Ms. Indefinite prezantoi premierën e “Vitruvian Woman”, Halimi: Mjeshtëri e rrallë

Ms. Indefinite  së fundi ka prezantuar video-performancën e “Vitruvian Woman”, ku në këtë prezantim ka marr pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

Halimi e ka vlerësuar këtë projekt që është edhe angazhim për temat e barazisë gjinore, po nëpërmjet artit.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Halimit.

Në premierën e video-performancës “Vitruvian Woman” të artistes Ms. Indefinite është një vlerësim i veçantë për angazhimin e saj të thellë ndaj temave të barazisë gjinore përmes artit.

Me mjeshtri të rrallë, ajo sfidon dhe riformulon një nga figurat më ikonike të historisë së artit, “Vitruvian Man” të Leonardo da Vincit, duke e dekonstruktuar atë përmes një qasjeje feministe.

Në histori, “Vitruvian Man” përfaqëson idealin e njeriut dhe përsosmërinë fizike, një imazh që ka dominuar shekuj të tërë në artin perëndimor.

Megjithatë, Ms. Indefinite e zhvendos këtë balancë të përsosur në një kontekst të ri “Vitruvian Woman”, ku lëvizja bëhet një metaforë për sfidat dhe pabarazitë me të cilat gratë përballen çdo ditë. Një pasqyrim i dinamikës së pabalancuar që përcakton përvojën e grave në shtëpi dhe shoqëri.

Në këtë performancë, artistja përdor gjuhën vizuale për të ngritur zërin kundër normave gjinore që kufizojnë dhe përcaktojnë rolet e grave dhe burrave.

“Vitruvian Woman” nuk është vetëm një riinterpretim i artit klasik, por një thirrje për drejtësi dhe barazi, një akt proteste që flet për të drejtat e grave, përmes lenteve të një arti me qëllim të fuqishëm transformues./ KultPlus.com

Katër trëndafilat e kuq apo “lufta” artistike me varësinë

Albana Beqiri

“Katër trëndafilat” ishte shfaqja e parë e edicionit të XI të festivalit tradicional “Summer cult” i cili i kushtohet regjisorëve të rinj dhe punës së tyre.

Me tekst të dramaturges dhe shkrimtares së njohur amerikane Julia Cameron regjisorja e re kosovare Erleta Rexhepi solli një lexim interesant regjisorial të këtij teksti të luajtur në skena botërore.

Me një skenografi pothuaj minimaliste të bazuar në tre konstruksione luhajash (me nga dy sosh në secilin konstruksion) që lëviznin nga vetë aktoret duke ndërruar hapësirat skenike (herë ambient i përbashkët në një qendër rehabilitimi, herë dhoma private të pacienteve, herë dhoma e mjekes etj) shfaqja mëton të sjellë te publiku dramën e katër femrave të cilat kanë probleme të pranuara ose jo prej tyre me varësinë ndaj alkoolit, barnave dhe drogës.

Asgjë nuk është ashtu si duket. As jeta e katër femrave që luftojnë me varësinë e tyre, ndonëse fillimisht nuk e pranojnë këtë varësi. Shfaqja fillon kur aktorja e njohur Mara, një yll i dikurshëm, hyn në Qendrën e Rehabilitimit “Katër trëndafilat” dhe fillon të trajtojë problemin e saj të fshehur gjatë gjithë jetës me alkoolin. Aty gjen edhe tre paciente të tjera, të cilat fillimisht reflektojnë psikologjinë e rënduar të të burgosurave. Ndonëse luhajat si të vetmet rekuizita me të cilat ato shërbehen deri në fund të shfaqjes (ndonjë rekuizitë tjetër si valixhet, lapsat e fletët e vizatimit, trëndafilat etj përdoren aty për aty) ta krijojnë përshtypjen e një lirie të rrejshme për shkak të luhatjes në ajër, ndërkaq njëherazi reflektojnë një atmosferë të rënduar burgu.

Nuk janë vetëm katër femra të zakonshme që ndajnë hapësirat e një qendre rehabilitimi, por më shumë se aq, janë katër femra që në një mënyrë apo në një tjetër luftojnë me demonët e tyre, fillimisht duke mos i pranuar, pastaj duke i fshehur, duke i ikur kokës së problemeve e vetëm krejt në fund fare duke u ballafaquar me to. Krejt ky udhëtim i tyre i vështirë brenda thellomave të shpirtit, vetëdijes dhe nënvetëdijes së tyre mbushur përplot trauma, pasiguri dhe frustrime të shumta bëhet nën monitorimin skrupuloz të një mjekeje, ende të dashuruar me të shoqin e vdekur nga përdorimi enorm i alkoolit. Dr. Rose, edhe ajo vetë një ish alkooliste nxit “shpërthimin” emocional të pacienteve të vetëndrydhura nga mohimi i sëmundjes. Po, sipas dr. Rose abuzimi me alkoolin, substancat narkotike apo barnat e paautorizuara është sëmundje, një sëmundje reale shërimi i së cilës kërkon fuqi të madhe psikologjike e emocionale.

Një aktore e njohur pas qëndrimit prej Dive të së cilës maskohet bukur një personalitet i shkatërruar është një alkooliste; Lili, një bionde e bukur- lodër seksi e fiksuar pas seksit dhe alkooliste; Sheila një shtëpiake në dukje e butë, e cila mohon varësinë e saj ndaj barnave me recetë e të cilën ka qenë i shoqi ai që e ka detyruar të trajtohet dhe Dawne një adoleshente vetë-shkatërruese me një familje që nuk tregon kujdes për të, me probleme shumë serioze inati e varësi nga heroina, e cila po ashtu ka probleme me vetëvlerësimin ndonëse ka talent në vizatim. Katër femrat e mësipërme përmes dialogjeve të ngjeshura shpërfaqin problemet e tyre të shumta. Nga ana tjetër, dialogjet në vetvete më shumë i ngjasojnë një serie rrëfimesh që zbulojnë anën e errët të jetëve të atyre femrave. Abuzuesit (bashkëshortët jobesnikë, prindërit indiferentë e të painteresuar) ndonëse janë pjesë e dramës që zhvillohet brenda mureve ku u janë “burgosur” të afërmet e tyre, ata gjithsesi mbeten personazhe abstraktë që japin e marrin me personazhet realë vetëm përmes sjelljeve të tyre abuzive.

Dr. Rose dhe ndihmësja e përkushtuar, infermierja Curry (kjo e fundit kishte pasur nënën alkooliste) janë aty, pjesë e rëndësishme e asaj drame ku të gjithë personazhet kishin një emërues të përbashkët: historikun e varësisë nga alkooli, barnat apo drogat. Fati i bashkon në qendrën rehabilituese për t’ i vënë para sprovave të reja: përballjen me problemin dhe sfidat e shumta të shërimit.

Aktoret Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari dhe Erza Sejdiu të cilat mbartën peshën e krejt shfaqjes realizuan role që i folën publikut, i rrëfyen pasiguritë e traumat e bartura nga jetët përtej atyre mureve (imagjinarë) të asaj qendre rehabilituese.

Trëndafilat e kuq, ishin rekuizita interesante që i rrinin mirë skenografisë minimaliste të realizuar nga Bekim Korça, në duart e personazheve ata shndërroheshin në simbol të shërimit. Katër paciente me probleme varësie- katër trëndafilat e kuq! Edhe kostumografia që mbante firmën e Njomëza Lucit ishte ideuar e realizuar në frymën e atmosferës së shfaqjes.

Për fund mund të themi se, në tërësinë e saj, shfaqja “Katër trëndafilat” i ka të gjitha premisat ta sfidojë indiferencën e publikut të teatrit./ KultPlus.com

Gazeta franceze për Pashko Vasën: Njeriu i duhur në vendin e duhur

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  11 Gusht 2017

Gazeta franceze, « Journal des débats politiques et littéraires – Paris », ka botuar, të mërkurën e 16 majit 1883, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me emërimin e Pashko Vasës guvernator të Libanit.

Lideri shqiptar njihej në mjediset politiko–diplomatike osmane dhe perëndimore si një njeri i talentuar për të drejtuar poste me përgjegjësi të lartë.

Shkrimi në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – dëshmon qartësisht se sa i vlerësuar ka qenë atdhetari shqiptar tek të huajt :

Na shkruajnë nga Konstandinopoja, 8 maj :

« Sot, supozojmë të marrë fund, dhe seriozisht kësaj here, çështja e Libanit. Nga mbledhja e organizuar më parë, diçka do të dalë në dritë, dhe Vasa Efendi me shumë mundësi do të marrë në mënyrë unanime votat e ambasadorëve, sepse ai është kandidati i propozuar.

Të shtunën, Arif Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme, thirri në një takim të jashtëzakonshëm në Portën e Lartë krerët e misioneve dhe i njoftoi se kandidati i propozuar ishte Vasa Efendiu.

Përfaqësuesit e Francës, Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë pranuan, pa hezitim, e pa u vonuar, këtë kandidaturë. Vetëm, ambasadori i Rusisë dhe i ngarkuari me punë i Anglisë dëshironin një ‘ad referendum’ (mendimin e qeverive të tyre) ; Por besojmë se udhëzimet që ata do të marrin do të jenë të favorshme për këtë emërim ; Pra, Vasa Efendiu do të jetë pasardhësi i Rustem Pashës.

Vasa Efendiu është shqiptar. Këshilltar i vilajetit të Adrianopojës, prej disa vitesh, ai ka fituar simpatinë e të gjithë qytetarëve të saj, si myslimanë dhe të krishterë. Autor i dalluar dhe madje poet në gjuhën shqipe, Vasa Efendiu është gjithashtu një administrator  i ndershëm, i zgjuar, plot meritë, vendosmëri dhe energji, dhe me padyshim, ai do t’i përmbushë detyrat e tij të reja për të mirën e të gjithëve ; Ai është, ashtu siç thonë anglezët : « The right man in the right place » (Njeriu i duhur në vendin e duhur). Kjo zgjedhje është më e mira nga çdo këndvështrim ; Shqiptarët ishin krenarë dhe të lumtur që sulltani zgjodhi njërin prej tyre për të përmbushur këto funksione të rëndësishme. Mënjanimi i Bib Dodës i pati zhgënjyer disi. Vasa është ende njëri prej tyre, dhe ata vetëm se mund të krenohen për këtë zgjedhje. Pra, incidenti libanez mori fund, Rustemi u zëvendësua, kandidati i sulltanit u pranua dhe shqiptarët janë të kënaqur ; Secili prej tyre është i kënaqur : vetëm anglezëve u vjen keq për Rustemin ; Ata kanë shumë kënaqësi të tjera si kompensim. » / KultPus.com

Zbulime arkeologjike të reja në Antigone, misioni shqiptaro-italian identifikon katër faza banimi përreth zonës së Agorasë

Misioni shqiptaro- italian synon të sqarojë dy momente themelore nga pikëpamja kronologjike, banesat dhe stili i jetës gjatë periudhës helenistike dhe lidhja e kësaj periudhe me ndërtimet dhe jetën pararendëse në Antigone.

“Është një projekt që planifikohet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Rezultatet janë të kënaqshme. Jemi fokusuar kryesisht në topografinë e qytetit, urbanistikën dhe kemi kryer gërmime të cilat kanë nxjerrë në dritë dy banesa të reja të panjohura më parë. Kemi identifikuar tre e ndoshta katër faza banimi. Kjo ekspeditë shërben edhe si një trajnim për studentët shqiptarë dhe italianë, pra është një bazë për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Puna jonë në terren ka ndikuar në shtimin e monumenteve dhe kjo ngjall interesin e banorëve lokalë dhe turistëve që vijnë në Antigone”, thotë Sabrina Veseli, bashkëdrejtuese e misionit.

Profesor Perna nga universiteti i Macheratës flet për qëllimet komplekse të kësaj ekspedite që nga topografia e qytetit antik, raporti i ndërtimeve me territorin dhe fazat e ndryshme të jetës që ishin pak të njohura deri tani.

80-90 struktura të reja i shtoi hartës topografike ky mision si edhe disa periudha të panjohura të jetës duke nisur nga shek V-IV pk.

“Po përfundojmë fazën e katërt të gërmimeve në Antigone së bashku me kolegët shqiptarë. Është një ekspeditë shumë e rëndësishme që po ju jep përgjigje disa pyetjeve të projektuara më parë. Gërmimi nuk synon thjesht strukturën e banesave por tani po zbulojmë Antigonenë para se të ndërtohej Antigonea, pra çfarë kishte këtu para se Pirro të vendoste të ndërtonte këtë qytet të bukur dhe ortogonal dhe të organizuar siç e shohim sot. Dhe në fakt kemi evidentuar faza të jetës para kësaj periudhe që tani do të duhet të eksplorohen më tej. Gjithashtu po punojmë në agora për të kuptuar si ishte e organizuar agoraja, cilat ishin godinat që e rrethonin si dhe kronologjinë historike të tyre. Po konkludojmë kështu mbi një panoramë të re topografike të qytetit duke evidentuar gati 80-90 struktura arkeologjike të panjohura më parë”, thotë Roberto Perna.

Gërmimet deri tani kanë siguruar gjetje me vlerë të periudhës para helenistike ndërsa misioni do të kryejë sondazhe vitet në vijim në funksion të kërkimit të tempujve, sheshit qendror dhe teatrit./tema/KultPlus.com

‘O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush te ka qitë me krye n’hi’

Poezi e shkruar nga Pashko Vasa.

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

“Vepro gjelbër tani dhe për të ardhmen”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut me mesazhe humanizmi

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut nisi të hënën në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi.

Artistë, kineastë, shkrimtarë dhe diplomatë morën pjesë në ceremoninë e hapjes që e priti publikun me tinguj muzikë të luajtur nga banda muzikore e personave me aftësi të veçanta  “The door”.

Duke prezantuar temën e sivjetshme të festivalit, “Vepro gjelbër tani dhe për të ardhmen” drejtori ekzekutiv, Kujtim Çashku, ua la skenën miqve dhe partnerëve të festivalit ndërsa përshëndeti artistët e veçantë.

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se në një botë të polarizuar, kinemaja ofron një mundësi unike, për të zhvilluar humanizmin dhe për të marrë veprime kolektive për të mirën e përbashkët, ndaj nuk është rastësi që Bashkimi Europian është partner i festivalit.

“Tema e festivalit është një kujtesë e fuqishme, për përgjegjësinë për të mbrojtur planetin, sepse kemi vetëm një planet. Programet në Shqipëri theksojnë rëndësinë e gërshetimit të zhvillimit ekonomik me qëndrueshmërinë afatgjatë dhe me ruatjen e biodiversitetit”, u shpreh Gonzato.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se festivali e ka bërë Kinostudion nga vend periferik në një epiqendër  të një debati, të një diskutimi, të një provokimi të mendimit intelektual.

“Ndonjëherë filmi na sjell realitete të largëta afër, na sjell atë që ndodh në Ukrainë dhe barbarizmin e agresionit rus. Gjërat që në përditshmërinë tonë janë të padukshme një film i nxjerr në pah dhe na provokon të gjithëve edhe në vendimmarrje”, theksoi Veliaj.

Filmi suedez “Blix not bombs” nga Greta Stocklassa çeli siparin duke sjellë në vëmendje rolin e diplomatit Hans Blik në raportet mbi  Irakun në vitet 2000 dhe çështjen e armëve të shkatërrimit në masë.

41 filma do të shfaqen në Tiranë, në COD, te Marubi, në kinemanë “Maks Velo”, te Akademia e Sigurisë, te shkolla e Magjistraturës, te Autoriteti i dosjeve etj,  duke sjellë në vëmendje përmes këtij festivali perceptime dhe reflektime, mbi njeriun, ligjin dhe shtetet./atsh/KultPlus.com

Andrra ime

At Zef Pllumi

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:
sa pamje shpartalle, skelete pa brumë. 
Flluska sapuni me shkumbë. 
Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite, 
që t’hedhin n’mendime vite me vite. 
Nji send un e dij:
se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

Mbarë token e due, si fushen, si malet
livadh të qëndisun me lulet e lajlet, 
ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë
nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;
ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje
që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull, 
ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:
ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë
pa ju versulë flakurim ndoj skifter. 
Due njerzit, due popujt bashkuemun unji
Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

Ket andërr ka pa shumëkush para meje
n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje. 
Dhe prap un e dij:
Se u vunë vulën e zezë: utopi!…

Arsyeja dhe zemra njerzore, 
që n’kohnat e lashta antike, 
andrruene për nji:
“Republikë platonike”.
-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore
mbiemnin ja vunë edhe ksaj:
utopike!

E s’voni n’epokat e reja, pa pra
n’shkreti shungulloi persritun nji za:
“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!
Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”
Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar, 
Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë, 
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele, 
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele, 
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna, 
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.

Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir, 
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës, 
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës, 
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore, 
Zemra e Dashunija! /KultPlus.com

199 vite nga lindja e poliglotit, shkrimtarit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës

Sot janë bërë 199 vite nga lindja e shkrimtarit, poetit, poliglotit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës, shkruan KultPlus.

Pashko Vasa u lind në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe ishte i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes.

Mësimet e para i kreu në vendlindje. Më pas shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij dhe të zhvillohej si poliglot (njohës i shumë gjuhëve të huaja) në italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Ai poashtu kishte njohuri në anglisht e serbisht dhe më vonë mësoi edhe arabishten.

Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.

Ai qe pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:

«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»

Pashko Vasa vdiq në Bejrut, më 29 qershor 1892.

Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës./KultPlus.com

Ndërhyrje restauruese në objekte unikale të trashëgimisë tonë kulturore

 Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se po punohet për zbatimin e projektit “Përmirësim i turizmit potencial kulturor, nëpërmjet ndërhyrjes në sitet e trashëgimisë kulturore në Voskopojë”, për ndërhyrjet konservuese-restauruese në katër objekte unikale të trashëgimisë tonë kulturore në Voskopojë dhe Vithkuq, përkatësisht në Kishën e Shën Prodhromit, Kishën e Shën Marisë, Kishën e Shën Mëhillit, Kishën e Shën Pjetrit dhe Pavlit.

Punimet për konservimin e pikturave murale, të cilat po kryhen nga restauratori Adrian Çene dhe ekipi i tij, konsistojne kryesisht në ringjitjen e shtresave pregatitore, konsolidimin e pelikulit piktorik, pastrimin nga depozitimet dhe mbushjet e çarjeve.

Specialistët e Sektorit të Artit në IKTK po ndjekin në vijimësi nga afër zbatimin dhe ecurinë e këtyre ndërhyrjeve. Financues i ketij projekti eshte Fondi Shqiptar i Zhvillimit./atsh/KultPlus.com

“The Travel”: Shtatë arsye pse duhet të vizitoni Shqipërinë në vend të Italisë

Italia është një vend i bukur me plazhe të mrekullueshme, vargmale të mëdha malore, qytete mahnitëse mesjetare dhe kuzhinë të jashtëzakonshme, sipas një artikulli të botuar në revistën “The Travel”.

Megjithatë, të gjitha këto mund të jenë të pavlefshme – në krahasim me vendet e tjera më të qeta evropiane që janë gjithashtu alternativa më të lira si Shqipëria, e cila ndodhet më në jug të kontinentit.

Shqipëria është një vend ballkanik që krenohet me natyrën e pacenuar, plazhet mahnitëse, qytetet e mrekullueshme, historinë interesante, përballueshmërinë dhe vendasit miqësorë.

Mikpritja në Shqipëri nuk mund të krahasohet me një vend si Italia, pasi familjariteti dhe personaliteti që ndajnë shqiptarët vendas është i jashtëzakonshëm.

Në vend që të zgjidhja vendet tipike për pushime si Italia, vendosa të shkoj në zonat turistike dhe të pacënuara të Shqipërisë për të parë se çfarë ofronte vendi i bukur.

Riviera Shqiptare është një alternativë më e përballueshme krahasuar me Bregun e Amalfit dhe vargmalet malore të Italisë.

Vendi i vogël ballkanik është një version i pazbuluar, më i lirë por po aq mahnitës sa Italia.

Shtatë arsye pse duhet të vizitoni Shqipërinë në vend të Italisë:

1-Plazhet në Shqipëri janë shumë më të qeta se ato të Italisë

Në Shqipëri do të keni mundësinë të gjeni plazhe tepër të qeta – që janë po aq mahnitëse sa ato në Itali.

Bregdeti jugor i Shqipërisë është një nga zonat e mia të preferuara për t’u vizituar gjatë verës.

Gjatë muajve të ngrohtë, zgjidhni gjithmonë plazhet e Ksamilit dhe Sarandës në vend të bregdetit të Amalfit në Itali.

Ndërsa Shqipëria po pret një numër në rritje turistësh, plazhet e njohura janë ende të qeta nëse i vizitoni në kohën e duhur të ditës.

Ksamili dhe Saranda janë plazhe të ngjashme me Karaibet, me rërë të artë dhe ujëra të kristalta.

Plazhi Itan Kryeziu është plazhi më i qetë që mund të vizitoni në bregdetin jugor.

Plazhi i Dhërmiut është gjithashtu një tjetër plazh i qetë – krahasuar me plazhet në Evropë.

Mund të jetë pak më i ngarkuar me vendasit, por këtu mund të bëni zhytje fantastike.

Hiqni dore nga bregu i Amalfit dhe drejtohuni në Rivierën Shqiptare për pushime më të qeta dhe më shumë jetë ujore në plazh.

2-Malet e Shqipërisë janë më piktoreske se alpet e Italisë

Alpet shqiptare janë epike dhe nuk krahasohen me asnjë tjetër në Evropë, përfshirë Italinë.

Italia ofron ecje dhe pamje mahnitëse malore, duke përfshirë malin Etna dhe Monte Baldo.

Megjithatë, ato nuk krahasohen me natyrën e pacënuar të maleve veriore shqiptare.

Alpet Shqiptare mund të ofrojnë më shumë për turistët që kërkojnë ecje të qeta dhe peizazhe të pacënuara.

Bjeshkët e Nemuna janë pjesë e Evropës Juglindore dhe një tipar domethënës i Shqipërisë veriore.

Vizita ime e parë në qarkun e Kukësit, ku ndodhen Alpet Shqiptare, ishte gjatë vjeshtës kur temperatura ishte e rehatshme 24 gradë Celcius.

Ju mund të shihni malet përreth bujtinave në Valbonë dhe të bëni ecje në mëngjes kur moti është ende i thatë dhe i butë.

Peizazhi alpin që kalon rrugës për në fshatin e vogël, Kukaj ngjan me atë të Zvicrës apo Alpet Italiane.

3-Shqipëria ka vendasit më miqësorë

Shqipëria ofron mikpritjen më të mirë në Evropë dhe vendasit e buzëqeshur janë në çdo cep.

Nëse do të më duhej të thoja një karakteristikë për Shqipërinë, do të ishte se vendi ka disa nga vendasit më miqësorë që kam takuar ndonjëherë.

Fillimisht, mendova se vendasit në kryeqytetin e Tiranës do të ishin më pak miqësorë dhe do të kishin më pak kohë për të biseduar.

Megjithatë, stafi në kafene dhe dyqane ofroi të njëjtën mikpritje si njerëzit në qytetet dhe fshatrat e vogla të Shqipërisë.

4-Shqipëria është dukshëm më e përballueshme se Italia

Një ndryshim i madh midis Italisë dhe Shqipërisë është përballueshmëria.

Ndërsa çmimet e turizmit rriten gjithmonë për shkak të kërkesës dhe inflacionit, Shqipëria është dukshëm më e lirë se Italia.

Gjithçka, duke filluar nga akomodimi dhe restorantet tek dyqanet dhe kafenetë – ofrohen çmime të ulëta që do t’ju inkurajojnë të ktheheni në Shqipëri për pushimet tuaja të ardhshme.

5-Mënyra e jetesës në Shqipëri është më e qete se ajo në Itali

Jetesa shqiptare është e pakrahasueshme, ju mund të përjetoni më pak stres dhe një përvojë relaksuese udhëtimi kudo që të shkoni.

Mënyra e jetesës së Shqipërisë është ndryshe nga kudo tjetër në Evropë. Është më e qetë se Italia dhe ka një ndjenjë kulturore unike.

Sigurisht, plazhet në Itali ofrojnë një atmosferë pak më të qetë, por qytetet janë krejt e kundërta.

Qytetet e Romës dhe Firences janë të bukura, por stili i jetesës ishte kaotik. Ndërsa, në Shqipëri kudo që shkoni do të ndiheni të freskët dhe të relaksuar.

E gjithë eksperienca e udhëtimit në Shqipëri është më e qetë dhe pa stres. Është e jashtëzakonshme se sa relaksuese dhe qetësuese është kultura shqiptare.

6-Shtigjet e ecjes në Shqipëri janë të pakrahasueshme

Mos u habisni nëse jeni i vetmi person në vende të paarritshme në Shqipëri.

Ndërkohë që Italia dhe Shqipëria ofrojnë mundësi të pabesueshme, unë preferoj xhevahiret e fshehura të Shqipërisë.

Mungesa e zhurmës dhe turizmit në këto vende të pazbuluara do të ofrojnë një përvojë që nuk do ta gjeni askund në Itali.

Vizitoni Kanionin e Osumit në Berat, i cili është një nga shumë pikat interesante në Shqipëri.

Mos u çuditni nëse vizitoni vende të tjera në Shqipëri dhe jeni i vetmi person atje; është një ndjenjë magjike.

Perlat e tjera të fshehura që duhet të vizitoni në Shqipëri – përfshijnë Parkun Kombëtar të Valbonës, Parkun Kombëtar të Thethit dhe Syrin e Kaltër.

7-Peizazhet e Shqipërisë janë më të larmishme se ato të Italisë

Shqipëria ofron peizazhe të larmishme – nga plazhet mahnitëse deri te malet e larta.

Shqipëria është kryesisht e pacënuar dhe ofron peizazhe unike.

Vendi ballkanik është një perlë e fshehur për adhuruesit e natyrës, dhe peizazhet janë më të larmishme se ato të Italisë.

Peizazhet e Italisë janë të mrekullueshme, por të mbuluara me ndërtesa turistike, ndërsa, në Shqipëri, shumica e peizazheve janë mahnitëse, të qeta dhe tërheqëse.

Drejtohuni në bregdetin jugor për te eksploruar plazhet përgjatë Rivierës Shqiptare.

Ata që kërkojnë xhevahire unike përgjatë bregdetit duhet të shkojnë në plazhin e Gjipesë për limanet e tij të fshehura mes shkëmbinjve të lartë gëlqerorë.

Koha ideale për të vizituar këtë plazh është gjatë perëndimit të diellit.

Në veri mund të gjeni edhe majat e thyera të maleve me shumë pak turistë. Vendasit mund t’ju udhëheqin, ose ju mund të eksploroni zonën vetëm.

Shtigjet në Alpet Shqiptare nga Valbona do të jenë gjithmonë në zemrën time./atsh/KultPlus.com

‘Shogun’ thyen rekorde dhe bën histori në Emmy Awards 2024

”Shogun” thyen rekorde dhe bën histori në Emmy Awards 2024.

Epika historike japoneze është shfaqja e parë në gjuhën jo-anglisht që u shpall drama më e mirë dhe gjithashtu vendosi një rekord të çmimeve Emmy për shumicën e fitoreve në një sezon të vetëm me 18.

Anna Sawai, e cila luan në rolin e Lady Toda Mariko, fitoi çmimin Emmy për aktoren më të mirë për Shogun, duke u bërë aktorja e parë me origjinë aziatike që fitoi në këtë kategori.

Shogun mori 14 çmime në Creative Arts Emmys të fundjavës së kaluar. /atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Shtëpinë e Kulturës: Do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në kulturë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, mbrëmjen e sotme qëndroi për vizitë në Komunën e Suharekës, me rastin e hapjes solemne të përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.

Atje u mirëpritën nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe familjarë të familjes Bytyçi.

E veçanta e këtij përurimi të Shtëpisë së Kulturës, është se po bëhet pikërisht në prag të shënimit të përvjetorit të 22-të të rënies së ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçit, dhe vetëm dy muaj pas ditëlindjes së 69-të të tij, transmeton Klankosova.tv.

E ndërtuar në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit artistik dhe rinisë, kjo shtëpi është një tregues i angazhimit të madh për të kultivuar prodhimin e kulturës në Republikën e Kosovës, si dhe synimi saj është ofrimi i kushteve sa më të mira infrastrukturore dhe mjedis të përshtatshëm.

“Kjo Shtëpi e Kulturës që do të shërbejë si shtëpi e artit dhe kulturës, do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës”, u shpreh Kurti.

Falë investimit dy pjesësh në shumën prej afër 4 milionë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në njërën anë, dhe më bashkëpunimin e Komunës së Suharekës në anën tjetër është arritur që të finalizohen hapësirat e bollshme të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, të cilat për të gjithë artdashësit do të ofrojnë mundësi për të akomoduar aktivitetin e institucioneve të kulturës edhe aktivitetet e artistëve dhe organizatave nga skena e pavarur kulturore.

Në lidhje me këtë, kryeministri potencoi se ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve.

Në përmbyllje ai i përgëzoi dhe i uroi të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët e Suharekës,  për ndërtesën re, e veçanërisht  artistët, krijuesit dhe publikun e artit e të kulturës nga Suhareka dhe më gjerë.

Në këtë ceremoni e pranishme ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Seriali ‘The Bear’ fiton Emmy Awards 2024

Seria televizive “The Bear” shënoi fitoren e parë në çmimin Emmy të edicionit të 76-të me yjet e tij, Jeremy Allen White dhe Ebon Moss-Bachrach.

Yjet e Hollivudit zbritën në Teatrin Peacock në Los Angeles për herë të dytë këtë vit për të festuar më të mirën e televizionit, pasi ceremonia e shtatorit 2023 u shty për shkak të grevave të shkrimtarëve dhe aktorëve amerikanë.

Në monologun e tyre hapës, dyshja babë e bir, Eugene dhe Dan Levy, bënë shaka rreth “The Bear” duke u paraqitur në kategorinë e komedisë, pas reagimit se duhej të ishte klasifikuar si dramë.

Seriali flet për një kuzhinier (Allen White) i cili kthehet në Çikago për të drejtuar biznesin familjar pas vdekjes së vëllait të tij.

Allen White e përshkroi veten si “kaq, kaq, kaq me fat” pasi fitoi Emmy për aktorin kryesor në një serial komedi për rolin e tij si Carmen “Carmy” Berzatto.

“Kjo shfaqje ndryshoi jetën time. Më rrënjosi besimin se ndryshimi është i mundur nëse nuk je me të vërtetë vetëm,” tha ai në skenë.

Fitorja e tij erdhi pasi ylli i “Only Murders In The Building” Selena Gomez iu referua zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA, ndërsa i dha çmimin kryesor aktorit amerikan Moss-Bachrach për aktorin e dytë më të mirë në një komedi për rolin e tij si menaxher restoranti Richard “Richie” Jerimovich në “Ariu”./ atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë talente që nderojnë shtetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka marrë pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi” në Suharekë.

Përmes një postimi në Facebook, Presidentja Osmani ka thënë se të rinjtë e Suharekës do të kenë mundësi për të zhvilluar talente që do të nderonin shtetin dhe flamurin e Kosovës.

“Në këtë vend, e kaluara jonë, e cila personifikohet me jetën dhe veprën e Ukë Bytyqit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen e të rinjve tanë!

Tashmë, të rinjtë tanë do të kenë mundësi më të madhe për ta zhvilluar talentin e tyre, duke nderuar komunën, shtetin dhe flamurin e Kosovës!”/ KultPlus.com

Biden: Shërbimi Sekret ka nevojë për ‘më shumë ndihmë’, pas atentatit ndaj Trumpit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se Shërbimi Sekret ka nevojë për “më shumë”, një ditë pasi agjentët e parandaluan një tjetër përpjekje për ta vrarë ish-presidentin Donald Trump.

Trump shpëtoi pa u dëmtuar pas një “tentimi për ta vrarë atë” në klubin e tij të golfit në Floridë më 15 shtator, tha Byroja Federale e Hetimeve, FBI.

Ky incident, i cili ndodhi vetëm nëntë javë pasi Trumpi i mbijetoi një atentati në Pensilvani, ka ngritur pyetje për sigurinë e kandidatit të republikanëve për president vetëm 50 ditë para zgjedhjeve tejet të polarizuara presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

FBI-ja dhe shteti i Floridës janë duke hetuar se si një i dyshuar 58-vjeçar ishte në gjendje të afrohej disa qindra metra afër Trumpit me një pushkë dhe dylbi.

FBI-ja tha se është duke e kryer një hetim ndaj “asaj që duket të jetë një tentim për ta vrarë ish-presidentin Trump” dhe për votimet e mundshme.

Presidenti Biden tha për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të hënën: “Një gjë dua ta bëj të qartë, Shërbimi [Sekret] ka nevojë për më shumë ndihmë, dhe mendoj se Kongresi duhet t’u përgjigjet nevojave të tyre”, tha Biden.

“Falë Zotit presidenti është mirë. Mendoj se kemi nevojë për më shumë personel”, shtoi ai.

Pas incidentit, Trump i lartësoi Shërbimin Sekret dhe policinë, duke i quajtur “patriotë të guximshëm dhe të përkushtuar” për garantimin e sigurisë së tij.

As FBI-ja, e as policia nuk e kanë bërë të ditur emrin e të dyshuarit, por mediat amerikane si, CNN, Fox News, CBS News dhe New York Times, e kanë identifikuar atë si Ryan Wesley Routh, një 58-vjeçar banor i Havait.

Routh është punëtor ndërtimi me një histori të gjatë telashesh me policinë, sipas të dhënave publike. Ai u zhvendos në Havai disa vite më parë nga Karolina e Veriut dhe ka shprehur mbështetje për demokratët dhe për Ukrainën në llogaritë e veta në rrjetet sociale, përfshirë duke kërkuar grumbullimin e të hollave për mbrojtjen e Ukrainës.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ndihet i lumtur që Trumpi nuk është dëmtuar dhe që tani është i siguruar.

“Është gjë shumë e mirë që i dyshuari për tentim vrasje është arrestuar shpejt”, tha Zelensky në X.

Në Moskë, Kremlini tha se lidhjet e të dyshuarit me Ukrainën tregojnë se Uashingtoni po “luan me zjarrin” me politikën e saj mbështetëse për Kievin, i cili po lufton për t’i zmbrapsur forcat pushtuese të Rusisë.

Mediat amerikane raportuan se Routh ka postuar shpesh në rrjetet sociale për luftën në Ukrainë dhe ka pasur uebsajte ku ka kërkuar grumbullimin e të hollave dhe rekrutimin e vullnetarëve për të shkuar në Kiev për t’iu bashkuar luftës kundër pushtimit të plotë të Ukrainës, që Moska e nisi në shkurt 2022. /REL/ KultPlus.com

Prifest 2024: Lista e plotë e fituesve

Mbrëmë, është përmbyllur edicioni i 16-të i Prishtina International Film Festival- Prifest, në të cilën ngjarje janë ndarë edhe çmimet tradicionale të Festivalit, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni listën e plotë e kategorive fituese në PriFest:

Çmimi “Filmi më i mirë i shkurtë”: HIGHWAY OF A BROKEN HEART nga Nikos Kyritsis, Greqi;

Çmimi “Filmi i metrazhit të mesëm”: AND THE WIND WEEPS nga Aulona Selmani, Zvicërr.

Çmimi “Filmi më i mirë Ballkanik: SILENCE OF THE SIRENS nga Gazmend Nela, Kosovë;

Çmimi “Aktori më i mirë”: Sunaj Raça nga SILENCE OF THE SIRENS, Kosovë;

Çmimi “Regjisori më i mirë”: Una Gunjak nga EXCURSION, Bosnjë;

Çmimi “Aktorja më e mirë”: Lana Barić nga THIS NOT A LOVE SONG, Kroaci.

Çmimi “Kineasti i vitit”: Luana Bajrami.

Çmimi për “Kontribut Jetësor”: Profesor Enver Petrovci.

Edicioni i 16-të i Prishtina International Film Festival- Prifest është mbajtur nga 10 deri më 15 shtator, në Kino Armata./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton Sabri Fejzullahun për ditëlindjen e 77-të

Kryeministri Albin Kurti i ka shkuar në vizitë për ditëlindjen këngëtarit Sabri Fejzullahu, i cili i mbush 77-vjet sot.

Në një postim në Facebook, ai thotë se pak njerëz si Sabri Fejzullahu mund të përbashkojnë shpirtin energjik dhe krijimtarinë produktive të kombit tonë.

“Ai me bashkëshorten Nera dhe djalin Ermalin, me vëllezër e mbesa, na pritën me ngrohtësi, dhe gjatë kësaj vizite, Sabriu ndau me ne një udhëtim magjepsës përmes gjashtë dekadave të karrierës së tij. Ai e nisi rrugëtimin e tij muzikor më 5 shtator 1965, dhe prej asaj dite ka qenë një forcë e vrullshme që ka formësuar muzikën pop në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti u shpreh se me Fejzullahun biseduan për përjetimet mbresëlënësë të këngëtarit,

“Duke përmendur bashkëpunimet me figura të shquara dhe momentet kyçe që shënuan karrierën e tij të pasur, si dhe përvojat e tij me njerëz të papërsëritshëm si Jusuf Gërvalla”.

“Çdo histori ishte një pasqyrim i jetës së ndryshimeve të mëdha politike nëpër të cilat kaloi Kosova, e ku mëson diçka më shumë edhe për atë që e ke ditur, gjithnjë të mbështjella me dashurinë e tij të pamasë për artin dhe publikun, e cila ndjehet në çdo performancë të tij”, ka thënë Kurti.

‘Bota jonë’, filmi që eksploron gjendjen e rinisë përmbyll edicionin e 16-të të PriFest

Vjollca Duraku

Filmi ‘Bota jonë’ i regjisores dhe skenaristes Luana Bajrami ka përmbyllur edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- Prifest.

Ky film i cili është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës trajton tematikën e rinisë në kuptimin eksplorimit të jetës dhe gjendjes së tyre në shoqëri. Ngjarja zhvillohet në vitin 2007, protagoniste janë dy shoqe- kushërira Zoen (Elsa Mala) dhe Volta (Albina Krasniqi) me përpjekjet dhe sfidat e tyre në një mjedis të kufizuar për të kërkuar lirinë personale.

Shkolla, përdoret si subjekti kryesor i filmit, duke e zbërthyer në elementet e tjera për rritje personale të dy vajzave të rebeluara nga fshati. Ikja e tyre pa lejen e familjes për të shkuar për studime në Prishtinë shënon pjesën e parë të filmit, dhe në fakt aktin më të guximshëm në porporcion me realitetin e kohës, ku ekzistenca e Kosovës si vend ishte ende e diskutueshme në tavolinat më të rëndësishme evropiane, dhe botërore.

Derisa ato shkelin në kampusin e Universitetit të Prishtinës, paraqitet realiteti i jetës në nivel të përgjithshëm me mungesa të profesorëve në ligjërata, studentë të mllefosur të cilët e shprehnin pezmin në mënyra të ndryshme, aktivistë të kohës që me bojëra kundërshtonin vendimet e UNMIK-ut dhe të ndërkombëtarëve.

Entuziazmi i tyre për realizimin e ëndrrave të tyre si dhe gjithë studentëve të tjerë sfidohej edhe nga gjendja e rënduar ekonomike dhe duke i detyruar që të zgjidhnin rrugë të ndryshme, nganjëherë edhe jo të shëndetshme për t’ia dalë në një situatë të tillë kaotike. Jeta në konvikte me shoqëri të rajoneve të ndryshme, si dhe krijimi i miqësive të reja në universitet, dhe dashurive po ashtu ishin pjesa më e bukur i atij realiteti të vështirë.

Zhvillimi i raportit të protagoisteve Volta dhe Zoen, është një aspekt tjetër i ngjarjeve i cili trajtohet në film. Raporti i tyre si kushërira vazhdon e thellohet më tej me jetesën në konvikt, duke iu bërë krah njëra- tjetrës, në një qytet të panjohur. Por, vendimi i Zoen për t’u bërë vallëtare në një klub nate, për të siguruar të ardhurat, e sfidon raportin e tyre, duke bërë që të distancohen me njëra- tjetrën, përkundër dashurisë që ato e ndienin thellë brenda vetes, për vetë faktin që ato ishin familjare.

Aktorët kryesorë të cilët morën pjesë në film janë: Albina Krasniqi, Elsa Mala, Don Shala, Aurora Ferati dhe Gani Rrahmani.

Krejt në fund të filmit në një prononcim për KultPlus, regjisorja Luana Bajrami, ka treguar idenë për realizimin e një projekti të tillë.

“Kam dashur ta vazhdojë trajtimin e tematikës së rinisë, jo si një vazhdimësi të Luaneshave, por si një vazhdimësi të eksplorimit të gjendjes së rinisë. Kam dashur që storja të zhvillohet në qytet, e jo në fshat si të Luaneshat. Ideja ka qenë ta vendosë storjen pak më konkretisht në kohë edhe në subjekt. Shkolla- është ideja kryesore në filmin “Bota Jonë”, ka thënë regjisorja.

Regjisorja Luana Bajrami, pas premierës së filmit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve është shpërblyer me çmimin “Kineasti i Vitit”, për të cilin tha se do t’i shërbejë si shtytje e madhe në realizimin e projekteve të tjera.

“Për mua është nderë. Realisht ndihem shumë krenare. Jam shumë falënderuese sidomos prej Fatosit që e kam mik dhe kolegë shumë të mirë. Është krenari sepse është shpërblim për punën në përgjithësi. Besoj që jam vetëm në fillim kështu që ky çmim është mbështetje që më shtyen për të shkuar larg e më lartë”, është shprehur regjisorja Bajrami.

Ndërsa drejtori i festivalit PriFest, Fatos Berisha, në mbyllje të festivalit ka thënë se është i kënaqur me mbarëvajtjen dhe se gjithçka kishte shkuar sipas planit, përveç motit me shi i cili e kishte shoqëruar festivalin për një javë.

“Përveç kohës me shi, të tjerat kanë shkuar ashtu siç e kemi planifikuar, pra të gjitha shfaqjet e filmave janë mbajtur, premierat, mysafirët të cilët i kemi ftuar kanë qenë me ne, anëtarët e jurisë, pjesa e forumit që është pjesa e industrisë filmike,  workshopet si dhe pjesa muzikore e afterpartty. Ka qenë një javë shumë e ngjeshur me shumë aktivitete, po që të gjitha shkuan mirë përkundër kohës me shi që ka mbajtur që nga dita e parë e deri më sot. Por, kjo në fakt na dha njëfarë adrenaline gjithë stafit, i cili e dha maximumin që të arrijmë që ta kryejmë këtë punë që thotë populli me faqe të bardhë”, ka thënë drejtori i Prifest.

Regjisori Berisha, në këtë përmbyllje të edicionit të 16-të të PriFest, i ishte gëzuar pjesëmarrjes së aktorit të mirënjohur shqiptar Enver Petrovci, për të cilin është ndarë një çmim i veçantë “Çmimi për Kontribut Jetësor”.

“Ky çmim i nderon artistët eminentë vendorë. Profesor Petorvci patjetër se është një figurë eminente dhe natyrisht se e meriton këtë. Por, për ne të gjithë ish studentët e tij, gjithë komunitetin dhe të gjithë Kosovën është më me rëndësi ta shohim që është shëndosh e mirë, që erdhi deri këtu, e mori mundin që përkundër sëmundjes që të vijë jo vetëm për ta marrë çmimin por më shumë për të na takuar ne të gjithëve. Jemi të lumtur që e kemi sot dhe siç tha edhe ai vet nuk dorëzohem derisa të marr ndonjë çmim në Berlin apo në Kanë, kështu që edhe unë i besoj atij dhe i dëshiroj jetë shumë të gjatë”, ka përfunduar regjisori Berisha.

Edicioni i 16-të i Prishtina International Film Festival- Prifest është mbajtur nga 10 deri më 15 shtator, në Kino Armata./ KultPlus.com

Simbolet e kultit dritare në histori

Studiuesi Qazim Namani ka sjell një hulumtim të detajuar i cili shqyrton tipologjinë e banesave dhe simbolet e kultit në fshatrat e Shalës duke zbuluar marrëdhëniet midis arkitekturës, historisë dhe identitetit kulturore.

Analiza e simboleve arkitektonike ofron një pasqyrë të qartë të ndikimeve historike dhe kulturore që kanë formësuar këto komunitete përgjatë shekujve. Përmes kësaj ne mund të kuptojmë më thellë sesi banesat dhe simbolet e tyre janë shprehje të jetës dhe traditave të njerëzve të rajonit.

Studiuesi Qazim Namani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një hulumtim të thellë mbi tipologjinë e banesave dhe simbolet e kultit në fshatrat e Shalës në komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

Simbolet e kultit kanë një rëndësi të theksuar në kontekstin kulturor dhe historik të një shoqërie. Ato shërbejnë si mjet komunikimi që transmeton vlera, besime, dhe identitetet kulturore përmes brezave.

Përdorimi i simboleve në ndërtimin dhe zbukurimin e banesave jo vetëm që tregon për aftësinë krijuese dhe zanatçinj e komunitetit, por gjithashtu ofron një pasqyrë të qëndrueshme të vlerave dhe historisë së një komuniteti.

Në studimin e simboleve të kultit dhe arkitekturës në përgjithësi, caktimi kohor bëhet duke analizuar  stilet, materialet e përdorura, dhe teknikat e ndërtimit të cilat ndryshojnë ndër shekuj.

Kjo zonë është mjaft e pasur me kulla të tilla.

Studimi i banesave dhe simboleve të kultit në fshatrat e Shalës në Mitrovicë dhe Vushtrri nxjerr në pah ndërthurjen e arkitekturës me identitetin kulturor dhe historik. Këto simbole arkitektonike jo vetëm që tregojnë për periudhat historike dhe ndikimet kulturore, por gjithashtu ruajnë dhe  transmetojnë traditat dhe vlerat e komunitetit përmes kohërave.

Ky studim thekson rëndësinë e objekteve ndërtimore si dëshmitarë të jetës dhe ndryshimeve sociale në rajon./rtk/ KultPlus.com

Kush ishte kirurgu ambicioz i transplantit të parë të zemrës?

Egoist, punëtor, inteligjent, ambicioz dhe arrogant; ai veproi me besimin se çfarëdo që mund të bënin të tjerët, mund të bënte edhe ai. Burri në fjalë është Christiaan Barnard, kirurgu nga Afrika e Jugut që kreu transplantin e parë të zemrës, shkruan focus.it.

Në fakt, Barnard, një nga kirurgët e paktë që hyri në histori, u vlerësua pak nga kolegët e tij. Jo aq shumë për aftësitë teknike (të padiskutueshme), por për atë grup sjelljesh që grekët e lashtë do të kishin përcaktuar arrogancën: arrogancën e atyre që besojnë se mund të kapërcejnë çdo kufi, të atyre që ndjekin objektivat e tyre duke shkelur ligjet, zakonet dhe traditat e përbashkëta.

Para së gjithash, kur më 3 dhjetor 1967 i hoqi zemrën një gruaje të re për ta transplantuar tek një burrë, Barnard ishte, të paktën sipas ligjeve të asaj kohe, një vrasës. Jo vetëm kaq. Në kohën e arritjes së tij historike, ai nuk ishte kirurgu më i vlerësuar i zemrës në botë.

Të gjithë ishin të bindur se i pari që do të provonte dorën e tij në operacion do të ishte Norman Shumway, i cili në Universitetin Stanford në Palo Alto, Kaliforni, kishte kaluar vite duke ushtruar mbi qentë në mënyrë që të mund të kryente transplantin e përsosur të zemrës.

Ai ishte kirurgu më i gatshëm, por e frenonin kufijtë etikë dhe ligjorë. Për suksesin e një transplanti zemre, në fakt, organi që do të përdorej duhej marrë ndërkohë që rrihte, ose nga një person teknikisht i gjallë.

Lajmi për transplantin e parë të zemrës (3 dhjetor 1967) u raportua gjithandej me bujë të madhe.

Në ato ditë, në fakt, për të dekretuar vdekjen e një personi ai duhet ti kishte pushuar zemra zyrtarisht. Megjithatë, duhet thënë se disa risi mjekësore po e minonin këtë konventë. Futja e frymëmarrjes artificiale (së pari me mushkëri hekuri dhe më pas me ventilim artificial), përmirësimi i masazhit kardiak (ngjeshja ritmike e gjoksit për të lejuar që një zemër e ndaluar të fillojë të rrahë përsëri) dhe shpikja e defibrilimit kardiak (një rrymë alternative tronditje që ndërpret aritmitë e rënda) kishte çuar në lindjen e një disipline të re që “ringjallte” njerëzit e cila nuk u quajt çuditërisht “ringjallje”.

1967: Barnard shpjegon teknikën e transplantimit që sapo ka kryer para një auditori gazetarësh. Transplanti i zemrës mund të përmblidhet në 4 faza.
1 – Hapja e zemrës dhuruese: sternumi hapet dhe zemra ekspozohet. Më pas venat dhe arteriet “mbërthehen” (d.m.th. mbyllen), zemra ftohet dhe enët shkëputen.

2 – Transporti: nuk mund të zgjasë më shumë se 4 ose 5 orë. Zemra është e zhytur në një substancë që mban temperaturën e saj rreth 4-10°C për të ngadalësuar përkeqësimin e saj.

3 – Hapjai e zemrës së marrësit: instalohet qarkullimi ekstrakorporal i gjakut, prerja e enëve dhe hiqet zemra, duke lënë në vend pjesën e pasme të atriumeve.

4 – Implanti: lidhen dy atriumet, më pas trungu i arteries pulmonare dhe ai i aortës. Pastaj qarkullimi shtesë ndalon /atsh/ KultPlus.com

Muze i lëvizshëm i artefakteve të Forcave të Armatosura në Pezë

Muzeu i artefakteve të Forcave të Armatosura shpalosi sot në Pezë një koleksion të pasur të armëve të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore nga shqiptarët dhe njësitë e ndryshme të forcave që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se aktiviteti u zhvillua në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, si një eveniment i përvitshëm me një muze të lëvizshëm që tërhoqi vëmendjen e qindra të apasionuarve e turistëve.

“Mbi 35 pushkë automatike, topa të artilerisë së lehtë të përdorur në disa fronte nga njësitë partizane, 10 mitralozë të markave të ndryshme dhe shumë armë të tjera e transformuan muzeun e Forcave të Armatosura në një nga destinacionet më të preferuara të aktivitetit ‘Peza n’Fest’”, tha Vengu.

Sipas ministrit, dëshmi të rralla të historisë së Shqipërisë i dhanë një tjetër dimension këtij evenimenti, duke iu referuar “Pezan’fest”, ku synimi kryesor ishte njohja e brezave dhe të huajve me ngjarjet që kanë shënjuar historinë e Shqipërisë.

Përurohet Parku Teknologjik në Kamenicë me vlerë prej 204 mijë euro

Kryeministri Albin Kurti, vizitoi Parkun Teknologjik, i cili u përurua sot në Kamenicë.

Pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Parkut Teknologjik, ishin ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe zyrtarë të tjerë të nivelit qendror e lokal.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se parku Teknologjikë i cili dikur kishte shërbyer si Qendër Rinore, është transformuar pas rinovimit me investim prej 204 mijë euro nga bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

“Ky projekt cilësohet edhe një dëshmi tjetër e konkretizimit të zotimit të Qeverisë për zhvillimin ekonomik, duke u dhënë të rinjve kushtet e nevojshme për të përparuar në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur e të digjitalizuar”.

Kurit u uroi suksese të gjithë të rinjve që do ta përdorin këtë park për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e Kamenicës, dhe falënderoi të gjithë ata e ato që kanë punuar e kontribuar për realizimin e këtij projekti.

Tashmë, nëpërmjet këtij parku, të rinjtë do të kenë qasje në trajnime të avancuara, duke u pajisur me aftësi praktike dhe të nevojshme profesionale për tregun modern të punës. Ndërkaq, pas përfundimit të punimeve në këtë hapësirë, Komuna e Kamenicës ka hapur edhe ankandin publik për pjesën e menaxhimit të kësaj qendre, ku fitues i këtij ankandi është shpallur Cactuss Education në Kosovë.

Cactuss Education në bashkërendim me Komunën e Kamenicës do të përcaktojë agjendën e procedurave zyrtare si dhe planprogramit që do të mbulojë ky institucion.

Më 30 shtator hapet “SPÄTWERK”, ekspozita personale e artistit Dren Maliqi

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës më 30 shtator hapet ekspozita personale e artistit Dren Maliqi, e titulluar “SPÄTWERK”, kuruar nga Catherine Nichols.

Sipas ministrisë së Kulturës, kjo ekspozitë prezanton punë nga viti 2003 deri në vitin 2023.

“Duke përfshirë fotografi, video, piktura, instalacione, postera, pjesë të bazuara në tekste si dhe forma të ndryshme të praktikave pjesëmarrëse shoqërore, punët dëshmojnë vazhdimësitë dhe shkëputjet, periudhat e pjesëmarrjes dhe tërheqjes dhe mbi të gjitha tensionin ndërmjet mendimit dhe veprimit që e karakterizon punën e Maliqit”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përcjell klankosova.tv..

“Ekspozita do të shoqërohet me një simpozium i cili do të mbahet më 18/19 tetor 2024. E titulluar Jo! Për politikën dhe estetikën e refuzimit, merr si pikënisje dinamikën e refuzimit dhe tërheqjes të cilën Maliqi ndan me artistë dhe aktivistë nga kontekste të ndryshme kulturore që nga fillimet e modernitetit. Simpoziumi bën bashkë mendimtarë, shkrimtarë, historianë, artistë dhe aktivistë të njohur ndërkombëtarisht për të diskutuar për nevojën për të thënë jo, për t’u shkëputur, për të rezistuar, për të hequr dorë kur ndonjë situatë bëhet e paqëndrueshme”.

Festivali dhe Panairi i Librit për fëmijë vjen me edicionin e dytë

Organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizon edicionin e dytë të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë i cili synon nxitjen e kulturës së leximit tek gjeneratat e reja dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë.

Festivali fillon më 2 tetor deri më 6 tetor dhe mbahet në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00.

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë organizohet nga ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës, Presidencës së Republikës së Kosovës dhe IPKO.

Ditëve në vijim publikohen të dhëna relevante mbi mysafirët, shtëpitë botuese, agjenda e programit dhe të ngjashme./express/KultPlus.com