“Shqiptarë të panjohur” titullohet ekspozita e hapur pasditen e sotme në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë me fotografitë e shkrimtarit dhe publicistit Ben Blushi.
Gjatë ceremonisë së hapjes morën pjesë artistë, figura publike, miq e dashmirës të autorit sikundër edhe Kryeministri Edi Rama.
Vetë Blushi në hapje të ekspozitës tregoi procesin krijues të saj.
“Unë e shijova këtë magji duke ecur nëpër qytete, nëpër fshatra, në plazhe të braktisur, në godina të rrënuara, nëpër lagje të vjetra, të cilat shkaktojnë një zhvendosje të përhershme njerëzish nga një vend në një vend tjetër”, tha ai.
“Në kërkim të çastit dhe të një fotografie më të mirë, do vazhdoj të eci duke e drejtuar aparatin tim mbi portretet e njerëzve të panjohur”, vuri në dukje Ben Blushi.
Më herët Blushi duke njoftuar për hapjen e ekspozitës, tregoi se e quajti ciklin e fotografive Shqiptarë të Panjohur në emër të të gjjthë atyre njerëzve të panjohur të cilët i ka takuar në rrugët e Shqipërisë, në qytete dhe fshatra të vegjël.
“Ata më lejuan t’i fotografoj duke më mësuar artin e mrekulkueshëm të fotografisë”, u shpreh ai.
“Shqiptarë të panjohur” do të qëndrojë e hapur për publikun në COD deri në datën 30 prill.
“Shqiptarë të panjohur” në COD, foto: Agim Dobi./ KultPlus.com
Kam zbritur, duke të dhënë krahun, së paku një milion shkallë dhe tani që s’je më, zbrazëtia është në çdo prag. Qoftë dhe si i tillë, ish i shkurtër rrugëtimi ynë i gjatë. Imi po zgjat ende, e s’më lypen më rastisjet, rezervimet, kurthet, damkosjet e kujt beson se e vërteta qenka ajo që shquhet.
Kam zbritur miliona shkallë duke të dhënë krahun jo ngaqë me katër sy mbase shquhet më tepër. Bashkë me ty i kam zbritur ngaqë e dija se nga tonat, bebëzat e vetme të vërteta, ndonëse plot mjegull, ishin të tuat.
Kongresmeni amerikan Keith Self ka përshëndetur kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të kërkuar pezullimin e tarifave ndaj produkteve amerikane.
Ai e ka cilësuar këtë hap si një shembull të fuqishëm të lidershipit, duke u bërë thirrje edhe partnerëve evropianë që ta konsiderojnë një qasje të ngjashme.
“Ky është një mësim i jashtëzakonshëm në lidership për partnerët tanë evropianë që ta marrin në konsideratë,” ka shkruar Self në rrjetin social X, duke e shoqëruar mesazhin me flamurin amerikan.
Ky reagim vjen pas kërkesës zyrtare të Presidentes Osmani drejtuar Qeverisë së Kosovës për të pezulluar tarifat mbi produktet amerikane, me qëllim thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Osmani e ka cilësuar këtë si një hap strategjik për të forcuar bashkëpunimin me aleatin më të ngushtë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com
Kongresmeni republikan Carlos A.Gimenez e ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani pas kërkesës që ajo i bëri sot qeverisë së Kosovës për pezullimin e tarifave të importit ndaj mallrave amerikane.
Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin “X” ka thënë se ky shembull duhet të ndiqet edhe nga shtetet e tjera evropiane.
“Faleminderit, Zonja Presidente! Ky veprim po pritet mirë në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë të tjerë në Evropë duhet të ndjekin shembullin tuaj.”, ka shkruar ai./ KultPlus.com
Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament. Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme, Sa s’di ç’ta marrësh, delir apo qytet.
Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm, Që një mijë vite rreh ta heqë më kot. Vërtetin gjethet dantealigershëm Si shpirtra që nuk patën trupa dot.
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt, Në varg veturash rendin, s’dihet ku. E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë Ngaqë askush s’beson askënd, askund.
2 Në një mëngjes të tillë ç’të bësh më mirë, Se sa të shkosh në klubin “Davidoff”? Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.
Në kafene ka për çdo punë një qasje, Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot. Për tri mijë euro porosit një vrasje, Për katër mijë, titullin vikont.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin, Çmimin Nobel a një veturë të re, Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit Të zotit president me emër hebre.
Flitet për mllefe, për kupën që u mbush, Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit. Në njërën nga tryezat shpall dikush Një skicë të re të historisë së kombit.
Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre, Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha. Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend, Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.
Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën, Jo një kasolle vllahu në Ballkan, E vunë në flamur të tyre shkabën Dhe bij të saj u shpallën anembanë.
Kështu në kafene kjo punë merr qasje Me “kundra” e “pro” të bujshme, natyrisht. Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi, Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish. 3 Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë. Temperatura e dollari zbresin prap. Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë, Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.
A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht? Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka. Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish, Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.
Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë Kujton aq krenarisht se është në majë? Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë, Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Një makth i dalë nga një gjumë i marrë Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe. Ca trumba zogjsh me curle e celularë Që nëpër mjegull klithin, nëpër re.
4 Pse gjethet befas prarim kurore marrin, Tek shtrohen si qilim mbi bulevard? Kambana e katedrales së Shën Palit Trishtueshëm bie si me peng e aht.
Ç’nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr, Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura. Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.
Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë, Pas dokeve kreshnike a në pritë. Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron E para veç një vit, e dyta as një ditë.
Dhe katedralja i përcjell me vaj Dy mjellmat e gabuara, të mekura. Ato që s’erdhën për kurorë, veç për varr, Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura. 5 Në klubin “Davidoff” qelqnajë e ngrirë Dremitje dite sjell s’di se nga ku. Një si madonë e lodhur më është përhirë, Që italishtja gjuhë mund t’ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme, Në të njëmijtin e treqindin vit, Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh, Këto tri kate, rradhët, ashensorët, Ku hypin, zdrypin, klithin obobo, Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot Të ndërrojnë katet, por katet s’ndërrohen kurrë. Të zes, në mjegull shtyhen sindozot, Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori? Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi. Shkodran je ti? Ç’plenum i zi të polli? Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt, Piktorët andej, i pesti rreth u mbush. Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati. Në s’do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka, Ashtu siç ju nuk patët për askënd. S’ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha, As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri, Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë. I nënti rreth po mbushet, dhe ai. S’ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.
6 Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi. Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall. Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri, Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh. Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja M’u duk se më kujtonte një premtim. Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja, I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit: Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem. Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur, Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?
S’e di, i thashë, me habi të ftohtë, Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush. Dikush nga ne të dy s’është më në botë, Po cili a cila, këtë s’e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë. S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund. Gjersa ajo u tret te qelqi i madh Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.
7 Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut Nis të stoliset për ballo a për orgji. Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut, Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.
Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin Drita dhe bare rrotulluese lart. Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë, “Amerikan”, “Raiffeisen” e “Credin’s Bank”.
Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq, Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut. I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.
Kull e Sahatit po tregon një orë, Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë. Në sallat e muzeut të fundit vizitorë Ja muzgu si në kurth befas i zë
8 Kështu në një fund dite ajo mu shfaq Fantazmë e kombit si e Hamletit mbret. Kish ndryshk e gjak mbi parzm e et per shpage Dhe kumt të frikshëm kish në sytë e vet.
Une ja besova fjalët, kumtin, ahtet, Gjithmonë ka një fantazmë qe lyp dicka prej nesh, Pastaj ajo kërkoi atë që s’lypet artin. Tek fjalen “popull” tundtte si rrebesh.
Te falem per ç’me dhe, veç mos me lyp ti mos, Një borxh që nuk ta kam. Të kërkoj ndjesë Qe dot s’të mbrojta, s’të mbrojta e sidomos, Prej vehtes tënde, armikut tënd të tmerrshem.
Ti rrugën tënde ke në këte botë të ftohtë, Shkrimtari do a s’do ka rrugen e vet. Të mbroftë Zoti, a marrezia të mbroftë, Tjetër hyjni unë kam. Pra mirëmbetsh!
Ska “mirembetsh!” fantazma klithi. Mejet Ti sndahesh dot, mbi toke apo nen toke! Nu ngritshim, te dy do cajme rete Ne rencim ne humnere, do biem tok.
Klithmën e saj kaq kohë pata në vesh, Here si rënkim, si urdhër a si vaj Kërkonte që gjithkund ta mbart si peshe, Porsi Ankizin at, mbi shpinë ta mbaj.
Të gjithëve kjo klithmë na ndjek si nëpër gjumë. I vogël është planeti sigurisht, Si një shtëpi e ngushtë, ku në bodrum Dikush klith: “ndihmë!” dhe ti, s’di si ta ndihsh.
Mesnata shkon Tirana dot nuk fle. Po flet përcart si shpirt që kërkon ndihmë Një metropol me kryet krejt në re, Kryeqytet me emrin krejt enigmë.
Në ç’makthe e gjete, ç’kumt aty ke ndryrë? Ç’urdhër ke fshehur, kë do trembësh me të? Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë, Ajo që s’jep përgjigje për asgjë./ KultPlus.com
Hapja e tunelit të Murrizit për qarkullimin e mjeteve e ka bërë të aksesueshme të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila pritet të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik për veriun.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga rrugëtimi i automjeteve në tunelin e Murrizit, i cili ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash.
“Pasdite nga tuneli i Murrizit”, shkruan Rama krahas pamjeve.
Pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon, Tuneli i Murrizit u hap për qarkullimin e mjeteve në 14 mars.
Tuneli i Murrizit përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës dhe ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.
Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit konsiderohet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm që afron qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por është po ashtu edhe një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu, ky aks rrugor është rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë së Veriut Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra një rrugë lidhëse ndërkombëtare./ KultPlus.com
B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha gjithkund ku flitej shqip.
Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.
Sot KultPlus ua sjell një prej këngëve më të njohura të B.B Poqit, “Ti je një iluzion”. / KultPlus.com
Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.
Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com
E Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane, Anu Prattipati, u takua sot me Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për të diskutuar mbi partneritetin ekonomik Kosovë-SHBA.
Ambasada amerikane njoftoi se një delegacion kosovar do të shkojë në programin “SelectUSA” në maj për të eksploruar më tej mundësitë e investimeve dhe “për të nxitur marrëdhënie të begata biznesi!”.
Prattipati në fjalën e saj para Odës Ekonomike tha se është mirë që po “diskutojmë përfitimet reciproke të lidhjeve të forta ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Ajo tha se OEK përmes avokimit të saj dhe “delegacioneve të shumta të suksesshme që keni organizuar në Shtetet e Bashkuara, ju po ndihmoni në formimin e mënyrës sesi Kosova shihet nga investitorët dhe vendimmarrësit”.
“Pjesëmarrja juaj në programe si SelectUSA e përforcon këtë ndikim. Dua të përgëzoj personalisht shtatë kompanitë që tashmë kanë aplikuar këtë vit për të marrë pjesë në Samitin e Investimeve SelectUSA. Ne inkurajojmë edhe më shumë prej jush që të përfitoni nga kjo mundësi në maj në Uashington, D.C”.
Ajo tha se SelectUSA është një platformë kryesore për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar, duke ofruar “mundësi të pashembullta të rrjetëzimit me zyrtarë të qeverisë amerikane, biznese dhe investitorë”.
Pjesëmarrësit zbulojnë gjithashtu mundësi investimi në Shtetet e Bashkuara dhe fitojnë njohuri të tregut të SHBA-së, mes një pasurie burimesh të disponueshme për të pranishmit përmes SelectUSA.
“Lidhjet e bëra në SelectUSA do të çojnë në rezultate të prekshme dhe afatgjata”, tha ajo.
“Marrëdhëniet që zhvillojnë pjesëmarrësit do të avancojnë më tej partneritetin tonë ekonomik dypalësh. Kjo marrëdhënie nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë ose investimet – ka të bëjë me ndërtimin e prosperitetit të ndërsjellë”.
“Administrata e SHBA-së është e përkushtuar për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë dhe ne shohim një përafrim domethënës me atë që po ndodh këtu në Kosovë”.
Ajo tha se Kosova mund të tërheqë investime dhe firma amerikane në sektorë si energjia, TIK dhe prodhimtaria.
“Ne e dimë nga përvoja se këto lloje të partneriteteve mund të jenë transformuese, duke nxitur inovacionin, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke përmirësuar ofrimin e shërbimeve”./Express/ KultPlus.com
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kritikoi tarifat e SHBA-së si “të paprecedentë” duke i quajtur ato si një kthim në “proteksionizmin e shekullit të 19-të”.
Këto deklarata i bëri pasi ai propozoi një paketë të re prej 14.1 miliardë euro për të mbështetur ekonominë në përgjigje të vendimit të presidentit amerikan Donald Trump, shkruan The Guardian, transmeton Express.
Ai tha gjithashtu se Europa duhet të vendosë një paketë kundër-tarifash dhe masash të tjera si përgjigje dhe të krijojë një fond ndihme të financuar nga të ardhurat nga tarifat e vendosura ndaj SHBA-së në këmbim.
Në një koment veçanërisht të mprehtë, të raportuar nga Reuters, Sánchez tha se Europa tani përballet me një sulm tregtar nga Perëndimi, ashtu siç po i përgjigjet një sulmi ushtarak nga Rusia në Lindje.
Ai tha se Spanja do të kalojë “këtë krizë të padrejtë dhe të pajustifikuar në të cilën disa njerëz kanë vendosur të zhytin botën”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për integrimin europian, do të vazhdojmë të mbrojmë multilateralizmin, do të vazhdojmë të hapemi me botën dhe do të vazhdojmë të kërkojmë partnerë që respektojnë interesat tona dhe që ndajnë gjithashtu vlerat tona”./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, sot ka pritur në takim ambasadorin suedez, Jonas Westerlund.
Në takim ata kanë folur për mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimit të bashkëpunimit.
“Së bashku diskutuan për mënyrat e thellimit dhe fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimit të bashkëpunimit. Mbi këtë të fundit në fokus të diskutimit ishte ai me Odën Ekonomike Nordike dhe tërheqjen e investimeve suedeze në Kosovë. Kryeministri Kurti theksoi mundësitë, ofertën dhe potencialin që ofron vendi ynë për investitorë të huaj.”
Kurti dhe Westerlund diskutuan edhe për aktualitetin politik në vend.
“Gjithashtu diskutuan mbi aktualitetin politik në vend, gjersa kryeministri ka filluar konsultimet politike me partitë e komuniteteve joshumicë për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.”
Kurti e ka falënderuar ambasadorin Westerlund për “mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme” ndërmjet dy vendeve./ KultPlus.com
Sot janë bërë tetë vite nga vdekja e artistit Françesk Radi.
Françesk Radi (Tiranë, 13 shkurt 1950- 3 prill 2017) ishte këngëtar shqiptar nga Shqipëria. I përket brezit të artistëve të viteve `70 të shekullit XX. I cilёsuar si kantautori i parё shqiptar, ai solli risi nё muzikёn e lehtё moderne shqiptare.
Krijimtarija e tij që në fillesat e saj u shkëput nga formatet klasike të trajtimit të këngës së lehtë. Aranzhimi, struktura dhe shtjellimi i saj kanë tipare të qarta pop – rock të modelit anglo – amerikan, por dhe performanca e tij synonte të sillte ndërgjegjësim dhe ndryshime shoqërore.
Françesk Radi ishte njëherësh këngëtar – kantautor, kompozitor e instrumentist i shkëlqyer në kitarë, (dashuria për të cilën i lindi në moshën 5 vjeçare), e kitarë bass, kontrabas, piano, mandolinë e instrumente të ndryshme popullore si çifteli, sharki e tё tjera instrumente tё temperuar.
Si njohёs i mirё i tyre, i bёri pjesё tё krijimtarisё sё tij muzikore, duke bërë edhe muzik rock me çifteli.
Krijimtaria e tij e viteve `71 – `72 u kritikua për shfaqje të huaja dekadente – perëndimore moderniste. Françeskut iu hoq e drejta krijimtarise, skenës, e transmetimit radio – televiziv dhe e larguan nga Tirana. Ai u dërgua për ri-edukim në veri të vendit, në Fushë – Arrëz të rrethit të Pukës.
Për afro dy dekada iu hoq e drejta e pjesëmarjes në festivalin e këngës në Radio – Televizionin Publik Shqiptar, e vetmja medie vizive e kohës.
U rikthye në këtë skenë pas vitit 1991, që shënoi edhe rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Ai la pas një fond të pasur këngësh të muzikës lehtë, këngësh popullore të kënduara e të orkestruara prej tij dhe të risjella për kohën nën ritme të moderuara, ndër më të spikaturat.
Vlerësohet si kantautori me krijimtarinë më të pasur. Interpretimet e tij janë së pjesë e fondit “ Zëra të artë“ të muzikës shqiptare./ KultPlus.com
Sot janë bërë 92 vite që nga lindja e këngëtares së njohur Fitnete Rexha, e cila është një nga emrat më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe dhe asaj qytetare të Tiranës.
Këngëtarja e cila ka lindur më 3 prill 1933 dhe ka vdekur më 14 gusht të vitit 2003, mban në repertuarin e saj mbi 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, ku prej tyre më të zgjedhura janë: “Fërfëlloj fëllënza në ujë’’, “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë”.
Dëshira për t’u marrë me muzikë i kishte lindur qysh në fëmijëri, pasi ajo ishte vajza e Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familje që njihej për vlerat e traditës dhe ku kënga popullore kultivohej për shumë vite.
Regjistrimin e këngëve të para, Fitnete Rexha e bëri rreth moshës 15-vjeçare në Radio-Tirana, nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.
Karrierën e saj si këngëtare e filloi në Estradën e Tiranës, dhe më pas aktiviteti i saj më tutje u zhvillua pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981.
Për kontributin e saj të madh, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër shqipe Fitnete Rexha u shpall “Artiste e Merituar” nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë. /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktores së njohur Margarita Xhepa.
Në një postim në rrjetet sociale Rama publikoi një kolazh fotosh nga jeta artistike e ikonës së kinematografisë shqiptare.
“Lamtumirë yll”, shkruan Rama.
Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi./KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit do të sjellë këtë fundjavë një shfaqje dedikuar fëmijëve. Në Hollin Koncertor të TKOB-së, rikthehet “Il Maestro di Cappella”, një opera për fëmijë ku asgjë nuk shkon sipas partiturës dhe kjo do t’ju shkaktojë plot të qeshura.
Opera për fëmijë dhe familje “Il Maestro di Cappella” do të shfaqet mëngjesin e 6 prillit, duke rikthyer në mjediset e TKOB artdashësit e vegjël dhe harenë e tyre. “Il Maestro di Cappella” është një shfaqje argëtuese dhe edukative që u mëson fëmijëve, përmes të qeshurave, si funksionon një provë me orkestrën, çfarë roli ka dirigjenti dhe si funksionon një orkestër e vërtetë.
Fëmijët do të shohin instrumente që nuk binden, tinguj që duket sikur do të shpërthejnë. Maestroja përpiqet të bindë orkestrën duke u kënduar notat që ata duhet të luajnë. Me këtë vepër të përshtatur posaçërisht për ta, fëmijët do të njihen më nga afër me botën e muzikës dhe do të edukohen për të qenë dëgjues të vëmendshëm dhe plot pasion në të ardhmen.
Orkestra Simfonike e TKOB do të shoqërojë lojën argëtuese të baritonit Artur Vera dhe dirigjentit Dritan Lumshi./atsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka përkujtuar yllin e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepës, duke postuar një kolazh me rolet e saj më të spikatura në karrierën e një jete.
Gonxhja ka njoftuar se homazhet për “Nderin e Kombit”, aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa, do të mbahen nesër më datë 4 prill në orën 10:00-13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Sa i trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Margarita Xhepës, ikonës së kinematografisë e teatrit shqiptar! Artistja e cila i dha jetë e përjetësoi aq shumë personazhe që janë skalitur thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve. Kush ka pasur fatin ta njohë nga afër Margaritën, e di edhe më mirë se çdo personazhi i ka dhënë aq shumë nga vetja, duke përcjellë në rolet e saj urtësinë, qetësinë e dhembshurinë, klasin e finesën. U prehsh në paqe Margaritë!”, shkroi ministri Gonxhja në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Aktorja e shquar e skenës dhe ekranit u nda nga jeta në orët e para të ditës së sotme, pas problemeve me mushkëritë. Vetëm një ditë më parë, Margarita Xhepa mbushi 93 vjeç.
Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike, aktorja Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe e nderuar me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”./KultPlus.com
Artisti shqiptar Gjon’s Tears do të shpërfaqet në mjuzikël – komedi, në rolin e Kontit të Monte Kristos ndërsa krah tij do të luaj Filipine Lavrey e cila do të ketë rolin e dashurisë së humbur të Edmond Dantes, Mercédès. Shfaqja do të prezantohet nga janari i vitit 2026.
Gjon’s Tears, emri i të cilit është Gjon Muharremaj, ka interpretuar në edicionin e katërt të “Ta zbardhi ftyrën”, të organizuar që shumë vite nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Emri i tij artistik u bë i njohur për publikun që kur mori pjesë në The Voice në Francë, ku arriti deri në gjysmëfinale në vitin 2021. Më vonë, ai përfaqësoi Zvicrën në Eurovision me këngën Tout l’Univers. Ai ka publikuar albumin e tij të parë “The Game” në vitin 2023.
Ndërkaq, Filipine Lavrey, punon me trupën e Enfoirés, e cila vë talentin e saj si kantautore në shërbim të shumë artisëve të shquar.
Konti i Monte Kristo, rolin e të cilit do ta luajë Gjon’s Tears, nuk e ka përfunduar ende kërkimin e tij për dashuri dhe hakmarrje.
Në një intervistë për Vanity Fair, Gjon’s Tears ka folur më shumë për shfaqjen, që do të luhet në rreth 50 data të ndryshme, duke u shprehur se theksi është më shumë tek dashuria se sa te hakmarrja.
“Shfaqja do të mbajë shpirtin e muzikaleve franceze duke e mbushur me karakteristika të reja, që nga procesi i krijimit. Për shembull, Filipina dhe unë jemi plotësisht të angazhuar në krijim. Ne nuk na kërkuan vetëm mendimin tonë, ne u përfshimë automatikisht”, është shprehur ai.
Për Vanity Fair, të dy artistët janë përgjigjur për rolet e tyre që do t’i bashkojë në skenë vitin e ardhshëm, e që do të nis në Paris dhe më pas me një turne me 50-të prezantime.
Intervista e plotë:
Çfarë ju tërhoqi në këtë projekt spektakli?
Gjon’s Tears: Nga leximi i libretit, më pëlqeu ritmi i tregimit, moderniteti me të cilin rrëfen këtë tekst klasik, duke i qëndruar jashtëzakonisht besnik, me dëshirën për të menduar audiencën, për të krijuar ndërveprime pa rënë kurrë në një monolog moralizues. Theksi është te historia e dashurisë, më shumë se te hakmarrja. Shfaqja do të mbajë shpirtin e muzikaleve franceze duke e mbushur me karakteristika të reja, që nga procesi i krijimit. Për shembull, Filipina dhe unë jemi plotësisht të angazhuar në krijim. Ne nuk na kërkuan vetëm mendimin tonë, ne u përfshimë automatikisht. Si kantautorë-muzikantë, ne e duam atë. Nuk bëhej fjalë të mbërrinim me çelës në dorë, donim t’i përvishnim mëngët.
Filipine Lavrey: Është me të vërtetë e qepur, çfarë privilegji: ne marrim pjesë në zhvillimin e këngëve, ne zgjodhëm posterin. Në skenë do të vihet në pah edhe përvoja jonë si muzikantë. Do të kemi mundësinë të luajmë live një instrument, i cili nuk është i zakonshëm në muzikalë.
Pse ishte tani koha e duhur për ju për të marrë përsipër sfidën e komedisë muzikore?
Gjon’s Tears: Për ne kjo është një fillim i madh. Të dy vijmë nga estrada dhe e di që do të mund ta përdorim këtë ndikim muzikor në krijimin e këngëve. Rrugët tona janë të ndryshme, por ato bashkohen në disa faza, duke përfshirë për momentin: Filipina punon në Amerikën Latine, unë sapo kam nënshkruar në Shtetet e Bashkuara. Ishte shumë e rëndësishme për ne që të ruanim një lidhje të fortë me audiencën tonë franko-folëse dhe të vazhdonim të eksploronim Francën me këtë shfaqje.
Ku jeni në procesin krijues?
Filipine Lavrey: Po incizojmë një këngë që do të publikohet shumë shpejt, “L’Éclat de nous”. Në ditët në vijim do të kalojmë shumë kohë në studio duke punuar për këngët e spektaklit.
Çfarë do të thotë për ju karakteri i Mercedes?
Filipine Lavrey: Ndihem më afër me të siç thuhet në libër sesa në film. Karakterin dhe forcën e saj e ndjeva më shumë nëpër faqe. Ajo më dukej më e zgjuar, por në të gjitha rastet më dukej mbresëlënëse në trajtimin e dramës. Ajo është tepër elastike. Kjo vajzë është një feniks. Mezi pres të shoh se si do të shkëlqejë personaliteti im përmes personazhit.
Po Edmond Dantes i ardhshëm? A bën presion shtesë interpretimi i Pierre Niney në ekran?
Gjon’s Tears: Padyshim që nuk dua të përballem me Pierre Niney-n, por sjell interpretimin tim për të përcjellë gjithë kompleksitetin e personazhit, të gjitha aspektet e tij. Për mua, ky libër ka të bëjë me një fat të prishur. E gjithë sfida do të jetë të punosh në atë që ka mbetur nga Edmond Dantes si Monte Cristo. U mërzita nga ribashkimi me Mercedesin, sepse ajo nuk e njeh më. Gjithçka ka ndryshuar tek ai: fjalët, shprehjet, fytyra e tij. Megjithatë, ajo është atje diku.
Inskenimi është projektuar nga Serge Postigo, koreografia nga Nicolas Huchard dhe skenografia nga Emmanuelle Roy. Çfarë mund të presim në skenë?
Gjon’s Tears: Këngët do të jenë pop dhe estetika do të jetë shumë elegante. Kostumografi Jean-Daniel Vuillermoz do t’i qëndrojë besnik fantazisë së veshjeve të kohës – në traditën e komedive më të bukura muzikore, përfshirë ato amerikane. Do të ketë edhe disa surpriza të këndshme në skenë.
Si ndikoi suksesi i filmit në shfaqje?
Gjon’s Tears: Spektakli ka vite që po punohet, që nga broshura e deri te këngët. U rilançua dy vjet më parë. Filmi dha një rinisje shumë të mirë, veçanërisht pasi bëri që shumë lexues të dëshironin të zbulonin veprën origjinale. Filipine Lavrey: Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me ekipin e filmit, të cilët janë me gjithë zemër me ne për këtë projekt dhe e miratojnë atë 100%.
Ju do të filloni shfaqjet në Dôme de Paris përpara një turneu të madh me rreth pesëdhjetë data. Si i qaseni ushtrimit?
Gjon’s Tears: Nuk kemi vend për gabim. Ne do të fillojmë shumë fuqishëm me Dome de Paris, kështu që ndiej shumë presion, nga vetja ime dhe nga publiku, të cilin shpresoj t’ia dalim mbanë. Në të njëjtën kohë, e di që jam shumë mirë i rrethuar për të punuar deri në premierë. Filipine Lavrey: Një nga qëllimet e mia në jetë është të luaj në teatro para se të shoh koncerte atje. Do të bëhet në Dome de Paris! Gjithashtu donim të takojmë audiencën më të gjerë të mundshme, në të gjithë Francën./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, ka udhëtuar për në Bullgari, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje.
Në kuadër të vizitës në Sofje, Presidentja Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse. Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.
Ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë.
Presidentja Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë. Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike./KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka ngritur në këmbë gjithë publikun në Spark Arena, në Auckland të Zelandës së Re, duke e shndërruar stadiumin në një klub nate. Ajo bëri një shfaqje tepër të zjarrtë ndërsa nisi turneun e saj me një performancë tërheqëse të mërkurën.
Lipa ka organizuar mbrëmë një koncert në Auckland, duke rrëmbyer vëmendjen e çdo personi të ri dhe të moshuar të turmës, që kur doli me kostumin e saj të parë të natës, shkruhet në mediat sociale të huaja.
“Shfaqjet e saj australiane ishin të mbushura me të ftuar specialë, “miku” i saj Troye Sivan mori pjesë në një duet “Rush”. Kevin Parker doli në skenë për një kopertinë të grupit të tij Tame Impala “The Less I Know the Better”. Angus Stone dhe Vance Joy gjithashtu asistuan Dua Lipën në shfaqjet përgjatë kanalit”, shkruan RNZ.
Dua Lipa do të luajë një shfaqje tjetër në Auckland në Spark Arena të premten, më 4 prill./KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktores Margarita Xhepa. Përmes një mesazhi drejtuar familjes së saj, komunitetit të artistëve dhe mbarë shqiptarëve, të cilët e kanë admiruar divën e skenës dhe ekranit, Presidenti i Republikës vlerësoi figurën e Margarita Xhepës si artiste, si grua, si nënë, por dhe rolin e saj në shoqëri.
“Me trishtim mësova se Margarita Xhepa, ylli i skenës dhe ekranit shqiptar, u shua sot. Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare”, shkruan Presidenti i Republikës në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Presidenti Begaj e vlerësoi Margarita Xhepën si artisten e madhe, figurën publike të respektuar, gruan dhe nënën e nderuar.
“Deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit dhe artin e saj e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtje të grave dhe fëmijëve”, shkruan Presidenti, duke shprehur ngushëllimet më të ndjera për familjen, për komunitetin e artistëve shqiptarë dhe për mbarë shqiptarët që e kanë ndjekur dhe duartrokitur.
Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike, aktorja Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe e nderuar me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”./atsh/KultPlus.com
Libri “Ekspozitë me ëndrra” është një libër i ndërtuar me poezi, i shkruar nga autori Lulzim Tafa, i cili është fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare për letërsi. Po ashtu, ai është bartës i shumë dekoratave dhe mirënjohjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lulzim Tafa, përmes kësaj vepre, shqyrton dimensionet shpirtërore dhe psikologjike të individit. Përdorimi i figurave dhe simboleve na mundëson një analizë të thellë të ndërveprimit mes elementeve shpirtërore dhe psikologjike.
Vepra e tij është e realizuar përmes tetë kapitujve: “Ëndrra”, “Poetët”, “Dashuria”, “Lufta”, “Dhimbja”, “Hija”, “Vdekja”, “Adami”.
Vepra fillon me një poezi program, të quajtur “Poezia është si toka”, ku poezia paraqitet një forcë krijuese si toka, të cilën e paraqet themelore për ekzistencën.
Vepra ndërtohet kryesisht nga vargu i lirë, në të cilin dominon gjashtërrokëshi.
Poezia e Lulzim Tafës ndërtohet nga shumë motive, siç janë: Dashuria, lufta, vdekja, kujtimi për të kaluarën, liria, dhimbja, etj.
Nga figurat stilistike, më shumë shohim të paraqitur enumeracionin, i cili shfaqet përmes kësaj vepreje dhe është karakteristikë për poetin, ngase në çdo poezi të tij ne takojmë këtë figurë, e një ndër to është edhe poezia: “Poezia është si toka” :
“Ka dete e oqeane,
Ka male e bjeshkë,
Gurë e dru e fruta”
Ose te poezia “Andrra”
“Nuk ekzistojnë malet, detet, oqeanët
As qiejt
Nuk ekzistojnë planetët
Dielli, Toka e Hana
Hana hiç se hiç”
Në këtë poezi, ne përballemi me kontrastin e dy realiteteve të kundërta. Jeta, për subjektin poetik shfaqet si një iluzion i ëndrrës, ku çdo ngjarje që ndodh perceptohet si një fantazi. Pas strofës së tretë, kjo ide bëhet më e qartë kur ai shpreh se diçka kaq e bukur nuk mund të ekzistojë në realitet. Përballja më e thellë ndodh kur ndjenjat shpërthejnë dhe kjo ndihet më së miri në vargjet: “Nuk ekziston as dashuria, edhe pse të dua.” Megjithatë, ai nuk e vë në dyshim ekzistencën e Zotit, duke pohuar se ai është diku, ndoshta ai që na shikon në ëndërr, duke shfaqur në këtë mënyrë rolin e poetit. Ky rol e mbështet idenë se diçka e krijuar nuk mund të mohohet.
Ndërsa, përmes antitezës, Tafa paraqet mallin, i cili në shumicën e poezive shfaqet përmes ëndrrave:
“Të kam parë ëndërr si drenushë
E drenushat vrapojnë shpejt
E ti as që ecën”
Në poezinë “Teoria e shpjegimit të ëndrrave”, vërehet se poeti e nis poezinë me paraqitjen e gjarprit në ëndërr, një simbol që, sipas interpretimit të ëndrrave të Frojdit, lidhet me dëshira, ngacmime dhe synime që janë të shtypura, të ndrydhura dhe jashtë vetëdijes së individit.
Gjarpri, sipas Lulzim Tafës, nëse shfaqet në ëndërr, “të ka kafshuar lojën”, një figurë që lidhet me interpretimin e Frojdit, ku gjarpri përfaqëson një simbol të seksualitetit dhe tensioneve të pavetëdijshme që lidhen me këtë tematikë.
Një themel i rëndësishëm i veprës është edhe paraqitja e autorëve të shquar, si Musa Ramadani, të cilin Tafa në poezinë “Pazari i ëndrrave” e cilëson si mjeshtër të madh, ndërsa në poezinë e quajtur “Ogur” e përmend edhe Ali Podrimen. Në një kapitull të veçantë të titulluar “Poetët”, Tafa paraqet poezi për Çarls Bukowskin, të cilin e shquan për veçantinë e tij:
“Ka shumë njerëz normal, ai ishte tjetër”
Po ashtu, Tafa iu kushton poezi poetëve: Azem Shkreli, Mirko Gashi, Kujtim Paçaku, Izet Sarajliqi, Basri Çapriqi, etj.
Brenda këtij kapitulli, ka edhe poezi kushtuar poetit ukrainas, Dymytri Chystiak, i njohur për qëndrimet e tij filozofike dhe politiko-letrare. Në poezi, Tafa kërkon të krijojë një lidhje ndërmjet poetëve ukrainas dhe rusë, duke përdorur këtë formë për të shprehur një mesazh paqeje dhe ndalimi të luftës mes këtyre dy popujve:
“Dimër është
Poetët rusë duhet ta dinë
Se është tepër ftoftë
Për lojën kuq e bardhë”
Poezia thotë Tafa, është më e rëndësishme se ushtria dhe se lufta.
Një shprehje figurative që Tafa përdor është “Çile guri gojën”, përmes së cilës paraqitet lidhja me letërsinë popullore, duke theksuar heshtjen dhe mungesën e shprehjes verbale. Ndërsa te poezia “Një vjeshtë në Shkodër”, autori paraqet edhe një këngë popullore të quajtur “Shkodra ka plot dashuri”. Megjithatë, përkundër lidhjes me letërsinë popullore, në një pjesë tjetër të poezisë së tij, vërejmë ndikimin e postmodernizmit, siç e cilëson edhe Atila Balzas, si një nga përfaqësuesit kryesorë të poezisë postmoderne në Evropë.
Si një autor i poezisë bashkëkohore, Tafa sjell në veprat e tij emërtime të kohës, përmend figura dhe ngjarje të rëndësishme të aktualitetit, por tani duke i paraqitur ato përmes një fryme të re, si: “Beyonce”, “Show-bizi”, “Bezos”, “Gates”, “Kriptovaluta” etj.
Autori gjithashtu shpjegon kuptimin e emrit të tij, duke treguar se emri është vendosur nga nëna e tij si një dashuri për lulet, ndaj ajo e quajti Lulzim. Por, në poezinë e tij, ai e paraqet këtë emër vetëm përmes shkurtesës “Lul”:
“Sa shumë i donte Nana lulet, Edhe emrin ma la Lul.”
Në poezinë “Sa shpejt më harroi Nana”, Tafa paraqet dhimbjen e madhe të subjektit poetik, brengën dhe trishtimin për vdekjen e nënës së tij, një ndjenjë braktisjeje që shfaqet më së miri përmes harresës së shpejtë që ndien ai nga nëna e tij. E këtë formë ai shfaq dashurinë e madhe për nënën.
Tafa luan gjithashtu me gjuhën dhe efektet që ajo krijon. Për shembull, gjatë përshkrimit të një situate ku ka të bëjë me hedhjen nga lartësia, ai përdor vetëm një fjalë, të cilën e hasim te poezia “Këto leja një romi”:
“Si prej qielli, ka me ra.”
Në të cilën shohim që krijohet, efekti i hedhjes.
Në ciklin e titulluar “Dashuria”, Tafa tregon se muza e tij poetike është e dashura me flokët e mëndafshta, dhe në këtë kuadër kërkon frymëzimin për poezitë e tij. Në këtë cikël, ai ka edhe dy poezi kushtuar Teutës. Në një nga to, të cilën e titullon edhe “Teutë”,Tafa e lartson aq shumë figurën e saj, sa thotë se edhe perënditë i përkulen asaj, duke e shpallur një figurë të rëndësishme.
Ndërsa në ciklin për luftën, autori shkruan për fëmijët e pagjetur dhe gratë e përdhunuar, të cilat, sipas tij, paraqiten si një “porno e gjallë”.
Një nga karakteristikat e Tafës është ironia, përmes së cilës ai godet pjesë të aktualitetit, siç e hasim në poezinë “Bac, s’po kryhen”, ku ai paraqet mashtrimet e shumta që po ndodhin. Ushtarë që dikur nuk kishin marrë pjesë në luftë, tani në kohët e sotme dalin dhe paraqesin versionin e kundërt, ndaj Tafa thekson se numri i tyre po rritet vazhdimisht. Ironia e tij theksohet edhe më shumë kur atdheu, sipas tij, nuk është më asgjë më shumë se një fjalë goje, një shprehje bosh, një tender i zbrazët.
Një tjetër veçori e poetikës së Tafës është përdorimi i fjalëve nga gjuhë të tjera, si: “Sui generis”, “hot” etj. Gjithashtu, elementi tjetër i poezisë së tij është shpjegimi i një fjale brenda poezisë, që e gjejmë në poezinë “Spa e katit të tretë”.
Sa i përket raportit ndërtekstual me shkrimin e shenjtë, në pjesën e fundit të poezisë së tij, vërejmë një përmbysje, një ironi dhe një teh të hollë të cinizmit drejtuar ideologjisë fetare. Tafa rimerr figurat e shenjta fetare dhe krijon sarkazmë me to. Në poezinë “Rivali i Adamit”, ai e quan Adamin muskuloz, ndërsa në poezinë “Frika”, ai nuk heziton të luajë me njishin transcendental. Në fillim, ai paraqet madhështinë e tij, por në fund, përmes ironisë, e përmbys atë, duke e paraqitur raportin midis subjektit poetik dhe figurës fetare të gruas së parë, “Havës”:
“Se një herë në andërr e kam dushë Hazreti Havën.”
Siç e shohim, Lulzim Tafa prek të gjithë mozaikun e jetës dhe e plotëson atë me të gjitha ngjyrat, qofshin ato të ngrohta, apo të ftohta. Ai nuk heziton të flasë për tema tabu dhe shpeshherë, përmes ironisë së tij, i godet ato. Siç thotë edhe Ali Podrimja:
“Këtë poet e shquan guximi intelektual i tij”.
Përmes kësaj, shohim që Lulzim Tafa do të vazhdojë të mbetet një poet i rëndësishëm në panoramën e letërsisë bashkëkohore./ KultPlus.com
Gani Mehmetaj vjen me romanin më të ri “Muri i heshtjes”, libër që do të promovohet më 4 prill në Prishtinë, botim nga Uetpress në Tiranë.
Për librin do të flasin Suadela Balliu, drejtoreshë e shtëpisë botuese Uetpres nga Tirana, Femi Cakolli, studiues i letërsisë dhe pastor i Kishës Protestante në Prishtinë, Xhelal Llonqari dhe do të lexohet kumtesa e Ermir Nikës.
Promovimi do të mbahet prej orës 18:00 në Hotel Sirius./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se të shtunën, duke filluar nga ora 19:30, do të mbahet koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, frymëzuar nga David Bowie në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në njoftim thuhet se nën drejtimin e Gregory Charette, orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”.
“Nën drejtimin e Gregory Charette, orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”, me violinistin e shkëlqyer Maximilian Haft. Derisa mbrëmja do të vazhdoj me Simfoninë Nr. 1 – “Low”, të frymëzuar nga albumi legjendar “Low” i David Bowie-t, i vitit 1977”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Mbrëmë në “Burgun e idealit”, në Prishtinë, u mbajt manifestimi i emëruar “Njeriu në burg i numëron të gjitha“ që shënoi një nismë të re të aktiviteteve kulturore në Muzeun “Burgu i Idealit” në Prishtinë. Gjatë mbrëmjes pati lexime skenike performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë.
Ky ishte fillimi i nismës së re të aktiviteteve kulturore në përpjekje për ta funksionalizuar Muzeun “Burgu i Idealit” . Shpalosja e një pjese të shkrimeve dhe materialeve tjera të trashëguara nga ish-të burgosurit politikë gjatë periudhës jugosllave në Kosovë e më gjerë është synimi i arkivimit, ruajtjes dhe i ekspozimit të tyre.
Pastaj, motivi i numërimit si teknikë narrative – paraqitet në forma të ndryshme mbi përvojat e vështira dhe robërinë e të burgosurve të ndërgjegjës. Qysh në rrëfimet e mbrëmshme të veprimtarëve Selatin Novosellës, Shefik Sadriut, Shukrije Gashit, Kadri Kryeziut dhe të Martin Çunit, rrëfimet emocionale shpreheshin herë si mënyrë e rezistencës, solidaritetit dhe vuajtjes, e herë si formë e simbolikës, mbijetesës dhe forcës për të mos harruar. Këto rrëfime nënvizonin aspektet kyçe të këtij kapitulli historik, nëpër të cilin ka kaluar rrugëtimi i shtetformimit.
Kjo hapje e mbrëmshme synonte që këto përjetime në hapësirën reale, në lokalet e burgut, të bëheshin sa më të prekshme për vizitorët, si dhe të tërheqin vëmendjen sa më të madhe për muzeun. Organizata “Molla e Kuqe”, në kuadër të projektit për rifunksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitet 2025 dhe 2026, ka planifikuar një seri aktivitetesh nga fusha të kulturës dhe artit, që trajtojnë temat e kujtesës, narrativave mbi të kaluarën dhe transformimeve që e kanë karakterizuar këtë periudhë.
Gjatë mbrëmjes pati lexime skenike performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë.Data e këtij manifestimi, 2 prilli, përkoi edhe me përvjetorin e Demonstratave të vitit 1981. Një ngjarje kjo e kthesës në historinë e rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi.
Nga data 3 prill, “Burgu i Idealit” do të jetë i hapur për vizitorë gjatë orarit zyrtar: E Martë – Shtunë nga 10:00 – 14:00.KultPlus.com