Tingujt e orkestrës frymore performojnë në sheshet e Shkodrës

Në çdo shesh dhe rrugë të Shkodrës dëgjohej muzika e orkestrave frymore.

Nga 3 orkestra u vendosën në 3 sheshet kryesore si pjesë e Takimit Ndërkombëtarë të Orkestrave Frymore, që vjen në edicionin e 4-të të tij.

Shkodra, Durrësi dhe Orkestra e Salernos në Itali kanë performuar në rrugët e qytetit.

Për drejtuesin e Qëndrës “Pjetër Gaci”, Dritan Mlika, ky aktivitetet është kthyer në traditë në Shkodër, duke qënë një event i përvitshëm që largon kufinjtë nëpërmjet muzikës.

‘’Siç e shifni edhe vetë jemi në edicionin e katërt të takimit ndërkombëtar të bandave frymore i cili tashmë gradualisht po kthehet në një traditë e një aktivitet të qëndrueshëm të qytetit tonë.

Është një aktivitet mjaft i bukur i cili pritet me shumë kënaqësi nga bandat e ndryshme si nga vendi ashtu edhe nga jashtë’’.

Orkestrat Frymore nga vendi, rajoni dhe Italia, po performojnë performojnë në Shkodër në kuadër të këtij eventi, i cili nga viti në vit po merr përmasa të mëdha./oranews/ KultPlus.com

E paimagjinueshmja: Si do të dukej një luftë bërthamore në Evropë

Me ndryshimin e fundit të rrezikshëm të politikës bërthamore të Rusisë, presidenti Vladimir Putin sugjeroi më 25 shtator se Kremlini mund t’i përdorë armët bërthamore kundër cilitdo shtet që e sulmon Rusinë, nëse ai shtet mbështetet nga një fuqi bërthamore.

Nëse Rusia do ta ndërmerrte një sulm masiv bërthamor ndaj Ukrainës apo Evropës Perëndimore, kontinenti nuk është se do të mund të bënte shumë për ta ndalur atë.

Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Hulumtime të Çarmatimit (UNIDIR), konsiderohet gjerësisht të jetë eksperti kryesor perëndimor në botë për armët bërthamore të Rusisë. Ai tha se nuk ka indikacione se një katastrofë e tillë është afër që të bëhet realitet, por përshkruan rrethanat e zymta të një sulmi potencial bërthamor ndaj Evropës.

“Nëse do të kishte një lloj lëshimi masiv – apo lëshim të disa raketave [ruse] – do të ishte pothuajse e pamundur të garantohej që të gjitha do të rrëzoheshin”, u shpreh ai.

Llogaritjet e brendshme të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) raportohet se parashikojnë që në rast të një sulmi të plotë nga Rusia, blloku ushtarak ka “më pak se 5 për qind” të mbrojtjeve të nevojshme ajrore.

Rusia besohet se ka rreth 1.700 koka bërthamore brenda më shumë se 500 raketave që mund të lëshohen brenda minutave nga bazat, lëshuesit mobilë, nëndetëset dhe aeroplanët luftarakë. Shtetet e Bashkuara me gjasë do të ishin objektivi kryesor, por shumë prej këtyre raketave dihet se janë të menduara për përdorim kundër Evropës.

Por, nëse breshëritë e raketave janë pothuajse të pandalshme, çfarë duhet të bëjnë civilët në rast të një sulmi bërthamor?

Disa kryeqytete evropiane kanë vendstrehime bërthamore të kohës së Luftës së Ftohtë, të cilat po rinovohen heshtazi. Kievi së fundi rihapi një bunker bërthamor dhe e bëri sërish të përdorshëm.

Në Pragë, disa bunkerë të Luftës së Ftohtë kanë përjetuar një rritje të interesimit nga banorët, që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 2022. Bunkerët “janë ende funksionalë, që nga rënia e komunizmit, dhe mund të aktivizohen sipas nevojës”, konfirmoi Jan Mikes, shef i departamentit për menaxhim krizash në qarkun Praga 2, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Një zëdhënëse e Shërbimit të Zjarrfikësve të Republikës Çeke tha për REL-in se, nga viti 2023, institucioni ka nisur të përditësojë “kërkesat për sistemin e vendstrehimit dhe për vetë vendstrehimet”, pa dhënë më shumë hollësi.

Në Luginën e Ahrit, afër Bonit, në Gjermani, drejtoresha e një vendstrehimi kundër bombave bërthamore, i cili tani funksionon si muze, raportoi për një shtim të vizitorëve së voni.

“Interesimi është rritur, veçanërisht nga të rinjtë, për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Heike Hollunder në një prononcim për REL-in. “A mund të përdoret bunkeri sërish? A ka bunker bërthamor për Qeverinë në Berlin? Këto janë pyetjet kryesore që bëhen”.

Por, këto masa drastike sigurie janë ndoshta të kota. Podvid thotë se një sulm bërthamor rus do të linte shumë pak kohë për të ikur drejt një vendstrehimi të fortë. Nga lëshimi deri te goditja e një objektivi në Evropën Qendrore, sipas llogaritjeve të Podvigut, “do të kalonin rreth 10 minuta”.

Shtetet e Bashkuara kanë një rrjet satelitësh, të aftë për të vërejtur menjëherë tymin e lëshimit të një rakete, por ai sistem me gjasë do të ishte i padobishëm për vendet që ndodhen afër Rusisë.

“Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha llojet e sistemeve paralajmëruese – satelitët e gjëra të tilla. Por, unë dyshoj se ky informacion mund të ndahet aq shpejt apo fare me aleatët e SHBA-së në shtetet evropiane”, ka thënë Podvig.

Simulimet e asaj që mund të bëjnë armët moderne bërthamore nëpër qytete ofrojnë një pasqyrë të frikshme. Një raketë e vetme ruse Topol-M do të shpërthente në një top zjarri me gjerësi prej një kilometri, i cili do të digjte çdo gjë të gjallë që do të prekte. Brenda një rrezeje prej 7 kilometrash, civilë të panumërt do të vdisnin nga djegiet e rënda dhe do të shtypeshin nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga vala e goditjes. Pastaj do të vinte rrezatimi, i cili do të prekte vendin e shpërthimit dhe do të helmonte ujin dhe ajrin.

Historiani ushtarak britanik, Basil Liddel Hart, ishte dëshmitar i një loje lufte më 1955, në të cilën NATO-ja ushtroi skenarin e një lufte të plotë bërthamore me Bashkimin Sovjetik. NATO-ja fitoi ballafaqimin, por pasi ra pluhuri hipotetik, pothuajse çdo gjë e çmuar e botës perëndimore u kthye në rrënoja. Hart më vonë do ta përshkruante përvojën si “tejet neveritëse”.

Fitorja, shkroi ai, “e kishte humbur kuptimin”.

Udhëheqësi sovjetik, Nikita Khrushchev, raportohet të ketë thënë se pas luftës së plotë, “të gjallët do t’ua kishin lakmi të vdekurve”.

Podvig nga UNIDIR është i kujdesshëm me zbulimin e llogaritjeve të veta.

“Unë, thjesht, përpiqem të mos mendoj për të, sepse i di disa skenarë katastrofikë që janë tejet të këqij”, tha ai.

Sikurse në kulmin e Luftës së Ftohtë, të vetmit parandalues seriozë sot janë shkatërrimi i ditur që sigurojnë rezervat prej qindra raketash bërthamore të Perëndimit, bashkë me një politikë kontroverse të lëshimit me paralajmërim.

Kjo politikë u mundëson Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin sulme hakmarrëse, nëse vërehen raketa që vjen, para rënies në tokën amerikane. Ajo do të parandalonte shkatërrimin e armëve bërthamore të Amerikës, por lë hapur mundësinë e një gabimi që mund t’i japë fund civilizimit.

Me gjithë rritjen e vazhdueshme të tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, Podvig tha se një apokalips bërthamor mbetet vetëm një mundësi e largët.

“Unë besoj se para se të vinte puna deri aty, deri te mundësia e vërtetë, ne do të shohim goxha hapa të tjerë përshkallëzues”, u shpreh ai.

Përveç retorikës specifike, Podvig ka parashikuar se “ne do të shihnim disa lëvizje armësh dhe gjëra të tilla”.

Ai tha se është i sigurt se mbetet “shumë e pagjasë që kjo do të ndodhte krejt papritur”.

Përgatiti: Trim Haliti / REL / KultPlus.com

Plot jetë dhe energji, Tirana rrëmben vëmendjen e blogut italian “beBorghi”

Blogu italian “beBorghi” i ka  kushtuar një shkrim kryeqytetit shqiptar, Tiranës, të cilin e cilëson një qytet të bukur dhe interesant.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e gazetares Valentina Borghi të publikuar në blogun “beBorghi”.

“Tirana ka rrëmbyer vëmendjen e blogut italian “beBorghi”, duke e konsideruar si një qytet plot jetë dhe energji që të fton ta zbulosh çdo ditë e më shumë”, shkruan Rama.

Në artikullin e saj Valentina Borghi shkruan për atraksionet turistike të Tiranës, muzetë, kishat, xhamitë, Piramidën, Pazarin e ri, Liqenin Artificial, Parkun Kombëtar të Dajtit, etj.

Vizita në Tiranë mund të nisë vetëm nga sheshi kryesor i saj, Sheshi Skënderbej, ku dominon statuja e heroit kombëtar shqiptar nga ka marrë emrin.

“Disa nga ndërtesat më emblematike të qytetit kanë pamje nga sheshi, si dhe një numër i caktuar rrokaqiejsh. Në njërën anë ndodhet xhamia e vjetër e Et’hem Beut me Kullën e Sahatit, në anën e kundërt disa ndërtesa të stilit fashist të ndërtuara gjatë pushtimit italian, si Banka e Shqipërisë. Me periudhën komuniste që pasoi, u shtuan Hotel Tirana, Teatri i Operas dhe Baletit dhe godina e madhe e Muzeut Historik Kombëtar, me mozaikun e titulluar “Gli Albanesi”. Asfaltimi i sheshit u ribë ​​në vitin 2015 me gurë të ardhur nga të gjitha trojet shqipfolëse, përfshi Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan ndër të tjera Valentina Borghi./ KultPlus.com

Veliaj: Teatri i ri vepër arti e arkitekturës moderne, brenda 2025-ës mbaron karabinaja

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup arkitektësh të kompanisë arkitekturore “Bjarke Ingels Group”, inspektuan punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri.

Veliaj vuri në dukje ritmin e mirë me të cilin po ecin punimet, por edhe cilësinë e ndërtimit, duke shtuar se brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë së Teatrit.

“Kjo është një vepër e vërtetë arti! Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti, që do t’i mbesë qytetit për 100 vitet e ardhshme. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi. Më vjen mirë që nuk kemi ceduar te cilësia, teksa shpejtojmë punimet. Ne presim që, deri në fund të tetorit apo fillimi i nëntorit, të kemi dalë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punojmë pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të kemi përfunduar karabinanë”, tha Veliaj.

Nëse punimet vazhdojnë me këto ritme, ai bëri me dije se Teatri i Ri do të jetë i përfunduar për një vit. “Jam vërtet entuziast dhe dua që ta shtojmë ritmin e punës. Në fazën e dytë do të punojmë për pjesët teknike dhe besoj shumë fort që, për një vit e pak, të kemi mundësi të vëmë veprën e parë. I shkon Tiranës, sidomos vitin tjetër kur do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duam që të lëmë pas jo vetëm një kalendar shumë të pasur të ngjarjeve, të aktiviteteve të kulturës, por të lëmë pas edhe një bizhu”, shtoi ai.

Duke e konsideruar projektin një skulpturë që do të mbetet pajë për brezat e ardhshëm, Veliaj vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me kompaninë e njohur daneze.

“Unë besoj se me Bjarke Ingels Group, kompania e njohur daneze, do t’i lëmë një nishan të jashtëzakonshëm qytetit. Fakti që kemi BIG-un nga Danimarka prezent këtu, si pjesë e kësaj buqete të arkitekturës moderne, është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se projekti transformues mori vlerësime edhe nga aktorët shqiptarë, me të cilët inspektoi punimet disa ditë më parë. Veliaj shtoi se pavarësisht se kundërshtarët politikë kanë zgjedhur të bëjnë betejë politike duke shkatërruar, mazhoranca vijon misionin e saj për të ndërtuar. “Kjo punë kështu është ndarë: disa do djegin dhe do shkatërrojnë, disa do krijojnë dhe do ndërtojnë. Ne jemi te skuadra që krijon dhe ndërton, disa kanë zgjedhur një skuadër tjetër që shkatërron dhe djeg, por demokracia kjo është. Për sa kohë që po e bëjmë teatrin aty ku ishte, por më të bukur, më të madh dhe më të fortë seç ishte, jemi të larë me historinë dhe me besimin që na kanë dhënë qytetarët e këtij qyteti fantastik”, përmbylli ai.

Ndërkaq, arkitektja e kompanisë BIG, Catherine Huang, tha se ndihet e nderuar që ka mundësinë të kontribuojë për një qytet të bukur siç është Tirana.

“Mendoj se kemi pasur gjithmonë një respekt të thellë për ambicien dhe vizionin tuaj. Na pëlqen vërtet ideja për të krijuar diçka për publikun, për të pasuruar jetën publike. I ndërtuar në sfondin e kësaj rruge do të jetë shumë e bukur. Ndihem shumë e nderuar që punoj me njerëz të mrekullueshëm, në një mënyrë që na lejon të sigurohemi që cilësia të jetë më e larta. Ka një nivel të lartë inovacioni, kështu që ne jemi gjithashtu shumë të emocionuar që po punojmë së bashku duke krijuar zgjidhje. Ne mezi presim që të ndihmojmë për të ofruar një teatër me cilësinë më të lartë të hapësirës për Tiranën. Ndihemi shumë të nderuar që jemi pjesë e kësaj”, tha ajo./ KultPlus.com

‘Ca pika shiu ranë mbi qelq, për ty unë befas ndjeva mall’

Mall

Poezi nga Ismail Kadare

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

1976./ KultPlus.com

Java Kulturore Japoneze, mundësi unike për të eksploruar artin dhe traditat

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi sot publikun t’i bashkohet aktiviteteve të shumta të Javës Kulturore Japoneze.

Java Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, zhvillohet data 9 deri në 15 tetor për një festë të jashtëzakonshme të kulturës japoneze që do të sjellë publikun më afër traditave, artit dhe filozofisë.

“Kjo është një mundësi unike për të eksploruar dhe për të përjetuar artin dhe kulturën e Japonisë përmes një sërë eventesh emocionuese dhe edukative”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.

Festivali i Filmit, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, ceremonia e çajit, dhe turneu i karatës dhe judos janë disa nga aktivitetet ndërsa Java Kulturore Japoneze ofron diçka për të gjithë që kërkojnë një përvojë autentike dhe të pasur./ KultPlus.com

Ekipet ndërkombëtare të shpëtimit ndihmojnë Bosnjën pas përmbytjeve

Ekipet e shpëtimit nga shtetet fqinje të Bosnjë e Hercegovinës dhe nga Bashkimi Evropian të dielën u janë bashkuar përpjekjeve për të gjetur njerëzit e zhdukur nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut dhe për pastruat rrënojat.

Bosnja ka kërkuar ndihmë nga BE-ja pasi reshjet e mëdha të shiut të enjten dhe të premten shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje të dheut, që kanë lënë të vdekur të paktën 18 persona.

Fatkeqësia natyrore po ashtu ka shkatërruar rrugë dhe ura dhe ka lënë të plagosur dhjetëra persona.

Zyrtarët thanë se të paktën 10 persona ende konsiderohen të zhdukur, shumica nga fshati Donja Jabllanica, në jug të Bosnjës, fshat ku ka pasur rrëshqitje të mëdha të dheut.

Luigi Soreca, kreu i misionit të BE-së në Bosnje, shkroi në X, se blloku evropian qëndron me Bosnjën dhe se ekipet e shpëtimit po shkojnë për të ndihmuar këtë shtet.

Autoritetet thanë se ekipet e shpëtimit nga Kroacia kanë shkuar, ndërkaq një ekip nga Serbia pritet të shkojë në Bosnje më vonë gjatë 6 tetorit, pasur nga një ekip për shpëtim i përbërë nga qentë që do të dërgohet nga Sllovenia. Mali i Zi, Maqedonia e Veriu, Polonia, Republika Çeke dhe Turqia po ashtu kanë ofruar ndihmë, thanë autoritetet në Bosnje. /REL/ KultPlus.com

Primo Shllaku, laureati i edicionit të parë të festivalit Respoetica

Bordi i organizatës Social Creativity, bordi i festivalit Respoetica me anëtar: Rita Petro, Agim Baçi dhe Vlora Konushevci, në bashkëpunim edhe me Komunën e Prizrenit, ka vendosur që laureat i edicionit të 1-rë të festivalit Respoetica të shpallet krijuesi nga Shkodra, prof. Primo Shllaku, si nji personalitet i rëndësishëm dhe me peshë të veçantë në sferat e letërsisë, të gjuhës, të kulturës dhe të artit në përgjithësi, përcjell KultPlus.

Çmimi iu dhurua nga kryetarja e bordit të festivit, shkrimtarja Rita Petro.

Poezia Eutanazi u interpretua nga Xhevdet Doda.

Festivali ka falënderuar Amila Gjyrezin, këshilltare për kulturë e kryetarit të bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, e cila ka ardhë si e deleguar nga Bashkia në nderim të prof. Primo Shllakut dhe festivalit Respoetica.

Fotografitë: Ferdi Limani / KultPlus.com

Historia frymëzuese e hotel “Argjirosë” në Gjirokastër

Turizmi në qytetin e gurtë të Gjirokastrës po shënon çdo vit e më shumë zhvillim, duke tërhequr mijëra turistë, pasi ofron një larmishmëri vendesh tërheqëse për të vizituar.

Me ardhjen e turistëve janë shtuar edhe njësitë akomoduese, hotelet e bujtinat, të cilat presin gjatë gjithë vitit turistët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historinë frymëzuese të hotel “Argjirosë” në Gjirokastër.

“Pirro me familjen u rikthyen nga emigracioni për ta rilindur godinën e rrënuar e për t’i dhuruar Gjirokastrës një stoli të hotelerisë, ndërsa ende vazhdon të investojë, të zgjerojë biznesin prej turistëve që kanë pushtuar sokaket dhe të punësojë qoftë studentë të rinj, ashtu edhe profesionistë të sprovuar, të cilët në Shqipëri po paguhen më shumë se gjetkë jashtë vendit”, tha Rama.

Pirro Dhima, menaxheri i hotelit tha se “familja jonë që në fillimet epara ka shkuar në emigracion, por duke parë perspektivën në vendin tonë blemë një ndërtesë të braktisur në qytetin e Gjirokastrës.

Dhima tregon këndin me fotografi kushtuar punës që është bërë për restaurimin e hotelit, të cilën e cilëson një punë shumë të madhe,  të vështirë dhe shumë të lodhshme.

“Filluam duke restauruar godinën duke i dhënë jetë dhe duke hapur si fillim disa dhoma dhe më pas duke i shtuar ato. Në fillim kishim 2 ose 3 punëtorë dhe gjithë familjen në punë. Më pas shtuam personelin, ofertën, duke shtuar dhomat shtuam lehtësitë për klientët duke hapur edhe një pastiçeri dhe një restorant tjetër. Asnjeriu nuk ia merrte mendja që gjërat do të shkonin kaq mirë për biznesin dhe për qytetin”, theksoi Dhima.

Personeli, tregon ai, duke ardhur kaq shumë turistë janë përkushtuar ndaj turizmit dhe duan që këtë punë ta vazhdojnë.

“Antoni la universitetin në Tiranë për ta vazhduar në Gjirokastër dhe për të punuar recepsionist”, tha Dhima.

Ndërsa Thomai është një tjetër punonjës që është ktheyr për të punuar këtu në hotel me pagë më të mirë se në Greqi.

“Pas një pune disavjeçare në Greqi vendosa të kthehem në familjen time, ku paga është shumë herë më e kënaqshme se në Greqi”, tha Thomai.

Duke dhënë një mesazh, Dhima tha “t’i shërbejmë turizmit që kjo të sjellë zhvillim dhe begati për qytetin dhe qytetarët”.

Qyteti i Gjirokastrës, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, përzgjidhet për t’u vizituar nga pjesa më e madhe e turistëve që hyjnë në Shqipëri. Ata vlerësojnë traditat, bukuritë natyrore por dhe mikpritjen e kulinarinë vendase, pa lënë mënjanë objektin kryesor të qytetit, kalanë e Argjirosë./ KultPlus.com

’Dimitrij më la’, poezia fituese e festivalit Respoetica

Poezia ‘Dimitrij më la’ nga Arbër Selmani ka zënë vendin e parë në edicionin e parë të festivalit poetik Respoetica, përcjell KultPlus.

Dimitrij më la

19:48
Dimitrij më la
I erdhi në maje të telave të zërit.

20:31
Të ardhmet tona nuk do të martohen
Më thotë
Ndërkohë përgatit darkën e fundit
Helmin, sallatën, lamtumirën
Fërgon mjerimin tim në sasinë e duhur.

21:00
Nuk jam i duhuri
Burrat nuk dinë çfarë është peshorja
Burrat janë veç lepuj të shpejtë

22:02
Kur keni bërë dashuri duke dënesur?
A e keni parë ndonjëherë një burrë që qan e ju zhvesh me forcë ushtari?

22:08
Bartet loti prej gojës në gojë
E vetmja që do të jetojë
Me të
Është pështyma ime.

03:13
Mëngjesin kur u nisa për në aeroport
Prej qytetit ku nuk ka statujë për ne
Nuk ka vend për ne
Në zgjimin e përbotshëm të vetmisë
Dimitrij hoqi dorë prej meje.

08:30
Kur ishte hera e fundit që një burrë luajti në piano për ju?
A meritoni të ktheheni në partiturë, qofshit grua a burrë?

Përmbajtja e Dimitrit:
Mashkull fin, simfonik
Me prejardhje ukrainase, kërcënues
Zhytur në fjorde, i puthshëm
Seksual sa fytyra e Zotit
Shkrimtar i dy librave
Psikolog çiftesh, tash në tek larg meje
Doje ta ndieje, doje ta pije si ujin e detit.

11:43
Aeroplani mund të copëtohej
E ajri të kthehej në ngulfatje
Veç vuajtja ime është legjitime.

13:00
Dimitrij është poliglot
Ma njeh trupgjuhën, por jo fjalët e dëshpërimit
I them se disa gra jetojnë pa burra
Unë as grua nuk jam, as burrë nuk kam.

15:28
Sa zgjime i keni pasur me një burrë që ju puth ballin?
Sa sy të gjelbër e kanë tronditur zemrën tuaj kozmike?

17:45
E kanë frikësuar ilaçet e mia
Është çuditur që shpesh bëj gjumin pa i larë dhëmbët
I thonë që vlej, meritoj të jem me të
Por ai nuk ka kohë, koha nuk na e ka atë
Dhe dhoma e tij s’na ka asnjë.

19:19
Dimitrij u largua, mbërthyer si morsë
Burrat japin pak, e shumta ndonjë puthje mediokre
Plaga e çarë më hapet
E imja çehre plaket.
20:06
Dimitrij, ti je veç një fëmijë që nuk pranon të përkëdhelet.

20:07
Dimitrij, më fal. Jam tepër klishe.

21:00
Nëna po e fal jacinë
Nuk e ka idenë kush je ti, Dimitrij
Nëna ime as mua nuk më njeh, sakaq qëndron stoike
Ti, ti Dimitrij nuk pranon që edhe dashuria është fe.

22:41
Dimitrij më la
I erdhi në maje të hundës
Varfërohet njeriu kur burri ta kthen me sëpatë
Është koha e gjumit
A ka një vend ku mashkulli nuk ka drojë?

23:00
Le të flemë të ndarë, Dimitrij, është natë.

*Fotografia: Ferdi Limani / KultPlus.com

‘Nëse kërkon vetëm fjalë pyet një burrë, nëse kërkon vepra pyet një grua’

Ato thonë të vërtetat me zë të lartë, ato shembin klieshetë e rreme që janë ngritur për gratë, ato i shpallin të drejtat e tyre.

Më poshtë mund të lexoni disa thënie nga gratë që lanë gjurmët e tyre kudo në botë.

“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”- Margaret Thatcher, politikane

“Një femër e fortë e kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti” -Nancy Rathburn, autore

“Një  grua është si një bustinë çaji- ti asnjëherë nuk  e di sa e fortë është ajo deri sa e vendos në ujë të nxehtë”- Eleanor Roosevelt, politikane, diplomate, aktiviste

“Unë gjithmonë kam dashur të isha një femme fatale. Edhe kur isha e vogël, asnjëherë nuk doja të isha thjesht një vajzë, por doja të isha një grua” – Diane von Furstenberg, stiliste

“Unë jam e fortë, jam ambicioze dhe e di shumë mirë se çfarë dua. Nëse kjo nuk të pëlqen, atëherë punë për ty” – Madonna, këngëtare

“Feminist është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat si të femrave dhe të meshkujve” – Gloria Steinem, feministe, gazetare, aktiviste politike dhe sociale

“Adhuroj të shoh një vajzë të re e cila del jashtë dhe e kap botën nga jaka e xhaketës. Jeta është e poshtër. Ti duhet të përpiqesh dhe të triumfosh”– Maya Angelou, shkrimtare

“Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma prej nesh ngurojnë” – Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze për të drejtën e arsimit të grave, fituesja më e re e çmimit Nobel

“Feminizmi nuk ka të bëjë me forcën e femrave. Femrat si natyrë janë të forta, por ka si qëllim të ndryshojë mënyrën se si bota e percepton forcën.”– G.D. Anderson, autore

“Femrat thonë gjithmonë: ‘Ne mund të bëjmë  gjithçka që mund të bëjnë dhe meshkujt!’ Por janë meshkujt ata që duhet të thonë: ‘Ne mund të bëjmë gjithçka që mund të bëjnë dhe femrat!’.”– Gloria Steinem

“Nuk je e detyruar të jesh e bukur. Nuk i detyrohesh askujt për bukurinë tënde. As të dashurit/bashkëshortit/partnerit, as kolegëve të punës, veçanërisht as meshkujve që takon në rrugë. Nuk iu detyrohesh as prindërve, as fëmijëve, nuk i detyrohesh shoqërisë në përgjithësi. Bukuria nuk është një qira që e paguan sepse ke zënë një hapësirë të quajtur “femër”.– Erin McKean, leksikografe

“Një femër që i dëgjohet zëri, përkufizohet si një femër e fortë.”– Melinda Gates, businesswoman dhe filantropiste

 “Femrat, ashtu si dhe meshkujt duhet të përpiqen për të bërë të pamundurën dhe kur të dështojnë, dështimi i tyre duhet të jetë një sfidë për të tjerët.”– Amelia Earhart, pilotja e parë grua dhe autore

 “Kur një burrë jep opinionin e tij, ai është burrë. Kur një femër jep opinionin e saj, ajo është e përdalë.”– Bette Davis, aktore

“Shpresoj që prindërit e vajzave të vogla do i shikojnë ato dhe do thonë, “Po, femrat munden.”– Dilma Rousseff, ekonomiste, politikane, presidentja e parë grua e Brazilit

“Femrat janë lidere në çdo aspekt-si një drejtore që drejton një kompani fitimprurëse ashtu edhe një shtëpiake që rrit fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Vendi ynë është krijuar nga femra të forta dhe ne do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe.”– Nancy Pelosi, drejtuese e një prej dhomave të Kongresit amerikan

“Natyrisht që nuk shqetësohem nëse natyra ime i frikëson meshkujt. Tipi i mashkullit që frikësohet nga personaliteti im është pikërisht tipi për të cilin nuk kam asnjë interes.”– Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimtare nigeriane.

“Nuk ndihem më pak femër. Ndihem akoma më e fuqishme kur marr një vendim të rëndësishëm, kjo kurrsesi nuk e zvogëlon feminitetin tim’– Angelina Jolie pas mastektomisë së dyfishtë, aktore, aktiviste.

 “Pyetja nuk është kush do më lejojë mua, por kush do më ndalojë .”– Ayn Rand, shkrimtare

 “Kemi nevojë për femra në të gjitha nivelet, duke përfshirë  ato që janë në krye, për të ndryshuar dinamikën dhe t’i japin formë bisedës, të sigurohen që zëri i femrës të dëgjohet dhe të mos injorohet.”– Sheryl Sandberg, drejtore operative e Facebook.

 “M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht.”– Madeleine Albright, politikane

 “Femrat janë arkitektet e vërteta të shoqërisë.”– Harriet Beecher Stowe, e angazhuar kundër skllavërisë, shkrimtare

 “Nuk kam takuar asnjëherë një femër që nuk është e fortë, por ndonjëherë ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë. Duhet një tragjedi që një femër të shfaqë forcën e saj. Mesazhi im është që ta shfaqni forcën para tragjedisë.”– Diane von Furstenberg

 “Femrat kanë qenë gjithmonë më të fortat. Meshkujt kërkojnë vazhdimisht mbështetje nga ato. Ata kanë nevojë për nënën që kujdesej për ta kur ishin të vegjël.”– Coco Chanel, stiliste

 “Feminizmi është për të gjithë.”– Bell Hooks (pseudonim), shkrimtare

 “Besoj se mbrojtja e të drejtave të femrave është  kapitull i pambyllur i shekullit XXI.”– Hillary Clinton, politikane

 “Ne duhet të riformojmë perceptimin tonë rreth mënyrës si e shikojmë veten. Duhet të bëjmë një hap përpara si femra dhe të marrim drejtimin.”– Beyoncé, këngëtare

 “Unë jam një femër fenomenale. Femër fenomenale…po, kjo jam unë.”– Maya  Angelou

  “Pse fjala feminizëm është bërë tabu? Nuk është fjala ajo që ka rëndësi, por ideja dhe ambicia që ajo përfaqëson.”– Emma Watson, aktore

“Ideja e të qenit feministe: shumë femra mendojnë se të qenit e tillë do të thotë të jesh kundra meshkujve dhe të mos krijosh lidhje me seksin e kundërt, por ajo që feminizmi përfaqëson në të vërtetë, është një barazi e të drejtave të njeriut. Për mua është një pjesë thelbësore e identitetit tim.”– Lena Dunham, aktore dhe shkrimtare/ KultPlus.com

Arbër Selmani, fitues i edicionit të parë të festivalit “Respoetica”

Juria e përbërë nga Agim Morina, Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku, shqyrtoi poezitë e pjesëmarrësve në edicionin e parë të festivalit Respoetica, përcjell KultPlus.

Si fitues të konkursit juria përzgjodhi njëzëri poezinë “Dimitrij më la” të poetit, Arbër Selmani, për risimtari në qasje dhe për një gjuhë me fuqi shprehëse që kap shumanshmërinë e dramës njerëzore.

Poezia u interpretua nga aktori, Xhevdet Doda.

Juria ka përmendë për cilësi letrare edhe poezitë:

  • Rrenë asht molla e Adamit
  • Vjeshta po vjen
  • Sytë e dritares
  • Non-Negotiable
  • Metamorfozë

Edicioni i 1-rë i Festivalit të Poezisë ‘Respoetica’ mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren dhe gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus.

Fotografitë: Ferdi Limani / KultPlus.com

Media spanjolle “Mundiaro”: Zbuloni Vlorën, destinacionin më trendi për adhuruesit e natyrës

Eksploroni perlën e fshehur të Shqipërisë, destinacionin ideal për adhuruesit e natyrës dhe historisë, me plazhe mahnitëse dhe rrënoja të lashta, shkruan Monica Martinez në të përditshmen spanjolle “Mundiaro”.

Vlora është shndërruar në një nga destinacionet më trendi për turistët që kërkojnë bukuri natyrore, histori dhe aventura të paharrueshme.

E vendosur në kryqëzimin e deteve Adriatik dhe Jon, Vlora ofron një kombinim të shkëlqyer të plazheve, peizazheve të thyera malore dhe monumenteve të lashta kulturore.

Pavarësisht nëse jeni një aventurier në kërkim të një arratisjeje në një destinacion të pazbuluar apo një adhurues i plazhit që kërkon ujëra të pacënuara, Vlora ka diçka për të gjithë.

Joshja bregdetare e Vlorës është e pashembullt, me ujëra të pastra kristal që shtrihen përgjatë disa prej plazheve më mahnitëse dhe pa turma turistësh.

Vendet e njohura si Plazhi i Radhimës dhe Plazhi i Orikumit ofrojnë një arratisje të qetë nga brigjet më të ngarkuara të Mesdheut, duke ofruar mundësi për banjo dielli, për të notuar apo për t’u angazhuar në sporte ujore.

Për adhuruesit e natyrës, Gadishulli i Karaburunit dhe Ishulli i Sazanit aty pranë – ofrojnë peizazhe dhe mundësi mahnitëse për ecje, shëtitje me varkë dhe eksplorimin e shpellave detare.

NDËRTHURJE PERFEKTE E HISTORISË DHE NATYRËS

Historia e Vlorës daton që nga Iliria e lashtë. Monumenti i Pavarësisë shënon vendin ku Shqipëria shpalli pavarësinë në vitin 1912.

Të apasionuarit pas historisë mund të eksplorojnë Kalanë e Kaninës, e cila ofron pamje panoramike të qytetit dhe Apolonisë aty pranë, një park arkeologjik i mbushur me rrënojat e lashta greke dhe romake.

PARKU KOMBËTAR I LLOGORASË

Të apasionuarit pas natyrës do të magjepsen nga majat e larta të Parkut Kombëtar të Llogarosë, vetëm pak minuta larg me makinë nga Vlora.

Parku është perfekt për shëtitje, hedhje me parashutë dhe për të vëzhguar kafshët e egra, duke ofruar një lidhje të pashembullt me ​​bukurinë natyrore të Shqipërisë.

Udhëtimi përmes Qafës së Llogorosë është një nga rrugët më piktoreske në Ballkan, duke ofruar pamje mahnitëse të vijës bregdetare të Jonit.

UDHËTIMI NË VLORË

Qëndrueshmëria është një trend në rritje në Vlorë, me shumë përpjekje për të ruajtur trashëgiminë e saj natyrore dhe kulturore.

Udhëtarët e vetëdijshëm për mjedisin mund të shijojnë akomodime të qëndrueshme dhe shumë turne fokusohen në turizmin e përgjegjshëm ndaj mjedisit.

Mbështetja e bizneseve lokale dhe iniciativave kulturore jo vetëm që pasuron përvojën tuaj të udhëtimit, por gjithashtu siguron që kjo perlë e fshehur të mbetet e mbrojtur për brezat e ardhshëm.

REKOMANDIME PËR VIZITËN NË VLORË

Koha më e mirë për të vizituar Vlorën: Fundi i pranverës dhe fillimi i vjeshtës për një kombinim perfekt të motit të këndshëm dhe me më pak turma vizitorësh.

Si të shkoni atje: Aeroporti më i afërt është Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, nga ku mund të bëni një udhëtim piktoresk me makinë ose autobus për në Vlorë.

Ku të qëndroni: Zgjidhni hotele ose akomodime miqësore me mjedisin për të mbështetur turizmin e qëndrueshëm.

Nëse jeni duke kërkuar një destinacion në trend që ndërthur në mënyrë të përsosur natyrën, historinë dhe kulturën, Vlora është vendi perfekt.

Ndërsa popullariteti i këtij destinacioni mbetet gjithnjë në rritje, tani është koha e duhur për të vizituar këtë perlë të fshehur – përpara se pjesa tjetër e botës ta zbulojë.

Nga plazhet e saj piktoreske deri tek monumentet e pasura historike, Vlora ofron një eksperiencë të paharrueshme udhëtimi për çdo lloj vizitori. / KultPlus.com

45 vjet nga vdekja e poetes Elizabeth Bishop

Elizabeth Bishop lindi më 8 shkurt të vitit 1911 dhe vdiq më 6 tetor 1979. Ajo ishte poete amerikane dhe shkrimtare e tregimeve të shkurtra. Është fituese e çmimit ‘Pulitzer’ për poezinë në 1956, fitoi çmimin Kombëtar të Librit në 1970, dhe është fituese e Çmimit Ndërkombëtar të Neustadt për Letërsinë në 1976, transmeton KultPlus.

Disa nga librat e saj më të njohur janë:

“In the Waiting Room”

“Në dhomën e pritjes” (“In the Waiting Room”) shkruar në 1976, Bishop trajtoi temën e ndjekjes për identitet dhe individualitet brenda një shoqërie të larmishme si një vajzë shtatëvjeçare që jetonte në Worcester, Massachusetts gjatë Luftës së Parë Botërore.

“First Death in Nova Scotia”

Poema e Bishop “Vdekja e parë në Nova Scotia” (“First Death in Nova Scotia”), e botuar për herë të parë në 1965, në këtë vepër paraqitet ngjarja e vdekjes së kushëririt së saj Arturo, e gjithë ngjarja transmetohet përmes këndvështrimit të një fëmije. Poema thekson se edhe pse i ri dhe naiv fëmija ka një vetëdije instiktive për ndikimin e rëndë të vdekjes.

“Sestina”

“Sestina”, botuar më 1965, përshkruan një përvojë të jetës reale. Pas vdekjes së babait të saj kur ajo ishte foshnjë dhe pas krizës nervore të nënës së saj kur ishte pesë vjeç, poema e Bishop shënon përvojën e saj pasi ajo ka shkuar të jetojë me të afërmit. Stili i poezisë së saj, ‘sestina’, është një stil poezie i krijuar nga Arnaut Daniel në shekullin e 12 -të, u përqendrua në theksimet e përfundimit të fjalëve në secilën rresht, duke i dhënë poezisë një ndjenjë të formës dhe modelit. Bishop është e njohur gjerësisht për aftësinë e saj në formatin ‘sestina’. / KultPlus.com

OBSH miraton testin e parë diagnostikues të Lisë së majmunit për përdorim emergjent

Organizata Botërore e Shëndetësisë e autorizuar nga Abbott Laboratories ka miratuar testin e parë diagnostikues të Lisë së majmunit, për përdorim emergjent.

Bëhet e ditur se testi PCR në kohë reale mundëson zbulimin e ADN-së së virusit mpox nga lezionet e lëkurës njerëzore, ka njoftuar OBSH duke shtuar se ai ishte krijuar për t’u përdorur nga personeli i trajnuar i laboratorit klinik.

“Ky test i parë diagnostikues mpox i renditur nën procedurën e Listës së Përdorimit Emergjent përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në zgjerimin e disponueshmërisë së testimit në vendet e prekura”, tha Yukiko Nakatani, ndihmës drejtori i përgjithshëm i agjencisë për qasjen në ilaçe dhe produkte shëndetësore.

Një zëdhënës i Abbott tha se kompania “aktualisht ka testin Alinity m mpox në inventar dhe do të punojë me klientët për nevojat e tyre të testimit”, shkruan Reuters.

Agjencia tha se po vlerësonte tre teste të reja diagnostikuese mpox për përdorim urgjent dhe ishte gjithashtu në diskutime me prodhues të tjerë për të zgjeruar disponueshmërinë e mjeteve diagnostikuese.

Ndryshe, OBSH e shpalli mpox një emergjencë globale të shëndetit publik për herë të dytë në dy vjet në gusht, pas një shpërthimi të infeksionit viral në Republikën Demokratike të Kongos, i cili është përhapur edhe në Burundi, Ugandë dhe Ruandë.

Dy versione mpox po përhapen – varianti clade I, i cili është endemik në pjesë të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore dhe një lloj i ri, më i transmetueshëm Ib, i cili ka shkaktuar shqetësim global.

Suedia, Tajlanda dhe India kanë konfirmuar raste të llojit clade Ib të virusit. / KultPlus.com

Ismail Lulani, një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar

Janë bërë sot 22 vite nga vdekja e Ismail Lulani, një ndër emrat e rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës.

Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, për edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Ismail Lulani lindi më 1933 në Tuz, Mal të Zi në moshën 69 vjeçare në qytetin e Shkodrës, Shqipëri. Në moshën 9 vjeçare së bashku me familje vendoset në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1967 mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike ‘Prek Jakova’) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit Shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në krijimtarinë e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, pejzash, portret e natyra të qeta. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojërat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse.

Për meritat e tij ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë:

Në vitin 1979 i jepet titulli “Piktor i Merituar”
Në vitin 1989 i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”
I është akorduar titulli “Naim Frashri I klasit të Parë”
Në vitin 1999 në Biennialen e Romës për Artet Visive merr çmimi i dytë dhe i jepet medalja e argjentë, me tabllon (Ikja në Egjipt)
Pas vdekjes, në 70 vjetorin e lindjes iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës” i cili iu dorëzua të shoqes së artistit.
Ismail Lulani morri pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë, rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si: Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), Neë York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd(Serbi), Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin (Montenegro), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Lulani vdiq më 6 tetor të 2002 duke mbetur një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar. / KultPlus.com

Kryevepra shqiptare e botërore në koncertin Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e Dario Salvi

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, Filharmonia e Kosovës shënoi mbrëmë koncertin e radhës, duke ofruar një performancë mbresëlënëse që konfirmoi edhe njëherë potencialin e rrallë të këtij institucioni. Nën drejtimin e maestro Dario Salvi, orkestra solli një përzgjedhje të pasur dhe të larmishme veprash klasike, të cilat u mirëpritën me duartrokitje nga publiku, shkruan KultPlus.

Koncerti nisi me “Valle antike” të kompozitorit të njohur shqiptar, Vasil Tole, një pjesë e cila pasqyron bukurinë e muzikës folklorike shqiptare përmes një interpretimi të fuqishëm orkestror. Kjo vepër i dha tonin fillestar mbrëmjes dhe i prezantoi publikut një interpretim delikat e të ndjeshëm nga orkestra.

Pjesa tjetër e koncertit ofroi një nga kryeveprat e muzikës botërore, Koncertin për violinë dhe piano të Felix Mendelssohn. Për këtë interpretim, orkestrës harkore të Filharmonisë së Kosovës iu bashkua  violinisti Xhafer Xhaferi dhe pianisti i njohur Jose Gallardo. Dyshja solli një performancë që reflektoi teknikë të shkëlqyer, ndjeshmëri dhe harmoni të plotë me orkestrën.

Për të përmbyllur mbrëmjen, orkestra e Filharmonisë interpretoi “Simfoninë e thjeshtë” të Benjamin Britten, një vepër dinamike dhe plot gjallëri. Ndërthurja e temave të saj të qarta dhe energjike ofroi një mbyllje triumfale të koncertit, duke treguar edhe njëherë aftësinë e orkestrës për të interpretuar një repertor klasik me mjeshtëri dhe përkushtim.

Pas koncerit, dirigjenti Dario Silva, e cila e drejton për të tretën herë orkestrën e Filharmonisë së Kosovcës, u shpreh se është gjithmonë kënaqësi që të punojë me këta artistë.

“Programi sonte ishte shumë i veçantë. U hap me pjesën shqiptare ‘Vallëzim antik’, një vepër shumë e vështirë për t’u mësuar. Na mori kohë gjithë javën. Më pëlqyen meloditë, orkestrim shumë i ndërlikuar megjithatë orkestra e realizoi jashtëzakonisht mirë”,theksoi Dario për KultPlus.

Pas koncertit, për KultPlus foli edhe violinisti Xhafer Xhaferi, i cili kthehet pas një dekade në një koncert në bashkëpunim me Filharmonisë së Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që rikthehet pas një dekade në Filharmoninë e Kosovës. Kësaj radhe kemi përzgjedhur të interpretojmë koncertin për violinë, piano dhe orkestër harqesh nga Felix Mendelssohn me pianistin fantastik argjentinas Jose Gallardo dhe jam shumë i lumtur se si shkoi koncerti”,  Kishim një bashkëpunim shumë të mirë dhe orkestrën dhe me dirigjentin Dario Salvi dhe shpresoj të rikthehem në ndonjë moment, ftesë të caktuar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ju kujtojmë se koncerti i radhës së Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 12 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./KultPlus.com

Violinistja Sibora Resyli shpalos mjeshtëri e virtuozitet në koncertin e tretë të ‘KamerFest’

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 3 tetorit 2024, Amfiteatri i Bibliotekës Universitare të Prishtinës u mbush me tingujt e që shpërfaqnin emocion e virtuozitet, teksa publiku i koncertit “Future Virtuoso” pati privilegjin të dëgjonte një nga talentet më të reja muzikore, violinisten 12-vjeçare Sibora Resyli, shkruan KultPlus.

Në kuadër të edicionit të sivjetëm të festivalit, ‘KamerFest’, Sibora Resyli shkëlqeu përmes një programi të jashtëzakonshëm, duke interpretuar vepra të kompozitorëve klasikë si Johann Sebastian Bach, Jules Massenet, Felix Mendelssohn dhe Antonio Vivaldi.

Nën shoqërimin e pianistit Melos Buza, Resyli sfidoi kufijtë e moshës së saj, duke përçuar me një qartësi të rrallë ndërlikimet teknike dhe emocionalitetin e veprave të përzgjedhura. Pjesët e luajtura përfshinë momente të forta dinamike dhe të brishta, të cilat u interpretuan me mjeshtëri të jashtëzakonshme, duke mahnitur publikun e pranishëm.

Pas koncertit, Sibora Resyli ka folur për KultPlus duke u shprehur se është e kënaqur me koncertin e sotëm, e për të arritur këtu, ajo thotë se ka punuar me orë të gjata.

“Jam e kënaqur me veten për këtë koncert. Jemi përgatitur për tre muaj dhe kam mbajtur mësime intensive. Pesë orë në ditë kam mbajtur mësime vetëm me mësuesen Shqipe dhe e falënderoj shumë për këtë përkushtim të saj. Ka qenë e vështirë në fillim pasi ka qenë programi i avancuar. Por pastaj fillova të punoj edhe më shumë dhe pastaj u mësova.”, u shpreh Resyli, duke shtuar më tutje se veprat e vështira i i pëlqejnë më shumë dhe se sa më e vështirë që është një vepër, aq edhe më e bukur.

Ndërkaq, për KultPlus foli edhe mësuesja e muzikës, Shqipe Bajraktari, e cila theksoi se ka punuar me Siborën që kur ajo ishte 6-vjeçe, dhe për të është kënaqësi që nxënësja e saj të realizojë koncerte të këtij niveli.

“Sibora më është dukur sot fantastike. Është nxënëse imja, një fëmijë 12-vjeçar që me orë të tëra ushtron, deri në gjashtë orë në ditë. Ky është program që luhet në nivelin master. Sibora për vetëm dy muaj e gjysmë e ka punuar që ndoshta studentët e punojnë për rreth gjashtë muaj”, tha Bajraktari për KultPlus.

Ndërsa tre koncertet e radhës të festivalit Kosova KamerFest do të realizohen në datat: 6, 8 dhe 26 Tetor me artistët: José Gallardo, Xhafer Xhaferi, Altin Tafilaj, Sihana Badivuku, Rron Bakalli, Orkestra harkore KamerFest, WBYO-Western Balkans Orchestra dhe “Les Essences “ ,Desar Sulejmani dhe Önder Baloglu./KultPlus.com

Letra e Abraham Lincoln për mësuesen e djalit të tij

E di që i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, jo të gjithë janë të sinqertë. Megjithatë mësojini se për çdo kriminel ka një hero, për çdo politikan egoist ekziston një lider i përpiktë. Mësojini se për çdo armik, ka një mik. Mundohuni ta mbani larg zilisë nëse ia arrini dhe mësojini sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojini fillimisht se mendjemëdhenjtë janë të parët që humbasin.

Nëse mundeni, transmetojini mrekullinë e leximit të librit, por i leni dhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve në një kodër.

Mësojini se në shkollë është shumë herë më e ndershme të gabosh sesa të mashtrosh.

Mësojini të këtë besim në idetë e tij edhe pse të gjithë do t`i thonë që janë të gabuara.

Mësojini të jetë i sjellshëm me njerëzit e sjellshëm dhe i ashpër me të këqinjtë.

Mundohuni t`i mësoni fëmijës tim forcën për mos të ndjekur turmën edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit.

Mësojeni që të dëgjojë me vemëndje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë atë që dëgjon me shoshën e të vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojini se mund të buzëqeshë edhe kur është i trishtuar.

Mësojini se nuk është turp të qash.

Mësojini si të përqesh cinikët dhe të ruhet nga ëmbëlsia e tepruar e njerëzve.

Mësojini atij sesi të shes mallin e tij ofruesit më të lartë, por mos të pranojë kurrë një çmim për shpirtin e zemrën.

Mësojini të mos ia vërë veshin njerëzve të helmuar dhe të ngrihet të luftojë nëse nuk është e drejtë.

Trajtojeni me mirësjellje, por mos e përkëdhelni sepse përmes provës se zjarrit, bëhet çeliku i mirë.

Lëreni të ketë kurajën të jetë i padurueshëm.

Lëreni që të ketë durimin të jetë trim.

Mësojini që të ketë besim të palekundur në vetvete, sepse vetëm atëhere do të ketë besim në njerëzimin.

E di që janë shumë kërkesa, por bëni më të mirën që mundeni.

Ështe një djalosh kaq i mirë, im bir!..

Përgatiti: Albert Vataj

William John Cheever: Alarmi i katërt

William John Cheever (1912 –1982), shkrimtar amerikan. Është konsideruar “Çehovi i lagjeve periferike” dhe një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm amerikanë të shek. XX, mbi të gjitha për tregimet e tij të shkurtra (për të cilat i është ndarë çmimi Pulitzer), por edhe për romanin ‘Falconer’

ALARMI I KATËRT

Nga John Cheever

Jam ulur nën diell dhe po pi xhin. Ora është dhjetë e mëngjesit. E diel. Znj.Uxbridge është diku jashtë me fëmijët. Znj.Uxbridge është kujdestare e shtëpisë. Ajo merret me gatimet dhe gjithashtu edhe me Peterin dhe Louisen.

Është vjeshtë. Gjethet kanë ndryshuar ngjyrë. Mëngjesi është pa erë, por gjethet po bien me qindra. Po pate mendjen që të shohësh ndonjë gjë – një gjethe ose një fletë bari – duhet, mendoj, të njohësh etjen e dashurisë. Znj.Uxbridge është gjashtëdhjetë e tre vjeçe, gruaja ime ka dalë, dhe znj.Smithsonian (e cila jeton në anën tjetër të qytetit) rrallëherë është në gjendje të mirë shpirtërore këtyre ditëve, kështu që më duket se po e humb një pjesë të mëngjesit thua se ora e ka një prag ose një varg pragjesh që unë nuk mund t’i kapërcej. Mund të mjaftonte të hidhja topin, por Peteri është tepër i vogël dhe fqinji i vetëm që luan futboll ka shkuar në kishë.

Gruaja ime, Bertha, pritet të vijë të hënën. Ajo vjen nga qyteti të hënën dhe kthehet të martën. Bertha është një grua e re që duket bukur, me një personalitet të shkëlqyeshëm. Sytë e saj, mendoj, janë një çikëz afër njëri-tjetrit dhe nganjëherë është grindavece. Kur fëmijët ishin të vegjël, ajo kishte një mënyrë ashtu prej grindaveceje për t’i disiplinuar. “Nëse nuk e ha kafjallin e mirë që e ka përgatitur mami për ty para se të numëroj deri në tre”, thotë ajo, “do të të kthej në shtrat. Një. Dy. Tre”. E dëgjoj këtë përsëri në mbrëmje. “Nëse nuk e ha darkën e mirë që e ka përgatitur mami për ty para se të numëroj deri në tre, do të të çoj në shtrat pa ngrënë. Një. Dy. Tre”. E dëgjoj prapë. “Nëse nuk i mbledh lodrat para se mami të numërojë deri në tre, atëherë mami do t’i bëjë copa të gjitha. Një. Dy. Tre”. Kështu vazhdonte banja dhe koha e gjumit dhe një dy tre ishte ninulla e tyre. Nganjëherë mendoj se ajo mund të ketë mësuar të numërojë kur ishte foshnjë dhe kur t’i vijë fundi do ta thërrasë Engjëllin e Vdekjes duke numëruar për së prapthi. Po patët mirësinë të më falni, do të marr edhe një gotë xhin.

Kur fëmijët u rritën mjaftueshëm për të shkuar në shkollë, Bertha zuri punë si mësuese e shkencave shoqërore për klasën e gjashtë. Kjo e mbante të zënë dhe të lumtur dhe tha se gjithmonë kishte dashur të ishte mësuese. Kishte reputacionin e të qenit strikte. Mbathte këpucë të zeza, i mbante flokët thjesht dhe priste bashkëpunim dhe bindje nga nxënësit. Për ta larmuar jetën e saj, iu bashkua një grupi teatror amator. E luajti shërbyesen tek Engjëlli i rrugës dhe të moshuarën thatime te Desmonds acres. Miqtë që i zuri në teatër ishin të gjithë njerëz të lezetshëm dhe mua më shijonte ta çoja atë në ndejat e tyre. Është me rëndësi të dihet se Bertha nuk pi. Mund të marrë një dubonet nga mirësjellja, por nuk e shijon pijen fare.

Ajo mori vesh nga miqtë e saj se sapo ishte lansuar një shou nudo i quajtur Ozamanides II. Ma tha këtë dhe tërë atë që vijoi. Kontrata e saj e mësimdhënies i jepte një leje mjekësore dhjetëditëshe dhe duke u bërë se ishte e sëmurë një ditë shkoi në Nju Jork. Ozamanides do të realizohej në një zyrë produksioni në mes të qytetit, ku hasi në një radhë prej një qind a më shumë grash e burrash që po prisnin të intervistoheshin. Nxori nga çanta një faturë të papaguar dhe duke valevitur si të ishte një letër kërceu nga radha duke thënë, “Më falni ju lutem, e kam një takim”. Askush nuk doli kundër dhe shumë shpejt ajo kaloi në krye të radhës, ku një sekretare mori emrin e saj, numrin e sigurimit social, etj. I thanë të shkonte brenda një të ndare kubike dhe të zhvishej. Pastaj e përcollën drejt një zyre ku ishin katër burra. Intervista, marrë parasysh rrethanat, qe bukur serioze. I thanë se do të qëndronte nudo gjatë gjithë performances. Prej sa pritej të simulonte ose performonte kopulimin dy herë gjatë performancës dhe të merrte pjesë në një dashuri grupore ku ishte e përzier edhe audienca.

Mbaj mend natën kur ajo më foli për gjithë këtë. Ishim në dhomën e ndejës. Fëmijët i kishim vënë në gjumë. Ajo ishte shumë e lumtur. S’kishte pikë dyshimi për këtë. “Isha lakuriq”, tha ajo, “po në fund të fundit nuk isha fare në siklet. E vetmja gjë që më merakoste ishte se këmbët e mia mund të ndoteshin. Ishte njëfarë vendi i modës së vjetër me programe teatrore të kornizuara në mure dhe një fotografi të madhe të Ethel Barrymooret. Isha pra lakuriq, përballë atyre të huajve dhe për herë të parë në jetën time u ndjeva se e gjeta veten time. E gjeta veten time në lakuriqësi. U ndjeva si një grua e re, një grua më e mirë. Të jem lakuriq dhe të mos ndiej turp para të të huajve ishte përvoja më eksituese që kam pasur ndonjëherë…”.

Nuk dija ç’të bëja. S’e di as tash, në këtë të diele në mëngjes, çfarë duhej të bëja. Me gjasë duhej ta kisha marrë shpulla. Thashë se s’duhej ta kishte bërë këtë. Ajo tha se nuk mund ta ndaloja. I përmenda fëmijët dhe ajo tha se ajo përvojë do ta bënte një nënë edhe më të mirë. “Kur i hoqa rrobat e mia”, tha ajo, “u ndjeva sikur e kisha çliruar veten nga çdo gjë e parëndësishme dhe e vogël”. Atëherë i thashë se s’do t’ia jepnin atë punë kurrë për shkak të vrragës së apendicidit. Pak minuta më vonë ra telefoni. Ishte producenti që po ia ofronte asaj një pjesë. “Oh, sa e lumtur që jam”, tha ajo. “Oh, sa e mrekullueshme, e pasur dhe e çuditshme mund të jetë jeta kur resht së luajturi rolin që prindërit e tu dhe miqtë e tyre e kanë shkruar për ty. Po ndihem si eksploruese”.

Përshtatshmëria e asaj që bëra ose më tepër që lashë pa bërë ende më huton. Ajo e shkëputi kontratën e mësimdhënies, iu bashkua Equitys dhe nisi provat. Posa u hap Ozamanidesi, ajo e hoqi nga puna znj. Uxbridge dhe mori një apartament afër teatrit. I kërkova shkurorëzimin. Ajo tha se nuk shihte ndonjë arsye për t’u shkurorëzuar. Tradhtia bashkëshortore dhe pashpirtësia kanë lënë gjurmë të forta në rrjedhën e veprimeve, por ç’mund të bëjë burri kur gruaja dëshiron të dalë cullak në skenë? Kur isha i ri pata njohur ca vajza të burleskës, ca nga to patën qenë të martuara dhe me fëmijë. Sidoqoftë, ato bënin atë që Bertha donte të bënte vetëm në shoun e së shtunës në mesnatë dhe me sa mbaj mend burrat e tyre ishin komedianë të sërës së tretë dhe fëmijtë prore dukeshin të uritur.

Pas një a më shumë ditësh shkova te një avokat shkurorëzimesh. Ai më tha se shpresa ime e vetme ishte një ujdi e përbashkët. Nuk ka precedent për simulimin mishëror në publik si argument për shkurëzorim në New York State dhe asnjë avokat s’do ta merrte një rast shkurorëzimi pa një precedent. Shumica e miqve të mi u treguan me takt sa i përket jetës së re të Berthes. Ma ha mendja se shumica e tyre shkonin ta shihnin, por s’e vrava mendjen për këtë rreth një muaj a më tepër. Biletat ishin të shtrenjta dhe zor t’i gjeje. Natën që unë shkova në teatër, ose çka dikur kishte qenë teatër, ishte duke rënë borë. Harku paraskenik ishte rrënuar, seti ishte një koleksion gomash të përdorura dhe tipari i vetëm familjar ishin ulëset dhe vendkalimet mes tyre. Audiencat teatrore përherë më kanë hutuar. Ma ha mendja se kjo vjen për arsye se aty gjejmë një mori modelesh të pakuptueshme të rrasura në atë që kishte qenë një interier tmerrësisht i dekoruar dhe thelbësisht shtëpiak. Atë natë pati nga të gjitha llojet. Kur hyra unë brenda po luhej muzikë rok. Ai lloj roku i modës së vjetër shurdhues që e kishin zakon ta luanin në vende si Arthuri. Në orën tetë e trridhjetë dritat e shtëpisë u errësuan dhe pjesëtarët e kastit – ishin katërmbëdhjetë – erdhën teposhtë nëpër vendkalimin mes ulëseve. Fare qartë, ata ishin krejt cullak, me përjashtim të Ozamanidesit, i cili mbante një kurorë.

Nuk mund ta përshkruaj performancen. Ozamanidesi kishte dy djem dhe ma merr mendja se i vrau ata, ama nuk jam i sigurt. Seksi ishte i zakonshëm. Burra e gra të përqafuar, ndërsa Ozamanidesi përqafonte disa burra. Në një moment një i huaj, ulur në ulësen në të djathtën time, vuri dorën mbi gjurin tim. Nuk desha t’i vë faj për gjendjen njerëzore, as nuk desha t’i jap zemër. Ia largova dorën dhe ndjeva një mall të fortë për sallat kinematografike të pafajme të rinisë sime. Në qytetin e vogël ku jam rritur ka qenë një sish– Alhambra. Filmi im i preferuar quhej Alarmi i katërt. E pashë për herë të parë një të marte pas shkollës dhe qëndrova aty edhe për shfaqjen e mbrëmjes. Prindërit e mi u merakosën kur nuk u ktheva në shtëpi për darkë dhe kështu e hëngra një qortim të mirë. Të mërkurën luajta hokej dhe qeshë në gjendje të shihja filmin dy herë dhe të kthehesha në shtëpi me kohë për darkë. Shkova në shkollë të enjten, por ia mbatha për në teatër posa që u përfundoi mësimi dhe mbeta aty deri sa kaloi gjysma e filmit në orarin e mbrëmjes. Prindërit e mi me gjasë kishin thirrur policinë, ngase një polic patrullimi hyri në sallë dhe më detyroi të shkoja në shtëpi. Ma ndaluan të shkoja në teatër të premtën, por e kalova të shtunën aty dhe të dielen ishte hera e fundit që e shfaqnin. Filmi kishte të bënte me zëvendësimin e karrocave të zjarrfikësve të tërhequr nga kuajt me automobila. Katër kompani zjarri ishin të përfshira. Tri nga ekipet ishin zëvendësuar nga makinat dhe kuajt e shkretë u ishin shitur njerëzve të pashpirt. Kishte mbetur një ekip, por ditët e tij ishin të numëruara. Burrat dhe kuajt janë të mërzitur. Pastaj papritur shpërthen një zjarr i madh. Shihen kamioni i parë, i dyti dhe i treti se si shkojnë drejt zjarrit shkatërrimtar. Të rikthyer në kompani të transportit me kuaj, gjendja duket shumë e zymtë. Atëherë bie alarmi i katërt – është thirrja për ta – dhe ata i përvjelin mëngët, i marrin pajimet dhe galopojnë përmes qytetit. E shuajnë zjarrin, e shpëtojnë qytetin dhe amnistohen nga kryetari i komunës. Tash, në skenë, Ozamanidesi po shkruante diçka të pisët në mollaqet e gruas sime.

A e kishte asgjësuar lakuriqësia – teka e saj – ndjenjën e saj të nostaligjisë? Nostalgjia – pavarësisht syve të saj të ngushtë – ishte njëri prej sharmeve të saj më të mëdha. Ishte dhuntia e saj e hirshme të përçonte kujtimin e disa përvojave në kohë të tjera. A i kujtonte ajo, e kalëruar publikisht nga një i huaj lakuriq, ndonjë nga vendet ku ne kishim bërë dashuri – shtëpitë e marra me qira ngjitur detit, ku njeriu i ndien në tingujt e shiut veror premtimet parahistorike të dashurisë, qetësinë e lume dhe të bukurën? A duhet të ngrihem në këmbë në sallë dhe t’i bërtas të kthehet, të kthehet në emër të dashurisë, humorit, qetësisë? Ishte e këndshme të ngisja për në shtëpi pas ndejës në borë, mendova. Bora depërtonte nëpër dritat e rrugës dhe bëri të dukej sikur po e ngisnim një qind milje në orë. Ishte e këndshme të ngisja për në shtëpi në borë pas ndejës. Pastaj kasti u çuan në këmbë dhe na lutën – na urdhëruan në të vërtetë – të zhvisheshim dhe t’u bashkoheshim.

Kjo dukej të ishte detyra ime. Si ndryshe do të mund të arrija ta kuptoja Berthen? Gjithmonë kam qenë goxha i shpejtë t’i heq rrobat e mia. E bëra. Sidoqoftë, kishte një problem. Çfarë duhej të bëja me kuletën, orën e dorës dhe çelësat e veturës? Nuk mund të isha i sigurt t’i lija në rrobat e mia. Kështu, lakuriq, u nisa teposhtë vendkalimit mes ulëseve me gjërat e mia të çmuara në dorën time të djathtë. Kur mbërrita te skena e veprimit një burrë i ri lakuriq më ndaloi dhe më bërtiti-këndoi – “Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara. Huazimet janë të pista”.

“Po janë kuleta ime, ora ime e dorës dhe çelësat e makinës”, thashë unë.

“Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”, këndoi ai.

“Por më duhet të ngas për në shtëpi nga stacioni”, i thashë, “dhe i kam gjashtëdhjetë a shtatëdhjetë dollar para të thata”.

“Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”.

“Nuk mundem, sinqerisht nuk mundem. Më duhet të ha, të pi dhe të shkoj në shtëpi”.

“Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”.

Atëherë njëri pas tjetrit, përfshirë Berthen, zunë të më magjepsnin. E gjithë kasta nisi të psalte: “Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara, hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”.

Ndjesia e të qenit i padëshiruar përherë ka qenë për mua dhimbje therëse. Ma ha mendja se ndonjë mjek mund të ketë ndonjë shpjegim. Ndjesia është reflektuese dhe duket se sulmon vetveten në hallkën e fundit në një zinxhir të përbërë prej përvojash të ngjashme. Zërat e kastes ishin të fortë dhe përçmues dhe unë isha aty, shpinë zhvedhur, mashkull lakuriq, diku në mes të qytetit dhe i padëshiruar, duke i kujtuar ndërhyrjet e munguara në futboll, përballjet e humbura, përbuzjen e të huajve, tingullin e të qeshurës mbrapa derës së mbyllur. I mora gjërat e mia të çmuara në dorën time të djathtë, identifikimin tim të fjalëpërfjalshëm. Asnjë nga to nuk ishte e pazëvendësueshme, por të hiqja dorë mund të dukej sikur po e kanosja esencën time, hijen e vetes sime që mund ta shihja në dysheme, emrin tim.

U ktheva tek ulësja ime dhe u vesha. Kjo qe e vështirë në atë hapësirë aq të ngjeshur. Kasta ishte ende duke u çirrur. Të ecja vendkalimit të pjerrët mes ulëseve të teatrit të rrënuar ishte fuqishmërisht reminishente. Të njëjtën ngjitje të fisme e kisha bërë pas Mbretit Lir dhe Kopshtit të qershive. Dola jashtë.

Po binte borë. I ngjante një tufani. Një karrocë kishte ngecur para teatrit dhe mua m’u kujtua se kisha rrota bore. Kjo ma dha një ndjesi sigurie dhe zotësie që do ta kishte neveritur Ozamanidesin dhe trupën e tij lakuriqe; por nuk m’u duk se i kisha shfaqur frenimet e mia, por se isha përplasur për një pjese kryeneçe dhe mahnitshëm praktike të vetes sime. Era ma përpëlasi borën për surratit dhe kësodore, duke kënduar dhe duke zhongluar me çelësat e makinës, eca drejt trenit.

/Marrë nga John Cheever, “Collected Stories”, Vintage, 2010 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

John Cheever 128606823

‘Opera për tre grosh’ në Teatrin ‘Migjeni’, regjisori japonez: Aktorët shqiptarë kanë një ndjeshmëri të madhe

“Opera për tre grosh” është premiera në teatrin “Migjeni” e cila shtroi pyetjen se çfarë është njeriu. Kjo vepër e Bertold Brecht e shkruar thuajse 100 vite me parë u vendos në skenë nga regjisori japonez Kuinaki Ida i cili pas shfaqjes tha se e gjithë bota jeton me një ligësi të madhe gjë për të cilën njeriu duhet të reflektojë.

“Jam shumë i lumtur, kisha ritëm, pastaj flasim për një shfaqje që zgjat mbi dy orë dhe ta mbash në ritëm nuk është aspak e lehtë. Në këtë shfaqje shtruam pyetjen se çfarë është njeriu, kjo pyetja e madhe që u hodh sot. Në çdo shtet të botës thuajse është një situatë e vështirë, ka shumë ligësi, egoizëm, diçka shumë e rëndësishme pastaj është edhe lufta për paratë dhe pastaj lind pyetja e madhe çfarë është qenia njerëzore? Dhe duhet të reflektojmë për këtë, nuk ka një përgjigje ekzakte. Kam punuar me nacionalitete të ndryshme, por aktorët shqiptarë kanë një ndjeshmëri të madhe dhe kjo na intereson shumë, është e rëndësishme. Shqipëria dhe populli shqiptar janë shumë bujar, kjo është e mrekullueshme dhe prandaj e gjithë bota po e zbulon dalëngadalë Shqipërinë”, tha regjisori japonez.

Një prej aktorëve kryesor në këtë shfaqje Rafael Hoxhaj thotë se ndjehet i lumtur që erdhi në qytetin e tij me një vepër që flet për aktualitetin më shumë se kurrë, në një vend me mungesë të lirisë dhe ku e drejta është e cunguar.

Publiku reagoi pozitivisht thotë aktori Jozef Shiroka në këtë shfaqje e cila flet për problemet që kemi dhe që nuk dihet kur do të marrin fund.

Premiera “Opera për tre grosh” e cila do të vijojë edhe për dy ditë të tjera në teatrin “Migjeni” kishte një ndërthurje aktorësh profesionistë me eksperiencë por edhe të rinj nga Shqipëria dhe Kosova si dhe aktor amator të cilët përcollën për publikun mesazhet e forta të kësaj pjese që luhet mes dramës dhe komedisë./ balkanweb/ KultPlus.com

Shfaqja më e veçantë e Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në vilën “e ndaluar”

Njerëz të thjeshtë, të udhëhequr në një përvojë të veçantë kërcimi nga një koreografe, në një nga vendet më emblematike të shqiptarëve, në vilën 31 në Bllok – ky është thelbi i shfaqjes së sotme të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit. Me dëshirën për të sjellë një përvojë kolektive që vlerëson diversitetin dhe ripërkufizon nocionin e fuqisë dhe bukurisë, koreografja Ermira Goro krijon “Takime” të njerëzve shumë të ndryshëm për nga mosha, gjinia, etniciteti, trupi, dhe aftësia. Përmes kësaj vepre artistike, ajo ka për qëllim të shkëpusë shikuesit nga ideja që kërcimi realizohet vetëm me trupa “të përsosur”, rinorë, muskulozë, e të trajnuar.

Si i vështirësojnë apo pasurojnë lëvizjet veçoritë e secilit trup? Si transformohet një trup “i pamësuar” nga lëvizjet apo ritmet që nuk i përkasin fjalorit të tij të përditshëm?

Çfarë ndjesish mund të lindin nga kjo përputhje vëzhguese? Përmes eksplorimit të individualitetit dhe shprehjes së studimit të lëvizjes, po ashtu dhe kompleksitetit dhe diversitetit të trupave të performuesve, “Takime” i shtyjnë shikuesit të dallojnë copëza të vetes së tyre në skenë, t’i rivlerësojnë ato, si dhe të rishikojnë kuptimin e “të saktës” dhe “të përshtatshmes”.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit të Tiranës ka bërë një ftesë publike që kushdo të merrte pjesë në punën e koreografes së njohur, Ermira Goro. Ftesa ka qenë e hapur për individë të të gjitha moshave, qofshin ata të njohur me artin dhe teknikat e kërcimit, ose fillestarë të apasionuar dhe pas më shumë se një jave me prova, gjithçka është gati për t’u shfaqur nesër përpara publikut në dy orare 16:00 dhe 17:00, në një vend që publikun e bën shumë kurreshtar, sic është dhe vila 31 në ish Bllok./ balkanweb/ KultPlus.com 

‘Science Daily’: Njerëzit shkaktuan zhdukjen e 600 llojeve shpendësh

Një studim i ri në Britaninë e Madhe ka zbuluar se njerëzit kanë shkaktuar zhdukjen e afro 7,1 për qind të specieve të shpendëve në 130 mijë vitet e fundit.

I publikuar në “Science Daily”, në hulumtim shkencëtarët kanë studiuar ndikimin e faktorit njeri në zhdukjen e specieve të shpendëve.

Punimi i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Birminghamit ka arritur në përfundimin se të paktën 600 lloje shpendësh (rreth 7 për qind) janë zhdukur për shkak të njerëzve në 130 mijë vitet e fundit.

Në hulumtim shkencëtarët tërhoqën vëmendjen në efektet e zhdukjes së specieve të shpendëve në ekosistem dhe biodiversitet si dhe pasojat e tyre të mundshme.

“Numri i madh i specieve të zhdukura të shpendëve është sigurisht një pjesë e madhe e krizës së zhdukjes, por një pikë tjetër ku duhet të përqendrohemi është se çdo specie ka një punë ose funksion brenda mjedisit dhe për këtë arsye luan rol vërtet të rëndësishëm në ekosistem”, tha dr. Tom Matthews nga Universiteti i Birminghamit.

Ai tha se gjetjet kanë zbuluar se veprimet njerëzore kanë shkaktuar uljen e diversitetit të specieve të shpendëve. Sipas tij, duhet të hetohen efektet dhe pasojat për 1.000 lloje të shpendëve që pritet të zhduken plotësisht në 200 vitet e ardhshme.

Mattews tërhoqi vëmendjen se duhet të ekzaminohet mbrojtja e llojeve të shpendëve dhe shkaqeve të zhdukjes./atsh/ KultPlus.com