Me shfaqjen “Arbri” të Lirak Çelaj, mbrëmë nisi SkupiFestival

Mbrëmë në praninë e artdashësve të shumtë, FNT SkupiFestival hapi edicionin e tij të 17-të me radhë.

Në teatrin Shqiptar në Shkup, hapja e natës së parë të festivalit u bë me shfaqjen “Arbri” nga Teatrit Oda në Prishtinë me regjisor Lirak Çelaj, ku interpretuan: Shkumbin Istrefi, Qëndresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Marku, Blend Sadiku, si dhe me skenografi nga Burim Arifi.

Arbri personazhi i shfaqjes me po të njëjtin emër, është diagnostikuar me demencë. Ai jeton vetëm me vajzën e tij të madhe Anën. Ndërsa  gruaja e tij ka ndërruar jetë kohë më parë, vajza tjetër Lulja ka rënë dëshmore në luftën për çlirim. Ana, e divorcuar katër vite më parë nga Agroni, është në dilemë të madhe se si të kujdeset për të atin, gjendja e të cilit po përkeqësohet vazhdimisht dhe për marrëdhënien e re me Petritin, i cili tashmë punon në Bruksel-Beograd-Stamboll. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes së Arbrit, Ana detyrohet ta dërgojë babanë e saj në një institucion privat për përkujdesje. E gjithë kjo dramë shtjellon përvojat e shumë familjeve bashkëkohore të cilat përballen me pamundësinë për t’u kujdesur për brezin e vjetër. Në fakt, Arbri ashtu si emri i tij, përfaqëson kombin shqiptar dhe demencën kolektive që rrethon identitetin e tij. Debatet që zhvillohen sot se si identiteti kombëtar shqiptar shndërrohet pothuajse brenda natës në identitet kosovar apo europian apo pro-jugosllav dhe turk lindor etj.

 Ndërsa, sonte në natën e dytë, programi i edicionit të 17-të të FNT Skupestival do të vazhdojë me shfaqjen “Nën Kala” nga Stambolli poashtu në teatrin Shqiptar Shkup. Një  përshtatje e tragjedisë  Makbeth nga Villiam Shekspir, adaptuar nga  Pinar Akkuzu  dhe Gülden Arsal Yavuz si dhe regji  nga Guray Dincol, interpretojnë  Pinar Akkuzu,  Gülden Arsal Yavuz. Hulumtime mbi teatrin fizik Teksti i cili bazohet në tragjedinë Makbeth të Villiam Shekspir-it, u përshtat në skenë pas rishkrimit. Palaçot, janë një nga stilet më unike në pedagogjinë e Lekok-ut, krijojnë bazën e shfaqjes. Krijesat që i përkasin botës së krimit, ku qëllimi i tyre i vetëm në skenë është të tallen me gjithçka, përballen me një nga tragjeditë më të forta të Shekspirit, rezultati është një komedi absurde, tragjike dhe plot gjak. Njerëzimi është i vetmi mjet për të tallur, luajtur dhe imituar për Palaçot. Me këtë shtrirje, shfaqja fton publikun për një udhëtim provokues, të errët, shqetësues dhe mjaft komik. Është udhëtimi drejt errësirës brenda nesh. Në shfaqje, historia e Makbeth-it tregohet nga dy palaço që kanë parë Makbethin si edhe çdo mbret dhe mbretëreshë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Si duket mbretërimi i mbretit dhe mbretëreshës poshtë kështjellës? Si tallen dy krijesa të errëta që mund të shkatërrojnë gjithçka me sarkazmin e tyre me gjithçka që ndodh më lart. Si i drejtojnë sytë e tyre të mprehtë dhe sarkastik – që janë përtej kohës – drejt nesh, të shkuarës dhe të ardhmes njëherësh. / KultPlus.com

Teatri “Hadi Shehu” do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar ‘SkupiFestival’

Teatri “Hadi Shehu” së shpejti do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar ‘SkupiFestival’ me shfaqjen e vetme nga Kosova “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqit si dhe me regji të Qendrim Rijani-t, përcjellë KultPlus.

Shfaqja nga Kosova do të hap festivalin me datë 07.09.2021 duke filluar nga ora 20:00.

KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:

Nuk ka vikend, nuk ka pushim.
Puna e madhe shpresojmë të reflektoj maksimalisht në ITF SkupiFestival ku do të kemi nderin ta hapim festivalin ndërkombëtar duke pëfaqësuar Teatrin/Qytetin dhe si e vetmja shfaqje nga Kosova edhe Shtetin, me datë 07.09.2021 në ora 20:00 me “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqit me regji të Qendrim Rijani-t.
Në foto gjysma e ekipes.
Të vaksinuar dhe të mbrojtur duke përdorur masat mbrojtëse. / KultPlus.com

‘Zgjimi i pranverës’ e regjisores Zana Hoxha, shpërblehet me ‘Grand prix’ në SkupiFestival

Teatri Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet, përfaqësuan Kosovën me shfaqjen muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës, në Festivalin Ndërkombëtar të Shkupit – ITF Skupi Festival ku sivjet prezente ishin trupat teatrale nga Bullgaria, Shqipëria, Kroacia, Serbia e Bosna e Hercegovina, shkruan KultPlus.

Pas shikimit të të gjitha shfaqjeve, juria e ITF (International Theater Festival) SkupiFestival, ka përzgjedhur “Zgjimi i Pranverës”, të autorit Frank Wedekind, me regji nga Zana Hoxhës si: “Shfaqja më e mirë”, duke e shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.

Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës.

“Zgjimi i Pranverës” tregon historinë e adoleshentëve që zbulojnë trazirën e brendshme dhe të jashtme të seksualitetit. Ajo eksploron udhëtimin nga adoleshenca në moshën e rritur me trishtim dhe pasion që është ndriçues dhe i paharrueshëm. Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e Frank Wedekind “Zgjimi i pranverës” ishte një thirrje artistike, një dëshirë dhe një nevojë për ta sjellë këtë shfaqje në Kosovë, duke e përshtatur më tej në epokën e viteve ’90 në Kosovë. / KultPlus.com

“Skupifestival” fillon me 17 shtator

FNT Skupifestival, do nis edicionin e 14 me radhë nga data 17  deri më 22 shtator. Hapja solemne do të bëhet në hapësirat e Kurshumli Han-it.

Në njoftimi e bërë nga ana e organizatorëve tregohet se në natën e parë të festivalit do të jepet shfaqja ‘Kutia e Zezë’ nga Paolo Genovese e inskenuar nga teatri  Migjeni nga Shkodra.

Gjithashtu në këtë vit i gjithë programi i festivalit do të organizohet në hapësirat e Kurshumli Han-it në Çarshinë e Shkupit, në ambient të hapur të shtyrë edhe për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia.

“Programi i sivjetshëm është i selektuar me një larmi dramaturgjike që ka për bazë në thelb fatin e njeriut karshi stuhive të ndryshme nga jeta. Si dhe sfidat e ndryshme nga jeta sociale, ekonomike e politike, ku  vjen në pah mendimi kritik i njeriut të thjeshtë karshi fenomeneve të reja”, thuhet në njoftimin për media.

Krahas shfaqjes ‘Kutia e Zezë’, në program janë përfshirë edhe “Anomalia gramatikore ” nga Frania Petrinovich , që do të vihet në skenë Teatri Kombëtar nga Novi Sad,  Serbi “E gjithë dashuria ime” nga Laurent Mauvignier ,Teatri i Luftës në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, “Zgjimi i Pranverës” nga Frank Wedekind  që do të vihet në skenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës si dhe nga Bullgaria vjen  shfaqja “Pula” nga A. P. Chehov dhe Niloay Kolyada, Spam Studios Sofje.

Në njoftim thuhet se FNT Skupifestival ka edhe karakter garues,  ku juria e përzgjedhur  vendos për shfaqjen më të mirë të festivalit. Juria e edicionit të sivjetëm të këtij festivali përbëhet nga aktorja Amernis Nokshiqi, gazetarja për kulturë Evis Halili,si dhe regjisorja Natasha Popllavska./ KultPlus.com

Nën moton “Log in Theater”, së shpejti nis edicioni i 13-të i “SkupiFestival”

Në hapësirat e teatrit të Komedisë në Shkup, sot u mbajt konferenca e shtypit nga Festivali Ndërkombëtar Teatror “SkupiFestival”.

Edicioni i 13-të i këtij festivali do të fillojë më datë 21 tetor dhe do të mbaroj më datë 27 tetor nën moton “Log in Theater”.  Ky edicion do të mbahet në skenën e teatrit të Komedisë në Shkup. 

Konferencën për shtyp e hapi drejtori i FNT SkupiFestival, Muzbajdin Qamili, i cili foli për programin dhe mënyrën e organizimit, për përzgjedhjen e shfaqjeve që do defilojnë për këtë vit në “SkupiFestival”, duke bërë edhe thirrje artdashësve dhe në veçanti  publikut teatrorë për t’ a përcjellur programin e këtij edicioni.

Në vijim drejtori artistik Osman Ahmeti  foli në detaje për të sqaruar  programin e festivalit, ku theksoi se festivali fillon me “Karnevalet e Korçës” në produksion të teatrin kombëtar të Kosovës, vazhdon me “Xhaxha Vanja” e Çehovit me teatrin Vazrazhdanie  nga Sofia, pastaj me “Perëndimin e Vetmuar” të Martin Mekdona  nga teatri U Mosta nga qyteti Perm i Rusisë, nga Lublana “Gratë e Ibsenit”, nga Tirana teatri Metropol me “Natën Ma” nga autorja Marsha Norman, teatri Puls nga Beogradi me shfaqjen “Kiril dhe Klodell” dhe për në fund shfaqja nga teatri i Komedisë “Gra para sulmit nervor”, e inskenuar sipas filmit me të njëjtin titull të regjisorit të njohur spanjoll Pedro Almodovar.  

Për shfaqjen më të mirë në këtë edicion do të kujdeset juria e përbërë nga aktorja e njohur Yllka Mujo, gazetari dhe kritiku teatrorë  Emin Azemi dhe aktori nga teatri popullorë maqedonas Borçe Naçev. 

FNT SkupiFestival edhe për këtë vit i falënderon mbështetësit e tij Ministrinë e Kulturës, Qytetin e Shkupit, teatrin e Komedisë dhe falënderim të veçantë për sponsorin gjeneral Telekomin e Maqedonisë, i cili për vitin e tretë me radhë ndihmon  FNT SkupiFestival Shkup.

Hapja solemne bëhet të hënën më datë 21 tetor më ora 20:00 në teatrin e Komedisë, aty edhe ku do luhen të gjitha shfaqjet. / KultPlus.com

‘Martir’ me regji të Fatos Berishës, pjesëmarrëse në ‘SkupiFestival’

Të shtunën më 14 tetor në edicioni e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, do të jepet shfaqja nga Teatri i Qytetit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’ ‘Martir’, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje që përfaqëson Kosovën në këtë festival në Maqedoni, vjen me regji të regjisorit Fatos Berisha.

Shfaqja sjellë në kastën e aktorëve: Besfort Berberi, Yllka Pylla, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Muradije Muriqi, Arbies Komoni, Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Myrvete Kurtishi dhe Ahmet Bakija.

‘Martir’, shfaqet të shtunën më 14 tetor me fillim nga ora 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina ndërsa festivali ndërkombëtar i teatrove ‘SkupiFestival’, nisë nesër në Shkup/ KultPlus.com

‘SkupiFestival’ sjellë në edicionin e 11-të, shtatë shfaqje nga vende të ndryshme

Më 12 tetor në Shkup nis edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili sivjet nis rrugëtimin e njëmbëdhjetë përgjatë tetë ditëve sa do të zgjasë do të sjellë shfaqje nga Shqipëria, Rusia, Kosova, Izraeli, Serbia, Irani dhe Bulgaria. Festivali nisë më 12 tetor dhe mbahet deri më 18 tetor në Qendrën Kulturore për të Rinj në Shkup.

Në vijim po i sjellim shfaqjet që do të prezantohen në festival bashkë me sinopsiset e tyre duke nisë nga shfaqja e cila hapë ‘SkupiFestival’:

Më 12 tetor me fillim nga ora 20:00 në Suli An – Çarshia e Vjetër prezantohet Teatri “Andon Zako Cajupi” nga Korca-Shqipëri. “Shtëpia e Bernarda Albës” nga autori Federiko Garcia Lorka është një ‘Spektakël Eksterier’. Jemi përpjekur që të gjithë përrallën ta përshtatim me vendin e veprimit, ndërkohë që publiku bëhet bashkëvuajtës me personazhet, ndihmuar kjo edhe nga vetë vendi i veprimit. Si rrallë herë ai në këtë rast do të ketë mundësinë për të parë një shfaqje në një shtëpi reale gjegjësisht në ‘Shtëpinë e Bernardës’.

13 tetori në QKR (MKC)-Salla Frosina me fillim nga ora 20:00 do të vjen teatri “U Mosdta” nga Premi-Rusi. “Bisha”, është shfaqja që u bë legjendare sepse shkaktoi bujë të madhe, duke e bërë këtë teatër mjaftë të popullarizuar në Rusi dhe jashtë saj. Aksioni i shfaqjes zhvillohet në rrënojat e civilizimit të zhdukur. Babai, Nëna dhe Vajza e tyre, janë të vetmit që kanë mbetur gjallë në Tokë. Ata enden në shkretëtirë, të djegur nga katastrofa atomike, në kërkim të njerëzve tjerë për ta shpëtuar jetën e Universit. Pos atmosferës së ftohtë të jetës pas Armagedonit botëror, shfaqja lë përshtypje të dritës dhe katarsës.

Më 14 tetor në orën 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina do të ngjitët Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” nga Gjakova-Kosovë. “Martir” drama kontraverse nga autori Marous Von Mayenburg flet për jetën e një djali të ri Benjamin Sinclair që përqafon fundamentalizmin e krishterë , duke i turbulluar jetët e të rriturve të pafuqishëm rreth tij. Si një bombë me sahat,tregimi i Benjamin-it është shqetësueses për publikun. Por, njëkohësisht edhe tregim sfidues dhe tërheqës,jo vetëm për audiencën e re, dhe reflekton më së miri konfuzionin e botes sot,ku presioni e të qenit politikisht korrekt,tolerant ndaj paragjykimeve ndeshet me debatin e pafund rreth, religjionit,dogmës dhe shkencës. Drama e Mayenburg-ut nuk është vetëm një thumbim cinik për fobinë ndaj radikalizmit fetar në botën perëndimore. Drama në mënyrë groteske shpalosë frikën universale nga “të tjerët”, si një konstante e pavetëdijshme të shoqërive që supozohen të jenë tolerante.

15 tetor me fillim nga ora 20:00 poashtu në Sallën Frosina do të prezantohet ‘Artist Solo’ nga Tel Aviv, Izrael. “Tymos si një burrë” është një monodramë e inspiruar nga jeta e Frida Kalos. Kjo performancë teatrore, zbulon aspekte nga jeta e një grua komplekse dhe kryengritëse, grua që i thyen kodet e normës sociale, përballet me identitetin dhe çështjet gjinore, nga politika deri te arti, guximshëm e hap rrugën për shumë gra dhe për të ardhmen e tyre në vitet që do të pasojnë. Momenti kur mjekët e njoftojnë se këmba e saj duhet të amputohet, Frida ik në dhomën e saj dhe mbyllet brenda. Duke kaluar përmes dhembjes fizike dhe emocionale, ajo ndjen sesi muret e dhomës ngushtohen, duke e shtrënguar atë. Derisa mjekët trokasin në derë, Frida mentalisht ik në rrugën e shërimit të trupit të saj të sëmurë dhe në konventat sociale ku ajo u ngrit.

Ndërsa më 16 tetor QKR (MKC) – Salla Frosina me fillim nga ora 20:00 sjellë Qendrën për Dekontaminim Kulturor nga Beogradi-Serbia. “Vizione nga shekulli i argjendtë” është një rrëfim për të paparamenduarën. Fatimja u takon atyre që shpëtuan. Por, të keqes nuk i shpëtuan djali dhe burri i saj. Përfituesit e luftës arrijnë të kenë sukses që lufta të mos përfundojë. Trupat paqësore shikojnë dhe nuk ndërmarrin asgjë. Atyre që e pësojnë, nuk ka mundësi t’u ndihmohet. Ata, me vetminë e tyre bëhen të paprekshëm. Teatri nuk është e thënë të merret me politike dhe me siguri se nuk mund të ofrojë zgjidhje. Mund vetëm të parashtrojë pyetje për njerëzit që janë të ngatërruar në ngjarjet historike, për ata që shpëtuan dhe për atë që ndodh, për ata që duhet edhe më tej të jetojnë.

17 tetori në po të njëjtën sallë e po të njëjtën orë sjellë Kompaninë Teatrore Jirjirak nga Teherani, Iran. “Fol Medea” është një përmbledhje e impresionove dhe mendimeve të ndryshme për “Medean”. Ky është tregim për një grua të fuqishme, e cila ndjehet e lënë anash dhe e papërkrahur. Në vetminë e saj, ajo i hakmerret burrit të saj, kurse kjo vuajtjet e saja i bën si vuajtjet e Prometeut. Kjo pjesë shpreh respektin e të gjitha grave të të gjitha kohëve, që vuajtën nga shtypjet dhe mosrespektimi.

E krejt në fund, ky festival do të përmbyllet më 18 tetor me fillim nga ora 20:00 ku në sallën Sallën Frosina do të paraqitet Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” nga Sofja-Bulgaria. Është shfaqja “Shërbëtorët” ku Sollanzh dhe Klara janë dy shërbëtore që krijojnë ritual sadomazohiste të elaboruara, sa herë që pronarja e tyre (Madam), nuk është prezent në shtëpi. Fokusi i lojës së tyre aktoriale është vrasja e Madam dhe ata ndryshojnë, duke i treguar të dy anët e ndarjes së fuqisë. Këmbëngulësia e tyre dhe përkushtimi i detajeve garantojnë se ata përgjithmonë nuk kanë mundësi t’i aktualizojnë fazat e tyre përmes “vrasjes” solemne e Madam në ritualin e shthurjes./ KultPlus.com