Papa dënon sulmin ndaj Trumpit

Papa Françesku e ka dënuar atentatin që iu bë të shtunën ish-presidentit amerikan Donald Trumpit.

Ai ngjarjen e quajti episod të dhunës që lëndon njerëzit dhe demokracinë, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv.

Në një deklaratë nga Vatikani, Papa tha: “Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj për episodin e dhunës së mbrëmshme, që lëndon njerëzit dhe demokracinë, duke shkaktuar vuajtje dhe vdekje”.

“I bashkohemi lutjes së peshkopëve amerikanë për Amerikën, për viktimat dhe për paqen në vend, në mënyrë që arsyet e dhunës të mos mbizotërojnë kurrë”.

Ellis Marsalis, prijësi i rilindjes së xhazit

Ellis Marsalis Jr., pianist dhe edukator që u bë forcë prijatare e rilindjes së jazzit në fund të shekullit XX.

Marsalis ka kaluar dekada të tëra si muzikant dhe mësues në New Orleans, para se dy djemtë e tij të mëdhenj, Wyntoni dhe Branfordi, që mishëronin një përtëritje të freskët të jazzit tradicional, të fitonin famë kombëtare në fillim të viteve ’80.

Përkushtimi i zotit Marsalis për bebopin e gjysmës së shekullit dhe pasardhësve të tij për një kohë të gjatë e ka bërë atë njëfarë jabanxhiu në qytet me një besnikëri shtrënguese për rrënjët e hershme të jazzit.

Megjithatë, ai siguroi respektin e kolegëve muzikantë falë dhuntisë së tij të patjetërsueshme si pianist dhe kompozitor dhe mënyrës së tij të rreptë dhe mbështetëse si mësues. Sapo ata shkelën skenën kombëtare, mbrojtja që Marsalisët i bënë jazzit të kulluar i bëri ata renegatë të një lloji tjetër. Trumbetisti Wynton shpalosi me guxim devocionin e të atit për heronj si Charlie Parker dhe Thelonious Monk, madje ai fshikulloi publikisht kundër përzierjes së ligshtë mes jazzit dhe rockut që e zhvendosi me të madhe jazzin akustik në fund të viteve ‘60 dhe ‘70.

Të pashëm, eruditë dhe jashtëzakonisht të dhuntishëm, fëmijët e zotit Marsalis dhe shumë muzikantë të rinj të jazzit që i mësoi – përfshirë Terence Blanchard, Donald Harrison Jr., Harry Connick Jr. dhe Nicholas Payton – u bënë prijatarë në lëvizjen tradicionale në rritje, përhumbshëm e quajtur edhe si “Luanët e rinj”.

“Im atë ishte një gjigand prej muzikanti e mësuesi, por edhe një baba i madh”, ka thënë në një kumtesë Branford Marsalis. “Ai vuri gjithë çka kishte për të na bërë më të mirët”. Si mirënjohje për ndikimin e patriarkut dhe për dhuntitë e tij, “National Endowment for the Arts” më 2011 i emëroi Marsalisin dhe të bijtë e tij si mjeshtër të jazzit.

Ai konsiderohet si një prej ndereve më të larta për një muzikant amerikan të jazzit, dhe deri asokohe ai ishte dhënë vetëm në baza individuale. Në këtë pikë Maraslisët konsideroheshin gjerësisht si familja mbretërore e jazzit. Wynton ishte bërë drejtor artistik që themeloi jazzin në “Lincoln Center”, organizatë e shquar jofitimprurëse që i kushtohet jazzit, dhe ai fitoi çmimin “Pultizer” për muzikë më 1997. /KultPlus.com

‘Kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet është të qenit e sinqertë’

Një ndër autorët që vazhdon të lexohet anë e kënd botës është rusi Fjodor Dostojevski, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

KultPlus ju sjell një fragment të veprës “Adoloshenti” nga Fjodor Dostojevski:

Unë mendoj kështu: kur qesh një njeri, nuk shihet dot me sy! Se të qeshurit ia bën më të theksuar vulgaritetin njeriut, i theksohet diçka poshtëruese, ndonëse vetë personi as që dyshon ndonjëherë për këtë. Se as këtë s’e dimë: çfarë shpreh fytyra jonë kur flemë?

Dikujt i shpreh mençuri, një tjetri i shpreh banalitet, deri idiotësi, një i tretë kur fle, duket qesharak. Nuk di nga se vjen; ajo që desha të them është se si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin personi nuk di asgjë. Ka shumë që nuk dinë të qeshin, ndonëse këtu dija s’para hyn në punë; të qeshurit është dhunti, s’ke si e rregullon. Diçka edhe e arrin, duke i mposhtur brenda vetes instinktet e këqija, por fare pak.

Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh. Kurse mua deri edhe e qeshura e mençur më është e pështirë. Them se kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet, është të qenit i sinqertë. Po ku e gjen atë te njerëzit? Të qeshurit e sinqertë parashikon mposhtjen e ligësisë, po pse e lehtë është kjo? Ndaj dhe jo rrallë njerëzit qeshin me ligësi.

Kur shoqërohet nga sinqeriteti dhe privohet nga ligësia, të qeshurit del i gëzueshëm, i ëmbël, por ku e gjen gëzimin dhe ëmbëlsinë ndër njerëzit? Se të qenit i gëzuar është tipari më i shquar i njeriut! Por ndodh edhe kështu: orvatesh dhe jo pak të zbërthesh një karakter dhe s’ia arrin dot, mjafton që njeriu të qeshë, dhe karakteri i tij të hapet si në pëllëmbë të dorës. Kuptohet, kur të qeshurit është i sinqertë. Njeriu di të qeshë me zemërmirësi vetëm atëherë, kur ka zhvillim ngjarjesh lumturuese.

Nuk e kam fjalën për nivelin e zhvillimit mendor të njeriut, po flas për shpalosjen e karakterit të tij përmes të qeshurit, për tërësinë e vetive si njeri. As heshtja, as të qarët, as të folurit, as të emocionuarit nga veprimet fisnike të të tjerëve nuk arrijnë dot ta tregojnë njeriun aq sa e tregon të qeshurit. Qesh mirë, domethënë, është i mirë! Në iu rëntë në sy qoftë edhe një gram marrëzie në të qeshurit e tjetrit, dijeni, ky njeri s’e ka të theksuar dinjitetin vetjak.

Qoftë edhe kjo: dikush prej natyre është tejet i komunikueshëm, por ju duket disi banal e deri i lëshuar në sjelljen me njerëzit, dijeni se është natyrë vulgare; në rast se ju bie në sy në sjelljen e tij diçka fisnike, dijeni se o shtiret, o e ka të huazuar nga të tjerët. Ky njeri me kalimin e kohës ka për të ndryshuar për keq! Një i tillë mund të kapet pas “të dobishmes”, por ciniken do ta flakë pa pikën e keqardhjes, ashtu si këmbejnë njëra – tjetrën edhe shkulmet rinore, frelëshuara të të qeshurit të tij të ngazëllyer. / KultPlus.com

Anita Bitri dhe kënga fituese e vitit 1990 në RTSH, ‘Askush s’do ta besojë’ (VIDEO)

Në Festivalin e 29-të te Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe teksti Jorgo Papingji.

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…

Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Një këngë e vetme jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam e do ta them,
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe këngë e saj ushton si një refren.

Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos me thuaj s’ më ndihmon,
Asnjëri s’do ta besojë.
Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj.
Të takoj,të takoj..

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com

Arbëreshi Nikollë Keta, autori i sonetit të parë shqiptar

Autori i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare është Nikollë Keta (Nicola Chetta, 1740-1803).

Ai ishte një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Keta ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765).

Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqisht.

Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

*

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,

Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.) / KultPlus.com

‘Kam një mall e kam një zjarr’ (VIDEO)

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte, KultPlus ju sjell ‘Kam një mall e kam një zjarr’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.

Liliana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Çavolli, mësues.

Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues.

Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse. / KultPlus.com

Kur të më jesh e zemëruar

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti m`u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un` ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m`u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj!shkretëtirë-e-zemrës`s`ime! Dhe haj! e zeza jetë,haj!

Posi një yll i perënduar më pate humbur gjithë më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n`ërgjënd e në flori,
O,vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt` e mi.-

Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije,ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t`ënd të llaftaruar m`a lerë mëndjen t`a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir` e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t`im;
Se gazi-i-kthjellt` i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, më shpirt të vrarë-e varfnjak,
N`e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t`ënd s`do heq aspak;
S`do psherëti n`e lënc të vdesë,a në `m`a thënc,në mos m`a
thënc:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s`ate,që të më bësh të prishem
menc./ KultPlus.com

Besëtytnitë shqiptare, për miqtë dhe miqësitë

Në librin “Doke e Zakone shqiptare”, mbledhur nga Atë Donat Kurti dhe botuar pas vdekjës së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendosen besëtytnitë që lidhen me çdo krahinë e zakon.

Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt shkruhet:

“Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër)”./KultPlus.com

Çfarë veprash shqipëroi Petro Zheji

Petro Zheji deri në vitin 2000 ka përkthyer mbi 55 vepra nga letërsia e huaj, prozë dhe dramë. Shumë prej tyre janë kryevepra të letërsisë botërore.

Petro Zheji është një nga përkthyesit më të spikatur në historinë e përkthimit shqip.Përkthimet e tij datojnë që nga vitet ‘50 dhe vijnë gjer në në vitet e fundit.Gjeografia e përkthimeve të tij është shumë e gjerë dhe shtrihet thuajse në të gjitha kontinentet.

Veprat e përkthyera nga Zheji janë kryevepra të letërsisë botërore, ndaj dhe përgjegjësia ka qenë e madhe.Thuajse për të gjitha përkthimet ai ka marrë lëvdatat dhe vlerësimet e atyre që i njihnin këto vepra në origjinal.Petro Zheji ka përkthyer mbi 55 vepra letrare, kryesishtromane të vëllimshëm, trilogji, tregime dhe novela.Ai çoi gjer në fund punën e nisur nga Fan Noli dhe përktheu vëllimin e dytë të romanit “Don Kishoti i Mançës”
Po rëndisim më poshtë disa nga përkthimet më të njohura të Petro Zhejit sipas letërsive dhe gjuhëve të origjinalit:

Njohësit dhe lexuesit e rregullt të letërsisë së huaj mund të gjykojnë më së miri vlerat artistike dhe ndihmesën e Petro Zhejit në lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe edhe nëpërmjet përkthimit cilësor.
Petro Zheji me këto përkthime tregoi se ai bashkë me tërë atë plejadë përkthyesish të talentuar se shqipja është e aftë që të japë me fjalën e saj jetë dhe art kryeveprave të letërsisë botërore.
Petro Zheji është sot shembulli i gjallë për përkthyesit e sotëm dhe të së ardhmes.

Disa nga titujt e veprave të përkthyera nga Petro Zheji:

Miguel Servantes: “Don Kishoti i Mançës”, pjesa e dytë, – 1977.
Gëte: “Vuajtjet e Verterit të ri”,
Tolstoi: “Ringjallja”, – 1961
Gorki: “Universitetet e mia”, 1985 “Foma Gordajev”, – 1960
Gollsuorth: “Farisejt e ishullit”, – 1975
Lui Aragon: “Këmbanat e Bazelit”, – 1964
Asturias: “Papa jeshil” & – “Zoti President”
Vladimir Beljajev, “Kështjella e vjetër”, – trilogji – (1966, 1968, 1970)
Gonnçarov: “Obllomovi”, – Vëll. 1, 2 – viti 1960
F. Ponverov, “Bruski”, – në katër vëllime, viti 1958 (përkthyer së bashku me Gjergj Zhejin) Andreas Brink: “Një sinë e thatë dhe e bardhë”, – 1986
Xhon Stainbek: “Vitet e zëmërimit”, – 1990.
Zhorxh Simenon: “Qeni i Verdhë” – 1973, “Vëllezërit Riko”– 1985.
Hans Kirk: “Klitgordi dhe bijtë” – 1986
Dymfa Kysak: “I thuaj vdekjes, Jo!” – 1972.
Sant Antuan Ekzysperi: “Princi i vogël” – 1986.
Irving Stoun: “Etja për jetën” (Van Gog)
Viktor Eftimiu, “Xha Veriu dhe pranvera”, – 1984 etj./Liberale.al/ KultPlus.com

‘Njerëzit e mëdhenj nuk i futen kurrë politikës’

Më poshtë KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Albert Kamy:

Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.

Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.

Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.

Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme. 

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij. 

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit. 

Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllëmbë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra. 

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë. 

E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën? 

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë. 

Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata.  E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.

Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.

Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im. 

Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.

Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.

Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik. 

Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.

Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.

Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë. 

Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!

Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj. 

 Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.

Integriteti nuk ka nevojë për ligje.

Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht. 

Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë.  Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është. / KultPlus.com

Një letër e Gjergj Fishtës nga Stambolli

Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topalovic…. Jovic, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar.

Dr.Nuridin Ahmeti

Poeti, kleriku Gjergj Fishta (1871- 1940), ishte i njohur edhe si autori i shumë veprave letrare, dhe sidomos u bë i njohur me veprën e tij kapitale “Lahuta e Malcis”. Përveç si njeri i letrave, Fishta njihet edhe për kontributin e tij fetar, atdhetar, diplomatik dhe si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar, njeri që me gjithë përkatësinë e tij fetare katolike, qëndrimet që në disa raste mbajti ndaj “turkut”, siç e quante ai, Perandorinë Osmane, nuk hezitoi që të fliste e të shkruante fjalë miradije për këtë perandori, dhe sidomos foli e lavdëroi dhe i thuri vargje njërit nga udhëheqësit më të njohur të ushtrisë osmane – mbrojtësit të Shkodrës – Hasan Riza Pashës.[1]
At Gjergj Fishta, e kishte njohur personalisht dhe kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me këtë mbrojtës besnik të Shkodrës dhe luftëtari të denjë kundër okupimit të saj nga malazeztë.[2] Për më tepër, me rastin e varrimit madhështor dhe nderimit të fundit që iu dha komandantit Hasan Riza Pasha, At Fishta, mbajti edhe një fjalim mjaft prekës dhe emocionues.[3]
Pa hyrë në të dhëna biobibliografike as për Fishtën dhe as për Riza Pashën, sepse përveç që janë të njohura këto, konsiderojmë se deri tek këto të dhëna lexuesi dhe të interesuarit e tjerë mund të vijnë shumë lehtë, qoftë edhe përmes kërkimeve nëpër faqe të internetit, përveç të tjerash. Këtu nuk duam të vëmë në spikamë as raportet e At Fishtës me mbrojtësin e Shkodrës, Hasan Riza Pashën ose me ndonjë personalitet tjetër.
Por këtu po sjellim një letër që At Fishta e kishte dërguar nga Stambolli më 1931, ku po qëndronte atje si i deleguar i Shqipërisë bashkë me Mehmet Konicën në Konferencën e dytë për krijimin e zonës së paqes dhe për mbrojtjen dhe të drejtën e pakicave në vendet ballkanike.
Sado që mund të thuhet se, kjo letër është e njohur për lexuesin, mendoj së risjellja edhe njëherë e kësaj letre, do të ishte me interes.
Prandaj, për këtë arsye, këtë letër e risjellim edhe një herë për të parë se si rrodhën punimet e Konferencës, si e pa Gjergj Fishta mikpritjen e turqve, çfarë përshtypje i bënë muzetë dhe pallatet e ndryshme në Stamboll, si u mahnit me dorëshkrimet dhe bukuritë e Mushafëve që i pa etj. Për hir të korrektësisë, letrën po e risjellim edhe njëherë ashtu siç është edhe e botuar.

Rrethanat në të cilat u shkrua kjo letër
Qeveria e atëhershme shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjeve të Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtën e pakicave në këto vende.
Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica.
Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit të Shqipërisë, rishtas, qenë Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të dt. 20 X. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj në mes tjerash shkruan:

I dashtuni Provinçijal,
Stamboll, 20. X. 1931.
“Sot me 10 paradite u çil Konferenca Balkanike në salon të Cermonivet të “ Dolmabahçe”- Pallati i Mretenvet. Mbasdite filluem veprimin Komisjonet në “ Yldiz”- në pallat ku Abdyl Hamidi pat prit Guljemin e Alemanjes!
Turqit na kanë prit me “salltanet” të madh e fort bujarisht-me u kalue grekve.
Konferencen e çili Kryetari, Hasan Begu, e posë Kryetarësh të Dergatavet, foli edhe Ismet Pasha, Kryeministri i Turkisë. Kje në mbledhje edhe Ministri i P. Jashtme.
Jugoslavët u deklaruan kundra çështjes së pakicave; ndërsa tjerët- mos tjetër me fjalë- folën në favor të bisedimit mbi pakicat. Ndër kto dy a tri dit, ndoshta, ka me na ra me u terhjekë prej Konferencet.
Nuk gjejë me t’a përshkrue madhnin, e sa, ma mirë me thanë: La sontuosita të “Dolmabahçes” e të “Yldizit”. Saloni i Konferencës ishte me të lanë pa mend. Me pa vetëm “lampadarit”! Mandej shkallët me parmakë kristalit etj. Gja qi përnjimend me të çuditë.
Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topaloviç…. Joviç, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar. Asht ba kaq poterë mbrendë, sa Kryetarit të Konferencës i asht dashtë me pezullu mbledhjen. Mbasi u hap mbledhja rishtas, Konitza deklaroi, se, po s’i muarën Jugoslavët fjalët mbrapa, Dërgata shqiptare do t’a linte Konferencën. Edhe Jugoslavët, tue skuzue, mueren, mbrapa fjalët e fyeshme. Nji heri edhe në Komision t’ Afrimit Intelektual u zuen keqas bulgarë e jugoslav.
Grekët, rumunët, turqit, e na lypin, qi çashtja e pakicave të rregullohet në ket Konferencë, edhe qi kjo çashtje të përmendet në pakt të Federatës Ballkanike. Jugoslavët janë kundra, ndërsa bulgarët pranojnë qi kjo çashtje të shtyhet deri sot nji vjetë! Me 23 ashtë mbledhja e përgjithshme: pale se si po dahëna. Shpensohet se ka me u gjetë ndonji formulë afrimi.
Po s’kjemë të ngushtuam me 23 me lanë Konferencën, sigurisht kemi me shkue n’Angara; pre ashtu e lypë nji punë, e cila s’kallxohet me letër; por qi në vedvedi ka nji randësi mjaft relative.
Sot kemi vizitue S. Sofia, xhamin “blu” e xhamin Sylejmanije, për të cilat mund të thohet se janë pernjimend të bukura. Sh. Sofija asht nji mrekulli arti e madhnije. Jam bin kur e kam pa. Dje, masandej patëm vizitue muzejt e Stambollit, visaret e Mbretënvet e muzeun e dorëshkrimevet të Koranit- me sa tri mij. Sarkofagu i Lekës së Madhë asht nji mrekulli skulpture. E shka asht për t’u çuditë, se shumica e luftravet, ndër “bassoriljevi” m’ katër anët, bashin për rreth kres nji shall krejt si malcorët t’onë! Më kan ba përshtypje të madhe edhe miniaturat mbi dorëshkrime të Koranit, si për shumicë si për bukuri.
Sa për visare të Mbretenvet asht kot me i a nisë me folë.
Mjaft “i vasi”, qi u a kalojnë atyne të Vatikanit në daç për numër, në daç për vlerë; se për gur të pa çmueshëm, enë e sende arit, pushkë e shpata të prarueme etr. etr, s’t’i shef syni kurrkund njëti. Ndër ato visare gjinden edhe kryet e krahi i Sh. Gjonit Pagzues veshë n’ari e në gur të paçmueshëm. Sende me të lanë pa mend.
Për me pas nji ide për shka asht Yildizi, asht mjaft me të thanë, se në gjithë Shqypnin- a ma në gjith Shqypnin – s’e ke nji salon ma të bukur se oda e “Ypsilonit”… e Yildizit, e kta në kat të poshtër.
Sonde na ka qitë nji kafe Universiteti. Na kishim ndejë në paradë kund nja nji mijë boiskaut(?), ndër të cilët kishte ken rreshtue edhe nji çetë varzash 16- 17 vjetshe e edhe ma të msha- në Stambollë! S’shifet burrë me fes në krye as grue e mertisun. Der më sod kam pa veç nji hoxhë me çallme, por kishte edhe gjyzlykët… Ndryshimi prej kohës së kaluese asht kolosal.
U kënaqa tue pa- të thuesh- me qindra vaporresh kahë shkojnë e vijnë nëpër Bosfor.
U falem me shëndet të gjithëve. / KultPlus.com

Kanga që s’kuptohet

Poezi nga Migjeni

Melodisë kombëtare
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh -jo! Kangajote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…/ KultPlus.com

”Ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)
“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)
“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)
“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.

Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)
“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.

Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)
“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)
“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

Dhembjet e dashurisë së Beethoven për “të dashurën e përhershme” (1812)
“Dhe pse jam në shtrat, mendja ime vjen tek ty, e dashura ime e pavdekshme, ji e qetë, më duaj, sot, dje, sa lot të derdhur për ty, ty, ty, jeta ime, gjithçkaja ime, lamtumirë. Oh vazhdo të më duash, mos e gjyko keq zemrën besnike të të dashurit tënd. Përjetësisht yti. Përjetësisht imja. Përjetësisht tanët”.

Gerald Ford i kujton dashurinë e tij bashkëshortes Betty pasi asaj iu diagnostikua një kancer në gjoks (1974)
“Nuk ka fjalë që mund të shprehin saktë dashurinë tonë të thellë, të thellë, e dimë sa e madhe je dhe ne, fëmijët dhe babai, do përpiqemi të jemi të fortë si ti. Besimi tek ty dhe te Zoti do na përkrahë. Dashuria jonë për ty është e përjetshme”.

Jimi Hendrix i thotë vogëlushes së tij të hapë krahët
“Lumturia është brenda teje”. Prandaj thyeji zinxhirët e zemrës dhe lëre veten të bëhet lulja që ti je. E di unë si: mjafton të hapësh krahët dhe vendosu në pozicionin e të qenit e lirë./ KultPlus.com 

Temperaturat e larta në Kosovë, urdhërohet kufizimi i orarit të punës

Ditët e fundit në Kosovë janë duke mbizotëruar temperatura të larta.

Temperatura të tilla janë paralajmëruar që do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për kufizim të orarit të punës për disa kategori.

Nga data 13 e deri më 20 korrik lirohen nga puna gratë shtatzëna, por në rast të pamundësisë së lirimit të njëjtat punojnë nga shtëpia.

Po ashtu qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.

Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërsa në varësi prej temperaturave që do të mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, do të ndërmerren masa të tjera.

Ministria e Shëndetësisë shprehet se ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta./KP/ KultPlus.com

Organizohet për herë të parë Festivali i Peshkatarëve Shqiptarë në Pogradec

Për herë të parë organizohet Festivali i Peshkatarëve Shqiptarë në Pogradec.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Me grepin e hedhur në lumë, nga rrjetat e barkave shpërndarë në liqen, te flota e anijeve të peshkimit nëpër dete, Shqipëria është tashmë një superfuqi evropiane në peshkim”, shprehet Rama.

Rama i fton të pasionuarit pas këtij sporti, por jo vetëm, që t’u bashkohen peshkatarëve, kuzhinierëve, artistëve, ku nuk do të mungojë muzika, argëtimi, vallja dhe shumë surpriza.

Festivali zhvillohet në datat 2, 3 e 4 gusht në Pogradec.

Pas “Saranda Fish Festival”, aktivitet që kremtoi në datat 28 maj – 1 qershor jo vetëm traditën e bukur të peshkimit, por edhe kulturën, historinë e nautikës dhe mikpritjen shqiptare, tashmë është radha e qytetit bregliqenor të nisë një traditë të re në këtë fushë.

Qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të posaçme sektorit të peshkimit, duke e kthyer në sektor prioritar.

Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin “Për peshkimin”, synojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të peshkimit dhe rritje e eksporteve, si dhe në përditësimin dhe përafrimin me legjislacionin e ri të Bashkimit Evropian në fushën e peshkimit, rregullimin dhe përmirësimin e dispozitave lidhur me infrastrukturën e peshkimit, mënyrën e menaxhimit dhe transferimit të saj, si dhe rishikimin e nivelit të masave për sanksionet e parashikuara./ KultPlus.com

Gonxhja: Fëmijët e kursit të pikturës vlerësohen me çmime në konkursin ndërkombëtar në Portugali

Fëmijët e kursit të pikturës janë vlerësuar me Çmim të Artë, Çmime të Argjendta dhe Çmime Nderi në Konkursin e 24-t Ndërkombëtar të Artit të mbajtur në Évora, Portugali.

Çmimi i Artë shkoi për Alisa Radën.

Çmimi i Argjendtë shkoi për Arselda Thaçin, Dean Xhelilin, Eibis, Kajaçka, Emili Shehajn, Erlind Kurtin, Flavia Kokthin, Paola Terpollarin.

Ndërsa Çmime Nderi morën Agnesa Peqini, Ajla Çela, Ajlin Hoxha, Briana Bali, Egnald Blloku, Ermina Plaku, Flavia Shuka, Jerina Sala, Kevin Kojku, Klevia Allmuça, Laura Sinani, Livia Kokthi, Marlinda Kodra, Rea Bejko, Rubina Bejaj, Sonia Pogoni, Valeksia Sinani.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se, ky konkurs arti u organizua nga qeveria lokale bashkiake e Évora, së bashku me disa organizata jofitimprurëse dhe njihet si një nga tre konkurset më të mëdha të pikturës në vend në mbarë botën.

Évora në Portugali, është një qytet i lashtë i njohur si një vend i trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe ka qenë mikpritës i konkursit ndërkombëtar të pikturës për 24 vjet qytetin historik./ KultPlus.com

Goli i Yamal, më i bukuri i gjysmëfinaleve në Euro 2024

Goli historik i Lamine Yamal u zgjodh si më i bukuri i fazës gjysmëfinale në Euro 2024.

Faqja zyrtare e Euro 2024 e zgjodhi perlën e talentit spanjoll në gjysmëfinale ndaj Francës si golin më të mirë të kësaj faze.

Yamal shënoi nga distanca një gol spektakolar, duke u bërë lojtari më i ri që shënon gol në Kampionat Evropian.

Yamal dje mbushi 17 vjec dhe sonte luan në finalen e Euro 2024 përballë Anglisë./ KultPlus.com

Lehtësia e padurueshme e postmodernizmit (pjesa e tretë)

Shkruan: Bernard Çobaj

Ekstremët shënojnë kufirin përtej të cilit jeta merr fund dhe pasioni për ekstremizmin, në art si në politikë, është një dëshirë e fshehur për vdekjen.

Një prej temave që në mënyrë mjeshtërore përpunohet te vepra e Kunderës është pushtimi rus – sidomos kur sot e lexojmë në kontekstin e gjendjes në Ukrainë. Në këtë mënyrë, përshkruhet me mjeshtëri një lloj sfondi personal i pushtimit rus të Çekosllovakisë, analizohen shkëlqyeshëm veprimet e personazheve, dyshimet e tyre morale dhe intelektuale, si dhe konfliktet midis llojeve të ndryshme të ndjeshmërive që ato i pushtojnë.

Të gjitha krimet e shkuara të Perandorisë ruse u kryen nën hije fshehtësie. Internimi i qindra mijëra lituanezëve, vrasja e qindra mijëra polakëve, asgjësimi i tartarëve të Krimesë, e gjithë kjo mbeti në kujtesë pa prova fotografike, pra si një gjë e paprovueshme që herët a vonë do të konsiderohet si një mistifikim. Përkundrazi, pushtimi i Çekosllovakisë, më 1968 u fotografua, u filmua dhe u depozitua në arkivat e mbarë botës.

Pushtimi rus, siç e kam thënë, nuk  ka qenë vetëm një tragjedi, ai ishte edhe një festë plot me urrejtje që askush nuk do t ia kuptojë ndonjëherë euforinë çmeritëse.”

Ai dënon tmerret e pushtimit dhe degradimin moral të njerëzve që dalin si rrjedhojë e ngjarjeve të vitit 1968; nuk ka dyshim se ai mbron një lloj humanizmi universal.

Shpesh mendonte për fjalimin që Dubçeku kishte mbajtur në radio, kur qe kthyer nga Moska.

Ai ishte kthyer i poshtëruar dhe i kishte folur një populli të poshtëruar. E kishin nëpërkëmbur aq sa nuk fliste dot. Tereza nuk do t’i harronte kurrë ato pauza të tmerrshme në mes të frazave.

Nëse nuk do të mbetej asgjë prej Dubçekut ato pauza të llahtarshme gjatë të cilave ai s’mbushej dot me frymë, gjatë të cilave gulçonte para një populli të tërë me veshin ngjitur pas radios ato pauza do të mbeten pas tij. Në ato çaste heshtjeje, ishte gjithë tmerri që kishte kapluar vendin.”

Sigurisht, aftësia e Kunderës që në skicat e shkurtra të ballafaqojë personazhet me problemet kyçe të jetës bashkëkohore dhe dyshimet kryesore të intelektualëve bashkëkohorë, është mbresëlënëse.

“Bota ishte aq e shëmtuar sa askush mes të vdekurve nuk donte të ringjallej.”

Ata që mendojnë se regjimet komuniste të Evropës qendrore janë vepër e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Dhe ata e mbronin trimërisht këtë rrugë, duke ekzekutuar për këtë shumë njerëz. Më vonë, u bë e qartë si drita e diellit se parajsa nuk ekzistonte dhe se entuziastët, pra, ishin thjesht vrasës.”

Kundera nëpërmes Sabinës përshkruan thelbin trishtues të qenurit në ekzil apo diasporë: “Kush jeton jashtë, ecën në një hapësirë boshe përmbi tokë pa atë rrjetën mbrojtëse që ia sjell çdo qenieje njerëzore vendi që është vendi i tij i vërtetë, ku ka familjen, kolegët, miqtë, ku e kuptojmë pa mund në gjuhën që e flet që fëmijë.”

Mirëpo, postmodernizmi i tij është jashtëzakonisht i pranishëm në teknikën e dizajnit letrar: lojërat e  vazhdueshme si në rrëfim, në arsyetim, të cilat, si tregimet, ndërpriten në vend që të përfundojnë, përfshirë paradokset e vazhdueshme në dualizmin mes vendosmërisë dhe pavendosmërisë, përgjegjësisë dhe papërgjegjshmërisë, e pushtojnë lexuesin mbi të gjitha si një ndërtim intelektual jashtëzakonisht i suksesshëm dhe prekës.

Po ashtu, pjesa e tretë “Fjalët e Keqkuptuara”, në të cilën theksohen dhe analizohen arsyet pse të njëjtat fjalë nuk kanë të njëjtën kuptim për të gjithë, duke kujtuar problemin e gjuhës që e hasim te veprat e Borhesit – problemi i gjuhës si një sistem simbolesh që ne do mund ta kuptonim të gjithë njësoj, vetëm nëse të kishim të njëjtën të kaluar dhe përvojë të përbashkët, gjë që natyrisht zakonisht nuk është kështu. Trajtesë e mendësisë dhe e estetikës postmoderne.

Ata e kapnin me saktësi kuptimin logjik të fjalëve që i thoshin njëri-tjetrit, por pa dëgjuar murmurimën e lumit semantik që rridhte përmes këtyre fjalëve. Për sa kohë njerëzit janë ende pak a shumë të rinj dhe partitura muzikore e jetës së tyre s’është veçse në masat e para, ata mund ta kompozojnë së bashku dhe mund t’i shkëmbejnë temat por kur ato takohen në një moshë më të pjekur, partitura e tyre muzikore pak a shumë është përfunduar, dhe çdo fjalë, çdo objekt nënkupton diçka tjetër në partiturën e secilit.”  (vazhdon) / KultPlus.com

Osmani dënon atentatin ndaj Trump: Çdo lloj dhune politike është absolutisht e papranueshme

Presidentja Vjosa Osmani e ka dënuar atentatin ndaj ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Osmani ka thënë se qëndron në solidaritet të plotë me ish-presidentin, Trump.

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ish-Presidentin Donald Trump, familjen e tij dhe të gjithë amerikanët e prekur nga të shtënat në mbledhjen në Pensilvani.

Çdo lloj dhune politike kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër atë.” / KultPlus.com

Restaurohet Kisha e Shën Mërisë në Mamurras

Kisha e Shën Mërisë në fshatin Shënmëri, Mamurras, është restauruar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau foto nga restaurimi i kësaj kishe, teksa theksoi se, Kisha e Shën Mërisë është pasuri kulturore, me status Monument Kulture i Kategorisë së Parë, datë 15.01.1963.

Gonxhja u shpreh se, kisha ndodhet në fshatin Shënmëri, Mamurras dhe paraqet interes të veçantë si një dëshmi arkitekturore që mbart gjurmë të disa fazave ndërtimore e disa duar pikturimi, që përfshijnë periudhën rreth shek. XI-XIV.

Në kuadër të restaurimit të rrënojave të Kishës së Shën Mërisë, u realizuan disa ndërhyrje. U pastrua hapësira përreth objektit nga vegjetacioni. U hoqën elementët jo autentikë brenda kishës. U restaurua muri i gurit antik me teknikë shqep-qep. U restaurua çarja e mureve të gurit me teknikën e injektimit, theksoi Gonxhaj.

Gjithashtu, shtoi ministri Gonxhja, u ndërhy në konsolidimin dhe konservimin e pikturës murale./ KultPlus.com

Më 14 korrik 1789 shpërtheu Revolucioni Francez, shënoi ardhjen e një rendi të ri që tronditi të gjithë Evropën

Revolucioni Francez (1789 – 1799) ishte një periudhë e përgjakshme që përfshiu të gjithë Francën për arsye kryesisht sociale dhe politike. Kjo shënoi fundin e monarkëve në Francë dhe ardhjen e një rendi të ri, që tronditi të gjithë Evropën.

Kur Luigji XVI thirri parlamentin, ai shpresonte të fitonte sërish mbështetjen e masave të popullsisë Franceze. Reformat ekonomike sipas tij do të shuanin revoltën dhe do të risillnin stabilitetin në vend. Për tu theksuar është se parlamenti nuk ishte mbledhur që më 1614, dhe askush nuk mund ta parashikonte se çfarë do të trajtonin deputetët e tre klasave kur ata do të takoheshin në Versajë.

Fundi i revolucionit me dekapitimin e mbretit (Luigji XVI) dhe mbretëreshës (Marie Antoinette Josèphe Jeanne de Habsbourg-Lorraine), do të sillte në pushtet jakobinët me në krye Maksimilian Robespierin, i cili legjitimoi Regjimin e Terrorit.

Deficiti i madh i shtetit dhe pakënaqësia popullore e detyruan Luigjin XVI që në maj 1789 të mblidhte Përfaqësinë e Përgjithshme,e cila nuk ishte thirrur gjatë 2 shekujve. Përfaqësuesit (deputetët) e shtresës së tretë, pa vullnetin e mbretit e shpallën veten Asamble Kushtetuese dhe deklaruan se nuk do të shpërndaheshin pa i dhënë vendit kushtetutën. Në mbrojtje të Asamblesë, më 14 korrik 1789 populli i armatosur i Parisit sulmoi dhe pushtoi kështjellen burg, Bastijën, qe ishte simbol i absolutizmit. U liruan të burgosurit dhe u ngrit flamuri trengjyrësh (i bardhe, i kuq, blu) i revolucionit. Kjo datë, 14 korriku, shënoi fitoren mbi regjimin e vjetër dhe vendosjen e regjimit të ri. Sot kjo ditë është festa kombëtare e Francës. Në provinca u pushtuan kështjellat, u dogjën dokumentet e detyrimeve dhe kudo u vendosën organe të reja të zgjedhura nga populli. Revolucioni fitoi. Për të mbrojtur Asamblenë u krijua një forcë e re ushtarake e përbërë nga vullnetarë, që u quajt Garda Kombëtare. Kjo forcë u bë ushtria e revolucionit.

Revoltat Popullore

Më tutje akoma, ndërkohë që Asambleja Kombëtare po punonte për kushtetutën e re (ata kishin punuar që nga korriku i 1789), qytetarët e Parisit dhe fshatarësia në rrethinat e kryeqytetit filluan revoltat që do ti jepnin revolucionit një pamje krejt tjetër; një pamje akoma më radikale. Qytetarët dhe fshatarët e thjeshtë kishin menduar se reformat do të ishin të shpejta. Ata kishin shpresuar që të liroheshin shpejtë nga taksat e rënda dhe nga varfëria e tejskajshme, por mbledhjet e Asamblesë Kombëtare kërkonin akoma më shumë kohë ndërkohë që banorëve të Parisit iu sos durimi. Mbase punimet kërkonin pak më shumë durim, por ishte popullsia e thjeshtë ajo që po përballej me inflacionin, papunësinë dhe shkurtim të rezervave ushqimore. Fjalë të shumta po përhapeshin se mbreti po përqendronte trupa të armatosura rreth Parisit. Të gjithë këto faktorë, të ndihmuar edhe nga një pasiguri e madhe, bënë që qytetarët e Parisit të hidheshin në revoltë.

Thashethemet u vërtetuan shpejtë. Luigji XVI, i ndikuar vazhdimisht nga gruaja e tij e bukur Maria Antonieta, do të sillte trupa ushtarake në Versajë. Si një veprim i gabuar ky, në një kohë të papërshtatshme, mbreti vetëm sa shtoi akoma më shumë frikën e qytetarëve se ato trupa “nesër ose pasnesër” do të godisnin Asamblenë Kombëtare. Kjo sipas masave ishte një lëvizje e mbretit për të shtypur revolucionin. Reagimi i turmës erdhi shpejtë. Më 14 korrik të 1789, një turmë e revoltuar sulmoi Bastijën. Bastija ishte një burg ku zakonisht hidheshin kundërshtarët politik, ndaj sulmi ndaj saj u pa nga të gjithë si një goditje ndaj padrejtësive që i ishin bërë atyre deri atëherë.

Shqetësimet do të përfshinin edhe rrethinat e Parisit. Gjatë verës të po atij viti, fshatarët u kapën në një ankth të papërshkrueshëm që u emërua si “Frika e Madhe.” Thashethemet u përhapën si era nga një fshat në fshatin tjetër sikur banditë dhe banda hajdutësh sulmonin fshatrat në të gjithë Francën duke vjedhur dhe bastisur të mbjellat dhe të korrat. Në këtë gjendje paniku, fshatarët shtrënguan në duar armët për tu mbrojtur nga një armik virtual që në vërtetë ishte thjeshtë pjellë e thashethemeve frikë-ndjellëse. Kur “bandat e hajdutëve” dhe “banditëve” nuk u dukën në horizont, fshatarët e tromaksur nga “Frika e Madhe,” sulmuan fisnikët e tyre. Ata shkatërruan, vodhën dhe bastisën depot ushqimore, dogjën regjistrat e taksave, si edhe u zotuan se kurrë më nuk do të paguanin ndonjë detyrim feudal. Ashtu si edhe parisienët, edhe fshatarët po zhvillonin një revolucion (në mënyrën e tyre) kundra regjimit të vjetër.

Reforma e të tjera

Duke parë trazirat në Paris dhe në të gjithë Francën, Asambleja Kombëtare kaloi në veprim. Në natën e 4 gushtit, pjesëtarë të shumtë të asamblesë mbajtën fjalime të gjata dhe pasionuare në mbrojtje të reformave. Mendohet se një nga vetë fisnikët, pretendoi që edhe këta të fundit të paguanin taksa. Një tjetër propozim ishte heqja dorë nga e drejta fisnike e gjuetisë (që ishte një nga hobit e preferuara të Luigjit XVI). Duke guxuar më shumë, edhe kleri vetë deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasuritë e luksit në se këto do i shërbenin reformave. Me pak fjalë, deri në agim asambleja hodhi poshtë të gjitha traditat e fisnikëve. Fisnikët tashmë mund ti gëzoheshin vetëm titujve të tyre. Një tjetër hap i rëndësishëm ishte edhe barazia e të gjithë meshkujve të rritur për tu punësuar në institucione shtetërore dhe fetare.

Mbledhja në atë natë gushti bëri shuma hapa para. shkurt, mjafton të përmendim citatin e një fisniku të moderuar Francez, Conte de Merabeau:

“ – Në se nuk është për të qeshur… shpenzuan një muaj të plotë duke u kapur mbas gabimeve ortografike, se si shkruhej kjo ose ajo fjalë. Por ju desh vetëm një natë për të përmbysur të gjithë rregullat e vjetra të mbretërisë.”

Para se të mbaronte gushti, Asambleja Kombëtare hartoi dhe vuri në zbatim të Deklaratën e të Drejtave të Njeriut. Kjo deklaratë përmbante shumë ide filozofike të iluminizmit dhe u frymëzua nga Karta e të Drejtave e hartuar në Angli. Një ndikim tjetër të madh pati edhe Deklarata e Pavarësisë amerikane. Deklarata e të drejtave të Njeriut (deklarata franceze), u përkthye në shumë gjuhë të tjera dhe u përhap në të gjithë Evropën. Nën këto ide, shumë vende të tjera, edhe Shqipëria, do të bënin revolucionet e tyre nën shembullin Francez. Pra deklarata bënte thirrje për barazi të të gjithë personave dhe siguri të pronës. Këto mendime do të parashtroheshin edhe në kushtetutë.

Zhvillime të mëtejshme

Ndërkohë që juristët dhe zyrtarët hartonin dhe debatonin reformat, qytetarët e revoltuar të Parisit hynë në asamble duke i kujtuar atyre se duhet të pyeteshin edhe kërkesat e tyre. Debati ishte pak i vështirë të qetësohej pasi shumica e protestuesve ishin me arsim të mesëm dhe nuk mund të kuptonin lehtë gjuhën e ngarkuar juridike.

Gjatë tetorit të 1789 më datë 5, me mijëra gra të revoltuara do të marshonin drejt Versajës, ku ndodhej mbreti me familjen e tij. Gratë ishin të revoltuara për çmimet e larta të ushqimeve. Një tjetër arsye e marshimit ishte si gjithmonë dyshimi se mbreti dhe mbretëresha austriake po komplotonin kundra Asamblesë Kombëtare. Ato kërkuan që mbreti të kthehej me ta në Paris së bashku me familjen e tij. Atje, ato do ta kishin më të thjeshtë të kontrollonin aktivitetet e mbretit. Luigji XVI pranoi duke shmangur në këtë mënyrë dhunën.

Kthimi i mbretit në Paris ishte një skenë e paparë. Rikthimi i mbretit habiti të gjithë. Luigji XVI, i hipur mbi një kalë parakaloi në rrugët e Parisit i ndjekur nga një turmë grash që përshëndesnin me gëzim. Mbreti vetë mbante të veshur shiritin tre ngjyrësh; blu, të bardhë dhe të kuqe, ngjyra këto që revolucionarët i kishin mbartur nën flamurin e tyre. Kjo gjë, i bëri revolucionarët të mendonit se ishin pikërisht ata që e kishin në dorë Francën tashmë. Asambleja Kushtetuese gjithashtu u zhvendos në Paris sepse në këtë mënyrë revolucionarët mund ta analizonin punën e tyre akoma më mirë.

Në fakt shumë do tju dukej periudha e revolucionit koha në të cilën Franca do të shkatërrohej përfundimisht, por nuk ishte ashtu. Rezultatet ishin shumë të mëdha duke qenë se kanë qenë produkti i kauze të hershme.

Pasojat e revolucionit nuk ishin aspak të papërfillshme, ato cuan në një ndryshim rrënjësor në sistemin e politik, ekonomia u rrit, dhe shpërndarja klasore ndryshoi. Nga e gjithë situata e ngatërruar e Francës, kaosi politik dhe ekonomik që përfundoi në përmbysjen e Direktoratit në  1799, ishte Napoleon Bonaparti ai që vendosi rregull dhe i solli Francës lavdinë e mëparshme. Në fakt regjimi i tij ishte akoma më i fortë dhe absolutist sesa ai i Luigjit të XIV por, në këtë rast francezët donin unitet dhe lulëzim të vendit të tyre.

Kështu uniformiteti i ligjit dhe i institucioneve u zbatua dhe afirmua në të gjithë Fancën, privilegjet ligjore të disa klasave u zhdukën, sistemi  i vjetër agrar u hoq, një pjesë e madhe e tokave mbretërore, të fisnikëve dhe të klerit u shpërndanë dhe iu shitën personave të shtresës së mesme dhe të ulët me cmime relativisht të ulëta. Sistemi i ri fiskal i tatonte njerëzit sipas fitimeve dhe u hoqën të gjitha pengesat për tregëtinë brenda vendit. Cdo profesion u bë pa pagesë dhe secili e merrte atë në bazë të talentit dhe aftësive. Besimi fetar dhe fjala kishin pothuajse një liri të plotë.

Të gjitha këto produkte të revolucionit bënë që francezët të duronin të gjitha reformat dhe masat drastike që i sollën ato.

Reformat Fetare

Për tu theksuar janë edhe reformat fetare që u zbatuan në këtë revolucion. Në të gjithë Francën, u hoqën të gjitha privilegjet dhe zakonet prapanike të fisnikëve dhe klerit. Asambleja Kombëtare i hoqi të gjitha privilegjet kishës, si edhe shpalli lirinë e besimit. Më 1790, asambleja i hartoi Kodin Civil (edhe pse në të vërtetë kodi civil do të hartohej në një mënyrë më të mirëfilltë dhe të saktë vetëm gjatë sundimit të Napolon Bonapartit). Sipas këtij kodi, asambleja merrte fuqi absolute mbi veprimtaritë fetare. Gjithashtu tashmë njerëzit mund ti zgjidhnin vetë klerikët. Situata degjeneroi më tepër kur asambleja filloi të shiste tokat e kishës si të sajat (kjo për arsye financiare). Ky veprim në të vërtetë nuk ndikoi shumë në rrjedhën e revolucionit, por bëri që disa përkrahës të flaktë të tij të cilët ishin katolik, të revoltoheshin dhe të mallkonin revolucionin, edhe pse kjo dyshohet se ishte thjeshtë një propagandë e Papatit.

Kushtetuta dhe Ngjarje të Tjera

Më 1791, Asambleja Kombëtare i dorëzoi më në fund popullit francez kushtetutën e saj të parë. Kushtetuta i la shumë pak fuqi mbretit edhe pse ai mund të vazhdonte të ishte monarku i vendit. Mbreti u vendos në krye të ekzekutivit. Legjislatura iu la në dorë Asamblesë Kombëtare. Mbreti mund të përdorte veton për të penguar një ligj, por legjislativi mund ta kundërshtonte veton e mbretit. Reforma të shumta u bënë gjithashtu edhe në gjykata ku këtyre të fundit iu dha një pavarësi për ta pasur zili. Kushtetuta do e ndante Francën në 83 departamente (rajone), dhe zëvendësoi punonjësit e vjetër lokalë me gjak të ri të zgjedhur nga vetë populli.

Nën ndikimin e Kushtetutës, dallimet e vjetra ndërmjet klerit, fisnikëve dhe “plebenjve”, u zhduk krejtësisht. Tashmë Franca i kishte përjashtuar elementët e vjetër të feudalizmit dhe ato, gjithmonë sipas kushtetutës nuk ishin më të mirëpritura në tokën e lirisë. Kushtetuta do të garantonte liri dhe barazi përpara ligjit për të gjithë qytetarët francez.

Mbas hartimit të kushtetutës, që priste akoma nënshkrimin e mbretit, shumë persona u kënaqën me monarkinë konstitucionale. Megjithatë radikalët nuk u pajtuan me këtë zgjidhje. Ata dëshironin republikë dhe jo monarki të kushtëzuar. Për shumë fisnikë, kushtetuta e 1791 e kishte tepruar me nenet e saj. Madje fisnikët (shumica e tyre) e kishin parë me dyshim kushtetutën përpara se ajo të fillonte të hartohej. Të frikësuar nga turmat e armatosura në rrugët e Parisit dhe gjetke, ata u larguan nga Franca. Këta “emigrantë politikë” do të luanin një rol vendimtar në bindjen e fisnikëve evropianë për të kundërshtuar revolucionin.

Kushtetuta frikësoi kryesisht Luigjin XVI. Luigji u alarmua nga vendimet e asamblesë dhe si gjithmonë ai do të bënte gjënë e gabuar në një kohë të gabuar. Ai do kërkonte ndihmë jashtë vendit të tij. Maria Antonieta do ti kërkonte ndihmë vëllait të saj, i cili ishte perandor i Austrisë. Megjithatë, familja mbretërore do të përpiqej të arratisej në qershor të 1791. Arratisja do të kishte qenë një sukses në se mbreti s’do të njihej në kufi. Asambleja e revoltuar e arrestoi atë dhe e detyroi të rikthehej në Paris ku kishte edhe vendin. Luigji e kuptoi se kishte qenë gjithnjë një i burgosur virtual i asamblesë. Në këto kushte, ai u detyrua ta pranonte kushtetutën e re më shtator të po atij viti.

Përpjekja për arratisje e mbretit i vuri në siklet revolucionarët e moderuar (të djathtët), që pavarësisht se ishin të kënaqur me monarkinë kushtetuese nuk mund ta justifikonin “tradhtinë” e mbretit. Radikalët revolucionar (të majtët) godisnin pikërisht në atë pikë. Ata ishin për republikë me pretendimin se mbretit nuk mund ti zihej besë. Si vazhdim, radikalët revolucionar arritën të merrnin pushtetin. Grupi i Jakobinëve me Maksimilian Robespierin në krye do të drejtonte Francën në “Regjimin e Terrorit.” /KultPlus.com

Atentati ndaj Trumpit nëpërmjet fotografive

Ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati i pritur republikan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trump, është jashtë rrezikut, pasi në një tubim ku po fliste, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. 

Trump u nxor nga skena me nxitim, ndërsa forcat e rendit raportojnë për dy njerëz të vrarë, përfshirë edhe sulmuesin e dyshuar, shkruan REL. / KultPus.com

Fotografi e rrallë e shoqërisë letraro-politike “Bashkimi”

Në Shkodër, godina në sfond njihet si “Shtëpia e Abatit” ose selia e shoqërisë “Bashkimi” (sot në Rrugën Justin Godard, pranë Katedrales së Shën Shtjefnit).

Shoqëria letraro-politike “Bashkimi” u themelua në vitin 1899 nga abati i Mirditës, Imzot Preng Doçi – në fotografi i ulur në qendër- dhe personalitete të tjera fetare dhe laike të kohës ndër të cilët si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija.

Programi i shoqërisë ishte përhapja e gjuhës së shkruar shqipe përmes botimeve. Shoqëria hartoi “Alfabetin e Bashkimit” i cili hodhi bazat e alfabetit të sotëm shqip që u miratua në Kongresin e Manastirit, si dhe botoi “Fjaluer i ri i i shqypes përbam prej shoqnijet Bashkimi” (1908).

Foto kortezi e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”/ KultPlus.com

Një letër emocionuese e Quasimodos për nënën e tij

Salvatore Quasimodo u lind në Modicë të Sicilisë në vitin 1901. Deri në vitin 1935 punoi si inxhinier, pastaj braktis këtë profesion dhe i përkushtohet ligjërimit të letërsisë italiane në Milano. Si poet i ri veproi në grupin e poetëve të rijnë të bashkuar rreth revistës ‘Solaria’, për të zhvilluar dhe udhëhequr poetët e lirikës hermetike.

Quasimodo ka përkthyer vepra të tragjedistëve grekë (Eshilit dhe Sofokliut), sipas përvojës së tij, zhvilloi pastërtinë stikistike dhe funksionalizimin e thjeshtësisë së shprehjve. Në vitin 1959, ai fitoi Çmimit Nobel për Letërsi. Ai vdiq në Napul në vitin 1968.

KultPlus ju sjell më poshtë një letër emocionuese të Quasimodos për nënën e tij:

Salvatore Quasimodo – Letër Nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri: nuk jam
në paqë me veten, por prej kërkujt falje nuk pres, të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit. E di që je ligsht, që jeton
si tërë nënat e poetëve, e varfër
dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.» – Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin. – “Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion
të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj,
këtë dua, për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot, për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë. Ah, vdekje fisnike, mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj, mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve. Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”

Përktheu: Beti Njuma / KultPlus.com