SHBA dhe BE bojkotojnë ceremoninë për 79-vjetorin e bombës atomike për shkak të mungesës së Izraelit

 Ambasadorët e vendeve perëndimore, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, refuzuan të marrin pjesë në një ceremoni për 79-vjetorin e hedhjes së bombës atomike në Nagasaki për shkak të mungesës së një ftese për Izraelin, njoftuan sot ambasadat dhe zyrtarët.

Ambasada amerikane njoftoi se vendi do të përfaqësohej nga diplomatë më të ulët se rangu i ambasadorit, në ceremoninë e planifikuar për të premten.

Në një letër dërguar kryebashkiakut të këtij qyteti në Japoninë jugore në korrik, Australia, Italia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Gjermania, SHBA dhe BM kishin paralajmëruar se do të ishte “e vështirë të kishte pjesëmarrje në nivel të lartë në këtë event nëse përjashtohej Izraeli”.

Këshilltari i qytetit të Nagasakit, Shiro Suzuki tha javën e kaluar se vendimi për të mos ftuar ambasadorin e Izraelit në Japoni, Gilad Cohen, nuk ishte i motivuar nga konsiderata politike, por nga një dëshirë për “të mbajtur ceremoninë në një atmosferë paqësore”, për shkak të rrezikut të protestave të lidhura me luftën në Gaza.

Në qershor ai i dërgoi një letër ambasadës izraelite me një thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në territoret palestineze.

‘’Ambasadori amerikan, Rahm Emanuel nuk do të jetë i pranishëm pasi kryebashkiaku i Nagasakit e politizoi ngjarjen duke mos ftuar ambasadorin izraelit”, tha një zëdhënës i ambasadës.

‘’Emanuel, ish-shefi i kabinetit të ish-presidentit Barack Obama, do të marrë pjesë në një ngjarje tjetër në një tempull në Tokio’’, tha ai.

Përfaqësimi britanik pretendoi se ambasadorja, Julia Longbottom do të mungonte gjithashtu në Nagasaki sepse dështimi për të ftuar Izraelin “krijon një ekuivalencë fatkeqe dhe mashtruese me Rusinë dhe Bjellorusinë, dy vendet e tjera të vetme që gjithashtu nuk janë ftuar në ceremoninë e këtij viti’’.

‘’Ambasadori i Bashkimit Evropian nuk do të marrë pjesë për arsye të rendit të ditës dhe BE-ja do të përfaqësohet nga një diplomat i rangut më të ulët’’, tha një zëdhënës./ atsh/ KultPlus.com

Konferencë Shkencore Ndërkombëtare për shqipen në Muzeun e Alfabetit në Manastir

Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe i gjuhës shqipe”.

Thirrja bëhet për pjesëmarrje me kontribut shkencor. Propozimet mund të dërgohen drejtpërsëdrejti në adresën e komitetit shkencor-organizues ose në Akademinë e Shkencave, e cila do të mbështesë pjesëmarrësit në konferencën, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor, në mjediset e Muzeut të Alfabetit në Manastir (Maqedoni e Veriut).

Kjo konferencë mbahet në kuadër të veprimtarive nderuese për përvjetorin e Kongresit historik të Manastirit dhe të festës zyrtare të shqipes në Maqedoninë e Veriut.

Viti 2024 në Shqipëri është shpallur “Vit i gjuhës shqipe”: 22 nëntori, dita e fundit e Kongresit të Manastirit, është vendosur të shpallet festë zyrtare e shqipes.

Gjatë ditëve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave do të paraqesë për herë të parë (në Tiranë) publikisht në mënyrë tërësore realizimin e projektit shkencor madhor për “Fjalorin e madh të shqipes”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë është bashkorganizuese e veprimtarisë. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në MV dhe Agjencia e Zbatimit të Dygjuhësisë, janë në rolin e mikpritësit dhe organizatorë kryesorë të saj, me pjesëmarrjen e disa universiteteve në Shqipëri e MV.

Vdes aktorja e ‘Black Panther’, Connie Chiume

Aktorja e “Black Panther”, Connie Chiume, ka vdekur në moshën 72-vjeçare. Ajo vdiq në Johannesburg të martën pas një periudhe të vështirë shëndetësore, tha familja e saj në një deklaratë në Instagram.

Aktorja e vlerësuar me çmime ka luajtur në disa seri televizive të Afrikës së Jugut, duke përfshirë Rhythm City, Zone 14 dhe Gomora.

Në filmin Black Panther të vitit 2018, Chiyume luajti si Zawavari – një anëtare e Këshillit Fisnor Wakandan. Në vazhdimin e vitit 2022 Black Panther: ëakanda Forever ajo zëvendësoi Zuri (Forest Whitaker) si njeriu i moshuar i Wakandës.

Ajo gjithashtu u bë e njohur për paraqitjet e saj në filmin muzikor të Beyoncé ‘The Lion King’, në të cilin ajo luajti nënën e Simba, Sarabi. Roli i saj më i fundit ishte në filmin thriller ‘Heart of the Hunter’, i publikuar në fillim të këtij viti, dhe ajo u shfaq gjithashtu në serialin televiziv ‘Soon Comes Night’ në shkurt.

Chiume fitoi disa çmime, duke përfshirë çmimin NTVA Avanti për aktoren më të mirë në një serial dramë për rolin e saj në Soul City në 2000. Në vitin 2009, ajo mori një Çmimin e Filmit dhe Televizionit të Afrikës së Jugut (SAFTA) për aktoren më të mirë në një dramë për rolin e Stella Moloit në dramën familjare Zona 14.

‘Ditët e Kitarës së Mitrovicës’ shënon edicionin e gjashtë

Edicioni i gjashtë i “Mitrovica Guitar Days” pritet të filloj më 6 shtator deri më 11 shtator, në ambientet e Muzeut të Mitrovicës.

Rreth festivalit:

Mitrovica GuItar Days filloi në vitin 2018 si një iniciativë e vogël në kultivimin e muzikës kitarë. Në fillim ishte degë e festivalit të njohur ESMA (European Summer Music Academy), i cili zhvillohej në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë. Ekipi KosovaArs kishte synim që kitara si degë e festivalit të vinte në Mitrovicë dhe kështu filloi punën e madhe në këtë drejtim.

Me përjashtim të vitit 2020 për shkak të pandemisë që mbërtheu mbarë botën, çdo vit në Mitrovicë organizohet dega e ESMA-s për kitarë.

Për arsye teknike, në vitin 2022 festivali ka ndryshuar emrin dhe tani quhet Ditët e Kitarës së Mitrovicës.

Ky festival përfshin klasa master, seminare dhe koncerte.

Çdo vit ky festival ka sjellë në vendin tonë emra të mëdhenj të muzikës kitarë të vendit dhe të botës. Vlen të përmenden: Aniello Desiderio, Hubert Kaeppel, Sanel Redžić, Danijel Cerović, Arben Begaj, Giannis Paleodimopoulos, Darko Bageski, Drilon Çoçaj, Florin Fanaj, Erhan Mujka e shumë të tjerë.

Kur të jesh mërzitur shumë

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje. / KultPlus.com

Dy superjahtet e themeluesit të ‘WhatsApp’ ankorohen në portin e Durrësit

Dy superjahtet e themeluesit të “WhatsApp” Jan Koum janë ankoruar në portin detar të Durrësit për disa orë.

Superjahti “Moonrise” është një mjet lundrues motorik rreth 100 metra i gjatë, i konsideruar si një tjetër kryevepër e prestigjiozit holandez Feadship, lançuar në vitin 2020.

Në bordin e jahtit, që mbërriti në portin e Durrësit pak para mesnatës së kaluar nga Palma De Mallorca e Spanjës, sipas burimeve nga kapiteneria e portit ndodhet edhe vetë Jan Koum. Ndërkaq jahti tjetër “Nebula”, po në pronësi të Koum, përdoret si anije ndihmëse për  “Moonrise”./tch/ KultPlus.com

Ekspozitë kushtuar ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore

Një ekspozitë e veçantë dedikuar rilevimeve dhe hartimit të projekteve për 22 objekte që mbajnë statusin monument kulture, vjen si një bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Universitetit Polis.

Ekspozita synon të tregojë rëndësinë e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore përmes teknologjive moderne dhe metodave tradicionale, ku përfshin rilevime të detajuara të banesave historike, projekte restaurimi si dhe analiza të gjendjes aktuale të strukturave.

Një nga aspektet kryesore të ekspozitës ishin pasqyrimet e rilevimeve të bëra në terren, ku studentët, në bashkëpunim me specialistët e DRTK Shkodër, përdorën teknologji të avancuara si skanimi 3D dhe fotogrametria për të krijuar modele të sakta të këtyre objekteve.

Në vijim, këto rilevime ofrojnë një bazë të rëndësishme për planifikimin e restaurimeve të ardhshme të këtyre objekteve duke respektuar karakteristikat historike dhe arkitektonike të tyre.

DRTK Shkodër tha se, kjo ekspoze në Universitetin Polis është tregues i rëndësisë së bashkëpunimit dhe angazhimit ndërinstitucional dhe do ndiqet si një fazë e dytë për vënien në praktikë të këtyre plan projekteve që i shërbejnë dhe promovimit të praktikave më të mira të bashkëpunimit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Rama për suksesin e xhudisteve në Paris: E nderoni Kosovën dhe i shërbeni Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Kosova nuk u kthye duarthatë nga Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

E për këtë u përkujdesën dy xhudistet Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.

Krasniqi e mori të argjendtën, kurse Fazliu të bronztën, duke ngritur në pesë numrin e përgjithshëm të medaljeve nga pjesëmarrjet në tri olimpiada, raporton Klankosova.tv.

Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh krenar për këtë arritje të xhudsteve tona.

Rama tha se ato “po e nderojnë Kosovën botërisht”.

“I lumtur dhe krenar që jam miku juaj, e që ju nderoni Kosovën botërisht dhe i shërbeni edhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë shqiptare transmeton Klankosova.tv.

Sporti i xhudos në krye me trajnerin Driton Kuka, po ashtu i ka edhe tri medalje të arta olimpike.

Në “Tokyo 2020”, dy të arta i rrëmbyen Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Kurse, në debutimin e Kosovës, në “Rio 2016” ishte mbretëresha Majlinda Kelmendi ajo që ia solli vendit këtë sukses, duke trasuar rrugën për sukseset e tjera të xhudos kosovare.

Së shpejti, premiera e filmit të restauruar ‘Kapedani’

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi së së shpejti do të mund të shohim në cilësi maksimale të videos e audios, filmin “Kapedani” i cili është duke u restauruar.

“Teknologjia digjitale na siguron tani cilësi maksimale të figurës e na tregon detaje të trukut të aktorëve që ne si spektatorë nuk duhej t’i shihnim”, shkroi AQSHF në rrjetet sociale.

Filmi “Kapedani” është realizuar në vitin 1972 me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, me skenarin e shkruar nga Skënder Plasari dhe muzikën e Tahsim Hoshafit.

Në ato vite, ndodhte që kinostudioja caktonte dy regjisorë, kryesisht kur bëhej fjalë për realizimin e filmave të parë.  Tek “Kapedani” interpretojnë aktorë të njohur si Albert Vërria me rolin e xha Sulos, Nikolin Xhoja me rolin e xha Beqos, Flora Mërtiri  (kryetarja), Robert Ndrenika (djali i xha Sulos), Lazer Filipi  (shoku Ropi) etj.

Një pjesë e madhe e filmave të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, janë dixhitalzuar e restauruar. Disa prej tyre, së fundmi janë shfaqur në ekranin e Kinemasë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Me rastin e këtij përvjetori jubilar, inkurajohen të rinjtë të njohin të kaluarën historike të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

“Përsëritja” me Luan Durmishin (VIDEO)

Luan Durmishi i cili është i njohur me një stil të veçantë në fushën e muzikës, së fundi ka publikuar videoklipin e këngës “Përsëritja”, shkruan KultPlus.

Kjo këngë vjen me një dinamikë të theksuar, që është brenda stilit të këngëtarit Durmishi.

KultPlus ju sjell këtë projekt të fundit është lansuar në të gjitha platformat zyrtare të Luan Durmishit./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu vizitojnë Kampin Veror për fuqizim të Familjes

Kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu kanë vizituar Kampin Veror për fuqizim të Familjes. Për këtë vizitë ka njoftuar ministrja Haxhiu.

“Së bashku me kryeministrin, ishim për vizitë në Kampin Veror për Fuqizim të Familjes.

Në këtë aktivitet të organizuar nga SOS Fshatrat e Kosovës, pjesëmarrës ishin më shumë se 40 fëmijë të cilët përmes lojës shprehnin talentet e tyre në art, sport dhe fusha tjera.

Jam e lumtur që Ministria e Drejtësisë në këto dy vitet e fundit ka adresuar një pjesë të reformës në shërbime sociale dhe familjare dhe të ngrisë fondet për këto shërbime.

Janë këta fëmijë të cilët kanë nevojë për shërbime cilësore, prandaj ne do të vazhdojmë me përkushtim maksimal të punojmë në drejtim të realizimit të reformës së plotë të shërbimeve sociale”./ KultPlus.com

Boksierja algjeriane që u bë pjesë e polemikave arrin finalen e boksit në “Paris 2024”

Imane Khelif do të luftojë për medaljen e artë olimpike pas një tjetër fitoreje dominuese në ring.

Algjeriania, 25 vjeçe, bllokoi zhurmën e grindjes gjinore për të mbajtur fokusin e plotë në detyrën e saj në dorë.

Pasi bëri thirrje për t’i dhënë fund “bullizmit” , ajo mposhti pa mëshirë Janjaem Suwannapheng, 23 vjeç, për të arritur në finalen e së premtes.

Ka pasur një protestë nga shumë njerëz në botën e boksit, me legjendën e boksit, Barry McGuigan, duke u thënë shefave olimpikë që të ulin kokën nga turpi dhe fituesi i medaljes së artë Nicola Adams e quajti situatën të padrejtë dhe të rrezikshme.

Studio Nutricion & Fitnes në UNI-Universum International College, programi BA i vetmi i akredituar në Kosovë

UNI – Universum International College, i fuqizuar nga Arizona State University, universiteti më i madh publik dhe nr. #1 në SHBA për Inovacion, vazhdon të zgjerojë numrin e programeve të akredituara për studime. Programi më i ri UNIK në BACHELOR është Nutricion & Fitnes.

Programi BA. Nutricion & Fitnes në UNI është i veçantë për faktin se është i vetmi program BA i akredituar në Kosovë. Ky program aplikohet në fusha të ndryshme, duke filluar nga mjediset spitalore, agjencitë qeveritare e deri tek programet atletike.

REGJISTROHU ONLINE duke klikuar këtu.

Nutricionistët e akredituar janë pjesë integrale e çdo ekipi të kujdesit shëndetësor. Tani, me studimet e programit të akredituar BA në Nutricion & Fitnes në UNI, studentët kanë mundësi të zgjedhin një profesion dinamik, që po evoluon vazhdimisht për të përmbushur nevojat shëndetësore të konsumatorëve.

PSE TË STUDIONI BA në Nutricion & Fitnes në UNI?

  • Diplomë të fuqizuar nga Arizona State University
  • Studime me Standarde Amerikane
  • Praktikë Profesionale dhe Punësim
  • Qasje në kurrikulën e Arizona State University

Të diplomuarit në BA Nutricion dhe Fitnes kanë këto mundësi të punësimit: 

#Informohu në detaje për planprogramin këtu!

Studentët e regjistruar në këto programe do të ketë mundësinë të përfitojnë nga një edukim të klasit botëror dhe të zhvillojë aftësi të specializuara për sukses në këto fusha profesionale.

Regjistrimet kanë filluar! Mos e humbisni mundësinë për të krijuar suksesin tuaj me edukim amerikan, të fuqizuar nga Arizona State University, universiteti më i madh publik dhe nr. #1 në SHBA për inovacion. Studio në UNI duke aplikuar këtu

UNI-Universum International College vazhdon të investojë në ofrimin e mundësive të shkëlqyera edukative dhe të mbështesë zhvillimin profesional të studentëve UNIK duke i mundësuar atyre të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe industrisë në tërësi.Për më shumë informata, kontaktoni në: +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram.

MTV Video Music Awards 2024, Dua Lipa nominohet në tri kategori

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa është nominuar në tri kategori në MTV Music Video Awards 2024.

Ajo edhe sivjet u nominua për ‘këngën më të mirë pop’, për ‘koreografinë më të mirë’ në “Houdini” që u realizua nga ‘Charm La’Donna’ si dhe për ‘kinematografinë më të mirë’ nga Nikita Kuzmenko për “Illusion”.

Krijuesja e hitit “Levitating” e ka ndarë lajmin e gëzueshëm edhe me ndjekësit në Instagram.

Në 2021, Dua ishte shqiptarja e vetme që u nominua në katër kategori./ KultPlus.com

“Hatixhja dhe Shabani” filmi më i ri i Visar Morinës

Kanë filluar xhirimet e filmit artistik të gjatë “Hatixhja dhe Shabani” me regji të Visar Morinës, regjisor që tashmë ka shënuar suksese në festivale të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Për fillimin e xhirimeve të filmit është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Qendrës Kinematografikë të Shqipërisë, të cilët edhe kanë ndarë pamje nga xhirimet.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë.

Filluan xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë me titull «Hatixhja dhe Shabani», regjia Visar Morina, produksion i «Vicky Bane UG & Schuldenberg Films» GBR, Gjermani, në koproduksion me «On Film Production», Shqipëri, «Eagle Eye Films», Kosovë, «Vertigo», Slloveni, dhe «List Producija», Maqedoni e Veriut.

Ky film është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kategorinë koproduksion në pakicë (minority coproduction), dhe EURIMAGES./ KultPlus.com

Më 7 gusht 1990, Serbia ndaloi botimin e gazetës ‘Rilindja’

Gazeta “Rilindja”, e cila për herë të parë ka dalë më 12 shkurt të vitit 1945 në Prizren, konsiderohet ndër pjesët më të rëndësishme të historisë sonë, si gazeta e parë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, shkruan KultPlus.

Më 7 gusht të vitit 1990 gazeta Rilindja u ndalua me forcë nga Serbia, që atë kohë kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës.

Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Nga 29 Nëntori 1958 “Rilindja” vazhdon rrugëtimin e saj si gazetë e përditshme.

Më 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, kurse nga viti 2009 nuk botohet më.

Mund të thuhet lirisht se “Rilindja” ka qenë edhe çerdhe e ngritjes intelektuale pasi ajo ka tubuar në gjirin e saj intelektualë në zë që më pastaj kanë bërë emër në letërsinë, artin, shkencën e Kosovës dhe më gjerë.

KultPlus.com

Presidentja Osmani ka mbështetë transportin e shtatores së Skenderbeut në Itali, përuruimi më 30 gusht

Me iniciativën e shoqatës “Hora e Skenderbeut”, mërgimtarët shqiptarë kanë ndihmuar në financimin e realizimit të shtatores së Gjergj Kastriotit Skenderbeu, shtatore që do të përurohet më 30 gusht në Horën e Arbëresheve, shkruan KultPlus.

Kjo shtatore është punuar nga Gëzim Muriqi, ndërkohë, organizatorët kanë bërë të ditur për KultPlus se shtatorja tashmë ka arritë në Itali dhe se trasnporti i shtatores është mbështetë nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj. Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Kjo shtatore do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.

Shoqata „Hora e Skënderbeut“ falënderon të gjithë mërgimtarët, shoqatat, klubet, e bizneset e shumta të cilët me kontributin e donacionet e tyre kanë bërë të mundur që të jemi shumë afër realizimit të këtij projekti./ KultPlus.com

Athua ëndërr ishe ti (VIDEO)

Minatori

Në mendjen time
Shpaloj kujtimet një nga një
Në njërën nga ato
E gjej tregimin për ty
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Netët pa ty më jan të gjata dhe pa fund
I ngjaj udhëtarit që hecë dhe s’mbrrin askund
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim

Në mendjen time
Shpaloj kujtimet një nga një
Në njërën nga ato
E gjej tregimin për ty
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon

Netët pa ty më jan të gjata dhe pa fund
I ngjaj udhëtarit qe hecë dhe s’mbrrin askund
Athua ku je ti? Athua ëndërr ishe ti?

Hej, më mundon kujtimi për ty
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon
Më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend
Se ishe ti në shpirtin tim
Ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend
Se të kaluarës i takon/ KultPlus.com

Lumturia në “EtnoFest” që do të fillojë më 10 gusht

Programi i edicionit të 14-të të EtnoFest veç është prezantuar dhe përgatitjet për hapjen e kësaj feste kulturore tashmë janë në mbyllje e sipër, shkruan KultPlus.

Ky edicion që do të nisë më 10 gusht dhe do të zgjasë deri më 18 gusht do të prezantojë një program të pasur të kulturës, nën moton e lumturisë, duke përfshirë: teatër, muzikë, ekspozita, debate, gastronomi e shumë aktivitete të tjera kulturore.

Edhe ky edicion do të mbahet në fshatin Kukaj, dhe këtë edicion do ta përcjellin edhe këngëtarë të njohur të skenës shqiptare./ KultPlus.com

“Legjenda e gjallë e Kosovës” e quan Federata Evropiane e Xhudos Majlinda Kelmendin

Ikona e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi, ka dhënë një intervistë për ueb-faqen e Federatë Evropiane të Xhudos.

Kelmendit, në hyrje të intervistës, i referohen si legjendë e gjallë e Kosovës, pas sukseseve të saj si njëra prej xhudistëve të mira në botë.

“Për të bërë përmbledhjen e ekipit…nga t’ia nis…po e nis me pjesën pikëlluese, pasi Loriana i dha fund karrierës. Ajo erdhi nga Zvicra në Kosovë tetë vjet më parë dhe fitoi medalje evropiane dhe botërore për ne, duke u bërë njëra prej sportisteve më të mira në historinë e Kosovës dhe mori pjesë dy herë në Olimpiadë”, ka thënë Kelmendi për Federatën Evropiane të Xhudos.

Kelmendi pos që foli për Loriana Kukën, përmendi edhe trajnerin Toni Kukën, si dhe Akil Gjakovën, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.

“Në përgjithësi, jam shumë e lumtur me performancën e secilit. Edhe Nora edhe Lori ishin të lënduara tre muaj para Lojërave andaj ishte e vështirë për to që të përgatiten mirë”.

“Akili ishte thjesht i mrekullueshëm dhe është mëkat që ai nuk fitoi medalje”.

“Distria kishte shumë vetëbesim, si gjithmonë ,dhe me këtë rast dua ta falënderoj bosin e madh, Tonin, që ma ka besuar të ulem në karrige dhe t’i stërvit sportistet”.

“Falë tij, Kosova i ka tani pesë medalje olimpike dhe të gjitha janë nga xhudo. Ne jemi plot gëzim dhe mirënjohje”./ KultPlus.com

Dua Lipa më e preferuara për të kënduar kolonën zanore në James Bond

Nuk është vetëm filmi James Bond që bën zhurmë mediatike, por edhe kolona zanore e këtij filmi ka pothuajse të njëjtën rëndësi. “No Time To Die” ishte filmi i fundit i James Bond që ishte lansuar në vitin 2021 dhe tash kanë filluar parashikimet për filmin e radhës, dhe natyrisht për kolonën zanore.

Për filmin e radhës mendohet se këngëtarja shqiptare Dua Lipa mund të jetë këngëtarja që do të realizojë kolonën zanore, duke lënë pas shumë këngëtarë tjerë që janë përfolë poashtu./ KultPlus.com

Popullit tim

Poezi e shkruar nga Esad Mekuli.

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këngë të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.
Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhunë,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forcë të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.
Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.
Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti./KultPlus.com

‘Shpallja’, vepra më e hershme e Leonardo da Vinçit

Trashëgimia artistike e Leonardo da Vinçit është e shumëanshme, duke u shtrirë shumë përtej “Mona Lizës”.

Një nga veprat e tij të shquara është “Shpallja”, një pikturë që përshkruan njoftimin e engjëllit Gabriel drejtuar Virgjëreshës Mari për ngjizjen e saj hyjnore.

Kjo kryevepër e hershme tregon mjeshtërinë e dritës dhe hijes së da Vinçit, si dhe aftësinë e tij për të kapur hollësitë emocionale dhe simbolizmin fetar me detaje të hollësishme.

Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

Leonardo da Vinci ishte një polimat, gjenia e të cilit kapërceu kohën, që la gjurmë të pashlyeshme në art, shkencë dhe njerëzim.

Pavarësisht mungesës së arsimit dhe formal të hershëm, kurioziteti i tij i pangopur dhe aftësitë e mprehta vëzhguese e bënë atë të bëhej një nga figurat më me ndikim në artin dhe shkencën perëndimore. Megjithatë, ai përfundimisht mori trajnim nga artisti i njohur fiorentin Andrea del Verrocchio, ku Leonardo i përparoi aftësitë e tij si piktor dhe skulptor.

Në jetën e tij të hershme, da Vinçi shfaqi një talent të jashtëzakonshëm për vëzhgim dhe eksperiment, shpesh duke ndarë kufomat për të studiuar anatominë e njeriut dhe duke skicuar vëzhgimet e tij me saktësi të jashtëzakonshme.

Kërkimi i tij për njohuri e shtyu atë të eksploronte lëndë të ndryshme, nga matematika dhe inxhinieria te botanika dhe gjeologjia.