Sosja e vetmisë në vapën e ditës

Poezi nga Martin Camaj

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim./KultPlus.com

Vdes në moshën 88-vjeçare aktori James Darren

Aktori, këngëtari dhe regjisori James Darren, ka vdekur në moshën 88-vjeçare. Ai ishte i njohur për rolet e tij në filma klasikë dhe shfaqje televizive si Gidget”, “The Guns of Navarone” dhe “T.J. Huker”

Darren vdiq të hënën në Spitalin Cedars-Sinai në Los Angeles, sipas djalit të tij Jim Moret, i cili i tha TMZ se babai i tij po trajtohej për probleme me zemrën.

I lindur më 8 qershor 1936, në Philadelphia, Pennsylvania, Darren u zhvendos në Hollywood në të njëzetat e tij për të ndjekur aktrimin.

Ai bëri debutimin në film në “Rumble on the Docks” në 1956.

Darren gjithashtu hyri në regji në vitet ’80, duke drejtuar episode të shfaqjeve televizive të njohura si “Hunter”, “The A-Team” dhe “Melrose Place”.

Darren u martua me Evy Norlund në vitin 1960 dhe çifti kanë tre fëmijë./KultPlus.com

Përkujtohet Albert Vërria, “kapedani” i kinematografisë shqiptare

Me një pasazh nga filmi “Kapedani”, Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, kujtoi sot me nderim dhe respekt, në ditën e tij të lindjes, Artistin e Popullit, aktorin e mirënjohur Albert Vërria.

“Aktor i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë shqiptare që sot janë ndër të preferuarat e gjithë dashamirësve të kinematografisë shqiptare”, shkroi MEKI dedikuar mjeshtrit Vërria.

Lindi në Fier, më 3 shtator 1936 dhe u nda nga jeta në qytetin e Vlorës, më 17 gusht 2015. Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore, gjatë viteve 1956 – 1959 punoi si zooteknik. Përfundoi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) dhe në vitin 1963 u emërua aktor në Teatrin e Vlorës.

Në Teatrin e Vlorës u angazhua në mbi 90 role ku spikat ai i Veipit tek “Familja e peshkatarit”. Albert Vërria njihet si aktor karakteresh dhe në kinematografi realizoi mbi 40 role, përfshirë xha Sulon tek “Kapedani” dhe i Nuri Beun tek “Koncert në vitin 36”, role të cilat mbeten të skalitura në kujtesën e publikut. Në vitin 1979, Albert Vërrisë iu dha titulli “Artist i Popullit”./atsh/KultPlus.com

CNN: Shqipëria vend ideal për t’u vizituar edhe në vjeshtë

Edhe Shqipëria është një vend ideal për t’u vizituar në vjeshtë, shkruan Marnie Hunter për gjigantin amerikan të informacionit, CNN.

Me titullin ”Pse kjo është koha më e mirë e vitit për të shkuar pothuajse kudo”, CNN rendit edhe Shqipërinë si një vend që ia vlen të vizitohet.

Një vështrim paraprak tregon se udhëtarët e vjeshtës ka të ngjarë të kursejnë më shumë se 30% në biletat e avionit për në Evropë duke shmangur kulmin e udhëtimeve verore këtë vit.

Por, çmimet në Evropë janë ende mjaft të larta, kështu që mund të ketë kuptim të zgjidhni një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me vlerën e tij të madhe.

Dhe ky destinacion është Shqipëria.

Dashamirët e plazheve janë vërshuar në Shqipëri për plazhet e saj të detit Adriatik, por edhe Bjeshkët e Nemuna dhe lumi i egër Vjosa kanë pasur shumë vizitorë, edhe pse më pak se Riviera Shqiptare”, shkruan CNN.

”Në shtator dhe tetor, bileta e avionit ka çmim kaq të ulët nga vera, saqë ju mund të bëni një nga ato pushimet e mëdha, më të gjata dhe të shtrenjta për rreth 30% më pak në të gjithë botën, pavarësisht se ku jeni drejtuar”, thekson CNN.

Përveç Shqipërisë, disa nga destinacionet që CNN sugjeron për vjeshtën janë parqet kombëtare të SHBA, Nju Meksiko, Japonia apo Disney World./atsh/KultPlus.com

Dorëshkrimet e Franz Nopcsa-s në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare

Në kuadër të Javës së Kulturës Hungareze, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka çelur ekspozitën “Franz Nopcsa në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare”.

Franz Nopcsa (1877-1933) ishte një baron, aventurier, studiues, gjeolog, paleontolog dhe albanolog hungarez. Krijimtaria e tij e gjerë përbëhet nga libra dhe artikuj, kryesisht nga fushat e paleontologjisë, gjeologjisë, etnografisë dhe albanologjisë. Një vend të veçantë dhe të rëndësishëm zënë botimet për Shqipërinë, rreth 54 të tilla.

Trashëgimia albanologjike e Nopcsa-s ruhet në Koleksionin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë. Ndërsa në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ruhen me kujdes të veçantë gjashtë ditarë në dorëshkrim, si pjesë e rëndësishme e fondit Albano-Balkanologjik, të cilët mbajnë edhe vulën e bibliotekës “Lumo Skëndo”.

Ndërkohë që në gjuhën shqipe janë përkthyer e botuar disa nga veprat e tij më të rëndësishme për Shqipërinë, si: “Udhëtime nëpër Ballkan: kujtime nga jeta e Franc Baron Nopça” (2007); “Shqipëria katolike e Veriut” (2009); “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe: me disa veçanti nga krahinat e Zadrimës dhe nga Shkodra” (2012); si dhe vepra e Bajazid Elmaz Dodës “Jeta e fshatarëve shqiptarë në grykën e Rekës së Epërme, Dibra e Madhe (Maqedoni): vepër historike-kulturore” (2015).

Përveç koleksioneve, ekspozita ofron edhe imazhe nga ilustrimet që përmbajnë faqet e ditarëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë javës, në Bibliotekën Kombëtare./atsh/KultPlus.com

Edicioni i 35-të i “Takimet e Dom Mikelit 2024” i dedikohet Ibrahim Rugovës

Manifestimi Tradicional Kulturor e Shkencor “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll, Komuna e Vitisë, do të mbahen më 21 shtator 2024, të cilat fillojnë në orën 10:00, në ambientet e Shkollës së Parë Legale Shqipe – Muzeu i Shkollës.

Ky është edicioni i 35-t me radhë dhe ka për temë Ibrahim Rugova dhe Shteti i Kosovës, në 80-vjetorin e lindjes së presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i shtetësisë së Kosovës, studiues i madh i letërsisë dhe kulturës shqiptare./ KultPlus.com

PPROGRAMI:

TEMA: IBRAHIM RUGOVA DHE SHTETI I KOSOVËS

80-vjetori i lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës

10:00: TRIBUNA SHKENCORE

Fjalët përshëndetëse të autoriteteve

Ligjëruesit:

Fatmir SejdiuRugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës

Ali AhmetiShteti i Kosovës dhe sfidat e shqiptarëve sot në integrimin evropian

Besnik MustafajRugova dhe rëndësia e krijimit të miqësisë ndërkombëtare për Kosovën

Luca De PoliRugova, modeli i politikanit burimor evropian

 11:15:  ORA E MADHE LETRARE

ORA 13:15  Ndarja e Çmimeve

Çmimi Agim Ramadani, jepet për tri poezitë më të mira

Çmimi Don Gjergj Gjergji, jepet për kontribut në histori dhe filologji

Çmimi Qeshk Ukaj, jepet për veteranët në arsim

13:30: DREKA

19:00:  –“FestFolk Stublla” – Koncert

Fjalët përshëndetëse

19:10 – Ansambli “Zër i Karadakut” (feston 50-vjetorin e themelimit)

19:40 – Qendra Kulturore Artistike “Anamorava”

20:00 – “Dasma e Skenderbeut” – pjesë teatrale nga Vaj i Dejës

20:20 – Muzikë  live – Asim Gashi

22:30 – Darka e përbashkët

24:00 – Fishekzjarre

Dy kryevepra të muzikës klasike në fillim të sezonit në TKOB

“Fantazia magjike e Beethoven-it dhe Requiem-i i fundit i Mozart-it do të inaugurojnë çeljen e një sezoni të ndritshëm artistik”, ky është premtimi që bën Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, me nisjen e një stine të re artistike.

Dy kryevepra të muzikës klasike nga dy kompozitorë me ndikim të jashtëzakonshëm në artin klasik do të përshëndesin publikun shqiptar në këtë fillimsezoni.

Choral Fantasy njihet si një ndër kompozimet më të bukur të Beethoven, që i ka paraprirë Simfonisë no.9, ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një mister të radhës.

Publiku do të mund të ndjekë virtuozin e pianos, Ivo Gjika, solistët, korin dhe orkestrën e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli./atsh/KultPlus.com

PriFest prezanton jurinë e kategorisë së filmave të metrazhit të mesëm, mes tyre edhe aktorja Aurita Agushi

PriFest ka njoftuar se në edicionin e 16-të, në jurinë e kategorisë së filmave të metrazhit të mesëm do të jenë Yousaf Ali Khan, Aurita Agushi dhe Almir Djikoli.

“Filmat e Yousaf trajtojnë çështje të identitetit, margjinalizimit dhe përkatësisë. Ai ka marrë shumë çmime për punën e tij, duke përfshirë 2 nominime për BAFTA për filmat “SKIN DEEP” dhe “TALKING WITH ANGELS”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, për anëtaren tjetër të jurisë, Aurita Gashi, janë shprehur se ajo është përfituese e shumë çmimeve dhe ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në Manhattan Short Film Festival.

Kurse, për anëtarin e tretë, janë shprehur se është drejtor i fotografisë, i cili ka lindur në Sarajevë në vitin 1974.

“Është themelues i Shoqatës së Kinematografëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Kinematografëve IMAGO. Aktualisht punon si ligjërues në Akademinë e Arteve Skenike në Sarajevë”, thuhet në njoftim.

Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata./KultPlus.com

Edicioni i shtatë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Edicioni i shtatë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest” i organizuar nga shoqata “Muza” – Shkup, dhe me drejtor artistik Blerim Grubi, këtë vit do të mbahet në periudhën nga 5 deri më 16 shtator në Shkup dhe Tetovë.

Të planifikuara janë pesë koncerte të jashtëzakonshme me pjesëmarrje të instrumentistëve të njohur nga shumë vende të Evropës.

Hapja solemne e festivalit do të mbahet të enjtën, më 5 shtator nga ora 19:00 në sallën e Filharmonisë së Maqedonis së Veriut, me koncertin të titulluar “Hungarian String Harmony”. Ky koncert si i pari për këtë edicion, sjell para publikut shkupjan tre instrumentistë harkor hungarez, Julia Pusker në violinë, Mate Szusc në violë dhe Balazs Dolfin në çello.

Programi i këtij koncerti përfshin pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve si: E. Dohnányi, Z. Kodály dhe W.A.Mozart. Hyrja në këtë koncert, por edhe në të gjitha koncertet tjera në vazhdim është falas./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndriçohet me ngjyrë ari në shenjë solidariteti me fëmijët e prekur nga kanceri

Mbrëmë, organizata “Action For Health” realizoi një aktivitet domethënës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u ndriçuan me ngjyrë ari, duke shprehur solidaritet me fëmijët e prekur nga kanceri dhe familjet e tyre, si dhe për të nderuar kujtimin e atyre që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Kjo ngjarje është pjesë e një serie aktivitetesh të organizuara nga “Action for Health” gjatë muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin në Fëmijëri. Qëllimi kryesor është rritja e vetëdijes publike për kancerin në fëmijëri dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Nezaqet Rukovci, udhëheqësja e organizatës “Action For Health”, deklaroi: “Aktiviteti i sotëm synon të ngrejë dhe prekë ndërgjegjen e secilit prej nesh, sidomos të atyre që janë përgjegjës në sektorin e shëndetësisë. Ne kërkojmë angazhim më të madh, veçanërisht në fazat e hershme të luftimit të kësaj sëmundje tek fëmijët.”

Ky aktivitet i sotëm ka bartur një mesazh inkurajimi, force dhe ftesë për qytetarët të bashkohen në mbështetje të fëmijëve të sëmurë dhe familjeve të tyre që po përballën me këtë sfidë shëndetësore./ KultPlus.com

Muzikë filmash, ritme baroke dhe ballkanike në koncertin e violinistit Kledis Rexho

Violinisti i mirënjohur Kledis Rexho me orkestrën e krijuar prej tij, do të japë një koncert në sheshin Nënë Tereza, ditën e nesërme më 4 shtator.  Qendra Harabel njoftoi përmes rrjeteve sociale se, ka kënaqësinë ta nisë shtatorin me promovimin e një koncerti tejet të bukur, në të cilin marrin pjesë instrumentistë shqiptarë e të huaj.

Muzikantët e mrekullueshëm të “Life and Music Concept Orchestra” do të sjellin muzikë të larmishme, ku do të gërshetohen instrumenta klastike me instrumenta elektronike.

Aktiviteti titullohet “Sunset city melodies” dhe premton të jetë një nisje e bukur e sezonit të ri kulturor.

Kledis Rexho dhe orkestra e tij do t’i ofrojnë publikut artdashës, një ndërthurje të muzikës më të bukur të filmit, ritmet baroke dhe ato ballkanike, por edhe orkestrime origjinale të muzikës alternative, që do të prezantohen në një mbrëmje të vetme./atsh/KultPlus.com

Arti në xham i artistes hungareze Yvette Botz tek Piramida e Tiranës

Një prej aktiviteteve të para të Javës Kulturore Hungareze, ishte ekspozita e artistes Yvette Botz. Të pranishmit u zhytën në botën magjike të artit të xhamit nga Yvette Botz, një artiste që shkrin mjeshtërinë me vetitë unike të këtij materiali për të krijuar vepra të mbushura me ndriçim dhe formë.

Ekspozita e saj, e hapur gjatë gjithë Javës së Hungarisë ofron një rrugëtim vizual ku ngjyrat dhe hapësira bashkohen për të transformuar xhamin në art ekspresiv.

Mes krijimeve të saj, shfaqej edhe një skulpturë në xham, e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.

“Ambasada më ka ftuar me statujat e mia të xhamit të bëra me teknikën tiffany dhe është vërtet e rrallë, sepse askush nuk e bën diçka të tillë. Këto statuja janë pjesë e jetës sime dhe secila prej tyre tregon diçka për jetën time. Kam bërë diçka për Shqipërinë, një statujë për Skënderbeun. Është fat për ju shqiptarët, që ende keni në zemër atë që ky hero ka bërë për ju”, u shpreh artistja hungareze.

Në këtë ekspozitë ka vetëm 14 statuja, të cilat janë pjesë e një koleksioni privat. Yvette Botz e bën këtë punë prej 35 vitesh tashmë. Më herët ka punuar në vitrazhe kishash e ndërtesash dhe tashmë eshte fokusuar vetëm në statuja.

Java Kulturore Hungareze zhvillohet nga 1-6 shtator, në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Momenti kur Irena Papas i kishte thënë Bekim Fehmiut: Jam me prejardhje shqiptare

Irena Papas është aktore me famë botërore. Në rininë e saj ishte shndërruar në një sensacion kinematografik, duke shënuar shumë suksese me role në filma të shumtë, por ajo që e bën më të veçantë për shqiptarët ishte roli i saj në filmin “Odiseu”, ku kishte luajtur bashkë me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu njohjen me Irena Papas e ka shkruar në librin e tij me dy pjesë “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” , ku edhe ka ndarë detaje me lexuesit edhe për pjesën kur kanë diskutuar për prejardhjen e Irena Papas, që sipas këtij libri, Papas e kishte konfirmuar se ajo ka prejardhje shqiptare.

KultPlus ju sjell këtë pjesë nga libri i Bekim Fehmiut./ KultPlus.com

Lufta e Vlorës e 1920-ës për mbrojtjen e integritetit tokësor të Shqipërisë

Më 3 shtator të vitit 1920 përfundoi Lufta e Vlorës, një cikël betejash i patriotëve shqiptarë kundër forcave ushtarake italiane të cilat që më 9 dhjetor 1919 kishin marrë nën protektorat Shqipërinë, pas vendimeve të dala nga Konferenca e Paqes në Paris.

Të revoltuar nga kjo padrejtësi, më 29 janar 1920 u mblodh “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Vlorë”.

Sulmi ndaj garnizonit italian filloi që më 6 qershor 1920. Në këto luftime morën pjesë rreth 20.000 trupa. Sulmet u zhvilluan në disa lokalitete si në gjirin e Vlorës, Ujin e Ftohtë, Vlorë-Kaninë, Panaja, Llogora, Himarë, Selenicë, Gjorme, Matohasanaj, Tepelenë. Me përfundimin e Luftës së Vlorës, garnizonet italiane u tërhoqën edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Luftëtarë vinin nga të gjitha zonat e Shqipërisë si dhe nga shqiptarët e Amerikës të cilët drejtoheshin nga 12 komandantë nën drejtimin e përgjithshëm të Qazim Koculit. Në zonën e çliruar, Drashovicë, u vendos shtabi i luftës me prefekt Qazim Kokoshin.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton në një postim të sajin edhe moton që shoqëroi luftëtarët e Vlorës dhe që ishte huazuar nga vargjet e Lasgush Poradecit “Ja do mbetet Vlora e jona, ja do bëhet gur e hi”./atsh/KultPlus.com

Dy buzë

Poezi e shkruar nga Migjeni

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta… 

Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen… 

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…/Kultplus.com

98 vite nga lindja e aktores Irene Papas

Sot janë bërë 98 vite nga lindja e aktores së famshme, Irene Papas.

Irene Papas ka qenë një aktore dhe këngëtare greke, aktive në më shumë se 70 filma gjatë karrierës së saj pesëdhjetë vjeçare. Ajo është e njohur në rolet përkrah Bekim Fehmiut si mbretëresha e Itakës Penelopa në filmin Odisea (L’Odissea) (1968) dhe me Anthony Quinn në filmin “Zorba the Greek” (1964) në petkun e vejushës së bukur.

E lindur si Irene Lelekou, artistja e famshme greke në fshatin e Chiliomodit në rrethinat e Korintit. E ëma, Eleni Prevezanou ishte arsimtare dhe i ati me gjasë shqiptar, Stavros Lelekos , jepte mësim dramaturgji klasike në shkollën Sofikós të Korinthit. Vetë aktorja në një intervistë, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”. Talentin e Irenës e zbuloi Elia Kazan.

Irena aktroi Helenën e Trojes, së bashku me Katharine Hepburn. Aktroi edhe femra të tjera nga Mitologjia greke, si Klitemnesten në filmin Ifigenija, Elekten në Elektri, Antigonen në Antigona, etj.

Ka luajtur edhe rolin e mbretëresha Katarina Aragonska në filmin Anne of the Thousand Days , pastaj në filmin Muhamedi, i dërguari i Perëndisë.

Ndërsa filmat më të njohur të saj janë Zorba the Greek dhe Z.

Papas ishte gruaja e Alkisa Papasit dhe e dashura e Marlona Brandos./KultPlus.com

“Business Traveller”: Aventurat në Shqipëri

Ju mund të keni vënë re titujt e artikujve gjatë 12 muajve të fundit – të cilat e krahasojnë vendin mesdhetar me ‘Maldivet e Evropës’ – ose, nëse jeni në mediet sociale, influencuesit po çmenden për një zonë piktoreske plazhi në një fshat të vogël bregdetar të quajtur – Ksamil, sipas një artikulli të botuar në revistën prestigjioze “Business Traveller”.

Ky vend i ri i lakmuar gjendet në destinacionin evropian … Shqipëri.

Deri në vitin 1990, ky vend jashtëzakonisht i bukur, i kufizuar me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë, ishte i mbyllur për pjesën tjetër të botës.

E sunduar për 40 vjet nga diktatori Enver Hoxha, Shqipëria ishte nën regjimin stalinist deri në kohën e vdekjes së tij në 1985. Që kur doli nga manteli i rëndë i komunizmit, Shqipëria ka filluar të lulëzojë.

Arsyet për ta vizituar janë të shumta: Vendi laget nga bregdeti mahnitës i Adriatikut dhe Jonit, i njohur si Riviera Shqiptare – që shtrihet nga qyteti i vrullshëm i Vlorës, përmes qyteteve më të vogla, më të bukura si Dhërmiu, Himara, Saranda dhe, natyrisht, Ksamili.

Ajo ofron gjithashtu peizazhe malore, shtigje ecjeje, vende magjepsëse të trashëgimisë së UNESCO-s, një kuzhinë të shijshme dhe – aktualisht, ndërsa është ende në pritje të miratimit të plotë të kërkesës së saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – Shqipëria mbetet një destinacion i përballueshëm.

Gjatë viteve të fundit, turizmi është rritur në mënyrë stratosferike. Shifrat e fundit nga Komisioni Evropian i Udhëtimit tregojnë se sektori i turizmit është rritur 86 për qind që nga viti 2019.

PBB-ja e saj për frymë ka ardhur gjithashtu në rritje – ndërsa paga mesatare mujore tani është rreth 84,000 lekë (704 £).

“Investimet e huaja direkte janë gjithashtu në rritje, me vendet duke përfshirë Zvicrën, Italinë dhe Holandën që synojnë sektorë të tillë si energjia, minierat, informacionin dhe pasuritë e paluajtshme në një vlerë prej rreth 1,5 miliardë dollarë në vitin 2022”, sipas Raportit të Investimeve Botërore të UNCTAD.

Sot, qendra kryesore ekonomike e Shqipërisë – dhe zona e saj më e industrializuar dhe me rritjen më të shpejtë – është kryeqyteti i saj i bukur dhe kozmopolit, Tirana.

Si rezultat, ajo ka shumë hotele, hapësira konferencash dhe eventesh që i shërbejnë industrisë MICE – nga Tirana International Hotel & Qendra e Konferencave në Sheshin qendror Skënderbej, te Pallati i Kongreseve, një ndërtesë e epokës së viteve ’60, të stilit modernist sovjetik.

Gama e plotë e markave ndërkombëtare të hoteleve mund të gjendet gjithashtu këtu, duke përfshirë Radisson, Hilton, Marriott, Meliá dhe Mercure i hapur së fundmi.

Një aeroport i tretë ndërkombëtar është gjithashtu duke u ndërtuar në Vlorë, në bregun jugperëndimor, duke u bashkuar me qendrën kryesore në Tiranë dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit në veri.

Aeroporti i ri është planifikuar të përfundojë në vitin 2025 dhe parashikohet të kushtojë rreth 116 milionë dollarë.

Bregu i Vlorës po transformohet gjithashtu me Marinën e Vlorës, një projekt zhvillimi – që do të përfshijë një hotel të ri me pesë yje dhe apartamente elegante me pamje nga deti, me ankorime për mbi 400 jahte dhe super-jahte.

Sheshi Skënderbej është një pikënisje e shkëlqyer, i veshur me ndërtesa impozante që krenohen me arkitekturën e mrekullueshme historike – nga Teatri mbresëlënës i Operas dhe Baletit – i njohur gjithashtu si Pallati i Kulturës – deri te Muzeu Historik Kombëtar, fasada e të cilit është zbukuruar me një mozaik të ndërlikuar të stilit të realizmit socialist që përshkruan piketa të rëndësishme në historinë e vendit.

Aty pranë ndodhet xhamia Et’hem Beut e shekullit të XVIII – një ndërtesë elegante, zbukurimet e së cilës janë pikturuar me dorë.

Për të zbuluar regjimin brutal të Hoxhës, vizitoni Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2.

Muzetë dhe galeritë e artit janë rikrijime të rreth 750,000 bunkerëve të nëndheshëm që Hoxha kishte ndërtuar në të gjithë vendin midis viteve 1960-1980, për sulmet bërthamore.

Nga hyrja me kupolë, zbrisni në thellësitë e tij të zymta prej betoni për të mësuar më shumë për jetën nën sundimin komunist, nga forcat e policisë sekrete deri tek mënyra se si regjimi kishte përfunduar.

Piramida e Tiranës, një ndërtesë e jashtëzakonshme – si një anije kozmike, dikur një muze kushtuar Hoxhës – tani është shndërruar në Qendren TUMO për Teknologjitë Kreative – e cila synon të ndihmojë të rinjtë të fitojnë aftësi në industri të tilla si lojërat, programimi, modelimi 3D, robotika dhe më shumë.

Vetëm 10 minuta në këmbë ndodhet një nga lagjet më emocionuese të qytetit, Blloku.

Ky ishte vendi ku Hoxha dhe anëtarët e lartë të regjimit të tij kishin shtëpitë e tyre dhe dikur ishte e zymtë, gri dhe jo frymëzuese.

Sot, zona e Bllokut përbëhet nga rrugë plot gjallëri që të kujtojnë Soho-n e Londrës ose Fshatin Lindor të Nju Jorkut, të mbushura me butikë, bare të këndshme dhe një ndërthurje restorantesh që variojnë nga më të thjeshtat deri tek ato më të sofistikuarat.

Hapësira të gjelbra me bollëk gjenden në Grand Parkun e Tiranës, i cili krenohet me 289 hektarë tokë, një liqen artificial të madh, një kopsht zoologjik dhe një kopsht botanik.

Një mënyrë tjetër e mrekullueshme për t’u larguar nga peizazhi urban është të ngjiteni me teleferik në majën e Malit të Dajtit, i cili ofron pamje spektakolare të pyjeve dhe liqeneve nga rreth 1,110 metra lartësi mbi nivelin e detit.

Berati

Ky qytet i trashëgimisë së UNESCO-s ndodhet 90 minuta me makinë në jug të Tiranës.

Berati karakterizohet nga shtëpitë e gjera, me çati të sheshta, me shumë dritare të epokës osmane, të vendosura përgjatë kodrave nëpër të cilat rrjedh lumi Osum.

Bëni një shëtitje në kalanë e shekullit të XIII, kishat bizantine me afreske dhe Urën elegante të Goricës.

Vlora

Një qytet i madh bregdetar dhe plot lëvizje, vija gjarpëruese e Vlorës është e mbushur me bare dhe restorante të gjalla.

Ajo është gjithashtu shtëpia e një qyteti të vjetër të qetë, ku rrugët me kalldrëm strehojnë ndërtesa shumëngjyrëshe dhe ku do të gjeni sheshe të qeta me kafene.

Gjirokastra

Gjirokastra ndodhet në një luginë midis Malit të Gjerë dhe Lumit Drin, në 300 metra lartësi mbi nivelin e detit.

Është gjithashtu një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, falë kështjellës së saj historike, e cila shfaqet mbi qytetin e vjetër në 336 metra lartësi.

E ndërtuar në shekullin e XII dhe e zgjeruar nën sundimin osman në vitet 1800, eksploroni pesë kullat e saj, burgun, kullën e orës dhe sternën.

Saranda

Saranda është një tjetër qytet i njohur – e cila ka një vijë bregdetare mrekullueshme natyrore.

Në qendër, ndodhet një shpellë e errët nënujore, e rrethuar nga uji i pastër kristal – e quajtur Syri i Kaltër.

Ksamili

Ksamili ofron dhjetëra plazhe magjepsëse të krahasuara me Maldivet.

Këtu përfshihen Plazhi i Ksamilit, Plazhi Bora Bora Ksamil Beach 7 dhe Plazhi i Pasqyrave, falë rërës së artë dhe ujit të bruztë.

Planifikoni vizitën tuaj jashtë sezonit, shtatori është ende i ngrohtë dhe me diell!/atsh/KultPlus.com

‘O nënë, eja në dritare’

Poezi nga Teodor Keko

Muzgu i kaltër vel u var,
mahnitës u bë qielli.
Gjithcka si me magji më ngjan
me një dekor baleti.

Dhe hëna paksa e trishtuar
si pikëllimi i Lorkës,
qiellit i shkon kaq shumë
sic i shkojnë nuses lotët.

O nënë, eja në dritare
të shohim hënën mbi Dajt tek ndrisë
dhe të më thuash me një zë zemre:
Nuk ka si muzgjet e Shqiperisë!/KultPlus.com

Adele largohet nga muzika për një kohë të pacaktuar

Këngëtarja, e cila njoftoi fejesën e saj me agjentin sportiv amerikan Rich Paul në fillim të këtij muaji, u tha fansave se po ndërtonte një jetë të re dhe tani do të bënte një pushim të pacaktuar nga muzika, sipas “Sky News”.

Adele u tha fansave të saj se nuk do t’i shohë ata për një kohë tepër të gjatë, pas përfundimit të turneut të saj evropian në Mynih të Gjermanisë.

36-vjeçarja u tha fansave se kishte nevojë për pushim dhe se donte të jetoja jetën e re që kishte ndërtuar.

Ylli i lindur në Londër njoftoi fejesën e saj gjatë një koncerti në Mynih në fillim të këtij muaji.

Adele ka njoftuar edhe më herët se do të bënte një “pauzë të madhe” nga muzika pas shfaqjeve të saj të fundit.

Ajo i ka kaluar dy vitet e fundit duke performuar në “The Colosseum” në Caesars Palace në Las Vegas dhe sapo ka përfunduar një seri shfaqjesh rekord në qendrën e ekspozitës Messe të Mynihut.

Gjatë 10 koncerteve në Gjermani, Adele shiti mbi 730,000 bileta – më shumë se çdo rezidencë jashtë Las Vegasit – te zhvilluara në një stadium me një kapacitet prej mbi 73,000 vendesh – duke e bërë atë arenën më të madhe të përkohshme të ndërtuar ndonjëherë.

Adele u bë e famshme, 19-vjeçe në vitin 2008 me albumin e saj të parë “19”, përpara se të publikonte albumin e saj të dytë, 21, në 2011 dhe 25, në 2015.

Albumi i saj i dytë është albumi i katërt më i shitur i të gjitha kohërave në BM, pas Queen, ABBA dhe The Beatles.

Ajo publikoi albumin e saj të fundit, 30, në nëntor 2021 duke shënuar një rikthim pas pesë vitesh pauze – dhe duke performuar në festivalin britanik Summer Time (BST) në Hyde Park verën e ardhshme – performanca e saj e fundit në BM.

Adele do të përfundojë shfaqjet e saj në Las Vegas në nëntor të këtij viti./ KultPlus.com

‘Pi venë ti mike, për fjalën e vonë qi s’prite e ike, për kângën qi tash rreh teh thike, për mbrâmjen rreth shtatit qi fike’

Poezi nga Erenestina Gjergji Halili

Pi venë
Pi venë mik,
pi venë,
për at’ qi shkoj pa ardh’ tjetra,
për at’qi giclon plag’t e vjetra,
për at’ qi s’vjen mâ, or tytjeta,
pi venë mik pi…!

Pi venë,
se jeta â rrenë,
se plaga kah t’bren,
se brenga â mbrenë, as jem’, as kem’,
pi mik,
pi venë…!

N’venë qit shpirtin, n’fat vnò gishtin,
ban bé n’mishin,
nji hurpë lenma mú!

Pi venë ti mike,
për fjalën e vonë qi s’prite e ike,
për kângën qi tash rreh teh thike,
për mbrâmjen rreth shtatit qi fike,
pi mike,
pi venë,
fundin lenma mú!/ KultPlus.com

Julia Roberts: “Kam zgjedhur veten”

Merrni ikonën e komedive romantike të Hollivudit, buzëqeshjen më ngjitëse në kinema, aktoren që ka arritur t’i qëndrojë besnike vetes, gjithmonë konsekuente edhe në qasjen ndaj kalimit të kohës, dhe vëreno të punojë me Damien Chazelle, regjisor i La La Land.

Rezultati është një film i shkurtër ironik dhe befasues, fundi i të cilit duket si ai i filmit “Arratisja e nuses”, protagoniste e të cilit ishte Julia Roberts. Po flasim për reklamën e shumëpritur për një parfum kulti nga Lancôme, “La vie est belle” në versionin e ri L’Elixir, fytyra e të cilit është aktorja. Këtu Julia mbështetet në instinkt, rrok momentin, u shpëton pritshmërive me një marifet gazmor dhe shkon të shijojë lirinë e saj të sapogjetur mbi çatitë e Parisit.

Filmi është një ftesë për të mos e shoqëruar lumturinë me gjykimin e të tjerëve dhe për ta dashur veten më shumë. Si ndihet ai në lëkurën e tuaj?

“Mesazhi i fushatës së re ndikon shumë në mënyrën se si i qasem jetës sime. Për momentin ndihem shumë rehat me atë që jam: pata privilegjin e pabesueshëm të jem e suksesshme në karrierën time që në moshë të re dhe kur erdhi koha për të shijuar jetën familjare në maksimum, nuk më duhej të bëja zgjedhje apo të bëja kompromis, siç u detyruan të bënin shumë nga miqtë e mi. Unë arrij majat e lumturisë kur jam me njerëzit e mi të dashur. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk mund të kisha kërkuar një ekuilibër më të mirë mes punës dhe familjes”.

Reklama është ironike. Dhe humori është një nga cilësitë tuaja të mëdha. Çfarë roli ka luajtur në jetën tuaj?

“Unë e them gjithmonë sepse e dua vërtet: Më pëlqen t’i bëj njerëzit të qeshin, kjo më sjell gëzim të jashtëzakonshëm! Gjatë gjithë karrierës sime, ironia dhe humori kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Aktrimi në komedi romantike – dhe ky film është një shembull i kësaj – ka qenë gjithmonë një pasion i imi. Vitet e fundit kam pasur më pak mundësi, por puna me Damien dhe “familjen” time Lancôme sigurisht që nuk ishte përjashtim!

Ku e gjeni guximin të shkoni kundër rrymës, duke respektuar gjithmonë thelbin, pa u ndikuar nga shoqëria?

“Nuk do të thosha kundër rrymës, më shumë se çdo gjë, më pëlqen të jem gjithmonë e vërtetë me veten. Si në jetën time, në zgjedhjet e mia profesionale dhe në mënyrën se si jetoj, unë u jap përparësi gjërave që dua dhe asaj që më bën të ndihem vërtet “unë”. Mundohem të mos i jap shumë rëndësi asaj që mendojnë të tjerët sepse besoj, kjo është mënyra e vetme për të qëndruar vërtet konsistent me veten.”

Buzëqeshja juaj është ngjitëse. Teksa humbisni në çatitë e Parisit, duket se jeni në një gjendje hijeshie të pabesueshme. Euforia juaj është një ftesë për të gjitha gratë, që të guxojnë.

“Sot jemi gjithnjë e më të vendosura dhe pafundësisht të forta. Ne kemi aftësinë të marrim fuqi edhe në situata ku jo domosdoshmërisht e kemi. Kam shumë besim te brezi i ri, tek vajza ime nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe shoqet e saj që i shoh si shumë të ditura dhe të përkushtuara për të krijuar një botë më të mirë për veten e tyre. Nuk është një periudhë e lehtë historike, por të rinjtë e sotëm duken të gatshëm të bëjnë mirë dhe të na japin shembull për të kapërcyer të gjitha pengesat”.

Vlerat e reja të L’Elixir rivlerësojnë konceptin e guximit. Një fjalë e bukur. Çfarë është për ju dhe sa ju pëlqen?

“Është për të qeshur që në fushatën e re të L’Elixir m’u desh të ngjitesha në majë të çative të Parisit, kur në realitet vuaj nga marramendja: Nuk do të isha kurrë kaq e guximshme në jetën reale! (qesh). Është e vështirë të përkufizosh guximin dhe të thuash se çfarë kuptimi ka për mua në jetën e përditshme. Nuk ndihem veçanërisht e guximshme, por besoj se duhet bërë gjithçka për të kapur çdo moment dhe për të jetuar gjithmonë në maksimum”.

Edhe sot femrat i përjetojnë si tabu disa faza të jetës, njëra prej të cilave është menopauza. Çfarë mesazhi u jepni atyre mbi 50 vjeç?

“Mosha nuk është një fakt kaq interesant. Ka më shumë kuptim të flasim për atë që bëjmë, si e bëjmë dhe çfarë na bën të lumtur. Në moshën 56-vjeçare jam shumë me fat që kam prindër me gjene të shkëlqyera, për të jetuar një jetë të plotë dhe më pas – e them shpesh këtë, ndonjëherë me shaka – besoj fort në dashuri. Unë besoj se burri im më do, kujdeset për mua në një mënyrë që më bën shumë të lumtur. Dhe pastaj, sa herë që shihni dikë që është e vërtetë, nuk ka rëndësi sa vjeç është, apo jo?”.

Si ishte të punoje me Damien Chazelle? Me të vërtetë duket se ai dolët të kapnit thelbin e tij.

“Ishte fantastike. Dhe ndoshta projekti më argëtues që nga lindja e “La vie est belle”! Damien është një talent i ri dhe i shkëlqyer dhe, përtej kësaj, ne ndajmë të njëjtin sens humori që lehtësoi dhe e bëri gjithçka argëtuese. Shpresoj ta takoj sërish në të ardhmen e afërt! / Vanity Fair – bota.al/ KultPlus.com

“Festivali i Yjeve” në Fushë Studën, vizitorët shijuan programin artistik në skenën unike të natyrës

“Festivali i Yjeve”, që u zhvillua në një nga lëndinat panoramike të Parkut Kombëtar të Shebenikut, mblodhi vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të cilët shijuan programin artistik në skenën unike të natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa momente të bukura nga ky festival, që u organizua në Fushë Studën, Librazhd.

“Festivali i Yjeve” filloi në muzgun e natës së fundit të gushtit për të vazhduar përgjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit.

Pjesëmarrësit në këtë event shijuan një super spektakël në natyrë, nën ndriçimin e yjeve dhe zjarreve.

Parku Kombëtar i Shebenikut është kthyer në destinacionin turistik më të preferuar edhe nga të huajt që vizitojnë qarkun e Elbasanit.

Simboli i Fushë Studënit është liqeni, i cili ndodhet rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tepër piktoreske, dhe tërheq mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Fushë Studëni, nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrore, traditat kulturore, ka mundësuar dhe mundëson një turizëm malor të veçantë.

Ardhja e vizitorëve për peshkim, ecje sportive, alpinizëm, tregon se Fushë Studën është një ndër vendet më të preferuara të parkut./ KultPlus.com

Lulja e parë që lulëzoi në hapësirë

Astronauti i NASA -s pati shkruar në Twitter për lulen e parë që ka lulëzuar ndonjëherë në hapësirë, transmeton KultPlus.

Astronauti Scott Kelly, publikoi në Twitter, nga bordi i Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, një seri imazhesh që tregojnë lulen e parë që lulëzoi në hapësirë! E mbjellë duke përdorur metoda të zhvilluara nga programi Veggie i NASA -s, një program që eksploron rritjen e bimëve në hapësirë, lulja e zinnisë portokalli e ndritshme doli nga bishtajat që përmbajnë pleh, fara, ujë dhe argjilë, nën një sistem ndriçues të dritave LED.

“Lulja e hapësirës në diell për herë të parë” shkroi Scott Kelly në faqen e tij në Twitter. /KultPlus.com

Më 7 shtator në Podujevë përurohet shtatorja e presidentit historik, Ibrahim Rugova

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se më 7 shtator do të përurohet shtatorja e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Bulliqi ka thënë se kjo shtatore është financuar nga buxheti i Komunës së Podujevës.

“Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, të shtunën më 7 shtator, në Podujevë do të bëjmë përurimin e shtatores së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kjo shtatore e cila është financuar me buxhetin e Komunës së Podujevës do të vendoset në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të administratës komunale”.

“Me vendosjen e kësaj shtatore ne po nderojmë një nga figurat më të shquara të kombit tonë, Presidentin Ibrahim Rugova, si simbol të qëndresës, urtësisë dhe vizionit për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit Rugova, familjarë të tij dhe qytetarë nga treva e Llapit e gjitha trevat shqiptare.  Ju mirëpresim në ceremoninë solemne, këtë të shtune më 7 shtator, nga ora 13:00”, ka shkruar Bulliqi në Facebook, të hënën. / KultPlus.com