.
“Zbulimi i këtij bakteri dhe enzime mund të përdoret për pastrimin e mbetjeve plastike dhe trajtimin e problemit të ndotjes së mjedisit”, theksoi Aristilde.
Studimi është publikuar në revistën “Environmental Science & Technology”./ KultPlus.com
Vepra të epokës romantike u interpretuan mjeshtërisht në koncertin e kartërt të Festivalit “KamerFest” nga José Gallardo-Piano, Xhafer Xhaferi- Violinë, Jelena Očić-Violoncel, Sihana Badivuku-Violinë dhe Altin Tafilaj- Violë, shkruan KultPlus.
Koncerti i titulluar “Chamber Masterpieces in KamerFest” edhe kësaj here mblodhi adhurues të muzikës klasike në sallën e improvizuar për koncerte të tilla, si ajo e Amfiteatrit te Bibliotekës Universitare.
Mbrëmja artistike filloi me interpretimin e veprës së kompozitorit S. Rachmainoff- “Trio Elegjik” nr.1, “g moll”, “Trio Elegiaque”, “g minor, no1”, për të vazhduar me P. I. Tchaikovsky – “Romance’ Op.6 Nr.6” për piano trio nga José Gallardo, Xhafer Xhaferi, Jelena Očić, me tinguj që te publiku zgjonin nostalgji, duke e thelluar ndjenjën edhe më tej në mes emetimit të tingujve të qetë dhe atyre më të lartë.
Kësaj harmonie të mrekullushme i printe pianisti argjentinas Jose Gallardo, i cili është drejtor artistik në Festivalin Asiago, në Itali. Si fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ai luan koncerte në mbarë botën në vende si: Elbphilharmonie në Hamburg, Filharmonia e Berlinit, Wigmore Hall në Londër apo Teatro della Pergola në Firencë. Është i njohur edhe për prodhime në studio, dhe të publikuar ka 20 CD.
Kurse violonçelistja Jelena Očić me një energji dhe virtuozitet të paparë, i jepte mbrëmjes tërë sharmin. Kjo artiste përmes veprave të Kabalevsky, Ginastera dhe Senderovas ka fituar çmimin “Regjistrimi i vitit”. “Një nga talentet më të veçanta të violonçelit kohës sonë” dhe “një nga talentet kryesore në fushën e interpretimit të muzikës bashkëkohore” janë lëvdatat e violonçelistëve të njohur Bernard Greenhouse dhe Siegfried Palm për të.
Ky imazh i bukur në dukje dhe përmbajtje plotësohej me interpretimin e violinistit shqiptar Xhafer Xhaferi, i cili me një interpretim krejt të natyrshëm zbërthente ndjenjat e publikut në sallë, të shkrheshin në një me tingujt nostalgjikë. Xhaferi solli me vete përvojën e marrë nga interpretimi në orkestrat prestigjioze si: Gewandhausorchester Leipzig, NDR Elbphilharmonie orchester, MDR Sinfonieorchester, Orchestra della Svizzera Italiana etj.
Ndërsa, mozaiku i mbrëmjes u plotësua në tërësi kur skenës iu bashkangjitën edhe violinistja e shquar Sihana Badivuku dhe violisti Altin Tafilaj në interpretimin e veprave: C. Frank- Piano Kuintet në f moll, “Piano Quintet in f- minor, “Molto moderato quasi, “lento- Allegro”, Lento con molto sentimento”, “Allegro non troppo ma con fuoco”.
Krejt në fund të koncertit violinisti Xhafer Xhaferi për KultPlus tha se ndihej jashtëzakonisht entuziast, pasi në këtë koncert kishte interpretuar përkrah profesoreshës së tij, Sihana Badivuku.
“Ky koncert ishte shumë i veçantë për mua, pasi për herë të parë jam kthyer në Kosovë pas një dekade. Kënaqësi e veçantë ka qenë interpretimi përkrah profesoreshës time të dashur, Sihana Badivuku. Njëkohësisht, pata mundësi që të bashkëpunoj edhe me miqtë e mi me të cilët bashkëpunoj në festivale të ndryshme, por kësaj radhe u kombinuam në KamerFest, dhe besoj që dhamë një koncert të bukur me muzikë nostalgjike me shumë emocion”, ka thënë violinisti Xhafer Xhaferi.
Po ashtu, edhe violinistja Sihana Badivuku ka thënë se ndihet krenare pasi në këtë mbrëmje është paraqitur me nxënësin e saj Xhafer Xhaferi.
“Është kënaqësi e shumëfishtë për mua sepse kam interpretuar së bashku me ish nxënësin tim Xhafer Xhaferi. Kam qenë profesoreshë e tij pothuajse 7 vite. Ai ka vazhduar studimet në Gjermani dhe tani është violinist koncertant dhe është anëtar i orkestrës në Gjermani. Vijon karrierë shumë aktive si solistike ashtu edhe kamertale, dhe jam me të vërtetë krenare pasi tash ai e ka rrugëtimin e tij të pavarur koncertal. Kjo më jep kënaqësi të dyfishtë”, ka thënë drejtoresha e KamerFest Sihana Badivuku.
Ajo më tej ka thënë se ndihej e privilegjuar për perfomancën e dhënë së bashku edhe me kolegët tjerë të mbrëmjes.
“Për herë të parë po luajmë në këtë formacion me pianistin argjentinas Jose Gallardo, i cili është një pianist i jashtëzakonshëm. Për ne ishte privilegj të luajmë me të sepse energjia u kombinua në mënyrë të përkryer, posaqërisht me çelisten nga Kroacia, Jelena Očić. Ndërsa me Altin Tafajn është hera e dytë që performoj, sepse kam me të kam pasur privilegjin që të performoj së bashku në Shkupi KamerFest”, ka thënë më tej Badivuku.
Kurse Altin Tafilajt ky koncert i kishte lënë mbresa, për shkak të harmonisë së krijuar brenda interpretimit të “grupit”.
“Jam shumë i kënaqur, tani pas koncertit edhe shumë i entuziazmuar. Kolegët janë fantastikë sepse për të dhuruar një koncert të tillë është shumë e rëndësishme që të kemi sinergji të duhura, pasi ne këtu mbajmë edhe prova, dhe në rast se nuk janë ndjenjat e duhura nuk funksionon, është pak problematike. Patëm fat, ishte mirë, shkoi gjithçka në rregull. Jam shumë i kënaqur dhe ky koncert më la mbresa të mira” ka thënë Altin Tafilaj.
Koncerti i radhës i KamerFest me titull “Viola d’amore” do të mbahet me solistin Altin Tafilaj dhe artistët mysafirë Sihana Badivuku dhe Rron Bakalli më 8 tetor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në ora 20:00./ KultPlus.com
Antarktida po bëhet gjithnjë e më e gjelbër, një transformim veçanërisht i dukshëm në Gadishullin Antarktik, ku zonat e mbuluara nga bimësia janë rritur dhjetëfish në 40 vitet e fundit.
Kjo tregohet nga imazhet satelitore të analizuara nga studiuesit e udhëhequr nga Thomas Roland, nga Universiteti i Exeter në Britaninë e Madhe dhe të publikuara në ”Nature Geoscience”.
“Peizazhi i Antarktidës është ende pothuajse tërësisht i dominuar nga bora, akulli dhe shkëmbi, me vetëm një pjesë të vogël të kolonizuar nga jeta bimore, por ajo pjesë e vogël është rritur në mënyrë dramatike, duke demonstruar se edhe ky rajon i gjerë dhe i izoluar po ndikohet nga klima dhe ndryshimi i shkaktuar nga njeriu”, theksoi Roland.
Në fakt, duke krahasuar imazhet satelitore të mbledhura që nga viti 1986, është e mundur të vërehet sesi zona e mbulesës së bimëve në gadishullin Antarktik është rritur nga më pak se një kilometër katror në vitin 1986 në pothuajse 12 kilometra katrorë në vitin 2021.
Është një mbulesë e kufizuar dhe e përbërë kryesisht nga myshk, por studimi nënvizon se si shtrirja është rritur shumë shpejt dhe duket e destinuar të rritet më tej dhe ndërsa këto ekosisteme të reja konsolidohen, ato mund të ndryshojnë mjedisin e rajonit.
“Toka në Antarktidë është kryesisht e varfër por kjo rritje në jetën e bimëve do të shtojë lëndë organike dhe do të lehtësojë formimin e tokës, duke hapur potencialisht rrugën për rritjen e bimëve të tjera. Kjo rrit rrezikun e ardhjes së specieve jovendase dhe pushtuese, të transportuara ndoshta nga ekoturistët, shkencëtarët ose vizitorët e tjerë në kontinent”, deklaroi Olly Bartlett, nga Universiteti i Hertfordshire./ KultPlus.com
Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila. I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. Çfarë të bëj me gjëra të tilla, që mund t’i mbledhë kushdo?
E dua natën veç pse agu e hollon dritën në ar dhe në blu. Ajo që shpirti im e injoron është ajo që do të doja ta kisha këtu.
Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot vargje për të thënë atë që akoma nuk e di. E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë… Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…
Rreth 24 milionë emigrantë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në bazë të analizave të të dhënave të regjistrimit të popullsisë amerikane nga Qendra Kërkimore Pew. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord, bisedoi me dy shtetas të rinj amerikanë lidhur me mënyrën se si i shohin kandidatët për Shtëpinë e Bardhë.
Laban Seyoum është drejtues i një kompanie të vogël kamionësh në Jessup të shtetit Merilend. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij në vitin 2000 për t’i shpëtuar luftës midis Etiopisë dhe Eritresë.
Zoti Seyoum thotë se ai është konservator për sa u përket çështjeve sociale dhe ekonomike dhe është mbështetës i kandidatit republikan për president, Donald Trump.
“Kur Presidenti Trump ishte në pushtet, kishim një biznes mjaft të mirë. Tregu ishte në gjendje të mirë, mundësitë e punësimit ishin të mëdha dhe njerëzit ishin optimistë”, tregon për Zërin e Amerikës zoti Seyoum.
Si anëtar i Partisë Republikane, ai kandidoi për të fituar emërimin e partisë së tij për Senatin e shtetit të Merilendit. Ai thotë se bizneset si kompania e tij po e ndjejnë barrën e çmimeve të larta të karburantit, për të cilat fajëson demokratët.
“Aktualisht çmimi i naftës po luhatet mes 1:30 dhe 1:45 dollarë për litër duke ulur ndjeshëm fitimet e biznesit tonë”, thotë zoti Seyoum.
Ndërsa e kupton se çmimi i naftës në tregun global përcaktohet nga shumë faktorë kompleks, ai thotë se republikani Trump ofron zgjidhjen.
“Trumpi ka treguar se si arrihet kjo. Duhet të nxjerrim naftën në vend dhe pastaj mund të konkurrojmë. Nuk është e nevojshme të eksplorojmë ideologji të tjera”.
Fatmata Barrie ka tjetër mendim. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Sierra Leone kur ishte 11 vjeçe. U diplomua në drejtësi dhe punon si organizatore për komunitetin dhe të drejtat civile. Ajo drejton bordin që mbikëqyr punën e policisë në qarkun Montgomery në Merilend. Ajo thotë se mbështet demokraten Kamala Harris.
“Nënpresidentja Kamala Harris është një person për njerëzit. Ajo është personi që na duhet tani për të kapërcyer ndasitë që ka vendi”.
Zonja Barrie thotë se fitorja e zotit Trump përbën shqetësim.
“Unë jam e frikësuar. Po rikthehet përsëri frika mes emigrantëve. Frika mes njerëzve me ngjyrë. Është e vështirë kur i sheh njerëzit të pajtohen me njeriun që udhëheq këtë frikë”.
Zonja Barrie është vullnetare në një organizatë bamirëse. Ajo thotë se përfitimet ekonomike nuk po ndjehen njëlloj për të gjithë.
“Kontrasti në thelb është se 0.1% e njerëzve do të kenë të gjitha paratë dhe të gjithë ne do të vuajmë pasojat nëse votoni për Trumpin. Amerika nuk është ndërtuar në këtë mënyrë. Amerika u bë e fortë falë punës së klasës së mesme”, thotë zonja Barrie.
Organizata Pew thotë se shtetasit e rinj amerikanë përbëjnë rreth 10% të elektoratit dhe shumica e tyre kanë jetuar këtu për më shumë se 20 vjet. /VOA/ KultPlus.com
Një herë lumturinë e pata fare pranë, mend e preka me dorë. E gjitha kjo ndodhi gjatë një shëtitjeje, një natë të nxehtë vere. Ne, një shoqëri e madhe të rinjsh, u mblodhëm në lëndinat përtej Vollgës, tek gjuetarët e blinit.
Hëngrëm supë që na e përgatitën peshkatarët, pimë vodkë e birrë përreth zjarrit, diskutuam si ta ndërtonim sa më shpejt e më mirë këtë botë, pastaj, si u lodhëm paq, u shpërndamë nëpër lëndinën e korrur, secili në qejf të vet. U largova nga zjarri me një vazjë, e cila më dukej vërtet e mençur dhe e ndjeshme. Kishte sy të qeshur e paksa të zinj, në çdo fjalë që thoshte tregohej çiltërsia. Kjo vajzë të gjithë njerëzit i shihte me përkëdheli.
Ecnim të heshtur, krah njëri-tjetrit. Nën këmbë thyheshin duke kërcitur kërcejt e barit të prerë me kosë. Nga kupa e kristaltë e qiellit, e përmbysur mbi tokë, derdhej vlaga dehëse e dritës së hënës. Duke psherëtirë thellë, vajza filloi: – Sa bukur! Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët, si piramida. Dhe vapë… Pastaj më ftoi të uleshim rrëzë një mullari që lëshonte një hije të rrumbullakët e të plotë, sikur të ishte ditë. Këndonin gjinkallat, që larg dikush pyeste trishtueshëm:
Eh, përse më tradhtove?
Plot gëzim zura t’i rrëfej vajzës për gjithçka dija e nuk dija në këtë jetë, kur – papritur ajo bërtiti me një zë të shuar e ra me shpinë në tokë. Ishte, me sa duket, e para herë që shihja një njeri t’i binin të fikët dhe për një çast u hutova. Doja të bërtisja, të thërrisja për ndihmë, por shpejt më erdhi ndër mend se ç’bënin në këto raste heronjtë e edukuar të romaneve që kisha lexuar, ia zbërtheva rripin e fundit, bluzën, shiritat e korsës. Kur pashë gjinjtë e saj, si dy kupa të vogla argjendi të lara me dritën e plotë të hënës, e të rrëzuara në anën e zemrës, më pushtoi një dëshirë e zjarrtë ta puthja.
Por, si e ndrydha këtë ndjenjë u sula me vrap drejt lumit që të merrja ujë, sepse – siç shkruhej në libra – heronjtë në të tilla raste kurdoherë vraponin për ujë, po të mos kishte ndonjë përrua në vendin e katastrofës, të përgatitur që më parë me hamendjen e autorit. Por, kur u ktheva, gjithnjë duke vrapuar si një kalë i harbuar, me kapelen e mbushur plot me ujë, e gjej të sëmurën mbështetur te mulliri. -S’është nevoja, – tha e lodhur fare qetësisht, duke shtyrë me dorë kapelën e bërë qull… Dhe u largua prej meje drejt zjarrit, ku dy studentë përsërisnin po atë këngë të mërzitshme:
Ah, përse më tradhtove?
– Unë, s’të bëra ndonjë të keqe? – doja të sigurohesha, i turbulluar, siç isha nga kjo heshtje e vajzës. Ajo u përgjigj shkurt: – Jo. Ju nuk jeni shumë i shkathët. Megjithatë, kuptohet, ju falenderoj. Por m’u duk se nuk më falenderoi sinqerisht.
Ne nuk takoheshim shpesh, por, pas këtij rasti, takimet tona u bënë më të rralla. S’vonoi shumë dhe ajo humbi fare nga qyteti. Vetëm pas nja katër vjetësh u pamë në një anije. Qe nisur nga një fshat i Vollgës, ku banonte në një vilë, e po shkonte në qytet tek i shoqi. Ishte shtatzënë, e megjithatë, rrobat i rrinin për bukuri kurse në qafë i varej zinxhiri i gjatë prej floriri i orës dhe një lule e madhe si medalje. Ishte bërë shumë e mirë, vërtet. -Ja, – tha ajo kur po kujtonim miqësisht të kaluarën – ja ku jam, e martuar dhe gjithçka… Ishte mbrëmje. Në lumë digjej perëndimi i diellit. Gjurma shkumore që linte anija nga pas, në largësinë e kaltër të veriut, dukej si një shirit i gjerë dantelle të kuqe.
– Kam dy fëmijë, pres të tretin, – foli krenare, si një mjeshtër që e pëlqen zanatin e vet. Në prehër mbante një qese letre me portokalle. – A t’ua them? – pyeti pastaj duke qeshur ëmbël me ata sytë paksa të zinj. – Në qoftë se atëhere tek mullari – e mbani mend – ju do të kishit qenë më i guximshëm… do t’më kishit puthur… tani do të isha gruaja juaj… Se unë ju pëlqeja, apo jo? Kurse ju, drejt e tek uji… Eh, ju! I shpjegova se kisha vepruar ashtu siç tregohej në librat që ishin aq të shenjtë për mua në atë kohë; dhe vetëm atëhere mund ta puthje, kur ajo, si të hapte sytë, të thërriste e habitur- Oh, po ku jam kështu? Ajo qeshi një grimë, pastaj foli mendueshëm: -Ja, këtu është e keqja jonë, se ne duam të jetojmë si nëpër libra… Por jeta është më e gjerë… më e mençur se librat, zoti im… Jeta s’është aspak si në libra… Po… Nxori nga qesja një portokall, e vështroi me kujdes e, duke e mvrejtur, tha: – I poshtri, e ka futur të kalbur…
Pa delikatesë e flaku në lumë; unë e ndoqa me sy kur ai, duke u rrotulluar, humbi në shkumën e kuqe. – Hë, po tani? Akoma jetoni si nëpër libra? Ë? Unë heshtja duke shikuar rërën e bregut, të ringjyrosur nga flaka e perëndimit dhe më tej, hapësirat e lëndinave që kishin marrë një nuancë të florinjtë. Varkat e përmbysura dergjeshin mbi rërë si peshq të mëdhenj, të vrarë. Shelgjet lëshonin një hije të trishtueshme. Në hapësirat e largëta të lëndinave, dukeshin mullarët e barit e, mua m’u kujtua krahasimi i saj: “Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët si piramida…” Duke qëruar portokallin tjetër, gruaja më përsëriti me tonin e një të madhi e sikur t’më ndëshkonte: – Po, do të isha gruaja juaj… -Ju falenderoj, – i thashë, – ju falenderoj.
Ish-futbollisti holandez Johan Neeskens ka vdekur në moshën 73-vjeçare, sipas ”The Guardian”.
Mesfushori ishte pjesë e brezit që u vlerësua me prezantimin e “futbollit total” dhe pjesë e ekipit që arriti dy finale radhazi të Kupës së Botës në vitet 1970.
Federata holandeze e Futbollit, KNVB tha në një deklaratë se ”u tronditëm nga lajmi se Johan Neeskens ka ndërruar jetë papritur në moshën 73-vjeçare. Gjatë dy ditëve të fundit ai ishte në Algjeri duke punuar për një program trajnerësh të KNVB’s World. Fatkeqësisht, ndihma mjekësore nuk mund të bënte ndryshim për të”.
Neeskens pati 49 paraqitje për Holandën dhe i dha epërsinë në finalen e Kupës së Botës 1974 pas dy minutash, me një penallti kundër Gjermanisë Perëndimore, e cila fitoi 2-1.
Holanda humbi edhe finalen katër vjet më vonë, këtë herë 3-1 pas kohës shtesë kundër Argjentinës.
Në nivel klubesh ai përfaqësoi Ajaxin (ku fitoi tre Kupa Evropiane dhe dy tituj ligë) dhe Barcelonën përpara se të transferohej në SHBA, ku luajti për New York Cosmos dhe Kansas City Comets./ KultPlus.com
Aktori i njohur Herion Mustafaraj, edhe pse prej vitesh jeton dhe punon në SHBA, mbetet tejet i lidhur me artin shqiptar.Së fundmi, ai ka shprehur vlerësimin e tij për regjisorin Fatmir Doga dhe filmin më të fundit “Prokurori”, ku luan edhe legjenda e Hollivudit, Danny Glover.
Përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, Mustafaraj i ka kushtuar fjalë të veçanta regjisorit Doga.
“I dashur Fati, ti je regjisori që i duhet kinemasë shqiptare, vëlla. Ti sjell yjet amerikanë të klasit botëror në historitë tona shqiptare. Ju i tregoni këto histori pa paragjykime, pa e shitur të keqen si shqiptare në filmat komercialë. Kjo është një kthesë e madhe për ne si kineastë shqiptarë. Urime vëlla, shkëlqe!”, u shpreh Mustafaraj.
Ky film pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, duke sjellë emra të mëdhenj si Danny Glover në ekranin shqiptar.
“Prokurori” do të nisë shfaqjet në të gjitha kinematë shqiptare më 10 tetor, duke premtuar një përvojë unike për artdashësit./ KultPlus.com
Presidentja Osmani ngushëllon familjen, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor për vdekjen e akademikut e piktorit Tahir Emra.
Postimi i plotë i saj:
Kosova sot humbi akademikun dhe piktorin Tahir Emra. Ai la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore.
Veprat e tij artistike, të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit, janë dëshmi e pasionit dhe përkushtimit, ndaj mbeten trashëgimi e çmuar për brezat.
Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, komunitetit kulturor dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!
Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.
I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Tahir Emrën! / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.
Postimi i plotë i presidentes Osmani:
Takim gjithnjë përmbajtësor me Presidentin kroat Zoran Milanović.
Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike./ KultPlus.com
Të kam dashtë… Dashunia nuk ka të tashme. Dashunia nuk ka të ardhshme. Ajo ka vetëm të kaluemen. Të kam dashtë…
Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë. Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura. Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish. Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët. Dashunia vdes kur i shërohen plagët. Dashunia fillon prap prej fillimit…
Dashunia i beson të gjitha. Dashunia i shpreson të gjitha. Dashunia i “ha” të gjitha. Dashunia i fal të gjitha. Dashunia banon te duert…
Të kam dashtë… Dashunia nuk ka të tashme. Dashunia nuk ka të ardhshme. Ajo ka vetëm të kaluemen. Të paskam dashtë, pra…/ KultPlus.com
Projekti “Jeta dhe Arti” është një udhëtim i thellë dhe emocionues nëpër artin që feston forcën, guximin dhe shpresën e grave që luftojnë kundër kancerit të gjirit.
“Jeta dhe Arti” do të shtjellohet përmes punëtorive që kanë për qëllim ofrimin e një hapësire kreative ku pjesëmarrësit mund të shprehin emocionet e tyre përmes artit, ndërsa rrisin ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.
Projekti ”Jeta dhe Arti” është një homazh për jetën dhe artin që shpreh fuqinë e shpirtit njerëzor. Përmes një kombinimi të fuqishëm të artit vizual dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ky projekt synon të inspirojë solidaritet, empati dhe guxim./ KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me operatorë të turizmit natyror, bujtinave dhe agroturizmeve pranë Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.
Gjatë muajve janar-gusht të vitit 2024, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 3.8 milionë vizitorë, me një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
“Vjosa është lumë, por është edhe ekonomi. Dhe na kërkon të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në momentin e parë që mund ta prekim ose dëmtojmë pa dashje ose nga dëshira për të vrapuar pak më shpejt, mund të dëmtojmë biznesin e së ardhmes. Prandaj i gjithë ky koncept i turizmit që e quajmë turizëm i qëndrueshëm, si dhe ekoturizmi kanë krijuar të tjera aktivitete sektoriale në turizëm”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi edhe lehtësitë fiskale si TVSH-ja e ulur në 6% për hotelet dhe bujtinat, për agroturizmin do të jetë 5% dhe 0% për biznesin e vogël.
“Këto masa të cilat mund të duket se s’kanë influencë, sot kanë bërë që të shtohet zinxhiri i ekonomisë dhe ju kanë nxitur që të shpikni forma të reja të ofertës turistike. Vjosa është kthyer në një kartvizitë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila nuk ka kuptim pa ju. Dërguam në UNESCO dosjen e plotë për të cilën kemi një vit që punojmë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për ta regjistruar si një kategori e veçantë në listën Botërore të Trashëgimisë Natyrore”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh gjithashtu se vizitorët që vijnë në Gjirokastër, vizitojnë edhe Përmetin, edhe bashkitë e tjera të qarkut dhe sipas saj, organizata e menaxhimit të destinacioneve “Visit Gjirokastra” si dhe të shtatë bashkitë e këtij qarku kanë meritën e të krijuarit të një modeli të destinacionit të organizuar turistik.
“Në një zonë kaq të vogël, ne mund t’i mbajmë turistët deri në një javë. Dhe kjo nuk bëhet duke folur vetëm për Përmetin, apo për Këlcyrën, apo për Gjriokastrën. Vjosa na bashkon të gjithëve si një hartë unike me shumë propozime brenda”, vazhdoi ministrja.
Në fund të fjalës së saj ministrja Kumbaro foli për të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare. Ajo kujtoi se në vitin 2022, në ekonominë shqiptare sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, hynë 2.8 miliardë euro, kurse për vitin 2023 kjo shifër u rrit në 4.2 miliardë euro. Ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur 500 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, duke theksuar se do të punohet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë që gjenerohet nga turizmi./atsh/ KultPlus.com
Në Kinema “Republika”, në Shkodër çeli siparin edicioni i tretë i festivalit të filmit “Idromeno Independent Film Festival”. 58 filma nga autorë vendas dhe të huaj do të shfaqen për adhuruesit e kinematografisë.
Ky festival u konceptua nga një grup studentësh me një qëllim madhor: integrimin e ideve të reja në mentalitetin e kineastëve shqiptarë. Sipas tyre, kjo mund të arrihet me ndihmën e partnerëve dhe kineastëve të “Idromenos” në të gjithë Evropën. Qëllimi është të përmirësohet kinemaja eksperimentale dhe e pavarur duke e zgjeruar atë si një lëvizje multidisiplinare duke përfshirë shkenca të tjera që lidhen me filmin.
Ditën e djeshme përveç projeksioneve të filmave pati edhe një panel diskutimi me të ftuar si: Edon Qesari, Stefania Consigliere, Eris Agolli dhe Eno Milkani, ku tema e diskutimit ishte “Metamorfoza”.
Në sesionin Idromeno Evocative, u shfaq filmi “Kapedani” i regjisorëve Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi. Ndërsa në sesionin Special Screenings u shfaq filmi i Pirro Milkanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”.
Ditën e sotme ishte Emilie Richelle e cila foli mbi sfidat e të qenit grua në industrinë e kinemasë, ndërsa Miguel Velez dha një leksion mbi temën “Të krijosh një film të shkurtër”.
“Idromeno Indipendent Film Festival” do të vazhdojë aktivitetet e tij deri më 11 tetor./atsh/ KultPlus.com