Në Manastir hapet biblioteka e parë shqipe

Sot është hapur Biblioteka e parë shqipe, në qytetin e Alfabetit, në Manastir nga iniciativa e studentes Emira Selimi, përmes donacioneve të shumta shkruan KultPlus.

“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat Bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar Selimi në facebook.

Kjo ceremoni e hapjes së kësaj biblioteke, u përcoll edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se ruajtja e gjuhës është thirrje për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.

Hapja e kësaj Biblioteke u inicua nga studentja Selimi, e cila kohë më parë publikoi iniciativën për ta shpëtuar shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip.

“Çfarë vendos Zoti, nuk e ndal dot njeriu. Faleminderit Zot që më mbrojte gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë,” ka shkruar Selimi në facebook./KultPlus.com

Muzeu automobilistik në Manastir, iu dhuron vizitorëve një udhëtim nëpër kohë

Muzeu etnografik dhe automobilistik “Filip” në qytetin e Manastirıt në Maqedoninë e Veriut, i çon vizitorët në një udhëtim në kohë.

I gjendur në fshatin Kërklinë, rreth 10 kilometra nga qendra e qytetit, ajo çka tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në muze, janë automjetet klasike, motorët, biçikletat dhe mjete të ndryshme.

Në mesin e automjeteve që po ekspozohen në këtë muze janë një Simca Ariane e vitit 1953, si dhe automjete klasike Ford Taunus, Plymouth Valiant, Moskviç.

Përveç automobilave, vëmendjen e vizitorëve tërheqin edhe motoçikletat dhe biçikletat e modeleve të vjetra.

Muzeu etnografik dhe automobilistik “Filip” në qytetin e Manastirıt në Maqedoninë e Veriut, i çon vizitorët në një udhëtim në kohë

Në katin e dytë të muzeut gjenden dhoma të veçanta të emëruar si dhoma turke, hebreje dhe fshati. Në këto dhoma, lloje të ndryshme të sendeve dhe veshjeve që u përkasin kulturave të lartëpërmendura mirëpresin vizitorët.

Pronari dhe iniciatori i muzeut Boris Tanevski, për Anadolu Agency rrëfeu karakteristikat e muzeut dhe koleksionin e automjeteve që i ka mbledhur ndër vite.

Këtë vit, muzeun më së shumti e kanë vizituar turistë nga Turqia dhe Holanda./TopChanel/KultPlus.com

Ekspozitë për veshjet e Manastirit në shtëpinë muze të Sterjo Spasses

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Korçë paraqiti ekspozitën “Veshjet e qytetit” Manastir, në shtëpinë Muze të Sterjo Spasse, në Gollomboç.

Ky aktivitet u realizua në zbatim të projektit SMART4YOU2 projekt i implementuar nën Programin Ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ku DRTK Korçë është partner.

Ekspozita “Veshjet e Qytetit – Manastir”, prezanton objekte nga koleksioni i NI “Instituti dhe Muzeu”- Manastir, të cilat sipas DRTK, datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.

Ndonëse, numri i mostrave nuk është i madh, megjithatë pasqyron zhvillimin kulturor dhe historik të Manastirit e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane./ KultPlus.com

Në Manastir gjenden 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore

Autoritetet në Maqedoni kanë zbuluar një lokacion në qytetin e Manastirit me 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore, ka bërë të ditur TV Telma, përcjell Kossev të mërkurën.

Municioni është gjetur në afërsi të stadiumit të Manastirit.

Sipas mediave, 5.000 granata të kalibrit 75 milimetra tashmë janë deponuar në një kazermë në Manastir, 5.000 të tjera janë gati të transportohen, kurse po aq janë ende në tokë.

“Janë rreth 15.000 copë. Këto përbëjnë 120 tonë granata, në të cilat ka pesë tonë trotil. Por me kaq nuk ka përfunduar. Të hënën duhet të ndalet qarkullimi, të prishet rruga në mënyrë që të vijmë deri te niveli ku janë fshehur granatat në tokë”, ka thënë drejtuesi i ekipit piroteknik, Eftim Mitrov.

Siç raportohet, pozicioni ishte i braktisur nga një prej palëve në Luftën e Parë Botërore, por ende nuk dihet për cilën bëhet fjalë.

“Kjo sasi municionit në një vend jo që nuk është gjetur kurrë në Maqedoni, por as në Ballkan. Ende nuk dihet se cilës palë i ka takuar, por është fat për ne që ushtarët kur janë larguar i kanë marrë siguresat në mënyrë që kundërshtarët të mos i shfrytëzojnë. Po të ishin me siguresa, nuk do të kishte mënyrë t’i nxjerrim nga toka”, ka thënë Mitrov. / KultPlus.com

Kur shqiptarët dëboheshin nga Manastiri

Në kryeqendrën e qytetit të Manastirit kanë jetuar një numër i madh i shqiptarëve gjatë gjithë periudhave historike.

Me rënien e Perandorisë Osmane ka patur lëvizje dhe dyndje të popullatës shqiptare nga Manastiri, por dhe nga gjithë rrethina e sajë, duke e marrë parasysh si Vilajet në tërësi.

Sidomos gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parës dhe të Dytës, por edhe gjatë luftës së Parë botërore, askush nuk e din numrin e saktë të të dëbuarve dhe të dyndurve shqiptarë që kanë lëvizur për nga Turqia dhe Rumania, por dhe për në Itali, Bullgari, e deri në Ukrainë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pas kësaj periudhe vazhdon spastrimi etnik dhe dyndjet e mëdha të shqiptarëve nga Manastiri dhe rrethina e tij.

Ata, gjatë viteve të pasluftës hasin në shtypje të mëdha duke ua uzurpuar pronat dhe pasuritë e patundshme, por edhe arin, duke ua ndaluar veshjen tradicionale, dhe më pas me planin dhe marrëveshjen e Titos dhe Menderezit nga pala turke, shqiptarët u shpërngulën për në Anadoll, duke i detyruar ata që të deklaroheshin turq.

Që nga viti 1951 e deri vitin 1968, nga Manastiri dhe rrethi i tij janë shpërngulur për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe Evropë, mbi 38 000 shqiptarë. Por nuk mbeti me kaq. Shqiptarët nga këto anë vazhduan të emigronin në vendet e lartpërmendura akoma, përmes martesave, dhe mënyrave të ndryshme.

Nga këto dyndje, pasojat janë të parapara dhe tronditëse. Disa fshatra nuk ekzistojnë më dhe si struktura urbanistike. I ka ngrënë dhëmbi i kohës. Fshatrat Snegovë, Armatush, Drevenik, Zllakuqan nuk kanë më asnjë banorë.

Tani, Manastiri ka një numër të konsiderueshëm të popullatës shqiptare, dhe atë numri më i madh jeton nëpër fshatrat përreth.

Kurse në brendinë e qytetit, ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, dhe ata janë ardhacak nga shumë treva të tjera, si nga Struga dhe rrethi i sajë, nga rrethi i Krushevës, Prilepit dhe Prespës. Qytetar të vjetër Shqiptar të Manastirit më s’ka. Ata jetojnë tanimë në Stamboll të Turqisë, një numër shumë i madh i tyre.

Në fillim Manastiri ka qenë një qytezë e vogël dhe kështu ka vazhduar deri në vitet 1800 – 1850. Zhvillimi i qytezës në një qytet të zhvilluar me një ekonomi të rëndësishme për Vilajetin e atëhershëm fillon pas kësaj periudhe, dhe shqiptarët këtu japin kontributin e rëndësishëm ekonomik.

Manastiri ishte një udhëkryq ku gërshetoheshin rrugët e tërë Ballkanit, apo Rumelisë si quhej atëherë. Akoma dhe asaj kohe po funksiononte rruga Antike “Via Egnatia”, e cila lidhte të gjitha Vilajetet e Rumelisë me Stambollin, kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Sidomos lidhja me Selanikun dhe bregdetin shqiptar ka qenë një rrugë arterie kryesore që ka shërbyer për tregtinë dhe këmbimin e mallrave të ndryshme.

Atëherë fillon dhe ringjallja e shqiptarëve si në aspektin frymorë, ashtu dhe at ekonomik. Shqiptarët fillojnë të participojnë në ekonominë e qytetit.

Bëhen pronarë të objekteve të ndryshme, si të tregjeve, haneve (hoteleve të asaj kohe), hamameve (banjave publike), zejtarinë e marrin në dorë, merren me tregti, dhe me shumë veprimtari të tjera të kohës. Ndërtohet hani i Dibrës, ai i Kërçovës, hoteli “Liria”, shtypshkronja e Qiriazëve, ngritja e Bezistanit gjithashtu ndihmohet nga shqiptarët, etj.

Janë disa familje të njohura e të ngritura në nivelin aristokrat të kohës si ajo e Gërmenjëve, Qirjazve, familja Topulli, Zavalanët, etj. Shqiptarët në Manastir ishin gati të dytit sipas dominimit ekonomik pas hebrenjëve dhe grekëve.

Shqiptarët ishin të përfshirë edhe në administratën e pushtetit osman këtu në selinë e Vilajetit të Manastirit, e njëri nga valitë e Vilajetit, ishte me prejardhje shqiptare. Por kjo e gjithë shkatërrohet gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parë Botërore, të Dytës dhe pas saj.

Pronat e shqiptarëve bien në duart e okupatorëve dhe dhunuesve sllav dhe u merren gati pa pagesë, pasi shqiptarët iknin për në Anadoll.

Pas luftës së Dytë Botërore, ata që mbetën të jetojnë në Manastirin e Jugosllavisë, ishin vetëm krah pune nëpër fabrikat që hapeshin për ardhacakët nga fshatrat sllave. Asnjë prej tyre nuk ishte në pozitë drejtuese, as nëpër fabrikat e kombinatet, e as nuk ishin të përfaqësuar në administratën shtetërore të atëhershme./KultPlus.com

Dita e Alfabetit, në Shkup apo në Manastir

Kryeqendra e aktiviteteve me rastin e 110 vjetorit të Ditës së Alfabetit do të jetë Shkupi.

Ngjarjet kryesore parashikohen të zhvendosen këtë vit në Shkup, ndërsa në Manastir manifestimet do të zhvillohen gjatë një javë, ditëve kur ka nisur dhe është mbyllur kongresi, shkruan gazeta KOHA. Në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ku prej disa vitesh kujdesen për organizimin e kësaj date, janë duke bërë gati programin për këtë ditë, që duhet të miratohet nga Qeveria.

Gjasat janë që këtë vit, Parlamenti të jetë një prej destinacioneve ku do të zhvillohen një pjesë e aktiviteteve. Disa muaj më parë, nën patronazhin e kreut të Parlamentit, Talat Xhaferi u ngrit një Këshill i posaçëm, i angazhuar për të hartuar kalendarin e aktiviteteve me të cilat Maqedonia i bashkëngjitet ftesës për shënimet mbarëkombëtare. Ndërsa në Manastir shënimet zgjasin një javë. Nga Muzeu i Alfabetit apelojnë që në përvjetorë të tillë qytetit ku u mbajt Kongresi duhet t’i jepet rëndësia që e meriton.

“Ne jemi duke u përgatitur për të shënuar këtë datë me aktivitete që do të zgjasin nga 12-22 nëntor. Përveç Akademisë solemne, konferencave, do të ketë edhe manifestimeve me karakter artistik, si ekspozita, koloni, koncerte. Gjithsesi mendoj se kjo datë duhet që si pikë kryesore duhet të ketë Manastirin. Viteve të kaluara ishte traditë që vëmendja të përqendrohej në Shkup, por është mirë që Manastiri të mos rrijë në hije. Është e drejtë e shqiptarëve të festojnë në çdo qytet, por manifestimi kryesor duhet të mbahet këtu, në Manastir”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Edhe Instituti i Trashëgimisë është pjesë e aktiviteteve për 22 nëntorin, por edhe të Vitit të Gjergjit.

Drejtori i ITSHKSH dhe zëvendëskryetar i Këshillit, Skënder Asani, thotë se instituti është bartës i aktiviteteve që janë zhvilluar deri tani dhe do të vijojnë deri në fund të vitit. Sipas Hasanit, krahasuar me Shqipërinë apo Kosovën, shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të kenë aktivitete shumë ambicioze, siç është promovimi i librit për Skënderbeun, Java e Kulturës shqiptare, dokumente të pabotuara për familjet katolike në kuadër të 90 vjetorit të largimit të Nënë Terezës nga Shkupi, e të tjera.

“Në Parlament do të zhvillohet një ceremoni solemne, këtë vit kemi përputhje mes këtij përvjetori, por edhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme për ne shqiptarët, si ligji për gjuhën shqipe. ne si Këshill jemi duke vazhduar me realizimin e programit të parashikuar, që deri në fund të vitit do të ketë edhe shumë ngjarje të tjera interesante”, thotë zëvendëskryetari i Këshillit, Asani.

Edhe pse “Viti i Skënderbeut” u shpall si një vit i aktiviteteve mbarëshqiptare, koordinimi mes tre vendeve për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ka qenë i vogël. Në Maqedoni Viti i Gjergjit nisi më 17 janar, me shënimin e përvjetorit të 550 të vdekjes së Skënderbeut dhe promovimin e pullës postare me imazhin e heroit kombëtar./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 107 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit:

Rreshti i parë (nga lart, nga e majta: Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina(i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqëri së “Agimi”).

Rreshti i dytë: Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri (i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).

Rreshti i tretë: Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë – Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (i Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (i Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit).

Rreshti i katërt: Refik Toptani (i Tiranës), ÇerçizTopulli, Mihal Grameno (i Korçës). Anash janë dy patriotë jo delegatë.

Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës – por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibr ahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit)./ KultPlus.com

Mar Saba, manastiri historik në Palestinë që ndalon hyrjen e grave

Manastiri 1.500-vjeçar Mar Saba në afërsi të Betlehemit në Palestinë, sot e kësaj dite ruan shumë tradita të veçanta për këtë manastir. Në kuadër të këtyre traditave, grave nuk u lejohet hyrja në këtë manastir.

Manastiri Mar Saba është themeluar në një maje në afërsi të qytezës Ubejdije, e cila gjendet 20 kilometra në jug të Betlehemit.

Thuhet se një nga personalitetet e rëndësishme të botës së krishtere, Juhana el-Dimashki, ka qëndruar kohë të gjatë në këtë manastir dhe se themelet e shumë ritualeve të Kishës Ortodokse janë hedhur për herë të parë në këtë manastir dhe janë përhapur gjetkë në botë.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), murgu Kelaritosh thotë se është ndërtuar nga ana e Shën Mar Sabasë, i cili së bashku me dishepujt e tij, në fund të shekullit të pestë ka ardhur në këtë rajon. / KultPlus.com