Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe sivjet ka marrë pjesë në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ku ka diskutuar me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota.
Presidentja Osmani ka shkruar në Facebook se në këtë diskutim u përqendrua në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, si dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
“Kënaqësi që edhe sivjet të jem e ftuar nga Forumi Evropian Alpbach në Austri. Sot, në një diskutim dinamik me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota, u përqendruam në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, si dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta demokratike”, ka thënë shkruar Presidentja Osmani në facebook.
Shqipëria sërish është vendosur në qendër të vëmendjes së mediave botërore si destinacion turistik.
Këtë herë është gazetari i famshëm i mediave britanike si BBC dhe Independent, Simon Calder, i cili së fundi është bërë “tifoz” i bregdetit shqiptar, duke ua këshilluar të gjithëve në Britaninë e Madhe.
Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të diel intervistën e Calder, në të cilën theksohet se Shqipëria është “ylli i këtij viti” në turizëm.
“Nëse po kërkon diçka të përballueshme shkoni në Portugali. Ata kanë një ofertë të shkëlqyer ose në Lindje, në Bullgari, apo Maqedoninë e Veriut. Dhe “ylli” i këtij viti është Shqipëria”, thotë ai, teksa po jepte këshilla për zgjedhjen e vendeve për të pushuar.
“E çfarë vlerësimi më domethënës mund t’i bëhej Shqipërisë teksa sezoni i verës po mbyllet, se sa nga Simon Calder, gazetari i famshëm i mediave britanike si BBC dhe Independent, i cili zbulimin e vendit tonë e ka nisur dekada më parë, me vizitat e para si reporter kurioz përpara viteve ‘90 në Shqipërinë e një tjetër kohe, ndërsa së fundi është bërë “tifoz” i bregdetit shqiptar, duke ua këshilluar të gjithëve në Britaninë e Madhe si “yllin e këtij viti” në turizëm”, u shpreh Rama./atsh/ KultPlus.com
Jo vetëm për turizmin bregdetar, vizitorët shfaqin interes edhe për turizmin e natyrës, i cili po njeh rritje çdo vit e më shumë, dhe këtë e tregojnë shifrat.
Nga janari i 2024-ës, e deri në korrik, pati 2.5 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura, ose 28 për qind më shumë se shtatë mujori i 2023, i cili regjistroi 1.9 milion, shkruan tvklan.al.
Qarku i Shkodrës mban vendin e parë sa i takon numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura me 609 mijë, ndjekur nga Korça me 573 mijë dhe Qarku i Fierit me 359 mijë.
Ndërsa sa i takon zonave të mbrojtura më të frekuentuara, ato që kryesojnë janë Alpet e Shqipërisë, me 91 mijë vizitorë, ndjekur nga Liqeni i Ohrit në Pogradec me 74 mijë dhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me 67 mijë. Nuk mbeten pas as Syri i Kaltër, Lugina e Shalës dhe Liqeni i Shkodrës. Më pak të frekuentuara janë Mali i Dajtit, Parku i Qafshtamës, Prespa dhe Parku Kombëtar i Vjosës.
Fshati Nepravishtë, në Libohovë, i ndodhur 20 kilometra nga Gjirokastra kohët e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Nepravishta duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.
“Nepravishta në Libohovë, një thesar i fshehur që ju pret për ta zbuluar”, shkruan Rama.
Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.
Zona e Mbrojtur e Kalasë së Melanit është monument kulture i vitit 1963 me një sipërfaqe prej 87 mijë m2 dhe gështenjave të Nepravishtës.
Gjithashtu pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët. Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.
Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën nuk duhet të humbasin as Nepravishtën, një destinacion i ri dhe mjaft premtues në jug të vendit./atsh/KultPlus.com
Ti flutorake e pangushllueme n’errësi Dhe pjesë e diellit të plasun Ti yll i kallun e në shkamb i rrasun Që lind mbas muzgut e bredh në stuhi Xixëllojë, eshkë mitare e mendjes sime Gurrë e ndezun e livadheve të mija; Xixëllojë, komet që të pret gjithsija – Frymë e vringllueme, xixë për premtime Ti je flakë e fjalës – poezi e shkrueme- Dalë nga afshi yne – votër e pikllimit Ti je shpuzë pa plang e mall’ i prendimit Ti i ndriçon netët – kangët e harrueme E frymzimin e mban në flatrimin tand Që n’qerpik’t e mij tashi digjet gand / KultPlus.com
Dy astronautët që mbërritën në bord më 6 qershor me anijen kozmike ”Starliner” do të duhet të qëndrojnë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor deri në shkurt 2025.
Vendimi i NASA u ndërmor për arsye sigurie, të njëjtat për të cilat anija do të bëjë udhëtimin e kthimit pa ekuipazh në fillim të shtatorit.
Kjo fazë përfundon fluturimin testues që duhet të kishte çuar në certifikimin e automjetit kozmetik të ri … i projektuar për t’u bërë taksia e re hapësinore e NASA-s së bashku me anijen Crew Dragon të SpaceX.
Pas shtyrjeve të shumta dhe një udhëtimi të jashtëm plot probleme, dy veteranët e ngarkuar me testimin e Starliner do të duhet të qëndrojnë në hapësirë edhe për gjashtë muaj të tjerë, gjatë të cilëve do të bëhen pjesë e ekuipazhit të ISS, Ekspedita 71-72, dhe do të kontribuojë në aktivitetet e kërkimit dhe mirëmbajtjes.
Fluturimi i tyre i kthimit është planifikuar me një Crew Dragon, së bashku me dy kolegë të tjerë. Në përgjithësi, Butch Wilmore dhe Sunita Williams do të qëndrojnë në orbitë për rreth tetë muaj.
“Fluturimi në hapësirë është i rrezikshëm, edhe në kushtet më të sigurta dhe rutinë, dhe për nga natyra e tij, një fluturim provë nuk është as i sigurt dhe as rutinë”, tha shefi i NASA-s, Bill Nelson.
“Vendimi për të mbajtur Butch dhe Suni në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës dhe për të kthyer anijen pa ekuipazh është për shkak të angazhimit tonë për sigurinë,” shtoi ai.
“Ne duam të kuptojmë shkaqet kryesore dhe si të përmirësojmë dizajnin në mënyrë që Starliner të luajë një rol të rëndësishëm në sigurimin e aksesit në ISS. Vendimi i NASA-s merr parasysh gabimet e së kaluarës dhe tregon përkushtimin për të mos përsëritni ato/ Ne kemi humbur tashmë dy anije të Kolumbias”, shpjegon Nelson./KultPlus.com
Agron Sedllari, ish-gazetari i Radiotelevizioni i Prishtinës, ka vdekur në orët e hershmë të mëngjesit (25 gusht) në Lozanë të Zvicrës.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë lajmërojmë familjarët, farefisin, miqtë, shokët e shoqet dhe ish koleget dhe kolegët e të ndjerit (RTP/RTK), se sot më 25 Gusht, në orët e hershme të mëngjesit ndërroi jetë në Lausannë të Zvicrës, më i dashuri ynë – vëllai, babai e gjyshi Agron Sedllari”, thuhet në njoftimin mortor të familjes Sedllari.
Ndër tjera, thuhet se ai i latë përlotur, por krenarë “që patëm një baba, vëlla e familjarë të dashur e bujar – i cili na fisnikëroi çdo ditë t`jetës – me kulturën dhe dijet e tij, duke mbjell ndër ne dashurinë e pakufishme për familje dhe atdhe”.
Poashtu, thuhet se: “Varrimi: Për ditën dhe orën e varrimit, sikurse edhe për të pamën, familja do t‘njoftojë me kohë, pasi t`jetë konfirmuar nga aviacioni, dita dhe koha e arritjes në Prishtinë”. /KultPlus.com
Poezi nga ĆAMIL SIJARIĆ / Përktheu Salajdin Salihu
I kam harruar fjalët e dashurisë Që t’i pëshpërita. Por kujtoj se si një gjeth Ra nga dega Mbi ty, Mbi mua Ra. Nuk do vete më atje. Mund një gjethe të bjerë prej dege Si dikur E ti nuk je atje As unë./KultPlus.com
Misioni i UNESCO-s në Shqipëri zhvilloi një vizitë edhe në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, veçanërisht në zonën e Lagunës së Nartës.
Grupi i punës vlerësoi pellgun ujëmbledhës të Vjosës me një sipërfaqe 4,540 km² në territorin shqiptar, për larmshmërinë e relievit, mozaikun e llojeve të ndryshme të habitateve të një shkalle unike në Evropë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura theksoi se “lugina e Vjosës është padyshim një thesar që meriton të përfshihet në Programit “Njeriu dhe Biosfera”, UNESCO”.
Gjithashtu ekspertët e misionit të UNESCO-s, së bashku me ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, vijojnë punën mbi përgatitjen e dosjes për aplikimin në Programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Ky aplikim do të përfshijë tre elementet kryesorë që një Biosferë duhet të përmbushë:
funksionin ruajtës, zhvillimin dhe mbështetjen logjistike.
Grupi i Punës ka vizituar edhe monumentin e natyrës “Ujërat Termale të Bënjës”, si një nga pikat më të rëndësishme ku njeriu, kultura dhe natyra ndërveprojnë./atsh/KultPlus.com
Harry S. Truman: “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se të jesh president është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”!
Nikita Khrushchev: “Politikanët janë kudo të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku s’ka lumë”!
Vaclav Havel: “Nuk ka më komunist se ish-komunisti që e lufton komunizmin”!
Voltaire: “O Zot! Më shpëto nga miqtë e mi, se nga armiqtë mbrohem vetë”!
John F. Kennedy: “Nëse jemi të fortë, forca jonë flet vet. Nëse jemi të dobët, fjalët s’na ndihmojnë”!
Robert Frost: “Liberali është ai që është aq tolerant sa që mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”!
Friedrich Nietzsche: “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq”!
Charles de Gaulle: “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që e thotë, befasohet kur të tjerët e besojnë”!
Margaret Thatcher: “Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”!
Ronald Reagan: “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”!
Stanley Kubrick: “Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”!
Mason Cooley: “Tre njerëz të braktisur në një ishull të izoluar, do të shpiknin shumë shpejt politikën”!
James Clark: “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrështetas mendon për brezin e ardhshëm”!
Ely Culbertson: “Politika, një emër diplomatik për ligjin e xhunglës”!
Will Rogers: “Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të kuptoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”!
Pierre Trudeau: “Në pikëpamje akademike përpiqeni ta pohoni të vërtetën absolute; në politikë kërkoni që të vërtetën t’ia përshtatni fakteve përreth jush”!
Alexis de Tocqueville: “Në politikë, një bashkësi e njerëzve që urrehen është pothuaj gjithnjë baza e miqësisë”!
Jesse M. Unruh: “Paraja është për politikën si nëna që ushqen me qumështin e saj”!
Georges Pompidou: “Një burrështetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes!
Bernard Baruch: “Votoni për njeriun që premton më pak, se ai do të jetë më pak zhgënjyes”!
Winston Churchill: “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni veç një herë”!
Soren Kierkegaard: “Tirani vdes dhe sundimi i tij merr fund; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon”!
Harold Wilson: “Në politikë një javë është kohë shumë e gjatë”!
Boris Mashalov: “Kongresi është i çuditshëm. Dikush ngrihet të flasë e nuk thotë asgjë. Askush s’dëgjon, pastaj të gjithë bien dakord”!
Johann Wolfgang von Goethe: “Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”!
Marie Ebner: “Ne botë do të kishte më pak çaste të kobshme, nëse të këqijat s’do të bëheshin në emër të ndonjë të mire”!
Adolf Hitler: “Sa fat për sundimtarët që njerëzit nuk mendojnë!”
Faik Konica: “Ati ynë që je në Qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë”!
Sydney J. Harris: “Tri detyrat më të rënda të kësaj bote janë: Ta shpërblesh urrejtjen me dashuri, pranimi i të pamundshmes dhe thënia – unë isha gabim”!
Konrad Adenauer: “Jetojmë të gjithë nën një qiell, por askush s’ka të njëjtin horizont”!
Kalaja e Gjirokastrës u listua sipas statistikave zyrtare si monumenti kulturor më i vizituar në Shqipëri për vitin 2024.
Me një numër rekord vizitorësh prej rreth 160000 vetë kalaja më e madhe në vend vijon të mbetet një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit historik dhe kulturor duke favorizuar turizmin në tërësi në Jug. E vendosur mbi një kodër në lartësinë rreth 360m kalaja pjesë integrale e qytetit të mbrojtur nga UNESCO ka një hapësirë të vizueshme me një gjatësi gati 500 m. Brenda saj janë vendosur disa muzeume si ai i armëve, burgu i kalasë, një muze historik, disa monumente kulti, kulla e sahatit, rrënojat mesjetare të popullimit, skena e Festivalit Folklorik Kombëtar, si dhe komplekse shumë interesante ndërhyrjesh arkitekturore të lidhura me periudhën e Ali Pashës. Përgjatë 2024 një zonë e izoluar në Jug të kështjellës u pastrua dhe u vu gjithashtu në dispozicion të vizitorëve.
“Kalaja e Gjirokastrës në periudhën që po flasim Janar-Gusht 2024 ka rreth 161 mijë vizitorë ose rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Karahasur me dy vite më parë kalaja duke ju nënshtruar një restaurimi ka shtuar edhe një zonë në pjesën jugore të saj e cila mund të vizitohet lirisht. Në publikimin e shifrave zyrtare të vizitave të të gjitha siteve kulturore në Shqipëri nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, kalaja e Argjirosë ngelet objekti më i vizituar kulturor në vendin tonë”, tha Ardis Duka, kreu i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Turistët janë nga e gjithë bota por 2024 kulmoi me italianët e spanjollët si dhe me një prani të shtuar të vizitorëve nga Veriu i Europës.
“10% e numrit të vizitorëve i përkasin biletarisë online, kryesisht janë grupe ose agjensi që përdorin këtë metodë për shkak se ka edhe një reduktim të çmimit. Nisur edhe nga trendi i këtyre muajve ne parashikojmë që numri i vizitorëve të qëndrojë konstant dhe të shënojë një rritje me 30-40% deri në fund të vitit 2024”,tha Duka.
Gati 80% e vizitorëve që mbërrijnë në Gjirokastër vizitojnë të paktën 2 muzeume dhe kalaja është destinacioni kryesor. Vizitat po guidohen këtë vit në të paktën 5 gjuhë ndërsa edhe vizitorët e diasporës kanë rritur interesin që prej 2023. Ajo çka penalizon një pjesë të turistëve për ta arritur këtë destinacion është nevoja për të ecur në këmbë për rreth 15-20 minuta në ngjitje nga qendra historike. E gjithë zona përreth kalasë është një hapësirë me qarkullim të kufizuar për mjetet dhe me vështirësi të lartë parkimi./TopChannel/KultPlus.com
Sot, janë shënuar 12 vite nga vdekja e astronautit amerikan Neil Amstrong, shkruan KultPlus. Ai ishte njeriu i parë i cili zbarkoi në planetin e hënës.
Neil Alden Armstrong ka lindur më 5 gusht në Wapakoneta të Ohios. Më 16 korrik 1969 zbarkoi në Hënë me anë të anijes kozmike Apollo 11. Me të shkelur në sipërfaqen e Hënës, fjalët e para të Neil’it ishin: “ky është një hap i vogel për mua, por një hap i madh për njerëzimin” (That’s one small step for a man, one giant leap for mankind).
Ka bërë fluturim 78 orë mbi Korenë, si pilot i Forcave Detare. Në vitin 1971 u largua nga NASA dhe filloi të punojë në Universitetin e Cincinnati’t. Deri në vitin 1979 vazhdoi në këtë Universitet si Profesor i Inxhinierisë së Hapësirës Ajrore.
Prej vitit 1985 deri në 1986 ka qenë në shërbim të Komisionit Ndërkombëtar të hapësirës Ajrore. Në vitin 1986 ishte nënkryetar i komisionit të krijuar për hulumtimet e aksidentit Challenger. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Vdiq me 25 gusht 2012 kur ishte 82 vjeç./KultPlus.com
“NGA TRI metamorfozat e shpirtit po ju them: Si shpirti bëhet deve, deveja luan dhe luani më në fund fëmijë. Shumë gjëra të rënda janë atje për shpirtin, shpirtin e fortë nderues që do të duronte shumë: sepse e rënda dhe më e rënda dëshiron forcën e saj.
Çfarë është e rëndë? kështu pyet shpirti që do të duronte shumë, dhe pastaj ulet në gjunjë si deveja dhe dëshiron të jetë i ngarkuar mirë.
Cila është gjëja më e rëndë, heronj? pyet shpirti që do të duronte shumë, që të mund ta marr mbi vete dhe të gëzohem me forcën time.
A nuk është kjo: Të poshtërosh veten për të mpirë krenarinë e dikujt? Të shfaqësh marrëzinë e dikujt në mënyrë që të tallesh me mençurinë e tij?
Apo është kjo: Të braktisim kauzën tonë kur ajo triumfon? Të ngjitesh në male të larta për të tunduar tunduesin?
Apo është kjo: Të ushqehesh me lisat dhe barin e diturisë dhe për hir të së vërtetës të vuash urinë në shpirt?
Apo është kjo: të jesh i sëmurë dhe të largosh ngushëlluesit dhe të bësh miq i të shurdhërve, të cilët nuk i dëgjojnë kurrë kërkesat e tua?
Apo është kjo: të hysh në ujë të ndyrë kur është uji i së vërtetës dhe të mos shmangësh bretkosat e ftohta dhe kalamajtë e nxehtë?
Apo është kjo: të duam ata që na përbuzin dhe t’i japim dorën fantazmës që përpiqet të na trembë?
Të gjitha këto gjëra më të rënda, shpirti që do të mbante shumë i merr përsipër: si deveja, e cila, kur ngarkohet, nxiton në shkretëtirë, kështu e shpejton shpirtin në shkretëtirën e saj.
Por në shkretëtirën më të vetmuar ndodh metamorfoza e dytë: këtu shpirti bëhet luan; ai do të kapë lirinë e tij dhe do të jetë zot në shkretëtirën e tij. Këtu ai kërkon zotërinë e tij të fundit: ai dëshiron të luftojë atë dhe Zotin e tij të fundit; për fitore do të luftojë me dragoin e madh. Kush është dragoi i madh që shpirti nuk dëshiron ta quajë më Zot?
“Ti do”, quhet dragoi i madh. Por shpirti i luanit thotë: “Unë do”.
“Ti do,” shtrihet në shtegun e tij, që shkëlqen me ar – një bishë e mbuluar me luspa; dhe në çdo peshore shkëlqen një “Ti do të jesh!” Vlerat e një mijë viteve shkëlqejnë në ato peshore dhe kështu flet më i fuqishmi nga të gjithë dragonjtë: “Të gjitha vlerat e të gjitha gjërave shkëlqejnë mbi mua. Çdo vlerë është krijuar prej kohësh dhe unë jam i gjithë vlera e krijuar. Vërtet, nuk do të ketë asnjë më shumë ‘do’”.
Kështu flet dragoi.
Vëllezërit e mi, pse shpirti ka nevojë për luanin? Pse nuk mjafton bisha e barrës, e cila heq dorë dhe nderon?
Të krijosh vlera të reja – që as luani nuk mund t’i realizojë: por të krijosh për vete lirinë për krijimin e ri – atë liri mund ta kapë fuqia e luanit. Për të krijuar lirinë për veten dhe për t’i dhënë një Jo të shenjtë edhe detyrës: për këtë, vëllezërit e mi, duhet luani.
Të marrësh të drejtën për vlera të reja – ky është supozimi më i frikshëm për një shpirt bartës dhe nderues. Për një frymë të tillë është pre dhe vepër e një bishe grabitqare. Ai dikur e donte “Ti do” si më të shenjtën: tani është i detyruar të gjejë iluzionin dhe arbitraritetin edhe në gjërat më të shenjta, që liria nga dashuria e tij të jetë pre e tij: luani duhet për një pre të tillë.
Por më thoni, vëllezërit e mi, çfarë mund të bëjë fëmija, që as luani nuk mundi ta bëjë? Pse luani grabitqar duhet të bëhet ende fëmijë?
Fëmija është pafajësia dhe harresa, një fillim i ri, një lojë, një rrotë vetërrotulluese, një lëvizje e parë, një Po e shenjtë. Për lojën e krijimit, vëllezërit e mi, nevojitet një Po e shenjtë: shpirti tani do vullnetin e tij; i dëbuari i botës tani pushton botën e tij.
Nga tre metamorfozat e shpirtit ju kam treguar: si shpirti u bë deve, deveja luan dhe luani më në fund fëmijë.
Si sot, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.
“Nëntoka jonë mban kushedi edhe sa e sa dëshmi të tjera për paraardhësit tanë, e ajo që është zbuluar deri më tani është falë punës së palodhur e plot përkushtim të arkeologëve tanë. Andaj në ditën e tij të lindjes, kujtojmë njeriun që për më shumë se gjysmë shekulli ju kushtua tërësisht kërkimeve e studimeve për arkeologjinë shqiptare”, ka theksuar sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, transmeton KultPlus.
Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.
Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.
Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.
DPA ka publikuar edhe një fotografi nga Prof. Hasan Ceka si dhe promemoria mbi ndërtimin dhe formimin e Muzeut Kombëtar nga arkeologu, Hasan Ceka, e cila ruhet në AQSH. / KultPlus.com
E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha që nji njeri mundet me bâ: s’kam qenë i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë, m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.
Prindët m’lindën që ta lu’j nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë, për tokë, ajër, zjarm e ujë. I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë
dëshira e tyne e rinisë. Trunin tim ia fala me vullnet e kâmbëngulje simetrive t’artit gjithë lajlelule.
Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim. Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’ hija e të qenit nji mjeran. / KultPlus.com
Çmimi i Bitcoin u ngjit në afro 65,000 dollarë të shtunën pasi kryetari i Rezervës Federale të SHBA, Jerome Powell sinjalizoi një ulje të normës së interesit në mbledhjen e ardhshme të bankës qendrore në shtator.
Bitcoin pa çmimin e tij duke u ngjitur deri në 64,845 dollarë të premten pas fjalimit të shumëpritur të Powell në simpoziumin vjetor Jackson Hole në shtetin amerikan të Wyoming.
Kriptomonedha më e madhe në botë po tregtohej rreth 64,653 dollarë në orën 18:30 të premten për një fitim ditor prej 6.8%.
Ethereum tregtohej me 2,788 dollarë për një rritje ditore prej 6.2%.
Vlera e tregut të kriptomonedhave qëndroi në 2.27 trilion dollarë, duke u rritur 5.79% gjatë ditës, sipas CoinMarketCap, një uebsajt dixhital për përcjelljen e çmimeve të aseteve.
Kryetari i Fed Powell tha se besimi i tij është rritur se inflacioni është në një rrugë të qëndrueshme kthimi në 2%, duke thënë se “ka ardhur koha” për një rregullim në politikën monetare.
“Drejtimi i udhëtimit është i qartë, dhe koha dhe ritmi i uljes së normave do të varet nga të dhënat hyrëse, perspektiva në zhvillim dhe balanca e rreziqeve,” i tha ai simpoziumit vjetor Jackson Hole.
Kriptomonedhat panë një rënie të madhe në fillim të gushtit, kur frika e recesionit çoi tregjet globale në një rënie të lirë, pasi Bitcoin ra në 49,551 dollarë më 5 gusht./alsatm/ KultPlus.com
Femrat në sytë e një mashkulli? Nuk ka rëndësi se sa peshojnë. Është e mahnitshme të prekësh, të përqafosh dhe të përkëdhelësh trupin e një femre. Ta dimë se sa peshon, nuk na provokon asnjë emocion. Nuk e kemi idenë se sa është masa jote, ose nëse je në formë.
Interesi ynë përqendrohet në një lloj tjetër forme. Nuk na intereson se sa e gjatë je në centimetra. Është çështje proporcionesh, jo masash. Neve na pëlqen një femër e rrumbullakosur dhe “me mish”. Na pëlqen ai lloj trupi që, pa asnjë dyshim, vihet re në fraksionin e sekondës.
Femrat e dobëta që sfilojnë në pasarela, ndjekin tendencën e dëshiruar nga stilistët që, e thënë me realizëm, duket sikur i urrejnë femrat dhe konkurojnë me to. Modelet e tyre janë dëshpërimisht të dobëta, të thata.
Makiazhi është shpikur sepse femrat e përdorin, por mos e përdorni. Lajeni fytyrën thjesht me ujë dhe sapun dhe aq mjaftojnë për ne.
Atletat janë shpikut për të mbajtur këmbët tuaja fantastike. Nëse natyra ju ka dhënë format që keni, atëherë ka një arsye dhe, e përsëris, neve na pëlqeni të tilla. T’i fshihni të tilla forma është si të mbani të në magazinë divanin tuaj më të mirë.
Është ligj natyror që të gjithë ata që martohen me një modele të dobët, anoreksike, bulimike dhe nervoze, më pas kërkojnë një të dashur me forma, simpatike dhe që të mos vuajë nga shëndeti. Të rejat janë të bukura, por ato mbi të dyzetat janë vërtet pjata e fortë. Për to ne jemi të gatshëm të kalojmë me not oqeanin Atlantik.
Trupi ndryshon, moshohet. Mos u dëshpëro nëse nuk të bën më ajo masë fustani që të bënte në moshën 18 vjeçare. Një femër 45 vjeçare, të cilës i bën fustani që vishte në moshën 18 vjeçare, ose vuan nga problemet e zhvillimit, ose po vetëshkatërrohet.
Neve na pëlqejnë femrat që dinë të jetojnë një jetë të ekuilibruar dhe dinë t’i kontrollojnë ndjesitë e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur hanë, e shijojnë atë që hanë. Ato që kur duhet të mbajnë dietë, e bëjnë me kënaqësi (pa vuajtje dhe dëshpërim).
Disa rrudha në fytyrë, disa thinja, disa shenja moshimi në trup nuk e fshehin bukurinë. Ato janë dëshmi se ju keni bërë diçka në jetën tuaj, se nuk keni mbetur tek makiazhi dhe nuk e keni kaluar jetën tuaj nëpër qendra estetike. Keni jetuar!
Pazari i vjetër në Shkodër në kohën e lulëzimit të tij, u bë vërtetë një qytet i madh tregtar midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, i shtrirë në 1.8 km. gjatësi, ku vlonte tregtia dhe ku madhësia e tij lejonte të punonin dhe të blinin aty mbi 10000 njerëz.
Ndërsa në ditët e pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të ishin prezentë më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtërit” më të shkëlqyer në tregti.
Aso kohe në breg të Liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha deri te avulloret 1000 tonelata, si dhe kishte edhe një pazar anijesh që ishte në “garë” me “Pazarin e Madh” por që ishte edhe si vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore si edhe banka dhe afër 1500 dyqane të pa përsëritshme, sot e kësaj dite.
Në të djathtë të Urës së Bunës ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare për import eksportet e mallrave në Shkodër, shkruan “Faktor.al”.
Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët (rrugët) e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda Pazarit të Vjetër kishte rregull dhe disiplinë të veçantë si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje etj.
Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre komunikonin njëri me tjetrin me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje dhe elemente të tjerë sigurie.
Vlen të informojmë lexuesit se Pazari i Vjetër përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, e konkretisht ka pasur 5 kanale të tillë, të cilët largonin ujin nga pazari dhe ishin afër 1.8 metër të thellë. Kanali i parë mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “sokakun e pemëshitësve”, një i tretë kalonte “skelën e peshkut”, i katërti përshkonte “sokakun e kasapëve” dhe i pesti kalonte përmes “Pazarit të madh”, por që të pesë këto kanale ujin e mbledhur e derdhnin në Bunë. Sigurisht që kanalet pastroheshin çdo vit nga punëtorë të veçantë. Pra, që në atë kohë sistemimit të pazarit i është dhënë një rëndësi e madhe si në anën ndërtimore ashtu edhe në relacion me funksionimin e plotë të tij për zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë.
Kështu shumë shpejt Pazari i Vjetër u bë qendra më e madhe tregtare e trevave Shqiptare e më gjerë në eksport – importin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe. Në planin tregtar dhe financiar, Pazari i Madh në Shkodër është vlerësuar nga të tjerët si “Hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm për nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra ka qenë Metropoli i Arbërisë. / KultPlus.com
Po vinë argatët Të heshtur. Të muzgët. Po vinë Po vini. Err e terr Brodhi arave të tyre dita Po vinë. E poqën Diellin e bakërt të bukës Po vini. Po vinë Me bimët mugullore ndër muskuj Po vinë. Ditë argëtare Grua që do t’ua mbash mend farën / KultPlus.com
KultPlus ju sjell sot 15 citate të Paulo Coelho mbi dashurinë, jetën dhe miqësinë:
“Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur arritjen e një ëndrre: frika nga dështimi.”
“Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë.”
“Dhe, kur ju dëshironi diçka, i gjithë universi punon për t’ju ndihmuar ta arrini atë.”
“Sekreti i jetës, megjithatë, është të biesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë.”
“Cila është gënjeshtra më e madhe në botë?… Është kjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne humbasim kontrollin e asaj që po na ndodh dhe jetët tona kontrollohen nga fati.”
“Dy provat më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me atë që hasim.”
“Çdo gjë që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më kurrë. Por gjithçka që ndodh dy herë do të ndodhë me siguri për herë të tretë.”
“Nëse e doni dikë, duhet të jeni të përgatitur për ta lënë te lirë.”
“Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që dëshiron.”
“Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato.”
“Nëse filloni duke premtuar atë që nuk e keni ende, do të humbisni dëshirën tuaj për të punuar për ta arritur atë.”
“Disa gjëra në jetë thjesht duhen përjetuar – dhe nuk shpjegohen kurrë. Dashuria është një gjë e tillë.”
“Kur dashurojmë, ne gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur ne përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi, gjithçka rreth nesh bëhet gjithashtu më e mirë.”
“Është mundësia për të realizuar një ëndërr që e bën jetën interesante.”
“Një është i dashur sepse dikush është i dashur. Nuk nevojitet asnjë arsye për të dashuruar./ KultPlus.com
NASA ka vendosur këtë të shtunë se është shumë e rrezikshme të sjellë dy astronautë në Tokë në kapsulën e re të trazuar të Boeing, dhe se atyre do t’u duhet të presin deri vitin e ardhshëm për një udhëtim në shtëpi me SpaceX.
Udhëtimi në hapësirë duhej të kishte qenë një fluturim provë njëjavore për çiftin tani do të zgjasë më shumë se tetë muaj, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Pilotët me përvojë kanë mbetur të bllokuar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës që nga fillimi i qershorit. Një kaskadë e dështimeve shqetësuese të shtytësit dhe rrjedhjeve të heliumit në kapsulën e re e prishën udhëtimin e tyre në stacionin hapësinor dhe ata përfunduan në një model mbajtjeje ndërsa inxhinierët kryenin teste dhe debatonin se çfarë të bënin për udhëtimin e kthimit.
Pas gati tre muajsh, vendimi më në fund zbriti nga gradat më të larta të NASA-s të shtunën. Butch Wilmore dhe Suni Williams do të kthehen në një anije kozmike SpaceX në shkurt. Kapsula e tyre e zbrazët Starliner do të hapet në fillim të shtatorit dhe do të përpiqet të kthehet me autopilot.
Qytetarët Kosovës deri dje kanë mund të bëjnë konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegalet në ato të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës, qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti.
“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok. Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.
Shefi i qeverisë, i ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces.
Braziliani me ndikimin më të madh ndërkombëtar dhe një nga shkrimtarët më të lexuar në botë, Paulo Coelho, feston ditëlindjen e tij të 77-të më 24 gusht 2024.
Në vitin 2024, janë bërë 37-vjet nga botimi i parë i “Pelegrini i Kompostelës”, best-seller-i i tij i parë nga “Toena”. Libri u shkrua pas pelegrinazhit të autorit, në vitin 1986, përgjatë rrugës për në Santiago de Compostela, në Spanjë, dhe u botua nga shtëpia botuese “Eco”, në Rio-de-Zhaneiro, vitin pasues, më 1987. Përvoja gjatë rrugës për në Santiago de Compostela ishte e jashtëzakonshme në jetën e autorit dhe suksesi i madh ndërkombëtar i “Pelegrinit të Kompostelës”, pas botimit të tij, kontribuoi në rritjen e konsiderueshme të numrit të pelegrinëve në qytetin e Galicisë, në Spanjë – aq shumë sa në vitin 1999, Paulo Coelho u nderua me Medaljen e Artë të Galicisë nga Këshilli i Shtetit të Spanjës dhe, në vitin 2008, bashkia lokale e nderoi shkrimtarin brazilian duke i dhënë emrin e tij njërës prej rrugëve të qytetit.
Librat e Paulo Coelho-s, të botuara në mbarë botën, kanë arritur shifrën mahnitëse prej rreth 320 milionë kopjesh të shitura në më shumë se 170 vende. Autori më i përkthyer nga portugalishtja është botuar në 88 gjuhë të ndryshme, duke përfshirë shqipen, gjuhën estoneze, persishten (gazetarja Patrícia Campos Mello zbuloi versionin e “Pelegrinit të Kompostelës” në atë gjuhë midis të burgosurve në burgun amerikan të Guantanamos, Kubë), hindishten, malajalamishten (e folur në Indinë Jugore), marathishten (e folur në bregun perëndimor qendror të Indisë), vietnamishten dhe suahilishten (një nga gjuhët zyrtare të Kenias). Në Brazil, Paulo Coelho madje ka pasur pesë tituj në të njëjtën listë të best-seller-ve, një ngjitje që asnjë autor tjetër nuk ka arritur ta kapë deri më sot.
“Alkimisti”, libri i tij më i suksesshëm, u botua në qershor 1988, fillimisht nga i njëjti botues “Eco”. Meqenëse pronari i shtëpisë botuese të parë nuk besonte shumë në suksesin e titullit, ribotimi i “Alkimistit” u bë nga botuesi tjetër “Rocco” dhe shpejt u bë një nga fenomenet më të mëdha të shitjeve në Brazil. Largimi nga “Eco” shënon edhe momentin kur Paulo Coelho filloi të punojë me Mônica Antunes, agjenten e tij ekskluzive deri më sot, pronare e “Sant Jordi”, me qendër në Barcelonë. Libri shitet rreth 1 milion kopje çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara, duke qenë libri më i dhuruar për nxënësit që mbarojnë gjimnazin atje. Ende në Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh i librave në botë, “Alkimisti” ka një rekord duke qëndruar për 427 javë rresht në listën e librave më të shitur të “The New York Times” – lista më prestigjioze e best-seller-ve në industrinë ndërkombëtare të librit. Në gusht 2022, libri mbushi plot 650 javë në listën e librave më të shitur të “USA Today”. Frymëzimin për këtë best-seller Coelho e mori nga një histori persiane e përdorur nga shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges në librin e tij me tregime të shkurtra të titulluar në origjinal “Historia universal de la infamia”, botuar më 1935.
“Alkimisti” vlerësohet dhe rekomandohet nga liderë botërorë, si ish-presidenti i ShBA-s, Barack Obama, aktivistja pakistaneze dhe fituese e çmimit “Nobel” për paqe, Malala Yousafzai, dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, midis shumë të tjerëve; nga shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, si italiani Umberto Eco dhe japonezi Kenzaburo Oe, fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë; nga personalitete, si Gisele Bündchen dhe Oprah Winfrey, prezantuese dhe drejtuese e një prej klubeve më të mëdha të librit në botë; madje edhe nga sportistë, si shtatë herë kampioni i botës në “Formula 1”, Lewis Hamilton dhe superyjet e NBA-së, LeBron James dhe Kobe Bryant – me të cilët Paulo Coelho planifikoi të shkruante një libër për fëmijë, një plan që fatkeqësisht u prish nga vdekja tragjike e basketbollistit. Në tregun e Amerikës së Veriut, ekziston një version audio i “Alkimistit” i treguar nga aktori i madh anglez Jeremy Irons, fitues i “Oscar”-it për aktorin më të mirë në vitin 1991.
Me 21 vepra dhe disa qindra milionë kopje të shitura, Paulo Coelho botohet nga botuesit më të rëndësishëm në botë, si “Knopf” dhe “HarperCollins” në Shtetet e Bashkuara, nga “Flammarion” në Francë, nga “Planeta” në Spanjë, nga “Penguin Random House” në Meksikë dhe “Kadokawa” në Japoni.
Në Brazil, ajo është botuar nga etiketa e “Paralela e Companhia das Letras” që nga viti 2016, kur publikoi librin “Spiunia”, frymëzuar nga jeta misterioze e Mata Harrit, një gruaje e lindur në Holandë dhe e pushkatuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 2010, Paulo Coelho organizoi për botuesin anglez “Penguin” një antologji tekstesh që ishin burim frymëzimi për të; ndër fragmentet e përzgjedhura, ka pasazhe nga De Profundis, nga Oscar Wilde, Eichmann në Jerusalem, nga Hannah Arendt (më 1982, një vizitë në rrënojat e kampit nazist të përqendrimit në Dachau, Gjermani, bëhet një nga përvojat më të shquara të jetës së autorit dhe përforcon bindjet e tij për të luftuar gjithmonë kundër autoritarizmit të çdo ngjyre ideologjike), “Princi” i Machiavelli-t, “Fiksionet” e Jorge Luis Borges-it dhe “Dorëshkrimet e Detit të Vdekur”, shpërndarjen e librave të tij nëpër botë, si dhe marrëdhëniet me lexuesit e tij.
Në vitin 1996, Paulo Coelho mori titullin “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit”, nga presidenti francez Jacques René Chirac dhe në të njëjtin vend ai mori titullin “Oficer në Urdhrin e Arteve dhe Letrave”, më 2003. U zgjodh dhe ishte kryetari i 21-të i “Akademisë Braziliane të Letrave” që nga viti 2002 dhe në vitin 2007; ai u bë Lajmëtar i Paqes i Kombeve të Bashkuara. Paulo Coelho ka fituar rreth 115 çmime dhe nderime të dimensioneve ndërkombëtare, duke përfshirë çmimin “Grinzane Cavour” (Itali, 1996; dhënë gjithashtu shkrimtarëve si José Saramago, Doris Lessing dhe Ian McEwan), çmimin “Goldene Feder” (Hamburg, 2005) dhe çmimin “Hans Christian Andersen”, dhënë nga Bordi Ndërkombëtar për Librat për të Rinjtë (2010).
Paulo Coelho është këshilltar i UNESCO-s për Programin mbi Konvergjencat Shpirtërore dhe Dialogët Ndërkulturorë dhe ka qenë anëtar i bordit të Fondacionit “Schwab”, i cili promovon Forumin e Davosit (në fakt, braziliani që ka më shumë rëndësi në Davos është Paulo Coelho, një shkrimtar që është gjithashtu anëtar i bordit të Fondacionit “Schwab”, shkroi gazetari Clóvis Rossi, reporteri brazilian që mbuloi më së shumti Forumin e Davosit, në Folha të Sao Paulo-s), dhe i Këshillit Ndërkombëtar Këshillimor të Programit Ndërkombëtar të Negocimit të Harvardit.
Në vitin 2003, “Alkimisti” fitoi rekordin botëror “Guinness” si libri që kishte më shumë përkthime në gjuhë të tjera; në vitin 2009, Paulo Coelho fitoi një rekord të ri botëror “Guinness” si autori më i përkthyer nga i njëjti libër. Ai është një nga shkrimtarët e parë që përdori mediat sociale dhe në një anketë të kryer nga Agjencia amerikane e marrëdhënieve me publikun JCPR më 2009, ai ishte ndër 100 personalitetet më të ndjekura botërore në Twitter (vetëm pesë nga 100 personat e përmendur nuk ishin amerikanë). Në vitin 2017, shkrimtari u zgjodh si një nga 100 mendimtarët më me ndikim botëror nga Fondacioni “Albert Einstein” i Kanadasë, i cili ruan koleksionin e gjeniut të fizikës gjermane.
Paulo Coelho ëndërronte të bëhej shkrimtar që kur ishte adoleshent në Rio-de-Zhaneiro. Kur ishte i ri, ai bënte komente me shkrim për librat që lexonte (në moshën 25-vjeçare kishte mbajtur shënime për më shumë se pesëqind libra) dhe u dërgonte poezi kritikëve letrarë, që kishin rubrika letrare në gazeta. Ai punoi në teatër (madje duke dhënë mësime për regji dhe aktrim) dhe në gazeta kryesore – si “O Globo”, në Rio-de-Zhaneiro – ai ishte redaktor i të përditshmes (të quajtur edhe “udigrudi” në Brazil) dhe punoi në kompanitë diskografike “Polygram” dhe “CBS”. Në vitin 1970, i ndikuar nga lëvizjet mistike dhe alternative, ai mori trenin e vdekjes për të shkuar në Bolivi dhe Maçu Piçu, në Peru. Më pas, shkoi në Amsterdam dhe Holandë, kryeqyteti botëror i lëvizjes hipi. Prej aty, me autobus, ai bëri ekskursionin e tij të parë në Lindje, një përvojë që ai e tregon në librin autobiografik “Hipi”, botuar më 2018.
Në fillim të viteve 1970, ai kryqëzoi rrugët me rokerin Bahian Raul Seixas dhe takimi i ndryshoi jetën. Së bashku, të dy kompozuan më shumë se dyzet këngë, disa prej të cilave ishin jashtëzakonisht të suksesshme dhe që u bënë përgjithmonë klasike të rokut brazilian, si “Gita” (një hit i madh edhe falë zërit të Maria Bethânia-s), “Unë linda dhjetë mijë vjet më parë” dhe “Shoqëria alternative”. Ai, gjithashtu, do të shkruante tekste për kompozitorë të tjerë të rëndësishëm brazilianë, si Rita Lee dhe Zé Rodrix, madje edhe për një nga themeluesit e zhanrit muzikor “bossa nova”, Roberto Menescal, një nga miqtë e tij të më të ngushtë; ka shkruar gjithsej 120 tekste këngësh. Pjesëmarrja e tij e fundit në universin e këngës ishte versioni i boleros meksikane “Me vuelves loço”, nga Armando Manzanero, një sukses i madh në Brazil me zërin e Elis Reginas si “Me deixas louca” (Ti më çmend). Versioni u regjistrua sërish nga vajza e Elisit, këngëtarja Maria Rita, në vitin 2012.
Fryma e lirë dhe e guximshme e Paulo Coelho-s i kushtoi disa momente kufizimi të dhunshëm të lirisë së tij: prindërit e tij e dërguan në klinikat e trajtimit psikiatrik, ku ai mori edhe goditje elektrike (një përvojë që ai e rrëfen në librin “Veronika vendos të vdesë”, e cila motivoi një projektligj të atëhershëm të senatorit Eduardo Suplicy që ndalonte shtrimet arbitrare psikiatrike në Brazil (lexo shkrimin e autorit “Kam shkruar një libër mbi azilin mendor, babi”), dhe ai u arrestua dy herë nga diktatura civile-ushtarake që sundoi në Brazil midis viteve 1964 dhe 1985. Hera e parë ishte në vitin 1969, kur ai po kthehej nga një udhëtim nga Paraguai me të dashurën dhe dy miqtë e tij, ku kishte shkuar për të parë një ndeshje të ekipit brazilian të futbollit. E dyta më 28 maj 1974, gjatë periudhës më të tmerrshme të diktaturës: Paulo Coelho u arrestua fillimisht nga “Dops”, agjencia përgjegjëse për represionin, dhe pasi u lirua, u rrëmbye nga taksia, që po e çonte në shtëpi, u ndalua dhe u torturua.
Në një artikull për gazetën amerikane “The Washington Post”, ai shkroi:
“Pasi nuk e di sa kohë dhe sa seanca kishin kaluar (koha në ferr nuk llogaritet me orë), dikush troket në derë dhe më kërkon të vesh kapuçin. […] Më çojnë në një dhomë të vogël, e gjitha e lyer me ngjyrë të zezë, me kondicioner shumë të fortë. Drita fiket. Vetëm errësirë, ftohtësi dhe një sirenë që vazhdon e vazhdon. Filloj të çmendem, të kem vizione kuajsh. Trokas në derën e “frigoriferit” (më vonë e mora vesh se ky ishte emri), por askush nuk e hap. Më bie të fikët. Zgjohem dhe më bie të fikët disa herë, dhe në njërën prej tyre mendoj: më mirë të kapem sesa të rri brenda.”
Në vitin 1980, Paulo Coelho u martua me artisten Christina Oiticica, e cila dizajnoi kopertinat e librave të tij të parë dhe me të cilën jeton ende në Gjenevë të Zvicrës. Në atë dekadë, çifti themeloi dhe drejtoi shtëpinë botuese “Shogun”, në Rio-de-Zhaneiro. Në vitin 2014, ata krijuan fondacionin, me qendër në atë qytet, i cili mban emrin e tyre dhe, ndër të tjera, mbështet Solar Menino de Luz, një vepër sociale në kompleksin e lagjeve të varfra “Pavão”, “Pavãozinho” dhe “Cantagalo” në Brazil. Në vitin 2021, përballë refuzimit, për arsye politike, të kërkesës që Festivali i Jazz-it “Capão” të mund të kishte qasje në stimujt e Ligjit “Rouanet”, Fondacioni “Paulo Coelho dhe Christina Oiticica” financuan festivalin e muzikës së qytetit, i vendosur në Chapada Diamantina. Në korrik të të njëjtit vit, u njoftua përshtatja në film e librit “Alkimisti”, në të cilin aktori anglez Sebastian de Souza do të luante rolin e Santiagos./ KultPlus.com