Zjarri në Finiq, reagon Gonxhja: Asnjë nga monumentet e Parkut Arkeologjik nuk është prekur

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar për situatën e zjarreve në Parkun Arkeologjik të Finiqit.

Sipas Gonxhjas asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, falë punës së punonjësve të Parkut Arkeologjik, dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre.

Postimi:

Nga inspektimi i kryer në Parkun Arkeologjik të Finiqit, më datë 08.08.2024, ora 18:00, mbi situatën e krijuar nga zjarret në banesat pranë Bashkisë Finiq, rezultoi se:

Zjarret kishin filluar në veri-perëndim të Parkut Arkeologjik, pranë rrugës që hyn në territorin e fshatit Finiq, rruga që vjen nga fshati Blerimas.

Në zonën ku ka nisur fillimisht zjarri, ka ullishte të mbjella nga banorët e zonës, si dhe banesa të banorëve. Më pas zjarri u përhap në kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, në drejtimin perëndim-lindje.

Më pas, për shkak të erës në atë zonë, drejtimi i zjarrit shkoi në drejtimin veri-lindje, duke përfshirë të gjithë kodrën e Parkut Arkeologjik, në drejtimin verior. Më pas zjarri u përhap edhe në drejtim veri-jug, duke djegur vegjetacionin që rrethon kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, si dhe dy krahët e rrugës që të con në drejtim të Parkut, prej depos së ujit e deri tek biletaria.

Megjithatë, sipas inspektimeve të kryera, rezulton se:

Asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, falë punës së punonjësve të Parkut Arkeologjik, dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre.

Monumentet e paprekura janë:

1- Zona publike e periudhës romake;

2- Teatri Antik;

3- Banesa me 2 peristile;

4- Termat Romake;

5- Muri fortifikues, ose i quajtur ndryshe “Dafina e Ugolinit”

6- Kisha Mesjetare;

7- Bastioni i madh

8- Bazilika Paleokristiane;

Etj…

Gjithashtu, edhe biletaria e Parkut Arkeologjik të Finiqit, nuk është prekur nga zjarret, pasi edhe biletaria ka perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, por gjithashtu, biletaria është e pajisur edhe me mjetet përkatëse, mbrojtëse kundra zjarrit.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në mosdepërtimin e zjarreve në monumentet e Parkut Arkeologjik, janë edhe itineraret brenda Parkut, ku në asnjë prej tyre, nuk ka prezencë vegjetacioni, që të ndihmonte në depërtimin e zjarrit!

Aktualisht, nuk ka asnjë vatër zjarri në Parkun Arkeologjik të Finiqit, në monumentet e vizitueshme të këtij Parku, pasi është bërë e mundur shuarja e tij nëpërmjet ndërhyrjes nga ajri me helikopter, nga toka me zjarrëfikëse, ku kanë qënë në ndihmë edhe punonjësit e Sektorit Sarandë (në varësi të DRTK Vlorë) dhe të Parkut Arkeologjik të Finiqit.

E vetmja vatër aktive, është në skajin më verior të Parkut Arkeologjik, nën kodër, pranë fshatrave Blerimas dhe Buronjë, ku në këtë të zonë nuk ka asnjë prezencë monumenti të njohur deri më sot, si dhe ku po ndërhyet nga ajri me helikopter dhe nga toka me zjarrfikëse, për shuarjen e tij.

“Fryma e dashurisë” ekspozitë me dedikim për Nënë Terezën

Më 26 gusht do të hapet ekspozita “Fryma e Dashurisë,” që do të mbahet në “Sheshin Nëna Tereza” në Prishtinë.

“Kjo ngjarje, e organizuar nga “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë,” është një homazh i përzemërt për humanisten dhe shenjtoren Nënë Tereza, e cila i kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj të varfërve dhe të nevojtarëve”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

“Në këtë ekspozitë, artistët do të sjellin në jetë frymëzimin dhe dedikimin e Nënë Terezës përmes veprave të tyre artistike. Pikturat e ekspozuara do të pasqyrojnë mesazhin e dashurisë, mirësisë dhe ndihmës që ajo përçonte, duke na kujtuar rëndësinë e përhapjes së dashurisë dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit. Nënë Tereza, me jetën dhe veprën e saj, mbetet një simbol i përkushtimit dhe altruizmit. Kjo ekspozitë, e cila mbahet në sheshin që mban emrin e saj, është një mënyrë për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e saj të paharrueshme. Kjo është një mundësi unike për të reflektuar mbi vlerat që ajo përfaqësonte dhe për të nxitur ndjenjën e solidaritetit dhe humanizmit në shoqërinë tonë” thuhet në këtë njoftim./ KultPlus.com

Ujku në çatinë e Londrës bie pre e hajdutëve, vidhet vepra artistike e Basnkyt

Një vepër e katërt artistike e Banksy e zbuluar në Londër është vjedhur pak pasi është zbuluar. Banksy ka marrë përsipër autorsinë e kësaj, ashtu siç bën gjithnjë, me anë të një postimi në instagram.

Të enjten, artisti i rrugës me bazë në Bristol postoi një imazh në Instagram të siluetës së një ujku që ulërinte në Hënë, e cila ishte në fakt një antenë televizori, në Rye Lane, Peckham, në jug të Londrës.

Ekipi i shtypit i Banksy i tha BBC-së se ata “besonin” se ishte vjedhur.

Policia Metropolitane tha se ishte thirrur për raportime për një “antenë të vjedhur që përmbante vepra arti”, por nuk ishte bërë asnjë arrestim.

Një burrë duket se ka dëshmuar të gjithë ngjarjen. Ai është shrpehur se i ka parë burrat me maska teksa merrnin antenën dhe i ka filmuar ata, madje pati edhe një konfrontim fizik me hajdutët.

Vepra artistike ishte e katërta e Banksy që u zbulua në Londër që nga e hëna. Artisti i rrugës pretendoi gjithashtu meritën për tre kompozimet e tjera të siluetave të zeza, të cilat u shfaqën nëpër kryeqytet si pjesë e një serie me temë kafshësh./ KultPlus.com

Thyen rekordin evropian, Alice Finot i propozon të dashurit për martesë

Kjo do të jetë një Olimpiadë e paharrueshme për Alice Finot. Pavarësisht se nuk fitoi një medalje në Paris 2024, vrapuesja franceze e distancave të mesme arriti një sukses të jashtëzakonshëm personal në 3000 metra me pengesa, edhe pse përfundoi e katërta.

33-vjeçarja franceze arriti të zbresë nën 9 minuta për herë të parë në karrierën e saj, duke vendosur një rekord të ri evropian me kohën 8’58″67.

Menjëherë pas garës ajo i propozoi për martesë partnerit të saj spanjoll. Vendimi për këtë u mor nga atletja franceze, bazuar nga arritja e objektivit të saj për të vrapuar nën 9 minuta, numër që ajo e konsideron me fat, pasi përkon me vitet e kaluara së bashku me partnerin.

Ajo i dhuroi bashkëshortit të saj të ardhshëm, një spilë ku shkruhej “Dashuria është në Paris”. Kjo arritje e dyfishtë, personale dhe sentimentale, e bëri përvojën e Alice Finot në Lojërat Olimpike të Parisit një moment të paharrueshëm dhe unik në jetën dhe karrierën e saj.

I nominuar në Swiss Comedy Awards, Medaur Sadrija gërsheton kulturën shqiptare dhe gjermane (VIDEO)

Më shumë se një vit, Medaur Sadrija është duke mbushur sallat e teatrove të ndryshme në shtetet gjermanofolëse, i cili me Stand Up Comedy është duke e bërë për vete audiencën e shumtë në Austri, Zvicër e Gjermani, shkruan KultPlus.

Medaur Sadrija që së fundi është nominuar edhe për Swiss Comedy Award në kategorinë “Best Talent”, talentin e tij për këtë fushë e ka zbuluar qysh kur ishte shtatë vjeç, dhe kreativitetin e tij për këtë fushë nuk e ka ndërprerë asnjëherë, deri sa ka prekë edhe magjinë e skenës.

“Që në moshë të re kam kuptuar se shumë më pëlqen të bëj komedi dhe të bëj njerëzit të qeshin. Më ka bërë të lumtur të shoh që mund të bëj dikë të qeshë”, ka thënë Sadrija për KultPlus, i cili ka shpjeguar më pas se komedia që e prezanton para audiencës më shumë është ajo klasike.

Por momenti kur mori kthesë për profesionin e Medaurit, ishte kur e kishin angazhuar në një shfaqje teatrale të shkollës, kur i kishte pas vetëm 8 vjet.

“Kam luajtur një baba që flinte dhe të gjithë qeshnin. Që nga ajo ditë jam dashuruar me këtë art”, ka thënë Sadrija, i cili momentin profesional e konsideron atë të paraqitjes së nëntorit të vitit 2022, kur edhe ka filluar të prezantohet para audiencës së gjerë.

Ajo çka e bën të veçantë këtë artist shqiptar para audiencës gjermane është se Medaur Sadrija tekstet i bazon të vetja e tij, familja, trajton temat e emigrantëve, gjithnjë duke përfshirë vetën si fëmijë i emigrantëve, që sipas tij, e bëjnë interesante edhe dallimet mes edukimit të tij si fëmijë dhe edukimit të fëmijëve gjermanë.

“Përfshirja e jetës së shqiptarëve, mënyrës se si jetojmë, dallimet mes shqiptarëve dhe gjermanëve, edukimit dhe shumë elementeve të tjera e bëjnë komedinë time që të mirëpritet. Po, po nëpërmjet shfaqjeve të mija jap edhe mesazhin se pavarësisht dallimeve, nuk jemi aq të ndryshëm se sa mendohet” ka thënë Sadrija.

Arsyeja që pse ka futë elemente të kulturës shqiptare, ai ka thënë se vetëm nëpërmjet artit mund edhe të promovojmë kulturën tonë edhe përtej Kosovës, në këtë rast nëpërmjet komedisë.

“Dua t’u tregoj njerëzve një pjesë të kulturës sime dhe t’u hap një derë për ta eksploruar atë. Gjithashtu flas shumë për paragjykimet me të cilat ne shqiptarët përballemi,  dhe tregoj se sa absurde dhe qesharake janë ato. Unë shpjegoj dhe i zgjas dorën publikut, metaforikisht, për të qeshur së bashku për këto gjëra. Sepse asgjë nuk i lidh njerëzit më shumë se sa humori”, ka thënë Sadrija.

Ndërkohë, se nëse do të mund të paraqitet në një të ardhme të afërt edhe në gjuhën shqipe, Sadrija ka thënë se një dëshirë të tillë e ka qysh moti, por duke qenë se ky lloj arti do një komunikim më të rrjedhshëm me audiencën, ai ka thënë se një komunikim i tillë është pak më problem, për faktin se gjuhën shqipe nuk e ka po në atë nivel sa të paraqitet në një skenë të komedisë.

“Në skenë duhet të reagosh shpejt dhe të jesh shumë i aftë gjuhësisht për t’i përcjell mirë shakatë”, ka thënë Sadrija, i cili është duke punuar që të përmirësojë edhe gjuhën shqipe po në atë nivel sa të prezantohet edhe në skenë.

Edhe përkundër faktit se nuk është gjatë në skenë, Sadrija në fund ka potencuar mirënjohjen për nominimin e tij në Swiss Comedy Award në kategorinë “Best Talent”, dhe se këtë nominim, sipas tij ia dedikon të gjithë fëmijëve, prindërit e të cilëve duhej të linin vendin e tyre të lindjes për të filluar nga e para diku tjetër.

“Ia dedikoj këtë nominim të gjithë fëmijëve , prindërit e të cilëve duhej të linin vendin e tyre të lindjes për të filluar nga e para diku tjetër, të cilët për këtë arsye e kishin më të vështirë të pranoheshin në shoqëri dhe që me pak burime duhej të arrinin gjithçka”, ka thënë Sadrija, i cili poashtu është shprehur të jetë krenar edhe për faktin se është shqiptari i parë i nominuar për një çmim Stand-Up Comedy”. Medaur Sadrija tashmë është angazhuar në disa projekte, të cilat pritet të shfaqen në një të ardhme të afërt./ KultPlus.com

https://medien.srf.ch/de/-/-swiss-comedy-awards-2024-das-sind-die-nominierten?redirect=%2Fde%2Fnews%2Fmedienmitteilungen

1.3 milion dollarë, ora shqiptare Primordial Passion konkurron në Grand Prix d’Horologeria de Geneve

Ora shqiptare Primordial Passion që ka vlerë 1. 3 milion dollarë po konsiderohet si një ndër orët më të veçanta, dhe si e tillë po konkurron në Grand Prix d’Horologeria de Geneve, konkurrim përkrah brendeve të njohura botërore, shkruan KultPlus.

Tri ngjyra ngërthejnë bukurinë në orën e parë shqiptare: të kuqe, të zezë dhe ngjyrën e artë, dhe jo vetëm ngjyrat e karakterizojnë këtë orë.

E realizuar në ari të verdhë në 18 K, mu në mes të orës është edhe llogoja e krijuesit të kësaj ore, Pirro.

12-të valltarë, katër muzicientë që luajnë në fyell, gajde, çifteli e lahutë përbëjnë mjeshtërinë e kësaj ore që ka përfshirë kaq shumë kulturë shqiptare dhe finesë artistike.  

KultPlus ju sjell edhe pamje nga kjo orë prej këndeve të ndryshme, të cilat janë publikuar nga krijuesi i kësaj ore super të veçantë. / KultPlus.com

Shtatorja e Gjergj Kastriotit gati për përurim në Itali, Muriqi: Figura e Kastriotit një ndër figurat më sfiduese për artistët

Gëzim Muriqi e ka realizuar shtatoren e Gjergj Kastriotit, shtatore që do të përurohet më 30 gusht në Hora të Arbëresheve, dhe një realizim i tillë padyshim do të mbetet si një ndër emocionet më të mëdha për artistin.

Në një intervistë për KultPlus, Muriqi ka thënë se kërkesa për realizimin e një shtatoreje për një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit ka ardhë nga bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër.

“Respektivisht çdo gjë ka filluar me Veli Berishën, të cilit më pas i janë bashkëngjitë edhe: Rexhep Rifati , Adnan Asllani e Ramadan Morina, kurse iniciativën e drejton shoqata “Hora e Arbëresheve” me seli në Zvicër”, ka thënë Muriqi për KultPlus.

Kjo shtatore po përurohet si shenjë mirënjohje për komunitetin arbëresh në Itali, të cilët ruajtën kulturën arbërore për shumë shekuj, kulturë që vazhdojnë ta ruajnë edhe në ditët e sotme.

Muriqi ka thënë se shtatorja është e lartë afërisht 300 cm, kurse modelimi i shtatores deri në derdhjen në bronz e ka realizuar afërisht për katër muaj.

Muriqi ka thënë se nuk është hera e parë që si artist të jetë marr me figurën e Gjergj Kastriotit, pasi që, sipas tij ai edhe më herët është marr me këtë figurë të rëndësishme të kombit, qoftë si grafikë apo gravurë, dhe se sipas tij, figura e Gjergj Kastriotit mbetet figura më sfiduese për shumë artistë të fushave të ndryshme.

30 gushti kur edhe do të shënojë përurimin e shtatores, në të njëjtën kohë shënon edhe përvjetorin e zbarkimit të arbëreshëve në Horë të Arbëresheve, qysh para pesë shekujve.

Muriqi ka thënë se do të jetë i pranishëm në Horë të Arbëreshëve me rastin e përurimit të shtatores, dhe se sipas tij, të pranishëm në këtë përurim do të jenë tre presidentë: Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë.

Muriqi përderisa është në ethet e kësaj ngjarje të madhe, ka thënë për KultPlus se së fundi është në fazën përgatitore për realizimin e dy shtatoreve për dy personalitete të njohura, të cilat do të zbulohen së shpejti./ KultPlus.com

Nga 1 shtatori produktet e duhanit do të përmbajnë njoftime për vërejtjet shëndetësore

Produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Kosovës duhet nga 1 shtatori 2024 të vendosin fotografi me ngjyra apo ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara me udhëzimin e ri administrativ me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe uljen e ndikimit të përdorimit të duhanit.

Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se këto vërejtje do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosën dhe produktet e reja të duhanit.

“Vërejtjet e prezantuara kanë për qëllim ngritjen e njohurive të duhanpirësve mbi efektet shëndetësore që shkakton përdorimi i duhanit, sigurimin e efektit të vazhdueshëm të vërejtjeve shëndetësore në paketimet e duhanit, inkurajimin e ndërprerjes së duhanit dhe dekurajimin e nisjen ose rinisjen e pirjes së duhanit.

Kjo masë është e rëndësishme për përmirësimin e shëndetit publik dhe për mbështetje të përpjekjeve për kontrollin e duhanit në nivel kombëtar”, thuhet në postim./ KultPlus.com

Testimi i Urës së Ibrit, Durmishi tregon kur del raporti se a është e sigurt

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se brenda dy-tre dite do të jetë gati raporti final i cili do të tregojë nëse Ura e Ibrit është stabile për qarkullim të automjeteve.

Durmishi i cili ka qëndruar në Mitrovicë, ka thënë se sot përfundon procesi i testimit të stabilitetit infrastrukturor të urës mbi lumin Ibër.

Ai ka theksuar se në bazë të asaj që shihet, Ura e Ibrit është ndër urat më stabile në Kosovë.

“Sot jemi duke i bërë testimet e stabilitetit të urës, kemi filluar para dy dite fillimisht me matjet për të caktuar gjeometrin e urës. Sepse ura nuk ka projekt, sot ka metoda shumë të avancuara për ta mat stabilitetin e saj dhe këtë jemi duke e bërë. Gjatë ditës do ta përfundojmë testimin me ngarkesa dhe brenda dy tri dite do ta kemi raportin final i cili do të na tregoj se ura është stabile apo nuk është”.

“Në bazë të asaj që po e shohë edhe duke qenë qenë inxhinier me profesion, kjo është një ndër urat më stabile në Kosovë që kemi”, ka thënë ai.

Zëvendësministri ka thënë se ende nuk kanë datë se kur do të hapet ura, por që është e sigurt se ajo do të hapet.

“Natyrisht që ndihmon sepse kjo kur është projektuar është ndërtuar, është ndërtuar për të lëvizur automjete dhe këmbësoret dhe nuk ka kuptim që të jetë e mbyllur për automjete një urë që është ndërtuar dhe është stabile. Duke marr parasysh që sot qytetarët e Kosovës lëvizin lirshëm kudo në territorin e Kosovës. Secili qytetar pa përcjelle të policisë sot mund të shkojë në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok ashtu siç lëvizin në Shtërpcë, në Graqanicë, e Kllokot, atëherë cili është kuptimi që ura të jetë e mbyllur për qarkullim. Jo nuk kam datë ne jemi duke i përfunduar këtë pjesën teknike si ministri, se kur do të hapet nuk e di, por një gjë e di sigurt që ura do të hapet”, ka thënë ai./EO/ KultPlus.com

Po del në dritë pasuria e vyer arkeologjike e Luginës së poshtme të Drinit

Në nekropolin qendror të vendbanimit të Komanit, çdo ditë e më tepër po del në dritë pasuria e vyer arkeologjike e Luginës së poshtme të Drinit.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale momente nga ekspedita kërkimore-arkeologjike që këtë vit u zhvillua gjatë verës.

“Kjo ekspeditë synon vazhdimin e gërmimeve në nekropolin qendror të Komanit, një prej varrezave më të mëdha mesjetare në vend, por dhe nga më të njohurat në pjesën e Ballkanit Perëndimor e që përbën burimin kryesor të të dhënave rreth popullsisë përgjatë shek. VI deri në shek. XIV”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se përmes këtij projekti, të dhënat dhe kultura materiale po japin dhe do krijojnë mundësinë të mësojmë më shumë për organizimin topografik të varrezës, riteve funerale, paleodemografisë (ushqimit, sëmundjeve, gjenetikës, mobilitetit), kodeve sociale, stadin që kishte arritur, prodhimeve e shkëmbimeve ndër-rajonale të popullsisë”.

Ky projekt i rëndësishëm kërkimor zbatohet në bashkëpunim me CNRS Paris/Orient et Méditerranée École Française de Rome 🇨🇵 nën drejtimin e Etleva Nallbanit, Elvana Metallës, Instituti i Arkeologjisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë  Jocelyne Desideri, Université de Genève dhe DRTK Shkodër.

Nekropoli qendror i Komanit është një prej varrezave më të mëdha mesjetare në vend, që përbën burimin kryesor të të dhënave rreth popullsisë përgjatë një mijëvjeçari (shek. V deri në shek. XIV). / KultPlus.com

Ikona e Joan Pagëzorit, vepër e vitit 1778, restauruar nga MKMA

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar prezantoi për publikun ikonën e Joan Pagëzorit, e pikturuar në 1778 nga një autor anonim dhe që gjendet në fondin e MKAM.

Ikona paraqiste problematika në të gjithë komponentët e saj, por pas ndërhyrjeve dolën në pah vlerat origjinale të veprës. U trajtua suporti i drunjtë, shtresat e shkëputura të gruntit dhe pikturës dhe në fund u largua verniku i degraduar.

Kjo ikonë vjen nga fshati Leusë, Përmet. Ikona me përmasa 58.5 x 82 cm ka qenë vendosur në ikonostasin e një prej kishave të këtij fshati.

Joan Pagësori paraqitet më këmbë dhe me flatra në sfondin e një peizazhi me kodra dhe pemë, poshtë tij në të majtë paraqitet pjata me kokën e tij të prerë ndërsa në të djathtë, është pikturuar pema me degën e prerë dhe sopatën e varur në të. Në bishtin e kësaj të fundit shpaloset një pergamen i hapur.

Shenjtori, i cili qëndron në një sfond të artë, ka veshur lëkurë deveje në ngjyrë të purpurt dhe një mantel të gjelbër, pjesa e brendshme e tij është në ngjyrë blu.

Vizatimi i figurës është mjeshtëror, draperia shpaloset plot dinamizëm dhe gjestura e shenjtit plot elegancë. Me dorën e djathtë ai bën shenjën e bekimit, ndërsa në të majtën mban një gotë që simbolizon kupën e kungimit. Brenda saj është pikturuar Krishti fëmijë me mbishkrimin “Ky është qengji i Perëndisë që mbart mëkatin e botës”. Po në këtë dorë Pagëzori mban një pergamenë të hapur ku shkruhet “Pendohuni se po afron mbretëria e qiejve”./ KultPlus.com

‘New York Times’: Kosova në mesin e tre shteteve me më së shumti medalje për nga numri i garuesve

Kosova ka arritur suksesshëm të garojë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Vendi u përfaqësua nga vetëm nëntë sportistë, por i rrëmbeu dy medalje në këtë Olimpiadë. E këto dy medalje e bëjnë Kosovën në mesin e tri shteteve që udhëheqin listën e medaljeve për numër të sportistëve pjesëmarrës.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se vlerësimin e ka bërë gazeta e njohur “New York Times”, e cila në krye të shkrimin ka vendosur foton e medalistes tonë të argjendtë, Distria Krasniqi. Dy vendet e tjera në top-treshe janë, St. Lusia dhe Dominika./ KultPlus.com

Ura e Ibrit po testohet me kamionë të peshave të rënda, KFOR’i e përcjell situatën

Ka nisur testimi i qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit. Ajo po testohet me kamionë të peshave të rënda.

Në pamjet mëposhtë shihet se KFOR’i po e përcjellë situatën.

Përderisa Qeveria po vazhdon të këmbëngulë në hapjen e Urës së Ibrit për trafik, bashkësia ndërkombëtare janë deklaruar kundër këtij vendimi.

Për të kundërshtuar hapjen e Urës së Ibrit, qytetarët serbë dje kanë protestuar ndërsa sot në Mitrovicë të Veriut është duke u mbajtur një takim për bashkëpunimin ndër-etnik dhe për lirinë e lëvizjes./ KultPlus.com

Ditëlindja e babës


Poezi nga Nerimane Kamberi
 
Po fillojnë ditëlindjet e gushtit,
sot e ke ti, babë,
mbas një javë, unë.
Krenoheshim për këto ditëlindje,
na dy luanët e gushtit,
të dy të lindur në muajin e diellit.
E dojshe shumë diellin, edhe neve na dojshe
shumë.
Rrezoftë dielli përjetësisht për ty
atje ku ke je tani!
Siç tha një burrë në një film dokumentar,
që e kante vdekjën e babës,
nuk është marre me kajt.
Jo, nuk është marre, unë po kaj,
se nuk je më, nuk je më me ne,
që të ta festojmë ditëlindjen,
siç e festuan vjet, parvjet, partjetrinvjet./ KultPlus.com

Kasëm Trebeshina, shkrimtari disident që denoncoi sistemin diktatorial

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, dramaturgun dhe poetin disident, Kasëm Trebeshina.

Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 8 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, sepse u aktivizua që në rini në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore. Trebeshina ndërpreu studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.

Ai do ta kundërshtonte që në nismë metodën e realizmit socialist. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e sistemit diktatorial në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore. Ky kundërshtim i hapur i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve do ta çonte atë mëse një herë në burg dhe do t’i hiqte të drejtën e botimit.

Në 1954 Trebeshina u dënua me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit. Më 18 maj 1962 komisioni i internim-dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim, që filloi më datë 18 maj 1962 dhe mbaroi në datë 18 maj 1967.

Në vitin 1961 botoi poemën “Artani dhe Min’ja” dhe një përkthim të poetit spanjoll Garsia Lorka. Një pjesë e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë, por pjesa më e madhe e veprës së tij: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj., janë ende në dorëshkrim. “Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina”. Vepra të tjera të njohura të tij janë: ”Mekami, melodi turke”, “Histori e atyre që nuk janë”, “Legjenda e asaj që iku”.

Kasëm Trebeshina ndërroi jetë në Ankara, më 6 nëntor 2017./ KultPlus.com

Oficerët e FSK-së trajnohen në ShBA për artileri, Karaxha shpërblehet me një çmim

Nëntogerët Shpëtim Hasani, Labinot Osaj dhe Arian Karaxha kanë përfunduar me sukses  Kursin Bazik të udhëheqjes për Artileri Fushore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trajnimi ka për qëllim përgatitjen e ushtarakëve për udhëheqës të Togut të Artilerisë,  Oficer të Mbështetjes me Zjarr si dhe si Oficer të Drejtimit të Zjarrit.

“Si udhëheqës të Togut të Artilerisë pjesëmarrësit marrin njohuri praktike për pajisjen  Howitzer amerikan M777 (155mm), M109 (155mm), dhe M119 (105mm). Në modulin e Mbështetjes me Zjarr,  përgatiten ushtarakët për specifikat e Howitzereve, planifikim dhe thirrje të mbështetjes me zjarr, vëzhgimin e zjarrit si dhe llojet e mbështetjes që ofron artileria fushore si dhe në fushën e  Qendrës së Drejtimit të Zjarrit trajnohen për kalkulimin dhe faktorë të ndryshëm që ndikojnë në një qitje sa më precize”, njofton FSK.

Për shkak të sukseseve të treguara në trajnim Nëntoger Arian Karaxha arriti të marrë çmimin “Distinguished International Honor Graduate”./ KultPlus.com

Në 11:00 në Mitrovicën e Veriut mbahet një takim për hapjen e urës së Ibrit

Komuna e Mitrovicës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, organizon sot një “takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale”, të cilin e paralajmëroi të mërkurën kryeministri Albin Kurti.

“Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”, kjo do të jetë tema e takimit që pritet të nisë në 11:00 në Kuvendin Komunal, siç ka shkruar Kurti.

Kurti i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në këtë diskutim në të cilin tha se ata “do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

KFOR-i e ka shtuar praninë në dhe përreth urës së Ibrit në Mitrovicë, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se ajo do të hapet.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë paralajmëroi të martën se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.

“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha KFOR-i në një komunikatë për media.

Kurti, ndërkaq, insiston se ura do të hapet.

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi ai dje.

Paraditen e së martës, KFOR-it tha se komandanti Ozkan Ulutash ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha se një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër do të ndodhë së shpejti.

Disa serbë u mblodhën dje për të protestuar kundër hapjes së urës.

Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka angazhuar tashmë një kompani, të cilës ia ka dhënë një kontratë 9 mijë e 640 euroshe për t’ia bërë një test urës që të përcaktohet kapaciteti mbajtës i strukturës së saj, para se ajo të hapet për qarkullim të automjeteve.

Sipas kontratës, “IPE-PROING” në fund do t’i prezantojë vlerat e matjeve nga testimi dhe do ta bëjë një vlerësim për masat që duhet të merren.

Të mërkurëm përfundi urës, aty ku ishin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi filloi ngjyrosja e urës nga disa punëtorë.

KFOR-i tregoi se po mban trupa në atë urë dhe po kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri “për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale”.

Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë bërë të ditur ditë më parë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Këtë e bëri të ditur ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier para mediave të premten e javës së kaluar, pasi ambasadorët ishin në Qeveri për një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Bashkimi Europian thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel./ KultPlus.com

Anulohen koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë nga frika e një sulmi

Organizatorët anuluan të mërkurën tre koncerte të këngëtares Taylor Swift në Vjenë këtë javë, pasi autoritetet njoftuan arrestime rreth atij që duket të jetë një komplot për të kryer një sulm në një ngjarje në zonën e kryeqytetit austriak, siç janë koncertet.

Këngëtarja Swift planifikonte koncerte ne në stadiumin Ernst Happel të Vjenës të enjten, të premten dhe të shtunën.

Organizatori i koncerteve, Barracuda Music, tha në një postim në Instagram të mërkurën vonë se “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tri shfaqjet e planifikuara për hir të sigurisë së të gjithëve”.

Anulimi pasoi njoftimet se dy ekstremistë të dyshuar u arrestuan në Austri të mërkurën, njëri prej të cilëve duket se po planifikonte një sulm.

I dyshuari kryesor, një 19-vjeçar u arrestua në Ternitz, në jug të Vjenës, ndërsa i dyshuari tjetër në kryeqytetin austriak.

Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, tha se autoritetet ishin në dijeni të “përgatitjeve” për një sulm të mundshëm “dhe gjithashtu se ka një përqendrim të të dyshuarit 19-vjeçar në koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë”. njoftoi agjencia e lajmeve Austria Press (APA).

Drejtori Ruf tha se 19-vjeçari ishte betuar për besnikëri ndaj grupit Shteti Islamik. Ai tha se lëndë kimike janë gjetur dhe janë duke u ekzaminuar.

Shtetasi austriak besohet se është radikalizuar në internet. Gazeta austriake Kronen Zeitung, tha se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Kancelari austriak Karl Nehammer, tha në një postim në rrjetin social X se “anulimi i koncerteve të këngëtares Taylor Sëift nga organizatorët është një zhgënjim i hidhur për të gjithë adhuruesit e saj në Austri”.

“Situata rreth atij që duhet të ketë qenë sulm terrorist i planifikuar në Vjenë, ishte shumë serioze”, shkroi ai, duke shtuar se falë bashkëpunimit të ngjeshur midis policisë, shërbimeve austriake dhe të huaja të zbulimit, u arrit që “kërcënimi të zbulohej më herët, të trajtohej dhe të parandalohej një tragjedi”./VOA/ KultPlus.com

Shkuan në hapësirë ​​për tetë ditë, dy astronautët mund të ngecin atje deri në vitin 2025

Kur dy astronautë amerikanë u nisën në një mision provë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 5 qershor, ata prisnin të ktheheshin në shtëpi brenda pak ditësh.

Por gjërat nuk shkuan siç duhej.

Në fakt, Barry “Butch” Wilmore dhe Sunita Williams janë ende atje, gati dy muaj më vonë.

Dyshja  tani përballen me perspektivën e papritur për të humbur plotësisht verën dhe madje duke kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në hapësirë.

Wilmore, 61 vjeç dhe Williams, 58 vjeç, fluturuan me një anije kozmike Boeing Starliner. Ishte fluturimi i parë i këtij lloji me njerëz në bord dhe ishte një provë e krijuar për të parë se si funksionon anija e re kozmike përpara se të përdoret më rregullisht.

Problemet, megjithatë, u shfaqën kur u afrua. Këto përfshinin rrjedhje në sistemin e tij të shtytjes dhe mbylljen e disa prej shtytësve të tij.

Pra, ndërsa ata arritën në stacionin hapësinor të sigurtë, do t’u duhet një mënyrë alternative transporti për të shkuar në shtëpi nëse Starliner nuk konsiderohet i sigurt për t’u kthyer në tokë.

Në një konferencë shtypi të mërkurën, zyrtarët e NASA-s thanë se nuk ishte marrë asnjë vendim kur bëhet fjalë për hapat e ardhshëm.

Një opsion i mundshëm që po shqyrtohet, thanë ata, është bashkimi i dy astronautëve në një mision që është planifikuar të nisë në shtator dhe kthimi i tyre në tokë me atë mision në shkurt 2025, raporton BBC./ KultPlus.com

Dy të arrestuar në Austri, njëri nga Maqedonia – dyshohen për planifikim të sulmit në koncertet e Taylor Swift

Dy persona janë arrestuar në Austri pasi pretendohet se kanë planifikuar sulm në koncertin e Taylor Swift, sipas gazetës austriake “Kronen Zeitung” dhe zyrtarëve austriakë.

Një nga të arrestuarit është një 19-vjeçar austriak “me prejardhje nga Maqedonia e Veriut” që “ka jetuar me familjen e tij në Ternitz”, sipas “Kronen Zeitung”. Ai u arrestua “nën dyshimin e fortë për terrorizëm”, shkroi gazeta austriake, transmeton Klankosova.tv.

Në platformën X, bordi vjenez i turizmit njoftoi se biletat për tre koncertet e Swiftit në stadiumin Ernst-Happel për të enjten, premten dhe të shtunën janë shitur në tërësi.

Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në ministrinë e brendshme të Austrisë, tha se autoritetet ishin të vetëdijshme për “veprime përgatitore” për një sulm të mundshëm “dhe po ashtu se kishte në fokus …koncertet e Taylor Swift në Vjenë” nga 19-vjeçari, tha agjencia austriake e lajmeve “Austria Press Agency”.

Ruf tha se 19-vjeçari është qytetar austriak i cili ishte betuar për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik dhe besohet se është radikalizuar në internet. Ruf tha se substancat kimike janë siguruar dhe janë duke u vlerësuar. Ai nuk dha më shumë detaje.

Arrestimi tjetër ndodhi në Vjenë, sipas raportimit të gazetës.

Zyrtarët e qytetit të Vjenës nuk kanë reaguar ende.

Masat e sigurisë për koncertet do të shtohen. Ruf tha se blerësit e biletave duhet të përgatiten për kohë më të gjatë derisa hyjnë në koncert. 

Kumbaro: Guida e re turistike e Shqipërisë nga ‘Lonely Planet’ në libraritë italiane

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot një foto nga libraritë italiane, ku ndodhet guida e re turistike e Shqipërisë nga “Lonely Planet”.

Kumbaro shprehet se kjo guidë është rrëfyesja më e bukur e rrugëtimit për italianët që po zgjedhin Shqipërinë këtë verë.

“Foto e mbrëmjes që më vjen nga libraritë italiane. Guida e re turistike e Shqipërisë nga “Lonely Planet” është rrëfyesja më e bukur e rrugëtimit për italianët që po zgjedhin Shqipërinë këtë verë”, shkruan Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

“Lonely Planet” vlerësohet gjerësisht si guida numër një turistike në botë, sidomos për turizmin aventurier. Përfshirja e Shqipërisë në destinacionet e këshilluara nga guida është një reklamë mjaft e mirë për turizmin shqiptar.

SHBA dhe BE bojkotojnë ceremoninë për 79-vjetorin e bombës atomike për shkak të mungesës së Izraelit

 Ambasadorët e vendeve perëndimore, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, refuzuan të marrin pjesë në një ceremoni për 79-vjetorin e hedhjes së bombës atomike në Nagasaki për shkak të mungesës së një ftese për Izraelin, njoftuan sot ambasadat dhe zyrtarët.

Ambasada amerikane njoftoi se vendi do të përfaqësohej nga diplomatë më të ulët se rangu i ambasadorit, në ceremoninë e planifikuar për të premten.

Në një letër dërguar kryebashkiakut të këtij qyteti në Japoninë jugore në korrik, Australia, Italia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Gjermania, SHBA dhe BM kishin paralajmëruar se do të ishte “e vështirë të kishte pjesëmarrje në nivel të lartë në këtë event nëse përjashtohej Izraeli”.

Këshilltari i qytetit të Nagasakit, Shiro Suzuki tha javën e kaluar se vendimi për të mos ftuar ambasadorin e Izraelit në Japoni, Gilad Cohen, nuk ishte i motivuar nga konsiderata politike, por nga një dëshirë për “të mbajtur ceremoninë në një atmosferë paqësore”, për shkak të rrezikut të protestave të lidhura me luftën në Gaza.

Në qershor ai i dërgoi një letër ambasadës izraelite me një thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në territoret palestineze.

‘’Ambasadori amerikan, Rahm Emanuel nuk do të jetë i pranishëm pasi kryebashkiaku i Nagasakit e politizoi ngjarjen duke mos ftuar ambasadorin izraelit”, tha një zëdhënës i ambasadës.

‘’Emanuel, ish-shefi i kabinetit të ish-presidentit Barack Obama, do të marrë pjesë në një ngjarje tjetër në një tempull në Tokio’’, tha ai.

Përfaqësimi britanik pretendoi se ambasadorja, Julia Longbottom do të mungonte gjithashtu në Nagasaki sepse dështimi për të ftuar Izraelin “krijon një ekuivalencë fatkeqe dhe mashtruese me Rusinë dhe Bjellorusinë, dy vendet e tjera të vetme që gjithashtu nuk janë ftuar në ceremoninë e këtij viti’’.

‘’Ambasadori i Bashkimit Evropian nuk do të marrë pjesë për arsye të rendit të ditës dhe BE-ja do të përfaqësohet nga një diplomat i rangut më të ulët’’, tha një zëdhënës./ atsh/ KultPlus.com

Konferencë Shkencore Ndërkombëtare për shqipen në Muzeun e Alfabetit në Manastir

Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe i gjuhës shqipe”.

Thirrja bëhet për pjesëmarrje me kontribut shkencor. Propozimet mund të dërgohen drejtpërsëdrejti në adresën e komitetit shkencor-organizues ose në Akademinë e Shkencave, e cila do të mbështesë pjesëmarrësit në konferencën, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor, në mjediset e Muzeut të Alfabetit në Manastir (Maqedoni e Veriut).

Kjo konferencë mbahet në kuadër të veprimtarive nderuese për përvjetorin e Kongresit historik të Manastirit dhe të festës zyrtare të shqipes në Maqedoninë e Veriut.

Viti 2024 në Shqipëri është shpallur “Vit i gjuhës shqipe”: 22 nëntori, dita e fundit e Kongresit të Manastirit, është vendosur të shpallet festë zyrtare e shqipes.

Gjatë ditëve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave do të paraqesë për herë të parë (në Tiranë) publikisht në mënyrë tërësore realizimin e projektit shkencor madhor për “Fjalorin e madh të shqipes”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë është bashkorganizuese e veprimtarisë. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në MV dhe Agjencia e Zbatimit të Dygjuhësisë, janë në rolin e mikpritësit dhe organizatorë kryesorë të saj, me pjesëmarrjen e disa universiteteve në Shqipëri e MV.