26 vjet më parë, nisi misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Me këtë rast vendi shpalli datën 12 qershor si Ditë të Paqes, që përket me ditën e çlirimit.
Në këtë ngjarje të madhe sot për Kosovën ,ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, shkroi në profilin e tij në “BlueSky”, duke cituar ish-Sekretarin e Mbrojtjes Britanike/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson, i cili në atë kohë pati thënë: “Qëllimi ishte që forcat e Millosheviqit të largoheshin, NATO të hynte dhe refugjatët të ktheheshin”.
“Misioni u përmbush. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partnerët më të ngushtë të Kosovës”, përfundoi Rohde./ KultPlus.com
Së shpejti do promovohet libri i autorit të ndjerë, profesor Metë Shatri, nën titullin “Arsimi fillor dhe i mesëm në Komunën e Prizrenit 1945–1999 – Me theks të veçantë në vitet 1990–1999”.
Ky libër përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e zhvillimeve arsimore në komunën e Prizrenit, me theks të veçantë në periudhat më të ndjeshme për arsimin shqip.
Figura dhe trashëgimia profesionale e Prof. Shatrit meritojnë të ndriçohen dhe të ndahen me publikun më të gjerë.
Promovimi do mbahet më 14 qershor duke filluar nga ora 11:00 në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” – Amfiteatri i Fakultetit Ekonomik./ KultPlus.com
Ka periudha në histori që lidhen me një qytet, qoftë i madh apo i vogël, i gjykuar të loz rolin prijatar dhe identifikues të një lëvizjeve, të një beteje apo të një fati përcaktues së një komuniteti apo edhe kombi të tërë. Raste të tilla për një qytet kalojnë në një sfidë maturimi për ta vënë atë në histori dhe për ta piketuar e avancuar si kryeqytet. Kosova e viteve 80 e 90 lidhet pikërisht me Prishtinën, qytetin ku ndodhnin të gjitha. Prishtina e dy dekadave të rënda që ishte strumbullar rreth së cilës silleshin të gjitha rënkimet e Kosovës, pulsi i tërë një kombi në përpjekjet për liri e emancipim…
Qyteti fatkeqësisht dilte faqe botës me imazhet e dhunueseve të tij, përfaqësues të pushtetit serb që duke dëbuar shqiptarët, vendosnin për fatin e tyre, për përditshmërinë dhe dozën e dhunës që do të përdornin ndaj tyre. E liderët e vërtetë të kryeqytetit, si të gjithë banorët e tjerë të tij, ndanin fatin e përbashkët dhe bartnin zërin e tyre për drejtësi e humanizëm. Qyteti ishte i zymtë edhe në mënyrë alegorike solidarizohej me banorët e tij të margjinalizuar, të përçmuar e të hedhur anësh. Por kishte një gjallëri që vlonte përtej mekanizmave të dhunës dhe injorimit.
Prishtina u shndërrua në një qendër prej nga niseshin të gjitha iniciativat, të gjitha përpjekjet për t’iu kundërvënë pushtimit dhe dhunës. Ajo ishte një epiqendër e organizimit të luftës paqësore për liri, përmes organizimit politik dhe formave të tjera, angazhimit intelektual, qëndresës përmes gazetarisë gjysmë-klandestine, kulturës e artit dhe një kohezionit të fuqishëm të të gjitha niveleve të popullsisë.
Në Prishtinë nisën iniciativat e gazetarëve të Rilindjes dhe Televizionit të Prishtinës kundër denigrimit kombëtar të shqiptarëve dhe vendimeve serbe për të asgjësuar çfarëdo mëvetësie politike të tyre. Aty u bë qëndresa e punëtorëve që u dëbuan nga puna, ai ishte vendi ku filloi organizimi paralel i jetës sociale, politike dhe ekonomike e Kosovës, e arsimit, shëndetësisë, e jetës sonë të përditshme.
Përkundër dhunës që i qëndronte mbi kokë çdo shqiptari në çdo fashat e qytet të Kosovës, pra edhe çdo banori të kryeqytetit…
Por mbi të gjitha Prishtina u bë vatër e veprimit diplomatik të Kosovës. Intelektualët u vunë në krye të këtij angazhimi duke mësuar shkollën e diplomacisë në ballafaqime të drejtpërdrejta në të mirë të kauzës së Kosovës. Ata u nisën nga Prishtina drejt qendrave europiane që kishin dëgjuar dhe parë gjithmonë me vesh dhe sy të mbyllur përpara aspiratave dhe thirrjeve të shqiptarëve të Kosovës për drejtësi. Tani kjo po ndryshonte dhe thirrjet vinin nga Prishtina, që po dëgjohej gjithnjë e më zëshëm para kancelarive europiane dhe opinionit publik të kryeqendrave të vendeve demokratike.
Natyrisht, kjo pati një jehonë. Diplomacia botërore po zbarkonte në këtë qendër të rizbuluar, të cilën me aq padrejtësi e absurditet e përshkruante regjimi pushtues. Për t’u bindur për shkeljet e të drejtave të njeriut për nëpërkëmbjen e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve, banorëve të Kosovës dhe të kryeqytetit të saj, kancelaritë europiane dhe botërore kësaj radhe ishin tek portat e Prishtinës për të parë dhe për të dëshmuar. Krimet e paralajmëruara serbe tani nuk ishin pa veshë. Bota po mësonte se ç’plane po gatisnin kundër Kosovës projektuesit e gjenocidit, siç kishin bërë disa herë regjimet serbe. Këtu erdhën diplomatët më të rryer të Europës, britanikë, gjermanë, frëngë, italianë dhe mbi të gjitha amerikanë për t’u bindur me ankesat e shqiptarëve që arrinin çdo ditë nga Prishtina në kryeqytetet e tyre.
Gjithkujt i kujtohet fotografia emblematike e qëndresës së një shqiptari ulur patrembshëm në sheshin e Prishtinës derisa policia serbe po shfrynte mllefin mbi demonstrues paqësor. Ishte dita kur në kryeqyteti kishte arritur delegacioni nga senati amerikan, i prirë nga Senatori Robert Dol. Ky imazh që po i dërgohej botës demokratike u përsërit sa e sa herë gjatë vizitave të delegacioneve të botës demokratike…
Për një çast, Prishtina e viteve ’90 u bë burim shprese, kurse banorët e saj, papërjashtimisht dhe papritur u bënë diplomatë, gazetarë, luftëtarë për të drejtat njeriut, reporterë lufte, humanitarë, punëtorë arsimi e shëndetësie. Prishtina shpaloste shpirtin e vet të madh dhe zemrën që rrihte për çdo banor të saj. Shtëpitë e prishtinasve u bënë shkolla e spitale, lagjet vatra të rezistencës dhe solidaritetit të njeriut për njeriun në kohë të vështirë.
Prishtina shpërfaqte solidaritetin e vet të madh dhe zemrën që rrihte për çdo banor të saj. Çdo skutë e kënd i kryeqytetit vepronte si një organizëm që luftonte mbi të keqen që i kanosej. Restorantet dhe kafenetë u bënë galeri arti e kulture, që në kushte të pamundshme ruanin shpirtin krijues të artistëve, madje me porosi për botën demokratike nga forcë e mendjes dhe atdhetarisë, holet e qendrave ishin vende përurimesh librash, performancash artistike e letrare, por edhe skena të hapura të aktrimit…
Sigurisht që secili prej nesh do të ruajë nostalgjinë e kafe-galerive të shndërruara në skuta eskapiste të qarqeve artistike dhe intelektuale të kohës së frikshme nën ethet kazablankase të pritjes mes luftës që do të vinte dhe një diçkaje të madhe që do të ndodhte – mes shkatërrimit të përgjithshëm dhe lindjes së dritës së shumëpritur të lirisë. Si restorant-galeria që mbante emrin e “huazuar” nga njëri prej romaneve të shquar të Ismail Kadaresë, ku kishte po ashtu një Han të dy Robertëve me po këtë motivim të puqjes me kohët historike. Aty qarkullonin artistë, poetë, piktorë, gazetarë, politikanë, elitat intelektuale të kryeqytetit, njerëz të rëndomtë, emra të gazetarisë botërore, politikanë dhe vëzhgues të huaj, ndërkombëtarë që ishin vërtet miq të shqiptarëve, apo edhe asi që vetëm hiqeshin si të tillë… Aty shpalosej politika zyrtare dhe jozyrtare e Kosovës, informohej opinioni botëror, editoheshin gazetat e pakta të kohës dhe formësohej mendimi intelektual. Aty hapeshin ekspozita nga artistë të degdisur jashtë institucioneve dhe promovoheshin libra letrarë-poetikë, si dhe studime politike dhe publicistike.
Po këtë rol loznin edhe disa kafe-galeri të tjera në Prishtinë: ‘Koha’, ‘Ora’, ‘Te Qafa’, ‘Te kurrizi’, etj. “Menytë” e këtyre restoranteve, pos kulinarisë, përshfaqnin emrat e shquar të pikturës kosovare, ekspozitat e “artit politik”, “kundër dhunës dhe represionit”. Gati të gjitha këto ekspozita kishin të bënin me politikën dhe protestën. Kjo ishte e pashembullt, pasi që ekspozitat muzeore zakonisht nuk janë në gjendje të reagojnë kësisoj ndaj realitetit dhe këtij lloji të ‘zeitgeist’-it kulturor. Ngjarjet e mëdha politike kërkonin reagime krijuese të atypëratyshme… Shumë shfaqje, të përthyera edhe në atë që ndodhte aty trajtonin çështje që kishin të bënin me masakrat, me mohimin e të drejtave kombëtare e civile, me pabarazinë socio-ekonomike, ose të gjitha këto të kombinuara.
Këto ishin bërë adresë e paevitueshme e kohës. Gjetiu në botën moderne, historia e kulturës së kafesë dhe restoranteve krijon lidhje të natyrshme me ngritjen e artit alternativ, me hapësira dhe funksione si “vendi i tretë” në qasjen ndaj artit, kulturës dhe diskursit intelektual. Por, tek ne, përgjatë viteve ato u bënë vendtakime të diplomatëve të huaj me liderët tanë, vende ku vinin dhe drekonin delegacione të ndryshme zyrtare që arrinin në Prishtinë. Mbaheshin dreka pune dhe biseda relevante sy-më-sy ose në rrethe më të gjera, me personalitete të ndryshme politike dhe publike. Isha takuar edhe vetë me gazetarë të huaj e përfaqësues diplomatikë botërorë, herë si kryeredaktor i gazetës së ndaluar ‘Rilindja’, herë vetëm dhe herë me kolegë të mi, në përpjekje për të sqaruar realitetin e rëndë të Kosovës.
Takimet me diplomatë të huaj që vinin për të na inkurajuar në Prishtinë na bënin të krijonim shtyllën e një vetëbesimi se fitorja e lirisë donte qëndresë, durim e vetëmohim. Por se ajo do të vinte patjetër. Kishim një vetëbesim të pakuptueshëm nga distanca e sotme kohore. Çasti më shpresëdhënës ishte momenti kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën Zyrën Amerikane. Prishtina si nikoqir i përfaqësisë së parë diplomatike tani kishte diçka për t’u mburrur që nuk e kishte pasur kurrë më parë, një hap historik që shtoi shpresat dhe pritjet e tërë Kosovës. Në njërën prej lagjeve kryesore të Prishtinë më 6 qershor 1996, u ngrit flamuri amerikan që sillte me vete premtimin dhe mbajtjen e fjalës së dhënë nga aq shumë personalitete eminente politike të Amerikës në Prishtinë dhe Uashington se Kosova nuk ishte vetëm… Kjo ndryshoi çdo gjë. Diplomacia botërore tani kishte një adresë në kryeqytetin kosovar. Vende të tjera demokratike, sidomos të demokracive perëndimore, mendonin për hapa të ngjashëm, ndonëse që të gjitha shtuan prezencën diplomatike dhe interesimin e tyre për Kosovën. Çështja e Kosovës tani ishte një pako e hapur për diplomacinë perëndimore dhe emri i Prishtinës po bëhej sinonim i bërthamës së shtetit të ri.
Ishte koha kur Prishtina prodhonte atë që do të quhej shpresa e lirisë që patjetër do të vinte. Ndonëse as ajo nuk dinte për çmimin që duhej të paguante. Dhuna serbe tashmë kishte mbuluar çdo pjesë të Kosovës dhe të Prishtinës. Deri në momentin vendimtar kur makineria pushtuese dhe gjenocidale po ndërmerrte aktin e fundit, atë të asgjësimit të tërë popullit të Kosovës, përmes masakrash, vrasjesh masive, dhunës totale, dëbimit dhe spastrimit etnik. Dhuna në Prishtinë ishte intensifikuar përmes veprimeve të grupeve të shfrenuara kriminale serbe: rrahjet e banorëve, kërcënimet, vrasjet, arrestimet e madje edhe atentatet në forma të ndryshme mbi shqiptarët tashmë ishin bërë rëndomëni në jetën që po bëhej e padurueshme. Ndonëse Prishtina nuk zhbëhej…
Lufta mori viktimat e saj nga të gjitha qytetet e Kosovës, natyrisht edhe nga Prishtina: ngjarjet janë tepër të rënda për t’u harruar netëve të para bombardimit të NATO-s. Po digjej çdo gjë që mbajti gjallë jetën dhe shpirtin krijues të shqiptarëve në Prishtinë, të gjitha ato objekte që iu shërbyen shqiptarëve kundruall dhunës së pushtuesit në qytet: shtëpitë-shkolla, shtëpitë-spitale, shtypshkronjat e selitë e gazetave, objektet që kishin strehuar institucionet paralele të Kosovës. U dogjën edhe kafe-galeritë, librat në shqip u hodhën në turrë dhe u dogjën, simbolet shqiptare u përdhosën, njerëzit u fyen dhe u vandalizuan… Prishtina kishte marrë goditje të rëndë dhe i ishte hapur plagë e pashërueshme. Më 1999 u dogj edhe Hani i famshëm. Pronari i saj u plagos e një aktore kishte vdekur në sulmin nga vrasës serbë. Në mesin e objektit të djegur u gjetën copa të një libri përshtypjesh nga vizitorë të huaj. Dy-tre vjet më parë unë ia kisha dhuruar pronarit të Hanit, një notes të veçantë të lidhur në formë libri në Shtypshkronjën e pushtuar të ‘Rilindjes’. Dhjetëra diplomatë, gazetarë e anëtarë delegacionesh diplomatike kishin thënë atë që kishin parë në Kosovë. Të gjitha ishin tretur. Prishtina nuk u përkul, por nga lindja e saj sikur po dilte një diell alegorik për të ardhmen dhe për banorët e saj që kryeqyteti po i priste duarhapur…
– Prishtina e pasluftës
Që në ditët e para kur kryeqyteti u çlirua nga pushtimi serb, duke iu kthyer pronarëve të vet të ligjshëm, Prishtina ishte një qendër kaosi dhe paligjësie. Mes kremtes dhe teprisë së fishekzjarrëve, në një atmosferë festive, por edhe të mugët, ata që ishin dëbuar nga qyteti po ktheheshin mes zymtësisë dhe zhurmës së gjeneratorëve. Pakkush i vinte veshin faktit të ngrysjes së përgjithshme. Jeta ishte vibrante dhe ëmbëlsisht e frikshme. Njerëzit e dinin se çdo zymtësi nuk do të thoshte asgjë para faktit se kryeqyteti, si dhe tërë Kosova ishte e lirë. Pritja jubilante e forcave ndërkombëtare të NATO-s dhe brohoritjet ndaj ushtarëve të UÇK-së që “zbarkuan” në Prishtinë mbulonte çdo brengë apo shqetësim tjetër. Njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre prej të cilave ishin dëbuar dhe, ndonëse banesat e tyre ishin djegur, demoluar, plaçkitur dhe rrënuar, njerëzit festonin të sotmen duke ushqyer shpresën për të nesërmen…
Mes zhurmërimash të të shtënave dhe tymit kremtues, që shënonin kufirin midis së drejtës për të festuar dhe obligimit qytetar për kremtim të matur, prishtinasit po i ktheheshin jetës mes dyqaneve të varfëruara, mangësive gjithëfarëshe dhe pikave të ndihmave humanitare. Ata që kishin qëndruar në Prishtinë, duke mbijetuar nën rrethana të ndonjë mrekullie, tani prisnin njerëzit e vet të afërt që po ktheheshin nga të katër anët e botës, nga vendet në të cila ishin strehuar. Të gjithë ishin të kënaqur, të gëzuar dhe të lumtur. Kryeqyteti dhe banorët e tij po mjekonin plagët…
Kjo ishte krejtësisht e shpjegueshme. Po të keni jetuar nën okupim do ta dini se çfarë do të thotë liria. Kjo ishte arsyeja pse njerëzit mbanin atë qëndrim të veçantë dhe sjellje entuziazmi pas luftës. Atyre nuk iu bënte përshtypje asnjë e keqe më, për shkak se e dinin se si kishte qenë jeta nën okupimin serb. Plagët ishin të freskëta. Ushtria dhe bandat serbe kishin vrarë e plaçkitur deri në momentet e tyre të fundit, madje deri vetëm një natë para se të hynin forcat e NATO-s. Kjo ishte e freskët në mendjen e çdo banori të kryeqytetit.
Ikja e trupave serbe nga Prishtina dhe nga e tërë Kosova ishte një nga sukseset më të mëdha dhe paraqiste fillimin e sendërtimit të aspiratave të kosovarëve, një pikë kthese që linte prapa një kohë që nuk do to kthehej më. Njerëzit ecnin triumfalisht në rrugët e qytetit të sapoçliruar, duke përshëndetur dhe uruar njëri-tjetrin. Gjatë ditës atmosfera ishte më pak e heshtur me banorët që dilnin për të shënuar këtë rast, të çliruar nga frika e dikurshme dhe të panjohurat që do të mund të sillte lufta. Njerëzit dilnin me flamuj kombëtarë dhe qëndronin për pak kohë para shfaqjeve publike të manifestimit të fitores dhe lirisë. Pavarësia ende nuk kishte ardhur, por të gjithë e dinin se ajo do të vinte…
Çdo ditë sillte diçka të re. Papritur gjërat morën një kahe tjetër jo të këndshme dhe ai entuziazëm i banorëve të kryeqytetit u zëvendësua me ndryshime interesash vetjake dhe meskine të secilit, për të përfituar, për të mos zgjedhur mjete për të arritur realizimin e interesave individuale. Fryma e solidaritetit që kishte ekzistuar para luftës tek prishtinasit tanimë i takonte së djeshmes dhe egoizmi e konkurrimi i egër kishte marrë çdo gjë në pushtim. Së shpejti, filluan keqpërdorimet dhe djegiet e ndërtesave që prishtinasit i kishin ndërtuar dhe ruajtur me xhelozi: u dogjën ndërtesa institucionesh, mes së cilash edhe Qendra e Rinisë në mes të Prishtinës, që vazhdon edhe sot (kush e di me ç’qëllim?) të qëndrojë e pariparuar. Kjo qendër që ishte mburrje e Prishtinës u kthye në depo biznesmenësh madje edhe vend parkimi deri në ditët e sotme.
Nisi qërimi i hesapeve të grupeve të ndryshme, nisën krimet enigmatike, vepra të krimit të organizuar të shumë aktorëve që po e bënin jetën pothuajse të padurueshme dhe për të pasur frikë. Nisën vrasje dhe qërime hesapesh mes interesash dhe grabitjesh dhe vrasje të rënda të papritura dhe pa shpjegim. Vrasja e Xhemail Mustafës, mikut tim dhe i të të gjithëve, intelektualit që kishte kaluar ditët e luftës i kyçur në banesën e tij dhe që kishte dhënë dëshminë e vet për katrahurën në Prishtinën e atyre muajve në librin “Një lutje për Prishtinën”, tronditi çdo kryeqytetas dhe çdo shqiptar në Kosovë. Ishte e qartë se Prishtinës tani i duhej “një lutje” tjetër për ta shpëtuar atë nga vetvetja…
Prishtina vazhdoi degradimin dhe shëmtimin: filluan uzurpimet, përvetësimet dhe mbindërtimet për të strehuar migracionin e madh nga fshatrat që ky qytet vështirë e përpinte. Qyteti po ngulfatej mes kaosit dhe degradimit urban. Ata që përpiqeshin t’i dilnin para këtij degradimi e pësuan, disa edhe me jetë. Gjërat nuk dukeshin aspak mirë për Prishtinën dhe prishtinasit. Ashtu si dhe për banorët e qyteteve të tjera të Kosovës të kësaj kohe…
Në ditën më të ftohtë dhe me shpirtin më të ngrohtë ndonjëherë, në Prishtinë Kosova shpalli pavarësinë. Kjo ringjalli shpresat dhe optimizmin për të lënë prapa negativitetin dhe rrënimin shoqëror dhe urban. Prishtinës po i ktheheshin ngjyrat. Shumë gjëra morën kthesë për të mirë dhe rrugët për kthimin e shkëlqimit të kryeqytetit u hapën… Shumë gjëra pozitive ndodhën për një kohë të shkurtër. Shoqëria kosovare po përjetonte një rilindje të mbështetur në shpresë dhe vetëbesim. Qyteti u mbush me shkollarë që ndiqnin me dhjetëra universitete dhe kolegje që u themeluan për një kohë të shkurtër. Mediat elektronike shënuan një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe jetësimi i shoqërisë civile në shoqërinë demokratike ishte një bonus shtesë për shoqërinë kosovare.
Prishtina u rrit dhe po merrte konturat e një qyteti europian të njerëzve shpresëplotë…
Ndonëse, akoma nuk mund të thuhet se Prishtina është një kryeqytet i bukur.
Estetikja është ende në kërkim për ta bërë atë qytet siç e duan dhe e kanë ëndërruar banorët e saj. Prishtinës i mungojnë shumë gjëra: i mungojnë zgjidhjet urbane të zhvillimit të planifikuar, mungojnë ndërtesat e duhura institucionale, infrastruktura shtetërore, mungon opera dhe teatri adekuat, qendrat kulturore e sportive, mungojnë muzetë që do të ruanin kujtesën tonë kolektive, mungojnë sheshet moderne, mungojnë parqet, mungojnë parkingjet, mungon një linjë tramvaji… I mungon dhe një lumë, po ky nuk është faji i saj. Prishtinës i mungon sharmi i një kryeqyteti europian, siç duam ta bëjmë. Ka aq shumë për të bërë dhe do të bëhet vërtet me tërë elanin dhe entuziazmin që po ripërtërihet si tek banorët e kryeqytetit, ashtu edhe tek e tërë shoqëria kosovare… / KultPlus.com
Ambasada amerikane në Kosovë, duke përkujtuar 12 Qershorin, ditën kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, tha se kjo ngjarje përbën një pikë kthese që shtroi rrugën drejt paqes dhe mundësoi kthimin e familjeve të zhvendosura.
Ambasada nderoi qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme në paqe e siguri.
“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. 12 qershori 1999 ishte një pikë kthese – ajo që lejoi familjet e zhvendosura të ktheheshin dhe komunitetet të fillonin rindërtimin. Në këtë përvjetor, ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit kosovar dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe prosperitet”.
Më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës ajrore, forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, KFOR, hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës./ KultPlus.com
Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi do të bëjë debutimin e saj në skenën e famshme të Royal Opera House në Londër në rolin e Leonorës në operën “Il Trovatore” të Giuseppe Verdit.
“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë lumturinë time”, ka shkruar ajo.
“Është një nder i jashtëzakonshëm të ngjitem në këtë skenë legjendare dhe të sjell në jetë njërën nga heroinat më pasionante dhe më të fuqishme të Verdit,” shprehet tutje artistja.
Datat e debutimit: 9, 12, 16 dhe 19 korrik.
Kjo është një arritje madhështore për artisten dhe një moment historik për kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare./ KultPlus.com
Jusuf Buxhovi përfaqëson një figurë kyçe në peizazhin intelektual dhe kulturor të Kosovës dhe më gjerë. Si historian, shkrimtar dhe publicist, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pasurimin e historiografisë shqiptare dhe në formësimin e vetëdijes kombëtare përmes veprave të tij të shumta. Qëllimi i tij kryesor është të ruajë dhe të transmetojë historinë e popullit shqiptar në një mënyrë të vërtetë, kritike dhe të thelluar, duke i dhënë zë atyre që shpesh janë lënë jashtë rrëfimeve zyrtare.
Një nga aspektet më të rëndësishme të veprës së Buxhovit është përpjekja për të kapur realitetin historik në të gjitha dimensionet e tij. Ai nuk shmang sfidat dhe kontradiktat, por i trajton me rigorozitet shkencor dhe një ndjeshmëri të thellë humane. Kjo qasje e bën punën e tij të domosdoshme për çdo studim serioz mbi historinë dhe shoqërinë shqiptare. Përmes romanit, studimeve dhe publicistikës, Buxhovi ndërton ura ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, duke kontribuar në zhvillimin e një identiteti kombëtar të vetëdijshëm dhe të konsoliduar.
Përveç aspektit shkencor, veprat e tij kanë edhe një dimension të fuqishëm edukativ dhe moral, që ngjallë reflektim dhe vetëdije historike në publikun shqiptar. Ai shërben si një gardian i kujtesës kolektive, duke i kujtuar brezave të rinj vlerat, sakrificat dhe sfidat e paraardhësve të tyre. Në këtë mënyrë, Jusuf Buxhovi kontribuon jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe në forcimin e unitetit dhe qëndrueshmërisë së kombit shqiptar.
Në një kontekst më të gjerë, veprat e tij janë pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të afirmuar dhe rivendosur historiografinë shqiptare në skenën akademike ndërkombëtare. Përmes metodologjisë së tij të kujdesshme dhe përkushtimit intelektual, Buxhovi ka krijuar një model që përbën frymëzim për studiues të rinj dhe kontribuon në avancimin e njohurive për historinë dhe kulturën shqiptare.
Në përfundim, Jusuf Buxhovi është një nga arkitektët kryesorë të kujtesës historike shqiptare dhe një ndriçues i rëndësishëm i identitetit kombëtar. Kontributi i tij akademik dhe letrar mbetet një thesar i çmuar për kulturën shqiptare dhe një burim frymëzimi për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë dhe të çmojnë thellësisht historinë e tyre.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, më 12 qershor të vitit 1999, kishte mbajtur një fjalim kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj.
Clark kishte thënë se 12 qershori ishte dita më e rëndësishme në të gjithë operacionin në kuadër të të cilit ishin të angazhuar për javë dhe muaj të tërë.
Ai i kishte falënderuar ushtarakët e NATO-s për guximin dhe përkushtimin që treguan, duke pohuar se familjet e tyre ishin dhe do të mbeten krenar me ata.
“Jo vetëm që forcat tona kanë kryer një fushatë të suksesshme ajrore e cila e detyroi Millosheviqin të përmbushte pesë kërkesat tona qendrore, por ato gjithashtu kanë qenë përgjegjëse për punën heroike në frontin humanitar”, ka thënë Clark.
“Puna jonë, natyrisht, është shumë larg nga kryerja dhe rreziqet janë larg nga përfundimi. Forcat tona po hyjnë në një territor të vështirë, por ata e dinë se kauza e tyre është e drejtë dhe do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar Kosovën dhe për t’u përgatitur për kthimin e qindra mijëra refugjatëve që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga ky spastrim etnik brutal”.
Gjenerali Clark ka pohuar se Slobodan Millosheviq ishte bindur që NATO po fitonte, dhe se duhej të largoheshin forcat e ushtrisë së tij nga Kosova.
“Në fillim, ne thamë se do të sulmonim sistematikisht dhe në mënyrë progresive, do të sulmonim, degradonim, shkatërronim nëse presidenti Millosheviq nuk do t’i përmbush kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfundimisht t’i shkatërrojë forcat serbe në Kosovë, objektet e tyre, logjistikën dhe të gjitha asetet e saj. Presidenti Millosheviq e vlerësoi dhe ne e bëmë pikërisht këtë, dhe Millosheviqi u bind”.
“Kur u pyetën se sa kohë do të zgjaste, udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se mund të duheshin ditë, javë ose muaj, në fund të fundit do të varej nga sa dënime dhe vuajtje do të ishte i gatshëm Presidenti Millosheviq t’u impononte forcave të tij të armatosura. Edhe kjo ishte e vërtetë dhe ne kemi thënë prej javësh që ne po fitonim, ai po humbiste dhe e dinte. Mendoj se ngjarjet na kanë nxjerrë në pah në çdo rast”.
“Tani, një detyrë tjetër e madhe është duke u zhvilluar, nxjerrja e forcave serbe dhe futja e forcave tona është një operacion i madh logjistik që nuk është pa rrezik”, ka thënë Clark./ KultPlus.com
KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Beqir Musliut, ”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”.
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com
Delegacioni i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit zhvilloi një takim të rëndësishëm në Muzeun Kombëtar të Arteve të Shekullit XXI në Romë, MAXXI, një nga institucionet më prestigjioze të artit bashkëkohor në Evropë.
Takimi u realizua në prani të drejtueseve të lartë të muzeut MAXXI, si dhe me pjesëmarrjen e drejtorit të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggero, i cili dha mbështetje për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e kulturës dhe artit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale theksoi se “qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e institucioneve muzeale të artit bashkëkohor, si dhe identifikimi i mundësive konkrete për bashkëpunim të ndërsjellë, programet e edukimit kulturor, qasjes digjitale ndaj koleksioneve dhe modeleve të qëndrueshme të financimit dhe menaxhimit muzeal, me fokus të veçantë në Muzeun e ardhshëm Kombëtar të Arteve të Bukura”.
“Vizita e delegacionit të MEKI vjen si pjesë e strategjisë për modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e institucioneve kulturore shqiptare, me synimin për t’i kthyer muzetë tanë në hapësira të gjalla, tërheqëse për artistët, vizitorët dhe komunitetet”, tha Gonxhja.
Takimi në MAXXI përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e artit dhe kulturës, dhe një mundësi e re për të nxitur dialogun kreativ mes dy vendeve tona./atsh/KultPlus.com
“Duhet guxim për të dashuruar, por dhimbja përmes dashurisë është një zjarr pastrues gjë të cilën ata që dashurojnë në përgjithësi e dijn. Ne të gjithë njohim njerëz të cilët aq shumë frikësohen nga dhimbja sa që mbyllen brenda vetes dhe nuk japin asgjë, nuk marrin asgjë dhe në këtë mënyrë tkurren deri sa jetën e bëjnë thjeshtë një vdekje që jeton.”
“Pavarësisht se sa e thjeshtë është një femër, nëse e vërteta dhe ndershmëria janë të shkruara në fytyrën e saj, ajo do të jetë e bukur.”
“Unë besoj që secili mund ta mposht frikën duke i bërë gjërat që gjithmonë ka pasur frikë ti bëjë.”
“Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën.”
“Kurrë mos u mërzit dhe kurrë nuk do të bëhesh i mërzitshëm.”
Kujtojmë se sot bëhen 138 vite nga lindja e Eleanor Rooseveltit, ish-zonja e parë e SHBA-ve.
Anna Eleanor Roosevelt ishte një figurë, diplomate dhe aktiviste politike Amerikane.
Ajo shërbeu si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nga 4 mars 1933, deri në 12 prill 1945, gjatë katër mandateve të burrit të saj Presidentit Franklin D. Roosevelt në detyrë.
Roosevelt shërbeu si Delegate e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Harry S. Truman më vonë e quajti atë “Zonja e Parë e Botës” në shenjë nderimi për arritjet e saj të të drejtave të njeriut./ KultPlus.com
E përditshmja britanike “The Times” i ka kushtuar një tjetër artikull Shqipërisë, ku promovon potencialin turistik të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot artikullin e publikuar në “The Times”. Ai thekson se artikulli “udhëton drejt vendit tonë për të përcjellë Shqipërinë 2025 midis peizazheve të egra, vendosmërisë për të zhvilluar një turizëm cilësor dhe me standarde”.
“Përcjell Gjirokastrën ku midis rrugicave të ngushta e gurëve e historisë shekullore befason një jetë plot vitalitet dhe bashkëjetesë perfekte mes turistëve, tregtarëve, gurgdhendësve, artizanëve e banorëve, por edhe siteve të UNESCO-s e qyteteve si Pogradeci ku mund të përjetosh një anë vërtet autentike të Shqipërisë”, shtoi Rama.
Në artikullin e shkruar nga Laura Sanders, ftohen turistët të zbulojnë pikat sekrete dhe piktoreske të jugut të Shqipërisë.
Plazhet në Rivierën Shqiptare po bëhen gjithnjë e më të populluara, por nëse shkoni më në brendësi të vendit, do të zbuloni fshatra të qetë, lumenj të egër dhe aventura të pazakonta, shkruan Laura Sanders në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”./atsh/KultPlus.com
Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.
Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.
Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.
Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në EXPO 2025, që po mbahet në Osaka, Japoni.
Në fjalën e saj, ajo përkujtoi Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke e quajtur një moment të rëndësishëm në historinë e vendit. Presidentja tha se kjo ditë nderon ata që luftuan për liri, kujton ata që dhanë jetën dhe vlerëson ndihmën e aleatëve.
“Sot, Kosova është një demokraci që shikon drejt të ardhmes, e udhëhequr nga sundimi i ligjit, me një brez të ri vizionar dhe e përkushtuar thellësisht ndaj vlerave euro-atlantike,” tha ajo.
Presidentja foli edhe për marrëdhëniet me Japoninë. Ajo falënderoi popullin japonez për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës pas luftës dhe gjatë rindërtimit.
“Mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për popullin tonë… nuk do të harrohet kurrë. Ajo ka formësuar themelin e fortë të miqësisë që gëzojmë sot,” tha Osmani.
EXPO 2025 është një ngjarje botërore ku vendet paraqesin kulturën dhe zhvillimet e tyre. Pjesëmarrja e Kosovës aty shihet si një mundësi për të forcuar lidhjet me shtete të tjera dhe për ta bërë vendin më të njohur në botë./KultPlus.com
Ja çfarë shkruan Bajroni për shqiptarët në një letër dërguar nënës nga Preveza, më 1809:
“….. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Gratë e tyre janë përherë një gjë fisnike, por burrat i përdorin si skllave, i godasin, pra me pak fjale janë si nen zgjedhë. Ato punojnë tokën, mbjellin dhe korrin. Merren me prerjen e drurëve në pyll e deri në rregullimin e rrugëve publike. Burrat janë te gjithë luftëtare. Lufta dhe gjahu janë të vetmet zeje me të cilat ata merren”. / KultPlus.com
Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.
U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.
Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. /KultPlus.com
Në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita dokumentare me titullin “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”.
Kjo ekspozitë, e organizuar nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet katër institucioneve kyçe: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe kryeministri në detyrë z. Albin Kurti dhe kryesuesi i seancave të Kuvendit të Kosovës, z. Avni Dehari.
Përmes materialeve të rralla dhe me vlerë të veçantë historike — libra, dokumente, kujtime personale, artikuj të medieve të kohës, fotografi dhe artefakte — ekspozita na ndihmon të ndërtojmë një pasqyrë më të thellë dhe më të plotë të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.
Me fjalë përshëndetëse në hapje u drejtuan: znj. Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, z. Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, znj. Vjollca Aliu, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe z. Mehmed Xhemajli, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar, që përmbledh pamje nga lufta, raportime të medieve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me zhvillimet dhe krimet e luftës në Kosovë.
Kjo ekspozitë ofron një mundësi të çmuar për reflektim dhe ndërgjegjësim historik, duke mos qenë vetëm një dëshmi e së kaluarës, por edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe vlerësim të sakrificës për liri.
Sot, në skenën prestigjioze të National Hall në ExpoOsaka 2025, në kuadër të Ditës së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës u paraqit me baletin bashkëkohor “Exil”, me koreografi nga Eno Peçi.
Në këtë platformë globale, balerinët e BKK-së sollën një interpretim të fuqishëm dhe emocional, duke komunikuar përmes lëvizjes mesazhe të thella që prekën publikun e gjerë ndërkombëtar. Performanca u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata, duke vërtetuar edhe një herë potencialin artistik dhe përfaqësues të Kosovës në arenën botërore.
Kjo paraqitje është pjesë e angazhimit të Kosovës për të promovuar artin, kulturën dhe identitetin përmes një prezantimi dinjitoz në një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të vitit.
E vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria është kthyer në një destinacion në qendër të vëmendjes, duke ofruar joshjen e qetë të një toke – që nuk është pushtuar ende nga anijet dhe autobusët turistikë, shkruan Lee-Ann Steyn në një artikull të botuar në “Getaway Magazine” – një revistë e njohur udhëtimesh, me seli në Afrikën e Jugut.
Me mikpritje të ngrohtë, peizazhe mahnitëse malore që takohen me detin dhe kosto më miqësore se pothuajse çdo vend tjetër në Mesdhe, Shqipëria ofron diçka të rrallë: një ndjesi zbulimi.
Gjirokastra: Një qytet i gdhendur në gur
Nisni udhëtimin tuaj në Shqipëri jo në bregdet, por në brendësi, ku e kaluara është gdhendur në mure guri dhe çati të stilit osman. Gjirokastra, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, njihet si “Qyteti i Gurtë”.
Qyteti i saj i vjetër shtrihet poshtë një kodre në shtresa çatish gri, rrugica me kalldrëm dhe pamje nga fortesat.
Vizitoni pazarin ku artizanët vendas ende shesin qilima të endur me dorë, punime tradicionale prej druri dhe enë bakri.
Vizitoni Kalanë e Gjirokastrës për të shijuar pamjet gjithëpërfshirëse mbi Luginën e Drinit dhe për të eksploruar koleksionin e saj eklektik të armëve dhe historisë (duke përfshirë një aeroplan të kapur të Forcave Ajrore Amerikane nga epoka e Luftës së Ftohtë).
Mos humbisni Muzeun Etnografik të Krujës.
Akomodohuni në një shtëpi mysafirësh ku muret janë të mbushura me histori dhe mëngjesi juaj përfshin reçel fiku të bërë në shtëpi dhe byrek të sapo dalë nga furra.
Berati dhe Butrinti: Gjurmë historie
Ndërsa Gjirokastra është e tëra me gur, Berati është një ëndërr e zbardhur në brigjet e lumit Osum.
Gjithashtu një vend i UNESCO-s, shtëpitë e tij ngjiten në kodër në rreshta të pafundme dritaresh të harkuara.
Eksploroni Kalanë e Beratit (njerëzit ende jetojnë brenda mureve të saj), ose shijoni një kafe në shëtitore ndërsa vendasit kalojnë aty pranë.
Më në jug, pranë kufirit grek, shtrihet Butrinti, një qytet i lashtë me rrënoja greke, romake, bizantine dhe veneciane. Mendojeni si mini-Pompei i Shqipërisë – pa turmat.
Amfiteatrot, tempujt dhe dyshemetë mozaiku shtrihen midis lagunave të qeta dhe shtigjeve me hije.
Riviera Shqiptare: E egër dhe e mrekullueshme
Pas maleve dhe muzeve, është koha për të shkuar në bregdet.
Riviera Shqiptare shtrihet nga Vlora deri në kufirin grek, një hark i mbuluar nga dielli me shkëmbinj dramatikë, ullishte dhe plazhe të qeta të përshkuara nga ujërat bruz.
Plazhet më të mira për t’u vizituar:
Ksamili: Shpesh i quajtur “Maldivet e Evropës”, është plazhi perfekt me rërën e bardhë dhe ujërat e kristalta.
I vendosur në jug të Sarandës dhe pranë Butrintit, mund të mbushet me pushues në mes të verës, por është ende shumë më i qetë se ishujt grekë.
Dhërmiu: Një ndërthurje e sharmit tradicional dhe ujërave kristalore, Dhërmiu ofron plazhe me guralecë, shpella dhe një fshat të vjetër mahnitës të vendosur në kodër.
Mendojeni sikur ndodheni në Bregun e Amalfit – por pa çmimin e lartë.
Plazhi i Gjipesë: Ky vend i mrekullueshëm i izoluar ndodhet në fund të një kanioni dhe kërkon një shëtitje të shkurtër ose një udhëtim me varkë për të arritur.
Gjipeja është një nga plazhet më të bukura dhe të pacënuar në vend – perfekt për një detoksifikim digjital.
Himara: Një qytet i vogël – ndërthur atmosferën e qetë me plazhet me rërë të butë dhe gjire aty pranë – ideale për kajak ose zhytje me maskë.
Borshi: Nëse ju pëlqejnë plazhet e gjata – Borshi është një ëndërr.
Plazhi më i madh në Rivierë, i rrethuar nga ullishte dhe rrënoja, dhe ujërat e tij të qeta janë perfekte për not./atsh/KultPlus.com
Etno-muzikali “Zare” mbushi mbrëmë sallën e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
“Zare” është një nga shfaqjet më të bukura të repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky etno muzikal ngjitet në skenë me gjithë fuqinë e këngës, valles dhe traditës, për të sjellë një histori dashurie mes dy të rinjve dhe na kthen pas në kohët kur dashuria jetonte në gjeste të vogla dhe këngë të mëdha.
Publiku këndoi së bashku me artistët e Ansamblit Popullor. “Zare” u interpretua nga solistët: Aranit Hoxha, Mariana Shkreta, Reji Berisha, Denisa Gjezo Xhemnica, Genci Kastrati dhe Gëzim Halili, nën shoqërimin e Orkestrës, Korit dhe grupit vokal të Ansamblit Popullor.
Koncerti “Zare” u realizua nën drejtimin muzikor të Edi Xhanit dhe koreografinë e Andrea Kokerit. Kjo vënie në skenë solli traditën shqiptare në një format modern, plot energji, emocione dhe festë./atsh/KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës-Qafa, sonte nga ora 19:00 hapet ekspozita “To feel your mood like the weather” e artistit Blerim Racaj, kuruar nga Bardhi Haliti.
Punët në ekspozitë nuk ofrojnë një narrativë të vetme, por përkundrazi një varg pohimesh vizuale. Fotografitë e tij ngelin në të tashme, duke na kërkuar që të shikojmë, dhe pastaj të shikojmë sërish.
Gjatë dy dekadave të fundit, praktika fotografike e Blerim Racajt është zhvilluar në forma të ndryshme që i rezistojnë kufizimeve. Ajo që në punën e tij të hershme dukej se i ngjasonte gjuhës së portreteve, tani më shumë anon nga diçka skulpturore, madje edhe arkitekturore. Në këto imazhe, forma nuk e kornizon vetëm realitetin, ajo e thellon atë, dhe nganjëherë edhe e tret atë tërësisht.
Si artist që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj zë një hapësirë të ndërmjetme, njëkohësisht i vendit dhe i huaj. Ai sjell këtë vetëdije të dyfishtë në punën e tij, ku kuadrimi bëhet i stërhollë, i qëllimshëm dhe gjithmonë i vëmendshëm.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 korrik 2025.
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në 105-vjetorin e ndarjes nga jeta, Heroin e Popullit, Selam Musai (1860-1920).
Selam Musai ra dëshmor duke mbrojtur flamurin kombëtar gjatë Luftës së Vlorës në vitin 1920. Pas kësaj ngjarjeje, ai u bë simbol i trimërisë dhe përkushtimit ndaj vendit.
Selam Musai lindi në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike. Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza të rëndësishme për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit dhe e Mihal Gramenos.
Në dhjetor 1912, duke ju përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos.
Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të armatosur dhe të katundeve të afërta, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës. Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët që e pasonin u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës.
Në luftimet trup më trup me pushtuesit, Selam Musai u vra në Qafën e Koçiut më 11 qershor 1920./ KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës është krenare të njoftojë pjesëmarrjen për herë të parë në Marché International du Film d’Animation (MIFA), tregu më i rëndësishëm dhe më i madh ndërkombëtar i industrisë së filmit të animuar, që zhvillohet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy, Francë.
Pjesë e këtij prezantimi janë edhe përfaqësuesit e festivalit Anibar, të cilët tashmë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të animacionit në Kosovë. Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje më 13 qershor, Anibar do të organizojë “Anibar Genesis Pitch” ku do të prezantohen projektet e gjashtë animatoreve të reja kosovare: Fjolla Mani, Dëbora Musliu, Finesa Peja, Flaka Kokolli, Erza Qorolli.
Kjo iniciativë synon fuqizimin e zërave të rinj krijues dhe ngritjen e kapaciteteve vendore. Programi Genesis implementohet nga Anibar dhe Institut Francais Kosovo dhe mbështetet nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës
Qendra Kinematografike e Kosovës po e shfrytëzon këtë platformë ndërkombëtare edhe për të promovuar skemën e Rabatit prej 30%, e cila përfshin dhe mbështet projektet e animuara – një masë që synon nxitjen e bashkëprodhimeve ndërkombëtare dhe zhvillimin e industrisë vendore të filmit.
Gjithashtu në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Ministrisë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ambasada e Kosovës në Francë do të organizojë një pritje më 12 qershor, dedikuar profesionistëve ndërkombëtarë të industrisë së animacionit.
Pjesëmarrja në MIFA përfaqëson një hap të rëndësishëm strategjik në drejtim të ndërkombëtarizimit të industrisë kreative në Kosovë. Përmes kësaj platforme, Qendra Kinematografike e Kosovës synon të krijojë mundësi të reja për animatorët e rinj, të forcojë rrjetëzimin ndërkombëtar dhe të nisë ndërtimin e një infrastrukture profesionale për prodhimin e animacionit në vend./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh prekës pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të regjisorit dhe skenaristit Leka Bungo.
“Lamtumirë miku im Leka Bungo! Prehu në paqe!”, ka shkruar kryeministri Rama.
Regjisori Bungo u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare. Ai do të përcillet sot për në banesën e fundit dhe do të prehet në varrezat e Sharrës. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët përmes rrjeteve sociale.
Vajza e tij, Alba, ka shkruar se i ati nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë. Bungo ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion./ KultPlus.com