Komuna e Preshevës i kërkon Kryeministrit Kurti rritjen e buxhetit në 4 milionë për Luginën e Preshevës në 2025-në

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka përgatitur një dokument për kryeministrin Albin Kurti në të cilin i ka propozuar rritjen e fondit për vitin 2025 në 4 milionë euro  për Luginën e Preshevës.

Në një postim në Facebook, Sinani e ka publikuar këtë dokument në të cilin falënderohet Kurti dhe Qeveria e Kosovës për mbështetjen ndaj Luginës së Preshevës.

“Në këtë dokument propozojmë rritjen e fondit për vitin 2025 në 4 milionë euro  në fusha prioritare si arsimi, kultura, sporti, bujqësia dhe ruajtja e trashëgimisë kombëtare, të cilat janë kyçe për zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve të Luginës”.

“Angazhimi i qeverisë së Republikës së  Kosovës mbetet një shtyllë e rëndësishme për të siguruar që qytetarët tanë të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe prosperitet, duke ruajtur identitetin tonë kombëtar”, ka thënë Sinani.

Dokumenti përmban falënderime për ndihmën e ofruar deri më tani, ndër të cilat:

– Ndihma financiare gjatë pandemisë  dhe për përmbytjet në Preshevë;

– Rritja e buxhetit për Luginën në 3 milionë euro për vitin 2024;

– Financimi i bursave për studentët  dhe shpërndarja e librave në gjuhën shqipe;

– Angazhimi për ligjin e shtetësisë së Kosovës dhe mbështetja për licencimin e mjekëve.

Të hënën nis “SkupiFestival”

Të hënën nis “SkupiFestival” dhe deri më 19 tetor do të prezantohen gjashtë projekte teatrale.

Ky edicion i këtij festivali do të nis më shfaqjen  “1984” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, shfaqje kjo me autor Xhorxh Orvell e regji të Igor Mendijski, për të përfunduar ky edicion me paraqitjen e trupës bullgare, të cilët do të prezantojnë shfaqjen “Grimca elementare”, thuhet në njoftim.

Në këtë edicion shfaqjet do të vlerësohen nga juria në përbërje të:  Handan Salta, Keti Doncevska dhe Drita Kaba Karaga.

Presidentja Osmani në Dubrovnik: Riafirmova mbështetjen për ukrainasit

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik të Kroacisë.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se edhe një herë e ka shprehur përkrahjen e Kosovës për Ukrainën.

“Në Samitin e liderëve Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik për ta riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri!”, ka thënë Osmani.

Arian Mavriqi- Fotografi i botës së egër shqiptare hap ekspozitë në kalanë e Gjirokastrës

Fotografi i mirënjohur që fikson botën e kafshëve të egra, Arian Mavriqi, ka çelur ekspozitë në kalanë e Gjirokastrës.

Qindra vizitorë nga e gjithë bota të cilët kishin ardhur për të shijuar kalanë, nuk e fshehën kërshërinë për të njohur edhe gjallesat e parqeve tona kombëtare e natyrore të sjella mjeshtërisht nga fotografi nga Kosova.

E pranishme në inaugurimin e ekspozitës ka qenë edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila u shpreh se nuk kishte se si të mos pranonte ftesën për ta vizituar këtë ekspozitë me fotografi të botës së egër shqiptare.

Për Kumbaron, ekspozita e çelur në kalanë e Gjirokastrës nga një fotograf i Kosovës, është domethënia më e bukur e vlerave natyrore që bashkëndajmë. Ministrja e ka vlerësuar fotografin Mavriqi si një ambasador të bukurive të natyrës shqiptare, një zë i fortë i mbrojtjes së saj, por edhe një rrëfimtar i shkëlqyer si përmes fotografive ashtu edhe përmes fjalës.

Ministrja Kumbaro tha se, Kosova plotëson hartën tonë të përbashkët të atraksioneve./atsh/ KultPlus.com

Për gratë tona

Poezi nga Dritero Agolli

Sa pak këndojmë për gratë tona!
Për gratë
E bukura e të mira,
Që na përkëdhelin me duar të njoma
Kur kthehemi nga rrugë të vështira.

Gabohemi shumë,
Kur flasim e grijmë
Rreth gotës me birrë,
Rreth gotës me verë,
Se gratë tona e humbën freskinë
Se ishin të këndshme njëherë…

Jo, jo, s’humbet hijeshia e tyre,
Mjafton të qëndrojnë pak në pasqyrë
Dhe të duken prapë të njoma.
E si të mos këndojmë
Poetë,
Për ato që kanë ditur në jetë
Të lindin kreshnikë e peri,
Jo në maternitet e në shtëpi
Po edhe në korie e në arë,
Duke prerë dru
E duke hedhur farë?! / KultPlus.com

Mark Twein: Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij

Mund ta njihni Mark Tweinin nga disa prej librave të tij popullorë, si Aventurat e Hakëlberri Finit apo Aventurat e Tom Sojerit. Ai ishte shkrimtar, por edhe humorist, satirist dhe lektor.

Tueini njihet mirë për shumë prej thënieve të tij shpesh herë të mbushura me humor. Ja disa prej këshillave që ai ka lënë.

1. Pranoje vetveten

“Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa pranimin e vetes së tij”

Nëse nuk e pranon veten tënde, apo sjelljen dhe veprimet e tu, atëherë me siguri do të vish vërdallë gjithë ditën me një ndjesi parehatie. Nëse, nga ana tjetër, e miraton veten tënde, atëherë do të kesh prirjen të jesh i relaksuar si dhe të fitosh lirinë e brendshme për të bërë më shumë prej atyre gjërave që i do me të vërtetë.

Tani, kjo gjë ka potencialin të shndërrohet në një pengesë të madhe sa i përket zhvillimit personal. Mund të kesh gjithë mjetet e nevojshëm për t’u rritur personalisht, por në një farë mënyre ndien një si rezistencë të brendshme. Nuk shkon dot atje kudo.

Ato që ndesh mund të jenë barrierat e suksesit. Ti ngre barriera në mendjen tënde, për gjëra që mund ose nuk mund t’i meritosh. Apo barriera që të tregojnë se cfarë je i aftë të bësh.

Ato mund të të thonë se në të vërtetë nuk je lloji i personit që mund të bësh atë gjë për të cilën po përpiqesh. Ose, edhe nëse bën ndonjë farë përparimi në drejtimin ku je nisur, mund të fillosh të sabotosh vetveten. Për ta mbajtur veten në një vend që është i njohur për ty.

Kështu që, ke nevojë t’i japësh miratimin vetvetes dhe të lejosh që të jesh personi që dëshiron të jesh. Mos kërko miratim nga të tjerët. Vetëm nga vetja jote. Për ta shembur atë barrierë të brendshme apo për të hequr dorë nga ajo tendencë sabotuese. Nuk është e lehtë kjo dhe mund të kërkojë kohë.

3. Limitet e tua mund t’i kesh vetëm në mendje

“Mosha është një çështje e mendjes mbi rëndësinë. Nëse nuk e vret mendjen, atëherë nuk ka rëndësi”

Shumë kufizime i kemi thjeshtë në mendjen tonë. Për shembull, mendojmë që njerëzit nuk do të miratojnë sepse jemi shumë të gjatë, shumë të moshuar apo shumë qerosë.

Por këto janë gjëra që kryesisht kanë rëndësi atëherë kur ti MENDON se kanë rëndësi. Sepse nis të shqetësohesh për atë që njerëzit mund të mendojnë. Dhe njerëzit shfrytëzojnë pikërisht këtë gjë dhe mund të reagojnë në mënyra negative. Ose ti mund të interpretosh cdo gjë që ata bëjnë si një reagim negativ, për arsye se ke kaq shumë frikë prej një reagimi negativ, apo sepse je kaq shumë i fokusuar brenda vetes.

Ndërkohë që, nëse ti nuk e vret shumë mendjen, edhe njerëzit do të kenë prirjen të mos e vrasin kaq shumë mendjen. Dhe nëse nuk e vret mendjen, nuk do të lejosh këtë pjesë të vetes tënde të shndërrohet në një pengesë në jetën tënde.

4. Çelu dhe argëtohu

“Humori është bekimi më i madh i njerëzimit”
“Asgjë nuk mund t’i rezistojë sulmit të të qeshurës”

Humori dhe e qeshura janë mjete të mrekullueshme. Ato mund ta shndërrojnë çdo situatë serioze në dicka për të qeshur. Ato mund ta përmirësojnë gjendjen shpirtërore pothuajse kudo.

Dhe një gjendje shpirtërore më e mirë është zakonisht një hapësirë më e mirë për të punuar, për arsye se tashmë trupi dhe mendja jote nuk janë të mbushur me emocione negativë.

Kur je më i çelur dhe i relaksuar, atëherë zgjidhja për një situatë është shpesh herë më e lehtë për t’u gjetur dhe zbatuar.

5. Largoje zemërimin

“Zemërimi është një acid që i bën më shumë dëm enës ku ndodhet se sa cdo gjëje mbi të cilën derdhet”

Në pjesën më të madhe të kohës, zemërimi është i pakuptimtë. Mund të bëjë që situatat të dalin jashtë kontrolli. Dhe nga një këndvështrim egoist, ai është shpesh herë më i dëmshëm për të zemëruarin se sa për personin me të cilin ky është i zemëruar.

Kështu që, edhe pse ndihesh i zemëruar me dikë për ditë të tëra, kupto që më shumë po dëmton veten tënde. Personi tjetër mund të mos jetë as i vetëdijshëm që ti je i zemëruar me të. Kështu që, ose fol me personin dhe zgjidhe konfliktin, ose hiq dorë nga zemërimi sa më shpejtë të jetë e mundur.

6. Çliroje veten nga pretendimet

“Mos hajde vërdallë duke thënë që bota të ka borxh të jetuarit. Bota nuk të ka borxh asgjë. Ajo ka qenë aty para se ti të lindje”

Kur je i vogël, nëna dhe babai mund të të japin shumë gjëra. Ndërkohë që rritesh, mund të ndihesh sikur bota e ka për detyrë të të japë atë që ti dëshiron, apo që të ka borxh diçka. Ky lloj mendimi mund të shkaktojë shumë zhgënjim dhe zemërim në jetën tënde.

Sepse bota mund të mos të ta japë atë që ti pret prej saj. Nga ana tjetër, mund të jetë në të njëjtën kohë diçka çliruese. Sepse mund të kuptosh që je ti që duhet t’i japësh formë jetës tënde, drejt asaj që dëshiron.

Nuk je më fëmijë, që pret prindërt apo botën t’i japë diçka. Tashmë je në vendin e shoferit. Dhe mund të shkosh, pak a shumë, ku të duash.

7. Nëse merr një udhë të ndryshme, përgatitu për reagimet

“Një njeri që ka një ide të re, është një i fiksuar, deri kur ideja rezulton e suksesshme”.

Mendoj se kjo gjë ka shumë lidhje me vetëpërmirësimin. Nëse fillon të ndryshosh, apo të bësh diçka të ndryshme nga ajo që bën zakonisht, njerëzit mund të kenë reagime të ndryshëm. Disa mund të jenë të lumtur për ty. Të tjerë bëhen indiferentë. Të tjerët mund të jenë të çuditur, dhe reagojnë në mënyra negative apo shkurajuese.

Shumë prej reagimeve me shumë gjasa nuk kanë të bëjnë me ty, por me personat që i shprehin këta mendime dhe për jetët e tyre. Mënyra si ata ndihen për veten shprehet në fjalët që përdorin dhe gjykimet që bëjnë.

Dhe nuk është problem. Mendoj se ka shumë gjasa që ata nuk do të reagojnë aq negativisht sa ti e imagjinon. Ose ndoshta, shumë shpejt ata do të kthehen të fokusohen tek sfidat e tyre.

Kështu që, ajo që njerëzit mund të thonë dhe mendojnë, si dhe lejimi i këtyre që të të sprapsë, mund të jenë thjeshtë fantazi dhe barriera që ti vetë i ndërton në mendjen tënde.

Mund të zbulosh se, kur më në fund e kapërcen atë pragun e brendshëm që vetë e ke krijuar, atëherë njerëzit që ke përreth nuk do të të qortojnë apo të rendin me “cfurk” në dorë pas teje. Me shumë gjasë, thjeshtë do të të pranojnë.

7. Ruaje fokusin të qëndrueshëm në atë që dëshiron

“Largoji mendimet prej telasheve të tua… përmes veshëve, përmes thembrave, apo çfarëdolloj gjëje tjetër që mundesh”.

Ajo mbi të cilën ti e fokuson mendjen përcakton se si do të shkojnë gjërat. Mund të fokusohesh në problemet e tua dhe të zhytesh në vuajtje dhe një mentalitet viktime.

Ose mund të fokusohesh në anën pozitive të një situate, në atë që mund të mësosh prej një situate, apo thjeshtë ta fokusosh mendjen në diçka krejt tjetër.

Mund të jetë normale të “zhytesh” në probleme dhe të notosh në një det negativiteti. Por kjo është një zgjedhje. Si dhe një zakon i të menduarit. Mundesh që ta kesh refleks të zhytesh në probleme, në vend që ta rifokusosh mendjen në diçka më të dobishme. Por mund të zhvillosh edhe zakonin e të mësuarit që të marrësh gjithnjë e më shumë kontrollin se ku e vendos fokusin.

8. Mos u fokuso aq shumë për ta bërë veten të ndihesh mirë

“Mënyra më e mirë për të ngritur humorin tënd është të përpiqesh të ngresh humorin e dikujt tjetër”.

Mund të jetë një këshillë jo shumë e besueshme. Por, një prej mënyrave më të mira që të ndihesh mirë me vetveten është të bësh dikë tjetër të ndihet mirë, apo ta ndihmosh në një farë mënyre.

Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i parë gjërat, për të krijuar një spirale pozitiviteti dhe shkëmbimi vlerash mes njerëzve.

Ti ndihmon dikë dhe të dy ndiheni mirë. Personi që ndihmove ndihet i prirur të të ndihmojë më vonë, përderisa njerëzit kanë prirjen të jenë reciprokë. E kështu të dy ndiheni më mirë dhe ndihmoni njëri-tjetrin.

Këto ndjenja pozitive janë ngjitëse tek të tjerët e kështu mund të përfundosh duke i bërë dhe ata të ndihen më mirë. E kështu ndihma që more mund të të frymëzojë të shkosh e të ndihmosh dikë tjetër. Kështu spiralja e pozitivitetit vazhdon.

9. Bëj atë që do të bësh

“Pas 20 vjetësh do të jesh më i zhgënjyer me gjërat që nuk ke bërë, se sa prej gjërave që ke bërë. Kështu që, “hiqe litarin”.

Lundro larg prej portit të sigurtë. Kap erën për velat e anijes tënde. Eksploro. Endërro. Zbulo”.

Këshillë e mrekullueshme. Dhe kësaj vërtetë që nuk ke shumë për t’i shtuar. Ndoshta duhet shkruajtur dhe mbajtur si kujtesë e përditshme… për atë që je në gjendje të bësh në jetën tënde./KultPlus.com

Uta Ibrahimi edhe me një sukses tjetër historik

Vitin e kaluar, e gjithë bota u tund nga vdekjet tragjike në këtë maje, ku katër vajza brenda ekipit me të cilin alpinistja jonë ishte nisur, ndërruan jetë nga ortekët e avalanshet.

Tre muaj më parë, Uta u nis përsëri drejt Kinës me synimin për të ngjitur majën Shisha Pangma. Megjithatë, ekspertët konstatuan se rreziqet ishin të shumta, duke e bërë të pamundur nisjen e ekspeditës.

Pa humbur kohë, Uta vendosi të vazhdojë përpara dhe sfidoi majën Gasherbrum 2, duke e ngjitur me sukses këtë majë të lartë.

Ndërsa me datën 9 tetor 2024, Uta Ibrahimi arriti një tjetër moment historik në karrierën e saj të alpinizmit, duke ngjitur me sukses majën Shisha Pangma, një ndër majat më të vështira dhe rrezikshme të Himalajave. Pas dy tentativave të mëparshme, Uta me këmbëngulje dhe përkushtim triumfoi, duke shtuar një tjetër arritje të jashtëzakonshme në listën e saj të sukseseve. Kjo ngjitje u bë në kuadër të një ekspedite ndërkombëtare të organizuar nga Seven Summit Treks (SST), ku morën pjesë 29 alpinistë dhe Sherpa nga vende të ndryshme të botës.

Sipas raportimeve të SST, të gjithë pjesëtarët e ekipit arritën majën e Shisha Pangma me sukses në orën 6:00 të mëngjesit, me kohën lokale. Kjo arritje përbën një moment të rëndësishëm për 12 nga alpinistët që përfunduan sfidën e ngjitjes së 14 majave më të larta të botës, duke u bashkuar në klubin ekskluziv të 8000-metërsheve.

Një sfidë të cilën Uta pritet ta arrijë vitin tjetër duke u bërë e vetmja në Ballkan që ka arritur këtë sukses në Alpinizëm. Ky sukses i afrohet Uta Ibrahimit përfundimit të një misioni të jashtëzakonshëm, duke mbetur vetëm edhe një majë për të përmbushur qëllimin e saj të ngjitjes së të gjitha 14 majave më të larta të Himalajave.

Duke u bërë një nga gratë e pakta në botë që arrin këtë, Uta forcon pozicionin e saj si një nga alpinistet më të shquara ndërkombëtarisht dhe një frymëzim për shumë të rinj e të reja që ndjekin rrugën e saj drejt lartësive. Maja Shisha Pangma, me lartësinë e saj prej 8,027 metrash, është e njohur për kushtet sfiduese dhe rreziqet e mëdha që paraqet për alpinistët. Uta, përmes guximit dhe përkushtimit të saj të pandërprerë, dëshmoi edhe një herë se asgjë nuk është e pamundur kur ndjek një qëllim me përkushtim dhe vendosmëri.

“Jemi jashtëzakonisht krenarë për arritjet e ekipit tonë dhe presim shumë ekspedita të tjera të suksesshme në të ardhmen”, deklaroi SST.

“Seven Summit Treks është i nderuar të ketë një ekip kaq të jashtëzakonshëm”.

Ndërkohë që e gjithë bota e alpinizmit ndjek me interes këtë rrugëtim, Uta mbetet një simbol i fuqisë dhe qëndrueshmërisë, jo vetëm për gratë, por për të gjithë ata që guxojnë të ëndërrojnë lart./ rtklive/ KultPlus.com

Zhbllokohet CEFTA, ambasadori gjerman Rohde: Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, jo më me UNMIK

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka njoftuar për zhbllokimin zyrtar të Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe se nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK.

“Padyshim lajm i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tash, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, siç do të duhej, dhe jo me UNMIK. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë trup rajonal”, ka shkruar ai në Twitter./ KultPlus.com

Vdekja e të dashurës

Poezi nga Rainer Maria Rilke

Për vdekjen ai dinte ç’ish rrëfyer:
që vjen, na merr e në heshtje na flak.
Por kur ajo, nga ai e parrëmbyer,
jo, qetë prej syve te tij u mpak,

e u tret mes të panjohurash hije,
e ndërsa ai ndjeu se ata tashmë atje
gëzonin hiret e saj prej perëndie
e buzëqeshjen e saj kishin hënë të re:

iu dukën të vdekurit aq të njohur,
si të kishin qënë miq të vjetër;
i la të gjallët të flisnin, patjetër

por s’u besoi më e atë vend të ftohur
e quajti te përëmblin e në cdo skaj,
e mati. Që të mos vriteshin këmbët e saj./ KultPlus.com

Dy artistët që “dhanë” jetë artit në Kosovë, Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti (FOTO)

Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti janë çifti i njohur shqiptar që i kanë kushtuar pothuajse tëre jetën e tyre skenës artistike, shkruan KultPlus.

Muharrem Qena ka shkrirë talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Karriera e tij regjisoriale numëron deri në 200 shfaqje teatrale.

Bashkëshortja e tij, Melihate Ajeti- Qena ka qenë një figurë e shquar për bukurinë e talentin e saj të rrallë në aktrim, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ata të dy i kanë dhënë aq shumë artit shqiptar sa që edhe sot kujtohen për veçantitë e tyre artistike. KultPlus ju sjellë një fotografi të rrallë të këtij çifti./ KultPlus.com

“Malet me blerim mbuluar”, premierë në format të digjitalizuar në Arkivin e Shtetit

Në ekranin e “Auditorium”-it të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, u shfaq për herë të parë në format të digjitalizuar 4K filmi “Malet me blerim mbuluar”.

Filmi mban firmën e regjisorit Dhimitër Anagnosti dhe është prodhim i vitit 1971. Ekranizimi i tij u arrit falë bashkëpunimit të vazhdueshëm mes DPA-së dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Në këtë vit mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja synon që duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë shqiptare gjatë regjimit komunist, t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit. Arkivat synojnë të inkurajojnë të rinjtë që përmes kinematografisë, të njohin të shkuarën e vendit.

Ky projekt i përbashkët parashikon shfaqjen e 10 filmave që risjellin epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më herët drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ka deklaruar se mesazhi që duan të përcjellin është shumë i rëndësishëm: kur atdheu është në rrezik, të rinjtë duhet të dalin përballë tij. Kjo ndodhi 80 vjet më parë, kur një grup të rinjsh dhe të rejash i dolën në mbrojtje atdheut, kur rrezikohej liria, dhe falë tyre sot kemi një vend të pavarur që mund ta drejtojnë vetë shqiptarët./atsh/KultPlus.com

 “SkupiFestival” nis të hënën, do të prezantohen gashtë shfaqje

“SkupiFestival” do të nis të hënën,  dhe deri më 19 tetor do të prezantohen gjashtë projekte teatrale, shkruan KultPlus.

Me drejtor Muzbajdin Qamili, ky edicion i këtij festivali do të nis më shfaqjen  “1984” nga Teatri Kombëtar I Kosovës, shfaqje kjo me autor Xhorxh Orvell e regji të Igor Mendijski, për të përfunduar ky edicion me paraqitjen e trupës bullgare, të cilët do të prezantojnë shfaqjen “Grimca elementare”.

Në këtë edicion shfaqjet do të vlerësohen nga juria në përbërje të:  Handan Salta, Keti Doncevska dhe Drita Kaba Karaga. / KultPlus.com

Çmimi Nobel për Kimi ndahet për tre kimistët David Baker, Demis Hassabis dhe John M. Jumper

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka vendosur që çmimin Nobel 2024 për Kimi ta ndajë në gjysmë, dhe njërën pjesë t’ia japë David Baker për dizajnimin e proteinave kompjuterike dhe gjysmën e dytë t’ia japë Demis Hassabis dhe John M. Jumper për parashikimin e strukturës së proteinave.

David Baker ia ka arritur të ndërtojë lloje krejtësisht të reja të proteinave, gjë që ishte pothuajse e pamundur, ndërsa Demis Hassabis dhe John Jumper kanë zhvilluar një model të AI për të zgjidhur një problem 50-vjeçar e që është parashikimi i strukturave komplekse të proteinave.

“Shumëllojshmëria e jetës dëshmon për kapacitetin e mahnitshëm të proteinave si mjete kimike. Ata kontrollojnë dhe drejtojnë të gjitha reaksionet kimike që së bashku janë baza e jetës. Proteinat gjithashtu funksionojnë si hormone, substanca sinjalizuese, antitrupa dhe blloqe ndërtuese të indeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Proteinat në përgjithësi përbëhen nga 20 aminoacide të ndryshme, të cilat mund të përshkruhen si blloqet ndërtuese të jetës. Në vitin 2003, David Baker arriti t’i përdorte këto blloqe për të krijuar një proteinë të re që nuk ishte si asnjë proteinë tjetër. Që atëherë, grupi i tij hulumtues ka prodhuar një krijim imagjinativ të proteinave pas tjetrit, duke përfshirë proteina që mund të përdoren si farmaceutikë, vaksina, nanomateriale dhe sensorë të vegjël.

Zbulimi i dytë ka të bëjë me parashikimin e strukturave të proteinave. Në proteina, aminoacidet janë të lidhura së bashku në vargje të gjata që palosen për të krijuar një strukturë tre-dimensionale, e cila është vendimtare për funksionin e proteinës. Që nga vitet 1970, studiuesit ishin përpjekur të parashikonin strukturat e proteinave nga sekuencat e aminoacideve, por kjo ishte jashtëzakonisht e vështirë.

Në vitin 2020, Demis Hassabis dhe John Jumper prezantuan një model të AI të quajtur “AlphaFold2”. Me ndihmën e tij, ata kanë qenë në gjendje të parashikojnë strukturën e pothuajse të gjitha 200 milionë proteinave që studiuesit kanë identifikuar. Që nga zbulimi i tyre, AlphaFold2 është përdorur nga më shumë se dy milionë njerëz nga 190 vende.

Jeta nuk mund të ekzistonte pa proteina. Fakti që ne tani mund të parashikojmë strukturat e proteinave dhe të dizajnojmë proteinat tona i jep përfitimin më të madh njerëzimit./KultPlus.com


Ç’u bë nga Shekspiri, u kontekstualizua në TKK

Getoarbë Mulliqi

(Insp. What’s done cannot be undone)

Makbethi i Shekspirit është një nga veprat më të famshme (mbase edhe të luajtura) të dramaturgut anglez, e cila shpërfaqë dhe trajton temat e fuqisë, ambicies, lakmisë dhe rënies e dilemës morale. Në qendër të saj qëndron Makbethi  një ushtar i zoti skocez, i cili është i nxitur nga profecitë e tri shtrigave dhe nga ambicia e pamëshirshme e gruas së tij, Lady Makbeth (shq. Zonjës Makbeth) për të zënë vendin e Mbretit. Kjo tragjedi pasqyron udhëtimin e tij të errët drejt krimit, tradhtisë dhe çmendurisë, ndërsa ai përpiqet të mbajë pushtetin e fituar përmes gjakut dhe intrigave.

Një aspekt i rëndësishëm i Makbethit të Shekspirit është trajtimi i pashmangshmërisë së fatit dhe mënyra se si zgjedhjet individuale i çojnë personazhet drejt rënies së tyre të paevitueshme.

Teksa Makbethi zhytet gjithnjë e më shumë në profecitë që i shkojnë për shtati dhe dhunës e cila e çon drejt çmendurisë dhe dehumanizimit të tij, ai humb kontrollin mbi jetën dhe mendjen e tij, duke mbetur një figurë e përndjekur nga ndjenja e fajit dhe frika e vazhdueshme për pushtetin e tij të pamerituar, por premtuar nga profeci shtrigash.

Makbethi sipas Qëndrim Rijanit, nga ana tjetër, sjell këtë tragjedi klasike në një kontekst bashkëkohor, duke i dhënë kësaj tragjedie një dimension që rezonon (figurativisht) me aktualitetin. Këtu përdoren elemente të theksuara vizuale dhe simbolike për të përforcuar natyrën e errët të ambicies dhe çnjerëzimit që pushteti sjell, jo vetëm në kohën dhe për kohën kur ky tekst është shkruar, por edhe në shoqërinë e sotme.

Stili dhe teknika e përdorur nga ai, e zhvendos vëmendjen nga shfaqja e pushtetit në kuptimin e tij më abstrakt, duke e lidhur këtë temë me lakminë si emocion dhe shtysë për të pamerituarën që bëhet realitet me shumë gjak, degjenerim, mjegullim të inteligjencës emocionale dhe përgjegjësisë, si dhe fuqinë e dilemës morale mbi të pamoralshmit.

“Makbethi” i Rijanit në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaq një vizion të përpunuar artistikisht, që vjen si rezultat i një qasjeje intuitive dhe e thellë e tij mbi këtë tragjedi. Regjia e tij përgjithësisht është karakterizuar nga një koncept që mbështetet fuqishëm mbi kontrastet. Në rastin konkret ai i sjellë në pah këto kontraste ndërmjet hijeve dhe dritës, të kaluarës dhe të tashmes, realitetit dhe reflektimit të tij në pasqyrë, duke krijuar një ndjesi të përhershme të tensionit dhe misticizmit.

Regjisori, në mënyrë mjeshtërore, i jep jetë botës së errët të Makbethit përmes përdorimit të teknikave vizuale të sofistikuara dhe një narrative që zgjon ndjenja të fuqishme te publiku.

Në këtë spektakël teatral, simbolika e festave të shfrenuara, përdoret për të reflektuar gjendjen e brendshme të personazheve, ku çdo zgjedhje e Makbethit dhe Lady Makbethit i afron më shumë drejt errësirës së tyre të brendshme.

Ky Makbeth është një përplasje e egër me pasojat e lakmisë së papërmbajtshme e ambicies së sëmurë, ku si rrjedhojë humbet sensi mbi kontrollin personal. Ky i fundit mund të identifikohet si një aspekt tjetër (nuk mund të thuhet i rastësishëm, apo?) që erdhi me një ndjeshmëri të thellë mbi aktualitetin, ku etja për pushtet shpesh është po aq destruktive dhe sikur asnjëherë e mjaftueshme.

Loja e aktorëve në këtë shfaqje nuk është vetëm një mishërim i personazheve apo përcjellje e linjave dramatike, por është një eksplorim i psikologjisë së fateve të njerëzve dhe inteligjencës emocionale.

Adrian Morina dhe Gresa Pallaska, në rolet kryesore, arrijnë të sjellin në jetë tensionin e brendshëm të Makbethit dhe Lady Makbethit në një mënyrë të tillë që i bën të duken të gjallë dhe publiku të ndjehet i familjarizuar me ta. Përkundër kontekstit historik të temës, kjo vendosje është një reflektim mbi njeriun modern dhe mënyrën se si pushteti dhe ambicia e paarsyeshme e shkatërrojnë atë, duke i dhënë tekstit  një qasje të re, më të ndërlikuar dhe më korrespoduese me publikun modern.

Aktorët e tjerë që i japin nur skenës si: Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Ismet Azemi, Semira Latifi, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Ermal Sadiku, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati e Yzeir Meha (për të mos i mbetur borxh asnjërit) të përkushtuar nëpërmjet lojës së tyre të i japin jetë tragjedisë, ndër më të njohurat, duke e kuptuar qartë misionin e transformimit kohor të ngjarjes, për ta sjellë atë tek publiku modern.

Kështu ata duke përforcuar peshën e mesazhit të fundit me një fokus të veçantë në nuancat emocionale që pasqyrohen në secilin veprim (sicker tek skenografia) i japin kuptim tërë rrjedhës së ngjarjeve që rezulton me aktin e fundit.

Në këtë shfaqje nuhatet edhe një aspekt jo shumë i ngjyruar i dilemës morale që përballon personazhi i Makbethit e që merr një tjetër përmasë pak para keqardhjes për te, pas vdekjes së zonjës së tij. Vdekja e saj, pas një rënie të thellë në çmenduri për shkak të fajit dhe dhimbjes që ndiente për krimet e tyre, e lë Makbethin të përballur jo vetëm me pasojat e veprimeve të tij, por edhe me një ndjesi të thellë të pashmangshmërisë së fatit. Këtë fat që as aromat arabe s’e mbulojnë aromën e tij.

Makbethi shfaq një indiferencë (edhe më të ftohtë se rëndom) ndaj humbjes, e pikërisht në këtë pikë, vjen në pah dilema morale e fuqisë dhe përpjekjeve të pamëshirshme për ta mbajtur atë: A ia vlen pushteti nëse sjell vetëm shkatërrim dhe vetshkatërrim? Makbethi mbetet i vetmuar, duke kuptuar që gjithçka që ka bërë nuk ka asnjë vlerë reale, duke thelluar tragjedinë e tij si një njeri i shkatërruar nga ambicia dhe faji i vet.

Duke përdorur elemente vizuale, madje edhe nëpërmjet kostumeve dhe rekuizitave, si simbolika të theksuara, aty theksohet ambicia dhe çmenduria që sjell pushteti – i cili u fitua kështu. Të gjitha këto shfaqen jo vetëm në kohën e Shekspirit, por edhe në shoqërinë e sotme dhe ajo që bie thellësisht në sy në këtë adaptim është pikërisht zhvendosja e fokusit nga përpjekjet e Makbethit për pushtet në një shqyrtim më të thellë të moralit dhe dëshpërimit, që ngjason me dilemat e tjera tragjike shekspiriane. Këtu mund të thuhet se kemi të bëjmë me një vendosje të një kokteji fatesh nëpërmjet integrimit të personazheve të tjera të Shekspirit, për të vënë më shumë dritë në drejtim të dinamikave (edhe të brendshme) të personazheve tek Makbethi.

Për shembull, marrëzia dhe konflikti i brendshëm i Makbethit shpesh mund të shihet nga aspekti i Hamletit, ndërsa ambicia dhe tirania e tij ndjek një trajektore të ngjashme me atë të Richard III. Gjithashtu, përplasja e tij (e brendshme dhe me të tjerët) me tradhtinë dhe pasojat e pushtetit mund të lidhet me Brutin nga Jul Cezari. Ndërsa më së shumti e gjejmë një Mbret Lir tek Dunkani i këtij versioni, sepse qartë janë të gdhendura elementet e çmendurisë si reflektim i gjendjes emocionale, dëshpërimit të thellë nga pamundësia për të ZHBËRË ATË QË ËSHTË BËRË, si dhe humbjen e kontrollit mbi veten (se nga fati, po se po). Kështu, ky adaptim edhe mund të shpërfaqë lidhjen me  tematikat universale të Shekspirit dhe për t’i paraqitur ato në një formë që mbetet relevante dhe sfiduese për publikun modern.

Si përfundim, kjo qasje moderne e vë në pah marrëdhënien e ndërlikuar të individit me pushtetin dhe përgjegjësinë morale, duke e bërë këtë Makbeth një pasqyrim të thellë të shoqërisë së sotme./ KultPlus.com

“Tirana Gate” mirëpret në Tiranë artistët evropianë të penës

Njeriu dhe vetvetja, njeriu dhe qyteti, njeriu dhe natyra, njeriu dhe shoqëria, njeriu dhe inteligjenca artificiale që vetë ai e krijoi, njeriu i sotëm përballë trysnisë së kohës. Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera, që shkrimtarë të karrierës dhe shkrimtarë të rinj, i ngrejnë në veprat e tyre letrare dhe na bëjnë për çdo ditë të mendojmë e të reflektojmë, do të bëhen pjesë e aktiviteteve të Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate” 2024, për tri ditë radhazi 9, 10 dhe 11 tetor në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Drejtoresha e Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate”, Irena Toçi, thotë se, ky festival dëshmon se tashmë Shqipëria nëpërmjet letërsisë e ka zërin e vet evropian.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival letrar do të kenë misionin e shkëmbimit kulturor, shkëmbimit të përvojave, historive, ndjenjave dhe marrëdhënie njerëzore në një hapësirë letrare ku kryefjalë do të jetë njeriu sot, përballë vetes, përballë botës.

Aktiviteti organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Tiranës, Bashkimit Europian, Traduki-it, Institutit Gëte, Qendrës së Botimeve për Shqiptarët e Diasporës, Liceut artistik “Jordan Misja”, Ambasadës Gjermane dhe Ambasadës Greke, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, RTSH-së dhe “ExLibris”.

Në mbremje, në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog, do të vijë për herë të parë në edicionin e dhjetë të tij Festivalit Letrar Ndërkombëtar për të Rinj “Tirana Gate 2024”, shkrimtarja greke Amanda Michalopoulou, me praninë e përkthyeses Isida Metaj që sjell për lexuesin shqiptar librin “Perse e vrava shoqen time më të mirë”.

Autore e tetë romaneve, tri koleksioneve me tregime të shkurta, një shfaqje teatri dhe një novelë. Amanda Michalopoulou është fituese e shumë çmimeve kombëtare në Greqi dhe ndërkombëtare. Tregimet dhe esetë e shkrimtares janë përkthyer në njëzet gjuhë të botës.

“Tirana Gate 2024” synon të promovojë letërsinë cilësore duke krijuar një hapësirë kulturore, ku shkrimtarët e rinj evropianë mund të takohen me njëri-tjetrin./atsh/KultPlus.com

Parku arkeologjik i Lezhës, 74% më shumë vizitorë në 9 muaj

Parku arkeologjik i Lezhës ka mirëpritur 6698 vizitorë gjatë periudhës janar-shtator 2024.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se “në këtë periudhë numri i vizitorëve ka shënuar një rritje prej 74% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku 35% e vizitorëve janë turistë të huaj”.

Prej kalasë, tashmë e vizitueshme edhe mbrëmjeve, shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.

Parku arkeologjik i Lezhës ndodhet në pjesën lindore të qytetit me të njëjtin emër. Lisi (Lezha antike), i ndërtuar në kodër, kishte një pozicion strategjik që kontrollonte luginën e Drinit deri në Gjirin e Shëngjinit në detin Adriatik. Ai dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek. IV para Krishtit dhe ishte qyteti më i fortifikuar i Ilirisë, me një numër të madh kullash mbrojtëse. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga Antikiteti, shek. IV para Krishtit.

Lezha, me kalanë mesjetare, dominon gjithë hapësirën deri në detin Adriatik. Objektet e shumta arkeologjike, monumentet e kultit dhe dëshmitë historike, përbëjnë një destinacion tërheqës për turizmin kulturor./atsh/KultPlus.com

89 vite nga lindja e Melihate Ajetit, aktorja që shkriu mbi 180 role

Sot është 89-vjetori i lindjes së aktores së papërsëritshme, Melihate Ajeti, e cila lindi në Prishtinë më 9 tetor 1935.

Semimaturën e kreu në Prishtinë. Vijoi shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedie Française). Aktorja numër një e teatrit prishtinas, e nisi aktrimin si 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinorë të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin, bukurin e kapacitetin e madh prej aktoreje.

Melihate Ajeti, apo siç e quanin miqtë, Meli, qe një kombinim mes të prekshmes dhe mitologjikes, mes përrallores dhe të dukshmes.

Loja e saj e jashtëzakonshme në teatër dhe në filmat “Vajza pa pajë”, “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melihate Ajetin primadonë të filmit e të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Aura e saj rrezatuese, ishte tepër e madhe për skenën e vogël të Teatrit të Kosovës.

Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic(1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol gruaje në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.

Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti ishte Primadona e skenës shqiptare. Ajo vdiq më 26 mars 2005 në Prishtinë. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani përfaqëson Republikën e Kosovës në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković, ka udhëtuar në Dubrovnik për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore.

Në këtë samit, Presidentja Osmani do të pritet nga Kryeministri kroat Plenković dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa do t’u bashkohet liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore në seancën plenare.

Gjatë këtij samiti, pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën.

Përveç pjesëmarrjes në seancën plenare ku Presidentja do të mbajë një fjalim, ajo do të zhvillojë takime edhe me homologët e saj./KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Postës

Dita Botërore e Postës festohet çdo vit më 9 tetor. Sot bëhen 150 vjet nga themelimi i Unionit Universal Postar në 1874 në kryeqytetin zviceran, Bern.

Dita Botërore e Postës u caktua të jetë më 9 tetor, nga Kongresi i UPU-së i mbajtur në Tokio, në vitin 1969. Që atëherë, shumë vende në mbarë botën marrin pjesë çdo vit në festime.

Qëllimi i Ditës Botërore të Postës është ndërgjegjësimi për rolin e sektorit postar në jetën e përditshme të njerëzve dhe bizneseve dhe kontributin e tij në zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve.

Me rastin e kësaj dite, në shumë vende organizohen ekspozita filatelike dhe lëshohen pulla të reja. Aktivitete të tjera përfshijnë ekspozimin e posterave të Ditës Botërore të Postës në zyrat postare dhe vende të tjera publike, ditët e hapura në zyrat postare, qendrat e postës dhe muzetë postarë, mbajtjen e konferencave, seminareve si dhe aktivitete kulturore, sportive e të tjera.

Një prej aktiviteteve më të njohura të mbështetura nga Unioni Universal Postar, është konkursi i shkrimit të letrave, përmes të cilit nxiten fëmijët të zhvillojnë të shkruarit. Konkursi ka arritur të tërheqë më shumë se 1.2 milionë pjesëmarrës globalë çdo vit, të moshës 9-15 vjeç.  Për këtë edicion, pjesëmarrësit do të inkurajohen të reflektojnë mbi të ardhmen e botës nën temën: “Në moshën 150-vjeçare, postat u kane shërbyer njerëzve në mbarë botën për më shumë se tetë breza. Bota ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që atëherë. Shkruajuni një letër gjeneratave të ardhshme për botën që shpresoni se do të trashëgojnë.”/atsh/KultPlus.com

Media spanjolle “La Vanguardia”: Vizitoni Shqipërinë, destinacionin e ri që synon të pushtojë evropianët

Shqipëria është një destinacion në zhvillim me një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore, shkruan Carmen Giró në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “La Vanguardia”.

Pas pandemisë së vitit 2020, Shqipëria përjetoi një bum turistik që e ka shndërruar atë në një vend shumë të vizituar.

Historia unike, trashëgimia kulturore dhe natyra e pacënuar, padyshim kontribuojnë në tërheqjen e turistëve.

Shqipëria është ende një vend relativisht i lirë për të udhëtuar, me një gamë të gjerë hotelesh dhe opsionesh ngrënieje – me ushqime të shijshme dhe të bollshme – me çmime shumë më të përballueshme se destinacionet e tjera evropiane.

Gjatë udhëtimit në Shqipëri do të përjetoni një ndërthurje unike midis stilit të jetesës mesdhetare dhe asaj orientale.

Vendndodhja gjeografike e bën atë një udhëkryq mes Lindjes, kulturës ortodokse, grekëve të lashtë, italianëve modernë dhe fqinjëve sllavë të Ballkanit.

Kishat, xhamitë dhe shtëpitë e stilit osman

Shqipëria ka një të kaluar që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit dhe kjo mund të shihet në vendet e saj më emblematike dhe turistike.

Pjesë e Perandorisë Osmane, pjesë e Greqisë së madhe, fqinji historik i Italisë – Shqiperia ofron një ndërthurje që përjetohet në çdo hap.

Qyteti i Beratit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një nga xhevahiret e vendit.

I njohur si qyteti i një mbi një dritareve, shtëpitë e stilit osman zvarriten poshtë faqeve të kodrave, duke ofruar një labirint rrugësh të ngushta ku vështrohen minaret dhe kambanoret.

Me mbi 2400 vjet histori, qyteti kurorëzohet nga kështjella në majë, një zonë e banuar ende, me pamje nga ansambli monumental.

Gjirokastra është një tjetër vend që vizitorët nuk duhet ta humbasin.

Gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qyteti shquhet për shtëpitë e tij të stilit osman, të cilat i japin atij një karakter të fortë, të dominuar nga një kala dhe një pazar i bukur.

Gjirokastra është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha. Gjithashtu, këtu lindi dhe filloi të shkruante intelektuali dhe disidenti Ismail Kadare.

Në qytet mund të vizitoni shtëpi të ndryshme te stilit osman – për të parë se si ishte jeta e përditshme në këto pallate të fortifikuara.

Arkitektura e Perandorisë Osmane, e cila shtrihej nga Danubi në Gjirin Persik, përvetësoi nuanca indigjene, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Bizanti dhe ateizmi shtetëror

Shqipëria u shpall zyrtarisht një vend ateist nga regjimi i Hoxhës në vitin 1967, i cili preku të gjitha objektet e kultit, duke u ripërdorur si magazina.

Megjithatë, besimet e njerëzve nuk mund të fshiheshin brenda natës. Kur ra diktatura, shumë tempuj të të gjitha besimeve fetare u restauruan.

Për më tepër, disa monumente apo tempuj historikë u respektuan – pasi disa nga anëtarët e lartë të partisë kishin lindur atje ose kishin një marrëdhënie sentimentale dhe e dinin vlerën e vendit dhe rëndësinë e mbrojtjes së tij nga shkatërrimi.

Vizitorët mund të eksplorojnë xhamitë myslimane, kishat ortodokse, katedralet katolike dhe afresket bizantine te muzeve.

Qyteti i Korçës njihej si “Parisi i Shqipërisë”, pasi ishte një nga qytetet më kozmopolite me një përqendrim të lartë intelektualësh në fillim të shekullit XX.

Është shtëpia e një prej muzeve më të rëndësishme të vendit, kushtuar artit mesjetar – që strehon mijëra ikona bizantine.

Në afërsi të Korçës, fshati Voskopojë, dikur një udhëkryq në luginën midis Lindjes dhe Perëndimit, është shtëpia e një morie kishash dhe muzeve të zbukuruara me afreske bizantine.

Plazhet dhe rrënojat arkeologjike

Bregdeti i Shqipërisë gjithashtu është promovuar gjerësisht – duke tërhequr një numër të madh turistësh.

Peizazhi, veçanërisht i plazheve që ndodhen në jug të vendit, është spektakolar, me ujëra të pastra kristal dhe shkëmbinj që i kornizojnë ato.

Atmosfera muzikore dhe festive në plazhin e Ksamilit – të kujton plazhet e Ibizës.

Gjithashtu, ju mund të gjeni çmime më të përballueshme dhe një atmosferë më miqësore për familjen në plazhin e Himarës – një qytet i vjetër i mrekullueshëm me një kështjellë të rrënuar në majë të një kodre.

Vendi arkeologjik i Butrintit mbledh dëshmi gjurmëve të grekëve, bizantinëve dhe venecianëve

Vendi arkeologjik i Butrintit, i vendosur në jug të vendit, ofron dëshmi të pranisë së grekëve, bizantinëve dhe venecianëve në zonë.

Rrënojat arkeologjike, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, janë ruajtur shumë mirë.

Ato shfaqen sikur të ishin sfondi i një teatri – dhe nga kompleksi arkeologjik ka një pamje panoramike të detit Mesdhe dhe lagunës së Butrintit.

Tirana, modernitet

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një qytet dinamik ku shumica e investimeve janë përqendruar për të ndërtuar një vend të ri, modern në përputhje me çdo kryeqytet perëndimor.

Është një mekë për çdo arkitekt, me rrokaqiejt e shumta dhe komplekset urbane të projektuara nga kompanitë më të mira globale që konkurrojnë me njëra-tjetrën për të ndihmuar këtë qytet të rritet.

Sheshi Skënderbej është zemra e qytetit, në të cilin kalon gjithçka dhe të gjithë.

Në njërën anë, ndodhet xhamia historike – e cila duket e vogël për shkak të rrokaqiejve të lartë që janë rritur në hijen e saj.

Qyteti ofron një kombinim të monumenteve historike të ruajtura mirë, objekteve turistike dhe mbetjeve të epokës komuniste që kujtojnë të kaluarën më të afërt.

Më i shquari është Bunk’Art, një muze i vendosur në një pjesë të galerive të strehimoreve që kalojnë në nëntokën e qytetit.

I projektuar si një bunker shtetëror në pritje të një sulmi bërthamor, ai strehon një muze që tregon mizoritë dhe shtypjen e përjetuar gjatë diktaturës komuniste.

Vizitorët mund të lexojnë dokumente të shumta historike, të shohin qelitë e paraburgimit, objektet e vëzhgimit të përdorura mbi popullatën dhe dhomat e kontrollit të qeverisë.

Natyra e egër

Shqipëria është një vend malor. Kudo që të hedhësh sytë gjen male.

Ka ende shumë natyrë të paprekur, ku mund të ecësh për kilometra të tëra pa hasur asgjë veç një fshati të largët, duke kaluar nëpër shtigje apo ura të stilit osman.

Rrugët më spektakolare ofrohen në ato që quhen “Alpet Shqiptare”, në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, që ndodhet në kufi me Malin e Zi dhe Kosovën.

Një nga udhëtimet më të njohura është itinerari midis fshatrave Valbonë dhe Theth.

Ai mbulon rreth 15 kilometra rrugë me pjerrësi – që mund të përfundojnë në rreth 7 orë, duke ofruar një përvojë të re dhe peizazhe dhe ndjesi të paharrueshme.

Në të gjithë veriun, mund të gjeni ende kullat e izoluara – të njohura si kulla të të persekutuarve sipas Kanunit, kodit të lashtë të sjelljes shqiptare që ishte mbi ligjet.

Në juglindje, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli është edhe më i izoluar dhe më i largët.

Fshatrat malore si Përmeti ju ofrojnë të shijoni festivalet verore me muzikë popullore.

Burimet e nxehta të Benjës dëshmojnë për aktivitetin njerëzor në mes të një lugine, me një urë të stilit osman, në të cilën vendasit lahen në pishina termale natyrore.

Në çdo rast, ka shumë vende në të gjithë vendin ku mund të ngjitesh në male, të eksplorosh burimet karstike që formojnë “Syrin e Kaltër”, të ecësh për të zbuluar një ujëvarat e larta malore, të vizitoni Kanionet dhe bëni rafting, të lundroni në liqenin e madh të Ohrit, liqeni më i thellë në vend dhe në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Përveç atraksioneve turistike, turistët mund të shijojnë veçanërisht një nga kënaqësitë më të mëdha të udhëtimit: të bisedojnë me njerëzit vendas./atsh/KultPlus.com

György Konrád: Republika e Letrave

Letërsia po zë gjithnjë e më pak vend në jetën tonë. Ka marrë fund një epokë e historisë së letërsisë dhe këtë ne nuk e kuptuam kur po ndodhte, por vetëm pasi ndodhi; në nivelet institucionale letërsia ka zbritur një kat më poshtë. Republika e letrave – si korpus intelektual, si fanar i qytetërimit – i përket së shkuarës. Ja ku erdhi koha e sprovës, kur dikujt i duhet ta ndërrojë letërsinë me një aktivitet tjetër, duke u bindur se nuk mund të ndiqet i njëjti zanat gjatë gjithë jetës. Edhe botimet po kalojnë të njëjtën krizë si sektorët e tjerë të ekonomisë: edhe letërsia po ecën paralel me varfërimin e shoqërisë. Megjithatë, këtë epokë të karakterizuar nga humnera midis çmimeve astronomike të librave dhe fuqisë së dobët blerëse unë e quaj tranzitore dhe besoj se letërisa do të mbijetojë. Pas disa vitesh do të shfaqet një klasë e mesme e kamur, e cila do ta kërkojë letërsinë. Herët a vonë gjërat teknike do të kenë çmime të përballueshme dhe aftësia blerëse do të rritet. Gjatë kësaj ndërkohe, në këto vite të lopës së dobësuar, do të vazhdojnë të shkruajnë pareshtur vetëm shkrimtarët e regjur dhe diletantët e përjetshëm. Vazhdimësia e një vepre nuk mund të sigurohet veçse nëpërmjet një këmbënguljeje prej murgu. Duhet një kurajo dhe siguri e veçantë për të guxuar të angazhohesh në një ndërmarrje letrare jetëgjatë. Shumë shkrimtarë, për të siguruar kështu mbijetesën, do të shtrëngohen të bëhen intelektualë profesionistë dhe, nëse do t’u mbetet pak fuqi, herë pas here edhe do të shkruajnë. /Hejza/ KultPlus.com

Rama: Shumë shpejt sjellim ‘Paketën e Maleve’, ndihmë investimeve në vendlindje për sipërmarrje turistike

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Paketa e Maleve” është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik.

Në një takim me kryebashkiakët në Kryeministri për bashkëpunimet në interes të komunitetit për të diskutuar për platformat e dialogut, emergjencat civile dhe ndihmat sociale, Rama u ndal fillimisht tek lejet për ndërtim që janë nevoja imediate të qytetarëve që jetojnë, sidomos në zonat rurale dhe që duan të shtojnë një dhomë, të rregullojnë ҫatinë etj, proces që e cilësoi pozitiv.

Por, shtoi Rama, “ndihma juaj për të identifikuar dhe për neutralizuar ҫdo lloj punonjësi policie që ju shfaqet, nëpër avlli qytetarëve, familjeve që jetojnë në fshat është shumë e ҫmuar”.

Sepse, theksoi Kryeministri, “fatkeqësisht ky fenomen, ka ardhur duke u zvogëluar, por është problem, akoma është problem, që iu shkojnë për një avlli dhe iu rrinë tek koka dhe kuptohet pse. “Jo e ke lejen, jo s’e ke lejen””.

Rama theksoi se ky fenomen duhet të ndalohet totalisht.

“Besoj që shumë shpejt gjatë këtij muaji ne do të prezantojmë atë që e kemi quajtur “Paketa e Maleve”. Është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik. Kur them jashtë, ata që janë në emigracion, apo ata që janë në Tiranë dhe kanë një pasuri atje. Është një paketë besoj pozitive sepse kemi punuar që të mos jetë një gjë pak, por është goxha domethënëse dhe patjetër që është një paketë që duhet ta përdorni ju në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për të inkurajuar më shumë dhe për t’i dhënë më shumë shtysë atyre që e kanë me 2 mendje”, u shpreh Rama.

Në takimin me kryebashkiakët, Rama foli edhe për rritjen e pagave të punonjësve të pushtetit vendor, që e cilësoi edhe meritë të tyre./atsh/KultPlus.com

‘Kadare, identiteti i keqkuptuar’, Ilir Yzeiri boton librin e parë për shkrimtarin

Vetëm tre muaj pas vdekjes së kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare është botuar dhe libri i parë për të, i titulluar “Kadare, identiteti i keqkuptuar”.

Kjo vepër e Ylir Yzeirit vjen si një përpjekje për të hedhur dritë për jetën e shkrimtarit të madh por dhe për veprat e tij.

Autori parashtron dhe shpjegon identitetin e keqkuptuar të Kadaresë ku në një pjesë të librit është dhe bashkëbisedimi i vetë Yzeirit me shkrimtarin.

“Kur doja të shkruaja librin, e takova Kadarenë, duhet të ketë qenë para dy vjetësh, e takova në kafanetë ku ai ulej. Mendova se ai do të ishte këtu me ne por që ja jeta ka sfidat e saj”

Autori tha se libri që po i paraqet lexuesit, vjen pas një periudhe relativisht të gjatë.

“Unë jam rritur me Kadarenë, brezi im që jetoi dy epoka. Letërisa e Kadaresë nuk ishte thjesht letërsi, te Kadareja gjenim atë që na mungonte. Pasioni dhe dëshira për t’u marrë dhe për ta rivlerësuar Kadarenë nuk gjente gjithmonë terren.  Ishte shumë e vështirë të flisje për Kadarenë. Unë jam nisur nga një princip, që shkrimtari më I madh I të gjithë kohërave lindi në diktaturë, pse, si ka mundësi. Si do ta shpjegojmë këtë paradoks. Ajo që vlen për Kadarenë, është këtu se jemi përballe një talenti të jashtzakonshëm.  Kam vënë re se frëngjishtja e ka shpëtuar Kadarenë, ndaj kam provokuar dhe në libër”,-tha shkrimtari Ilir Yzeiri.

Studiuesi Ermir Nika vuri në dukje në dukje disa nga meritat e librit duke e vënë theksin sidomos te vlera e tij për studimet kadareane.

“Iliri ka një fat të madh, sepse ka qenë mik i afërt i Kadaresë, e ka studiuar si njeri por dhe si krijues. Vepra e tij është e përkryer. Unë do e lexoj dhe njëherë librin, sepse në njëfarë mënyre do të rikthehemi në atë epokë e cila e fragmentizuar përbën të plotën”,-tha ai.

Autori në këtë vepër është kujdesur që të ndaj mikun me studiuesin, edhe pse në libri zbret në rrafshin konfidencial. /euronews.al/ KultPlus.com

‘Uliksi’ i Xhejms Xhojsit, si e ndryshoi mënyrën se si e perceptojmë kohën

Romani “Uliksi” i shkrimtarit irlandez Xhejms Xhojsit na jep një perceptim tjetër mbi kohën. Ka ditë kur na duket sikur nuk kalon kurrë, dhe ditë të tjera kur akrepi i orës duket sikur lëviz aq shpejt saqë nuk arrihet të ndiqet. Fakti që koha është relative është sot një koncept i pranuar gjerësisht.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Nëse lexojmë një libër ku ngjarjet vendosen në shekullin XIX, do të shohim se si dimensioni i kohës përfaqësohet në një mënyrë objektive dhe lineare.

Një përvojë krejtësisht e ndryshme kohore na pret kur lexojmë një libër nga Xhejms Xhojsi. Në vazhdën e revolucionit të ndërmarrë nga Sigmund Frojdit (dhe zbulimi të nënndërgjegjes), Uliksi i Xhojsit ishte përcaktuar që në ditën e botimit të tij, 2 Shkurt 1922, të ndryshonte përgjithmonë fatin e letërsisë bashkëkohore. Dhe le të shohim arsyen pse:

Sepse perceptimi ynë mbi kohën ka ndryshuar

Shekulli XX-të lindi nën shenjën e shpejtësisë dhe përshpejtimit, që dhanë menjëherë efektet e tyre edhe në art dhe letërsi. Autorët e mëdhenj të fillim të shekullit XX, si Marsel Prust, Virxhinia Ulf dhe Xhejms Xhojs, përshkuajnë copëzimin dhe kaosin e së tashmes përmes metodave të reja të shkrimit, të cilat arrijnë kulmin e tyre shprehës në teknikën e “rrymës së ndërgjegjes”.

Koha ndryshon në varësi të asaj që po përjetojmë

Koha kronologjike dhe lineare e romanit të shekullit XIX, zëvendësohet nga një kohë e ndërgjegjes. Personazhet e lindur nga pena e Xhojsit, zbulojnë se përvojat e kaluara janë çimentuar në nëndërgjegjen tonë.

Pra nga e pavetëdijshmja, nga e cila dalin vazhdimisht fragmente të së kaluarës tonë dhe që përzihen me të tashmen në një mënyrë që nuk është gjithmonë e vullnetshme. Në fakt, koha e ndërgjegjshme është e përbërë nga momente të padallueshme që kalojnë nga njëri tek tjetri, dhe që formojnë një rrymë që pasurohet vazhdimisht:“rrymën e ndërgjegjes”.

Koha pëson transformime të dukshme tek personazhet e këtyre veprave:krahas një kohe objektive, kronologjikisht lineare, shfaqet ideja e një kohe subjektive, e përjetuar nga vetëdija e personazheve.

Uliksi i Xhojsit, është arketipi i njeriut bashkëkohor

Me një bukuri të pa rezistueshme dhe simbol i etjes për dije, Uliksi është heroi me shumë fytyra. Nëse cilësitë e tij pozitive u lartësuan në poezitë homerike, ato negative u theksuan në letërsinë e shekujve në vijim, si mashtrimi dhe cinizmi, deri në rishkrimin që i bëri këtij personazhi Xhejms Xhojsi në shekullin XX. Kështu, Uliksi bëhet arketipi i përsiatjeve dhe anktheve të përditshme të njeriut bashkëkohor, simboli i një perceptimi të ri dhe revolucionar të kohës.

Për çfarë flet romani i Xhojsit

“Uliksi” është historia e vetëm një dite, 16 qershor 1904, e një grupi banorësh nga Dublini i Irlandës. Personazhet që hyjnë në mënyrë rastësore me jetën e të tjerëve, por që përcaktojnë zhvillimin e saj, përmes një monologu të brendshëm të vazhdueshëm. Protagonisti kryesor, hebreu irlandez Leopold Blum, nuk është një hero apo anti-hero, por thjesht një njeri me mendje të hapur dhe një humanizëm të madh, gjithnjë i vëmendshëm ndaj më të dobëtit dhe të ndryshmit, dhe i aftë për të qenë i mirë-sjellur edhe ndaj atyre që këto cilësi nuk i shfaqin ndaj tij.

Protagonistët e tjerë janë intelektuali i ri, brilant, por i kompleksuar Stefan Dedalus dhe Moli Blum, gruaja e hebreut, mbretëresha e vërtetë e romanit. Në fund të romanit, e shtrirë në shtratin e vjetër martesor, Moli reflekton- në një monolog prej më shumë se 20 mijë

fjalësh pa asnjë shenjë pikësim midis tyre-mbi ditën që sapo kishte kaluar, mbi tradhtinë e bashkëshortit të saj, mbi çdo kujtim të së kaluarës dhe mbi të ardhmen e mundshme të imagjinuar. Moli është një grua shumë instinktive, por edhe rezistente ndaj çdo forme të karakterizimit kategorik. / Libreriamo – Bota.al