‘Marin Mema s’ka bërë asnjë krim’, Rama në Selanik: Dorëzojmë kërkesën për rishikimin e vendimit absurd për t’i ndaluar gazetarit hyrjen në Greqi

Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët në Selanik, njoftoi se është përgatitur një kërkesë për qeverinë greke, që të rishikojë vendimin për të ndaluar hyrjen e gazetarit të Top Channel, Marin Mema, në Greqi.

Duke theksuar se Marin Mema nuk ka bërë asgjë tjetër veçse punën si gazetar, ai e cilëson vendimin e 12 viteve më parë një masë ekstreme dhe antidemokratike.

“Kemi një kërkesë që do ta dorëzojmë që nesër për rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, s’ka bërë asgjë më shumë apo më pak se sa punën si gazetar, i apasionuar pas gjurmës së shqiptarëve. Nëse qëndrimi i tij është i ndryshëm nga kushdo që ka marrë vendimin absurd për ta ndaluar të hyjë në një vend në BE, ku s’mund të jetë kurrë një shkak për t’i hequr një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Kjo është një masë ekstreme, antidemokratike, antidemokrate”, u shpreh kryeministri.

Në vitin 2012, gazetari Marin Mema u shpall i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.

Vendimi dhe ndalimi i gazetarit erdhi pas disa temave të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek./ Top Channel/ Kultplus.com

Mbi dramat e Naser Shatrollit

(Nga përmbledhja me gjashtë drama “Qiell” – Naser Shatrolli, botoi Artini)

Ballsor Hoxha

Në dramën “Frigoriferi” të Shatrollit ka dy personazhe në një skenë në tërësinë e dramës. Po ashtu edhe në përgjithësi, të tri dramat në shyqrtim, dhe shumë nga të tjera të Shatrollit gjejmë një, e më së shumti dy personazhe. Shatrolli është minimalist i obsesionuar me intenstitetin, dramën dhe frymëmarrjen që jehon në këtë minimale. Ajo, minimalja në këto drama të Shatrollit është kryesisht psikologjike. Me personazhe që nuk arrijnë të dalin nga bota e tyre e traumës që i ka shituar në të prëhershmen e jetës së tyre.

Kryesisht janë dy karakteristika të dramës së Shatrollit që e bëjnë atë të veçantë dhe unik në kontekstin kosovar të dramës: tema dhe temat e dramave të tij, tejet unike dhe tejet të thella në kondensimin e komplekseve të traumës sonë kolektive, dhe (siç u cek më lartë) minimalistika e dramës së tij, që e intensifikon, frymëmarrjen e bartësve të këtyre temave.

Ndërtimi i dramës së Shatrollit nisë nga emrat e personazheve, si në dramën Frigoriferi, ku janë dy persona të njohur e të panjohur ndaj njëri tjetrit të gjendur spontanisht bashkë, e që janë Liria dhe Atdheu, dhe atë në kohë të luftës në Kosovë. Pastaj personazhja Karameli, në dramën me po të njëjtin emër, dhe Shkumësi personi i cili ka kaluar në këtë gjë, pra vetë personazhi i cili bartë traumën e tij personale të kaluar në deluzion total ndaj tërë kontekstit të tij.

Në këtë ndërtim pastaj vjen zbërthimi i tyre, shtjellimi dhe zhvillimi i tyre në skenë, duke e rrotulluar tërë këtë kondensim të – urrejtjes, të zemërimit, të traumës dhe të përkuljes së njeriut të drejtë ndaj dhembjes ardhur prej jashtë kontekstit të tij/saj – kondensimi duke u rrotulluar si një rubikon, por pa zgjidhje.

Më tutje në këtë ndërtim, sa më shumë që hyjmë brenda tij, shfaqet njëlloj loje unike e Shatrollit, ku personazhet shndërrohen, sikur persona me personalitete të shumfishta (si në dramën Shkumësi, P.sh.), dhe në këtë minimalizëm të intensifikimit të frymëmarrjes së dramës dhe personazheve, përmes vetëm dy personazheve merr pjesë i tërë konteksti.

Në këtë ndërtim të dramës së Shatrollit, sikur në dramën Shkumësi, hetuesi/psikologu/përkrahësi shnëdrrohet në vetë antagonistin e personazhit tjetër që vuan traumën e tij, që është një kondensim i urrejtjes përbrenda traumës në të cilën ai është i mishëruar. Ndërsa personazhi Shkumësi është duke u rrëfyer para këtij hetuesi dhe psikologu (thënë kushtimisht) vetë ky i fundit kalon në veprim të dhunshëm ndaj Shkumësit duke e marrë rolin e vetë antagonistit të tij.

Dhe në fund, të renditjes së këtij ndërtimi të dramës së Shatrollit, kemi njëlloj zbërthimi të këtij kondensimi të përfshirjes së traumës kolektive të një konteksti në një Shkumës të vetëm, kështu në dramën gjegjëse duke u luajtur vetë ky kondensim, si që u tha më lartë, si një rubikon i pa zgjidhje.

Duke i lexuar në radhë dramat Frigoriferi, Karameli, dhe Shkumësi, në të gjitha, para se të shohim se jemi përballë këtij rubikoni, në frymëmarrjen e dramës dhe personazheve të goditura nga fatkeqësia e patejkalueshme, përnjëherë gjendemi në një zhvendosje tejet mirë të luajtur në tekst, dhe aq më shumë të metaforizuar, si që është rrëfimi i personazhes Liria, në dramën Frigoriferi, ku ajo rrëfen të qenit e dhunuar personalisht përmes projektimit të zhvendosur në një plakë të vjetër, të dhunuar në mënyrën më banale dhe më brutale të mundshme.

Pastaj në dramën Karameli, që ka një temë tejet tejet të rëndë, si që është jeta e një ish-“shijuesi” të jetës jugsollave, me tërë dhunën e kryer ndaj shqiptarëve, që jeton me vajzën e tij Meli, adoleshente, gjë që është një jetë krejtësisht e çorientuar, e dezintegruar dhe e degjeneruar deri në pakthim. Mirëpo, prapë, si në lojën e dramave të tjera të Shatrollit, zhvendoset dhe projektohet e tërë dhembja e të qenit tradhtar në një kujtim të një shisheje vene (dhuruar nga vetë Titoja kryetari i ish Jugosllavisë) ndërsa çdo gjë ka shkuar në pakthim.

Pastaj në dramën, një prej më të realizuarave të Shatrollit, që është Shkumësi, zhvendosja është e projektuar në një obsesion të personazhit kryesor për të mbajtur panumër shkumësa në xhepat e tij, dhe për të mbishkruar në çdo gjë, jo ndonjë mençuri apo përvojë, por vetëm për të shkarkuar dramat që luhen në traumën e tij fiziisht dhe psikologjikisht.

E në të tri (dhe shumë të tjera të Shatrollit) drama, është e kondensuar urrejtja, si kyç dhe rubikon i pa zgjidhje, që duhet rrotulluar në të gjitha perspektivat e mundshme për të ruajtur së paku një njerëzi brenda traumës kolektive të panumër plagëve. Sigurisht duke kujtuar, në të gjitha këto drama, atë që ka mbetur jashtë kufijve të traumës edhe personale edhe kolektive.

Për fund, si metaforë, në dramën Shkumësi, shtjellohet një metaforë e një të riu hebre i lindur me frikën e pabartshme, por që në të vërtetë e din për secilën luftë e dhunë e cila ka ndodhur në historinë e botës. Në të vërtetë kjo ndodhë derisa po ky person brenda kësaj metafore gjendet brenda një muzeu, gjë që do të thotë është një muze që ecën brenda një muzeu përkujtues të Holokaustit ndaj hebreve. E në të vërtetë po ai rubikon që u cek disa herë këtu, i pa zgjidhje, i urrejtjes, në dramat e Shatrollit, është vetë obsesioni artistik i tij për ta parë atë ashtu si që është, dhe si është e mundshme të trajtohet, aq më shumë kjo lloj loje, dhe ky muze, është metafora artistike e Shatrollit, përpjekje për të krijuar një muze, të të gjitha perspektivave të traumës kolektive të kontekstit tonë, për të ruajtur dhe trajtuar, por pa e emëruar asnjërën nga këto trauma, dhe pa e pas marrë rolin e zgjidhjes së saj. Sikur ajo ka një zgjidhje, së paku, në këtë perspektivë aq të shkurtë kohore! E me kaq pak përpjekje nga të tjerët për të ndihumar të njëjtit.  / KultPlus.com

‘SOS International’: Shqipëria, destinacioni i preferuar evropian për pushime

Shqipëria po kthehet në destinacionin e preferuar evropian për pushime, duke tërhequr turistët falë bregdetit të saj të mahnitshëm, klimës së këndshme dhe çmimeve buxhetore.

Revista globale “SOS International” ndan këshillat e saj më të mira për atë që duhet të keni parasysh përpara udhëtimit tuaj në Shqipëri.

Shqipëria është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës”, një perlë e paprekur.

Gjithnjë e më shumë turistë nordikë kanë vizituar vendin ballkanik, i cili ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi.

Në “SOS International”, Shqipëria po lëviz në statistika. Vendet e preferuara janë Spanja, Greqia dhe Turqia, por Shqipëria – një destinacion i ri turistik po ofron standarte evropiane të shërbimeve – ku vizitorët nordikë mund të marrin ndihmë kur lëndohen ose sëmuren gjatë udhëtimit të tyre.

“Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës priti 7,26 milionë pasagjerë, një rritje prej 40% nga viti i kaluar, duke e bërë atë një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Rritja e vazhdueshme e turizmit dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve të aeroportit kontribuan në këtë performancë rekord.

Me Shqipërinë e njohur tashmë si një nga destinacionet e reja turistike të Evropës, një numër në rritje vizitorësh po vërshojnë në vend – për të përjetuar plazhet piktoreske, vargmalet e thyer malore dhe vendet historike.

Tirana, kryeqyteti, po fiton gjithashtu popullaritet – falë jetës së saj të gjallë të natës, festivaleve kulturore dhe atraksioneve historike.

Trashëgimia e pasur kulturore e vendit, peizazhet piktoreske dhe mundësitë në rritje të biznesit ka të ngjarë të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim, duke forcuar më tej rolin e Tiranës si një portë kyçe në Evropën Juglindore”, sipas “Travel and Tour World”. /atsh/ KultPlus.com

Rama prezanton mësueset shqiptare në Greqi: Vogëlushët do mësojnë gjuhën amtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua sot me shqiptarët e Selanikut.

Në fjalën e tij, Rama tha se vogëlushëve shqiptarë të Greqisë do të iu mundësohet mësimi i gjuhës amtare me tetë mësuese nga 50 që janë gjithsej, njofton Klankosova.tv.

“Pas takimit në Athinë, do te na ndihmojnë të iu qëndrojmë më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe. Janë këtu në Selanik, tetë nga 50 mësuesit e parë të rinj të gjuhës shqipe, me të cilët Ministria jonë e Arsimit do të lidhë kontratë pune për t’iu shërbyer dhe mësuar gjuhën tonë amtare vogëlushëve shqiptarë në Greqi. Dhe siç mund ta merrni me mend, janë tetë gra”, tha Rama.

Kurt Vonnegut: Si të shkruash me stil

Kurt Vonnegut (1922 – 2007), shkrimtar amerikan, ka botuar katërmbëdhjetë romane, dhjetë përmbledhje me tregime, pesë drama dhe vepra jo-fiksion gjatë një pierudhe prej pesëdhjetë e më shumë vjetësh. Një numër veprash i janë botuar pas vdekjes. Romani i tij më i njohur është ‘Thertorja e pestë’.

SI TË SHKRUASH ME STIL

nga Kurt Vonnegut

Reporterët e gazetave dhe shkrimtarët teknikë janë të trajnuar të mos zbulojnë pothuajse asgjë rreth vetvetes në shkrimet e tyre. Kjo i bën ata anormalë në botën e shkrimtarëve, derisa pothuajse të gjithë batakçinjtë e tjerë bojë-njollosës në këtë botë ua bëjnë të njohura lexuesve bukur fort gjëra rreth vetvetes. Ne i quajmë këto zbulime, aksidentale ose të qëllimshme, elemente të stilit.

Këto zbulime na tregojnë ne lexuesve çfarë lloj personi është ai me të cilin po e harxhojmë kohën. A tingëllon ai shkrimtar injorant apo i informuar, budalla apo i ndritur, i pandershëm apo i ndershëm, pa humor apo gaztor? E kështë me radhë.

Pse duhet ta ekzaminoni stilin e shkrimit tuaj me idenë e përmirësimit? Bëjeni këtë si shenjë respekti për lexuesit tuaj, çkado që të jeni duke shkruar. Nëse i shkarravisni mendimet tuaja në çfarëdo mënyre, lexuesit tuaj me siguri do të ndihen se ju nuk merakoseni fare për ta. Do t’ju damkosin si egomaniakë ose kokëçorbë, ose, më keq, nuk do t’ju lexojnë më.

Zbulimi më për dreq që mund të bëni rreth vetes është se nuk e dini çka është interesant e çka nuk është. A nuk është se ju vetë pëlqeni ose nuk pëlqeni shkrimtarët kryesisht për atë që ata zgjedhin të shfaqin, ose për atë që ju bëjnë ju të mendoni? A e adhuroni ndonjëherë një shkrimtar kokëbosh për mjeshtërinë e tij/saj të gjuhës? Jo.

Kësodore, stili juaj tërheqës duhet të fillojë me idenë në kokën tuaj.

Gjejeni një temë për të cilën e vrisni mendjen

Gjejeni një temë për të cilën e vrisni mendjen dhe për të cilën ju e ndieni në zemrën tuaj se duhet ta vrasin mendjen edhe të tjerët. Kjo vramendje e çiltër dhe lojërat tuaja me gjuhën, do të jetë elementi më bindës dje joshës në stilin tuaj.

Nuk po ju shtyj të shkruani roman, meqë ta fjala – megjithëse s’do të më vinte keq nëse e shkruani një sish, me kusht që ta vrisni mendjen çiltërsisht rreth ndonjë gjëje. Një peticion kryetarit të komunës rreth një pellgu përballë shtëpisë suaj, ose një letër dashurie fqinjes suaj do të ishte në rregull.

Mos u hallakat, megjithëse

Unë nuk do të hallakatem në lidhje me këtë.

Përmbajuni të thjeshtës

Sa i përket përdorimit të gjuhës: Mbajeni në mend se dy mjeshtër të gjuhës, William Shakespeare dhe James Joyce kanë shkruar fjali që janë pothuajse fëmijërore kur temat e tyre ishin më të thellat. «To be or not to be?», pyet Hamleti i Shakespearet. Fjala më e gjatë është e gjatë tri shkronja. Joyce, kur ishte në pupa, mund të përbashkonte një fjali të gërshetuar dhe vezulluese si gjerdani i Kleopatrës, por fjalia ime e preferuar nga tregimi i tij i shkurtër ‘Eveline’, është kjo: «She was tired». Në atë pikë në tregim asnjë fjalë tjetër s’do të mund ta copëtonte zemrën e lexuesit siç e bëjnë ato tri fjalë. Thjeshtësia e gjuhës jo vetëm që është e respektueshme, por mbase edhe e shenjtë. Bibla hapet me një fjali që do t’i kishte hije shkathtësisë së një të riu katërmbëdhjetëvjeçar: «Në fillim Zoti e krijoi qiellin dhe tokën».

Kini guximin të shkurtoni

Mund të jetë se ju, po ashtu, jeni të zotët të sajoni gjerdane për Kleopatrën, si i thonë fjalës. Por elokuenca juaj duhet të jetë shërbëtore e idesë në mendjen tuaj. Rregulli juaj mund të jetë ky: Nëse një fjali, s’ka rëndësi sa e shkëlqyeshme është, nuk hedh dritë mbi temën tuaj në një mënyrë të re, flakeni tutje.

Tingëlloni vetja juaj

Stili i shkrimit që është më i natyrshmi për ju ka pasur jehonë në fjalimet që i keni dëgjuar kur ishit fëmijë. Anglishtja ishte gjuhë e tretë për romancierin Joseph Conrad dhe ajo që duket më pikantja në anglishten e përdorur prej tij është pa dyshim e ngyrosur nga gjuha e tij e parë, që ishte polonishtja. Njëmend fatlum është shkrimtari që është rritur në Irlandë, se anglishtja e folur atje është aq mahnitëse dhe muzikale. Unë vetë jam rritur në Indianapolis, ku e folura e përditshme tingëllon si një sharrë që pret llamarinën e galvinizuara dhe përdoret një fjalor ornamental si çelës anglez.

Në disa vende shumë të thella të Appalachias fëmijtë rirten ende duke dëgjuar këngë dhe lokucione të periudhës elizabetiane. Po, dhe shumë amerikanë rriten duke e dëgjuar një gjuhë përveç anglishtes, ose një dialekt të anglishtes që shumica e amerikanëve nuk mund ta kuptojnë.

Të gjitha llojet e fluturave janë të bukura. S’ka rëndësi cila është gjuha juaj e parë, ju duhet ta ruani atë gjithë jetën. Nëse ndodh të mos jetë anglishtja standarde dhe nëse e manifeston veten kur jeni duke shkruar në anglishten standarde, rezultati është zakonisht i kënaqshëm, si një vajzë shumë e bukur me njërin sy të gjelbër dhe tjetrin të kaltër.

Unë vetë e shoh se i besoj shkrimit tim më së shumti, po edhe të tjerët duket se i besojnë më së shumti, po ashtu, kur tingëlloj si një person nga Indianapolisi, çka edhe jam. Çfarë alternativash kam? Ajo që rekomandohet më me vrull nga mësuesit s’ka dyshim se është kërkuar prej jush, pra: të shkruani si angezët e edukuar të një shekulli më parë a më shumë.

Thuajeni atë që mendoni ta thoni

Mësues të tillë ma patën nxjerrë shpirtin, por jo më. Tash e kuptoj se të gjitha ato ese të vjetra dhe tregime me të cilat duhej ta krahasoja punën time nuk ishin të mrekullueshme për datshmërinë a për huajën e tyre, por ngase thoshin saktësisht atë që autorët e tyre mendonin të thoshin. Mësuesit e mi donin që unë të shkruaja me kujdes, duke përzgjedhur gjithmonë fjalët më efektive dhe duke i lidhur fjalët me njëra-tjetrën pa i lënë vend ambiguitetit, në mënyrë të thuktë, si pjesët e makinës. Mësuesit nuk donin të më kthenin në anglez, pas së gjithash. Ata shpresonin të bëhesha i kuptueshëm – paskëtaj i kuptuar.

Kësodore ëndrrat e mia nisën të bënin me fjalë atë që Pablo Picasso bënte me bojërat, ose atë që çdo idol i jazzit bënte me muzikën e tij. Nëse unë do t’i shkelja të gjitha rregullat e pikësimit, sikur fjalët të nënkuptonin atë që doja të nënkuptonin dhe t’i bëja varg ashtu shkel e shko, thjesht nuk do të kuptohesha. Edhe ju, po ashtu, më mirë është të shmangni stilin e Picassos, ose stilin e shkrimit jazz, nëse keni diçka të vlefshme për të thënë dhe dëshironi që unë të jem i kuptuar.

Lexuesit tonë duan që faqet tona të duken bukur shumë si faqet që i kanë parë më herët. Kjo ndodh ngase ata vetë kanë një punë të rëndë për të bërë dhe iu duhet e gjithë ndihma që mund ta marrin prej nesh.

Mëshirojini lexueit

Ata duhet të indentifikojnë mijëra shenja të vockla në letër dhe t’ua gjejnë kuptimin menjëherë. Ata duhet të lexojnë, një zanat aq i zorshëm sa shumica e njerëzve nuk e zotërojnë përnjëmend edhe pasi që ta kenë studiuar gjatë gjithë shkollës fillore dhe të mesme – dymbëdhjetë vjet të gjata.

Pra ky diskutim duhet më në fund ta pranojë se opsionet tona stilistike si shkrimtarë janë as të numërta as të magjepsëse, meqë lexuesit tonë janë të destinuar të jenë artistë të papërsosur. Audienca jonë na e kërkon të jemi mësues simpatikë dhe të durueshëm, edhe duke dashur të thjeshtëzojmë dhe qartësojmë – kurse ne më parë do të donim të fluturonim lart mbi turmën, duke kënduar si bilbila.

Ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është se ne amerikanët qeverisemi nga një kushtetutë unike, e cila na e mundëson neve të shkruajmë çfarë të na e ketë ëndja, pa frikën e ndëshkimit. Pra aspekti më kuptimplotë i stileve tona, që është ajo që ne zgjedhim të shkruajmë, është krejtësisht i pakufizuar.

Për këshilla shumë më të hollësishme

Për një diskutim të stilit letrar në një kuptim më të ngushtë, në një kuptim më teknik, sjell në vëmendjen tuaj librin ‘The Elements of Style’, nga William Strunk, Jr; dhe E.B. White (Macmilla, 1979). E.B. White është, natyrisht, njëri prej stilistëve letrarë më të adhurueshëm që ky vend e ka lindur deri më sot. Duhet ta kuptoni po ashtu se askush s’do të merakoset sa mirë a sa keq e ka shprehur veten z.White, sikur ai të mos kishte gjëra përsosshmërisht magjepsëse për të thënë. /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Kamala Harris: Do të vazhdojmë mbështetjen për Kosovën

Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro amerikan, ku ndër të tjera ajo vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me SHBA. Në letër ajo thekson ndihmën amerikane edhe për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë ta japë, në qoftë se ajo do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

“Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, nis letrën e saj Kamala Harris.

Ajo vlerëson kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro amerikanëve, të cilët thotë se tashmë shqiptarët prej punëtorëve, bizneseve të vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, e kudo në shërbime publike.

“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.

Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët  shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.

Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Harris.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë prej komunitetit shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta” ka theksuar Kamala Harris.

“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, zëvendëspresidentja amerikane, e cila po pret votën e shtetasve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën, me 5 nëntor.

Kolonia e piktorëve në Korçë, pjesëmarrës 50 artistë nga trojet shqipfolëse

Për të pestin vit radhazi në Kolonjë mbahet kolonia e piktorëve.

Mbi 50 piktorë nga trojet shqipfolëse për tre ditë do të pikturojnë atraksionet turistike dhe pamjet më të veçanta që kjo krahinë fal. Sipas tyre, vjeshta e Kolonjës në telajo rri përherë mirë, shkruan euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

“Hera e parë në Kolonjë, vij nga Gjakova. Me pëlqen shume ky vend, kam vendosur pikturoj luginen. Vjeshta në Kolonjë ka ngjyra mahnitëse”, thotë piktori Besim Dedaj.

“Është hera e disatë që vij në Kolonjë, për mua është vend i njohur. Peizazhi në vjeshtë është mrekulli me vete. Unë vij nga Durrësi, shkurt është mrekulli. Është përfitim i dyanshëm, vende të tilla, me bukuri të tilla kanë nevojë për masivitet turizmi dhe është vlerë e dyanshme”, shprehet Arben Kristani

Në perfundim të këtij aktiviteti, piktorët do të kryejnë dy punime, teksa një prej tyre do i ngelet fondit të galerisë së artit në Kolonjë, një iniciativë kjo e krijuar nga Bashkia Kolonjë.

Bëje sidoqoftë!- poezi me mesazh tejet të fuqishëm

Poezi nga Shën Nënë Tereza
Përktheu: Agon Sinanaj

Në të shumtën e rasteve
Njerëzit janë të paarsyeshëm dhe egoist.
Fali, sidoqoftë.

Nëse jeni i mirë,
njerëzit mund t’iu akuzojnë
Se po e bëni për motive vetjake dhe të mëvonshme.
Bëhu i mirë, sidoqoftë.

Nëse jeni i suksesshëm,
do të fitosh disa miq të pabesë
Dhe disa armiq të sinqertë.
Bëhu i suksesshëm, sidoqoftë.

Nëse jeni i ndershëm dhe i sinqertë,
Njerëzit mund t’iu mashtrojnë.
Bëhu i ndershëm dhe i sinqertë, sidoqoftë.

Atë që keni krijuar me vite,
njerëzit, mund ta shkatërrojnë për një natë.
Krijo, sidoqoftë.

Nëse gjen paqe dhe lumturi,
disa mund t’iu xhelozojnë.
Bëhu i lumtur, sidoqoftë.

Të mirat që bëni sot,
do të harrohen shpejt.
Bëj mirë, sidoqoftë.

Jep gjithçka nga vetja,
Dhe nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme.
Jep gjithçka nga vetja, sidoqoftë.

Në fund të fundit,
kjo është mes teje dhe Zotit.
Nuk ka qenë kurrë mes teje dhe atyre, sidoqoftë./KultPlus.com

Rekord vizitorësh në Muzeun ‘Onufri’ në Berat, 90,355 turistë nga periudha janar-shtator

Muzeu Kombëtar i Ikonografisë “Onufri” në Berat ka regjistruar një numër të lartë vizitorësh gjatë periudhës janar-shtator, me 90,355 turistë vendas dhe të huaj.

Sipas Qendrës Muzeore Berat, vizitorët kanë arritur tre rekorde historike këtë vit, dhe shifra më e lartë ka kulmuar në muajin shtator prej 21,252 vizitorësh.

“Vazhdon rritja e qëndrueshme e vizitorëve vendas e të huaj në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri me plot 90355 turistë nga fillimi i këtij viti.

Në harkun e një viti janë 3️ rekorde historike në numra vizitorësh brenda një muaji, që kulmuan këtë shtator me 21252 vizitorë!”- bën me dije Qendra Muzeore Berat.

Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI.

Katedralja përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit./ KultPlus.com

“Rikthim, polifonia labe” në COD, kujtohet muzikanti i Pavarësisë, Bilbil Vlora

Bilbil Vlora një nga interpretuesit më të njohur të muzikës qytetare me saze, është kujtuar përmes aktivitetit “Rikthim, Polifonia labe” në Qendrën për Hapje dhe dialog.

Nëntori i festave kombëtare erdhi në kujtim të mjeshtrit dhe themeluesit të traditës muzikore me saze në Vlorë, ku një shekull më parë regjistroi në kompaninë diskografike “Columbia”, këngën e Selami Musait.

“Mjeshtri Bilbil Vlora ishte talent i përmasave botërore. Kontributi i tij lidhet me fytyrën identitare që duhet të kishte qyteti shqiptar që po dilte nga periudha e pas shpalljes së pavarësisë. Kur qytetet shqiptare filluan që të formësoheshin si qytetet, lindi nevoja që të kishin një muzikë popullore. Bilbil Vlora e kishte të vështirë për pjesën e Labërisë, sepse qytetet e Labërisë ishin më pak të zhvilluara se qytetet e tjera. Ky bëri të njëjtën gjë. Të gjithë muzikën e bukur e mori dhe i shndërroi në një lëndë të parë muzikore, për Vlorën”, tha Vasil Tole, etnomuzikolog, për mediat.

Aktiviteti u shoqërua me performancë muzikore dhe valle, ndërsa mjeshtrin Bilbil Vlora e kanë konsideruar si muzikantin e pavarësisë.

“Vepra mban brenda shpirtin e historisë, kujtesën e një populli he vazhdimësinë e një trashëgimie të çmuar. Kënga e Selam Musait që në vite është bërë simbol i krenarisë dhe qëndresës shqiptare vjen sot me një formë të re, e gjallë dhe plot shpirt”, u shpreh kompozitori Klodian Qafoku.

Gjetja dhe konservimi prej stërnipit i disa disqeve origjinale gramafoni të regjistruara nga Bilbil Vlora erdhi në kuadër të studimit të artefakteve kulturore në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë.

“E gjithë kjo fillon kur isha fëmijë dhe dëgjoja për stërgjyshin. Bëhesha shumë kurioz se çfarë ka bërë ky emër. Shkova në Korçë dhe dëgjoj për herë të parë zërin e tij dhe e kuptova madhështinë e tij. Të dëgjoje zërin e tij ishte diçka e papërshkruar”./ KultPlus.com

Gmail është përmirësuar – çfarë ka të re

Google ka përmirësuar Gmail me veçori dhe shkurtore të reja të Inteligjencës Artificiale (AI).

Google ka shtrirë fushatën “Më ndihmo të shkruaj” në Gmail për ueb, duke i lejuar përdoruesit të krijojnë ose modifikojnë emailet me ndihmën e Gemini AI.

Ashtu si funksionon në pajisjet celulare, përdoruesve do t’u paraqitet opsioni për të përdorur funksionin kur hapin një kuti të zbrazët të kompozimit të postës elektronike në Gmail.

Funksioni “Më ndihmo të shkruaj” i Google është i disponueshëm vetëm për përdoruesit me një abonim në Google One AI Premium ose duke përdorur shtesën Gemini për Workspace.

Përveç krijimit të një emaili, “Më ndihmo të shkruaj” mund të ofrojë gjithashtu sugjerime se si të formosh, zgjerosh ose shkurtosh mesazhin tënd.

Google gradualisht do t’u japë përdoruesve qasje në funksionin “Më ndihmo të shkruaj” në ueb, së bashku me një shkurtore të re për pajisjet celulare.

Një shkurtore e re, e quajtur “Përmirëso draftin tim” është e disponueshme për pajisjet celulare, si një zëvendësim për “Më ndihmo të shkruaj”. Dhe në vend të opsioneve për të formuar, zgjeruar ose shkurtuar mesazhin, ai do ta përpunojë automatikisht mesazhin kur të shtypet shkurtorja “polish”./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar bisedë përkujtimore mbi rolin e gruas në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit,” Muzeu Historik Kombëtar, së bashku me Institutin e Studimeve Ushtarake dhe forumin “Nderojmë dhe mbrojmë traditat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,” organizuan një bisedë përkujtimore në Qendrën e Artit “Agimi”.

Tema e këtij aktiviteti ishte “Roli i gruas në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.”

Në hapje të aktivitetit, studiuesi Jorgo Qirko prezantoi sekuenca filmike, duke rikthyer në kujtesë kontributin e grave në këtë luftë.

Studiues të fushës mbajtën kumtesa për të nderuar kontributin e grave: Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj: “Luftëtare, partizane dhe drejtuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare”; Drita Shehi: “Gruaja pezake në luftë”; Liljana Mero: “Udhëtimi i luftëtareve të lirisë për në Kongres të Gruas dhe përkujtimi pas 25 viteve të kongresit”; Gjinovefa Kadiu: “Gruaja në shtypin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”; Studiuesi Naxhi Kasaruho, Mjeshtër i Madh: “Këngët partizane vlerë e çmuar në kulturën tonë kombëtare”

Diskutimet e pjesëmarrësve theksuan rolin vendimtar dhe kontributin e çmuar të gruas shqiptare në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke nderuar me mirënjohje historinë dhe sakrificat e tyre./ KultPlus.com

‘Mos më lër vetë, kam shumë frikë të rri pa ty, është botë e egër’ (VIDEO)

Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur, që gjatë karrierës së tij i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik, shkruan KultPlus.

Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.

Sonte po e risjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. / KultPlus.com

Kamala Harris: Nga bijë emigrantësh, tek një emërim historik për presidente 

Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris vjen nga një prej zonave më të larmishme dhe liberale të Shteteve të Bashkuara. Siç njofton nga Oakland i Kalifornisë korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble, ajo e ka ndërtuar karrierën duke gërshetuar rolin si zyrtare e rreptë e zbatimit të ligjit me atë të reformatores me shikim nga e ardhmja.

Kamala Harris lindi në vitin 1964 dhe historia e saj fillon në lagjet e larmishme dhe progresive të Gjirit të San Franciskos.

Prindërit e saj emigrantë, Shyamala Gopalan nga India dhe Donald Harris nga Xhamajka, u takuan në Berkeley të Kalifornisë, ku të dy studentët e talentuar ndiqnin studimet pasuniversitare në Universitetin e Kalifornisë.

Universiteti Berkeley i viteve 1960 ishte një qendër e të drejtave civile dhe aktivizmit për paqen.

Zonja Harris ka thënë se ndër kujtimet e saj më të hershme janë kur merrte pjesë me nënën e saj në protesta.

Në vitin 1970, nëna dhe babai i saj u ndanë.

Shyamala Gopalan, me dy vajzat e saj, morën me qera një apartament në një zonë të Berkeley-t.

“Ata jetonin mbi një çerdhe fëmijësh, në një apartament modest me dy dhoma gjumi, me një banjë.”

Shoqja e fëmijërisë e zonjës Harris, Carole Porter e njohu atë në stacionin e autobusit të shkollës.

“Ne ishim grupi i dytë që i dhamë fund ndarjes racore në shkollat ​e ​Berkeley-t.”

Zonja Harris ndoqi Universitetin Howard, një kolegj historikisht afrikano-amerikan dhe më pas fakultetin juridik.

Në një kohë kur burgosja e burrave me ngjyrë në Kaliforni ishte në nivele rekord, ajo punoi si prokurore, një rol që shpesh shihet negativisht në komunitetin afrikano-amerikan.

“Ajo donte të sillte ndryshim në mënyrë që njerëzit të mos ndiqeshin penalisht bazuar në racizmin sistemik dhe strukturor.”

Në vitin 2002, zonja Harris hyri në garë për postin e Prokurorit të Qarkut të San Franciskos.

“Nuk kishte pasur kurrë më parë një prokurore qarku grua. Ajo erdhi nga pozita më e dobët, por që në fillim kishte diçka shumë të veçantë”, thotë Andrea Dew Steele, aktiviste demokrate për angazhimin e grave.

Zonja Harris fitoi garën e ngushtë dhe filloi të punojë për rritjen e dënimeve për krimet e dhunshme, ndërsa ata që dënoheshin për herë të parë për krime të lehta i drejtonte në programin e saj të rehabilitimit të quajtur “Back on Track”.

E zgjedhur Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010, ajo u bëri trysni bankave të paguanin 20 miliardë dollarë për praktikat mashtruese të huadhënies, luftoi tregtinë ndërkufitare të drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore dhe mbrojti barazinë për martesën.

Në vitin 2016, zonja Harris u zgjodh në Senat, ku u bë shpejt një zë i fuqishëm për çështjet e emigracionit, kujdesit shëndetësor dhe reformës së drejtësisë penale. Ajo u bë e njohur për pyetjet e saj të mprehta gjatë seancave dhe aftësinë e saj për të mbajtur përgjegjës udhëheqës të fuqishëm.

Por në garën për president të vitit 2020, fushata e zonjës Harris pati vështirësi mes kaosit në ekipin e saj.

“Padyshim që është folur për ndryshime të shpeshta në ekipin e saj, vështirësitë për të mbajtur njerëz të talentuar në orbitën e saj’”, thotë Gil Duran, ish-ndihmës i zonjës Harris.

Zoti Biden fitoi emërimin dhe në fund i kërkoi zonjës Harris të ishte kandidatja për nënpresidente. Të dy ata fituan dhe ajo u bë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë në atë post.

Përballë një fluksi të madh imigrantësh që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara, Nënpresidentja Harris u angazhua me udhëheqësit rajonalë për të trajtuar problemet e paqëndrueshmërisë dhe varfërisë në vendet e tyre.

Ajo u vu shpejt në shënjestër.

“Ajo ishte përgjegjëse për sigurimin e kufirit dhe nuk e di as nëse ka qenë ndonjëherë atje”, thotë republikania Kathy Willmont.

Zonja Harris është bërë më komode si përfaqësuese në skenën botërore, duke e vënë theksin tek mbështetja dhe qetësimin e tensioneve.

Dhe në një karrierë të karaketrizuar nga thyerja e barrierave dhe tejkalimi i pritshmërive, zonja Harris arriti edhe një majë tjetër, duke u bërë kandidatja demokrate për presidente kur Joe Biden u largua papritur nga gara./VOA/ KultPlus.com

Kabinat e drurit në Liqenin e Çekrezit, Rama ndan historinë e Vanit: Sot s’gjen asnjë bosh, atraksion për turistët nga e gjithë bota

Kabinat e drurit në liqenin e Çekrezit në Tiranë, janë kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorët mund të përjetojnë qetësinë që të fal natyra.

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë historinë e Vanit, i cili sipas kryeministrit, kishte vetëm çantën e kampingut në shpinë kur nisi të zbulonte natyrën e Shqipërisë, në këmbë, gjatë pandemisë.

“Nëpër ecjet e gjata, shtigjeve e maleve, zhvilloi idenë për të ndërtuar kabinat e drurit që gjenden mes kodrave të liqenit të Çekrezit, pak minuta larg Tiranës,” shkroi Rama, duke përshkruar se si kjo iniciativë është shndërruar tashmë në një destinacion të dashur për turistët.

Ai shtoi se “sot, është e vështirë të gjesh një prej tyre të lirë, sepse turistë nga e gjithë bota shkojnë çdo ditë për të kaluar natën nën yjet e këtij oazi magjik.”/ KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

“Fake News do na fundosë”: Clooney dhe beteja për të vërtetën

Duhet edhe më pak se një javë deri në zgjedhjet që do të vendosin për fatin e Amerikës dhe botës.

Dhe George Clooney ka zbritur në fushë.Aktori 63-vjeçar, mbështetës i demokrates Kamala Harris kundër Donald Trump, nuk shihet në dokumentarin me regjisor austriakun Friedrich Moser. Por, së bashku me Grant Henslov, ai është producent ekzekutiv i “Si të ndërtosh një motor të së vërtetës”, një projekt të cilin e ka fort për zemër. Domethënë, si të ndërtohet një motor i së vërtetës, kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, që sipas Clooney dhe filmit të tij po rrezikojnë seriozisht “qytetërimin tonë, në rrezik zhdukjeje”.

Ylli fitues i Çmimeve Oscar nuk ka dyshime: “Nuk ka pasur kurrë një moment më të rëndësishëm në histori për të folur për dezinformimin,” tha Clooney në prag të shfaqjes së dokumentarit.

“Friedrich na udhëzon nëpër këtë botë shumë komplekse, duke hyrë në detaje të jashtëzakonshme. Është si një tren që udhëton me shpejtësi të ngadaltë, të gjithë e dinë këtë, por askush nuk mund ta ndalojë. Por, këtë herë nuk do të mund të pretendojmë se nuk na kanë paralajmëruar”.

“Dezinformimi dhe gënjeshtra tani po bëhen diçka e pranueshme,” paralajmëron Peter Cochrane, profesor i Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, në fillim të filmit, “Ndjehem sikur po rilexoj artin e luftës të Sun Tzu, kur ai pretendon që për ta mposhtur armikun duhet ta ngatërrosh me dezinformim. Kjo është ajo që po ndodh edhe sot”.

Në një epokë në të cilën mediat sociale si X kanë ngadalësuar mjetet për parandalimin e lajmeve të rreme dhe ku vetë pronari i X, Elon Musk, u shpërndan 100 milion ndjekësve lloj-lloj broçkullash

Siç na thotë filmi “Si të ndërtoni një motor të së vërtetës”, teoritë e dezinformimit dhe konspiracionit kanë arritur nivele kolosale, të papara që nga vitet 1930. Dokumentari, përveç mbledhjes së opinioneve nga ekspertë dhe studiues të shquar, demonstron se si rrjedha e informacionit dhe “për rrjedhojë edhe mendjet e njerëzve dhe realiteti” mund të “hacker-ohen” shkencërisht.

Ka teknika të ndryshme, siç tregon gazetarja dhe aktivistja amerikane për shprehjen e lirë Susan Benesch. Për shembull, duke krijuar me vetëdije, me përdorues të tjerë, të ashtuquajturat “dhoma të jehonës” për të përsëritur në mënyrë obsesive mashtrimet dhe për të infektuar qarqet e tjera të diskutimit në internet, duke përsëritur lajmet e rreme që kështu shndërrohen në “superorganizma të gjallë dhe organikë”.

Ose, fabrikuesit e dezinformatave shfrytëzojnë mekanizmat e trurit tonë, siç është “sistemi i shpërblimit” mbi të cilin bazohet truri, i cili kapet në befasi kur nuk mund të parashikojë më ngjarje dhe në vend të kësaj tërhiqet nga rindërtimet imagjinare ose të rreme të ngjarjeve.

Ose përsëri, thonë ekipet investiguese të New York Times, ka aparate shtetërore dezinformuese, veçanërisht nga Rusia, siç tregojnë filmi dhe ekspertët e tij në rastet e masakrës së civilëve në Bucha ukrainase, ose në përdorimin e armëve kimike nga diktatori sirian Bashar al Assad.

Është një udhëtim shqetësues, i cili na shpjegon sesi mendjet tona mund të manipulohen dhe devijohen nga dezinformatat në nivele shkencore. Çfarë duhet bërë?

Në radhë të parë roli i gazetarisë mbetet qendror, “i vetmi subjekt që tani ka mjetet, kapacitetin dhe burimet për të provuar të mbrojë të vërtetën”. Dhe pastaj armatosja me shumë durim të përditshëm: “Të krijosh gënjeshtra është e thjeshtë dhe shpesh shumë e shpejtë. Megjithatë, rivendosja e së vërtetës kërkon shumë kohë dhe pasion”, thotë Tim Tangherlini, profesor në Berkley: “Na takon ne ta mbrojmë atë. Nuk mund të bëjmë më sikur nuk ka ndodhur gjë”. / bota.al/ KultPlus.com

OSHEE: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës, çdo lëvizje abuzive

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës.

Sipas OSHEE-së, skema e faturimit për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.

OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, i cili po diskutohet kohët e fundit është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE, si institucioni i ngarkuar me ligj për përcaktimin e tarifave në sektorin e energjisë.

“Orari pik” gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është: për periudhën 1 nëntor – 31 mars nga ora 18:00 deri në 22:00. Për periudhën 1 prill – 31 tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.

Vetëm gjatë “orarit pik”, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.

Koncepti i “energjisë pik” është një koncept ndërkombëtar, i përdorur në gjithë Europën dhe më gjerë. “Orari pik” është orari kur konsumi i energjisë është më i lartë dhe çmimi i energjisë në tregje është mjaft i lartë. Prandaj entet rregullatore ndërhyjnë me masa të tilla që të favorizojnë uljen e konsumit në këto orare.

Pas disa raportimeve në medie se prodhuesit e bukës do të rrisnin çmimin e bukës në treg, OSHEE sqaron se asgjë nuk ka ndryshuar nga data 1 nëntor. Vendimi i ERE për “energjinë pik” është i zbatueshëm që nga viti 2016 për gjithë subjektet private që kanë të instaluar matës inteligjent (vetëm matësit inteligjent janë të aftë të lexojnë konsumin sipas orareve).

Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv.

Sipas të dhënave nga OSHEE, aktualisht janë rreth 1600-1700 furra bukë të regjistruara si të tilla. Për sa i përket periudhës 2018-2024 mesatarja mujore e subjekteve furra buke të cilat janë tarifuar me “çmimin pik” është si më poshtë:

Për vitin 2018 janë tarifuar 11 subjekte; për vitin 2019 janë tarifuar 87 subjekte; për vitin 2020 janë tarifuar 86 subjekte; për vitin 2021 janë tarifuar 95 subjekte; për vitin 2022 janë tarifuar 120 subjekte; për vitin 2023 janë tarifuar 164 subjekte; për vitin 2024 janë tarifuar 194 subjekte.

Pra çmimi i energjisë në “orarin e pikut” ka filluar të zbatohet për furrat e bukës që nga viti 2016 dhe asnjeherë nuk ka patur ankesa për këtë tarifë.

Skema e tarifimit të energjisë elektrike për prodhuesit e bukës
Që prej muajit prill 2024 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të furrave të bukës. Edhe për këto tarifa është i zbatueshëm koncepti i “orarit pik”.

OSHEE sqaron se në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, me qëllim aplikimin e drejtë dhe jo diskriminues të çmimeve të energjisë elektrike te furrave te bukes, propozuan në ERE çmime të reja për furrat e bukës.
Këto çmime reflektonin situatën konkrete të biznesit të furrave të bukës, të cilat tashmë ushtrojne edhe aktivitete të kombinuara, si pasticeri, bar kafe, etj.

Kategoritë e miratuara nga ERE në muajin prill 2024 janë si më poshtë:

Kategoria I – vetëm furra buke/prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh.

Kategoria II – furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh.

Kategoria III – furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres), Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh.

OSHEE thotë se deri në prill të 2024-ës, për kategoritë II dhe III çmimi ka qënë 14 lekë/kWh, pra më i lartë se sa tarifat aktuale të miratuara nga ERE.

Çmimi për furrat e bukës nuk është rritur, ai subvencionohet nga shteti

OSHEE sqaron se çmimi i energjisë elektrike për furrat e bukës dhe kategoritë e bizneseve që prodhojnë produkte buke është i subvencionuar nga ana e shtetit.

Ky çmim nuk reflekton asnjë kosto të energjise dhe qeveria e subvencionon si një masë sociale për popullsinë.

Bashkëpunimi shumë i ngushtë me grupet e interesit, si Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumrave, ka sjellë një tarifim më të drejtë të subjekteve dhe mbështetjen e një konkurrence të ndershme ndërmjet kategorive të ndryshme të furrave të bukës.

Për sa i përket periudhës maj-shtator 2024, numri i subjekteve “furra buke” të cilat faturohen sot janë rreth 1600, të ndarë sipas tre kategorive.

Në kategorinë “furra buke” janë 480 subjekte; në kategorinë “furra buke dhe pastiçeri”, janë 865 subjekte, ndërsa në kategorinë “furra buke, pastiçeri dhe bar kafe” janë 222 subjekte./ KultPlus.com

Trump dhe Harris në Karolinën e Veriut, në fundjavën e fundit të fushatës zgjedhore

Demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump do të jenë sot në Karolinën e Veriut në një përpjekje për të siguruar mbështetje në shtetin fushëbetejë, ndërsa amerikanët i ndajnë vetëm tre ditë nga zgjedhjet presidenciale.

Kjo do të jetë dita e katërt me radhë që Nënpresidentja Harris dhe ish-Presidenti Trump vizitojnë të njëjtin shtet, në të njëjtën ditë, duke nënvizuar rëndësinë kritike të shtatë shteteve fushëbetejë, që kanë të ngjarë të jenë përcaktues për fatin e zgjedhjeve. Sondazhet tregojnë se në këto shtete, mbështetja për ta është pothuajse e barabartë.

Më shumë se 70 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, sipas Laboratorit Zgjedhor në Universitetin e Floridës, më pak sesa shifrat rekord të shënuara në votimin e hershëm në vitin 2020 gjatë pandemisë së COVID-19, por gjithsesi tregues i një niveli të lartë të entuziazmit mes votuesve.

E shtuna shënon ditën e fundit të votimit të hershëm në Karolinën e Veriut, ku deri tani janë hedhur mbi 3.8 milionë vota. Zgjedhjet po mbahen ndërsa pjesa perëndimore e shtetit vazhdon ende me përpjekjet për t’u rimëkëmbur pas përmbytjeve vdekjeprurëse të shkaktuara nga uragani Helene.

Zonja Harris planifikon të paraqitet krah yllit të muzikës rrok Jon Bon Jovi në Charlotte, qyteti më i madh i Karolinës së Veriut, që sikurse Xhorxhia ka 16 vota elektorale, dhe renditen në vendin e dytë për nga numri i tyre, mes 7 shteteve fushëbetejë. Që një kandidat të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale duhet të që të sigurojë të paktën 270 vota elektorale nga 538 gjithësej.

Karolina e Veriut mbështeti zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por në të njëjtën ditë zgjodhi një guvernator demokrat, duke u dhënë shpresë të dyja palëve.

Ne kemi një mundësi në këto zgjedhje për të kthyer faqen e një dekade me Donald Trump-in, i cili ka shpenzuar gjithë kohën e tij duke u përpjekur që amerikanët t’i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit”, tha zonja Harris në një tubim në Janesville të shtetit Uiskonsin, të premten.

Zoti Trump do të mbajë një takim elektoral në Gastonia, në perëndim të Charlotte në mesditë, përpara se të flasë në mbrëmje në arenën “First Horizon Coliseum”, me një kapacitet prej 22 mijë vendesh në qytetin Greensboro.

Këto zgjedhje janë një zgjedhje mes asaj nëse do të kemi edhe katër vite të tjera paaftësie dhe dështimi të rëndë, apo do të fillojmë katër vitet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë”, tha zoti Trump para një turme njerëzish në Miçigan të premten. /REL/ KultPlus.com

Arkitekti Ricardo Santonja përmes fotografive sjellë Spanjën bashkëkohore në Tiranë

Një seri fotografish të realizuara nga arkitekti Ricardo Santonja rrëfejnë evolucionin e një Spanje bashkëkohore e cila në shekullin e XXI-të ka ditur të përshtatet me kohët e reja, duke krijuar infrastruktura themelore për komunikimin dhe funksionimin e një vendi.

Ndërtesa nga më të njohurat në Spanjë sa i përket arkitekturës së tyre, vijnë përmes fotografive në ekspozitën “Arkitektura emblematike në Spanjën Bashkëkohore”.

Fotografitë janë ekspozuar për publikun në galerinë FAB, duke shënuar hapjen e Javës Kulturore Spanjolle në Tiranë.

“Arkitektura i çon përpara vendet. Shihet dëshira e njerëzve për të përparuar nëpërmjet arkitekturës. Përmes këtyre arkitekturave do të shikoni se si Spanja kë kaluar përmes një tranzicioni dhe ka arritur përmes demokracisë një arkitekturë të vlerësuar në të gjithë botën.”, – u shpreh fotografi dhe studiuesi Santonja, raportojnë mediat.

Fotografia si një mjet për komunikimin e punës njerëzore dhe e trajtuar si një art plastik nga fotografi dhe studiuesi Ricardo Santonja, tregon një mënyrë të re të të kuptuarit të territorit spanjoll.

Ricardo Santonja është profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës të Madridit – Upm, i Departamentit të Ideimit Grafik Arkitekturor, artist plastik dhe fotograf profesionist i specializuar në arkitekturë dhe inxhinieri./atsh/ KultPlus.com

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe, po shikohet mundësia për të aplikuar në Guinness

Këtë të shtune në Has të Prizrenit po mbahet për herë të dytë Darka e Lamës, që nga banorët vendas njihet edhe si “Darka e bereqetit”.

Për këtë ditë të shënuar për ta, banorët e kanë përgatitur një fli me diametër prej dy metrave, e që është hera e parë me këtë madhësi.

Për ta bërë këtë fli, u deshën rreth 4 orë, e organizatori Haziz Hodaj, tha për Klan Kosovën se janë duke shikuar mundësitë për të aplikuar për Librin Guinness, për shkak të madhësisë së saj.

Për pjekjen e flisë është dashur që tepsia dhe saçi të bëhet ekstra, e në fund të organizimit, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e preu flinë dhe të pranishmit e patën mundësinë ta shijojnë atë.

Në këtë festë pati edhe pika artistike me këngë dhe valle./ Klan Kosova/ KultPlus.com

Natë çame

Poezi nga Bilal Xhaferi

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.

U botua në revistën “Krahu i shqiponjës”
nr.2, 1997 me pseudonimin Kiman Halil Çami/ KultPlus.com

Velijaj viziton kantierin e Teatrit të Ri: Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut

Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të shpejta, teksa pritet që brenda vitit 2025 të përfundojë karabinaja e godinës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, së bashku me një grup kritikësh, drejtorë teatrosh dhe gazetarësh nga vende të ndryshme të Europës, vizituan kantierin e Teatrit të Ri, si dhe njohën vizitorët me projektin dhe ecurinë e punimeve.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Teatri i Ri do të jetë njësoj me teatrot e tjerë të Europës dhe do të mirëpresë artistët dhe publikun siç i ka hije. Ai shtoi se vendi ecën përpara vetëm duke parë nga e ardhmja.

“Është një kënaqësi e veçantë që pritëm një grup njerëzish që merren me teatër, që prodhojnë art dhe kulturë, nga dhjetëra teatrot e Europës, të cilët panë se si edhe në Tiranë arti dhe kultura prodhojnë ekonomi, njësoj siç ne shohim që kjo ndodh në Itali ose në Greqi. Ne duam të provojmë se edhe në Tiranë, të qenit Kryeqyteti Europian i Rinisë, pastaj Qyteti Europian i Sportit, por sidomos vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, prodhon ekonomi për vendin. Jo vetëm ata që punojnë në industrinë teatrore, por edhe turistët, apo ata që vijnë si spektatorë, konsumojnë, qëndrojnë në hotele, prodhojnë energji ekonomike për qytetin. Ne duam ta kthejmë 2025 në një histori suksesi edhe për Teatrin e Ri, i cili të paktën vitin tjetër të mbarojë si ndërtesë. Duam që vitin kur Tirana të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut të shkëlqejë po njësoj si me titujt e tjerë. Fakti se në Tiranë do të vijnë të gjitha trupat e Mesdheut, na jep një mundësi që, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Teatrin Kombëtar dhe Bashkinë e Tiranës, të tregojmë më të mirën tonë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Teatri i Ri po ndërtohet për 100 vitet e ardhshme. “Sa më shumë afrohemi drejt Bashkimit Europian, të asaj që është vizioni “Shqipëria 2030”, aq më shumë duhet të evropianizohet çdo hapësirë. Edhe pjesa e Teatrit të Ri, pavarësisht se gjithmonë do të ketë debate për ndryshime, ndryshimet gjithmonë provokojnë një diskutim publik. Në fund ne duhet të marrim vendime dhe duhet t’i kemi teatrot njësoj siç i ka Bashkimi Europian, me ajër të kondicionuar në verë dhe me ngrohje në dimër. Kjo do të thotë se po ndërtojmë një teatër për 100 vitet e ardhshme, jo për 100 vitet e shkuara. Vetëm duke parë nga e ardhmja, vetëm duke ecur përpara, mund të prodhojmë histori suksesi. Unë jam i privilegjuar që Bashkia e Tiranës ka mbështetur këtë super paraqitje të këtij bashkimi, të kësaj energjie të jashtëzakonshme kreative, të teatrove të Shqipërisë edhe të Kosovës. Më vjen mirë që kjo kornizë, kjo tablo, ka qenë sot përballë gjithë përfaqësuesve të teatrove europiane. Ka qenë edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar se ‘Po’, në këtë qytet ka debat, por në këtë qytet merren edhe vendime për të ecur përpara”, nënvizoi Veliaj.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha tha se me Teatrin e Ri, Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore. “Patëm mundësinë t’i prezantojmë kantierin e Teatrit të ri Kombëtar një grupi të madh me kritikë, gazetarë dhe drejtorë teatrosh nga e gjithë Europa, të cilët kanë ardhur këto ditë në Tiranë për të ndjekur ‘showcase’ e teatrit shqiptar dhe kosovar. Është një nga aktivitetet më të rëndësishme, ndoshta më unik, në historinë e teatrit shqiptar, që kaq shumë njerëz që merren me teatër të shohin, të vlerësojnë dhe të njohin  kulturën tonë, sigurisht me perspektivën se kjo vizitë do të kthehet dhe do të përkthehet në bashkëprodhime, në pjesëmarrje, në festivale. Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore, me shpresën se në momentin kur Teatri i Ri do të jetë në funksion, e gjithë kjo do të përkthehet në një fluks të jashtëzakonshëm të cilësisë së teatrit”, u shpreh Basha./atsh/ KultPlus.com